• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2013

NJË HISTORI LAVDIE E MIQËSISE SHQIPTARO AMERIKANE

September 3, 2013 by dgreca

NGA MAL BERISHA/

Renja e avionit amerikan C53 D me datë 8 nëntor 1943 shënoi rastin e parë dhe të fundit në historinë e Luftës së Dytë Botërore që një ekip infermierësh, ushtarakësh dhe pilotësh amerikanë të rrëzoheshin me avion në një zonë të okupuar naziste gjermane dhe të shpëtonin. Kjo ndodhi në Shqipëri./

Shkruan Mal Berisha/

SHQIPTARI MIKRPITËS/

Ka shumë kombe në botë të cilët krenohen për cilësitë e tyre. Dikush për letersinë, dikush për muzikën, dikush për industrinë dhe shpikjet e mëdha, dikush për luftërat dhe strategët…Historia ka kultivuar tek secili komb dicka të vecantë që e bën atë më unik, më të respektuar ose ndoshta edhe më pak të respektuar…

Ne shqiptarët krenohemi për besën kur ka kombe tjera që krenohen për pabesinë; Krenohimi për mikrpitjen kur ka popuj banorët e të cilëvë po t’ju trokasë dikush në derë, thërrasin policine, ndërkohë që ne shqiptarët e hapim derën dhe i japin strehë, bukë e ndihmë jo vetëm mikut, por edhe të panjohurit, madje edhe pse kjo mund të kërkojë sakrifica të mëdha deri në rrezik jete ose flijim…

Pikërisht një virtyt kaq i mrekullueshëm i shqiptarëve ka bërë që në historinë e vonë të kohës së Luftës së Dytë Botërore shqiptarët të rregjistrojnë ngjarje nga me interesantet, më të bukurat, më humanet, më njerzoret dhe më të mahnitshmet në vetë historine e njerëzimit të asaj kohe. Janë ngjarje të cilat janë realizuar dhe mbajnë autorësi kolektive dhe janë kryer nga njerëzit e thjeshtë të popullit shqiptar që nuk kanë asnjë lidhje as me ndonjë orientim fetar, politik apo të çfarëdo natyre tjetër.

Njëra nga këto ngjarje është bërë tashmë e njohur thuajse nga të gjithë jo vetëm në Shqipëri (madje ndoshta më pak në Shqipëri) por edhe jashtë e sidomos në ShBA, Izrael dhe në përgjithësi në botën hebreje ane e mbane botës. Kjo është historia e mrekullueshme e Shpëtimit të Hebrejve në Shqiëri, jo vetëm të atyre që ishin banorë dhe hebrej shqiptar por të qindra në mos mijëra të tjerëve të cilët të vënë përpara alternativës së vdekjes ose jetës, zgjodhën Shqipërinë si i vetmi vend në Europë ku mund t’i shpëtonin Hollokaustit. Shqipëria ishte zgjedhja e tyre për jetën duke sfiduar kështu vdekjen me rrezikun që shqiptarët morën mbi vete.

Historia e fisnikëvë shqiptarë në të vërtetë ka lozur dhe po luan një rol shumë të madh jo vetëm në mardhënjet me shtetin e Izraelit por më shumë se kaq në ndihmesën që lobet hebreje kudo në botë dhe veçanërisht në ShBA japin për mbarëvajtjen e punëve të kombit shqiptar si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë dhe Maqedoni. Por shpëtimi i hebrejve nuk përbën të vetmin rast kur shqiptarët kanë shpalosur virtytin e tyre të mikritjes dhe respektit për të huajin…

8 NËNTOR 1943, AEROPLANI USHTARAK AMERIKAN C 53D ME 30 VETË RRËZOHET NË PESHTAN, BERAT.

Me 8 nëntor 1943 një ngjarje e zakontë për Luftën e Dytë Botërore por e pazakonte për dëgjuesin e sotëm futi në analet e historisë së mardhënjeve Shqipëri – Amerike njerën nga ndodhitë më interesante, më të habitshme më dramatike, më të shkëlqyera por edhe me fundin më fatlum, falë virtytit shqiptar të besës dhe mikrpitjes…

Kjo ngjarje shënoi rastin e parë dhe të fundit në historinë e Luftës së Dytë Botërore që një ekip infermierësh, ushtarakësh dhe pilotësh amerikanë të rrëzoheshin me avion në një zonë të okupuar naziste gjermane dhe të shpëtonin. Kjo ngjau pikërisht në Shqipëri dhe u pasua nga një sagë dy mujore përpjekjesh për të shpëtuar në një udhëtim të pashembullt në këmbë ose me mushka nëpër fshatrat jugore nga Peshtani i Beratit deri në Korçe e kthim në Gjirokastër dhe Vlorë.

“ZBARKIMI” I SUPOZUAR I TRUPAVE ALEATE NË SHQIPËRI:

Aeroplani C53D i cili do të transportonte Njësinë Mjeksore 807 të Evakuimit Ajror që vepronte në prapavi u nis nga Catanja, Itali për të aderuar në Bari. Fluturimi filloi në orën 09.00 të mëngjesit me 30 vetë në avion. Pas një nisje të qetë dhë të zakonshme piloti hasi në një mot të keq i cili ngriu krahët e avionit duke e veshtirërsuar drejtimin e avionit. Për orë të tëra ata u sollën sa mbi Itali sa mbi Detin Adriatik dhe më vonë mbi Shqipëri. Sikur nuk mjaftoi moti i keq i asaj dite, një mospërputhje e parullës ditore të përdorur nga Kulla e Drejtimit të avionëve amerikane në Bari dhe kontraparullës që kishin marrë pilotët e vështirësoi pranimin e tyre në pistat e Barit dhe shtoi rrezikun e një përplasje fatale të avionit. Pas një odiseje të tmerrshme prej pesë orësh, kur pasagjerët dhe ekipi humbën çdo shpresë ulje të rregullt në tokë, pilotët bënë një tentativë ulje diku në Shqipëri, në një fushë fluturimi avionësh pa ditur se ku ishin, por shumë shpejt, pak para zbritjes, dalluan se do të uleshin në një fushë ajrore të kontrolluar nga forcat pushtuese ushtarake gjermane. Pilotët hoqën dorë nga kjo tentativë dhe u ngritën përsëri për të bërë ulje të detyruar në një arë të korrur misri diku në fshatin Peshtan në malet midis Elbasanit dhe Beratit. Asnjëri prej atyre njerëzve nuk e dinte se në çfarë cepi të botës i kishte përplasur fati. Pas asaj traume të tmerrshme lufte me vdekjen, gjëja e vetme që i ngushëllonte ishte fakti që ata dolën të gjallë dhe të padëmtuar nga avioni të cilin e braktisën në kërkim të identitetit të vendit ku kishin rënë dhe të mjeteve tjera për tu kthyer në bazën nga ishin nisur. Menjëherë ata mësuan se ishin në Shqipëri dhe se jo larg tyre gjendeshin gjermanët të cilët në rast se do t’i kapnin do të bëheshin një gjah shumë i mirë për ta.

UDHËTIM BIBLIK I AMERIKANËVË NËPËR SHQIPËRINË E JUGUT.

Miqtë amerikanë kishin rënë në fshatin Peshtan (Prashtan) dhe aty u vendosën në një shtëpi e cila me gjithë varfërinë e madhe që kishte, i strehoi dhe i ushqeu. Amerikanët panë me sytë e tyre një varfëri ekstreme dhe një jetë të vështirë por edhe virtytin e këtyre njerëzve. Për të ushqyer tridhjetë vetë mjaftonte vetëm një ka-zgjedhe të cilin të zotët e sakrifikuan për miqtë, pa asnjë shpërblim. Pas dy ditë qëndrimi turma e amerikanëve bëri një hyrje “spektakolare” në qytetin e Beratit, i cili ishte nën kontrollin gjerman. Këta njerëz të dëshpëruar në fillim u morën si pjestarë të forcave aleate dhe tërë qyteti u gëzua për “zbarkimin” e tyre. Por shpejt gëzimi i ardhjes së tyre u shua dhe vendin e tij e zuri kujdesi njerëzor i manifestuar në këtë qytet edhe për të huaj të tjerë e veçanërisht për hebrejtë e asaj kohe që po ashtu ruheshin nga gjermanët. Qyteti ishte kthyer në një strehë për hebrejtë që po mblidheshin nga vende të ndryshme të Europës. Pas disa ditësh në qytet, të frikësuar se mos zbuloheshin nga gjermanët dhe të ndihmuar nga banorët e qytetit ata u larguan thuajse nëpër këmbët e gjermanëve për në jug të qytetit drejt Malit të Tomorrit. Një pjesë e tyre e vogël u nda nga turma dhe u detyrua të mbante drejtim tjetër.

Udhëtimi i tyre kap një trajktore të gjatë prej afro 1300 kilometra rrugë, ose sa të shkohet nga Tirana në Izmit të Turqisë në këmbë duke kaluar nga fshatrat e Beratit në ato të Skraparit, deri në lartësitë e Malit të Tomorrit, Vërzhezhe, Leshnjë, Lovdar, Krushevë, Lumin Osum, Malind, Odriçan, Përmet, Lumin Vjosa, Malin e Nëmërçkës, më pas në Korçë, Voskopojë dhe kthim drejt Gjirokastrës, Sheper, Mashkullorë, e më pas drejt Kuçit dhe duke kaluar në bregdet drejt Dhermiut, Vunoit, Dukatit, Tërbaçit në gjirin e Elefandit në Karaburun nga ku ata me ndihmën e shërbimeve të fshehta angleze arritën të ktheheshin në Itali.

Kjo ngjarje kaq interesante mbeti e patreguar për vite të tëra jo vetëm në Shqipëri por madje edhe në Amerikë. Kronikanja e ngjarjes, infermerja Agnes Jensen, e cila vdiq para dy vjetësh në moshën 95 vjeçare në shtetin Kentucky në ShBA, thotë se deri në vitin 1985 nuk e e tregonte ngjarjen ose e tregonte në rrethe shumë të ngushta pasi kishte dëgjuar se njerëzit që iu kishin ndihmuar atyre, pas luftës ishin ndëshkuar rëndë; disa ishin pushkatuar, disa internuar ose izoluar politikisht. Pas vdekjes së diktatorit shqiptar, 1995, thotë se filloi ta tregonte ngjarjen dhe në vitin 1995 ajo i botoi kujtimet në formën e një tregimi lufte të mbushur me aq shumë përshkrime interesante ku jipet një tablo e pakrahasueshme e realitetit shqiptar të kohës së luftës. Zonja Jensen ngre lart vlerat e popullit shqiptar dhe në mënyrë tepër unike ajo spegon se si këta 30 njerëz në rrezik, bij të kombit të madh amerikan, në ditë të vështira të jetës së tyre, të kërcenuar sa nga gjermanët aq edhe nga vështirësitë e dimrit, urija, izolimi dhe skamja u pritën dhe u mbrojtën nga shqiptarët e varfër. Ata u mbrojtën, strehuan, ushqyen njësoj mire, si nga partizanët ashtu edhe nga ballistët shqiptar, tregon Agnes Jensen.

SHQIPËRIA SIPAS ASAJ QË DINTË AGNES JANSEN

Në vitin 1943 Shqipëria konsiderohej vendi më i varfër dhe më i prapambetur në Europë. Tre të katërtat e 28.000 kilometrave katrore të këtij vendi përbëhen nga një terren malor me përrenj të panumërt si dhe pesë lumenjë kryesor që e ndajnë vendin në disa zona. Jul Qezari në vitin 48 para erës së re komentoi në zhurnalin e tij se kalimi i lumenjëve ishin pengesat kryesore për ushtrinë e tij romake. Përkrah vijës së ultë dhe të rrezikshme bregdetare kishte vetëm një gji të sigurtë dhe një port, që të dy nën kontrollin nazist në dimrin e vitit 1943 – 44. Me vetëm 26 milje rrugë të shtruara në Shqipëri të shumtët e njerëzve udhëtonin në këmbë ose me kafshë. Vetëm ca shtëpi kishin elektrecitet ose ujë të rrjedhshëm brenda dhe ushqimi ishte i pamjaftueshëm. Për personelin e njësisë ajrore të evakuimit mjeksor i cili u nis për një mission rutinë, ulja e paplanifikuar në Shqipëri duhet të jetë dukur si rënja e një pike loti mbi perden e errët të kohës.

Kushdo që do të kurthohej në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore siç ndodhi me ne, do të ballafaqohej jo vetëm me ashpërsinë e motit dhe topografinë e thyer por edhe historinë e komplikuar dhe shpesh brutale të këtij kombi të pushtuar.

Do të ishte e pamundur të udhetohej nëpër atë vend dhe të mos hasëshe në çdo hap në historinë e tij. Sigurisht që kjo është e vërtetë për pjestarët e ekipit të forcave ajrore të ushtrisë Amerikane dhe pasagjerëve të atij avioni të cilët u rrëzuan në atë nëntor 1943 dhe që luftuan për dy muaj për të arritur në zonat e sigurta aleate. Si një vend në kryqëzimet gjeografike të shumëkulturave, Shqipëria ka patur një të kaluar kaledioskopike duke iu alternuar kufinjtë, fetë dhe gjuhët në përgjigje të trajtimit agresiv të ndërmarrë prej fqinjëve të saj të më të fortë dhe ambiciozë. Fillimisht e idientifikuar si shoqëri fisnore e kohës së bronxit, shqiptarët, luftëtarë të paepur, u ruajtën në rrjedhë të shekujve nga dominimi grek dhe romak dhe valë pas vale pushtimeve të visigotëve, hunëve, ostrogotëve, sllavëve, serbëve, dhe normanëve. Pas afro pesë shekush sundimi turk, Shqipëria doli në epokën e pas luftës së Parë Botërore me një dëshirë për vetqeverisje por me një popullatë të goditur rëndë nga varfëria, analfabetzimi, dhe dallimet fisnore, fetare që kanë provuar të jenë pengesa në rrugën e unitetit kombëtar dhe bashkë-ekzistencës paqësore. Ndonëse Shqipëria e shpalli pavarësine në vitin 1912, qeveria kombëtare e dale prej saj nuk arriti të bentë më të mirën për vendin e vet për shkak të luftës botërore. Ushtritë e huaja e pushtuan ose kaluan nëpr territorin e saj. Grekët dhe italianët kishin qëllim ta ndanin Shqipërinë nëpërmjet të Traktatit të Fshehtë të Londrës në vitin 1915 i cili u ndalua të zbatohej nga Traktati i Versajës falë mbështejtes së fortë që Presidenti Amerikan Uillson i bëri pavarësisë së Shqipërisë. Italia ndoqi Greqinë në tërheqjen nga Sjqipëria. Kur Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve përpjekjet për stabilitet sikur u përmbushën.

Duke kaluar mëse dy muaj nëpër Shqipëri në kushtet më të vështira të imagjinueshme, ajo mëson edhe se cfarë mendojnë shqiptarët për Amerikën:

DASHURIA PËR PRESIDENTIN UILLSON NË MAJET E MALEVE ME DËBORË.

Në një bisedë më njërin nga shqiptarët, i quajtur Stefa, autorja pyet se a kishte ndonjë arsye pse shqiptarët e kishin një dëshirë kaq të madhe për t’i ndihmuar ata, amerikanë të braktisur nga fati, dhe pse u gëzuan kur na panë që erdhëm dhe na morën si aleatë që po zbarkonim:

Dhe Stefa i përgjigjet: Populli ynë ka pritur një kohë të gjatë që amerikanët të na dërgojnë ndihma që ne pastaj të luftonim më mirë kundër gjermanëve. Kur u përhap fjala se ju keni ardhur, njerëzt menduan se zbarkimi i amerikanëve kishte filluar.

“Populli im e ka parë gjithmonë vendin tuaj me respekt për qëndrimin që mbani ndaj demokracisë”, i tha Stefa. “Ne madje kemi edhe një qytet me emrin “Porti Uilson” në nderim të njërit prej presidentëve tuaj.”

“A ka një arësye të caktuar që ju keni zgjedhur Presidentin Uilson” pyeti Vilma?

“Ai ishte i vetmi person i cili foli për Shqipërinë në Konferencën e Paqës në Paris kur dukej se vendi ynë do të ndahej midis Greqisë dhe Jugosllavisë pas Luftës së Parë. Ne madje e ndjemë se ai e kuptonte edhe dëshirën e një kombi të vogel për liri.”

MË TEJ AGNES JENSEN SHKRUAN:

Është absolutisht e mahnitëshme se si këta njerëz do të ndanin atë pak gjë që kishin për vete, tha Jens. Ne duhet të jemi dukur si një hordhi karkalecash kur zbrsnim nga një fshat i tyre në tjetrin. Jam e sigurtë se në të shumtën e rasteve ata na kanë ushqyer me ato ushqime rezervë të mbledhura për të kaluar dimrin. A mund të imagjinoni tridhjetë vetë që të shfaqen tek dera e shtëpisë në Amerikë që kërkojnë ushqim i cili është vënë menjëanë për familjet e tyre. Shtoi këtu edhe shansin për tu ekzekutuar për dhënjen ndihme këtyre njerëzve dhe strehimin. Është një mrekulli që këta shqiptarë të cilët kishin kaq pak për vete janë të gatshëm të rrezikonin kaq shumë për tridhjetë njerëz që nuk i njihnin dhe as që e dinë dhe as që presin në se ndonjë herë nëkëtë jetë do ti shihnin përsëri.

Kjo histori është botuar në librin ALBANIAN ESCAPE shkruar nga infermerja, pjestare e këtij ekipi, Agnes Jansen Magerich. Libri mund të gjëndet në Amazon.com. Në adresën: Albanian Escape: The True Story of U.S. Army Nurses Behind Enemy Lines by Agnes Jensen Mangerich (31 Jul 1999)

 

Filed Under: Histori Tagged With: e miqesie, Mal Berisha, nje histori lavdie, shqiptaro-ameriakne

Berisha pret delegacionin e TAP

September 3, 2013 by dgreca

Së shpejti nis ndërtimi i infrastrukturës në Shqipëri/

Kryeministri Berisha priti sot në takim delegacionin e nivelit të lartë të Konsorciumit të Gazsjellësit Trans Adriatik- TAP kryesuar nga Menaxheri i Përgjithshëm Z. Kjetil Tungland dhe Drejtori për Marrëdhëniet me Jashtë Z. Michael Hoffmann te cilet kane ardhur ne Tirane ne nje takim kortezie me kryeministrin.

Z. Tungland shprehu mirënjohjen e tij të thellë për mbështetjen dhe rolin shume te rendesishem që Shqipëria dhe Kryeministri Berisha personalisht luajten ne projektin TAP-it, pa të cilat nuk do të ishte mundësuar vendimi përfundimtar pozitiv nga Konsorciumi i Shah Deniz-it per perzgjedhjen e TAP.

Kjo mbështetje e siguruar, ishte veçanërisht domethënëse në vitet e fundit, përmendi ai, ku Shqipëria u angazhua maksimalisht për përfundimin e të gjithë kuadrit ligjor e rregullator të nevojshëm për konsiderimin e aplikimit të projektit të TAP-it pranë Konsorciumit të Shah Deniz-it.

Gjithashtu ai e njohu Kryeministrin me ecurinë në vijim të projektit të TAP-it lidhur me vendimin për fillimin e punimeve dhe vendimin përfundimtar të investimit nga konsorciumi i Shah Denizit. Së shpejti puna në Shqipëri do të fillojë për ndërtimin e rrugëve të aksesit në funksion të ndërtimit të gazsjellësit, përmendi ai. Zoti Tungland informoi kryeministrin se konsorciumit te TAP i eshte bashkuar kompania belge me e madhe e shperndarjes se Gazit ne ate vend Fluxys e cila me ndertimin e gazsjellesit Belgjik – Itali e ben TAP nje projekt per furnizim gazi pan-europian.

Kryeministri Berisha theksoi se per Shqiperine projekti TAP shenon arritjen me te rendesishme strategjike pas anetaresimit ne NATO dhe pavaresise se Kosoves.

“Te gjitha projektet e tjera me pa te drejte anashkalonin Shqiperine. Ky projekt jep pergjigje perfundimtare problemit te energjise ne Shqiperi, ndikon ne uljen e shpenzimeve familjare per ngrohje dhe gatim. Shqiptaret do furnizohen me gaz nga nje vend mik sic eshte Azerbajxhani. TAP inkurajon investime te medha ne te gjithe sektoret e industrise dhe ekonomise. Projekti rrit ndjeshem rolin e Shqiperise ne energjitiken rajonale dhe europiane si dhe ngre ne nje nivel te ri bashkepunimin strategjik me fqinjet tane dhe vendet e BE-se” tha Kryeministri

Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen e thelle ndaj z Tungland dhe te gjithe ekipit qe ai drejton per punen e gjithanshme te jashtëzakonshme qe bene per per kete projekt me rendesi te madhe strategjike, jo vetëm për Shqipërinë por për të gjithë Europën.
“Këmbëngulja e jone dhe e juaja bazohej ne besimin tone te perbashket tek ky projekt madheshtor. Ekipi qe ju drejtuat pregatiti me profesionalizem te larte nje dokumentacion bindes per konsorciumin Shah deniz 2 qe faktonte qarte se TAP ishte ne distance projekti me i leverdishem me serioz” theksoi Berisha.

Gjithashtu Kryeministri Berisha, në mbështetje të vendimit për TAP-in, theksoi rolin vendimtar të marrëveshjeve ndërqeveritare të arritura mes vendeve tranzit të projektit dhe ato të interesuara të Ballkanit Perëndimor, sikurse pa diskutim edhe të largpamësisë së Presidentit Aliyev për përzgjedhjen e projektit të TAP-it.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Berisha, TAP

Kronikë e një mjerimi të paralajmëruar

September 3, 2013 by dgreca

Nga Albin KURTI/

Po bisedove me mërgimtarët tanë se cili është dallimi kryesor që vërejnë këtë verë në Kosovë krahasuar me herat e tjera kur vinin për pushime, pothuajse të gjithë të përgjigjen se janë të tronditur nga zhgënjimi i shtuar i qytetarëve, nga gjendja e pashpresë që lexohet në sytë e tyre. Nuk ka dyshim që kjo ka një bazë objektive: varfëria është thelluar e papunësia është zgjeruar sepse çmimet janë ngritur ndërkohë që shumë kollaj e humbet vendin e punës dhe shumë vështirë arrin të gjesh një vend (tjetër) pune. Shpenzimet mesatare për ushqim nga të ardhurat e qytetarëve në Kosovë arrijnë në plot 38%. (P.sh. në Zvicër kjo shifër është vetëm 7%, ani se ushqimet atje janë dukshëm më të shtrenjta dhe zviceranët kursejnë shumë më pak sesa kosovarët kur vie puna te konsumimi i ushqimit më cilësor e më të shëndetshëm.) Në anën tjetër, në Kosovë, jo vetëm që paga minimale nuk respektohet nga punëdhënësit, jo vetëm që ajo është tepër e ulët, por edhe me kalimin e viteve ajo nuk ngritet së paku aq sa është e nevojshme për ta mbuluar inflacionin vjetor. Kur kemi parasysh që paqen sociale e mirëmban kryesisht solidariteti familjar atëherë është e qartë që edhe ata me paga mbi mesataren, në fakt, përfundojnë në drejtim të pagës minimale porsa që me të ardhurat e tyre iu duhet të mbështesin edhe anëtarë të tjerë të familjes.

Numri i qytetarëve që viteve të fundit kanë rënë nga klasa e mesme në atë të varfër është gjithsesi shumë më i madh sesa i atyre pak individëve që mund të jenë ngjitur lart tek të pasurit. Kështu, pesëvjetori i pavarësisë së Kosovës përveçse solli bilancin negativ të standardit të jetesës së qytetarëve më parë sesa pjesëmarrjen e tyre në kremtimet e jubileut, paralelisht i përballi qytetarët me shpresat tashmë të humbura të vitit 2008 për zhvillim ekonomik e sovranitet, për mirëqenie e dinjitet. Sepse pa dyshim që zhgënjimi qytetar në Kosovë nuk është vetëm zhgënjim për shkak të të këqijave që kanë ndodhur, por edhe për shkak të të mirave që nuk kanë ndodhur.  Bazës objektive të zhgënjimit patjetër që i shtohet edhe aspekti subjektiv: ndryshimi i pritur me shpalljen e pavarësisë nuk është vetëm ndryshim i dëshiruar i gjendjes por, mbi të gjitha, edhe ndryshim i trendit të gjithëmbarshëm. Njerëzit besuan që gjërat do të ecin mbarë, do të nisin të ecin mbarë, dhe orientuan jetën e tyre me optimizën andejpari. Mirëpo, njerëzit mund të besojnë edhe në një model alternativ, në modelin e pesimizmit: gjërat nuk do të shkojnë mirë, që nuk do të bëhet më mirë se kaq, se e nesërmja do të jetë edhe më keq, se e keqja ka marrë hov e sa vie e do të rritet, se përgjithësisht bëhet fjalë për drejtim të keq. Sigurisht që numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Kosovës i cili dikur i përkiste modelit të optimizmit, mbase edhe për shkak se i përkiste atij modeli, tashmë ka kaluar në pesimizëm.

Dy çështje më duken posaçërisht të rëndësishme të theksohen këtu. Së pari, struktura e optimizmit paraprak. Njerëzit në Kosovë janë bërë aq të pashpresë pikërisht sepse duan rezultate të shpejta dhe njëkohësisht pse nuk besojnë në rezultate të shpejta. Prania e mjerimit dhe mungesa e shanseve në shoqëri është rritur aq shumë saqë s’bëhet dot mirë së shpejti. Mirëpo, në njëfarë mënyre, e gjithë kjo qasje është disi tregtare e financiare, dhe jo prodhuese. Dihet që financat, tregtia dhe shërbimet, janë degë të ekonomisë që e kanë kthimin e menjëhershëm. Nëpërmjet tyre trajnohesh të jesh i shkathët, por jo edhe aq të kesh vizion, të përpilosh plane, e të organizosh prodhimin. Mendësia e nevojshme e qytetarit aktiv që me angazhimin e vet e ndryshon për të mirë gjendjen e rëndë në të cilën  ndodhet, është ajo e bujkut që mbjell e korr dhe bashkëpunon me të tjerët në zinxhirin e kultivimit e prodhimit.

Populli nuk është i varfër e i papunë për shkak të kulturës e historisë së tij, gjeografisë e gjeologjisë së vendit të tij, por për shkak të orientimit aktual të gabuar ekonomik. Një ilustrim për këtë është qysh Qeveria e Kosovës, veçanërisht Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, lavdërohen se si qenka zvogëluar numri i ditëve të nevojshme për regjistrimin e biznesit në Kosovë. Thua se në Kosovë kishim vullnete të ndrydhura ndërmarrësie nga burokracia shtetërore! Në fakt, nga mbi 60 mijë ndërmarrje në Kosovë, rreth 80% syresh kanë vetëm një të punësuar, që është edhe vetë pronari i saj. Më shumë ndërmarrësi se kaq, s’është fer të kërkosh. Kosova nuk lëngon nga mungesa e ndërmarrësisë individuale të qytetarëve, dhe as nga pengesat për këtë ndërmarrësi, por nga orientimi i gabuar dhe i padrejtë ekonomik, i cili nuk sjell as zhvillim përmes prodhimit e punësimit dhe as mirëqenie përmes drejtësisë e barazisë.

Rimëkëmbja nuk do të jetë aspak e lehtë meqenëse njerëzit janë tjetërsuar e tëhuajësuar aq shumë nga të qenit qytetar i dinjitetshëm e punëtor i Republikës. Varfëria bëhet totalisht degraduese kur, ta zëmë, duhet të zgjedhësh nëse duhet t’i ushqesh fëmijët ose duhet ta ngrohësh dhomën. Jeta e dinjitetshme nis atëherë kur nuk bën (këso) zgjedhje. Pra, kuptimi i lirisë së zgjedhjes konsiston më shumë në çështjen e zgjedhur, sesa të lirisë për të zgjedhur. Mund të jesh i lirë pikërisht kur nuk bën zgjedhje (të atilla). Vetëm liria nga zgjedhje (të tilla) shënon fillimin e (vetë) zgjedhjeve të lira.

Për liri të vërtetë të zgjedhjeve që nuk të poshtërojnë, liria e zgjedhjet duhet të jenë për të gjithë e jo për disa, gjë që na sjell te barazia, te kërkesa dhe nevoja për barazi. Kjo është ajo që i nevojitet shoqërisë sonë për t’u ngritur e përparuar. Kur qeveritarët na flasin për përqindjen e rritjes ekonomike sivjet duhet shikuar se kush përfitoi nga ajo rritje e në kurriz të kujt. Tashmë s’ka dyshim që rritja ekonomike e vendit lidhet me mirëqenien e qytetarëve të shtetit po aq sa lidhet liria e kapitalit me lirinë e njerëzve, që do të thotë se më shumë janë të palidhura sesa të lidhura. Po ashtu, le të mos harrojmë që edhe vetë betejat për demokraci përgjatë historisë, në thelb, ishin beteja për (më shumë) barazi. Nga e drejta e votës për gratë dhe zezakët e deri te tatimi progresiv në Skandinavi. Të qenit të barabartë nuk do të thotë të jemi identikë. Por, gjithsesi, nuk jemi aq të ndryshëm që të jemi kaq të pabarabartë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Albin Kurti, e nje mjerimi, kronike, te paralajmeruar

New York Times: NATO duhet t’i ndihmojë Obamës në Siri

September 3, 2013 by dgreca

Presidenti Obama ka vendosur të kërkojë mbështetje nga Kongresi, në lidhje me Sirinë.
NATO duhet të jetë pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për t’iu përgjigjur krizës, duke nisur menjëherë me sulme ndëshkuese për përdorimin e armëve kimike nga regjimi i presidentit Bashar al-Assad. Presidenti, sekretarët e shtetit dhe të mbrojtjes, si dhe shefi i shtabit të përgjithshëm duhet t’iu drejtohen homologëve të tyre për të siguruar aksionin e NATO-s.
Kështu nis shkrimin për gazetën “New York Times” James Stavridis, admiral në pension i Marinës së Shteteve të Bashkuara.
Aksioni i tillë, sipas tij, mund të justifikohet me vetëmbrojtje, për shkak të kërcënimit që i kanoset Turqisë – anëtare e NATO-s, e cila mbështet thirrjen e Obamës për ndërhyrje, pastaj për shkak të kërcënimit nga armët e shkatërrimit në masë dhe për shkak të “përgjegjësië për të mbrojtur”. NATO-ja nuk ka lëvizur përpara deri më tash, për shkak të mungesës së një rezolute nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, e cila autorizon aksionin kundër Sirisë, por që nuk është e nevojshme sipas rregullave të Aleancës. NATO ka vepruar pa miratim të tillë në Kosovë, më 1999, kujton Stavridis.
Përkundër mbështetjes jo të madhe për një aksion të ngjashëm, sidomos pas votimit kundër në Parlamentin britanik, një mision i tillë është thelbi i rolit të NATO-s në shekullin 21. Përderisa Aleanca ka pasur rezolutë të Këshillit të Sigurimit për të ndërhyrë në Libi më 2011, në Kosovë ka vepruar pa të. Ky mund të jetë edhe rasti i Sirisë, me një shtytje të madhe nga Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Turqia, të cilat janë zotuar se do të mbështesin intervenimin në Siri. Sikurse edhe në Libi, jo çdo vend duhet të sigurojë forca.
Stavridis kujton se kryengritja që ka përmbysur kolonelin Muammar Qaddafi në Libi, ka dërguar migrantët përmes Mesdheut në Evropë, por thotë se kriza në Siri ka ndikim edhe më të madh tek anëtarët e NATO-s, pasi ka një kufi prej më shumë se 400 miljesh me Turqinë.
Gjatë muajve të fundit të mi si komandant suprem i operacioneve, para se të pensionohesha në maj, ne kemi vendosur bateritë Patriot në kufirin Turqi-Siri, për të siguruar mbrojtje nga raketat aksidentale ose të qëllimshme nga regjimi i Assadit, thotë Stavridis. Sipas Kombeve të Bashkuara, rreth 450,000 refugjatë sirianë janë në Turqi, ndërsa të tjerët kalojnë detin për në Greqi dhe vende të tjera të NATO-s.
Aleanca ka vëzhguar nga afër situatën dhe ka qëndruar larg ndërhyrjes, në mungesë të rezolutës së Këshillit të Sigurimit, ndonëse sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ka thënë të hënën se është i bindur jo vetëm për sulmin kimik, por edhe për përgjegjësinë e regjimit sirian në lidhje me të.
Ndoshta ngjashmëria më e afërt me Sirinë nuk është Libia e vitit 2011, por Ballkani në vitet 1990. Në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë, situata në terren ka qenë kaotike; mbi 100,000 njerëz janë vrarë dhe miliona të tjerë janë dëbuar përtej kufijve. Ngjante shumë me Sirinë, edhe pse pa armë të shkatërrimit në masë.
Në Bosnjë ka pasur një forcë ndërkombëtare dhe një rezolutë të Këshillit të Sigurimit. Kjo do të ishte ideale. Në Kosovë, në anën tjetër, mbeten kundërthënie për rolin e NATO-s pa një rezolutë të tillë. Por, rezultati ka qenë përgjithësisht i mirë – rajoni pak a shumë në paqe dhe një Kosovë e pavarur, e njohur nga pothuajse 100 shtete, shkruan Stavridis.
Konsensusi për veprimin e NATO-s është i mundur pa Këshillin e Sigurimit, ku Rusia dhe Kina, të cilat kanë fuqinë e vetos, nuk pranojnë të mbështesin aksionet kundër Sirisë. Për momentin, Franca dhe Shtetet e Bashkuara favorizojnë intervenimin; Gjermania është kundër dhe Britania nuk do të ofrojë mbështetje ushtarake. Kjo i ngjan më shumë situatës me të cilën është përballur NATO-ja në rastin e Libisë, ku Britania dhe Franca kanë qenë në ballë të ndërhyrjes, Polonia dhe Gjermania janë tërhequr dhe Shtetet e Bashkuara kanë qenë diku në mes. Megjithatë, NATO-ja shpejt ka arritur konsensusin për ndërhyrje dhe ka lëvizur përpara.
Stavridis thotë se presidenti Obama duhet të bëjë përpjekje të fuqishme për përfshirjen e NATO-s. Argumentet janë të njëjta dhe ndikimi i Amerikës mbetet i fuqishëm në Bruksel, ku NATO ka selinë.
Qeveria amerikane ka konstatuar me “besim të lartë” se 1,429 sirianë, përfshirë së paku 426 fëmijë, janë vrarë nga kemikatet toksike. Cili është pragu për veprim? NATO-ja duhet të jetë pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për të dënuar ashpër regjimin e Assadit, i cili paraqet rrezik të qartë dhe të pranishëm për Aleancën. Shtetet e Bashkuara duhet ta shpiejnë NATO-n në veprim, shkruan James Stavridis për gazetën amerikane “New York Times”.Përgatiti: Valona Tela

 

Filed Under: Komente Tagged With: duhet ta ndihmoje Obamen, NATO, New York Times, per sirine

U.S. Officials To Make Case About Syria Strike

September 3, 2013 by dgreca

U.S.Secretary of State John Kerry (left) and Defense Secretary Chuck Hagel are due to testify before the Senate Foreign Relations Committee./

The U.S. secretaries of state and defense are to appear before a Senate panel as President Barack Obama seeks to secure congressional backing for his plans to respond with military action to last month’s alleged chemical-weapons attack in Syria.
Secretary of State John Kerry and Defense Secretary Chuck Hagel are due to testify before the Senate Foreign Relations Committee.
Obama said on August 31 that he wanted the approval of the U.S. Congress for “limited” and “narrow” military action in response to the August 21 poison-gas attack near Damascus that the United States says was carried out by Syrian President Bashar al-Assad’s regime.
France on September 2 released an intelligence report that also blamed Assad’s regime for last month’s attack.
Assad has warned that military strikes against Syria risk setting off a wider conflict in the Middle East.
A senior State Department official said Kerry will argue on September 3 that failing to act in Syria “unravels the deterrent impact” of international norms banning chemical-weapons use.
Kerry is also expected to warn that inaction would endanger Washington’s friends and partners in the region, while emboldening Assad and his key allies, Lebanon’s Shi’ite militant group Hizballah and Iran.

France Blames Assad Regime

France has said the alleged chemical attack near Damascus last month could have only been carried out by the Syrian government.
A French intelligence report said the assault on August 21 involved a “massive use of chemical agents.”
It said that at least 281 deaths can be attributed to the attack.
The report was presented to parliament on September 2 by Prime Minister Jean-Marc Ayrault, who said, however, that France would take action only as part of an international coalition.
“There is no question of France acting alone. The president of the republic is working on persuading and bringing together a coalition as quickly as possible,” Ayrault said.
“France has to get on board with this objective because France defends the principle of respecting international law.”
France has emerged as the main U.S. ally in the Syria crisis after the British Parliament last week rejected involvement in any military action.
Russia, which along with China has blocked UN Security Council resolutions against Assad, said on September 2 it remained totally unconvinced the attack was carried out by Assad’s forces.
China has warned of the risks of unilateral military action, with Chinese Foreign Ministry spokesman Hong Lei saying on September 3.
“China supports the United Nations conducting an independent, fair, objective, and professional investigation,” Hong said.
“What actions the international community should take next should be determined by the results of the investigation, which should clarify whether or not someone used chemical weapons in Syria, and who used the chemical weapons. The results should be the premise and precondition for any action taken by the international community for the next step.”

McCain Urges Action

In Washington, Senator John McCain (Republican-Arizona) told reporters at the White House that Obama must make a strong case for attacking Assad’s Syria if he wanted to win congressional backing for the operation.
He also warned of “catastrophic” consequences if Congress voted “no” to attacking Syria.
“If the Congress were to reject a resolution like this after the president of the United States has already committed to action, the consequences would be catastrophic in that the credibility of this country with friends and adversaries alike would be shredded and it would be not only have implications for this presidency but for future presidencies as well.” McCain said after talks on September 2 at the White House with Obama.
Obama has put off any intervention until Congress, which is in recess until September 9, has a chance to vote on the matter.

Filed Under: Analiza Tagged With: abaout Syria Strike, U.S. Officials. to make case

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT