• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2013

RIKTHIM TE E KALUARA, THELBI I PATRIOTIZMËS SHQIPTARE

May 27, 2013 by dgreca

Duke studjuar librin “Major Ahmet Lepenica, Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare në Luftën e Vlorës, 1920”, i autorit Enver Memishaj – Lepenica/

Shkruan:  Eqerem Canaj, Shkrimtar, dekoruar me “Mirënjohje e Qytetit të Vlorës”/

Në tërësinë botimore historike, të veprave letrare – artistike, në pikturë, muzikë etj., në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë, si pika më kulmore e Historisë sonë Kombëtare, një shfaqje e dukshme u realizua edhe në sferën studimore, veçanërisht, në atë monografike, gjë që la vlagë në botën shqiptare sepse paraqitej botkuptimi e vështrimi i ri i historisë, për luftën kundër përpjekjeve për të mbajtur të pushtuar bregdetin shqiptar dhe tokat e Jugut e Veriut  të Shqipërisë, në përfundim të Luftës së Parë Boterore.  Kundër këtyre përpjekjeve pushtuese, shqiptarët bënë Luftën e Vitit 1920, që në histori ka hyrë me emërtimin Lufta e Vlorës, është ajo luftë heroike, patriotike popullore, që do të shënonte fatin e vendit tonë.

Botimi i librit, monumental, “Major Ahmet Lepenica”, është një kontribut me vlerë, pse risjell në kujtesën kombëtare atë luftë të madhërishme popullore, atë shpërthim zjarri të brendshëm të trimave popullor të cilët u betuan: o do ta hedhim armikun në det, o do të shuhemi të tërë, siç edhe e stigmatizon autori faqe pas faqeje e kapitull pas kapitujsh, përgjatë 480 faqesh, në botimin luksoz të GEER 2012. Punë e pastër, serioze e plot përkushtim i autorit Memishaj, i cili i ka hyrë me ngulm temës historike në një sërë botimesh të suksesëshme të këtij lloji.

Të mendosh se botimi i këtij libri është thjesht një prurje për Luftën vigane të vitit 1920, do të ishte pak, brenda konceptualitetit historik e filozofik, edhe pse për këtë luftë popullore, për heronjtë, të cilët e shkruan historinë me heroizëm të pa shoqe, me gjakun e tyre.  Kjo vepër është shumë më tepër, sepse ajo është një analizë e thellë historike e realizuar nga historiani, Enver Memishaj, pra kontributi i tij fiton tjetër pamje: me një vështrim të ri të Luftës së Vlorës, me përfundime të reja domethënëse, me vlerësime për personalitete të shquara dhe të mbuluar me harresë.

Përgjithësisht do të përmëndja këto momente:

* Për Luftën e Vlorës, në vitin 1920, ka mjaft krijime, veçanërisht, popullore, ajo luftë është intrepertuar si një luftë barinjsh e bujqish, sipas koncepteve antishkencore të kohës, një luftë me cfurqe, sopata e hanxharë, me gunat e dhirta, opingat me tela e ca gërshërë, u sulën përmbi një ushtri të një mbretërie dyzetmilionshe, në një ushtri të përgatitur e të organizuar me regjimente, korparmata, ndërlidhje, topa, avionë e flotë ushtarake, kryekomandanti pushtues gjeneral Gotti …, të tjerë e të tjerë.

Me një fjalë, pa mohuar edhe këtë anë: vitalitetin popullor, i cili ishte dhe mbeti një shëmbull i paarrirë asnjëherë më parë (dhe duhej të përjetësohej si i tillë nga autori), historiani Memishaj, nëpërmjet portretizimit të figurës ushtarake Major Ahmet Lepenicës i ka servirur lexuesit dhe studjuesit të linjës, se Lufta e vitit 1920 drejtohej, krahas mjaft figurave politike të kohës, Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare”, prej ushtarakëve të lartë atdhetar, që kishin shkëlqyer në fushat e betejave të shumta të ish Perandorisë Otomane, si major Ismail Haki Libohova, major Ismail Haki Kuçi, kapiten Qazim Koculi, kapiten Ahmet Muka etj., oficerë që kishin marrë titullin e lartë ushtarak “Ismail Haki”, në komandë të të cilëve u emrua major Ahmet Lepenica, si  Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare. Autori  evidenton edhe faktin se koha e pati lënë disi në mjegull, këtë personalitet të shquar të historisë sonë që është njeri nga atyre heronjve  që rishpallën Pavarësinë Kombëtare në vitin 1920.

 

* Uniteti i pjesëve dhe i elementëve përbërës në vepër.

Duke qenë se në vepër, në ballinën kryesore, foto dhe kryetitull është fiksuar ushtaraku “Major Ahmet Lepenica”, vetvetiu mendohet një parangjitje a përngjitje me Luftën e Vlorës, me llavën flakadanë që shpërtheu më 1920. Në një zjarr ku digjen e shkrumbohen drurë e gurë, luftëtarë që “hanë hekurin me dhëmbë” a vullnetarë të “çuditshëm” që kanë ardhur, nga tërë viset shqiptare, për të vdekur në Vlorë dhe për Vlorën.

Vërtet një shfaqje heroike, vigane, sikundër e kanë cilësuar e pranuar njëzëri të gjithë studjuesit e historianët, atë luftë. Ishte zëri i Atdheut që thërriste e tundonte. Dhe autori i librit Enver Memishaj, një studjues i kulluar dhe historian i mirëinformuar, këtë anë të rëndësishme të individit në histori, mendojmë, e ka trajtuar mirë nëpërmjet figurës së  major Ahmet Lepenicës. Me pjekurinë e kthjelltësinë e një profesionisti autori na e përshkruan major Ahmet Lepenicën, si një luftëtar të çështjes sonë kombëtare që nga viti 1908, kur arnaut Ahmeti rrethoi pallatin e sulltanit deri sa ky pranoi Kushtetutën e Xhonturqve … Shkurt, sakt  autori përshkruan formimin shkollor, ushtarak e botëkuptimor të heroit të veprës, falë literaturës që ai ka grumbulluar, studjuar, si dhe analizuar në të mirë të kësaj vepre patriotike që ia jep lexuesit shqiptar e, ndofta, më gjerë, në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Major Lepenica, u përfshi në Lëvizjen Kombëtare që nga qershori i vitit 1912, kur zbriti në limanin e Vlorës për të shtruar vendin. Formimi atdhetar atë e hodhi në krahët e lëvizjes për liri, shkallë – shkallë ai u zgjua dhe iu përkushtua tërësisht çështjes së Pavarësisë Kombëtare, ndaj së cilës një ditë më 5 qershor 1920, do të dëftonte cilësitë e një komandanti të sprovuar në një luftë, jo të  barabartë. Por, nënkuptojmë, përpos kësaj, se asnjë luftë nuk mund të fitohet pa strategji e strateg, pa taktikë e përkushtim. Këtë fakt historik e provon me mjeshtëri, autori i librit.

* Analiza, rruga efikase që ka ndjekur autori për të arrirë në përfundime të rëndësishme të veprës në fjalë.

Kemi të bëjmë me një vepër historike voluminoze, por edhe një temë e trajtuar prej penash të njohura artistike, domosdo dhe studimore e historike, edhe në kohë të tashme, kohë të trazuara, ku autorë të pa formuar mirë, orvaten të thonë diçka në një nga fushat e jetës, ose do të kopjojnë pararendsit (gjallë apo vdekur) pa iu dredhur qerpiku .

Ndryshe nga këta, Enver Memishaj ka studjuar dhe shfrytëzuar, dokumentet arkivore, dokumenta historike, literaturë të gjerë historiografike, kujtime të botuara, folklorin, gazetat dhe revistat, të harmonizuara  dhe duke iu nënshtruar analizës dhe gjykimit të tij  të ftohtë. Ai ka ditur të ballafaqojë veprat dhe mendimet për Luftën e Vlorës, si dhe teori, ide e pikpamje, nëpërmjet një analize logjike e botëkuptimore në përshtatje me kushtet politiko – shoqërore të kohës kur u zhvilluan ngjarjet. Nëpërmjet kësaj analize shkencore ravijëzohen mirë e bukur cilësitë dhe rëndësia  e veprës historike të major Ahmet Lepenica nëpërmjet kapitujve: “Major Ahmet Lepenica bashkëluftëtar i Mustafa Qemal Ataturkut, Ismail Qemalit e Isa Boletinit”,  “Mbrojtës i Pavarësisë Kombëtare 1912 – 1913”, “Çliroi krahinat jugore të Shqipërisë 1914”, “Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare në Luftën e Vlorës 1920”, “Komandant i krahut të Vjosës 1921”, “Qarkkomandant i Xhandarmërisë Gjirokastër 1924”, “Në udhëheqje të Revolucionit të Qershorit 1924” …, etj., tregojnë qartazi se historiani Enver Memisha, përmes analizës, ballafaqimit, por edhe të portreteve të gjalla, jo vetëm i ka dhënë lexuesit një vepër e cila lexohet me interesim, porse ka vendosur  edhe një gur, të skalitur mirë, në themel të historisë sonë kombëtare, thënë ndryshe, kuptojmë se rikthimi i autorit te tema e së kaluarës, është thelbi i patriotizmës shqiptare.

Filed Under: Kulture Tagged With: i Trupave Kombetare, Komandant i pergjithshem, Major Ahmet Lepenica, ne Luften e Vlores

GËZUAR DITËLINDJEN, DESIGNERIT TË DIELLIT, DANNY BLLOSHMI!

May 27, 2013 by dgreca

Në Foto: Danny Blloshmi me të fejuarën, Kledia Myrtolli , që studion për mjeke/

Sotë është ditëlindja e Art-Dizajnerit të Gazetës DIELLI, Danny Blloshmi: GËZUAR DANNY, i  pac të gjitha ditët, javët, muajët, vitet, të gjithë Jetën tënde, të gëzuar si Dita e lumtur e Lindjes!

Danny është bashkuar me ekipin e Vatrës që në 100 vjetorin e Gazetës Dielli, qershor 2009, teksa përcolli mesazhet e brezit të vet, brezit të ri, për të cilin ka aq shumë nevojë VATRA. Më pas ai mori përsipër dizajnimin e Gazetës Dielli, edhe pse nuk e kishte ushtruar më parë, por me këmbëngulje e prefeksionoi dhe tani arrin që ta faqosë gazetën mirë dhe në një kohë të shkurtër. Dhe së bashku ne arritëm që ta faqosinim Diellin jo më me 16 Faqe sipas traditës së trashëguar, por me 24, 32, 36, 40 dhe numrat special përmbi 100 faqe! Faleminderit Danny!

Danny dha një kontribut të jashtzakonshëm edhe në 100 vjetorin e Vatrës. Përmes tij, nëpermjet acauntit në on line u mblodhën mijëra dollarë. Po ashtu, ai u lidh me zyrën e Senatorit të New Yorkut,  Schumar, përcolli tek  ai historinë e federatës Vatra në 100 vjetorin e themelimit; po ashtu përcolli edhe atmosferën festive të 100 vjetorit në gazetën Njujorkeze Daily Nwes, e cila i kushtoi shkrim të vecantë 100 vjetorit të Vatrës.

Danny ka qenë përherë aktiv në Vatër, ai ka kryer vullnetarisht detyrën e arkëtarit(deri në Kuvend), atë të menaxhimit të ndërtesës së Vatrës etj. Me krijimin e  Degës së re të Westchester Sotuh, Danny është zgjedhur arkëtar i dëgës.

Per aftesite profesionale et Danny-t ne fushen e financave flet pozicioni I tij ne kompanine me te famshme si Merryll Lynch, si Financial Advisor at Merrill Lynch.

Danny Blloshmin e lidhin me Vatrën dhe nacionalizmi shqiptar fije të shumta , babai i tij, Hysen Blloshmi ishte anëtar i Këshillit Drejtues të Vatrës deri në Kuvnendin e 27 prillit 2013, ai ështe një nga dhuruesit bujarë të Vatrës nga të ardhurit pas 1990-ës, Gjyshi i Dannyt, Xhevdet Blloshmi është shumë i njohur në diasporën shqiptare të Amerikës, luftoi me armë në dorë kundër sistemit komunist, ishte ndër ata që vullnetarisht shkoi në Shqipëri për të luftuar, ai ndërroi jetë në Amerikë pasi e solli familjen në vendin e lirisë.Një figurë tjetër e njohur nga Blloshmit ishte edhe sekretari i Faik Konicës, Haki Blloshmi, i cili iu bashkua Vatrës porsa erdhi me studime në Amerikë me 1923, ai mbaroi studimet në Harvard më 1927, por në vend që të ndiqte karrierën në SHBA, ne vitet e Luftes se II Boterore  ai shkoi për të luftuar në Shqipëri kundër pushtuesëve dhe u vra pabesisht nga Forcat e Brigadës së I të Mehmet Shehut në Dunicë me 7 Mars 1944.

Edhe njëherë Gëzuar Ditëlindjen, i dashur Danny! E kalofsh sa me bukur diten e bekuar!

DALIP GRECA

Editor i Diellit

Filed Under: Komente Tagged With: Danny Blloshmi, ditelindja, editori i Diellit, Gezuar/dalip Greca, sot

Në Florida Federata Vatra, kujtojë ditëlindjen e Naim Frashërit

May 27, 2013 by dgreca

Naim Frashëri rilindasi ynë i shquar, vuri themelet e letërsisë kombëtare shqiptare. Vepra e tij shënoi lindjen e një letërsie të re me vlera të vërteta artistike. Ajo shprehte aspiratat e shoqërisë shqiptare të kohës dhe ndikoi fuqishëm në luftën e saj për liri e progres./

Nga Jacksonville- Florida – Beqir SINA/

JACKSONVILLE – FLORIDA – 167 vjetori i lindjes së poetit tonë kombëtar Naim Frashëri, rilindasit tonë të madh u kujtua të shtunën në mbrëmje në qytetin Jacksonville të Floridës, me një veprimtari artistiko – kulturore, organizuar nga Dega e Fedeatës Vatra në Florida.

Në veprimtarinë e Degës së Federatës VATRA në Jacksonville- Florida, morën pjesë dhjetëra vetë, familjet vatrane dhe simpatizantë të shoqatës Vatra. Në veprimtarinë “Shqipëri o nëna ime”- Show artistiko-muzikor më rastin e Ditës Kombëtare te shkrimtarit të shquar të Rilindjes Shqiptare Naim Frashërit, mori pjesë edhe Dervish Pashaj nga Teqeja e Detroitit, kryetari i Federatës PanShqiptare të Amerikës VATRA, Dr. Gjon Buçaj dhe  zoti Sejdi Husenaj.

Dy hymnet kombëtare ; Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë çelën këtë veprimtari të bukur, dhe të veçantë të komunitetit shqiptarë në SHBA

“Qëllimi i kësaj veprimtarie të veçantë është kujtimi i ditëlindjes të poetit tonë të madh kombëtar, të rilindjes, sonë kombëtare Naim Frashërit,” u shpreh kryetari i degës së Vatrës në Florida, zoti Adriatik Spahiu .”Vepra e Naimit, tha ai është e pavdekshme, ajo është krenaria e jonë kombëtare, andaj dhe për Naimin do të ketë gjithmonë vetëm ditëlindje,” theksoi më tej Spahiu, duke drejtuar edhe një falemnderim të veçantë për mysafirët nga Nju Jorku, Baban e Teqes së Detrotit, dhe të gjithë pjesëmarrësit.

Fjalën kryesore të kësaj veprimtarie e mbajti zoti Ali Lushnjari një anëtarë i degës së shoqatës Vatra në Florida. “Në gjysmën e dytë të shekullit XIX, Naimi ishte një ndër figurat kryesore që ndikoi në zgjimin dhe konsolidimin e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve. Vepra e tij poetike u bë frymëzuesja dhe shpirti i lëvizjes kombëtare.” tha ai.

Më tej ai tha se Naimi lindi më 25 maj 1846 në Frashër, që ishte edhe një qendër bejtexhinjsh. Mësimet e para i mori tek hoxha i fshatit në arabisht e turqisht. Që i vogël nisi të vjershëronte. Studimet e mesme i kreu në Janinë, në gjimnazin e njohur “Zosimea”. Aty horizonti i tij kulturor u zgjerua së tepërmi, njohu letërsinë, kulturën dhe filozofinë klasike greke e romake, ra në kontakt me idetë e Revolucionit Borgjez Francez dhe me iluminizmin francez. Duke përvetësuar disa gjuhë, si: greqishten e vjetër e të renë, latinishten, frëngjishten, italishten e persishten, Naimi, jo vetëm që mori bazat e botëkuptimit të vet, por njohu edhe poezinë e Evropës e të Lindjes. Të gjitha këto tradita poetike ndikuan në formimin e tij si poet. Më 1870, pas mbarimit të shkollës, shkoi për të punuar në Stamboll, por u prek nga turbekulozi dhe u kthye në Shqipëri në klimë më të shëndetshme.

Duke folur për veprimtarinë e Nami Frashërit, Lushnjari, tha se gjatë viteve 1872-1877 Naimi punoi në Berat e në Sarandë si nëpunës. Kjo periudhë pati rëndësi të veçantë në formimin e tij. Atdhetar e si poet. Ai njohu më mirë jetën e popullit, zakonet, virtytet dhe aspiratat e tij, gjuhën e bukur e shpirtin poetik të njerëzve të thjeshtë, krijimtarinë popullore, bukurinë e natyrës shqiptare.

Së fundi u shpreh zoti Lushnjari, mosha dhe një sëmundje ia ligështuan shëndetetin derisa zemëra e tij pushoi së rrahuri më 20 tetor 1900, në moshën 54 vjeçare. Ai vdiq i zhobitur nga malli për Atdheun dhe dashurinë për Shqipërinë e lirë. Naimi vdiq theksoi ai por vepra e tij mbeti gjallë duke ngritur peshë zemërat e shqiptarëve dhe duke patur një ndikim të fuqishëm edhe në ditët tona, kudo që janë edhe sot mbas afro dy shekujsh; me një respekt dhe dashuri e mirënjohje për këtë relindas të madh shqiptarë.

Folësi kryesorë i kësaj veprimtarie, përfundoi duke permendur edhe SHBA miqësinë tonë dhe rolin e kontributin duke shprehur edhe një falemdnerim:” Me këtë rast dëshirojë të faleminderojë nga zemëra Amerikën, tha zoti Ali Lushnjari, që ndër shekuj ka qenë dhe është mbështetësia e fuqishme e shqiptarëve . Kujtojë gjithashtu, tha ai të gjitha ata kolosë të kombit tonë që kontribuan nga ky vend me në krye Shoqërinë Vatra, e cila ka qënë frymëzuese dhe zjarri që mbajti gjallë fryëmën tonë komëbtare për liri e pavarësi.”

Më pasë foli Kryetari i Vatrës Dr. Gjon Buçaj, i cili në mes emocioneve të shumta e përshëndeti këtë ngjarje dhe aktivitet të degës së Vatrës në Jacksonville të Floridës. Qysh në fillim të fjalës së tij – ai iu drejtua të pranishëmve duke thënë se është me të vërtet kënaqësi që në emër të VATRËS, të ju përshëndes për këtë aktivitet kaq të bukur, që ju keni organizuar në nderim të kësaj figure kaq të madhe të kombit tonë, rilindasit dhe iluministit Naim Frashëri.

“Naim Frashëri, është njjë figurë e madhe kombëtare, tha Dr. Buçaj, e cila ashtu si dhe rilindasit e tjerë, që luftuan dhe u sakrifikuan me pushkë dhe me pendë për Mëmedheun, tonë të dashur për Shqipërinë, na bëjnë që ne shqiptarët të ndihemi krenarë, kudo që jemi për të gjitha ato sfida që historia e vjetër dhe e re na detyroi të përballojmë në formimin dhe konsolidimin e shtetit shqiptarë, duke garantuar identitetin tonë kombëtar në familjen evropiane. Padrejtësitë historike ndaj shtetit dhe kombit shqiptar, tha ai u përballuan me sukses sepse gjithnjë u bazuam në parimet e shenjta të lirisë, paqes dhe bashkëjetesës, ose si shprehej në vargjet e tija poeti ynë i madh se : “Dielli lind andej nga perëndon”. Pra, prej edhe nga e shikonte dritën e lirisë Naim Frashëri për ne shqiptarët, andej nga i ka sot sy e gjithë bota nga Perendimi nga ai vend ku jemi të gjithë ne sot” tha Dr. Buçaj.

Naim Frashërin, kryetari i Vatrës, e cilësoi si një njeri “mistik”, i ri gjithmonë dhe i mbushur përplot nga ndenja dhe frymëzimi i tij, me një dashuri të pakufishme dhe të zjarrtë për lirinë, kombin dhe mirësinë e Perendisë. Naimi, i njësojë i këndojë edhe dashuirisë njerëzore, bukurisë natyrore të Shqipërisë dhe shqiptarëve, tha kreu i Vatranëve gjatë fjalës sëtij përshëndestëse.

Dr Gjon Buçaj, më tej vlerësoi lart largëpamësin e këtij rilindasi të madh, i cili qysh atëhere sipas tij e shihte kombin tonë kah Perendimi dhe civilizimi botëror, pa harruar asnjëherë dashurinë për vendin dhe origjinën tonë. Prandaj shqiptarët, tha Buçaj, edhe sot kudo ku jetojnë, janë të angazhuar për të përmbushur pikërisht këtë aspirate europianizuese dhe historike për përshpejtim të progresit demokratik dhe integrimit në familjen tonë të natyrshme evropiane.Një rrugë e vështirë kjo dhe me plot sfida e cila na motivon për një angazhim të ri në realizimin e aspiratave historike të Shqipërisë dhe kombit shqiptar në rrugën e progresit dhe integrimit evropian, që na e lanë amanet rilindasit tanë.”

Veprimtaria përkujtimore në nderim të poetit tonë kombëtar vazhdoi me recitime të poezive të tij, nga të pranishmit ndërkohë që Sandër Ruçi, artisti i njohur shkodran interpretoi me një nostalgji të pa përshkruar, dhe me një humor fantastik, karakteristik shkodran këtë veprimtari kushtuar ditëlindjes së Naim Frashërit.

Kurse, këngëtari i mirënjohur në të gjithë hapsirën shqiptare – Bylbyli i Tropojës Gëzim Nika krijojë një atmosfer impozante me këngët e tij të famëshme me vargjet e poetit tonë të madh Naim Frashërit. Gëzim Nika me këngët e njohura dhe mjaft popullore “Shqipëri o Nëna ime” dhe kënga “O sa mirë që jamë Shqiptarë”, e “ndezi” atmosferën duke e kthyer këtë veprimtari në një festë të madhe që frymëzon dhe lidh brezatedhe këtu në mërgim.

Ndërsa në stendat e sallës ishin vendosur portretet e veprimtarisë kushtuar gjeniut të letërsisë së rilindjes kombëtare.

Naim Frashëri ka lindur në 25 Maj 1846 dhe vdiq në 20 tetor 1900. Veprat e tij më të njohura janë “Bagëti e Bujqësi”, “Historia e Skënderbeut”, “Qerbelaja”, “Lulet e verës” etj. Naimi ka shkruar edhe në revistat e kohës “Drita”e “Dituria” si dhe ka përkthyer vepra të mëdha të letërsisë botrore, si “Iliada” e Homerit.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Adriatik Spahiu, Fedederata Vatra, Gezim Nika, Gjon Bucaj, Jacksonville, Naim Frasheri

Fuad Ramiqi, e dini që serbët po na e vjedhin historinë?

May 27, 2013 by dgreca

Tetë mijë vjet ” histori” serbe në Ballkan!/

Nga Fahri Xharra/

Deri sa ne , mirremi me qështje të huaja të cilat aspak nuk na japin as nderë e as lavdi ; serbët e shkruajnë ”historinë” e tyre  e cila nuk është gjë tjetër  vetëm se një përvetsim ”shkencor” e një të kaluare të një vendi dhe të një  populli ; popullit që e harron vetvetën , popullit shqiptar.

(Historia e Islamit daton qysh herët. Madje 200 vjet pas vdekjes së Pejgamberit Muhamed (a.s.) mendohet se shqiptarët e parë e kanë pranuar Islamin, në periudhën e viteve 800-të të erës sonë.Gjurmët e lashtësisë së Islamit vite para ardhjes së Perandorisë Osmane vërehen nga mbishkrimet e xhamisë së gjetur në fshatin Milkë (Gorë) të Dragashit, që është e vjetër që nga viti 1289 konkretisht 200 vjet para ardhjes së Perandorisë Osmane. Dëshmitë historike të kësaj xhamie janë konfirmuar dhe bërë të njohura vite me parë. Sipas dijetarit të shquar shqiptar Mr. Jakup Asipi, populli ynë filloi të pranojë Islamin, nga tregtarët që kanë ardhur me “shit” Islam (me bë thirrje dhe shpjegim të Islamit) në Zar, në Dubrovnik, në Tivar, në Vlorë, në Durrës, nga këto skela, nga këto limane detare.( Islami në Kosovë, Gentian Jetishi )

Nermin Vlora Falaski, në librin e saj “Linguistikë dhe gjenetikë” (shkruar në italisht),  i ka deshifruar shkrimet etruske dhe Pelasge, me gjuhën e sotme shqipe.. Kjo dëshmon se shqiptarët (pasardhës të ilirëve) janë pasardhës modernë të Pelasgëve, një nga qytetërimet më të vjetra që kanë jetuar në Evropë.

Por ç`thonë serbët:”” Zakonisht historia serbe përshkruhet nga shekulli i 6-të ,koha e dyndjeve sllave , thuase që ne ( serbët) para kësaj kohe nuk egzistonim. Po ku na rrnonin stërgjyshërit? Me atë zbritje në Balkan serbët e kishim një gjuhë të përsosur ,një rregullim perfekt shoqëror , me aftësi të shtetformimit me zakonet tona dhe themelet kulturore. Ku ishte djepi i ynë? ” Me këto shihet që ata kurrsesi nuk duan të mbesin ardhës të shekullit të 6-të psK.  Fajin ua lënë shkollës së Berlinit -Vjenës që gjëja se me qëllim ata  e kanë shtrembëruar historinë e tyre ,dhe me këtë është falsifikuar autoktonia serbe në Ballkan që nga  kohërat e lashta.

Si qëndron puna me ne ? Sa jemi të aftë të këmbëngulim në historinë tonë , në të vërtetën tonë. A është  për ne  si njësi matëse  se kur erdhi islamizmi në këto toka? Derisa në këto anë në shekullin 12 -të zhvillohej një luftë e ashpër e ortodoksizmit ndaj katolicizmit , si mundën shqiptarët e kohës të përqafojnë islamin? Por edhe një herë ,sa është relevante për ne se kur u muslimanizuam ?

”Fillimtari e paraqitjës  se autoktonisë së herëshme serbe është kronisti i shek. XII-të , Nestor Çasni i Kijevit dhe mbrojtësit e kësaj teorie janë të mëdhenjt e historisë serbe : Olga Lukoviç-Pjanoviç, Jovan Deretiç, Ranka Kuiç, Milosh Milojeviç, Sima Lukin-Laziç, Laza Kostiç, Pavel Shafarik, Ilija Zhivanqeviç, Svetislav Bilbija, Milan Budimir, Dragoslav Srejoviç  dhe të gjithë me fakte të pathyeshme të Burimit të Lepencit dhe Vinçës.”  Po kronistët e kujt ishin ata që na i lanë trashëgim  datat për të kaluarën tonë?

 

Në periudhën e  fundit të akullit (40.000 vjet më herët) ,është paraqitur njeriu i parë në Ballkan. Sipas gjetjeve në  shpellat e fshatit Gradac dhe në Risovaçë ( në Grykën e Gjerdapit,Serbi) vihet në përfundim  për jetën e njeriut në atë kohë. Gjetjet arkeologjike në Gjerdap e kanën vërtetuar se  në tokat e Sebisë së sotme është zhvilluar kultura më bindëse e parahistorisë (7.000- 5 500 vjet prK) . Egziston edhe fakti që djepi i Europës ishte në Shpellën e Rajkut ,në Rudna Glava të Majdanpekut ; dhe që njerëzit e kësaj kulture shumë të vjetër jetonin në bashkësi prej dy deri në katër familje.   Ata paskan pasë qenë serb?

Sipas këtyre shenimeve athua kur e morrën muslimanizmin këta banorë ? Serbët nuk flasin aspak për këtë ”ardhje”. Ata flasin ndryshe për historinë që aspak nuk është e tyre , kurse ne ngarkohemi me histori që aspak s`është e jona.

” Heroizmi serb gjatë shekujve  na ka cilësuar në rendin e parë në historinë botërore dhe na e ka dhënë të drejtën e qytetarisë në mesin e kombeve të famshme”  serbët thonë me krenari .Por si u sollën ata kur erdhi turku :” Serbët u tërhoqën nëpër male dhe kryesisht mirreshin me blegtori e bujqësi dhe sipas kësaj turqit na quajtën Vllahë deri sa historianët e vjetër Serbëve iu dhanë emrin Ras , për njeriun e Rashkës.”

Marria historike e serbëve ,paranoja e tyre për të qenë të parët në këto anë ( e kundërt me  intencat tona) shkon aq largë që thonë se “ sipas Herodotit ,populli serb qenka qenë populli më i madh në botë.thrakët ,Venetët ,tribalët dhe Ilirët paskan qenë serb.” Dhe sipas  spjegimit serb në mungesë të një bashkëtinglloreje të greqishtës trakët ishin rashan( pra të Rashkës)

Serbët janë fetarë më të mëdhenj se sa ne shqiptarët ; por kur është  në pyetje rrena kombëtare,shtrembërimi i prejardhjës së tyre atëherë e harrojnë fenë.

Si nuk e ndjeva askend nga prijësit tonë fetar nga rradha  e muslimanëve që të thotë të bile një fjalë për “ Historisë së Kosovës “të Jusuf Buxhovit. Pse prej tyre nuk kërkohet asnjëherë një përgënjeshtrim të kësaj vjedhjeje të historisë sonë ,nga ana e serbëve?

Spjegimet serbe: “ që nga kohët që mbahen në mend në mes të serbëve paska pas jetuar fisi i madh Rashqanët apo Rasët , që e simbolizoka ngjyrën e kuqe , ngjyrë të cilën serbët e paskan pas dashur gjithmonë. Edhe nga kjo del se Rashqanët qenkan quajtur Serbët e Kuq. Në kohën e Herodotit këta paskan jetura në Azinë e Vogël , në Ballkan dhe Thraki”

A po i  vjen era përvetësim kësaj teorije.?

Ilija Zhivanoviç shkon edhe më largë  kur thot se sllavët (serbët) ishin nga Vladivostoku e deri në Adriatik dhe si të tillë ishin ”boshti kurrizor i njerëzimit”

”Të gjitha shkrimet dhe mbishkrimet asire dhe misire  si dhe përmendoret prej gurit që i njef njerëzimi janë rreth 8.000 vjet të vjetra. Sipas tyre ,po aq e vjetër na qenka edhe historia serbe. ”E çka më shumë se aty përmendet emri Sërbib ( serb) dhe jo sllav.

Edhe historiani Emil Burnoff  nuk është i vetëm kur thot se gjuhët greke dhe latine kishin lindur nga Pellazgishtja . Pellazgët ,identifikohen me serbët e stërlashtë.?!?

”Populli i vjetër,i nxjerrë njerëzit e mëdhenj,të cilët i dalin krah vendit të tij,krijimit të tij dhe historisë së tij. Ky është vetëm se fillimi .Kemi njrëz ne ! Kemi të dijtur ne! Historija e jonë gjatë shekujve na është vjedhur, na është përbaltur dhe na është përdhosur. Pa dëshirën tonë! ashtu na e diktonin dhe ne ashtu si të tillë ne e pranonim. E tani kur ne po e shkruajmë ashtu si ishte : Beogradi filloi të çmendet ! Tani kur ata menduan se fazën e përgjumjes sonë e kaluan me sukses,llogaritën në fazën e tretjës. Por Jo!   I kemi  të mëdhenjt tonë që as nuk flejnë e as nuk përgjumën,por shkëlqejnë nga lartësitë  e kreshtave dhe  i godasin me fakte përgjumësit tonë.(FXh.”Jusuf Buxhovi e shkroi Historinë”)

Pse juve Zoti Fuad Ramiqi ,nuk iu brengosë vjedhja e historisë sonë?

Një farë Shafarik në librin e tij:” Starozhitnosti” po shkruante:” Serbët jetojnë në Europë që nga kohërat shumë të lashta ,dhe si popull i tillë e ka origjinën shumë të lashtë. Serbët e paskan banuar krejt Europën dhe shumë pjesë të Azisë dhe nga kjo rrjedhë thënja serbe :” fol serbisht që të kupton bota e tërë” Gjuha e vjetër serbe sipas tij . qenka plotësisht e ngjashme ate të të sotmen serbe, e që qenka një fenomen i rrallë.

” Milosh Milojeviç po shkruajka se serbët kanë jetuar që nga parahistoria në tokat e sotme; prej Italisë ,Detit Mesdhe e deri në Greqi , prej Adriatikut e deri në Detin e Zi ”

Edhe bualli kishte për të pëlcitur  sikur të dëgjonte edhe këte:  ”Serbët  e kanë filluar numrimin e vitëve  që nga viti 5508 para Krishtit. dhe se Stefan Brankoviqi paska pas vdekur në vitin 6935. Car Lllazari paska vdekur në vitin 6893 . Nëse  Mesopotamët e paskan filluar numrimin e vjetëve 3200 vjet paraKrishtit , Egjiptasit 3000 vjet prK. serbët ishin të parët në historinë e njerëzimit (Draško Šćekić -“Srbi – istina o srpstvu od iskone”)

Kurse unë gjer sa po e shkruaj këtë shkrim  ,sipas kalendarit serb qenkam në vitin 7521.

Po ju me cilin kalendar jeni?

Mos të harroj se edhe Athinën dhe Akropolisin e paskan pasë ndertura serbët?

Fahri Xharra

Gjakovë 24.05.13

 

 

 

Filed Under: Featured, Histori Tagged With: Fahri Xharra, Serbet po na vjedhin historine

FLAMURI, “SHKËNDIJA” DHE “NERONËT” E MANASTIRIT

May 27, 2013 by dgreca

Shkruan: Fadil LUSHI/

Të nderuar lexues. Këtë vështrim po e filloj me një mendim të një gjermani që kishte jetuar në shekullin që lamë pas, i cili, pos të tjerash, kishte shtruar filozofinë si vijon: “HISTORIA  PËRSËRIT  VETVETEN, SË PARI DUKE U PARAQITUR SI TRAGJEDI, SË DYTI SI FARSË”! Nëse mua nuk më mashtron mbamendja, do t’i kthehem vakisë së 28 Nëntorit të motit 2012, kur njëqind vjet më parë, mendjendrituri  dhe atdhetari vlonjat, Ismail bej Qemali, diku në një lagje të kasabasë së Vlorës shpalli mëvetësinë e shtetit shqiptar. Se ajo ditë u karakterizua me eufori të pakontrolluar e diku-diku e ngjyrosur me “tallava”, të gjithë ne sot jemi të vetëdijshëm. Se, ishte një ditë e veçantë edhe këtë e dimë…, se ato hapësira u kuqërrisën me flamurin shqiptar, edhe këtë e kemi në dijeni, por ama, se atë ditë e “shndërruam në një tallagan të qëndisur”, sot e kësaj dite, së paku unë, nuk jam i ndërgjegjshëm. Në atë ditë gjithandej u valëvit flamuri kombëtar. Ishte kopjuar në qindra mijëra ekzemplarë. Atë e tundën edhe foshnjarakët dhe s’dimë kush tjetër. Vetëm dy miqtë e mi (bashkëmoshatarë) nuk donin ta valëvitnin flamurin!? Njëri është kumarxhi (njihet si tregtar flamujsh i provuar në vite si dhe me synimet e tij zhvatëse), ndërkaq tjetri njihet si ikona e ndërgjegjes kombëtare-tetovare. Që të dyve ua parashtrova të njëjtën pyetje se pse nuk po e valëvitin flamurin!

I pari, më dha këtë përgjigje: “Or qerrata, ç’më duhet mua ta valëvis kur me atë unë luaj kumar, e kopjoj dhe e shes si sapunin për djathë”!???

I dyti, sikur “hazërxhevapin” e kishte në xhepin e djathtë të xhupit, atë xhup që shumë kohë më parë ia kishte dhuruar një atdhetar nga një qytet shqiptar rreth shtetit amë…, më tha: “Eh, ti miku im, sa (nuk) më pëlqen kjo pyetja jote…, jo se nuk ma do xhani ta valëvis flamurin, por më ka “tradhtuar takati”, s’i bëj dot ballë përgjegjësisë morale…, nuk mund ta mbaj, ka peshë të madhe, aq sa rëndon pesha e dheut të vatanit”!

Në përgjigjen e ikonës nga Tetova nuk kishte indiferencë, nuk kishte profka, pendime, paragjykime, parafrazime politike a pseudopatriotike, përveç një dozë dyshimi sa u përket personazheve të tragjikomedisë shqiptare, të cilët frymojnë dhe veprojnë këtejpari hapësirave të fushëpollogut, e të tjera konceptime të qarta dhe të qëndrueshme. Përgjigjja e kumarxhiut ishte boshe, ai kishte mendjen te evenimentet e radhës që do të organizoheshin për këtë qëllim, ai ka mendjen te “tyxharllëku”!

Unë deri para ca kohësh nuk “doja t’i besoja” asaj parashtresës filozofike të gjermanit se “historia përsërit vetveten, së pari duke u paraqitur si tragjedi, së dyti si farsë” (ai vëllaçkoja im më tha: kush je ti që të mos besosh). A mos vallë disa ditë më parë nuk u përsërit ajo historia e klubit të futbollit “Shkëndija” nga Tetova…, a mos harruam kur para shumë vitesh ne, tifozët e saj, e ndëshkuam atë me largim nga Liga e parë…, a mos vallë këta të rinj, tifozë të “Shkëndijës”, nuk kanë dëgjuar shpjegimet e prindërve dhe të gjyshërve të tyre sa i përket “historisë tragjike” të klubit në fjalë! A mos vallë nuk e mësuan atë parathënien e parullës: “Të jesh tetovar, e të mos jesh me Shkëndijën, është njësoj sikur ta kundërshtosh a mënjanosh arsyen e shëndoshë…, të mos jesh me të, është njësoj sikur të tallesh me ngjyrat e saj (janë ngjyra që karakterizojnë simbolin tonë kombëtar)…, të mos dashurosh Shkëndijën, është njësoj sikur t’i bësh tifozllëk kundërshtarit të saj. Ne do t’i kuptojmë tifozët e Shkëndijës, aq sa ata nuk do ta ndotin fjalorin e gjuhës sonë të bukur (hiq mënjanë fjalorin denigrues të palës tjetër). Për këtë dhe arsye të tjera, ne nuk duhet të lejojmë që kjo histori e Shkëndijës, të na paraqitet si tragjedi…, si farsë mashtruese. Kjo e fundit dhëntë Zoti,  t’u takojë historive të të tjerëve. Neve, nuk na duhet, po qoftë të na e japin pa pare.

Dhe shih ti, lexuesi im i nderuari, disa ditë më parë, si “për inatin” tonë, historia përsëriti vetveten!??…, kur ca milingona apo thuaj edhe vandalistë maqedonas, demoluan Shtëpinë e Kongresit të Manastirit. Nëse Neroni dogji Romën, atëherë ç’u duhej “neronëve” maqedonas, që në vigjilje të festës së tyre të arsimit, ta nëpërkëmbin kështjellën e mbamendjes sonë morale, kulturore a edhe arsimore!? Ç’u duhej atyre kjo mendësi e mbrapshtë provinciale a katundareske…,  ç’u duhej të shfrynin hundët në themelet e tërësisë së shkronjave të gjuhës shqipe…, ç’u duhej të shfryjnë urrejtjen a dufin e tyre të akumuluar!??…, ç’u duhej ky gomarllëk dhe  kjo lehje zagarësh, a mos vallë menduan se janë zagarë të beut!?? Tekefundit, “neronizmi” është një karakteristikë thelbësore e popujve barbarë, të cilët jetojnë me të keqen dhe për hir të së keqes, me shovinizmin “shtetmadh” si dhe me politikën revanshiste. Nëse vandalët, huliganët dhe barbarët mendojnë se me shembjen e historisë së Kongresit të Manastirit të motit 1908 do ta ushqejnë historinë e tyre të sajuar, atëherë  fund e krye e kanë gabim…, mbase nuk bëhet histori me lecka, mbase  nuk mund të lexosh një histori të paqenë si me qenë ajo e gjallë. Në mungesë të argumenteve ndonjëherë edhe gënjeshtra a fjala e rreme bëhet fakt a provë. Dikur një njeri me mend kishte nxjerrë këtë proverb popullore: “NË MUNGESË TË ZOGJVE, EDHE B…., ËSHTË BILBIL”!

Të nderuar lexues, para se t’i jap fund këtij vështrimi, ku për referencë mora atë mendimin e gjermanit, do t’ju sjell këtu një tregim të shkurtër. Një ditë më parë një oftalmolog  i kishte sugjeruar mikeshës sime të mbante syze dielli. Meqenëse unë nuk mbaj syze, ajo mikesha ime m’u duk  karizmatike, e pashme dhe më serioze. Imazhi i saj lëre që më “gënjeu”, por edhe më tundoi që t’i dedikoj një kompliment të hollë. E ngazëlluar nga kjo “gjysmëlëvdatë” ma ktheu me një “faleminderit”. Iu drejtova duke i thënë: Pa më thuaj, si më sheh mua… Më tha se të shoh bardhë e zi! Eh, thashë me vete, sa budallaqe që është kjo mikeshë kur mëton të kapet pas degëve e jo pas trungut me syzet e errëta të metalurgut. Në fund të bisedës iu drejtova: Ti, mikeshë e nderuar, në do të ma shohësh “surratin”, në do të ma lexosh historinë time kombëtare ashtu ashiqare, do të duhet t’i heqësh syzet, sepse atëherë me tamam dhe pa hile do më perceptosh. Dhe ajo nuk i hoqi “gjyzlykët”. Sikur t’i hiqte syzet, atëherë do duhej që edhe kryepeshkopi i saj të hiqte litarin e kambanës së kishës së qytetit të Manastirit. Ortodoksët thonë se kambanat bien në kohë të caktuar dhe në raste të jashtëzakonshme. Këtë më së miri e dinë shqiptarët e Manastirit.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Fadil Lushi, Flamuri, Neronet e Manastirit, Shkendija

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 50
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT