• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2013

KADARE: SULMI MË I RREZIKSHËM, KUR KOMBI SULMOHET NGA VETEVETJA

September 3, 2013 by dgreca

*Ismail Kadare merr çmimin “Ali Podrimja”

*“Kombet si çdo gjë janë të vdekshëm dhe ata që janë të gjallë do të thotë që ata kanë triumfuar mbi një të keqe të madhe që e sulmon gjithmonë kombin. Është e natyrshme që kombet të sulmohen, nga kush?, në mënyrë të paparashikueshme nga lloj lloj rrethanash, shpesh nga vetvetja, e kjo është sulmi më i rrezikshëm”, tha zoti Kadare./

Shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare është nderuar në Prishtinë me çmimin që mban emrin e poetit të njohur të Kosovës, Ali Podrimja.

Shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare, tha se kombi shqiptar ka gjeografinë, historinë dhe qytetërimin e tij, pjesë të qytetërimit evropian dhe debatet që nxiten rreth kësaj çështjeje janë absurde.
Ai i bëri këto komente gjatë një ceremonie në kolegjin universitar AAB në Prishtinë ku ju nda çmimi “Ali Podrimja”, një çmim i ndarë për herë të parë në kujtim të poetit Podrimja i cili ndërroi jetë verën e kaluar në Francë.
Zoti Kadare, që ishte mik i shkrimtarit të ndjerë tha se së bashku kishin diskutuar shpesh për detyrimet që kanë kultura dhe letërsia më kombin.
“Letërsia nuk rregullon punët e një kombi, letërsia nuk rregullon punët e një shteti, nuk rregullon punët e partive prandaj ajo është mirë që të qëndrojë jashtë tyre, ajo ka vlerë, si vlerë e pavarur në radhë të parë, si një vlerë paralele, si një botë paralele. Por, ka stinë në jetën e popujve kur kanë nevojë për të dhe atëherë letërsia e thyen zakonin e saj të pavarësisë dhe përzihet në punët e kombit, kështu është përzier letërsia shqipe në 120 vjet përpara, në 150 vjet përpara në kohën e Rilindjes Kombëtare, kështu duhet të përzihet përsëri kultura shqiptare sot kur kombi shqiptar ka një problem tepër serioz”, tha ai.

Zoti Kadare, i cili sot takoi edhe presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se kombi shqiptar ka një problem me kontinentin e vet evropian dhe është i vetmi komb ndaj të cilit ka pasur përpjekje për të nxjerrë nga kontinenti. Ai tha se ende ngrihen pikëpyetje nëse ai e ka vendin apo jo në Evrope dhe diskutimet e tilla janë të rrezikshme.
“Kombi shqiptar e ka gjeografinë e vet, vendin e vet në Evropë, historinë e vet e ka në Evropë, qytetërimin e ka pjesë të qytetërimit evropian dhe nuk ka pse të shtrohet ky absurditet që është makabër po ta shikosh nga një anë të një populli a duhet të jetë në Evropë apo duhet të dëbohet. Në pjesën e tij më barbare formulimi është bërë i tillë që kombi shqiptar se ka vendin këtu dhe nuk është keq që të dëbohet nga kontinenti. Kjo kaherë është quajtur shpërngulje, herë dëbim dhe drama e fundit ka qenë para katërmbëdhjetë vitesh ku u bë përpjekja e fundit për ta përgjysmuar një pjesë të tij, për ta nxjerrë nga Evropa”, tha zoti Kadare.
Por, ai tha se vështirësitë e mëdha në histori nuk e bëjnë kombin shqiptar të pafat.
“Kombet si çdo gjë janë të vdekshëm dhe ata që janë të gjallë do të thotë që ata kanë triumfuar mbi një të keqe të madhe që e sulmon gjithmonë kombin. Është e natyrshme që kombet të sulmohen, nga kush?, në mënyrë të paparashikueshme nga lloj lloj rrethanash, shpesh nga vetvetja, e kjo është sulmi më i rrezikshëm”, tha zoti Kadare.
Ndarja e çmimit për Ismail Kadarenë, sipas kryetarit të komisionit Ibrahim Berisha mbështetet në shumë arsye.
“Një arsye është për paraqitjen e një Shqipërie me gjithë identitetin dhe kulturën e saj në një mënyrë deri atëherë të panjohur e deri sot e mbase përgjithnjë krejt të papërsëritshme, për pjesën tjetër të globit. Një arsye tjetër mund t’i takojë lexuesit jo-shqiptar dhe atij shqiptar që mbahet me kozmopolit. Ai do të thoshte arsyen pse Kadare duhet shpërblyer pasi letra e tij e pasur përplot shkrime fantastike spikatëse është vendi i vetëm ku pati gjetur strehën qenia e përkatësisë dhe ideja e lirisë, andaj juria e Universitetit AAB-së ka nderin dhe kënaqësisë që çmimin ndërkombëtarë për letërsi “Ali Podrimja t’ia japë shkrimtarit Ismail Kadare”, tha zoti Berisha.
Duke i dorëzuar çmimin shkrimtarit, rektori i kolegjit AAB, Lulzim Tafa, tha se një veprim të tillë do ta bënte edhe poeti Podrimja.
“Duke e ditur edhe vlerësimin që Podrimja e ka pasur për Kadarenë, jam i sigurt se po të kishim pasur mundësinë ta pyesnim vet Podrimjen se kush do të mund të ishte fituesi i çmimit të parë për letërsi që mbanë emrin “Ali Podrimja”, ai do të thoshte Ismail Kadare”.(Kortezi:VOA)

Filed Under: Kulture Tagged With: Ali Podrimja, Ismail Kadare, merr cmimin

“DETROIT NEWS”: NË SHTËPINË E GJENERAL PANGALOS FLITEJ SHQIP

September 3, 2013 by dgreca

*Gjeneral Pangalos ishte shqiptar nga fshati Elevsis. Kështu shkruante korespondenti i Gazetës amerikane “Detroit News”, që e intervistoi atë mars të vitit 1926./

* …Kur më në fund Pangalos u kthye nga ata që e pritnin për audiencë, njerëzia që kishin për të paraqitur ankesat,qarjet,  flisnin vetëm shqip, edhe gjenerali ua kthente menjëherë përgjigjet, gjith’ në atë gjuhë…/

Gjenerali Panaglos i dekleraoi gazetarit amerikan që në hyrje të intervistës se”e vetmja ambicje që kam është  t’i shërbej Greqisë, të shuaj krejt sistemin e tarfeve, të shpie partitë politike në një shesh politik më të lartë. Dhe kur  ta kem mbaruar këtë gjë, do të jem gati të hiqem nga detyra. Do ta thërres popullin të votojë, që të zgjedhë vetë udhëheqësit e tij dhe të shënojë politikën që dëshiron të vihet në zbatim.”

Kjo pra ishte deklarata që Gjenerali Pangalos, diktatori i Greqisë  me gjak shqiptar, i dha korrespondentit të gazetës amerikane “Detroit Neës” . Interesant është fakti, që gazetari amerikan e vendos në fokus gjakun  shqiptar të Pangalosit si dhe të folurit në gjuhën shqipe; intervista u morë në shtëpinë e Pangalosit në fshatin Elevsis. Gazetari shkruante: Ky fshat i qëmotshëm, një orë me kalë larg Athinës, është vendi i stërgjyshërve të Gjeneral Pangalos.Është një fshat bujqësh që flaisn gjuhën shqipe.

Shtëpia e ish kryeministrit nuk ka asgjë në pamje që të duket se është vendi ku rron diktatori i sotëm i Greqisë, shkruante ai. Nuk ka rujtës në hyrje, ose shërbëtorë me uniforma. Po kjo shtëpi dhe ky qark modest është kur gjeneral Pangalos vjen për clodhje në të paktat orë të lira, që i jep leje barra e tij për të rindërtuar  një Greqi të bashkuar nga një komb i cqyer prej grindjeve të brendshme dhe të friksuar prej fqinëjshj.

Gazetari amerikan informon lexuesit se Pangalos para se ta priste atë për intervistë, madje dhe turmën e fshatërve që kishin rrethuar shtëpinë me peticione e kërkesa për diktatorin, mbaroi së pari punë me shokune  tij të lodrës, një qëngj jetim të zi, duke i dhënë qumësht me një shishe me thithje. Pak minuta më parë qëngji kishte refuzuar të pinte qumësht nga duart e shumë njerëzve aty që e kishin provuar, paar gjeneralit.

Kur më në fund Gjeneral Pangalos u kthye nga ata që e pritnin për audiencë, njerëzia që ksihin për të paraqitur ankesat, flisnin vetëm shqip, edhe gjenerali ua kthente menjëherë përgjigjet, gjith’ në atë gjuhë…Si vijon më tej intervista?(Lexojeni në Diellin e printuar)

Filed Under: Histori Tagged With: Detroit News, ishte shqiptar, Pangalos

Bukuroshja shqiptare, e dyta në “Miss Excluzive of the World”

September 3, 2013 by dgreca

Bukuroshja shqiptare Morena Taraku, që kishte udhëtuar drejt Izmirit për të marrë pjesë në spktaklin e bukurisë“Miss Excluzive of the Ëorld” ia ka arritur që të shpalosë sharmin e bukurisë femërore shqiptare, inteligjencën e racës shqiptare duke u renditur e dytë në këtë konkurs bukurie, që u zhvillua në Turqi. Fitorja e bukuroshes shqiptare nuk ishte e rastësishme. Ajo shkoi në Izmir me përvojën e konkurimeve të mëparshme; pas fitimit të disa trofeve të bukurisë, sic ishte fitorja e “Miss Kosova 2010”, “Miss Liberty of  the World 2012”. Ajo ka përfaqësuar Shqipërinë edhe në “Miss World 2012”.

Morena Taraku ka marrë pjesë edhe në spektaklin “Miss Earth 2010”  etj.

Shqiptarja e bukur u vlerësua unanimisht nga juria e spektaklit të bukurosheve të Izmirit, ku ajo meritoi vendin e dytë të”Miss Excluzive of the World”. Vendi i pare ka shkuar per bukuroshen nga Turqia.

Filed Under: Kulture Tagged With: e dyta ne izmir, Morena Taraku

HAFIZ SHERIF LANGU,SHQYPTARIZMA PËR FE E PËR ATDHE !

September 3, 2013 by dgreca

Në Foto nga e Djathta në të majtë janë ; Eqrem Bej Vlora,Rexhep Mitrovica,Dervish bej Biçaku ,Hafiz Sherif Langu,Lef Nosi,Rauf Fico,Ali Asllani,Ferid Vokopola dhe Dhimitër Berati/

 Shkruan:Eugen SHEHU/

       Dibra e Madhe,ajo trevë e lume shqiptare,qarkuar prej lumenjëve gumëzhitës dhe maleve të larta,nëpër shekuj ka tundur kurdoherë djepe trimash.Këta në çdo moment,i kanë dale zot fateve të kombit të tyre.Por,në ato djepe janë përkundur edhe burra të mençur,fjala e të cilëve është përcjellë me respekt së pari në odat dibrane,është shëndrruar që prej shekujsh në institucion besimi dhe krenarie njëherësh.Një gur i rëndë themeli në këtë institucion të besës dhe burrërisë dibrane,mbetet përjetësisht edhe Sherif Langu.

Ka lindur në tetorin  e largët të vitit 1877,në Dibër të Madhe.Qysh herët në fëmijëri,do të ndjente shtypjen dhe peshën e rëndë,disa shkullore osmane. Familja e tij,do të ishte kurdoherë nën kontrollin e rreptë të xhandarrëve të Portës së Lartë,për shkakun se gjyshi i tij,Selim Bej Rusi,pati qenë nën udhëheqësit ushtarak të Dibrës së Madhe,në vitet e lavdishme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.Ndonëse kjo lidhje u shtyp në mënyrë të dhunshme,burrat që e ideuan dhe e drejtuan atë,përcillnin pa u friguar në gjeneratat më të reja heroizmin dhe shpirtin e madh të sakrificës që patën karakterizuar krejt ato vite.Sherifi i vogël,do të ndikohej së tepërmi nga jeta prej kaçaku dhe udhëheqësi luftarak e gjyshit të tij,ndaj dhe nuk i ndahej për asnjë çast atij.Në moshën 8 vjeçare,Sherif Langu shkon të studjojë në Medresenë e famshme të Dibrës së Madhe,jo shumë larg shtëpisë së tij.Mësuesit e donin pse ai karakterizohej nga një vullnet i madh për të përvetsuar çdo dituri,sado e largët të ishte ajo në kohë.Por ata e donin se gjithashtu,shihnin tek tiparet fisnike të  nxënësit 8-9 vjeçar një ndjenjë të thellë dhembshurie që jo rallë lexohej në sytë e tij,për vendlindjen e dashur.Dhe fshehtas,në vitet e shkollimit në Medresenë e qytetit,kishte dëshirë t’u fliste bashkëkombasve të tij,për heronjtë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,pa haruar natyrisht gjyshin e tij.Pas mbarimit me rezulltate të shkëlqyera të Medresesë së qytetit,Sherif Langu shkon në Manastir,duke vazhduar mësimet në gjimnazin,ku veçanërisht në vitet e para të shekullit që lamë pas,pati nisur të zgjohej vetëdija nacionale jona.”Qysh në vitet shkollore në Manastir,Sherif

Langu,bashkëpunoi me atdhetarët e njohur Hamdi Ohri,Zyhdi bej Ohri dhe Hajdar Blloshmi”.

( B.Gaçe “Ata që shpallën pavarsinë kombëtare”Tiranë 1997,faqe 100 ).

Në vitin 1904,Sherif Langu do të merrte rrugën drejt Stambollit.Ndonëse pat shprehur dëshirën të studionte Teologjinë Islame,në vetvete ishte i prirur që nëpërmjet mundësive që i jepte rroba e një patriarku të ndikonte sa të mundëte për t’u orientuar bashkëatdhetarëve të vetnë dritën e munguar të Shqiptarizmit.Në Stamboll,në ato vite,vlen të thuhet se vepronin një varg patriotësh të mëdhenj të Shqipërisë,në krye të të cilëve,padyshim ishin vëllezërit Frashëri.Së pari,Sherif Langu do të takohej me Ibrahim Temon dhe Dervish Himën,të cilët duke njohur se nga çfar familjeje vinte dibrani i ri,i besuan atij mjaft të fshehta të lëvizjes autonomiste shqiptare e cila po gatuhej,pikërisht në zemër të perandorisë osmane.Bashkëbisedimet e gjata me këta dy burra,do t’a bindnin Sherif Langun se Teologjia Islame që ai studionte,do të vlente vetëm atëherë kur ajo do të shpalosej si mesazh për të ndriçuar udhën e lirisë së kombit të vet.Por,në Stamboll,biri i Dibrës së Madhe do të takohej edhe me Mehmet Pashë Derallën,Ali Riza Shkupin dhe Hasan Prishtinën.Prej këtyre ai do të merrte fjalën se në rastin e parë që do t’u jepej,kur vatanit t’i kërkonte besë të lidhur burrash,e bashkuan edhe Sherif Langun,i cili sapo mbaroi Universitetin Telogjik Islam,kërkoi të shërbente në një prej institucioneve fetare në vilejetet shqiptare.Në vjeshtën e vitit 1907 shkon në Dibër të Madhe dhe nën titullin fetar të Hafizit,nis menjëherë nga veprimtaria kombëtare.Në këtë mënyrë,në pranverën e vitit 1908,pas kontakteve të drejtëpërsëdrejta me Dervish Himën dhe Vehbi Dibrën,Hafiz Sherif Langu nis nga puna për krijimin e klubit “Bashkimi” i paraqitur asaj kohe si klub për përhapjen e gjuhës shqipe,por që në të vërtetë kërkonte të zhvillohej sipas modelit të Komitetit të Fshehtë të Manastirit.Me punë dhe përpejkje trimërore,klubi “Bashkimi” ndonëse ende i pashpallur,u shëndrua në një fole të ngohtë të atdhetarëve që vepronin sidomos në Manastir.Pamvarsisht se formimi i klubit “Bashkimi” u shpall në dhjetor të vitit 1908,( me kryetar Hafuz Sherif Langun) ky pati ndikuar drejtëpërsëdrejti në mbarëvajtjen e Kongresit të Manastirit për alfabetin e gjuhës shqipe.”Pranë klubit “Bashkimi” dhjetra antarë zhvillonin një propagandë të gjërë në qytet dhe në krahina për të mbajtur të gjallë në popull dashurinë për atdheun,dëshirën për të kënduar e shkruar shqip.Kudo dëgjohej me interes fjala e kryetarit Sherif Langu dhe Vehbi Agollit për këto probleme, duke i bërë kështu një shërbim të çmuar çështjes kombëtare”. ( Arkivi i Institutit të Historisë – Tiranë , Dosja A.VII.63 , fleta 4 ).

Në krye të klubit patriotik “Bashkimi”Hafiz Sherif Langu do të përpiqej të mblidhte rreth çështjes kombëtare jo vetëm atdhetarë Dibranë,por edhe ata të Kosovës e Malit të Zi.Edhe atëherë kur turqit e rinj u vërsulën me zjarr dhe hekur për të shtypur çdo aspiratë autonomiste të popullit tonë,burri i Dibrës nuk u frigua.Mjaft pjestarë të klubit që ai drejtonte u shpërndan ç’rej Kukësi  e deri në Ohër e Strugë,duke krijuar e mbajtur të ndezur arsimimin e fëmijëve me gjuhën e bukur shqipe.Ishte pikërisht veprimtaria e këtyre Komiteteve, e cila mbajti të ndezur arsimimin e fëmijëve me gjuhën e bukur shqipe.Ndonëse turqit e rinj përpiqeshin të digjnin gjdo libër shqip,karavane të tëra librash,të ardhura nga Sofja apo Bukureshti,shkonin deri në fshatrat e kullat më të largëta të Dibrës.Hafiz Sherif Langu,do të predikonte me dashuri e urti,midis bashkëkombasve të vet se “shqiptarizma asht për Fe e Atdhe.Sa ma shumë ta përqafojmë atë aq më pranë zotit jemi dhe ai padyshim do t’na ndihmojë në dëshirat e hallet tona”.

Hafiz Sherif Langu,çdo ditë më tepër ishte i bindur se përballë verpimeve dhunuese dhe përçarëse të Portës së Lartë shqiptarët duhej të ngriheshin e të kërkonin pavarsinë e tyre me grykën e pushkës.Kështu në fillim të marsit 1912,patriotët dibranë organizuan në rrethina të fshatit Homesh, një kuvend madhor,në të cilin muarën pjesë rreth 4500 burra ç’prej Grykës së Vogël e Luznisë deri në Bulqizë.Në këtë kuvend,Hafiz Sherif Langu lexoi një program i cili sipas dokumentave ka qenë pikërisht urdhëri i Komitetit të Manastirit për përgaditjen e kryengritjes së armatosur.Ky program në dallim nga herët e tjera apo kuvendet e tjera,përcaktonte në mënyrë tejet të qartë se ;”Tash do të bajmë kryengritje jo për me kërku lirinë e mësimit të gjuhës sonë,por për me ngritë flamurin kuqezi”(Arkivi i Institutit të Historisë – Tiranë. Fondi A.VII 63 , fleta 69 ).

  Dhe pikërisht këtu pas ndëgjimit të fjalës së Hafiz Sherif Langut,i cili disa herë u ndërpre nga durtrokitjet e nxehta dibrane dhe po në atë lëndinë,si rrufeja u lidh besa për t’i dëbuar osmanët nga Dibra.Me anë të korrierëve të posaçëm,kërkesa e burrave të Dibrës u dërgua pranë deputetëve shqiptarë në parlamentin osman dhe veçanërisht iu bë e njohur Hasan Prishtinës,i cili dha udhëzime për mbajtjen e kontakteve me gjitha vilajetet shqiptare. Më 24 mars 1912,në fshatin Çidhmë të Dibrës së Poshtme,luftëtarët shqiptarë u përballën me një batalion osman të futur në pozicione të fortifikuara dhe të armatosur deri në dhëmbë.U deshën disa orë luftime të rrepta që batalioni turk në Çidhën të shpartallohej tërësisht,duke lënë me qindra të vrarë e të plagosur dhe një sasi të konsiderueshme të materialeve luftarake.Ndërkaq flakët e kryengritjes po përhapeshin me shpejtësi të madhe.Më 27 mars 1912 forcat dibrane të udhëhequra nga Elez Isufi dhe Sufë Xhelili rrethuan garnizonin turk në Reç e Dardhë dhe pas luftimesh të papara,mundën ti shpartallojnë këto forca.Tashmë për çdo dibran të ndershëm,ashtu sikundër për çdo shqiptar të tillë,ishte më se e qartë.”Në qershor kryengritja përfshiu edhe Dibrën e Sipërme,kurse më 21 qershor filluan lëvizjet brenda në qytetin e Dibrës.Tek ura e Spiles u grumbulluan forca të shumta kryengritëse,të prira nga Sadulla Strazimiri,Sheh Latifi,Ismail Strazimiri,Hafiz Sherif Langu,Eqrem Cami,Shahin Cami,Nurçe Xhuglini,Qamil Daci,Ali Zeqja,Rifat Mizoja, Dan Cani, Dine bej Maqellara,Abdulla bej Allabegija,Izet Dalipi,Sefedin Ilimca etj.Shihej qartë se e tërë Dibra ishte e përfshirë nga ideja dhe valët e kryengritjes”.(Q.Xhelili,”Vehbi Dibra personalitet dhe veprimtar i shquar i lëvizjes kombëtare”- Tiranë 1998 , faqe 83 ).

Merret lehtë me mend se ngjarja kulmore në jetën e Hafiz Sherif Langut është padyshim pjesmarrja e tij në kuvendin historik të Vlorës.Në kushtet e shpartallimit të plotë të perandorisë osmane si dhe të rrezikut që u vinte trojeve shqiptare prej shovenëve sllavo-grek,ishte e natyrshme që vetëm pavarsia do të mund të shpëtonte shqiptarët.Më 18 nëndor 1912,në zyrën e telegrafisë së bashkisë së Dibrës,do të mbërinte telegrami i plakut Ismail Qemali,i cili ftonte dibranët një orë  e më parë të zgjidhnin përfaqsuesin e tyre,për të ngritur Flamurin në Vlorë dhe për të shpallur pavarsinë e trojeve shqiptare.Në këto kushte,në 19 nëdnor 1912,paria e Dibrës në bashkëpunim me udhëheqësit e shquar të maleve,u mblodhën në një kuvend madhështor,i cili u çel me leximin e telegramit të plakut të Vlorës.Dy ditë pas këtij kuvendi,mes bisedimesh të shumta,u caktuan edhe dy delegatë që do të përfaqsonin popullin dibran në Vlorë.”Është interesant fakti që mandati i përfaqsimit të Dibrës në kuvendin e Vlorës iu dha njëzëri dhe pa asnjë hezitim Vehbi Dibrës dhe Hafuz Sherif Langut.Të dy burra të shquar dhe të nderuar,të njohur si klerikë por edhe si luftëtarë aktivë të çështjes kombëtare”.(Q.Xhelili”Vehbi Dibra personalitet dhe veprimtar i shquar i lëvizjes kombëtare” – Tiranë 1998 , faqe 90 ).

  Menjëherë pas marrjes së mandateve,të dy burrat e Dibrës të përcjellë nga dashuria dhe respekti i mijëra dibranëve,nisen për në Vlorë.Atyre do t’u duhej të udhëtonin herë në këmbë e herë në kuaj,ditën e natën,duke iu shmangur sidomos luftimeve me formacionet e ushtrisë serbe.Dhe kurdoherë ata do të gjendeshin të rrethuar prej bujarisë dhe fisnikërisë shqiptare.Udhëtimi i tyre zgjati plot 7 ditë dhe anipse në kushtet e vështira të mjeteve të komunikimit me të mbrritur në Elbasan ata muarën vesh për interesimin e vazhdueshëm,të Ismail Qemal Vlorës.Kështu,në një telegram që ky i niste në Elabsan,Aqif pashë Elbasanit,pos të tjerave pyeste ; “A erdhën përfaqsuesit e Dibrës ? Sa më i madh të jetë rreziku aq më rëndësi kanë masat për ta përballuar këtë rrezik…”(A.Q.Sh-Tiranë.Fondi “Kuvendi Kombëtar i Vlorës”Dos.1.fl.23)

Më pas ditët historike të kuvendit,Hafiz Sherif Langu do të jetonte në dashurinë e qindra atdhetarëve të tjerë shqiptarë,momentet e lavdisë dhe krenarisë për ngritjen e flamurit tonë kuqezi.Shqipëria shpallte aktin e madh të pavarsisë duke lënë pas lumenj të tërë gjaku.Së bashku me Vehbi Dibrën,burri i Dibrës harton “Fetfanë”,duke iu përgjigjur flakë për flakë qëndrimit antikombëtar të disa prej parisë shqiptare,të cilët mohonin jo vetëm kombësinë e fenë por edhe flamurin tonë.Duke shfrytëzuar faktin që tradicionalisht,nëpër kuvendet shqiptare klerikët e lartë fetarë do e thonin domosdoshmërisë fjalën e tyre,patriotët dibranë përfaqsues në Vlorë hartuan brenda 3-4 ditëve “Fetfanë”,një lloj përshëndetjeje e cila do të hidhte dritë mbi të kaluarën dhe të ardhmen e kombit tonë.Në vështrimin e parë kjo “Fetfa” të ngjan me një predikim të zakonshëm të klerikut,ndërsa në të vërtetë përmbajtja dhe idetë e saj,bënin apelin e madh të kohës,drejtuar gjithë shqiptarëve për në dashuri gjer në amshim për të kaluarën dhe flamurin tonë.Në aspektin juridik kjo përshëndetje mund të merrej edhe si model i ndërthyrjes së detyrave të pushtetit legjislativ me atë egzekutiv të shtetit.Në qeverinë e parë shqiptare,të dalë prej kuvendit të Vlorës,Hafiz Sherif Langu bashkëpunon me Mid’hat Frashërin,i caktuar në atë qeveri si ministër i punëve botërore.Në prillin e vitit 1913,atëherë kur trupat serbe po largoheshin nga Dibra dhe Mati, qevreia e përkohshme e Vlorës mendoi të dërgonte atje një komision të Veçantë i cili do të organizonte pushtetin lokal në ato treva.Me porosi direkte të Mid’hat Frashërit ky komision përbëhet prej ; Hafiz Sherif Langut,Tajar Tetovës dhe Ahmet Daklit.Ndërkaq ishte qeveria e Vlorës, e cila i pat porositur komisionerët e saj të merrnin në Mat,patjetër lidhje sa më të ngushta me djaloshin 18 vjeçar Ahmet Zogun,i cili i pat deklaruar në Vlorë,Ismail Qemalit se do të ishte krahu i djathtë i shtetit të parë shqiptar,në ato treva.Rreth këtij misioni,më 22 maj 1913 ministri i Brendshëm i Qeverisë së Vlorës,Myfid bej Libohova i shkruan prefekturës së Elbasanit,midis të tjerash se ; “Telegramet e zotërinjëve Tajari,Sherif dhe Ahmet i muarëm.Është e nevojshme që Dibra dhe krahina e Matit të lidhen me qeverinë e përkohshme sa më shpejt.Bajram bej Curri dhe krerët e tjerë ndodhen në Mat,ku presin udhëzime nga qeveria e përkohshme.Zotërinjtë Sherif,Tajar dhe Ahmet të nisen sa më shpejt për në Mat”.(Arkivi Qëndror i Shtetit-Tiranë,Fondi 71, dosja 2, dokumenti nr.11223 ).Anipse në kushte tejet të vështira,përballë trazirave të mbrendshme si edhe intrigave serbe e malazeze,patriotët dibranë,të kryesuar nga burri i shquar Sherif Langu,mundën të kryenin në trevat veriore shqiptare një veprimtari të madhe në dobi të shtetit të parë shqiptar.Ngase kishte njohuri jo vetëm në teologji por edhe në jurispondencë burri i Dibrës do të ngarendëte prej Mati e deri në Dibër e Gjakovë,duke u përpjekur të bindë parinë e këtyre trevave se ishte e domosdoshme të shmangej anarkia për t’iu bindur deri në fund ligjeve të shtetit.Me ndihmën e drejtëpërsëdrejti të Sherif Langut,u ngrit prefektura e re e Dibrës,në të cilën përveç viseve të çliruara nga serbët të kësaj treve,u vendos të futeshin në krahinat e Lumës dhe të Matit.Në të njëjtën kohë,ndonëse përballë vështirësive u ngritën administratat vendore në Dibër të Epërme dhe Dibër të Poshtme ku kontributi i Sherif Langut ka qenë dhe mbetet i padiskutueshëm.

Trazirat e mëdha në vitet 1913-1914,atëherë kur shqiptarët po vriteshin midis tyre për të kënaqur orekset e fqinjëve tanë të vjetër e lakmitarë,nuk do të kalonin lehtë në shpirtin e burrit të Dibrës.Në këto momente,në fjalën e tij të ngrohtë dhe sidomos mendimin  e pjekur,Sherif Langu do të ishte kurdoherë në vargun e burrave që vunë shqiptarizmën mbi gjithshka.Në shoqërinë e Rexhep Mitrovicës,Ahmet Zogut,Murat Toptanit,Mid’hat Frashërit,Myfid Libohovës,Aqif Biçakut etj,burri i Dibrës do të ngarendëte nga një cep i Shqipërisë në tjetrin duke luftuar me pushkë dhe pendë që pavarsia e shtetit shqiptar,si ajo foshnja e sapolindur të mos përpihej prej tallazeve të egër të luftrave dhe ambicieve të fqinjëve tanë shoven.Edhe në vitet 1914-1918 kur ai kreu detyrën e gjykatësit në disa prej gjykatoreve shqiptare të asaj kohe,Sherif Langu u karakterizua nga një drejtësi dhe urtësia në marrjen  e vendimeve.Për të,të gjithë ishin të barabartë përballë ligjeve,ndaj secili vlente të përgjigjej deri me jetën e tij.Por dënimet e rrepta ishin tejet të rrallë për atdhetarin dhe fetarin e madh,këto dënime janë dhënë vetëm në ato raste kur tradhëtia ndaj Shqipërisë dilte sheshit.Ndërkaq në asnjë mënyrë ai nuk do të pranonte bashkëpunimin me Esat Pashë Toptanin,i cili duke parë guximin e tij, e mbajti të mbyllur në burgun e Elbasanit për 7-8 muaj,burrin e shquar të Dibrës. Më tej,Hafiz Sherif Langun do ta shohim të japë kontributin e tij të çmuar,përkrah Vehbi Dibrës,për pavarsinë e objekteve dhe kulteve fetare shqiptare nga Stambolli.Vlen të merret në konsideratë se një gjë e tillë,ka qenë shumë e vështirë të realizohej në ato kohra,po të kemi parasysh mentalitetin dhe prapambetjen që trashëgonte populli ynë nga e kaluara.Në këtë mënyrë,krahas mendimit teologjik dhe filozofik,kontributi i Sherif Langut mbetet me vlera të thella,pasi në çdo veprim e fjalë të tij,vihen re ndjenjat e thella dhe fryma nacionaliste.Si rrallëkush në ato momente të vështira,Hafiz Sherif Langu u përpoq të ngjallte në shpirtërat e besimtarëve apo shqiptarëve të tjerë që e rrethonin,ndjenjën e krenarisë kombëtare,evokimin e traditave më të vyera të popullit tonë si parakusht për të flakur tutje fanatizmin e verbër dhe përqarjet krahinore.Që këto tradita të evokoheshin e përcilleshin,që ato të shiheshin si modele që mund të vlenin ende,sipas mendimit të burrit të Dibrës,të gjithë shqiptarët duhej të shtonin përpjekjet për gjuhën dhe kulturën shqiptare. Veçanërisht në kushtet kur mbretëria shqiptare,po u jepte prioritete të mëdha shkollës dhe gjuhës shqipe,Sherif Langu do të nxiste plejadën e shkëlqyer të klerikëve të asaj periudhe që të përkrahin pa rezerva shqiptarët këndej e andej kufirit,për të lartësuar mendjen e tyre vetëm në anën e diturisë.

Sipas librit “Dibra dhe etnokultura e saj”,mësohet se Hafiz Sherif Langu,nga 1938 e deri në vitin 1941,kryen detyrën e kryetarit të Këshillit të Ylemave në Shkup.Në muajin tetor 1941,kisha sllavomaqedonase i përgaditi atentat burrit të Dibrës pasi kishte parë tek figura e tij më shumë se  klerikun e besimit islam,ndjenjën e thellë kombëtare që përcillte në çdo veprim kryetari i Këshillit të Ylemave.Kanë qenë pikërisht disa miq të tij në Shkup të cilët bien në erë të atentatit.Fshehurazi duke e veshur me kostum të fshatarëve të atyre anëve,këta mundën ta nxjerrin Sherif Langun përtej kufijve politikë politik,duke e dërguar në Tiranë.Aty,burri i Dibrës pritet me gëzim prej qeveritarëve shqiptarë,madje kleri i lartë mysliman u vendos në funksionin më të lartë atë të kryetarit të Komunitetit Mysliman.Falë atdhetarizmit të kulluar të tij,luftës pa kompromis me kundërshtarët  e Shqipërisë,si edhe përgaditjes së lartë teologjike e filozofike,ai qëndroi në këtë detyrë deri në tetor 1943.I prirur kurdoherë nga ideja e Shqipërisë Etnike,Hafiz Sherif Langu pranon me kënqësi të jetë në tetorin e vitit 1943 në Këshillin e Naltë të Shtetit Shqiptar si anëtar i këtij Këshilli.Ai do të bashkëpunonte me burra të tillë të shquar si Rexhep Mitrovica,Lef Nosi,Patër Anton Arapi,Mehdi Frashëri,Xhafer Deva,Thoma Orollogaj,Fuad Dibra etj,pamvarisht se këta u sulmuan me armë në dorë nga klika komuniste e Tiranës.

Në janarin e vitit 1945,ndërsa po jepte mësim në Medresenë e Tiranës,Hafiz Sherif Langu arrestohet.Akuza ndaj tij mund të përmblidhet “bashkëpuntor me Ballin Kombëtar” e “Legalitetin”,mik i ngushtë me Rexhep Mitrovicën dhe Lef Nosin,ka luftuar për Shqipëri Etnike duke sabotuar rëndë lëvizjen nacionalçlirimtare”.Burri i Dibrës e bëri vetë mbrojtjen,pa avokat.Në esencë fjala e tij në gjyqin butaforesk të komunistëve të Tiranës përfundonte ; “Nuk mund të quhem armik pse due me jetue së toku me vllaznit e mij,çka e realizon Shqipnija Etnike.Përkundrazi armiq jeni ju.Vetëm për këtë ideal timin në Shkup deshën me m’vra.Por sllavomaqedonasit po e realizojnë këtë në Tiranë !”.Dënohet së pari me burg të përjetshëm e mandej me 25 vjet burg.

Hafiz Sherif Langu,nacionalisti i pakomprimis,mbyll jetën e tij i torrturuar mizorisht nga bollshevikët e shtetit amë,më 9 mars 1956,burri që pati ngritur flamurin në Vlorë,ai që për 7 decenie punoi e jetoi vetëm për kombin e vet.Ishte plot 79 vjeç kur mbyllte sytë ndërsa shpirti i lirë ngarendëte përtej hekurave të qelive në kufijtë Etnike të Shqipërisë.

Bern-Zvicër

Filed Under: Histori Tagged With: fe e Atdhe, Hafiz Sherif Langu, ugen Shehu

PINGPONGU I LOGOS

September 3, 2013 by dgreca

Pse ti mashtrojë serbet, për të dalë në zgjedhje (pa ç’ rëndësi kanë këto zgjedhje pa simbole shtetërore), nëse ato nuk prodhojnë efekte pozitive në drejtim të besimit dhe të forcimit të shtetit./

 Nga Bekim Rexhepi/

Nuk ka pasur fije mëdyshje se nuk do të ketë një duel a hedhje përgjegjësish nga njëra anë në tjetër, si ne të gjitha rastet, po edhe atëherë kur diç e rëndësishme vendoset të ndodhë me Kosovën.

Qytetaria definohet si përkatësi e qytetarit ndaj një shteti. Por nga momenti kur shteti nuk i siguron një status juridik qytetarit atëherë definitivisht ai privohet nga përkatësia e tij. A është interes i shtetit të Kosovës qe të diferencoi disa qytetar në emër të etnisë? Nuk e besoi se ka një shtet dhe një pushtet që e kontrakton vetveten më kësi veprimesh fare naive e politike. Serbet e Kosovës janë dhe duhet të mbesin patjetër me përkatësin e tyre prej qytetarit të Kosovës. Nuk mund të provohen me anë të disa akte e vendime të tjera politike të cilat direkt e pengojnë apo e diferencojnë qytetarin e Kosovës nga përkatësia e natyrshme dhe mbase e garantuar me ligj.

Qytetaret serbë të Kosovës aktualisht aty ku janë, janë më të rëndësishëm për Kosovën se sa që ata duhet të ishin për Serbinë, mu për këtë shteti duhet qe këtyre qytetarëve tu siguroj statusin juridik më të cilin atë përfitojnë të drejtat e barabarta me të tjerët pavarësisht etnive.

Nuk mund të anashkalohet aversiviteti i këti pushteti aktual në Kosovë, ku në emër kinse të shtetit zgjedhë veprime të cilat në esencë nuk e zhvillojnë, por e dëmtojnë qytetarin dhe shtetin.

Pra, ky pushtet fare aversivë i Kosovës po shkakton dy dëme: në njërën anë po dëmton qytetarët e saj sepse me disa aktet dhe vendime politike po i lë ata pa përkatësinë e tyre, e të çendurit qytetar i territorit administrativë dhe njëkohësisht po fut vetveten në sherr me një shtet tjetër i cili po synon qe përmes qytetarëve të Kosovës të të njëjtës etni të ushtroj kontroll edhe mbi territorin administrativ të një shteti tjetër.

Kosova nuk mund tu siguroj qytetarëve të saj kurrfarë sigurie juridike nëse ata vazhdon akoma ti percepton si jo qytetar të saj. Shteti i Kosovës duhet të bëjë aq sa mundet në jug duhet të bëjë edhe ne veri. Nëse është shtet multietnik, këtë gjithsesi duhet ta bëjë, e nëse jo atëherë të mos gënjehet sa për sy e faqe se është shtet multietnik.

Heqja e simboleve shtetërore nga dokumentet e saj të rëndësishme, e bënë shtetin hileqar, jo seriozë, jo të besueshëm dhe me pak të fortë ne raportet e bindshëmrisë me qytetarin.

Pushteti aktual në Kosovë me të gjitha ato marrëveshje të dyshimta, duket se po e vendosë në mënyrë të pakuptueshme se qytetaret e saj do të mbesin pa një përkatësi ligjore, duke i shpërfillë nga e drejta qe ata të jenë brenda simboleve legjitime të shtetit.

Dukshëm pushteti në Kosovë, orvatet ta bëjë në këto zgjedhje të fundit, pretendohet të mbahen zgjedhjet me 3 nëntor të këti viti, dhe qytetaret e saj serb përjashtohen nga e drejta e tyre për të qenë qytetar të Kosovës. Nëse këta qytetar përjashtohen nga e drejta e tyre legjitime për të qenë zgjedhës ne zgjedhjet e Kosovës, atëherë ata do të mund të mos përjashtohen nga shteti serb, përkatësisht Serbia që ata të bëhen qytetar të Serbisë dhe jo të Kosovës, pa çka se ata jetojnë në një shtet tjetër, i cili i vet përjashton nga logjika e simbolikës shtetërore, për qëllime te caktuara .

Pse ti mashtroi serbet, për të dalë në zgjedhje (pa ç’ rëndësi kanë këto zgjedhje pa simbole shtetërore), nëse ato nuk prodhojnë efekte pozitive në drejtim të besimit dhe të forcimit të shtetit.

Duket e qartë se meçi i largimit apo mos largimit të logos nga fletëvotimet e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit do të jetë mes Qeverisë dhe KQZ-së.

Qeveria është dashur ta saktësoi përmes Kryeministrit Thaçi, se është e pakuptueshme të mos jenë simbolet e shtetit të Kosovës në fletëvotimet e zgjedhjeve të ardhshme, ashtu qysh kanë qenë në të gjitha zgjedhjet e kaluara.

Loja e pingpongut me largimin e logos është e rrezikshme sepse zgjedhjet po mbahen në një shtet real e jo imagjinar, ndaj të mos i japim argument të fiksuara askujt qe shteti ynë është shtet imagjinar.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Bekim Rexhepi, KQZ, pingpongu i Logos, Thaci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT