• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2013

Dialektologji:Të folurit e Çamëve

November 3, 2013 by dgreca

në çamërisht, Nik Klementi/

Shembull nga Çamërishtja/

Tallagana hillet përmi kurm… do kish nonjëherë nonjë lis… e nuku bin kalamoqi… do vete në evgjiti të nreq pluarë…;  ‘… një plak e një plakë s’kishijn hiçgjë / as fëmilë / as mall as gjë / vetëm kishijn një pulë e një kokosh /  plaku me plaken na u zunë një natë e i dajtin pulën e kokoshin….  ;breti urdhëroi gjene;  / merreni e lëshojeni në kual  // ki kuale u lëshoi ulkun / e i hëngri kualët të tërë /… breti u inatos e dhezi furrën / e e hodhi … brenda… breti e mori e e billi në sepet …/ të gordhë… / edhe u bë si I gordhur…

Vendosja Gjeografike

Çamëria shtrihet në zonën më jugperëndimore të Arbërisë, përfunt dheut të Labëve—nga Butrinti deri në Gjirin e Prevezës.  Ana perëndimore e Çamërisë laget nga deti Jon.  Ki është përkufizimi që vetë arbërit i bëjnë dheut të tire.  Por, fatkeqësisht, ki përkufizim nuk përkon me grafikat e grekërve, të cilët e kanë fshirë Çamërinë nga hartat e tire shtetërore.  Sot, grekërit e përmbledhin Çamërinë në di krahina, Thesprotinë dhe Prevezën.

Mospajtimi i arbërve me grekërit ka bërë që çamët të shperndahen në dhetë e vëllezërve të tire në veri.  Kështu çamërishtja është shpërndarë në të gjithë Arbërinë.

Historia e Dialektit

Ashtu si shumë të folura të tjera arbërore, edhe e folura çame është trisur nga gluhët e fqinjëve dhe përzënësve të drishëm të Arbërisë.  Prandaj,  në ca përdorime vemë re se fjalët çame janë zëvendësuar me fjalë të huaja.  Kështu, çamërishtja është rëgjuar në disa fusha të leksikës.  Por, bjerrja e fjalësit vendas e ka prekur çamërishten më pak sesa të folurit e vëllezërve të tire në ca zona të ulëta arbërore ku, për shekuj të tërë, u patën vëndosur administratat dhe ushtritë përzënëse.  Krahasimisht, çamët arritën në pavarësinë e Shqipërisë me njërën nga arbërishtet më të pasura, më të dlirëta, dhe më të lashta.

Cilësitë e Çamërishtes

Sot, çamët flasin një gluhë të përafërt me zirtarishten shqipe, por dialekti i tire ka shumë cilësi të panjohura nga shumica e arbërve të tjerë.  Kjo mosnjohje ka ardhur duke u rënduar në këto dekadat e fundit për di arësie, 1) çamët e sotëm ia kanë përshtatur të folurën e tire gluhës zirtare, dhe 2) shumë gegëfolës nuk e kanë të klartë dallimin në mes të dialekteve të arbërve të jugut; ata i konsiderojnë ato të gjitha toske.  Kjo nuk është e vertetë.  Çamët, Labët, dhe Toskët flasin dialekte të drishme nga njëri-tjetri. Në të vertetë, edhe toskët brenda tire kanë dasira dialektale.

Dialektisti Qemal Haxhihasani e pati regjistruar të folurën çame në vjetët 1950-60—atëherë kur ki dialekt i ruante ende tiparet e tijë burimore.  Prandaj, referencat në këtë tekst janë relativisht të dlirëta nga influencat jo-çame.

Fonetika dhe Fonologjia

Fonetika studjon cilësitë fizike të tingullit.  Fonologjia studjon sistemin tingullorë të një gluhe.

Ruajtja e Ndërzanores ‘l’

Pjesa më e madhe e shqipfolësve—nga Dibra e Mirdita deri në Vlorë e Korçë, thonë ‘gjuhë, qumësht’.  Në ultësirën veri-perëndimore, nga Kavaja deri në Ulqin, përdoret ‘g’juhë, kjumësht’.  Ndërsa, në Kosovë, Dukagjin, e Lumë përdoren versionet ‘guhë, kumësht’.  Megjithatë, sipas shumë studjuasve, version më i herëshëm i këtire di fjalëve është   ‘gluhë, klumësht’.  Dhe i vetmi vent ku përdoret kjo mënirë të foluri në të gjithë arbërinë është Çamëria.  Në letërsi, këtë version e ka përdorur edhe Gjon Buzuku.

QIELLËZIMI I TINGUJVE ‘G, K’
Çamërisht Gegërisht Zirtarisht
gluhë g’juhë gjuhë
klumësht k’jumësht qumësht

Ca studjuas të shqipes historike besojnë se evolucioni ishte i tillë: ‘klumësht > kiumësht > kjumësht > qumësht ; gluhë > giuhë > g’juhë > gjuhë’.  Ka edhe mendime të tjera, por tejthellimi në kët aspekt bie përtej kufinjëve të kësajë sheste të thjeshtë.

Ndërzanorja ‘l’ e çamërishtes është ruajtur edhe në ca huazime sllave e latine.

NDËRZANORJA ‘l’
Origjin Çamërisht Gegërisht Zirtarisht
latinisht fëmilë fëmijë fëmijë
sllavisht globë g’jobë gjobë

Ruajtja e Tingullit ‘i’

Tingulli ‘y’ i shqipes, besohet nga shumica e studjuasve, të jetë relativisht i vonë.  Në huazime ai rrjeth nga tinguj të drishëm, p.sh., nga një ‘u’ e glatë.  Në fjalët shqipe, ose të shqiptarizuara, ki tingull rrjeth shpesh nga tingulli ‘i’.  Ki fenomen nuk e pati prekur çamërishten e lashtë, megjithëse sot, nga influenca e fqinjëve, letërsisë, dhe mediave vërehen lëkundje.  Kriesisht, çamfolësit kan ruajtur tingullin e lashtë shqiptar ‘i’, ashtu si kanë bërë edhe vëllezërit e tire veriorë, labët, edhe, në një trajtë të përafërt, gegët e juglindjes (Krujë, Kurbin, Mirditë, Mat, Dibër, Lumë, Kërshovë, Tetovë).

EVOLIMI ‘I > Y’
Çamërisht Gegërisht Zirtarisht
ki ky ky
thier thye thyer
lie lye lyer

Theksi

Të shumëtit e herëve, theksi në fjalët çame bie afërisht ati ku ai bíe edhe në fjalët e zirtarishtes, por ka edhe drishime, p.sh., ca fjalë që në zirtarisht e marrin theksin në funt, në çamërisht ato theksohen në fillim.

THEKSI
Çamërisht Gegërisht Zirtarisht
fármëk farmák farmák
átë até (atë) até (atë)

Theksi i Osmanizmave

Ne çamërisht fjalët e sjellura në Arbëri nga pushtuasit osmanë theksohen is në gluhën zirtare—do me thënë, ato ruajnë tingullimën turke, p.sh., kafé, qoshé, qibl’e, bulbé, xhephané, gjulé, dushemé, bakshé, suré, lufé, isé, fajdé, zhezvé, hané, hamilé, sefté, ojlé, dediké, hergjelé, cifté, hibé, sojé, kanunamé, Shabané, pashé; pará, bojá, shaká, paçá, sufrá, lapá, mashá, kaiká, kazmá, jaká, marzá, duaxhá, hallvá, musarandá, bakllaí, lloí, sirí, daí, bakërr, misír, i sisirtë (blodhi Qemal Hexhihasani).

Togzanorët

Në arbërisht, togzanorët kriesorë të shqipes, ua/ue dhe ie/ie gjinden në trajta origjinale në funt të pjesoreve, në funt të emrave të pashquar, dhe në trup të ca fjalëve.  Në çamërisht këta togzanorë ruajnë trajta relativisht të lashta.

Glatë zgledhimit në kohën e tanishme të mënirës kumëtore, togzanorët tkurren—‘ua > o’  dhe ‘ie > e’.  Ndërsa, në vetën e parë njëjës të kumtores tingulli që në zirtarisht del j’’, p.sh., ‘laj, thaj, vloj’, në çamërishte del një gjisëm ‘i’-je [ i̯ ].  Ki fenomen shfaqet edhe në mbaresat me ‘aj/oj’.

TOGZANORËT
Çamërisht Gegërisht Zirtarisht
ua/ue
grua grue grua
punuar punue punuar
ie/ie
krie krye krye
thie thye thye
Veta e Parë, Mënira Kumtore
lai̯ laj laj
klai̯ k’jaj qaj
dai̯ ndaj ndaj
billi̯ mbylli mbylli
thei̯ thej thej
liei̯ lyej lyej
gatërroi̯ ngatërroj ngatërroj
drishoi̯ ndryshoj ndryshoj
Tkurrja e Togzanorëve
truar / trova true / trova truar / trova
lier / leva lye / leva lyer / leva

Shurdhimi i Bashkëtingulloreve Fundore

Në çamërisht janë shurdhuar ca pëlcitëse (b > p, d > t, g > k), dhe ca frise (dh > th, z > s).  Kjo dukuri shfaqet regullisht edhe në labërishte, në arbërishte, dhe në Malësi të Madhe.  Gjithashtu, ki fenomen del ati-këtu edhe në të folurën e gegërisë veriore (Kosovë, Dukagjin), edhe në të folurën e gegërisë juglindore (Dibër, Lumë).

SHURDHIMI I TINGUJVE FUNDOR
Çamërisht Gegërisht Zirtarisht
pëlcitset b>p; d>t; g>k
thalp / thalbi thalb / thalbi thalb / thalbi
zok / zogu zog / zogu zog / zogu
friset z >s; dh >th
garth / gardhi gardh / gardhi gardh / gardhi
bres / brezi brez / brezi brez / brezi

Shurdhimi i Gruptingujve Bashkëtingullorë

Një fenomen fonetik, të cilit Qamil Haxhihasani nuk i ka kushtuar vemendjen e duhur, është shurdhimi i gruptingujve bashkëtingullorë të çamërishtes ‘mb, nd, ng’ në pëlcitëse, respektivisht, në ‘p,b’, ‘t,d’ dhe ‘g’, ose në bashkëtingulloret hundore ‘m, n’.

Duke patur parasishë se gruptingujt i janë imponuar çamërishtes nga letersia shekullore e toskërishtes dhe nga tekstet e botuara nga viti 1944 deri në vitin 1958 kur u patën bënë regjistrimet e çamërishtes nga Qamil Haxhihasani (ca nga të cilat ai i mori nga çamët që asokohe jetonin në fshatërat e Durrësit), është logjike të besohet se çamërishtja burimore i përdorte gruptingujt ‘mb, nd, ng, ngj’ të shurdhuar.

GRUPTINGUJT BASHKËTINGULLORË
Çamërisht Gegërisht Zirtarisht
mb > b
breti mbreti mbreti
bin kalamoqi mbin kallamboqi mbin kallamboqi
brenda mrendë mbrendë
billi mylli mbylli
nd > d/n
dajtin ndanë ndanë
nonjë ndonji ndonjë
nreq ndreq ndreq
ng > g
gordhur ngordhë ngordhur

Kjo tabelë tregon një model të klartë gramatikorë, i cili, më glet mua, në vitin 1958 ishte në zhdukje.  Fashitja e kësajë cilësije ndodhi nga trisja e çamërishtes prej zirtarishtes gege glatë sundimit të Mbretërisë dhe prej zirtarishtes toske glatë sundimit të Komunizmit.

Rotacizimi

Si në të gjitha të folurat e jugut, edhe në çamërisht janë rotacizuar tingujt ‘n’ dhe ‘m’ ndërzanorë në emra, pjesore, mbiemra prejpjesorë, dhe në të kaluarën e thjeshtë.  Një cilësi e paspjeguar e çamërishtes mbetet mosrotacizimi i foljes ‘bëj’; çamët thonë ‘me bënë’.

ROTACIZIMI
Çamërisht Gegërisht Zirtarisht
emra
gruri gruni gruri
freri freni freri
mbemra prejpjesorë
e gëzuar e gëzueme e gëzuar
e tretur e tretun e tretur
e tharë e thame e tharë
e dashur e dashtun e dashur
folje
punuar punue punuar
diegur djegë djegur
prerë pre prerë
pata bënë pata bã pata bërë

Zanoret Hundore

Çamërishtja nuk ka zanore hundore.  Sipas shumicës së gluhtarëve, çamrishtja e lashtë kishte zanore hundore, por ajo i humbi ato aty kah shekujt V – X, para pushtimit sllav.   Disa nga zanoret hundore ‘ã, ẽ’ të çamërishtes kanë evoluar në ‘ë’, kurse zanoret tjera kanë evoluar në zanore gojore.  Ka edhe përspektiva të tjera rreth evolimit dhe egzistencës së zanoreve hundore të shqipes, por shtjellimi i tire kërkon një hapsirë që nuk mund të përmblidhet nga kjo shestë e shkurtë.

ZANORET HUNDORE
Çamërisht Gegërisht Zirtarisht
nënë nãnë nënë
endë ẽndë endur
hi / hiri hĩ / hĩni hi / hiri
lojë lojë lojë
hu / huri hũ / hũni hu / huri
syri sỹni syri

Morfologjia

Morfologjia studjon ndërtimin e fjalëve.

Emrat Asnjëanës

Në çamërishte janë ruajtur të tri gjinitë e emrit—femërore, mashkullore, dhe asnjëanëse.  Ja ca shembuj nga emërat asnjëanës: gjalpët, djathët, mjaltët, ujët, rrushët, fiqët. Ki fenomen del i pjekur edhe në Malsi të Madhe, edhe ati-këtu, në ca të folme gege.

Duke shestuar modelet pasuase nzitem të besoi̯ se arbërishtja e lashtë, ashtu si çamërishtja e sotëme, i përmbante të tri gjinitë e emrit.

GJINIA E EMRIT
Çamërisht Gegërisht Zirtarisht
bleth hitë e zjarrit mbledhi hinin e zjarmit mbledh hirin e zjarrit
më diq kriet me digjte kryet më digjte kryet
u sëmur ka të ftohtët u sëmund prej të ftohtit u sëmur nga të ftohtit
e merr për të rrejm e merr për rrenë e merr për gënjeshtër
të bardhët e vesë të bardhit e vøsë të bardhit e vezës

Prapashtesa _inj në Emra

Në çamërishte prapashtesa ‘_inj’ është e rallë.  Çamët përdorin prapashtsën ‘_i’.

PRAPASHTESA ‘_INJ’
Çamërisht Gegërisht Zirtarisht
thalp/thelpí thalb/thalba thalb/thelpinjë
shkop/shkopí shkop/shkopí shkop/shkopinjë

Lakimi (i pjesëshëm) i Emrave

Në çamërisht emrat lakohen afërisht si në dialektet e tjera të arbërishtes, por ka edhe ca drishime që i japin çamërishtes identitetin e sajë të papërsëritshëm.

LAKIMI I EMRAVE
Çamërisht Gegërisht Zirtarisht
gluha ime g’juha eme gjuha ime
gluhës time g’juhës teme gjuhës time
gluhën time g’juhen teme gjuhën time
nga gluha ime prej g’juhës teme nga gjuha ime
gluhën tanë g’juhën tonë gjuhën tonë

Foljet

Në çamërisht, ashtu si në të gjitha të folurat e jugut, pjesorja është zgjeruar, p. sh., punua > punuar .  Ki fenomen, megjithëse i pastudjuar deri tani, ka përfshirë edhe të folurën qitetare të gegërisë, p.sh., punue > punuemun.

PJESORJA E SHQIPES
Burimore Çamërisht Gegërishte Zirtarisht
punua punuar punuemun punuar
thie thier thyemun thyer
zie zier ziemun zier
trétë tretur tretun tretur
díegë diegur djegun djegur
pré prerë premun prerë
la larë lamun larë
dáshtë dash(t)ur dashtunuemun dashur

Kjo tabelë paraqet strukturen kriesore të pjesores çame, por ka edhe përjashtime, p.sh., pjesoret që mbarojnë me lëngoret ‘l, ll, r, rr’, në çamërisht nuk zgjerohen me prapashtesën tipike të toskërishtes ‘_ur’. Atire u shtohet një shva ‘ë’, edhe kjo për arësie shqiptimi. Kështu, në çamërisht, ashtu si në gegërishten zirtare, shkruhet ‘vjelë, mjelë, mbjellë, pjellë, ndjellë, sellë, marrë, nxerrë’, në vend të ‘vjelur, mjelur, bmjellur, etj  që përdoret nga toskfolësit.

Foljet e gluhës shqipe ndahet në shumë klasa e nënklasa, afërisht 18 sosh.  Prandej nuk do të japim shembuj të zgledhimit të foljeve.  Por duhet mësuar se çamërishtja i zgledhon shumë folje në mënirë unike—drishe nga të gjitha versionet e gluhës shqipe, përfshi edhe zirtarishten.  Ca shembuj pasojnë,

PRAPASHTESA ‘_INJ’
Çamërisht Gegërisht Zirtarisht
Ne piesëm Na dvesim Ne pyesim
Ju pisni Ju dvetni Ju pyesni
Ata pyesin Ata dvesin Ata pyesin
Ne goditim Na godasim Ne godasim
Ju goditni Ju goditni Ju goditni
Ata goditin Ata godasin Ata godasin
Ne bijim Na bashim Ne bënim
Ju bijit Ju bashi Ju bënit
Ata bijin Ata bashin Ata bënin
Ne lajim Na lashim Ne lanim
Ju lajit Ju lashi Ju lanit
Ata lajin Ata lashin Ata lanin

Sintaksa

Sintaksa studjon rregullat e ndërtimit të shprehjeve dhe fjalive.

Paskajorja

Një nga aspektet më interesante të çamërishtes është mungesa e ca versioneve të paskajores.  Nga tetë tipet e paskjaores që ka shqipja, çamërishtja, me ndonjë përjashtim, mund të formojë vetëm di sosh.

PASKAJORJA
Çamërisht Gegërishte Zirtarisht
pa gëzuar pa gëzue pa gëzuar
pa u gëzuar pa u gëzue pa u gëzuar
me bënë me bã –
do me thënë do me thãnë do me thënë
– me punue –
– me djegë –
– me tha –
…

Pasuria Leksike

Çamërishtja ruan shumë fjalë burimore në fushën e blegtorisë dhe të frutikulturës tradicionale.  Fushat që përmbajnë fjalor të kufizuar në  çamërisht përfshijnë bujqësinë dhe detarinë.  Ki fenomen shfaqet në të gjitha dialektet shqipe.  Por duhet të lejojmë vent për dishim—megjithë punën e ca albanistave, etimologjia e fjalëve të lashta shqipe ësht një nga fushat më të pahulumtuara.

Përfundim

Tri studimet e Qemal Haxhihasanit janë të pazëvendësuashme për çamërishten dhe për shqipen.  Ai e ka regjistruar këtë dialekt të stërlashtë shqiptar fare në zgrip të zhdukjes, sepse pas vitit 1958, kur Haxhihasani i bëri regjistrimet e tijë, populli çam u shpërnda ndë vise të drishme.  Përkrie shprishjes së çamëve nga dheu i tire, këto 50 vitet e fundit radioja, televizioni, dhe filmi kanë luajtur një rol shumë të math në eliminimin e cilësive unike të të folurave periferike.

Spjegim i Përspektivës Sonë

Dialektologjia është një fushë specifike që studjon një dialekt në një kohë të caktuar—së paku kështu ka ndodhur me shumicën e studimeve dialektore të shqipes.  Qellimi inë është krejt i drishëm.  Ne mëtojmë të gjejmë strukturën origjinale të çamërishtes së lashtë të painfluencuar nga greqishtja, latinishtja, sllavishtja, gluhët orientale, dhe nga zirtarishtet e letrarishtet shqipe.  Për kët arsie, vumë në dukje disa aspekte, si përdorimi i gruptingujve, zgjërimi i pjesores, dhe përzierja e fjalorit çam me osmanizma, grekizma, e sllavizma, të cilave Haxhihasani duhej t’u kishte kushtuar më shumë vëmendje e punë.

Fjalës Çam

gluhë gjuhë

klumësht    qumësht

anth  ajth (ka të njëitin kuptim si fjala turke ‘majá’.  do të thotë esenca, zemra, thalbi i një farëze apo lulje.

bora  bora (bjerrja e dishkaje), p.sh., ‘na mori bora’ (borëm dishka).

borë  borë / dëborë, p.sh., ‘ka rarë borë’

bujtur         ujë i ndejun; njeri i matun (cf. foljen ‘me bujtë)

buzë greminë (cf. të folurën e malsisë ‘mos u afro se po bjen buzet.’)

çuar me gjetë.  ki term përdorit në gjuati. (cf. të folurën e malsisë ‘a të ka çua qeni noi liepur?’)

dheks          dheks (kjo vjen nga një lloj insekti që ngacmon gjedhët dhe i ban për të kërcier.  Prandej thohet, ‘a të kanë kapë dheksat?’)  Kjo fjalë përdoret me të njëitin kuptim edhe në Malsi.  Lidhja me ‘teke/tekat/takanjoz’ është vetëm tingullore ose metaforike.

eni     ejani; eja

feksë; feksur        me shëndritë; me dritsua

flevë ka të njëitin kuptim si fjala turke ‘damar’ ose si fjala italiane ‘venë’. (giason se vjen nga grekishtja e re).

flaskë / flashkë    1) kupëz; 2) ka të njëitin kuptim si fjala turke ‘filxhan’; 3) enë druri ku baritë mbajnë ujë të pishëm.

glëmboj/gëlpoj     therem në një gjemb

glu    gju

glunjas       gjunjas

glishtëz       gishtëz

gjuaj me gjua.  Kjo fjalë ka di kuptime 1) me krie punën e gjahtarit, 2) të qellosh me dishka nga larg (përdoret me të njëitin kuptim edhe në Malsi)

klarë me qa

klartë          kiartë; qartë

ksaj   ujëm;  pagesa që i jepet mullisit për blojën

kse    parashtesë që përdoret me krijua antonime, p.sh., ‘m’u kseaj plaga = m’u shejtë plaga’; do t’a ksebëj kët gjë = do t’a prish kët gjë.

ksenahet     kënaqet

kulm valë deti;  ka të njëitin kuptim si fjala turke ‘dallgë’.

kupë kupac me fund e me kapak ku baritë mbajnë ushqimin.

kurtinë       1) vel; 2) pëlhurë që përdoret me rrethua nusen ditën e martesës, 3) përdoret edhe me të njëitin kuptim si fjala turke ‘perde’.

lik, e/i         e/i lig

Burimet Parsore

Eqrem Çabej, Shqipja në Kapërcyell, Botime Çabej, Tiranë, 2006.

Qemal Haxhihasani, Dialektologjia Shqiptare I, ‘Vështrim i Përgjithshëm mbi të Folurën e Banorëve të Çamrisë’,  faqe 118, Tiranë 1971.

Qemal Haxhihasani, Dialektologjia Shqiptare II, ‘Nga Toponomastika e Çamrisë’, faqe 270, Tiranë 1975.

Qemal Haxhihasani, Dialektologjia Shqiptare II, ‘Vështrim i Përgjithshëm mbi të Folurën e Banorëve të Çamrisë’,  faqe 429, Tiranë 1974.

Kolec Topalli, Sonantet e Gjuhës Shqipe, Akademia e Shkencave, Tiranë, 2001

Shaban Demiraj, Fonologjia Historike e Gjuhës Shqipe, Toena, Tiranë, 1996

 

Burime Dytsore

Arshi Pipa, Dialekti i Arbëreshëve të Italisë.

Ervin Fetahu, Çamërishtja, Dialekti Arkaik i Shqipes, Tirana Observer

 

Filed Under: Kulture Tagged With: dialktologji, Nik kelmendi, te folurit camerisht

Zoti Papulias, Çamëria pret zgjidhje!

November 3, 2013 by dgreca

Nga Tahir Muhedini/

Zoti Karolios Papulias, në një takim të viteve të para të tranzicionit, asokohe në postin e ministrit të jashtëm, duke iu referuar problemit çam, i tha homologut Alfred Serreqi se, “këto janë probleme që duhen ballafaquar pas 20 vjetësh, pasi sot ka ende plagë të hapura në shoqërinë greke”.

E pra, sot kanë kaluar më shumë se 20 vjet dhe çështje si ajo e çamëve, e pronave të shqiptarëve, duhen diskutuar dhe çuar drejt zgjidhjes përfundimtare. Edhe shqiptarët nuk janë më ata të vitit 1991: janë anëtarë të NATO-s dhe së shpejti do të bëhen edhe anëtarë të Bashkimit Europian.

Është momenti për reflektim

Kryediplomati grek, zoti Venizellos, gjatë vizitës në Tiranë dhe takimit me homologun shqiptar Bushati, ofroi një qasje jo të drejtë për Çështjen Çame, duke sugjeruar zgjidhjen e çështjes së pronave në mënyrë individuale, nëpërmjet Gjykatës së Strasburgut. Së pari, Çështja Çame nuk është vetëm çështje pronash, ajo është pjesë e një kuadri tërësor të drejtash të dhunuara, përfshi dhe të drejtën e jetës, është çështje e të drejtave të njeriut, që kërkon një zgjidhje kolektive, pra jo vetëm njohje të të drejtave pasurore dhe dëmshpërblimit për pronën e grabitur me dhunë, por dhe riatdhesim të popullsisë së shpërngulur me gjenocid, në bazë të konventave ndërkombëtare. Nuk mund të jetë individuale çështja e dhjetëra mijëra qytetarëve të huaj në territorin e një shteti tjetër. Së dyti, ajo nuk duhet trajtuar vetëm në dimension juridik, sepse nuk është vetëm e tillë. Çështja Çame është çështje politike midis dy vendeve tona, Greqisë dhe Shqipërisë dhe duhet zgjidhur me dialog reciprok politik dhe largpamës, padyshim me praninë e përfaqësuesve të kësaj popullsie. Çështja Çame vjen si rezultat i një qëndrimi absurd të deritanishëm të qeverive greke, por edhe atyre shqiptare, për ta administruar dhe përballuar pa pasione e me realizëm koston politike të zgjidhjes së këtij problemi. Është momenti për reflektime të mëdha si nga shteti i sotëm grek, por dhe ai shqiptar. Është momenti që të merren vendime të guximshme dhe të flaket çdo paragjykim për t’u dhënë fund dilemave dhe përpëlitjeve shpirtërore të dy popujve tanë.

Sikur të mos mjaftonte kjo deklaratë e ministrit Venizelos, vetëm një javë më vonë disa nga diplomatët grekë dhe autoritete të larta greke, në një letër dërguar Kryeministrit Samaras, vazhdojnë ta konsiderojnë si “pjesë të tyre” Jugun e Shqipërisë, që rëndom e cilësojnë “Vorio-Epir”. Ndërkohë që historia provon krejt të kundërtën. Me këto qëndrime shteti dhe qeveria greke po shkojnë më mbrapa akoma sesa paraardhësit e tyre, në fillim të shekullit të 20.

Si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe njohës i marrëdhënieve shqiptaro-greke, shpreh keqardhjen time për këto hapa të fundit që do t’i quaja të rrezikshme dhe, duke përfituar nga ky rast, i bëj thirrje z. Papulias të shohë dhe të gjykojë me realizëm Çështjen Çame dhe të drejtat e shqiptarëve në përgjithësi, si kryetar i një shteti që mbahet si një vend i demokratizuar. Ajo që duhet të jetë konstante e pa zigzage dhe si tipar themelor i marrëdhënieve shqiptaro-greke është dialogu bilateral dhe bashkëpunimi për forcimin e vazhdueshëm të tyre. Në realitet, në sipërfaqe ato duken të mira dhe normale disa raste siç kemi dëgjuar të deklarohet nga disa edhe si të “shkëlqyera”. Nga një vëzhgim i kujdesshëm i historikut të këtyre marrëdhënieve do të konstatohet se këto marrëdhënie, për fat të keq të të dy popujve fqinjë, rezultojnë me zigzage të theksuara, me shumë mosbesim se sa të sinqerta, me skena dhe acarime primitive. Në thellësi ato janë me gropa dhe hone të rrezikshme e akoma të pambyllura, të cilat në momente të caktuara nxjerrin mbi sipërfaqe sulfurin e tyre helmues.

Filoshqiptar apo nacionalist grek?

Zoti Papulias, si personalitet me përvojë të gjatë diplomatike, ka dëshmuar se është nga më të emancipuarit grekë, që kërkon të forcojë marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe grekëve. Madje, në kohën kur ishte ministër i Jashtëm, ka dhënë shenja se ka vullnetin të shohë realitetin e ekzistencës së Çështjes Çame. Ai ka pasur fatin të vijë në këtë jetë në një nga fshatrat e Çamërisë. Në jetëshkrimin e tij thuhet se ka lindur më 1929 në fshatin Voshtina (sot quhet Pogoniani) pranë kufirit me Shqipërinë. Ky fshat ndodhet në krahinën e Çamërisë dhe dikur banohej nga popullsia shqiptare. (Siç dihet në vitet 1913 – 1945 qeveritë greke dëbuan me forcë popullsinë shqiptare nga trojet e tyre mijëravjeçare. Kështu, qindra bashkëfshatarë të presidentit të sotëm grek u përzunë me dhunë edhe nga fshati i lindjes së tij, Voshtina. Në Voshtinë sipas të dhënave shqiptarët kanë banuar që në shek.XVI, pas përzënies së shqiptarëve myslimanë, në këtë fshat u sollën vlleh dhe “grek” nga Azia e Vogël. Megjithatë, nuk mund të themi se z.Papulias është filoshqiptar. Ai është thjesht një nacionalist grek, që më shumë se pragmatizmin dhe realpolitikën, ka mbështetur deri në fanatizëm interesat greke, shpeshherë të ekzagjeruara dhe pa asnjë bazë historike dhe ligjore. Shpresojmë që në këtë vizitë në Tiranë Presidenti grek të mos jetë një bashkëbisedues i vështirë dhe të ofrojë një qasje dhe këndvështrim realist në marrëdhëniet Shqipëri – Greqi, si dhe në çështje të mbetura pezull, siç është Çështja Çame e cila, siç ka deklaruar ministri ynë i Jashtëm zoti Bushati, tashmë është pjesë e dosjes diplomatike shqiptare.

Ballafaqimi i parë shqiptaro-grek në nivel ekspertësh

Karolos Papulias gjithnjë ka qenë çelësi i zhbllokimeve të marrëdhënieve të krizave të ngrira të politikës midis Greqisë dhe Shqipërisë. Atij i takon merita se ideoi në fillim të viteve 1980 heqjen e ligjit të gjendjes së Luftës me Shqipërinë, por ky ligj nuk u miratua nga Kuvendi i Greqisë. Tre vjet pas hapjes së Shqipërisë, më 3 maj 1994, në ”Hotelin Eden au Lac” në Zyrih të Zvicrës u zhvillua takimi Serreqi-Papulias, ku u rrok si temë bisedimi edhe Çështja Çame, çka do të shënonte atë që mund të cilësohet si uverturë e “ballafaqimit shqiptaro- grek me Çështjen Çame në nivel ekspertesh”.

Ministri i Jashtëm grek z. Papulias u shpreh se “Për problemin çam dua të bëj një vërejtje…Dua të bëj një diferencim historik. Populli shqiptar dhe minoriteti grek kanë luftuar për çlirimin e Shqipërisë kundër fashizmit dhe nazizmit. Kurse çamët bashkëpunuan me pushtuesit kundër çlirimit të Greqisë. Unë këtë e di mirë se kam qenë 14 vjeç dhe kam luftuar në ato anë. Ekziston problemi i pronave dhe besoj se e mbani mend se kam thënë që shërbimet e të dyja ministrive të Jashtme të studiojnë këtë problem”. Ministri i Jashtëm shqiptar, z. Serreqi, kundërshtoi këtë opinion që fyente çamët dhe e cilësoi si jo real atë, si një qëndrim që nuk bazohej në realitetin historik të së vërtetës së ngjarjeve. “Nuk e vë në dyshim se ashtu si në radhët e grekëve – replikoi z.Serreqi, …edhe midis çamëve, të cilët gjithashtu luftuan kundra okupatorëve, ka pasur bashkëpunëtorë. Dihet historia. Nga Greqia ikën ata që bashkëpunuan me italianët dhe ata që deshën të vendosnin komunizmin. Tani kanë kaluar të paktën dy gjenerata, është absurd të ngulësh këmbë në mënyrë të tillë, domethënë të përvetësosh teorinë e luftës së klasave të zhvilluar gjatë regjimit komunist në Shqipëri.

Akuza nuk qëndron për të gjithë çamët, por edhe në kohë ajo s’mund të zbatohet. Qëndrimi që mban qeveria greke sot nuk mund të mbahet”.

(Këtu është vendi të bëhet një parantezë: deklaratat e vitit 2008 të historianëve grekë, prezantuar në Universitetin e Pantios në Athinë, me fakte të bazuara nga dokumentet dhe filmime të kohës, dëshmojnë falsitetin e qëndrimit zyrtar grek dhe hedhin dritë mbi pafajësinë e çamëve dhe pohojnë implikimet e minoritetit grek me pushtuesit kundër shqiptarëve).

Por një vit më vonë ndodhi një zhvillim tjetër, i papritur.

Papulias – Serreqi dhe Komisionet e Përbashkëta

Në vizitën e tij zyrtare në Tiranë, më 13-14 mars 1995, Zoti Papulias,  në takim me homologun e tij, z. Alfred Serreqi, pranoi ekzistencën e Çështjes Çame. Me insistim të ministrit shqiptar të Jashtëm, z.Papulias pranoi diskutimin e çështjes së pronave të çamëve në nivel ekspertësh, në kuadër të Komisionit dhe nënkomisioneve të përbashkëta shqiptaro-greke, për trajtimin e problemeve që ekzistonin midis dy vendeve. Nën udhëzimet e dy ministrave të Jashtëm u ngritën këto komisione dhe u realizua takimi i parë në Tiranë i nënkomisionit Juridik dhe Konsullor në nivel ekspertësh, ku u diskutuan pretendimet pasurore të të dyja palëve. Pala shqiptare trajtoi çështjen e zgjidhjes së pretendimeve pasurore të shtetasve shqiptarë të bllokuara nga i ashtuquajturi “ligji i luftës”, për të cilën pala greke pranoi se ka kthyer disa pasuri dhe do të shihte më konkretisht, rast pas rasti, pretendimin e dokumentuar nga ekspertët shqiptarë. Në lidhje me çështjen e pronave të çamëve, si çështje që nuk ka të bëjë aspak me “ligjin e luftës” e që u trajtua nga të dyja palët si pretendim i veçantë, pala greke fillimisht tentoi të acarojë artificialisht situatën, duke u shprehur në kundërshtim me direktivën e dhënë nga dy MJ, se “po të diskutohet për një çështje që nuk ekziston ne mund të tensionojmë marrëdhëniet përsëri”. Pala shqiptare, me gjakftohtësi, nuk ra pre e këtij provokacioni, por me maturi dhe me fakte e dokumente autentike greke e rrëzoi akuzën e përfaqësuesve grekë ndaj çamëve. Për herë të parë në këtë takim është deklaruar përfundimisht se çamët qëndrojnë në historinë e tyre të pafajshëm dhe ndaj tyre ka vetëm akuzë politike. Pasi palës greke iu paraqitën fakte kokëforta, iu kërkua miqësisht një pozicionim i qartë për kthimin e të drejtave pasurore të çamëve për çka u ra dakord për një takim të ardhshëm.

Mos u trembni nga shoqata “Çamëria”

Çuditërisht nuk ka pasur më pas një zhvillim të ri pozitiv në zgjidhjen e një problemi të pranuar nga të dyja palët si ekzistues, por siç dëshmohet edhe sot ka një kthim të rrezikshëm mbrapa në qëndrimin e injorimit dhe vazhdimit të mbulimit të problemit të të drejtave të njeriut me të gjitha përmasat humane të tij, hapa të cilat janë jo të sinqerta dhe nuk ndihmojnë marrëdhëniet e mira midis dy vendeve dhe dy popujve. Për të sjellë në vëmendjen e opinionit është ngjarja e 1 nëntorit 2005, kur Presidenti i Greqisë, Karolos Papulias, do të takohej me homologun shqiptar, Alfred Moisiu, në Sarandë. Papulias kërkoi që më parë të shkonte në konsullatën e Gjirokastrës, por në hyrje të saj protestues të shoqatës “Çamëria” kishin vendosur parulla dhe thërrisnin për të drejtat e tyre. Papulias e interpretoi këtë si një provokim dhe anuloi takimin me Moisiun në Sarandë. Zoti Papulias u detyrua të bëjë kështu një nga gjestet më të paprecedentë, aspak miqësor dhe diplomatik: atë të rikthimit në “mes të rrugës” nga një vizitë e cilësuar miqësore. Papulias ra në kurthin e asaj fryme dhe veprimi grek të njohura si “qarqe apo segmente shoviniste greke”, frymë që ka brejtur dhe po i bren vazhdimisht vlerat e vërteta civilizuese greke dhe ka dëmtuar rëndë miqësinë e vërtetë shqiptaro-greke. Pikërisht kjo frymë projektoi, masakroi dhe dëboi nga vatrat e veta, me dhunë e gjenocid të paparë, shqiptarët e Çamërisë, një nga popullsitë më të vjetra të atyre trojeve.

Nuk kishte asnjë shenjë dhe arsye që z.Papulias ta ndiente veten të pasigurt në Sarandë, ku e prisnin përveç autoriteteve më të larta shqiptare, edhe përfaqësuesit e një populli paqësor, nga më të vuajturit dhe më të diskriminuarit në Europë, çamëve martirë.

Por, siç u komentua nga të gjithë, ajo ishte një ngjarje e inskenuar, që u përdor si pretekst diplomatik, nga ku qarqet shoviniste morën shkas, për të ngritur dhe fajësuar çamët, të cilët propaganda greke menjëherë i cilësoi si ekstremistë.

Z.Papulias ende nuk ka sqaruar nëse ishte frika nga tubimi paqësor që e detyroi të kthehet nga rruga pa mbaruar punë, apo dëshmia e ekzistencës së problemit çam, për të cilin ndoshta në ato moment nuk ka qenë i përgatitur për të dhënë një përgjigje të prerë.

Filozofia çame në marrëdhëniet shqiptaro-greke

Epoka e nisur e integrimit europian, e miqësisë dhe e paqes çon vetvetiu në zgjidhjen e Çështjes Çame. Sa më shpejt që të pranohet kjo, aq më mirë do të jetë për Athinën Zyrtare, por edhe për të dy popujt me lidhje të vjetra historike. Historia ka dëshmuar se shqiptarët e Çamërisë, kanë qenë dhe kanë dhënë kontributin e tyre në konsolidimin e një shteti grek. Ndaj marrëdhëniet shqiptaro-greke kërkojnë një trajtim tjetër nga ai i deritanishëm.

Tani që është në fuqi edhe një rezolutë për Çështjen Çame, është formësuar një qëndrim zyrtar në politikën e jashtme të shtetit në marrëdhënie me Greqinë, duke u përballuar me të gjitha elementet përbërëse të këtyre marrëdhënieve të trashëguara nga e kaluara e tyre.

Nga ministri ynë i Jashtëm, zoti Bushati, siç e pamë gjatë vizitës së zotit Venizelos, është vënë në dispozicion një formulim preciz dhe korrekt i trajtimit të Çështjes Çame mbi taktikën dhe strategjinë që duhet ndjekur deri në zgjidhjen përfundimtare e plotësuar kjo me dokumente të rëndësishme. Diplomacia shqiptare dalëngadalë po rikonturon dhe pozicionon vetveten për Çështjen Çame dhe po përgatitet seriozisht për ballafaqimin e madh.

Çamëria dhe banorët e saj të lashtë janë gur themeli i pazëvendësueshëm i këtyre marrëdhënieve mijëravjeçare dhe gur themeli që nuk injorohet dot. Koha do të dëshmojë se marrëdhëniet shqiptaro-greke kishin dhe kanë nevojë për ketë kontribut dhe këtë filozofi çame, si një tregues i shkallës së emancipimit të këtyre marrëdhënieve.

Ne 5 deputetët çamë të PDIU-së na pret padyshim një betejë e madhe politike e diplomatike, duke i kërkuar shtetit shqiptar dhe atij grek që përpara se të jenë partnerë në rrugën e integrimit europian, të plotësojnë detyrimin e tyre ndaj çështjes çame. Çamëria pret zgjidh

Filed Under: Analiza Tagged With: cameria pret zgjidhje, Tahir Muhedi, z. Papulias

NJË UDHËTIM MAGJEPSËS NË VERIUN E LARGËT (3)

November 3, 2013 by dgreca

Një ujdhesë e re/

 Ne foto: Ura që lidhë Kalmar me Öland/

NGA ROVENA VATA & SOKOL DEMAKU*/

  Aty afër qyteti Kalmar  por ne det shtrihet ujdhesa Öland…

Öland ndryshe e thërrasin ujdhesa e diellit dhe erës, përndryshe është kjo një rafsh, pra një ujdhesë në rrafsh ku ka erëra të forta dhe me shumë rreze dielli se në çdo pjesë tjetër të vendit. Edhe bregdeti i saj e benë Öland një vend mjaft me popullaritet që njerëzit të kalojnë pushimet e tyre të verës këtu. Është karakteristike se në ishull gjatë sezonës së dimrit jetojnë për afërsisht diku 25 000 banor, ndërsa në sezonë të rendomt vere në ishull mund të ketë diku mbi 2 milion turist.

Në të dy skajet e ishullit ka nga një Fener deti. Ai në veri quhet Feneri i Erikut të gjatë, ndërsa ai në jug quhet feneri i Janit të gjatë.

Në vjeshtë zona ajrore për rreth Fenerit të Janit të gjatë është e populluar me shpendë. Shumë shpend shtegëtare pushojnë këtu para se të marrin rrugën për ne vendet e ngrohta në jug. E njejta gjë ndodhë edhe kur ato kthehen në pranverë në Suedi. Valët e detit hedhin në breg shumë peshq me të cilët do të ushqehen shpendët shtegëtare para se të marrin udhëtimin e gjatë vjeshtor. Era këtu është një motor që ve në levizje shumë çka dhe syri i njeriut has në vdo vend Mulli ere. Njeriu këtu në këto vise të njejtit i ka përdorurë për bluarj drithërash  buke në kohët e shkuara. Krahët gjigant të mullinjëve i vente në lëvizje era e fuqishme dhe ata rrotullonin gurët e mëdhenjë të mullinjëve të cilët thyenin kokrrat e drithërave dhe i bënin miell.

Por sot këtu njerëzit nuk ndërtojnë më mullinjë ere por ata në këtë fushë të gjëre ndërtojnë Centrate elektike me fuqi ere për prodhim të energjisë elektrike në ishull e këtu sot ka mbi 40 sish në veprim.

Öland është e njohur edhe me prodhimin e luleshtrydheve, e këte ia mundëson klima, pra dielli dhe lagështia e bollshme në këtë vend.

Öland është parajsa e Suedisë dhe suedezve. Këtë ishull e bënë të njohur Ura  mbi det, flora dhe fauna e saj, mullijt e erës që ishin atraksion një kohë në këtë vend, qytet e saja të lashta me arkitekturën e tyre, gurët gelqeror në çdo cep të saj, me një karakteristikë të veçant se këta gurë gëlqeror janë përdodurë në ndërtimatri thuajse në gjithë vendin. Me një florë mjaftë të pasur e sidomos me Arkaide të cilat këtu janë ndër lulet më të kërkuara dhe me të pëlqyera. Këtu është edhe Villa Mbretërore e pushimeve verore të familjes Mbretërore suedeze e ngritur në vitin 1906, që eshtë mjaftë e vizituar gjatë gjithë vitit nga turistë. Mullijt e erës të ndertuar nga një still i veçant krysisht me dru janë një atraksion i vertetë i Ölnad edhe sot e që mendohet të jnë diku mbi njëqind sosh në këtë ujdhesë. Qytetet me karakteriste dhe joshëse për vizitoret janë Färjestaden, Borgholm.

Borgholm është qttit i vetëm në ishull, ku pran tij qendrojnë muret e qytetit të lasht mbi 200 vjet, që në atë kohë ishte shkattërua nga zjarri. Në sezonëne  verës në germadhate  qytit antik organizohen koncerte verore. Por nga Borgholm nuk është larg as Rezidenca Mbretërore në Solliden ku Mbreti dhe Mbretëresha kalojnë pushimet verore dhe se kjo rezidencë vizitohet edhe nga turistët të cilët kalojnë pushimet në ishull.
Öland është ishulli i dytë më i madh i Suedisë dhe Provinca më e vogël. Oland është e vendosur në lindje të Detit Baltik dhe krahinës Småland, nga e cila është ndarë nga ngushtica Kalmar. Ishulli është që nga viti 1972 i lidhur me kontinent nëpërmjet Urës Öland. Ndërtimi i urës Oland ka fillua në janar në vitin 1968.
Ura Öland u inaugurua në 30 shtator 1972.

Öland është gjeologjikisht një ishull shumë i ri. Ishulli është i përbërë nga gurë gëlqerorë dhe janë gjeologjikisht aq të ndryshëm nga gjeologjia kontinentale e  Småland. Portet dhe shumica e ndërtesave janë në anën perëndimore të ishullit për disa arsye, duke përfshirë pozitë më të mbrojtur dhe kontakteve me kontinent e me qytetin Kalmar. Fillimisht ka qenë zgjidhja më e rëndësishme përgjatë bregdetit lindor të ishullit, me Köping në anën perëndimore si vendi kryesor gjatë mesjetën e hershme. Banorët e Öland e kishin të ndaluar më vonë që të angazhohen në tregtinë, por e gjithë tregtia e tyre duhet të kalojnë nëpër Kalmar.
Nga 1569-1801, i gjithë ishulli Oland ngritur si kopsh mbretëror dhe u bë  ngritja e parkut të gjuetisë së Mbretërisë suedeze, që është, një park gjuetia mbretërore.
Kur qyteti i Borgholm u ndërtua me dekret mbretëror në 1816, ajo u bë një ringjallje e tregtisë në Öland dhe të lundrimt të anijeve.
Kur Ura mes Kalmar dhe Öland u përurua në vitin 1972 duke i dhënë fund shërbimit të trageteve në mes të qytetit Färjestaden në Öland, me Kalmar.

Në Ölande që ka kohë jeton dhe vepron patrioti, poeti, përkthyesi, shkrimtari, leksikografi i njohur shqiptar sadulla Zendeli Daja, cili me dashamirësi flet dhe thot:

Pas diplomimit të shkollës së lartë të bibliotekarisë, duhej të punësohesha.Si vend për të jetuar zgjodha ishullin Öland. Më tepër e kam zgjedhë si një ishull shqiptar, se kështu e paramendoja. Edhe shenjëtorja Birgita e ka kështjellën këtu. Ajo, kur ka shkuar në Itali, e gjeti një ishull si Ölandin dhe mbeti atje. Përmendorja i është ndërtuar në këtë ishull, aty afër shtëpisë verore, mbretërore. Motivi ka qënë se, duke qenë larg Atdheut, mërgimtarët tanë i pret pashmangshëm asimilimi i pjesëshëm ose ai i plotë. Ajo, që brengosë çdo njeri, në rrethanat e jetës jashtë atdheut, është ruajtja e gjuhës. Mendoja se detyra e seicilit intelektual ishte t´u ndihmonte shqiptarëve në mërgim.

Këtu është një nga urat më të gjata në Europë. Ky ishull më solli frymëzime… Siç e thashë më lart, Ölandin më tepër e kam zgjedhur si një ishull shqiptar. I pata thënë vetës: Unë do të shkoj në një ishull. Deti Balltik është i madh, sigurisht edhe një pikë e këtij deti piqet me detin Adriatik. Kjo ishte ujëdhesa ime dhe e Shqipërisë sime. Ky ishte mendimi im. Dhe këtu më lindën shumë frymëzime… Këtu është jeta ime dhe shtëpia ime, në Fërjestaden. Nuk është vetëm shtëpi e flamurit dhe shqiponjës. Ajo është një bibliotekë e pasur, ku u shkruajtën mijëra fjalë shqip.

Një shtëpi botuese dhe një shtëpi drite në ujdhesë.

Fati më ndihmoi që të ma zbuste këtë dhimbje, duke më çuar në pllajet nordike të Suedisë. Kam prekur tokën e ftohtë, me besimin se ëndërra ime për arsim dhe liria e popullit tim do të realizohen.

Bregdet me rerë të cekët apo vendeve gurore të thella, trotuar gëlqeror ose pyje të dendura e të gjelbërta, arti modern apo klasik, zejtari, këto janë karakteristikat krysore të Öland dhe kësaj oaze magjike e cila shtrihet pra në pjesen jug-lindire te suedisë. Pastaj në fshatrat e këtushme me varre Vikingësh, kopshteve zoologjike ose edhe ambiente joshëse për të huaj dhe turist dhe fëmijë. Pra diçka në  Öland për shijen e të gjithëve. Bimësia në pyje, livadhe dhe në kënetë, shumë tëheqëse për fëmijët që duan të luajnë në breg ose në qoftë se ju doni të hidhen në ujë menjëherë, pastaj arti dhe vepra artizanale për të gjitha shijet, historinë suedeze dhe skandinave dhe argëtuese nga kopshte dhe në klub nate.
Tërë rajoni i Mbretërisë së Krystalt dhe rajoni i qytetit të lasht Kalmar lidhen nëpërmjet urës së bukur në tokat jugore dhe pastaj rruga vazhdon  deri në veri, edhe me provincat lindore të vendit. Dyqanet, kampingjet, hotelet ose bujtinat, në të dy anët e ujdhesës fushatë e rërës, fushat madhështore të golfit, vendet arkeologjike, kalerime me kual të vogjël, patatet karakteristike të ketyre anëve, kjo është e gjitha atje!
Është interesant dhe duhet të thuhet se me siguri edhe dielli ka zgjedhur Öland si në peizazhin e tij të preferuar suedez në nxehtësi dhe me dritë. Këtu është dielli, dhe ditët janë të ngrohta. Këtu rëra është e bardhë dhe deti ka ngjyrë blu që ai i jep një gjallëri jetës, natyrës në Öland, benë këtë vend edhe më tërheqës për vizitorët e sidomos për ata të cilët janë për herë të parë në këtë ujdhesë.

*            Pjesë në vazhdime nga libri i autorëve ROVENA VATA dhe SOKOL DEMAKU

 

 

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: ne veriune larget, nje udhetim magjepes, Rovena Vata, Sokol Demaku

Ndërroi Jetë Lirije Gashi, Përjetuese dhe Dëshmitare e Vuejtjeve të Periudhes Komuniste

November 3, 2013 by dgreca

Nga Mithat Gashi

Lirije Gashi, e bija e Muharrem Bajraktarit, i tha lamtumirë kësaj bote me 1 nandor të vitit 2013 dhe u varros ne Tirane me 2 nandor. Lirija, e cila u lind ne Dome te Ujmishtit te Lumës në mars te vitit 1933, i përket brezit te klasës ma të përsekutueme te regjimit komunist të Shqipnisë.

Mbas pushtimit të krahinës së Lumës nga “Brigata e Pestë Sulmuese” në vitin 1944, familja e Muharrem Bajraktarit u izolue ne burgun e Kukësit dhe mbas pak kohe u dëgue ne Shkodër, ku u mbajtë për disa muej. Mandej u internue në Berat.

Baba i saj, Muharrem Bajraktari, që kishte mbajtë qëndrim kundra Italisë dhe Gjërmanisë, e vazhdoi rezistencën kundra regjimit komunist deri kur u aratis nga Shqipnija në vitin 1946. Gjatë rezistencës dy vjecare, dy vllezën të Lirijes u vranë, dhe ma vonë xhaxhai i saj, Bajram Bajraktari, u pushkatue ne burgun e Shkodrës.

Kur familja e Muharrem Bajraktarit u internue në kampin e Beratit,  për nji kohë,  bashkbanuen ne nji ndertese me familjen e Haziz Fetah Gashit nga fshati Nangë.  Parase të nisej për në Greqi, Lirijen e kishte fejue baba i saj me Qemalin, të birin e Haziz Gashit.  Ashtu si Muharremi, edhe Hazizi ishte i denuem me vdekje in absentia nga regjimi komunist.

Administrata komuniste kishte fillue me i futë në punë të detyrueshme të intërnuemit si dhe të gjith të burgosunit politik. Lirijen e ndajnë nga nana dhe vëllau, Genci, që ishte ma i vogël, dhe e dërgojnë në fabrikën e tullave në Tiranë, së bashku me shumë të internuem të tjerë. E shoqja e Muharren Bajraktarit, ia len amanet vajzën e vet, Lirijen, Gjinë Mirakajt, nusës së Kol Bib Mirakës. Gjina e mban afer Lirijen, si vajzen e vet. Që nga kjo kohë, familjet Mirakaj dhe Bajraktari e kanë vazhdue dhe e vazhdojnë dashamirësinë me njeni tjetrin.

Kur Lirija ishte e internueme me punë të detyrueshme ne Tiranë, arrestohet dhe dënohet me burg vëllau saj, Genci. E ama  u ngelet vetëm, dhe për mungesë mjekimesh, ndërron jetë, pa pasë asnjë njeri të farë e fisit të vet pranë.  Liderët komunist nuk u kanë dhanë asnji njoftim apo spjegim fëmijëve, Gencit dhe Lirijes, për vdekjen e nanës.  Sot e kësaj dite nuk dihet se ku prehen eshtnat grues së Muharrem Bajraktarit.

Mbas pak vjetësh, Lirija dërgohet në kampet e internimit te Lushnjes. Qemal Gashi kërkon lirimin e saj që të martohet me Lirijen, që ishte e fejuemja e vet. Ishte e kotë. Regjimi komunist nuk lejonte lirimin e vajzës së Muharrem Bajraktarit nga internimi. Qemali u arrestue dhe u burgos për disa kohë në Kukës dhe Shkodër dhe ma vonë u internue në Lushnje. Aty Lirija e Qemali u bashkuen dhe u martuen në vitin 1956, lindën dhe rritën katër femijë, dhe banë një jetesë -nën presione të ndryshme dhe te vazhdueshme- së bashku me klasën ma te përsekutueme nga regjimi komunist, deri në vitin 1991.

I shoqi i saj, Qemali ndërroi jetë në vitin 2009 ne Tiranë. Në maj te këtij viti, Lirija vizitoi Shtetet e Bashkueme te Amerikës për së dyti here. U shmallos me vëlleznit e vet, Esatin dhe Gencin si dhe me familjen Gashi, me nipat dhe mbesat e Qemalit. U kthye për Tirane me 11 shtator mbas nje diagnoze të nji semundje të pashërueshme që u konstatue nga onkologet e spitalit te Hackensack të New Jersey-it.  Jetoi edhe 50 ditë me mendje te plote në prehnin e fëmijeve, nipave, dhe mbesave të saj, të cilët e dashtën shum.

Len pas djalin Azizin, fajzat Lavdën, Irenën, dhe Almën, si dhe vlleznit, Esat dhe Genc Bajraktarin dhe shum nipa e mbesa.

Me vdekjen e Lirijes, ndahet edhe nji përjetuese dhe deshmitare e vuejtjeve që shkaktoi regjimi barbar komunist.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: e bija, e Muharrem Bajraktarit, Lirije Gashi, Mithat Gashi, nderroi jete

ÇUN LAJÇI SOLLI RUGOVËN E KOSOVËN NË NEW YORK

November 2, 2013 by dgreca

Në  5-Vjetorin e Shoqatës Rugova, u shpalos historia, jehoi kënga dhe vallja rugovase nën ritmin e tupanave , fyejve, dhe tingëllimit të shpatave…/

 Në mjediset e restorantit Maestro’s në Bronx, NY, është festuar 5-vjetori i themelimit të shoqatës. Në festë kishte një pjesmarrje massive, me qindra rugovas. I ftuar nderi ishte Konsulli i Kosovës, z. Bekim Sejdiu, ansambëlmeni i shtetit të Nju Jorkut, z. Mark Gjonaj, kryetari i Vatrës z. Gjon Buçaj etj.. Emocionet ia shtoi festës ardhja e artistit të njohur të skenës, aktorit kosovar Çun Lajçi. Ishte drejtuesja Vjosa Nikqi Mujaj, që hapi siparin e festës duke u uruar mireseardhjen pjesmarërsve dhe të ftuarëve.

Për veprimtarinë 5 vjeçare të Shoqatës Kulturore artistike Rugova, foli kryetari  Adem Muriqi. Ai bëri bilancin e veprimtarive të shoqatës. Z. Muriqi tha se kanë kaluar pesë vite që kur themeluam shoqatën Rugova këtu në Nju Jork dhe gjatë kësaj kohe shoqata është rritur përmes veprimtarive të shumta. Synimi, tha ai, është, që të japim kontribut dhe të tregojmë përkujdesje edhe për përcjelljen tek brezi i ri të traditave kulturore e historike rugovase. Gjeneratat e reja duhet të ndjehen krenare për kulturën e trevës nga vijnë prindërit e tyre, të bëhen bartës të traditave kulturore dhe artistike të Rugovës, një krahinë e njohur për trashëgimi të pasur kulturore. Ai shfaqi shpresën se fëmijët, duke parë prindërit e tyre, duke u veshur hijshëm me kostumet karakteristike të Rugovës, duke kërcyer vallet rugovase, duke kënduar këngët e Rugovës, do të ndërgjegjësohen për ta çuar më tej këtë trashëgimi të pasur dhe të bukur.(Te plote lexojeni ne numrin special te Diellit te printuar te 28 Nentorit)

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 61
  • 62
  • 63
  • 64
  • 65
  • …
  • 68
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT