• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2013

HARTA E MALLIT

September 15, 2013 by dgreca

Prozë poetike nga VJOLLCA PASKU/

Jetoj në faqen tjetër të diellit djegës…Brigjet e detit , malet, qytetin tim i shoh përtej kapakëve të mbyllur të syve të mi .Dridhma ime vibron në mallin e zemrës.Bebezat e syve lëvizin si varkë diellore,të kërkojnë folenë atërore.Frymarrja ime urdhëron erën!

– Erë moj,sillmë një degë ajri nga Atdheu im,  fletëz të shtrihet në pëllëmbën time ta mbështjellë me mall,  dredhur si cigare, e ta ndez menjë yll. Antenat e tymit, t’më fluturojnë largë…largë në qiellin e heshtur të vendit tim.

Oh…Vetëm para teje gjunjëzohem Atdheu im.

Lotët e mi, bien në thithkat e zhuritura të tokës .Buzët i njom me puthjen e baltës së ëmbël.Ndiej kundërmimin e bukës së varfër, pjekur në saçin e prushit të vuajtjeve të ashklave të ditëve të kaluara.Pragu i vjetër më buzëqesh me kolovitjen e kores së dalë boje prej viteve.Muret e shtëpisë, ndrijnë nga shpresa se do lirohen nga myku, parazit i ajrit të burgosur. Nga dritarja hyjnë  copëza kaltërsie, shkëputur nga fizarmonika e qiellit.Vesa e ngrirë nëpër lulet e fshehura, shkrihet nga rrezja e gëzimit, dhe në kopësht lind hyjnesha pranver.Lotët e ullirit që kishte mbjellë babai derdhin vajin buburues nga shtrydhja e psherëtimave nëpër kanistrat e pritjes.Pas ngashërimit të përbaltur, pusi rjedhë gjithë gaz, kristalinën e retinës së tokës.Pëllumbat mbi çati gugasin niseshtenë e dritës dhe krahët e tyre gëzueshëm vizatojnë vetullat e bardha ditës.

Vetëm orët e tanishme po më mërdhijnë..Harta e yjeve digjet dhe tymi i agimit  hapet në qiellin bosh..Kundërmimi i plagës së mallit ngjitet në re, dhe sytë e mi kërkojnë një copëz nga plaçenta e diellit tim.Shpirti im shtegëtar kalëron me flokët e erës udhëtare në yllin e mëngjesit. Perlat e shpresës lundrojnë si elementet e kuq  në dejet e mia, në drejtimin e Atdheut tim.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Harta e Mallit, proze poetike, Vjollca Pasku

Kosovari nga Gjilani bëhet anëtar i shoqatës elitare botërore “Golden Key”

September 15, 2013 by dgreca

Faton Bislimi pranohet si anëtar i Shoqatës Ndërkombëtare të Nderit “Celësi i Artë” përkrahë anëtarëve tjerë të famshëm si Presidentët Clinton e Reagan dhe Nobelistët Tutu e Wiesel. /

Faton Bislimi, tani më një emër i njohur në botën shqiptare, po thyen shumë barriera që për shumëkë perceptohen si të pakalueshme. Si një nga shqiptarët e pakët të shkolluar në universitetet më prestigjioze të botës, Faton Bislimi jo vetëm që ka magjistruar nga një universitet sic është Harvardi, por tani është duke doktoruar në njërin nga universitetet më të mira të Kanadasë, në Universitetin e Albertës. Mirëpo, ajo që e dallon Fatonin nga shumëkush tjetër, edhe nga kolegët e tij Harvardianë, është fakti se ai me punën e tij, përkushtimin dhe sukseset që ka arritur, është nderuar me shumë cmime e dekorata nga një sër organizatash akademike e profesionale ndërkombëtare.

Në këtë vazhdë, gjatë qëndrimit të tij në Edmonton, Alberta të Kanadasë këto ditë, ai është pranuar në njërën nga shoqëritë me elitare botërore. Në këtë shoqëri / shoqatë, Golden Key International Honor Society (Shoqata Ndërkombëtare e Nderit e Celësit të Artë) me bazë në Atlanta të SHBA-së, pranimi i anëtarëve të rinjë bëhet vetëm pas një nominimi të suksesshëm të bërë nga universitetet përkatëse për studentët e tyre më të dalluar dhe më të dëshmuar. Nominimet meritore rezultojnë në pranimin e anëtarëve të rinjë të kësaj organizate.

Në letrën e nominimit nga Presidentja e Universitetit të Albertës, Prof. Dr. Indira Samarasekera, drejtuar Faton Bislimit, ndër të tjera thuhet “Përgëzime për arritjet tuaja akademike gjatë vitit të shkuar. Në nderim të suksesit tuaj, unë ju ftoj të bëheni pjesë e Golden Key International Honor Society… Janë arritjet tuaja të jashtëzakonshme që ju kanë kualifikuar për të qenë anëtar i Golden Key… Dhe, ky është një nder i vecantë edhe për ne.”

E themeluar më 1977, organizata ka për qëllim bashkëpunimin dhe krjimin e lidhjeve të vecanta në mes të anëtarëve të vet. Mirëpo, e vecanta kryesore e kësaj oraganizate janë emrat e famshëm që janë anëtar të saj, si psh. Presidentët Amerikanë Bill Clinton e Ronald Reagan, apo Nobelistët Desmond Tutu e Ellie Wiesel, e shumë e shumë të tjerë. Por, tani e tutje, këtyre emrave iu është shtuar edhe emri i një shqiptari nga Kosova, emri i Faton Bislimit!

Gjerësa Faton Bislimi vazhdon të cmohet ndërkombëtarisht për vlerat e tija, ai ka vendosur të sfidohet edhe para bashkëqytetarëve të vet në Gjilan në zgjedhjet e 3 nëntorit, ku ai do të garojë si kandidat i përbashkët i nismës qytetare “Koalicioni për Gjilanin”, nismë kjo e mbështetur nga AKR, Lëvizja Qytetare për Gjilanin, Nisma e Ballit Gjilan, si dhe Forumi i Profesionistëve të Rinj.

Filed Under: Kronike Tagged With: anetar i shoqates, Faton Bislimi, Golden Key

TRE MESIME NGA JETA E 90-VJEÇARIT SEJFI PROTOPAPA

September 15, 2013 by dgreca

Nga Prof. Asoc. Dr. Thanas L. Gjika (USA)/

Këto javët e fundit në Gazeta Shqiptare në Tiranë u botuan një varg intervistash të gazetarit F. Veliu me atdhetarin shqiptaro-amerikan Sejfi Protopapa. Duke qenë se e kam njohur prej 17 vjetësh këtu në SHBA si atdhetar dhe bashkëpunëtor të të paharrueshmit Antoni Athanas, si një veprimtar aktiv të autoqefalisë së Kishës Orthodokse Shqiptare, disa muaj më parë ia mblodha disa kujtime për t’i festuar me një grup intelektualësh 90-vjetorin në Worcester MA. Nga kujtimet e z. Protopapa dhe nga intervistat e tij të botuara tani së fundi kam nxjerrë tre mësime shumë të vlefshme për të gjithë ne shqiptarët:

1. Nga e keqja duhet të ndahemi menjëherë dhe përfundimisht.

Sejfi Estref Protopapa u largua prej atdheut në nëntor të vitit 1944 si një nga kuadrot e Ballit Kombëtar, si një nga personat e padëshirueshëm të Partisë Komuniste Shqiptare sepse ai kishte bërë publike Direktivën Sekrete të Enver Hoxhës të datës 10 shtator 1943, ku ky porosiste organizatat e partisë të qarqeve të Shqipërisë që të fillonin luftën kundër organizatës së Ballit Kombëtrar për ta quajtur atë shkaktar të mosbashkimit dhe të vllavrasjes…

Unë me kushërirën time Diturinë, tregon Sejfiu, pasi mbaruam studimet në Itali në qershor të vitit 1943 u kthyem në Berat me dëshirën e madhe që të merrnim pjesë me armë në luftën Antifashiste.

Babai im ishte mplakur, nuk merrej me politikë, qëndronte neutral; kurse xhaxhai, ndonëse nuk ishte anëtar i Ballit Kombëtar, ishte simpatizant i kësaj organizate, sepse ai vleresonte udhëheqësit e Ballit për shkollimin dhe atdhetarinë e njohur të tyre.

Të ndodhur para presionit të të rinjve komunistë, unë dhe Dituria, pranuam të bashkoheshim me ta, për të treguar se nuk ishim profashistë, por atdhetarë antifashistë, që donim të luftonim pushtuesin. Dituria u bashkua me forcat e armatosura dhe doli malit partizane, kurse unë, si çalaman që isha, nuk më dërguan në mal, por më mbajtën në qytet për të punuar si sekretar e shaptilografist në Prefekturë, ku ishin vendosur veprimtarë të PKSH-së. Midis të rinjve me të cilët unë fillova të bashkëpunoja për të shaptilografuar trakte dhe materiale të PKSH-së ishin Kristaq dhe Margarita Tutulani, të cilët i njihja dhe i simpatizoja si njerëz të zgjuar dhe patriotë. Margaritën, e cila ishte dhe mjaft e bukur, e kisha pasur bashkënxënëse në shkollën qytetse. Kristaqi herë më diktonte shkrime të veta, herë trakte të ardhur nga qendra. Bashkëpunimi me ta vazhdoi gati një muaj, mbasi forcat e karabinierisë italiane ( forca të mbretit Viktor Emanueli), në korrik 1943 kryen një aksion spastrimi duke arrestuar e vrarë 30 të rinj antifashistë beratas, shumica komunistë, midis të cilëve Margaritën dhe Kristaqin.

Unë u temba, nuk shkova disa ditë në Prefekturë dhe prisja të më arrestonin. Por pas disa ditësh më njoftuan të shkoja përsëri në Prefekturë. Nuk isha anëtar i PKSH-së, madje as kandidat i saj, punoja thjesht si sekretar, daktilografist dhe shaptilografist për shumfishimin e materialeve që vinin nga qendra.

Aty nga data 12-13 shtator 1943 postjeri, solli dhe la një zarf në zyrën ku isha unë. Me që ai nuk tha se ishte material sekret dhe me që shefi im nuk ndodhej aty, unë, duke menduar se materiali duhej kopjuar e shumëfishuar për ta shpërndarë sa më parë, e hapa zarfin dhe e lexova materialin. Ishte një direktivë sekrete firmosur nga Shpati. Midis të tjerash më kanë mbetur në mendje këto fjalë:

…ne duhet të punojmë në drejtimin që vijon: Ta demaskojmë dhe ta diskreditojmë Ballin në popull, ta paraqisim në popull Ballin si përçarës dhe shkaktar të vllavrasjes. Të bëjmë që populli… të revoltohet dhe kështu gjithë përgjegjësia historike e mosbashkimit të popullit shqiptar dhe e përpjekjes me armë të bjerë përmbi Ballin Kombëtar. ( Këtë fragment e kemi verifikuar me materialin Nga direktiva sekrete e Enver Hoxhës dërguar më 10 shtator 1943 gjithë komiteteve qarkore të PKSH, botuar në veprën Shqipëria në Luftë, autor Muharrem Dezhgiu, Tiranë, GLOBUS R. 2001, f. 334. Shënimi ynë, Th. L. Gj.)

Leximi i këtij materiali më tronditi, vijon z. Protopapa. Deri në atë ditë ekzistonte një atmosferë mirëkuptimi dhe bashkëpunimi midis Partisë Komuniste dhe Ballit Kombëtar, vendimet që u morrën në Mukje më 2 gusht 1943 për luftë të përbashkët për çlirimin e atdheut dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira pas luftës për të vendosur populli me votën e tij regjimin që do të dëshironte; kishin mbushur me shpresa optimiste gjithë popullin, sidomos ne veprimtarët antifashistë. Kurse pa pritur Shpati (Enver Hoxha) po porosiste që të punohej për diskreditimin e Ballit Kombëtar si përçarës dhe shkaktar të vllavrasjes, në një kohë kur një luftë vllavrasëse nuk ekzistonte. Më vetëtiu në kokë se PKSH-ja po synonte që ta krijonte luftën vllavrasëse dhe fajin t’ia hidhte Ballit Kombëtar, për ta mënjanuar si rival pushteti.

I tronditur futa materialin ne zarf dhe me të në xhep shkova në shtëpi. Babai pasi e lexoi më tha: Shko tek Veliu. Ky më tha t’ia shpija Abas Ermenjit, kryetarit të Ballit Kombëtar për qarkun e Beratit. Shkova në Bashki, ku ishin vendosur e punonin veprimtarët e Ballit, ia dorëzovas zarfin z. Ermenji. Ky më falenderoi dhe udhëzoi që të kopjohej dhe të botohej sa më parë në gazetën FLAMURI, organ i Ballit. Pas kësaj unë nuk shkova më në Prefekturë, madje u largova nga Berati, shkova disa ditë në fshatin Protopapë për t’u takuar me kushërinjtë e atjeshëm. Në Protopapë më dërgonte babai gjatë pushimeve verore kur isha nxënës në shkollën qytetse. Mendova të delja malit si ballist, por kushërinjtë e mij atje ishin lidhur me lëvizjen partizane. Pasi u shpjegova atyre shkaqet pse nuk doja të punoja më për Partinë Komuniste, u ktheva në Berat. Mendoja të mos lidhesha me asnjë forcë politike, të shikoja punën time si neutral. Mirëpo një mesditë, kur kisha marrë babain tim në skarë të biçikletës për ta kthyer nga kafeneja në shtëpi për të drekuar, jo larg Prefekturës, më preu rrugën Ceno Vermishi. Më ndali duke vënë dorën në timon e duke shtrënguar një pushkë që mbante në krahun tjetër, më tha me një ton aspak miqësor: „Sejfi pse nuk ke dalë nga Prefektura, ajde, ajde se na duhesh!“

Babai im, duke kuptuar kërcënimin, i tha me inat: „More djalë duke hedhur një pushkë krahut mendon se je bërë burrë dhe mund të na presësh rrugën. Na lër rehat se po shkojmë të hamë drekë, Sejfiun takoje më vonë“.

Unë nuk shkova në Prefekturë, por shkova në Bashki ku takova z. Ermenji dhe i tregova kërcënimin që më bëri Ceno Vermishi. Ai e kuptoi se komunistët donin të më eleminonin fizikisht, si njeriun që kisha bërë publik direktivën sekrete të Enver Hoxhës. Më dha dy trima të armatosur të më mbronin në çdo situatë, vëllain e tij të vogël Zeno Ermenjin dhe një trim nga Moglica e Korçës, Selim Moglicën. Mbas disa ditëve vendosa të largohem nga Berati.

Abaz Ermenji më besoi një çetë të madhe, një batalion, me 150 ballistë të armatosur për të vepruar në zonën e Roskovecit. Qëllimi ynë ishte ruajtja e rendit dhe e qetësisë, nuk organizuam asnjë ndeshje të armatosur kundër partizanëve, por as kundër gjermanëve. Këta ishin vendosur në Kuçovë dhe në Ura Vajgurore. Qëllimi i tyre ishte shfrytëzimi i vajgurit dhe rruajtja e rrugëve. Gjithsej në Shqipëri gjermanët sollën dy divizione me djem fare të rinj dhe me burra të moshuar. Luftime të vërteta kundër tyre nuk zhvilluan as forcat partizane, as ne ballistët…

Nga kjo dëshmi e z. Protopapa dhe nga materialet e botuara këto vitet për Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri, del e qartë se mbas hedhjes poshtë të vendimeve të Mukjes dhe shpalljes së Ballit Kombëtar si organizatë armiqësore prej udhëheqjes së PKSH-së, Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare mori edhe tipare të një lufte civili, vllavrasëse.

Kur formacionet balliste panë se pushka partizane u drejtua kundër tyre, ato u çorjentuan. Pati edhe formacione balliste që ranë në po atë gabim, dhe filluan të kryenin veprime luftarake kundër forcave partizane, madje disa prej tyre bashkepunuan me forcat gjermane. Pra duhet pranuar se Lufta mori tipare të një lufte civile, luftë për të siguruar pushtetin para se të arrihej çlirimi i atdheut, por për këtë dukuri nuk duhet të bëhet fajtor vetëm Balli Kombëtar, si është bërë deri më sot, mbasi shkaktari i parë i saj ka qenë direktiva sekrete e Enver Hoxhës, të cilën e bëri menjëherë publike djaloshi i zgjuar e guximtar, Sejfi Protopapa.

Ky veprim i këtij 20-vjeçari, i cili diti ta vlerësonte si duhej direktivën sekrete të Enver Hoxhës si akt antikombëtar, që nxiste kthimin e Luftës Antifashiste në një luftë vllavrasëse, në një luftë për pushtet, ka brenda mësimin e madh: prej së keqes duhet të ndahemi pa hezitim dhe në mënyrë përfundimtare.

Mirëpo shumica e historianëve tanë, ende edhe sot, nuk e pranojnë faktin se në fund të fundit Balli Kombëtar gaboi mbasi në atë gabim e shtyu pushka partizane, se përgjegjësia për deformimin e luftës mbas shtatorit 1943 së pari bie mbi udhëheqjen e PKSH-së sepse ajo e hodhi e para hapin e gabuar. Fatkeqësish këtë faj të PKSH-së historianët dhe opinionistët prokomunistë e kanë mohuar dhe vijojnë ta mohojnë ende. Ata vijojnë ta quajnë Ballin organizatë tradhëtare, vllavrasëse dhe ballistët dhe nacionalistët e rënë dëshmorë në luftimet kundër forcave italiane fashiste dhe atyre gjermane, nuk kanë pranuar t’i varrosin në Vorrezat e Dëshmorëve.

2. Autorët e veprave të realizmit socialist duhet t’i dënojnë krimet e tyre artistike.

Për publikimin e direktivës sektete, Sejfi Protopapa u anatemua prej Partisë Komuniste Shqiptare, u fut në listat e armiqve të popullit, kurse prej artit të realizmit socialist u kthye në një figurë negative përmes tipit të ballistit me emrin Sali Protopapa krijuar prej shkrimtarit Dritëro Agolli në romanin Komisari Memo, i cili u bë dhe film me titullin I teti në bronx.

Në vitin 1992, gjatë vizitës së parë që bëri z. Sejfi Protopapa në Shqipëri, i shkoi në shtëpi shkrimtarit Dritëro Agolli për të parë nëse ai, pas shkërmoqjes së diktaturës kishte evoluar, në se kishte kuptuar dëmet që i kishte shkaktuar politizimi i skajshëm veprave të tij.

Gjatë bisedës z. Protopapa i tha shkrimtarit se ai si ballist nuk kishte vrarë asnjë shqiptar dhe se nuk kishte bashkëpunuar me pushtuesit gjermanë, se i vetmi „faj“ i tij që nuk mund t’ia falte PKSH / PPSH-ja ishte denoncimi dhe publikimi i direktivës sekrete të Enver Hoxhës të 10 shtatorit 1943. Mirëpo shkrimtari nuk i kërkoi të falur për deformimet që kishte sajuar, por duke qeshur i tha se zgjedhja e emrit te personazhit ishte rastësore. Më tej ish ballisti i tha shkrimtarit se mbas shfaqjes së filmit dhe botimit të romanit, familjarët e tij në Shqipëri filluan të shikoheshin më egër se më parë, dhe ata, për të shpëtuar nga pasojat e luftës së klasave ndërruan mbiemrin. Përsëri shkrimtari nuk shprehu asnjë keqardhje.

Kjo bisedë tregoi qartë se Dritëro Agolli, një nga shkrimtarët më të talentuar të letërsisë së kohës së diktaturës nuk kishte bërë asnjë hap drejt pendesës, asnjë hap evoluimi, për të dënuar politizimin e skajshëm të veprave të veta të hartuara në përputhje me normat e metodës së realizmit socialist.

Fatkeqësish sot Dritëro Agollin, kalemxhinjtë prokomunistë e quajnë Patriark të letrave shqipe, dhe ky nuk revoltohet, nuk e konsideron fyerje, por e merr mburje një epitet të tillë, një epitet që nuk u është dhënë as Gjon Buzukut, Pjetër Bogdanit, Jeronim De Radës, Naim Frahërit, Gjergj Fishtës, etj. Dritëroi pra e ka për mburje të quhet si mjeshtri, kryeustai i letërsisë shqiptare të realizmit socialist, duke mos dashur të kuptojë se shumica e veprave të tij dhe e kolegëve të tjerë përbëjnë krimin artistik të kohës së diktaturës.

Nga takimi midis z-injve Protopapa dhe Agolli, duhet të nxjerrim mësimin e dytë: Shumica e krijuesve të kohës së diktaturës, që jetojnë ende, nuk kanë punuar me përkushtim për rinovimin e tyre, për depolitizimin e tyre, për t’u çliruar prej mendësisë komuniste, kësaj njolle gjaku në trutë e tyre…

2. Autoqefalia e Kishës Orthodokse Shqiptare është vepër kombetare qe duhet mbrojtur edhe prej shqiptarëve myslimanë.

Menjeherë mbas shkërmoqjes së diktaturës komuniste, Sejfi Protopapa u angazhua në luftën për mbrojtjen e Autoqefalisë së Kishës Orthodokse Shqiptare. Ai u bashkua me z. Antoni Athanas, Very Rev’ Arthur Liolin, etj dhe shkoi në Shqipëri për të mbrojtur Autoqefalinë e Kishës Orthodokse Shqiptare. Ai ka shkruar artikuj të ndryshëm për këtë problem dhe investoi për të shugurar priftërinj orthodksë shqiptarë në Rumani, Maqedoni dhe këtu në Amerike, priftërinj që punojnë në rrugë të pavarur prej Hirësisë së tij Janullatos. Z. Protopapa në këtë drejtim punon në përputhje me rrugën e ideuar prej Sami Frashërit, i cili kur e ngriti i pari problemin e Autoqefalisë së Kishës Orthodokse Shqiptare si vepër me rëndësi kombëtare, tha se atë duhej ta kryenin së bashku shqiptarët e krishterë në bashkëpunim me shqiptarët myslimanë…

Filed Under: Kulture Tagged With: Sejfi Protopapa, Thanas Gjika

3 SHTATOR 1920, DITA E RISHPALLJES SË PAVARËSISË KOMBËTARE

September 15, 2013 by dgreca

3 shtator 1920 – 2013; 93 vjetorit të Luftës heroike të Vlorës/

 Intervistë me studjuesin Enver Memishaj – Lepenica/

-Zoti Lepenica ! Ju keni botuar dy vepra për udhëheqësit e Luftës së Vlorës, 1920: “Emblema e një epopeje” dhe “Major Ahmet Lepenica…” Si janë vlerësuar këto vepra?

E. Memishaj: “Emblema e një epopeje”, flet për 12 anëtarët e Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare” dhe 2 komandantët e luftës. Recenca është bërë nga Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu në  Institutin e Historisë dhe Prof. Dr. Uran Asllani, vlerësime që janë botuar në hyrje të librit, si dhe janë shkruar e botuar shumë artikuj në shtypin e përditshëm.

“Major Ahmet Lepenica … “, është monografi për Komandantin e Përgjithshëm të Luftës së Vlorës, 1920. Vepra është vlerësuar nga Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, Mjeshtër i Madh dhe është promovuar nga Akademia e Shkencave dhe Ministria e Mbrojtjes, si dhe janë shkruar shumë artikuj në shtypin e përditshëm.

Pra të dy veprat janë vlerësuar si punime të mirëfillta shkencore.

– Pse duhet vlerësuar Lufta e Vlorës, cilat janë të veçantat e kësaj lufte?

E. Memisha: Për për të kuptuar, veçorinë dhe rëndësinë që ajo luftë ka në historinë e tonë, duhet të kthehemi pak pas. Më 17 dhjetor 1912, Konferenca e Ambasadorëve njohu Shqipërinë autonome, nën sovranitetin e Sulltanit dhe nën garancinë dhe kontrollin Fuqive të Mëdha.

Më 29 korrik 1913, Shqipëria u shpall principatë autonome, sovrane e trashëgueshme, çdo lidhje me Turqinë pritej, shpallej asnjanëse nën garancinë e gjashtë Fuqive të Mëdha.

Mbi bazën e këtij vendimi më 7 mars 1914, arriti në Durrës, princi Vilhelm fon Vidi, dhe më 17 mars 1914, formoi qeverinë nën kryesinë e Turhan Pashë Përmetit.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, që filloi më 4 gusht 1914, në krah të Antantës  (Anglisë, Francës dhe Rusisë), u radhit edhe Italia, së cilës më 26 prill 1915, i dhanë si shpëblim territoret shqiptare dhe i kërkuan që ajo nuk do të kundërshtonte dëshirën e Antantës, për t`i dhënë Serbisë e Malit të Zi zonat veriore, ndërsa Greqisë zonat jugore të Shqipërisë, kështu që Shteti shqiptar mbetej vetëm Shqipëria e Mesme nën protektoriatin italian.

Më 18 janar 1919, filloi punimet në Paris, Konferenca e Paqes e cila e trajtoti Shqipërinë, megjithëse asnjanëse, më keq se shtetet që humbën luftën, pra çështja shqiptare do të zgjidhej sipas Traktatit të Fshehtë të Londrës të vitit 1915.

Në vazhdim të punimeve të Konferencës, Italia dhe Greqia, më 29 korrik 1919, nënshkruan një marrëveshje, sipas së cilës Italia do të mbështeste Greqinë për të aneksuar Korçën e Gjirokastrën, ndërsa Greqia do të përkrahte aneksimin e Vlorës dhe mandatin mbi pjesën e mbetur të shtetit shqiptar.

Para, sipas këtyre marrëveshjeve, Lufta e Parë Botërore dhe Konferenca e Paqes e kishte përmbysuar Pavarësinë Kombëtare, Shqipëria ishte coptuar ndërmjet fqinjëve dhe shteti shqiptar nuk ekzistonte më.

Patriotët shqiptar vendosën t`i dilnin vet zot vendit të tyre prandaj më 21 janar 1920, mbajtën  Kongresin e Lushnjës, i cili për herë të parë në historinë e Shqipërisë e shpalli vendin të pavarur, dhe që nuk i njihte marrëveshjet e Fuqive të Mëdha.

Por, pavarësisht vendimeve të këtij kongresi Shqipëria vazhdonte të ishte e pushtuar: në Jug nga Greqia, në Veri nga Serbia dhe Vlora, Tepelena dhe Gjirokastra nga Italia, pra vendimet e Kongresit, ishin formale dhe  mbeteshin në letër.

Në këto rrethana vlonjatët rrëmbyen armët dhe bënë Luftën e Vlorës, fitorja e së cilës, vulosi me gjakun e 400 dëshmorëve vendimet e Kongresit të Lushnjës dhe hodhi poshtë planet armiqësore të Fuqive të Mëdha dhe të fqinjëve grabitqar, për coptimin e tretë të Shqipërisë.

-Cilët ishin udhëheqësit kryesorë dhe nga kush u mbështet kjo luftë?

E.Memisha: Ideja e çlirimit të Vlorës nga pushtuesi italian dhe bashkimi sajë me qeverinë e Sulejman Delvinës lindi në Vlorë nga elita e patriotëve vlonjatë dhe u mbështet nga gjithë populli shqiptar dhe në  fshehtësi nga qeveria e Sulejman Delvinës.

Vlonjat, që nga dita e pushtimit italian, më 25 dhjetor 1914, në përpjekjet e pandërprera për liri, arritën që më 29 maj 1920 të formonin Komtetin e “Mbrojtjes Kombëtare” që do të organizonte dhe udhëhiqte luftën çlirimtareme të Vlorës.

Në krye të Komitetit u zgjodh patriota i shquar Osmën Haxhiu( 1885 – 1937) dhe anëtarë: Sali Bedini (1850 – 1938), Hamit Selmani (1844 – 1923), Duro Shaska (1859 – 1924), Hazbi Canua (1860 – 1931), Beqir Agalliu (1886 – 1944), Ali Velça (1868 – 1943), Alem Mehmet (1869 – 1926), Hysni Shehu (1880 – 1938), Qazim Kokoshi (1882 – 1947), Murat Miftar (1881 – 1948) dhe Myqerem Hamzaraj  (1895 – 1946).

Komiteti shpalli mobilizimin e popullit për luftë, duke zgjedhur edhe Shtabin e Luftës, në krye të të cilit u emërua patrioti i shquar, major Ahmet Lepenica.

Në Shtabin e Luftës u zgjodhën ish oficerë të shkëlqyer të Perandorisë Osmane: Ibrahim Abdullahu (1880-1955), major Ismail Haki Kuç (1866-1920), major Ismail Haki Libohova (1873-1928), kapiten Qazim Koculi (1883-1943), kapiten Ahmet Muka (1885-1947), toger Halil Kajo (1880-1921), toger Aziz Çami (1893-1943), toger Abdurrahman Çiraku (1887-1967), toger Elmas Ademi ( ?  )

Udhëheqësit e Luftës së Vlorës duhen vlerësuar jo vetëm se ideuan, organizuan dhe udhëhoqën në fitore një nga betejat më të rëndësishme të historisë sonë, dhe rishpallën Pavarësinë Kombëtare, por edhe për një veçori tjetër: ata e filluan dhe e mbajtën luftën me pasurinë e tyre nga data 5 deri në 10 qershor 1920.

Peshën kryesore të kësaj lufte e mbajti Vlora me forca të gjalla, me armatim, me municion, me barna dhe me ushqime, se vetëm në 10 qershor 1920, arritën në Vlora ndihmat e para nga ana e Beratit.

-Sa zgjati Lufta e Vlorës ?

E.Memishaj:  Lufta filloi më 5 qershor 1920, dhe brenda një natë e një dite ranë të gjitha garnizonet italianë të dislokuara jashtë qytetit të Vlorës. Kryengritësit e rrethuan Vlorën dhe e mbajtën në një darë të hekurt.Vlora u sulmua më 10 qershor, kryengritësit përballuan kundërsulmin armik më 18 qershor dhe sulmuan përsëri 22 korrik 1920. Pas fitoreve të shqiptarëve dhe dy sulmeve mbi Vlorë, Italia u detyrua të nënshkruaj më 2 gusht 1920 njohjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe tërheqien nga tokat shqiptare.

Më 3 shtator 1920, nëVlorë, u festua me madhështi, nga i gjithë kombi shqiptar, rishpallja e Pavarësisë Kombëtare që ishte rrjedhojë e fitores së Luftës së Vlorës. Nga ai vit 3 shtatori, ka qënë për vlonjatët një festë kombëtare që çmohej e vlerësohej si 28 nëntori i vitit 1912. Kështu festohej kjo festë deri më 29 nëntor 1944. Pas kësaj date komunistët e harruan dhe nuk e festuan më 3 shtatorin sepse atë lufte e kishin udhëhequr bejlerët dhe agallarët që ishin gjakpirës të popullit!

-Si u arrit fitorja e luftës ndaj një Mbretërie 40 milionëshe?

 

E. Memishaj: Shqipëtarët kishin të drejtë ta sulmonin Italinë befasisht sikundër ajo pabesisht e kishte pushtuar vendin, por ata që drejtonin luftën ishin burra të shquar me një qartësi dhe largpamësi të admirueshme. Ata i dërguan Komandës Italiane një ultimatum sepse: duhet të tregonin se ishin shtet, se do të luftonin, ballë për ballë dhe kjo luftë duhej të dihej e të njihej nga Europa që e kishta coptuar Shqipërinë.

Ultimatumi thoshte: Hiquni nga Vlora ose do të kemi luftë! Pra një grusht shqiptarësh i shpallte luftë një mbretërie 40 milionshe, nga më të fuqishmet e kohës, që kishte dalë fitimtare nga Lufta e Parë Botërore.

Fitorja u arrit sepse shqiptarët bënin një luftë të drejtë, për liri.Në një luftë të tillë, shpërthen patriotizmi dhe vetmohimi ashtu siç ndodhi edhe në Vlorë në vitin 1920. Kryengritësit ishin betuar se do të luftonin deri në shuarje të njerës palë, thuhej në ultimatumin e dërguar pushtuesit. Pra luftëtarët do të  ktheheshin në shtëpi me fitore ose të vdekur. Për këtë arsye çetat u ndanë për të luftuar larg vendlindjes, kështu psh: çeta e Dukatit kalonte malin e lartë dhe vinte të luftonte në Gjorm, çeta e Gjormit dhe e Lepenicës kalonte malin dhe shkonte të luftonte në Llogora të Dukatit e kështu me radhë.

Lufta e Vlorës u përballua nga i gjith populli të pasur e të varfër, burra e gra fëmijë dhe pleq me një solidaritet që nuk ishte parë më parë.

Një rol të veçantë në këtë luftë pati patriotizmi i gruas vlonjate, që shkuan në luftë në krah të burrave si Rubie Hosi, Hanko Merte, Sartë Rrokaj, Sado Koshena Zakine Krasta, Safë Musai etj.

Në fitoren e luftës, një rol të rëndësishëm luajti vendosmëria, mbështetja dhe ndihma e qeverisë së Sulejman Delvinës, e cila nuk doli haptas pasi do të konsiderohej se i shpallte luftë Italisë, luftë të cilën nuk mund ta përballonte dot, kështu që qeveria la të kuptohej se ishte një kryengritje popullore që qeveria nuk kishte gisht në të.

Qeveria e Sulejman Delvinës, duke qënë e bindur se nga fati i Vlorës varej fati i Shqipërisë,  ishte e vendosur ta çlironte Vlorën me çdo sakrificë.

Shtypi ndikoi në zgjimin dhe ngritjen e ndërgjegjes kombëtare, veçanërisht gazeta “Drita”, që botohej në Gjirokastër nga Veli Hashrova.

Në fitoren e luftës influencoi edhe faktori jashtëm. Lufta u përkrah nga të gjitha kolonitë shqiptare, nga Amerika erdhën vullnetarë për të luftuar.

Proletariati italian,i lodhur nga katër vjet të Luftës Parë Botërore u ngrit në greva e demonstrata të fuqishme dhe nuk lejuan t`i dërgoheshin ndihma ushtrisë italiane në Vlorë. Në Parlament, Partia Socialiste punoi shumë kundër luftës, duke kërkuar tërheqien e trupave nga Vlora.

Fitorja e Luftës së Vlorës, ishte kurorëzim i përpjekjeve të popullit tonë, për ta parë atdheun e tij përsëri të lirë dhe të pavarur. Vlonjatët dhe gjithë populli shqiptar, me fitoren e Luftës së Vlorës, bënë pluhur e hi planet armiqësore të fqinjëve dhe të Fuqive të Mëdha; Anglisë, Francës, Italisë dhe Rusisë, për coptimin e Shqipërisë dhe për zhdukjen e saj nga harta politike e Europës si shtet i pavarur dhe sovran.

Lufta e Vlorës qe vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë. Si luftë çlirimtare zë një vënd të rëndësishëm në historinë e vëndit tonë. Këtej e tutje nuk mund të mendohej më për coptimin e

Shqipërisë gjë që edhe u vërtetua në fakt.

 

– Cili është mendimi i studiusve dhe historianëve, për rëndësinë e kësaj lufte?

 

E. Memishaj: Për këtë ngjarje historike ka pasur dhe ka një mirëkuptim të plotë ndërmjet studiusve dhe  historianëve: Lufta e Vlorës më 1920, rishpalli Pavarësinë Kombëtare, të përmbysur e harruar nga Lufta e Parë Botërore. Pa u zgjatur shumë le të citojmë dy nga autoritetet e shquara të historisë sonë.

Prof. Dr. Muin Çami e përkufizon rëndësinë e kësaj lufte me këto fjalë: “Vendimet e Kongresit të Lushnjës për të mbrojtur me çdo kusht pavarësinë dhe tërësinë territoriale të vendit, i vuri në jetë Lufta e armatosur e Vlorës… Me fitoren e Luftës së Vlorës, populli shqiptar shpëtoi vëndin nga një fund tepër tragjik, nga coptimi i tretë i trojeve shqiptare… E drejta e kësaj krenarie i takon në radhë të parë popullit të Vlorës dhe të krahinës… Faktori i brëndshëm luajti rolin vendimtar në rifitimin e pavarësisë të shtetit shqiptar dhe të mbrojtjes të integritetit të tij territorial.”

(Muin Çami “Shqipëria në marrdhëniet ndërkombëtare 1914-1918”, Tiranë 1987, f. 331)

Prof. Dr. Arben Puto thotë se: “Lufta e Vlorës përbën një ndër faqet më të ndritura të historisë së Shqipërisë së pavarur… Nga pikëpamja e rëndësisë dhe e pasojave, si Kongresi i Lushnjës ashtu edhe Lufta e Vlorës, mund të barazohen me shpalljen e Pavarësisë në nëtor të vitit 1912”.

(Arben Puto “Shqipëria politike 1912 – 1939”, Toena, tiranë 2009, f. 273)

–  Si është vlerësuar kjo luftë në  regjimin komunist ?

E.Memishaj: Lufta e Vlorës dhe udhëheqësit e sajë nuk u vlerësuan në regjimin komunist, sepse sipas komunistëve atë luftë e kishin bërë bejlerët dhe agallarët që ishin gjakpirës të popullit !?

Lufta u falsifikua, sikur gjoja ishte organizuar dhe udhëhequr nga fshatarët e varfër edhe sot më ndonjë rast përmënden si udhëheqës fshatarët e varfër që ranë  dëshmor në këtë luftë dhe para tyre duhet të përulemi me nderim, por ata nuk qenë udhëheqës dhe nuk mund të ishin të tillë.

Jo vetëm që lufta u falsifikua por udhëheqësit e asaj luftë heroike, familjet dhe të afërmit u persekutuan egërsisht. Kështu ndodhi me familjen e Osmën Haxhiut, Sali Bedinit, Hamit Selmanit. Djali vetëm i Duro Shaskës, Sadiku për t`i shpëtuar ndëshkimit komunist në nëntor të vitit 1944 u arratis jashtë shtetit së bashku me 3 kushërinj të tij, 4 nipa të tjerë që mbetën në Shqipëri u burgosën. Kujtimi djali i  Ali Beqirit var në litar në vitin 1946.

Alem Mehmetit i grabitën pasurinë, i dogjën shtëpinë dhe djali vetëm Mehmeti u arratis jashtë shtetit. Tre djemtë e Hysni Shehut: Temua, Suloua dhe Raufi vdiqën në burgjet komunite. Qazim Kokoshi vdiq në burgun e Vlorës dhe gjithë të afërmit e tij kaluan nëpër burgjet e zeza komuniste.Ventigjari djali  Myqerem Hamzarajt u dënuan me 20 vjet burg.

Po këtë persekucion barbar pësoi edhe Shtabi i Luftës. Qazim Koculi u vra nga mercenarët dibranë në janar të vitit 1943, djali dhe vajza e tij vuajtën burgun. Aziz Çami u vra me atentat më 15 dhjetor 1943, nga komunistët, e kështu me radhë.

Vetëm në vitin 1962, në 5O vjetorin e Pavarësisë Kombëtare u vlerësuan dëshmorët dhe disa udhëheqës të kësaj luftë por jo sipas meritave.(Intervistoi: Intervistoi: Albert Zholi)

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Albert Xholi, Enver Memishaj, Interviste

SHQIPËRINË NË EUROPË E ÇOJNË VEPRAT E JO FJALËT

September 15, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ne Foto:Monumenti i Lirisë në Uashington, kushtuar, “lartë nga 100-milionë viktimave të komunizmit dhe të gjithë atyre që duan lirinë”./

Të hënën, Kryeminsitri i ri i Shqipërisë, Z. Edi Rama fillon një vizitë dy ditëshe në Bruksel, për takime me udhëhqsit e komunitetit europian.  Ndërsa, javën që kaloi, u mblodh kuvendi i ri i Shqipërisë  në seancën e tij të parë.  Ndër deklaratat e para pozicionuese nga të dy palët kryesore në kuvend — Partisë Socialiste që do udhëheqë vendin për katër vitet e ardhëshëm dhe Partisë Demokratike në opozitë — u theksua  dëshira nga të dy forcat kryesore politike të vendit, për të shpejtuar procesin e antarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.  Kryeministri i ardhëshëm i Shqipërisë, Z. Edi Rama u citua të ketë thënë se inaugurimi i qeverisë së tij të re, “Është një moment jashtzakonisht i rëndësishëm — është momenti për të mos lënë që treni i Europës të vazhdojë të largohet prej nesh, por për ta kapur atë një orë e më parë…” u prononcua, Z. Rama, madje duke bërë integrimin europian të vendit, pikën e parë të programit të qeverisë së re, si një objektiv që, sipas tij, i shërben demokratizimit të shoqërisë shqiptare, bazuar në “vlerat europiane”.

Edhe udhëheqsi i ri i Partisë Demokratike,  Z. Lulzim Basha u shpreh se, “në opozitë do të japim të gjithë mbështetjen për proceset e integrimit europian, dhe jo duke e bllokuar atë siç bëri e majta”, tha kryetari i ri i demokratëve.  Në mesazhin e parë si kryetar i ri i Kuvendit të Shqipërisë, Z. Ilir Meta gjithashtu u shpreh se, “Synimi ynë është që të arrijmë integrimin e vendit në Bashkimin Europian”.

Kësaj fryme entuziazmi të pro-integrimit europian të Shqipërisë, nga zyrtarët më të lartë të vendit, ndonëse i kanë dëgjuar këto premtime edhe më parë nga politikanët shqiptarë, iu bashkuan edhe përfaqsuesit më të rëndësishëm perëndimorë në Tiranë, ambasadori amerikan, Z. Aleksandër Arvizu dhe përfaqsuesi i Bashkimit Europian, Z. Ettore Sequi.   Të dy këta i bënë thirrje –për të njëqintën herë — klasës politike shqiptare që të përqendrohet seriozisht tek integrimi i Shqipërisë në Europë.  Madje, përfaqsuesi i lartë europian Sequi, me të drejtë e cilësoi integrimin europian të Shqipërisë, “një përparësi kombëtare”.

Të gjithë flasin me ngulm që sa më parë të hipin në ”trenin” e Evropës, në të vërtetë flitet kështu për 20-vjetë tani, nga të gjitha palët dhe nga të gjitha qeveritë e dy dekadave të fundit.  E duam Shqipërinë si Evropa, thuhej dikurë.  Por për të hipur në trenin e Europës, duhet paguar bileta.   Pjesë e kësaj “bilete”, ndër të tjera, është ndarja e vlerave të përbashkëta  dhe rregullave të lojës me Europën.  Një prej këtyre vlerave të Europës është edhe ballafaqimi me të kaluarën komuniste të Shqipërisë, duke kujtuar viktimat e regjimit komunist.  Ndryshe nga Shqipëria, shumica e vendeve ish-komuniste europiane, tani anëtare të Bashkimit Europian dhe NATO-s, kanë treguar gatishmërinë e tyre duke marrë masa konkrete për t’u përballur me trashëgiminë tragjike të historisë së vet komuniste të shekullit të kaluar, dhe njëkohsisht kanë dënuar masakrat e regjimit komunist dhe në emër të shtetit u kanë kërkuar falje viktimave dhe familjeve të tyre.  Shqipëria, fatkeqsisht, megjithëse kishte regjimin më të egër komunist në Europë, falë interpretimeve të kundërta të kësaj historie, nuk ka treguar kurrë ndonjë vullnet për t’u përballur seriozisht me këtë histori.   Shqipëria mund të jetë i vetmi vend europian,  ku shteti dhe qeveritë e ndryshme shqiptare të të dy palëve, nuk kanë kërkuar asnjëherë falje për krimet monstruoze të komunizmit.  Për më tepër, klasa e përndjekur nga komunizmi, disa nga anëtarët e së cilës janë ende gjallë, por duke u shuar dita ditës falë moshës dhe vuajtjeve, nuk janë trajtuar aspak mirë nga qeveritë dhe parlamentet e mëparshme shqiptare.  Madje ata janë denigruar dhe janë cilësuar, si “plehra” dhe si “mbeturina”, nga disa politikanë shqiptarë. Megjithëse Europa e konsideron dhe e kërkon si një detyrim moral përballimin e saj me të kaluarën komuniste dhe fashiste, qeveritë e një pas njëshme shqiptare kurrë nuk dënuan krimet, dhunën dhe torturat e regjimit komunist ndaj shqiptarëve.  Duket sikurë politika shqiptare ka rënë në një kllapi morale, megjithëse temperaturat e kësaj kllapie vazhdojnë të jenë në një nivel të lartë, me pasoja të dëmshme për zhvillimin dhe përparimin e demokratizimit të shoqërisë, bazuar në standardet dhe vlerat europiane.

Bota Përendimore, të cilës klasa politike shqiptare pretendon se dëshiron t’i bashkohet, kurrë nuk pushon së kërkuari të vërtetën historike duke vazhduar të hedhë dritë mbi  vërtetën,  duke kujtuar publikisht viktimat e krimeve të nacizmit dhe të komunizmit.  Zbulimi i së vërtetës është një proces të cilit kurrë nuk i skadon afati.  Dy raste të kohëve të fundit më tërhoqën vëmendjen.  Gjatë vizitës para disa ditësh në Rusi, Presidenti amerikan Barak Obama, në takimet e tija me zyrtarët rusë, u interesua për fatin e diplomatit suedez, Raoul Wallenberg, fati i të cilit nuk dihet ende, ndonëse në vitin 1944, ai ishte arrestuar nga forcat sovjetike në Hungari, pasi shpëtoi dhjetëra mijëra hebrejë nga nazistët duke u dhënë atyre pasaporta për tu larguar nga vendi.  Rusët kurrë nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje të kënaqshme ndaj arrestimit dhe zhdukjes së këtij heroi, por këjo nuk i pengon udhëheqsit amerikanë, që edhe pas 70-vjetësh të përpiqen të zbulojnë të vërtetën duke kërkuar gjithnjë shpjegime nga Moska.  Zbulimi  i së vërtetës mbi fatin e këtij heroi, sipas Presidentit Obama, është e nevojshme jo vetëm për të kujtuar një dëshmi humbje jete të një heroi, por edhe si një angazhim, që raste të tilla të mos përsëriten më.  Rasti tjetër i kohëve të fundit, ishte ai në Gjermani, ku prokurorët gjermanë, 70-vjetë pas mbarimit të Luftës së dytë Botërore njoftuan javën e kaluar se ata do të ndjekin penalisht një numër ish rojesh që janë ende gjallë në Gjermani dhe gjetkë, e të cilët dyshohen se kanë shërbyer në kampet e vdekjes në Auschwitz.  Gjermania, në të vërtetë, është shembëll për të gjithë botën, si vendi që është përballur dhe vazhdon të përballet me historinë e saj naziste dhe komuniste, si një proces i vazhdueshëm pajtimi me veten dhe me të tjerët.

Në të vërtetë, Gjermania dhe e gjithë Europa kanë caktuar 23 Gushtin si ditën zyrtare për të përkujtuar anë e mbanë kontinentit europian, viktimat e deportimeve, masakrave dhe burgjeve, si dhe të kampeve të përqendrimit të komunizmit dhe të nazismit.  Parlamenti europian i ka cilësuar krimet e komunizmit dhe të nazismit si “krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”.

Për më tepër, Parlamenti europian me një rezolutë tjetër mbi “Ndërgjegjën Europiane dhe Totalitarizmin” të  vitit 2009, ka dënuar krimet e regjimeve totalitare komuniste dhe naziste të Europës Lindore duke u bërë thirrje vendeve të kontinentit europain që të njohin  dhe të pranojnë, “trashëgiminë e përbashkët historike të komunizmit dhe nazismit” dhe njëherazi parlamentarët europianë kërkojnë që në çdo vend të zhvillohet “një debat i ndershëm dhe i gjithanshëm, mbi të gjitha krimet e regjimeve totalitare të shekullit të kaluar.”  Njëkohësisht, rezoluta u bën thirrje vendeve anëtare që të marrin masa për të informuar vazhdimisht publikun dhe për ta bërë atë të vetdijshëm mbi krimet e regjimeve totalitare të shekullit të kaluar në Europë.  Një gjë e tillë,  sipas rezolutës së Parlamentit Europian, është e nevojshme për të treguar respekt për të gjitha viktimat e regjimeve komuniste në Europë,  duke theksuar, “rëndësinë për të ruajtur të gjallë kujtimet e së kaluarës pasi, sipas rezolutës europiane, “nuk mund të ketë pajtim shoqëror pa zbulimin e së vërtetës dhe pa kujtuar viktimat”, e komunizmit.   Rezoluta e Parlamentit Europian gjithashtu rithekson qëndrimin e përbashkët kundër çdo regjimi totalitar dhe njëkohësisht u “shpreh viktimave të këtyre krimeve dhe familjeve të tyre, simpatinë, mirëkuptimin dhe njohjen e vuajtjeve të tyre.”

Europa e ka deklaruar disa herë seriozitetin e saj ndaj nevojës për dënimin e krimeve të komunizmit përfshirë edhe Deklaratën e Vilnius-it, të vendeve anëtare të OSBE-së të vitit 2009, e cila ndër të tjera dënon gjithashtu, edhe “glorifikimin e regjimeve totalitare”.

Europa pra, të cilës Shqipëria – si objektiv kombëtar — dëshiron t’i bashkohet, si kontinent por edhe vendet e anëtare të saj, individualisht, e kanë thënë me kohë fjalën e tyre duke dënuar dhe duke kërkuar falje për krimet e komunizmit dhe nazismit, si një shprehje e vullnetit  të fortë që ato krime kundër njerëzimit të mos përsëriten më.  Po Shqipëria?

Për të mirë të Shqipërisë, kryeministrit të ri dhe qeverisë së tij, i duhet uruar sukses në punën që e pret. Kryeministri Rama ka thënë, me të drejtë, se Shqipëria  meriton më shumë, pasi sipas tij, ajo ka vuajtur, “kryekreje prej pushtetesh që kanë ndërruar ngjyrë e jo natyrë, radhë e jo zakon, vend e jo model.”

Këtë nuk e meriton Shqipëria!  Madje si asnjë vend tjetër, kur të merren parasyshë vuajtjet e shqiptarëve.  Por nuk mund të fshehi  skepticizmin që kam unë, por edhe shumë të tjerë që ia duan të mirën Shqipërisë dhe kombit shqiptar, se si Zoti Rama do të ndërtojë, “Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër” me gjeneratën e vjetër.

Unë bashkohem me Profesor Sami Repishtin, i cili në një letër të botuar  kohët e fundit, drejtuar Kryeministrit të ri Z. Rama,  shkruan se që Shqipëria me të vërtetë të rilindë, Profesori i nderuar dhe i ish-burgosuri i regjimit komunist hoxhist, me të drejtë thotë se në Shqipëri,  “Duhet ndërtue nji shoqëni shqiptare bashkëjetese harmonike dhe vlerash e parimesh të gjithëpranueme!  Nji lumë gjaku, nji moçal çnjerëzimi, nji mal vuejtjesh të pameritueme, e nji frymë e thellë hakmarrjeje akoma ndanë Atdheun tonë dhe gozhdon në vend përparimin e frymën e qytetnueme të shoqënisë shqiptare.  Duhet shtri dora e pajtimit, duhet kultivue fryma e pendimit për fajin dhe falja e fajit, duhet përqafue bashkëpunimi për të mirën e përbashkët.  E kundërta do të sjellë mallkimin e nji popullsie të pafajshme për ju…dhe për të gjithë ata që sot heshtin!”, përfundon ish i burgosuri Profesor Sami Repishti letrën e tij drejtuar Kryeministrit të ri të Shqipërisë, Z. Edi Rama.

Mos heshtni, pushtetarë të ri dhe të vjetër, pozitë dhe opozitë.  Por mbani gjallë kujtesën, çoni zërin lartë në mbrojtje të së vërtetës historike dhe dinjitetit njerëzor për viktimat e komunizmit.  Këjo është vlerë europiane!  Por mbi të gjitha duhet të jetë edhe vlerë kombëtare.  Nëqoftse integrimi i shqiptarëve në Europë, është çështje numër një në programin e qeverisë së re, atëherë le të trajtohet si e tillë.  Drejtë Europës shkohet me vepra dhe jo me fjalë, se fjalëve u doli boja tash 20-e sa vjetë.  Nuk ka rrugë tjetër drejtë Europës!  Shqipëria e ndarë dhe e përçarë politikisht nuk do të pranohet kurrë si e tillë në Europën e bashkuar.

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, Shqiperia ne europe, veprat jo fjalet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT