• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2014

SHAQIR FONIQI – ORAKULLI I RITA ORËS

January 7, 2014 by dgreca

Kosova është pjelloria e dasmës me flamur! (Ismail Kadare)/

Shkruan: Xhemail Peci/

         “Në pemën e madhe të dijeve të njeriut mbi botën dhe jetën, estetika është një nga degët më të lashta…Përceptimi i bukurisë estetike shkakton nje kënaqësi shpirtërore të veçantë, kënaqësi estetike…Gazetari duhet të ketë frymëzim deri në hyjnizim…GAZETARINË NUK E DUA. E DASHUROJ!” (Shaqir Foniqi)

Në një nga poezitë e tij më të bukura, të titulluar Kur u largova nga shokët në mëngjes, Xhon Kits ka shkruar:

Ma jep penën e artë, më nuk mund të pres,

Të shtrihem mbi lule, atje tek është pylli,

Ma jep një letër më t’bardhë se ylli-

Ose dorën e engjëllit në mëngjes,

T’i bie harfës së argjendtë dhe qiejve në mes.

Edgar Alan Poe në vjershën Anabel Le, shkruante:

Shpirtin tim s’mund ta shqitni nga shpirti

I së bukurës Anabel Le.

Dhe çdo yll që shkëlqen, sytë e ëmbël rrëfen

Të së bukurës Anabel Le.

Në një poezi tjetër, Poe ka skalitur në skofi fjalësh portretin e një vazje: Vajzës s’hollë dhe rrëzor, që i thonë engjëjt: Leonorë!

Rene Shatobriani, apo siç është quajtur me epitetin Demon i Zemrave, duke kundruar peisazhin e bukur të natyrës, shkruante: “Një ditë po zbavtitesha duke këputur fletët nga dega dhe duke i hedhur një nga një në ujë. Secilës gjethe i kam dhënë nga një mendim, secilës gjethe të cilën e barte vala e lumit. Kam dashur të jem bashkudhëtar me to, kam dashur të jem në sipërfaqen e fletëve, në krahët e zogjve…”

Në po të njëjtat përmasa, poeti i ndjenjës së hollë dhe gazetari i fjalës së latuar e të mendimit të thukët, është frymëzuar dhe frymëzohet dita-ditës, për t’i vargëzuar “VAJZËS S’HOLLË DHE RRËZOR, QË I THONË ENGJËJT”: RITA ORË!

 

Poetët janë frymëzuar dhe frymëzohen në mënyra dhe në përmasa të ndryshme, duke shprehur nëpërmjet fuqisë së fjalës së tyre vizionin e tyre estetik, duke shpalosur konceptin e tyre artistik për botën imagjinare të artit e cila i frymëzon, si dhe për botën reale e cila i rrethon:

J. Sajfert theksonte se “kujtimet kanë rrugë të femrave” (poezia Gjurmët e gishtave), kurse eseisti dhe shkrimtari i shquar italian Umberto Eko, në një shkrim për Borhesin (Borges-i dhe ankthi im nga ndikimet) e quante ate pararendës të Kafkës dhe vinte në pah se: “Ajo që mbetet përgjithmonë e Borghes-it është aftësia e tij për t’i përdorur thërmijat më të imta të enciklopedisë për të krijuar muzikën e ideve. Unë kam provuar ta imitoj atë (edhe pse idenë për muzikën e ideve e pata marrë prej Joyc-it. Çfarë mund të them? Se përballë melodive të Borgesit, aq të afërta dhe aq lehtë të këndueshme (edhe kur janë a-tonike), të mbetura aq gjatë në kujtesë, si shembuj të veçantë, më bëhet sikur ai përjetësisht t’i kishte rënë pianos dhe unë t’i kem fryrë një okarine.”

Horhe Luis Borges, ndërkaq në Ulrika komentonte poezinë e Blejkut: “Një poezi e Uiliem Blejkut flet për vasha të buta si argjendi dhe skofiare si ari, kurse në Ulrikën kishte butësi dhe skofi. Kishte një shtat të hedhur, të gjatë, ca vija të rrepta të fytyrës dhe sy të surmë. Më tepër se fytyra më interesonte heshtja e saj e mistershme!”

Borhes, për të cilin një gazetar amerikan është shprehur se arti është ajo që pa Borhesi kur u verbua, tek Ulrika theksonte se: “Mrekullia me të drejtë vë kushte!” E për Maria Kadomna-n shprehej se me zërin e saj, ajo e botn e shndërronte në bukuri.

Poeti amerikan Alan Ginsberg, në eseun e tij tepër domethënës dhe po aq analitik: Poezia, dhuna dhe delet e trembura, vinte në pah:

“Poezia është shënim mbi venerimet individuale në shpirtin e fshehtë të individit, e meqenëse të gjithë individët e bëjnë Njeriun në sytë e Krijuesit, atëherë ajo është edhe shënim mbi venerimet në shiritin e Botës. Bota ka shpirt.”

 

Kurse, duke komentuar në shënimet e tij për Ulurimën, shkruante: “Një fjalë rreth politikanëve: poezia ime është një Ekstazë Engjëllore dhe nuk ka kurrfarë lidhjeje me tmerret e marra materialiste se kush mbi kë duhet të qëllojë. Misteret e imagjinatës individuale, trans-koncpetuale dhe jo-verbale, mendoj në Frymën Absolute, nuk i shiten kësaj vetëdije, nuk janë të dobishme për këtë botë, pos që mund ta detyrojnë për ta mbyllur grackën e vet dhe të dëgjojnë muzikën e sferave. Kush e mohon muzikën e sferave, e mohon edhe poezinë, e mohon njeriun dhe pështyn në Blejkun, Shellin, Krishtin dhe Budën. Në ndërkohë dëfreni. Universi është një lule e re. Amerikën do ta zbulojnë. Kush dëshiron luftë kundër trëndafilave, do ta gjejë. Fati është rrenacak i madh, ndërsa Krijuesi gazmor vallëzon mbi trupin e vet atje në Amshim.”

Në frymëzimin që për thelb ka përjetësimin, Shaqir Foniqi e admiron dhe e nderon, e lartëson por edhe e hyjnizon yllin e qiellit të muzikës, si një dhunti por edhe si një përsosmëri gjithë bardhësi, gjithë butësi, gjithë ëmbëlsi, gjithë hijeshi, gjithë skofi, gjithë madhështi.

Zemër-klithjet poetike se “bota ka shpirt”, se “Universi është një lule e re”, dhe se “Krijuesi gazmor vallëzon mbi trupin e vet atje në Amshim”, mishërohen tek një emër që jo vetëm Shaqir Foniqi e ka fort për zemër, pra tek: Rita Ora.

Rita Ora në vargjet e një poeti dhe në soditjet e tij, është mu si vashat e vargjeve të Uilliam Blejkut, në venerimet e Borhesit: e butë si argjendi dhe skofiare si ari.

Pra, Rita Ora është përplot butësi dhe skofi.

Një shpirt i lirë është një shpirt artisti

Shaqir Foniqi e ka projektuar përkushtimin e tij për artin dhe kulturën si në një përpjekje për një përmbledhje të majave, duke dashur që ta kompletojë kështu nismën për emrat më të nderuar të kulturës sonë: Aleksandër Moisiu, Bekim Fehmiu, Nexhmije Pagarusha, Gjelosh Gjokaj.

Gjakimi i tij për ta përmbyllur në analogji ciklin lasgushian të valles së yjeve, pa dyshim se kulmin e arrinë me këngëtaren Rita Ora, të cilës ia ka falur një prej epiteteve më poetike, një prej epiteteve më estetike (ku përfshihet e bukura dhe e madhërishmja), gjithsesi një prerj epiteteve më artistike: E PËRNDRITURA.

Dhe e Përndritura është RITA.

Duke u ndodhur në mes të epitetit nga më të rrallët, por edhe nga më të lartët: E PËRNDRITURA, si dhe në mes të emrit që në vete bartë lenta ylberi e rreze dielli kur zbardhë e agimit drita: RITA, poeti, krijuesi e gazetari, shijuesi i të bukurës dhe të madhërishmes, i të hijshmes dhe i artistikes, pa dyshim se qëndron përherë i frymëzuar: në mes të asaj që e ka thënë Borhesi për poezinë e Uillima Blejkut, dhe të mendimit që Borhesi ka shfaqur me një shije aq të hollë për Maria Kadomën.

Ka ndodhur rrallë, jashtëzakonisht rrallë që një meteor në qiellin kulturor, në këtë rast një Rita Orë, të ketë për çdo ditë, për çdo mëngjes një dorë që si kronikë kohe ka shprehur gjithë admirimin për të, ka shafqur gjithë nderimin për të, ka skalitur gjithë ato epitete për lartësimin e denjë të cilit doemos: mrekullia i vë kushte!

Shaqir Fonqi është poeti që prej kohësh është vënë në kërkim të një Dielli. Diell me Diell, Diell në Janar, Porta e Diellit, Diell në Shuplakë. Këto janë katër përmbledhjet e tij poetike të cilat në titujt e tyre kanë Diellin në thelpinjtë e hollë të zemrës krijuese, sepse me Diellin poetët e tokës bujare të gjakut, shpesh e kanë pagëzuar kohën, shpesh kanë shpalosur Rreze Dielli (një prej përmbledhjeve më të bukura poetike të Asdrenit, por edhe të lirikës shqipe), duke i folur kështu ardhmërisë sonë.

Dielli kështu bëhet dalëngadalë metafora me merin Rita Ora. Rita është ajo që e kanë thënë latinët e moçëm: çka ka në emër, ka edhe në zemër. Rita është si një kurorë e përkryer sonetesh me rima të bardha. Rita, ashtu siç ka vërejtur haqir Foniqi në librin e tij për Rita Orën, është një parashikim i rrallë të cilin e ka lënë si një testament kohe regjisori Besim Sahatçiu.

Nuk ka dyshim se ajo është një zbulim i rrallë, por edhe një frymëzim nga më të veçantët kundruall të cilit Shaqir Foniqi nuk mund të rrijë kurrë indiferent.

Ai u gëzohet sukseseve të saj, ai u kënaqet arritjeve të saj, ai u falet sukseseve të saj.

 

Fjala është Fryma e Shpirtit të Tij

 

Njeri me shpirt të lirë që e laton fjalën si shprehje të frymëzimit dhe të përkushtimit të tij artistik, por në mënyrë të veçantë njeri që u gëzohet talenteve të reja, prirjeve të reja, dhuntive të reja, zbulimeve të reja të artit dhe të kulturës sonë kombëtare, Shaqir Foniqi është treguar gjithmonë i gatshëm për t’i afirmuar ato, për t’i përkrahur ato, por edhe për t’i inkurajuar ato.

Fjala në lirikën e lartësimit të Rita Orës, është bërë kështu shpalimi më subtil i një shpirti të ndieshëm që hyjësisht e hyjëson ate që e admiron: sa për zërin e saj, po aq edhe për suksesin e saj.

Pagëzimi i vetmisë në zemër të natës, shpesh nuk mund të jetë tjetër veçse frymëzim nga më të rrallët ku bota e artit rri sot e mot në mes të njeriut dhe Perëndisë – si një ndërmjetësim nga më të veçantët, sepse siç e ka thënë Gëte: pavdekësia arrihet vetëm përmes artit.

Kishte të drejtë pra L. Venturni kur thoshte se çdo artist lë shpirtin e vet në veprën që krijon, thënie që sikur e kërkon gjenezën në gjurmë të asaj që shkruan Libri i Shenjtë: Dhe nuk do të kesh askë pranë, veç veprave tua!

I vetëdijshëm se frymëzimi është ndoshta bekimi më i veçantë, Shaqir Foniqi i është falur misionit të tij tepër fisnik, në të cilin gjithsesi, fjala është fryma e shpirtit të tij – ashtu siç është në ligjërimin e tij të hollë lirik edhe Rita Ora: “Lulja e kopshtit botëror të artit sipëror.”

Shaqir Foniqi është poet që nuk kursehet për asnjë epitet, por edhe është edhe shijuesi i të bukurës, si dhe vlerësuesi bujar i saj:“Jam i gatshëm për të besuar se femrat janë më pak të prirura për t’u korruptuar. Nisur nga ky besim, kërkoj që ato të kenë më shumë hapësirë për veprim. Pushteti i femrave është pushteti i zemrave; Engjëlli ynë, Rita Ora, është vetë kurora e Lavdisë sonë, sot dhe (për) gjithmonë! E meriton shlodhjen, pas lodhjes artistike, nëpër vite. Diva jonë Rita, duket se edhe Detit të Dubajit, i jep më shumë shkëlqim, më shumë drita! Gëzuar, Happy! (31 dhjetor 2012); Një përqafim artistik, para ardhjes së Ritës (Rritës sonë) në Kosovë, në Nëntorin e Pavarësisë së Shqipërisë! Superstar, yje të vërtetë, secila në mënyrën e vet! E artë. The Golden. God Bless, RITA! Eagle of Kosova; Lulja e kopshtit botëror të artit sipëror! The Flower of the World! Kartolinë njoftimi. Miq të mi, sikurse edhe mund të keni pritur, më në fund, me pak mund, por me shumë dashuri, përkushtim, admirim dhe adhurim, ka dalur në dritë, Albumi im artistik, E Përndritura Rita. Mendoj, se kësisoj, kam përmbushur një obligim professional, shpirtëror dhe moral…

LULJA E BUKUR E BOTËS ARTISTIKE. THE BEST FLOWER OF THE WORLD; PRIMADONA! DIVA, MBRETËRESHA, HYJNESHA, THE QUEEN; Dy Divat e skenës botërore, Kejt Apton dhe Rita Ora (jonë)! Çështja artistike, plot rrezatim dhe dritë, e quajtur, Ritë! Shikim artistic. Beauty! SUPER YLLI YNË QË PO E BËN MREKULLINË. AJO PO E SHKRUAN HISTORINË! RITA E KA DHUNTINË DHE FUQINË QË TË PREK GJITHËSINË. PËRPARA (E PARA)! GO, FIRST RITA, SUPERSTAR IN AWARDS! Kjo fotografi ka shumë histori, mesazh, bukuri, madhështi dhe Atdhedashuri! Tiranë, 2012! Rita vazhdon të rrezatojë dhe të admirojë! Rita: Hey love you all! Fans always in my heart; KULMINACIONI (PËRJETIMI) I ARTIT! GOLD AND DIAMANTS! Më 28 dhjetor 2013: Personalitetja shqiptare e Vitit 2013. Lutem dhe besoj se kështu, përherë do të jetë! Best wishes and good luck in 2014! Rita, faleminderit që ekziston. Rita, thank you for exist! Shaqa, sinqerisht. Sincerely! Rita Ora, me 27 dhjetor 2013: Respekt! Dhe Falimnderim Shaqir Foniqit. ME 2014 DHE PËRJETË, UROJ QË RITA, TË ARRIJË SUKSESE PLANETARE, E TË JETË PËRHERË KRENARE, RRUGA E SAJ (ASRTISTIKE), LE TË JETË YJORE DHE QIELLORE, SIKUR PRORE. BEST WISHES, AND BEAUTIFUL LUCK! …”

Trekëndëshi i Bermudeve dhe Tri Ikonat e Lagjes Dardania

 

Ulliam Xheferson Bill Klinton

Në librin e tij që është një manifest gazetarie: Teori dhe Praktikë Gazetarie (botuar nga Rugova Art 2012), Shaqir Foniqi duke shkruar për presidentin Bill Klinton, ka vënë në një sfond krejtësisht të merituar fjalët kuptimplote të Gjeniut të Paqes: “Ne kemi fituar luftën, kurse ju duhet ta fitoni paqen”, sikur ishte mesazhi më i madh për shqiptarët, i dalë nga goja e presidentit Klinton (TPG. Presidenti Klinton Vizitoi Kosovën, fq. 97).

Një thënie e tillë, pa dyshim se na e kujton thënien e Gjon Buzukut, këtu e gati pesëqind vjet më parë: “Kujtesa është bekim. Harresa është mallkim! Unë e bekoj ate që ty të kujton! Unë e mallkoj ate, që ty të harron!” (Meshari)

Nuk ka dyshim se presidenti Bill Klinton – Ikona e Paqes, qëndron si një urë lidhëse në mes shekullit XX dhe atij XXI por edhe si urë lidhëse në mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Paqes së Europës, është ikona e parë e Lagjes Dardania, e sheshit të saj dhe e horizontit të saj paqësor.

 

Aurora Rita Ora

 

Stendali thoshte se femrat e bukura janë si akademitë e romantizmit! Ato janë edhe gjykatëse edhe ndërgjyqëse! Zëri i saj, trupi i saj, burim drite – shkruante Pablo Neruda (poezia: Sonte mund të shkruaj vargjet më të trishta në botë.)  Ndërkaq, Françisk Anton Santori, autori i dramës Emira, ka përdourur shprehjen: një emër i bukur, si kurmi. Ramiz Kelmendi ka shkuar pak më tej duke shkruar se: emra të bukur kanë vetëm vajzat e bukura. Babilonasit e quanin Venerën një diell të dytë, e poeti, atdhetari dhe dijetari Pjetër Bogdani e përfytyronte token e të parëve tanë, mes territ dhe errësirës: Veshur me diell, mbathur me hënë! …

Rita Ora është aurora vetë, ku shpesh shkrihen e bardha, e kuqrremta dhe portokallja. Ndoshta një nga pamjet që u shfaqen si vegim në vargun gjenial dantesk e ku soneti është koura e poezisë, dhe ku rima e bardhë ashtu si edhe bota përfundon me emrin stella, dhe stella – ylli ishte Beatriçja vetë:

 

I hapi krahët ajo bukuri,

e, mbasi kokën time e përqafoi

m’zhyti e më la aq sa m’u desht me pi

 

(Purgatori, XXX, 100-102)

 

T’amblit ujë, që kurrë s’të ngop tue pi!

 

Bardhanjorja Rita Ora

 

Rita Ora. Emri i saj është një grusht pëllumbash. Ajo vetë, ashtu siç do të shkruante dikur Hygoi: është një krijesë që në këngët e saj e merr edhe qiellin. Vetë emri është një vetëtimë e mëndafshtë, një qëndismë e bardhë butësie dhe bukurie në qiellin e muzikës. e në universin letrar poezia është e mëkuar me pjalmin e shpirtit.

Pol Elyar ka thënë me të drejtë se poezia nuk është një thes me lule, por një perëndi e pavdekshme dhe se asaj i besojnë poetët. Gëte ka thënë se natyra është pikëpyetje, arti është përgjigje. Poezia pra, edhe për Shqair Foniqin është një mike besnike, është si edhe për poetët e tjerë: një hyjneshë e shpirtit.

Përderisa, sipas Sokratit dashuria është dhunti e perëndive që u jepet të vdekurve për të ringjallur të gjallët për jetë, për Denis Didëron lotët e artistit dalin nga shpirti. Kështu ngjet edhe me frymëzimin. Poezia është gjuhë e shpirtit, e muzika thellim i qiellit. Novalisi shprehej simbolikisht se dashuria është fëmi i natës! E për më tepër se kaq, Eva është nëna e njerëzimit, shtypshkronja është nëna e revolucioneve, historia është mësuesja e jetës, liria është bija e fitores, por është dashuria ajo që e përkundë djepin e botës, kurse muzika e lartëson ate.

Edhe fjala është si një qëndismë me lenta ylberi. Shaqir Foniqi është Orakulli i Rita Orës. Në Tempullin e Dodonës, e ardhmja parashikohej nëpërmjet fërshfërimës së gjetheve, kurse përmes goditjes së çangës pralajmërohej dalja e Diellit. Fërshfërima e gjetheve zëvendësohet me psherrëtima fjalësh. Gëte thoshte se një rast i veçantë bëhet i përgjithshëm kur e merr në dorë poeti: realiteti ia jep lendën e pikënisjes. Me të drejtë pra Ernest Koliqi ka lëshuar zemër-thirrjen: Kush do të këndojë për lavdinë tuaj, Krye-Zonja të Arbërisë?

 

Pra, kush do të shkruajë kronikat e bardhanjores? Rita Ora është Muza e Frymëzimeve të tij e fjala është fryma e shpirtit të tij fisnik, një shpirt poeti në ligjërimin lirik të të cilit shfaqet në piadestal krenaria e ligjshme për një sfond me drita të hirshme.

Shkurt shqip, Bardhanjorja Rita Ora për Shaqir Foniqin është ajo që e ka thënë aq bukur Viktor Hygoi në Les Miserbales: Të lidhësh me mend infinitin e lartë (Zotin) me infinitin e ultë (shpirtin), kjo quhet: Lutje për të besuar në misionin e përbashkët se bota ka shpirt! Është gjakimi për të cilin Ernest Koliqi në Audo da Fe-në e tij të njohur, ka klithur: Merre gjakun e fytyrës hyjnore të bukurisë, mbi maskat e përçudshme të dobësisë!

Në një nga tragjeditë e tij, Euripidi ka shkruar se në heshtje brymoset çdo talent e në mes dallgëve të jetës brymoset karakteri, pra brymoset fuqia e magjishme e poezisë që me aq gaz luan me të pamundshmen.

Shaqir Foniqi është krijues që flet pak por soditë shumë. Ai është njeriu i fjalës së urtë por edhe vrojtues i hollë i anëve të shumta të realitetit. Edhe në agoni ka ekstazë! Muzika është dhunti e zemrës dhe e shpirtit. Poezia është ekstazë engjëllore e rimat janë dhuntitë më të buta të zemrës ku imagjinata është arma e memories.

 

Frymëmarrja dhe frymëzimi

 

Duke e cituar gazetarin me përvojë Sh. Arifaj (Teori…fq. 47): “Në qoftë se frymëmarrja gjatë leximit (spikerimit) nxirret vetëm nga krahërori, atëherë ajo do të jetë më e shpeshtë, fjalia do të dalë e ndërprerë dhe presjet (,) do të imponohen vend e pa vend. Pra, frymëmarrja që është karakteristike për lexim të rrjedhshëm duket të nxirret përmes krahërorit por me një tërheqje të thellë të diafragmës e cila mundëson që frymëmarrja ta ketë një gjatësi më të shtuar kohore e në këtë mënyrë më lehtë do të arrihet te shenjat e caktuara të pikësimit. Kësisoji, leximi do të dalë më i rrjedhshëm”, Shaqir Foniqi e ka dëshmuar se deri në cilat përmasa i është kushtuar kujdes edhe detalit më të vogël në gazetarinë shqiptare. Dhe jo vetëm kaq: “Ka shumë rëndësiqëndrimi elegant, sidomos para ekranit si dhe pamja estetike e fytyrës dhe e trupit” (Teori…fq. 75).

Edhe me frymëzimin është gati njëlloj. Sa më i thellë që të jetë ai, sa më gjatë që të ushqehet ai, sa më shumë që të projektohet në latimin e fjalës, aq më i bukur del krijimi, aq më e arritur del vepra, aq më e papërsëritshme bëhet vlera estetike e saj…

Shaqir Foniqi, prirem të them se nuk beson në rastësi. Ai e ka dëgjuar profecinë e regjisorit Besim Sahatçiut për të mbesën e tij, por vështirë ta ketë besuar se një ditë do të shkruante për te, madje se do të shkruante ditë për ditë!

Shaqir Foniqi gjithsesi se e ka takuar dhe e ka respektuar alkemistin e fjalës me bardhësinë e të cilës ai i fliste së ardhmes, por vështirë, shumë e vështirë që ta ketë besuar se një ditë do të jetë i frymëzuar prej Të Përndriturës së vargjeve të tij dhe të kohës së tij.

Shaqir Foniqi s’e ka besuar ndoshta kurrë, se regjisori do të shënonte me profecinë e tij: kryeveprën e tij. Ashtu siç nuk e ka besuar se në gjurmët e autorit të emisionit Pasqyra Televizive, do të ecte e do të rendte me një frymëzim  nga më të veçantët e me një përkushtim nga më të rrallët, potencialisht: edhe ikona tjetër e gazetarisë mediale.

Rrallë, tepër rrallë, jashtëzakonisht rrallë ka rastisur dhe rastisë që të takohen tri ikona në të njëjtin shesh, në të njëjtën lagje, në të njëjtin sfond, por edhe që të frymëzojnë në përmasa të njëjtë!

Koha gjithmonë kërkon kronikat e saj dhe se kronikat lënë të gdhendura interpretimet dhe vlerësimet e tyre. Koha gjithmonë e thotë fjalën e fundit, sepse siç ka shkruar një ndër stilistët dhe eseistët më të zotë të letrave shqipe, Ernest Koliqi: “Në gjak janë muzat që na bajnë të shkruajmë!”

Shaqir Foniqi: KultArt – Një Parlament Shpirtëror dhe Kulturor

 

Pasqyra Televizive dhe Ikona e Tretë

Në KultArt e në sofrën e shtruar, fjala vie si një zjarr i qëruar, e Zëri-Zëri gjithmonë vie në gjurmë lashtësie si një zog i shkruar në lirikat e Lasgushit, ku gjithmonë “ka përcëlluar zjarrin drithërues të ilirishtes drejt shqipes” – deri në Përjetësi.

 

Në KultArt, Zëri që epokat dhe shekujt na i falin shumë rrallë, madje deri në përmasat sa natyra dhe arti vihen në garë se cila do ta bëjë një Zë sa më margaritar: hoje mjalte e kroje galdimi, në të cilat gjuha shqipe e ngjyen shpirtin e vet!

Në KultArt, muzika është sërish thellim i qiellit. Në KultArt fjala shqipe ngritet lart e më lart….derisa Dodona kthehet triumfalisht në Tempullin e saj, e përpara Portave të Tempullit të Dodonës, si përpara Portave të Parajsës, rrinë si sogjetarë amshimi kryevargjet e lirikës shqipe: Veshur me diell, mbathur me hënë!

Në KultArt, kryevepra e Viktorit-Piktorit të Përjetësisë (Shenjtëresha duke Lexuar), del nga honet e shekujve dhe zbret në një nga studiot e RTK-ës, si në një koincidencë nga më të çuditshmet në zbërthim të miteve dhe legjendave.

Lumira Kelmendi, një Kristinë Amonpur e RTK-ës! Sibila e Librit Shqip. Misionare e denjë e kulturës së kombit të vet. Qytetare e botës. Një Marlen Ditrih e RTK-ës! Me Zërin Burim Drite. Zëri – një Premtim Parajse! Merlin Ditrih-Engjëlli Blu dhe buzëqeshja si miliona buzëqeshje të diellit! Dëshmi se bota ka shpirt, se muzika është poezia e Zotit. Zëri veshur me pelerinë shiu. Zëri si ca Pejëza të Shenjta të Dritës Hyjnore! Zëri si një shi i imtë. Dhe muzika e shiut një ekstazë engjëllore. Zëri – dëshmia më e qartë se shpresa është gëzimi i zemrës për mëshirën e Zotit! Dhe se mëshira e tij nuk është vetëm tek Zëri si një nga simfonitë më të përkryera hyjnore, qoftë tek muzika e Bethovenit apo tek tingujt magjik në violinat e Vivaldit; ajo është më shumë se kudo tek një emër me zemër dielli: Veshur me diell, mbathur me hënë! …

Horaci ka shkruar se mëngjesi është më i mençur se mbrëmja. Xhoan Kollins ka shkruar se një gjë e bukur është një kënaqësi e përjetshme. Bota e zërit është gjithmonë një botë e veçantë, ashtu siç është edhe bota e syve, dhe që të dyja përbëjnë një burim drite. Poeti klithi se “bota ka shpirt” tek pa sytë si margaritarë të tejpashëm, “si të jashtëtokësorëve në kuptimin më të mirë”, tek dëgjoi zërin si një ekstazë engjëllore, magji dehëse e butësi zefiri me gishtërinjtë e trëndafiltë të agimeve pranverore.

 

Pejëzat e zërit si ca gishtërinj të hollë rrotullojnë unazat e tyre nëpër gotën e kristaltë të fytit ku rrjedhin kroje galdimi, pa dyshim dëshmia më e qartë se muzika, ashtu si edhe poezia në vete e kanë aromën dehëse të zambakëve.

Gjuha është muzikë e muzika është gjuhë e tingujve. Muzika e ideve. Portreti i tyre. Shpirti i njeriut zbulohet kur hesht dhe jo kur flet! Meterniku ishte të drejtë kur thoshte se bukuria është e vetmja gjuhë e shpirtit. Shpirtat nuk kanë gjuhë tjetër. Apo siç do të shprehej Shelingu: natyra është shpirt që shihet e shpirti është natyrë që fshihet!

Heshtja është përmendorja e lirisë së gurtë! Mbase mund të ketë qenë kjo arsyeja pse hebreu shetitës, për hir të dashurisë së pafund ndaj Shalumitës, pranoi me vullnetin e plotë dënimin me përjetësi. Çuditërisht, edhe Zana e dënoi malësorin me memecllëkun e përjetshëm! Ndoshta vetëm e vetëm pse portretin e saj e gdhendi: me dy diej mbi supe! Helikona ishte kreshta ku banonin muzat. Apolloni – perëndi e dritës dhe e arteve, prijës i muzave, perëndi e poezisë dhe e profecisë, e diellit dhe e drejtësisë… Në një sfond të tillë mitesh, Orfeu u kërkonte perëndive edhe dy tela shtesë për të përjetësuar dashurinë ndaj Eurudikës, për ta kthyer nga bota e nëndheshme e mortit. Në një sfond të tillë, Zëri/Tingulli gjithmonë u shfaq si Mëshirë Hyjnore, sepse Zëri është Kreshta më e Lartë!

Platoni besonte se pas vdekjes shpirti kthehet në yje! Dante duke besuar se vetëm dashuria i mëson njerëzit që të shohin tek veprat krijuesin e tyre – Zotin, skaliste në mermerin e universit të tij përjetësinë për Beatriçen: përpara saj qielli shkonte, duke fshehur yjet! Ekuinoksi pranveror, pasi piu ujë nga valët e lumit të Eunosë, kah Beatriçja u kthye. Petrarka për 40 vjet rresht s’e ndali kurrë gjakimin e tij: Dielli shoi yjet Ajo shoi Diellin!

E Gëte në Elegjitë Romane psherrëtinte në fjalët lulevirgjëra:

Dhe Roma quhet mbretëreshë e botës

Kjo perëndi quhet rastësi, mundohuni ta njihni,

E urtë dhe lozonjare, e butë dhe plot hijeshi!

 

 

Por nuk është rastësi pse në vargjet e poetëve, engjëjt veshen me petka të mëndafshta, rrijnë nën hije të drunjve, në brigjet e lumenjve, në rrjedhën e krojeve. Mendja e parë është gjithmonë Perëndia. Magnus Contemplator: Një Soditës i Madh. Profetët janë më të virtytshëm se engjëjt e sfera e dijes dhe sfera e yjeve u takojnë botës së lartësuar. Nuk është pra rastësi pse shpresa është gëzimi i zemrës për mëshirën e Zotit. Zëri është burim drite. Muzika është thellim i qiellit. Poezia është lartësim i shpirtit.  Mentarët janë të bashkuar dhe se dija është gjallëria e zemrës prej vdekjes së padijes, është drita e syve prej errësirës, prandaj artin nuk e do vetëm injoranti. Dituria e heqë perden për ta parë më qartë dritën e shenjtë. Prandaj drita e syve të Beatriçes është dritë hyjnore: Bota ka shpirt! E në sfondin e një shpirti të tillë të butë, shfaqet prapë një Marlen Ditrih. Zëri – Një Premtim Parajse! Zëri, veshur me pelerinë shiu. Ekstazë Engjëllore! Dhe se mëshira nuk është vetëm në zërin si një simfoni e përsosur hyjnore, mëshira është edhe në një emër me zemër dielli. Sa herë që dëgjohet zemërklithja: Përse heshtin shekujt? Sa herë që të tjerët mund të thonë se tragjedive të shumta që pësoi toka bujare e gjakut, u mungon një penë e denjë si ajo e Shekspirit. Sa herë që të tjerët mund të tallen kur thonë se nuk kemi violinë si të Vivaldit, as Simfoni Hyjnore të Ludvig Van Bethovenit për të ngushëlluar qoftë sado pak shpirtat e bardhë të varrezave masive e në plojën e gjakut; as kryevepra si të Volfgang Amadeus Mocartit!…

Po ai sfond ku rri e varur në mur Lahuta, dhe ku rri sot e mot, e shenjtë një shqipe, i kujt është?

Dhe stendat e muzeut krahanor, që në vete ruajnë tempujt e tingujve më lirik, të kujt janë?

I kujt është ai Zë shfaqur në qiellin suferinë dhe tramundanë?

I simfonisë së shqipeve. Zëri në të cilin gjuha shqipe: e ngjyen mjaltin e shpirtit të vet! …

 

MEMERI MONUMENTAL I PERËNDIVE ILIRE NUK FLE!

E në sfond shfaqet Trekëndëshi i Bermudeve, përmbi të cilin nuk kalon dot! Frymëzimi gjithmonë si ekstazë engjëllore dhe të tri ikonat e lagjes Dardania. Mbishkrimi i poetit të lashtë të Persisë se përpara krijuesit të perlave falem! Më tej, kryevargu i Dantes: Kujt si ty, dy herë i qe hapur Porta e Parajsës?

Gjithsesi, jo vetëm Beatriçes! …

Frymëzim deri në hyjnizim: Engjëllorja Rita Ora

Due shkruar në doracakun e tij për gazetarinë (Teori dhe Praktikë Gazetarie), e që pa dyshim se më shumë se një doracak është një manifest gazetarie, një enciklopedi në miniaturë për gazetarinë, Shaqir Foniqi e ka zbërthyer edhe konceptin e estetikës thelbi i të cilës është e bukura dhe e madhërishmja (fq. 74-75):

“Në pemën e madhe të dijeve të njeriut mbi botën dhe jetën, estetika është një nga degët më të lashta…Përceptimi i bukurisë estetike shkakton nje kënaqësi shpirtërore të veçantë, kënaqësi estetike.”

Në plotni të një definimi të tillë që për thelb ka edukimin përmes artit, Shaqir Foniqi ka nënvizuar rolin e veçantë që ka frymëzimi edhe në gazetari: “Gazetari duhet të ketë frymëzim deri në hyjnizim”, duke cituar një nga perlat e stilit nga Dr. Vasfi Sami Visoka: “Në këtë tempull të atdheut (Kosovë v.j.) rrezet zbresin nga dielli, xixëllimet bien nga yjet, floktë e argjendtë derdhen nga hëna…”!!

Poeti italian Andrengo Sofici, ka thënë se njeriu më i lumtur është ai që di të jetojë urtësisht si lulja. Të jetosh urtësisht si lulja don të thotë të ngritesh kryveprën e modestisë…

Poezia e Shaqir Foniqit si një poezi e një frymëzimi artistik, por edhe e një refleksioni të përnjëhershëm e dëshmon një thënie të tillë se çka do të thotë të jetosh urtësisht si lulja; poezi ku skalitet mendimi që rri si një sintezë e gjithë përkushtimit të falur asaj, se pa Rita Orën, universi do të ishte më pak i lumtur.

Edhe një dëshmi se: muzika është pikëllim qiejsh e shi me këngë kanarinash. Për Shekspirin muzika ishte dhe mbeti buka e dashurisë, kurse Balzaku shprehej se muzika na duhet më shumë se buka!

Poezia është pikturë që heshtë e piktura pozi që flet. Poezia është muzika e Zotit, dhe Zoti: Poeti më i Përsosur, i cili duke parapëlqyer Mëshirën Hyjnore (si Pasqyrë të asaj që Kanti e quajti në mënyrë gjeniale Paqe e Përjetshme) në simfoninë magjike të pikave të shiut – në vend të forcës, pa vënë kushte në mrekullinë e krijimit të universit: të kaltërtën ia fali sa qiellit po aq edhe detit, pa dyshim një pasqyrë e parajsës ku bota e syve blu është pasqyrë e shpirtit që e rikthen Atlantidën e humbur në sfondet e syve “si të jashtëtokësorëve, në kuptimin më pozitiv!”…

Duke cituar Herbert Luis (fq. 164): “Shqiptari nuk rron ashtu kot nga një ditë në tjetrën. Ai përpiqet t’i shohë ndodhitë e shpirtit të tij në sintezë më të lartë, duke i stolisur me një mënyrë përnjëherë fantastike…Kjo rrugë ka sjellë disa herë pemë të bukura”, Shaqir Foniqi sikur ka mëtuar për të zgjuar remenishenca të drejtpërdrejta për ate që shkruante Elena Gjika dhe Pashko Vasa njëlloj, se çdo dhqiptar (të paktën në atë ecjen teatrale) është një poet!

Simfonia hyjnore që shfaqet aq bukur në ritmin e mahnitshëm të pikave të shiut, polemi i pjalmit të luleve, kosheret e bletëve, lentat e ylberit, drita e syve të kaltërt, e kaltërta e detit dhe e kaltërta e qiellit, shkëlqimi i argjendtë i dritës së hënës dhe vezullimi i rrezeve të diellit, janë vetëm disa nga dëshmitë e shumta se: “Krijuesi gazmor vallëzon mbi trupin e vet atje në Amshim!”

Poeti disident Agim Shehu në librin e tij Tek Princesha e Europës (Kronikë nga Zvicra), ka thënë për Zvicrën se po nuk të lëshoi tokë të ecësh, të jep qiell të ëndërrosh.

Njëlloj është edhe me sfondin e frymëzimit!

Aurora Rita Ora.

Bardhanjorja Rita Ora.

Engjëllorja Rita Ora.

“Lulja e kopshtit botëror të artit sipëror!”

Shaqir Foniqi – Orakulli i saj.

Zonja nga bota e lartësuar, siç e ka thënë shekuj më parë një poet persian, duke shtuar: Për Mëshirë Hyjnore shpirti yt është gatuar!

Nuk ka pasur faj Ernest Koliqi kur Matildën reale e hyjnizonte si Matildës Hyjnore, duke ia falur epitetin: Bardhanjore!

Nuk ka pasur pra faj as Ramiz Kelmendi kur ka gjakuar duke shkruar për Ulqinaken: Edhe frymë dëshirojsha me marrë sikur Ajo! … Ajo më kërkoi t’ia bleja një akullore, e unë dojsha t’ia bleja krejt një ambëltore!

Në parafrazim të Gëtes, një frymëzim i pafaj, ashtu si edhe një hyjnizim i pafaj, nuk e lëndon por e gëzon: Perëndinë!

Në përkujtim të Viktor Hygoit: “Të lidhësh me mend infinitin e lartë (Zotin) me infinitin e ultë (Shpirtin), kjo quhet Lutje!” ose edhe: Pasqyra Televizive!

Dhe Lutja është Zemër-Thirrja:

FALEMINDERIT QË EKZISTON!

Gjithsesei, tri ikonat e lagjes Dardania, dëshmia më e qartë se:

MERMERI MONUMENTAL I PERËNDIVE ILIRE, NUK FLE!

 

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Rita Ora, Shaqir Foniqi, Xhemail Peci

KOMUNA E GUCISË: MIRË APO KEQ?!

January 7, 2014 by dgreca

Shkruan: Rexhep  DEDUSHAJ/ New York/

Jemi dëshmitar të një zhurme të pa artikuluar me rastin e rithemelimit të  Komunës në Gucinë e Kelmendit!  Zhurma në fjalë lindi për shkaqe historike, ekonomike dhe politike.

HISTORIKU:

 Gucia ka qënë qënder politiko – shoqërore që nga koha e Ilirëve. Vet emri Guci tregon se vjen nga rrënjët pellazgjiko-ilire: Guc, Gucem, Guce, e i Guceshin (pra, jo  në trajtën e sodit të fjalës Nguc por trajta e vjetër Guce). Sllavët e kanë ndryshuar më vonë në GUSINJE e ne, Shqiptarët, e kemi zbutur pastaj në GUSI!!

Kjo qendër për herë të parë përmendet në kohën e romakëve (lexo: Ilirëve).

Në kohën e sundimit osman u ngrit në “Kaza” (nënprefekturë) dhe sundonte i gjithë Luginën e Limit deri në Beranë. Ishte qëndra e Kelmendit – Shkodra e dytë e këtij fisit të madh e të fortë që shtrihej nga Tamara e deri në Pejë e Krasniqe.  Republika e Kelmendit e quanin ca udhëpërshkrues të huaj (Lexo: Lib. R. Dedushaj “Krahina e Plavë-Gucisë nëpër shekuj” N.Y. 1993)

Gjatë kohës së Krizës Lindore (1875-1881) që nga Kongresi i Shën Stefanit, Kongresi i Berlinit dhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër (më vonë) u përfshi në të gjitha dokumentet ndërkombëtare…

Ishte qëndra pothuajse e vetme që i kundërshtoi me forcë këto vendime ugurzeza dhe i theu që të gjitha. Qëndra më e pabindur atëbotë në Gadishullin ilirik.

Sipas zbulimeve të fundit përherë të parë pas 400-500 vjetësh këtu u përdor edhe Flamuri ynë Kombëtar . Nën këtë Flamur  Ali Pashë Gucia, në krye të 8.000 vullnetarëve shqiptar në betejat e zhvilluara në vitet 1879-1880 i theu hordhitë sllave sëbashku me vendimet e Berlinit e të Shën Stefanit. Gucia atëbotë u shpall nga diplomacia e huaj si “Koka e Shqipërisë” dhe Aliu “si fajtori kryesor për thyerjen e vendimeve të Evropës”. (Lexo lib. Idriz Lamaj: Luftërat për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë, 1879-80″ N.Y…)

Pas Luftërave Basllkanike dhe Luftës së Parë Botërore, kjo kështjellë e pamposhtur ra nën sundimin e Karagjorgjeviqëve, të cilët përveç  Gucisë e ngritën edhe Plavën si komunë. E të dyja këto ishin nënprefektura të Prefekturës së Pejës, deri me ardhjen e sllavo-komunistëve në pushtet. Ata, në vitet e 50-ta, e shuan këtë qënder përmanente shqiptare. Për ta pasur më thellë e më afër qëndrave malazeze – e krijuan vetëm një komunë – Plavën!! E bënë këtë me qëllim që t’i diskriminojnë , vobektësojnë e t’i shpërngulin më lehtë Shqiptarët e këtyre anëve. Dhe ia arritën qëllimit -fatkeqësisht. Derisa në vitin 1916, sipas dokumentave Austro-Hungareze, 83 për qind të popullsisë së Gucisë e përbënin Shqiptarët, sot ka fare pak të tillë aty!!!

Pra Gucia është shkretëruar e rraskapitur dhe pothuajse krejt e sllavizuar. E  mbajnë si shqiptarë vetëm fshatrat përreth saj: Vuthajt, Doli (Kaçaniku) e Martinajt. Por edhe ato mjaft të boshatisura.

 

EKONOMIA:

 

Gucia ka një shtrirje strategjike. E konntrollonte  rrugën mesjetare Kotorr-Podgoricë-Pejë-Shkup.Rrugë që i sillte fitime të mëdha.

Me caktimin e kufirit shtetëror dhe me ndarjen e Këlmendit përgjysëm, Kelmendasit e Gucisë mbetën në qoshe të “dynjasë”. Ia hoqën edhe komunën, si thamë më lart, dhe filloi emigrimi i tyre në të katër anët e botës e sidomos në SHBA.

Tani,me rënjen e kufirit të hekurt dhe hapjen e Shqipërisë, Gucia e ka shansin me u kthye në gjendjen e përparshme, nëse nëpër të do të kalojnë rruga Deçan-Plavë-Guci-Hani i Hotit apo Podgoricë, nëpër Vellushë…

Me ndërtimin e rrugës Shkodër-Guci, kjo e fundit do të kthehet me fytyrë kah Kelmendi i Gurit dhe Shkodra. Dogana në Vermosh, pasuritë natyrore vendore dhe donacionet e investimet nga mërgimtarët  e shumtë mund të ndikojnë në rilindjen e Gucisë Kelmendase.

Por mvaret edhe sa Kelmendi i Gurit i kontribuon këtij përparimi. Sa ata do të lëvizin në drejtim të Gucisë?

POLITIKA ( PRAPASKENATE)

 

Që nga Lufta e Nokshiqit, më 1880, Sllavët kishin bërë plane të detajuara si ta shkatrrojnë këtë kështjellë natyrore – Gucinë me rrethinë. Ata thonin se pa e marrur Gucinë e Plavën nuk mundemi t’i marrim dot Pejën e Shkodrën. Dhe filluan t’i pastrojnë etnikisht – duke i vrarë e shkatrruar fshatrat legjendare shqiptare: Arzhanicën, Pepajt dhe Nokshiqin.

Gjatë gjithë kohës së komunizmit, thuhej si në barcoletë: Në Guci u ndërtua vetëm një nevojtore publike, të cilës shumë shpejt ia vodhën dyertë e u bë e papërdorëshme!!!

Ky moszhvillimi ekonomik dhe terrori shtetëror që u ushtrua aty, siç thamë edhe më lart, ndikoi në  boshatisjen e Vuthajve, Dolit e Martinajve që ishin mburoja e Gucisë e vet Gucia mburoja e Plavës shqiptare. Kështu,ndodhi edhe me Hotin e Zabelin shqiptare, ku një pjesë e tyre u asimiluan në “boshnjak” e të tjerët ikën në Amerikë.

Tani edhe me ndarjen e Gucisë, gjegjësisht Vuthajve, Martinajve e Dolit, ka me ndodh kjo: Plava do të sllavizohet tërësisht!!

Por, sikurse Gucinë, që pritet ta shpëtoj Kelmendi i Gurit: Vermoshi, Nikçi ,Vukli etj. duke lëvizur në drejtim të saj – Luginës së Gucisë. Po ashtu do ta shpëtoj edhe Malësia e Gjakovës e Thethi. Edhe Plavën mund ta shpëtoj Kosova  me ndërtimin e rrugës Deçan – Plavë që do ta lidhë me Kelmendin e Shkodrën. Në atë rast Plava do të kthehej me fytyrë nga Dukagjini, Malësia e Gjakovës e më larg e jo nga Vasoviqi që e ka masakruar me dhjetra herë. Pra kurrë më shumë nuk është mvarur fati i Plavës nga Kosova  sesa sot!?

Duhet edhe një herë një Shemsi Ferri i ri: “Me i marrë letrat e me i shkrue / N’Dukagjin me i çue / N’Dukagjin kujt mas pari?/ Se n’Junik shpisë Bajraktarit…/Në Kosovë kësaj parisë / Binu mbrapa Plavës e Gucisë…/.

Por si duket udhëheqja e Kosovës e ka kryer punën me atë krahinë – paralagje të Pejës. I ka shfrytëzuar në maksimium mërgimtarët e shkretë të saj duke ua marrur me miliona dollarë me premtim se porsa ta çlirojmë Kosovën do ta marrim edhe Plavën. Më vonë premtim tjetër: do ta punojmë këtë vit  e atë vit (saherë bëhen zgjedhjet, rrugën Deçan-Plavë, etj.

Fulterja në zjarr e peshku në det- thotë populli. Paria e Kosovës vjen e shkon dhe Mali i Zi Plavën e shkreton…

New York, më 7 janar 2014

_______________

Historiani Rexhep Dedushaj ka lindur në Vuthaj të Gucisë në vitin 1948, ku e kreu edhe shkollën fillore e tetëvjeçaren, ndërsa të mesmen e të lartën në Pejë, Gjakovë dhe në Prishtinë. Ka punue mësues i lëndës së historisë në shkollat shqipe të rrethit të Pejës. Në vitin 1989 detyrohet të largohet nga Kosova dhe emigron në SHBA, ku ende ndodhet në shtetin e Neë Yorkut. Ka botuar disa monografi si “Krahina e Plavë-Gucisë në shekuj”(1993) të cilin e ka botue edhe në gjuhën boshnjake  me titull “Plavo-Gusinjska nahija vekovima” (2003),“Shpërngulja e shqiptarëve të Plavë-Gucisë” (1997), “100 vjet Luftë” (1999), “Si e gjeta dhe si e lashë shkollën shqipe në Prefekturën e Pejës” (2006), “Gjurmë mërgimtarësh” (2009), “Çung Tahiri i Vuthajve” (2013).

Forumi Shqiptar i Kulturës, Edukimit e Shkencës për kontributet e tij me  botimet e tij për krahinën e Plavë-Gucisë e ka dekorue me Çmimin “Pjetër Budi” në vitin 2008.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Komuna e Gucise, mire apo keq, rexhep dedushaj

NJE VIT I RI MES DY KONTINENTEVE

January 7, 2014 by dgreca

Shkruan: Gjergj LACUKU/ JACKSONVILLE/ FLORIDA/

Aroma e vitit të ri është përhapë kudo në këtë pranverë Floridiane , si një erë e këndshme që sjellë freski në zemrat e çdo njeriu të dashurur mbas së mirës dhe së bukurës , duke frymëzuar qiell e tokë . Në natën e ndarjes së viteve, në këtë natë rrezatuse , këtu në Jacksonville , Florida , pranë brigjeve të Atlantikut, që e josh me valët eternale , nën organizimin e ngrohtë të “Vatrës”, Shqiptarët e të gjitha trevave , si nji familje e madhe, janë mbledhë së bashku për të festuar këtë ndërrim të moteve.Në organizime të tilla, merr kuptim të plotë shprehja” O sa mirë me ken’ Shqiptare” por edhe vargjet e poetit lirik, Dom Ndre Mjedës ; “Gegë e Toskë, Toskë e Gegë , jem nji Komb m’u nda s’duron, fund e majë nji a Shqipnija, gjthëve nji gîuh na bashkon”.

Dega e Vatrës në Jacksonville edhe pse është motake për nga mosha e ka treguar veten se di t’i bëjë bashkë shqiptarët. Shqiptarët që duan bashkimin dhe jo përcarjen kanë gjetë tek dega e Vatrës, arkitekten e bashkimit për këtë zonë.

Edhe pse kjo degë kishte tubuar më shumë se 450 vetë me rastin e përvjetorit të saj dhe festës të 101 vjetorit të Pavarësisë, sërish bashkoi qindra vetë në natën e ndërrimit të viteve. Ishte një organizim i bukur ku shqiptarët festuan në mënyrën tradicionale shqiptare natën e Vitit të Ri.Nën jehonën e fjalëve mallëngjyese të kangës “Shqipëri o Nëna ime” e mori fjalën e rastit, Kryetari i degës së Vatrës, Z. Adriatik Spahiu , duke përshëndetur të gjithë të pranishmit dhe duke u uruar një vit të mbarë e të begatë të gjithë Shqiptarëve të kudondodhur, si atyre në trojet etnike po ashtu edhe atyre në Diasporë……Atmosfera e festës është me të vërtetë e mrekullueshme, e veshur me buzëqeshje të të gjitha moshave. Të gjithë e dimë se nji vit i ri që vjen na gjen më të moshuar, por më duket se çdo vit i ri na ban të ndjehemi edhe më të motivuar, është një shprese e re, një shans i ri , një nxitje për të bërë diçka ma tepër, për të hedhë një hap më përpara në udhëtim pa kthim sepse jeta nuk është një destinacion por një rrugë e pafund. Sonte në këtë natë plot shkëlqim , dritë e shpresë, me një kuzhinë autentike Shqiptare të përgatitur nga Shefi Robert Koçi,e gërshetuar aq bukur me kangë e valle , me muzikën e bukur Shqiptare , ne ndjehemi më të obliguar për ta çuar më tej këtë dhuratë të Zotit, që quhet jetë.Në këto momente po më vjen ndërmend nji mesazh filozofik që asht shprehur aq bukur në gjuhën angleze ” We are only given today and never promised tomorrow… So be sure to tell someone you love them”. Le të jetë ky moment historik edhe një moment reflektimi për vitin që po lëmë mbrapa, e le të kujtojmë një thënie të filozofit Seneca se sjellja e njeriut asht ma e randësishme se fjalët.Pra vetëm me dashuri mund të ndërtojmë nji parajsë në tokë, ajo asht e vetmja ndjenjë që shemb çdo mur, që kalon çdo kufi sepse fuqia shpirtnore asht ma madhe se forca fizike.Në sajë të atyre që sakrifikuan për dashurinë e lirisë, u rrëzua Muri i Berlinit , u zhdukën telat me gjemba, që na kishin marrë frymën për dekada me radhë. Duhet të jemi mirënjohës ndaj atyre që e bën të mundur këtë liri që ne gëzojmë sot. Le të jetë ky vit i ri një vit ndërgjegjësimi për obligimet tona si qytetar jo vetëm të vendit më demokratik në botë për mbi të gjitha si qytetar universal se liria dhe të drejtat arrihen me dashuri dhe respekt të përbashkët , se paqja dhe liria nuk ka kuptim kur mungojë virtytet e hiret.

Në Orën 12 të natës , fishekzjarret e hedhura përpara lokalit, si qindra e mijra mesazhe u përhapën nalt në qiell , ndërsa në anën tjetër të oqeanit , Dielli kish celë sytë , duke shikue nga Perëndimi ,për të ngrohë sadopak bijtë e asaj toke të shenjtë që ndodhen këtu në brigjet e Atlantikut .

Në emër të “Vatrës” ju urojmë një vit të lumtur në çdo aspekt të jetës suaj .Urimit i bashkohen edhe vatranët me të rinj, Znj. Jola Hodo , Z. Lush Corri, Z. Arjan Dumi, Z .Kastriot Kore, Z.Edi Rrukaj.

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Gjergj Lacuku, Nje vit i ri mes dy kontinenteve

Qyteti pa formë

January 7, 2014 by dgreca

Nga Dionis Xhafa/

Deri në adoleshencë as e kish shkelur Tiranën dhe një ndjesi e çuditshme i silllte emri i kryeqytetit. Një ndjesi e çuditshme që nuk ishte dhe aq e fortë, as e butë, thjesht si apriori e pashpjegimtë. Ideja se Tirana është kryeqyteti dhe si e tillë ngjan “ëndërr” ta vizitosh, as që i tringëllonte gjëkundi. Ish mësuar me qytezën e tij, të ftohtë në mot, por me një atmosferë të ngrohtë. Njerëzit e periferisë pa shumë pretendime, tokat e gjëra, fushat, malet e ashpër e kokëlartë që gati i ngjanin sikur ti nguleshin në shpirt. Por, sot në agim është diku tjetër. Ndryshe në natyrë, por vërejtur dhe pa ndonjë emocion të madh. Niset me furgona të vjetër që aq të përhapur janë si mjete transporti prej nga zona të Shqipërisë drejt kryeqytetit. E, kur mbërrin, sheh autostrada të pafunda të shtrira në një hapësirë të paskaj, e urbane, kioska, njerëz të trishtë e të merakosur. Tek shëtiste Tiranën, ujë nga qielli e la të baltosur e të bataksur. Pa njerëz të shtrirë në bulevard, që ftoheshin nën shi deri në palcë. Pa njerëz me sy jeshilë e të mëdhenj që shndërisnin si një filxhan por shihnin mjegullt. Pa shpërthime kanalesh, ujërash të zeza, një qytet pa anë e kënd, pa zogj që cicërijnë, pa erën e qytezës së tij në cep të Shqipërisë, deri pa ngjyrë e pa formë. Kish parë në Tiranë dhe grimca lumturie herë pas here, por trishtimi i thellë ia errësoi ata. E, në mes të shiut, me dorën e lagur u afrua në një kioskë dhe bleu një libërth të vogël në faqe e të madh në kopertinë nga ata të filmave me kartonë. Si për të thënë se nuk donte që të rritej. Aq më pak në një qytet të tillë, që për të ish i madh, por pa formë, pa ngjyrë, pa ndjenjë.

Filed Under: Featured Tagged With: Dionis Xhafa, Qyteti pa forme

LULJA E FUNDIT

January 7, 2014 by dgreca

Kushtuar piktores së talentuar Sofia Zengo Papadhimitri/

Tregim nga KRISTQ RURTULLI/

Kur infermierja gjoksmadhe, vetulltrashë, me nishan të zi, nën buzë, po dilte prej dhome, dëgjoi që i tha:

-Sofi, përjashta, dielli shkëlqen dhe ka shpërthyer jeshillëku.

-Përjashta..! Jeshillëku!- u përmend dhe foli ultas Sofia.

-Ëhë! Uh, thuaj shyqyr, se na kalbi shiu.

Përjashta?! Jeshillëku! Përsëriti me vete.

Si vallë kishte harruar! Ajo i donte fort muajt prill, maj dhe qershor, me shpërthimin e mrekullueshëm  të luleve dhe jeshillëkun e harbuar mahnitshëm. Oh! Si i kish dalë prej mendjes! Ndoshta ngaqë ish mbërthyer prej kthetrave të sëmundjes. Hapi sytë ngadalë, iu duk sikur përpara syve iu ndeh një perde transparente që lëkundej prej erës. Paska pak erë, ia bëri me vete dhe bëri të kthehej në brinjë. Menjëherë e preu një dhembje e padurueshme në shpatullën e majtë. Kafshoi buzën për të mos bërtitur dhe i mbajti sytë një copë herë mbyllur sa të merrte veten.

Ishte vetëm dhe mund të shprehej hapur. Mund të ankohej, të rënkonte prej dhembjeve të trupit dhe vuajtjeve që ndjente, pse jo, edhe të bërtiste. Ta marrë dreqi, ngandonjëherë, kur nuk mundet ti përballojë më, njeriu ka nevojë edhe të bërtasë. Por ajo, dhe vetën ajo do ti duhej ta përballonte të gjitha, ose ta lëshonte veten, të ligështohej, të qullej, të bërtiste dhe infermierja të mblidhte buzët pas shpine dhe ti ngulte morfinë për ta qetësuar. I shoqi dhe djemtë kanë net dhe ditë që qëndrojnë dhe përkujdesen për të. Djali, Jani i qëndronte tek koka e shtratit dhe bënte kujdes të mos i binte tuboja e oksigjenit.

-Jam më mirë sot,- u tha, – do bëni mirë të shkoni një copë herë në shtëpi, të çlodheni.

Ata e vështruan me dyshim. Ajo këmbënguli të shkonin. Ata mezi u bindën. Me sy të trishtuar, të merakosur dhe të lodhur prej pagjumësisë u larguan duke i premtuar se do vinin sa më shpejt. Kishte kaluar një natë të vështirë dhe ishte përpjekur të mos e jepte veten. Megjithëse ia fshinin për të mos e merakosur, ajo e kish marrë vesh, vuante prej sëmundje të rëndë, nga një formë kanceri në gjak. Doktorët në heshtje ulnin kryet dhe ngrinin supet, pra nuk  kishte shpresë për shpëtim. Thuhej se, diku gjetkë, mund të parandalohej sëmundja dhe ndoshta gjendej shpresa për shërim. Andej, gjendeshin mjete dhe mjekime më të përparuara. Por kjo, ‘andej,’ diku gjetkë, pa përcaktim, ishte përtej kufijve dhe për këtë gjë, as që mund të bëhej fjalë. Burri së bashku me djemtë ikën. Mbajti vesh një copë herë hapat e tyre të rregullta tek ecnin në korridorin e pavijonit. U lehtësua që dërgoi të dashurit të çlodheshin. Ata po bënin shumë për të. Por njëherësh u ndje tmerrësisht e vetmuar dhe ambienti iu duk jashtëzakonisht i ftohtë.

Sofise i dhembte i gjithë trupi. Herë pas here fryma i pengohej diku në gjoks. Mori frymë thellë, përsëri e shpoi dhimbja e fortë në gjoks dhe iu përgjigj në shpatullën e majtë, aq u përlot. Është vërtet e mrekullueshme të mos kesh dhimbje në trup. Tuboja e oksigjenit e ndihmonte mjaft të mbushej me frymë. Shyqyr që ishte dhe oksigjeni!

Nuk i durohej të hapte sytë dhe të bridhte shikimin përtej dritares. Aty, ku shkëlqente dielli dhe kish shpërthyer jeshillëku. E adhuronte natyrën plot dritë dhe kolor. Mrekullohej prej madhështisë së magjisë së Nënës natyrë dhe thoshte gjithnjë: nuk ka më të papërsëritshme se ajo. Sa herë ulej pranë telajos së bardhë, të pikturonte. Mbyllte një çast sytë, e riprodhonte vetëtimthi në mendje, pamjen që kishte përpara. Mbushej me frymë dhe pëshpëriste me vete:

Sa do mund të mësoj dhe të marr, të hedh në telajo, bukuritë e kësaj mjeshtre të madhe. I cila të dhuron ngjyrat dhe intonacionet pa kursim. Më duhet ta bëj timen, tu lë përherë njerëzve, një inicial të vogël, një kujtim…

E paduruar vështroi përjashta dritares. U fërgëllua prej kënaqësisë. Ishte fillim qershori dhe molla e madhe përkarshi ishte mbushur i gjithi me gjethe të gjelbra. Oh sa bukur! Çfarë kthjelltësie të qiellit! Çfarë mrekullie! Çfarë ngjyrash të mahnitshme! Oh nëne si përthyhen, dridhen, dhe lëkunden rezet fosforeshente të diellit! Si të jetë një fustan, i madh, i bardhë, gati i tejdukshëm nusërie! Toka ishte veshur me petkun gjelbër të fund pranverës. Diku dalloi një lule të vonuar, me petale pakës të fishkura, por që me stoiçishëm qëndronte akoma në pemë. Donte me gjithë shpirt që ajo lule e vonuar të qëndronte sa më gjatë aty, në pemë.

Një flutur krahëshkruar u ul në degën që ishte më pranë dritares. Sofisë iu ndal zemra, se mos ajo flutur në ulje rrëzonte petalet e lules. Por ulja e fluturës ishte e butë. Përsëri iu duk sikur ndjeu drithërimën e lehtë të kërcellit të njomë dhe bulëza vese që pikonin prej saj. Jeta i ngjan luleve, gjetheve dhe fluturave që ndihmojnë dhe shtyjnë në mënyrë të natyrshme njëra tjetrën. Më pas vijnë dhemjet, që gërryejnë gjethet, si dhe insektet e tjera. Vijnë erërat, ndërrimi i stinëve, ciknat… Në fund, e pamëshirshme, zemërgur, vjen vdekja, e cila fshin me kosë gjithçka që do të thotë: Asgjë…

Fatalisht njeriu është tmerrësisht i përkohshëm, mendoi dhe psherëtiu. Përse të jetë kështu, përse? Një sumbull loti iu rrokullis prej syrit dhe i qëndroi mbi mollëz. Po qaj, vërtet po qaj! Gati sa nuk foli me zë. Po qaj prej dhimbjeve apo prej trishtimit? Jo, nuk duhet të qaj! E fshiu lotin me të shpejtë. Jo, kurrsesi nuk duhet të qaj! Nuk mund të pranoj përfundimin shpartallues: ASGJË. Sepse kam lënë diçka. Jo, kam lënë më shumë se diçka që e injoron asgjënë. Ne nuk jemi të përhershëm. Ndërkohë, përgjatë jetës, bëjmë diçka, krijojmë jetë dhe vepra dhe i lemë pas. Ajo dhe vetëm ajo, është e përhershme dhe e patjetërsueshme.

Sofia përshkundi kryet dhe lëshoi një copë herë trupin të prehej. Jo, nuk duhet të mendonte për gjëra të mërzitshme e të trishtuara. Por ç’ të bënte, shumë gjëra veprojnë në kundërshtim me atë që do dhe dëshiron. Para që gjithash ishte grua, nënë dhe artiste…

Së pari duhet të kesh shkallë të lartë ndjeshmërie dhe sensibiteti, pastaj mund të jesh artist. Po nuk e ndjeve, e përjetove nuk mund ta realizosh.

Përpara saj ishin shpalosur të gjitha ngjyrat, si në një qilim të madh. Nuk kish kohë ta mundonte veten për gjëra munduese, pesimiste, sido që ndjente dhembje në trup dhe nuk kish shpresë se mund të jetonte gjatë…

Si tani, një vit më parë, bëri peizazhin e fundit. Shkuan familisht për të bërë plazh diku nga jugu, nga bregdeti. Dita ishte e nxehtë. Qielli ishte i kthjellët, si në pasqyrë. Disa dallgë të lehta vinin ngadalë, duke nanurisur dhe lëpinin shkëmbinjtë e zbardhur si eshtrat e një dinozauri. Ajo nuk u zhvesh të bënte plazh. I hanin duart për punë, bukuria që kish përpara e joshte. U ul në verandë dhe nisi të vështronte horizontin e pafund.

-Mama, eja bëj plazh së bashku me ne,- e ftuan djemtë.

Ajo vendosi dorën si strehë mbi ballë dhe u buzëqeshi ngrohtë. Ndjente se diçka jo fort e këndshme po ndodhte në trupin e saj, por nuk donte ta bënte veten. I ngjante vetja si një mollë e lartë, që donte të dhuronte gjithnjë lule dhe fruta. Por përrenj idhnakë, të rrëmbyeshëm, nëntokësorë, kishin filluar ti gërryenin rrënjët. Ajo dita ditës ndjente lëkundjen e shkundjen dhe mos mbështetjen ndaj tokës. Prandaj nuk kish kohë të shëllërej pa ndonjë qëllim dhe vlerë në diell. Para së gjithash nuk mund të linte atë mbresë të papërsëritshme që e ngacmonte në shpirt: Valët  shkumëbardha, vinin e shkonin, shkëmbinjtë si eshtrat e një dinozauri dhe kaltërsia e papërsëritshme qiell dhe ujë. Kur çdo ditë që shkonte dhe nuk bënte gjë e mundonte, ndjehej bosh.

Me një nervozizëm të pa kuptuar iu përvesh punës, filloi të përziente ngjyrat dhe ti hidhte në beze. E kaltra ishte theksuar, por që kishte një transparencë befasuese. U shkri me natyrën. Dielli kish mbetur pezull në qiell dhe nuk lëvizte. Iu përcëlluan shpatullat nga qëndrimi në kanotiere, nën diellin e fortë. Por kur vuri nënshkrimin dhe përfundoi peizazhin ndjeu kënaqësinë e krijimit, njëkohësisht dhe përcëllimin e lëkurës. I shoqi, Akili u ankua butë, sepse artist ishte dhe ai dhe e kuptonte mirë magjinë e krijimit. Me seriozitet nisi të përkujdesej. Ia mbuloi të djegurat me kos të freskët. I dha një aspirinë të plotë, për ti qetësuar dhembjet.

Duke mërmëritur me mërzi, në dhomë hyri infermierja gjoksmadhe, vetulltrashë, me nishan të zi nën buzë. Ajo la në tavolinë një broke në ujë. Sofia e vështroi në mënyrë pyetëse, përse më le këtë broke me ujë.

-Sikur ju ma kërkuat, harruat?- i tha me zë të grindur infermierja gjoksmadhe, vetulltrashë, me nishan të zi dhe doli duke mërmëritur:- Njëra kërkon ujë dhe harron, ndërsa tjetri, aty matanë, ka gjithë ditën që pëllet, kërkon oksigjen…

Vërtet ajo ia kish kërkuar. I dukej sikur buza i thahej, i bëhej trokë, prandaj kish kërkuar ujë. Ndoshta për shkak të oksigjenit. Edhe harroi. Ndoshta ngaqë e magjepsi natyra. Mendoi ti kërkonte të falur. Infermierja iku. Ajo kishte emër të ngatërruar diçka midis Esmeraldinës dhe Enkelajdinës. Për të mos e fyer e thërriste shkurt, Dina. Por fytyrën e kishte mjaft interesante, sidomos profilin me nishanin e zi nën buzë. Fytyra e saj ishte shumë ekspresive dhe me të vërtet dilte një portet shumë shprehës. Të ishte ditë tjetër dhe të ishte diçka më mirë, do ti lutej ti bënte portretin. Vështroi duart, me damarët blu nën lëkurë. Ato tashmë nuk kishin më gjallërinë e mëparshme, kishin filluar ti rrudhoseshin e ti mpiheshin. Ajo nuk e kërkonte kurrë plogështimin e gishtave. Donte që ato të ishin gjithnjë të shkathëta energjike.

Në shkollë kishte pasur për pedagog kryesor një portretist të madh. Plaku i imët dhe  flokëbardhë u përkujdes ti mësonte të fshehtat, linjat e kapshme e të fshehta të portretizimit. Kur pedagogu ishte në ditë të mirë e thërriste pranë dhe i thoshte:

-Pa eja këtu ti, shqiptarkë e bukur, na i trego punimet më të fundit.

Ai merrte punimet në duar, ulej në tavolinë. Rëndë -rëndë vinte syzet dhe i kundronte me kënaqësi portretet e freskëta të vajzës së re, duke ia bërë:

-Çëëk…çëëk, çëëk, mirë, mirë. Vetëm vëzhgo, vizato, gjej sekretin, ekspresiven dhe portreti do të flasë vetë.

Sofia u rit me artin, pikturën. E dashuronte me gjithë forcën e shpirtit. Fletoren, lapsnin dhe karbonin i mbante me vete, ngado që shkonte. Ajo realizoi me qindra portrete të punuara me karbon, laps e vaj, me atë përhumbjen e pikëllimin e largët të njerëzve të thjeshtë, që i rrethonin ato në jetën  e përditshme. Natyrat e qeta, herë me një farë melankolie vesore, të tufave të luleve e herë me atë kuisjen e tyre të pasur e të vrullshme. Peizazhet e shumta me ajër të tejdukshëm të ndehur mes pemëve.

Sofia e harroi shpejt ujin dhe infermieren Dina me nishan të zi. Natyra, e madhërishme, shtrihej përpara saj, e ajo ishte përfshirë në magjinë e ngjyrave. Sa mrekullueshëm! U drithërua. Një moment iu bë të ngrihej me vrull, si dikur. Të flakte teshat e spitalit, të vishte përparësen e punës, të vendoste kanavacën, këtu në dritare, të shtypte tubetet, të punonte ngjyrat. Të ngulej një copë herë si zakonisht, të thithte të gjithën pamjen, pastaj të fillonte të punonte, të pikturonte pa pushim, pa pushim, pa pushim. Oh, të mos kish kurrë pushim dhe fund! Të përfshihej prej misterit të krijimit. Të krijimit të një mundimi të paemër. Të hidhte magjinë e dhuruar në magji të krijuar…

Iu kujtua si në film jeta e saj. Shtëpia e vogël, e thjeshtë, me mindere. Në një prej rrugicave me kalldrëm të qytetit juglindor. Mbushur me cicërimat e vajzave të vogla, të lindura njëra pas tjetrës. I kujtohej babai i saj me dollomanë e gjatë të zbardhëllyer dhe të përlyer gjithnjë nga bojërat. Ajo ashtu e mbante mend të atin, në këmbë, stoik, flokë shpupuritur. Si një sfinks i paarritshëm, me penela nëpër duar, hipte dhe zbriste nëpër skela, vizatonte, krijonte, jepte dhe merrte me shenjtorë e perëndi.

Baba i saj Vangjeli Zengo i përkiste brezit të katër i traditës familjare piktorë-ikonografë. Breza me radhë, prej familjes së tij, vizatuan e krijuan qindra dhe mijëra ikona dhe mure kishash si rrallë të tjerë në Ballkan. Fillon me Nikolla Zengo ( i Vjetri), që jetoi midis gjysmës së dytë të shekullit të 18 dhe gjysmës së parë të shekullit nëntëmbëdhjetë. Vazhdon  me Andrea Zengo i biri i Nikollës. Më pas vjen Papajani Zengo ( Jani Ndini Zengo) etj.

Por babai i saj Vangjeli ishte ndoshta më i mirë i më të mirëve. Gjurmët e punës së tij gjenden në dhjetëra kisha e manastire anë e kënd Ballkanit. Ai i mëkoi fëmijët e vet me dashurinë për artin dhe pikturën. Fëmijëria e saj ishte vërtet e varfër, mbasi gjithë ekonomia e familjes varej prej penelit të kryetarit të saj. Shumë herë, për muaj të tërë familja hante të njëjtin ushqim; bukë e thatë, që zbutej me verë dhe me pak sheqer për të tre vaktet. Por përsëri harmonia dhe morali ishte i lartë, shtëpia ziente nga zërat fëminore dhe nga këngët që përhapeshin në oborret dhe rrugicat rrethepërqark. Në atë shtëpi nuk dëgjoheshin grindje dhe sherre. Arti asnjëherë nuk të lë kohë të mpakesh.

Një mbrëmje vjeshte një fqinj i tyre, takoi të atin në rrugë. U përshëndoshën, drodhën nga një duhan, pastaj komshiu i tha:

-Ore Vangjel. Ti je babai shtatë çupave dhe nuk ke djalë, apo jo?

-Po babai i shtatë çupave jam,- i tha.

-Si është e mundur o Vangjel, çdo natë kur kthehem nga puna, unë dëgjoj këngë dhe hare në shtëpinë tënde?

Babai vuri buzët në gaz:

-Dëgjo këtu o mik,- i tha,- unë nuk kam shtatë çupa, por shtatë çifligje.

Komshiu e vështroi me habi, gati me nënqeshje. Nga do ti gjente çifligjet ky zanatçi, zograf, që bridhte si muhaxhir kishë më kishë! Hëm, ka një taborr me çupa dhe nuk di nga ti a mbajë. Hëm, nuk e thonë kot; që kur lind vajzë qajnë edhe strehët e shtëpisë. Jo një, por shtatë! Hej bela! Zografi i shkretë, që na ngjan më shumë me bojaxhi, nuk e mbulon dot diellin me shoshë!

Por i ati i saj, Vangjeli ishte intelektual, që shikonte shumë larg. Ai e njihte mirë madhështinë e pavdekësinë e artit. I mësoi vajzat e tij të mbanin penelin pranë që në vogëli. Me ikonat që i ati dhe paraardhësit e tij pikturonin.

Sofisë i kujtohej mirë fëmijëria. Kur luante në cep të dhomës dhe drita e qiriut luhatej. Nëna ndizte një qiri tjetër dhe ia vendonte babit në tavolinë. I dukej i magjishëm ai kënd ku punonte i ati. Braktiste lodrat dhe ngujohej me ndrojtje përpara ikonave të përfunduara, që shkëlqenin. E vështronte e mahnitur lëvizjen shkathët të penelit e shkëndijimin e ngjyrave. Krijimin e figurave dhe trishtimin  mahnitës të shenjtorëve. Kërkonte me ngulm të gjente se çfarë fshihej përtej atij sfondi dhe atij trishtimi mahnitës.

-Zoçka ime, dëshiron të mësosh të luash me magjinë e penelit dhe të ngjyrave?- e pyeti i ati.

Ajo luajti kryet dhe i afrohet më pranë të atit, pa i ndyrë sytë në ngjyrat e freskëta që vezullonin. Motra e madhe ishte bërë qyshkur piktore dhe çirake e parë e të atit.

-Arti është shumë më i gjerë dhe i madhërishëm se këto ikona,- i tha i ati, pastaj e mori në pëqi dhe nis ti përkëdhelte flokët.

-Fshiji duart kur u prek flokët vajzave, se do tu a bësh si lesh arapi,- i tha nëna.

-Ri rehat, o grua. Çupat duhen të mësohen qysh tani me erën e ngjyrave.

Ato filluan të ushqeheshin dita ditës me dashuri për këtë mjeshtri. Ato ishin pjesëtare të një mjedisi familjar sa të ndjeshëm nga ana e dashurisë për njëri tjetrin, aq dhe të rreptë nga ana e punës, ku orët e ditët kalonin duke përvetësuar mjeshtërinë artistike. Ato bënin çmos me këmbëngulje tu bëheshin krah të atit të tyre në bërjen e ikonave dhe në dekorimin e kishave. Babai u dha profesione vajzave të tij, duke u siguruar atyre mësuesit dhe shkollat më të mira që qenë në atë kohë…

Flutura krahëshkruar fluturoi një copë herë mbi degë pa vendosur se ku të ulej. Sofia po e përgjonte pa i lëvizur qerpiku. Flutura një hop u ul mbi një gjethe të blertë, por siç dukej nuk ishte e kënaqur. U ngrit, rahu flatrat, qëndroi pezull në ajër. Fluturoi, u fërkua pas gjetheve të blerta dhe si për inat të Sofisë shkoi e u ul mbi lulen e vetme. Asaj iu mbajt fryma. Mos, gati sa nuk thirri. Përse u ule aty, po sikur lulja e vetme të shkërmoqet dhe të rrëzohet prej rëndesës tënde të pakujdesshme? Shko, fluturo kudo, por jo aty.

Flutura, si për inat të saj, rrahu disa herë flatrat delikate. Kujdes, moj flutur, mirë që u ule mbi lule, por të lutem, mos u tund dhe u shkund, pëshpëriti Sofia gjithë ankth. Flutura gjithë indiferentizëm u ngrit prej lules. Pa u kushtuar rëndësi merakut të hapur, të gruas së sëmurë që e vështronte me shqetësim, përtej dritares së spitalit. Fatmirësisht asgjë nuk ndodhi, fletët e lules u drithëruan por nuk ranë dhe Sofia mori frymë e lehtësuar. Zemra e fluturës është e brishtë si zemra ime.

Përse iu fiksua pritja e ankthuar e rrëzimit të natyrshëm të lules? Përnjëherësh iu kujtuar motra e vogël Antoneta, më e bukura ndër vajzat, që vdiq nga skarlatina në moshën tetë vjeç. Motrat e më të rritura e thërrisnin lule dhe engjëllushe. Qysh atëherë iu krijua bindja, që lulet janë delikate si e motra, Antoneta. Dhe fluturat janë gjithashtu delikate. Kanë rrjedhur shumë e shumë vite dhe motra e vogël është lart në qiell pranë babait dhe nënës. Sa shpejt ikën njeriu, si era, sikur nuk ka qenë kurrë! E ajo, Sofia ishte bërë më delikate se delikatet…

Por nuk dua të jem e tillë, a do mund?!

Sofisë iu kujtua se sa me emocion priti ditën kur shkoi të studionte  në Akademinë e Arteve të Bukura të Athinës. Në vendin, e Fidias dhe të Praksitelit. Në antikitet u zhvillua në shkallë të lartë artet e bukura dhe kultura. Babai i kish parë së afërmi. Tani i erdhi radha asaj ti shihte dhe ti prekte. Ajo pa nga afër Akropolin dhe kryeveprat e artit klasik, teatrot ku e luajtën tragjeditë e famshme të Eskilit, Sofokliut, Euripidit, etj. Motra e saj Androniqi, e cila sapo ishte diplomuar, bëri një vit studime në skulpturë, me qëllim ti qëndronte afër motrës më të vogël. Ato të zëna krah për krah ngjitnin shkallët e ngurta të Akropolit. Dhe ajo kështu filloi të ngjiste shkallët e artit të madh, pikturës.

Iu duk sikur kish djersirë. Një hop bëri çudi, në dhomë nuk ish dhe aq vapë sa të djersinte. Me cepin e çarçafit fshiu qafën që i ish holluar…

I erdhi nëpër mend viti i fundit shkollës së lartë, provimi i fundit për marrjen e diplomës. Në vendlindje, në Shqipëri sapo ishte ndehur terri i rëndë i pushtimit dhe në kufij po bëheshin provokime për një luftë më të zgjeruar, botërore. I bëri kërkesë drejtorisë që provimet përfundimtare ti bënte në muajt e pushimeve të verës. Dita e provimit i ra ta bënte së bashku me një student vendas por që e kishte vitin e gjashtë. Ai mundohej të merrte diplomën  dhe nuk arrinte dot. Sofia e kish ndeshur shpesh herë atë student shtatshkurtër dhe kokëmadh nëpër korridoret e fakultetit por nuk i kish kushtuar rëndësi. Të dy, të ulur në pozicione të ndryshme po bënin vizatimin e një gjysmë trupi. Fytyra e studentit ishte zbehtë, shumë e trishtuar, njëlloj si ikonat që pikturonte i ati. Flokët kaçurrela i vareshin ankueshëm në fytyrë. Vizatonte e fshinte me nervozizëm dhe mërmëriste nëpër dhembë me vete:

-Kush e dëgjon çukullisjet e tim eti, në qofte se më shkon huq dhe këtë radhë. Më mirë të vras veten.

Sofia e dëgjoi. U zgjat me kujdes dhe vështroi nga punimi i tjetrit. Përnjëherësh konstatoi që vizatimi i tij kishte përmasa më të mëdha se masat natyrale që kërkoheshin nga komisioni.

-Shko merr në tjetër letër me vulë,- i pëshpëriti ajo.

-Çfarë! – ia bëri ai i hutuar dhe kapsalliti qerpikët.

-Të thashë. Shko shpejt merr një letër tjetër me vulë, sa komisioni nuk e ka mendjen,- i foli me të shpejtë ajo, e shtoi,- dhe grise  të parin.

Shoku i kursit e mblodhi menjëherë mendjen. U ngrit prej stolit si vetëtima. Tërhoqi me shpejtësi një letër tjetër, me vulë dhe ia dha Sofisë.  Ajo me zhdërvjelltësi dhe përpikëri e vizatoi modelin në përmasat natyrale. Sytë e tij e vështronin me mirënjohje.

Kur dolën rezultatet fituan të dy. Shoku i kursit sa nuk fluturonte nga gëzimi.

-Oh, nuk di si të falënderoj. Nuk do dëgjoj më gjëmimin çmendurak të tim ati. Ai është një njeri i pasur dhe do që unë të bëhem pa tjetër piktor. Të them të drejtën nuk jam dhe aq i prerë për tu bërë piktor i mirë.

Ai nxori një çek nga xhepi dhe i tha Sofisë:

-Për ndihmesën që më dhe, do ta shpërblej. Hap gojën, thuaj një shumë, sa të duash dhe unë do ta firmos menjëherë.

Sofisë iu qesh. Nuk e kish menduar që të ndihmonte dikë me para. Ajo tashmë e kishte fituar një byzylyk të artë. Të tjerat nuk i hynin në sy..

-Mua më mjafton një faleminderit,- i tha dhe i zgjati dorën ta përshëndeste.

Tjetri ngeli gojë hapur. Hapi krahët si ti thoshte, si të duash dhe iku.

Sofia me rezultate të larta në universitet mori rrugën kthimit për në atdhe. Makina tundej dhe shkundej në rrugë e dëmtuar. Qielli ishte i vrenjtur me re. E shoqëronte nga pas një ankth dhe peizazh i zymtë. I rënduar me lëvizjen e nëndheshme, gjëmimet dhe lufta e përgjakshme.

Ajo ishte plot vrull e jetë dhe çdo mbrëmje kur nuk realizonte atë që donte, thoshte me vete: Iku dhe një ditë, çfarë bëra unë, asgjë. Pas dy vjet pritjeje filloi nga puna, por përkushtimin ndaj pasionit të pikturës asnjëherë nuk e braktisi. Ditë pas dite javë pas jave dhe vit pas viti. Pyetja: çfarë bëra unë sot? Analiza e vetvetes, për një ditë në qoftë se ishte pa fryt, e shoqëronte në çdo hap të jetës së saj.

Sofia u mbështet në bërryla dhe me vështirësi u ngrit pak ndenjur. Rregulloi jastëkun në shpinë. I dhembnin të ndenjurat, i gjithë trupi i shponte prej qëndrimit shtrirë. Por atë e kishin përfshirë kujtimet e shkuara, të bukura. Ajo ish përpjekur ta vlerësonte e ta përjetonte të bukurën  dhe ta jetonte jetën…

Iu qesh, kur iu kujtua vajzëria e veshur me pantallona dhe hipur në biçikleta. Nëna pati kundërshtim të butë, mbasi i besonte babait.

-Ç’ është kjo o burrë, të më dalin çupat me pantallona!

-Ja që është, o grua e dashur. Vajzat e mia janë ndryshe, nuk janë si të tjerat, – ia pat babai duke qeshur, por vështrimin e kish të menduar. Kish merak si do pritej nga bashkëqytetarët e tij. Por tashmë vendimin ishte marrë.

Sofia kishte dëgjuar për Xhorxh Sandin, shkrimtaren franceze që vishej si burrë, e cila me kurajë sfidoi kohën  dhe mendësinë. Babai i  saj mund të mos kishte dëgjuar për atë grua shkrimtare dhe ajo nuk e pyeti kurrë. Por arti të zbulon ca shtigje, dhe të hapën ca rrugë, që të tjerët nuk mund ti gjejnë…

Ato ishin të parat vajza që filluan të ecnin me siguri në fushën e artit të madh, pikturës. Gjithashtu, ato ishin të parat vajza që mësuan të ngisnin biçikleta nëpër rrugët dhe rrugicat e qytetit. Përplasej ndonjë dritare nxitimthi pas tyre hidhej në ajër ndonjë pëshpërimë pezmatimi. Qyteti tinëzisht i përgjonte, priste. Mërmëriste, përpara disa vitesh ferma nuk guxonte të dilte prej shtëpie, këto çupa të zografit guxojnë tu hipin edhe biçikletave!? Por çfarë priste vallë, mos u prish bota!

Ato ishin shembulli i përkushtimit dhe sakrificës. Me biçikleta shkonin në punë dhe me to shëtisnin nëpër rrugët e qytetit. Për më tepër, hipnin si djemtë majë skelave në kishat e reja, për të pikturuar basoriliefë, shenjtorë dhe perëndi. Të udhëhequra nga babai i tyre i qetë dhe pa fjalë.

Veprimet e saj dhe të motrave ishin krejtësisht të pazakonshme për kohën dhe mundësinë. Ato nuk e bënin prej qejfit, por prej nevojës, të fitonin kohë. Qytetarët shqyen sytë të befasuar me surprizën e zografit, dhe të  çupave të tij të veshura si burrat. Ndërkohë ato vazhdonin të kacavirreshin nëpër skela dhe pikturonin në praninë e vazhdueshme të kalimtarëve të qytetit, ku të gjithë e njihnin njëri tjetrin. Një qejfli ngriti sakaq këngën:

Nuk ka si bukuroshet tona,

Të veshura me peliçeta,

Hipin nëpër skela dhe biçikleta.

Babai i saj qe i ndërgjegjshëm për hapin delikat që po hidhte me vajzat e tij. Ai e dinte mirë se nuk ishte një fjalë goje të nxirrte çupat nëpër rrugët e qytetit veshur me pantallona, të kacavirreshin nëpër skela, e të pikturonin mes kalimtarëve të shumtë. Babai i saj përgjatë gjithë jetës së tij e kish përballuar me guxim dhe vendosmëri. Ai ishte ndryshe nga të tjerët. Prandaj dhe ato duhej të mësoheshin me të njëjtën ndjenjë, përgjegjësi dhe civilizim. Me ndjenjë krenarie çka  bënin dhe përgjegjësi qytetarie çka vepronin. Babai në vite u dhuroi bashkëqytetareve ikona mjeshtërore, u pikturoi kisha, ku shkonin faleshin dhe shpreheshin. Të gjitha këto përbënin fillesën e rëndësishme të mirësisë. Dhënies çka mund të japësh të tjerëve. Sepse do vijë një ditë, do të kuptojnë dhe vlerësojnë. Përgjegjësia personale dhe familjare u përkiste atyre, për të krijuar vepra të bukura emancipuese shoqërore.

Gjithsesi. E gjithë veprimtaria e fisit të saj por dhe e familjes, motrave, ishte një sfidë dhe përballim, që kishte në thelb një farë sakrifikimi. Një dashuri të vështirë e të ndërlikuar me karakter emancipues ndaj vetes dhe bashkëqytetarëve.

Kur qyteti dremiste, nën petkun e muzgut. Hamejtë dhe tellalli thërrisnin që në pikë të mëngjesit dhe vendi hiqej mos e këput. Ajo dhe motrat e saj bënë hapa të madha, si rrallë të tjerë. Nga muret e kishave e të manastireve që pikturonin, shkuan me dinjitet me veprat e tyre në muret e galerive të artit. Në muret e shtëpisë së saj dhe nëpër galeritë artit anë e kënd vendit varen me dinjitet pikturat, portret dhe peizazhet. Ajo mendonte se me pikturat e  saj kishte vënë një tullë modeste në godinën e madhe të artit dhe të kulturës. Ndërsa dikush me çiltërsi i kishte thënë:

-Sofi, duhet ta dish mirë, pikturat e tua janë një kolonë e rëndësishme në godinën e artit.

Ajo kishte buzëqeshur me modesti. Ajo, të motrat dhe familja e saj ishin munduar të bënin më të mirën, në shërbim të vendit të artit dhe të kulturës…

I kujtohej kur bëri kompozimin e demonstratës së parë dhe në qendër, vendosi njeriun që u vra. Që hëngri plumbin e parë. Dikush me indiferentizëm i tha:

‘Sofi, mendoj të vësh në qendër të kompozimit tënd, figura që sot janë të rëndësishme e në pushtet, po të duash të fitosh pikë. Ky i gjorë ish veçse një shakaxhi. Doli të shiste sheqerka, e rrëmbeu turma dhe plumbi e mori rastësisht, e vrau.

Sofia e vështroi me dashamirësi dhe i tha:

-Vetë historia është grumbull rastësisht në dukje të rëndomta. Prandaj dhe i vrari është një pjesë e rastësisë që quhet histori…

Sofia largoi me vështirësi jastëkun që kishte nën shpinë dhe e vendosi poshtë nën kresë. Ndjehej tmerrësisht e lodhur por shpirtërisht e çlodhur. Dielli shkëlqente dhe natyra dukej sikur këndonte. Lulja ishte në degë dhe era e lëkundte lehtë.

-Uh, ç’ ditë e vështirë sot për mua. Më shastisi kokën pacienti i dhomës përballë,- hyri në dhomë duke u grindur Dina, infermierja gjoksmadhe, vetulltrashë, me nishan të zi, shtoi:- Ka gjithë ditën që pëllet, kërkon oksigjen. Ku ta gjej unë oksigjenin kur vetëm një bombol me be është në gjithë pavijonin.

-Vetëm një oksigjen paska në gjithë këtë pavijon? – e pyeti si fajtore Sofia. Me vete shtoi, dhe këtë tub me oksigjen e paskam privilegj ta kem vetëm unë!

Infermierja luajti kryet në shenjë pohimi. U vërtit si kot një copë herë nëpër dhomë. Qëndroi përpara dritares dhe vendosi duart në gjoks.

-Ua, paska një lule atje në degë! Nuk e kisha vënë re,- ia bëri e habitur, pastaj shtoi:- Të them të vërtetën ai pacient është shumë rëndë.

-Jepi oksigjenin tim,- i foli ultas Sofia.

Dina, infermierja u kthye dhe fërkoi nishanin e zi. Qëndroi pranë shtratit të saj dhe e vështroi gjithë habi.

-Po ti si do bësh pa oksigjen?- E pyeti.

-Më duket sikur ndjehem më mirë,- foli ultas Sofia dhe mbylli sytë.

-Sofi, je e sigurt çka thua?! – e pyeti përsëri Dina, infermierja. Dhe lëvizi shpatullat me indiferentizëm.

-Po.

Sofisë i dukej sikur vërtet ndjehej më mirë, por ndërkohë i bëhej sikur trupi po i shkrihej. Dina, infermierja iku së bashku me tubon e oksigjenit. Dhoma dhe korridori i spitalit dergjeshin në qetësi. Zëri i lartë, ankues i burrit të sëmurë në dhomën përballë ishte fashitur. Asaj iu bë sikur me qindra piktura i lëviznin përpara syve, portretet që i donte aq shumë: ‘Portret gruaje me shall’, ‘Portret plaku’ ‘ Autoportret’ etj, të tjera.

Hapi sytë dhe vështroi tavanin e bardhë, diku në qoshe të dhomës dalloi një pezhishkë dhe merimangën që po kacavirrej me nxitim nëpër fillin e saj. Nuk donte të kthehej nga dritarja. Le të mbante në memorie imazhin e lules në degë dhe të fluturës krahëshkruar mbi të. Merimanga mbërriti në rrjetën  e saj. Befas u lëshua poshtë mbajtur pas një filli. Sofia largoi sytë prej aty. Sytë i digjnin në cepa. Bëra mirë që i dhashë atij njeriu të panjohur bombolën me oksigjen, mërmëriti.

Megjithatë me ngadalë ktheu kryet majtas dhe vështroi përtej dritares. Lulja kishte rënë prej degës. Dega e njomë e gjelbër lëkundej lehtë, si fajtore. Ajo nuk e pat ndjerë erën që kishte fryrë përjashta. Vërtet fryu erë përjashta, apo i kishte ardhur koha që petalet e lules të shkundeshin dhe të binin?

Dhe jeta e artistit është si lulja në degë, ia bëri me vete. Ndjeu zëra pranë. Me siguri duhej të kishin ardhur të dashurit e saj, burri dhe djemtë. Ata po i flisnin, ishin të shqetësuar. Përse shqetësoheshin, ajo ishte mirë? Dikush po i fshinte ballin, një tjetër po ia ledhatonte flokët. U përpoq tu buzëqeshte, tu thoshte, se i donte shumë dhe të mos bëheshin merak, jam më mirë. Me të vërtet jam shumë mirë. Dikush e pushti në buzë, ndjeu lagështinë e njohur. Me siguri duhej të ishte Akili, i shoqi. Kishin kaluar një jetë të mrekullueshme së bashku. I duk sikur ia tha, të dua fort. Vallë e dëgjoi Akili. Sa zhurmë qa ka. Nuk pati kohë. Përse vrapon kjo kohë aq shpejt! Iu bë sikur po e thërrisnin prindërit dhe motra e vogël Antoneta…

Ndjeu një dritë të fortë, vezulluese dhe më pas mijëra shkëndijime shumëngjyrëshe që përhapeshin ngado. Disa duart po e ngrinin ngadalë, butë. Gjendej krahëhapur. Ndjehej shumë e lehtë, si pupël. Iku ngadalë, u ngrit mes vezullimeve…

Pas dy orësh në dhomën  përballë, vdiq dhe ai burri me tubon e oksigjenit në gojë…

 

Filed Under: Sofra Poetike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 56
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • …
  • 74
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT