• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2013

Reformë emigracioni apo politikë elektorale?

July 15, 2013 by dgreca

Nga Rafael Floqi/ Michigan/

Një mik i im i vjetër, që si shumica e shqiptarëve ka probleme dhe halle me emigracionin, më pyeti dy ditë më parë, ”Ore ç’po bëhet me emigracionin?”. Kjo pyetje më vuri në mendime, pasi e di dhe jam i mirënjohur, sesa sa shumë drama u ka sjellë shqiptarëve një sistem emigracioni I shkatërruar, që vetë politika amerikane, po e quan të falimentuar e që është bërë burim i shumë dramave familiare dhe ndër shqiptarë. Kjo më bëri të hulumtoj, për të sqaruar, si për t’i thënë një fjalë ngushëllyese mikut tim, se shpresa duhet të jetojë më gjatë se politika, pasi ajo vdes e fundit.  Por a duhet një politikë elektorale të hedhë poshtë njëlegjislacion të mirë?Banda bipartizane e Tetëshes çoi një ligj të suksesshëm për imigracionin në Senat. Por unë jam në mëdyshje, nëse projektligji 1,000-faqesh  miratonte reformat e duhura, apo ështëedhe njëthirrje, një apelpër të dalë për të votuar  për komunitetin hispantik apo aziatik. Dhe në fakt, përgjegja e kësaj pyetjeje, është një amalgamë mes së parës dhe të fundit.

Dhoma e Perfaqsuesve e hodhi poshtë përpjekjen e Presidentit Barack Obama dhe të Senatit për reformën gjithpërfshirëse të imigracionit që do t’u jepte status ligjor dhe do t’iua hapte rrugën drejt shtetësisë rreth 11 milionë njerëzve që jetojnë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara. Ndërsa vetëPresidenti Barack Obama bëri thirrje se miratimi i një projektligji për imigracionin që gëzonte mbështetjen e Senatit dhe do të forconte sigurinë e kufirit, si edhe do t’i hapte rrugën shtetësisë, për ata që ndodhen aktualisht pa dokumenta në Shtetet e Bashkuara.

Obama luajti kartën ekonomike për të nxitur miratimin e reformëssë imigracionit të shtunën, duke sugjeruar se kjo do të ndihmonte të shkurtonte deficitin dhe të rriste krijimin e vendeve të reja të punës. Në fjalimin e tij të përjavshëm, presidenti tha se riparimi i sistemit të emigracionit do të siguronte “një nxitje më të madhe” për rimëkëmbjen e SHBA-së, duke shtuar 1.4 trilionë dollarëtë ardhura për ekonominë gjatë dy dekadave të ardhshme. Komentet e Obamës,-të cilat ishin të bazuara në një raport për ndikimin e reformave që u shpall të mërkurën e kaluar – synonin të ushtronin presion të mëtejshëm mbi republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve, që bëjnë rezistencë ndaj propozimeve që kanë kaluar tashmë Senatin, dhe qëdo t’u siguronte një shteg drejt shtetësisë për 11 milionë imigrantët që tani jetojnë në SHBA pa dokumente.

Kundërshtarët konservatorë ankohen se projektligji i Senatit krijon “një amnisti për shkelësit e ligjit”, ndërkohë sa nuk është krijuar një pengesë efortë në kufi,e mjaftueshme që tëpengonte  të tjerët, të cilët mund të joshen dhe të përpiqen të hyjnë ilegalisht në SHBA. Spikeri republikan, John Boehner, e ka thënë troç se ai nuk do të lejonte qëligji i Senatit të miratohej prej Dhomës së Përfaqësuesve.Disa anëtarë të Dhomës së Përfaqsuesve,bënë thirrje që projektligji të ndahet në pjesë, duke theksuar më shumëaspektin e sigurisë së kufirit. Ndërsa vetëObama sugjeronte se “ështëdebatuar mjaft, për këtë çështje, për më shumë se një dekadë”, tani është koha për të vepruar, duke theksuar aspektin ekonomik të rregullimit të sistemit.

“Reforma e Emigracionit do ta bëjë më të lehtë për imigrantët shumë të kualifikuar dhe për ata  që studiojnë në kolegjet dhe universitetet tona, për të filluar biznese dhe për të krijuar vende pune këtu në Amerikë”, tha ai. “Kompanitë e huaja do të kenë më shumë gjasa për të investuar këtu, pasi  kërkesat për mallra dhe shërbime do të rriten ,duke krijuar më shumë vende pune edhe për punëtorët amerikanë”. Ai shtoi se përmes të ardhurave tatimore shtesë, deficiti i përgjithshëm do të shkurtohet me rreth 850billionëdollarëgjatë dy dekadave të ardhshme.

Kohët e fundit, Nancy Pelosi i këshilloi me edukatë republikanët për të mbështetur reformën e imigracionit, në qoftë se ata e kuptonin se çfarë ishte e mirë per elektoratin e vet.Vërejtjet e sheqerosura te saj nuk janë të pabazuara,edhe republikanët nuk janë të pavëmendshëm ndaj tyre, edhe pse kundërshtimet e tyre tregojnë të kundërtën. Reforma e sistemit të emigracionit që shkakton mjaft drama sociale dhë për komunitetin shqiptar,pengohet për shkak të ndryshimeve të qëndrimeve të politikanëve më shumësesa për ndryshime ideologjike, për shkaqe elektorale.

Në vitin 2007, senatori John McCain (R-Ariz.) ndihmoi në krijimin e “Dream Act”, të cilin ai e pat sygjeruar dhe ish-senatori Obama e pat mbështetur. Po kur zgjedhjet presidenciale të2008-tës u nxehën, McCain-i u tërhoq (me dashje ose pa dëshirë) larg qendrës, duke braktisur projektligjin, ku ai vetëqe bashkautor, dhe shpalli sigurinë e kufirit, si një parakusht thelbësor, përpara se debati mbi dispozitat e tjera të imigracionit tëmund të fillonte tëlëvizte përpara. Në këtë rast McCain, u tërhoq nga domosdoshmëria për të siguruar mbështetjen e bazëskombëtaretë Partisë Republikane qëështë mjaft konservatore,gjë që,diktoi dhe pozicionin e politikës së tij ndaj imigracionit.Ndërsa tani,McCain tok me djemtë e tjerë të Bandës së Tetëshes, përsëri po përafrohet me pozicionin e tij ndaj imigracionit të para2008-ës . Kjo lëvizje e McCain-itnuk është njëflip-flop i dëshiruar, por shkaktohet nga fakti i ndryshimit tëinteresave elektorale të fushatave me nivele të ndryshme.Kur këta faktorë futen në lojë, duket mjaft e qartë, se McCain shndërrohet në një konservator ndryshe, kur konkurron për pozicione qeveritare të ndryshme.

Stimujt politikë prapa reformëssë imigracionit janë evidentë, por ato nuk janë arsyeja e vetme e debatit të tanishëm.Propozimi i Senatit përputhet me shumicën e qëndrimeve të amerikanëve ndaj reformën sëEmigracionit. Bazuar në disa sondazhe të pavarura, të dhënat sugjerojnë se dy të tretat e popullit amerikan favorizojnë secilën nga pesë iniciativat kryesore tëreformëssë imigracionit, me një mbështetjeje më të madhe për hapjen e rrugës drejt shtetësisë para se të bëhet sigurimi i kufijve. Në çdo sondazh shumica dërrmuese e qytetarëve mbështesin njësiguri të fortë të kufijve, por kur u kërkohet të zgjedhin mes dy opsioneve:mes vendosjes së sigurisë kufitare kundrejt hapjes sërrugës drejt shtetësisë për të padokumentuarit,ata zgjedhin më shpesh këtë të fundit.

Analiza e zonave zgjedhore tëatyre që përbëjnë bandën e Tetëshes sugjeron që ata mund të kenë një stimul për ta udhëhequr reformën e imigracionit në nivel shtetëror: Menendez (DN.J.), Rubio (R-Fla.), McCain (R-Ariz.), Flake (R-Ariz.), dhe Bennet (D-Colo.) përfaqësojnë disa prej shteteve me nivelet më të larta me rreth  5% ose më shumëemigrantë të paligjshëm sesa shtete e tjera. Kështu ata,duke u deklaruar pro politikës, që ka synim të sigurojë një rrugë drejt të shtetësisë dhe pastaj të sigurojë kufirin, ata projektojnënjë mesazh pro-emigrantëve, nëdistriktet e tyre ku ka njërritje të popullsisë nga emigracioni. Në mënyrë të ngjashme, Harry Reid (D-Nev.),  ka bërë një rrugë të gjatë nga qëndrimet e tij kundër emigrimit në kohën e kundërshtimit tëpropozim-ligjin të vitit 1993, duke ndryshuar mendim tani, që distrikti i tij elektoral përfaqëson një zonë me një nga përqindjet më të larta tëemigrantëve të paligjshëm në SHBA.

Prandajpër tëpërcaktuar nëse përpjekja e Senatit për reformën e imigracionit është një përpjekje për fiksimin e një sistemi të thyer, apo një operacion fushateelektorale, bazuar mbi rezolutën e  Senatit, juve  do t’u duhet të gërmoni nëpër këtëprojektligj 1,000 faqesh, për të reflektuari mbi mjetet juridike të propozuara,  për të gjykuar, nëse masat dhe politikate ligjit përputhen me vlerat tuaja, demokrate apo republikane. Megjithatë dhe pa këtë përpjekje të gjithë arrijnë pak a shumë në të njejtin përfundim, se reforma e imigracionit është një amalgamë e të dyjave.

Asnjë propozim imigracioni nuk do të mund të jetë një ilaç gjithëshërues për politikën. Pjesë e punës së një ligjëvënësi ështëdetyra për të përfaqësuar të gjithë zgjedhësit e vet. Në mënyrë që ata të kryejnëme sukses punën e tyre, ata duhet të sigurojnë se janëzëri i popullit për zgjidhjet e çështjeveme të cilat ndeshen zgjedhësit e tyre, kështu atyre u duhet të parashtrojnëpolitika që synojnë korrigjimin e  problemeve, dhe nga na tjetër mbi të gjitha,ata duhet të rizgjidhen në mënyrë që të vazhdojnë shërbimin e tyre.

Ju nuk mund të bëni me sukses punën eparë,pa siguruar këtë të fundit. Kështu që ata ndjehen mëmirë me një ligj imigracioni, që është një përzierje e politikave për të ndihmuar,zgjidhur dhe rregulluar një sistem të thyer emigracioni, si dhe të përpjekjeve për të fituar samë shumë mbështetjen e një grupi elektoral tësaponatyralizuar, ndaj këtu apeli I Obamës është i pavend.

PërShtëpinë e Bardhë, reforma e imigracionitngërthen realitetinmë frustruestë mandatit tëdytë tëpresidentit Obama: “Nëseai do që ajo të ketënjë sukses,Obama ka nevojë të qëndrojë sa më largnga ajo -ose të paktënngapjesëtqë përbëjnë Kongresin”, i pat deklaruar sen. (Dem)  Menendez, stafit të Obamës.

Duke u kthyer tani tek pyetja e mikut tim. Duke pasur parasysh se kush janë interesat e ligjëvënësve, e vetmja gjë që mbetet, është ajo siç vepruan  një grup emigrantësh,ndër ta dhe shqiptarë nga Staten Island, që të grumbulluar nëQendrën Islamike Shqiptare në Tompkinsville javën e kaluar, i kërkuan kongresmenit të tyre,Rep. Michael Grimm të miratonte ligjin e Senatit.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: apo politike elektorale, Rafael Floqi, reforme emigracioni

Familjet e mëdha që u goditën nga komunizmi

July 15, 2013 by dgreca

Vetëm Gjyqin Special i Tiranës më 1 mars deri në 13 prill 1945, gjykoi në 31 seanca 60 intelektualë nacionalistë nga familje të shquara properëndimore/

Shkruan: Uran BUTKA/

Regjimi totalitar godiste në thelb kulturën dhe artin e vërtetë, për të krijuar një kulturë e një art tendencioz të ideologjizuar, që t’i ngrinte himn pashallarëve të kuq, siç ndodhi me veprat klasore të socrealizmit.

Familja Pipa, një nga familjet më të kulturuara e më antikonformiste të Shqipërisë, u ndëshkua sepse nuk u bë palë me regjimin komunist. Mustafa Pipa, jurist i njohur, ishte anëtar i Gjykatës së Diktimit, kur kjo gjykatë qe e pavarur, në kohën e Zogut.

Myzafer Pipa, i biri, i lauruar për drejtësi në Padova, shkëlqeu si kampion i kulturës (drejtoi revistën kulturore “Fryma”), i patriotizmit (si antifashist, u internua nga fashistët në Ventotene dhe nga nazistët në kampin e Prishtinës) dhe sidomos i drejtësisë sublime. Ai mbrojti me guxim të paparë nacionalistët, demokratët dhe klerikët e pafajshëm që u dënuan nga gjyqet ushtarake në vitet 1945-46, duke iu kundërvënë publikisht Koçi Xoxes, Aranit Çelës, etj, por u arrestua dhe u torturua duke përdorur ndaj tij metoda barbare, si hekurin e skuqur në zjarr, me të cilin ia shponin trupin gjer në kockë, derisa vdiq në tortura. Vëllai i tij, Arshi Pipa, që ishte doktoruar për filozofi në Firence, pedagog në shkollat e mesme të Tiranës e Durrësit, nuk u pajtua me regjimin stalinist dhe kulturën konformiste soc.realiste. Ai u arrestua për lidhje me lëvizjen e Postribës dhe u burgos në burgjet e kampet e shfarosjes si në Burrel, Vloçisht etj., që i ka përshkruar në veprën “Libri i burgut”. Në vitin 1957, u arratis nga Shqipëria. profesor i filozofisë dhe letërsisë në disa nga universitetet më të njohur të Amerikës, Arshi Pipa, u shqua për krijimtarinë dhe studimet e tij shkencore në fushë të kritikës letrare, gjuhës e letërsisë shqiptare e botërore, të politikës, sociologjisë, publicistikës etj. Edhe pse larg vendit të tij, ai shikohej nga regjimi komunist si një armik i rrezikshëm, madje dhe kryeministri i Shqipërisë, Mehmet Shehu, u eliminua, sepse, sipas akuzës së Enver Hoxhës, “bëri krushqi me mbesën e Arshi Pipës!”

Procesi i verbër i hakmarrjes primitive, i asgjësimit dhe tjetërsimit, në radhë të parë funksionoi ndaj familjeve të shquara fisnike dhe borgjeze, që mbështetën dhe u inkuadruan në radhët e Ballit Kombëtar, Legalitetit, apo Krerëve të Veriut.

Familjet e mëdha Lepenica, Muço, Dosti, Golemi, Ermenji, Quku, Hekali, Fratari, Cfiri, Bushati, Cakrani, Pali, Petrela e shumë të tjera, u ndëshkuan sepse ishin lidhur me Ballin Kombëtar; familjet Kupi, Çoba, Luli, Allamani, Mena, etj sepse ishin me legalitetin e kështu me radhë. Bie fjala, kreu i familjes Kazazi, Halit Kazazi, nacionalist dhe antikomunist, u pushkatua pa gjyq nga terroristët komunistë. Jup Kazazi, i lauruar për shkenca politike në Itali, dha dorëheqjen si ministër i fashizmit dhe luftoi kundër italianëve në betejën e Reçit, gusht 1943. Lider i rezistencës antikomuniste të Postribës, ai u vetëvra, i rrethuar në vitin 1946, për të mos rënë në duart e pushtetarëve komunistë. Bashkë me të u vra edhe i vëllai, Seit Kazazi, edhe ky i diplomuar për drejtësi, ish-komandant i batalionit ballist “Besnik Çano”, që luftoi në Kosovë, ku ra dëshmor edhe luftëtari i këtij batalioni, Hamit Troplini. Vëllezërit e tjerë, Zenel e Hamid Kazazi, u dënuan me burgime të rënda. S’mjaftoi me kaq, komunistët pushkatuan pa gjyq xhaxhain e tyre, Abdulla Kazazin dhe dajën, Rifat Koplikun. Rasim Kazazi vdiq nga torturat në qeli. Kushërinjtë Sabri, Bektesh dhe Bexhet Kazazi u dergjën burgjeve. Gjithë farefisi Kazazi u persekutua, u shpronësua, fëmijët u privuan nga shkollat.

Këtë fat tragjik pësuan edhe familjet që nuk pranuan të inkuadroheshin në Frontin NÇ, që s’ishte tjetër veçse PK e maskuar. Familja e Muharrem Bajraktarit, ndonëse nuk pranoi të futej në Frontin komunist, luftoi edhe kundër italianëve, edhe kundër gjermanëve, edhe kundër komunistëve. Por pësoi fat tragjik. Vetë Muharrem Bajraktari, pasi rezistoi me armë deri në vitin 1946, u arratis nga Shqipëria, ndërsa i vëllai, Bajrami, i plagosur në përpjekje, u burgos dhe u pushkatua. Familja Kryeziu e Gjakovës, me Gani, Hasan e Said Kryeziun, bashkëpunoi me Lëvizjen NÇ pa u kyçur në Front. Por u godit dhe u asgjësua nga Forcat NÇ të Shqipërisë dhe njëkohësisht nga Forcat NÇ të Kosovës, kur kryezinjtë luftonin kundër gjermanëve për të çliruar Gjakovën. Nga fisi i dëgjuar Gashi i Tropojës, u shqua sidomos Ramë Muja, që formoi një nga çetat e para antifashiste në Shqipëri, por komunistët i shkaktuan tri vdekje njëherësh: e helmuan me anë të një gruaje, mandej të vdekur e çuan në një pritë dhe e qëlluan me armë, për të treguar se e vranë në përpjekje e jo me pabesi, mandej e varën në litar në Tropojën e vjetër.

E njëjta gjë ndodhi edhe me familjet e mëdha luftarake të Preng Calit nga Kelmendi, Mehmet Ali Bajraktarit nga Hasi, Ymer Bardhoshit nga Puka, Ndue Palit nga Dukagjini, Llazar Fundos nga Korça e të tjera familje që ndihmuan dhe derdhën gjakun e bijve të tyre në luftën patriotike kundër pushtuesve serbë, italianë dhe gjermanë, por që nuk u bashkuan me frontin komunist, sipas parullës totalitare: “O me ne, o kundër nesh”. Komunizmi i pushkatoi, i burgosi, i internoi krerët e shquar të këtyre familjeve të vjetra shqiptare, që kishin mbrojtur brez pas brezi trojet amtare dhe lirinë, ndërsa gratë e fëmijët i internoi në kampet e Tepelenës, Vloçishtit etj.

Dhe, nëse nuk i kurseu këto familje atdhetare dhe antifashiste, regjimi u tregua i pamëshirshëm kundrejt familjeve të atyre personave, që kishin bashkëpunuar me italianët apo me gjermanët, si Shefqet Vërlaci, Gjon Markagjoni, Mustafa Kruja, Kolë Bib Miraka, Halil Alia, Hysni Dema, Prenk Previzi, Vizhdan Risilia, Kadri Cakranit etj. Natyrisht, kolaboracionizmi është i dënueshëm moralisht e ligjërisht në çdo kohë, por përgjegjësia është personale. Mirëpo komunizmi e përgjithësoi këtë si fenomen dhe për një person damkosi e ndëshkoi brez pas brezi një familje me gjithë fëmijët e pafajshëm, persekutoi e njollosi një fis, një krahinë, një organizatë apo një parti, madje edhe Kosovën, për kolaboracionizëm. Kjo politikë antinjerëzore dhe antikombëtare i shërbente pushtetit të pakufizuar të komunistëve shqiptarë, por edhe interesave jugosllave në Shqipëri e Kosovë.

Kulmi i veprimtarive te ethshme të pushtetit komunist për të asgjësuar të djathtën shqiptare, ku bënin pjesë edhe familjet fisnike, ishte krijimi dhe funksionimi qysh në fund të
vitit 1944 dhe në vazhdim, i gjyqeve ushtarake, përvojë ruso-jugosllave.

Vetëm Gjyqin Special i Tiranës më 1 mars deri në 13 prill 1945, gjykoi në 31 seanca 60 intelektualë nacionalistë nga familje të shquara properëndimore.

Mbas luftës u eliminuan gradualisht edhe ato pak familje fisnike që ishin bashkuar me Frontin NÇ, duke kujtuar që luftonin për një Shqipëri demokratike. Një pjesë e mirë e tyre u integruan në grupimet opozitare demokratike, për shkak të mendimit ndryshe, por edhe si reagim kundër vendosjes së diktaturës komuniste në Shqipëri. Po opozitë nuk u lejua, sepse ata që vepronin jashtë Frontit NÇ konsideroheshin armiq dhe asgjësoheshin menjëherë. Deputeti Gjergj Kokoshi, i lauruar doktor në universitetin e Parisit, atdhetar dhe demokrat i madh, që kishte vënë gjithçka për Luftën NÇ, ministër i parë i Arsimit pas luftës, duke deklaruar se “atje ku nuk ka pluralizëm, nuk ka demokraci”, përfundoi i vdekur në burgun e Burrelit, ndërsa 37 personalitete opozitare nga familje të mëdha, si Suat Asllani, Sami Qeribashi, Qenan Dibra, Musine Kokalari etj., u pushkatuan dhe u burgosën. Musineja, nga familja e shquar Kokalari, e para shkrimtare shqiptare, intelektuale me kulturë e vizion të gjerë demokratik, e diplomuar në Perëndim për Artet, themeluese e Partisë Socialdemokrate (tetor 1943), botuese e gazetës “Zëri i Lirisë”, deklaronte në gjyq:

“Unë s’jam fajtore. S’jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj. Ju fituat në zgjedhje, por unë në burg nuk duhet të jem. Unë jam nxënësja e Sami Frashërit. Me mua ju doni të dënoni Rilindjen…”.

Këtë fat pësoi edhe “Grupi opozitar i deputetëve”, që i pati fillimet në shkurt të vitit 1945.

“Regjimi i sotëm i Shqipërisë është një regjim totalitar dhe nuk është i përshtatshëm për vendin tonë për këtë arsye. Unë mendoj se Shqipërisë do t’i ishte përshtatur një regjim në formën e demokracisë perëndimore”, – deklaronte në gjyq Shefqet Beja, të cilin komunistët e varrën në litar.

Sheh Karbunara, atdhetar dhe klerik me kulturë, firmëtar i Pavarësisë, organizator dhe delegat në Kongresin e Lushnjës, mbështetës i luftës antifashiste dhe deputet opozitar, u pushkatua bashkë me të birin Hysenin dhe familja iu persekutua. U ekzekutua edhe intelektuali i shquar, shkencëtari dhe deputeti Selaudin Toto, themeluesi i Institutit të Shkencave në Shqipëri, përkthyes i Edit Durhamit.

Lufta e klasave njihte rritje dhe suksese të llahtarshme. Makineria e shtetit punonte me gjak. Shpikeshin armiq, agjentë anglo-amerikanë, sabotatorë. U varën në litar inxhinierët Abdyl Sharra dhe Kujtim Beqiri, nga familje të shquara të Vlorës, po ashtu u varën në litar inxhinierët e mirënjohur Sulo Klosi dhe Riza Alizoti nga familje me histori.

Ata pinjollë të familjeve të njohura, që mbetën gjallë nga genocidi i viteve të para të Pasluftës, u asgjësuan gjatë gjithë periudhës së socializmit. Kulmi i këtij holokausti është masakra me pretekstin e bombës në ambasadën sovjetike.U pushkatuan pa gjyq e pa faj intelektualë që s’kishin lidhje me këtë incident, si Sabiha Kasimati, një nga gratë më të shquara të Shqipërisë, e para shkencëtare shqiptare, Pjerrin Guraziu, Jonuz Kaceli që e vranë në hetuesi, Zyhdi Herri, Manush Peshkëpia, Reiz Selfo dhe Tefik Shehu nga Gjakova, Anton Delhysa nga Prizreni, Mehmet Shkupi, Gafur e Myftar Jegeni dhe Haki Kodra nga Dibra e Madhe e të tjerë dhe u groposën në mesnatë të lidhur me tela me gjemba në një gropë të përbashkët afër Urës së Beshirit.

Po ndalem paksa në familjen Jegeni, e cila ka dhënë kontribute në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në kuvendet e Dibrës dhe në luftën për mbrojtjen e trojeve shqiptare me Shaqir beg Jegenin, Tefik beg Jegenin dhe Riza beg Jegenin. Nga kjo familje, më pas dolën edhe dy figura të shquara, Gafur dhe Myftar Jegeni, akademikë me studime të kryera në Itali, ushtarakë të ushtrisë kombëtare, që luftuan më 7 prill 1939 kundër pushtimit fashist, Gafurri në Vlorë dhe Myftari në Durrës me Abaz Kupin. Pas luftës, u tërhoqën në jetën private, sepse nuk donin t’i shërbenin regjimit komunist. I arrestuan të dy dhe i pushkatuan pa gjyq në vitin 1951 bashkë me 22 intelektualë të tjerë dhe familjet e tyre i internuan për 40 vjet. Absurditeti i persekutimit komunist ishte që, veç familjeve të tyre, u internuan edhe gjithë familjet e tjera të fisit Jegeni, falë zellit të dhëndrit të tyre, Haxhi Lleshit. Në vitin 1976, Presidenti i Republikës Haxhi Lleshi internoi në Mollas edhe gruan e tij Haxhire Lleshin (Jegenin) pas 40 vjetësh martese, bashkë me të birin Rushitin, si edhe vëllezërit e kushërinjtë e gruas së tij, duke dhënë kështu shembullin tipik stalinist sesi duhej bërë lufta e klasave në Shqipëri!

Familjeve të mëdha ua morën jetën, dinjitetin, por edhe pronat që i sekuestruan e shtetëzuan në mënyrë të paligjshme, madje edhe vilat e shtëpitë, ku u vendosën pashallërët e kuq. Ishte një faqe e turpshme dhe e llahtarshme vuajtja dhe poshtërimi nëpër burgjet komuniste, mjafton të kujtojmë Burrelin, ku mbaruan tragjikisht burrat më të shquar të kombit; Spaçin, ku shpërtheu revolta më e madhe e të burgosurve politikë, nga të cilët u pushkatuan katër martirët: Zefi, Dervish Bejko, Hajri Pashaj, nga familje të njohura, si dhe u ridënuan qindra të tjerë; Vloçishtin (le të kujtojmë vetëflijimin e përgjakshëm të Sulejman Vuçiternës dhe murosjen e të pafuqishmëve në argjinaturën e kanalit e të burgosurve), kampin e Tepelenës (s’më hiqet nga mendja, këmisha e arrnosur e Gencit, djalit të Muharrem Bajraktarit. Ishim në një klasë në Tepelenë, ai vinte në shkollë në kulmin e dimrit këmbëzbathur, me llastika komardareje dhe vetëm me një këmishë gjithë arna në shtat, e qepur me fijet e flokëve të nënës së tij) dhe burgjet e tjerë, ku u aplikuan torturat më të paligjshme dhe ku humbën jetën në punë skllavëruese shumë persona nga familjet e mëdha, që as sot nuk u dihen varret. Në burgje aplikoheshin ridënimet “për agjitacion e propagandë”(!), në mënyrë që të dënuarit nga këto familje të mos dilnin të gjallë. Xhelal Koprencka, nga familja e shquar Koprencka, u ridënua pesë herë dhe në fund u pushkatua. Aplikoheshin rreth 12 lloj tortura çnjerëzore. Myzafer Pipës i çponin trupin me hekur të skuqur deri sa hekuri prekte kockën, gjersa vdiq, ndërsa Drita Kosturit i ranë dhëmbët dhe flokët nga përdorimi i elektroshokut e të tjera krime monstruoze.

Lufta e përbindshme e klasave goditi veçanërisht familjet e shquara të damkosura si reaksionare. Urrejtja klasore ndaj tyre dhe brezave të tyre krejt të pafajshëm, mori përmasat e tërbimit të ujqërve, siç shprehet Mid’hat Frashëri. Ndëshkohej çdo lidhje, qoftë edhe dashurore ndërmjet të rinjve me përkatësi të ndryshme klasore. Rasti më tipik, por edhe më i bujshëm, ishte qëndrimi ndaj vetë kryeministrit Mehmet Shehu, kur djali i tij u fejua me një vajzë nga familja e shquar Turdiu. Jo vetëm që u prish dhunshëm kjo lidhje, por kryeministri e pagoi me vetëvrasje ose vrasje, ndërsa e shoqja e tij u mbyll në burg dhe vdiq atje nga torturat. Një mësim për të gjithë të tjerët!

Fëmijët e familjeve të mëdha u privuan nga shkollat e larta, nga nëpunësitë, nga arti, madje edhe sporti, nga ushtria e rregullt, veçse në reparte pune. Kujtoni ata të talentuar nga shtresa jonë që sapo shkëlqenin nëpër shkollat e mesme, që për një gjest, për një fjalë apo për një varg, madje edhe për hiçgjë, përjashtoheshin nga shkollat ose burgoseshin, si Bilal Xhaferri, Pjetër Arbnori, Visar Zhiti, Sherif Merdani, Maks Velo e qindra të tjerë, duke përfunduar me poetët e Bërzeshtës, Vilson Blloshmi e Genc Lekën që u pushkatuan për disa vargje lirikë në vitet ’70, si dhe mësuesin e poetin e internuar Avzi Nelaj, që diktatura me firmën e Ramiz Alisë e vari ne litar në ditët që po jepte shpirt. Po nuk u kënaq me aq, e groposi vertikalisht në një gropë të thellë dhe sipër kufomës nguli një shtyllë betoni të tensionit të lartë, që të mos i gjendej as nishani!

Regjimi komunist vuri në punë edhe pseudoshkencën, si në gjithë vendet e Perandorisë të së Keqes. U mohua roli i trashëgimisë, i geneve, i traditës, u hoq nga shkollat lënda e gjenetikës dhe u goditën për vdekje familjet fisnike e trashëgimtarët e tyre, për t’i hapur rrugë kastës së njerëzve të nënshtruar, sejmenë e xhahilë. Në vend të evolucionit të natyrshëm, u ngrit në kult revolucioni i dhunshëm, në vend të arësyes u ngrit gijotina, në vend të qytetarisë u vendos bindja e verbër.

Dr. Mentor Petrela, një nga pinjollët e familjeve të shquara të Tiranës, më thoshte se një shkencëtar amerikan, duke studiuar ADN-në e Carit të Rusisë, të ekzekutuar nga bolshevikët, konkludoi se rusit të sotëm do t’i duheshin rreth 150 vjet për të arritur tek niveli i ADN-së së Carit. Goditja e lustrimi që iu bë trurit të kombit tonë nga komunizmi, si edhe ndërprerja e panatyrshme gjysmëshekullore e geneve, sollën një dëm të pallogaritshëm në qenien dhe jetën shqiptare, jo vetëm në atë kohë, por edhe sot. Këtë e dëshmon më së miri tranzicioni i mundimshëm dhe me trauma i këtyre viteve të demokracisë, ku kanë dominuar mendësi e mendje jofisnike e joqytetare, idolatri e idhuj të rremë, të ardhur nga asgjëja.

Arsyeja është se u shkatërrua nga komunizmi sistemi i vlerave morale e qytetare të përpunuara nëpër shekuj dhe nuk është ngritur një sistem vlerash, mbi të cilat funksionon jeta dhe qytetërimi i sotëm. Jemi në një krizë ekzistenciale të vlerave, që i duhen individit dhe shoqërisë sonë për të qenë kohezive, e shëndetshme dhe e ekuilibruar brenda vetes dhe e integruar jashtë saj. Sistemi i vlerave humane orienton dhe shëndosh jetën individuale dhe shoqërore, ndihmon njeriun shqiptar që të bëhet fisnik e qytetar dhe mbron shoqërinë nga destruksioni i sotëm moral e shpirtëror. Sepse po shkohet kuturu, drejt një shkretëtire morale, ku po dominon arbitrariteti, shthurrja morale, abuzimi me pushtetin, përfitimi i paligjshëm dhe rasputinizmi. Deformimi moral i jetës së sotme shqiptare vjen nga goditja e braktisja që iu bë sistemit tradicional të vlerave njerëzore, por edhe nga mospërpjekja e sotme për të bërë të mundur gradualisht një sistem të përbashkët vlerash që kanë të bëjnë me humanizmin, identitetin shqiptar, respektin e ndërsjelltë, solidaritetin, tolerancën, altruizmin, etikën morale, bashkëpunimin, konkurencën e ndershme, korrektësinë kundrejt shtetit të së drejtës etj., veti aq të spikatura të personaliteteve dhe familjeve të mëdha.

Filed Under: Analiza Tagged With: familjet e medha, Uran Butka

Masakra në Çamëri- Dëshmi të të mbijetuarve

July 15, 2013 by dgreca

Më 18 shtator 1944 ikëm nga Filati dhe vajtëm në katundin Spatar, atje erdhën ushtarë zervista dhe më morën burrin pas tre ditë bashkë me gra të tjera shkuam në Filat për të parë burrat të cilët ndodheshin në burg . Në këtë kohë na vënë edhe neve burg ku na lanë një natë. Tjetrën ditë na morën dhe na shpunë në ikotrofie dhe burrat na i vranë në fushë të Filatit. Midis të tjerëve ishte edhe burri i jem Barjam Azemi vjet 48 edhe kunati tim Lahe Halil Azem. Në burgun tonë të grave zervistat zgjidhnin gratë që u pëlqenin dhe i ç’nderonin. Për këtë vrasje dhe ç’nderime kaq ç’njerëzore kërkojmë nga ai komision që të shkojë në vend dhe të hetojë përsa sipër.

Delvinë më 26 shkurt 1947

Shabane Azemi

***

Ushtarët zervista hynë në Paramithi më 28 qershor 1944 të Martën dhe të mërkurën, ushtari zervist Kiço Koma nga Paramithia mori burrin tim Velinë, vjeç 68 dhe ma theri me thikë. Të enjten ushtarët zervista erdhën të merrnin vajzën time Shuquranën por e shpëtova se ju dhashë të gjitha paratë që kisha afro tridhjetë miliona dhrahmi një unazë floriri dy gjysma lirash dhe një palë vathë floriri si edhe sende të tjera të çmuara. Zervisti Dhimo Pasko me djalin e tij Sotir Pasko nga Paramithija më morën djalin tim Abedinin vjeç 19 dhe ma vranë brenda në shtëpi. Një tufë lesh bashkë me lëkurën e kokës së tij e mbaj akoma në xhep për kujtim. Ushtarët zervista rrahën për vdekje djalin tim të vogël Prenjën para syve të mi dhe mbasi unë doja ta mbroja më rrahën barbarisht dhe mua. Kërkoj që komisioni të shkojë në vend për të hetuar rreth këtyre ngjarjeve të tmerrshme.

Delvinë më 26 shkurt 1947

Fatime Prenjo

***

Ne çamët e vendosur në Nënprefekturën e Sarandës të persekutuar nga repartet ushtarake të Napolon Zervës në qershor e shtator të vitit 1944 e shkurt mars të vitit 1945 mbasi lamë në Çamërinë tonë eshtrat e 100 vëllezërve motrave, baballarëve, nanave dhe çilimiqëve tanë, mbasi na u grabit e tërë pasuria tonë mbasi motrat dhe vajzat tona pësuan ç’nderimet më ç’njerëzore, emigruam në Shqipëri ku gjetëm përkrahjen më vëllazërore nga populli shqiptar. Vuajtjet tona nuk përshkruhen. Ne nuk e meritonim këtë trajtim, sepse edhe ne u radhitëm krahas popujve përparimtarë antifashist për zhdukjen e murtajës naziste. Ne i dhamë kauzës së përbashkët të kombeve të bashkuara repartet tona partizane dhe dëshmorët tanë. Kërkojmë që komisioni për shqyrtimin e kaq pësimeve tona të shkojë në Çamërinë tonë për të konstatuar së afërmi tragjedinë e popullatës çame. Atje do të diktohen vendet ekzakte të masakrave barbare, atje do të vihet ekzaktësisht gishti ujkut fashist atje do të dalin në dritë kockat e viktimave, atje do të duket begatia e Çamërisë sonë larë me djersën tonë dhe shkatërrimet përfundimtare të vatrave tona nga njerëzit e autorizuar të barbarëve zervista.

Delvinë më 27 shkurt 1947

Komisioni: Ismail Halili, Dine Mani, Ferik Meço, Idriz Bajram, Mehlika Meti

***

Unë Melika Met Sali nga Filati i Çamërisë njoftoj se në shtator të 1944 kur hynë ushtarët e Zervës në Filat, na mblodhën të gjithë neve shqiptarët duke na ndarë gra e çiliminj veç ku përbëheshin prej 500 vetash dhe burrat veç, na burgosën në ikotrofio të Filatit ku nga uria vdiëq mëse 70 gra e çiliminj sepse racioni bukës që na jepesh ishte vetëm 50 gram në ditë. Këtu pashë me sytë e mi të torturoheshin pa mëshirë shumë gra nga zervistat dhe midis të tjerave gruan e Sherfi Sulejmanit 50 vjeçare e cila vdiq nga druri si dhe nanën e Hate Hallunit nga Filati. Mua më rrahën personalisht me kamxhik. E shoqja e Xhelo Rexhos nga Dovani u burgos me 7 fëmijë nën 12 vjeç dhe këtu i vdiqën 6 fëmijë një e quajtur Merushe nga Dovani u burgos me 3 çiliminj dhe doli vetëm. 50 ditë na mbajtën në ikotrofio dhe pastaj na përcollën për në Koske pasi na morën të gjitha plaçkat që kishim me vete. Në Koskë, ushtarë të Zerves ç’nderuan 10 gra, nuse dhe vajza nga konaku ku isha vetë. Nga këto e shoqja e Xhelo Galbaqit së bashku me mbesën dhe të reja të tjera nga Varfanji e Lopësi. Kërkoj që komisioni të shkojë në krahinat e Çamërisë dhe të hetojë rreth sa thash më sipër

Sarandë më 27 shkurt 1947

Melika Met Sali

***

Unë Idriz Bajrami nga Karbunari Çamërisë vërtetoj se në shtator të 1944 trupat e Zervës të komanduara nga kolonel Kamara dhe nënkolonel Kranja hynë në fshatin tonë dhe vranë nanën time Luftie Bajrami vjeç 60 me 5 gra të tjera Mehani Isufi së bashku me nusen e djalit Saja (Gjylsim Vehipin) Kadrije Hamdinë dhe nanën e Simo Dodit nga Paramithia. Me këtë rast ushtarët zervista vranë 39 persona në fshatin tonë gra pleq dhe fëmijë, ndër të cilët Osman Pasha, Neime Rexhepi, Kadrie Metushi me 3 vajzat dhe të vjehrrën Mine Jahja, Zeqir Duli, Hajrije Xhemo dhe të bijën Mate, Fatime Xhaferin me dy të bijat, Dul Mellija, Shaqire Abedini, Sherif Feimi, Ramadan Jasini, Haxhi Aliago, Isa Omer, Hamide Husnija, Hajredin Mane, Haneme Tahire, Hasije Alush, Zubo Shpata e të tjerë të ndjekur nga trupat e Zervës dhe që strehoheshin në Karbunarë. Janë vrarë 6 veta në Kardhiq: Xhafer Lushi së bashku me gruan dhe me djalin Tafil Isai, Hadër Bazi dhe Lako Kasemi. Për këto krime të shëmtuara të kryera ndër fshatare të pafajshëm kërkoj që komisioni të shkojë në vende të Çamërisë për të hetuar të vërtetën mbi barbarizmat e pa mëshirshme të kësaj ushtrie.

Sarandë më 27 shkurt 1947

Idriz Bajrami

(Marre nga libri”Maskrat Came)

Filed Under: Histori Tagged With: Masakrat came

Te ftuar ne Sofren poetike te Dielli

July 15, 2013 by dgreca

Në këtë publikim paraqiten; Luan Çipi, Gjeto Turmalaj, Gani Qarri dhe  Sabahate Byci/

BALADË PËR PETRO MARKON/

Nga Luan Çipi/

I ri i bukur, flokë kaçurrel/

Poet, shkrimtar dhe gazetar,/

O trim i lindur me shpirt rebel,/

Që çave dete si vullnetar./

Sikur të gjitha t’i mënjanoja,/

Poezitë, romanet në njërën anë,/

Jo, kurrë për ty nuk do harroja/

Vitet e luftës, atje në Spanjë.

Mijëra dhunues, mizor frankist

Dhe ti kundruall, me ballin lart.

Ata, me tanke terror fashist,

Ti, Petro Marko, me penë e kartë.

Goditi ashpër, si top kjo penë.

Ide sublime, ëndërr e madhe,

Deshe ta bëje Evropë Atdheun

Pa varfëri, derte e halle.

Aty në beteja shquhej më i miri

Që s’pyet për poste e rehati

“Do hamë të gjithë me lugë floriri

Do rrojmë në paqe e në liri!”

Thirrja e të shtypurve, një utopi

Dhe jeta, o Petro, një tjetër lloj.

Ti, rend ndër shtete dhe përsëri

Valëvit flamurin kryeshgabonjë.

Ngele gjithë jetës krijues dashnor

Për njerëzit, që i deshe me zjarr e mall,

I drejtë, i pastër, shumë njerëzor,

O “Nderi i Kombit”, ”Mjeshtër i Madh”!

Vlorë, më 14.07.2013

 

PSE PO VAJTON AI SHPEND NE ZA TRISHTIMI?

 

Te ndjeres Manjola Leke Mirakaj (Libohova)

“Elegji”

 

NGA GJETO TURMALAJ

 

Pse po vajton a’i shpend ne za trishtimi

me ate gjame e klithma prej mjerimi

me tu pervlua zemra nga temerri

Sa e sa jete tuj gllabrua kanceri …

 

Sote bija e Leke Mirakaj, e nuse Libohoves

Po i Jepet lamtumira e fundit ne kishe te Shen Tomes.

Manjola ne Arkivoli me trupin e pa jete

me Meshe, urata, salikime e lot…

po percjellet me dhimbje nga kjo bote.

 

Ne ate mort te rande pikllimi

Jane mbledhe bashkvujtesit e Interrnimit

Perkulen ne shenje zije e nderim.

jetuan si nje vllazni, ne kampe te perqendrimit.

 

Ato fiset me za qe luftuan ne shterngata

Edhe shtepia e mirnjohur e Mirakajve.

Hej komunizemi e u shofte djale pas djalit

Po si i burgosi edhe shqipet e malit.

 

Ne kenete te Terbufit, ne zemer te Gradishtes

Neper baraka me Eternit Kancer-ndjelles

Atje lindi Manjola 44 vjete me pare

Sot ka mbylle syte me lufte e me travaj.

 

Ne betej per me munde fitua jeten

per 7 vite ne perballje mbi vdekjen

Qe vajzat e shejta Ana e Ema kur te rriten

T i’a mbanin mende Nanes vete fytyren

 

Nuk i besohet familjes, hej medet

Se kanceri u’a ndau Manjolen e shtrejte

Mbeti me pikllim ne shpirte baba Leke

e trishtume ne zemer qane Nana Dolerez.

Te vajtojne Vella Entoni e motra Matilda

Zemren ua thave, o lule Manjola…

 

Dy Engjejve te vegjel Ema e Ana

kurre ma me dore nuk i ledhaton Nana

I shkputi vdekja si rrufe prej qillit

Sikur ju ndale pergjithmone rezja e Diellit.

 

Po a thua keshtu dha urdher vete perendia?

Lule Manjola me shkua te Lumnia.

Me lane njerezit me te dashur ne te madhin hidhrrime

Me kalua ne jeten tjeter per amshim.

 

O Manjola e shtrejt paç dhe’un e lehte

Gjithe njerzit e tu te dashur s’te harrojn per jete

Shpirti yt o Manjole, te bafte gjithmone drite

Ne perjetsine e lumtur atje ne Parrize…

 

*Shkrua nga Gjeto Turmalaj me nxitjen e mikut tim te mirnjohurit Tonin Mirakaj

*31. Maj. 2013

 

 

     Pse ikin shqiptarët ?

Nga Gani Qarri/

Në duart e thata mbajnë çantat

Brenda, plaçkat e mjerimit

Mbi supe pasardhësit e pafat

Nisë udhëve të mërgimit

Me qindra vetë në ditë

Vendeve të huaja u drejtohen

Nga pushtetarët që i lënë pa bukë

Shqiptarët të dëshpëruar largohen

Ata sundohen nga”Pronto”milionerët

Të cilët ditë e natë pasurohen

Derisa gra e fëmijë me barkun thatë

Evropës për shpëtim i drejtohen

Ndaj,edhe në këtë shekull të shkretë

Kur as romët e “pa” atdhe nuk trazohen

Shqiptarët nga atdheu që i lë të vdes

Kokulur e të zhgënjyer, largohen

Gani Qarri Cyrih,15 Korrik 2013

 

TË KAM ZAMBAK TË GJAKOVËS

Sabahate Byci

Kokën e kam shtrirë në qetësinë e natës,

Dua ëndërrën ta thërras në takim.

Që kur Ty të njoha,

Gjumin syri ma lagu

Me shiun e lotëve dhe ëndërra

Më ikë

Me tradhëtinë e ferrit

Në heshtje,

E pa zë – si Ti!

Përse nuk ke mëshirë?!

Përse s’më flet me gojë?!

– A e di se dashuria ime për Ty,

Është si trëndafili i Elbasanit,

Edhe unë Ty të kam Zambak të Gjakovës!

Jam betuar se në Pranverën e Virgjër,

Për Ty do të thur një kurorë,

Me lulet më të bukura të Kosovës,

– Ty, Diadem i Mbretërisë të dashurisë sime,

Të madhe e pa kufi –

E do t’ia fal PUHISË SË SAJ!

 

ME TY

Mbrëmë unë e Ti

– Ti Zhulietë

E unë Edgar Alen Poe!

Mbrëmë,

Më vonë se mbrëmja

– Unë Zhulietë

E Ti Edgar Alen Poe.

Mbrëmë që nga mesnata,

Ti me mua legjendë e Zhivagos,

Legjendë nëntori 2007,

Mbrëmë,

Ti kotja ime në pakthim!

 

Mbrëmë fjeta me Hënën

Mes kristalesh drite,

Humbavdekje,

Shtatë ditë e shtatë netë,

Gjuhën ma thau,

Ma vodhi fjalën foshnjare,

Të parën,

Ma vodhi fjalën foshnjare,

Të dytën.

Mbrëmë u treta në thirrje,

Një milion herë,

E mbeta si përherë e vetmuar.

Me minutat e pritjes kot –

Në minutat e pritjes.

 

TI, HESHTJA IME MEMECE

Mbrëmëm,

Edhe sot,

E, edhe nesër,

Edhe,

Edhe,

Edhe…

Tërhiqe zvarrë kullimin e lotëve,

Në shpirtin që e regj zemrën.

Për heshtjen varr –

Për humbjen e fjalës time

Foshnjare të parë –

Për humbjen e fjalës time,

Foshnjare të dytë!

E sot,

Sot,

Me Ty’

E’

Pa Ty,

Ndaj mërzinë,

Që as ti vetë nuk e beson,

Me lotin tim skëterrë,

Që nga thellësia e shpirtit,

Si gjak më kullon…!

Me Ty dua vetëm një herë të flas,

Mbase zërin ta dëgjoj,

Atëherë zemra të më pëlcasë.

E në çastin shterp,

Që rrezen e dritës e shkatërron,

Irisi i humbur sterrë,

Vdekjen të ma lehtësojë.

 

MBET E DREJTË – PA MBURRJE

Nuk të dua anipse nga larg,

Ti një trëndafil do të ishe,

Nga krypa e Tpasit,

Ose shigjeta e Neptunit,

Që flakën e shpërndan.

Të dua,

Ashtu si njeriu ca gjëra të errëta

I dashuron.

Dhe atë në shkëlqimin e verbër

Të zemrës së copëtuar

“Më shumë se dje e më pak se nesër”!

Të dua pa e ditur përse?!

Qysh kur e prej ku?!

Të dua me të drejtë pa kompleksitet e mburrje!

Të dua sepse ndryshe nuk di

Aq shumë sa që:

– Dora jote mbi toraksin tim –

Dora ime është,

Aq shumë sa që kur Ti sytë i mbyll,

Mua shumë shpejt gjumi më zë…!

 

EDHE PËR KËNGË

Sot ma kënaqe zemrën,

Ma mbushe shtëpinë,

Me zërin tënd të bukur,

Me shpirtin plot dritë,

Me dashurinë…

Krahët m’i dhurove,

Shpirtin, gëzimin…

Ecjen ma shpejtove,

Ma fale fluturimin.

Mos, të lutem, mos,

Se më lëndove fort,

Me le duke qarë,

E s’po pushoj dot.

Në zemrën time,

Loçkë,

Aty thellë ke hy.

Po më lëviz me gjakun

Të kam shpirt unë Ty.

 

MË PRIT…

P rit

O se

E ja ti

Z emra

I me – shpirt

D ua

A nipse

S i e

H utuar

U lëras

R rugëve të

I kjes bashkë me vetminë – VETËM

E dhe

 

GËZUAR DITËLINDJEN

Si (n)’ Qersh-i (or) – iku e kuqe flakë,

Rrezja e Diellit në thellësinë e mbrëmjes,

Puthi natën,

Dhe mori dashurinë gaforre në katrore,

Për 24 orë ose 45 herë në gji!

Me qejfe të thashë: (n)’ Korri (ik) or,

Shtatë kallinjtë e heshtjes,

Me të hidhet se vetë vdekja shekullore.

E nëse do, thuri shtatëmbëdhjetë Poezi për Bereqet,

Sepse molla qe ngrënë.

Ty, zemra ime 1 (Perisht) Marathonomak,

Vetëm e vetëm për mua,

Gushën ta puthi si pëllumb.

 

 

EDHE NGA LARG

Rrezja e Diellit puthi Yllin e Mëngjesit,

Akullit ia fali lagështinë e lotëve,

E vuajtjes së takimit në largësi,

Dashuria frymën ia zuri…!

 

MOLLA QË HËNGRE

Mollën që e hëngre,

Ishte e kuqe.

E kafshove,

E hodhe,

Në shportën e mbeturinave…

Mbase gabove,

Farërat i kishte origjinale,

Si të atyre,

Nga Naissi…

Mirë nuk bëre,

Hiq,

Që e kafshove,

Dhe u ndave,

Duke e lënë të lënduar…

 

ATENTAT

Dielli nuk duron t’i bëhet atentat,

Qelizat nuk durojnë të gënjehen…

Bashkimi nuk duron për respekt ndarjen,

Hëna nuk duron t’i vjedhin syzet…

Ajo nuk është e verbër,

Ajo sheh me sytë e shpirtit…

 

MË KE TRADHËTUAR

Më ke tradhëtuar në emër të shkrimit,

Në emër të figurave më ke tradhëtuar…

Kurrë nuk do të zërë vend,

Fjala e jote poetike…

Pena jote nuk ka për të shkruar më poezi,

Stuhitë e lakmisë e të tradhëtisë,

E kanë fundosur në thellësi të oqeanit…

Do të të mallkojë fjala e shkruar,

Edhe figurat e saj përjetë…

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Gani Qarri, Gjeto Turmalaj, Luan Cipi, ne sofren e Diellit, Sabahate Bytyci

A do t’i hapi dosjet parlamenti i ri?!

July 15, 2013 by dgreca

Nga Ardian Ndreca/

I kena ra në qafë e me të drejtë Berishës për mungesën e vullnetit politik për hapjen e dosjeve, pra për nji ligj të lustracionit që ta çlironte ndërgjegjen e shqiptarëve, për aq sa mund të çlirojë kënd nji ligj pozitiv, prej së kaluemes komuniste. Kreu i PD-së i qëndroi së vetes deri në fund dhe nuk i hapi dosjet, madje promovoi dhe u dha poste tepër të nalta deri në minutat e fundit të pushtetit ish hetuesve dhe ish funksionarëve të drejtësisë komuniste. Kah ana tjetër asht e dijtun prej kohësh se ndër rradhët e politikës shqiptare, ashtu si edhe në administratën publike, sillet nji numër i konsiderueshëm ish informatorësh të Sigurimit.

Ky hiatus antidemokratik nuk ia ka vra as synin dhe as veshin atyne demokratëve të ndezun që s’lanë gja pa qitë për gojet kundër regjimit hoxhist por kur bahet fjalë për veprime konkrete heshtin turpshëm. Në këto dekada dosjet janë përdorë, janë shfrytzue dhe vijojnë me qenë nji kapital i çmueshëm për ata që kanë pasë akses në këtë minierë handrakut moral.

Na bane përshtypje të mirë deklaratat e Avokatit të Popullit këto ditë, i cili shprehej për nevojën e nji ligji të lustracionit që të rregullojë edhe çeshtjen e dosjeve. Avokati shprehej se do t’i bashkangjitej shoqnisë civile në hartimin e nji ligji të ri. Tingllonte paksa i çuditshëm fakti që Avokatit i kishte pasë ardhë kjo ide mbas nji vizitet në Gjermani dhe mbas eksperiencës që kishte pasë tue vizitue edhe vendin ku ruhen dosjet e STASI-t! A thue asht e nevojshme për me u sensibilizue për nji çeshtje kaq të randësishme me marrë mundimin e me shkue deri në Gjermani? Në Shqipni ka 20 vjet që flitet për ketë gja e vetëm kjo do të kishte mjaftue me pasë lëvizë sadopak vendit deri tashti. Megjithatë, ma mirë vonë se kurrë.

Shpresojmë që shoqnia civile, e cila tek ne për shumëkend, përfshi edhe të nënshkruemin, asht nji entitet abstrakt pa konsistencë të mirëfilltë, të lëvizin! Deri tashti as ajo, as OJQ-të e mjera së bashkut me fondacionet e shoqatat e padukshme, që nuk bajnë tjetër veçse thithin pare fondacionesh, individësh dhe qeverishë të hueja, nuk e kanë marrë mundimin me ba diçka konkrete. Roli i pakuptimtë i gjithë kësaj yjësie të shueme u pa krejt qartë gjatë grevës së ish të përndjekunve politik vitin që shkoi, ku edhe vetë Avokati i Popullit shkëlqeu me qëndrimin e tij tejet periferik e kuptimpakët. Shoqnia civile tek ne asht e pafuqishme si nji “e” pazane që shtrihet prej Konispolit në Vermosh. Prandaj lustracionin mund ta bajë vetëm nji vullnet i fortë politik dhe askush tjetër.

Lustracion rrjedh prej lustratio të latinëve, skaj që shenjonte nji ceremoni purifikuese; kjo e fundit presupozon në historinë e besimeve vetëndërgjegjsimin rreth nji faji. Tek ne subjektivisht nuk mund të flitet për vetëndërgjegjsim dhe për ndjenjën e fajit, pse ende kurrkush prej ish nomenklaturës komuniste nuk ka kërkue falje për vuejtjet që ka shkaktue. Sot mikrofonin e kanë marrë rishtas në dorë Nexhmije Hoxha, Kristofor Martiro, Dilaver Bengasi etj., pra ideologët e krimit, hetuesit, kriminelat e gjithë zarbot që vritnin e pritnin të mbrojtun prej nji regjimi çnjerzor.

Mjerisht shqiptarët, të gatshëm me u vra vlla me vlla për nji vijë ujit e për do gardhiqe, janë gati me durue si deve të topituna prej të nxehtit gjithë ketë spektakël të ndytë që ua servirin mediat imorale.

Çfarë ndjenjë fajit dhe çfarë purifikimi mund të kërkojmë kur ndërgjegja e do shkarthave këtej e andej kufinit politik ndien sot nostalgji për Enver Hoxhën dhe kohën e tij!

Fenomeni i nostalgjisë në vendet e ish Lindjes komuniste njihet, madje për të gjermanët kanë nxjerrë edhe nji term të posaçëm: Ostalgie, nostalgjia për Lindjen. Tek ne, që ishim karikatura e komunizmit, shihet sot edhe karikatura e Ostalgisë e përfaqsueme prej këtyne kriminelave të papenduem që justifikojnë krimet e veta dhe mundohen me nxjerrë në pah anët gjoja të mira të atij sistemi.

Tashma detyra për nji ligj të ri të lustracionit i takon Edi Ramës. Shpresojmë ta bajnë sa ma parë dhe sa ma mirë, nuk i mungojnë as votat në parlament dhe as modelet legjislative. Me nji akt të tillë do të kishte rastin me i tregue të gjithëve se partia e tij s’ka lidhje me të kaluemen por don vërtet nji rilindje, e në rastin e lustracionit rilindja kalon përmes ndërgjegjsimit të fajit dhe ndërshkimit moral të fajtorëve. Për pajtim nuk ka nevojë, pse jemi popull pa ndërgjegje historike, çdo vit mësimet i nisim te abetarja.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: a do t'i hapi, Ardian Ndreca, dosjet, parlamenti i ri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • …
  • 78
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT