• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2013

Dëbimi i gjermanëve nga Nju Jorku

September 8, 2013 by dgreca

Nga Pellumb KULLA/*

Unë e shpie Xha Jazon përditë në kafenetë e Arthur Avenysë.T’ëmën!.. Nuk e kam kuptuarë kurrë ce njerëzit nuku i duanë hiç të sklerozuarit.  Mua më mbërthejnë historitë e çaprashitura të xha Jazos, që ka bërë një jetë aq larushe.  Kujtesa e tij, si donjë dhi e egër, harbon në të gjitha skërkat e pllajat e jetës së plakut: partizan, oficer në ushtri, kryetar kooperative, pastaj i deklasuar…  Harbon dhia, harbon, por gjene te pllaja e partizanit vete qëndron. Vërtet dolli malit ditëve të fundit, por ay partizan ka qejf të mbahet mend! Me që i biri, bëri atë gjëmën me arratisjen e tij nga Saranda, me not, Jazon e hoqnë pe kreut të kooperativës, e përzunë pe organizatës së komunistëve e pastaj e syrgjynosnë me gjithë familje në një fshat të Gorës.

Në Shqipëri është një kohë, kur tërë mundohen të gjejnë një gërvishtje nga diktatura. Jazua e ka brazdën të gjakosur dhe e le pa nxjerrë në dritë! Vete e lidhet pas të dalurit në mal! T’ëmën, se ç‘mban mbi kurriz ky rruzull!

Tashi, me të birë, atë të arratisurin, janë mbledhur bashkë.

Xha Jazos i pëlqen Nju Jorku, ujrat që e çajnë dhe përndajnë qytetnë, pleksja e metrove, rekllamat e stërmëdha. I duken të bukura dhe shpesh në bisedat e tij e fut përvojën e re në kukumalen e madhe të asaj të vjetrës, ashtu siç futet në një libër me shumë fletë, një fashikull tjetër, që nuku ka të bëjë hiç me atë libër.

Në historitë e tij Xha Jazua nuku gënjen. Skleroza nuk e njeh gënjeshtrën dhe bile ajo nuku ka fare nevojë për të. Xha Jazua thjesht rrëfen ngjarje që edhe mund të ndodhnin. Radha e kohëve i është kokolepsur, por plaku nuk e vret mendjen t’i shpleksë e t’i rreshtojë.

Ka një urrejtje të pashuarë kundër gjermanëve. Një ditë më tha, se Amerika duhet t’ia dinte për nder brigadës së tij, që arrivi të mos mbetej këtu në Nju Jork këmbë gjermani!

Më thëthivi mjaft me këtë thënie dhe unë e afrova karrekllën. Po pinim kafe në trotuaret e Arthur Avenysë. Pa arritur ta pyes, xha Jazua u kurdis.

–    Po me t’i qërruarë gjermanët nga viset tona, i ndoqmë tutje. Brigada jonë, sëkur qe bërë vetëm për gjuetinë e tyre. Nxiri që këtu, qërroi që atje e bjeru prapa! Kur dëgjonin Brigadën e Pesëdhjetepesë, gjermanët i zinte tartakuti.

Unë nuku di të ketë patur brigadë me atë numër, por kjo është nga lajthitjet më të paka të plakut.

–   Më dyzetepesën, ishnë mbledhur tërë gjermanët nga ishnë e nga s’ishnë, në Gjermani. Pe atje nuk kishmë pse t’i lomim nga vendi, ce ata ishnë futur në vathë të tyre. Pyet andej e pyet këtej: “more, na thoni, në ç‘vend të botës ka akoma gjermanë, t’u sulemi e t’u vemë drunë?” Hiç! S’vinin ankesa. Kur, na thanë: kanë mbetur ca në Nju Jork! Do të vemë, thamë, do vemë e t’i qërrojmë edhe pe andej! U mblodh edhe një herë brigada. “O burra”, thamë, dhe u nismë! E tërë brigada!

–   Loj, bre xha Jazo, nga vendi! Po si u futtë në Amerikë? – nuk më ndënji goja mua.

–   E do të vërtetën? – më tha. – Me viza fallco! E tërë brigada! Me pushkë e mitrolozë, me tërë armatimnë! Vimë këtu në aroport të Kenedit. Këtu kishnë ca nga ata aparatet, që të kontrollonin dëpër xhepa, për thika, për droga, për armë. Ishnë djegur këta të zestë, pe Njëmbëdhjetë Shtatorit, kur u shembnë Binjaket.

Mua gjene nuku m’u ndënj:

–   Edhe Njëmbëdhjetë Shtatori u fut këtu-o?!.. Po si, bre, nuku ju a zunë armët?!

–   Neve i mbamim lart, me të dy duartë mbi kokë, se ata dëpër trup kontrollonin. Aty nuku kishmë asgjë neve. Kaluamë të tërë. Asnjë batalon nuku na mbajtnë.Vimë neve, që thua ti, e të përhapemi atë natë dëpër këto kodrat rreth Nju Jorkut. E ndezmë zjarret tona. Llapsnin atë natë zjarret partizane, ca në Qafë Kuins, ca në korijet e Stejtën Ajlandit, ca në meratë e Bronksit e ca mbi stanet e Nju Xhërsit. Batalonit të fundit nuk i kishnë ardhur mortajat. Ishnë ngatërruar kur ndrruamë aropllanë në Zyrih. Por, Svisseri, – për shërbim që bëjnë, t’u pish dollinë, o në p.. të s’ëmës !, – u a solli mortajat të paprekura, po atë natë, me mikrobuse! Të fundit i pamë zjarret e tyre në pllajat e Bruklinit. E kishmë rrethuarë Nju Jorknë e gjermanët shëkonin zjarret tona e me siguri po i zinte data. Po ama, neve nuk e dimë hiç ku janë strukur. Gjatë natës erdhnë dhe informatat e sakta: në Nju Jork, thanë, nuk ka aq gjermanë sa të nderohemi. Kanë mbetur vetëm nja tridhjetë a dyzet, në Aveny të Parë, edhe ata dukej se punonin si zyrtarë të konsullatës gjermane. Erdhmë që erdhmë, thamë, le t’u futëm tmerrë dhe atyre dhe le të thyejnë qafën në Gjermani! Të nesmen, me formacion luftimi, me pesë kollona, mësymë Manhattanë! Drejt e në konsullatët gjermane!

–   Me se shkuatë-o?

–   Me sabuej, me metro. Intendenti na kish pajisur me ca metrokarda dhe o burra! Neve muarmë trenë B! Në vagon buçisnin këngët partizane, ore! Kur mo i kem tërë, të kishe qënë atje, nuku do mbaje mend gjë tjatër në jetën tënde! Me “ato maja rripa-rripa”, me “kuq ësht’ ku lind e ku perëndon”…

–   Paaa! Nuk bezdisshin pasagjerët amerikanë? – e çpova  plaknë.

–   Jooo, ç‘ne! Intendenti jonë i kish marrë masat, oree: sejcili pe neve kish kufjet e tij në veshë e neve dëgjomim në to: “ato maja… seç gjëmojnë”. Amerikanët, ca studentë, ca zezakë, ca filipinas që shisnin bateri dëpër vagona, tërë kishnë kufjet e tyre. I tërë vagoni ish me kufje dhe pasagjerët tundçin nga ritmi. Po ashtu tundçin edhe ca partizanë nga tonët, ca të rinj, ca çunakë të pabindur. Ata me siguri kishnë vënë fshehur donjë këngë të Irma Libohovës. Se me “ato majat  e rripa- rripat” nuk tundesh dot, de! Dukej, bre, nuku qe ay ritëm! E, nejse…  Vemë në konsullatë të gjermanëve. Radhë e madhe atje, bre: ca për viza, ca për martesa. Zumë radhë edhe neve, ç‘të bëmim?! U zgjat radha, si mos o Zot! Kur erdhi sëra jonë, del një gjerman aty e na pyeti ce ishmë munduarë. “Kemi ardhur të çlirojmë Nju Jorknë”, – i thamë. “Nga kush?”- pyeti. “Nga ju, gjermanët!” – ia thamë copë. Kur i treguamë se ishmë Brigada e Pesëdhjetepesë, ay u bë dyllë i verdhë. Ashtu dyke iu dredhur zëri, na tha se duhet të mbushmim një formular e t’i bashkëngjitmim me kapce dy fotografi të brigatës. “Po më parë”, tha, “duhet të dorëzoni armët. Është rregull!”. Veç njerëzit e egër nuku binden. I dorëzuamë, ç‘të bëmim?! Nuku bëhej shaka me gjermanë! Nëne, nëne! Mbushmë formularë. Ne patmë çliruarë gjithata qytete, po me formular, jooo, nuku na kish bërë vaki t’i thyemim gjermanët. E mbushmë formularë, vumë dy fotografitë që kishmë që nga themelimi i brigadës dhe ua lamë në një sportel. Na thanë që kjo punë do të bëhet, por jo pa kaluarë pesëmbëdhjetë ditë. Ashtu ish rregulli. “Rregullin e respektojmë”, u thamë dhe ikmë. Detyrën e kryemë.

` –  Po armët? – ia kujtova unë.

–  Me armët na ndezi groshi, se ata nuku na i jepnin prapë e ne i lamë. Kumandanti i brigadës desh të na proçedonte për gjyq ushtarak, por pastaj erdh’ lajmi që edhe në Shqipëri, depot e armëve ishnë shkallmuarë, ushtria qe bërë lesheli, piramidat kishnë thyerë qafën e qënkësh formuarë Qeveria e Pajtimit Kombëtar e në atë valë, na zuri dhe neve amnistia.

Mua nisnë të më merreshin mëntë: partizanë, Njëmbëdhjetë Shtatori, piramidat, amnistirat… Po e mblodha shpejt tutkën.

–   Po e çliruatë vërtet Nju Jorknë nga gjermanët? Dua të them, xha Jazo, a iknë ata pas pesëmbëdhjetë ditësh, siç ju thanë?

–   Duhet të kenë ikur. As mos e bëj dëm pyetkën! Gjermani, qen bir qeni është, po fjalën e mban! Unë s’pata kohë ta marr vesh, ce më binte bretku katërmbëdhjetë orë në ditët, në punë të zezë. Një dibran më futi në restorant të tij, lanja pjata. Pa karta. Dibrani paskësh qënë me Ballin Kombëtar, po paskësh qëlluarë burrë i mirë. Sefte flinja në shtëpi të tij. I kënaqur unë, i kënaqur dhe ballisti, ce e quante fitore të frymës së Mukjes.

–  Po ce nuk u këthyetë prapë në atdhe, pasi kryetë detyrën-o?

–  Ce-o, budallenj ishmë ne-o?!- ma bëri. – Qejfi, or bir, ma kish të këthesha, po për ideal, xha Jazon e ke trokë. Si do të vija prapë në Amerikë unë, mo? Ku kisha, bre, unë, trembëdhjetë mijë dollarë, të kërkonja gjene pashaportë fallco, apo të bridhnja dëpër skafe?! Pasaj, ja, vjen e t’i bije skafit, donjë hundë motovedete italane! Unë nuk di as not, or’ i hëngsha t’ëmën!.. Kryesorja është që detyrën e kryemë.

–   E kryetë në Nju Jork, po në Shqipëri ke akoma gjermanë!

–   Po çne-o, ne e lamë vatanë pa këmbë gjermani!..

–   Ju e latë, – i thashë, – po atje ka akoma. Janë në ambasadën gjermane në Tiranë. Pastaj, ca të tjerë kanë erdhur si specialistë… Turistë, varda…

–  Ne e lamë Shqipërinë, kur i thonë, gjerman-frii! Brigada të tjera atje ka. Sytë t’u dalën e le t’i nxjerrën ato! Ce o, nga Pestepesa i presën të gjitha-o?! Lodra të politikës-mo, të këtyre qeveritarëve të soçmë. Këta i kanë tradhëtuarë idealet e luftës!- tha me mllef dyke pështyrë përdhe.

Pyetjet teme nuku kishnë fund. Më kënaqte xha Jazua me shashërditë e tij.

–    Qëndruatë në Shtetet e Bashkuara, si brigadë?

–    Pas fitores, u mblodhmë në Çentral Park, të gjithë batalonet, prapavija, ndërlidhja… Na foli komisari. Na përgëzovi për fitoren dhe na tha se, si shpërblim, shtabi kish vendosur që të na jepnin nga dhjetë vjet lejë, të pushomim, të gjemim këtu donjë të afërm, nga kurbetlinjtë e vjetër e të rinj. Ay, bile, na ftovi që të aplikomim për llotari grin kard. Tetë batalone i mbushnë aplikimet, kurse një batalon, i gjashti, kërkovi i tëri strehim politik! Ata e qelpnë fare! Kumandanti i tyre më vonë u shpall armik, me ata të kastës. Dukej, ajo! I tillë ishte qeni. U dënua me vdekje në mungesë. Tashi shëtit këtu me limuzinë, bën biznes me Shqipërinë, vete atje, ha dreka e darka me Nanon e nuku guxon qeni t’i rrëfejë Nanos se ç‘dënim i rri mbi kokë. Nanua po, s’ka kohë të hapë qitapet e vjetra! Neve këtu vazhdojmë e mblidhemi në përvjetorë, festojmë… Donjëherë Fajre Departmenti i zjarrfiksave, na jep lejë të ndezëm donjë zjarr partizan dhe na gjobit kur e ndezëm të madh. Neve tashi i bëjmë zjarret gjithnjë të veckël e më të veckël, bëjmë shuk tri katër gazeta Nju Jork Tajms bashkë, sa për të bërë adetnë, kujtojmë kohët e arta, ndezëm donjë Marllboro dhe e thëthijmë nga njëzë herë e ia kalojmë shokut, me radhë, si njëherë e një kohë, çmallemi, shkojmë të organizuarë në kazinotë e Atllantik Sitit… E kështu rjedh jetaaaa, or biiir!

2003.(Marre nga libri I Pellumb KULLES-Rrefenja nga Amerika)

 

Filed Under: Kulture Tagged With: debimi i gjermaneve, nga Nju Jorku, pellumb Kulla

Presheva më dha “titullin” “Nder i Kombit”…

September 8, 2013 by dgreca

Nga Zyba Hysen Hysa/Para disa ditësh më vjen një ftesë për në Preshevë, por e kisha krejtësisht të pamundur të isha e pranishme, ndaj me kërkesën e tyre, u shkruaj një fjalë përshëndetëse…

Të dashur vëllezër dhe motra të Preshevës martire,

Edhe pse nuk jam fizikisht aty, jo vetëm sot në këtë ditë përkujtimore për poeteshën Sadete Presheva, por gjithmonë zemra dhe shpirti im kanë qenë pranë jush duke ndjerë njëlloj si ju, gëzimet dhe dhembjet tuaja e këtë na e mundëson gjaku shqiptar që na rrjedh në deje, ndaj përmes kësaj letre po u nis zërin tim, zërin e një nëne, të një gjysheje, të një poeteje, të një patrioteje… për ta bashkuar me zërin tuaj dhe njëherësh të themi:

I paharruar qoftë kujtimi i Poeteshës Presheva!

Dikur të ndarë me kufij klonesh, as që e njihnim njëri – tjetrin dhe sa mall e sa lot derdhëm për këtë, sot që klonet u tretën, klone të padukshme ende na mbajnë të ndarë, por di të them që ne, shqiptarët që mbijetuam shekujve, po futemi në udhë pa udhë prej mugëtirës së kohës që po kalojmë…

Stuhia antishqiptare duket se ka pushur, por mendoj që antishqiptarizmi, ka ndërruar taktikë, jo strategji, se mjegullnaja e përhapur në hapësirat shqiptare e më gjerë, ka mprehur dhëmbët e ujkut, se populli ynë i mençur thotë: “ujku mjergull do” dhe vijnë ujqërit e stepave mbështetur nga çakejtë tanë dhe bëjnë kërdinë… mjegulla endet mbi ne, ne na duhen syshqiponjë për të parë përtej mjegullës, e këta sy i kanë intelektualët, krijuesit, patriotët e vërtetë, që të çjerrin tymnajën dhe të mbajnë popullin syçelë, që të ruajë thesaret kombëtare ashtu siç ka ditur t’i ruajë ato edhe përmes stuhive të shekujve…

Të dashur miq pjesëmarrës të këtij takimi,

Në letrën time nuk dua të flas me akademizma, por me fjalë të thjeshta dua të shpreh mendime akademike për situatën nëpër të cilën po kalon kombi ynë. Them se është kapërcyer problemi i përdorimit të gjuhës shqipe nëpër shkolla, kjo është një arritje e madhe, se gjuha është vërtet e dyta pas gjirit të nënës, se sapo lind foshnja pi qumësht gjiri, e pak nga pak mëson fjalët e para të gjuhës së mëmës, por kjo liri na ka bërë të pavëmendshëm në përvetësimin dhe përdorimin e gjuhës shqipe saktë, apo më e keqja më e madhe, emigrantët po harrojnë t’ua transmetojnë brezave.

Në maj të vitit 2011 kam pasur fatin të jem aty, në Preshevën shqiptare dhe më besoni, edhe sot i ruaj të freskëta ato kujtime , biseda me intelektualë, me mësues, me nxënës të mrekullueshëm, që, kur konkursi i poezisë filloi me poezinë e Ali Asllanit, m’u duk vetja sikur isha në Vlorë, kudo që ishim, këdo që takuam, prekëm Shqipëri dhe folëm shqip, por ajo që më tronditi, qe se historia, letërsia, muzika… e pse shkruhen shqip, nuk flasin shqip, me këtë dua të them që nuk lexojnë të vërtetat e shqiptarëve ndër shekuj… tekstet shkollore duhet të përafrohen deri në unifikim në të gjitha trojet shqiptare mbarëkombëtare dhe në diasporë (këtu me specifikat e veta) Një abetare e përbashkët do ishte hapi i parë, por jo abetare vetëm për shkronja, fjalë, fjali e tekste, por një abetare që do transmetonte frymë kombëtare, ashtu siç janë edhe abetaret e gjuhëve tjera të botës. Më pas historia, ndryshe në Shkup, ndryshe në Preshevë, ndryshe në Prishtinë, ndryshe në Tiranë dhe kësaj i thonë të mësosh gabim historinë me gjuhën tënde, kjo është vetëvrasje e identitetit tonë kombëtar, apo letërsinë, gjeografinë, muzikën…

Të qenit autoktonë në trojet tona, na ka bërë të pavëmendshëm të kuptojmë ndryshimin e taktikave në strategjinë e armikut tonë shekullor për pushtimin e trojeve, që për fat të keq, ju ende e keni mbi shpinë dhe një pjesë e fatkeqësive, ka ardhur me duart tona. Kështu herë me të mirë e herë me dhunë, është bërë e mundur që shumë troje të popullohen me serbë dhe batica serbe vazhdon edhe sot e kësaj dite, por me një taktikë mashtruese, se gjoja do vendosim klimën paqësore midis shqiptarëve dhe serbëve, po si u vendoska kjo klimë, kur shi bie vetëm në arën e hasmit??

Nuk mjafton të themi “jemi krenar që jemi shqiptar”, por të përpiqemi të ruajmë identitetin tonë shqiptar në çdo çast, në çdo veprim, në çdo situatë, të flasim, të mendojmë, të jetojmë si shqiptarë. Edhe pse bisedojmë me një serb, ne duhet t’i flasim shqip, ta përshëndesim shqip, se jo vetëm është gjuha e mëmës, por është shenja e parë dalluese që na quan shqiptarë. Pse t’i përgjigjemi serbëve, grekëve, malazezve… me gjuhën e tyre, kur ne kemi gjuhën tonë, atë gjuhë që është ballafaquar me gjuhët më të mëdha të botës, siç bëri Noli në përkthimet e tij, atë gjuhë që edhe gurë e drurë të këtyre trojeve, po të kishin gojë, do flisnin vetëm shqip. Për sa kohë që nuk do kemi mundësi të bashkojmë territoret, gjë që nuk është më e rëndësishme, se sa të ruajmë identitetin, se nëse ne nuk ruajmë çdo gjë që është shqiptare dhe nuk flakim tej ato gjëra që na janë imponuar ndër shekuj me qëllim që të na përçajnë, kufijtë nuk do na vlejnë më, ashtu siç nuk po na vlejnë kufijtë e Shqipërisë dhe të Kosovës, se nuk po punohet me seriozitet për t’u prezantuar në botë si një faktor më vete dhe i rëndësishëm…

Lufta për të drejtat e shqiptarëve, është përpjekja e secilit prej nesh për të qenë shqiptar… por siç ka thënë poeti ynë, Xhevahir Spahiu: “Është vështirë të jesh shqiptar dhe shkrimtar në Shqipëri…”, po në Kosovë, po në Maqedoni, Po në Malin e Zi, Po në Preshevë, të dashur miq? Sigurisht shumë herë më e vështirë, por kjo vështirësi duhet të na latojë mendjen, të na çelë sytë për të shpëtuar vetveten, për të ruajtur identitetin tonë kombëtar…

Mbase u mërzita, por këto, besoj janë edhe shqetësimet tuaja, se kanë ikur ato kohëra të një propagande fallso që bëheshin takime, kuvende, festa e përkujtimore dhe nuk thuheshin të vërtetat e hidhura, se e vërteta, sado e hidhur qoftë është shumë herë më e ëmbël se gënjeshtra, se kur thuhet në kohë e vërteta, dëmton më pak se kur mbulohet. Kur të qëllon prindi, shuplaka harrohet dhe marrim mësime, kur të qëllon armiku shuplaka hap plagë dhe dhemb gjatë, të “qëllojmë” njëri – tjetrin me dashuri prindërore, ashtu siç më qortonte i ndjeri babai im, duke më përqafuar, dhe do shohim se sa përpara do të ecim dhe se sa bashkë do të jemi.

Unë jam e bindur që vepra e profesoreshës Presheva do mbetet një dritë e pashuar, një shkëndijë që ndezi gjuhën shqipe në një kohë të trazuar, ajo do mbetet një misionare e pavdekshme për ne dhe gjithë kombin tonë. Shpirti i saj, si i gjithë patriotëve dhe mendimtarëve shqiptarë, nuk e ka gjetur akoma vendin në parajsën qiellore, ato enden mbi ne, për të pritur realizimin e ëndrrës së tyre dhe ne e kemi këtë detyrë dhe përgjegjësi për t’u prehur përfundimisht shpirtrat e tyre në paqe. Zoti na dhente dashuri mes njeri – tjetrit, Zoti na dhente mend te vlerësojmë vlerat tona, gjuhen tone te bukur, vendin tonë te mrekullueshëm, kulturën tone te hershme dhe te jemi bashke për t’u bere bashke…

Unë s’kam se çfarë të them më shumë se titulli i librit që përurohet sot: “Sadete Presheva: Simbol i Femrës Shqiptare”.

FALEMINDERIT!

Pasi e nis shkrimin tim, më vjen kjo përgjigje:

“E nderuar poete Zyba,

Unë me profesion superior jam filozof dhe kësaj here do të mundohem që testin që e keni shkruar që në këtë apo në atë mënyrë paraqet një oqean që duhet shterur.

Është fakt i pamohueshëm se testi juaj paraqet një hyrje të plotë për një enciklopedi kombëtare. Po të kisha mundur si Rudolf Carnapi ta formoj një alfabet, apo siç thoni ju, abetare, nuk do të kisha pasur shkronja me ju falënderuar për tërë atë që e ke thënë, prandaj në pamundësi të tillë për ta shpreh tërë atë që duhet me e thënë, sepse gjuha standarde është tepër e varfër për ta shpreh tërë atë që e ndien gjuha emocionale. Kështu që në pamundësi për të gjetur shprehje për një falënderim për një nënë të madhe shqiptare, do t’i kthehem fjalës së popullit, bij e të cilit je edhe ti: Të faleminderit, rrofsh e qofsh sa malet e Tomorrit!

 P. s. Në mungesë të Zyba Hysa, një karrige do te jete e zbrazët.

Prof. dr Avni Presheva”

Kaluan ditë dhe siç rrëmbehem unë nga puna, nuk i kisha kontrolluar mesazhet, kur hapa kompjuterin dhe pashë fotot dhe fjalët shumë ngazëlluese të Prof. Dr. Avni Preshevës: “E nderuar, shih aty ku është kryesia, vendi yt është i zbrazët. E kam mbajtur fjalën , se njeriu lidhet për fjale e cjapi për brirë.

 Përshëndetje dhe shume të faleminderit për telegramin, të cilin e kemi lexuar!

Prof. Dr. Avni Presheva”mbeta pa frymë… M’u shkaktua një ndjesi e pa provuar ndonjëherë, mbase këtë e kanë ndier ata që marrin titullin e lartë “Nder i Kombit” dhe unë u ndjeva po ashtu, unë do ta ruaj këtë “titull” në shpirt që kurrë të mos më bjerë shpirti në agoni, por deri në gërhimën e fundit të luftës së tij për të dalë të më ndriçojë sytë dhe mendjen për t’i shërbyer vendit tim, popullit tim, KOMBIT tim!

Faleminderit Prof. Dr. Avni Presheva, faleminderit të gjithëve ju, që më keni ruajtur vendin bosh për të qenë aty… Më keni respektuar, më keni nderuar, por të gjitha këto u takojnë juve, se jeni njerëz fisnikë dhe patriotë!

I paharruar qoftë emri dhe vepra e poeteshës Presheva!

FALEMINDERIT!

(Ne Foto:Nga salla e takimit)

 

Filed Under: Opinion Tagged With: nder I Kombit, Presheva, tituull, Zyba Hysa

Vila e Enver Hoxhës, “Muze për Krimet e Komunizmit”!

September 7, 2013 by dgreca

NGA GËZIM PESHKËPIA &  AGRON TUFA*/

Shqipëria është vendi i vetëm në Europën Qendrore e Lindore ish-komuniste, që nuk e ka ende një Muze për Krimet e Komunizmit. Ndonëse shkalla e egërsisë së regjimit komunist të Enver Hoxhës ka qenë, siç dihet tashmë, e pakrahasueshme me asnjë prej pushteteve të “demokracive popullore” të vendeve ish-komuniste, ende nuk e kemi një Muze të Diktaturës, madje as në Kryeqytet, edhe pse kanë kaluar 23 vjet nga rënia formale e sistemit totalitar. Diktatori vetë nuk hezitoi fare të ngrinte në vitin 1967, në mes të Pjacës së Shkodrës, Muzeumin monstruoz të Ateizmit. Edhe pse nuk mungojnë objektet dhe gjurmët kriminale të dhunës dhe torturave komuniste, kjo mungesë bëhet më e mprehtë me rritjen e gjeneratave të reja, të cilat nuk arrijnë dot të kenë një përfytyrim të thjeshtë, të prekshëm e didaktik mbi terrorin e ushtruar për gjysmë shekulli mbi qytetarët shqiptarë. Kësisoj, Shqipëria ka vendosur një rekord të ri gines për kultivimin e shpërfilljes së traumës historike dhe amnezisë.
Kemi pasur rastin të ftohemi e të marrim pjesë në konferenca të ndryshme të vendeve ish-komuniste me tema të mprehta mbi muzealizimin e provave dhe dëshmitë të krimeve të komunizmit. Gjithkund në këto vende të Europës Qendrore e Lindore kemi parë disa dhjetëra lloje muzesh mbi krimet e komunizmit, të përqendruara në disa qytete kryesore, me një vizitueshmëri të pandërprerë. I tillë, për shembull, është “Muzeumi i Komunizmit” në mes të Pragës, në sheshin “Vacesllav”, në pallatin elegant “Savarin”. I rrethuar nga të dyja anët prej restorantesh McDonald’s dhe nga ana tjetër prej një kazinoje, të gjitha jo rastësisht, muzeumi krijon kontrast me gjithçka të shoqërisë së re, që ka ardhur pas përmbysjes së komunizmit, për të cilin “Newsweek” shkruan se “brezit të ri nuk i është treguar e plotë nga prindërit” dhe se “të rinjtë kanë nevojë t’u kujtosh se si ka qenë jeta e mëparshme”.
Si rregull, kriteret e përzgjedhjes së godinave për këto muze parapëlqehen ish-godinat e komiteteve të partive, burgjet komuniste, godinat qeveritare ose godinat e shërbimeve sekrete.
Por shembullin e padiskutueshëm të një reflektimi mbi modelet e muzeve të krimeve të komunizmit, e paraqet Gjermania, e cila ka gërshetuar muzetë e dy diktaturave (naziste dhe komuniste), duke ruajtur simbolikat dhe dëshmitë autentike mbi traumat kolektive të dy diktaturave. Edhe Gjermania, në një shkallë akoma më të goditur simbolike, ka përzgjedhur godinat që përcjellin një domethënie të freskët e mbresëlënëse te vizitorët e këtyre muzeve.
Gjatë një trajnimi dyjavor me specialistët e Institutit tonë, me ndërmjetësinë e drejtorit “Konrad Adenauer Stiftung”, Dr. Thomas Schrapel, ne ishim të ftuar në muajin mars të këtij viti nga Instituti homolog gjerman, për të përfituar sa më shumë nga përvoja dhe strategjia gjermane në dëshmitë konkrete të krimeve të dy diktaturave. Edhe në Gjermani muzetë e panumërt të krimeve të komunizmit ishin ndërtesat e ish-Komiteteve të Partisë, godinat qeveritare të ministrive, ish-burgjet dhe Kampet e Përqendrimit, të tejmbushura, kryesisht me nxënës shkollash e gjimnazesh. Ndërsa gjatë vitit 1989 aktivistët e “Lëvizjes qytetare” në të gjitha qytetet e Gjermanisë Lindore, ende pa rënë Muri i Berlinit, me të marrë vesh se STAS-i kishte nisur asgjësimin e dosjeve, i rrethuan të gjitha ndërtesat e Sigurimit komunist gjerman, duke pasur një përkrahje të gjerë popullore. Të gjitha godinat e STAS-it u rrethuan, derisa u morën nën kontroll, duke mos i lëshuar më, gjer në kapitullimin përfundimtar të regjimit komunist të Erich Honeckerit. Tashmë dihet gjerësisht, se këto godina janë shndërruar me kohë të gjitha në muze të krimeve të komunizmit. Rastin më demonstrativ e përbën “Muzeu i STAS-it” në Berlin, godina e të cilit ishte kuartieri kryesor i Sigurimit të Shtetit në RDGJ. Territori i kësaj Qendre në Berlin-Lichtenberg shtrihej me një sipërfaqe prej 22 hektarësh, e cila u kthye në Muzeum me vendim të posaçëm.
Po gjatë marsit të këtij viti, me rastin e inaugurimit të Memorialit “Postbllok” (me autorë F. Lubonja dhe A. Isufi), autorët e këtij shkrimi shoqëruan në një shëtitje në zonën e Bllokut drejtoreshën e “Fondacionit Federal Gjerman për Rishikimin e të Kaluarës Komuniste”, Dr. Anna Kaminsy-n. Ajo u interesua veçanërisht për vilën e diktatorit Enver Hoxha, për destinacionin e saj dhe, pas një kundrimi të hollësishëm të godinës nga të gjitha rakurset, na shprehu mendimin e saj, se “vila ku ka banuar diktatori juaj, do të ishte simbolika më e goditur për kthimin e saj në ‘Muze të Krimeve të Komunizmit’”.
– Përfytyrojeni – tha ajo,- se si nga atje brenda, por edhe nga ballkonet, dritaret dhe shëtitjet e tij në kopshtin e bukur e të qetë të kësaj vile, diktatori juaj projektonte, meditonte dhe shpërndante urdhra për eliminimin e elitave intelektuale deri te bashkëpunëtorët e tij të ngushtë.
Ne na dhembën këto fjalë dhe s’ditëm çfarë t’i përgjigjeshim, ndonëse një ide të tillë, jo vetëm e kishim çuar ndërmend, jo vetëm e kishim diskutuar, por edhe e kishim ndeshur të artikuluar edhe në shtypin tonë. Dhe këtë skepsis të thellë mbi pamundësinë e një gjesti, që duket tepër i bukur për ta besuar, na e ka provuar realiteti ynë politik postkomunist, në të cilin, siç po e shohim, jo vetëm nuk ka pikë ndjeshmërie për krimet e komunizmit, por zor të gjesh ndonjë dozë arsyeje e mirëkuptimi.
Por, kur sheh se çfarë idesh po hidhen këto ditë mbi destinacionin e vilës së diktatorit, ne na dhemb dyfish situata që përshkruam më lart me Dr. Anna Kaminsky-n. Sepse nga qasjet e qeverisë së re, që ende nuk ka nisur ushtrimin e pushtetit, po u jepen udhë ideve banale mbi kthimin e kësaj vile në një “Qendër” ku “inovatorët legjislatorë mund të bënin aty seminare, apo studime” dhe ku “…filozofët e ardhshëm mund të vijnë të bëjnë studime tremujore, të banojnë brenda vilës me idenë e dhënies së propozimeve specifike për ligje të caktuara” (“Standard” 27 gusht, 2013). Në Konferencën e 26 shtatorit mbi zhvillimin urban, Partia Socialiste ftoi edhe disa arkitektë të huaj, të cilët shprehen disa mendime mbi funksionin e disa prej godinave, përfshirë dhe Piramidën, por në asnjë rast, asnjëri prej arkitektëve “të partishëm” nuk u kujtua, se pikërisht këto godina bartin një energji simbolike me të shkuarën tonë diktatoriale. Pikërisht për vlerën potenciale të muzeve që paraqesin këto godina, u hesht me një ton të tillë…
Është e habitshme që disa figura politike të kryesisë së kësaj partie, të cilët prej gati një viti na befasuan me dofarë platformash të tyre mbi ndjeshmërinë ndaj të përndjekurve politikë, jo vetëm që nuk guxuan të hidhnin propozimin e tyre për kthimin e vilës së diktatorit në një “Muze për Krimet e Komunizmit” (meqë dhe pretendojnë se janë bij të përndjekurish politikë), por as nuk u ndjenë fare kur këto ide janë bërë tashmë publike në median tonë.
Pra, qëllimi i metamorfozës është më se i qartë. Shkurt, kjo do të thotë: edhe një fondacion tjetër politik “Qemal Stafa”…!
Mirëpo qytetarët shqiptarë kanë nevojë për kujtesën e plagëve të tyre, për identitetin e tyre kolektiv; ata kanë nevojë për rikuptimësimin, filtrimin dhe përcjelljen e kësaj kujtesë te brezat e ardhshëm, për edukimin me faktet dhe ndjenjën realiste të historisë së tyre. Gjëja që më së paku kanë nevojë qytetarët shqiptarë, janë këto qendra të shpëlarjes së trurit nëpërmjet eksperimenteve me fondacione politike e ideologjike.

* Autorët e shkrimit : Gezim Peshkepia, ish-i burgosur politik, anëtar i Bordit të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit-Agron Tufa, Drejtori Ekzekutiv i këtij Instituti.

Filed Under: Analiza Tagged With: Agron Tufa, Gezim Peshkepia, Muze per krimet e komunizmit, vila e Enver Hoxhes

Siri: Pikëpyetjet e intervenimit ushtarak amerikan

September 7, 2013 by dgreca

Nga Heather Maher/

Derisa Kongresi amerikan dhe Shtëpia e Bardhë e debatojnë nëse dhe si duhet t’i përgjigjen qeverisë siriane për dyshimin se ka përdorur armë kimike, një gjë është e qartë: një sulm ushtarak në vendin e kapluar nga lufta ka potencial të prodhojë pasoja të paqëllimta.
Skenari më i mirë për Shtëpinë e Bardhë do të ishte të ndihmojë opozitën që të arrijë fitoren vendimtare kundër Bashar al Assadit, duke i hapur kështu rrugë forcave demokratike që ta marrin pushtetin.
Në rastin më të keq, intervenimi mund t’i ndihmonte opozitës siriane që ta arrijë fitoren vendimtare kundër Assadit dhe grupet islamiste si Fronti Al Nusra e lidhur me Al Kaedën ta marrin pushtetin.
Mark Jacobson është ish zyrtar në Departamentin amerikan të mbrojtjes i cili tani e ka specializuar çështjet e sigurisë dhe politikat e kërcënimit të sigurisë në kuadër të Fondit gjerman të Marshallit.
“Një nga sfidat më të mëdha për Shtetet e Bashkuara dhe sinqerisht të them aleatët e NATO-s, komuniteti ndërkombëtar në masë të madhe, ka qenë deri në çfarë niveli duhet ne të përkrahim opozitën dhe të ndryshojmë balansin e fuqisë në Siri? Ne nuk e dimë saktë kush është opozitë apo ta them më qartë, ne nuk e dimë saktë se çfarë veprimesh do të ndërmarrin ata nëse do të arrijnë që ta përmbysin pushtetin”, thotë Jacobson.
Pavarësisht se cili grup arrin ta marrë pushtetin pas Assadit, Jacobson thotë se rruga para nuk do të jetë e lehtë.
“Mos gaboheni: nëse Assadi bie, atëherë do të del një set tërësisht i ri i problemeve që kanë të bëjnë me rindërtimin e një shteti të dështuar. Dhe kjo do të thotë një lloj vëmendje që komuniteti ndërkombëtar, ta them sinqerisht jo pak shtete duan të evitojnë në këtë pikë”, vlerëson më tej Jacobson.
Për t’ia arritur objektivit të presidentit Barack Obama për të parandaluar përdorimin në të ardhmen të armëve kimike, Jacobson parashikon se planifikuesit e Pentagonit do të zgjidhnin caqe që shihen shumë qartë siç është Ministria e Mbrojtjes së Sirisë dhe forcat ajrore:
“Pas të gjithave, arsyeja që ne po i mendojmë veprimet ushtarake është se Assadi e ka vënë popullatën e vet në rrezik. Është vështirë e mendueshme që do të shohim sulme kundër armëve kimike. Regjimi i Assadit ka qenë duke i lëvizur ato armë që një kohë dhe kështu ne do të rrisnim rrezikun për më shumë viktima në civil, përmes shkatërrimit të pa duhur të këtyre armëve apo sepse Assadi i ka vendosur forcat e armatosura në zona me shumë popullatë”, thotë Jacobson.
Sekretari i shtetit, John Kerry ju ka thënë pjesëtarëve të Kongresit gjatë kësaj jave se ai është “100 % i sigurt” që Assadi do të përdorë armë kimike prapë nëse Shtetet e Bashkuara nuk do të veprojnë.
Por çfarë nëse Uashingtoni reagon dhe Assadi nuk e pranon mesazhin? Në rastin që Assadi përdor armë kimike në të ardhmen, Jacobson thotë se ushtria amerikane duhet të riangazhohet me “forcë dërrmuese”.
Ky skenar e shqetëson Dov Zakheim, i cili ka qenë sekretar për siguri në administratën e presidentit George W Bush.
“Nëse Assadi mbijeton, Hezbollahu do të jetë ende aktiv, Irani do të jetë ende aktiv dhe Assadi do të jetë ende aktiv. Nëse bie Assadi, atëherë ne prapë do të akuzohemi për ndryshim qeverish, dhe iranianët lirisht mund të vendosin që e vetmja mënyrë për të evituar ndryshimin e regjimit të tyre është të ndiqet rruga e Koresë së Veriut dhe të kërkojnë hapur fuqi bërthamore, më shpejtë dhe më bindshëm. Atëherë çfarë do të bëjnë Shtetet e Bashkuara?”, pyet Zakheim.
Kjo ishte një nga pyetjet e mëdha në seancën dëgjimore të 3 shtatorit në Senat: A do të trimërohet Irani në ndjekjen e rrugës së armatimit bërthamor nëse Uashingtoni nuk e bën përgjegjës Assadin? Askush nuk tha “jo”.
Por, Mehrzad Boroujerdi, drejtor i programit të veçantë të studimit të Lindjes së Mesme, në Universitetin Syracuse, është skeptik.
“Unë nuk pajtohem me atë retorikë. Mua më duket më shumë një justifikim për të nisur luftë kundër Sirisë se sa bazë reale e realitetit me Iranin”, ka thënë ai.
Sa i përket Rusisë, një nga aleatët kryesor të Sirisë, analistët ushtarak dhe diplomatik e parashohin një rritje të mundshme në ofrimin e armëve për Assadin në rast të një sulmi, por jo diçka më shumë.
Sulmet hakmarrëse kundër Izraelit në rast të një intervenimi Amerika janë gjithashtu jo shumë të mundshme, thotë Jacobson nga Fondi gjerman i Marshallit.
“Nuk mendoj që në mes të tjerave, që as Irani apo Sirianët janë aq vetëvrasës në atë aspekt. të tërheqësh Izraelin në këtë e ndryshon tërë masën e konfliktit dhe padyshim që do të rezultojnë në shkatërrimin e plotë të regjimit sirian”, thotë Jacobson.

Filed Under: Analiza Tagged With: e intervenimit amerikan, pikpyetjet, Siri

FAIK KONICA PËR GJENERAL PANGALOS

September 7, 2013 by dgreca

Në rubrikën”Shtylla e Faik Kontizës”, gazeta Dielli e së shtunës të 10 prillit 1926, botonte kronikën me titull”Politika e Gjeneral Pangalos”. Në të shkruhej: Masat e Gjeneralit Pangalos për të mbyllur klubet epirote dhe për të njohur të drejtat e pakicave shqiptare në Greqi, kanë bërë një përshtypje të madhe në mes të shqiptarëve si përtej ashtu edhe këtu n’Amerikë. Pemët e para të kësaj politike të re dhe mirëdashëse nisnë të duken. Një anëtar i Vatrës nga Çamëria, i cili është edhe anëtar i “Komisionit për të Mprojtur të Drejtat e Popullit të Çamërisë”, z. Abdul H. Abas, vizitoi pardje zyrat e Federatës dhe na lajmëroi se disa Çamër, që ndodheshin në burgjet e Greqisë për ndjenjat e tyre, u liruan dhe u kthyen në shtëpitë e tyre.

Veprimi i Gjeneral Pangalos është guri i parë në të themeluarit e një miqësie të kthjellët në mes të Greqisë e të Shqipërisë, dy vende të lidhura nga shumë interesa të përbashkëta.

Nëqoftë se politika e tij zë rrënjë dhe bëhet paskëtaj politika e vendosur e Greqisë kundrejt Shqipërisë dhe elementit shqiptar, fitimi do të jetë i madh për të dy kombet.

Zoti Kondulis, ministri i Greqisë në Shqipëri, është për t’uruar për mbarëvajtjen e një politike të cilën besojmë se e ka dëshiruar prej kohësh. Pa Zotësinë e një Burri Shteti si Gjenerali Pangalos, një politikë e këtillë do t’ishte e pa mundur, por dhe roli këshillonjës i një diplomati të vyer si zoti Kondulis do të ketë patur rëndësi.

Nga ana e Shqipërisë, duhet të mos harrojmë se udhën e një marrveshjeje e kthjellët e hapi politika e hollë dhe e gjallë e Guvernës së President Ahmet Zogu, i cili është përpjekur kurdoherë për një afrim; afrim i pamundur nën demagogjinë e Fan Nolit.

Në këtë çast kur një rreze shprese po ndrit mi fatin e Shqiptarëve të pakët që rrojnë nën Greqinë, më vete mendja tek ata njerës me kurajë që janë përpjekur, pa frikë, për të përmirësuar gjendjen e popullit në ditët e errta, dhe i pari që shoh është Musa Demi- një shqiptar i kthjellët që s’ka kursyer asnjë rrezik për veten e tij, ka pësuar dëme, ka ngrënë burgje, por ka mbetur i patundur. Një njeri si ky duhet të nderohet jo vetëm nga ne po edhe nga grekët me karakter.

KOMPLOTI I SELANIKUT PËR RRËZIMIN E PANGALOSIT

Në ditët e para të prillit 1926 në Greqi u organizua një komplot që mori formën e një kryengritje me qëllim përmbysjen e Gjeneral Pangalos. Kryengritja kryesohej nga tre oficerë të ushtrisë ; majorët Bakerxhi, Karakufa, dhe Xhavella. Qendra e kryengritjes ishte në Selanik dhe shumë shpejt u shtyp nga Pangalos. I lidhur me kryengritësit ishte edhe Gjenerali Panagjotopulos, ish Ministër i Punëve të Brendshme, i cili u arrestua bashkë me të tjerët. Xhavella ishte një bashkfshatar dhe mik i ngushtë i Gjeneralit Plastiras. Të arrestuarit u dërguan në Athinë,  për t’u gjykuar më pas nga një Gjykatore ushtarake.

Çfarë kërkonin kryengritësit?

Korrespondenti i Associated Press në Beograd njoftonte se sipas lajmeve të mbërritura direkt prej Selanikut, kryengritësit numëroheshin lart mbi  5,000 vetë dhe ishin të armatosur me armatime të rënda, përfshi edhe Topa. Çfarë kërkonin ata: E para, gjenerali Pangalos të hiqej nga fuqia, e dyta të formohej një Guvernë neutrale, e treta- të bëheshin zgjedhje të lira; e katërta , të merrte përsëri presidencën Admirali Kundurriotis; që kishte humbur në garën presidenciale përballë Pangalosit, e pesta të bëhej amnisti e përgjithshme për të gjithë ushtarët dhe udhëheqësit e depërtuar.

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: Faik Konica, per Gjeneral Pangalos

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT