• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2013

KUJTOJME VATRANET: PETRAQ KTONA

August 7, 2013 by dgreca

Ne Foto:Petraq Ktona ne zyren e tij. Ai lindi me 1904 dhe nderroi jete me 1980./

Nga Idriz Lamaj/

Petraq Ktona lindi në katundin Dardhë të Korçës, në një familje të mirënjohur atdhetare dhe u rrit në Rumani, në djepin e nacionalizmit të kolonisë së shqiptarëve të Bkureshtit. I ushqyer atje me veprimtarinë kombëtare të mërgimtarëve të vuajtur dhe me veprat letrare e historike të rilindësve tanë, u kthye në vendlindje, në trevën e patriotëve të vjetër e të rinj, dhe filloi veprimtarinë e vet si gazetar dhe përhapës i atdhetarizmës, duke pasur Korçën qendër të punës dhe të veprimit.

            Gjatë viteve   ’30, Ktona shkroi dendur në gazeta të ndryshme të Shqipërisë. Shkrimet e tij kryesisht lidheshin me çështje shqiptare dhe zhvillimet politike të kohës. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, ai angazhohet në Ballin Kombëtar, gjë e natyrshme për një intelektual dhe atdhetar të brumosur me frymën dhe idealet e rilindësve tanë, disa prej të cilëve ai i kishte njohur personalisht. Ai shpesh herë thonte: “Nuk kisha si të rrija pa hyrë në Ballin Kombëtar. Aty ishin Mitat Frashëri dhe Hasan Dosti me shokë, të cilët nuk bënin asnjë lëshim ndaj realizimit të Shqipërisë etnike demokratike”.

            Me ardhjen e komunizmit në pushtet. Petraqi, si shumë të tjerë, i la lamtumirën atdheut, duke lënë pas bashkëshortën dhe fëmijët, të cilët nuk arriti t’i shihte më. Ai fillimisht qëndroi në Itali, më vonë emigroi në Kanada, dhe prej andej erdhi e u vendos këtu në NY. Në mërgim, veprimtarinë e vet politike e zhvilloi në kuadër të Ballit Kombëtar, Grupi i Hasan Dostit, dhe e përfaqësoi atë grup politik në mbledhjë të ndryshme ndërpartiake.

            Petraq Ktona dhe Seladin Velaj krijuan shkollën e parë pas luftës në komunitetin shqiptar të New York-ut, për mësimin e gjuhës shqipe. Në atë shkollë për të cilën bënë sakrifica të shumëllojshme, mësuan shumë fëmijë, të cilët, tani në moshë të pjekur, dijen e shqipes ia detyrojnë Petraqit dhe Seladinit.

            Ktona, duke qenë i vetëdijshëm për rëndësinë dhe rolin që kishin luajtur për çështjen kombëtare kolonitë e dikurshme të emigracionit shqiptar, në mënyrë të veçantë kjo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me “Vatrën” në krye, sapo u vendos në NY, filloi përpjekjet e gjithanshme për krijimin e një ure afrimi midis emigracionit të ri e të vjetër. Emigracioni i ri dhe kolonia e vjetër shqiptaro-amerikane ishin armiqësuar thellë për pikëpamjet e kundërta politike ndaj regjimit komunist në Shqipëri. Nga emigrantët e rinj, Petraqi me pak shokë tregoheshin tolerues ndaj qëndrimit prokomunist të vatranëve të vjetër dhe propagandës që bënte gazeta “Dielli” kundër emigracionit të ri. Toleranca e Petraqit me shokë bazohej mbi të drejtën e pamohueshme historike të kontributit që kishin dhënë për atdheun vatranët e vjetër, me “Vatrën”, Kishën Ortodokse Shqiptare dhe Nolin në krye.

            Petraq Ktona që në rini kishte lidhje të drejtpërdrejtë me “Vatrën” dhe veprimtarinë e saj kombëtare. Po të shfletohet “Dielli” i viteve ’30, në faqen e reklamës shpesh lexohet kjo fjali: “Gazeta ‘Dielli’ shitet në librarinë ‘Vatra’ të Petër Ktonës në Korçë”. Petraqi thonte se ajo nuk ishte librari, por një kioskë e vogël, ku shiteshin gazeta të ndryshme, përfshirë “Diellin”.

            Ktona u cilësua si një ndër flamurtarët e luftës antikomuniste brenda komunitetit shqiptaro-amerikan dhe një prej veprimtarëve më të dalluar të Federatës Vatra. Përveç shkrimeve të shumta që botoi në gazetën “Dielli”, në vitin 1978, ai botoi broshurën: “Misioni i Federatës Vatra dje dhe sot”. Në këtë broshurë, autori bën një përshkrim të shkurtër të historikut të “Vatrës” dhe rolit që ajo luajti për çështjen shqiptare, duke u bërë të gjithë bashkatdhetarëve pa dallim thirrjen: “…që të pyesin ndërgjegjen e tyre, pa u influencuar nga sentimente të veçanta, por vetëm nga sentimentet e patriotizmit dhe të interesit të popullit shqiptar, në qoftë se duhet të lëmë Vatrën të çduket. Atyre që do t’u përgjigjet ndërgjegja me një ‘Jo!’, le të bëjnë detyrën duke ndihmuar Vatrën bujarisht.”

            Petraqi ishte mbrojtës i flaktë i Kosovës dhe mori pjesë në çdo demonstratë të organizuar për çështjen e saj. Shkrimet e tij për Kosovën mund të cilësohen si artikuj që dalin nga zemra e një intelektuali fanatik shqiptar. Në vitin 1979, ribotoi “Poemin Kosovar” të Dhimitër Paskos. Të dhënat e tij për Paskon, botuar në parathënien e poemit, janë me interes të veçantë për ata që merren me biografinë e këtij poeti e shkrimtari të njohur shqiptar. Me Paskon ishte njohur në Bukuresht dhe kishte mbajtur miqësi të ngushtë familjare.

            Për 50 vjet, Petraqi me penën e një gazetari të mprehtë zhvilloi luftë pa kompromis kundër qarqeve shoviniste greke dhe përpjekjeve të tyre për aneksimin e Shqipërisë së Jugut. Ato qarqe të errta greke i kritikoi ashpër me letra të hapura, memorandume dhe shkrime të ndryshme, si në Shqipëri ashtu edhe në mërgim.

            Shtatë muaj para se të mbyllte sytë, ky atdhetar i paepur zbrazi fishekun e fundit kundër grekëve, duke treguar edhe një herë se ortodoksizmi shqiptar ishte avangarda e luftës për mbrojtjen e kombit dhe të interesave kombëtare ndaj pretendimeve greke në Shqipëri. Ai i dërgoi një letër të hapur Kryesisë së Silogut Vorioepirot në Athinë, ku midis tjerash shkruan:

“Rastësisht më ra në dorë fletorja e organizatës së juaj, Pirsos Voriu Ipirus  nr. 87, Fruer 1979. Është një numër komemorativ për të përkujtuar 65-vjetorin e autonomisë së Gjirokastrës. Fletorja në fjalë është mbushur fund e krye me fjalime bombastike e gënjeshtra.

“Shqiptarët në përgjithësi bëjnë mirë që nuk humbasin kohën me shkrimet dhe iluzionet tuaja bajate. Unë po përfitoj nga rasti, jo për të bërë polemika, por për t’i rikujtuar popullit dhe gjeneratës së re greke ndihmën që ka dhënë populli shqiptar për indipendencën greke dhe zhvillimin e saj të soçëm. Do të tregoj gjithashtu prova miqësore të popullit shqiptar kundrejt popullit grek.

            “Para se të vij në këto fakte, due të përmend që autonomia e Gjirokastrës me 1914, është një nga faqet më të turpshme dhe më barbare të historisë. Këte nuk dua t’ja ngarkoj historisë së shkëlqyer greke por një bande kriminelësh me G. Zografon dhe Dh. Dhulin në krye…”

            Pasi rendit fakte të ngjeshura historike mbi masakrat greke në Çamëri dhe thekson se populli shqiptar kurrë nuk heq dorë nga Çamëria shqiptare e pushtuar prej grekëve, si dëshmitar sjell edhe këtë paragraf nga kujtimet e tij personale të Luftës së Dytë Botërore:

            “Po ju jap edhe një shembull të fundit që të kuptoni bujarinë, shpirtmadhësinë dhe miqësinë që ka treguar populli shqiptar kundrejt popullit grek.

            “Ka qenë viti  1941-1942, vit i tmerrshëm, kur populli grek pas një lufte heroike, iu përul forcës të dy fuqive të mëdha. Ushtritë okupatore naziste konfiskonin të gjitha landët ushqimore për ushtrinë e vet dhe e lanë popullin të vdeste urije. Çdo mëngjez makinat e bashkisë në Athinë dhe Pire mblidhnin nëpër rrugë kufomat e të vdekurve prej urije. Ka qenë një tragjedi që nuk e meritonte populli grek.

            “Populli shqiptar ka qenë i privilegjuar. Jo vetëm që kishte prodhimin e vet bujqësor, por në atë periudhë, Kosova e pasur në prodhime bujqësore ishte e bashkuar me mëmën Shqipëri.

            “Popullësia greke gjatë kufirit me shtetin politik shqiptar, që nga Konispoli deri në Devoll, e uritur, kalonte kufirin dhe kërkonte ushqim nëpër katundet shqiptare. Popullësia shqiptare pa përjashtim, myslimanë dhe të krishterë, u hapi dyert dhe ndau ushqimin e fëmijëve të vet me fëmijtë grekë. Ishte pamje prekëse kur shikoje nëna që tërhiqnin prej  dore fëmijë 10-12 vjeçarë dhe të tjerë më të vegjël të ngarkuar në shpinë; dhe sa kënaqësi kur shikoje këta fëmijë të qeshnin duke kafshuar me njërën dorë copën e bukës dhe në dorën tjetër një copë me djathë. Në një nga këto skena të mëshirës kam qenë vetë dëshmitarë.”

            Në dëshminë e vet pohon se një skenë të tillë të gjallë e kishte pa afër Pogradecit, gjatë një kthimi nga Tirana në Korçë.

            Ai vazhdimisht thonte se luftës për mbrojtjen e Shqipërisë së Jugut kundër pretendimeve hegjemoniste greke do t’ia vënë gjoksin, në radhë të parë shqiptarët e besimit ortodoks, sepse në emër të besimit të tyre fetar bëhen të gjitha spekulimet greke.

            Për Petraq Ktonën, ruaj shumë kujtime të viteve ’60 dhe ’70. Ai vinte shpesh në zyrën tonë. Ishte përkrahës i vendosur i Komitetit Shqipëria e Lirë dhe anëtar i përfaqësisë së  Komitetit pranë Asamblesë së Kombeve Evropiane të Robëruara. Në zyrë vinte gjithmonë i buzëqeshur dhe bënte shaka të zgjedhura me Vasil Gërmenjin, mikun e tij të ngushtë. Kishte respekt të veçantë për prof. Nexhat Pëshkëpinë dhe dr. Rexhep Krasniqin. Herë pas here më ndihmonte në mbledhjen dhe daktilografimin e lëndës për gazetën “Shqiptari i Lirë”. Ai kujtonte me sytë e mbushur me lotë të shoqen Etferipi dhe fëmijët e tij, për të cilët digjej nga malli.

 

Filed Under: Histori, Komunitet Tagged With: Idriz Lamaj, kujtojme vatranet, Petraq Ktona

“Lidhja Kosovare” në SHBA pas demonstratave të vitit 1981

August 7, 2013 by dgreca

Nga Qerim LITA/

Demonstratat shqiptare të vitit 1981 në Kosovë, nxorën në pah të gjitha të pavërtetat që i plasonte diplomacia e Federatës së atëhershme jugosllave në botën demokratike perëndimore, për “arritjet e shumta” politike, kombëtare, ekonomike, kulturore, arsimore, sociale etj., të shqiptarëve në atë federatë. Rol të rëndësishëm në zbardhjen e këtij realiteti, gjithsesi se pati emigracioni politik shqiptar, përkatësisht, organizatat dhe partitë politike që vepronin në atë kohë në shtetet e Evropës Perëndimore dhe në SHBA. Përfaqësitë diplomatike jugosllave, menjëherë pas demonstratave të vitit 1981, pandërprerë e informonin Beogradin zyrtar, për aktivitetet e shumta të mërgatës shqiptare, siç ishin tubime, demonstrata, peticione etj., nëpërmjet së cilave, mërgimtarët shqiptarë fuqishëm qëndronin pas kërkesave të drejta të studentëve shqiptarë në Prishtinë. Njëkohësisht, nëpërmjet këtyre manifestimeve, ata shprehnin mllefin e tyre për dhunën dhe terrorin e forcave policore e ushtarake jugosllave ndaj popullsisë civile e të pambrojtur shqiptare në Kosovë, duke kërkuar nga faktori demokratik perëndimor, që të merr masa urgjente për ta ndërprerë atë dhunë të paparë. Gjithnjë duke ju referuar burimeve sekrete të diplomacisë jugosllave, kuptojmë se bartëse e aktiviteteve të tilla në SHBA, ishte Organizata “Lidhja Kosovare” selia e së cilës gjendej në Çikago, e cila nëpërmjet degëve të veta shtrihej edhe në Nju Jork, Detroit, Boston, Toronto, si dhe në shumë qendra tjera të rëndësishme evropiane si: Paris, Bruksel, Kopenhagë, Munih, Romë etj. Në ballë të saj qëndronin atdhetarët dhe veprimtarët e shquar të kauzës shqiptare si: Hafëz Jusuf Azemi, Prof. Luan Gashi, Bardhyl Shatku, Vasil Andoni, Ekrem Bardha etj.
Për të parë se si diplomacia jugosllave e përshkruante aktivitetin e Lidhjes Kosovare gjatë periudhës kohore 1981-1990, nëpërmjet gazetës KOHA, në disa vazhdime do tw publikojmë një numër të konsiderueshëm të dokumenteve të hartuara nga përfaqësitë diplomatike jugosllave në Çikago, Nju Jork, Uashington, Detroit, Toronto etj. Në këtë numër, po i publikojmë pesë njoftimet e Shërbimit për Hulumtim e Dokumentim pranë Sekretariatit për Punë të Jashtme të RSFJ, dërguar shërbimeve përkatëse republikane e krahinore, ku këta të fundit informohen për aktivitetin, përkatësisht “manifestimet anti-jugosllave” të “Lidhjes Kosovare” në SHBA, gjatë periudhës kohore 21 mars- 13 prill 1981. Dokumentet po i paraqesim në tërësi dhe në mënyrë kronologjike:
BEOGRAD, 21 MARS 1981: “Nga punkti në Çikago morëm informatën se në mbledhjen e Lidhjes Kosovare, mbajtur më 21 km në Aurorë në të cilën kanë marrw pjesë: Jusuf Azemi, Azem Aliu, Ismail Kashtanjeva, Olloman Rushiti, Ajet Rushiti, Naci Korati, Ilmi Hasani, Sadri Shariu, Ismail Osmani, Hysen Ismaili, Shefaki Ismaili, Halil Felbehari, Mulla Nimeti, Nafez Jusufi, nuk u bë fjalë për ndonjë ftesë apo pjesëmarrje eventuale në demonstrata të emigracionit nacionalist ustash, të caktuar për 10 prill. Përkundrazi, u shqyrtua mundësia e mbajtjes së demonstratave të veta për pjesën e parë të prillit (Uashington apo Nju Jork) me rastin e burgosjes së studentëve në Prishtinë dhe Prizren lidhur me çrregullimet kohë më parë në Universitet. Motoja bazë e demonstratave është – shkelja e “të drejtave njerëzore” në KASK dhe “ajka” komuniste ndaj inteligjencës së re shqiptare nga ana e policisë brutale jugosllave. Në to siç thuhet do të marrin pjesë degët nga Çikago, Nju Jorku e Uashingtoni. Paralelisht me organizimin e demonstratave, u bë fjalë edhe për zgjedhjen e një delegacioni të Lidhjes Kosovare, i cili me të njëjtin rast do ta vizitonte senatorin Persi, eventualisht kryetarin e SHBA ku do tu dorëzohej peticioni adekuat. Mbledhja mbaroi pa vendime konkrete”.
BEOGRAD, 27 MARS 1981: “Nga punkti në Çikago morëm informatën se në mbledhjen e degës lokale të Lidhjes Kosovare në Detroit, Ekrem Bardhi, kryetar i LK (Lidhjes Kosovare – Q.L.) në Detroit, Jusuf Azemi nga Çikago, gjithashtu është shqyrtuar çështja e demonstratave, ku është theksuar nevoja e sigurimit të mjeteve për udhëtimin e pjesëmarrësve në Uashington përkatësisht Nju Jork. Është marrë konkluzioni që pjesëmarrësit vetë ti mbulojnë shpenzimet e udhëtimit me autobus nga Detroiti e Çikago, ndërsa ndërkohë do të vendosin për terminin më të përshtatshëm. Ka mbisunduar mendimi se e shtuna dhe e diela nuk janë ditët më të “mira” për shkak se gjatë këtyre ditëve  nuk punon administrata, ndërsa pjesëmarrësit në ditë pune, nëse dëshirojnë të udhëtojnë për Uashington janë të detyruar të marrin ditë pa pagesë. Në fund është vendosur që për këtë çështje të bisedohet përsëri në mbledhjen e degës, i cili do të duhej të mbahet në afat prej dhjetë ditësh. Përndryshe Vasili (Andoni-Q.L) ngelë në SHBA edhe për 4 deri 5 muajsh me qëllim të vizitave degëve të LK.”
BEOGRAD, 6 PRILL 1981: “Punkti i SHHD pranë Sekretariatit Federativ për Punë të Jashtme nga Çikago, njofton se Jusuf Azemi dhe Ajet Rushiti në shoqërim me Luan Gashin nga Nju Jorku më 29 muajin e kaluar (mars 1981 –Q.L.) kanë udhëtuar për Uashington. Qëllimi i udhëtimit ka qenë të vendosen kontaktet me ndonjë përfaqësues të administratës si edhe të shqyrtohet mundësia për mbajtjen e ndonjë demonstrata më të zgjeruar në të cilën do të merrnin pjesë emigrantët nga më shumë qytete të SHBA. Lidhur me këtë “Lidhja Kosovare” ka caktuar mbledhje me 5 prill k.v. në të cilën do të informoheshin për rezultatet e vizitës në Uashington dhe marrjen e qëndrimit përfundimtar për demonstratat”.
BEOGRAD, 8 PRILL 1981:  “Punkti ynë në Çikago njofton si vijon:
1. Në mbledhjen e degës së atjeshme të Lidhjes Kosovare, i cili është mbajtur më 5 prill (1981-Q.L.) nën udhëheqjen e Jusuf Azemit, është vendos që me 20 prill të organizohen demonstrata në Çikago, në shenjë përkrahje të elementeve irredentiste në KAS të Kosovës. Demonstratat do të mbahen para konsullatës së Përgjithshme në kohën prej orës 11 deri 12. Është vendosë që demonstratat të kenë karakter paqësor, pa dhunë, fyerje etj. Për këtë qëllim është zgjedhur ekipi prej dhjetë vetë i cili ka për qëllim që në vendtakim (Aurora) të bëj kontrollimin e secilit demonstrues dhe nëse gjen armë (revolver, thikë etj.) të njëjtën ta merr dhe ta ruaj në selinë e Lidhjes Kosovare, derisa të kthehen nga demonstratat. Janë paraparë parulla të cilat kërkojnë mbrojtjen e të “drejtave njerëzore të shqiptarëve” dhe përmbajnë insistime për lirimin nga burgu të “shqiptarëve liridashës” dhe njëkohësisht e dënojnë “tiraninë komuniste” nga dora e të cilëve kanë ra “njerëz të pafajshëm”. Leja për demonstrata është lëshuar më 6 prill. Udhëheqja e Lidhjes Kosovare, ka lëshuar urdhëresë deri te anëtarësia e saj, që të dalin në demonstrata, përkatësisht që “nuk guxon të ketë asnjë shqiptar i vërtetë” i cili mund të gjejë ndonjë arsye për abstenim. Përndryshe, udhëheqja maksimalisht është mobilizuar që demonstratat të jenë të  suksesshme, për çka është planifikuar pjesëmarrja edhe e grave dhe fëmijëve.
2. Për demonstratat e grupimit të emigracionit nacionalist shqiptar, të cilat janë caktuar për 13 prill në Uashington, në mbledhjet e degëve lokale në Çikago e Detroit të datës 5 prill, është vendosur të organizojnë transport të veçantë (autobus) duke i shfrytëzuar edhe linjat e rregullta dhe veturat e veta, me qëllim të arritjes së suksesit të plotë. Kryhet presion ndaj anëtarësisë së Lidhjes Kosovare dhe ndaj mbarë pjesëtarëve të nacionalitetit shqiptar, pa marr parasysh ngjyrat ideologjike, që pjesëmarrja në Uashington të jetë sa ma masive, për çka është evidente përdorimi i mjeteve arrogante. Nga Çikago planifikohet shkuarja e rreth 200 pjesëmarrësve, ndërsa nga Detroiti rreth 150.
3. Në mbledhjen e sipërpërmendur në Çikago, është grumbulluar shuma prej 11.000 dollar për financimin e shpenzimeve rreth dërgimit të telegrameve protestuese, peticioneve etj., mbarë shefave të shteteve dhe qeverive të vendeve perëndimore për shkak sjelljes “brutale” ndaj kombit shqiptar në “Jugosllavinë komuniste”. Këto letra duhet të dërgohen nga qendrat evropiane (Bruksel, Romë etj.).
4. Vasili (Andoni – Q.L.) ende qëndron në Detroit, nga ku organizon pjesëmarrjen në demonstratat e 13 dhe 20 prillit. Atij i është dhuruar shuma prej 11.000 dollarë që duhet ti dërgoj në Evropë. Do të ngel në SHBA deri në mbarim të demonstratave, e më pas do të kthehet në Romë.”
BEOGRAD, 16 PRILL 1981: “Më 13 prill 1981 në Uashington me fillim në ora 11,30 sipas kohës amerikane nën organizimin e të gjitha organizatave e grupeve të emigracionit në SHBA, u mbajtën demonstrata anti-jugosllave në të cilat morën pjesë rreth 1.400 demonstrues. Në këto demonstrata morën pjesë demonstrues – emigrant që jetojnë në Çikago, Nju Jork, Detroit, Millvoki, Kenopa dhe nga vende tjera, ndërsa nga Evropa morën pjesë vetëm Vasil Antoni me disa bashkëpunëtor, me të cilët erdhi nga Italia. Fillimi i demonstratave, në ballë të të cilave ishin disa hoxhallarë, ishte nga parku i madh para Shtëpisë së Bardhë, ndërsa kolona lëvizte në drejtim të Shtëpisë së Bardhë, kah pallati i Kongresit, dhe nga aty kah ambasada jugosllave ku policia kryente sigurim të mirë dhe nuk lejoi që demonstruesit të afrohen deri te ajo. Këtu, më shumë se 15 demonstrues mbajtën fjalim ku në mënyrë të hapur e të ashpër e sulmuan vendin tonë (Jugosllavinë – Q.L.). Është me interes të vihet në dukje se drejtuesit e demonstratave nuk folën, ndërsa nxitën emigrant më të ri të jenë më ekstrem dhe ta shijojnë rolin e barabartë me udhëheqjen. Demonstruesit nga aty u kthyen para pallatit të kongresit ku hynë brenda Jusuf Azemi dhe Ekrem Bardhi (profesor i pensionuar nga Detroiti) ku i pranoi senatori Persi dhe u premtoi se pushteti amerikan sa i përket demonstratave në Kosovë do të intervenojnë deri te qeveria jugosllave. Demonstruesit mbanin pankarte dhe brohoritnin parulla me përmbajtje armiqësore në gjuhën shqipe dhe kroate, edhe atë: “Poshtë Jugosllavia!”, “Poshtë komunizmi!”, “Poshtë kriminelët jugosllav!”, “Rroftë kombi shqiptar”, “Rroftë kombi kroat” etj.
Nga territori ynë (Maqedonisë –Q.L.) si pjesëmarrës të demonstratave i identifikova personat si vijon: vëllezërit Servet e Sami Xhaferi, Jusuf Azemi, me bashkëshorten e fëmijët, Daut Azemi (vëllai i Jusufit), Llokman Lutfiu me tërë familjen, Aliriza …, nga fshati Dobrosht, Alil Zylbeari me tërë familjen, Bardhyl Shatku nga Gostivari me tërë familjen, Alirami Dauti me bashkëshorten, Haki Idrizi nga fshati Sedllarcë e Epërme, Shukri Memeti nga Tetova emigrant në Toronto, Sinan Abdiu, nga fshati Reçicë e Madhe me bashkëshorten, emigrant në Çikago, Remzie …. nga fshati Odër me djalin.  Shumica e demonstruesve ishin nga rrethi i Kërçovës, ndërsa Ajet Rushiti, i cili është organizator sa i përket pjesëmarrjes masive të emigrantëve nga Kërçova, ka agjituar duke u kërcënuar për pjesëmarrje të domosdoshme në demonstrata. Për 20 prill 1981 në ora 10,00 janë caktuar demonstratat para konsullatës tonë (jugosllav –Q.L.)”. (Në numrin e ardhshëm shpalosim disa burime diplomatike jugosllave që flasin për aktivitetin e Lidhjes Kosovare, korrik-tetor 1981)

*(Ky cikel shkrimesh botohet me kerkesen e Jusuf Azemit ne Chikago.)

Filed Under: Histori Tagged With: Lidhja kosovare, ne SHBA, Qerim Lita

Enigma e Hymnit të Federatës “VATRA”

August 7, 2013 by dgreca

Nga Dalip Greca/

Federata Panshqiptare e Amerikës ka Hymnin e saj, që në vitet ’20 të shekullit të shkuar. Por saktësisht; kur dhe në ç’rrethana u krijua ky Hymn, nuk gjejmë të dhëna të plota. Në dy historitë e Vatrës, të botuara deri tani, mungojnë këto të dhëna. Nuk ruhet as ndonjë interpretim i incizuari këtij Hymni, edhe pse kompozitori i tij, ka vdekur relativisht vonë, në vitin ’76 të shekullit të shkuar dhe ai i ka pasur mundësitë e ruajtjes së incizimit. Vetë Kompozitori gjatë të gjithë jetës u mor me muzikë dhe tregëtimin e pllakave muzikore, kishte dhe kompaninë e tij të prodhimit dhe tregëtimit të incizimeve muzikore; ai nuk na ka lënë ndonjë shënim se ne cfare rrethanash e kompozoi Hymnin dhe kur e kompozoi atë. Ne kohethemelimin e Vatres kompozitori ndodhej ne Rumani. Duhet të jetë një bashkëpunim i viteve ’20 i kompozitorit me autorin e vargjeve, i cili ka jetuar ne SHBA deri aty nga viti 1931. Dimë vetëm faktin se kompozitori iu bashkua Bandës së Vatrës, kur ajo shkoi në Shqipëri pikërisht në vitin 1920.

Është i njohur fakti qe Banda e Vatrës, në vitin 1920, shkoi në Shqipëri dhe i shërbeu shtetit shqiptar, madje shoqëroi dhe Komisionin Ndërkombëtar të Kufijëve në fillimin e mbërritjes së tij në Shqipëri. Bashkë me Bandën e Vatrës shkuan në Shqipëri edhe djemtë e shqiptaro-Amerikanëve për të mbrojtë Atdheun.Trupat mbrojtëse ishin stërvitur në SHBA.Fillimisht Vatra kishte marrë me qera një sallë të madhe në Boston dhe atje mblidheshin vullnetarë nga qytete dhe katunde të ndryshme të Neë Englandit për t’u stërvitur ushtarakisht. Komandanti i trupave vullnetare ishte Aqif Përmeti, i cili shkoi në Shqipëri së bashku me vullnetarët në kohën e Luftës së Vlorës. Sipas Petro Ktonës, ishin 200 vullnetarë që u nisën drejt Shqipërisë. (P. Ktona ”Misioni i Federatës Pan Shqiptare të Amerikës VATRA dje dhe sot”, New York 1978).Aqif Përmeti nuk u kthye më në SHBA, ai hyri në shërbim të ushtrisë shqiptare si oficer i larte dhe i shërbeu Kombit.U gradua gjeneral dhe më 1945 u egzekutua nga Qeveria Komuniste e Tiranës.

Autori i tekstit te Hymnit ishte prefekti i parë i Vlorës

Le të kthehemi tek Hymni; per t’iu pergjigjur pyetjes se cilët janë autorët e tij, duke shpresuar se së shpejti do të saktësojmë edhe kohën kur u kompozua e kur u egzekutua për të parën herë ai.Teksti i Hymnit të Vatrës është shkruar nga Refo Çapari, një figurë e njohur për kohën.

Historiani i njohur çam Ibrahim D Hoxha dëshmon se Refo Çapari vinte nga familja shumë e njohur Çapari e Çamërisë.Tashmë,që nga viti 2006 kemi një monografi që i kushtohet familjes dhe fisit Çapari, një nga katër dyert më të mëdha e më të rëndësishme në Çamëri. Gjatë 150 vjetëve të vazhdimësisë së saj të pandërprerë, kjo familje lëshoi mjaft rrënjë, duke krijuar kështu një pemë madhështore shumëdegëshe. Prej saj dolën plot prijës luftarakë, politikanë, diplomatë dhe burra të tjerë të zotë, ku ndër brezat e fundit u dallua Refo Çapari, i cili u shqua në përdorimin e penës.(IH)

Sjellim këto të dhëna informuse për autorin e vargjeve të Hymnit të Vatrës, Refo Çaparin (1884-1944); ishte një politikan i njohur shqiptar për kohën dhe njëkohësisht udhëheqës po aq i njohur fetar. Çapari kishte krijuar personalitetin e tij duke shërbyer si i pari prefekt i Qarkut të Vlorës dhe biograf i parë i Ismail Qemalit. Ai konsiderohet të jetë i pari përfaqësues i Besimit Bahá’í në Shqipëri.
Refo Çapari ka lindur në veriperëndim të Greqisë, Çamëri. Në fund të viteve 1900 Çapari ishte diplomuar nga shkolla e ligjit të Stambollit. Pas Deklaratës së Pavarësisë shqiptare me 28 Nënëtor 1912, Çapari u bë i pari prefekt i Qarkut Vlorë. Gjatë Luftës së Parë Botërore ai kishte emigruar në SHBA, ku ishte konvertuar në Besimin Bahá’í, ç’ka sipas arkivit Bahá’í, i takon vitit 1928. Mësojmë po ashtu se në vitin 1931 ai u kthye në Korçë, ku ka përkthyer tekstet Bahá’í në gjuhën shqipe. Në 1938 Çapari filloi botimin në Korçë dhe Tiranë të revistës Bahá’í “Pendë supreme” (shqip: pena siprore).
Përkthimi i parë i publikuar i letërsisë Bahá’í në gjuhën shqipe “Fjalët e Fshehura”,është përkthyer nga Refo Çapari (Arkivi i Qendrës Botërore Bahá’í).
Në një letër të dat 19 gusht 1933, Refo Çapari shpall botimin në shqip të librit të Esslemont “Bahá’u’lláh-u dhe një epokë të re”. Refo ishte martuar me Fiqrije Çapari, nënë e dy vajzave, e cila u gjet ne Prizren shumë vite pas vdekjes së Refos.

Mendohet se Çapari ka ardhur në SHBA në vitet 1914-15 dhe është kthyer më 1931, ndërkohë që kompozitori i Hymnit, pasi kishte shkuar në Shqipëri me Bandën e Vatrës kishte ardhur në SHBA më 1926.Se kur dhe nëç’rrethana lindi bashkëpunimi për Hymnin e Vatrës ende nuk mund ta themi me saktësi, veçse njihet bashkëpunimi i tij me Vatrën.Nëse Hymni i Vatrës është egzekutuar për të parën herë pas kthimit të kompozitorit Asllani nga Shqipëria në SHBA, do të jetë më lehtë që të përcaktohet koha e bashkëpunimit.

Kompozitori , muzikant i shquar nga Leskoviku, i diplomuar në Stamboll dhe Bukuresht

Kompozitori i Hymnit është një muzikant që kanë lënë gjurmë pas, jo vetëm në pentagramin ku janë vendosur notat, që kanë muzikuar Hymnin e Vatrës, por diçka më shumë. Kompozitori që muzikoi vargjet e Hymnit të Vatrës quhej Ajdin Asllan.Në shënimet e lëna në një album festiv, në ato që Vatra botonte me urime dhe me fotografi të vatranëve dhe në tërësi të shqiptarëve të Amerikës,gjejmë gjurmët e jetshkrimit të tij. Pikërisht në Albumin festiv të vitit 1953-54, kompozitori i Hymnit ka lënë disa shënime biografike që hedhin dritë në jetën e tij. Përmes atyre shënimeve informohemi se Ajdin Asllan, kishte lindur në rrethinat e Leskovikut me 12 mars 1895. Studimet i pat kryer në shkollën turke dhe greke të vendlindjes, pasi shkollë shqipe nuk kishte përreth. Mësimet shqip dhe ndjenjat atdhetare, siç shprehet në shënimet e veta biografike, Ajdini i mori prej prindërve, të cilët i përcollën ndjenjat kombëtare dhe dashurinë për gjuhën shqipe.Ndërkohë që mësimet e gjuhës shqipe ai i mori privatisht prej patriotit Stefan K. Postenani, që ishte nga Postenani, Katundi i krahinës së Leskovikut(shënim i tij).

Pas luftës Ballkanike, Ajdin Asllani dhe familja e tij u gjendën në një kolonë të gjatë refugjatësh, që u detyruan të linin trojet dhe vatrat e të parëve pas sulmeve të grekëve, që dogjën dhe shkatërruan fshatra të tërë.Familja u vendos në Stamboll të Turqisë. Prindërit pasi u sistemuan në Stamboll, vendosën që ta shkollonin të birin.Dëshira e tij ishte muzika, prandaj prindërit e regjistruan në shkollën e muzikës, e cila i jepte përveç njohurive teorike edhe mundësi praktikimi.Djali kishte talent dhe prindërit e mbështetën. Më 1915 Ajdini, që tashmë ishte 20 vjeçar e la Turqinë dhe shkoi në Bukuresht të Rumanisë, ku emigracioni shqiptar ishte i më i madh në numër, tepër i organizuar dhe vendimtar për formësimin e çështjes kombëtare së bashku me komunitetin shqiptar në Turqi dhe Egjypt. Ajdini edhe në Bukuresht vijoi studimet për muzikë. Në shënimete veta ai shkruan se në Bukuresht “punoja në varjete për të nxjerrë harxhet dhe për të plotësuar praktikën për të cilën kisha aq shumë nevojë.”

Nga Rumania, instrumentist në Bandën”Vatra” në Shqipëri

Në Bukuresht Ajdinit i dhanë kurajo dhe e ndihmuan shumë shqiptarët, por ai veçon ndihmën që i dhanë “Vëllazëria korcare”, Peço Korça dhe Themistokli Bozhani.Tashmë ai ishte plotësuar me njohuri muzikore dhe fryma kombëtare ishte bërë pjesë e shpirtit dhe ndërgjegjes së tij.

Ndërkohë emri i Federatës Panshqiptare të Amerikës kishte pushtuar zemrat e djalërisë shqiptare.Ajdini dëgjon se Banda Kombëtare që kishte krijuar Vatra në SHBA së bashku me vullnetarët e stërvitur në Amerikë, po shkonin në Shqipëri.Edhe atij i rrahu zemra nga krenaria dhe devocioni kombëtar. Mori rrugën dhe shkoi në Shqipëri dhe iu bashkëngjit bandës. Këtë moment, vetë Ajdini e përshkruan kështu:” Më 1920, kur Banda “Vatra” shkoi në Shqipëri bashkë me vullnetarët, me zjarrësinë që kisha për kombësinë t’onë dhe për vendlindjen time vajta në Shqipëri, ku pa humbur kohë mora pjesë në Bandën Vatra, që në atë kohë u emrua Banda Presidenciale.”

Ajdin Asllani qëndroi në radhët e Bandës së Vatrës deri në vitin 1926, moment kur merr rugën e gjatë për këndej Atlantikut.Pra u vendos në Amerikë.Nuk hoqi dorë nga pasioni i tij, muzika, ajo përbënte profesionin e tij. Përë gjatë të gjithë kohës e ushtroi profesionine muzikantit duke u bërë pjesë e orkestrave të ndryshme ose duke i drejtuar ato. Pa kaluar shumë vite ai krijoi orkestrën e vet.Madje për më shumë se 25 vjet ai arriti që të ketë kompaninë e vet, me të cilën prodhonte dhe tregtonte pllaka muzikore. Kompaninë e tij e kishte pagëzuar me emrin”Balkan Phonograph Record Co.”, ku prodhonte pllaka në gjuhën shqipe dhe gjuhët e tjera të Ballkanit.

Në shënimet e shkurtra biografike, ai ndjehet krenar që është shqiptar dhe e thekson me dorën e shkrimin e tij se: ”Jam danga nga Postenani i Leskovikut”. Kypohim ka shumë rëndësi pasi janë bërë përpjekje që krijimtarinë e tij t’ia atribojnë tjetërkujt kombesie, vecanerisht asaj greke.

Trashëgimia në SHBA: Rekorde Shqiptare, regjisor “Leskoviku”

Gjenden CD që vërtetojnë autorsinë e Ajdin Asllanit me pseudonimin ”Leskoviku” .Në to shkruhet:”Muzikë shqiptare-Regjisor Ajdin Asllan-Leskoviku”. Ka shumë mundësi që ai përdorte pseudonimin muzikor”Leskoviku”. Gjate kerkimeve të mia kam gjetur dhe kam shijuar krijime të tij si “Valle me Klarinetë dhe llautë “si dhe “Valle devollitçe me gërnetë”.Sipas shënimeve shoqëruse në klarinetë luan vetë instrumentisti virtuozë, që lunate në disa instrumente, Ajdin Asllan.

Kompozitori i Hymnit të Vatrës kishte lindur me 1895 dhe ndërroi jetë në SHBA më 1976. Ai ishte një multi instrumentist që kishtë lënë gjurmë në jetën muzikore të emigrantëve nga shumë vende të Ballkanit.Është e vërtetuar se ai ishte mjeshtër në shumë instrumente si: Klarinetë, Oud, llautë, lauto, ishte njëkohësisht instruktor dhe pronar i pavarur. Orekstra e tij ishte pjesë e skenave të klubeve të natës dhe ishte shumë i kërkuar nga komunitetet shqiptare, turke, greke, madje dhe armene në Avenunë e 8-tënë Neë York City nga mesi i shekullit 20-të deri në vitet ’60.

Ka të dhëna se Ajdin Asllan në vitet ’30 dhe ’40 të shekullit të shkuar ka bërë disa incizime që i dhanë famë. Dikur, ai ka pasë dhe një dyqan të njohur, që tregtonte pllaka me muzikë ballkanike. Dyqani ishte në 42 Rivington në anën e ulët dhe me pas, përfundimisht u vendos në 27 street, mes avenusë 7 dhe 8. Prodhimet e tij shënoheshin me inicialet me etiketën “Me-Re-Rekorde Shqiptare.”

Le të kthehemi tek Hymni i Vatrës. Vargjet shprehin shpresën se lindja e Vatrës do të shkallmojë errësirën dhe skllavërinë, do të sjell një diell plot shkëlqim. Hymni bën thirrje për bashkim rreth Vatrës.

Ja vargjet e plota:

HYMNI I VATRËS

Vëllezër u dërmua

Errësir’ e Skllavërisë.

Lindi me dirsë nderi,

Një djellë plot gëzim

Vatra kështjell’ e dashur,

E mëmë Shqipërisë

Me dashuri na mblodhi,

Rreth Shkabës në mërgim.

Për dashuri dhe për bashkim,

Rreth Vatrës të pa ndarë!

Bashkohuni me një mejtim,

Si burra shqiptarë!

(Autor:Dalip Greca- Arkivi i Diellit, 2011)

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: dalip greca, enigma e Hymnit, te Federates Vatra

Presidenti dekreton 9 Shtatorin per hapjen e Kuvendit te ri

August 7, 2013 by dgreca

Presidenti i vendit, Bujar Nishani ka dekretuar sot mbledhjen e legjislatures se re te Kuvendit te  Shqiperise.Kuvendi i ri, dale nga votat e 23 qershorit do te mblidhet ne daten 9 shtator ne oren 18.00. “Në mbështetje të nenit 67, pika 1 dhe nenit 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dekretoi mbledhjen e Legjislaturës së XIX të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ditën e hënë, datë 9 shtator 2013, ora 18:00“- shkruhet ne dekretin e kreut te shtetit.

JA DEKRETI PER KUVENDIN E RI

Në mbështetje të nenit 67, pika 1 dhe nenit 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dekretoi mbledhjen e Legjislaturës së XIX të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ditën e hënë, datë 9 shtator 2013, ora 18:00.

* * *

D E K R E T

PËR

MBLEDHJEN E KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Në mbështetje të nenit 67, pika 1 dhe nenit 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë,

D e k r e t o j

Neni 1

Legjislatura e XIX e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, mblidhet ditën e hënë, datë 9 shtator 2013, ora 18.00.

Neni 2

Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.

Nr. Dekretit   8288
Tiranë, më 7 gusht 2013

PRESIDENTI I REPUBLIKËS
                                      
BUJAR NISHANI

 

Filed Under: Kronike Tagged With: dekreti, per Kuvendin, presidenti Nishani

Wall Street Journal: Stili paranoik i politikave turke

August 7, 2013 by dgreca

Kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan, ka vënë në dukje anën e tij represive në muajin qershor, kur ka cilësuar si “provokues dhe terroristë” protestuesit paqësorë në Sheshin Taksim të Stambollit dhe ka kthyer topat e ujit dhe plumbat e gomës kundër tyre.
Qeveria e Erdoganit është duke thelluar anën e saj paranoike, duke dënuar dhjetëra kundërshtarë me burgime të gjata, për konspiracion të dyshuar.
Me këtë hyrje nis një shkrim në gazetën Wall Street Journal.
Sipas saj, emri i konspiracionit është Ergenekon, vendlindja mitike e turqve dhe emri i supozuar i një organizate ultranacionaliste, e prirë për destabilizimin e vendit dhe përmbysjen e Qeverisë islamike të Erdoganit. Provat për ekzistencën e Ergenekonit janë të pakëta, por Erdogan ka fajësuar atë për gati çdo sulm terrorist të kryer në tokën turke, në vitet e fundit.
Gazeta shkruan se qeveria ka burgosur qindra njerëz për të cilët pretendon se janë pjesë e komplotit; shumica nga ta zyrtarë të lartë ushtarakë, por edhe gazetarë, avokatë dhe anëtarë të parlamentit. Të hënën, gjykata ka shqiptuar më shumë se 250 dënime, nisur nga pesë vjet heqje lirie deri në burgim të përjetshëm. Në mesin e atyre që kanë marrë maksimumin ka qenë Ilker Basbug, ish-shef i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë turke, dhe Dogu Perincek, kryetar i Partisë së Punëtorëve.
Mbështetësit e Erdoganit thonë se, sado imagjinar mund të duket Ergenekoni, ushtria turke ka organizuar tre grusht-shtete, të fundit më 1997, kur ka përmbysur qeverinë islamiste të Necmettin Erbakanit. Dhe, nuk ka dyshim se mandati i vjetër politik është përbërë nga gjykatës të lartë, zyrtarë ushtarakë dhe burokratë, të cilët kanë qenë laikë në orientimin e tyre, por shpesh autokratikë.
Kjo është një arsye përse ngritja e Erdoganit në pushtet ka rritur shpresat se Turqia mund të bëhet një demokraci më e pjekur dhe më përfaqësuese. Por, në vend të kësaj, kryeministri ka shfrytëzuar dekadën e tij në zyrë për të zëvendësuar një shtet të thellë me një tjetër, shkruan gazeta. Qindra verdiktet mund të jenë projektuar për të krijuar përshtypjen e një konspiracioni të madh, por gjykimi masiv është një mënyrë e varfër për t’iu dhënë të pandehurve individualë të drejtën ligjore.
Justifikimi i tillë nuk do t’iu shërbejë interesave afatgjatë të Erdoganit dhe partisë së tij politike. Deri në kohët e fundit, shumë turq laikë kanë mbështetur Erdoganin, sepse ai ka mbajtur prosperitetin ekonomik, duke reduktuar ndikimin politik të ushtrisë. Por, qasja  e tij brutale ndaj protestuesve në Taksim  dhe tani këto aktgjykime kanë bërë që shumë mbështetës të Erdoganit të kthehen kundër tij. Gjëja e fundit që duan turqit është Vladimir Putini i tyre,  thuhet në artikull.
Për vite të tëra, Turqia ka qenë model i një vendi mysliman që ka mundur të ndajë xhaminë nga shteti. Me aktgjykimet e së hënës, ajo duket më e afërt me Lindjen e Mesme: një shtet ku fati i qytetarëve varet nga tekat e të fuqishmit, shkruan Wall Street Journal.

Filed Under: Komente Tagged With: i politikave turke, Stili paranoik, Wall Street Journal

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 62
  • 63
  • 64
  • 65
  • 66
  • …
  • 80
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT