• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2014

PSIKOLOGU ARIF HOTI

January 14, 2014 by dgreca

Portret/

Nga:  Zeqir Lushaj/

 Ne Foto:  Familja Hoti, Arifi e Fatmira me tre fëmijtë/

 -Arif Hoti, në biseda të ndryshme thekson me bindje e pa asnjë hezitim se: -Uniforma e klerikut,  për mua, është një mundësi më shumë për tu vënë më mirë në shërbim të idealeve humane, në radhë të parë për njerëzitë nevojtarë, për tu vënë përditë e më shumë, e  përditë e më mirë, në shërbim të begatimit të shpirtit të shqiptarit, të rritjes së besimit e të optimizmit të tij, si kusht i përparimit më të shpejtë të Atdheut tonë të dashur e të shtenjtë-

 KUSH ËSHTË PSIKOLOGU ARIF HOTI?

– Lindur e rritur në Berbat (Shkëlzen) të GASHIT, me origjinë nga Hoti i Famshëm i Mbishkodrës, Fis i Parë në 12 Baraqet e Maleve të Veriut. “Ndihmom Zot, e pushka e Hotit”, -është një shprehje shumë shekullore shqiptare.

– Gjyshi i tij, Zmajl Arifi, ka qenë një burrë i njohur në krejt Gash të Gurit, si luftëtar trim, shtëpi bujare e besnike, simpatizant e luftëtar  aktiv i Fan Nolit, probatim i Qorr Iljazit të Drenicës.

– Katragjyshi i Arifit, (pra, gjyshi i Zmajlit),  Ukë Ibrosh Hoti, ka qenë dervishi i parë bamirës në Malësinë e Gjakovës.

– Edhe nga dajat, në Gri, vëllai i gjyshit të nanës së Arifit,  Avdyl Hasani, (mixha i Sadik Selmanit), ka qenë luftëtar i Bajram Currit, dervish i njohur dhe është tyrbe e parë në rrethin e Tropojës, për tarikatin SADI, tash e rreth një shekull.

…!- Vet Arif Hysen Hoti (Osmaj), ka 30 vjet në veprimtari të pandërprerë në rrugën e bamirësisë e të tarikatit. E ka filluar këtë punë, ilegalisht, me shumë sakrifica e peripeci, e pse jo, edhe me pasoja, në kohën e komunizmit dhe e zyrtarizoi me sukses fillë me ardhjen e demokracisë.

– Sot, ai është i njohur si burrë me autoritet, si bamirës i sprovuar, si pleqnar e pajtimtar gjaqesh e konfliktesh të ndryshme në shkallë rrethi e në shkallë kombëtare.

– Është me arsim universitar, i diplomuar në Tiranë me rezultate të larta ,  në degën për Psikologji Praktike.

– Punon e jeton në Babrru të Tiranës, ku pret e përcjell çdo ditë mbi 100 vizitorë nga e gjithë Shqipëria dhe trojet e saj jashtë kufirit shtetror, nevojtarë për konsulta e këshilla të Njeriut të Mirë. Duke parë librin e tij të vizitave, të bjen në sy se tek psikologu Hoti, shkojnë njerëz të të gjitha moshave, krahinave si dhe të të gjitha besimeve fetare. (Në ditë të veçanta të vitit, sidomos për festa, ky numër i vizitorëve, dy e tre fishohet).

– Psikologu tropojan, është aktiv edhe në jetën politike- shoqrore të vendit. Ka marrë pjesë në shumë veprimtari lokale, kombëtare e ndërkombëtare dhe është takuar për arsye pune, me shumë personalitete të vendit e të huaja.                       

 – Bamirësi i Shkëlzenit, sheh Arif Hoti është një njeri shumë familjar, i lidhur ngusht me tërë gjakun e njerëzve të vet, të fshatit, të fisit, të rrethit, të Atdheut, kah i thonë Shqipëri Etnike…. e, aq shumë fije e lidhin sot edhe me Diasporën Shqiptare.

Me nusen e tij shembullore Fatmira, kanë lindur e rritur dy djem e një vajzë.

– Arif Hoti, në biseda të ndryshme thekson me bindje e pa asnjë hezitim se: -Uniforma e klerikut, për mua, është një mundësi më shumë për tu vënë më mirë në shërbim të idealeve humane, në radhë të parë për njerëzitë nevojtarë, për tu vënë përditë e më shumë, e përditë e më mirë, në shërbim të begatimit të shpirtit të shqiptarit, të rritjes së besimit e të optimizmit të tij, si kusht i përparimit më të shpejtë të Atdheut tonë të dashur e të shtrenjtë-

 

– Psikologu bamirës, është shkrimtar dhe poet. Ai, ka botuar deri tani dy libra, në shtypshkronjën “Kristalina KH”, Tiranë 2011-2012:

ILAHI,… (Këngë), dhe,

30 VJET NË RRUGËN E BAMIRËSISË.

                                    ———–(Per gazeten” Dielli” në USA, Janar 2014-

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Psikologu Aif Hoti, Zeqir lushaj

Në ishullin postmodern të Blushit

January 14, 2014 by dgreca

Nga Albana Alia/*

(Rreth librit të studiuesit  Behar Gjoka, Fenomeni Blushi ) Lexova me vëmendje e kënaqësi librin e fundit “Fenomeni Blushi” të studiuesit Behar Gjoka. Është një libër interesant, që trajton që në faqet e para arsyet e këtij fenomeni në letërsinë shqiptare bashkëkohore nëpërmjet një analize sintezë, por më tej edhe të detajuar, të romaneve të suksesshëm të autorit Blushi; Të jetosh në ishull, Otello. Arapi i Vlorës e Shqipëria. Pasi realizon njëexcursus të shpejtë të dimensioneve të ndryshme të personalitetit të Blushit si politikan, gazetar e shkrimtar, studiuesi Gjoka përqendrohet në disa aspekte teorike të përgjithshme e të nevojshme për shqyrtimin e romaneve dhe, në veçanti, në çështje teorike për inkuadrimin e tyre në letërsinë postmoderne. Ndër dy rrymat kryesore të tendencës kulturore të postmodernizmit, Gjoka klasifikon veprat e Blushit në atë që Linda Hutcheon do ta quante historiographic metafiction. Në kundërshtim me idenë e profesorit amerikan Fredric Jameson, që insiston në mungesën e aftësisë kritike të subjektit postmodern, studiuesja kanadeze flet për mundësinë që ka ky subjekt të ri-mendojë, të ri-pyesë historinë duke hedhur dritë të re nëpërmjet elementesh të tilla si ironia e parodia që, në të njëjtën kohë, legjitimojnë por edhe vënë në diskutim objektin e studimit, duke afruar të shkuarën me të tashmen për të kuptuar pasojat ideologjike të vazhdimësisë e të ndryshimeve mes tyre. Studiuesi i analizon si libra të veçantë ku autori dialogon me lexuesin duke zgjuar edhe në këtë të fundit pyetje për historinë, letërsinë, artin në përgjithësi. Gjendja e subjektit postmodern ka ndryshuar; edhe intelektualët kanë një Weltanschauung tjetër, prandaj kemi të bëjmë me një ri-përpunim të kujtesës kolektive e të historisë; si rrjedhim, çmitizohen mitet historike e letrare të së kaluarës e rikonsiderohen estetikisht nga pozita të tjera kritike. Për më tepër, e kaluara mbetet edhe si referim kryesor historik e artistik. Mes traditës e talentit individual eliotian, Blushi ri-shkruan. Rishkrimi përfton një rëndësi të veçantë për qarkullimin e kulturës, por edhe për një rivështrim kritik të saj. Te këto romane ai paraqitet edhe si transtekstualitet (cit. G. Genette), si deuteros logos (në rastin e Otello, Arapi i Vlorës, si ipertekst i Tragjedia e Otellos. Arapi i Venedikut e Ë. Shakespeare); si paratekstualitet, apo titull i manipuluar; si intertekstualitet, apo prani e (pa)dukshme tekstesh të tjera; si intratekstualitet, apo  ndërthurje tekstesh të të njëjtit autor, në këtë rast të vetë Blushit; si metatekstualitet, apo interpretim kritik tekstesh të tjera. Romanet e lartpërmendur i përkasin literaturës postmoderne pa lënë mënjanë edhe mjaft elemente moderne. Gjoka paraqet dhe argumenton idenë se veprat e Blushit vërtet i përkasin një modernizmi elitar që përmban në vetvete dimensionin e një kritike politike, por këtu kemi të bëjmë edhe me një vepër të veçantë artistike postmoderne, që i drejtohet njëkohësisht, kulturës së lartë e asaj të masave; një vepër letrare e historike hibride që përfshin të shkuarën e të tashmen duke njohur ndikimin e të parës te kjo e fundit. Në shqyrtimet e të tre teksteve, studiuesi, pas një leximi të vëmendshëm, veçon me kujdes elementet e pranishëm të tendencës postmoderne: ironinë, parodinë, fragmentimin letrar, decentralitetin e ngjarjeve e të situatave; çështje të rëndësishme si historia e vogël në raport me historinë e madhe në sfond, feja/ateizmi, marrëdhëniet shoqërore  e kulturore kombëtare e ndërkombëtare të një populli, letërsinë si art të fjalës me konotime të shumta, të shkruar apo gojore nëpërmjet miteve, legjendave, që çmitizohen apo riaktualizohen, por edhe figurat retorike si pjesë përbërëse të teksteve, me fokalizim të veçantë te simbolika e sistemi metaforik i urës, udhëkryqit e ishullit që barten në të tre romanet, aluzion i qartë i ishullit të tragjedisë shakespeareane apo i ishullit utopik/distopik të njërës prej veprave të fundit të Shakespeare-it The Tempest. Në realitetin aktual distopik, çdo model paradigmatik utopie do të përbënte një ishull lumturie të idealizuar, të parealizueshëm po të mos ri-konsideroheshin e të ri-vlerësoheshin me sy kritik e kaluara, kujtesa kolektive, historia e letërsia, kultura e një populli në përgjithësi. Gjoka, pas një analize të gjerë e të përkushtuar, vë në dukje se romanet e Blushit arrijnë të demistifikojnë në njëfarë mase e të çmitizojnë figura të rëndësishme historike apo letrare si Skënderbeu, Balshajt, Lekë Dukagjini, Enveri apo Otello, duke katalizuar shpesh gjatë studimit të tij kritik disa nga drejtimet e kërkimit eksperimental të Blushit në strukturën e formën e tekstit, në stilin e veçantë të rrëfimit, në projektimin e fragmenteve të ngjarjeve e të mendimeve në një (jo)kohë, në një (jo)hapësirë, megjithëse, në një vështrim të sipërfaqshëm, tepër të përcaktuara. Këto fragmente në rrjedhën apo mbivendosjen e tyre sintetizohen në një ide të vetme, atë të paradoksit ekzistencial të shqiptarëve, nga njëra anë (fat)keqësia e tyre, si banorë të veçuar, të izoluar të një “ishulli” real/të projektuar apo metaforik apo kalimtarë të vetmuar në udhëkryq, nga ana tjetër pozicionimi i tyre gjeografik, historik, gjuhësor, etj., tepër i veçantë ku marrëdhëniet e komunikimi me të tjerët do të ishin të mundshëm e të frytshëm.  Në këtë ishull postmodern siç do ta cilësojë studiuesi, kërkimi në histori e në kujtesën kolektive, pyetjet e vazhdueshme e rivlerësimi, por edhe riaktualizimi i miteve letrare apo historike, do të ndihmojnë në një projektim tjetër të identitetit të shqiptarëve. Analiza e kujdesshme do të çojë studiuesin në përfundime të arsyetuara në lidhje me trilogjinë e Blushit por, në ndonjë rast, edhe në një frazë të tillë paksa të diskutueshme: “Blushi, me shkrimin e tri romaneve, është autori, që shkëputet nga modeli i prozës, që është shkruar deri më tash, së paku në hapësirën e shtetit amë.” Ajo që të bën përshtypje në leximin e këtij libri është ideja që analiza e thellë e një teksti letrar shpesh të lejon mundësinë e krijimit të një empatie të veçantë me vetë tekstin duke shijuar çdo element të strukturës së tij imagjinative, por dhe përjetimin e krijimit artistik si një proces të vështirë dhe plot sakrifica.

*Falenderojme autorin e librit qe e dergoi artikullin per Diellin

Filed Under: Featured

Mbi marifetin psikanalitik “loyalty mod” të Ardian Vehbiut

January 14, 2014 by dgreca

….Është qesharake, denigruese që të marrësh këtë moment të reagimit të një grupi tankistësh në romanin “Koncerti”e ta përcaktosh si model të shprehjes të dashurisë e besnikërisë së shkrimtarit për partinë…. Më naive apo më fëminore s’ka si bëhet/

 Nga Minella Aleksi/

Më tërhoqi vëmëndjen një shkrim i A. Vehbiut para pak ditësh te gazeta Exspress ku ai për të shpjeguar dukurinë sipas tij “Tradhëti e besnikëve” kishte gjurmuar e gjetur modelin fanta-shkencor të ofruar në librin Quarantine.Më bëri përshtypje të veçantë endja gjatë e gjatë e modelit për të dalë më në fund te roli i shkrimtarit Kadare përgjatë viteve të diktaturës “si besnik i E. Hoxhës”.Ata lexues që janë të interesuar i ftoj ti shkojnë deri në fund këtyre argumentave që parashtroj pavarësisht nga vlerësimi pro ose kundër. I ftoj mbasi nuk dyshoj që studjuesi i përmendur në këtë shkrim do bëj të heshturin, do bëj si ajo vajza kur dikush i futet në shtrat, ajo bën sikur fle.Me mënyrën sesi z.Vehbiu e argumenton opinionin e tij nga vepra e Kadaresë, ky episod prej tij merr sot një rëndësi që edhe për kohën kur ka ndodhur nuk ka pasur ndonjë vlerësim apo jehonë. Është qesharake, denigruese që të marrësh këtë moment të reagimit të një grupi tankistësh në romanin “Koncerti”e ta përcaktosh si model të shprehjes të dashurisë e besnikërisë së shkrimtarit për partinë…. Më naive apo më fëminore s’ka si bëhet.

Shkurt për dijeni të lexuesit. Loja ushtarake me rrethim të godinës së komitetit të partisë është një ndodhi që nuk është krijuar nga fantazia e shkrimtarit. Ajo ishte diçka reale, e pëshpëritur, të cilën qytetarët kur e dëgjuan e konsideruan si “gomarllëk” të atyre që e menduan ndërsa refuzimin e komandës tankiste si shprehje të frikës e të servilizmit ndaj partisë.

«Koncerti» është vepër themelore e Kadaresë, e përkthyer dhe e çmuar në gjithë botën si një nga tablotë më të pamëshirshme të komunizmit. Kur kritika botërore përmend shprehjen «atmosferë shekspiriane», si referencë kryesore merret ky roman. Kurse për studjuesin tonë, meqenëse një nga personazhet e rastit të librit, një oficer me bindje komuniste, i cili nuk pranon të rrethojë me tanke ndërtesën e komitetit të partisë, kjo mjafton si argument që të vërtetojë se autori ka të njëjtat bindje. Vallë nuk e di Vehbiu atë që ka mësuar çdo nxënës shkolle se autori i një romani s’mund të identifikohet me personazhet? Përndryshe ku do t’i fusnim vrasësit, të cilët te Kadareja janë me shumicë?

Në shkrimin e z. A. Vehbiu ndjehet një tis ngazëllimi sepse duket që mendon se nëpërmjet krahasimeve të paraqitura ka gjetur më në fund mënyrën e duhur për të implikuar shkrimtarin Kadare si një besnik i Kupolës (Esemble-it) diktatoriale.

Nga mënyra sesi e shtjellon idenë te shkrimi me titull “Tradhëtia e besnikëve” kërkon me ngulm të na bindë se shkrimtari Kadare ka qënë mbartës i një misioni tepër diabolik, mekanizmi i të cilit më në fund është bërë i qartë në një libër të shkruar më 1992 nga një shkrimtar australian. Një analogjizëm që mbështetje shkencore nuk i gjen dot, me të vërtetë fantazist..

A. Vehbiu për të gjetur këtë model na paska humbur shumë kohë, një çerek shekulli derisa ndeshi në librin “Quarantine” , në modelin që e ndihmoi për të arritur që të kapi “funksionin djallëzor” të shkrimtarit Kadare me librat e tij në jetën e shqiptarëve këto 50 vitet e fundit. Po mendoja, çfarë humbje e madhe, çfarë gjëme do ishte për historinë e diktaturës shqiptare sikur ky, libri Quarantine, të mos na i kishte rënë në dorë eseistit tonë A. Vehbiu. Dhe pa këtë libër në pluhurin e historisë do harrohej historia e tankistave besnikë që refuzuan urdhërin.

Këmbëngulës në obsesionin e tij për të denigruar shkrimtarin Kadare, përpiqet me shumë mundim, duke ecur në një rrugë interpretative shumë të gjatë e me shumë dredha paradoksesh. Mundohet që të bashkëngjit arsyetime të cilat kanë në thelb një kontradiktë themelore me të vërtetën e kohës për të cilën bën fjalë në shkrim.

Do doja t’i thoja ose t’i kujtoja se, ajo çka A. Vehbiu e shtron si tezë në lidhje me atë që ne njerëzit lindim me një “loyalty mod” të çkyçur e që më pas në “time and mind evolution” kyçet në një drejtim të caktuar shoqëror, na vjen e shpjeguar qartë në një botim të autorit A. O. Hickman me titull “Exit, Voice, Loyalty”, (largimi-dalja, tentativa për riparim të mardhënies, besnikëri). Tezën e tij shumë racionale ky autor e ka riparaqitur në një ese në vitin 1992 kur ka analizuar rënien e strukturës social-politike të Gjermanisë Lindore, në planin e situatës së organizatave politike dhe të situatës ekonomiko- shoqërore.

Pra kemi nga njëra anë një keqinterpretim të qëllimshëm nga Vehbiu, aspak bindës në argumentat e përdorura në funksion të një qëllimi të parafiksuar dhe nga ana tjetër interpretimin e A. Hickman Të bazuar në një teren shoqëror politik konkret, real, jo në fanta-shkencë dhe sidomos lodhës. Na u mbars mali dhe na polli një mi “tankist”. Në këtë rast artikulli psikanalitik me këtë motivin e tankistëve ngjan sikur është kërkuar me urgjencë. Ndoshta nga mungesa e shkrimeve anti Kadare kohët e fundit ishte krijuar një boshllëk!??.

Në shkrimin “Tradhëtia e besnikëve” A. Vehbiu e quan shkrimtarin Kadare “kallëzimtari i romanit”, një mënyrë tepër banale të shprehuri për një studjues, i cili me sharlatanizëm letrar duket që na thotë se bëhet fjalë për një të tretë, për një kallëzimtar i cili egziston veças romanit dhe autorit. Sikur të bëhej fjalë për një gazetar i cili në nëj film dokumentar komenton ngjarjet që pasqyrohen në film. Kjo mënyrë të shprehuri më duket tinëzare, pak prej frikacaku, ku u thotë lexuesve se kemi të bëjmë me njëkomentues që kallëzon. Në fakt kallzuesi është vet denigruesi, Vehbiu. Kjo e ka kapsulën e helmët të mbuluar me shejtanllëk. Ngaqë një njeri i thjeshtë kur lexon hyrjen e artikullit të Vehbiut, psikanalizë krejt pa vend, e kupton dhe i beson në mënyrë naive. Për inerci i beson edhe përrallës së oficerit tankist që refuzoi rrethimin me tanke të komitetit të partisë dhe për pasojë shkrimtari I.Kadare duke afirmuar këtë fakt ka firmosur si të thuash dhe ai besnikërinë e tij ndaj E. Hoxhës. (Këtë kërkon e don të thotë Vehbiu). Ku e paska gjetur në gjithë atë roman voluminoz, që përshkruan një realitet të frikshëm e që mosha jonë e njeh kaq mirë, mikroepisodin e tankeve!. Z. Vehbiu të më falni po në qoftë se në këtë roman kaq të trishtë nuk keni ndjerë një lloj talljeje të hollë që nga fillimi deri në fund që Autori i bën regjimit dhe jetës së asaj kohe, nqse ju jeni njëqind përqind i sigurtë në atë që shkruani dhe konstatoni, në këtë rast unë do ju kërkoja sinqerisht një ndjesë të fortë për analizën kritike që ju bëj. Dhe do u jepja një këshillë: “Mos shkruani më se jua marrin për ters”.

 Natyrisht që për sa po parashtroj në këtë artikull nuk kanë për të më munguar etiketimet si adhurues, partizan i verbër i Kadaresë, etj, etj. Me këtë rast dua të vë në dukje që shkrimtarin Kadare e kam takuar, kam pirë kafe po aq sa herë kam takuar dhe kam pirë kafe me shkrimtarin H. Balzak, shkrimtarin E. Heminguej, shkrimtarin E. Remark, shkrimtarin D. Buxati, etj. Pra nuk e kam takuar asnjëherë. Si plot të tjerë kam shijuar pafundësisht artin në veprat e tyre, shoqërinë ideore dhe ushqimin shpirtëror që me talentin e rrallë këta magjistarë të mendimit dhe të fjalës kanë prodhuar për të gjithë ne.

Mendoj se nuk gaboj në konstatimin që, A. Vehbiu e ushqen veten në mënyrë rritëse i nxitur edhe nga ata të njohur përreth tij që e lëvdojnë se ai tashmë është një eseist i afirmuar, më shumë i prirur si eseist sesa si shkrimtar. Do uroja me gjithë zemër që kjo të ishte kështu. Mirëpo i endur në dy dekadat e fundit sa në një vend në një tjetër në kërkim të afirmimit, Vehbiu nuk ka sjellë ose parashtruar ndonjë test bindës që të bind një opinion me ide apo tezë që të tërheqë vëmëndjen e opinionit kulturor. Mënyrën më të mirë për afirmim dhe përfitim ka gjetur atë të hedhjes herë pas here të mendimeve kondraverse mbi aspekte të veprës së shkrimtarit Kadare. Kam përshtypjen se ka disa njerëz të cilët për shkak të rrethanave, (origjinës familjare e të shoqërisë familjare përreth tyre), ushqehen dhe fillojnë të kenë një autovlerësim të lartë të mbështetur në opinionet që thuhen lartë e poshtë për kapacitetin e tyre që në fillim. Kapacitet që mendoj se më shumë iu atribuohet nga lidhja që u bëhet me familjen e tyre të njohur në shoqëri, me emrin e një prindi që si profesionist ka shkëlqyer, etj. Pra kanë një bazë nisjeje, fillimi prezantues, hyrjeje në klasën e personave publik shumë më të kollajtë për shkak të këtyre rrethanave më sipër, sesa krahasuar me shumë të tjerë që nuk e kanë pasur këtë “pedanë” kërcimi në shoqëri. (sa për ilustrim të mungesës së “pedanës”, afirmim me përpjekjet e meritat e veta përmend gazetarët Mero Baze, Përparim Halili, M. Nano, A. Thano, etj.)

Këta lloj “kapacitetesh kulturore” si A. Vehbiu të befasojnë kur ua dëgjon argumentat e pa plota, shpesh kapërcyese në rrjedhëshmërinë e tyre, gjatë një interviste, në një bisedë serioze të nivelit të lartë, kur u lexon ndonjë libër, etj. sepse i influencuar edhe nga thëniet lartë e poshtë të ndonjë opinionisti i ke menduar si njerëz prej të cilëve do dëgjosh mendime dhe përfundime logjike që përcaktojnë rol të prekshëm, të dukshëm në ambjentin shoqëror.

Këta lloj tipash, (përfshi edhe A. Vehbiun – alias U. Eco shqiptar ?? ah, mos harroni – ka edhe një VVebsite si U. Eco) më ngjajnë si makinat e markave më të mira luksoze ku si shembull, një makine “Kadillak” mbasi i kanë hequr motorin e vet i kanë instaluarnjë motorr motorr çiklete të vjetër “Java” 250 kubik – dy kohësh. Kadillaku hijerëndë lëviz, por nuk merr dot shpejtësinë që i ka hije për emrin që mban, sforcohet, zhurmon, përpëlitet, ama merret vesh shpejt se trupin metalik e ka të klasit të parë ndërsa motorrin për fat të keq e ka të “Javës”.

 

Para pak kohësh vura re se A. Vehbiu ka publikuar një libër me titull “Sende që nxirrte deti”. Niveli i studjuesit, eseistit ku e konsiderojnë A. Vehbiun, ishte zhgënjyes edhe me këtë libër. Mendoja me vete se, eseisti A. Vehbiu e ka një mundësi të mirë, të veçantë si temë studimore, që do sillte një vlerë të pamohueshme për shoqërinë mirëpo i mungon kapaciteti intelektual për tu marrë me mëndje të hapur me atë temë. E kam fjalën për studimin dhe mësimet që mund të nxiren nga sistemi i punës me ekspertizat psikiatrike specifike që bëheshin në diktaturë nga Prof. Y. Vehbiu i madh brenda asaj filozofie që Vehbiu i vogël e quan “loyalty mod” besnikërie.

Kjo më kujtoi kohën kur mbas bashkimit të Gjermanisë shoqëria gjermane i drejtohej homologut gjerman të neuropsikiatrit shqiptar Y. Vehbiu me fjalët: nuk mjafton të na tregosh presionin që ushtronte STASS-i mbi ju në lidhje me ekspertizat psikiatrike të kundërshtarëve, raportin e detajuar të të cilave e adresonit në K.Q. të Partisë. Na shpjegoni atë tjetrën, sesa besnikë, sesa me mëndje të kyçur, me “loyalty mod” i keni qëndruar besnikë Partisë në interpretimin e këtyre ekspertizave, në rekomandimet dhe informacionet përkatëse, subjektivizmin pro partiak për individë të caktuar të pa nënështruar. Këtu mendoj se me mëndje të hapur, të çkyçur, studjuesi A. Vehbiu do ndihmonte realisht shoqërinë, do ngrihej seriozisht në nivelin e eseistit studjues. Gjë që duket se nuk ka për të ndodhur asnjëherë. As Vehbiu i madh dhe as Vehbiu i vogël nuk kanë dashur që të çkyçen në kohën e duhur, të hapen e të merren me këtë problem. Kuptohet t’a studiojnë si fenomen, si instrument dhune të diktaturës, pa cënuar privatësinë e pacientëve të egzaminuar. Kjo më bën të mendoj se te këta lloj tipash “loyalty mod” vazhdon të mbetet e gjallë dhe e shëndoshë, në kuptimin që siç pëlqen të shprehet Z. Vehbiu qeni mbetet kafshë besnike edhe kur e ka humbur të zonë, në kuptimin e pa të keq.

Shtyhem të bëj pyetjen –vallë a e ka kuptuar dhe rilexuar letërsinë e Kadaresë ky i mbajtur për gjuhëtar, A. Vehbiu ashtu si unë e si shumë të tjerë lexues shqiptar?. Përgjigjen vetes ia arsyetova thjeshtë. Padyshim, ky student i viteve kur shkrimtari jepte leksione të letërsisë moderne, është ushqyer me veprat e tij në vitet e rinisë, është e pamundur që të mos e mendojë, të mos e ketë diskutuar në ato vite rinie, nën atë frymë që e mendonin shumica jonë që e lexonim. Kur kam lexuar veprën e S. Ngjelës, gjeta rikonfirmim të atij opinioni dominues, ashtu si e kisha menduar personalisht se librat e shkrimtarit Kadare e emancipuan mendimin shoqëror shqiptar në vitet më të errëta të diktaturës. Mendoj se nuk ka sesi të jesh studjues serioz kur veprën letrare të shkrimtarit Kadare në ato vite e shikon nën optikën dashakeqe denigruese të shkrimtarit “besnik” ndaj dogmës ideologjike të asaj kohe. Natyrisht që nuk mund të pajtohem me atë denigrim të parafiksuar që në mënyrë përsëritëse autori A. Vehbiu i bën figurës së shkrimtarit me prapamendime që nuk i shpjegoj dot. Ose që mund t’i shpjegoj por me një disavantazh të madh moral për Z. Vehbiu.

Shtrohet pyetja: “përse këto sulme të përsëritura kundër shkrimtarit Kadare?” Për një gjë jam i sigurtë. Ata që e sulmojnë me qëllim të mbrapshtë denigrimi si vlerë e mendimit dhe letrave mbarë shqiptare ia njohin shumë mirë rëndësinë, ia dinë “karatët” që ka shkrimtari Kadare për kombin shqiptar. Ndryshe do sulmonin sëpaku një herë D. Agollin që edhe atë kur duan i vënë të dy në një kandar ose për atë që i ka shërbyer regjimit ose që me “Zylon”është tallur me regjimin në kulmin e forcë së tij.

Si çdo ndërtesë që ka themelet e qoshet e strukturës, njëlloj për ndërtesën e kulturës tonë kombëtare shkrimtari Kadare është njëra nga qoshet që përbën konstruktin e kulturës dhe identitetit shqiptar. Në vend të vlerave shqiptaro-europiane, ne lejojmë sulmet kundër Nënë Terezës, kundër Skënderbeut si orientim europian, kundër Rilindjes Kombëtare, mohimin dhe përbaltjen e tyre. Moment që ngjall shumë trishtim është ai kur me rastin e çmimit “Booker” në periudhën kur kandidatët e çmimit u shpallën botërisht, i vetmi kandidat që pati vota kundër prej vendit të vet ishte Kadare. Akuzat ishin aq të pabesueshme saqë në vend që ta pengonin autorin shqiptar, me siguri do i kenë bërë mirë.

Si për çdo pyetje që përsëritet edhe përgjigjet janë të shumta dhe të përsëritura. Disa përmendin cmirën që zgjojnë vetvetiu njerëzit e shquar, dhe që është e njohur kudo. Të tjerë e shpjegojnë me çmimin Nobel që, sipas tyre, Shqipëria s’duhet ta marrë. Të tjerë e lidhin me konjukturat politike, zilitë dhe rivalitetin mes ballkanasve. Ka edhe nga ata që bëjnë fajtor adhuruesit e shkrimtarit, të cilët nxisin reagimin e kundërt.

Mendoj se mllefi i vazhdueshëm kundër Kadaresë ka lidhje të ngushtë me një dimension europianist që Kadare përfaqëson. Ky është shkrimtari që jo vetëm i hapi rrugën gjerësisht letërsisë shqipe për tu integruar në atë europiane, por që idenë e Europës e ka mbrojtur në të gjitha qëndrimet e tij.

Ndoshta nuk hyj ndër ata që janë të dhënë pas teorive armiqësore dhe që shumë gjëra i shpjegojnë si fryt i tyre. Mohimi i vlerave tona, përpara se të jetë pjesë e një plani të mirëorganizuar antishqiptar, është gjithashtu pjellë e frymës së mediokritetit tonë. Më bën përshtypje, më impresionon fakti që qysh në vitet 70’ Kadareja, në nje poezi dedikuar Majakovskit, ka kapur diçka tepër të veçantë, që gjëndet tepër rrallë, në mijëra himnet e kohës që u shkruan për Majakovskin. Është tema e mediokritetit që, sipas Kadaresë, e vuri poshtë poetin e famshëm.

«Duke kënduar himnin e gjithë mediokërve:

Ti ishe i madh, po ne ta hëngrëm kokën».

Pra dyzet e katër vite më parë Kadare ka kuptuar dhe goditur fuqishëm atë që ne po vuajmë sot, rolin e mediokërve.

Është vështirë të shpjegohet ndryshe ai që është quajtur «fenomeni Kadare». Është jo vetëm më i njohuri shkrimtar shqiptar, por një ndër më të njohurit e kohës në plan ndërkombëtar. Me qindra studime janë shkruar për të, me dhjetëra libra, pa përmendur artikujt e panumërt dhe çmimet e shumta që ka fituar. Qëllon jo rrallë që njohja e vlerësimi jashtë vendit i shkrimtarit nuk koincidon me njohjen dhe adhurimin brenda vendit të vet. Me Kadarenë kjo nuk ndodh dhe mund të thuhet se ai është po aq i njohur e i vlerësuar midis lexuesve shqiptarë sa dhe lexuesve të botës.

Jam habitur veçanërisht kur në shkrimet e një italiani me emrin Alessandro Leogrande, kam gjetur një dashakeqësi të hidhur që më ka tingëlluar si një gjë e njohur për veshin. Ndër të tjera, përmendej «jashtëqitja e kombit», shprehje me të cilën gjoja Kadare kishte karakterizuar refugjatët shqiptarë dhe që ky italian, na qenkish në dijeni, bashkë me shpifje të tjera të sigurimit shqiptar.

Këto shkrime ky italian vazhdon t’i botojë andej-këndej në shtypin italian, serb, rumun, bosnjak, dhe nuk e fsheh që të dhënat i vijnë nga Shqipëria, madje tregon dhe emrat e kallzuesve («spiunëve», siç do t’i quante Kadareja).

A.Vehbiu, siç është thënë shumë herë, tregohet tinzar në shkrimet e tij. Në rastin e Kadaresë, disa herë bën sikur e mbron nga shpifjet për ta sulmuar më keq. Tipike është rasti i shprehjes së shëmtuar «jashtëqitja e kombit», që shteti shqiptar ia shpiku shkrimtarit për ta diskretituar. Në një diskutim për të, kur një gjysëm anonim, që ka mundësi të jetë një nga pseudonimet e Vehbiut, e sulmon Kadarenë, Vehbiu ndërhyn gjoja për të mbrojtur shkrimtarin. Është fjala për mitingun e madh të Tiranës kundër refugjatëve të vitit 1990, ku gjoja u përdor prej Kadaresë shprehja «jashtëqitja e kombit». Vehbiu shkruan: «Unë pishën nuk ia kam mbajtur Kadaresë por, me sa di unë, në atë miting Kadare nuk ka folur». Mjerim intelektual. Si studjues në këtë rast Vehbiu nuk ka dashur të shkoj më tej për të zbuluar e verifikuar të Vërtetën e pastër për të cilën ka nevojë shoqëria.

E vërteta është gjysëm e falsifikuar. Në atë miting, ku kanë qenë njëqind mijë dëshmitarë, përfshirë edhe shkruesin e këtyre radhëve, Kadareja jo nuk ka folur, por NUK KA QëNë FARE ATY. Për shpifjen kundër tij janë bërë disa përgënjeshtrime, por Vehbiu që gjurmon çdo gjë të shkrimtarit, nuk e ditka të vërtetën. Studjuesit le ta dëshmojnë faktin, dm.th intervistën e shkruar ku e ka thënë Kadare këtë shprehje, në çfarë libri gjëndet, nëse kanë ndonjë inçizim ku Kadare e thotë. Për nivelin që përfaqson shkrimtari Kadare nuk mund të pranohet nga opinioni shoqëror një shpifje e fabrikuar nga dikush dhe e përhapur nga 2-3 të tjerë, shpifje e cila përsëritet sa herë ua kërkon interesi qëllimkeq për shkrimtarin dhe për shqiptarët.

Mohimi i vlerave po bëhet sëmundje në Shqipëri. Para disa muajsh është trajtuar kjo në një artikull të gjerë, ku i njejti njeri që po përmendet në këtë shkrim, Ardian Vehbiu, është kritikuar për të njejtën gjë. Ishte fjala për krahasimin midis dy shkrimtarëve të njohur të Ballkanit: Ivo Andriçit dhe Kadaresë. Është e drejtë e Vehbiut që, pavarësisht se është studjues shqiptar, të jetë i paanshëm dhe të ketë preferencat e tija në vlerësimin e «dy rivalëve» të Ballkanit. Mirëpo s’ka si të mos habitemi kur shikojmë se objektiviteti i studjuesit shqiptar prishet tamam në favor të shkrimtarit serb. Siç është vënë në dukje në artikullin pararendës, fare haptas Vehbiu shkruan se Ivo Andriçi duhet të hyjë në leximet e detyrueshme për lexuesin shqiptar, gjë që nuk e thotë për Kadarenë dhe lexuesin serb. Po përse qenka i detyrueshëm Andriçi për shqiptarët dhe s’qënka i detyrueshëm Kadareja për serbët? Ngaqë Andriçi është i përzier kokë e këmbë në doktrinën Çubrilloviç për zhdukjen e kombit shqiptar, kurse Kadareja nuk ka asnjë njollë të ngjashme ndaj kombit serb?

Kur ia do interesi Vehbiu thotë se s’duhet përzier vepra me biografinë e shkrimtarit, siç ndodh me rastin Andriç-Kadare. Mirëpo po i njejti Vehbi, kur bije fjala te personazhi oficer te «Koncerti», që nuk çon tanket te komiteti i partisë, vrapon ta shpallë si alter ego të shkrimtarit! ( me sa duket këtyre zbulimeve ia ka parë hajrin).

Në këtë pikë, imoraliteti te studjuesi shqiptar Vehbiu del shkoqur. Ai bije brenda me këmbët e veta kur shtjellon «gabimet» e të dy shkrimtarëve, të cilët, të shtyrë nga nacionalizmi, sipas tij, kanë dëmtuar artin e tyre. Për të shkëlqyer e për t’u duartrokitur për paanësinë e vet, Vehbiu i vë në plan të njejtë «gabimet e rivalëve», pavarësisht se shkrimtari serb ka nënshkruar draftin për shfarrosjen e kombit shqiptar e Kadareja s’e ka bërë këtë për serbët? Në vend që A.Vehbiu të reflektonte nga kritika e mësipërme, në shkrimin «Tradhtia e besnikëve» ai futet edhe më thellë në qëndrim të pamoralshëm.

Para disa vitesh u zbulua dhe u botua një dokument i rrallë i Sigurimit, ku Kadare akuzohej si komplotist kundër shtetit. Dokumenti është i vitit 1982, pjesë e dosjes hetimore e ish ministrit Ziçishti, i akuzuar si komplotist, torturuar dhe pushkatuar. Hetuesi që ka marrë nê pyetje ish ministrin që ka pêrpiluar proces-verbalin ku Kadare figuron si pjesëtar i komplotit quhet Ferit Sula dhe është ende gjallë sot. Pas botimit të dokumentit një gazetare shqiptare ka arritur të intervistojë hetuesin, duke shënuar një rast tepër të rrallë ku dokumentet e fshehta vërtetohen nga burime të ndryshme. Dosjet e tilla si komploti i ish-kryeministrit, ndonëse të mbushura me fantazira, përgatiteshin me dijeni dhe urdhra nga lart, dhe kjo dosje vërteton se së paku në vitin 1982 Kadare ishte vënë në shënjestër për t’u shpallur armik.

Fakte si ky janë kuptimplotë e të mjaftueshme për të kuptuar raportet e një shkrimtari me shtetin. Mirëpo analistë si A.Vehbiu, që janë gati të rendin pas çdo thashethemeje (si ajo e jashtëqitjes së kombit) bëjnë sikur nuk i dinë.

Kriza morale që zotëron sot në shoqërinë shqiptare është aq e dukshme saqë askush s’guxon ta mohojë. Anarkia e mendimit, shthurja e vlerave, mungesa e frymës pozitive në gjithçka, rendja pas negatives, s’bëjnë gjë tjetër veçse e shtojnë kaosin shqiptar. Kjo rënie është e stisur dhe e mirë ushqyer në të gjitha drejtimet.

Stabiliteti moral i një shoqërie është një kusht për normalitetin e një vendi. Dhe në këtë rast, kultura ka një rol të pazëvendësueshëm. Letërsia e nivelit të lartë, prania e shkrimtarëve të shquar, ndihmojnë dhe nuk pengojnë në asnjë rast përparimin e brezave të rinj në art.

Para ca kohe në një shkrim të tij Prof. Skënder Gjoni, duke e patur vështirë të shpjegojë pasionin e një prej detraktorëve më të zellshëm kundër shkrimtarëve të shquar shqiptarë (F. Lubonja), e ka kërkuar shkakun te egërsia e njerit prej prindërve të tij, i dalluar si vrasës tepër i pasionuar, në vitet e para pas luftës.

Për shumë njerëz, një mënyrë e tillë të menduari gjykohet si e padrejtë. Për ta e keqja duhet kërkuar tek vetë detraktorët. Te vogëlsia e tyre shpirtërore, te smira e sëmurë, së fundi te fakti që duke qenë shpesh ende të parealizuar, në vend që të përfitojnë nga prania e kolegëve të tyre të suksesshëm, bëjnë të kundërtën.

Po të vijë puna për të zgjedhur cili nga shpjegimet është më i keqi për ta, mendoj se smira e shkrimtarit të vogël është gjëja më turpëruese.

A. Vehbiu parashtron nevojën e një debati mbi “loyalty mod” në kohën e sotme kur shprehjet “tradhëtoi partinë” dëgjohen jo rrallë nga gojët e partiakëve shqiptarë. Do ti sugjeroja studjuesit Vehbiu që një studim social-filozofik ezaurues mbi këtë temë mund ta gjejë në tre volumet e autorit S. Ngjela. Sigurisht nëse ka kurajo dhe maturi studjuesi serioz për të ngjitur shkallë studjuesi të vërtetë.

Do e mbyll këtë shkrim me një mendim mbi komentet që bëhen në fund të artikujve në gazetat. Sado që përmbajnë subjektivizëm, shpesh edhe nivel të ulët, megjithatë në tërësinë e tyre i konsideroj si një tregues, aq më tepër kur në masën më shumë se 90% shkojnë pro ose kundër një personi ose çështjeje kombëtare që trajtohet në shkrim. Në rastet kur në shkrim autori merret vesh që ka qëllim të keq, që është tinzar dhe mashtrues ndaj një figure ose personaliteti shoqëror, ndaj një fenomeni apo sjelljeje shoqërore, atëhere konstatohet shumë qartë se moria e pafund e komentuesve përqëndrohen me shumicë absolute në dënimin që i bëjnë këtyre lloj autorësh denigrues, këtyre lloj pseudo opinionistash e pseudo analistash me qëllime të helmëta, duke treguar se dijnë të dalin në mbrojtje të së vërtetës, qoftë ajo në rrafsh personaliteti, qoftë në rrafsh çështjeje kombëtare.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Ismail Kadare, Marifeti i ardian Vebiut, Minella Aleksi

DASHURIA PËR VLORËN DHE ATDHEUN

January 14, 2014 by dgreca

Në  94-vjetorin e lindjes së Prof. Shaban Demiraj, Akademik/ Nga Enver Memishaj/

 Profesor Shaban Demiraj lindi në Vlorë, më 11 janar 1920, në një familje atdhetare dhe fetare, prandaj fillimisht ai nisi një shkollë fetare, por u largua andej për t’u dhënë më pas studimeve të gjuhës dhe letërsisë shqipe.Në vitin 1948 përfundoi Institutin e Lartë Pedagogjik 2-vjeçar të Tiranës dhe atë 4-vjeçar, në vitin 1954. Ishte nxënës i Kostaq Cipos e Aleksandër Xhuvanit dhe më pas i Eqrem Çabejt, të cilët e rekomanduan dhe ai u emërua pedagog në ish-Institutin e Lartë Pedagogjik.Në vitin 1957 u emërua pedagog në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të sapo krijuar. Titullin “Profesor”, e meritoi në vitin1972. Me krijimin e Akademisë së Shkencave, prof. Shaban Demiraj u zgjodh ndër anëtarët e parë të saj dhe në vitet e demokracisë, 1992 kryetar i Akademisë.

Gjatë viteve 1962-1989, ka shërbyer si përgjegjës i katedrës së gjuhës shqipe. Në vitin 1977, iu dha titulli i lartë “Mësues i Popullit”.Ne vitin 1979 u nderua me “Çmimin e Republikës” të klasit II, dhe në vitin 1989 me “Çmimin e Republikës” të klasit I.

Ai ka një korpus të madh të veprës së tij studimore e pedagogjike të cilat e prezantojnë si një personalitet të shquar të albanistikës, brenda dhe jashtë kufijëve të Shqipërisë.

Objekti specifik i studimeve të tij është morfologjia e gjuhës shqipe, por ai është zgjeruar në gramatikën historike  dhe më pas të fonetikës historike. Njohja e shumë gjuhëve të huaja klasike e bashkëkohore e bëjnë atë një autoritet të shquar të kulturës shqiptare të të gjithë kohëve. Vepra e tij është përfshirë në albanologjinë botërore.

Provën e parë e dha me tekstin e gjuhës shqipe për shkollat e mesme pedagogjike (1953) dhe më pas vazhdoi pa u ndalur me vepra të tjera:

 “Morfologjia e gjuhës së sotme shqipe”(1961) dhe e ribotuar në Prishtinë (1971), 

“Çështje të sistemit emëror të gjuhës shqipe”(1972), 

“Sistemi i lakimit në gjuhën shqipe”(1975), 

“Morfologjia historike e gjuhës shqipe”(I e II, 1973 e 1976) dhe ribotuar në Prishtinë (1980),

“Gramatika historike e gjuhës shqipe”(1986) e ribotuar në Prishtinë (1988), 

“Gjuha shqipe dhe historia e saj”(1988) dhe ribotuar në Prishtinë (1989).

Ne vitin 1990 botoi  monografinë, kushtuar jetës dhe veprës së dijetarit tonë të madh e kolegut shumëvjeçar të tij, prof.dr. Eqrem Çabej-Akademik.

Në vitin 1994 botoi në Shkup (shqip e maqedonisht) veprën “Gjuhësi ballkanike” 

dhe më 1996 “Fonologjia historike e gjuhës shqipe”.

Me interes mjaft të  madh është vepra kushtuar çështjes së prejardhjes së shqiptarëve, duke e vështruar këtë aspekt kryesisht në dritën e dëshmive të gjuhës shqipe. Rreth kësaj çështjeje madhore, ai botoi librin e vlerësuar: “Prejardhja e shqiptarëve, nën dritën e dëshmive të Gjuhës Shqipe” (Tiranë, 1999).

Studime të tij me interes të veçantë janë edhe ato për filologjinë e arbëreshëve.  

Disa nga veprat e mësipërme janë botuar në vende të ndryshme të Evropës.

Ai ka marrë pjesë dhe ka referuar në disa Kongrese e Konferenca, kombëtare e ndërkombëtare, për gjuhën e kulturën shqiptare dhe ka botuar artikuj të shumtë shkencorë, në revista të vendit e të huaja.

*     *     *

Me rastin e 94 vjetorit të lindjes unë po publikoj një anë tjetër të panjohur të Prof. Shaban Demiraj, ndofta edhe vetë Prof. Shabani ka harruar se dikur në rininë e tij dhe pikërisht në moshën 17 vjeçare shkruante poezi, të cilat po i botoj më poshtë. Në poezinë e tij që nuk dimë që Profesori jonë ta ketë vazhduar vihet re qartë talenti, ndjenja e dashurisë së madhe për atdheun dhe veçanërisht per Vlorën e tij. Po i botojmë poezitë pa bërë asnjë ndryshim, që t`i kujtojmë se si shkruante profesori në rininë e vet dhe po deshi t`i korigjojë ai vetë e t`i sjellë në gjuhën e sotme letrare.

  25 VJETORIT NE VLORË

 Lulëzo dhe krenou moj Vlora kreshnike,

Me bujë festo vjetorin e Lirisë,

Dhe me përpjekjet e tua Patriotike,

Me radhë tregoua bijëve t`Arbërisë.

            Kur zgjedhën barbare Shqipëria vajtonte,

            Dhe gjith Kombi mbarë përpiqesh për shpëtim,

            N` qiellin t`ënt Flamuri u ngrit të valonte,

            Prej Burrave, q`i dhanë ksaj toke lirin.

Vatër lirimtare të tokës Arbërore,

Të njeh i gjith kombi me Mbretin në Krye,

N`ty këndoi së parit zhgaba dy krenore,

Kur zgjedh` e barbarit nga kish ardh u kthye.

            Njëzet e pes mote mbushi sot lirija,

            Qysh se ti e shpalle për herën e parë,

            Prandaj po gëzon e gjith djalëria,

            E udhëhequr vet nga Prisi Shpëtimtarë.

Këndoni, vlonjat, rreth Varrit Historik,

Kurorën i thurni çliruesit Kombëtar,

I tregoni Plakut tonin melodik,

Lumturinë, që ndien sot populli shqiptar.

            I thoni që shkuan njëzet e pes vjetë,

            Që dor` e Tij Flamurin lartësoi,

            Dhe shqiptarët sot falnderjen e vërtetë,

            U bëjn` atdhetarëve, që kjo tokë ndriçoi.

Festo – e, pra, Vlorë njëzet e pes vjetorin,

Mblidhuni ju djem të gjith pa u ndarë,

Me gazmend kremtoni njëzet e tet Nëntorin,

Dhe një zërit thrrisni: “Rroft ZOGU i PARË”

                                        Botuar në  gazetën “Jeta e Re”, Vlorë, dt. 28.11.1937, f. 4

 

                28 NËNTORIT

 

Flamur` i Kastriotit me zhgabë dy krenore,

Valon sot an` e mbanë në tokën arbërore,

Dhe pal` e tij e bukur ngjyruar kuq e zi,

Mbulon me valëvitje të bukurën Shqipëri,

Ku pes qint e ca vjetë sundoi zgjedha barbare,

Dhe dy krenor` i ynë s`u pa të valoj fare,

Por sot ja ku valon ashtu siç i ka hije!

Dhe djalërin e mbush me çaste lumturije,

Me çaste lumturije mbush djalërin o Vlorë!

Që plot hare feston njëzet e tet Nëntorë.

*    *    *

“O nipa t`Kastriotit, o bijt` e Arbërisë!

Kremtoni gjith së bashku vjetorin e Lirisë,

Njëzet e tet Nëntorin plot gas ju e festoni,

Mbasi lirin e shtrenjtë kudo po e gëzoni.

Të gjith për rreth Flamurit ju lidhuni me besë,

Për nderin e Atdheut kushdo me gas të vdesë,

Kushdo me gas të vdes për nderin e Atdheut,

Siç bën` burrat e motit në koh` të Skënderbeut,

Dhe, kur të jeni lidhur me besën Shqiptare,

Prej sulmit të armikut mos u frikoni fare,

Pse Bes` e Arbreshëve nuk e lejon tradhëtinë,

Por burrërisht mpron Nderin, Atdheun dhe Lirinë”.

*    *    *

Dhe, ndërsa Kryezeza lirinë po kremton,

An`mb`anë Shqipërisë një zë se ç`po gjimin:

Është nderi, që gjith Kombi dëshmorëvet u kushton,

Është Besa rreth Flamurit në qiell që po tingëllon,

Ësht Bes` e djalërisë, që jep për rreth Flamurit,

Se do të mprojë Atdheun e Lekës dhe të Burrit.

*     *     *

Pra, sa të jetë bota Flamur` i yn valoftë

Dhe Shqipëri e dashur për jet`e lirë rroftë!   

                                   Botuar në gazetën “Jeta e Re”, Vlorë, dt. 28.11.1938, f. 4

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: dashuria per Vloren, Enver Memishaj-Lepenica, Shaban Demiraj

Shqipëria dhe SHBA, ëndërr shekullore

January 14, 2014 by dgreca

A duhet të jetë Shqipëria “ Made in USA”?

Nga Zaim Kuçi /

Herët në fillimet e demokracisë shqiptare, kudo e tek të gjithë ishte dëshira për të kapur atë kohë të humbur nga sistemi komunist, apo të shumëmenduarën parajsën e munguar, e cila pritej nga ata të përtej detit – amerikanët. Ishte kjo ndjenjë amerikane që ngrohte shqiptarët për diçka më të mirë dhe vetvetiu ne lozën me slloganin “ta duam Shqipërinë si shqiptarët duan Amerikën”.

A thua se shqiptarët e kanë ditur që vetë presidenti Washington thuhet ta ketë lënë një letër-amanet për mbrojtjen e shqiptarëve nga Amerika në çdo kohë dhe në çdo mënyrë. U krijua një atmosferë optimizmi nga të gjithë aq sa regjimi i asaj kohe u shkërmoq (në fakt ndërroi ngjyrë) shpejt, qetësisht dhe ishim të gjithë në shpresën për të kapur lugën e florinjtë.

 U nisëm drejt ëndrrës perëndimore me një thes hallesh mbi shpinë që edhe pse kanë kaluar shumë vite jo vetëm nuk kemi mundur ta zbresim nga kurrizi i tejpërkulur por e kemi shtuar më shumë. Ato janë të thella, të shkaktuara dhe i shkaktuam në gjerësin e gjithfarë llojeve, nga ekonomike e deri në kriza të thella në familje dhe në shoqëri. U lodhëm duke pritur perendimoret të na lehtësonin hallet, dhe nuk munguan leksionet se si të “flisnim” gjuhën tonë shqipen, duke moskuptuar se ne nuk vinim nga stepat afrikane…

Kjo është Shqiperia, e shumë përfolura, e shumë shkruara, e shumë keqpërdorura e shumë e shumë të tjera….por unë në këtë shkrim disi ndryshe do rrëfehem për disa mbresa, opinione të përzjera me një fenomen real, të ndodhura, disi dhe bizarre por që realisht plotësojnë të përditshmen shqiptare…

Një vit më parë, në dosjen e mësimit të dorës për të shkruar shqip, gjeta një kartolinë të çuditshme shkruar nga dora e një Kaltrine 6vjecare. Më konkretisht, përmbajtja e kësaj kartoline prekëse aspak të sajuar dhe të mësuar nga dikush tjetër mbante diçidurën: të lutem o vit i ri 2013, dua një babagjysh që të më sjell dhurata, po “babagjush amerikan aman…”. 

*E dhimbshme…Por nuk ndalet këtu kjo kërkesë e dëshirueshme shqiptare. Në kohë dhe në rrethana të ndryshme më janë ngulitur si gozhdë në memorie, copëza revolte shqiptare. Një ditë u ndesha me një dialog me dialekt verior në një institucion shtetëror për problem tapie a kush e di se çfare. I rrevoltuar del nga një zyrë një burrë i shkurtër, i shkuar në moshë, i ndjekur nga djali i tij me fjalët dëgjo ti bir: nuk zgjidhet kjo punë, e kam menduar, do t’i shkruajmë Arvizusë, hajde shpejt ti dërgojmë një letër. Djali me një fare ndrojtje nga autoriteti i të atit i thotë: nuk bëhet kjo punë, do takojmë filanin.. Berishën tonë…Jo mo jo Arvizun, vazhdonte i revoltuar personi i pakënaqur. U afrova dhe i them : me fal po kush është ky Arvizu? Drejtori i Përgjithshëm ? se edhe unë kam të njëjtën problem më duket si ju. Më drejtohet, ti tallesh, si nuk e njeh, është amerikan, vetëm ai të zgjidh problemet. Ku jeton ti more, mos u tall se po më digjet koka. Jo po, nese të zgjidh problemin unë mund të ndihmojë për ta shkruar në anglisht se jam mësues anglishte, për ta zbutur vijova lojën, ta përkthej pa lekë. I qetësuar më thotë: të gjithë kur kanë halle i drejtohen atij. Ke parë ti që vet Sala i drejtohet atij kur ka problem me Ramën. Edhe Bamiri kur ishte president, Ina kur ishte prokurore e pergjithshme, edhe Rama vet kur iu vodhën votat. Të gjithë atje shkojnë. E përshendes dhe i them, keni të drejtë dhe largohem…

E vijojnë historira të çuditshme shqiptare. Po kështu wekiliksi zbuloi që edhe gjeneralët e mi atje paskan zbrazur thesin e “padrejtësive” dhe janë rrëfyer sikur të ishin në dhomën e Konfesionit të katedrales « Mont Martre ». Po, pa fshehur edhe unë një ndjenjë lehtësimi per t’u takuar, kohë kur endesha rrugës i papunë.

Shumë të huaj, analistë, historinë, të mençuar dhe idiot, të mirë dhe të këqij na kanë vlerësuar në të kaluarën dhe të tashmen në mënyrën e tyre, vendin tone,  ku shumatorja e këtyre vlerësimeve është vërtet e keqe. Ata na nofkuan si të paditur, të pandreqshëm e kush e di se çfarë.  Së fundmi keqinformimi i myslimanizmit shqiptar duke harruar se ne u konvertuam pesë shekuj më parë në islam nga perandoria turke. Vijuam fenomenin konvertim nga diktatura në – Ateist; duke vazhduar sistemin e rikonvertimit, që përsëri shqiptarët të sakrifikohen jo vetëm për tkurjen për zgjerim të Europës por dhe për fenomenin e ri klasik “Islam” të sajuar në kontinentin evropian.

Në vitet pasuese të trazicionit ne mbijetuam duke sakrifikuar gjithçka. Shqipëria, edhe pse në nevojë, ndjehet e lënë pasdore nga Europa, nga ana tjetër dukshëm vlerësohen serioze nga ana e saj lëvizjet politike të Serbisë apo lëkundjet e fundit financiare me prapaskenë “gjeopolitikë” të Greqisë apo ajo Qipriote që e tronditën atë duke toleruar politikën dhe zbrazur xhepat me miliarda $ ndihmë.

Në BE ndjehet, apo është krijuar një çarje në vet shtetet e saj duke krijuar edhe blloqe:  interesa të vendeve anglosaksone, ndarja e shteteve elitë nga shtetet evropiane në nevojë dhe frika nga një gjeopolitike e re gjithnjë në rritje e Rusisë, por dhe shumë dyshime për rritjen ekonomike të Kinës apo Turqisë, kjo e fundit dhe për një zgjerim të saj drejt vendeve ballkanike të quajtura islamike. Në këtë pamje gjeopolitike evropiane, a do të ketë hezitim evropian dhe se, RSH do të sakrifikohet përsëri për të forcuar sado pak unitetin e vet BE?

Në këto dilema të BE, …për të papranueshmen “Jo” europiane, e shumëlodhura Shqipëri, a do të reflektojë dhe do të kthehet përfundimisht tek superfuqia e botës, SHBA?…ndoshta RSH përfundimisht do të fshijë të kaluarën lëkundëse historike europiane dhe do të realizojë ëndrrën e shqiptareve të pas viteve 90-të, duke hequr dorë nga politika, me shumë aleatë strategjikë. A do të kuptohet nga vendet e BE dhe nga vet SHBA se, toka e RSH është më idealja në rajonin e Ballkanit për SHBA?

Në retorikën e tejzgjatur të plehrave siriane, do doja të “ripërfol” të “zëmëruarën”, aleatin strategjik- SHBA duke kujtur se, shqiptarët dinë mirë të sakrifikohen për aleatin e tyre në se kërkesa do të ishte për interesa kombëtare të SHBA dhe jo ato globale, pasi këllqet shqiptare për të mbartur këtë operacion luftarak ishin qesharake…

Së fundmi, do t’i uroja Kryeministrit që të mos imitojë paraardhësin e tij për “bumet” ekonomike, por të kthejë drejtësinë në vend që të mos referojmë zgjidhjet më tek “Arvizuja”, as ata që rriten nën hallet e prinderve të tyre, as dhe mësuesit, profesorët, ushtarakët…, të mirat i teston populli. Përherë të kujtojë për të mosgabuar, atë që presidenti Obama iu drejtua amerikanëve pas rizgjedhjes: Më e mira nuk ka ardhur ende, kështu dhe Kaltrinat e vogla nuk do të kërkojnë më kartolina me babagjysh amerikan.

 

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • …
  • 74
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT