• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2014

Selfoja me një sy

January 20, 2014 by dgreca

   Tregim nga  Përparim  Hysi/

Që kish një sy, dukej që  atje tej. Ajo që të bënte përshtypje ishte fakti se atë e gjeje kudo: sidomos në ziafete apo  në mbledhje. E pamundur që të mos binte në sy. Një e dy dhe, kur ishte puna për ta ndezur pak atmosferën, brrof ia bënte nga vëndi ku qe ulur dhe mu në mes ziafetit ( gostisë, de!), ia thoshte:

… Gjon  Banushi me një çetë/ sikur zbriti që nga retë/ … dhe hajde të mbaronte. Kur soste këtë palorecitim – se të tillë e quante- tak dhe kthehej andej nga kryesorët ( zakonisht ndonjë i ardhur nga komiteti i partisë a ekzekutiv dhe, në mungesë të tyre, kryetari i kooperativës a sekretari i byrosë) dhe, pasi priste duartrokitjet si shpërblim për aktin me vlerë (evokonte kohën e luftës kundër nazi-fashistëve, or tunjatjeta,dhe nuk qe pak), ndjehej sikur kish zënë qiellin e shtatë. Që bënte kështu dhe i binte bories  me një vrimë përherë, kishte arsye të mëdha. Këto “arsyet” tregoheshin dy llojësh nga ata që e njihnin këtë Selfon me një sy.  Ca thoshin se njëri sy ia kishin nxjerë, kur Maloja, një vërsnik i tij ia kishte mbajtur me një dardhë nga ato korrikset se ky ia kishte rrëmbyer me forcë. Të  tjerët i bënin “iso” asaj  ngjarjes që tregonte Selfoja! Kish qenë  si korrier me këtë çetën  e këtij Gjon  Banushit, të cilit dhe i thurte bejte. Epo Gjon  Banushi ato kohë rronte dhe qe oficer madhor në ministrinë e mbrëndshme. Unë e njoha këtë Gjon Banushin si komandant burgu në Talë të Lezhës, kur qeshë ushtar në Shëngjin. Qeshë emëruar mësues në këtë fshatin e Selfos dhe, tek dëgjova së pari recitimin e tij, tak dhe bëra lidhjen. Gjon Banushi qe kolonel asi kohe dhe të burgosurit e Talës, përgjithësisht, flisnin mirë për të. Duket qe dorë e fortë dhe kish arritur t’u jepte të burgosurve  edhe leje për në familje. Po qe si qe kolonel Gjoni, ky fakt nuk kish të bënte me këtë Selfon. Ky qe i një  “sëre” tjetër, po t’i besojmë atij Malos që i  kish nxjerë synë Selfos në adoleshencë. Se puna e solli që, për djall, unë të njoh dhe Malon.

*    *   *

“Invalid” ky, Selfoja, i plotësonte kushtet për të qenë komunist. Dhe po si “invalid”, në kooperativë trajtohej pak si veçan. Një tip furnitori që kish një “status” pak të zgjedhur.
Prej natyre, të ngjitej si të qe zamkë dhe kish fituar famë vetëm si e si të fuste në lakun që donte. Kryetari ia njihte “huqet” dhe sikur i kish dhënë kartabiankë që, kur kërkonte diçka që i bëhej mirë kooperativës, pa një e pa dy: t’i jepej. Selfoja, e merrte atë “diçkanë” dhe e çonte atje ku duhej. Për ashtu, nuk ia hante qeni shkopin. Dorëzohej gruri dhe ja tek e shihje Selfon mu përpara kabinës së shoferit se qe ngarkuar ai për ta dorëzuar. Shikonte që duheshin edhe ca kuintalë që kooperativa të realizonte  planin. Selfoja ia kish marrë dorën. NJë qingj të therur në thes dhe drejt e në shtëpi të drejtorit të grumbullimit. I shkathët nga goja, thoshte: – Ka mbreti bythë , jepi të hajë se do të dhjesi!!! Një qingj në atë kohë, kur Artisti i Madh Skënder Sallaku, e ironizonte me qesh e ngjesh: lexon mish e gjen  kasap!, për drejtorin e grumbullimit qe hapur porta e  Edenit. Drejtori, mbasi merrte “vergjinë”, esëll pa dalë nga shtëpia, vinte drejt  tek makazinieri:- Ndoni, “ndihmoje” pak atë Selfon se është miku im! Epo kaq, se Selfoja vërtet që kish një sy, po për këto punë shikonte sa për dy. Po sikur dhe Ndonin nuk e linte thatë, jo. Po sipas sërës: drejtorit një qingj, Ndonit një bibë. Se do lagur mjekrra që të rruhet,- thoshte. Dhe realizohej plani. Kot ishte ferma. Tek dorëzonte planin, e dinte vet Ndoni si  i mbushte defterët. Selfoja po kthehej shend e verë nga pazari. Ku i gjendej shoku Selfos! Tha një ditë kryetari për Selfon ( po e tha në mexhlis, ama) :- Një sy ka Selfoja, po punën e bën sikur ka katër palë sy.

*   *   *

Ua mori dorën këtyre punëve dhe u bë profesionist. E “helmova” dhe filanin,- tregonte. Ky, filani, na punonte në komitet të partisë.

– Po si ndodhi?- pyeta me kërshëri unë që,tash, qeshë miqësuar  me Selfon.

– Aha,- tha,- është mesele gjatë, po, kur të kthehem nga qytetit, do të tregoj.

Tek po hipte në makinën e kooperativës, e pashë që shkëmbeu ca “batuta” me një nga brigadierët:

– Janë 25 kg apo jo? Se kaq i kam thënë asaj të cilësisë unë.

– Nuk e luan topi.

Selfoja më përshëndeti triumfues dhe, tek mbylli derën  e kabinës, më shkeli synë me intimitet. Ngrita dorën  si shënjë përshëndetjeje dhe, tek pashë brigadierin në këmbë, e pyes:

– Makina qe ngarkuar me pambuk, ç’qe ai lllafi për 25 kg?

-25 kg fasule për ta nxjerrë pambukun e brigadës si cilësi e parë. Se vajë në lakra bie, apo jo?

Po ku mbahej Selfoja për këto punë. Kur u kthye nga qyteti, e prita dhe, pasi porosita nga një dopio ( me meze,sigurisht), prita atë rrëfimin se si e kish helmuar njërin që në gjithë aparatin e komitetit të partisë, mbahej më i ndershmi. Po ku të linte Selfoja për të qenë i ndershëm. I shkova në shtëpi, – më tregoi ai,- dhe gjeta të shoqen. Kisha porositur në “Dalan” të Karavastasë nja dy peshq sa një sheleg. Futur në trastë ata dhe, kur i nxora nga trasta dhe ia vura mu mbi tavolinën e kuzhinës, asaj iu hodhën sytë përpjetë. Sa u gëzua,aq dhe u habit. “Bibë” qyteti që nuk kish parë të tillë peshk, aq më shumë që aso kohe në Shqipëri  shitej nga  ia peshku kallkan ardhur nga Bullgaria,- thonë. T’ju bëjnë mirë,- e urova,- se lekët ia marr shokut Koço! Kështu i thashë asaj “bibës” unë, po nuk ishte fjalë për lekë. Ia lashë atje mbi tavolinë dhe ika.
Kur, mbas nja dy ditësh, ballë për ballë me këtë, Koçon.

*   *   *

Përqafohemi (të dy e kishim me hile: se ku donte njeri ky, Koçoja?, po dhe unë nuke doja, po më lipsej,or mik) dhe, sikur të na kishte grirë malli për njëri-tjetirn, shtrëngo e përqafohu e lëre mos e nga.

-Ore Selfo, rrofsh për atë peshkun që kishe sjellë tek unë, por mbeta pa të dhënë lekët.

-Shoku Koço, pse për kasap apo për peshkatar më merr mua, unë t’i solla se të vlerësoj si mik dhe aq. Pashë që u lëpi nga kënaqësia, por bëra sikur nuk e vura re.

– Se mos ke ndonjë hall?- më pyeti.

– Asnjë hall,- i thashë. Të të bëjnë mirë e mos ma zërë në gojë.

U ndamë dhe, këtë herë, më  shtrëngoi më shumë.

-Pse nuk ia the hallin?- pyeta unë.

– Qenke teveqel,- ma preu ai. Nuk paske dhënë ndonnjëherë rushfet. Vëre vath në vesh nga unë:- Jepe peshqeshin sot dhe prite ta “vjelësh” mot.

Atë ditë u ndamë si miq dhe, tek llogarisja se ende nuk ishin mbaruar dy “shelegët” e dalanit të Karavastasë nga shoku Koço, bëra këmbë e drejt e në zyrë. Sa më pa, ma shtrëngoi dorën fort dhe unë, pa ia lëshuar dorën ( sikur po më këputej shpirti për të) i them:- Sot kam ardhur për një hall. Dhe papritur të ma lëshonte dorën, i them:- Kam vajzën dua ta dërgoj për infermiere, por thonë që duhet nga qyteti.

-Lëma mua emrin dhe ik i qetë. Kështu, të keqen Selfoja tyja,e mbolla dje, po e ha sot. Ja, iku Këzja ime për infermiere në Korçë. Kështu që të rrojë shoku Koço! Duke rrufitur mezenë që po sosej, po zbrazte thasët e ryshfetit dhe Selfoja me një sy. Bërë “profesionist në këtë “zeje” të vjetër dhe aq aktual tërë kohës, Selfoja një ditë e pësoi.
Se gjithmonë në këto punët e ryshefteve ( në gjuhën e drejtësisë quhet mit marrje a mitdhënie), e pësojnë peshqit e vegjël. Të mëdhenjtë e çajnë rrrjetën. Kështu ndodhi dhe me Selfon me një sy. Kjo ndodhi një mëngjes kur Selfoja, me atë thesin në kurriz, si pa gjë të keq, po trokiste në derën e drejtorit të  grumbullimit. Këtij ,drejtorit, i kish dali nami për këtë punë dhe po e ruanin që ta zinin me presh në dorë. Duket drejtori nuk qe pa miq. Miku e informoi:- Të kanë vënë në shënjestër, dikush po të suverjon se nesër do të  vizitojë dikush me thes në kurriz. Sikterise publikisht dhe ke për të larë faqen si komunist. Tek  Selfoja priste të hapej dera mirëseardhëse si gjithmonë, kur dëgjon të bërtitura:- Maskara! Do të kompromentosh një  kuadër dhe komunist. Pse ç’më di mua, shok si vetja, ore qorr që dua që të ta nxjerrë dhe syrin tjetër, por ç’t’i bëj partisë ku aderoj, se e dija vet se si do të zija me shqelma mu këtu para pallatit e në sy të njerëzve. Selfos vërtet sikur i doli  dhe syri tjetër nga ç’dëgjoi me veshë. I zbriti shkallët më shumë i vdekur se i gjallë dhe mezi sosi tek makina për t’u kthyer në fshat.

Pa sosur në fshat, mbrriti korrieri  nga komiteti i partisë dhe organizata e partisë u mblodh urgjent. Selfon me një sy e përjashtuan nga partia dhe drejtori si komunist i ndershëm u pranua si anëtar i byrosë në rreth.

Se qe i p a k o m p r o m e n t u e s h ë m…

Pas një jave, sado që qe “invalid” i luftës,Selfoja iu dha gjyqit dhe u dënua për “mitdhënie” në burgun ku komandant qe Gjon Banushi,- thanë. Unë nuk kam asgjë as me GJon Banushin, por as me Selfon. As  do kisha shkruar sikur mos ky “ryshfeti” apo “mitdhënia” të jetë shtuar shumë në ditët tona. E keqja është se, përsëri, kur denocohen e hanë vetëm “Selfot”, kurse ata “shelegët” e Karavastasë e çajnë rrjetën dhe rrojnë e bëjnë pallë dhe mbajnë leksione antikorrupison. Deri kur kështu ma?- do pyeste Migjeni që është gjithmonë aktual…

 Tiranë, 20 janar  2014

 

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: perparim Hysi, Tregim

Liria jonë është shkruar me Alfabetin e gjakut…!

January 20, 2014 by dgreca

Në qytetin Student të Heidelbergut të Gjermanisë u promovua : “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844 – 1999”  te Prof. Dr. Nusret  Pllana/

Nga Hasan QYQALLA/Heidelberg/*

Gjergj FISHTA, duke derdhur tërë mllefin e pezmin, ku tjetër pos te shkaktari kryesor i katrahurës shqiptare, te Fuqitë e Mëdha të Evropës e botës, në vargjet e veta nxjerr klithmën:

Uh! Evropë, ti kurva e motit!

Që i re  mohit, besës së Zotit!

Po, á ky asht sheji i qytetnisë?

Me da token e Shqypnisë,

Për me mbajt klyshtë e Rusisë?

I përzgjodha këto vargje, mbase e shoh një pikënisje të përbashkët identifikimi me veprën shkencore kapitale të profesor Pllanës “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844 – 1999”! Shtrohet pyetje pse, ku, si,…?

Fillimisht, për opinionin tonë mbarëkombëtar, prof. Pllana është emër i njohur, është zëri i arsyes të “Kosovës së Lirë”, është emër i njohur në letrat shqipe, por edhe më e hershme është veprimtaria e tij që nga koha e ish Jugosllavisë. Veprimtari e njohur antipushtuese e antiregjim, që shpreh kryeneqësinë individuale kundrejt pathyeshmerisë e mospërkuljes për asnjë çast, për asnjë çmim, mbase “Liria nuk ka çmim”, do të thoshte vetë disidenti. Katrahurat e shtypjes, dhunës, terrorit të atij regjimi të paparë ndonjëherë në globin e njerëzimit, i përjetoi vetë autori, i barti mbi kurriz. Këto përjetime, nëpër kazamatet serbo – sllave, nuk e ligështuan për asnjë çast, nuk e dobësuan as skenarët e inskenimeve, por përkundrazi sikur kalitej edhe më tej, që jo vetëm të sfidojë, por edhe të dalë në mal e ta luftojë pushtuesin shekullor me armë në dorë.

T’i kthehem pikënisjes me vargjet e Fishtës, të cituara më lartë. Gjersa Fishta, siç thashë, nxjerr klithmën e thellë ndaj padrejtësive historike që i bëhen popullit shqiptar, këtë padrejtësi, profesori e justifikon me fakte duke nxjerrë të gjitha viktimat e tribunët kombëtarë që për ideal kishin, asgjë më shumë se lirinë. Pra, janë të dhëna shkencore e të pakontestueshme: vrasjet, pushkatimet, helmimet, pritat, pabesitë…, deri në paradokset që nxjerr regjimi serb, kinse bënë vetëvrasje.  Më kujtohet nje koment i atëhershëm i Agjencionit të Lajmeve Jugosllave “Tanjug” se Vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka u vranë nga një përleshje e brendshme apo qërim hesapesh mes grupeve ilegale të emigracionit shqiptar. Mbase, rasti i Enver Hadrit, ku nxjerrin tre supozime të mundshme, por më e afërta, gjithnjë sipas tyre, është xhelozia e të dashurës së tij, që kinse kishte një lidhje intime jashtëmartesore me të (fjala është për një femër me origjinë belge)!!! Prandaj,  autori i qaset me mishërim kronologjisë së dhimbshme, duke nxjerrë edhe fakte të mjaftueshme për dhunën, terrorin e gjenocidin që ushtronte në mënyrën më barbare e më perfide pushtuesi serb për gati dy shekuj me radhë. D.m.th. synon te del në pah e vërteta e errët apo e pandriçuar, deri më tani, e historisë sonë kombëtare, sa e dhimbshme po aq edhe krenare, mbase liria jonë është shkruar me alfabetin e gjakut.

Formësohet bindshëm thënia, se autori në fjalë, pra prof. Pllana, nxjerr nga varri eshtra identifikimi të personaliteteve e veprimtarëve nëpër kohë. Kronologjia e varrimeve dhe persekutimeve është e gjatë dhe faktike, dëshmi reale që na ofron autori në këtë libër shkencor. Shtrohet pyetja, çfarë e shtyri autorin t’i qaset gjurmimeve nëpër arkiva, duke shpalosur me qindra dosje, që (ndoshta) i kishte mbuluar bloza e harresës?! Mendoj se, bëri një kthesë në udhëkryqet ndërkombëtare drejt demantimit të paragjykimeve, përkatësisht tentim gjykimeve të luftëtarëve të lirisë, duke bërë përpjekje të njollosjes apo balansimit surreal të luftës së lavdishme të UÇK-së me okupatorin serb. Padyshim, duke qenë edhe vetë pjesëmarrës aktiv i luftës së lavdishme, autori ofron fotodokumentare të terrorit, dhunës, masakrimit, sakatosjes, rrëmbimit, izolimit deri në përpjekje të shfarosjes apo ekstradimit nga trojet etnike, që padyshim është një vazhdimësi e apetiteve të këlyshëve të Rusisë, siç thotë edhe Gj. Fishta.

Me të drejtë konludoj se, jo që është vetëm një vepër historike që ka munguar deri sot, por është padyshim një e vërtetë e pamohueshme kolosale. Këtu nuk gjejmë të përdorë elemente letrare, estetike, figurative, metaforike, përcjellë me glorifikime, ekzagjerime ose hiperbolizime që zakonisht hasim në krijimtarinë letrare. Jo se është vetëm i saktë në atë që shkruan, por del si një tribun, që shpalosë të vërtetën para hileqarëve “të qytetëruar” të Europës e më gjerë, edhe në ditët e sotme.

Jam thellësisht i bindur, se prof. Pllana është zëri i ashtit dhe gjakut, ëshët zëri i arsyes dhe ndërgjegjes, është zëri që identifikon sot “Kosova e Lirë”!

E FALËNDEROJMË prof. Nusret Pllanën që ka zgjedhur pikërisht Qytetin Student të Heidelbergut, ku Mërgata Shqiptare është bërë pjesë e kulturës dhe integrimit të këtij qyteti, për të promovuar librin e tij, përplot dëshmi, dokumente e vlera kombëtare! E falënderojmë përzemërsisht për praninë e tij, këtu në mesin tonë! Ndërkaq, juve miq e dashamirë të librit dhe ithtarë të së vërtetës, ju falënderojmë për praninë dhe vëmendjen tuaj!

Heidelberg, 18. 01. 2014

*Hasan QYQALLA/ Kryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë  në Mërgatë (Ne foto: Michael Mwa Allimadi – Kryetar i Këshillit të Emigrantëve duke folur gjate promovimit.                         

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Hasan Qyqalla, Nusret pllana, Terrori i Serbise pushtuese

MAGJIA E POEZISË

January 20, 2014 by dgreca

E S E NGA MAZLLUM SANEJA/ Varshavë/*

Kalorës i erërave

I fjalëve

Farkëtar i urtësisë

E përjetshme dritë

E atDheut

(„Dritë e përjetshme” – kushtuar Ali Podrimjes)

E nis këtë shkrim me poezinë “Dritë e perjetshme” kushtuar bardit tonë kombëtar Ali Podrimjes për të vazhduar këngën  e tij të ëndërruar në kërkim të njeriut, që  ndër duar poeti mban gjithnjë një grusht dhe Kosove ndërmjet jetës a vdekjes në kujtimet e rënda dhe të trishta, kur lotët të pikojnë mbi plagët e shpirtit, se ngado që të shkosh nëpër botë duhet nderuar gjakun e derdhur për atdhe dhe liri , sepse nuk bën të nëpërkëmbet liria e fituar me gjakun e derdhur të bijve më të vetëdishëm të kombit, thotë poeti ynë, sepse si humanist i  epokes do të dëshironte të fluturonte me krah engjëlli:

„Lart atje

Në mbretërinë e yllësisë

Dashuri të promovojmë”

(„Platoja e yllësisë”)

Dhe, ky mesazh humanist i poetit, që në botë të mbretërojë dashuria dhe harmonia mes popujve, mesazh ky aq i rëndësishëm dhe me vlerë, kur na vjen nga një poet, që është një mjek i njohur në përmasa evropiane në fushën e urologjisë dhe të kirurgjisë.

Libri më i ri i poetit Xhemil Bytyçi na vjen si libër i arrirë dhe i pjekur artistikisht, me  poezi të zgjedhura të marra nga katër vëllimet poetike të botuara mëparë: „Dëgjoj shushurimën”, „Fijet e fjalëve”, „Zjarr i lënë në harresë” dhe „Rreze yjesh” me një titull simbolik dhe metaforik  „Në brendinë e fjalës”.

Poeti Xhemil Bytyçi, si një dëshmitar analitik thellë e ka ndier dramën tragjike të popullit të vet, i pashkëputur dhe i lidhur

emocionalisht dhe shpirtërisht me vuajtjet, dhembjet dhe sëkëllditë e përditshme, në të cilën ka jetuar dhe vepruar poeti.

Duke parë nga çdo anë imazhe trishtuese të luftës, se si pareshtur vritej e masakrohej populli i pambrojtur shqiptar nga një barbari apokaliptike, nga skuadronet paramilitare serbe, qe në Kosovë mbillnin shkrumb e hi, poeti asnjëherë nuk do të bjerë në rezignacion as dëshpërim, po gjithnjë shpresëdhënës, duke thirrur që të zgjohemi, se jemi „shqiponja të lashta”, apo „zgjohu, se dolëm nga nata”.

Ja, sa shpresëdhënës dhe optimist është poeti ynë, kur thotë se / „nuk bën të vajtohet e kaluara / aty është fshehur e ardhmja” , se, diku në horizont do të duket Feniksi, ai zog i përtërirë nga hiri, që do ta mund gamën e së keqes.

Duke lexuar me vëmendje poezinë e poetit Xhemil Bytyçi sikur gjendemi në një gjendje katarze, që t’i shkruajmë gjithë ata emra të humbur, që as emër as mbiemër nuk donin të na linin, ata emra shkruar me gjak, në mur, në gur, që t’i qes hapat që  „kohën e humbur ta zë” siç shkruan me të drejtë poeti, që emrin e vet, të popullit të vet – të mos e humbas kurrë , sikur dëgjoj diku thellë klithmën e poetit, që do të arrij të mbijetojë fal guximit, dinjitetit dhe heroizmit stoik.

Dhe si të mos pajtohem me poetin kur shkruan:

„ Aty ku linda

Dhe eshtrat dua t’i lë

Në tokën e shenjtë…”

(“Aty ku linda”)

Apo, kur poeti përkujton tmerrin dhe hatanë e ndodhur në Atdheun e vet, ku mes gjithë asaj gjëme, klithmave, vajeve e eksodeve mbeti „vetëm pasqyra e thyer e vajit”, duke qëndruar gjithnjë stoik karshi fërfëllizave të papritura të jetës, për të ia lënë si dhjatë të përjetshme mikut të vet të mërguar në Amerikë,  që tingëllon, si një porosi shpresëdhënëse:

„ Merre këtë gur, miku im

Atje larg ta kesh për kujtim

Ditë e bardhë të agojë

Bota të na shohë mbarë

Me një guri para portës së historisë

(“Merre këtë gur”)

A nuk është kjo një dëshmi e ekzistencës sonë kombëtare.

Duke lexuar me vëmendje poezinë e këtillë si dhe poezitë e tjera të këtij vëllimi me poezi të zgjedhura “Ne brendinë e fjalës” nuk mund të mos ngashërehem dhe tronditem sikur ngjet me poezinë e lexuar “Betohu në yllin e tij” që është një himn panegjerik, dëshmorit tonë  Triumf Rizës, i cili zgjuar rri mbi Atdheun, sepse ai përgjithnjë do të mbetet si një “Trim yllësie” , ku me të drejte figurën e tij e ngre në një simbol nderi dhe guximi; apo kur lexojmë poezinë prekëse „Ku e ke shtëpinë motër”, ku poeti shprehet me një lirizëm të hollë njerëzor dhe poetik kundruall kësaj krijese të brishtë njerëzore, e cila përjetoi për të gjallë tërë tmerrin e ndodhur, sepse:

Ishe gonxhe si një lule

Të këputën të gjithë

Unazën e mishit ta shqyen

Humbe më të çmuarën…

(“Ku e ke shtëpinë motër”)

duke na përkujtuar ndjeshmërinë e tij të madhe karshi vlimit më të prekshëm njerëzor.

Duke korresponduar me kohën që jeton dhe botën përreth, poezia e Xhemil Bytyçit është e ndieshme jo vetëm  karshi dramës njerëzore:

Ç’është kjo gjëmë

Nga ajo tufë

Vetëm një zog këndon

Përtej kufirit

Një zog fluturon

Pa pasaportë

(“Një zog këndon”)

Po, në të vërtetë është një provë shpëtimi dhe, gjithashtu manifestim i pafuqisë së njeriut kundruall shtypjes absurde dhe të pamëshirë të realitetit ekzistues:

Dëgjoje zemrën time

Zemrën tënde dëgjoj

Edhe kur klith

(„Dëgjoje zemrën tënde”)

Thonë se të kuptosh njeriun tjetër e veçmas të sëmurin duhet të kesh një mirëkuptim dhe ndjeshmëri të madhe njerëzore, e poeti ynë që në jetën e     përditshme është mjek që shëron njerëzinë përreth, ai e ka këtë dhanti dhe, depërton thellë në skutat më të errëta të psikikës e shpirtit njerëzor, sepse:

Fije fjalësh në qëndisje

Në një cep qielli

Fjolla drite e njerëyimit

Për një pikë dashurie

(„ Fijet e fjalëve”)

Dhe, kjo grimcë dashurie që shpeshherë i mungon botës së sotme marramendëse të konsumit, botës së sotme të shurdhër dhe indiferente, ku vendin e dashurisë dhe të lirisë zëvendësuaka pushteti i parasë, i dhunës dhe i pazarllëqeve gjithëfarëshe.Duke lexuar me vëmendje të lexuesit kurioz veprën poetike te poetit Xhemil bytyçi “Në brendinë e fjales” lirisht mund të konstatoj se ky lloj i veçant poezie eliptike e begaton dhe e shpie mëtej poezinë moderne shqipe.

*-Xhemil Bytyçi : „Në brendinë e fjalës” (Poezi të përzgjedhura) Published in USA, 2012./

Varshavë, Janar 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: Ese, Magjia e Poezise, nga Mazllem Seneja, Xhemil Bytyci

VIZITË NË PARLAMENTIN KANADEZ

January 19, 2014 by dgreca

Nga Luan Çipi/
Duke qenë me Hanëmen, gruan time për gati dy muaj mysafirë te vajza jonë Lindita, në Otava Kanada, nuk mund të rinim pa vizituar godinat e Parlamentit Kanadez, të ndërtuara aq bukur me veshje guri të gdhendur dekorativ, në zonën më të piktoreske e qendrore të qytetit.
 Ishte një ditë e djelë e ftohtë, me borë e suferinë, mes janari i vitit 2014 kur u nisëm me makinë drejt qendrës së qytetit, të njoftuar nga interneti dhe të informuam saktë se në “Kullën e Paqes”, si quhet godina qendrore e Parlamentit Kanadez, pranohen vizita, mandej edhe pa pagesë.
 U futëm dhe ne në radhën e vizitorëve të shumtë dhe pas një pritje e përshëndetje buzagaz të pritësve dhe kalimit te një kontrolli personal të imtë, deri me rrip, xhup e xhaketë hequr dhe pasi ulemi e presim grumbullimin e 20 vizitorëve, nisemi te shoqëruar nga një spikere kanadeze, për t’u futur në sallat dhe mjediset e panumërta të Parlamentit Kanadez. Qysh në fillim u  mrekulluam me madhështinë e tij, me punimet ndërtimore e arkitektonike, me muret e tavanet dekorativë dhe dyshemetë e sheshet me mozaikë, me fotografitë dhe tablotë e varura në mure, me statujat e shumte dhe basorelievet e panumërt, me pajisjet dhe orenditë bashkëkohore e antike, të ndërtuara e të vendosura nga mjeshtër, arkitektë dhe artistë të niveleve superiore.
 Ndalesën e parë e bëmë te salla e hyrjes para Kuvendit Republikan, ku zakonisht parlamentaret takohen me gazetarë e publicistë dhe japin intervista e shpjegime, sipas parimit “çdo gjë është e hapur, çdo gjë është transparente”. Salla e hyrjes është pjesë e madhështisë së gjithë godinës dhe pjesë e historisë parlamentare demokratike historike të Parlamentit Kanadez. Atje dallohen fotografi të çmuara mbretërish e princash, parlamentarësh e senatorësh ku spikati me madhështi mbretëreshat Viktoria dhe Elisabeta, Kryeministri i pare, Presidenti i pare dhe deputetët më të vjetër, përfaqësues të partive rivale, kundrejt njeri tjetrit, ashtu si kishin kundërshtuar dhe gjunjëzuar, mposhtur, apo tërhequr nga njeri tjetri, me argumentin dhe fuqinë fjalës për dhjetëra vite.
 Jo vetëm sot, që është e djelë dhe parlamentarët janë me pushime dhe në punët e tyre private familjare apo shoqërore, po dhe në ditët kur Parlamenti punon, qoftë në Senat, apo në Dhomën e Komuneve, “Kështjella e Paqes”, mund të vizitohet lirshëm nga kushdo, gjatë gjithë ditës pa pushim, natyrisht edhe pa penguar zhvillimin normal të punimeve, konsultave, bashkëbisedimeve te parlamentarëve apo personelit këshillues, ndihmës dhe shërbyes. Ndërkohë vizitorët mund të sodisin punimet nga galeritë publike (ku sigurohet disponueshmëri e hapësirë). Gjatë gjithë kohës në galeritë e vizitorëve, është i aktivizuar një udhëzues audio në celular, që ofron informacion në lidhje me lojtarët kyç të çdo dhome, kur. diskutohet e merren vendime p sh. për artin, apo arkitekturën, biznesin, apo ushtrinë.
 Natyrisht për vizitorët ka disa detyrime, qe respektohen me rigorozitet: Bëhet paraprakisht skanimi dhe kontrolli i imët për të parandaluar çdo të papritur të pakëndshme. Kamera, dylbi, regjistrues, çadra, çanta, pajisje elektronike, armë, nuk lejohen Vizitorët duhet të jetë i veshur në mënyrë të përshtatshme dhe burrat duhet të hiqni kapelet e tyre. Ndalohet gjithashtu demonstrata, duartrokitjet, goditje me këmbë në tokë, folje me zë të lart, mesazhet politike(në pankarta apo veshje) dhe veprime të tjera shqetësuese.
 Rregullat ne këtë parlament e bëjnë edhe më funksional dhe më të interesuar vizitorin kureshtar, çka duket edhe nga numri i madh i tyre, që për vitin kap shifrën mbi 3 milion vizitorë.
 Dihet historikisht, se ishte Mbretëresha Angleze Viktoria, ajo që  qysh në vitin 1859 e zgjodhi Otavën për kryeqytet dhe qe disponoi ndërtimin e parlamentit të “Provincës Kanadeze”. Për këtë konkurruan 298 projektues, u zgjodhën tre dhe përfunduan te më i miri, që u shpall më me 29 gusht 1859.
 Pas disa adoptimeve dhe shtesave në ndërtesat e departamenteve dhe pas një zjarri në vitin 1916 që shkatërroi Bllokun Qendror, “Parlamenti Hill”, mori formën e tanishme me përfundimin e “Kullës së Paqes” në vitin 1927 . Qysh nga viti 2002, me investime të shumta, nisi dhe u realizua rinovimi dhe rehabilitim sipas një projekti cilësor, që përfshiu të gjithë  ndërtesat brenda rrethimit. Kjo punë, ende në proces, do përfundojë  plotësisht pas vitit 2020.
 Zona ku shtrihen godinat e Parlamentit Kanadez zë një sipërfaqe 88.480 metro katrorë dhe kufizohet nga Lumi Otava ne veri, Kanali Ujor Rideau ne lindje, Rruga Welington në jug dhe Rruga Kent nga ana e Gjykatës së Lartë, në perëndim. Ajo është e rrethuar nga një gardh i lart prej hekur të farkëtuar e të inkuadruar bukur që quhet Wellington Wall,
Brenda  murit  prej hekuri qëndrojnë të harmonizuara e të ndërtuara me stilin klasik gotik të modernizuar, Kulla e Paqes në veri, Zyrat e Parlamentit Hill dhe  Rezidenca e Mbretereshës  me maskën e Ives & Co.e Montreal. Në çdo cep të zonës katërkëndëshe, nga ana jugore ka edhe porta te vogla për qasjet e përditshme.
Të tria ndërtesat e Parlamentit Hill janë të bashkërenduara dhe funksionale.
 Në Kullën e Paqes, nga Paradhoma kalon për t’u futur në Sallën Solemne, më të madhen e parlamentit, me vendet ulur dhe pajisjet për çdo deputet. Ato janë parceluar dhe me simbolikat e ndara për të dhjetë provincat e Kanadasë, shoqëruar me figura e ilustrime të emblemave përfaqësuese, të bimësisë, gjallesave të tjera dhe objekteve cilësuese karakteristike të tyre. Çdo parlamentar, i ulur ne mjediset kujtimndjellëse i ka përherë të pashlyera detyrimet që mbart ndaj zgjedhësve të tij të nderuar.
 Paradhoma dhe Dhoma e Senatit, janë të tjera mjedise të bukura me vlerë. Atje dhe kudo ka vende të lira dhe për popullin e thjeshtë, për gazetarët dhe masmedian, të gatshëm për ndihme, transparencë e kontroll.
 Në pjesën e pasme të Kullës së Paqes është vendosur Biblioteka një vepër monumentale edhe kjo në stilin gotik, e me disa kate e dhoma, deri ndarje të rezervuara. Biblioteka komode për më tepër është shumë e pasur, jo vetëm për librat e karakterit legjislativ e të tjera në shërbim të parlamentit, po edhe të nivelit shkencor, historik, didaktik,  artistik, kulturor e letrar. Këtu  dallojnë vepra të hershme e të rralla, mandej ndonjë krejt unikale dhe me vlera të paçmueshme. Edhe biblioteka, si pasuri e madhe kombëtare, rruhet me rreptësi, aq me tepër se ka pasur tentativa djegie dhe ka shpëtuar prej masave preventive, duke u pajisur deri me porta të hekurta,  por që nuk të japim këtë përshtypje se janë si imitime të bukura druri.
Projektimi dhe ndërtimi i Parlamentit Kanadez në tërësi është një vepër e madhe arkitektonike e realizuar nga mjeshtrit kanadezë në konsultë me specialistët më të shquar të kohës dhe që përfshiu 298 variante, nga të cilat u zgjodh më i miri.  Projektet kanë imituar stilin gotik të  Rilindjes Evropjane, me ndikime italiane, franceze, nga Vendet e Ulta etj. por të realizuar me teknologji moderne dhe duke marrë parasysh klimën Kanadeze. .
 Materialet e përdorura sidomos për rifiniturat, qemerët, praqet, kornizat, tavanet, dyshemetë janë siguruar kryesisht për rreth Otavës dhe janë përdorur me mjeshtëri të rrallë.
Sidomos 5 nga specialistët kanë punuar në vendet kyçe e delikate për shumë vite. Ata, veç të tjerave, morën porosi edhe për gdhendjen, në kujtim të pararendësve te lashtë vendas, të figurave me fytyrat e të tyre simbolike. Po ata me aftësitë dhe talentin e tyre, duke punuar si në fshehtësi e të vetmuar për  një kohë të gjatë, skalitën me mençuri, në vend të tyre, secili vetveten, duke përjetësuar kështu një lavdi të merituar në shekuj.
Është çdo gjë ndërtuar bukur dhe në funksion të një shërbimi të dobishëm, cilësor e njerëzor  Kjo duket edhe te nderi që i  kanë kushtuar të rënëve për Atdhe, qysh nga krijimi i Kanadasë. Ka në këtë Parlament një pavijon të veçantë për dëshmorët dhe libra me listat një për një, sipas luftërave dhe vendeve kua kanë marrë pjesë e janë bërë fli në mbarë botën, bijtë e saj më të mirë.
 Interesant është dhe kulla e lartë dominuese, ku shkohet me një ashensor të shpejt deri te një mjedis i stërmadh rrethuar me xham, nga e sheh si në pëllëmbë të dorës Otavën e bukur e deri rrethinat e saj.
Largohemi për në vendin tonë Shqipërinë e dashur, me mendimin dhe ëndrrën për të parë dhe atje së shpejti Parlamentin e Ri, pa pretenduar për një nivel kaq superior, si Parlamenti Kanadez i Otavës, për të cilin janë dashur fantazia e specialistëve të botës dhe burimet financiare njerëzore perandorake.
Otava Kanada, 20.01.2014

Filed Under: Reportazh Tagged With: Kanadez, Luan Cipi, Vizite ne Parlamentin

Rrëzohet shtatorja e Nënë Terezës në Mitrovicë

January 19, 2014 by dgreca

Leke Gojcaj nga Nju Jorku: Uroj qe te mos e kete rrezuar dora e njeriut shtatoren e Nene Terezes!/

Uroj qe te jete shkak teknik ai i rrezimit te shtatores se Nene Terezes ne Mitrovice, i ka thene editorit te Diellit, atdhetari Leke Gojcaj permes linjes telefonike. Nene Tereza na bene krenare ne shqiptaret se i perket gjakut tone arberor. identifikimi i Kombit me kete simbol na ben vec nder. Kjo ishte arsyeja qe se bashku me vellaun Pashkun, me mbeshtetjen e familjes, ne sponsorizuam keto shtatore ne trojet amtare. E kemi vendosur ate ne Malesi, Mitrovice, ne Prishtine, ne Struge, ia kemi dhene z. Elmi Berisha per ne Kline, e kemi vendosur ne NY, Detroit, po per te njejtat qellime.

Kurre nuk e coj ndermend se eshte dore njeriu ajo qe e ka rrezuar shtatoren, aq me pak dore shqiptari. Nuk mendoj se egziston nje arsye e tille. Lus Zotin qe te jete arsye teknike. Une shpresoj qe Kosova dhe vecanerisht Mitrovica, ta rivendose ate ashtu sic ishte. Jam plotesisht i njemendet me mesazhin e don Lush Gjergjit, ka perfunduar pronncimin e tij per gazeten DIELLI, Leke gojcaj.

KRONIKA

MITROVICË- Mbrëmë pas mesnatë është rrëzuar shtatorja e Nënës Terezës, që gjendet në qendër të qytetit të Mitrovicës. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes pas lajmërimit nga banorët dhe ka nisur hetimet lidhur me këtë ngjarje. Por drejtues të policisë ende nuk janë të sigurt nëse busti është rrëzuar vetë apo është rrëzuar nga dikush.

Policisë dhe banorëve të shumtë i është bashkuar edhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, të cilët e kanë rikthyer bustin. Bahtiri ka thënë se komuna shumë shpejt do të bëjë një bazament më të fortë për bustin që kjo gjë të mos përsëritet.

    Shenim yne: Busti Nene Terezes ne Mitrovice eshte dhurate nga vellezerit patriote Lek dhe Pashko Gojcaj,qe jetojne ne SHBA, te cilet kane bere aq shume per shenjtereshen shqiptare aq sa nuk kane bere bashke Shqiperia dhe Kosova. Ata e vendosen kete shtatore ne Mitrovice, Struge, Tuz, Prishtine, New York, Detroit etj. Eshte pergjegjesi e organeve te pushtetit lokal dhe policise qe nuk kane arritur te parandalojne rrezimin e shtatores.

Filed Under: Kronike Tagged With: Leke e Pashko Gojcaj, nene tereezes, rrezohet shtatorja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 74
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT