• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2013

AMANETI I ÇUAR NË VEND!

October 15, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Javën e kaluar, Z. Servet Pëllumbi, një ish-funksionar i lartë i Partisë Socialiste të Shqipërisë, në një intervistë televizive zbardhi mëtej dokumentin e Ramiz Alisë, të bazuar në platformën e Mikhail Gorbaçovit, të ashtuquajturën “Katovice” duke rrëfyer vendimin e ish-diktatorit komunist të Shqipërisë për të zbatuar vendimin sekret të Byrosë politike të Shqipërisë, në lidhje me këtë platformë.   Në Shqipëri gjithnjë duket si tabu përmendja e këtij këtij dokumenti, dhe si rrjedhim tërheq vëmendje e interesim sado herë që përmendet.  Është i rëndësishëm fakti që Z. Servet Pëllumbi, i cili ka qenë pjesmarrës dhe është në dijeni të plotë të ngjarjeve të 20 e sa viteve të jetës politike në Shqipëri, flet për këtë fenomen të rëndësishëm të historisë moderne shqiptare.   Deklaratat e tija kanë peshë dhe janë një kontribut në diksursin politik për zbardhjen e së vërtetës së historisë moderne të vendit.  Platforma “Katovice”,  në të vërtetë, ishte sajuar nga ish-udhëheqsit sovjetik Mikhail Gorbaçev.  Duke parë se komunizmi si ideologji dhe sistem qeveritar kishte dështuar anë e mbanë ish perandorisë sovjetike, ai në vitin 1987, mblodhi ish-udhëheqsit e partive komuniste në Katowice të Polonisë për tu paraqitur atyre platformën e kalimit nga komunizmi në “demokraci’’.

Megjithëse Partia e Punës e Ramiz Alisë nuk kishte marrë pjesë në mbledhjen e Katowicës, pasi e konsideronte veten gjithnjë si shpëtimtarja e fundit e marksizëm-leninizmit në botë, Zoti Pëllumbi thotë se megjithëkëtë platforma “Katowice” i kishte ardhur Ramiz Alisë nga Gorbaçovi dhe sipas tij, diktatori komunist shqiptar e zbatoi atë me përpikmëri — në mendimin tim më me përpikmëri se në çdo vend tjetër komunist të Europës.  Zoti Pëllumbi drejton gishtin ke Ramiz Alia, si njeriu i cili në bazë të plaformës “Katowice”, megjithëse në prapaskenë,   luajti një rol të rëndësishëm në jetën politike të vendit edhe pas vitit 1990 duke caktuar udhëheqsit e partive politike, si dhe reformat që duhen bërë në fushën ekonomike dhe politike të vendit.  Për mua elementi më i rëndësishëm në këtë platformë është amaneti i Ramizë Alisë se si të trajtohen (ose jo) ish-të përndjekurit politikë.   Pyetjes së gazetarit në televizionin “Channel One”,  nëse Ramiz Alia kishte gisht në zbatimin e platformës “Katovice” në Shqipëri, ish-udhëheqsi socialist, Z. Servet Pëllumbi, ndër të tjera tha këto:  “Unë i jam përmbajtur gjithmonë tezës që Ramiz Alia ka qenë çelësi i të gjitha situatave që janë zhvilluar në Shqipëri.  Ramiz Alia ka qenë në dijeni edhe për strategjinë e Katovicës së ‘87.   Madje, në një pritje, në prezencë të ish-presidentit Moisiu e kam pyetur: “Të ka dërguar Gorbaçovi një material për Katovicën?”, sepse Ramiz Alia ka qenë në një periudhë me Gorbaçovin në shkollën e partisë.  Më tha se erdhën disa materiale në atë kohë, por asgjë konkrete.  Ai e mohonte të ketë pasur informacione për Katovicën dhe për materialin përkatës.  Por, në të vërtetë ai ka qenë në dijeni të plotë dhe ka vepruar në përputhje me atë strategji.  Dokumenti që po ju tregoj është një facsimile e një skeleti të fjalës së Ramiz Alisë në Byronë Politike”, tha ai në intervistën televizive për “Channel One”.

Në përgjigje të gazetarit, nëse ka ndonjë pikë referimi ndaj këtij dokumenti, Zoti Pëllumbi tha se dokumenti është lexuar në mbledhjen e Byrosë Politike të Partisë në vitin 1989,  nga i cili ai lexoi në ekran pjesët më thelbësore të dokumentit, bazuar në materialet e Gorbaçovit ku sipas tij, thuhet:   “Socializmi ka dështuar. Cila do të jetë strategjia jonë për kalimin në demokraci?”  Ndër të tjera thotë: “Do të nxisim të krijojmë parti sa të duam, gjithsesi këto parti duhet kontrolluar nga ne”.  Dhe kështu u bë.  Vijon Ramizi: “Në krye të tyre duhet të vendosen njerëz që të përkrahin strategjinë. Partia që do të marrë pushtetin do të shajë komunizmin me themel e me çati, në mënyrë që të fitojë simpatinë e perëndimorëve”.  Momenti i dytë është ai i të përndjekurve politikë: “Të përndjekurit politikë, të dënuarit politikë, duhet të përkrahen, por kurrë nuk do të lëmë të marrin pushtetin, sepse ata sapo të marrin fuqinë do të hakmerren. Ne nuk mund të bëhemi hyzmeqarë të tyre”.  Problemi i tretë, lidhet me pronat: “Të shpronësuarve do t’u japim letër në dorë që t’u njihet prona, por asnjëherë nuk do t’ua japim. Pasurinë e kemi krijuar ne dhe na takon ne”. Dhe  më në fund, sipas Z. Servet Pëllumbi, Ramiz Alia ka thënë se sipas kësaj strategjie,  “brenda dy tre legjilstaurave do kemi ish-klasën komuniste në klasë kapitaliste”.

Megjithëse kam besim tek deklarata e Z. Servet Pëllumbi, është shumë vështirë të zbulohet e vërteta mbi zbatimin e këtij dokumenti, siç është vështirë të zbulohet e vërteta për shumë gjëra të historisë komuniste dhe post-komuniste të Shqipërisë.  U mbetet  historianëve të paanshëm që më në fund të  hedhin dritë mbi këtë fenomen dhe të tjerë të kësaj natyre.  Por një gjë është e qartë.  Nëqoftse Ramiz Alia kishte gisht në vendosjen e udhëheqsve të     Shqipërisë post-komuniste dhe në krijimin e partive politike, historia e 20-viteve të fundit tregon se amaneti i ish-udhëheqsit komunist shqiptar – në bazë të platformës “Katovice” — është zbatuar si një skenar i ndjekur me përkushtim,pa ndryshuar pikë as presje.  Mund të ketë qenë këjo një koincidencë, ose mund të ketë qenë një aksident historik, që gjërat në Shqipëri të kenë rrjedhur pothuaj përpikëmërisht në përputhje me strategjinë e platformës “Katovice”.

Në vizitën e parë në Shqipëri në Mars/Prill të vitit 1991,  me delegacionin e parë zyrtar të Departamentit Amerikan të Shtetit, ishim dëshmitarë të një vendi të shkatërruar shpirtërisht dhe ekonomikisht, por njëherazi u gjëndëm edhe përball një populli plotë pritje, i cili ëndërronte për një të ardhme më të mirë, për një jetë të lirë dhe në drejtësi.  Shqiptarët dëshironin integrimin me Perëndimin, rivendosjen e pronës private, të demokracisë, të zbatimit të ligjit. Dëshironon lirinë e shtypit, gjykata të pavarura dhe privatizim.  Por sot pas 20 e sa vjetësh, megjithë dukjet dhe retorikën demokratike, Shqipërisë fatkeqsisht i mungon substanca e vlerave të vërteta demokratike dhe është kaplluar nga një kulturë politike e rrënjosur në mos besim dhe mungesë tolerance ndaj kundërshtarit politik, që e ka lënë vendin pas në krahasim me vendet e tjera ish-komuniste.

Sipas Z. Servet Pllumbi, në skeletin e programit të Ramiz Alisë thuhet se “Të përndjekurit politikë, të dënuarit politikë, duhet të përkrahen, por kurrë nuk do të lëmë të marrin pushtetin”, një amanet ky që është mbajtur, pasi jo vetëm që ata nuk kishin asnjë mundësi që të merrnin pushtetin, por ata u anashkaluan dhe as nuk u pranuan si pjesë e qeverive të 20-viteve të fundit.  Është e mundur që asnjë përson nga rradhët e të ish-përndjekurve dhe të dënuarve politikë dhe as nga bijtë e bijat e tyre të kësaj shtrese të shoqërisë së vuajtur shqiptare të ketë pasur përgatitjet dhe kualifikimet e duhura për ndonjë  detyrë me rëndësi në qeveritë socialiste dhe demokratike të  20-viteve të fundit?  Kombi shqiptar do të përparojë vetëm atëherë kur të gjithë trajtohen dhe gëzojnë të drejta të barabarta. Vetëm atëherë kur nuk bëhen përjashtime, por kur të inkurajohet pjesëmarrja dhe përdorimi i talentit  dhe potencialit të plotë të çdo personi pa marrë parasyshë të kaluarën familjare ose  bindjet politike të tij. Kombi do të përfitojë dhe të shkojë përpara vetëm atëherë  kur të tërheq talentet më të mira nga të gjitha shtresat e shoqërisë – pa ndonjë barometër politik – me qëllim realizimin e ëndërrave të shqiptarëve të para 20-viteve dhe vetëm në këtë mënyrë Shqipëria dhe Shqiptarët do të jenë në gjëndje të përballojnë sfidat e mëdha tani dhe në të ardhëshmen. A është e drejtë që bijtë dhe bijat e të përndjekurve të mos përfshihen në qeverisjen e Shqipërisë demokratike? Fatkeqsisht praktikat e qeverive të 20-vietve të fundit, më shumë kanë  ndarë e përçarë se sa kanë bashkuar e pajtuar.

Trashëgimia komuniste nuk mund të zhduket lehtë, megjithëse kanë kaluar më shumë se dy dekada ç’prej rënjes së komunizmit zyrtar. Këjo trashëgimi është pjesë përbërse e individëve, e grupeve dhe klasave shoqërore shqiptare dhe si e tillë, këjo trashëgimi fatkeqsisht është vendosëse për fatin e shqiptarëve tani dhe në të ardhmen.  Sidomos në Shqipëri, përballimi me të kaluarën duket se është tepër i vështirë — mos i pamundur — pikërisht për ndasitë e mëdha që kanë ekzistuar dhe që  ekzistojnë midis viktimave dhe  atyre që në emër të regjimit komunist dhunuan dhe shkelën të drejtat njerëzore të këtyre viktimave, vetëm e vetëm se nuk pajtoheshin me atë regjim.  Shoqëria shqiptare ka nevojë për krijimin e një hapsire të lirë publike ku qytetarët mund të debatojnë të pa penguar dhe pa ndërhyrje mbi çështjet e rëndësishme për fatin e tyre.  Martin Luter Kingu ka thënë se, “Jeta jonë fillon të marrë fund, pikërisht në ditën kur ne heshtim për gjërat e rëndësishme.

Z. Servet Pëllumbi hapi një debat për një gjë shumë të rëndësishme të historisë shqiptare të 20-viteve të fundit.  Dhe në një seminar të organizuar ditët e fundit nga Ambasada e Polonisë në Tiranë mbi standardet e të drejtave të njeriut dhe bashkpunimin me shoqërinë civile, Avokati i Popullit i Shqipërisë, Igli Totozani theksoi se mbrojtja e  të drejtave të njeriut  është problemi kryesor politik dhe ekonomik që pnegon zhvillimin normal të vendit duke thënë se “familja europiane, ku dëshirojmë të rikthehemi pas një mungese të gjatë dhe ku aspirojmë të jemi të barabartë mes të barabartëve, kërkon ndërgjegjësim të madh të shoqërisë, promovimin e një barazie, tolerancë dhe gjithpërfshirje më të madhe se ai me të cilin është mësuar shoqëria tradicionale shqiptare”.

Si e sheh Shqipëria të ardhmen e saj gjatë 20-viteve të ardhëshme? Cilat janë vlerat dhe objektivat mbi të cilat do të ndërtohet këjo e ardhëme.  A do të jenë gjithëpërfshirëse a po do të vazhdojnë të jenë përjashtuese?  Pa vlera dhe pa ideale të përbashkëta dhe pa të drejta të barbarta për të gjithë, përfshirë dhe ish-të përndjekurit dhe të dënuarit politikë, por sidomos bijtë dhe bijat e tyre, të cilët janë në moshën për të kontribuar — dhe pa marrë parasyshë amanetin e Ramiz Alisë —  duhet të kenë të drejtën e konkurencës që t’i shërbejnë Atdheut në çdo kapacitet dhe detyrë për të cilën kanë kualifikimet e nevojshme.  Për ndryshe, Shqipëria do të vazhdojë të çalojë drejtë përparimit, zhvillimit dhe integrimit europian për të cilin ka aq shumë nevojë.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, Gorbacovi, servet Pellumbi

Familja Mjeku ne New York presin ngushellime te Dielen me 20 Tetor ne EastWood Manor

October 15, 2013 by dgreca

Federata Pan Shqiptare e Amerikes “VATRA” dhe Gazeta Dielli i shprehin ngushellime Familjes Mjeku dhe gjithe te dashureve per vdekjen e te ndjerit Naser Mjeku.Kliko mbi foto…

Filed Under: Kronike

DEKLARATË E VATRES PËR ZGJEDHJET VENDORE NË KOSOVË

October 15, 2013 by dgreca

Kosova, në këto ditë, asht në valën e fushatës elektorale për votimet e 3 nandorit, kur populli do të zgjedhi bijt e bijat ma të përshtatshëm për të marrë në dorë pushtetin vendor.

Tue marrë parasyshë randësinë që kanë këto zgjedhje për jetën e qytetarëve dhe për të ardhmen e Kosovës, “Vatra” po ndjek me vemendje zhvillimin e fushatës dhe parashikimet për drejtimin që rezultatet do t’i japin jetës së shoqnisë kosovare.

Të shtymë nga dashunia për atë popull që aq shumë vuejti e sakrifikoi për lirinë dhe për të drejtën me vendosë vetë për fatin e vet, i urojmë fushatë të qetë e të pastër dhe fitore kandidatëvet ma të mirë e ma të ndershëm.

Vota asht nji ndër të drejtat themelore të njeriut, por asht edhe detyrë qytetare, prandej të gjithë duhet t’a kryejnë këtë detyrë. Vota asht shprehja e ndërgjegjes, prandej duhet përdorë për kandidatin ma të mirë. Ndërgjegja nuk shitet as nuk blehet, përndryshej ndimon korrupsionin që ia ka nxanë frymën ekonomisë e përparimit dhe ka i hapë rrugën vorfnisë e dëshprimit.

Duhet dhanë hapsinë edhe të rijvet që janë ushqye me arsim e kulturë përendimore, prej nga Kosovës i ka ardhë ndimë e përkrahje në ditët ma të vështira.

Shtetit i përket të krijojë klimën e sigurisë, për mbarëvajtjen e fushatës dhe të procesit zgjedhor, kundër dhunës e kërcnimeve. Me zgjedhje të ndershme e të drejta, Kosova duhet të dëshmojë se ecë e sigurtë në rrugën e  konsolidimit të shtetit ligjor dhe të integrimevet. 

Populli i Kosovës dijti të tregojë nivelin e lartë të civilizimit me zgjedhje demokratike në kushtet e terrorit dhe, krahas me lëvizjen e guximshme për liri, krijoi i pari sistemin pluralist në hapsinën e Ballkanit. Kemi shpresë se edhe provën e këtyne zgjedhjeve do t’a kalojë me dinjitet e vendosmëni, për dobinë e një ardhmënie ma të mirë e ma të sigurtë, në frymën e amanetit t’atyne që për Kosovën e lirë e dhanë edhe jetën.

Kryetari: Dr. Gjon Bucaj

                                                                                       New York, 15 tetor 2013

Filed Under: Editorial Tagged With: deklarate e Vtares, Gjon Bucaj, ne Kosove, per zgjedhjet

Rubrika e Diellit:KU GJENDET DAMASTIONI ILIR

October 15, 2013 by dgreca

Nga Nelson CABEJ/ NJ, SHBA/ 

Damastioni ka qënë një qytet ilir që përmendet nga Straboni (63 p.e.s.- 26 të e.s.) në fillim të erës së re, në një kontekst të tillë:

“Mbi Epidamnin dhe Apolloninë, deri në malet Keraune banojnë bilinët, taulantët, partinët dhe brigët. Diku aty afër gjënden minierat e argjëndit të Damastiumit, rreth të cilave kanë vendosur sundimin e tyre dyestët dhe enkelejtë (që quhen edhe sesaretë) dhe afër këtyre popujve janë edhe linkestët, territori i Deriopit, Tripoliti pelagonian, eordët, Elimea dhe Eratyra”1 Përshkrimi i hollësishëm i fiseve që banonin rreth Damastionit, tregon se Straboni e njihte relativisht mirë lokalizimin e këtij qyteti ilir.

Damastioni ishte i njohur në botën e lashtësisë për minierën e argjëndit dhe për monedhat e argjendit që priste ky qytet si dhe qyteti fqinj Pelagia për një periudhë që zgjati deri nga shekulli IV p.e.s. Monedhat e argjendit me stampën Damastinon (ΔΑΜΑΣΤΙΝΩΝ) janë gjetur në territore shumë të gjera të Ballkanit (Shqipëri, Sërbi, Greqi, Maqedoni, Bullgari e, në veri, deri në Trieste). Nuk dimë që në burimet e lashta ky qytet të jetë përmendur në ndonjë kontekst tjetër të zhvillimeve politike, shoqërore ose kulturore të Ilirisë së jugut.

Në shekullin XIX u bënë përpjekjet e para për ta lokalizuar këtë qytet të lashtë. Në vitin 1874 numismati zviceran Friedrich Imhof-Blumer (1838–1920) parashtroi hamëndjen se ky qytet mund gjëndej në fshatin Damës të Tepelenës, me sa duket duke u mbështetur  kryesisht në ngjashmërinë e vëndemrit të lashtë me emrin e fshatit Damës. Kjo hamëndje u vu në dyshim nga Philippson në vitin 1900 sepse, sipas tij “sot nuk njihen vëndburime argjëndi në ndonjë pjesë të  Ilirisë jugore ose të Epirit”, andaj ai e lokalizon atë në Argyrium (Gjirokastër) duke u bazuar kryesisht ne lidhjen e emrit të këtij qyteti me fjalën argjënd. Historiani çek Konstantin Jireçek, në një studim që botoi në vitin 1916, shprehu mendimin se Damastioni mund të gjëndet në Dibrën e sotme.

Mungesa e vendburimeve të argjëndit në Ilirinë e jugut bëri që vëmëndja e studiuesve të drejtohet ndaj atyre rajoneve që dihet se kanë vëndburime argjëndi. Kështu, studiesi nga Kosova, Zef Mirdita, në një studim të botuar në 1981 e lokalizoi Damastionin në territorin e Dardanisë e këtij opinioni i përmbahen edhe hartuesit e Fjalori Enciklopedik Shqiptar në zërin ‘Damastion’2. Kohët e fundit (2007) studiuesi sërb Popović e ka lokalizuar atë në Sërbinë juglindore, që banohej në lashtësi nga nënfisi agrian i fisit ilir të peonëve3.

Lidhur me hamëndjen e parë të lokalizimit të Damastionit në Damës të Tepelenës, duhet thënë se atë e bën të pabesueshme jo vetëm mungesa aty e vëndburimeve të  argjëndit më shumë se sa fakti që as enkelejtë, as linkestët, as pelagonët nuk kanë qënë afër këtij rajoni në lashtësi.

Edhe hamëndja e lokalizimit të Damastionit në Dardani dhe në Kale Krsevica të Sërbisë është po kaq e pabesueshme, për arsye se gjeografikisht është shumë larg fiseve që, sipas Strabonit banonin në afërsi të Damastionit.

Ka historianë që besojnë se një nga arsyet e themelimit të kolonive greke në Epir kanë qënë minierat e argjëndit të Damastionit. Kështu, në shekullin VII p.e.s. tirani i dytë i Korinthit, Periandri (c. 628–588) “themeloi kolonitë korinthiane në bregdetin e Epirit për të vënë nën kontroll minierat e argjëndit të Damastionit … mund të ketë qënë argjëndi i Damastionit që e lejoi Korinthin të priste monedha”4. Kundër lokalizimit të Damastionit në Dardani flet edhe fakti që në Damastion u prenë monedha argjëndi deri ne shekullin IV p.e.s., kurse jeta qytetare në Dardani ka filluar jo më parë se shekulli III p.e.s.

Çdo hamëndje e besueshme për lokalizimin e këtij qyteti ilir duhet të mbajë parasysh tre kritere:

a. Një kriter historik, d.m.th. të përputhet me të dhënat e hollësishme të Strabonit  për lokalizimin e tij,

b. Një kriter gjuhësor, d.m.th të gjëndet nje vendemër i sotëm që ruan, sigurisht në një formë të evoluar, rrënjën e  vendemrit Damastion, dhe

c. Një kriter gjeologjik, d.m.th. të mund të provohet se në afërsi të qytetit ka pasur në atë kohë miniera/minerale argjëndi.

Nga pasazhi i Strabonit, që sollëm në fillim të këtij shkrimi, del se ky qytet u përkiste dyestëve dhe/ose enkelejve/desaretëve. Ndërkohë që fisi i dyestëve nuk del në ndonjë burim tjetër të njohur të lashtësisë dhe për lokalizimin e tyre nuk mund të flitet me siguri, fiset fqinjë të tij si linkestët dhe eordejtë, që përmënd ai, gjënden rreth liqenve të Prespës dhe Ohrit. Kjo kërkon që ta drejtojmë vëmëndjen nga ai rajon i Ilirisë së jugut.

Duke shqyrtuar të dhënat e mësipërme del se në perëndim të Damastionit  gjëndeshin taulantët, partinët dhe brigët kurse në lindje të tij ishin linkestët paionët dhe eordejtë. Këto të dhëna historike e ngushtojne mjaft zonën ku duhet ta kërkojmë Damastionin: në zonën në perëndim të liqenit të Ohrit.

Pikërisht në këtë zonë të ngushtë gjëndet një vëndemër që plotëson jo vetëm kriterin gjeografik por dhe kriterin gjuhësor të lokalizimit të Damastionit. Ky vëndemër është Domosdova që njihet kryesisht me emrin Fusha e Domosdovës, e  njohur veçanërisht nga beteja e madhe që mendohet se prijsi i madh i shqiptarëve, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu me ushtrinë e tij zhvilloi kundër ushtrive turke në vitin 1444. Vëndemri Fusha e Domosdovës menjëherë të kujton emrin e Damastionit dhe përmban të plotë rrënjen e atij vendemri ilir. Kështu, ky vëndemër plotëson si kriterin gjeografik (bazuar në të dhënat e Strabonit) dhe kriterin gjuhësor (ai përmban thuajse të pandryshuar rrënjën ilire të vëndemrit Damast-).

Megjithatë, fakti që sot në atë rajon nuk ka miniera argjëndi duket sikur flet kundër hamëndjes së lokalizimit të Damastionit në fushën e Domosdovës ose diku afër saj. Por, kjo vështirësi nuk është e pakapërcyeshme, po të mbahet parasysh se shumë miniera argjëndi që do të shfrytëzoheshin aq herët, qysh në agimin e jetës qytetare në Iliri, nga shekulli VI p.e.s., do të shteronin me kohë. Veç kësaj, historianë të huaj njoftojnë, por pa dhwnw burimin) se rajoni kufitar shqiptaro-maqedon në afërsi të liqenit të Ohrit ishte i njohur në lashtësi për minierat e tij të pasura të argjendit5.

Në të mirë të hamëndjes sonë flet edhe një tregues tërthor por elokuent, që është ekzistenca ekzistenca ende sot në atë rajon e mineralit të nikel-kobaltit, që shumë herë përmban edhe argjënd.

Një etimologji popullore e ka lidhur prejardhjen e vëndemrit Domosdovë me  fjalën turke domuz, që do të thotë derr. Sado afërmëndsh që të duket, një etimologjizim i tillë nuk mund tu bëjë dot ballë disa kritikave.

Së pari, në qoftë se ky vëndemër do të ndahej në dy përbërës: domus dhe dova, ky përbërësi i dytë dova nuk do të mund të shpjegohej as me turqishten as me shqipen as me ndonjë nga gjuhët e sotme ose të lashta të popujve fqinjë ballkanikë.

Së dyti, në qoftë se, ashtu siç mund të jetë në të vërtetë, në atë përbërës do të dallonim mbaresën sllave –ova, mbetet e pashpjeguar futja e d-së midis dy përbërësve.

Së treti, është e pabesueshme që, në troje shqiptare, një vëndemër turk, d.m.th. i futur kaq vonë, pas shekullit XV të mirrte mbaresën sllave –ova.

Hedhja poshtë e këtij etimologjizimi popullor, në mënyrë të natyrshme na bën ta kërkojmë futjen e mbaresës sllave –ova në epoka më të hershme, si rrjedhim i ndikimeve administrative, fetare e kulturore të sundimit bullgar (shekujt IX – XI) ose të sundimit sërb (shekujt XIII-XIV). Le të mos harojmë se një qytet arbëror si Ohri, që ishte në afërsi të drejtpërdrejtë me Domosdovën, ka qënë edhe kryeqytet dhe kryeqendra fetare e perandorisë bullgare.

Një shqyrtim gjuhësor tregon se rrënja domosd- e vëndemrit Domosdovë përputhet fare mirë me atë të Damastionit dhe shndërrimet a > o dhe  d > t në pozicionet përkatëse kanë ndodhur në pajtim me ligjet fonetike të shqipes.

Duke u mbështetur në topografinë e krahinës, ne mund të arrijmë në përfundimin hipotetik se Damastioni ilir ka qënë aty ku ndodhen sot rrënojat e një qyteze të lashtë ilire të shekullit VII p.e.s. në fshatin Rrajcë (gjetjet më të hershme në këtë rajon i takojnë neolitit) të rrethit të Librazhdit.

Jeta në Damastion, si dhe në shumë qytete të tjera ilire, mund të jetë shuar në lashtësinë e vonë, si pasojë e dyndjeve barbare dhe kjo mund të ketë bërë që emri i qytetit të fshihej nga vetëdija historike e banorëve të rajonit. Por ka arsye të mjaftueshme për të besuar se emri dhe kujtimi i qytetit u përjetësuan në një monument gjuhësor, në emrin që i dhanë banorët e asaj ane fushës që shtrihej në këmbët e Damastionit, fushës që sot e njohim si Fusha e Domosdovës.

 

 

 

 

Referimet

 

1. Strabo, Geography, Libri VII, 7: “τῆς γὰρ Ἐπιδάμνου καὶ τῆς Ἀπολλωνίας μέχρι τῶν Κεραυνίων ὑπεροικοῦσι Βυλλίονές τε καὶ Ταυλάντιοι καὶ Παρθῖνοι καὶ Βρῦγοι: πλησίον δέ που καὶ τὰ ἀργυρεῖα τὰ ἐν Δαμαστίῳ, περὶ ἃ Δυέσται συνεστήσαντο τὴν δυναστείαν καὶ Ἐγχέλειοι, οὓς καὶ Σεσαρηθίους καλοῦσι: πρὸς δὲ τούτοις Λυγκῆσταί τε καὶ ἡ Δευρίοπος καὶ ἡ τρίπολις Πελαγονία καὶ Ἐορδοὶ καὶ Ἐλίμεια καὶ Ἐράτυρα.”.

2. Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985). Akademia e Shkencave e RPSSH, Tiranë.

3. Popović, P. (2007). Numismatic finds of the 4th-3rd centuries BC from Kale at Krševica (southeastern Serbia).  Arheološki vestnik 58,  411-417.

4. The Solonian Reform. Internet:

http://www.metrum.org/measures/solonian.htm: “established colonies on the coast of Epiros in order to obtain control of the silver mines of Damastion. … it may have been the silver of Damastion that allowed Corinth to strike coins”

5. Cabanes P. (2008). Greek Colonisation in the Adriatic f. 155-185 (170). Në Greek Colonisation – An account of Greek colonies and other settlements overseas II, Red. G.R. Tsetskhladze, Brill, Leiden-Boston.The Albanian-Macedonian border region, in the vicinity  of Lake Ohrid, was known in antiquity for its rich silver mines; the  growth of rich princely families, marked by contacts with the Aegean world. The name of Damastion was associated in the 4th  century B.C. with good quality silver minting. Corinth was able to mint fine silver coins from very early on, but it could not extract the silver essential for this from its own territory. Finally, it serves to recall that Strabo (7. 7. 8) reports that the king of the Lyncestians was a member of the Bacchiad family from Corinth, which might lead one to believe that the mines were exploited for profit by this Greek metropolis before money was minted in the city of Damastion.

Filed Under: Kulture Tagged With: Damstioni Ilir, Ku gjendet, rubrika e Diellit

LOTËT QË U SHNDËRRUAN NË MARGARITAR

October 15, 2013 by dgreca

Tregim nga Vjollca PASKU/

Mëngjesi i prillit është magjik.Shpirti pushtohet lehtësisht nga hareja epranverës.Çdo mëngjes e kisha bërë zakon të ngrihesha shpejt, të merrja makinën,të nxitoja drejt liqenit, për të vrapuar. Vrapi më lodhte pak, por ndihesha shumë e lehtë, për të filluar ditën me një energji të plotë.Mbi shpirtin tim,vibronin të gjitha fijet e gjelbërta dhe ngjyrat e luleve që çelnin aromën veshur me petkun më të bukur festiv. Më dukej sikur kisha lindur nga veza e lules,përkëdhelur nga dora e pranverës.Shpesh më quanin “zonja e luleve”.Kjo, jo vetëm për dashurinë time kundrejt tyre,por edhe se kisha një dyqan lulesh.Punën time e adhuroja,më krijonte ndjesinë e një Edeni të vogël.Bashkëshorti im kishte një serë që i kultivonte me merak të madh dhe m`i dërgonte herë pas here në dyqan.Në mes të dyqanit kisha vendosur një shatërvan të vogël, ku një sirenë e hidhte ujin në formë sferike..Në bishtin e saj vareshin degëza jeshile si fije bari..Dritëzat blu, jepnin pamjet e një liqeni të vogël. Sirena prishte rrjedhën vazhdimisht, me currilat e ujit përpjetë..Dashuria ime e parë ishin lulet e dyta deti…Ndonjëherë mendoja se deti kishte qënë një lule gjigante blu dhe ishte shkrirë, ndoshta sepse u dashurua me tokën..Rrënjët e saj puthnin të etura thellësinë e tokës dhe nga gëzimi dilnin në sipërfaqe duke u shndërruar në det.Deti më sillte ndërmend hallën time.Ajo ishte e dashuruar me detin që e vogël. Ishte bërë notare e zonja dhe shumë herë kishte zënë vend nderi në garat e notit. Origjina jonë ishte nga Vlora.Të gjithë u shpërngulëm në Tiranë duke filluar një punë apo një biznes, ndërsa ajo kishte qëndisur përfundimisht të kaltrën e detit në jetën esaj. Shpesh mendoja se edhe deti kishte afeksionin e tij kundrejt hallës, dhe një pjesë të bukurisë së përjetshme ia kishte dhuruar në intimitetin e tipareve. Sytë e saj të kaltër me një rreth të gjelbërt në fytyrën ovale,zeshkane ,linin pamjen tërheqëse për këdo.Ishte truplidhur, me pak muskuj krahu. Ushtronte banja dimërore, edhe kur deti zemërohej dhe rrihte krahët e tij plotë zhurmë..Më e çuditshme ishte se flokët i mbante përherë të gjatë, dhe megjithëse ishte afruar të tetëdhjetave nuk kishte asnjë thinjë.Kishte mbaruar Institutin e lartë të kulturës fizike, dhe ishte e kënaqur me atë profesion.Shumë njerëz fisnikë e kishin kërkuar, por ajo i kishte refuzuar të gjithë.Nuk u martua asnjëherë.Sa herë e kisha pyetur’përse’ më ishte përgjigjur’ kur të vijë ora do ta them vetëm ty moj bijë’Sa herë vrisja mendjen, dhe nuk arrija asnjë përfundim’. ‘Kush ishte misteri i saj?’Asnjëherë nuk kisha dëgjuar të ishte e dashuruar me ndonjë.Sytë e saj ishin vetëm për detin..Teksa mendoja për të ,në ekranin e vogël të celularit më erdhi mesazhi ‘Bijë erdhi ora të tregoj sekretin tim’ Kjo e papritur,më shqetësoi pa masë.Mora në telefon bashkëshortin tim, të kujdesej për dyqanin dhe nxitova me shpejtësi timonin drejtë Vlorës…Shtëpia e hallës ndodhej në plazhin e ri.Rruga automobilistike e ndante nga deti dhe një monopat i lartë me shkallë guri.Shkallët i kapërceva nga dy dhe u gjenda në shtëpinë që për shumë kohë ishte shtëpia e gëzimit për mua..Ndërsa tani…zemra po më ndahej më dysh ngashqetësimi. Dhoma ku qëndronte ishte e punuar në dru dhe xhamaria e madhe e kishte shikimin drejtë detit.Ajo ishte shtrirë në krevatin e saj dhe dukej sikur po flinte… -Halla si je?- fola e shqetësuar… -Sa mirë, erdhe bijë…Ndoshta erdhi koha të shkoj , por më parë doja të rrëfehesha vetëm ty,mos më ndërpre…Fytyra e saj shndrinte,nga një nur i bukur sikur kishte ardhur nga kremtimet hyjnore…Këtë përndritje e marrin vetëm shpirtrat e mirë pranë ndërrimit të jetës.Këto fjalë ma bënë shpirtin copë. Halla ishte si nënë për mua.Në vogëli më shumë qëndroja në shtëpinë e saj, se sa në timen. Ndaj më thërriste ‘bijë’-Hallë të thërrasë një doktor..i thashë shpejtë.. -Bija ime vdekjen nuk ka doktor ta shërojë, por ti dëgjomë, më pas do iki e qetë.. U afrova pranë saj dhe po e përkëdhelja si një fëmijë të vogël. Lotët më rrëshqisnin,si pikat e shiut.Ajo filloi rrëfimin e saj të mistershëm; -Që e vogël e doja detin.Ndjeja përkëdheljen e tij në të gjithë qenien time.Ndjeja një dëshirë të zjarrtë,sikur të ishte një afekt që e prodhonte kaltërsia.Një ditë vere dielli hapi ngrohtësinë në gjithë banderolat e ajrit.Hyra në det, si zakonisht për të përqafuar atë transparence me krahët e mi. Rrezet më verbuan sytë. .I mbylla fort. M`u duk sikur me mijëra kallëza gruri shpërndanë ngjyra ndriçuese nga hojëzat ylberore,.Manteli i kaltër i detit më mbështolli rreth e qark. Notoja dhe vallëzoja, si një dritëz në sipërfaqen e detit.Isha e lumtur …. Papritur filluan te krijoheshin rrathë simetrikë ,të vegjël te cilët hapeshin ndadalëdhe bëheshin të mëdhenj .Një bodrum nënujor po shfaqej para meje ,një fidanishte koralesh ku rrezja e diellit depërtonte lirisht në dritaret evogëlza si nje mozaik i punuar me kujdes.Një pluskim jete me flurim ujor ndihej në çdo anë. Algat jepnin dekorin e një skene të gjelbërt rrethuar nga guacka të bardha , të zeza, të verdhe, rozë, blu, vjollcë, duke valëzuar. E trembur dhe mrekulluar njëhkosisht ndiej një vibracion zanor .. -Eraaaaaaaaaaaa…Emri im u zgjat si jehona e zërit brenda një guacke me tonalitet më të ëmbla zanore që zgjateshin…nëpër valë .Nuancat e kësaj melodie më magjepsën shpirtin.Të gjitha shqisat e mia u kthyen nga zëri. Përpara meje qëndronte një njeri ujor.Fytyra etij kishte luspa të buta si thonj bebesh të porsalindur, ku mollëzat vezullonin si dy hënëza të vogla deti . Sytë të mëdhenj me blu të theksuar,flirtonin në pritje. Flokët e gjatë, valëzonin si të ujvarës.Shpatullat e gjera dhe kraharori i mbuluar po me luspa të holla zmadhoheshin nga mezi e poshtë me kristace të mëdha shumëngjyrëshe, në formën e peshkut dhe mbaronin me një pendë të madhe. – Era—më foli, në shkurtimin e emrit Ermira.. Buzëqeshja e tij ishte si e kristalit të kuq..Shikimi i tij i pastër depërtonte,thellësisht në sytë e mi.Ai mu afrua, pëshpëri lehtë-Mos ki frike-… Një tronditje e ëmbël më pushtoi.Qëndroja ulur në një karrige algash, dhe nuk lëvizja.Përreth tij kishte njerëz të tjerë ujorë të larguar paksa. – Unë të dua,bëhu mbretëresha ime dhe gjithë parajsa ujore do të jetë e jotja. -Por unë jam njeri.. -Me dëshirën tënde, unë të shndërroj në sirenë .Ai mori dorën time dhe e puthi me buzët e tij plotë dashuri.Vështrimi shkëlqyes dhe prekja, më linden një rrymë ndjenjash. Zemra më dukej sikur po më bëhej trëndafil blu,e po më tërhiqte drejt tij.Ai ma rrëmbeu s’di se si…Brenda meje të rrahurat më thoshin:”pranoje..Truri –”je e marrë..” -Pranomë e dashur, ti ke erën e detit.Besoi zemrës tënde..Ajo gjëmon, e ndjej edhe unë.Ngjyra e kësaj kaltërsie është e mirësisë.Ti e gjen këtu plotësimin e dashurisë tënde.Këtu ka paqe të vërtetë,edhe kur mbi det bën stuhi.. do jesh e lumtur.. -Të lutem,lermë të mendohem- i thashë unë, që nuk isha as nën ujë dhe as mbi ujë..Sa doja të shkoja , të mos mendoja asgjë….Ndihesha e trëmbur, e mahnitur, e mrekulluar prej asaj bote që mu shfaq. Ishte e pabesushme, ‘mos jam në ëndërr’ mendoja.Aiu afrua pranë meje,duke mbajtur dorën time në mes të pëllëmbëve të lagështa.E dinte se më këtë prekje me këtë kontakt, zemrën time do ta pushtonte tërësisht.E dehur nga kjo dashuri e njeriut ujor, po afrohesha të pranoja atë ndjesi të paprovuar kurrë në jetë…Por…më erdhi në mend familja ime, bota njerëzore, toka..Aty ku u mata t`i jepja vulën me buzët e mia u tërhoqa dhe i thashë.. -Lermë të mendohem… Sytë e tij plotë dritë ulën hijen e trishtimit.. -Fjala ime thuhet vetëm një herë dhe përgjigja jote vendos fatin tënd.Nëse ti nuk pranon, nuk do më shohësh asnjëherë. Ky është rregull i popullit tim, dhe unë i bindem.Sytë e mi lotuan arsyen që s`po e shkrija dot në furrnaltën e ndezur të zemrës.Sytë e tij lotonin tingëllimin e fjalëve që dëshironte të dëgjonte. -A nuk mund të thyhet rregulli juaj vetëm një herë.- i thashë unë. -Nuk mund të vënë rrezik popullin tim..-tha ai – Por… unë kurrë…nuk,-i thashë me fjalë të këputura.. -E di, lamtumirë dashuria ime…..tha ai – Unë nuk të them kurrë lamtumirë…i thashë unë. Prej syve blu përkëdhelës rrodhën lot.U afrova t`ia fshija me duart e mia, por ..Lotët e zemrës së tij rodhën e duart e mia u mbushën me margaritar.Çdo pik loti shndërrohej në margarita Ai u zhduk nga sytë e mi dhe unë u gjenda në breg.U ula në rërën e butë teksa vështroja margaritarët. Nuk më besohej ç’ndodhi. Margaritarët ishin e vetmja gjë që më lidhte me sekuencat e ngjarjes. Ato u bënë gjerdani im gjithë jetën, ku ruhej testamenti i dashurisë sime.Deti ishte totemi im.Shpresoja,të paktën dhe një herë të vetme ta shikoja atë që më rrëmbeu zemrën një jetë të tërë, atë që më burgosi pa qeli,me qiell e det blu, por asnjëherë nuk mu shfaq më. Kur halla e mbaroi rrëfimin m`u duk sikur u çlirua nga një peshë..Nuk dija ç`t`i thoja.. -Ndoshta kështu ishte shkruar halla ime – i thashë, Dëgjo, kam një amanet të fundit bijë..Trupin tim do e lëshoni në det pa perënduar dielli..Atje do jetë vendprehja ime..Nuk doja t`i kundërshtoja për asgjë…. -Do bëhet dëshira jote hallë– i thashë.. – Tani,merre gjerdanin me margaritar,kur të vijë ora jote lërja vajzës, e kështu brez pas brezi. Këtë histori do ta dijë vetëm ajo që i mban margaritarët…dhe mbylli sytë …duke filluar udhëtim e paqes së përjetshme. E tronditur nga një rrëfim i tillë, thirra njerëzit e mi dhe plotësova amanetin e hallës. Më dukej e pabesueshme, me plot mistere të tjera ky rrëfim…por…e rëndësishme është se ajo iku si një valë e butë që përhumbet në shkumën e bardhë.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Lotet qe u shnderruan, ne margaritar, Tregim, Vjollca Pasku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT