• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2013

LISA TË MËDHENJË

December 12, 2013 by dgreca

Jo njëherë, por disa herë më ka thënë i madhi Metush Krasniqi, se kombet e vogla nuk zhbëhen nga lufta, por nga heshtja dhe mosbërja gjë. Ne duhet ta mbajmë ekuilibrin me realitetin thoshte mësuesi i lirisë, Metush Krasniqi, amanetin e të cilit e mbaj edhe sot në zemër, rrëfen Ramiz Arifi, një atdhetar i çështjes kombëtare. /

Nga Rrustem GECI/

Luftëtari i gjallë i lirisë së Kosovës, Ramiz Arifi, u lind më 2. 02.1955 në Breznicë të Bujanocit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe Roganë, ndërsa të mesmen në Gjilan. Pas disa burgosjeve të shkurta, Ramizi s’e ndal veprimtarinë e tij dhe njëherit, studion në SHL në Pejë. Veprimtaria atdhetare e Ramiz Arifit është veprimtari e luftëtarit të mirfilltë të lirisë. Që i ri Ramizi inkuadrohet në Lëvizjen e të rinjëve të Kosovës, kundër pushtuesit serb. Ai bashkë me grupin e tij të ilegales, shpërndan trakte dhe shkruan parulla. Grupi tregon Ramizi kishte për detyrë leximin e librave, shpërndarjen e literaturës, dhe shumëzimin e grupeve të reja. Unë kam pasur dy mësues lirie më thotë Ramizi: një, të madhin Metush Krasniqin, dhe dy librin. Si sot më kujtohet një poezi e Brehtit, / Gjeneral, njeriu është shumë i dobishëm/ mund të vrasë, mund të luftojë, mund të pilotojë/ por ka një mangësi…mund të mendojë!..Jo njëherë, por, disa herë e kam bluar në mendje këtë poezi të shkrimtarit gjermanë, Brehtit. Çdo betejë në jetë ka bremdinë e saj. Ekuacion fiks për luftën nuk ekziston. Unë që fëmijë kam qenë natyrë impulsive. Guximin tim, shprehet Ramizi e kam treguar në të gjitha betejat për lirinë. Ujin me shkop, jo njëherë por disa herë e kam rrahur tek lumi i fshatit tim. Në odën e Kadri Arifit në Breznicë, tema e lirisë dhe shkëputja nga Serbia qe shtruar disa herë, nga ata që lirinë e kishin në zemër. Në odën e babait tim tregon Ramizi, e kam mësuar që i vogël, se dielli vjen prej zjarrit, dhe uji që buron në tokë është shi i disa stinëve më parë. Gjyshja dhe nëna ime dinin shumë nga gojëdhënat, dhe tregime të prindërve të tyre. Edhe fshati ynë thoshte babai nuk është i përjashtuar nga dashuria për lirinë, dhe ëndrra për të bukurën, mirëpo, për të fituar lirinë, bëmë luftë për ta fituar atë. Vullneti i Luginës, që edhe Presheva, Bujanoci e Medvegja të jenë pjesë e Kosovës, vazhdon të jetë e gjallë në mes të qytetarëve atje. Në Lëvizjen për Bashkimin të trojeve Shqiptare, të udhëhequr nga atdhetari Metush Krasniqi, unë kam 18 vjet veprimtari atdhetarie. E thashë në fillim të këtij shkrimi, se jam natyrë impulsive dhe guximi kurrë s’më ka munguar. Të jesh luftëtarë i lirisë tregon Ramiz Arifi, nuk është aq e lehtë. Lufta për liri ka vuajtjet dhe sakrificat e saj. Jam krenar që isha veprimtar dhe pjesëmarrës i UÇK-së. Figura e UÇK-së, nga ditë në ditë po bëhet më e plotë dhe më historike. Në ngjarjet e vitit 1981 e më vonë, unë dhe grupi im i ilegales bëmë detyrat për lirinë. Më 1981 unë kam ngrënë një burg prej gjashtë muajsh, nga gjyqi serb i Gjilanit. Pranvera e madhe e ’81 ishte një sprovë e madhe për gjithë brezin tim. Serbia atë kohë nuk jepej, por ishte shndërruar në vrasës të tërbuar. Më të guximshmit thoshte i madhi Metush Krasniqi, bëjnë historinë, dhe ashtu vërtetë ndodhi. Në vitin 1975 Emin Kraniqi, Ramiz Arifi dhe Besnik Krasniqi  formojnë grupin „Albanikos“ që ishte  goditja më e rëndë kundër një regjimi që po jepte shpirt. Me „Albanikosin“ u hoqën shumë parulla ideologjike të „marksizëm- leninizmit“. Dora e bërë grusht nga „Albanikosi“ bëri që gjërat të ecin përpara. Me „Albanikosin“ u pa se liria dhe pavarësia e Kosovës nuk kishte rrugë tjetër, pos të kalojë në armatosjen e popullit, dhe lufta ishte e pritshme.Vitet rrjedhnin njëri pas tjetrës, dhe Kosova përgjakej nga dita në ditë. Pas ndjekjes disa vjeçare nga udbashët e serbisë, në vitin 1983, kreu i „Albanikosit“, Emin Krasniqi, Besnik Krasniqi dhe Ramiz Arifi bien në burg. Në burg bien edhe 11 shokë të tyre, veprimtarë të „Albanikosit“.Emin Krasniqi dënohet me15 vjet burg, Ramizi Arifi me 11 vjet burg, Bajram Dërmaku me 11 vjet burg, Salih Biçku me 5 vjet burg, Ahmet Isufi me 8 vjet burg, Besnik Krasniqi dënohet në mungesë, me 9 vjet burg,  Isa Dërmaku me 6 vjet burg, Qëfsere Mala me 5 vjet burg, Nijazi Biçku me 5 vjet burg, Sadri Ramabaja me 4 vjet burg, Shyhrete Malaj 4 vjet burg, Shyqri Emini 2, 5 vjet burg, Taip Malaj 1 vit burg e të tjerë, gjithsejt 110 vjet e 5 muaj burg. Rroli i luftëtarëve të lirisë në kohën e luftës ishte dhe mbetet i pa mohueshëm. Në luftën 1996- 1999 unë kam luftuar në zonën e Karadakut. Unë nuk dua të përmendi emra të pjesëmarrësve në luftë kundër serbit, spse janë shumë, dhe të panumërt. I madhi Metush Krasniqi ishte kryeheroi ynë, nga ai ne merrnim shumë detyra. Liria është gjak i të gjithëve. Në gjallje të tij, çlirimitari e ka për detyrë prangat t´i thyej. Shpejtësia e kohës që po jetojmë nuk pranon vonesa. Liria e përditshme është liri e nevojshme, liri e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Luftën që bëmë ne, qe luftë e vërtetë, lirinë që fituam edhe ajo është e vërtetë. Lirinë që po e jetoj sot më thotë Ramizi, s’ është ëndërr, po realitet i fituar me grykën e pushkës.

Rrustem Geci – fragment nga libri „Atdhetarët“

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Lisa te medhenj, Rrustem Geci

Titaniku pa timonier!

December 12, 2013 by dgreca

Shkruan: Faik KRASNIQI/

Duket sikur jemi, disa ‘’të shpëtuar’’, nga varja kokëposhtë, të cilët shohin pas shpëtimit të tyre, çfarë ka ndodhur përreth…, ndoshta e pagjetur, kjo……! Më mirë do të besonit krahasimin, me ‘’Titanikun’’. Ju kujtohet, kur në atë proces të pashmangshëm zhytjeje, jeta do t’i dhurohej vetëm disave, mbi varka shpëtimi, më së shumti femra, apo dhe ndonjë mashkulli të travestituar përkohësisht, sikundër ‘’disave’’, që ligjet fizike dhe shoqërore nuk mund t’i përfshinin brenda rregullit universal. Pasi doli në tokë, e shpëtuara, na tregoi historinë emocionuese të katastrofës së ftohtë…! Të gjithë u mallëngjyem përlotshim me tregimin e saj, e besuam dhimbjen e saj, ndjemë të ftohtin e asaj nate, ku uji dhe tmerri ishin të programuar për gjithë të tjerët, e në fund krijuam bindshëm përshtypjen – se ‘’ fati njerëzor shkon gjithnjë kundër dëshirave të zjarrta të tij’’!

Megjithëse, ne gjetëm apo na u dhuruan mundësitë për të hipur në ‘’varkat’’ e shpëtimit të gjeneratës sonë, na mungon Titaniku, të cilin megjithëse të mbytur, s’kemi as fuqinë ekonomike ta ‘’ngremë’’ në breg, as moralin për ta rigjallëruar (reinkarnacioni), qoftë edhe psike-virtualisht! Çfarë të bëjmë, përveç garës së dëshpëruar intelektuale, në konstatimin e antivlerave ?! Po sikur të mos ishin femrat e shpëtuara nga varkat, apo ca meshkuj fatlumë, ku do të prehej vallë ndërgjegjja apo vetëndërgjegjja jonë, sot ?!

Ndoshta, ka një rrugë ‘’shpëtimi’’. Vjen natyrisht nga brenda ‘’vijës së verdhë’’, ku ka Kinostudio dhe 1- Kinema. Sikur, të përpiqemi ta rikrijojmë filmin, rrugëtimin e ‘’Titanikut’’ të pamposhtur, që në ndërtim e deri tek ‘’ajsbergu’’ i mallkuar. Ta mbushim atë me varka të mjaftueshme shpëtimi, për të gjithë. Të lemë gjithmonë, sidomos natën një Timonier të Zotin, i cili do të urdhërohej nga një kapiten, po ashtu, i tillë. Të mos harrojmë në rikrijimin tonë ‘’frikën’’ matematike të shkencëtarit, shqiptar. Pastaj, ta hedhim në ekran (ujë) Titanikun e ri, i cili do të lundrojë, i sigurt në pasiguritë e nënujshme, për të dalë në bregun tjetër me të gjithë ‘’të shpëtuarit’’, bashkë me dashuritë dhe brengat e tyre. Ndoshta do të jetë një shërim fiktiv prej dy orësh…, por rikrijimi i versionit tonë të ‘’Titanikut’’, mund të ndihmojë dhe ngushëllojë pafuqinë tonë për ringritjen e Tij. Pse jo, edhe të mundësojë aktivizimin e dëshirës, shpresës dhe vullnetit të të gjithë ‘’shikuesve’’, për ndërtimin e një Tjetri……!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, titaniku pa timonier

RITAKIM ME HUMBJEN

December 12, 2013 by dgreca

Një reminishencë bajate e Luftës së ftohtë/

Shkruan : Rexhep Kasumaj/Berlin/

1.

Një ish-spiun nga koha e Luftës së ftohtë fërkon duart ngazëllyeshëm. Tash sa vjet shef i Kremlinit (edhe kur nuk ishte banor i tij), Wladimir Putini, shpreson të ketë ngritur një Perde të re mes tij dhe botës së lirë. Premieri ukrajinas, Mykola Asarow, dekretoi ndalimin e nënshkrimit (pritej javën e ardhme në Vilnusin baltik) të Marrëveshjes së asociiimit me Bashkimin europian. Kijevi përplasej moti në vorbën djegëse se ç’anë duhej të zgjedhte: Rusinë apo Perëndimin! Zgjedhja nuk kje e lehtë. Dhe as vetëm politike. Ndarja përgjatë lumit Dnjepër i jepte asaj përmasën e vështirë identitare. Çorientimi etnik i gjysmës popullore dhe shantazhi ekonomik rus, do të vulosnin vendimmarrjen e gjunjëzuar për aderim në Unionin doganor me fuqimadhin e vogël verior.

Europa do të indinjohej keq, kurse Putini (që thuase ishte kthyer prapa në vitin 1939 të Hitlerit a Stalinit të tij, si e përshkruan SZ e Mynihut) ekzaltohej nga fitorja e ligë: arriti të mblidhte mbetje të pluhnosura nga rudimenti i Murit të rrëzuar. Ukrajina, së paku ajo, duhet të kompensonte atë. Të ishte tamponi mbrojtës përreth rrezatimit të vlerave të qytetnisë europiane. Ai i trëmbet, si mortit, afrisë së tyre. Fine e, njëkohësisht, përflakëse, ato lëkundin themelet e despotisë së tij: si frymë dhe praktikë e vjetër lindore.

2.

Po a s’është ky një moment reflektimi dhe për Europën vetë? E para, meqë duket pakëz e rënduar për integrimin flatrues të Rumanisë e Bullgarisë, të parritura ende për vrujimet e saj, a duhej të ngarendte sërish drejt dështakut të radhës: pa një profil unik kulturor, pa caksynim të definuar strategjik dhe pa demokraci të absolvuar parlamentare?!

Pastaj, e dyta, deri ku venë kufijtë e saj? Deri aty ku mësojnë lektyrat shkollore apo deri aty ku ajo refuzohet si hemisferë e huaj?

Europa nuk mund të ngryset në Bosfor dhe të gdhijë një ditë të bukur në malet e Hindukushit, duke përvetësuar problemet që nuk janë të saj. Kështu e ka zakon të thotë shpesh Helmut Schmidt, ylli akoma i pashuar i socilademokracisë, krahut politik gjerman, e kontinental përgjithsisht, që shprehet përherë më i hapur për vende e popuj që rrojnë larg, shumë larg gjeografisë së saj. Më të rreptë akoma janë eurocentristët që mbahen tëpër të rezervuar dhe nuk entusiazmohen fare me teoritë përshtrirëse dhe multikulturale. Ata janë të gatshëm ti ofrojnë, Turqisë fjala vjen, statusin e partneritetit të privilegjuar dhe asgjë më shumë. Mirëpo dhe nga ithtari ngulmëtar për integrim komunitar, i ftohur a reislamizuar, vjen një mesazh tjetër lehtësues: tani vetëm 30 përqind e më pak të banorësisë turke mbështesin idenë e përbashkimit me Europën.

Ndaj, ç’do dhe ç’shenjon ajo, njëmend, në horizonte të tillë? Është rezoni i gjeopolitikës që mbipeshon kulturën e demokracisë – apo kjo e fundmja është ai shpirti mijëvjeçar që gjakon të zbardhë hapsirat e errta? Janë, mbase, të dyjat bashkë. Ajo, si përherë, ka mision planetar, ndërkohë që, në anën tjetër, vajtja andej ngjan të jetë krejt e natyrshme. Fundja, ukrajinasit gjenden pranë, në oborrin e saj, kurse pishtarin përndritës e mban poaq dhe Lindja e vjetër. “Konfederata ose Paqja e Varshavës”  e vitit 1573 (Pax dissidentium) që fabrikoi termin nismor të disidencës (aherë kishtare) bënte një gur të fortë në ngrehën e historisë dhe kulturës së mendimit të lirë (Freidenkerei) në Europë.

3.

E prandaj, tundimi a përulja e fqinijit të poshtëm të Moskës që i thërret lojës së moçme të konfrontimit, ndoshta nuk është veçse një ndërmjetëz e brishtë në midisaktin e dramës. Shfaqja nuk ka mbaruar ende dhe gjithçka do rizhvillohet mbi ligjërinë e historisë. Flamuri i triumfit në Kremlin valëvitet dridhshëm nga era e së Drejtës dhe Lirisë që fryn nga Europa dhe Perëndimi i rinosjes së paprerë. Edhe “vëllezëria myslimane” vodhi tinëzisht e mashtrueshëm (J.Kerry) produktin e përgjakur të revolucioneve pranverore arabike, por jo jetëgjatësisht. Gjaku nuk shkon dëm kurrë dhe tiranët e çdo fytyre s’ndjehen të sigurtë askund.

As Putini me “Perden” e re poashtu. Humbja tashmë i ka lënë takim në një kohë të dytë.

Berlin, vjeshtë 2013

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Berlin, Rexhep Kasumaj, ritakim me humbjen

ZEQIR LUSHAJ,“LIS I SHKRUAR” I KOHËS

December 12, 2013 by dgreca

Nga Ramiz Lushaj/

1.

“Lisi i shkruar”. Emën të bukur i ka gjet poeti librit të vet poetik. Po kisha me thanë ndryshe: Lis i shkruar është vet poeti ynë, njeriu i mirë,  Zeqir Lushaj. Në rrathët e tij njerëzit shkruajnë veç për mirë për kit’ djalosh flokëthinjur të fshatlindjes Gri, burrë i palctë i Malësisë së Gjakovës, zë i rinisë e i urtive pleqnare në letrashkrime të vyeshme, sportist i bjeshkëve e i bregdeteve.  Na ka marrë malli për kit lis me rrënjë e degë, i gjelbërt, i frutshëm. Ndaj sa herë ngjitemi e djergemi kujtimeve tona kena qejf me u ndal tek ky lis i kohës. Është lis i lexueshëm. Si gjithmonë. Jetë e mote.

“Lisi i shkruar” është mbajamendja jonë e lashtë dhe e re. Shpesh kena ndalë hapat në rrugë e kena fjalëshkrue emnin tonë apo të dikujt tjetër, lanë një urim…Shenjue vetveten në trupin e listë. Po me shkruejt për lisin tonë, Zeqir Lushaj, tek asht disi e vështirë. Dhe a e dini pse?! Janë të panumërt njerëzit që duan me folë për njeriun e mirë, poetin e brumtë, gazetarin e mjaltë, mërgimtarin e përmalltë, Zeqir Lushaj, që po “dimnon” në Nju Xhersi të Amerikës, në qytetin e kopshtijeve.

Në koft se flasim te tanë ata që e njohim dhe e duam, e fjalët tona i tufalakojmë buqeta me lule, atëhere do i kishim vargit lulefjalët tona nga brigjet e Valbonës, skej kullës së tij që ende loton për djalin e vet e dekteri në atë rrugëtim perëndim të diellit, në Planetin Amerikë, tek mërgimtari poet e gazetar që lindon me vepra. Dhe a e dini pse ndodh kjo? Për një fakt jo rastësor e krejt  jetësor:  Zeqir Lushaj hyn në atë rend burrash, rrinë në asi kryevendi, që na ban të duam jo vetëm kit njeri të mirë, po ta duam edhe vet kit botë të madhe e të vështirë që ka njerëz kaq të mirë, të cilët edhe kur ikin kaq larg na vijnë e rrijnë afër.

2.

“Lisi i shkruar” Zeqir Lushaj vrellon poezi me ndjenjë, ritëm, forcë, që në thjeshtësinë e vet të motiveve jetësore kanë madhështinë e shpirtit të tij poetik njerëzor.  Mjaftojnë titujt e gjashtë cikleve të këtij vëllimi poetik për me e kuptue tematikën e filozofinë e poetit në vendlindje, në i/emigrim, në udhëtimet e tij poetike: Flladi i Paqes (cikli i parë). Bashkekzistencë (cikli i dytë). Shpirti prej qelqi (cikli i tretë). Rrembat e gjakut (cikli i katërt). Njerëz që, (më duket se) i kam njohur (cikli i pestë). Shpresa më mban gjallë (cikli i gjashtë). Në vargjet e tij vijnë motive nga gjeo-poezia: lashtësia iliro-shqiptare, Amerika, Tropoja,Lozana në Zvicër, mali i Dajtit, Australia, Struga, lumi i Drinit, bjeshka e Dikçuerit në Gri, Shëngjini, Pogradeci, Prishtina, Alpet Shqiptare, Fierza, Shkodra, Maja Everest, Gjakova, Hasi, Rrashbulli i Durrësit, Gurra e Gjarpnit mbi Çerem, lumi “Mis Valbona”, lugina e Ohrit, Gjallica e Lumës, Qafa e Prushit, Komani, etj. Ky vëllim poetik “Lisi i shkruar” nuk është botim i shpejtë, po përmbledhje e përjetimeve poetike ndër vite, në kapërcyellin e dy shekujve, që nga viti 1976 deri më 2009. Autori në vargjet e tij është edhe epik, edhe lirik, përcjell edhe mesazhe, ban edhe sarkazmë, flet për politikën pa ba politizime dhe për historinë pa ba historizime, etj.

Poeti i dimensioneve e emocioneve, i mërzitur dhe i lumtur, i ambël e i sertë, i gjithanshëm e i përveçëm, në poezitë e tij ndihet sa familiarë edhe shoqëror, sa lokalist edhe kombëtar. Poeti nuk ban as pa njanen dhe as pa tjetrën, bashkjeton e udhëton me të dyja, brenda vetes e mes nesh. Ai ka poezi për kovaçin me ngjyrë, Aziz Vorfi, shtegtari i hidrocentraleve dhe për presidentin e Kosovës, dr. Ibrahim Rugova; për motrën e tij, Bute Ramë Ymaj dhe për Pjetër Bogdanin e Fishtën, për Migjenin e Ali Podrimjen. Ai i kushton poezi gjyshit të tij Selman Hasani i Grisë, që e ngriti kullën në mes të kshtajave e për mbesën e tij në Lozana të Zvicrës, Neomin në 3-vjetorin e lindjes, sikurse edhe për Dritëro Agollin e Ismail Kadarenë, për Ndre Mjedën e Ndoc Gjetjen e Lezhës. Ai i yllnon vargje babës së tij, të ditun e të shetitunit, mirëbërsit e mikpritësit, Sadik Selmani, ashtu sikurse edhe “korifeut të Lumës”, Myftar Zenel Spahisë. Ai ka kushtime poetike për Sheh Ademin e Grisë, po edhe për kangtarët Dervish Shaqa e Fatime Sokoli, për dy rapsodët e njohur të Hasit, Rrustem Çela e Hysen Dida, etj.

 

3.

“Lisi i shkruar” Zeqir Lushaj i përket një lisnaje në breza familjarë. Lis i madh me rrënjë të njoma e degë të pathara është edhe i ati i tij, Sadik Selmani i Grisë, që e kena në ballinën e parme të vëllimit poetik në foto vet i tretë, me nëntoger Mehmet Mulosmanin e Zenun Lamnicën, dalë në vitin 1935 në Iballe të Pukës, me uniformën e xhandarrit të kohës së Zogut. Diçka nga urtia filozofike e Sadik Selmanit: dikush, dikur, në kohën e komunizmit, teksa ia shfletoi biografinë, e pati dvet: Ju keni qënë xhandarr i Zogut? Ai iu përgjegj pa i lanë vend e kohë për pyetje të dytë: Asokohe nuk kishte ndërmarrje tjetër në Malësi! Sadik Selmani i pati edhe dy vllazën, Ademin e Ramën. Një lis tjetër i shkruar është edhe vllai i tij ma i madh, Nuredin Lushaj, një “arkiv i gjallë” i krijimtarisë popullore të Veriut të Shqipërisë, i cili ruan 600 blloqe të vegjël dhe fletore me shënime kangë të hershme, urti, doke e zakone, 400 pyetje etnografike të zbërthyera, etj.; ka botue librat “Këngë trimërie nga Tropoja” (2003), “Dervish Luzha – një yll drite” (2009), “Në zemrat besimtare” (2010), pritet të botojnë së shpejti edhe një tjetër “Mjaltë bjeshke” me 14 mijë fjalë të urta, etj.

Gria, vendlindja e poetit Zeqir Lushaj, ka plot lisa në truallin e vet: Tahir Sinani, Hero, gjeneral i tri luftrave: në Kosovë, Luginën e Preshevës, Maqedoni; prof. dr. Petrit Malaj, aktor, rektor i Akademisë së Arteve në Tiranë;  poeti, dramaturgu, gazetari e pedagogu Skënder Sherifi, që ka botue disa vepra ku vëlimi poetik “Love” u cilësue një nga dhjetë botimet ma të mira në gjuhën frënge për vitin 2008; Ibrahim Kadri Malaj, autor i një korpusi botimesh të tij për vendlindjen si “Tropoja në breza”, “Tropoja ime”, “Bujqësia tropojane ndër vite”, “Tradita etno-kulturore e Tropojës”, “Besimet fetare në Tropojë”, etj;.  dr. Nuredin Malaj, që la emër të mirë në Malësinë e Gjakovës, në shëndetësinë shqiptare, etj.;  veprimtari Avdyl Matoshi – nënkryetar i Forumit Shqiptar të Kulturës, Edukimit e Shkencës;  publicisti e humoristi Xhevdet Malaj,  autor i librit “Kur flasin burrat e Malësisë: në rjedhat e urtësisë tropojane” (2003), etj. etj.

Në Gri të Krasniqes (Malësia e Gjakovës – Tropojë) ka disa lisa natyror që kanë emër të madh në botime shkollore, enciklopedike, etj. dhe në odat malësore në Shqipëri, Kosovë, Malin e Zi, si “Gështenja e Bajram Currit”, e shpallun “Monument Natyre”, “Lisi i Grisë” (në bjeshkën e Dikçuerit), “Blini i Grisë” – në oborrin e kullës së Zeqir Lushajt.  Poeti ynë, herët, do të matej me të tillë lisa natyror të vendlindjes së vet dhe, për ma tepër, shumë shpejt e përgjithmonë, do të kthehej në një lis i madh, me rrënjë të thella e degë të larta, një lis i shumëfishtë.

4.

“Lisi i shkruar” Zeqir Lushaj është njeri i themeltë, i shoqërisë së madhe, të haptë dhe të qëndrueshme, një bajenderës me mirësi, një njeri me virtytin e mirënjohjes, një veprimtar i shumanshëm e i shumfishtë që ende duhet ta vlerësojnë drejtësisht, ma shumë, ma shpejt, edhe koha e sotme në nivele zyrtare duke i akorduar tituj apo dekorata meritore.

Asokohe, në vitet ’70-‘80 Tirana dukej disi e vogël po të ktheheshim në vendlindje pa e takue patriotin tonë tropojas, Zeqir Lushaj, i cili gjente kohë për të gjithë me i ndrrue dy fjalë miqësisht, me e pi një kafe për qejf, me na ba ndonjë nder me botime në gazeta e revista apo tek puna e tij me rininw, me ndonjë autorizim për biletë autobuzi me u rikthye në Tropojë, etj. Asokohe, kryeqyteti shqiptar kishte pak tropojas, saqë ne i numëronim ata vetëm dy herë me gishtat e dy duarëve, ndaj Zeqir Lushaj ishte, si të thuash, “ambasadori ynë” në Tiranë, ndoshta ma aktivi e ma i miri, bashkë me gazetarin Sadri Rrahmani, etj.  Në vitet ’90  Zeqir Lushaj do të ishte një “ambasador i Paqes” në Shqipërinë Londineze, në trevat shqiptare në Ballkan, pasi ishte sekretar i Përgjithshëm i “Lëvizja Shqiptare për Mirëkuptim e Paqe” dhe bashkëbotues i gazetës “Paqja”, etj. Kjo frymë, si misionar i paqes, ndihet edhe në krijimtarinë e tij poetike tek “Lisi i shkruar” dhe në të pesë librat e tjerë të tij, të botueme në 60 vjetorin e lindjes (2009).

Njeriu i mirë, gazetari i njohur, veprimtari shoqëror, poeti i heshtur, Zeqir Lushaj, kishte miqësi të virtytshme me djemtë e talentuar të Tropojës, si me poetët e mirënjohur Skënder Buçpapaj e Hamit Aliaj, me gazetarin e TVSH Ilir Buçpapaj, qyshse këta ishin studentë të Universitetit të Tiranës, me fotoreporterin ushtarak Agim Hajdar Doçi, me juristin Qazim Gjonaj, me poetin e veprimtarin Idriz Bajrami, me poetët  Selim Aliaj, Jaho Margjeka, Gjon Neçaj, etj. etj. Nga shoqëria ime (e jona) ndër vite me Zeqir Lushajn ruaj kujtimet ma të mira, kam pasë përkrahje të pakursyer prej tij, dhe, shpesh herë, njerëzit në Tiranë na thirrshin me emrat e njëri-tjetrit edhe në ndonjë rast që ishim të dy sëbashku. Këta na dinin se ishim vllazën apo kusherinj ndërveti, pamvarësisht se nuk kishim lidhje gjaku, ishim në dy fise të ndryshme e nga dy fshatra të ndryshme (Gri e Gegaj) të Malësisë së Gjakovës (Tropojë – Malësia e Mirë).

“Lisi i shkruar” Zeqir Lushaj, prej nga Amerika apo kur vjen në vendlindjen e tij, në Gri, teksa pushon verave në Shëngjin, kur rrinë në metropolin shqiptar në Tiranë, në rrugëtimet në trevat shqiptare në Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, punon për vepra të reja, të cilat i ka në laboratorin e tij krijues, i ka shfaq pjeswrisht në media elektronike etj. dhe presim të dalin së shpejti në dritë, në duart e lexuesve, në bohemën e letërsisë e të historisë.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: i kohes, Lis i shkruar, Zeqir lushaj

Legjioni i vetëmohuesve të kombit

December 12, 2013 by dgreca

Shkruan: Fahri Xharra/

Kush jemi dhe çka duam? A flasim ate ,që e mendojmë apo a e mendojmë ate që  po na  turpëron?Turpi  në kuptimin, që unë po mendoj nuk është i turpshëm për “ të dashurit”tonë, se ata po na e sigurojnë vendin në parajsë. Neve si shqiptarë që jemi ,na duhet vetë të jemi të devotshëm dhe se biletat e botës së amshuar  i kemi të siguruara. Por ,kjo që po ndodhë me ne ,a është turp ndaj miqëve tanë? A është turp ndaj ardhmërisë sonë të pa sigurt?

Ç ka duhet të vepron mbi ne që të na bënë të qartë ,se nuk jemi në një udhë të drejtë? Çka duhet të ndizet mbi ne që të na kthjellon ,që të na jep pak dritë për të kuptuar se jemi në rrugen e mashtrimit? Humnerës gjithëkombëtare të përgatitur nga “ miqtë “ tanë shekullorë ,veq që nuk iu është prerë shiriti.Po kush do t`a prenë shiritin ?

Çka është Legjioni i Nderit?  Nderimi më i lartë qytetar dhe ushtarak  në Francë. Ai  i ipet për meritë të gjithë qytetarëve në të gjithë sektorë t e aktiviteteve të vendit. Kjo dekoratë ,nuk është e rezervuar vetëm për francezët ,por mund të ipet edhe për të huajt të cilët i kanë shërbyer interesave të Francës. Urdhëri kombëtar i Legjionit të Nderit ka qenë dhënë nga Napoleon Bonaparta. Ligji votoi këtë urdhër me 19 Maj 1802.

Përderi sa Franca e ka këtë Urdhër ,atëherë ndoshta do të pajtoheni me mua që ne duhet të krijojmë Legjionin e Vetëmohimit Shqipëtar ,në mënyrë që nga ata zgjedhim më të merituarit për prerjen e shiritit të  Humnerës Gjithëkombëtare Shqipëtare.

Autorët ,nuk po i përmendi , por sipas copëzave të  të prera nga shkrimet e tyre mund të vini në përfundim se për kë e kam fjalën: “………Midis xhehenemi, thellë. Midis xhehenemi e ka vendin, sepse ajo nuk ka besuar Allahun, nuk e ka besuar Pejgamberin, nuk e ka besuar Kuranin… Edhe nëse e ka besuar Allahun, ajo e ka besuar me të meta, jo të plotë. Allahu nuk ka të meta. Të thuash se Allahu ka djalë, ajo është e metë. Allahu nuk e pranon atë adhurim”. “Siç ka thënë Pejgamberi në hadith, Allahu nuk i bënë zullum myslimanit. Kur bënë punë të mirë myslimani, Allahu i jep në këtë dynja dhe e shpërblen në ahiret. I jep në këtë dynja, e ruan prej kaderreve, prej të këqijave, i jep evladë, fëmijë, ia shton pasurinë dhe të tjera të mira në këtë dynja myslimanit…” “Ndërsa qafirit thotë a.s s. Allahu ia kthen të mirën në këtë dynja, në mënyrë që kur të del para Allahut del duarthatë, dhe s’ka kurgjë. Pra, në këtë dynja ia ruan shëndetin, ia shton pasurinë, i jep evladë, i jep qetësi shpirtërore, i jep autoritet, pozitë, është deri diku i lumtur… Tana këto i ka pasur Tereza. Ka pas derën çelë, ku ka dashtë me shku, pa pare në këtë dynja, me hëngër çfarë ka dashtë, me pi çfarë të dojë, burra kënd të don me i ndërru. Pra, ka pas të mira në këtë dynja plotë ajo, autoritet sa të dush, vetëm se ata e kanë të ndaluar fenë normalisht, pra ia ka dhënë Allahu në këtë dynja të gjitha. Dhe kur të del para Allahut, në ditën e kiametit, nuk ka kurrgjë…”…….

..”Nuk është e vërtetë se jam ngritur me “nervozizëm” kundër mbajtjes së portretit të shenjtores, Nëna Terezë, në institucionet e Kosovës; e vërtetë është, vetëm, se jam ngritur dhe ngrihem pa nervozizëm kundër përdorimit politik të emrit, të portretit dhe të veprimtarisë së misionares e humanistes, Nëna Terezë, prej disa fondamentalistëve fetarë dhe disa koniunkturistëve politikë gjithnjë për interesat e tyre fetare, në rastin e parë dhe pushtetore, në rastin e dytë”. Kemi shqiptarë me identitet katolik, shqiptarë me identitet ortodoks, shqiptarë me identitet mysliman, shqiptarë me identitet protestant dhe shqiptarë me identitet ateist, por të gjitha këto identitete të veçanta, më të ngushta, më të vogla, në sajë të të përbashkëtave të përmbajtura në secilin prej tyre bashkohen në atë përgjithësinë, në atë të përgjithshmen, në atë të tërën që i themi IDENTITETI KOMBËTAR SHQIPTAR. Ai që i ka të qarta këto, ai që ka kuptim për marrëdhënien e të veçantave me të përgjithshmen, nuk do të akuzojë se po ndan shqiptarët në të krishterë dhe në myslimanë…”.

..”Po t’i shohim shqiptarët e sotëm ata shkojnë e vijnë në Turqi, Greqi, Serbi, Maqedoni, Itali e gjetkë, ku punojnë por edhe ku takohen me turq, grekë, serb, italianë e maqedonas e hanë gjellë turke e sallatë greke, ngasim makina evropiane apo aziatike, hanë ushqime greke maqedonase, italiane lexojnë libra të përkthyera nga shumë gjuhë dhe po kështu shohin filma e dëgjojnë muzikë me origjina të ndryshme; por përdorin edhe shumë mallra kineze, shkollat më të mira në Tiranë i kanë turke etj. Si është e mundur që ata, megjithatë, kur vjen puna për identitetin e tyre harrojnë shumë nga këto pasurira që ndërtojnë jetën e tyre të përditëshme dhe theksojnë e glorifikojnë ato pak gjëra që i bëjnë të ndryshëm nga të tjerët, deri në urrejtje e armiqësi?”. miti i Skënderbeut është një konstrukt historik, i ndërtuar në një kohë të caktuar dhe në një kontekst të caktuar luftash dhe urrejtjesh nacionale. Për këtë arsye, ai është konstruktuar si mit disa herë. Herën e parë, si mit në emër të krishterimit, kur u mbiquajt “kalorës i krishterimit”, kurse 2-3 shekuj më vonë u rimor në emër të nacionalizmit. “……

….“28 nentori eshte nje feste xhahile, si festat qe kishin arabet para-islamik. Eshte nje feste qe tregohet te jete feste e nje grupi etnik – shqiptareve. Por nese shihet me vemendje, 28 nentori nuk mund te jete as feste etnike, pse etnia shqiptare ne 28 nentor 1912 humbi lavdine e privilegjet qe kishte nen Kalifatin Osman dhe u kthye ne nje popullate injorante, te perbuzur dhe te shtypur te Evropes. U nda, u vra e u perdhunua per 100 vite me radhe qe nga nentori i vitit 1912 kur ushtrite osmane u munden ne Evrope e deri me sot kur shqiptaret jane halelaresit e Evropes dhe ne vendet e tyre, Kosove dhe Shqiperi, sundon Katolicizmi. Te festosh 28 nentorin eshte pabesi ndaj Islamit dhe Ortodoksise, pasi nga kjo date e tehu, shqiptaret muslimane dhe ortodokse u ndane me dhune nga Kalifati dhe Patriarkata e Stambollit. Fete e tyre u prishen, ju imponuan doke dhe rrefime katolike dhe u kthyen ne raja te katolikeve. Te festosh 28 nentorin si musliman, eshte njesoj sikur francezet e Kanadase te festojne vitin 1759 kur u pushtuan nga britaniket. Per muslimanet qe mendojne thelle, 28 nentori duhet te jete dite vajtimi dhe jo dite gezimi. Nuk ka gezim kur pushtohesh, humbet privilegjet e ndahesh nga Kalifati i Islamit. Hadithi i profetit Muhamed thote qe qe nga ky moment fillon mallkimi..”……

A na duhet me të vërtetë një mohim i vetvetës?  A na duhet me të vërtetë një mallkim i vetvetës?

Fahri Xharra,

11.12.13 Gjakovë

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, Legjioni i vetmohueseve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT