• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2013

VASIL GËRMENJI NË KUJTESËN TIME

August 11, 2013 by dgreca

Derë e traditës atdhetare/

Nga Idriz Lamaj/

  Vasil Gërmenji rrjedh nga një derë e traditës  atdhetare. Gjyshi i tij, Thanas Gërmenji, udhëtonte shpesh për në Stamboll dhe Misir, ku takohej me patriotë dhe veprimtarë të shquar të Lëvizjes Kombëtare si me Naim Frashërin, Thimi Mitkon, Spiro Dinen e sa e sa të tjerë. Thanasi kishte miqësi të ngushtë me Jani Vreton, të cilin e përkrahu edhe materialisht për botimin e shkrimeve të para. Ai mbante lidhje me mërgimtarë të ndryshëm në kolonitë e shqiptarëve të Bukureshtit, Sofjes, Stambollit e Egjiptit dhe njëkohësisht u shërbeu dhe si ndërlidhës me të afërmit e tyre në vendlindje duke u dërguar lajme e të holla nga mërgimi, duke luajtur kështu rolin e një bankieri të vogël. Thanas Gërmenji ishte një prej themeluesve të lëvizjes së fshehtë “Dora e Zezë”. Ai u vra diku në Thrakë, duke lënë pas tre djem, Spiron, Themistokliun e Telemakun, të cilët mbetën jo vetëm jetimë por edhe në gjendje shumë të vështirë ekonomike.

Më 1892 të bijtë e Thanas Gërmenjit emigrojnë në Rumani. Aty kryejnë punë të rënda fizike, si çirakë e, në të njëjtën kohë, marrin pjesë në të gjitha veprimtaritë e shoqatave kombëtare në kryeqytetin rumun. Pas nëntë vjetësh, Telemaku e Themistokliu, kthehen përsëri në Korçë e, pas shumë peripecish, vendosen me banim në Manastir.

Në atë kohë, Manastiri ishte një prej qyteteve më të mëdha të Ballkanit, ku zhvilloheshin veprimtari të ndryshme politike e kulturore. Aty ishte Valiu i Stambollit. Në atë qytet zhvillonin veprimtarinë e tyre edhe shumë organizata shqiptare dhe të huaja, sidomos greke e bullgare.  Në saje të babait të tyre atdhetar dhe të miqësive që kishte, kryetari i bashkisë u dha atyre me kontratë një biznes për furnizimin me gaz të qytetit. Me anë të asaj sipërmarrje, vëllezërit Gërmenji, siguronin jetesën familjare e njëkohësisht mbulonin veprimtaritë e tyre atdhetare.

Në fillim të vitit 1908, Telemak e Themistokli Gërmenji hapën një hotel në  qendër të qytetit dhe i vunë emrin “Liria”, i cili shumë shpejt u bë qëndra e shqiptarëve të Manastirit dhe gjithë atyre që u binte rruga andej. Hoteli, veç dhomave për të fjetur, kishte një restorant, një sallë të madhe për konferenca dhe një bibliotekë që mund ta shfrytëzonin të gjithë. Në një dhomë të fshehtë ndodhej shtypi kombëtar: libra, gazeta dhe revista të shtypura në gjuhën shqipe në Sofje, Bukuresht, Boston e gjetkë.(Te plote kete speciale te sapo pergatitur nga studiuesi dhe publicisti Idriz Lamaj, ish gazetar i Zerit te Amerikes, do ta lexoni ne Diellin e printuar)

 

Filed Under: Histori Tagged With: Idriz Lamaj, ne kujtesen time, Vasil Germenji

KËLMENDI, NDERI I KOMBIT

August 11, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Nga portali i Presidencës së Republikës së Shqipërisë me kënaqsi mësova se të shtunën më 10 gusht, Presidenti i Republikës, Z. Bujar Nishani mori pjesë në “Logun e Bjeshkëve”,  një aktivitet ky që mbahet pë çdo vit në Këlmend të Malësisë së Madhe.  Përveçse njoftohet se Presidenti Nishani i dorëzoi Komunës së Këlmendit dekoratën e lartë,”Nderi i Kombit”, një vlersim i lartë ky për Këlmendin dhe mbarë Malësinë e Madhe,  thuhet se ai ishte presidenti i parë shqiptar në histori që vizitoi  Këlmendin, ku u prit me entuziazëm të madh nga banorët e Malësisë së Madhe.

Presidenti Nishani ia dorëzoi Këlmendit – fisit të luftëtarit legjendar, Prek Calit — dekoratën, ”Nderi i Kombit” gjatë aktivitetit artistik dhe kulturor, “Logu i Bjeshkëve”, që mbahet çdo vit në atë trevë, me qëllim për të ruajtur dhe kultivuar tiparet kulturore eksklusive të Këlmendit dhe Malësisë së Madhe, si pjesë e pa ndarë e kulturës dhe etnografisë së vjetër dhe moderne të Kombit shqiptar.  Kreu i shtetit shqiptar dekoroi fisin e Këlmendit, duke e dalluar,

“Për kontribut të shquar për identitet kombëtar, për trimëri dhe heroizëm në kryengritjet antiosmane për pavarësi, për qëndresën heroike në ruajtjen e kufijve kombëtarë nga copëtimi shovinist, për kryengritjen e parë antikomuniste (1945), ku gjaku i martirëve u shndërrua në memorje dhe vullnet për të kërkuar demokraci, për prijësit dhe bijtë e saj të shquar që ka nxjerrë në shekuj”.

Është tepër me vend, vlerësimi dhe nderi që Presidenti Nishani i bëri luftës dhe qëndresës së Këlmendasve gjatë shekujve, të cilët gjithëmonë i treguan kombit dhe botës, përballë luftërave e shtypjeve, dhe pushtimeve të huaja që kishin për qëllim copëtimin e tokave shqiptare si plaçkë nga fqinjtë shovinistë, se është, “Ma mirë dekun me nderë se gjallë  e për mënderë!”.   Këlmendasit, gjatë gjithë historisë së qëndresës së tyre ndaj pushtuesve të huaj otomanë e sllavë, si dhe ndaj komunizmit, si rradhë ndonjë krahinë tjetër, ata gjithmonë ishin një shembëll bashkimi, të lidhur në besë, për t’i treguar mbarë kombit se ishte më mirë, “me vdekë se sa me jetue në robëni”, ashtu siç këndon edhe malësori lahutar, “

“O ti kangtari i kangve kreshnike,

Merre lahuten tashti nji herë,

Na i thuej trimnitë e doket fisnike,

Na i kujto të parët si e kishin për nder:

deken m’e ba sikur me le.”

Ndoc Vulaj, nga Libri, Lufta e Kelmendit

Sipas portalit të presidencës,  në fjalën e mbajtur në “Logun e Bjeshkëve”,  Kreu i Shtetit, përmendi një prej karakteristakave të kësaj treve, respektin që gëzon femra duke u shpreh gjithashtu se një vlerë e pashuar në shekuj e krahinës së Kelmendit, është edhe respekti gati proverbial ndaj grave dhe lirisë së shprehjes së tyre, si një shembull i përkryer i demokracisë së fiseve shqiptare, duke thënë se, “Trashëgimnia e kësaj treve është një shembull i gjallë i vlerësimit dhe cilësimit të gruas si një zonjë e vërtetë, që merrte pjesë në kuvende, thoshte  lirshëm fjalën e saj, madje dhe  votonte.  Ky është një mesazh i madh qytetarie dhe përparimi që “Logu i Bjeshkëve” duhet t’ia shpërndajë gjithë Shqipërisë dhe gjithë përpjekjeve që ajo sot po bën në betejën e saj kundra padrejtësive dhe pabarazisë gjinore, si një normë bazë e së ardhmes sonë europiane”.    Në një gjest tepër fisnik, kryetari i shtetit paraqiti para këlmendasve të bijën e tij Fiona, e cila në shënjë respekti dhe admirimi për këtë zonë ishte veshur me kostumin popullor të kësaj krahine.

Presidenti Nishani me akordimin e dekoratës “Nderi i Kombit”, komunës së Kelmëndit, nderoi pasardhësit të gjithë atyre kreshnikëve, që gjatë shekujve ia kushtuan jetën, sakrificat, vuatjet dhe mundimet, lirisë dhe përparimit të kombit shqiptar, duke venë në vend të drejtën dhe të vërtetën.

Sot, është detyrë e jona, që atyre kreshnikëve që luftuan për lirinë dhe që mbrojtën terësinë territoriale  kundër armiqve shekullorë të kombit dhe atyre që gjatë gjithë historisë u përpoqën të ruajnë identitetin e fisit shqiptar, t’ua këthejmë lavdinë dhe nderin e kombit që e vërtetë u takojnë.  Unë si njëri me origjinë nga  ato treva, por për më tepër, si nip i Këlmendit, i jam mirënjohës Presidentit Nishani për njohjen e kontributit që ka dhënë treva e Këlmendit ndajë lirisë, përparimit dhe ruajtjes së bashkimit të kombit.

Filed Under: Kronike Tagged With: Frank shkreli, Kelmendi, Nderi i Kombit

“Logu i Bjeshkëve” mirëpriti Kreun e Shtetit

August 11, 2013 by dgreca

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u prit me entuziazëm në “Logun e Bjeshkëve”, veprimtarinë e përvitshme ku ishin tubuar qindra banorë të Kelmendit, të Malësisë së Madhe, Kosovës, shqiptarë nga Mali i Zi e shumë të tjerë nga diaspora.

Kelmendasit përshëndetën dhe evidentuan vizitën e Presidentit Nishani, si të parën vizitë që një kryetar i shtetit shqiptar zhvillon në Kelmend përgjatë gjithë historisë.

Prania e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani në festën e këtij viti në “Logun e Bjeshkëve” kishte për qëllim kryesor dorëzimin e dekoratës “Nderi i Kombit” që kreu i shtetit i akordoi Komunës Kelmend me motivacion “Për kontribut të shquar për identitet kombëtar, për trimëri dhe heroizëm në kryengritjet antiosmane për pavarësi, për qëndresën heroike në ruajtjen e kufijve kombëtarë nga copëtimi shovinist, për kryengritjen e parë antikomuniste (1945), ku gjaku i martirëve u shndërrua në memorie dhe vullnet për të kërkuar demokraci, për prijësit dhe bijtë e saj të shquar që ka nxjerrë në shekuj”.

Duke vlerësuar “Logun e Bjeshkëve”, si një markë të etnicitetit, etnografisë dhe kulturës shqiptare, Presidenti Nishani theksoi se në kushtet e globalizmit, identitetet kulturore nëse janë të forta dhe arrijnë të kultivohen, spikasin dhe mund të dalin në pah më shumë se më parë.

“Nëse do të kishim për zemër fatet e kulturës shqiptare dhe fatet e formimit të pasardhësve tanë, duhet që jo vetëm t’u bëjmë një jehonë manifestimeve të tilla artistike, etnografike  dhe patrotike si “Logu i Bjeshkëve”, por duhet t’u bëjmë një lexim edukativ, informues dhe tendenc zhbirues”.

Në fjalën e mbajtur në “Logun e Bjeshkëve”, Kreu i Shtetit u shpreh gjithashtu se një vlerë e pashuar në shekuj e krahinës së Kelmendit, është edhe respekti gati proverbial ndaj grave dhe lirisë së shprehjes së tyre, si një shembull i përkryer i demokracisë së fiseve shqiptare.
 
“Trashëgimnia e kësaj treve është një shembull i gjallë i vlerësimit dhe cilësimit të gruas si një zonjë e vërtetë, që merrte pjesë në kuvende, thoshte  lirshëm fjalën e saj, madje dhe  votonte. Ky është një mesazh i madh qytetarie dhe përparimi që “Logu i Bjeshkëve” duhet t’ia shpërndajë gjithë Shqipërisë dhe gjithë përpjekjeve që ajo sot po bën në betejën e saj kundra padrejtësive dhe pabarazisë gjinore, si një normë bazë e së ardhmes sonë europiane”.

Ndërsa e filloi kuvendimin e tij me kelmendasit duke u prezantuar të bijën, Fiona, të veshur në shenjë respekti dhe admirimi me një kostum popullor të kësaj krahine, Presidenti Nishani ndoqi së bashku me familjen e tij të gjithë manifestimin “Logu i Bjeshkëve”, në fund të të cilit u përshëndet ngrohtësisht dhe bisedoi nga afër me banorët e Kelmendit dhe të ftuarit e tjerë.

Filed Under: Featured

PRENG PREVIZI,GJENERALI I MBROTJES KOMBËTARE

August 11, 2013 by dgreca

Shkruan:Eugen SHEHU/

Në gjelbërimin e atyre kodrave të buta,nën malin e Krujës,në ato djepe që prej erës ende kërcasin e këndojnë bëmat e shenjta të Gjergj Kastriot Skenderbeut,ndodhen akoma rrënojat e një kulle të vjetër,të harruar,gati të mbuluara prej barit  dhimbës në moshën  e shekullit.Në gjoks të tyre,në fshatin e vogël Skuraj,do të lindëte në majin e vitit 1900,Prenga ai djalosh i zgjuar e trim i cili do të arrinte gradën e gjeneralit në moshën 43 vjeçare,pasi shërbeu plot 25 vjet në Ushtrinë Kombëtare Shqiptare. I paisur me një natyrë tepër studioze,Preng Previzi dërgohet prej prindërve të vet,në Shkodër ku nën ndikimin e konfesionit kristian,mëson në shkollën fillore e mandej qytetëse të Shkodrës.Në rrethet shkollore bie në sy urtësia e tij,gati-gati e shenjtë,një butësi,a thua të futur në shpirt prej prindërve apo kodrave të bukura të Skurajt,qarkuar me ullinj të përjetshëm. Më tej studion në Seminarin Severian të Shkodrës.

Ishin ditë të mbushura me ngjarje.Vitet 1912-1914,fitorja e pavarsisë shqiptare,ngritja e flamurit në Vlorë,nuk mund të kalonin pa u ndjerë edhe në Shkodër.Ky djep kuluture e tradite të hershme e përjetoi ngritjen  e flamurit në Vlorë përmes krismave të armëve që trimat e Malësisë së Shkodrës e Dukagjinit,“u dhuronin“ trupave serbo-malazeze që mbanin të rrethuar qytetin.Sidoqoftë,nëse në seminarin Saverian në Shkodër,edukatorët përpiqeshin të mbyllnin sa më tepër nxënësit,brenda mureve të skolastikës së ngurtë,të rinjtë kristianë jetonin kohën në krejt dramën e vet.Mbase duhet të veçojmë një fakt tepër domethënës nga jeta e Preng Previzit në këtë periudhë.Ndonëse ishte tepër i ngjeshur programi shkollor,biri i krujës kurdoherë gjente kohë të lexonte literaturë të huaj në Italisht e Gjermanisht.Mandej në bangat e Seminarit Saverian,Preng Previzi lidhet në një miqësi të ngushtë me atdhetarin Gjergj Fishta,miqësi që do të vazhdonte për decenie të tërë.Fishta i madh i cili jepte mësim në këtë Seminar,do të pëlqente pos të tjerave tek karakteri i butë i Previzit,ato shkëndija të një bote të madhe,të paqme,hyjnore.Nën ndikimin e mësuesit të vet,Preng Previzi do të thellojë njohuritë e veta jo vetëm në rrafsh të kulturës e qytetërimit perëndimor,por edhe lidhur me ngjarjet e fundme në trojet etnike shqiptare.Mësimet në Shkodër i ka mbaruar me rezulltate të shkëlqyera në pranverën e vitit 1914,me ç’rast përmes emocioneve do të dije se çdo të bëhet me të ardhmen e tij.Pranvera dhe vera e vitit 1914,do të shkonte në Shqipëri përmes ngjarjeve tragjike me një densitet të jshtëzakonshëm.Forcat regresive të yshtura prej Beogradit dhe Athinës,përpiqeshin të mbytnin ate shtet-foshnjë,të dalë me aq dhimbje e mundime prej lëvizjeve të shqiptarëve për independencë.Sikur të mos mjaftonin fqinjët shoven,ndaj kufijve shqiptarë u vërsulën edhe diplomancitë e fuqive të mëdha evropiane me ç’rast trazirat ballkanike sa vinin e shtoheshin. Preng Previzi,falë aftësive dhe intuitës shkollore,ka fituar ndërkaq një bursë austriake prej administratës së Princ Vidit.E vërteta është se fillimisht,birin e Krujës e ka kapluar trishtimi ngase kjo bursë ishte për shkollë kadetësh me ç’rast sikur virej në konflikt me shpirtin e butë e delikat të Prengës.Por i etur për libra e shkollë,për qytetërim,shpirti i djaloshit 14 vjeçar do ta kapërcente shumë shpejt këtë ligështim.Në shtatorin e vitit 1914,shkon në Austri dhe nis studimet në shkollën ushtarake të kadetëve të Uellsit e cila padyshim asaj kohe ishte  ndër më të dëgjuarat në Evropë.Edhe këtu,Preng Previzi,ai djalosh trim i Skurajt,ajo natyrë e qetë dhe studionjëse,do të ishte model në çdo aspekt.Në mes të kursantëve nga vise të ndryshme të Evropës,Preng Previzi,do të binte në sy,sidomos për etjen e tij në përvetsimin e dijeve.Tashmë modelet ushtarake të dhjetar betejave,organizimi dhe drejtimi i tyre,do të shpinin „kristianin shqiptar“ në vitet e largme të luftërave duke e paisur ate me die e nocione të reja për rolin dhe organizimin e ushtrisë shqiptare.Kthehet në Shqipëri në nëntorin  e vitit 1918,me një diplomë të shkëlqyer të shkollës së Uellsit dhe me rekomandimet përkatëse për të vazhduar më tej studimet ushtarake.Tashmë Preng Previzi njeh disa gjuhë e kultura,ka njohuri të thella për Artin Ushtarak bashkëkohor,por njëherazi nuk ka hequr dorë nga studimet e tij në rrafsh të letërsisë evropiane.Kanë mjaftuar vetëm disa ditë pushime pranë familjes e më tej,me gradën e togerit,me uniformën e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare.Previzi i është drejtuar viseve Shqiptare të Dibrës,Lumës dhe Hasit.

Në dimrin 1918-1919,në këto vise do mësynin mijëra forca serbo-malazeze,me ç’rast kërkonin daljen e tyre në Adriatik.Qeveria shqiptare e Turhan Pashës,duke mos qenë e zonja t’u bënte ballë këtyre vërshimeve të mëdha,u bëri një thirrje patriotëve shqiptarë për të mbrojtur kufijtë e tyre nga një copëtim i mëtejshëm,duke dërguar në këto vise edhe disa dhjetra ushtarë dhe oficerë të ushtrisë kombëtare.Preng Previzi,në krye të repartit të tij,ende 18 vjeç,pa përvojë,do të ndjente së mbrendshmi nevojën e bashkëpunimit të tij me kapedanët popullorë të këtyre trevave.Në veçanti,ai do të bashkëpunonte me forcat e Elez Isufit të këtij trimi nga Nëntë Malet  e Dibrës.Një varg dokumentash historike,flasin për ate lidhje të vazhdueshme të Preng Previzit,me Elez Isufin dhe Alush Lumën,përgjatë vijës së Drinit ku më së paku,në çdo muaj janë zhvilluar rreth 25 ditë luftime me serbët pushtues.Në këto luftime ku njoftohej çdo ditë për të vrarë e plagosur nga të dy  palët ndërluftuese,karakteri i Prengës u burrërua.Ai fitoi tanimë dimensionin e qëndresës,të mos përkuljes ndaj çdo vështirësisë,përballë çdo fatkeqësie.Njëherazi,ky bir i Krujës,do të mësonte jo vetëm ligjet e luftës,por edhe trimërinë e pashoqë të dibranëve të cilët në çdo rast dijtën të vënë interesat e Shqipërisë përballë interesave të vogla të kullave të tyre.Në këto luftime,pos Elez Isufit,Preng Previzi do të lidhej ngushtë gjithashtu,me nipin  e tij,Cen Elezin.Luftërat kundër serbëve do vëllazëronin më shumë këto burra paçka se njeri mysliman e tjetri katolik.Ende pa u shuar zjarri i luftërave në Lumë e Has,në vjeshtën e vitit 1919,Preng Previzi thirret në Tiranë dhe komanda eprore duke falenderuar për trimëritë dhe aftësitë e treguara,mjafton pjesmarrjen e tij në mbarëvajtjen e punimeve të Kongesit të Lushnjës.Duke mos diskutuar aspak mbi rreziqet aty,Preng Previzi,në krye të pak ushtarëve niset sërish drejt Lushnjës dhe vendoset në afërsi të fshatit Vajkan prej nga pritej sulmi i mundshëm i forcave italiane.Pa u ndalur në vendimet historike të Kongersit të Lushnjës,në polemikat e debatet e zhvilluara aty,une mund të ndalem vetëm me pak rreshta që Mid’hat Frashëri,në cilësinë e deputetit të shoqatës mbarëshqiptare „Vatra“ i dërgon ato ditë në Paris,drejtorit të një gazete të përditshme,Pol Luisit,një artikull.Pos të tjerave në këtë letër shkruhet ;

„Shqiptarët nuk kanë rreshtur së manifestuari dëshirën e tyre të vendosur për pavarsinë e plotë të vendit të tyre dhe sovranitetin e rikonfirmuar pa asnjë ndërhyrje nga jashtë.Një provë për këtë është qeveria e re, e dalë nga Asambleja Kombëtare,mbajtur në Lushnjë më 28 janar.Pra në rast se duam të sigurojmë paqën në Ballkan dije të frenojmë lakmitë imperialiste,ne duhet të mbajmë parasysh edhe aspiratat shqiptare“.( Arkivi Qendror i shtetit, fondi 35 , dosja 112 , fleta 1 ).

  Në krye të ushtarëve të Mbrojtjes Kombëtare,në janarin e vitit  1920,për gati një muaj rresht,Preng Previzi mbajti qëndrim të vendosur në mbrojtje të Kongresit të Lushnjës.Provokacioneve italiane si edhe bashkëpuntorëve të tyre,Prenga iu përgjigjej ftohtësisht por edhe trimërisht duke u dëshmuar aytre se punimet e këtij kuvendi madhor,do të mund të ndërpriteshin vetëm nëse forcat italiane do të kalonin përmbi kufomat e gjakosura trimërisht të shqiptarëve.Më pas,në përfundim të këtij kongresi Preng Previzi së bashku me një grusht trimash matjanë do të shoqëronte Ministrin e  Mbrendshëm të dalë aty,Ahmet Zogun,nëpër peripecitë e mëdha të rrugës për në Tiranë.Nëse qeveria e dalë prej Kongresit të Lushnjës,zhvilloi me sukses punimet dhe vajti triumfuese në Tiranë,këtu padyshim ka shkëlqyer edhe trimëria e togerit Preng Previzi.Pos trimërisë dhe vendosmërisë së terguar në Lushnjë,Preng Previzin do ta shohim në një varg detyrash të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare në Tiranë.Organizator i talentuar,biri i Krujës do të ndikonte së tepërmi jo vetëm në vendosjen e një disipline të ndërgjegjshme,por sidomos në pikëpamje të modernizimit të ushtrisë kombëtare.Ndërkaq ai ka marrë gradën e kapidenit dhe emri i tij ngjall repsekt jo vetëm në mjediset e gazermave por edhe më tej,në shoqërinë shqiptare të kohës.Ngjarjet e qershorit të vitit 1924,do të përcilleshin me dhimbje në ndërgjegjen e prengës.Ajo çka historiografia shqiptare e quajti për decenie me rradhë si revolucion demografiko-borgjez,ishte në fakt një grusht shteti e disa njerëzve që ëndërronin demokraci të kulluar duke shkatërruar pikërisht qelizat e shtetit modern.E vërteta është se ky i ashtuquajtur revullucion,degjeneroi në marrjen e pushtetit prej një grumbulli njerëzish të paaftë dhe që s’mundën ta mbanin dot ate,as pesë muaj,pa fajin e Nolit i cili ishte përkushtuar diplomacisë dhe gjendej jashtë Shqipërisë.

Besnik i kulturës gjermanike,i ligjve të shtetit (pamvarësisht se ç’shkallë mund të ishtin ata) Preng Previzi,që në momentet e parë të „revullucionit“ alla markësist,jep dorëheqjen.Për më tej,duke patur besim në aftësitë politike dhe në vendosmërinë e Ahmet Zogut,ai kalon në Jugosllavi ku viret në kontak me këtë,si dhe një pjesë të madhe të gardës mbretërore.Rikthehet sërish me Ahmet Zogun në fundvitin 1924,duke kërkuar të shkojë në ate detyrë që pat dhënë dorëheqje.Në vitin 1925, Ushtrija jonë Kombëtare,do të riorganizojë në pikëpamje të strukturave me ç’rast do t’u përgjigjej më me shpejtësi situatave të turbullta që kalonte atdheu.Në bazë të këtij rikonstruktimi,Ushtria Kombëtare u përcaktua në katër zona të mëdha gjeografike dhe operative.Pikërisht në zonën e qendrës,ç’ka përfshinte Tiranën,Krujën,Durrësin,Elbasanin dhe rrethinat e tyre,me dekret mbretëror,emërohet zonëkomandant,kapiten i klasit të Parë,Preng Previzi.Në krye të kësaj detyre,ky bir i Krujës,do të shpaloste jo vetëm aftësitë e veta ushtarake por sidomos shqiptarizmën e tij.Kërkend nuk fyejti,këkend nuk shau,madje edhe në momentet shumë të vështira dijti të trajtojë me urtësi vartësit e vet.Mbase vlen të theksojmë se edhe emërimet e tjera të Ahmet Zogut,në tri zonat e tjera,ishte mjaft domethënëse.Kështu në zonat veriore  dhe verilindore ishin caktuar si komandantë vendi trimat Hysni Dema dhe Muharrem Bajraktari,ndërsa në jug me qendër Korçën,ushtaraku Fiqri Dine.Të katër këta prijës ushtarakë për vite me radhë i lidhi një miqësi e pazakontë.Në konturet e kësaj miqesie,ravijëzohej qartë ndjenja e atdhedashurisë e cila kapërcente çdo lloj interesi vetiak apo pazar të bërë në dëm të marëvajtjes së Ushtrisë Kombëtare Shqiptare.Veçanërisht me Muharrem Bajraktarin,birin e Krujës do ta lidhte miqësia e përjetshme.Bajraktari do të ndihej në shtëpinë e Prengës në Tiranë,njëlloi si në shtëpinë e vet në malet e Lumës.

Natyrisht shkollimi i Preng Previzit nuk kishte qenë i plotë.Për këtë,me bursën e shtetit shqiptar,në vitet 1930-1934,ai studion në Akademinë e Lartë të Torinos,në ate shkollë ku studionte edhe princi italian Umberto.Në Torino,merr me vete edhe familjen me ç’rast djemtë,Lekën,Valentinin dhe Gentin,i dërgon të mësojnë në shkollë.Vetë,si një prind i mrekullueshëm gjen kohë jo vetëm të bisedojë me djemtë e gruan por edhe t’u mëkojë atyre dashurinë për fshatin e vogël Skuraj,Krujën dhe krejt viset shqiptare.Diplomohet shkëlqyeshëm edhe në këtë akademi të lartë të luftës dhe në vitin 1934,në vjeshtë kthehet sërish në atdhe duke marrë edhe lëvdatat e trupës mësimore italiane të Akademisë.Kthimi i Previzit në Tiranë,u prit me admirim nga rrethet intelektuale ushtarake.Ai pat rrezatuar kulturën ende pa shkuar në Itali e tani pritej të ndikonte edhe më shumë në modernizimet e ushtrisë sonë kombëtare.Por pak kohë,Previzi mundi të qëndroi në Tiranë.Ai kishte nisur të shfaqte hapur tani tendencat antiitaliane,me ç’rast edhe nuk shihej me sy të mirë prej disa pseudopatriotëve shqiptarë.Caktohet në një detyrë në Korçë dhe plotësisht i bindur për misionin  e vet,Preng Previzi dëshmon edhe në jugun e Shqipërisë aftësitë organizative ushtarake.Punon pa u lodhur e përpiqet që në çdo gazermë shqiptare të ketë një mendim e mentalitet të shenjtë për simbolet kombëtare.Festa e flamurit,do të përcillej kurdoherë në këto garnizone,përmes zërit të butë të ushtarit të lartë dashurisë atërore së tij për vartësit.Gjithsesi rregullat e ngurta të jetës ushtarake,nuk do të mund të fshinin nga shpirti i tij gjurmët e atij artisti të heshtur i cili thërret gazin dhe harenë edhe atëherë kur ato janë të padukshme.Mban korrespondencë të vazhdueshme me mësuesin e tij të dashur Fishtën dhe me një letër nga Korça i shkruan : „Mbasi Korçën pikturore e pate në stinën e dimërit,duhet të vini ta shifni edhe në verë e cila besoj se do t’u pëlqejë më tepër“.( Arkivi Qendror i shtetit,dosja 36,fleta 46 ).

Ka një interes të veçantë për Previzin në fillimvitin 1939,nga pala italiane.Por ai qëndron në Korçë duke u shprehur hapur për qëllimet italiane.Për më tej,në një bisedë që ka patur me Musolinin,mendimi i tij ka qenë i prerë se Ushtria Kombëtare Shqiptare është e zonja vetë të ruajë kufijtë e saj.Prilli i vitit 1939 do ta gjejë të dyzuar ashtu si qindra oficerë shqiptarë që patën studiuar në akademitë e larta ushtarake të Italisë.Sidoqoftë në çastet e mbrame,ai vendos të rije në Shqipëri e të kontriboje sa të jetë e mundur për ushtrinë e kombit të vet me ç’rast i pat falur vitet më të bukura të jetës.E vërteta është se ishin me dhjetra oficerë të lartë shqiptarë të cilët në fillim të viteve 40-të ringritën ushtrinë shqiptare në pikëpamje të funsionimit të saj.Preng Previzi,tashmë ka kaluar hapur në krahun e nacionalizmit shqiptar duke besuar jo vetëm programet e tyre por edhe aftësitë dhe frymën perëndimore që ata përkrahnin.Në vjeshtën e vitit 1943,del haptaz në përkrahje të ideve për një asamble kombëtare me përfaqsues të krejt viseve etnike shqiptare.Në bashkëpunim të ngushtë me Fiqri Dinën me Mid’hat Frashërin dhe Bedri Pejanin,bënë çmos që kjo asamble duke përfituar nga politikat europiane të ditës,të hedhë sytë sidomos në kufitë etnike shqiptare.Në ditët më pas,qeveria shqiptare e dalë prej kësaj asambleje,vendosi për „“organizimin e Mbrojtjes Kombëtare Shqiptare dhe Preng Previzi komandant i saj“.(Arkivi  Qendror i Ushtrisë Tiranë,Fondi 249,dosja 11-58,fleta 155 ).

Disa ditë më pas,Preng Previzi,në këtë funksion merr gradën e gjeneralit,ç’prej atij momenti e deri më sot,gradat e gjeneralit mbetën të lavdishme në supet e atij burri që për një çerek shekulli u ra kryq e tërthor trojeve amtare.Ai dijti jo vetëm të organizoj dhe aftësoj reparte shqiptare të asaj kohe,por edhe t’i udhëheqë ato në përpjekje ndaj reparteve serbo-malazeze,bullgare e greke.Si rallëkush në histori në çerkeshekullin e formimit të Mbrojtjes sonë Kombëtare,Preng Previzi dijti të transmetonte me urtësi e largpamësi dijet e mëdha të tij,të fituara,në breza të tëra ushtarësh shqiptarë.Prandaj ato grada të gjeneralit jo vetëm që nuk mund të përfliten,por duhen shkundur prej pluhurit të viteve e të zënë vendin e tyre në shtetin amë,si simbole të një sakrifice të denjë për atdheun.E theksoi këtë die ngase çerek shekulli pune vetmohuese,nuk mund të hidhen dot poshtë me një laps,të një grupi historianësh bollshevik që kanë zhgaravitur historinë tonë duke u përpjekur të denigrojnë figura të tilla,të përmasave të Previzit.E vërteta është se qershorin e vitit 1944,biri i Krujës, e la funksionin në fjalë duke u përpjekur të mbajë kontakte sa më të afërta me nacionalistët shqiptarë.Ai parashihte luftën e rrezikshme që komunistët bënin për marrjen e pushtetit e duke mos dashur të derdhe gjak shqiptari bëri ç’mos për kompromise në të mirë të çështjes shqiptare.

Duke marrë shkas nga biseda e përfaqsuesit anglez I.Amery,me Nuredin Vlorën lidhur me situatën e krijuar në gushtin  e vitit 1944,historiografia komuniste citon se :“Nuredin Vlora,pas këtij takimi,vuri në dijeni kryeministrin,Fiqri Dine,i cili së bashku me „gjeneralin“ pa ushtri Preng Previzin i cili njihej si „komandant i forcave ushtarake shqiptare“ më 18 gusht vrapuan për tek Abaz Kupi,në Krujë“.(Arkivi i Ministrisë së Punëve të Mbrendshme,Tiranë,dokumenta të zyrës së shërbimeve strategjike,19 gusht 1944, nr.1475 ).

  Natyrisht këta  kuazihistorianë të degjeneruar do të bëjnë të paditurin,ngase në mijëra faqe është shkruar se komandant i përgjitshëm atëherë ishte diktatori xhelat E.Hoxha dhe pas tij shkonin mijëra shqiptarë.Kjo ironi për Preng Previzin nuk vlen aspak,përballë asaj vepre madhore së tij,për kombin e vet.Tek e mbramja historia e fund shekullit dëshmoi këtë.

Në vjeshtën e vitit 1944,së bashku me dhjetra nacionalsitë të tjerë shqiptarë,Preng Previzi kalon në Greqi me brengën e madhe për murtajën komuniste që po mbërthente atdheun e vet.Aty,jeta e tij kalon përmes  privacionesh të mëdha deri sa një ditë emigron për në belgjikë.Edhe këtu,do të jetonte duke bërë punë nga më të ndryshmet e duke shpresuar sidoqoftë në ditën e nesërme të atdheut.Në familjen Bajaraktari ende sot,ruhet një letër e dërguar prej Prengës,ku i thot Muharremit :

„Malli për Shqipninë po ma than shpirtin,por dashtë zoti e fëmijët tanë kanë mujtë me pi ujë,të lirë, në ato gurra“.

Mbyll sytë në Lelimon të Belgjikës , më 6 shtator 1977,kur ende ishte në valët e punëve për organizimin e emigrantëve shqiptarë në frontin e rezistencës antikomuniste.

Bern-Zvicër

Filed Under: Histori Tagged With: Eugen Shehu, Preng Previzi

Toleranca Fetare dhe Paqja

August 11, 2013 by dgreca

Nga Mimoza Dajçi/

Në muajin korrik të këtij viti u mbajt në Washington, D. C. Programi Veror një javor për të rinjtë e besimeve të ndryshme fetare me Temë “Shërbesat e ndryshme fetare për të rinjtë”. Pjesëmarrës ishin fëmijë ambasadorësh të akredituar në SHBA si dhe studentë nga vende të ndryshme të botës. E pranishme ishte gjithashtu edhe studentja shqiptare Enareta Bezati.

Eshtë i dyti vit që ky lloj programi mbahet mes të rinjve nga e gjithë bota. Vjet u organizua në Tiranë, ku inisiatore e mbikqyrese e kësaj veprimtarie të rëndësishme për tolerancën fetare e paqen botërore ishte Drejtoresha e Federatës Universale për Paqen në SHBA Znj. Tomiko Duggan.

Kjo veprimtari synon në njohjen e vlerësimin që duhet të kenë të rinjtë për besimet e ndryshme fetare dhe respektin që duhet të japin ndaj çdo besimtari qoftë katolik, mysliman, kristan, budist, hindy, etj, pra rëndësi ka paqja mes tyre harmonia dhe toleranca.

Studentët ndoqën për një javë takime tepër interesante në Washngton, D.C. duke u njohur me qendra muzeale, institucione qëndrore të rëndësishme amerikane, kisha e kulte fetare si dhe vizituan Capitol Hill. Takuan kongresmenë, senatorë, përfaqësues nga Departamenti i Shtetit, e organizatave jo qeveritare, profesorë që meren me studimin shkencor të fesë, etj. Ata vizituan gjithashtu Godinën Washington Times, Zyrën e Rev. Dr. Sun Myung Moon, Muzeumn e Holokaustt, Bazilikën e famshme ku brenda saj ndodhej edhe Statuja e Nënë Terezës.

Enareta Bezati u përfaqësua në këtë program veror nga Organizata e Gruas Shqiptare –  Amerikane “Shpresë dhe Paqe” me të gjitha vlerat e saj si shqiptare dhe intelektuale. Pasi përfundoi me sukses gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë ajo po ndjek studimet për financë në Kolegjin Amerikan “Baruch” në New York si studente internacionale. Enareta është një vajzë e zgjuar, zotëruese e disa gjuhëve të huaja, veprimtare e komunitetit tonë, si dhe një vajzë me aftësi humanitare. Në vitin  2008     ka marë pjesë në një seminar humanitar 8 ditor në Slloveni nga Kryqi Kuq Ndërkombëtar, ku ndoqi Projektin, “Si mbrohen të drejtat e njeriut në kohë lufte”.

Pas vizitave të ndryshme nëpër institucionet amerikane studentët në këtë takim një javor patën rast të shijonin gatimet e vendeve të ndryshme, të lexonin e të mësonin lektura mbi fenë, të njiheshn me kërcimet e tyre tradiconale, të bënin joga e ushtrime sportive. Në kampin veror të fëmijëve “Shalom Peace Garden” pranë Jewish Center në Silver Spring – Maryland ata mbollën trëndafila e tulipanë. Për të gjitha këto aktivitete të rinjtë ndiheshin shumë të emocionuar, momente që ata i vlerësuan si një experiencë të veçantë e të paharuar.

Për kujdesin, interesimin e inteligjencën që treguan të rinjtë në Seminarin e paqes dhe tolerancës fetare ditën e fundit u vlerësuan nga Federata Unversale e Paqes me Çertfkatën e Mirënjohjes si “Ambasador të Paqes”,  një vlerësim të tillë  meritoi edhe studentja jonë shqiptare Enareta Bezati, për të cilën të gjithë ne duhet të ndIhemI krenar për brezIn e ri që na përfaqëson me dinjitet në të gjitha fushat e jetës, qofshin fetare, shkencore, kulturore e artistike në themelel të të cilave është toleranca e bashkëjetesa paqësore.

Vetë organizatorja e kësaj veprimtarie humanistja e misionierja e paqes Znj. Tomko Duggan duke parë se sa rol të rëndësishëm luajnë këto takme, vizita e biseda mes të rinjve me kombësi të huaj e shikon të arsyeshme që këto shërbime fetare mes të rinjve të vazhdojnë edhe në vitet e ardhshme në shtete të tjera të SHBA apo në botë.

Gusht, 2013

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Mimoza Dajci, paqja, toleranca fetare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • …
  • 80
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT