• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2013

Pavarësia pesë vjet pas

February 17, 2013 by dgreca

Bashkimi kombëtar-zgjidhje për të gjithë shqiptarët

Nga GANI QARRI, Zyrih/

Më 17 shkurt të këtij viti,u bënë plotë pesë vjet nga shpallja e Pavarësisë së vendit tonë të lirë. Vendit tonë të vogël dhe me Pavarësi të sapolindur, pas rreth 9 vitesh pritje jo dhe aq të shkurtër qysh nga çlirimi më 1999, dhe afro një shekulli pushtimi sllav, kur për herë të parë akti i tij historik, do të njihej e pranohej nga shtetet më të fuqishme dhe më të mëdha në Botë.Ndaj, në ditët e shënuara si kjo,ne kujtojmë me pietetin më të lartë sakrificat e panumërta dhe përpjekjet e pareshtura të heronjve dhe dëshmorëve të kombit ,si dhe ndihmën e forcave të NATO-s dhe përkrahjen e Bashkësisë ndërkombëtare të cilat na sollën deri te liria dhe pavarësia e vendit tonë.

Por,duke kujtuar rrjedhën e mundimshme të kohës dhe serinë e ngjarjeve jo gjithherë dashamirëse ndaj vendit dhe popullit tonë nëpër të cilat u dashtë të kalonte pas shpalljes së Pavarësisë së saj-Kosova si shtet i ri, me rrezikun nga krimi i organizuar e korrupsioni dhe veprimet armiqësore të strukturave kriminale serbe në veri,të cilat kishin për qëllim shkatërrimin e pavarësisë shtetërore dhe grabitjen e territorit të Kosovës , neve sot na bëjnë që të festojmë jo pa brenga edhe në pesë vjetorin e pavarësisë së vendit tonë.

Nëse shfletojmë me kujdes katalogun e ngjarjeve të pa këndshme që nga 19 shkurti i vitit 2008,kur vetëm dy ditë pasi që Kosova kishte shpallur Pavarësinë dhe Kuvendi i Republikës mbante seancën e miratimit të Pakos së Ahtisarit për miratimin e ligjeve të sajë,strukturat paralele serbe në veri, dogjën pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak,të cilat ndajnë Kosovën dhe Serbinë, për të mos lejuar më asnjëherë funksionalizimin normal të atyre vendkalimeve ndërshtetërore në atë pjesë të vendit,ky fakt i hidhur- nuk na le të qetë as tani. Madje nuk duhet harruar se edhe pse më 4 prill të vitit 2008 do të miratohej Kushtetuta si akti më i lartë juridik i vendit, e cila përcaktonte Kosovën si shtet të Pavarur dhe Republikë Parlamentare,vetëm rreth pesë javë më vonë, më 9 maji të vitit 2008,me miratimin e heshtur të BE-së dhe Bashkësisë ndërkombëtare,në Kosovë u organizuan zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale të Serbisë, nga të cilat dolën strukturat paralele të saj dhe nuk u shuan asnjëherë deri më tani, në vendin tonë.Për tu rënduar gjendja edhe më shumë, në nëntor të atij viti, me miratimin e BE-së, dhe Bashkësisë Ndërkombëtare, problemit të veriut do t`i shtoheshin edhe 6 pikat e Ban Ki Mon-it, të cilat nuk synonin hiq më pak se ndarjen e heshtur të Kosovës dhe bartjen klandestine – të asaj pjese përmes strukturave kriminale serbe dhe futjen nën sundimin e Serbisë,të rreth 30 % të territorit tonë shtetëror.

Kështu,me ndihmën e BE-së dhe përkrahjen e disa vendeve tjera nga Bashkësia Ndërkombëtare,Serbia arriti me sukses që nga atëherë të pengojë, funksionalizimin e doganave të shtetit, policisë vendore, vendosjen e rregullit, ligjit si dhe shtrirjen e shtetësisë së Kosovës edhe në ato pjesë të saj,deri më sot.

Për fat të keq, shuarjes së strukturave kriminale serbe në veri,nuk i ndihmoi as Vendimi i 22 Korrikut të vitit 2010,i cili u shpall njëzëri në Favor të mëvetësisë se vendit tonë nga Gjykata ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e cila me vendimin e saj ,dëshmoi edhe një herë se pavarësia e Kosovës ishte e drejtë dhe nuk u shkel asnjë ligj ndërkombëtar.Ndaj pas okupimit klasik të veriut, nga strukturat paralele serbe, Qeveria e Kosovës provoi që përmes intervenimit me polici të arrinte vendkalimet e uzurpuara kufitare, me ç`rast gjatë intervenimit me 25 korrik të vitit 2011, do të vritej edhe polici Enver Zymberi, njëri nga heronjtë e policisë sonë speciale.Pas këtij intervenimi,vetëm dy ditë më vonë,pra më 27 korrik të vitit 2011,nga bandat kriminale serbe, do të digjeshin sërish pikat doganore 1 dhe 31,në Jarinjë dhe Bërnjak,për mbrojtjen e të cilave nga forcat e EULEX-it, pothuajse nuk do të intervenohej fare,megjithëse ato ishin të vendosura atje. Dhe, sikur të mos mjaftonin të gjitha këto,edhe në bisedimet dypalëshe të cilat filluan në vitin 2011,Kosova nuk arriti të siguronte njohjen e dokumenteve tona të udhëtimit as lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj shqiptar nëpër Serbi.Madje,përmes bisedimeve, ajo nuk mundi ti kthente as librat origjinal të amzës dhe as regjistrat e saj Kadastral, të plaçkitura gjatë kohës së luftës nga Serbia.Bile,për të qenë çudia edhe më e madhe, Kosova do të kënaqej vetëm me marrjen e kopjeve të dokumenteve të saj shtetërore,duke pranuar që origjinalin ta mbante Serbia, e cila jo vetëm se nuk dha asgjë në ato bisedime, por fitoi edhe statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.

Për aq më keq,Kosova që nga 24 shkurti i vitit 2012, në vend të shënimit statusor si Republikë ajo u damkosë me Fusnotë, kurse Bashkimi Evropianë mbanë edhe sot qëndrim neutral ndaj Pavarësisë , duke mos i mundësuar deri më sot-shtetit të Kosovës shtrirjen e shtetësisë në veriun e saj.Dhe jo vetëm atëherë por edhe tani,pas pesë vjetësh të kaluara nga shpallja e Pavarësisë, doganierët e shtetit të Kosovës në pikat e Kufirit Jarinjë dhe Bërnjak, nuk mund të kalojnë rrugëve të barrikaduara tokësore nga pengesat e strukturave kriminale serbe, përkundër marrëveshjeve të arritura për menaxhimin e përbashkët të kufijve me Serbinë, sipas parimit të njohur evropian të IBM-s, dakorduar gjatë bisedimeve dypalëshe të zhvilluara në Bruksel.Dhe për fund,megjithëse në shtator të vitit 2012, ka përfunduar mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës dhe përfundimisht është mbyllur kjo Zyrë Civile Ndërkombëtare, për fat të keq, mu në pesë vjetorin e Pavarësisë së vendit tonë,ne në vend të festës dhe gëzimit, dëgjojmë lajmin e pa këndshëm-tanimë të bërë publik se me ish shtetin pushtues, ende kemi shumë punë dhe deshëm s`deshëm përveç fondit të ngritur zhvillimor nga qeveria- për Veriun- duhet të bisedohet edhe me Serbinë. Vallë, sa u realizuan ëndrrat e popullit liridashës shqiptar,pesë vjet pas shpalljes së mëvetësisë së Kosovës dhe ku fillon e deri ku arrin-Pavarësia jonë? Vallë ,a mund të quhen ideal i realizuar, pavarësit pjes -pjesë të  një populli, pa arritjen e bashkimit të përgjithshëm kombëtar, siç nuk e kanë, por e dëshirojnë edhe shqiptarët ?!

Rroftë liria e trojeve shqiptare!

Rroftë bashkimi ynë kombëtar!

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Gani Qarri, pas, Pavaraesia, pese vjet

GEZUAR DITELINDJEN E LIRISE, KOSOVE!

February 17, 2013 by dgreca

Gëzuar Ditëlindjen e Lirisë , Kosovë! 5 vjet Pavarësi, u bëfshin për ty, miliarda vite lumturi !/

 Vilhelme Vranari Haxhiraj /

Hapma zemrën, o Nënë!/

Me krenari ty të falem,

Kosovë!

Para teje në gjunjë

përulem o nënë!

Nderim…

mirënjohje…

përkushtim…

për shekuj të tërë!

 

Mbështetur kokën ,

në kraharorin tënd,

hapma zemrën…

dhe më bëj pak vënd.

Kosovë!

O bijë martire…

lejomë,

që mallin të ta shuaj

për djemtë e vajzat lastarë,

që jetën s’e kursyen

për ty, o nënë… e dhanë.

 

Kosovë!

o bijë e Shqipes krenare,

përse shekujt të drobitën?

luftrat…

hallet…

dhe dertet të rritën…

 

Kosovë!

më fut në gji ti, o mëmë,

me ledha…

ngrohtësi

e dhembshuri…

të t’i shëroj plagët

e shpirtit tënd!

 

Ndaj, hapma zemrën

e më bëj pak vend,

qetësinë do ta gjej

në kraharorin tënd!

Kosovë!

këtë pesëvjetor lirie

Të ndrit fytyra…

dhe kurmi i larë

me dritë Perëndieë

Ta gëzosh

kurorën e artë mbi krye

se të paska hije!

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Hapma zemren, o nene, Vilhelme Vranari

GEZUAR PAVARESIA, SEPSE VERTET U KRY!

February 17, 2013 by dgreca

Pershendetjame rastin e 5 vjetorit te Pavaresise se Kosoves e Ambasadores Shqiptare ne Otava znj Elida Petoshati ne Otava, Kanada/

Bashkëkombas dhe miq të dashur,/

Të dashur motra dhe vëllezër,/

Me anë të kësaj përshëndetjeje, dëshiroj t’ju uroj nga zemra “Gëzuar Përvjetorin e Pestë të Pavarësisë së Republikës së Kosovës”!/

17 shkurti 2008 do të mbetet një ditë e shënuar në historinë kombëtare të shqiptarëve, që mbylli kapitullin e hidhur të genocidit më të egër dhe politikës së spastrimit etnik të ushtruar prej një shekulli mbi një pjesë të rëndësishme të trungut të kombit tonë që nga Serbia e Karagjeorgjeviçit e deri në fundshekullin e kaluar të Serbisë së xhelatit Milosheviç.

17 shkurti 2008 do të mbetet një ditë e shënuar edhe për historinë e rajonit, i cili pas njëqind vjetësh është një hapësirë më e paqtë, më e sigurtë dhe më demokratike, sepse më në fund me pavarësimin e Kosovës i është dhënë një zgjidhje çështjes shqiptare në Ballkan.

Prandaj kjo datë na bën të ndjehemi thellësisht krenarë pasi gjaku dhe sakrifica e pashembullt e shqiptarëve të Kosovës, përveçse mbeten në altarin e përjetshëm të kujtesës sonë kombëtare, u shpërblyen më në fund me ëndrrën më të madhe të brezave për ta parë Kosovën të lirë dhe të mëvehtësuar.

Pesë vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ka dëshmuar modelin e një shteti tërësisht demokratik, i ndërtuar mbi themelet e bashkëjetesës multietnike, multikulturore dhe multikonfesionale, siç edhe sanksionohet në Kushtetutën e saj të standarteve më të mira europiane. Sot ajo ka fituar një dinjitet të padiskutueshëm në arenën ndërkombëtare, e njohur tashmë nga 98 shtete, ndërsa Opinioni Këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë njohu përfundimisht legjitimitetin e aktit të pavarësisë.

Sot qytetarët e Kosovës kanë përditë e më shumë motive për të përjetuar e gëzuar shijen e lirisë. Në sajë të maturisë së politikanëve të vet, procesi i pavarësisë së mbikqyrur është përmbyllur dhe po shkohet gradualisht drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore me Serbinë. Tashmë Kosova është orientuar pa kthim drejt perspektivës euro-atlantike. Shqipëria është thellësisht e angazhuar për avancimin e këtij procesi, që u bashkangjitet përpjekjeve të parreshtura të diplomacisë shqiptare për nxitjen e përfaqësimit rajonal të Kosovës, por edhe shtimit të numrit të njohjeve, që do t’i sigurojnë asaj vendin e merituar në familjen e Kombeve të Bashkuara.

Pesë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, qytetarët e saj kudo ku ndodhen kanë rastin të përkujtojnë e përshëndesin vendet mike e aleate që nuk toleruan nëpërkëmbjen flagrante të të drejtave të njeriut dhe ndërhynë për të mbështetur luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificat e popullit kosovar për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë një prej padrejtësive më të mëdha historike në rajonin tonë.

Kjo mirënjohje i drejtohet sot natyrshëm edhe Kanadasë, si një nga vendet më të rëndësishme të aksit euro-atlantik, e cila luajti një rol substancial për përfundimin e konfliktit të përgjakshëm që çoi në çlirimin e Kosovës nga zgjedha serbe, por edhe për lehtësimin e efekteve të krizës humanitare të pranverës së vitit 1999. Ne shqiptarët kujtojmë e jemi mirënjohës se ajo u rendit, gjithashtu, ndër vendet e para që njohën pavarësinë dhe pritën me bujari e solidaritet të lartë njerëzor një komunitet të konsiderueshëm nga shqiptarët e Kosovës, duke u lejuar të jetojnë në këtë vend të mrekullueshëm si qytetarë të denjë e plotësisht të integruar në shoqërinë kanadeze. Në këtë kontekst, ka vend për t’u përshëndetur vullneti i palës kanadeze për të forcuar marrëdhëniet me shtetin e ri të Kosovës, që u evidentua edhe gjatë vizitës së Kryetarit të Kuvendit, z. Jakup Krasniqi, në Kanada, në tetorin e vitit 2011, vizitën e Ministrit të Diasporës, z. Ibrahim Makolli në vjeshtën e kaluar, si dhe mesazhet e ngrohta të Guvernatorit të Përgjithshëm Johnston për Presidenten Jahjaga.

Të dashur motra dhe vëllezër,

Përvjetori i Pestë i Pavarësisë së Republikës së Kosovës përkon me një tjetër ngjarje të lumtur për mbarë shqiptarët kudo që ndodhen, 100 vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar, ditën e flamurit kuq e zi të Ismail Qemalit e Isa Boletinit, për të cilin u flijuan ndër breza gjithë bashkëkombasit e trevave shqiptare, pa asnjë dallim. Me pavarësimin e Kosovës, shqiptarët e festuan 100 Vjetorin si një komb i lirë.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë, e cila ka qenë gjithëherë krah diasporës së mrekullueshme të shqiptarëve të Kanadasë nga mbarë trevat, ndërmori inisiativën e organizimit të “Vitit të Shqipërisë në Kanada”, me synimin për të shpalosur përpara autoriteteve dhe publikut kanadez marrëdhëniet e shkëlqyera shqiptaro-kanadeze, por edhe vlerat e patjetërsueshme të kombit dhe botës shqiptare.

Si Ambasadore jam ndjerë thellësisht krenare për gjurmën e pashlyeshme që shqiptarët e Kanadasë i mveshën simbolikës dhe festimeve të Ditës së Pavarësisë. Në një frymë të admirueshme unisoni, shoqatat e organizuara, por edhe individualisht, të gjithë pa përjashtim iu përgjigjën inisiativës së Ambasadës, përmes zhvillimit të një pakete aq të pasur veprimtarish në të gjitha qendrat e mëdha ku jetojnë shqiptaro-kanadezët. Personalisht kam përjetuar privilegjin dhe ndjesinë më të veçantë të ndjek përgjatë 2012-ës momentet kulmore të këtij Viti të bekuar të Shqipërisë në Kanada kur shoqatat dhe çdo shqiptar i thjeshtë festuan 28 Nëntorin, ditën më të madhe të gjithë shqiptarëve, si pjesë e ndërgjegjes së pandërprerë kombëtare në të gjitha viset ku jetojnë bashkëkombasit tanë.

Të gjithë së bashku ditën të mbajnë dhe përçojnë me krenari ngjyrat e kombit, simbolet dhe figurat tona të paharruara, duke e shndërruar “Vitin e Shqipërisë në Kanada” në një festë homazhi dhe respekti për gjuhën, historinë, kulturën dhe traditat e përbashkëta.

Gjej rastin të përsëris mbështetjen institucionale të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në drejtim të mbarëvajtjes së jetës sociale e kulturore të gjithë shqiptarëve, duke bashkërenduar punën për ruajtjen e virtuteve dhe vlerave të përbashkëta kombëtare në Kanadanë mikpritëse, atdheun tuaj të dytë.

Të dashur motra dhe vëllezër,

Sot është vetëm Përvjetori i Pestë i Pavarësisë, shumë përvjetorë të tjerë do të vijojnë dhe brezat do të festojnë në mënyrën dhe kohën e tyre këtë ditë të madhe, por të gjithë do të trashëgojnë e përkujtojnë si ditën e parë jehonën e zërit të burrave të Kosovës që e përcollën bjeshkët për Komandantin Adem Jashari “ Bacë u kry ! ! ! ”

Gëzuar të gjithëve, sepse vërtet u kry….

Otavë, 14 shkurt 2013(Kortezi: Tribuna Shqiptare)

Filed Under: Kronike Tagged With: Elida petoshati, Gezuar sepse vertete, Tribuna Shqiptare, u krye

URIME PAVARËSINË E SHTETI IM!

February 17, 2013 by dgreca

Me shqiptarët e Suedisë në Festën e Pavarësisë së Kosovës/

Nga Sokol Demaku/

Kjo ishte motoja e manifetimeve të mërgimtarëve tanë në perendim më rastin e  shenimit të pesëvjetorit të Pvarësisë së Republikës së Kosovës.Kosova shënon nesër 5-vjetorin e pavarësisë, e edhe mërgata është shumë aktive në këtë drejtimNë Kosovë, kanë filluar tashmë kremtimet me rastin e pesë vjetorit të shpalljes së pavarësisë dhe sheshet kryesore janë stolisur me flamuj të Kosovës, ata kombëtarë dhe të shteteve mike. Por edhe mërgata shqiptare ka bërë planet e saja për festimin e kësaj dite të shenuar në histori.

Aktivitetet përfshijnë ekspozita në fotografi nga dita e shpalljes së pavarësisë, koncerte të muzikës popullore nga ansamble të këngëve dhe valleve popullore që janë active në mërgat, turne futbolli, koncerte për fëmijë.

Kështu ishte edhe në përnedim të  Suedisë në qytetine vogël dhe pitoresk Skene ku jeton dhe vepron një numër i kosniderushëm  i bashkëkombasve tanë.Këtu në sallën e  shkollës fillore të këtij qyteti ishin tubuar bashkëkombas tanë nga të katër anët e suedisë perendimore për të kujtua dhe festua pesë vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së vendit tonë Republikës së Kosovës. Ishte një festë familjare, ku fjalën  e rastit e mbajti mësusi i Gjuhës shqipe dhe njëherit sekretar i qendrës Kulturore “Dardania” nga qyteti Skene, Haki Gashi, i cili prezentoj me fakte të arriturat e Shetit tonë por njëherit përmendi edhe ndihmën dhe aktivitetet e mërgimatarëve në ketë drejtim që nuk janë dhe të vogla.

Salla dhe ambienti ku mbahej manifestimi ishin stolisur me flamuj shtetor e kombëtar si dhe të shtetit nikoqir ku bashkekombasit tanë jetonë dhe veprojnë.

Nga ana e Kryesisë së QK ”Dardania” u dhuruan dhe shperblyen me temirët në aktivtete e tyre kulturore gjate vitit, ndersa Redaksia e botimeve e revistës “Dituria” nga Borås për fëmijët e këtushëm kishte siguria dhe u ndau libra me rastin e festës së pavarësisë.

Të pranishmit i argëtoi gjatë tërë kohës me zërine  tij magjik Azizi dhe orkestrëne  tij simpatike, i cili në këto treva është shumë i njohur me këngën e tij të adhuruar nga mërgimatrët shqiptar.

Filed Under: Kronike Tagged With: pavaresise se Kosoves, Sokol Demaku, urime

JEHONA AMERIKANE ME RASTIN E 5-VJETORIT TË PAVARËSISË SË KOSOVËS

February 16, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Të Dielën me 17 Shkurt  Kosova dhe mbarë kombi shqiptar festoi 5-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë nga Serbia.   Ekspertë të ndryshëm kanë pohuar se mos të ishte për përkrahjen e madhe diplomatike dhe ushtarake të Shteteve të Bashkuara për shqiptarët e Kosovës, Kosova nuk do e kishte fituar kurrë pavarësinë e shpallur më 17 Shkurt, 2008.    Duke u bazuar në deklaratat që udhëheqësit e saj më të lartë bënë me rastin e 5-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës,  Shtetet e Bashkuara  të Amerikës vazhdojnë të jenë të angazhuara, me sinqeritetin më të madh të tyre, për të  vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës duke punuar së bashku me institucionet e Republikës së Kosovës dhe me ortakët ndërkombëtarë, për një Kosovë ku mbizotëron rendi e ligji, për një Kosovë të begatë me një ekonomi të fortë dhe me një shoqëri demokratike e tolerante me një qeveri dhe shoqëri civile të fortë dhe të qëndrueshme.   Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se ato vazhdojnë së punuari me aleatët e tyre evropianë për realizimin e aspiratave të popullit të Kosovës për integrimin e shtetit më të ri në Evropë në organizmat euro-atlantike.Ashtu si edhe në të kaluarën, këto ndjenja miqësie dhe mbështetjeje për Kosovën u ritheksuan edhe në mesazhet që udhëheqsit më të lartë amerikanë i drejtuan popullit të Kosovës  me rastin e 5-Vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.Listën e urimeve të udhëheqësve amerikanë e kryesoi Presidenti Barak Obama, i cili në mesazhin e tij, drejtuar Presidentes Atifete Jahjaga, i përcolli asaj dhe popullit të Kosovës, “urimet më të përzemërta me rastin e 5-vjetorit të Pavarësisë së shtetit tuaj.”    Presidenti Obama uron Kosovën për, ”hapat historike në realizimin e përfundimit të mbikqyrjes së pavarësisë”,  duke shtuar se, “Ndonëse mbetet ende punë për t’u bërë,  Kosova ka ecur përpara në konsolidimin e institucioneve demokratike,  në forcimin e sundimit të ligjit, në ekonomi dhe në zhvillimin e një shteti tolerant, gjithpëfshirës dhe shumë kombësh.”    Presidenti amerikan nënvijon gjtihashtu përparimet e bëra në, ”dialogun me Serbinë, që ka çuar përpara mundësitë drejtë normalizimit të marrëdhënjeve, nga të cilat do të përfitojnë qytetarët e Kosovës, fqinjtë dhe i githë rajoni.”    Në mesazhin e tij, Presidenti Obama, në emër të vendit që ai përfaqëson,  shprehet  se, “Shtetet e Bashkuara janë krenare që janë miqët tuaj të ngushtë dhe  si partnerë  mbesim të përkushtuar në qëllimin tonë të përbashkët që Kosova të sigurojë vendin e saj të merituar me një të ardhme evropiane të integruar, demokratike dhe të përparuar. “Admirojmë përparimin që Kosova ka bërë në këto pesë vite të pavarësisë dhe mirëpresim që të punojmë së bashku me ju për arritje të tjera në vitet në vijim”,  tha udhëheqsi amerikan në mesazhin e tij, drejtuar presidents Jahjaga dhe nepërmjet saj popullit të Kosovës.

Edhe Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry në një mesazh me të njëjtën frymë miqësie karshi Kosovës shprehet se, ”Shtetet e Bashkuara mbeten vendosmërisht të angazhuara për një Kosovë të pavarur, sovrane dhe shumë  etnike”,  duke thënë se, ”uron udhëheqsit e Kosovës për dedikimin e tyre ndaj ndërtimit të institucioneve demokratike, avancimit të mundësive të reja ekonomike,  promovimit të zbatimit të ligjit dhe përpjekjeve drejtë integrimit evropian.”   Sekretari amerikan i Shtetit këshillon udhëheqsit e Kosovës se, ”vazhdimi i punës në këto fushë, shërben për sigurimin e stabilitetit rajonal si dhe të prosperitetit për vendin tuaj”,  duke përfunduar se “ndërsa ju festoni këtë ditë të veçantë, duhet ta dini se Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë pranë Kosovës si partnere dhe mike.”

Nuk munguan as urimet e miqëve të shqiptarëve në Kongresin amerikan, të prirë nga Kongresmeni Eliot Engel i shtetit New York, nën-Kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtëme të Dhomës së Deputetëve dhe njëherazi edhe kryetar i grupit të ligjvensëve që mirren me çështjet shqiptare në Kongresin amerikan.   Në mesazhin e tij, Zoti Engel tha se,  ”Ka qënë një nder dhe kënaqësi të qëndrosh përkrah popullit të Kosovës ndërsa ata kaluan nga tragjedia në triumf gjatë 20 vjetëve të fundit.    Por beteja nuk ka mbaruar.  Kosova ende pengohet nga mungesa e vullnetit të disa vendeve për ta njohur atë, ndërsa vende të tjera ende e bllokojnë Kosovën të bëhet anëtare e OKB-së dhe të përparojë normalisht drejt një të ardhme euro-atlantike”.   Ai u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre evropianë që siç tha ai,  ”Përparimi i Kosovës drejtë strukturave euro-atlantike, Bashkimit Evropian dhe  NATO-s  të jetë një prioritet”,  duke shtuar se,  ”Kosova duhet të përfshihet në Evropë së bashku me fqinjët e saj, pasi në të kundërtën do të krijonim një gropë të zezë në Ballkan,  ku shqetsimet më të këqia për krimin dhe korrupsionin mund të bëhen realitet.”   Rruga e Kosovës drejtë NATO-s, sipas Kongresmenit Engel,  kërkon zhvillimin e një ushtrie, hapat e parë drejtë së cilës janë hedhur tanimë”, dhe u shpreh se ”pret me padurim ditën kur trupat e Kosovës do të qendrojnë krah për krah me ushtarët amerikanë në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.”    Si mik i sinqertë i shqiptarëve,  Zoti Engel ve në dukje sfidat serioze me të cilat përballet Kosova, prëfshirë papunësinë dhe korrupsionin si pengesa kryesore për zhvillimin e ekonomisë, por edhe marrëdhënjet ndër-etnike. Miku i vjetër i shqiptarëve në mesazhin e tij siguron Kosovën se, ”Shtetet e Bashkuara kanë qënë dhe do të vazhdojnë të jenë miqtë më të mirë të Republikës së Kosovës.    Ne do të vazhdojmë të nxisim zhvillimin e Kosovës, respektin për sovranitetin e saj dhe zgjërimin e numrit të vendeve që e njohin atë.    Me miqësinë në rritje mes dy vendeve dhe popujve tanë, kam shpresë se pesë vjetët e ardhshme do të jenë edhe më të mira sesa këto pesë vjet të para të pavarësisë”,  përfundoi  mesazhin e tij Kongresmeni Eliot Engel.

 

Një tjetër ligjvenës amerikan, Kongresmeni Gary Peters  nga shteti Michigan,  gjithashtu anëtar i grupit  që merrret me çështjet shqiptare në Kongres, dhe njohës I mirë  dhe mbështetës i çështjeve shqiptare në  Kongresin amerikan,  në urimin e tij thotë se, “Jam  krenar që jam mik i shqiptarëve”, dhe  shton se do të festojë  këtë përvjetor me shqiptarët  në shtetin Michigan.   Kongresmeni Peters thotë se gjatë vizitës së tij të fundit në Shqipëri dhe  në Kosovë kishte parë aq shumë shtëpi dhe objekte ku flamuri amerikan valvitej krahas atij shqiptar – dhe shprehet se ai do,”të mbështesë lidhjet e pandërprera midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe do të punojë për të forcuar sovranitetin e Republikës së Kosovës”.

Edhe komuniteti  shqiptaro-amerikan, roli i të cilit është i njohur mirë në forcimin e marrëdhënjeve të ngushta që ekzistojnë midis Kosovës, Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara – por edhe për përpjekjet e tija për të sensibilizuar opinion amerikan mbi fatin e shqiptarëve në Ballkan — e ka shënuar këtë përvjetor — duke zhvilluar aktivitete të ndryshme festive.   Madje edhe gazeta e dytë  më e madhe  në  New York, The Daily News,  pasqyroi aktivitetet e shumëta të shqiptarëve të New Yorkut.   Gazeta  thotë se megjithse kanë kaluar 5-vjetë nga Shpallja e Pavarësisë së Kosovës,  entuziazmi i tyre për Kosovën nuk është pakësuar aspak, ndërsa ata festojnë në lagjën Bronks dhe anë e mbanë qytetit new York.   Daily News citon asamblistin  e parë shqiptaro-amerikan Mark Gjonaj, i cili disa ditë më parë paraqiti në Asamblenë e New Yorkut një rezolutë me rastin e këtij përvjetori se, “këjo është një ditë krenarie për popullin e Kosovës, për shqiptaro-amerikanët dhe  për shqiptarët anë e mbanë  botës.”

Konsulli i Përgjithëshëm i Republikës së Kosovës  në  New York, Ambasadori Bekim Sejdiu, në mirënjohje ndaj rolit të Shteteve të Bashkuara, i tha me ketë rast gazetës së New Yorkut, Daily News se, “Mbështetja e fortë e Shteteve të Bashkuara për Kosovën ka qenë dhe është një faktor jetik për përparimin e gjithanshëm të Kosovës,  dhe ne do të jemi gjithmonë shumë mirënjohës për këtë”, dhe shtoi se diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara  “ka qenë aktive dhe e pazëvendsueshme”,  në zhvillimet  pozitive në atdheun e tyre.   “Në këtë 5-vjetor”, i tha ai gazetës Daily News të New Yorkut, se  “të gjithë ne kemi shumë arsye të festojmë, pasi  shqiptarët nga Kosova që jetojnë këtu janë krenarë për kontributin e tyre ndaj lirisë, demokracisë dhe begatisë së Kosovës.  Ata janë krenarë  si qytetarë të mire të Shteteve të Bashkuara dhe në të njëjtën kohë gëzohen dhe festojnë arritjet e mëdha të Republikës së Kosovës”, përfundoi përfaqsuesi  i Kosovës në New York.Komuniteti shqiptaro-amerikan në New York, por edhe anë e mbanë Shteteve të Bashkuara ku ka përqendrime të konsiderueshme shqiptarësh festoi këtë përvjetor, përfshirë  drekën që shtroi organizata pan-Shqiptare Vatra dhe  gazeta Illyria organizoi një darkë të madhe, për të nderuar personalitete amerikane dhe shqiptare  që ndihmuan në realizimin e Pavarësisë së Kosovës.

Këto janë urimet dhe dëshirat e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe të autoriteteve  më të larta të  Shteteve të Bashkuara,  të  një vendi dhe të një populli mik që ia ka dashur dhe ia do të mirën Shqipërisë,  Kosovës dhe kombit shqiptar në përgjithësi. Këto janë fjalët dhe këshillat e sinqerta të udhëheqësve të një vendi,  miku të madh për një kauzë të drejtë dhe të nevojshme që është integrimi i plotë i shqiptarëve në organizmat  Euro-Atlantike.    Nëse Shqipëria dhe Kosova dëshirojnë të bëhen pjesë e kësaj bote euro-atlantike për të cilën bëjnë thirrje udhëheqsit amerikanë dhe për të cilën udhëheqsit shqiptarë në të dy anët e kufirit kanë shprehur gatishmërinë e tyre, të pakën me fjalë — atëherë  udhëheqsit e sotëm të kombit shqiptar nuk mund të mos përfillin këtë zë të fuqishëm miqësor që i bën thirrje të drejtë për drejtë ndërgjegjes kombëtare dhe patriotizmit më të shëndosh shqiptar.

Filed Under: Opinion Tagged With: 5 vjetorit, Frank shkreli, jehona amerikane, pavresia e Kosoves

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT