• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2013

STRUKTURA ETIKE E SHOQËRISË HOMERIKE

August 8, 2013 by dgreca

Vështrim përqasës mes strukturës etike të shoqërisë homerike dhe asaj kanunore shqiptare/

Prof. Dr. Kazuhiko Yamamoto/

 Përmbledhje/

            Sipas Platonit, shoqëria e pasqyruar në epikën homerike është një shoqëri pa autoritet shtetëror. Në një shoqëri të tillë, akti i hakmarrjes, i ndërmarrë nga pala e fyer, kundër palës fyese, është e vetmja forcë disiplinuese, që mund të vlerësohet përmes koncepteve etike të shoqërisë.

Ndonëse kodi etik i shoqërisë homerike është analizuar edhe më parë, asnjëherë struktura etike e kësaj shoqërie nuk është analizuar nga këndvështrimi i një shoqërie pa autoritet shtetëror. Posaqërisht, këtë këndvështrim synon të nxjerrë në pah ky studim. Gjashtë konceptet e besës, nderit, mikut, gjakut, bukës dhe hakmarrjes janë nxjerrë nga epika homerike dhe janë trajtuar, duke i krahasuar me mesazhet që ato përcjellin, si pjesë përbërëse e stukturës etike të Kanunit shqiptar. Vërehet se struktura etike e shoqërisë homerike i përket kategorisë etike, karakteristike për një shoqëri pa autoritet shtetëror, e njëjtë me strukturën etike të paraqitur dhe përfaqësuar nga Kanuni shqiptar.

Platoni, në mënyrë të drejtpërdrejtë, e kritikon sistemin e vlerave etike të shoqërisë homerike që, sipas tij, jetërsohet nga ideja e së mirës.

Hyrje

Iliada dhe Odisea janë veprat epike më të mëdha të botës së lashtë greke, të lexuara dhe të pëlqyera, tashmë, për mëse dy mijë vjet. Sipas Ksenofonit, monumentet epike të Homerit u përdorën si tekste shkollore për të edukuar brezin e ri në Greqinë antike. 1,2. Platoni shkruante në “Republika” (598 D-607 A), se mjaft grekë mendonin se poetë si Homeri, i quajtur edukatori i Helladhës (Greqisë), dinin gjithçka hyjnore dhe gjithçka njerëzore, që kishte të bënte me virtytin dhe vesin; prandaj ato prireshin ta rregullonin jetën e tyre sipas udhëzimit të këtyre poetëve 3. Është kjo arsyeja që veprat epike të Homerit kanë mundur të përfaqësojnë sistemin e vlerave etike të shoqërisë në Greqinë e lashtë.

Platoni, në veprën e tij “Ligjet” (680 A-682 E), nënvizonte se shoqëria asokohe, siç pasqyrohet në epikën homerike, ishte një shoqëri pa autoritet shtetëror, megjithëse njëfarë autoriteti embrional i shtetit kishte filluar të shfaqej në Illium 4.

Në veprën e tij “Origjina e familjes, pronës private dhe shtetit” (kapitilli i 4-t), Frederik Engelsi nënvizonte se në shoqërinë homerike nuk ekzistonte ndonjë autoritet publik, i cili mund të përdorej kundër vetë popullit. Finlei shkruante se, megjithëse e njohën monarkinë, fisnikët në shoqërinë homerike propozuan që mbreti të ishte i pari midis të barabartëve, duke ruajtur kështu përparësinë themelore të pozitës së tyre shoqërore. Nisur nga fakti se Tukididi i referohet basileia-s së vjetër si patrik, apo fakti tjetër që Aristoteli, në veprën e tij “Politika” (1285b5-20), e konsideron bazilea-n e epokës homerike si udhëheqës të njerëzvë të lirë dhe bazileus-in (mbretin) si udhëheqës ushtarak, gjyqtar apo prift të rangut të lartë, Engelsi, gjithashtu, nënvizon se bazileus-i në shoqërinë homerike nuk ishte autoritet qeverisës, në kuptimin e sotëm të fjalës.5.

Të gjithë këta tregues na çojnë në përfundimin se për të kuptuar më mirë e më drejt sistemin e vlerave etike të shoqërisë homerike, përqasja më e saktë është analiza e strukturës etike të kësaj shoqërie nga këndvështrimi i një shoqërie pa autoritet shtetëror. Megjithëse kodi etik i shoqërisë homerike është studiuar edhe më parë, duhet thënë se asnjëherë më parë struktura etike e kësaj shoqërie nuk është analizuar nga këndvështrimi i një shoqërie pa autoritet shtetëror.

Në veprën e tij “Leviatan” (kap. XIII), Tomas Hobs nënvizon se një shoqëri pa autoritet shtetëror, pa pushtet apo pa autoritet të përgjithshëm, që i mban njerëzit nën fre, qoftë edhe nga frika, është si një shoqëri në situatë lufte, ku njerëzit janë kundër njëri-tjetrit.

Në kundërshtim me këtë tezë të tij, ne jemi të mendimit se shoqëritë pa autoritet shtetëror kanë pasur kodin apo rregullat e tyre tipike, të natyrës etike e shoqërore. Studimi ynë krahasues midis kodit zakonor fisnor shqiptar, Kanunit dhe kulturës së lashtë japoneze, ku sqarojmë strukturën etike të një shoqërie pa autoritet shtetëror, na çon në përfundimin e mësipërm.11. Në këtë studim vërejmë se struktura etike e një shoqërie pa autoritet shtetëror, si ajo e fiseve gege të Shqipërisë së Veriut përbëhej nga besa, nderi, miku, gjaku, buka dhe hakmarrja.

            Struktura etike e një shoqërie pa ndonjë autoritet shtetëror e shndërron dhunën e hakmarrjes në një forcë të shenjtë, e cila vëtëpastron shoqërinë, duke vendosur drejtësi në të.

Me ndihmën e strukturës etike të Kanunit shqiptar, do të sqarojmë strukturën etike të shoqërisë homerike, çka mund të na ndihmojë të kuptojmë një tërësi të begatë modelesh sjelljeje me pasoja morale, duke na qartësuar, gjithashtu, kahje interesante të origjinës së koncepteve etike në shoqërinë njerëzore.

Hulumtime në strukturën etike të shoqërisë homerike

            Pranohet që shoqëria homerike ka qenë një shoqëri pa autoritet shtetëror, ku njerëzit jetonin në një sistem vlerash, ku hakmarrja konsiderohej si një akt drejtësie.12 Ky sistem vlerash përcaktohet nga realiteti shoqëror, ku mungon sistemi gjyqësor me fuqi autorizuese për të ndëshkuar autorin dhe ku i vetmi mekanizëm për të realizuar ndëshkimin është hakmarrja e palës së ndëshkuar. Në shoqëri me kushte të tilla, pothuajse nuk ka hapësirë për funksionim sistemesh të tjera vlerash, që e përjashtojnë hakmarrjen. Nëse akti i hakmarrjes, i ndërmarrë nga pala e dhunuar, nuk pranohet dhe nuk mbështetet nga konceptet etike, atëherë ajo do të shndërohet në një dhunë të pafund, që do të rrezikojë vetë shoqërinë, duke e bërë gati të pamundur vetë ekzistencën e saj.12.

Fakti që shoqëria homerike mundi të mbijetojë është tregues i pranisë dhe ekzistencës së një kahjeje drejtësie dhe morali, që duhen lidhur me konceptet etike të kësaj shoqërie, Sepse, në të kundërt, është po aq e vërtetë se shoqëria e asaj kohe, me sisteme të zhvilluara normash morale, nuk do të mund të shkonte gjatë, për shkak se do të goditej nga forca të fuqishme nga jashtë.

Për të kuptuar qartë konceptet etike të një shoqërie pa autoritet shtetëror, çelësi qëndëron në gjetjen dhe identifikimin e akteve, veprimeve, apo sjelljeve fyese. Burrat e kryejnë këtë veprim të skajshëm, meqenëse i gjykojnë dhe i quajnë fyerjet apo dhunimet që i bëhen si aktet më të pamoralshme të shoqërisë. 12.

Në përpjekje për të sqaruar dhe shpjeguar strukturën etike të Kanunit shqiptar, e përqëndruam hulumtimin dhe studimin tonë në ato pjesë apo zëra të tij, ku përcaktohen aktet e sjelljes apo fyerjet, që vetë Kanuni i sanksionon të dënueshme, me shpagim apo me hakmarrje. Kjo na dha mundësinë të gjejmë konceptet e besës, nderit dhe mikut, të lidhura ngushtë me konceptin e hakmarrjes. 12.

            Sipas Kanunit, kur një person fyhet, ai ka të drejtë të rivendosë nderin ose duke derdhur gjak ose duke falur me zemërgjerësi. 13. Kur vritet një njeri apo një mik, gjaku i derdhur duhet marrë. Konceptet e besës, nderit dhe mikut, të gjitha konvergojnë, nëpërmjet dhunës hakmarrëse në konceptin e gjakut, i cili konsiderohet si një forcë e shenjtë e drejtësisë, e dhuruar nga perënditë.12.

Të njëjtën linjë kemi ndjekur edhe në studimin e shoqërisë homerike. Duke njëjtësuar a nxjerrë në pah veprimet apo aktet fyese, në epikën homerike kemi ardhur tek konceptet e lidhura ngusht me strukturën etike të kësaj shoqërie.

Fyerjet që përfundojnë në gjakderdhje në shoqërinë homerike

            Në epikën homerike, ndeshen mjaft akte apo veprime fyese, që çojnë në gjakderdhje. Pikësëpari, në to vërejmë se shkak për gjakësi është vjedhja e bagëtisë apo e kuajve. Akili thotë se do të vijë të luftojë kundër atyre, që i grabisin kuajt dhe bagëtinë (Iliada, 1: 152-160). Nestori mburret se kur ishte djalë i ri e i fuqishëm kish vjedhur bagëti dhe kish vrarë të zotin që kish luftuar për t’i mbrojtur ato. (Iliada, 11:670-676).

Mëtuesit qëndrojnë në shtëpinë e Odiseut për tre muaj dhe konsumojnë pasurinë e tij me gostira, çka konsiderohet grabitje. Odiseu me të birin hakmerren kundër tyre për fyerjen, që ju bënë. Shpesh herë, në shoqërinë homerike gratë rrembehen, një tjetër akt ky që shkakton gjakderdhje. Akeasit e sulmojnë dhe e shkatërrojnë Trojën për ta marrë prapë Helenën, e cila joshet dhe rrëmbehet nga Aleksandri i Trojës (Paridi). Kur shkelet besa a fjala e dhënë, pala e fyer hakmerret me gjak ndaj shkelësit. Agamemnoni thotë se i detyroi trojanët të paguajnë dhe ta shlyejnë me kokat e tyre, të grave dhe të fëmijëve, shkeljen e fjalës së dhënë për armëpushim midis akeasve dhe trojanëve (Iliada 4: 155-163).

Kur burrat cenohen në nder, pala e cenuar hakmerret ndaj fyesit dhe kjo hakmarrje shkon deri në gjakderdhje. Perëndeshat, Hera dhe Athina, e urrejnë Trojën dhe bëjnë komplot që ta shkatërrojnë atë, pasi Aleksandri i Trojës i ka fyer, duke i mburrur Afroditin, gjatë vizitës së tyre në vathën e tij (Iliada, 24: 27-30). Akili i thotë Odiseut, në botën e përtejme, se nëse do të ishte gjallë dhe do të kishte fuqi, do të shkonte në shtëpinë e atit të tij dhe do t’i detyronte të gjithë ato që fëlliqën nderin e të atit t’i binden dhe përulen fuqisë së tij madhore (Odisea, 11: 492-503).

Kur dhunohet apo fyhet një mik, mikpritësi a i zoti i shtëpisë hakmerret ndaj dhunuesit apo fyesit. Edhe në këtë rast, hakmarrja shkon deri në gjakderdhje. Odiseu, i fshehur, thotë se më parë do të parapëlqente të vdiste sesa të shihte mikun të fyer e të keqtrajtuar nga të huajt, në shtëpinë e tij (Odisea 16: 99-111).

Nëse miku ia shpërblen mikpritjen të zotit të shtëpisë me sjellje mosmirënjohëse, atëherë ky i fundit hakmerret kundër tij.

Menelau, që mezi pret ta shkatërrojë Trojën, shpreson që mbi trojanët të bien ndeshkimet e Zeusit, perëndisë së mikpritjes, pasi Aleksandri i Trojës kishte shkelur mbi mikpritjen e tij, duke i grabitur gruan (Iliada, 13: 623-629).

Kur derdhet gjaku i burrave, farefisi i të vrarëve hakmerret kundër vrasësve. Oresti vret Egjistin dhe të ëmën, të cilët në pabesi i vranë të atin, Agamemnonin (Odisea, 1: 33-43). E shoqja e Priamit, Hekuba, thotë se do të kishte dëshirë t’ia ngulte dhëmbët mu në zemër Akilit dhe të ushqehet me të si hakmarrje për djalin e vrarë (Iliada, 24: 209-213). Eupeiti, që ia vranë djalin njerëzit e Odiseut, deklaron në tubimin e Itakës se të afërmit e të vrarëve duhej të hakmerreshin për djemtë apo vëllezërit e vrarë. Sipas tij, ata do t’i mbulonte përjetë turpi, nëse nuk merrnin hak ndaj Odiseut dhe të birit (Odisea: 24: 430-437).

Si shihet nga shembujt e mësipërm, në epikën homerike vërehet qartë se vjedhja e bagëtisë, mashtrimi dhe rrëmbimi i grave, thyerja e besës, dhunimi i nderit të burrave, cenimi dhe fyerja e mikut si dhe vrasja çojnë në gjakmarrje dhe detyrojnë gjakmarrje. Megjithëse dy të parat, vjedhja e bagëstisë dhe mashtrimi e rrëmbimi i grave, ndeshën në çdo shoqëri, pavarësisht nga veprimtaria a niveli kulturor i njerëzve, në epikën homerike ato konsiderohen se e cenojnë nderin e të dëmtuarit. Për këtë arsye, edhe ato përfshihen mes fyerjeve, që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me nderin e burrit. Nga ana tjetër, si pjesë e veprimtarisë kulturore të njerëzve, posaqërisht të burrave, në shoqërinë homerike, fyerjet, të tilla si thyerja e besës, cenimi i nderit të burrit, cenimi apo fyerja e mikut, si dhe vrasja apo plagosja konsiderohen se përfaqësojnë sistemin e vlerave etike të kësaj shoqërie.12. Studimi përqasës mes Kanunit shqiptar dhe epikës homerike na çon tek pesë konceptet e njohura të besës, mikut, gjakut, bukës dhe hakmarrjes në shoqërinë homerike.

Ecuria, ndërmmjetësimi dhe pajtimi i gjaqeve

            Në një shoqëri pa autoritet shtetëror, vrasja nga dikush e një pjesëtari të një fisi me prejardhje tjëtër familjare çon në hakmarrje. Kur vjedhja e bagëtive, mashtrimi dhe rrëmbimi i grave, dhunimi i nderit të burrave, etj., përfundojnë me gjakderdhje e me vrasje, anëtarët e fisit të viktimës e ndjekin vrasësin për t’u hakmarrë kundër tij. Akamas thotë se burrat luten që fisi të mos shuhet i tëri dhe të ketë dikë që të hakmeret, pasi do të ishte e tmerrshme për të vdekurin nëse gjaku i tij nuk do të merrej (Iliada, 14: 482-485).

Vrasësi arratiset nga vendi ku kryen vrasjen, në mënyrë që t’i shpëtojë ndjekjes dhe hakmarjes së farefisit të viktimës. Teoklimeni, që ka vrarë një burrë në Argos dhe është larguar prej andej, i kërkon Telemakut ta çojë me anije në Itakë, pasi farefisi i viktimës po e ndjek hap pas hapi (Odisea, 15: 272-278). Odiseu i thotë Telemakut se kushdo që vret duhet të lërë familjen, të afërmit e vendin e tij dhe të emigrojë (Odisea, 23: 117-122).

Kur një vrasës arrin të shpëtojë dhe të largohet shëndosh në një vend tjetër, atëherë farefisi i tij i kërkon farefisit të viktimës të pranojë shpërblim si kompensim për gjakun e viktimës. Kur farefisi i viktimës e pranon një dëmshpërblim të tillë, atëherë arrihet pajtimi dhe vrasësi lejohet të kthehet në vendin e tij, Aias i thotë Akilit se burri duhet ta pranojë shpërblimin apo kompensimin, qoftë edhe prej vrasësit të vëllait apo të birit. Sipas Aias, nëse dëmshpërblimi e zbut zemrën dhe shpirtin krenar të burrave të fisit, atëherë vrasësi edhe mund të qëndrojë në vendin e tij (Iliada, 9: 632-636). Nëse dëmshpërblimi nuk përmbushet, sipas fjalës së dhënë, kjo çon në grindje midis dy palëve, që më tëj trajtohet nga ndërmjetësimi i pleqësisë. Pleqësia dëgjon të dy palët se çfarë kanë për të thënë dhe vendos më pas mbi bazën e fakteve të paraqitura. Procedura e ndërmjetësimit është përshkruar qartë në mbrojtjen që i bëhet Akilit (Iliada, 18: 497-508).

Nëse vrasësi nuk arratiset në një vend tjetër, farefisi i të vrarit mund të hakmerret ndaj tij, duke çuar kështu në dhunë të dyanshme mes dy palëve. Nëse të dy palët bien dakord për pajtim, fisi apo pala që ka vrarë e fundit paguan dëmshpërblimin; dhe kjo përmbush ritualin e pajtimit. Megjithëse rituali i pajtimit përshkruhet në detaje në epikën homerike, pakti i armëpushimit, i lidhur midis akeasve e trojanëve, sipas të cilit nëse Menelau fiton duelin me Aleksandrin, atëherë trojanët do ta kthejnë Helenën dhe do t’u paguajnë haraç akeasve, flet qartë se si bëhet ky pajtim. Në këtë ritual Agamamnoni, si përfaqësues i palës fajtore, betohet se do ta përmbushë marrëveshjen dhe i lutet perëndive me jetën e bagëtive të tij, që të ndëshkojnë cilëndo palë që do të shkelë besën apo fjalën e dhënë (Iliada, 3: 276-301).

Konceptret e lidhura me strukturën etike të shoqërisë homerike

Kur njerëzit vdesin nga ndonjë sëmundje ose nga pleqëria, kjo konsiderohet thjesht vdekje natyrale dhe jo për shkak të kufizimeve a sanksioneve shoqërore. Nëse vriten për hakmarrje, qoftë kjo për shkak të shkeljes së besës, dhunimit të nderit të burrit, dhunimit apo fyerjes së mikut apo kryerjes së ndonjë vrasjeje, atëherë këto vdekje të sanksionuara pasqyrojnë sistemin e vlerave etike të shoqërisë. Më lart kemi përmendur se struktura etike e një shoqërie pa autoritet shtetëror, si ajo e përfaqësuar prej Kanunit shqiptar, konsistonte në konceptet e besës, nderit, mikut, gjakut, bukës dhe hakmarrjes. Pranohet se sistemi i vlerave etike të shoqërisë homerike është i nëjtë me atë të Kanunit, pikërisht ato të besës nderit, mikut, gjakut, dhe hakmarrjes i kemi gjetur edhe në epikën homerike. Këto pesë koncepte i kemi sqaruar dhe zhvilluar në studimin tonë, posaqërisht që të sqarojmë sistemin e vlerave etike të shoqërisë homerike. Meqë koncepti i bukës nuk mund të ndahet nga ai i mikut, jemi përpjekur ta gjejmë dhe analizojmë edhe atë së bashku me të tjerët në epikën homerike.

Koncepti i besës

            Gjatë analizës së konceptit të besës në epikën homerike ndeshemi me tri modele të saj. Modeli i parë është mbajtja e premtimit apo fjalës së dhënë. Burrat japin fjalën se do të bëjnë këtë ose atë gjë dhe betohen, në emër të perëndive, se do ta përmbushin fjalën e dhënë. Profeti i akeasve, Kalkanti, i kërkon Akilit t’i betohet se do ta mbrojë me çdo mjet nga Agamemnoni, i cili do të zemrohet me të, nëse ky i fundit i tregon profecinë e Febus Apollos (Iliada, 1: 74-83). Akili i jep besën Kalkantit se do ta mbrojë. Nga ana e tij, ai lajmëron akeasit për atë profeci, i garantuar plotësisht me besën e Akilit. Doloni, nga Troja, i lutet Hektorit t’i japë fjalën se do t’i bëjë shpërblim kuajt dhe karrocën e Akilit si dhe çdo gjë që do të mblidhte mbi anijet e akeasve (Iliada, 10: 319-324). Hektori betohet, në emër të Zeusit, se do t’ia japë këto, nëse vërtet do të ketë sukses për çka premton. Kur Odiseu, bashkë me shokët, i afrohet ishulli të Helios, ai u kërkon atyre të betohen se nuk do të hanë as lopë as dhen në ishull (Odisea, 12: 298-302).

Modeli i dytë është betimi për të thënë të vërtetën. Burrat japin fjalën se e bardha është e bardhë dhe betohen, në emër të perëndive, se kjo është e vërtetë. Kur i ktheu Akilit Briseidën, Agamemnoni u betua se nuk ka vënë dorë mbi të (Iliada, 19: 258-266). Kur Circea e ftoi Odiseun që të shkojë në shtrat me të, ky i fundit i kërkon asaj që t’i japë besën se ajo nuk ka përgatitur kurrfarë komploti kundër tij (Odisea, 10: 380-381).

Modeli i tretë është betimi që siguron tërësisht mbajtjen apo përmbushjen e fjalës së dhënë. Burrat betohen, në emër të perëndive, se do të përmbushin besën a fjalën e dhënë. Odiseu, i maskuar si varfanjak, bën be, në emër të Zeusit, se do të kthehet në Itakë dhe do të hakmerret ndaj gjithë atyre, që i turpëruan të birin dhe të shoqen (Odisea, 14: 158-164). Telemaku urdhëron të ëmën, Penelopën, t’i zotohet të gjithë perëndive se do të ofrojë hetakombin e duhur, me shpresë se hakmarrja do të bjerë mbi armiqtë. (Odisea, (17: 48-51).

Kur lidhin besën, burrat marrin dëshmitarë për të garantuar vullnetin e tyre për përmbushjen e saj. Ata që lidhin besën duhet të betohen në emër të një garanti të zgjedhur prej tyre, si p. sh., perëndive, dheut, diellit, gurit apo lumenjve. Agamemnoni betohet se ka dëshmitar Zeusin, dheun, diellin dhe Erinyesin se kurrë nuk ka vënë dorë mbi Briseidën (Iliada, 19: 258-266). Kalipsoja betohet me dëshmitar qiellin dhe lumin Stiks se nuk ka bërë kurrë komplot kundër Odiseut (Odisea, 5: 184-187).

Në shoqërinë homerike besohet se, kur nuk përmbushet betimi, dëshmitarët e kësaj bese, si p. sh. Zeusi, hakmerren kundër shkelësit të saj. Idomeni ka besim se vdekja dhe mjerimi do të bjerë mbi trojanët, meqenëse ata qenë të parët që përdorën dhunën, në kundërshtim me besën e lidhur për armëpushim (Iliada, 4: 268-271). Antenori i thotë trojanëve se asgjë e mirë nuk do t’u vijë për sa kohë që nuk i kthejnë Menelaut Helenën dhe pasurinë e rrëmbyer (Iliada, 7: 350-353). Agamemnoni deklaron se, nëse provohet e kundërta e betimit të tij që nuk ka vënë dorë mbi Briseidën, ai është gati të pranojë çdo vendim të perëndive për të (Iliada, 19: 258-266).

Në situata serioze, si p. sh. betimi për armëpushim midis akeasve dhe trojanëve, nën besën e Agamemnonit, besëlidhësi duhet të bëjë një kurban për perënditë, në mënyrë që të vulosë çështjen (Iliada, 3: 268-301). Besohet se kur përmbushet betimi solemn, atëherë mallkimi i kurbanit të sakrifikuar si dhe ndëshkimi i perëndive do të bien mbi shkelësin e betimit.

Burrat në shoqërinë homerike duket se besojnë fort në përmbushjen e betimit, meqenëse ky në vetvete komandon sjelljen e të betuarit. Circea pohon se Odiseu nuk duhet të frikësohet prej asgjëje, përderisa ajo është betuar që të mos bëjë komplot kundër tij (Odisea, 10: 380-381). Perëndia e Gjumit e vë Zeusin në gjumë, sipas urdhërit të Heras, meqenëse ai i beson plotësisht betimit të saj për t’i dhënë atij një hyjneshë të re (Iliada, 14: 272-276).

Koncepti i nderit

Sa herë që do të kërkojmë të gjejmë konceptin e nderit në epikën homerike, më së pari nevojitet të gjejmë ofendimet, veprimet apo sjelljet çnderuese e turpëruese për burrat. Turpërimi, në shoqërinë homerike, mund të gjendet në raste të kësaj natyre:

Agamemnoni, njerëzor, nuk pranon haraçin prej priftit të Apollos, për favorin që i ka bërë, duke i lëshuar vajzën. Në këtë rast, prifti mbetet i ofenduar a i turpëruar (Iliada, 1: 93-96).

Akili, luftëtari më i rreptë ndër akeasit, ndjehet i fyer, kur Agamemnoni nuk e trajton atë si trim (Iliada, 6: 6464-648). Zemërimi i Akilit kundër Agamemnonit e bën atë që të refuzojë të luftojë trojanët.

Duke u dëndur për tre vjet rresht me lopët dhe dhentë e Odoseut, kundërshtarët e tij mendojnë dhe janë të bindur se po e turpërojnë atë dhe Telemakun (Odisea, 22: 367-370)

Nëse burrat nuk janë në gjendje që të mbrojnë trojet e tyre, kur sulmohen nga të tjerë, kjo është turp. Nëse një kryetar fisi nuk ftohet në një gosti të sojit të tij, atëherë kjo konsiderohet fyerje (Odisea, 11: 184-186). Nëse i zoti i shtëpisë nuk i jep dhuratë mikut, kurr largohet, ky i fundit ndihet i fyer (Odiseu, 4: 587-593).

Nëse burrat me origjinë prej perëndive nuk i respektojnë paraardhësit e tyre, atëherë perënditë ndihen të fyera (Odisea, 13: 128-130). Nëse një i ri fyen një të moshuar, atëherë ky i fundit ndihet i turpëruar (Odisea, 13: 141-145). Kështu pra njerëzit në shoqërinë homerike ndihen të fyer, kur nuk trajtohen e respektohen siç duhet, në bazë të pozitës shoqërore. Me fjalë të tjera, burrat ndjehen të nderuar, kur trajtohen me respektin që u takon, sipas pozitës shoqërore.

Kur burrat me vend të nderuar në shoqëri kryejnë një vepër të admirueshme, shtojnë pasurinë ose forcojnë pozitën e tyre shpqërore, nderi i tyre rritet, duke shënuar sërish lavdi. Nëse ky nder i rritur është veç për shkak të përpjekjeve të veta, atëherë sensi i lavdisë është i pamasë. Porse, nëqoftëse të tjerët kanë ndihmuar në këto bëma për rritjen e nderit të tyre, atëherë sensi i lavdisë është më i pakët.

Kur burrat me pozicion të nderuar në shoqëri kryejnë një vepër të shëmtuar, pasuria i zvogëlohet, pozita shoqërore i dobësohet, nderi i tyre cenohet, duke përfunduar deri në çnderim ose turpërim. Nëse vepra që u cenon nderin është tërësisht e tyre, vetjake, atëherë sensi i çnderimit dhe i turpit mund të jetë i menjihershëm. Në të kundërt, nëse nderi u cenohet për shkak të bëmave të këqija të të tjerëve, atëherë sensi i çnderimit apo i turpit mund të jetë i përkohshëm pasi ata mund të rivendosen, duke u hakmarrë kundër tyre.

Kur burrat që kanë një pozitë në shoqëri nuk respektohen siç e meritojnë, sipas pozitës shoqërore apo e humbasin nderin për shkak të bëmave të pahijshme të të tjerëve, atëherë ata zemërohen me fyesin. Dhe, më tej, ata hakmerren kundër tij, për të vënë në vend kështu nderin e cenuar.

Prifti i Apollos i kërkon perëndisë që t’i bëjë akeasit të paguajnë për lotët e tij, pasi Agamemnoni e ofendoi atë dhe Apollon, duke i përbuzur kërkesën për t’i kthyer të bijen (Iliada, 1: 37-42).

Nëna e Akilit, Tesis, i lutet Zeusit t’u japë fuqi trojanëve, derisa akeasit që e turpëruan Akilin të tregojnë respekt për të dhe ta nderojnë (Iliada, 1: 503-510). Akili hakmerret për turpin, duke refuzuar të luftojë kundër trojanëve, të cilët nxorën jashtë akeasit.

Kur burrat, të cilët humbasin nderin për shkak të bëmave apo sjelljeve banale të të tjerëve, hakmerren ndaj këtyre të fundit, atëhërë inati u bie dhe sensi i fyerjes apo i turpërimit i pakësohet. Akti i hakmarrjes i bën ato të rivendosin nderin në shoqëri.

E ëma e Akilit thotë se nëse akeasit shpartallohen nga trojanët, me fuqinë që u jep Zeusi, atëherë nderi i Akilit mes akeasve vihet në vend; dhe këta të fundit do të shfaqin respekt për të, duke e dëmshpërblyer (Iliada, 1: 503-510)

Odiseu dhe Telemaku rivendosin udhëheqësinë e tyre në Itakë, pasi hakmerren kundër mëtuesve të pacipë. Nëse një fyes apo shkelës nderi paguan dëmshpërblimin për cenimin e nderit të palës së fyer, atëherë ky akt e zbut inatin e të fundit dhe mund të çojë në pajtim. Perëndesha Athina i thote Akilit se Agamemnoni do t’i paguajë atij trefish dhurata të çmuara si dëmshpërblim për fyerjen që i ka bërë (Iliada, 1:213-214).

Agamemnoni betohet se, nëse trojanët e kthejnë Helenën, së bashku me pasurinë që vodhi Aleksandri, si dhe paguajnë dëmshpërblimin e duhur, atëherë mes akeasve dhe trojanëve mund të arrihet edhe pajtimi (Iliada, 3: 276-290).

Përktheu Dr. Selahedin Velaj(Dielli-arkiv)

 

Filed Under: Kulture Tagged With: dhe asaj kanunore, e shoqerise homerike, Prof. Dr. Kazuhiko Yamamoto, shqiptare, Struktura e tike

DIELLI: KANDILI KOMBËTAR

August 8, 2013 by dgreca

Janë shkruar shumë artikuj në fletore dhe të përkohëshme shqiptare mbi historin’ e DIELLIT prej njerësve të ndryshmë se si dhe qysh u-themelua ky kandil kombëtar, dhe pa dyshim njerës të tjerë do t’shkruajnë në t’arthmen mbi këtë pikë.

Me mbylljen e gazetës “Kombi” në Boston dhe të revistës “Albania” në London, qe nevojë e domosdoshme për botimin e një gazete kombëtare jashtë Shqipërisë që të lëftonte për të drejtat e popullit shqiptar. Dhe kjo nevojë u duk më tepër kur Xhon-Turqit burgosnë Dervish Himen sepse i gjetnë Flamurin e Shqipërisë me vete, dhe asnjë gazet’ e brendëshme nuk guxoj dot të fliste për mbrojtjen e tij nga frika e Xhon-Turqve.

Ahere Faik Konitza në London dhe Fan Noli në Boston u-muarnë vesh për botimin e një gazete shqip n’Amerikë.Ata nukë njiheshin personalisht, njohja e tyre qe me anë të shkrimeve në shtyp dhe të letre-këmbimit, dhe ashtu u-lith miqësia në mes të dyve. Natyrisht patnë dhe shokë të tjerë që e biseduan çështjen e gazetës, po fakti është se ata të dy qenë shkaktarët kryesorë për botimin e DIELLIT. Me përpjekjet e tyre u-ndes ky Kandil Kombëtar më 15 shkurt 1909, dhe është mbajtur ndezur gjer sot nga Vatranët e dedikuar dhe patriotë të vërtetë që s’janë larguar kurrë nga VATRA.

            Kush e pagëzoj DIELLIN me këtë emër, nuk e di dot, kjo gjë munt të jetë shënuar në rekordin e shoqërisë “Besa-Besën” kur u vendos botimi i tij, po ku munt t’a gjejmë atë rekord? Kurse për themelimin e VATRES gjenden plot dokumenta historikë, ndonëse shumë herë janë shtrëmbëruar nga njerës të pakujdesur, besoj kjo është fjala më e urtë që munt të përdorim. Për shembëll, kur u-festua Dekata e Parë e Federatës Vatra, dolli një numër i posaçmë i DIELLIT me 16 faqe, dhe atje është botuar një artikull i gjatë prej Faik Konitzës mi historin’ e VATRES, i cili në paragrafin e fundit thotë këto: “Për emërin, formën federale, kanunorën, regulloren, dhe shpiritën e parë të VATRES, jam responsible (përgjegjës) unë. Po e drejta është që VATRA, të cilën un’ e lashë çilimi shtatë muajsh, u-rit, u-madhua, u-bë një forcë nga Fan Noli dhe Vatranët e Amerikës, më 1915-1919, dhe n’atë shvillim unë s’kam patur as një pjesë. (Pjesë e nxjerrë nga “Historia e Federatës VATRA” e Refat Xh. Gurrazezit)

Filed Under: Histori Tagged With: dielli, kandili kombetar

KTHEMANI COPEN E TOKES QE ME PERKET

August 8, 2013 by dgreca

Nga Spiro Gjikondi/

Kthemani copen e tokes qe me perket!/

Ate copen e tokes qe ishte dhe mbetet e imja,/

Ate, copen e tokes, pas se ciles/

Per qindra, ( Ne mos mijera!) vjet/

Katragjyshet e gjyshet/

Dhe prindet e mi vetull-rene/

E mbajten e u mbajten/

Si munden,/

Me thonj e me dhembe…/

 

Kthemani copen e tokes qe me perket!

 

E dua.

Ate, copen e tokes me dy rrenje ullinj,

Me dy rrenje dardhe, tre fiq e nje ftua.

Ate copen e tokes gjithe gure e shkembinj,

Ne Mbockez, Kallavarez, Rezebrege, Nenpirg…

Kudo qe te jete,

Atje ku ka qene,

E dua.

Edhe pse e di se e vogel, sic ish,

Barkun e zbrazet s’ma mbush,

Por mallin e shpirtit tim te zhurritur

E shuan…

 

Kthemani copen e tokes qe me perket!

 

E ne se doni te dini nga ku e gjer ku,

Me ke kufizohet

Nga Jugu, Perendimi, Veriu, nga Lindja,

Mos pyesni deshmitare te reme,

As mos kerkoni tapi te shkruara rishtas

( Nga ato qe mbjellin kaos!).

Ne se vertet doni te dini nga ku e gjer ku,

Merrni kazmen, germoni,

Thelle e me thelle,

Ne shtresen e pare e te dyten,

Ne shtresen e peste e te dhjete,

Deri aty ku dheu behet i kuq,

Mbrujtur me gjak neper shekuj.

Merrni kazmen, germoni,

Deri aty ku ri heshtur e klith

Ai, guri tragjik i sinorit…

 

Kthemani copen e tokes qe me perket!

 

Kam pesedhjete vjet i larguar.

Pesedhjete vjet rrenje-shkulur.

Pesedhjete vjet rrenje-dale.

 

Pesedhjete vjet si i verber,

Kaleroj shaluar ne tym,

Kaleroj shaluar ne mjegull.

 

Pesedhjete vjet qe lundroj

Ne nje det t’egersuar

Plot me ankth

E me frike ne zemer

Se ne mos u perplassha di ne shkembinj

Ne nje breg

Do perplasem pa tjeter…

 

C’bera e c’shkrova

U haruan qe sot.

Haresa – Mizore

Nuk pret dot gjer neser.

 

Te pakten te mbjell n’ate vend

Nje ulli,

Se e di qe ulliri

Do te jetoje me shekuj.

 

Kthemani copen e tokes qe me perket!

 

Sepse dua qe ne perendimin e afert

Te shkoj e te ulem aty nen ulli

Te pi nje cigare menduar…

 

Te vdekurit e gjalle te kujtoj,

Te haroj te gjallet e vdekur.

 

Te them:

“Ketu dhe im ate ulej e rij…”

 

Te ndjej eren e thrumbes,

Te kruzes, te cfakes…

Te shkermoq ne pellembe nje dege rigoni,

Te kepus nje gjethe lofate,

Ne sy te pikoj

Nje pike limoni.

 

Te ve kembet ne te, si Anteu,

Te mar force. E ne mbremje,

Me syte drejt qiellit

Me henen e yjet te luaj,

I dehur prej afshit te ngrohte te dheut…

 

Kthemani copen e tokes qe me perket!

 

Nuk dua te besoj ne rrenimin e plote.

Nuk mund ta pranoj nje ikje per jete.

Rrokullisja pa fund

Me rendon.

Tmerohem e dridhem,

E klith e rrenkoj

Sa here sjell neper mend Seremben e shkrete:

” Arberi qe pertej detit na kujton…”

 

Nuk dua te besoj

( Sic po thone! )

Se n’ate vend

Vec nje parim i zi paska mbetur:

“Rrembeni, o muter,

Sa te mundni, me shume, rrembeni,

Se gjithe ligjet e parimet e tjera

Kane vdekur…”

 

Kthemani copen e tokes qe me perket!

 

Ndryshe do te mbetem i huaj.

I HUAJ…

I HUAJ…

I HUAJ…

 

Me i huaj im bir,

Im nip me i huaj.

Ne nje skaj te globit,

Pa te njohur e te dashurit prane,

Ne jete te jetes te humbur

Ne nje skaj te larget te globit,

As varosur, as gjalle,

Haruar…

 

Kthemani copen e tokes qe me perket!

 

Qe kur casti fundit te vije,

Kur syte te mbyll

E te nisem ne udhen ku shkuan te paret,

N’ate vend te mbulohem,

N’ate vend te ri shtrire,

Me nje gur nga te ledhit

Mbi krye…

 

E ne se im bir do haroje gjithcka,

Ne se humbet dashurine per gure e per njerez,

( Pasi e di se largesa ben punen e saj…)

Le te jete ai varr

Per kthimin e tij

Nje arsye me teper…

Kthemani copen e tokes qe me perket…!(Dielli-arkiv)

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: copen e tokes, kthemani, qe me perket, Spiro Gjikondi

Kampet e internimit të regjimit komunist në Shqipëri

August 8, 2013 by dgreca

Kampet e internimit të periudhës 1945-1954, nga kampet e Krujës dhe Beratit, deri tek i Portopalermos dhe i Tepelenës/

Nga Simon Mirakaj/

Menjëherë mbas çlirimit dhe vendosjes të pushtetit komunist në Shqipëri filluan raprezaljet kundra kundërshtarëve politik. Nëse  në pjesën e Europës perëndimore filluan rindërtimin, mbas shkatërrimit të luftës, në pjesën  e Europës Lindore filluan të hapin kampe internimi, që ngjasonin me kampet e nazismit.Filluan vrasjet me gjyq e pa gjyq,filluan torturat në burgje,internimet,rrëmbimi i pronave etj.Shqipëria u kthye në një shtet burg.Këtij terrori të panjohur në historinë e popullit tonë ju thurën dhe këngë, si ajo e famëshmja”enver hoxha e mprehu shpatën”.Shpata e Demokleut i qëndroi mbi kokë njerëzve të pa fajshëm për dyzet e pesë vjet.Nëse do të kishte çmime për krime,burgime dhe internime Shqipëria për nga numuri i popullësisë do të zinte vendin e parë, janë vrarë me gjyq e pa gjyqe 6000 vetë,janë burgosur 23000 persona,janë internuar e dëbuar 400000 persona. Në cilin vend u vra gruaja shtatëzënë, në cilin vend u vranë poetët,  në cilin vend u var poeti, u vranë klerikët.Në cilin vend  u dënua me ligj fëmija  në djep,me internim dhe doli nga kampi 45 vjeç? Për mua është e vështirë të përshkruaj çfarë ndodhi me ne, në këto kampe.Për të qenë sa më i saktë duhen shtruar disa pytje:

1-     Çfarë kuptojmë me fjalën internim,apel ?

.2 -Si bëheshin internimet e periudhës 45-54?

3-     Sa kampe kishte?

4-  Si trajtoheshin njerëzit?

Me fjalën internim në kuptimin linguistik kuptojmë një qëndrm të detyruar në një vend të caktuar. Duhet shtuar në një vend të caktuar të rrethuar me tela, e me polici të pa shpirt që përveç emrit njeri, nuk kishin as gjë të përbashkët me të.Apel do të thotë thirrje emër për emër,ky apel bëhej tre herë në ditë, me orar të vënë nga komanda.Internimet beheshin pa vendime.Vendimet i kishte vetë sistemi i diktaturës që po venodsej në Shqipëri.Makinat të shoqëruara me polici ju afroheshin shtëpive të rrethuara nga ushtarë të armatosur. I nxirrnin nga shtëpitë me forcë plaçkisnin çfarë ishte me vlerë dhe  duke i shtyrë i hipnin në makinë e i nisnin  nëpër kampe përqëndrimi të shpërndarë në të gjithë vendin. Duke i  lënë të marrin vetëm rrobat për të fjetur, e a to me numër.Veriu dërgohej në jug ndërsa jugu në veri.

Kampi i internimit i Beratit dhe Krujës

Dy ishin kampet e fillimit, ai i Beratit dhe i Krujës..

Kampi i Krujës(17Qershor-7 korrik 1947).Në  këtë  kamp të intrnuarit kanë jetuar  me 600 gramë bukë misri në ditë.Plot dy  vjet punuan të internuarit me punë të rëndë krahu.Ata flinin në  stallat e kafshëve të rrethuar me tela e të ruajtur nga policia.

Në Berat të internuarit jetonin në kazermat e pashait e në kala.Një pjesë që ishin me të  rinj i dërguan në Kuçovë për të punuar.Kur nuk e  bënin normën, rriheshin nga komandanti i kampit Pandi  Anastasi. Duhet theksuar se kampet ishin mbushur me gra, fëmijë, e pleq.Kampi i Krujes edhe i Beratit u nda në dysh.  Me këtë mënyrë ndanin familjet. Nga Kruja   një pjesë i internuan në Kashar për të punuar dhe  të internuarit e Beratit   i dërguan  në Kuçovë.Në  Nëntor të 47 të internuarit i dërguan  në Kamëz i strehuan nëpër çadra e stalla.Këtu,  thotë një nga të internuarit e atij kampi kemi punuar zbathur edhe në kohën e dimrit ku balta shkonte deri në gju.Të internuarit e kampit të Beratit në 49 i dërguan në Tepelenë në kampin e çfarosjes  apo Aushvici shqiptar. Gjatë rrugës për në Tepelenë makina rrëzohet dhe si pasojë vdiqën Fadil e Xhuma Petrela.Në 14 prill të 49 shumë djem të moshës 14, 15 vjeç i dërguan në Lozhan.

Lozhan, 14 prill -12 dhjetor 1949

Ja si tregon një i internuar në kampin e Lozhanit Vasil Kokali;Para se të shkonim në Lozhan,kemi qëndruar në Godoviat të Gramshit 17 ditë pa strehë në qiell të hapur,edhe moti ishte për ditë me shi.Nga Godoviati u arratisën 9 vetë,6 kaluan kufirin një u vra,një u plagos e një u kap i gjallë.Në 7 Maj të vitit 1949 të shoqëruar nga forca të shumta ushtarësh,  u nisëm nga Godoviati në këmbë për në Lozhan të ngarkuar me rraqet tona,mbas tre ditësh kemi mbërritur në Lozhan të rraskapitur nga lodhja e të uritur ,rrugës kemi ngrënë gjethe hardhije të egër. Punën e kishim shum të rëndë,hapje rrugë, ku gjetëm edhe 80 çamë.Kush nuk realizonte normën tregon Vasili e futnin për ndëshkim në ujin e lumit Devoll deri në brez – mos harroni këta të internuar ishin të moshës 14 ,15 vjeç.Në kampe janë rrahur në mënyrë barbare si Nikolla Bicuni nga Dropulli i sipërm dhe Safet Xoxi nga Paramithija e Çamërisë. Më 12 dhjetor një pjese të internuarëve transferohen nga Lozhani për në Portopalermo.

Portopalermo,dhjetor 1949-50

Mua më nisën për në Portopalermo,thotë V.Kokali në Lozhan më mbetën dy vëllezrit njëri 14,e tjetri 15 vjeç,ndërsa motrën e nënën i dërguan në kampin e Valiasit, familja ishte ndarë në tre kampe e kjo jo pa qëllim.Në orën 5 të darkës na kanë hipur në makinë nën shoqërinë e një shiu të imtë.Të gjitha lëvizjet nga një kamp tek tjetri i bënin gjithmonë nën shi.Më 14 dhjetor në orën 10 të natës arritëm në Portopalermo.Në këtë kala kemi gjetur gra, fëmijë,plaka e pleq të ardhur nga kampi i Tepelenës.Në këtë kamp kishin sjellë për ndëshkim familjet më të nderuara nga krahina e veriut,si të Fiqiri Dines,të Markagjonit,të Mirakajve,Kaloshëve,Të Hysni Demës,të Cen Elezit,Preng Previzit,të Sina Goles,Nush Topallit,Pal Pognit,si dhe shumë beqarë si Shpend Sherfi,Xhevit Matjanin,Bajram Xhafen,Avni Agollin,Hazis Kurjanin,Kujtim Velmishin,Sabri Dergutin,Luigj Markun e të tjerë.Më vonë  erdhën ata që u liruan nga burgu si Fatbardh Kupi,Viktor Dosti,Alush Dizdari,Isuf e Imer Keqi,e shumë nga Devolli që s’më kujtohen emrat.Në këtë  kamp fatëmirësisht  nuk ishte i gjatë qëndrimi se do të kishim vdekur të gjithë.Kapter Ahmeti nga Kuçi i cili më parë kishte qenë gardian i burgut të Gjirokastrës i transferuar me detyrë në Portopalermo,u çudit nga kushtet tepër të këqia duke thënë se Kalasë së Gjirokastrës i ka dalë nami se kjo qenka për të qarë hallin.Këtu të Internuarit u verbuan  nga mungesa e vitaminave,si Ndue Doshi,Mark Doshi,ata ecnin këmba doras Ushqimi ditor ishte 400gramë bukë thekri e një lugë lëng groshe.Në kala rrezja e diellit nuk depërtonte asnjëherë,dritaret ishin shumë të vogla,ambjenti ishte gjithmonë në terr,lagështirë ishte një gejndje tmerri.Për të fjetur si dyshek kishim rrasat e gurit,ujë të kripur e me krimba pinim nga pusi që ishte në hyrje të kalasë.Në kamp buka gatuhej e piqej në kala.Një ditë i them bukëpjekësit :- Ore Ded’, s’të kam parë asnjëherë të pastrosh govatën e gatimit,ai mu përgjigj se unë kurrë s’kisha me mujtë me e pasturue ma mirë se minjtë.

Kampi famëkeq i Tepelenës

Tepelenë (9Prill 1949-14Mars 1954).Kampi ngrihej rrëzë kalasë,buzë lumit Bençe ,në gazermat e ngritura nga ushtria italiane gjatë luftës së dytë botërore.Në kampe ngriheshim në orën 5 për apelin ndërsa në orën 6 do të grumbulloheshim para drejtorisë për të na caktuar punën.Organizimin e punës e bënte  policia e kampit, në përbërjen e saj kishte 15 policë. Një pjesë punonim në baçen e komandës, pjesa tjetër priste e trasportonte dru në kurriz nga mali i Turanit 7 km larg .Ndërsa gratë mblidhnin pleh organik nëpër stanet e maleve të Tepelenës e i transportonin në kurriz me litar,disa punonin me bel ,bënin qelizëm ,të tjerë mbanin driza në kurriz për t’i çuar në kamp për guzhinën ,drizat i merrnin 5 km larg kampit.Për transportin e drizave komanda kishte caktuar  një skuadër me vajza të reja,të cilat shkonin dy herë në ditë.Kapterri që i shoqëronte nuk i lejonte që të pinin ujë.Këto ishin vajza të familjes Kaloshi,Mirakaj,Markagjoni,Demaj,Tuçi nga Mirdita,Gole.Topalli[Suzana Topalli].Nga lodhja,urija,ato vendosën të hidhen të ngarkuara  me dru në lumin Vjosë, njëra prej tyre kundërshtoi,  duke iu thënë se ne nuk bëjmë asgjë vetëm ju shtojmë dhimbjen nënave tona. Shpesheherë kur ktheheshim nga puna ishim të lagur prej shiut, rrobat na thaheshin në trup.Kampi kishte 2000 persona.Racioni i ushqimit ishte 80 gr.oriz për person 50 gr makarona,bollgur,grosh të gjitha me krimba,9 gr.vaj,5 gr kripë e 400 gr.bukë.Në kampe njerëzit hanin çfar të gjenin,si lende derrash gorrica të egra ,mish të ngordhur kur i gjenin gjatë punës..Kampi ishte i mbushur me predha të mbetura nga lufta italo greke ,komanda vinte edhe fëmijët për t’i stivosur.(Vijon)

Abonoho tek gazeta “Dielli”

Dergoje cekun ( i paguhet Vatres)  me $ 60 per abonim vjetor ne SHBA dhe $ 100 ne Europe dhe Australi. Keni deshire te anetaresoheni ne Federaten “Vatra”? Me $100 siguroni anetaresimin dhe gazeten Dielli.

ADRESA

VATRA

2437  SOUTHERN BLVD

BRONX, NY 10458

 

Filed Under: Histori Tagged With: kampet e internimit, ne Shqiperi, Simon Mirakaj, te regjimit komunist

Presidenti Obama ka uruar myslimanët e botës për festën e Bajramit

August 8, 2013 by dgreca

Presidenti Obama uron myslimanët e botës

Në urimin e tij me rastin e Bajramit, Presidenti Obama tha:
“Michelle dhe unë u dërgojmë përshëndetjet më të përzemërta myslimanëve që festojnë Eid al-Fitrin këtu në Shtetet e Bashkuara dhe në botë.
Gjatë muajit të kaluar, myslimanët kanë nderuar besimin e tyre me anë të lutjes dhe të shërbimit, agjërimit dhe kohën me të dashurit e tyre. Në Iftarin e Shtëpisë së Bardhë sivjet, isha krenar që u ndodha me disa prej myslimanëve të shumtë amerikanë të cilët pasurojnë demokracinë dhe forcojnë ekonominë tonë.
Shumë prej nesh kanë pasur mundësi të hanë iftar me miqtë dhe kolegët tanë myslimanë – një traditë që na kujton të jemi mirënjohës për të mirat që gëzojmë dhe për të treguar dhembshuri për njerëzit me pak fat midis nesh, duke përfshirë miliona sirianë që e kaluan Ramazanin të zhvendosur nga shtëpitë, familjet dhe të dashurit e tyre.
Për të ndihmuar sirianët më në nevojë për këtë Fitër-Bajram, Shtetet e Bashkuara janë duke siguruar një shtesë prej 195 milionë dollarë ndihma ushqimore dhe ndihma të tjera humanitare, duke e çuar kontributin tonë humanitar për popullin sirian në mbi 1 miliardë dollarë që nga koha e fillimit të krizës.
Për miliona amerikanë, Bajrami është pjesë e sixhades së madhe të shumë traditave të Amerikës, dhe unë u uroj të gjithë myslimanëve një festë të bekuar dhe të gëzueshme. Eid Mubarak!”

Filed Under: Kronike Tagged With: per bajram, Presidenti Obama, uron myslimanet e Botes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • …
  • 80
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT