• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2014

Poezi nga Perparim Hysi

January 13, 2014 by dgreca

Hyre vonë në rrugën time/

Nga  Përparim  Hysi/

Ti hyre vonë në rrugën time/

Dhe kjo ndodhi fare rastësisht/
E kujtoj çastin, o mikja ime!/

Dhe, vërtet, që ndjehem liksht./

Tek meditoj, më del përpara

Si një film që më mbetë në kujtesë
Një “film” me  aq çaste të bardha

Shyqyr, që  ka “harresë?!!!”

Harresë e çastit,se, domosdo,

Ka çaste që zë e psherëtij
Psherëtij me zëmër,sa bëj “oh!”

Si “ftohur” të jem në ijë.

Se ndjej peshë fizike në zëmër

Se ndjej dhe mbytem mall
Gjithçka ndodhi nuk qe ëndërr
E përjetoj krejt si gjallë.

Më duket se diçka mbaj fshehur
E ruaj atë si, “tinëzisht”
Sa herë andej nga ju jam derdhur

Dhe, sërish, ndjehem liksht…

 

12 janar 2014

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: dielli, perparim Hysi, poezi

KARTOLINA E OBAMËS ME TEKST TË CUNGUAR

January 13, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Në profilin zyrtar të KM Shqipërisë dje në Facebook ishte vendosur kartolina që Edi Rama kishte marrë nga Presidenti i SHBA Barack Obama. Kartolina e Presidentit Amerikan shoqërohej me diçiturën që presupozohej të shprehte me të drejtë kënaqësinë e Edi Ramës “Kartolina më e bukur e këtij janari erdhi e fundit”.
Meqë lidhej me urimin e Vitit të Ri, dhe meqë Edi Rama i jep shumë rëndësi imazhit, mund të ishte shkruar “Kartolina më e bukur e Vitit të Ri erdhi e fundit”. Por një gjë do të duhej ta bënte me patjetër Edi Rama. Sipas kurtuazisë së komunikimit të zyrtarit më të lartë të shtetit, që lidhet edhe me pretendimet për transparencë, kartolina do të duhej të ishte fotografuar e plotë, jo gjysmake si është fotografuar, sidomos teksti i kartolinës i shkruar me dorë nga Presidenti Amerikan, ku lexohet vetëm rreshti i fundit i saj dhe shihet firma e Presidentit Obama. Aq më tepër kur dihet se Edi Rama mban të paktën një fotografe profesioniste. Sepse në etikën dhe etiketën e kultures të të sjellurit, të kodit dhe normave konvencionale që duhet të përcjellë burri i shtetit nuk lejohen lapsuse të tilla,që kartolina të botohet me tekst gjysma-gjysma. Nuk e di Edi Rama këtë?!
Përpara disa kohësh në faqen e tij në Facebook ai shfaqej i fotografuar duke patur në sfond figurën e diktatorit Hoxha. Dhe, kur gazetarët e pyetën, e kaloi me romuze dhe mërmëritje. Pastaj, në fund, doli me pretendimin se nuk ishte ai që e vendosi foton e diktatorit në faqen e tij zyrtare të Facebook-ut!
Facebook është një mjet i komunikimit masiv, ku përmes tij kryeministri jep mesazhe dhe kuron imazhin. Dhe është e papranushme të thotë se nuk e ka ai nën kontroll faqen zyrtare të KM. Aq më tepër, kur në këto 100 ditë ne kemi parë vetëm veprime që lidhen me kurimin e imazhit të institucionit.
Ka ardhur momentumi që Kryeministri i Shqipërisë të përballet me realitetin, ashtu siç është ai. Ai mund të kurojë muret, të heqë e të vendosë foto, të bëjë melanzhe ngjyrash, të bojatisë fasadat, por realitetin nuk e ndryshon dot me fjalë. Prandaj Edi Rama duhet të përballet me realitetin.
Natyrisht duhet të kurojë edhe me imazhin e tij. Dhe meqë thotë se është mjeshtër i asaj pune, e kam dëgjuar se kështu i ka thënë Blendi Fevziut tek Opinion, se është një PR i shkëlqyer, dhe mund të jetë, sepse gjatë kohës kur ishte zyrtar i lartë në qeverisjet pararendëse të PS, ai ishte autor i fjalimeve të kryeministrave.
Nëse është ashtu si thotë e përse e lë jashtë kontrollit kurimin e imazhit të tij. Si lejon të fotografohet duke patur në sfondin hije fotografinë e diktatorit, si lejon që këto foto të vendosen në faqen e tij zyrtare në Facebook dhe si i lejon vetes të mos e ketë nën kontroll faqen e tij të Facebook-ut.
Nuk e di Edi Rama se ta botësh kartolinën e presidentit Obama të fotografuar në mënyrë të tillë, ku teksti është i përgjysmuar, do të thotë që të shkelësh etiketën e zyrtarit më të lartë të shtetit? Nuk i lejohet më Edi Ramës të thotë se „nuk e di“, e „nuk e vendosa unë në Facebook“ e më the të thashë. Edi Rama ka qenë PR i mirë për të tjerët. Por tani ai është KM. Dhe nuk mund të jetë edhe KM edhe PR. Prandaj pyes a ka PR Edi Rama?
Edi Ramës nuk i lejohet as ta shtrëmbërojë realitetin e të thotë se BE nuk na pranoi në dhjetor për shkak të esktremizmit të një segmenti të Hollandës, kur dihet shumë mirë se Hollanda tha tekstualisht në televizionet e Shqipërisë se nuk do të vendosë veton kundër Shqipërisë.
Mos do të thotë Edi Rama se edhe Gjermania, Franca dhe Anglia që sipas Samuel P. Huntingtonit përbëjnë « the core of Western democracy » – thelbin e demokracisë Perëndimore – simboli i të cilit është shteti i së drejtës – janë shprehje e segmentit ekstremist?! Natyrisht që Edi Rama nuk e pranon këtë. Atëherë le të thotë të vërtetën dhe e vërteta lidhet me realitetin që ekziston në Shqipëri, ku korrupsioni dhe sistemi i korruptuar i drejtësisë po i marrin frymën dhe shpirtin vendit. E deri më tani asnjëra palë e politikës në Shqipëri, as ajo që udhëhoqi për 8 vjet dhe as kjo që sapo mbushi 100 ditë nuk po tregojnë përgjegjshmërinë e duhur për të shpëtuar vendin nga katastrofa morale dhe sociale.
Edi Rama e di mirë se ata 1 milionë votues nuk votuan pro tij, por kundër korrupsionit, degradimit të shtetit të së drejtës, votuan kundër varfërisë dhe pasigurisë sociale të qeverisjes të pararendësit. Edi Rama nuk mund t’i bëjë replay qeverisjes të Sali Berishës, sepse këto 1 milion vota i kthehen automatikisht kundër tij pastaj. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, kartolina Rama, me tekst te cunguar

TAKIM I KOMUNITETIT SHQIPTAR ME SENATORIN CHRIS MURPHY DHE RICHARD BLUMENTHAL

January 13, 2014 by dgreca

Dy kryetarët e bashkive, zoti Neil M. O’Leary, dhe Dr. Ziadin Sela,  propozuan një binjakëzim të qytetit të Strugës dhe Waterburyt

Nga Beqir SINA, Waterbury/ Connecticut/

WATERBURY – CONNECTICUT: Të shtunën në qytetin Waterbury të Connecticut, u zhvillua një takim me komunitetin shqiptarë dhe dy senatorëve amerikanë, përfaqësues këta të këtij shteti në Senatin e SHBA, Richard Blumenthal dhe Chris Murphy. Takimi u mbajt nën kujdesin  komunitetit “Hasan Prishtina” në qëndrën islamike shqiptare të këtij qyteti.

Në këtë takim morën pjesë edhe majori i qytetit të Waterburyt, zoti Neil M. O’Leary, Matt Abdifar , i cili përfaqësoi Qarkun 5 në Connecticut -së, në zyrën e kongresistes Elizabeth Esty -së, ambasadori i Shqipërisë në Uashington Gilbert Galanxhi, Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Nju Jork, Ambasadori Bekim Sejdiu, ish kandidati shqiptare për në Kongresin Amerikan, Emin Eddie Egriu,  dhe mysafiri special nga Struga, kryetari i Komunës së këtij qyteti, zoti Ziadin Sela, si dhe shumë personalitete dhe veprimtarë të dalluar të këtij komunitetit.

Nikoqiri i këtij takimi Visar Tasimi , arkatari për AAMC – e cila është një nga organizatat e komunitetit shqiptar në Waterbury , udhëhoqi takimin si dhe dha një falenderim të veçantë për zëdhënsin Sean Scanlon nga zyra e senatorit Murphy, për koordinimin e këtij takimi me komunitetin shqiptar. Ai duke folur për rëndësin e këtij takimi, ka prezantuar fillimisht të gjithë mysafirët e nderuar.

Aktualisht, tha drejtuesi i këtij takimi, Senatori Chris Murphy shërben në Komitetin e Senatit të  Shëndetësisë, Arsimit, Punës, dhe Pensionet, Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë – ku ai është kryetar i nënkomitetit për çështje Europiane , dhe Komitetit të Përbashkët Ekonomik . Para, zgjedhjes së tij në Senatin amerikan , senatori Murphy, tha ai, shërbeu si kongresist i Qarkut 5 të Connecticut -së , e cila përfshin edhe qytetin tonë Waterbury, ku jetojnë mijëra shqiptarë , për tre mandate në Dhomën e Përfaqësuesve . Kurse, para se të shërbente në Kongresin Amerikan , Murphy, shërbeu për tetë vjet në Asamblenë e Përgjithshme të Connecticut.

“Por, unë tha Tasimi, do të shtoja se senatori Murphy, nuk i ka munguar në asnjë Festival Shqiptar këtu në Waterbury, komunitetit shqiptar, prej kur ato kan nisur 9 vjet më parë ! Tani, është nder për mua për të ftuar për ju senatorin Murphy, për të filluar diskutimin në këtë takim me komunitetin shqiptarë”.

Senatori Chris Murphy, nga Connecticut, Kryesues i Nënkomitetit për Çështje Evropiane në kuadër të Komitetit për Politikë të Jashtme në Senatin e SHBA-së, gjatë fjalës së tij, foli duke lavdëruar komunitetin shqiptarë në Waterbury, dhe shqiptarët e Amerikës, për rolin e tyre në dobi me mardhëniet e gjata mes SHBA dhe Shqipërisë, të cilat ai i cilësoi si të shkëlqyera, sidomos në këto dy dekadat e fundit, prej se kur Shqipëria doli nga sundimi i gjatë komunist.

“Nuk ka marrëdhënie më të fortë se këto mes Shqipërisë dhe SHBA, nëse ju i shikoni në kontekstin evropian midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë . Shqipëria, tha senatori Murhpy, ka qenë atje ku janë SHBA, në çdo hap të rrugës me Shtetet e Bashkuara në një nivel të konsiderueshëm të bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit dhe angazhimit ushtarakë amerikanë nëpër botë, për operacionet tona në Irak dhe Afganistan . Shqipëria ka qenë me Shtetet e Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara kanë qenë me Shqipërinë dhe ne do të vazhdojmë të jemi me Shqipërinë , sepse ka gjëra të rëndësishme që i lidhin shumë vendet tona.” u shpreh senatori Myrphy.

Më pas drejtuesi i këtij takimi të rëndësishëm, dhe i pari me dy senatorë amerikan, në komuntetin shqiptarë, prezantojë Senatorin demokrat Richard Blumenthal, i cili po shërben në termin e tij të parë si një senator i Shteteve të Bashkuara nga shteti i Connecticut . Senatori Blumenthal, tha Tasimi, ka shërbyer për 5 mandate ( 20 vjet) si Prokurori i Përgjithshëm Connecticut -së , një rast i paparë në historinë e kësaj prokurorie, dhe i njeh mjaft mirë shqiptarët në këtë shtetet.

Ndërkohë, në fjalën e tij senatori Blumenthal tha se “Edhe unë ashtu si kolegu im Murphy, më duhet të vë në pah lidhjen e gjërë që kemi mes SHBA dhe Shqipërisë, dhe kontributin tuaj si komunitet në forcimin e këtyre lidhjeve, konkretisht atë që keni bërë ju në Kenektiket dhe qytetin e Waterburyt, ku komuniteti shqiptar, tha ai jep një kontribut të çmuar, të cilin unë vlersojë lart ashtu si edhe të komuniteteve të tjera, që kan emigruara këtu në SHBA, duke punuar e kontribuar për Amerikën, që ky vend të jet shteti më i madh dhe fuqishëm i botës”.

Ambasadori i Shqipërisë në Uashington Gilbert Galanxhi, gjatë fjalës së tij foli për marrëdhëniet dhe lidhjet e shkëlqyera të SHBA dhe shqiptarëve, duke faleminderuar me këtë rast Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prej Presidentit Uillson, në shpëtimin e Shqipërisë nga coptimi, Presidentët Reagan dhe George H. Bush në demokratizmin e Shqipërisë, rrëzimin e komunizmit mbas 45 vjet sundimi të egër, Presidentin Klinton deh ish Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton, George W. Bush në Lirinë, çlirimin, dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe administratën e Presidentit Obama në forcimin e këtyre lidhjeve.

Në fund të këtij takimi kryetari i Komunitetit “Hasan Prishtina” zoti Zymer Kaliçi, tha se : “Qëllimi i këtij takimi në Waterbury,  ishte të mbanim një bised të hapur me dy senatorët e këtij shteti, për të “rrahur”  shumë çështje që kan të bëjnë me komunitetin tonë, në shtetin e Kenektiket – Connecticut, dhe kuptohet që edhe të promovojmë ato lidhjet e mira të komunitetit shqiptarë, sidomos me këta dy senatorë të njohur amerikanë, të cilët janë miqt tanë “.

Ai nënvizojë se ky takim u realizua në bashkëpunim me majorin e qytetit tonë zotin Neil M. O’Leary, dhe u pritë me shumë kënaqësi nga dy senatorët amerikan që përfaqësojnë shtetin e Kenektiket në Senatin amerikan, për tu takuar dhe biseduar mes shqiptarët në Waterbury.

“Natyrishtë, që kjo ishte një kënaqësi e madhe e komunitetit “Hasan Prishtina” në qytetin Waterbury të Connecticut, dhe e të gjithë shqiptarëve në qytet, dhe qytetet e tjera të Kenektiket, të cilët faleminderuan me këtë rast dy senatorët dhe SHBA, për ndihmën e madhe që kan dhënë për Shqipërinë dhe Kosovën, çështjen shqiptare në përgjethësi “, tha kreu i kësaj shoqate zoti Zymer Kaliçi.

Gjatë këtij takimi kryetari i Komunës së Strugës, Dr. Ziadin Sela, faleminderoi dy senatorët amerikanë përfaqësues të këtij shteti në Senatin e SHBA, Richard Blumenthal dhe Chris Murphy për gjithëçka SHBA kanë bërë për shqiptarët.

Ndërsa, në takimin me Kryetarin e Waterburyt Neil O Leary, dhe kryetarin e Komunës së Strugës, Dr. Ziadin Sela, u diskutua në lidhje me mundësitë e intensifikimit të marrëdhënieve, mes Komunës së Strugës dhe qytetit të Waterburyt, sidomos ato në fushën e ekonomisë dhe të kulturës, ndërmjet këtij komuniteti i cili përbëhet më së shumti nga Struganët.

Komunitet ky, i cili shërben si pikë kontakti me autoritet vendore dhe përfaqësuesit të këtij shteti i cili ka dhjetëra mijëra shqiptarë që jetojnë në Kenektiket. Bashkëbiseduesit, duke shfrytëzuar këtë rast, vlerësuan praninë e komunitetit shqiptar në SHBA, si një komunitet i mirë-integruar në shoqërinë amerikane. Më tej, ata propozuan një binjakëzim të qytetit të Strugës dhe Waterburyt.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Beqir Sina, CHRIS MURPHY DHE RICHARD BLUMENTHAL, komuniteti shqiptar, takohet me senatoret

PËRKUJTOHET ME NDERIM ABAZ KUPI NË NEW YORK

January 12, 2014 by dgreca

Nga Dalip Greca/

Të shtunën me 11 Janar në  Kew Gardens, Queens, New York,  anëtarët e Partisë “Lëvizja e Legalitetit”, familja Kupi dhe miqtë e saj, përfaqësues të  shoqatave të komunitetit, si çdo vit, përkujtuan ditëndarjen nga jeta të Gjeneral Abaz Kupit. Veprimtaria përkujtimore nisi me një takim përkujtimor në një nga ndërtesat që ndodhet në  Maple Grove Cemetery, ne Kew Gardens. Salla për shërbime publike ishte e dekoruar me flamurin shqiptar dhe atë amerikan, portretin e heroit të 7 prillit, Gjeneral Abaz Kupi, i rrethuar nga kurora me lule shumëngjyrëshe.

Ndërsa pjesmarrësit takohen me njëri-tjetrin, pijnë kafe apo pije, më tërheq vëmendjen një voglëush, që ledhaton portretin e heroit. Ai është Abaz Kupi i ri,i  lindur në Nju Jork, i biri i djalit të Fatbardh Kupit. Kur i kërkoj vogëlushit që të qëndrojë për një fotografi aty pranë stërgjyshit hero, ai qëndron dhe pozon serioz, ndoshta pa e kuptuar ende se është para heroit antifashist, të cilit i trashëgon emrin. Veçse qëndrimi pranë portretit, përkëdhelja e tij, dhe vetëdija e vendosjes së luleve tek varri, janë shenja se gjyshi Bardhi dhe Gjyshja Liri, si dhe prindërit e tij, ia kanë spjeguar historinë e emrit që mbanë. Kësisoj përcillet historia tek brezat…

Takimin përkujtimor e ka hapur numri dy i Partisë Lëvizja e Legalitetit, dega e Amerikës, z. Ahmet Hoti, i cili u ka uruar mirëseradhjen pjesmarrësve dhe ka falenderuar familjen Kupi. Ai ka ftuar të pranishmit që të përcjellin së bashku Hymnet Kombëtare të Amerikës dhe Hymnin Kombëtar Shqiptar.

Me një minut heshtje është nderuar heroi i 7 prillit, Gjeneral Abaz Kupi. Më pas z. Hoti ka prezantuar folësin e takimit përkujtimor, z. Isuf Kurti.

GJENERAL ABAZ KUPI E KREU ME NDER DETYRËN NDAJ ATDHEUT

Përfaqësuesi i brezitë të ri të legalistëve, z.Isuf  Kurti, evokoi jetën e heroit të 7 prillit 1939, duke u ndalur në momentet kyçe të jetës së tij. Është normale, tha ai, që çdo njeri që e don Atdheun dhe Kombin e vet, bën sakrifica në momentin që i kërkohet, pa pritur urdhër. Kështu dhe  Gjeneral Abaz Kupi e udhëhoqi sulmin kundër pabesisë fashiste në të premten e zezë të 7 prillit, i prirur nga shpirti dhe vetëdija Kombëtare. Si një ushtarak dhe besnik i Mbretit Zog, heroi u gjet në vendin e duhur dhe kohën e duhur.Ai dhe forcat e organizuara prej tij e zmbrapsën ushtrinë Italiane në det për dy herë rresht.

Jeta e Abaz Kupit dhe kontributi i tij lidhen me çaste kulmore të historisë së Shqipërisë. Pas shpalljes së Pavarësisë me 28 nëntor 1912 në Vlorë, e deri në janar të vitit 1920, vendi kaloi çaste të vështira. Direkt pas Kongresit të Lushnjës dhe vendosjes së kontrollit mbi të gjithë territorin nga qeveria e dalë prej Kongresit historik,  për të parën herë në historinë e saj, Shqipëria njihet nga Lidhja e Kombeve. Folësi u ndal në konferencën e Paqes në Paris, ku dihet kontributi madhor i shqiptarëve të Amerikës, konkretisht i Vatrës, që gjeti mbështetje tek Presidenti i atëhershëm amerikan Wilson.

Të gjithë patriotët shqiptarë, duke përfshirë edhe Abaz Agën u angazhuan për t’i dalë zot atdheut në çastet e vështira. Viti 1924 u karakterizua nga një luftë e ashpër politike. Triumfi i Legalitetit i bindi, si Konicën e madh këtu në Amerikën e largët,edhe Abaz Kupin atje në Krujën e Skënderbeut, se ai djaloshi 25 vjeçar i Kongresit të Lushnjës,Ahmet Zogu, e kishte vendosë ta bënte Shqipërinë shtet, tha z. Kurti.

Kështu qeveria e Ahmet Zogut i dha mundësitë reale çdo shqiptari të punonte për Kombin. Abaz Kupi si një udhëheqës popullor dhe ushtarak i respektuar, diti t’i shërbejë Atdheut, si një nga bijtë më të mirë të tij.

Duke u ndalur në aktin më kulmor të jetës së Abaz Kupit, z. Kurti tha: Jehona e qëndresës shqiptare të 7 prillit e mahniti botën. Ai tregoi akte heroizmi në krye të forcave të organizuara nga ai vetë. Por ndeshja me ushtrinë e madhe  qe e pabarabartë. Abaz Kupi largohet përkohesisht nga vendi, familja internohet nga pushtuesit, dhe pasuria i konfiskohet. Kur vendi e kërkoi sërish, ai u kthye nga mërgimi dhe ia nisi luftës kundër pushtuesëve. Ai pranoi që të bashkohej me çdo shqiptar që e urrente fashizmin, pavarësisht nga pikpamjeve ideologjike. Në Pezë është ndër njerëzit kryesorë. Por shpejt do të dukej se komunistët kishin më për zemër sllavët se sa pjesët e Atdheut, siç ishte Kosova. Vjen Mukja e 2 Gushtit 1943 bashkë me përfaqësuesit e Ballit Kombëtar, kërkon Shqipërinë Etnike dhe çështjen e regjimit t’ia linin vullnetit të popullit. Por marrëveshja prishet nga influenca Jugosllave tek komunistët. Forcat e Abaz Kupit bashkë me nacionalistët matjanë e bajraqet e Lurës e Selitës kishin sulmuar garnizonin fashist të Burrelit vetëm dy ditë përpara Mukjes më 31 korrik. Pas prishjes me komunsitët organizon monarkistët dhe brenda dy muajësh krijon Organizatën Kombëtare Lëvizja e Legalitetit. Shumë shpejt lufta kundër pushtuesëve do të kthehet në luftë civile nga komunistët e Abaz Kupi nuk e donte një gjë të tillë, tha z. Kurti në kumtesën e tij përkujtimore.

Vjen fundi i luftës dhe Abaz Aga, duke iu shmangur luftës vëllavrasëse, largohet nga Atdheu duke u bindur se pushtimi komunist po triumfonte. Iku me mendimin për t’u rikthyer sërish duke menduar se aleatët do e ndihmonin, Shqipërinë,  iku për t’i shërbyer vendit të tij duke sakrifikuar një pjesë të familjes. Bardhit, të birit, i  kërkoi besën që  të ishte zot shtëpie e Bardhi e mbajti fjalën; megjithëse komunistët e burgosën për bindjet antikomuniste, e internuan, por ai qëndroi i papërkulur.Familja Kupi u dënua nga të dy diktaturat, nga ajo fashiste dhe diktatura komuniste. Sapo largohet hidhet në veprim në mërgim. Mbreti Zog i përdori të gjitha mundësitë për organizimin dhe bashkimin e emigracionit antikomunist. Krijimi i Komitetit Shqipëria e Lirë nën drejtimin e Mithat Frashërit, ishte një shpresë për çlirim nga diktatura komuniste. Abaz Kupi si kryetar i OKL, dhe një nga drejtuesit e Komitetit Shqipëria e Lirë, përkrahur edhe nga shteti amerikan, nuk pushoi në përpjekje për të përkrahur popullin shqiptar. Jeta e tij ishte një luftë të cilën ia vlen ta kthesh në frymëzim Kombëtar për çdo shqiptar e për çdo kohë. Kanë kaluar thuajse 70 vjet që kur Abaz Kupi e la vendin e tij, që e deshi aq shumë dhe amaneti i tij mbetet aktual: “Shqipëria ka nevojë për ju, kurrë mos e mendoni se detyrimet ndaj vendit i keni shlyer.”

ABAZ KUPI IA ZBARDHI FAQEN SHQIPËRISË

Veprimtaria përkujtimore pati si moto përfundimin e përbashkët se :Abaz Kupi me aktin e tij trimëror në 7 prill ia zbardhi faqen Shqipërisë. Vende të fuqishme të Europës nuk arritën që të zbraznin një pushkë në pushtimet rrufe të nazi-fashizmit.

Zv/ kryetari i Vatrës, z. Asllan Bushati, ishte i pari nga përfaqësuesit e komunitetit që përshëndeti pjesmarrësit, organizatorët dhe familjen Kupi.Ai tha se Gjenerali Abaz Kupi është figurë qëndrore në historinë e Shqipërisë, veçanërisht gjatë luftës së dytë Botërore. Ai analizoi figurën e Abaz Kupit, si udhëheqës i luftës për liri. Bashkëpunimi i tij me nacionalistët e tjerë dhe Frontin, pjesmarrja në Konferencës së Pezës, tregon vizionin e tij të qartë kombëtar. Distancimi nga fronti pas Konferencës së Mukjes, e qartëson akoma më shumë vizionin e tij Kombëtar. Për z. Bushati, reputacioni ushtarak i Abaz Kupit duhet të tërheqë vëmendjen e studiuesëve. Më pas ai trajtoi lidhjet e Abaz Kupit me Vatrën, të cilën vetë heroi e konsideronte –Vatër Kombëtare. Z. Bushati i ftojë legalistët e rinj, ashtu si të vjetrit t’i bashkëngjiten Vatrës, si një organizatë e sprovuar kombëtare, që ka më shumë se një shekull aktivitet e qëndresë kombëtare.

Më pas kanë shprehur opinionet dhe konsideratat e tyre rreth figures dhe kontributit të Abaz Kupit; Sali Bollati, përfaqësues i Shoqatës Çamëria, veprimtaret Merita Shkupi dhe Mimoza Dajçi, Adem Saliui si dhe editori i Diellit, Dalip Greca.

Në emër të familjes Kupi, përshëndeti nipi i Abaz Kupit, djali Fatbardh Kupit, Sokol Kupi, i cili falenderoi pjesmarrësit që patën mundësi të bëheshin pjesë e përkujtimit dhe nderimit të gjyshit të tij, Gjeneralit Abaz Kupi në këtë përvjetor të 38 të vdekjes.

 

GJANA: PËRKUJTIMI I ABAZ KUPIT MERR DIMENSION TË RI

Për këtë veprimtari përkujtimore, Kryetari i Partisë së Lëvizjes së Legalitetit,  z. Sulejman Gjana, kishte dërguar një mesazh që u duartrokit nga pjesmarrësit. Ja teksti i mesazhit:

Inderuar  Kryetar i degës PLL në ShBA, z. Hakik Mena

E nderuar familja Kupi

Ndjej keqardhje të madhe që nuk mund të jemë sot i pranishëm në mesin tuaj në ceremoninë përkujtimore të 38-vjetorit të vdekjes së heroit të rezistencës së 7 prillit 1939 dhe figurës së shkëlqyer të patriozmit shqiptar, Gjeneral Abaz Kupit. Njëherazi, ju falenderoj për ftesën tuaj, por angazhimet dhe axhenda jonë e ngarkuar në Tiranë në këtë fillim viti dhe pas Kuvendit tonë të XVIII nuk na lejuan që të jemi fizikisht në mesin tuaj, ndonëse zemra dhe mendimet tona janë gjithnjë pranë jush sidomos në këto moment që përkujtojmë humbjen e udhëheqësit historik të gjithë legalistëve dhe nacionalistëve shqiptar.

Tradita që ju keni ndjekë ndër vite duke organizuar një ceremoni tek varri i Gjeneral Abaz Kupit ju lartëson dhe është një shembull për të gjithë, aq më tepër në kushtet aktuale, kur në Shqipëri sundojnë ata që shtrembëruan historinë tonë Kombëtare. Planet e tyre të fundit për të përkujtuar sivjet 70 vjetorin e të ashtuquajturit çlirim të vendit dëshmojnë se qeveritarët aktual nuk janë shkëputur nga mentaliteti dhe praktikat sllavo-komuniste që shkaktuan një luftë civile gjatë Luftës së Dytë Botërore, e cila kishte për qëllim eliminimin e patriotëve shqiptar dhe që rezultoi në pushtimin e Shqipërisë nga diktatura më e egër dhe ideologjia komuniste.

Në këto kushte, përkujtimi i jetës dhe veprës së Gjeneral Abaz Kupit merr një dimension krejtsisht të veçantë e që na nderon pa masë, sepse u përket djemve dhe vajzave të atyre që ndërtuan shtetin shqiptar dhe e mbrojtën pavarësinë dhe nderin e Shqiptarëve që të tregojnë të vërtetën historike dhe të  mbrojnë vlerat morale, politike dhe Kombëtare për të cilat dhanë jetën mijëra dhe mijëra Shqiptarë.

Nëse ne do të dimë të ndjekim shembullin e Gjeneral Abaz Kupit dhe të patriotëve të tjerë me në krye mbretin Zog, besoj se do të kemi bërë detyrën tonë ndaj Atdheut dhe Kombit dhe do të kontribuojmë që brezat e ardhshëm të gëzojnë një Shqipëri të lirë, të sigurtë, të zhvilluar dhe të bashkuar,-atë Shqipëri për të cilën lindi dhe jetoi Gjeneral Abaz Kupi.

I paharrueshëm qoftë kujtiumi i Tij!

HOMAZHET E PËRVITSHME NDEROJNË HEROIN E 7 PRILLIT

Ka 38 vjetë që në Varrezat në Kew Gardens në Queens, New York, legalistët, familja Kupi dhe komuniteti shqiptar në New York, organizojnë homazhe në kujtim  dhe në nderim të aktit burrëror të atij, që i zbardhi faqen Shqipërisë, Abaz Kupit.

Kështu ndodhi edhe këtë herë. Pas tubimit përkujtimor pjesmarrësit shkuan tek varri i heroit dhe zhvilluan homazhe. Abazi i

vogël mban një lule simbolike dhe e vendos tek mermeri, ku është gdhendur emri i stërgjyshit. Kështu dhe familja, dhe të afërmit, legalistët, miqtë.

Pak fjalë, i thotë për heroin, legalisti dhe vatrani i kahershwm, Ndrec Gjergji, një nga të paktët, që e kanë jetuar atë ditë të përcjelljes së Abaz Agës, 38 vite të shkuara.

Sokol Kupi, sërish i falenderon ata që patën mirësinë të bëjnë homazhe tek varri i Abaz Kupit dhe ndanë me familjen Kupi këtë ditë përkujtimore. Fotografitë pranë varrit i japin fund ceremonisë.

Filed Under: Komunitet Tagged With: dalip greca, Homazhe per Abaz Kupin, ne ditendarjen, ne New York, nga jeta

PËRSE U SHUA NJË YLL

January 12, 2014 by dgreca

Tregim nga Vjollca PASKU/

Diell i ftohtë. Dimri dukej sikur derdhte mbi tokë gjithë frymën e akullt, duke përgjuar si gardian se mos dielli lëshonte ndonjë rreze të ngrohtë. Pemët mbuloheshin nga një cipëz akulli, si shpirtrat e ftohtë që vëzhgojnë botën tokësore. Në orët e drekës akulli shkrihej dhe pikonte si pikëza loti. Ky i ftohtë nuk mbahej mend, në Tiranë. Mimoza, një grua e martuar rreth të tridhjetepesave, me flokë të gjatë, dhe sy, ku i dallohej qartë vështrimi i lumtur, mbasi mbaroi orët e mësimit, mori nga kopshti vajzën pesëvjeçare dhe u drejtua nga shkolla, të merrte djalin shtatëvjeçar me makinën e saj. Ajo kishte mbaruar artet e bukura dhe jepte pikturë në liceun Artistik të Tiranës. Pas drekës, të dy fëmijët i vendoste në regjimin e gjumit. Në këtë orë kthehej bashkëshorti nga puna. Të dy ishin njohur në fakultet, gjatë studimeve të larta, ajo në pikturë, ai në fakultetin e ekonomisë. U dashuruan dhe së bashku ndërtuan ëndrrat fluturuese. Flatruan në diell dhe në hënë, në të gjithë universin e njohjes së. Melodia e dashurisë ishte bërë monopol i dy shpirtrave të tyre, që pasi u zbulua, ishte ruajtur si thesar i fshehur, në sferën e dritës magjike që gjeneronte lumturi dhe paqe. Qielli iu fali atyre dhe cicërimat e dy zogjve. Pas drekimit, vendprehja e tyre ishte në krevatin me jorgan trëndafili në dhomën e gjumit. Ballkon-porta me xhamari të madhe, me perdet gjysmë të hapura enkas, në mënyrë që drita të lundronte në të gjithë dhomën, ndriçonte çdo grimcë ajri në atë dhomë. Por ndriçimin më të madh ua jepnin dy shpirtrat e dashuruar. Megjithëse kishin dhjetë vjet martuar, dashuria e tyre kishte ende ëmbëlsinë e mjaltit, të kulluar nga zemrat. Në katin e dymbëdhjetë të apartamentit,vetëm dielli e hëna mund të shihte pasionin e ëmbël në shtrëngimin e duarve dhe puthitjen e trupave të tyre. Buzëqeshja e Mimozës ishte një diell i vogël, që me rrezet vezulluese ngrohnin gjoksin e tij. Eltjoni e pa me vështrim ngazëllues të dëshirës, të jetë në qenësinë e brendisë saj. Në platformën e dashurisë çdo çast i kthyer në ar lindte një pigment puthje. Ai rrëshqet ngadalë dorën përmbi lëkurën e butë duke e përkëdhelur si një lule të brishtë. Flokët e saj kishin rënë si ujëvarë në supet e zhveshura. Dëshira për t’i shijuar botët në një prekje, të gjithë qiejve, të gjitha ngjyrave brenda pak çasteve, flakëroi sytë e ndezur të tij. Të dy filluan eksplorimin e njëri-tjetrit sikur të ishte hera e parë. Por papritur, një kërcitje e fortë trembi dy zemrat që kishin nisur fluturimin e tyre në qiellin e ëmbël të dashurisë. Gjaku u ngriu ndër damarë…Në xhamarinë e madhe, nga një pikëz në qendër, krisja u radhit në formë disqesh në të gjithë hapësirën, sikur të ishin bërë me një diamant prerës. Ajri u ngjyros me vorbulla gri, sikur hijet të gllabëronin dritën. Ftohtësia tkurri gjithë ngrohtësinë e ndezur. Fitilat e kënaqësisë u fikën s’i prej një qenie misterioze. Të dy ngrinë për një çast, u mpinë dhe nuk mund të flisnin… Fëmijët u zgjuan të lebetitur dhe britma e tyre i solli në vete. U veshën me të shpejtë, dhe Eltjoni shkoi në dhomën e fëmijëve t’i qetësonte… Edlira piu shpejtë një gotë ujë, t’i qetësoheshin rrahjet e trembura të zemrës. -Si ka mundësi të thyhet xhami në këtë mënyrë?- pyeti ajo të shoqin.- U tremba aq shumë sa m’u duk sikur m’u nda shpirti më dysh….jashtë ka diell, ndërsa këtu akoma ka errësirë… -Jo e dashur të duket ty, ngaqë na erdhi papritur ajo zhurmë e madhe ….por ndoshta xhamave u erdhi data e skadimit,- bëri shaka Eltjoni – nesër do sjell ustanë të zëvendësojmë xhamat… Mimoza nuk qetësohej dot. I dukej sikur nuk ngopej dot me ajër. Ajo masë e madhe e errët ajri ushtronte presion mbi atmosferën, dhe presion brenda shpirtit.. Hapi me kujdes një portë te xhamaria e krisur dhe la ajrin të hynte brenda. Një parandjenjë e keqe i mbërtheu shpirtin. U ngrit dhe iku nga dhoma të vazhdonte punët e pasdites. “Ndoshta është frika ime, s’e do ndodhë diçka e keqe që krijon errësirë dhe ftohtësi”, mendoi Edlira. U mundua gjithë pasditen, të vijonte punët e zakonshme, të ndihmonte djalin në përgatitjen e mësimeve, por parandjenja e keqe i kishte zaptuar gjithë shpirtin. Mëngjesi tjetër gdhiu me shi. Pikat e vogla këputeshin nga barku i qiellit, duke rënë të kulluara pa asnjë element papastërtie. Binin butë, shtruar sikur diçka i pëshpëritnin tokës, nën një ritëm monoton. Mimoza u ngrit pa qejf. Duhej të bënte gati fëmijët, dhe të shkonte në punë. Eltjoni duhet të shkonte në Vlorë për një shërbim pune. Të dy morën drejtime të ndryshme. Mimoza mori dy ombrellat e vogla të fëmijëve dhe të sajën, ndërsa Eltoni makinën. -Ki kujdes rrugës, – i tha ajo duke e puthur. -Mos ki merak, takohemi në drekë!- ia ktheu ai duke ecur me pezhonë gri ku dukej si një re qielli që po ecte në rrugën e tokës. Teksa po dëgjonte të rejat e ditës në kasetofonin e makinës, hunda iu ça për cigare. Ndaloi në një kinkaleri rrugës, mori paketën dhe vazhdoi rrugën, duke harruar vënien e rripit të sigurimit… Për një moment uli vështrimin për të marrë çakmakun, të ndizte cigaren. Në këtë kohë shikoi me hijen e syrit, një re të zezë në formën e një makine që po vinte me shpejtësi përballë tij. Kthen timonin t’i hapte rrugën, por nuk arriti…. Makina u dynd përmbi të, si merimanga e një bombe gjigante. Gjithë qielli dhe toka humbën për pak sekonda. Përplasja e furishme oshtiu, nga britmat e makinave dhe toka u ndez nga gjuhët e flakëve të zeza…Policia u lajmërua nga kalimtarët e rastit dhe ata brofën aty shpejt. U mbajt procesverbali i zakonshëm dhe nëpërmjet targave u gjet se kujt i përkisnin makinat. Trupat në dy makinat ishin djegur dhe zor s’e njiheshin… Mimoza ishte në orën e pestë, kur e lajmëruan, se kishte ndodhur një aksident me dëmtime të lehta në rrugën pranë qytetit të Kavajës. Ajo lajmëroi mamanë e saj të merrte fëmijët, dhe u nis me taksi në drejtim të Kavajës. Shpresonte të mos ishte i shoqi, por dikush tjetër, por edhe në rastin më të keq, dëmtimet mund të ishin të lehta. Shpirti i saj mbante peshën e qiellit të gurëzuar. “Pse?” e mbyste mendimi. Trupi i elektrizuar prej makthit, i dridhej lehtë. Kur arriti në vendngjarje, ndjeu se era e djegur mbyste ajrin përreth. Sfera magjike e dashurisë në sytë e saj, fiku dritën, si me krifën e kuajve të fatit të zi. Një gjysmë skelet i nxirë ishte në ndenjësen e shoferit, në atë grumbull metalesh të mbetura pas aksidentit. Forma e vagullt e vdekjes kishte lënë vulën e hirit. Dashuria ishte shndërruar në hi. Zëri, fjalët, ndjenjat, çdo gjë ishin shkrumbuar. S’mund të nxirrte britma të lirohej, por qante thellë, brenda shpirtit. Ajo fytyrë e ëmbël me dy sytë si shqiponjë, flokët e zinj të shkurtër, buza që pëshpëriste me nojma “ditto” ishin shuar. Nga sytë e Mimozës rrëshqitën lot të djegur. Shpresa e saj ishte bëre hi. Në përhumbjen e botës, atje ku shiu i pafuqishëm nuk mund ta shuante zjarrin e ndezur flakë, pa vetveten të digjej. Nuk kishte më asgjë në këtë botë, t’i kthente mbrapsht dashurinë. Tmerri, djegia, dhe parafytyrimi i skenës së përplasjes, i rrotulloheshin në kokë. Mallkonte flakën, zjarrin që përpinë njeriun e shtrenjte të zemrën së saj. “Duhej ta kisha kuptuar që dje pasdite, se po më vinte mortja, nuk duhet ta kisha lënë të shkonte me makinë’’… Bota iu rrotullua si fugë. Nuk dëgjonte asgjë. Në imazhin e syve të saj, ishte fiksuar vetëm tym i zi. Ndoshta mortja e zezë udhëtoi bashkë me të. Bota, qielli, toka, u mbyllën brenda bebëzave të syrit… Kur hapi sytë ishte në dhomën e gjumit, atje me xhamin e krisur. ”Oh sa kam fjetur, ç’farë makthi, por ora sa do jetë?…Toni duhet te jetë ngritur më herët.” Ajo donte me shpirt ta zhdukte realitetin, ndoshta gjithçka që kishte parë nuk ishte e vërtetë. Në pikturën e madhe të tek e cila kishte pikturuar një pemë të madhe mimoze me dy zemra të bashkuara, pa hijen e një fjongoje të zezë. Peneli i saj ndërmjet vetëdijes dhe pavetëdijes, ishte futur deri në rrënjën e errësirës, atje ku farëzat prisnin dritën të shpërthenin. Tani pema digjej nga zjarri dhe mimozat e verdha nxironin. Ato shkriheshin në fjollë boje dhe formonin tymin e fjongos. Reflekset e syve dizenjonin vetëm tmerre. Katet e ndjenjës zbrisnin shkallëve të zjarrit. “Pse, pse, duhej të ndodhte?”… Tingujt e vajtimit funebër i rrëshqisnin nëpërmjet syve të lagësht. E zhytur plotësisht në ferrin e depresionit, ajo nuk shikonte asnjë cep drite, përveç tymit. Dëgjonte zhurma, zëra, shpërthime… Dy motrat dhe vëllai i rrinin pranë, por ajo s’ishte në gjendje t’i dallonte. Kishte kaluar dy ditë në këtë gjendje depresive. Sytë ishin zbrazur dhe ishin zvarritur, fytyra po humbiste jetën. Zërat njerëzor i dukeshin pa kuptim, çastet orë të vdekura… Sa donte të ikte, atje në thellësinë pa jetë të nëntokës…”O Zot merrmë edhe mua, nuk mund të duroj dot këtë dhimbje”, ulërinte shpirti i saj. Zë nuk kishte, dhe as buzët nuk mund t’i lëvizte. Të afërmit që i rrinin pranë, kuptonin luftën e heshtur në brendësi të shpirtit të saj. Teksa qëndronte shtrirë, ndërmjet gjumit dhe zgjimit, befas gjithçka vezulloi grimca të bardha drite. Ajri u vesh me petkun më të bukur, dhe një engjëll i bardhë iu afrua pranë krevatit të saj. Zëri i tij lëvizte në zanoret e dritës, për një moment ajri u bë me gojë dhe mori formën e Etjonit, nën fluturat e bardha vezulluese. As ditën e dasmës me kostumin e bardhë, nuk ishte kaq i bukur sa në atë çast. Fytyra e tij ishte si një mëndafsh i butë dhe në sytë e tij ishte mbledhur gjithë dashuria e kësaj bote, përzier me dhembshurinë. Zëri i tij ishte si të valëzohej butësisht dhe shpërndante shërim e qetësi. Tingulli ishte i ngrohtë dhe përzinte vuajtjen. Bukuri, madhështi, shkëlqim kishte në qenien e tij. Ai gjithë jetën e tij ia kishte kushtuar familjes, profesionit dhe organizatës “Në ndihmë të të varfërve”.
-Ditto,- e dashur, – tha engjëlli.
– Oh, unë e dija që ishte një ëndërr e keqe, – i thotë ajo gjysmë e vetëdijshme.
– Ti e di që është e vërtetë,- shtoi ai.
-Mos më thuaj që jam në një ëndërr të sëmurë që do zgjasë gjithë jetën time. Zemrës time iu hoqën pjesët e saj. Dua të të kem pranë, të të shtrëngoj, dua të mbështet kokën time në kraharorin tënd… Zgjat duart në anën tënde të krevatit, por ai është bosh. Të thërras, por nuk përgjigjesh. Qielli, toka gjithçka m’u shuan… Dielli u hodh në erë, dhe jeta ime pushoi në momentin e shpërthimit. Vdekja ma vodhi dashurinë…
-Jo e dashur, të dukem pa jetë… a nuk ndjen se nga dy sytë e tu që rrjedhin, një lot është i imi, një rrahje e zemrës tënde është e imja, gjysma e dhimbjes tënde është imja. Unë do jem muri mbrojtës kundër erërave dhe stuhive të jetës. Sa herë do ndiesh të ftohtë, do këpus rrezet e diellit të ngrohesh, dhe sa herë do ndiesh të nxehtë, do marr freskun e hënës të freskohesh. Dielli shkëlqen i dashuruar me jetën njerëzore. Hëna ndrin, të mposhtë errësirën e natës, dita lind e bardhë me gjallëri të rrisë engjëjt e tokës, dhe t’i sprovojë me mësimet këtu, t’u rriten krahët për në qiell. Eja e dashur, çohu, në çdo agim do çeli drita dhe ndoshta në orët e saj do fishket një zambak, por kjo nuk do te thotë se jeta mbaroi me kaq. Të tjerë zambak do lindin…
-Atëherë përse ndodhin këto ngjarje të dëshpëruara?, thotë ajo.
– Nuk ka pyetje përse…. -A mund të pyes pse shuhet një yll?
-Nuk e di!, tha ajo.
-Sepse mbaron limfa e kuqe jetësore dhe hidrogjeni i shpirtit digjet e shndërrohet ne një yll të bardhë, diçka e ngjashme është edhe me jetën. -Domethënë jeta është një vazhdimësi? -tha ajo.
-Një vazhdimësi në lirinë e qiellit e dashur…
Ai u përul dhe e puthi me një puthje qiellore. E gjithë bardhësia u fashit dhe dhoma u kthjellua. Nga sytë e saj rrodhën lotë. Një lot i vezullonte. “Nuk di se si, por unë e ndjej praninë e tij” mendoi Mimoza. Dobësia dhe vuajtja mërguan ekspres nga qenia e saj. Qetësia dhe paqja iu rikthyen. Ajo ndje sikur i gjithë trupi iu përtëri. Fytyra i ndriçonte, sikur të kishte marrë shkëlqim engjëjsh. Brenda qenies së saj ndodhej engjëlli. U ngrit për të vazhduar jetën atje ku kishte mbetur. Zemra e Mimozës kishte brenda qiellin, ndaj ajo e shikonte diellin në formën e zemrës… U ngrit marramenthi dhe shkoi puthi fëmijët me mall të patreguar…

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: nje Yll, perse u shua, Vjollca Pasku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • …
  • 74
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT