• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2014

Bluza me zinxhir

January 24, 2014 by dgreca

Tregim nga Viron KONA/

Isha nxënës në klasën e katërt atëherë, kur babai im rrobaqepës, më qepi një bluzë kadife të çelur, e cila hapej gjer në fund të gjoksit me një zinxhir në ngjyrë floriri. Kur po bëhesha gati të shkoja në shkollë, bëja ç`bëja dhe shihesha në pasqyrë. Ajo bluzë më shkonte shumë dhe më zbukuronte pamjen e fytyrës. Po më pëlqente vetja, madje po kuptoja se isha simpatik. Ndërkaq, provova të ngre përpjetë flokët përpara ballit dhe m`u duk se ashtu më shkonin më shumë.

-Ti paske humbur për këtë bluzë, sa të shkuaka! – më tha nëna dhe më mbajti një çast të përqafuar pas vetes.

Sapo shkova në shkollë, bluza ime kadife ra menjëherë në sy të shokëve dhe veçanërisht të vajzave të klasës, disa prej të cilave më hidhnin ca vështrime ndryshe nga herrët e tjera. Ndihesha i lumtur dhe, me mendje falënderoja babanë për atë dhuratë të bukur që më kishte bërë. Madje, kohë pas kohe, kur mësimi ende nuk kishte filluar, ngrihesha gjoja të pyesja shokë të klasës për zgjidhjen e ushtrimit të ditës, ndërsa tërhiqja vështrimet e të tjerëve te bluza ime e bukur. Përpjekja ime për t`u dukur, ra në sy të klasës.

-S`u mbajtka njëri sot! – tha Tori, njëri prej shokëve. Të tjerët bënë buzën në gaz me dashamirësi.

Orën e tretë kishim Dituri me mësues Xenin, një mësues me një zë të butë e thuajse femëror. Kur ishte i qetë dhe ne paraqiteshim si nxënës të urtë, ai sillej me shumë dashamirësi, por, sapo ndonjëri e tepronte me ndonjë prapësi, apo vinte i papërgatitur në mësim, ai zemërohej, madje nxehej e, ndonjëherë bëhej xhind, thuajse tjetërsohej.

Mbaroi gjysma e parë e orës. Mësues Xeni kishte kontrolluar detyrat, kishte ngritur tre nxënës në tabelë, ndërsa disa të tjerëve u kishte dhënë detyra në klasë. Pastaj, ai nisi të shpjegonte mësimin e ri. Në atë pjesë të orës, çdo mësues, kërkon vëmendje dhe përqendrim të nxënësve, sepse, siç thoshte edhe mësues Xeni, kuptimi i mirë i mësimit në klasë, ishte më shumë se gjysma e punës.

Ndërkohë që, mësues Xeni shpjegonte në dërrasën e  zezë, unë se si lëviza zinxhirin e  bluzës që ta hapja dhe ta mbyllja, pa qëllim, thjesht për qejf, por, kur po e ngrija sipër, ai kushedi pse ngeci. E provova ta ulë gjer në fund dhe ai u ul. E ngrita, por ai arriti gjer në gjysmë. Koka e tij e verdhë nuk ngrihej më sipër. Kjo gjë më shqetësoj dhe, një copë herë nisa të merresha me zinxhirin. Mungesa ime e vëmendjes ndaj mësimit, ra në sy jo vetëm të shokëve të klasës, por edhe të mësues Xenit.

-Këtu mendjen, kokëlakër! – më tërhoqi vërejtje ai, duke vazhduar të shkruaj në tabelë. Në të vërtetë, fjala fyese kokëlakër nuk bëri aq shumë përshtypje në klasë, sepse, mësues Xeni, e kishte zakon që kur donte të të qortonte, përdorte fjalë fyese të bashkëngjitura që kishin rrënjë fjalën kokë. Llojet e përdorimit të tyre shprehnin edhe tri gradë të zemërimit të tij: Në gradën e parë të zemërimit, ai i bashkëngjiste rrënjës kokë, emra zarzavatesh: kokëlakër, kokëqepë, kokë presh, kokë spec djegës…Në gradën e dytë, bashkëngjiste emra kafshësh: kokëderr, kokëlopë, kokëdhi, kokëbuall, kokëmushkë.. Kurse, kur zemërimi i tij arrinte kulmin, domethënë gradën e tretë, ai përdorte fjalë me emra zvarranikësh: kokë gjarpër, kokë  krokodil, kokë bretkosë, kokë zhapik, kokë hardhucë prehistorike…

Disa çaste e ndala veprimin për zhbllokimin e zinxhirit.

-Mos u merr më me zinxhirin se do ta prishësh më keq. Ta rregullon babai kur të kthehesh në shtëpi, – më pëshpëriti   Vasoja, shoku im i bankës.

Por, pak minuta më pas, ngaqë nuk po e largoja dot mendjen nga zinxhiri i prishur, ia fillova përsëri ul e ngri, ulë e ngri. Gër – vër, gër – vër. Zinxhiri, ashtu si edhe në fillim, veçse arrinte të mbyllej gjer në mes dhe nuk ngjitej më sipër. U harrova pas tij dhe  isha skuqur e djersitur i tëri nga sikleti, kur, befas, ndjeva një dorë, që ma kapi bluzën fort afër zinxhirit dhe ma tërhoqi disa herë, duke më thirrur me zë të lartë, të ashpër, qortues e fyes:

-Të thashë, këtu mendjen, more kokëbuall!

Klasa mbajti me zor të qeshurën, kurse unë u ndjeva keq përpara shokëve dhe mësuesit, jo vetëm se ai kishte arritur në gradën e dytë të zemërimit, por, edhe sepse zinxhiri me siguri që ishte prishur më keq dhe s`do të kishte usta që ta ndreqte. U bëra pikë e vrer, por pak sekonda më vonë, vura re se, për shkak të asaj tërheqje që i kishte bërë bluzës sime dora e fortë e mësuesit, kishte ndodhur çudia: zinxhiri ishte rregulluar. Kishte ndodhur ajo që na ndodhte shpesh herë në shtëpi kur nuk ndizej radioja ose televizori bardhë e zi që kishim atëherë. “Bamp”, – e godiste babai im radion dhe zëri i vinte si me magji. “Bramp”, godiste ai prapa televizorit dhe në vend të mizave, figura shfaqej e qartë në ekran. Edhe zinxhiri i bluzës sime të re, pas asaj tërheqjeje me forcë, u rregullua plotësisht, koka e tij e verdhë, ngrihej dhe ulej lirshëm dhe pa u sforcuar. Bluza ime, tashmë dukej për bukuri. Me atë lëvizje të nervozuar, mësuesi im, Xeni, ma rregulloi zinxhirin, gjë që më gëzoi pa masë dhe bëri që të harroja fjalët fyese ”Kokëlakër” dhe “Kokëbuall”, që ai përdori ndaj meje në zemërim e sipër.

Kur mbaroi ora e mësimit dhe kishim pushimin e gjatë, dola me nxitim te dera e klasës dhe, sapo mësues Xeni u shfaq në derë me regjistër në dorë, unë i thashë:

-Të falënderoj shumë mësues që ma rregullove zinxhirin e bluzës!

Për habinë time, ai kushedi pse u zbeh i tëri në fytyrë, madje u zverdhë dhe buzët po i dridheshin nga një zemërim që sa vinte e rritej. Me sa dukej m`i mori si tallje apo ironi ato fjalë dhe m`u kthye me duf:

-Do ta mbyllësh gojën ti kokëmushkë, apo si e ke hallin!

-Unë vetëm po ju falënderoj mësues, sepse juve me të vërtetë ma rregulluat zinxhirin e bluzës sime të re.

Atëherë ai ma kapi përsëri bluzën më njërën dorë, ma tërhoqi si të ishte një leckë dhe më bërtiti përsëri në fytyrë.

-Me mua po kërkon të tallesh ti, kokë krokodil!

-Po jo mësues, jo, vetëm po ju falënderoj, – përsërita me zë të mekur.

-Ik, qërohu nga sytë e mi dhe mos më zërë rrugën, o kokë hardhucë prehistorike, – më bërtiti përsëri ai, duke përdorur kësaj here fjalën fyese më të rëndë të gradës së tretë. Dhe, ashtu, i bërë xhind nga zemërimi, u largua duke përplasur këmbët nëpër shkallë.

Më keqkuptoi thashë me vete dhe doja t`i shkoja pas e ta sqaroja  se nuk ia kisha me të keq. Ai, me dashje apo pa dashje, zinxhirin ma  rregulloi dhe, nuk ishte i nevojshëm përdorimi në një kohë aq të shkurtër, i tërë atyre fjalëve fyese ndaj meje.

Shoku im i mirë, Vasoja, që më ndiqte hap pas hapi mos bëja ndonjë budallallëk, më tha me zë të butë.

-Mos e zgjatë më, ka rëndësi që zinxhiri i bluzës që ti e ke me merak dhe që të shkon shumë, u rregullua. Me kohë, edhe mësuesi do të sqarohet se ti vërtetë do që ta falënderosh dhe jo ta fyesh. Sot, përderisa ai përdori fjalën kokë hardhucë prehistorike, që shprehë gradën e tretë të zemërimit, mirë është të mos i dalësh përpara syve. Veç kësaj, t`i duhej t`i kërkoje të falur, sepse sot vërtetë që nuk e kishe mendjen në mësim.

Vasoja kishte të drejtë dhe unë e lashë me aq. Nuk e zgjata më.

Kur shkova në shtëpi, teksa po haja drekë, babai më pyeti se si kisha kaluar atë ditë. Druaja t`i thosha se, ngaqë më ishte prishur zinxhiri i bluzës, nuk e kisha pasur mendjen në mësim dhe mësuesi më kishte tërhequr vëmendjen, por më erdhi më për mbarë  t`i them atë që m`u duk se ishte  më interesante. I tregova për zinxhirin që më ishte bllokuar dhe se mësuesi me një lëvizje të dorës e kishte rregulluar menjëherë.

Babait iu bë qejfi.

-Kam thënë unë, – iu kthye ai mamasë, – Xeni, është mësues dhe njëri i mirë. Edhe i ati kështu ka qenë, njeri që i tërë qyteti e respektonte sepse u vinte në ndihmë njerëzve.

Ditën tjetër, ishte takimi mujor me prindërit dhe në shkollë shkoi babai. Në ato takime, mësuesi, pasi fliste në përgjithësi, u jepte secilit prej prindërve notat e fëmijës së tij, duke i dhënë sipas rastit edhe këshilla të veçanta.

Kur po ndaheshin, babai i shtrëngoi dorën përzemërsisht mësues Xenit dhe i tha:

-Të falënderoj mësues Xeni, je me të vërtetë një mësues i përgatitur dhe nxënësit të duan. Lëndën e shpjegon mirë, por ke edhe merak që t`i mësosh fëmijët tanë. – Babai heshti një çast dhe vijoi buzagaz: – Veç këtyre, unë gjej rastin që edhe të të falënderoj, sepse ti  u tregove aq i vëmendshëm saqë, i rregullove edhe zinxhirin e bluzës  tim biri.

Mësues Xeni, sa dëgjoi të përmendej zinxhiri, tërhoqi me ngut dorën e tij nga dora e babait tim, gjaku i kërceu në kokë dhe iu kthye babait  me zemërim:

-Po kërkon  të tallesh me mua?

-Të lutem, unë po të falënderoj, – i tha babai  tepër i habitur nga ndryshimi i papritur i mësuesit.

-Falënderim i bukur! – ironizoi mësues Xeni dhe u largua tërë nerv sikur ta kishte pickuar ndonjë grerëz.

-Po ky, ç`pati, çfarë fjale të keqe i thashë!? – ia bëri babai i habitur tej mase. Bëri t`i shkonte pas, e të sqarohej, por dikush aty pranë e këshilloi ta linte me  aq sepse mësues Xeni atë ditë dukej tepër i lodhur.

Babai u kthye në shtëpi i mërzitur.

-Nuk e di pse më keqkuptoi !? – iu ankua ai mamasë sime.

-Eh, lëre me kaq! Edhe ai ka hallet e tij, – i tha mamaja ime  e urtë e gjithnjë paqësore,  duke vënë tiganin në zjarr.

Gjatë asaj nate babait i doli gjumi disa herë, ngaqë i shkonte mendja te reagimi i mësuesit, i cili, kushedi pse, kishte mbetur i fyer pas fjalëve falënderuese që i kishte thënë.

Të nesërmen, babai kërkoi ta takonte mësues Xenin, por ai i dërgoi lajm se ishte i zënë dhe se nuk kishte kohë ta priste. “Njëherë tjetër”, – kishte thënë ai. Duke dalë nga shkolla, babai kishte takuar rastësisht drejtorin, me të cilin njihej prej kohësh.

Drejtori e takoi me respekt dhe, aty, babai i tha se kishte shkuar t`i shprehte falënderime për mësues Xenin, i cili sillej mirë me nxënësit, i mësonte dhe kujdesej për ta. – “Madje, – kishte shtuar babai, – mësues Xeni, duke qenë i vëmendshëm, i rregulloi djalit tim zinxhirin  e bluzës. -Ndërkaq, – kishte vazhduar babai, – të më fali mësues Xeni, se, ne prindërit, e teprojmë nganjëherë në komunikim dhe, për këtë shkak mund të lindin edhe keqkuptime që s`janë për t`u zënë në gojë…”

Drejtori e kishte dëgjuar me respekt, e kishte falënderuar që i kishte folur mirë për mësuesit dhe, pas këtij takimi, babai ishte larguar i qetësuar.

Në mbledhjen e Këshillit të Mësuesve, drejtori, krahas vërejtjeve e kritikave për ndonjë orë mësimore të kontrolluar prej tij, bëri edhe disa vlerësime. Midis të tjerave, ai vlerësoi kujdesin e mësues Xenit me nxënësit, tha se, edhe nga prindërit kishte opinione të mira për atë mësues dhe, midis të tjerave, ai kishte përmendur edhe rastin e rregullimit të zinxhirit të bluzës.

-Këtë, ma tha vetë prindi i nxënësit, i cili m`u lut që ta falënderoja mësues Xenin në mënyrë të veçantë, – u shprehë drejtori.

Mësuesit e tjerë kishin kthyer kokën nga Xeni me vështrime dashamirëse dhe përgëzuese, por, ky, duke i befasuar të gjithë, ishte ngritur me zemërim dhe i ishte vërsulur drejtorit, ashtu siç nuk kishte ndodhur kurrë.

-Drejtor, më mirë merrni masë disiplinore dhe mbani qëndrim ndaj meje sesa të më tallni e të më fyeni këtu në prani të kolektivit. Unë nuk merrem me rregullime bluzash e zinxhirësh, por me lëndën e diturisë, – dhe, duke thënë këto fjalë ai ishte ulur, duke u dridhur i tëri  nga zemërimi.

-Më fal nëse të fyeva padashur mësues Xeni, por unë veçse po e vlerësoj zellin tënd për t`u përkujdesur për nxënësit, – i tha butë drejtori.

-Faleminderit, por, nuk më duhet dhe nuk më intereson ky lloj vlerësimi!

Të nesërmen sapo hyri  në mësim, mësues Xeni hodhi regjistrin mbi tavolinë, erdhi me hap të shpejt drejt e tek unë dhe, pasi më kapi fort te bluza ku ndodhej zinxhiri, e tundi fortë disa herë. Zinxhiri kërciti, doli nga vendi dhe mbeti i varur mbi bluzë.

Teksa mësuesi im largohej duke nënqeshur drejt tavolinës, zinxhiri i verdhë që lëkundej mbi bluzën time, tashmë, kushedi pse po më dukej  si koka e një hardhuce. Ndjeja dëshirën t`i kërkoja të falur mësuesit, t`i thosha se, me naivitetin tim fëmijëror kisha ngatërruar e bërë lëmsh gjithçka, por edhe t`i shpjegoja se, midis babait tim dhe atij, kishte ndodhur thjesht një keqkuptim, ku shkaku isha unë, por, në ato çaste po më pengonin lotët që ishin gati të më shpërthenin dhe “koka e asaj hardhuce”, që vazhdonte të lëkundej më mënyrë të shëmtuar mbi bluzën time të bukur.(Ne Foto:Viron Kona)

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Bluza me zinxhir, Tregim, Viron Kona

NËSE DUHET T´I NDEROJME DËSHMORËT- DUHET TA NDJEKIM RRUGËN E TYRE

January 24, 2014 by dgreca

Në Heidelberg të Gjermanisë me rastin e manifestimeve të FLAKËS SË JANARIT u mbajt  Akademi përkujtimore për jetën dhe veprën e TRINOMIT TË LIRISË./

Shkruan: Sevëme Fetiqi/

Të shtunën, më 18 Janar në Heidelberg të Gjermanisë , në organizim të Shoqatës shqiptare kulturo-artistike „ILIRIA“ dhe Shoqatës së Gruas „NËNA TEREZË“ u mbajt Akademi Përkujtimore për Trinomin e Lirisë: Jusufin, Bardhoshin dhe Kadriun, si dhe në pjesën e dytë të programit u bë promovimi i librit të Prof. Dr. Nusret Pllanës „ TERRORI I SERBISË PUSHTUESE MBI SHQIPTARËT 1844-1999“. Me këtë Akademi, u ndez FLAKA E JANARIT, e cila për çdo Janar i përkujton pishtarët e idealeve të Lirisë, veprën dhe flijimin e tyre për lirinë që ne sot e gëzojmë. Në mesin e shumë bashkatdhetarëve e bashkëveprimtarëve të dëshmorëve në fjalë, të pranishëm ishin edhe shumë aktivist, përfaqësues të shoqatave dhe lidhjeve nga Freiburgu, Shtutgardi, Frankfurti ,Manhajmi etj, ishluftëtar të UÇK-së, krijues dhe shkrimtarë, si dhe stafi diplomatik nga Shtutgardi. Me intonimin e Hymnit dhe mbajtjes të një minut heshtjeje për të gjithë dëshmorët dhe martirët e kombit , u hap Akademia Flaka e Janarit. Me fjalën e tij të rastit, Akademinë e hapi Kryetari i Shoqatës nikoqire „ILIRIA“, Sheremet Pantina, i cili ndër të tjera theksoi se Trinomi i Lirisë, luftoi dhe veproi për Bashkimin e shqiptarëve, për Bashkimin Kombëtar, dhe sot pa marrë parasysh, ata individ, cilës Parti i takojnë, duhet të luftojnë për të mirën e popullit, për ta realizuar amanetin e gjithë atyre, që luftuan për lirinë, të cilën ne sot e gëzojmë. Pastaj, me përshëndetje dhe përgëzime në foltore u paraqit edhe bashkorganizatorja, përkatsisht Kryetarja e Shoqatës së Gruas “NËNË TEREZA“ në Heidelberg, znj. Afërdita Xheladini. Nga stafi Diplomatik, fjala iu dha, Konsulit të Republikës së Kosovës në Shtutgard z. Kadri Dakaj. Nga bashkëveprimtarët e dëshmorëve, të Jusufit, Bardhoshit e Kadriut, foli z.Fahredin Tafallari. Takimin e përshëndetën edhe veprimtari e ish i burgosuri politik z. Tefik Ramadanit, për të vazhduar me bashkveprimtarin dhe mikun e Jusufit e Kadriut, z.Nusret Hajdari, i cili kishte ardhur nga Zvicra. Në fjalimin e tij para së gjithash ai theksoi: „Sa herë që i kujtoj dëshmorët dhe heronjtë e kombit tonë, nuk mund të mos e kujtoj heroin Fahri Fazliun dhe porosinë e tij „NËSE DUHET T´I NDEROJME DËSHMORET- DUHET TA NDJEKIM RRUGËN E TYRE. Takimi me Jusufin dhe shokët e tij, për mua dhe familjen time ishte privilegj dhe udhërrëfyes i përjetshëm në rrugën time. Jo rastesisht, kujtoj vazhdimisht Jusufin dhe Fahriun, këta dy heronjë-poet, të cilët Bashkimin e Kombit nuk e kishin farsë politike, por edukatë patriotike familjare… Kur kujtohen heronjtë në mërgim, dhembja është më e madhe, mungesa e tyre është e përshpirtshme, djeg në zemër”.

Kjo mbrëmje kishte me qenë jo e plotë, nëse për nder të artistit dhe poetit të madh Jusuf Gërvalla, nuk ishin lexuar poezi kushtuar jetës dhe veprës së tij. Poezitë e tyre i lexuan poeti dhe shkrimtari z.Ali Berisha, poeti dhe publicisti z.Kadri Gërvalla dhe poetja Sevëme Fetiqi. Me recitimet e bukura dhe me plot emocione patriotike të dhuruara të pranishmëve, u paraqitën të rejat shqiptare Jessie (Xhesi) Raad dhe Blerta Pantina. Pas një pauze të shkurtër, ku mysafirët u shërbyen me specialitete nga kuzhina tradicionale shqiptare, në pjesën e dytë të Programit, u shfaq përmes kinoprojektorit, një film dokumentar mbi masakrat dhe dhunën e pushtuesit serb mbi popullsinë shqiptare, si dhe rrugëtimi i librit të Prof.dr Nusret Pllana. Fjalën përuruese për këtë libër e tha Kryetari i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, poeti z. Hasan Qyqalla, ku mes tjerash tha: “… Autori, i qaset me mishërim kronologjisë së dhembshme, duke nxjerrë edhe fakte të mjaftueshme për dhunën, terrorin e gjenocidin që ushtronte në mënyrën më barbare e më perfide. Dmth. synon te del në pah e vërteta e errtë apo e pandriçuar gjer më tani e historisë sonë kombëtare, sa e dhembshme po aq edhe krenare, mbase Liria jonë është shkruar me alfabetin e gjakut. Prandaj formësohet bindshëm kjo thënje, kur autori në fjalë, pra Prof. Pllana, nxjerrë nga varri eshtra identifikimi të personaliteteve e veprimtarëve nëpër kohë . Kronologjia e varrimeve dhe persekutimeve është e gjatë dhe faktike, dëshmi reale që na ofron autori në këtë libër shkencor. Shtrohet pyetja, çfarë e shtyri autorin t’i qaset gjurmimeve nëpër arhiva, duke shpalosë me qindra dosje, që (ndoshta) i kishte mbuluar bloza e harresës?! Kujtoj, se bëri një kthesë në udhëkryqet ndërkombëtare drejtë demantimit të paragjykimeve përkatësisht tentim gjykimeve të luftëtarëve të Lirisë, duke bërë përpjekje të njollosjes apo ballansimit surreal të luftës së lavdishme të UÇK-së me okupatorin serb. Padyshim, duke qenë edhe vet pjestarë aktiv i luftës së lavdishme, autori ofron fotodokumentare të terrorit, dhunës, masakrimit, sakatosjes, rrëmbimit, izolimit deri në përpjekje të shfarosjes apo ekstardimit nga trojet etnike, që padyshim është një vazhdimësi e apetiteve të klyshëve të Rusisë, siç thot edhe Gj. Fishta…!”

Në këtë Akademi ishte i ftuar edhe i nderuari z.Michel Alemadi, Kryetar i Këshillit të Emigrantëve në Heidelberg të Gjermanisë. Ai pas shikimit të filmit dokumentar dhe shpalosjes së librit të Prof. Dr. Nusret Pllanës, ndër të tjera i emocionuar, tha : „Njerëzit ende nuk mund të kuptojnë dhe të dijnë , çfarë terrori dhe masakra të pamshirëshme janë bërë ndaj një populli të pafajshëm, që kërkonte vetëm lirinë e vet për të jetuar. S´do duhej të harrohen, edhe pse falja është diçka hyjnore. Ky dokument dhe këto dëshmi duhet të paraqesin një fakt të vërtetë dhe të prekë ndërgjegjen e popullit serb per pendim dhe veprat e tyre mizore ndaj popullit shqiptar si dhe kërkim faljeje nga ky popull…“ Kryetari i Shoqatës“ ILIRIA“ dhe nikoqiri i kësaj Akademie, në shenjë respekti dhe nderimi për veprën e tij të madhe, z. Pllana, i dhuroi një Mirënjohje për veprimtari dhe përkushtim ndaj popullit shqiptar. Për këtë mirënjohje, gjatë falenderimit të tij, Prof. Dr. Nusret Pllana ndër të tjera tha: „Kjo mirënjohje nuk më takon vetëm mua por tërë popullit shqiptar, qe u vra dhe u masakrua gjatë viteve të vështira për ne 1944-1999. Këtë libër nuk e shkrova unë, ky u finalizua konkretisht nga mijëra e mijëra të masakruar, të persekutuar, të vrarë, civilë, luftëtarë, pleqë, të rinj, gra e fëmijë…Për këtë, mund të them lirisht, se ky libër është ribotuar 5 herë, ka shetitur nëpër Botë, më se 13 vite. I ështe dhuruar edhe shumë Bibliotekave  Ndërkombëtare, si në Amerikë, Gjermani, Australi,… etj. Për tu botuar dhe ribotuar ka kushtuar në vlerë të çmimeve astronomike… Duke iu falënderuar nga zemra mërgimtarëve tanë që jetojnë në tërë Botën, dhe me ndihmën e tyre të pa rezervë e gadishmërinë të më ndihmojnë financiarisht, por edhe të më mbështesin moralisht, kam arritur, që këtë libër dhe terrorin e pushtuesit serb mbi shqiptarët ta sensibilizoj në tërë Botën dhe të shkaktoj reagime edhe te vet serbët. Vetëm një gjë s´mund të kuptoj, është pse deri sot vetëm Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës, kanë heshtur dhe kanë qenë indiferent ndaj financimit të ribotimeve të këtij libri, kur dihet se ky libër është një monument historik, një dëshmi e gjallë dhe e punuar në foto pa asnjë pikë dyshimi. Kam menduar, se nëse vetëm e shkruaj si teori dhe shkrim të thjeshtë, do të zgjoj shumë keqkuptime ose paradokse. Për këtë arsye kam vendosur, që të kemi sa më shumë matreiale të mbledhura arkivore, shumë dëshmi e foto. Kështu do të zgjoj interesim në qarqet botërore. Unë edhe njëherë, ju falënderoj shumë, ndjehem i nderuar për këtë MIRËNJOHJE, ndjehem i lumtur, që jam në mesin tuaj dhe ndjehem krenar që ky libër edhe njëherë përurohet për nder të Flakës së Janarit, me ç´rast përkujtohen Jusufi, Bardhoshi dhe Kadriu, tre lufëtarë të mëdhenjë dhe ideator të Lirisë. Paqi gjithmonë suksese e Akademi të tilla të organizuara në nivel të lartë patriotik dhe kombëtar. Ne si popull kudo qofshim, kurrë mos e harrofshim terrorin e bërë ndaj popullit tonë, duke u përpjekur që t´ju lëmë breznive të reja sa më shumë dëshmi të krimit më të madh të shek. XXI. Akademia vazhdoi edhe deri në orët e vona të mbrëmjes, duke debatuar pyetje- përgjegje, si dhe në fund u dha edhe një program kulturor- artistik ku vallëzuan valltaret e reja seksionit të kulturës të Shoqatës „ILIRIA“ nën udhëheqjen e z. Ilberije Raad, përcjellë me këngë patriotike dhe popullore, mysafirët i argëtoi këngëtari i mirënjohur Halil Kryeziu, poashtu anëtar aktiv në këtë Shoqatë . Gadi të gjithë mërgimtarët, u kthyen në shtëpi të pasur me një libër më shumë, në Bibliotekat e tyre. Krejt në fund i kthehemi asaj thënjeje të Kelvin Kuejxhit: „ Askush nuk është nderuar ndonjëherë për atë që ka marrë. Nderimi ka qenë për atë që ai ka dhënë“, mbase Prof.Dr. Nusret Pllana është i nderuar, sepse i ka dhënë kombit të vet shumë . Presim edhe shumë libra dhe punime shkencore nga ky profesor i madh, por kuptohet tash e tutje për paqën dhe Bashkimin Kombëtar.

 

Filed Under: Featured

Sa e njohim fytyrën e vërtetë të serbëve?

January 24, 2014 by dgreca

Thjesht mund të arrihet në përfundim mënyra se si Serbia e zgjeronte ndikimin e saj edhe tek ne, duke e shfrytëzuar në një anë pozitën e saj si shtet që i kishte në duar të gjitha mjetet, që i ka një shtet i fortë, por edhe pamundësinë tonë politike dhe intelektuale gjatë kohëve/

Shkruan: Fahri Xharra/

Më duket se politika shqiptare nuk po mund të gjendet lehtë me ballafaqimet e reja me Serbinë, e cila shumë qartazi është duke i formuluar qëllimet e saja në luftën e saj kundër popullit shqiptar. Politika shqiptare hamendet dhe bie në sprova shumë të dredhura nga ana e Serbisë. Kjo po shihet. A e njohim fytyrën e vërtetë të serbëve? Sa ata janë të rafinuar politikisht dhe përvoja jonë a mund t´u bëjë ballë atyre?

Pa pazarllëqe me Serbinë

Dikur në vitit 1918, historiani dhe patrioti kroat e shkroi librin «Çështja e sllavëve të jugut dhe Lufta Botërore”, në gjermanisht nën emrin e rrejshëm L. v. Südland (Die südslawische Frage und der Weltkrieg. Uebersichtliche Darstellung des Gesamt – Problems, Vjenë, 1918). Libri shpjegonte qartazi dhe me shumë mjeshtri fytyrën e vërtetë të serbëve dhe ishte një vepër kapitale në lëmin e problematikës jugosllave , e cila u ra në sy serbëve dhe të gjithë atyre që e brohorisnin bashkimin në një shtet të «sllavëve të Jugut«, ku në të shihej porosia që autori u jepte kroatëve që mos të lëshohen në «pazarllëqe» me Serbinë për kombinacione shtetërore. Kur doli libri, ai u «zhduk» nga të gjitha libraritë e Vjenës dhe të Monarkisë austohungareze, në mënyrë që të zhduket nga faqja e dheut edhe « shpërndarja e ideve dhe qëndrimeve të kësaj vepre në rrethet e intelektualëve kroatë dhe atyre botërorë (Dubravko Jelçiq, Politika i sudbine: eseji, varijacije i glose o hrvatskim politiçarima, Shkolska knjiga, Zagreb, 1995.)
Fytyra e vërtetë e serbëve ? Sudland (Ivo Pilar) në librin e tij shkruan: «Fytyra e vërtetë e serbëve është ortodoksia pravosllave dhe që serbët janë personifikim i ambicieve të Kishës Ortodokse Sllave e që është ekspansioni. Në rrugën e historisë serbët ishin shërbëtorët e Perandorisë Bizantine dhe ata adoptuan filozofinë praktike dhe metodat politike të bizantinëve».
Sot ne mund të shtojmë jo me qindra, por me mijëra shembuj që shkojnë në të mirë të tezave të Ivan Pilarit nëse e ballafaqojmë historinë tonë shqiptare me përvojën dhe dredhitë serbe. Por, duke e lexuar Pilarin vërejmë se tezat e tij nuk ishin vetëm fryt i kombinatorikës intelektuale- politike e as të animoziteteve apriore, por ishin çështje thellësisht të analizuar në vetë natyrën e saj. Leximi i veprave të Pilarit për lexuesin bashkëkohor është një krahasim i hatashëm i marrëdhënieve kroate-serbe me ato shqiptaro-serbe.

Dëshira për pushtet dhe për pushtime

Thjesht mund të arrihet në përfundim mënyra se si Serbia e zgjeronte ndikimin e saj edhe tek ne, duke i shfrytëzuar në një anë pozitën e saj si shtet që i kishte në duar të gjitha mjetet që i ka një shtet i fortë, por edhe pamundësinë tonë politike dhe intelektuale gjatë kohëve.
«Serbët iu mbështetën Bizantit dhe i shërbyen atij, por duke i shërbyer ata edhe i mësuan të gjitha mençuritë e jetës së tyre si dhe metodat e tyre politike. Por kur Bizanti u shkatërrua në vitin 1204, Kisha serbe diti ta marrë Kishën Shtetërore të Bizantit, atë kështjellë të madhe të të mençurve dhe të dijetarëve të fuqisë bizantine. Duke iu falënderuar dëshirës së tyre (të serbëve fxh) të madhe për pushtet dhe pushtime ata deshën edhe ta grabisin vetë Bizantin. Në atë mënyrë ditën t’i shërbejnë edhe turkut.(Ivo Pilar)
“Serbët i falënderohen ortodoksisë për arritjet e tyre, sepse vetëm me anën e kishës ata arritën të formojnë vetëdijen e tyre kombëtare dhe ishin të aftë të krijojnë edhe kishën e tyre kombëtare që nuk është rasti me popujt tjerë. Sa i përket etnicitetit serb ata kanë më shumë gjak të një populli të përzier që shihet në atë që 64 % e tyre janë të ngjyrës esmere (të vrugët) dhe në fytyrat e tyre që i ngjajnë shpezëve grabitqare dhe me sytë e tyre të ngjyrës së mbyllët e plot shkëlqim shtazarak. (Ivo Pilar) . «Kjo tregon përparimin e tyre nga 1400-a deri në 1913-n. Ata i shërbyen dhe Monarkisë (Austro-Hungareze) dhe deshën ta gëlltisnin dhe atë. Kjo ishte dhe arsyeja e Luftës I Botërore. Serbët e kanë pasur gjithmonë rolin e shkatërruesit. Ata mundohen me të gjitha mënyrat për të marrë sa më shumë nga të dy palë , nga sulmuesi dhe mbrojtësi dhe ata gjithmonë janë i treti që qesh. Fakti është që çdo padroni i është dashur të paguajë shtrenjtë shërbimin e serbëve.(Shandor Balogh)

“Fytyra e serbit është fytyra e pravosllavizmit”

“Kur shohim se çka krejt ndodhi në dy vjetët e fundit (fjala është për luftën e fundit kroate-serbe) në Serbi dhe Kroaci si dhe në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe kur më përvojën e sotme e lexojmë Pilarin, nuk jemi vetëm të kënaqur me analizat e tij shumë mendje mprehta, të shtruara pra 75 vjetësh, por edhe të tmerruar më shkurtpamësinë e shumicës së politikanëve tanë të cilët nuk e kuptonin se çka kishte ndodhu, çka po ndodh dhe ku ato ndodhje çonin”. ( D. Jelçiq, Pripravni za problem , 1993)
«Fytyra e serbit është fytyra e pravosllavizmit dhe me të drejtë e themi që serbi është krijesë i pravosllavizmit (ortodoksisë sllave) dhe në këtë mënyrë ata kanë mbetur më të bashkuar se sa kroatët. Dhe ajo që me atë ata lavdërohen është se ata mundën të krijojnë kishën e tyre kombëtare. A janë serbët politikanë më të mëdhenj se kroatët? Ndoshta kjo vlen për individët, por në përgjithësi ata janë më të zhdërvjelltë, më agresivë, më të urtë dhe shumë nuhatës. Serbët i falënderohen kishës së tyre në suksesin e tyre politik, sepse me anë të saj ata mbërritën ta kopjojnë saktë politikën dhe diplomacinë bizantine të cilën e udhëheqin me metodat më të rafinuara (kulluara). Çdo serb nuk lind si diplomat dhe politikan. Këtë e arrin me edukimin e tij të hershëm kishtar. Nga kjo edhe rrjedh suksesi i tyre diplomatik. Shpërndarësit e kësaj aftësie diplomatike dhe politike janë kishat dhe shkollat e tyre, aty ku mësohen dhe përsosen aftësitë e tyre të diplomacisë, politikës dhe atdhedashurisë”. (Ivo Pilar)
Të shtojmë edhe këtë se hapat e parë në lëvizjet e tyre letrare, serbët nuk i kanë bërë në gjuhën e tyre të sotme. Serbët e filluan shkrimin e tyre në fund të shekullit 18-të në gjuhën sllavo-serbe, një përzierje e gjuhës sllavo-kishtare, ruse dhe asaj serbe. Popi Jovan Raiq, historian, të gjithë veprimtarinë e tij e ka shkruar në atë gjuhë. Gjuha ruse arriti të bëhet gjuhë ushqyese e gjuhës serbe, duke i falënderuar asaj që gjer në shek 18 të gjitha librat kishtarë vinin të gatshëm nga Rusia.
Është interesant të ceket se si vdiq Ivo Pilari, janë dy versione një e qeverisë ish-diktaturës së Aleksandrit, kuptohet vetëvrasja dhe e dyta: “Serbëve iu deshën 10 vjet për të marrë vesh autorin e vërtetë të librit dhe pasi e zbuluan e ekzekutuan sipas stilit të tyre te pashpirt. Serbët e hodhën nga dritarja e katit të tretë të ndërtesës së hetuesisë dhe pasi ai nuk vdiq menjëherë e rrahën derisa ia nxorën shpirtin.

Armiku më i madh i serbëve, e vërteta 

Një gjë është e qartë: serbëve, armiku më i madh iu është e vërteta. Ajo e rrezikon ekzistencën e tyre.
(Pas shkrimit: Politika shqiptare nuk është thjesht e papjekur kundrejt serbëve dhe Serbisë, por edhe vasale. Qysh nga koha kur Esat Pasha ua pati shitur Shkodrën malazezëve dhe serbëve që po vdisnin me mijëra rrëzë Taraboshit dhe pranë qytetit, pa e marrë dot kurrsesi me forcën e armëve dot atë. Teksa ca më vonë ushtarët e dërrmuar serbë përgjatë epopesë që ata vetë e quajnë “Albanska Golgota” (kur tërhiqeshin në panik përballë austro-hungarezëve dhe kaluan nëpër Shqipëri për në Korfuz, duke vdekur me mijëra nga i ftohti, uria dhe sulmet e shqiptarëve)… gjetën strehë dhe “besë” tek njerëzit e Esat Pashë Toptanit që i ruajtën gjatë kësaj udhe gjer në brigjet e Vlorës ku i prisnin anijet italiane për t’i transportuar në Korfuz, ishull ku akoma gjenden mijëra varre serbësh të vdekur aty pas këtij udhëtimi. Kujtojmë edhe që Haxhi Qamili dhe njerëzit që i venin pas (pjesa e madhe, injorantë turkomanë boshnjakë të rrethinave të Shijakut…të mbetur atje pasi populli shqiptar i kishte mirëpritur ndërsa patën marrë rrugën për Stamboll)…mbanin lidhje të forta me komandën serbe në 1914-n. 1941-shi është një provë tjetër e “përulësisë” shqiptare ndaj Titos dhe udhëheqësisë jugosllave (serbe) kur lufta e popullit shqiptar ndaj okupatorit nazifashist, u vu nën drejtimin dhe kontrollin jugosllav dhe të emisarëve të tij, ashtu si edhe kryesia e partisë simotër shqiptare të Komunistëve beogradas e të mos kishte qenë për çarjen Stalin-Tito në 1948-ën Shqipëria mund të përfundonte edhe Republikë e 7-të jugosllave.
Sa për njehsimin e kishës me shtetin, serbët nuk janë të parët që e kanë bërë, njëlloj si ata kanë vepruar sidomos grekët e Bizanti para tyre, deri diku edhe bullgarët, të cilët kishë të pavarur kanë pasur që në kohën e perandorive të tyre të mëdha, që përfshinin edhe pjesë të territoreve shqiptare (ata i quajnë Kutmicevica).
Kurse sa për atë që serbët u ngjiten si parazitë perandorive apo shteteve të mëdhenj, i shfrytëzojnë derisa s’kanë më ç’të thithin dhe pastaj shohin interesat e tyre, kjo gjë ka ndodhur qartësisht edhe me vetë Jugosllavinë nga e cila serbët përfituan shumëçka, u pasuruan, fituan falë këtij shteti të rëndësishëm edhe një prestigj dhe emër në botë, të cilin ende sot e kësaj dite e përdorin për përfitimet e tyre personale dhe në fund e shkatërruan me duart e tyre të përgjakura duke iu hedhur në fyt fqinjëve, bashkështetasve të tyre kroatë, sllovenë, boshnjakë e shqiptarë.

Filed Under: Featured Tagged With: Fahri Xharra, fytyra e vertete, serbet

Glorifikimi i “antifashizmit” si rehabilitim publik i Enverit

January 24, 2014 by dgreca

Nga Sulejman GJANA (*)/

Propozimi i LSI për festim madhështor të 70 vjetorit të “çlirimit”, për ngritje komitetesh shtetërorë dhe restaurim monumentesh e lapidarësh, 10 muaj para kohe dhe pa kurrfarë nevojash elektorale, rizbuloi nostalgjinë majtiste për “Komandantin legjendar” të ushtrisë partizane, dy herë “Hero i Popullit shqiptar” dhe një herë “Hero i Popujve të Jugosllavisë”, shokun Enver Hoxha. Ky akt i paramenduar shpjegoi gjithashtu edhe prapavijën politike të debatit të paradokohshëm mbi figurën e Hoxhës, debat publik në të cilin, jo rastësisht, u përfshinë edhe personazhe tejet të rëndësishëm të letrave dhe politikës nga të dy anët e kufirit ndërshqiptar, sikurse Jakup Krasniqi, Rexhep Qosja e Kristo Frashëri, që u shprehën me superlativa për ish diktatorin. Qëndrim që dikur, në vitin 1991, teksa vuante muajt e fundit të dënimit në burgjet e Serbisë, në gazetën serbe “Veçerni list”, e mbajti edhe heroi i rezistencës antiserbe Adem Demaçi, që deklaroi se “Enver Hoxha ishte dhe mbetet burri më i madh që ka nxjerrë kombi shqiptar”.

Janë pikërisht këto vlerësime e qëndrime të këtyre personazheve në adresë të diktatorit, (të gjithë simpatizantë të Ramës), që më bëjnë të besoj se, jo rastësisht, u shfaq portreti i Enverit në “Varrezat e Kombit” dhe në foton që kryesocialisti futi për këtë eveniment në face-book-un e tij.

Natyrisht që kryeministri shkoi të bënte homazhet e 29 nëntorit në emër të shallkuqave pionerë dhe fatosë të dikurshëm të Enverit, bash për yllkuqat që dhanë jetën me emrin e Stalinit dhe Titos në gojë. Por ai shkoi gjithashtu t’i bënte homazhe edhe vetë monumentit “Nënë Shqipëri”, realizuar nga Kristaq Rama sipas modelit rus, imituar prej tij nga veprat skulpturore që i ishin fiksuar qysh kur studionte në Rusi, e ku gruaja-simbol ngren lart, me dorën e djathtë, simbolin yll me 5 cepa, që sipas Kristaqit na qënkesh simboli i Shqipërisë dhe i të rënëve për nder të saj.

Padyshim që skulptorët realizues të këtij monumenti ishin frymëzuar nga Enveri në vitet 70’, që la flokët e gjata sapo iu faneps ëndrra për të imituar rilindësit e mëdhenj, teksa era i merrte leshrat sa herë që shkonte në kodrat e Fuat beut për të vënë kurora mbi eshtrat e atyre që e sollën në pushtet.

Ndaj në imitim të leshrave erëflladitur të Enverit, skulptorët e Realizmit komunist me shkollim rus, nën drejtimin e Kristaqit realizuan draperinë valëvitëse të palave të fustanit të gruas-nënë shqiptare, e cila edhe kur ishte Shotë, Norë apo Tringë Smajli, kish ngritur lart veçse flamurin kuqezi, por kurrë yje të kuq.

Enveri me shokë e dinin mirë se, ata që ishin kalbur në varreza nuk ishin veçse komandantët dhe komisarët e “Akademisë” së Dushanit dhe Miladinit, të shoqëruar nga “Herojtë e Popullit shqiptar” të rënë në Spanjë për Republikën komuniste spanjolle, apo nga ata 600 partizanët e rënë për çlirimin e Malit të Zi dhe Bosnjes, gjatë inkursionit të brigadave shqiptare në Jugosllavi, sikurse thotë edhe kënga komuniste: “Nga Kuçi në Vishegrad / rrugën e lamë me gjak…”.

Mendoj se ka të drejtë miku im hokatar, kur thotë se procesionet e përvitshme në të ashtuquajturat “Varrezat e Kombit”, po t’i mbivendosësh dhe t’u heqësh vetëm cepat, pra veteranët e larguar nga jeta për arsye biologjike apo lufta e klasave, si dhe tek-tuk ndonjë rishtar të hierarkuar në pushtet, kanë pothuajse të njëjtën përbërje qysh prej 40 vjetësh. Dhe kjo sepse shallkuqat e dikurshëm janë bërë pushtetarë apo politikanë, ndërsa ish pushtetarët janë vetëshpallur veteranë, duke regjistruar paradoksin e qindra ish korrierëve partizanë, nga 5-12 vjeç, apo të “veteranëve” të sotshëm 70 vjeçarë, që kanë lindur kur ka mbaruar Lufta e Dytë Botërore. Çka do të thotë se, sipas tij, në Shqipëri është krijuar një grupim procesionarësh profesionistë, naivë e aspak idealistë, që besojnë se tek “Varrezat e Kombit” prehen frymorët që bartin shpirtin e lirisë dhe martirizimit të këtij vendi. Takëm ky, që po t’u shtosh edhe interesaxhinjtë politikë, krijon populacionin qesharak të “antifashistëve” të këtij vendi.

Fantazistët më të guximshëm e konsiderojnë risjelljen e fotos së Enverit nga Rama si një provokim të qëllimshëm për të nxitur debate që do ta mbanin atë në qendër të vëmendjes, (pavarësisht kostos së deklaratave, shkrimeve apo artikulimeve antienveriste qysh në janar të vitit 1991), i ngjashëm me kërkesat ndaj libretistëve të skeçeve të “Portokalli”-së, të cilëve u kërkonte çdo javë çfarëdolloj talljeje apo banalizimi të figurës së tij, gjithsesi të mjaftueshme për ta mbajtur atë gjithmonë në qendër të vëmendjes publike, në një skemë të njimendtë piari dhe marketingu politik.

Ndërsa analistët më të përkorë të Ramës e konsiderojnë risjelljen e Enverit si kënaqje e porositur e “hermafroditëve” majtistë shqiptarë, që paradoksalisht bashkojnë enverizmin me socialdemokracinë europeiste në amalgamën PPSH-PS, vetëm e vetëm për të qenë gjithëherët në pushtet. Sikurse veprojnë edhe me antifashizmin, që e përdorin thjesht për të legjitimuar pushtetin e djeshëm, atë të sotëm e atë të ardhshëm, për të cilin një eksponente e së Majtës shprehej dikur se “do ta marrim dhe do ta mbajmë deri atëherë kur askush nuk do të mund të kujtohet se kur e kemi marrë për herë të fundit”.

Kurse takëmi tjetër i pretendentëve për radiografë e skaneristë të Ramës, e lidh futjen në skenar të fotos së Enverit, me synimet e kryesocialistit shqiptar për të joshur majtistët e Kosovës e për t’ua bashkuar ata majtistëve shqiptarë, në përmbushjen e kahershme të ambicjes për të qenë lideri i shumicës së shqiptarëve, këtej e matanë kufirit. Qëllim të cilin, sipas tyre, e shpjegojnë të gjitha lëvizjet politike dhe ecejaket e panumërta të tij në segmentin Tiranë-Prishtinë.

Ndoshta kjo është pasojë e këshillave të Shkëlzen Maliqit, që besohet se i njeh jo pak kosovarët edhepse gjuhët e liga thonë se komunikon më lehtë serbisht sesa shqip, por ndoshta është edhe imitim i lojës politike të Berishës për t’u bërë e mbetur strumbullari i faktorit politik dhe i mbarë shqiptarëve në Ballkan, çka do ta rriste fuqimisht peshën e kryesocialistit në sytë e ndërkombëtarëve, krahas mbështetjes dhe jetëgjatësisë në pushtet.

Se për çfarë “antifashizmi” flet Rama, mjafton të shohësh lugatin e bojatisur së fundmi, që e shesin për “Partizan të Panjohur” e që u hakërrehet gojëshqyer bashkëqytetarëve që medemek “çliroi”, për të kuptuar simbolikën dhe gjëmën e çizmes dhe dyfekut të tij për 50 vjet. Sepse është pikërisht ky “partizan Meke” që la shkopin e dhive dhe mori skeptrin e Mbretit dhe Perandorit, për t’u shtrirë sa gjatë-gjerë në krevatin e të gjithëpushtetshmit dhe mbi kurrizin e shqiptarëve.

Po për çfarë “antifashizmi” flet Rama, që ka si elektorat ribentropo-molotovcat që dikur glorifikonin Hitlerin dhe racën ariane, që mburrnin Duçen, që si prekursorë freshistë frekuentonin dopolavorot e Xhovani Xhiros teksa shanin atdheun e prapambetur dhe “mbretin anadollak e shakaxhi të përparimit”, që u veshën balila për të parë Romën e për t’u bërë me gazmend nënshtetas të mbretërisë-perandori të Viktor Emanuelit III. Veprime e mendime të cilat vetëm gjysma syresh i braktisën kur Hitleri theu paktin Ribentrop-Molotov dhe sulmoi Rusinë, kurse gjysma tjetër mbetën anëtarë të Partisë fashiste që duatrokisnin Ettore Muti-n, Galeazzo Çiano-n e Francesko Jakomoni-n, për t’u bërë më pas komunistë. Dhe këto janë akuza të vetë Enverit për gjysmën e lidershipit të PKSH e të ushtrisë partizane, të cilët i eleminoi gjatë luftës për pushtet, natyrisht duke kursyer ca kokrra sa për farë, ngaqë në të vërtetë nuk kishte gjë me fashizmin korporatisto-kooperativist që kolektivizonte pronat private dhe që kishte si moto trekëndëshin revolucionaro-fashist “bukë, litarë, festa”.

Enveristët “antifashistë” të sotëm bëjnë sikur harrojnë se antifashistët e parë në këtë vend ishin zogistët dhe jo komunistët. Në fakt, pavarësisht shtrembërimeve të historisë gjatë diktaturës komuniste dhe pluralizmit, e vërteta është se ishin pikërisht komunistët që pritën me lule, si çlirimtarë, Çianon dhe Parianin, që shpallën se “fashizmi nuk po e pushtonte Shqipërinë por po e begatonte dhe nëpërmjet industrializimit po krijonte proletariatin që do të mundësonte krijimin e partisë komuniste, e cila do të bashkëjetonte në demokracinë fashiste sikurse PKI e krerët e saj Luixhi Longo e Palmiro Toliati (që më pas Duçja i burgosi si antifashistë prorusë), por kurrsesi si Francesko Mateoti, që e kërkoi vetë belanë duke iu kundërvënë pushtetit dhe jo duke bashkëjetuar paqësisht me të”.

Ky takëm harron se ishin vetëm legalistët zogistë ata që iu kundërvunë me armë pushtimit fashist nga 7-10 prill 1939, ndërkohë që komunistët u tubuan në dyert e burgjeve për të pritur “heronjtë” komunistë, që dilnin triumfatorë të çliruar nga vëllezërit fashistë, teksa këmbeheshin me mijëra antifashistët zogistë që u arrestuan, u dënuan me burgime të gjata dhe u internuan në ishujt e shkretuar të Italisë.

Ne legalistët zogistë nuk mburremi me luftën tonë kundër fashizmit, sepse nuk mund të konsiderojmë meritë detyrën ndaj atdheut dhe as gjobë pushteti gjakun e derdhur. Për ne antifashizmi është ideologji dhe jo vlerë, është pozicionim i detyruar dhe jo lejtmotiv. Për ne vlerë dhe detyrim madhor e i përjetshëm mbetet kombëtarizmi, Shqipëria Etnike dhe shqiptarët.

Nuk i shpikëm ne shqiptarët fashizmin dhe nazizmin, nuk i ftuam ne në atdheun tonë. Nuk e shpallëm dhe nuk e filluam ne Luftën e Dytë Botërore, por e filluan nazifashistët dhe e shpallën “plutokracitë” europiane që flirtuan deri në lodhje me Hitlerin, Duçen dhe Hirohiton, që bënë pakte me ta në emër të ekuilibreve të rinj europianë e botërorë dhe ndarjes së kolonive e zonave të influencës. E filluan dhe e shpallën ata që u prishën në pazaret e tyre të ndyra e shekullore, nga të cilat shqiptarët gjithnjë kanë dalë të humbur.

Ishin dhe mbeten komunistët e internacionalistët e këtij vendi ata që, për dekada, u janë qepur pas ndërkombëtarëve në blloqe e aleanca, vetëm e vetëm për të marrë e trashëguar pushtete, duke bërë pazar me trojet dhe interesat shqiptare.

Ne kombëtaristët kemi bashkuar historikisht dhe vazhdojmë të bashkojmë kontribute dhe vlera me fuqitë që u duan të mirën shqiptarëve dhe bëjmë aleanca që gjithmonë në fundore respektojnë dhe mbrojnë interesat e shqiptarëve.

Ne kërkojmë partneritet, respekt të ndërsjelltë dhe reciprocitet të vlerësimeve e qëndrimeve. Ne nuk flemë nëpër çartera e nuk i zemë derën askujt, nuk këndojmë hosanara majekrahi dhe nuk lypim miqësi e dashni me zor. Jemi dinjitozë, respektojmë vetveten, miqtë e sinqertë dhe vlerat tona.

Nuk e kemi problem nëse nuk na llogarisin tek antifashistët. Madje do të na bënin nder, pasi nuk kemi ndërmend që për ideologjira të na fusin në një vathë me Stalinin, Titon, Rankoviçin, Napolon Zervën, Millosheviçin e Sheshelin, e aq më pak me Enverin dhe bandën e gjakatarëve të tij.

Komunistët shqiptarë janë më unikalët në botë, teksa shpallën heroj dhe dëshmorë të shqiptarëve ata që u vranë në toka të huaja, duke luftuar për kauza dhe popuj të huaj, apo ata që u vranë në luftën civile me bashkatdhetarët, thjesht në kacafytjen për pushtet. Të vrarë këta që në të gjithë botën quhen veçse viktima të një lufte vëllavrasëse.

Edi Rama e di mirë këtë fakt allashqiptar dhe përvojë mbarëbotërore, të cilën e ka stigmatizuar aq bukur në librin e tij “Refleksione…”, me bashkautor Ardian Klosin, në vitin 1991.

Pikërisht vlerësimi real i Luftës Antifashiste si Luftë Civile gjatë LDB, u dha atij dhe Klosit mungesën e komplekseve për të shkuar në Paris e për të takuar pa droje kryeballistin Abaz Ermenji, i cili i priti mjaft mirë këta djelmoshë, të cilëve u ofroi ndihmë dhe miqësi të pakushtëzuar, paçka se Ardian Klosi ishte nipi i dëshmorit komunist të Pojskës, Ptoleme Xhuvani, si dhe nipi i gruas së diktatorit të fundit komunist, Ramiz Alisë, kurse Rama ishte biri i hierarkut më të lartë për artet dhe kulturën në Kuvendin Popullor (kryetar i Komisionit përkatës), dhe nip i Spiro Kolekës.

Por sot Edi Rama ka ndryshuar qëndrim dhe bindje nga koha e “Refleksioneve…” për LDB, ngaqë është bërë kryetar i partisë së trashëguar nga Enveri e Ramizi.

Sa për të ashtuquajturën Luftë Antifashiste Nacional-çlirimtare, do të mjaftonte emërtimi dhe bilanci qesharak i saj për ta harruar heroikën e pretenduar. Sepse në asnjë vend nuk ka luftë Nacional-çlirimtare (pra komb-çliruese), kur më shumë se gjysma e kombit, jo vetëm që mbetet jashtë kufijve shtetërorë e kombëtarë, por ripushtohet nga pushtuesit që morën arratinë për 4 vite pas shembjes së Jugosllavisë mbretërore nga Italia dhe më pas Gjermania gjatë LDB. Dhe ajo që është më e keqja, ripushtohet pasi çarmatoset në mirëbesim nga vëllezërit e një gjaku, të cilët ndihmojnë pushtuesit duke i vrarë bashkë me ta.

Le të pyetet Rrahman Parllaku se çfarë ka bërë Divizioni i komanduar prej Hysni Kapos, Ramiz Alisë, prej tij dhe Shefqet Peçit, gjatë qëndrimit afro 18 mujor në Metohi e Kosovë, deri në mesvitin 1946. Le të dëshmojë ai për ngjarjet, para komisionit parlamentar ende të pashfuqizuar në detyrën e tij për “hetimin e masakrës së Tivarit”.

Për afro 3 dekada, dhjetëra ndihmësit e Ndreçi Plasarit nuk gjetën më shumë se 2800 personazhe për t’i futur në kolanën e famshme “Yje të pashuar” e për t’i shpallur “dëshmorë”, ndonëse çereku kishin vdekur në krevat nga sëmundjet, ishin viktima të rastit, të gjendur në vendin e gabuar e në momentin e gabuar, pra pa armë në dorë dhe aspak në formacione luftuese, apo ishin jetëhumbur në aksionet për rindërtimin e vendit pas luftës, për çka kolana u bë objekt talljeje, sidomos për jetëshkrimet e sajuara, qesharake, stereotipe e të mbushura me heroika në adresë mjeranësh të pafat që i kapi plumbi, apo që kishin vdekur nga tifo e marrë nga konservat italiane që kishin pësuar bombazh biokimik.

Sa për okupatorët e vrarë italianë e gjermanë, do të mjaftonin deklarimet e oficerëve britanikë Dejvid Smajli, Bill Maklin, Xhulian Emeri dhe Piter Kemp, në librat e tyre, ku dëshmojnë se u kishin dalë rrylat e fytit për të bindur edhe më trimat e komunistëve, Mehmet Shehun e Nexhip Vinçanin për të ndërmarrë operacione sulmuese, apo për të bindur Shtabin aleat në Bari që të mos dërgonte ndihma për partizanët, sa kohë që nuk i vërtetonin betejat e tyre dhe okupatorët e vrarë me medalionet e marra prej tyre, që ishin edhe parakushti për furnizime.

Sipas këtyre britanikëve, nëse bëhet fjalë për ndoca qindra okupatorë të vrarë, më shumë se gjysmën i kishin vrarë ballistët dhe zogistët, krahas britanikëve, në aksione të përbashkëta apo të përveçme.

Madje këta oficerë të misioneve aleate, këmbëngulin se nga ky numër duhen përjashtuar italianët dhe gjermanët e vdekur në Shqipëri pas plagosjes në frontet e luftës italo-greke, apo që vinin nga Greqia pas pushtimit gjerman dhe pas luftimeve të tyre me britanikët, në ishuj dhe në stere.

Gjithashtu këta britanikë pretendojnë se nga numri i fryrë i okupatorëve të vrarë duhet të zbriten robërit e dorëzuar e të masakruar më pas nga komunistët, sikundër vepruan Mehmet Shehu dhe Kadri Hoxha me shokë, që i vranë robërit e gjorë për t’u grabitur rrobat, këpucët, orët, unazat dhe dhëmbët e florinjtë, në kundërshtim edhe me Konventën e Gjenevës për Robërit e Luftës. Fakt ky që i rrezikoi jetën Kadri Hoxhës gjatë misionit në Bari si përfaqësues i Shtabit komunist aleat shqiptar, teksa kolegët e tij perëndimorë e akuzuan për krime lufte dhe urdhëruan arrestimin e tij, çka e detyroi t’ia mbathte e të kthehej në Shqipëri, duke i shpëtuar dënimit.

E nëse i rikthehemi enverizmit të ditëve të mbrame të enveristëve në pushtet, duhet pohuar se Ramizi u tregua tejet dinak teksa ndërseu njerëzit e tij që u prinin turmave të revoltuara, për t’i drejtuar kah sheshet e për të rrezuar e hequr zvarrë bronxet dhe mermerët e monumenteve kushtuar diktatorit, duke shpëtuar paq familjen e tij, të Enverit dhe ato të bllokmenëve.

Dukej qartë që përvoja rumune i kish shërbyer si mësim, ndonëse Nexhmija bëri të xhindosurën duke e akuzuar se ishte bashkërrëzues i Enverit, pasi sipas saj kish çmontuar bullonat e bazamenteve të monumenteve.

Por edhe për bronxet dhe mermeret Ramizi u hakmorr ndaj shqiptarëve, teksa nxiti falangat enveriste të ndëshkojnë shqiptarët e rebeluar e të paarmatosur, gjatë terrorit që pasoi për 48 orë 20 shkurtin 1991, ku u masakruan mbi 20 të pafajshëm.

Komunistët që dijnë të luajnë me simbolikat, i përdorën ato mjeshtërisht për të kumtuar mesazhet e zeza për shqiptarët dhe ndërkombëtarët në fillimet e pluralizmit dhe sidomos në ngjarjet e shkurt-marsit të vitit 1991, kur rezistonin të hiqnin simbolet dhe emrin e diktatorit nga sheshet, institucionet dhe kudo ku e kishin vendosur në mbarë vendin.

Do të mjaftonte rasti i 14 vjeçarit Spartak Deliu, ekzekutuar me snajper në kokë, si kumt gjakatar mbarsur me simbolikën se ata shqiptarë që guxuan të rebelohen kundër diktaturës, do të merrnin si ndëshkim vrasjen e ardhmërisë me plumb në ballë, gjë që më pas nuk rezultoi e pabazuar, sidomos gjatë vitit 1997.

Pas pushtimit, të trembur nga kryengritjet e mundshme të matjanëve zogistë, fashistët ndërtuan në vendlindjen e Mbretit Zog (në qytetin e themeluar prej Tij, Burrelin kryqendër e krahinës), garnizonin më të madh të përqendruar në sheshe dhe kazerma që zinin një sipërfaqe prej 30 hektarësh, tejet i fortifikuar, ku ishin instaluar 5 mijë trupa dhe armatime të rënda, shoqëruar me njësi shtesë për mbrojtjen e burgut të tejmbushur me zogistë dhe të tjera që ruanin kampin stërmadh të Përqendrimit në Komsi, 10 kilometër në periferi të qytetit, ku ishin burgosur mijëra antifashistë nga gjithë Shqipëria e Ballkani, çka e kishte shndërruar Matin në një burg gjigant. Por më 31 korrik 1943, tre mijë zogistë matjanë sulmuan garnizonin fashist dhe njësitë shoqëruese në të gjitha drejtimet, duke i shpartalluar dhe duke mundësuar çlirimin e mijëra të burgosurve e të internuarve, të cilët i strehoi populli nëpër fshatra e male. Fashistët nuk mund ta toleronin këtë sfidë të zogistëve dhe ndonëse në prag të kapitullimit të plotë, vendosën ta ndëshkonin Matin zogist, të cilin e sulmuan me tre autokolona prej mijëra trupash të shoqëruara me mjete të blinduara, nga tre drejtime të ndryshme. Në këtë përballje të pabarabartë fashistët arritën t’i zhvendosin kryengritësit në male dhe të djegin thuajse gjithë krahinën.

Pas “çlirimit”, komunistët që kishin shtënë vetëm në ajër me bataretë e fitores, e përvetësuan 31 korrikun e zogistëve matjanë, pa harruar të zinin vendin e fashistëve në garnizonin e gatshëm, ku instaluan korpusin më të madh ushtarak të vendit, me mijëra trupa dhe armatime, nga frika e ndonjë kryengritjeje zogiste.

Pikërisht në këtë korpus, ku mbi 95 % e efektivit ishin jo matianë, komunistët kishin vendosur një bust të Enverit, që pas rënies së komunizmit mbrohej 24 orë me mitrolozë të rëndë gulinov dhe ushtarë të shumtë, në ndërresa të pandërprera. Pikërisht këtë korpus dhe ruajtjen e bustit të Enverit edhe pas 20 shkurtit 1991, i komandonte një oficer madhor enverist tropojan, B. K., i cili ishte betuar të ekzekutonte të gjithë kundërshtarët e regjimit që do të tentonin ta rrëzonin bustin. Dhe ky enverist i përzgjedhur simbolikisht nga Tropoja, rezistoi dhe qëndroi në detyrë deri në fund të gushtit 1991, bashkë me bustin, të cilin e hoqën vetëm kur arritën ta shkarkonin enveristin me urdhër special të ministrit të Mbrojtjes së Qeverisë së Stabilitetit.

Padyshim që Enveri rron në zemrat e enveristëve, rron në mendjet e rehabilituesve që glorifikojnë 29 nëntorin e antifashizmin, duke u thënë shqiptarëve se “ushtria e lavdishme çlirimtare kishte një komandant që e udhëhoqi drejt fitores dhe u çliroi juve mosmirënjohësve…”. Enveri rron në zemrat dhe mendjet e të gjithë atyre bashkëpunëtorëve të tij që u vetërehabilituan teksa e lanë vetëm dhe ia faturuan për nja dy dekada, atij dhe sistemit, të gjitha të këqijat. Enveri rron në zemrat e ushtarakëve vrasës të kufirit, që ekzekutuan qindra djem e vajza që synonin të shpëtonin nga “parajsa” komuniste, rron në zemrat dhe mendjet e gardianëve dhe xhelatëve të qelive, rron në mendjet dhe zemrat e gjakatarëve të Sigurimit e ish hetuesve, që janë shndërruar më së shumti në juristë institucionesh, në gjyqtarë, prokurorë e avokatë, duke i lënë pakicën e pensionuar për shkak të moshës së shtyrë në “shoqatat e ushtarakëve të liruar”, që kërkojnë pensione të majme për hiç luftërat, por vetëm për gjakun e derdhur të shqiptarëve, si dhe medemek angazhimin e mundshëm si rezervistë të ushtrisë anëtare të NATO-s, kur ta lypë nevoja.

Shenjat e para të rehabilitimit publik të Enverit filluan me këmbënguljen për të ruajtur 29 nëntorin, për të përfunduar ironikisht tek pretendimi i një enveristi se të gjitha fajet i paskësh pasur sistemi, se i tillë ishte, dhe se edhe vetë Enveri ishte përndjekur fshehurazi nga Koçi dhe Kadriu në emër të sistemit, duke u rrezikuar madje deri edhe me jetë si kunat i Bahri Omarit. Thënë shkurt, sipas këtij takëmi edhe Enveri pas vdekjes, si dhe Nexhmija për së gjalli, duhet të regjistrohen në shoqatat e ish të persekutuarve nga regjimi komunist!!!

Komunistët dhe më pas socialistët si trashëgimtarë ideologjkë, të aseteve materiale dhe të elektoratit ish-komunist, edhe sot e kësaj dite nuk kanë kërkuar ende falje publike dhe nuk kanë shfaqur pendesë institucionale për krimet barbare ndaj bashkatdhetarëve, gjatë dhe pas luftës vëllavrasëse, për gjysmë shekulli. E vetmja që ka kërkuar falje individuale publike është ish hierarkja e lartë e nomenklaturës komuniste Liri Belishova, pasuar nga Bedri Spahiu në gjysmëpendesën e tij në promemorjen e botuar në vitin 1991.

Sa kohë që viktimat nuk u hakmorrën, vrasësit nuk shfaqën pendesë dhe asnjëanësit mbetën soditës pasivë, asgjë nuk ndryshoi dhe shqiptarët mbetën po ata në bilancin dhe kahjet e jetës së tyre nën diktaturë apo jashtë kufijve, në mërgatë.

Të papenduarit le të mbajnë antifashizmin, Enverin dhe damkën e Kainit, si për të vërtetuar thënien se “gungaçin e drejton veç tabuti”.(Ne Foto: Enver Hoxha me Dushsn Mugoshen dhe Miladin Popovicin)

(*) Kryetar i PLL( E falenderojme z. Gjana qe e dergoi shkrimin per gazeten DIELLI

Filed Under: Analiza Tagged With: glorifikimi i antifashizmit, i Enver hoxhes, publik, si rehabilitim, Sulejman Gjana

Happy Birthday my SISTER!

January 23, 2014 by dgreca

Nga Matilda MIRAKAJ/

Janari është nje muaj shumē i rëndesishëm për mua. Si për të gjithë simbolizon fillime të reja, ëndrra dhe shpresa. Por në veçanti është i rëndesishëm për ngjarjet që formuan jetën time. Një nga këto ngjarje ishte arrestimi i babit në 15 Janar, kurse tjetra, ishte pozitive dhe dhurata më e bukur në jetën time.

Kur shkoj mbrapsht në thellesitë e fshehura të memorjes time, e para gjë që mbaj mënd është lindja e motrës. Big Bang i imi. Fillimi i gjithshkaje.
24 ditë më parë kisha mbushur 3 vjet. Sigurisht, nuk më kujtohet asgje deri atë ditë. Por, pak më shumē se tre javë më vonë, në trurin tim u regjistruan vizionet e para që simbolizojnë fillimin e kujtesave të mia.  E para kujtesë e fëmijrisë sime  e përzier me tregimet e mamit. Nga kjo mjegull kujtese hyjnë në të qënurit tim disa figura. Largesia e kohës së kaluar dhe mosha e brishte i veshin këto njerez me një mjegull të bardhe. Isha shumë e lumtur. Mami nuk kishte qënë në shtëpi për disa ditë dhe unë ia kisha ndjerë mungesën. Ishte ndarja e parë midis nesh. Për një fëmije të asaj moshe, prindërit dhe shtëpia janë gjithçka që eksiston. Është e para forcë graviteti që njeh. Është qëndra që  tërheq një horizont që është në rritje konstante, ndaj vetes. Thuhet se njerëzit mësojnë deri në moshën tre vjeç shumë më tepër se se gjatë gjithë jetës së tyre.  Ndoshta prandaj edhe nuk kujtojmë asgjë deri në atë moshë.Njohuria hyn në qënien tonë si një lum i rrëmbyer.
Dy gra dhe një vajzë e vogël. Mami me disa rroba në dorë, hallë Vali dhe Vilma.  Vilma ishte disa muaj më e madhe se unë. Gati moshatare. Ajo më kujtohet më mirë se gjithçka tjetër atë ditë. Flokët e verdha me baluke.  Si një kukull e vogël.  Ato çfarë unē kujtova se ishin rroba në duart e mamit, doli se ishte bebja e vogël.   Mami më ngriti lart me dy duart dhe më puthi.Oh, lëkura e fytyrës se saj më shkrinte me kënaqësi. Hallë Vali më puthi the më dha një karamele. Mami e lodhur nga rruga, akoma e dobët nga lindja, shkoj me hallë Valin në guzhine të shtrinte pak këmbët në minder. Edhe Vilma ndoqi nënën e vet. Unë ngela e mahnitur duke parë atë krijesë të vogël të vendosur diagonslisht në krevat. Dy sy të zinj dhe një fytyrë me ngjyrë trëndafili. Duart e vogla që mundoheshin të preknin ajrin rreth saj. Në duar kisha akoma karamelen që më kishte dhën hallë Vali. Goja e vogël e bebes lëvizte pa pushim sikur kërkonte diçka në hapsirë. M’u kujtua karamelja që kisha në dore. Mbase bebja do karamele, si unë. Ja afrova te buzët që ta lëpinte. I pëlqeu. Ok, e bëra sakrificën dhe ia dhashë të gjithën. Pa e kuptuar isha mbushur me dashuri për motrën e vogël që deri pak më parë nuk e njihja. Pastaj e lumtur për bujarinë time duke kercyer shkova në guzhinë te mami. Ajo ndërpreu bisedën me hallë Valin dhe më hodhi një vështrim të mallshëm. Mami, mami thirra unë, e eksituar. I dhashë bebit karamele. Mami, me sy të zgurdulluar bërtiti:- Çfarë…dhe vaproi në dhomën ku ishte Manjola e vogël. Ajo ishte duke u mbytur. Mami e kapi nga këmbët dhe i futi gishtin në fytin e vogël. E nxorri. Manjola filloi të marrë frymë dhe e trëmbur filloi të qajë. Unë kisha ngelur e friksuar në qoshe të dhomës.
Kjo ngjarje është e përzier me kujtesat e mia. E dëgjuam aq shpesh, sa, jo vetëm unë po edhe Manjola vetë, e mbante mand. Për fat, ajo që kishte qënē aq afër të ndodhte, u evitua. Dhe unë pata fatin te kem dhuratën më të madhe të jetës time për 44 vjet, 4 muaj dhe  7 ditë.
I love day lilies. They come on beautiful array of colors,  some are pale and some have a deep color, some have different hues all together.  Single layer of petals or double. Their fragrance feels the surroundings with a sweet aroma.  They bloom on the morning and  die with the sun.  One day.  No more.  Short lived but it makes you smile filed  with appreciation for its beauty when in bloom.   A description that fits my sister so well.  She was named after a flower.   Two flowers actually.  I don’t think it was intentional.  Magnolia Margarita,   Both white, beautiful flowers.
Bib, bib, bib, grafiku në ekran. I rrallë, i dobët pulsi.

…Edhe një,  dhe pastaj heshtje.  Një vijë e gjatë në ekran. Sytë e mbyllura, dhe të qeta. Një buzëqeshje gati e padukshme në cepat e buzëve. Lot, dhimbje, dorëzim. Dyert e arta të qiellit hapen të presin shpirtin që kthehet në shtëpi të vet.  Ishte një udhtim i gjatë dhe i mundimshëm. Shumë i lodhshëm, por jo, kurrsesi i mërzitshëm. Ëngjëjt i tregojnë udhën, tashmë të harruar drejt shtëpisë së përjetshme.

Happy Birthday my SISTER!

Filed Under: ESSE Tagged With: happy birthday, Manjola Mirakaj, Matilda Mirakaj, my sister

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 74
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT