• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2013

Joseph J. DioGuardi: HAPPY JULY FOURTH AND HAPPY INDEPENDENCE DAY–AMERICA’S 236th BIRTHDAY!!

July 4, 2013 by dgreca

I can think of no better tribute to pay those men and woman who died to earn and preserve our freedom, and the freedom of so many others around the world, than to hear the words of one of our greatest Presidents, Ronald Reagan. He was a not only a great President for the United States, but a true world leader. Reagan was not like the “wimps” we have in Washington today–and I do not hesitate to include many members of Congress who are helping to destroy our country and the “American dream” that brought my father here from a very economically depressed Southern Italy in 1929.

Today, please think about–and pray for, if you believe in God (YOUR choice as an American)–those who came her to build this nation not only for Americans but for worldwide freedom, especially those who made the ultimate sacrifice of life itself so we can enjoy this very special Holiday with our family, friends and neighbors.

Again, HAPPY JULY 4th,

Joe

Joseph J. DioGuardi, CPA

President, Truth in Government
jjd@truthingovernment.org

 

Filed Under: Featured Tagged With: Happy yulay Fourth, Joseph DioGuardi

Mit’hat Frashëri: Ku të gjejmë nëpunës që dinë shqip?

July 4, 2013 by dgreca

Shkruante Gazeta Dielli: Në mes të miqve që ndodheshin në këtë bisedim ishte dhe djaloshi Xh.K., student në Amerikë. S’kishte folur deri atëherë; vetëm dëgjonte. Në fund tha: Unë doja të mësoja për Drejtësi në Universitet. Po tani e ktheva mendjen: Do të mësoj për sekretar, dhe jo ministër. Do të vete në Shkollën e Tregtisë (Business High School) të mësoj si mbahet korrespondenca, si mbahen def-terët, të mësoj stenografinë për të shkruar. Miku i tha: Të jesh i sigurtë se ka më tepër nder një sekretar i zoti se një ministër i pa zoti,- shkruante “Dielli”. /
Shkruan: Luan Malltezi*/

Një nga problemet kryesore në Shqipëri pas Shpalljes së Pavarësisë ishte ngritja e administratës shtetërore me njerëz të aftë dhe të zot. Problemi ishte i vështirë; gjuha shqipe nuk ishte lejuar të mësohej në shkollat e vendit nga administrata osmane; vendi ishte i varfër dhe analfabetizmi mbulonte 90% të popullsisë. Qeveria hapi konkurs për nëpunësit e rinj të administratës shtetërore ku midis të tjerave vihej edhe kërkesa për njohjen e gjuhës shqipe. Për të ndihmuar në zgjidhjen e këtij problemi Lumo Skëndo shkruajti shkrimin “Ministrat dhe sekretarët”. Shkrimi në fillim duket se u botua në vitet ’30 tek “Dielli” dhe që këtej u morr dhe u botua në gazetën: “Shqipëri e Re”. Shkrimi megjithatë vlen të rilexohet edhe në ditët tona, madje vlen të rilexohet kohë pas kohe. 
Ministrat dhe Sekretarët 
Të mos trembemi, po të shikojmë të vërtetën drejt në sy. Le të zbulojmë të metat, le të shohim rrënjët dhe shkaqet e tyre. Të jemi si mjeku që bën diagnostikim, na thotë ç’kemi, pastaj na dëften edhe ilaçin. 
Nja dy muaj më parë bënim fjalë me një mik se ç’farë njerëz të zotë kemi, sa specialistë, sa mjekë, sa inxhinierë, sa profesorë. Bëmë një listë me shqiptarë që kanë diploma nga shkollat e larta, dhe në çdo zbulim të ri, na mbushej zemra plot gaz, na vinte një madhështi. Dhe aq më tej akoma, sepse të dy qemë të bindur se inxhinierët më të mirë të Turqisë (Ahmedi nga Devolli, Eshrefi nga Frashëri), dhe mjekët më të mirët, operator Orhani nga Devolli, gjinekologu Besim Omeri nga Narta, Sylejman Humani nga Dibra, neurologu Joan X, nga Gjirokastra, bekterollogu Rifat nga Frashëri etj. ishin të gjithë shqiptarë, nga gjaku dhe nga vendi ynë, nga ajo baltë dhe nga ajo gjuhë. U gëzuam kur mësuam se një veteriner shqiptar, miku ynë, Sejfedini nga Selenica, gjeti ilaçin e këlbazës në Shkodër, se Dr.M.Turtulli, në Misir, ishte një nga më të mirët e heqimëve. Edhe thoshnim se Shqipëria nuk është e varfër nga intelektualët, se kemi njerëz edhe në Rumani (inxhinier Vangjel Nuni), një profesor elektriku nga Drenova, tre a katër piktorë. Mund të kemi edhe në Greqi, që s’i dimë sot, se nuk rrëfehen por nesër mbase dalin në dritë. 
Megjithatë, sado vullnet të mirë që patëm për ta zgjatur, lista mbeti e vogël, e shkurtër, edhe u siguruam se një vend si i yni që ka nevojë të përparojë, duhet t’i përvishet punës; njerëzit që kemi sot janë fort të paktë; bëmë pastaj edhe një listë të studentëve, të djelmoshave që mësojnë në Amerikë, në Itali, në Vjenë e gjetkë; edhe këtë listë e gjetëm fort të varfër. 
Tashmë duhet të punojmë, të përpiqemi që të shtohet numri i studentëve, i atyre që dinë dhe janë të zot të punojnë, i atyre që mund të bëjnë një punë të fitimshme. 
Duhet të kemi njerëz për sekretarë – tha miku ynë, dhe jo për ministra. 
Pandehëm se qeshte. Po jo, miku qe i sinqertë, fliste me seriozitet. Deshëm të dimë ç’donte të thoshte. Dhe e pyetëm. 
Ne, tha, në Shqipëri, kemi shumë njerëz që janë kandidatë për ministra, dhe fort pak janë për sekretarë; shqiptari është kryelartë, i pëlqen që të rrijë në krye, kemi pak njerëz të zotë që të punojnë. 
S’kuptonim ç’qëllim kishte. Po ai na e shpjegoi: 
Do ta kuptoni fort lehtë ç’dua të them, kur të mendoni se një sekretar duhet të jetë i zoti që të shkruaj mirë, të mbajë në rregull letrat dhe defterët, të rrijë tetë orë ditën dhe të punojë mbase edhe natën. Ministri s’ka nevojë të bëjë asnjë nga këto punë. Ay vetëm do të flasë, do të kuvendojë…. Sekretarit i duket puna, po qe që s’di, i del në shesh puna. Ministri përkundrazi ua hedh fajin shokëve. 
Miku ynë e thoshte këtë me ironi dhe me paradoks; se edhe ai e dinte se ministri duhet të ishte shumë i ditur dhe i zoti. Themi duhet të ishte dhe shpresojmë se edhe në Shqipëri kështu do të bëhet. 
S’kemi njerëz të zotë për punë të rregullt, vazhdoj miku ynë. S’kemi se nuk janë mësuar për punë; nuk kishin ku të mësoheshin: Ata të Turqisë janë mësuar “dembelë”; në Shqipëri akoma nuk nxorëm dot njerëz të rinj. Prandaj gjithë duan të bëhen ministra, dhe asnjë sekretar. 
Edhe shtoi: Doni të bëni një provë ? Bëni një zëdhënie në “Dielli”: thoni se “Vatra” kërkon të bëjë ministra për në Shqipëri dhe u lutet atyre që dëshirojnë këtë ofiq, të bëjnë kërkesa. Do të shihni se do të vijnë dyqind mijë aplikime . Të gjithë duan të bëhen ministra, që nga B. B. dhe gjer Sh. G. Jo vetëm se ata janë të pashëm, për krushq, po edhe i mjeri V. L. q’ është si kotele maceje dhe I. P. edhe ata për ministër e kanë syrin. Bëni edhe një zëdhënie për sekretarë dhe do të shihni sa pak aplikime do të vijnë! 
Dhe kishte të drejtë miku ynë. Unë që po shkruaj këto radhë, nuk njoh të këtë në mes të asaj shumicë miqsh që njoh, tetë prej syresh që të jenë të zot të bëhen sekretarë. 
Kur mendohem sa të paktë janë sot ata që dëshirojnë të bëhen sekretarë, sa të paktë janë ata, që mund të punojnë me rregull dhe me sistem, të mbajnë në rregull një korrespondencë dhe të shkruajnë bukur një letër ose një raport shqip, njeriut i vjen për të qarë, i vjen për të qarë jo se gjenden të paktë, po se të paktë janë ata, që përpiqen të bëhen më të zotë. 
Në mes të miqve që ndodheshin në këtë bisedim ishte dhe djaloshi Xh.K., student në Amerikë. S’kishte folur deri atëherë; vetëm dëgjonte. Në fund tha: Unë doja të mësoja për Drejtësi në Universitet. Po tani e ktheva mendjen: Do të mësoj për sekretar, dhe jo ministër. Do të vete në Shkollën e Tregtisë (Business High School) të mësoj si mbahet korrespondenca, si mbahen def-terët, të mësoj stenografinë për të shkruar. Miku i tha: Të jesh i sigurtë se ka më tepër nder një sekretar i zoti se një ministër i pa zoti,- shkruante “Dielli”. 
* Historian(Kortezi: Gazeta shqiptare)

Filed Under: Histori Tagged With: ku te gjejme, Mit'hat Frasheri, nepunes, qe dine shqip

Veriu konstituon “Kuvendin e paligjshëm”

July 4, 2013 by dgreca

Shkruan Bekim Bislimi/Përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës, të enjten  në Zveçan, e kanë konstituuar të ashtuquajturin “Kuvend i përkohshëm i Kosovës dhe Metohisë”, ndërkaq drejtues të tij e kanë zgjedhurSlavko Stevanoviqin.
Ky i fundit ka thënë se vetëm një Serbi demokratike dhe e fortë ekonomikisht mund ta ndihmojë popullin serb në Kosovë, por, megjithatë, serbët e veriut, sipas tij, nuk mund të pranojnë integrime të dhunshme në institucionet e Kosovës.
“Ne nuk mund të pranojmë që çmimi për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian, të jetë humbja e territorit dhe integrimi i dhunshëm në institucionet e një shteti që nuk është njohur”, ka theksuar Stevanoviq.
Në mbledhje kanë marrë pjesë 97 përfaqësues të serbëve, të cilët kanë bërë betimin dhe kanë miratuar deklaratën për të ashtuquajturin “Kuvend i përkohshëm i Kosovës dhe Metohisë”, ku thuhet se ky kuvend është trup përfaqësues i qytetarëve serb në Kosovë, të cilët e respektojnë Kushtetutën e Serbisë.
Stevanoviq, po ashtu ka theksuar se veprimi i sotëm i përfaqësuesve të serbëve të veriut është tentim që Kosova “të kthehet nga humbëtira dhe e padrejta në terrenin e Kushtetutës së Serbisë”.
Ljubomir Radoviq, përfaqësues serb nga Zveçani, ka theksuar se serbët e veriut nuk do ta zbatojnë marrëveshjen e Brukselit dhe se nuk do të dalin në zgjedhjet që do t’i organizojnë institucionet e Kosovës.
“Ne e dimë rrugën tonë. Ne nuk do të shkojmë me Prishtinën. Kryeqyteti ynë është Beogradi. Shti ynë është Srbia dhe nuk dëshirojmë shtet dhe shtetësi tjetër”,  ka thënë Radoviq.
Në anë tjetër, në mbledhjen e sotme të përfaqësuesve të serbëve të veriut nuk ka marrë pjesë askush nga Qeveria e Serbisë.
Vendimin e përfaqësuesve të serbëve të veriut e kanë quajtur të dëmshëm zyrtarët e institucioneve në Beograd.
Milovan Dreçun, kryetar i këshillit parlamentar për Kosovën në Kuvendin e Serbisë ka thënë se me këtë veprim serbët në veri e dobësojnë pozicionin e Serbisë në veriun e Kosovës.
“Nuk ka hapësirë për çfarëdo lloj organizimi tjetër, për shkak se çfarëdo që bëhet në kundërshtim me politikën shtetërore, do të sjell paralelizëm në zgjidhjen e problemit të Kosovës. Kjo nuk mund të forcojë, por ta dobësoj pozicionin e Serbisë dhe popullit serb”, ka thënë Dreçun.
Vendimin e përfaqësuesve serb të veriut e ka kritikuar edhe njëri prej liderëve serb të veriut, Oliver Ivanoviq.
Sipas tij, serbët e veriut me këtë po hyjnë në një konflikt të thellë me Qeverinë e Serbisë.
“Është e kuptueshme që Serbia nuk do ta mbështesë këtë veprim. Aq më shumë edhe për faktin se ky ‘Kuvend” mund të bie ndesh me Bashkësinë e komunave serbe, e cila do të formohet pas zgjedhjeve, të cilat Serbia i mbështetë, ndërsa OSBE i organizon në këtë hapësirë. E gjithë kjo vetëm mund të krijojë huti te bashkësia serbe dhe nuk do të sjellë asgjë të mirë”, theksoi Ivanoviq.
Ndryshe, konstituimi i këtij të ashtuquajturi “kuvend” në veri të Kosovës, nga përfaqësuesit serb atje, ishte paralajmëruar për 6 qershor, por ishte shtyrë, siç ishte thënë, për të mos u fajësuar serbët e veriut të Kosovës, për mosmarrjen eventuale të datës për Serbinë, për fillimin e bisedimeve për hyrje në BE.(RFE/ RL/)

Filed Under: Kronike

GOOD MORNING, AMERICA – MIRËMËNGJES AMERIKË!

July 4, 2013 by dgreca

CARL SANDBURG (6.01.1878 – 22.07.1967)/

E shqipëroi: ELIDA BUÇPAPAJ/
Në mbrëmje ka një sonatë perëndimi që bie mbi qytetet./
Ka një marsh të ushtrive të vogla me daulle dhe tam-tame të rralluara./
Rrokaqiellet e hedhin shtatlartësinë e tyre sipër, pingul mbi fortifikatat e zeza që bien mbi/
perëndimin e kuq./
Rrokaqiellet e mbërthejnë alfabetin e tyre perpendikular larg përtej duke ndryshuar trekëndëshat e argjendtë të yjeve dhe rrugëve./
Dhe kush i bëri ato ? Kush i bëri rrokaqiellet ?/
Njeriu i bëri ato, ai gaztori dy-këmbësh, Njeriu.
Prej mendjes së tij, prej ëndërrimeve të tij, duke projektuar copaqielli,
Duke skicuar skema të vogla dhe krenare që hidhnin valle lehtas në kokën e tij – Njeriu i bëri rrokaqiellat.
Me të dy duart e tij, me lopata, çekanë, karroca dore, makina, konvojerë, sinjale bilbilash; me me projekte, duke kalëruar skelat dhe bërë akrobaci ajrore dhe duke thirrur, Jepini, djem
Njeriu i bëri rrokaqiellet.

Faktet qëndrojnë të mbërthyera; faktet janë hije, fantazma.
Një kalë i vjetër që lëron tokën është një fakt.

Një traktor i ri ferme është një fakt.

Faktet qëndrojnë të mbërthyera; faktet fluturojnë me krahë zogjsh.

Gjaku dhe djersa janë fakte, dhe

Zotërimi i imagjinatës, përfytyrimit, të parët prapa dhe përpara,

Spiralet, boshti i rrutullimit, pistat e zbritjes që shuhen, treten

Sinjalet e dritave dhe yjet e errësuar të qytetërimeve.

Tani koka e një njeriu, sytë e tij janë fakte.

Njeriu sheh në kokën e tij, si në një pasqyrë,

Një katedrale, anije, urë, rrugë hekurudhore – një rrokaqielle-

Planet janë skicuar, projektet janë fiksuar,

Vizatimi dhe linjat, kanë marrë shtjellë të kjartë

Kështu fakti lëviz nga fakti tek fakti, duke u ndëthurur dhe ndërprerë.

Pastaj vjen më e shumta, pastaj vjen djersa dhe gjaku …

…..

5

Unë kam parë figura heronjsh të ngritur nëpër memoriale, si dëshmitarë të faktit-

Leif Ericson 1) prej bronxi të fortë të flaktë, qëndron si një hije e ngrirë, e përkulur, me sy kërkimtarë, mbi një kodër në Uiskonsin, duke soditur Liqenin Miçigan-

Kolombi prej bronxi është në qendër aty ku trafiku që vjen prej fundit të botës është më i rrëmujshëm duke u grumbulluar në Ishullin e Manhatenit-

Washingtoni qëndron në mermer duke pasur një shtjellë jete, mbi një tempull Romak në Kapitol Hill, në Riçmond, Virxhinia, me një të qeshur të ashpër dhe të zemruar, i rrethuar si në unazë prej rrokaqiellave-

Andrew Jackson 2) i bronxtë mbi një kalë bronxi, një kalë i vertetë shkëmbor me këmbët dhe putrat e parme në ajër, me bishtin përpjetë, sikur Gjenerali që heq nga koka e tij kokardën për të përshëndetur qytetarët dhe ushtarët e Republikës-

Ulysses S.Grant 3), serioz dhe i zymtë qëndron mbi një kalë të vogël bronxi duke dëgjuar pafundësisht hingëllitjet e kuajve të bardhë të Liqenit Miçigan që dëgjohen deri në

Ilinois-

Robert E.Lee 4), i shtrirë prej guri të bardhë, fle një gjumë fushimi në paqe midis njerëzve si ai të nderuar në Luginën Shenandoah 5)-

Memoriali i Linkolnit qëndron në një pikë nevralgjike, shumë të gjallë, ku kryqëzohen rrugët që të çojnë nga njëri breg tek tjetri, duke murmëritur, Bëhuni të mira me njëra-tjetrën motra; mos luftoni me njëri-tjetrin, vëllezër.

————-

1) Leif Ericson, lundërtar i shekullit të 10-të, pas Krishtit.

2) Andrew Jackson, presidenti i 7-të i SHBA (1767-1845)

3) Ulysses S.Grant, presidenti i 18 i SHBA (1822-1885)

4) Robert EdwardLee, Gjeneral i Konfederatës (1807-1870)

5) Luginë dhe Parku Nacional Shenandoah ndodhet në Shtetin Virxhinia.

 

Por a mund të pyesim ne – është lulja një fakt ?

Bima e brishtë që vyshket shpejt a do të

Mbijë në tokën e atdheut

Duke i dhënë frymën e saj gjetheve

Për një kronikë të fiksuar në pak ditë,

Për një simbol të mbajtur prej bletëve dhe erës ?

A do të mbjellë secili shtet lulet e tij më të dashura, që i do më shumë

Duke thënë Kjo lule jam Unë, Ne, kjo vjen nga toka e shkrifët, pjellore, kjo

do të thotë mikpritje e ngrohtë shtëpie për sytë tanë, këto gjethe prekin

rrënjët tona, fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë.

Lulja e kaltër e misrit përgjatë hekurudhës i ka gjurmët në Ilinois –

Nepërka e kuqërreme fshihet në pyjet e dëndur të Minesotës –

Preritë e trëndafilëve të egër kacavaren përgjatë udhëve të Ajovës –

Lulëkuqet e arta të Kalifornisë, kaktuset gjigande të Arizonës –

Lule-mollët e Miçiganit, pjergullat e Kentakit –

Shqopat e Uashingtonit dhe Virxhinias Perëndimore në çdo stinë të gjelbra –

Luletrumëzat Indiane të Vajoming-ut, rrënjët e panxharit të kuq të Montanës –

Luledelet e pafundme nëpër të gjithë Nebraskën –

Zambaku dhe tulipani i Utah-ut, lulet e pashkëve të Dakotës së Jugut –

Luleshqerrat sy-demi të Karolinës së Veriut, lulet e portokallit të Floridës –

Manjola e Luizanës, Lulepjeshka e Delauerit –

Përshëndetjet e heshtura dhe gazmore të lulediellit të Kansasit –

Bizoni i vjetër, tërfili dhe papagalli fytyrërremtë i Teksasit –

Pishat konike dhe xhufkat e kallinjve të misrit të Shtetit të vetmuar Main –

A do të jenë të gjitha këto, midis fakteve tona fantazma, hije ?

7

…….

Kombet lindin të vegjël si foshnjet.

Kombet pijnë gji dhe stërmundohen shumë; deri sa ata rriten;

Kombet sfiliten, luftojnë, qeshin, vuajnë, vdesin.

Kombet iu binden gjurmëve që lë trajektorja e hënës.

Ata ndjekin rendin kohor të natës, mëngjezit, mesditës, mrëmjes

dhe natës përsëri.

Kombet qëndrojnë në këmbë dhe e kanë ditën e tyre në pavionin e Katër Erërave.

Yjet e qiellit të natës i vëzhgojnë ata në fillimin e tyre, kur kapiten, kur shuhen,

veniten përpara atyre që posa kanë mbërritur, përpara heshtjes, përpara boshësisë së pavioneve.

Kombet lënë flamurët, sloganët, alfabetët, numrat, veglat e punës, rrëfenjat gjithë zjarr që flasin për ekzistencën e tyre; Kombet lënë kujtesën e grirë nga mola, dorëshkrimet, ditaret.

Dhe kështu, në pavionin e katër erërave

Erdhi në dritë edhe foshnja e vogël të cilën ata e thërritën Amerikë,

Amerika pinte gji, sfilitej, mundohej, qeshte dhe rritej.

Amerika e filloi jetën e saj njëlloj si foshnja.

Republika e re e vogël në fillim ishte në pelena,

Pastaj veshi një këmishë fëmije, me përpjekjet e saj për të bashkuar eshtrat.

Dhe kush mund të lexojë qarkun e hënës të saj tani?

Dhe kush do t’i tregojë së pari sekretet e

kripës dhe gjakut të saj?

…..

Po, ka pasur një ndërkohë,

Diçka ndodhi, gjithmonë diçka ndodh.

Historia është një kalë i gjallë që qesh me një kalë prej druri.

Historia është era që fryn atje ku dëgjohet.

Historia nuk të lejon që të vësh baste.

Historia është një kuti mashtrimesh që i ka humbur çelësi.

Historia është një labirint dyersh me pasqyra rrëshqitëse, një libër shifrash me

kodin e fshehur në një shpellë në detin e Saragozës,

Historia thotë, duke u lutur, Falmëni mua, Unë ju kërkojë ndjesë, unë kurrë më

nuk do të përsëris veten nëse unë do ta ndihmoj atë.

Po, ka pasur një ndërkohë,

Kur fantazmat lanin këmishët e tyre të bardha

Përsëri e përsëri në kovat e gjakut-

Dhe fantazma më e pikëlluar prej të gjithave qëndronte në këmbë në Gettysburg 6)

Duke u përpjekur që të ndante atë që duhej bërë nga ajo që s’duhej duke e lënë

të shumtën të pathënë, nëpër ajër.

———-

6) Beteja e Gettysburg-ut, një nga më të shënuarat gjatë Luftës Civile,

e cila u zhvillua më 1-3 Korrikun e vitit 1863. Më 19 Nëntorin e 1863,

kjo fushë-beteje u nderua prej Presidentit Linkoln si varrezë nacionale.

Atë ditë Linkolni në Gettysburg mbajti një fjalim të shkurtër disa minuta,

që mbeti i përjetësuar.

……..

14

Tani është Xhaxha Sami 7) duke u ulur në kulmin e rruzullit.

Jo shumë kohë më parë në kulmin e botës ishte Xhon Bull 8) dhe, pak më herët, ishte

Napoleoni dhe shqiponjat e Francës që i tregonin botës nga të nisej.

Spanja, Roma, Greqia, Persia, me topat e tyre, heshtat,

katapultat, anijet, e kanë pasur rradhën e tyre për të

udhëhequr qytetërimet e kësaj toke –

Një nga një ata e kanë hequr qafe njëri-tjetrin, ia kanë zënë vendin njëri-tjetrit, e kanë

mashtruar dhe lënë prapa njëri-tjetrin; ata vdiqën, humbën ose mbetën si relike, kjo s’është fort mirë, s’është fort mirë.

Njëri pas tjetrit, ata nuk janë më në kulmin e rruzullit – tani i Ardhuri

i Ri është Xhaxha Sami, është Amerika, andaj kënga thotë, “Yjet dhe

vijat përgjithmonë!”, edhe sikur kjo “përgjithmonë” do të jetë një

kohë e gjatë…

———

7) Uncle Sam, Xhaxha Sami, simbolizon SHBA

8) John Bull, simbolizon Britaninë e Madhe, sepse është krijuesi i Hymnit Kombëtar

15

Tek Zoti ne besojmë; kështu është shkruar.

“Tek Zoti ne besojmë” është shkruar edhe në çdo dollar të argjendtë.

Fakt: është se Zoti i Gjithfuqishëm na ka krijuar që të gjithëve.

Ne është ju dhe unë dhe të gjithë ne jemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Dhe të besosh Zotin do të thotë se ne i flijohemi,

të gjithë ne, Shtetet e Bashkuara të Amerikës,

Zotit, të Madhit Zot.

Po…ndoshta… a është kështu ?

…….

18

Dhe ne, ne populli,

Ne të cilët, natyrisht, nuk jemi somnambul, jerm

Ndoshta ne mund të murmurisim –

Ndoshta ndërsa pilotët shkasin në palltot e tyre të lëkurta,

Duke rrezikuar, me kohën që skadon përpara, dhe që i ngjan kafkës

të kryqëzuar me kocka, që do të thotë rrezik-vdekje,

Duke kalëruar me thasët e postës mbi shpinë përmes portokalleve gjatë lulëzimit,

shkretëtirave të kaktusit, Maleve Shkëmbore, Rrafshinave të Mëdhaja, Lumit Misisipi, atje ku mbillet dhe korret misri, Maleve Apalashe,

Kalëruar me thasët e postës mbi shpinë, duke mbërthyer me mish e shpirt timonin

nëpër sulmet me luftëthirrjen kalimtare, “Fat të Bardhë dhe Zoti ju bekoftë,”

Ndoshta, ndërsa ata kalërojnë dhe rrezikojnë nëpër rrugëtimin drejt qiellit përtejkontinental,

ndoshta ne mund të përshëndesim duke murmuritur –

Mirëmëngjez, Amerikë,

Mirëmëngjez, Zotëria Kush, Cili, Çfarë,

Mirëmëngjez, le të themi që të gjithë ne,

emrat tanë të vërtetë.

Mirëmëngjez Zotëri Dikushi, Askushi,

Kurrëkushi-që është Kurrëkushi krejt.

Mirëmëngjez, ju Larvat në Pluhur, Shqiponjat

në fluturim, dhe ju Pushtuesit e Kulmit të

Qiellit.

19

Ju i keni dhënë puthjen e lamtumirës një shekulli, një albumi të vogël të paçmueshëm.

Ju keni për t’i dhënë puthjen e lamtumirës dhjetë, njëzetë shekujve që do të vijnë. Ah ! ju

keni për të pasur kaq shumë albume !

Nëna juaj, Amerika ka punuar dhe ka mbledhur të korrat, frytet e gjeneratave –

Përtej kaskadës, vijnë të korrat e reja, gjenerata të reja të zhurmëshme,

të ardhur të rinj, që thërrasin, “Ja ku na keni ! Ne i përkasim Amerikës !

Shikona ne !”

MIRËMËNGJES, AMERIKË!

  Monroe dhe poeti duke pirë një koktejl…

E shqipëroi: ELIDA BUÇPAPAJ

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Elida Buçpapaj, Miremengjes Amerike

Kur nisesh për udhë

July 4, 2013 by dgreca

Reportazh Arjan Th. Kallço/

Kur mendon Vlorën, qyteti që është simboli i stinës së verës, ashtu si dhe disa qytete të tjera detare, mendja të shkon tek e kaluara jo fort e largët, kur për 15 ditë endeshim në krahët e detit, rërës dhe bukurive natyrore të rivierës sonë. Pas disa dekadash në të njëjtën stinë, por në rrugëtim krejt ndryshe, përtej brigjeve shqiptare, në Itali. Rruga për në Vlorë nisi mëngjesin herët të datës 27 qershor nga Korça, në një klimë më shumë vjeshte sesa vere dhe shiu që nga qafa e Pllocës deri në të dalë të Pogradecit, që kishte rënë, ta shtonte bindjen se po na ngatërrohen stinët. Si kudo në orët e para të mëngjesit heshtja është bashkëudhëtarja jote më e mirë. Ngadalë rruga kombëtare po gjallohej dhe deri në Elbasan dita merrte një ngjyrë krejt të dallueshme: nga shiu tek ajo me diell. Tek rrethrrotullimi në afërsi të rrugës për në metalurgjik, fillon pjesa e dytë e rrugës me një pjesë që ende nuk i gëzohet tërësisht kushteve të infrastrukturës sonë. Për çudi është lënë pasdore një aks që është plot trafik në drejtim të jug-perëndimit të vendit. Rruga zgjatet përmes qyteteve, shumë e ngushtë, saqë nëse dikush hap derën për të dalë nga shtëpia, ka rrezik të përplaset me makinat që kalojnë aty. Për të mos folur për kushtet e higjenës, pluhuri është zot i aksit, që me të drejtë lënë për të dëshiruar, për më tepër kur në këtë stinë kërkohet sa më shumë kujdes për ajër të pastër. Pasi kaluam edhe Rrogozhinën rruga kalon në autostradën qëndrore që lidhet me Vlorën. 85 km e fundit dhe udhëtimit po i vinte fundi. Kudo në qytete ndihej ende jehona e zgjedhjeve, pasi reklamat e pafund ende qëndronin në këmbë si për të na thënë se do të duhej edhe pak kohë që vendi të pastrohej prej tyre. Diku pranë portit u ndalëm dhe tashmë Vlora ishte një realitet i prekshëm. Pasi mbarova disa porosi të vogla aty përreth, iu drejtova biletarisë së trageteve që ta merrja në dorë dhe t’i drejtohesha doganës. Agjensitë janë të shumta dhe secila të ofron një çmim të ndryshëm nga konkurrenca. Në hyrje të portit pasi bisedova me disa punonjës, mora rrugën drejt doganës. Përballë anija e ankoruar të jepte përshtypjen se, nga çasti në çast do të nisej. Në terminalin e kalimit kufitar pas ndonjë paqartësie të vogël dhe disa pyetjeve disi të çuditëshme, sapo isha kthyer nga një konferencë në Banja Lukë ku ndodhi të tilla nuk ndodhën, iu drejtova anijes Shuttle që po mbushej me njerëz dhe mjete. Kaluan disa orë të mira në pritje të nisjes dhe rreth orës 16.00 anija u nis nga porti i Vlorës me destinacion Brindizin. Rruga e gjatë pa biseda me njerëzit që ulen rrotull sikur nuk shkon. Pranë kishte pasagjerë të shumtë që po shkonin në Itali për punë dhe halle të ndryshme. Biseda e parë nisi tek dritaret e tragetit me disa vlonjatë ndonjë me origjinë çame, që tek fliste me pasion për detin, të kujtonte peshkatarët e filmave apo këngëve të shumta. Njerëzit e detit – ishte e para këngë që m’u kujtua në atë fill të shkurtër kohe. Bisedat rrodhën me tej tek njerëzit e afërm, tek qytetet nga vinim dhe tek e pashmangshmja, ëmbëlsira e përditëshme, politika. Rezultati i zgjedhjeve duket se kishte marrë konsensusin e të gjithëve të cilët shpreheshin se pas 8 vjetësh, duhej një ndryshim, ndryshe demokracia do të bukosej fare, nuk do të merrte frymë lirisht dhe për të gjithë. Më tej zinxhirri i njohjeve u shtri më tej, me njerëz të pjekur dhe me plot halle që, pavarësisht jetës, u pëlqente ta ruanin atë pakëz humor të përditshëm. Një i ri më tej po shkonte me pushime tek familja e tij diku afër Leçes, por meraku e hante tek dogana italiane, se mos i nxirrnin problem dhe e kthenin prapa. I premtova se në doganë do ta ndihmoja që t’ia përktheja bisedat, pasi nuk e njihte gjuhën. Më tej ndonjë dorë me domino, sikur e shtyu edhe disa kohë udhëtimin. Shprehja thotë se gjuha vete ku dhëmb dhëmbi dhe për disa çamë aty, nuk mund të mos hapej biseda e një pjesë të popullsisë shqiptare që u detyrua të shpërngulej me forcë drejt Shqipërisë. Por pas viteve ’90 përsëri shumë familje morrën rrugën e dhimbshme të kurbetit me shqetësimin e madh se a do të gjente zgjidhje problem i tyre. Mbetëm nga një shtet tek tjetri dhe asgjë nuk e kemi të sigurtë – thoshin ata. Nëse punët nuk do të shkojnë mirë edhe në Itali, kriza po i vinte në vështirësi edhe emigrantët, do të ktheheshin përsëri në Shqipëri, por përsëri do të mbetetn të ardhurit e përjetshëm. Një plagë që rrezikon të mbetet gjithmonë e hapur për një komb që gjatë gjithë historisë së vet nuk iu ndanë padrejtësitë. E natyrisht problemi ekonomik i bën edhe ata që dikur e kishin një shtëpi apo një copë tokë, të mos rrëeshtinin së medituari për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve. Ndonjëherë mundohesh ta kapërcesh situatën edhe me ndonjë batutë që sikur ta lehtëson përsëri dhimbjen, por ajo ka zënë vend thellë në shpirtin e përdhosur të një kombi dhe rrënjët e shtrira larg vendlindjes, nuk do të jenë kurrë të fuqishme që t’i mbajnë të lidhur fort me origjinën. M’u kujtua një fabul e përkthyer disa vite më parë, tek e cila do të gjesh filozofinë e një populli : pse po ikin të gjithë nga ky vend? – ishte pyetja më tragjike e saj. Përgjigjia kishte të sintetizuar mençurinë e kohës : sepse nuk hodhën dot rrënjë. Por historia dihet tashmë dhe në atdheun mëmë, ata e gjetën mikpritjen dhe bashkëjetesën, por në mendjen e tyre është vendlindja e të parëve dhe e pasardhësve. Ballkani është vendi i paradokseve të mëdha të historisë që kurrë nuk morën përgjigjen e duhur dhe të drejtë. Të dorëzuar dukeshin edhe vetë ata që ndoshta nuk do të mund të jetojnë dot më në tokën e të parëve. Gabime fatale, kaos i pandreqshëm ballkanik, dihet se si u gatua në shekuj, që mbajnë vulën e marrëzisë së fuqive të mëdha të kohës së djeshme dhe të sotme.

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Arjan Kallco, kur nisesh per udhee, reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 68
  • 69
  • 70
  • 71
  • 72
  • …
  • 78
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT