Kosova është pjelloria e dasmës me flamur! (Ismail Kadare)/
Shkruan: Xhemail Peci/
“Në pemën e madhe të dijeve të njeriut mbi botën dhe jetën, estetika është një nga degët më të lashta…Përceptimi i bukurisë estetike shkakton nje kënaqësi shpirtërore të veçantë, kënaqësi estetike…Gazetari duhet të ketë frymëzim deri në hyjnizim…GAZETARINË NUK E DUA. E DASHUROJ!” (Shaqir Foniqi)
Në një nga poezitë e tij më të bukura, të titulluar Kur u largova nga shokët në mëngjes, Xhon Kits ka shkruar:
Ma jep penën e artë, më nuk mund të pres,
Të shtrihem mbi lule, atje tek është pylli,
Ma jep një letër më t’bardhë se ylli-
Ose dorën e engjëllit në mëngjes,
T’i bie harfës së argjendtë dhe qiejve në mes.
Edgar Alan Poe në vjershën Anabel Le, shkruante:
Shpirtin tim s’mund ta shqitni nga shpirti
I së bukurës Anabel Le.
Dhe çdo yll që shkëlqen, sytë e ëmbël rrëfen
Të së bukurës Anabel Le.
Në një poezi tjetër, Poe ka skalitur në skofi fjalësh portretin e një vazje: Vajzës s’hollë dhe rrëzor, që i thonë engjëjt: Leonorë!
Rene Shatobriani, apo siç është quajtur me epitetin Demon i Zemrave, duke kundruar peisazhin e bukur të natyrës, shkruante: “Një ditë po zbavtitesha duke këputur fletët nga dega dhe duke i hedhur një nga një në ujë. Secilës gjethe i kam dhënë nga një mendim, secilës gjethe të cilën e barte vala e lumit. Kam dashur të jem bashkudhëtar me to, kam dashur të jem në sipërfaqen e fletëve, në krahët e zogjve…”
Në po të njëjtat përmasa, poeti i ndjenjës së hollë dhe gazetari i fjalës së latuar e të mendimit të thukët, është frymëzuar dhe frymëzohet dita-ditës, për t’i vargëzuar “VAJZËS S’HOLLË DHE RRËZOR, QË I THONË ENGJËJT”: RITA ORË!
Poetët janë frymëzuar dhe frymëzohen në mënyra dhe në përmasa të ndryshme, duke shprehur nëpërmjet fuqisë së fjalës së tyre vizionin e tyre estetik, duke shpalosur konceptin e tyre artistik për botën imagjinare të artit e cila i frymëzon, si dhe për botën reale e cila i rrethon:
J. Sajfert theksonte se “kujtimet kanë rrugë të femrave” (poezia Gjurmët e gishtave), kurse eseisti dhe shkrimtari i shquar italian Umberto Eko, në një shkrim për Borhesin (Borges-i dhe ankthi im nga ndikimet) e quante ate pararendës të Kafkës dhe vinte në pah se: “Ajo që mbetet përgjithmonë e Borghes-it është aftësia e tij për t’i përdorur thërmijat më të imta të enciklopedisë për të krijuar muzikën e ideve. Unë kam provuar ta imitoj atë (edhe pse idenë për muzikën e ideve e pata marrë prej Joyc-it. Çfarë mund të them? Se përballë melodive të Borgesit, aq të afërta dhe aq lehtë të këndueshme (edhe kur janë a-tonike), të mbetura aq gjatë në kujtesë, si shembuj të veçantë, më bëhet sikur ai përjetësisht t’i kishte rënë pianos dhe unë t’i kem fryrë një okarine.”
Horhe Luis Borges, ndërkaq në Ulrika komentonte poezinë e Blejkut: “Një poezi e Uiliem Blejkut flet për vasha të buta si argjendi dhe skofiare si ari, kurse në Ulrikën kishte butësi dhe skofi. Kishte një shtat të hedhur, të gjatë, ca vija të rrepta të fytyrës dhe sy të surmë. Më tepër se fytyra më interesonte heshtja e saj e mistershme!”
Borhes, për të cilin një gazetar amerikan është shprehur se arti është ajo që pa Borhesi kur u verbua, tek Ulrika theksonte se: “Mrekullia me të drejtë vë kushte!” E për Maria Kadomna-n shprehej se me zërin e saj, ajo e botn e shndërronte në bukuri.
Poeti amerikan Alan Ginsberg, në eseun e tij tepër domethënës dhe po aq analitik: Poezia, dhuna dhe delet e trembura, vinte në pah:
“Poezia është shënim mbi venerimet individuale në shpirtin e fshehtë të individit, e meqenëse të gjithë individët e bëjnë Njeriun në sytë e Krijuesit, atëherë ajo është edhe shënim mbi venerimet në shiritin e Botës. Bota ka shpirt.”
Kurse, duke komentuar në shënimet e tij për Ulurimën, shkruante: “Një fjalë rreth politikanëve: poezia ime është një Ekstazë Engjëllore dhe nuk ka kurrfarë lidhjeje me tmerret e marra materialiste se kush mbi kë duhet të qëllojë. Misteret e imagjinatës individuale, trans-koncpetuale dhe jo-verbale, mendoj në Frymën Absolute, nuk i shiten kësaj vetëdije, nuk janë të dobishme për këtë botë, pos që mund ta detyrojnë për ta mbyllur grackën e vet dhe të dëgjojnë muzikën e sferave. Kush e mohon muzikën e sferave, e mohon edhe poezinë, e mohon njeriun dhe pështyn në Blejkun, Shellin, Krishtin dhe Budën. Në ndërkohë dëfreni. Universi është një lule e re. Amerikën do ta zbulojnë. Kush dëshiron luftë kundër trëndafilave, do ta gjejë. Fati është rrenacak i madh, ndërsa Krijuesi gazmor vallëzon mbi trupin e vet atje në Amshim.”
Në frymëzimin që për thelb ka përjetësimin, Shaqir Foniqi e admiron dhe e nderon, e lartëson por edhe e hyjnizon yllin e qiellit të muzikës, si një dhunti por edhe si një përsosmëri gjithë bardhësi, gjithë butësi, gjithë ëmbëlsi, gjithë hijeshi, gjithë skofi, gjithë madhështi.
Zemër-klithjet poetike se “bota ka shpirt”, se “Universi është një lule e re”, dhe se “Krijuesi gazmor vallëzon mbi trupin e vet atje në Amshim”, mishërohen tek një emër që jo vetëm Shaqir Foniqi e ka fort për zemër, pra tek: Rita Ora.
Rita Ora në vargjet e një poeti dhe në soditjet e tij, është mu si vashat e vargjeve të Uilliam Blejkut, në venerimet e Borhesit: e butë si argjendi dhe skofiare si ari.
Pra, Rita Ora është përplot butësi dhe skofi.
Një shpirt i lirë është një shpirt artisti
Shaqir Foniqi e ka projektuar përkushtimin e tij për artin dhe kulturën si në një përpjekje për një përmbledhje të majave, duke dashur që ta kompletojë kështu nismën për emrat më të nderuar të kulturës sonë: Aleksandër Moisiu, Bekim Fehmiu, Nexhmije Pagarusha, Gjelosh Gjokaj.
Gjakimi i tij për ta përmbyllur në analogji ciklin lasgushian të valles së yjeve, pa dyshim se kulmin e arrinë me këngëtaren Rita Ora, të cilës ia ka falur një prej epiteteve më poetike, një prej epiteteve më estetike (ku përfshihet e bukura dhe e madhërishmja), gjithsesi një prerj epiteteve më artistike: E PËRNDRITURA.
Dhe e Përndritura është RITA.
Duke u ndodhur në mes të epitetit nga më të rrallët, por edhe nga më të lartët: E PËRNDRITURA, si dhe në mes të emrit që në vete bartë lenta ylberi e rreze dielli kur zbardhë e agimit drita: RITA, poeti, krijuesi e gazetari, shijuesi i të bukurës dhe të madhërishmes, i të hijshmes dhe i artistikes, pa dyshim se qëndron përherë i frymëzuar: në mes të asaj që e ka thënë Borhesi për poezinë e Uillima Blejkut, dhe të mendimit që Borhesi ka shfaqur me një shije aq të hollë për Maria Kadomën.
Ka ndodhur rrallë, jashtëzakonisht rrallë që një meteor në qiellin kulturor, në këtë rast një Rita Orë, të ketë për çdo ditë, për çdo mëngjes një dorë që si kronikë kohe ka shprehur gjithë admirimin për të, ka shafqur gjithë nderimin për të, ka skalitur gjithë ato epitete për lartësimin e denjë të cilit doemos: mrekullia i vë kushte!
Shaqir Fonqi është poeti që prej kohësh është vënë në kërkim të një Dielli. Diell me Diell, Diell në Janar, Porta e Diellit, Diell në Shuplakë. Këto janë katër përmbledhjet e tij poetike të cilat në titujt e tyre kanë Diellin në thelpinjtë e hollë të zemrës krijuese, sepse me Diellin poetët e tokës bujare të gjakut, shpesh e kanë pagëzuar kohën, shpesh kanë shpalosur Rreze Dielli (një prej përmbledhjeve më të bukura poetike të Asdrenit, por edhe të lirikës shqipe), duke i folur kështu ardhmërisë sonë.
Dielli kështu bëhet dalëngadalë metafora me merin Rita Ora. Rita është ajo që e kanë thënë latinët e moçëm: çka ka në emër, ka edhe në zemër. Rita është si një kurorë e përkryer sonetesh me rima të bardha. Rita, ashtu siç ka vërejtur haqir Foniqi në librin e tij për Rita Orën, është një parashikim i rrallë të cilin e ka lënë si një testament kohe regjisori Besim Sahatçiu.
Nuk ka dyshim se ajo është një zbulim i rrallë, por edhe një frymëzim nga më të veçantët kundruall të cilit Shaqir Foniqi nuk mund të rrijë kurrë indiferent.
Ai u gëzohet sukseseve të saj, ai u kënaqet arritjeve të saj, ai u falet sukseseve të saj.
Fjala është Fryma e Shpirtit të Tij
Njeri me shpirt të lirë që e laton fjalën si shprehje të frymëzimit dhe të përkushtimit të tij artistik, por në mënyrë të veçantë njeri që u gëzohet talenteve të reja, prirjeve të reja, dhuntive të reja, zbulimeve të reja të artit dhe të kulturës sonë kombëtare, Shaqir Foniqi është treguar gjithmonë i gatshëm për t’i afirmuar ato, për t’i përkrahur ato, por edhe për t’i inkurajuar ato.
Fjala në lirikën e lartësimit të Rita Orës, është bërë kështu shpalimi më subtil i një shpirti të ndieshëm që hyjësisht e hyjëson ate që e admiron: sa për zërin e saj, po aq edhe për suksesin e saj.
Pagëzimi i vetmisë në zemër të natës, shpesh nuk mund të jetë tjetër veçse frymëzim nga më të rrallët ku bota e artit rri sot e mot në mes të njeriut dhe Perëndisë – si një ndërmjetësim nga më të veçantët, sepse siç e ka thënë Gëte: pavdekësia arrihet vetëm përmes artit.
Kishte të drejtë pra L. Venturni kur thoshte se çdo artist lë shpirtin e vet në veprën që krijon, thënie që sikur e kërkon gjenezën në gjurmë të asaj që shkruan Libri i Shenjtë: Dhe nuk do të kesh askë pranë, veç veprave tua!
I vetëdijshëm se frymëzimi është ndoshta bekimi më i veçantë, Shaqir Foniqi i është falur misionit të tij tepër fisnik, në të cilin gjithsesi, fjala është fryma e shpirtit të tij – ashtu siç është në ligjërimin e tij të hollë lirik edhe Rita Ora: “Lulja e kopshtit botëror të artit sipëror.”
Shaqir Foniqi është poet që nuk kursehet për asnjë epitet, por edhe është edhe shijuesi i të bukurës, si dhe vlerësuesi bujar i saj:“Jam i gatshëm për të besuar se femrat janë më pak të prirura për t’u korruptuar. Nisur nga ky besim, kërkoj që ato të kenë më shumë hapësirë për veprim. Pushteti i femrave është pushteti i zemrave; Engjëlli ynë, Rita Ora, është vetë kurora e Lavdisë sonë, sot dhe (për) gjithmonë! E meriton shlodhjen, pas lodhjes artistike, nëpër vite. Diva jonë Rita, duket se edhe Detit të Dubajit, i jep më shumë shkëlqim, më shumë drita! Gëzuar, Happy! (31 dhjetor 2012); Një përqafim artistik, para ardhjes së Ritës (Rritës sonë) në Kosovë, në Nëntorin e Pavarësisë së Shqipërisë! Superstar, yje të vërtetë, secila në mënyrën e vet! E artë. The Golden. God Bless, RITA! Eagle of Kosova; Lulja e kopshtit botëror të artit sipëror! The Flower of the World! Kartolinë njoftimi. Miq të mi, sikurse edhe mund të keni pritur, më në fund, me pak mund, por me shumë dashuri, përkushtim, admirim dhe adhurim, ka dalur në dritë, Albumi im artistik, E Përndritura Rita. Mendoj, se kësisoj, kam përmbushur një obligim professional, shpirtëror dhe moral…
LULJA E BUKUR E BOTËS ARTISTIKE. THE BEST FLOWER OF THE WORLD; PRIMADONA! DIVA, MBRETËRESHA, HYJNESHA, THE QUEEN; Dy Divat e skenës botërore, Kejt Apton dhe Rita Ora (jonë)! Çështja artistike, plot rrezatim dhe dritë, e quajtur, Ritë! Shikim artistic. Beauty! SUPER YLLI YNË QË PO E BËN MREKULLINË. AJO PO E SHKRUAN HISTORINË! RITA E KA DHUNTINË DHE FUQINË QË TË PREK GJITHËSINË. PËRPARA (E PARA)! GO, FIRST RITA, SUPERSTAR IN AWARDS! Kjo fotografi ka shumë histori, mesazh, bukuri, madhështi dhe Atdhedashuri! Tiranë, 2012! Rita vazhdon të rrezatojë dhe të admirojë! Rita: Hey love you all! Fans always in my heart; KULMINACIONI (PËRJETIMI) I ARTIT! GOLD AND DIAMANTS! Më 28 dhjetor 2013: Personalitetja shqiptare e Vitit 2013. Lutem dhe besoj se kështu, përherë do të jetë! Best wishes and good luck in 2014! Rita, faleminderit që ekziston. Rita, thank you for exist! Shaqa, sinqerisht. Sincerely! Rita Ora, me 27 dhjetor 2013: Respekt! Dhe Falimnderim Shaqir Foniqit. ME 2014 DHE PËRJETË, UROJ QË RITA, TË ARRIJË SUKSESE PLANETARE, E TË JETË PËRHERË KRENARE, RRUGA E SAJ (ASRTISTIKE), LE TË JETË YJORE DHE QIELLORE, SIKUR PRORE. BEST WISHES, AND BEAUTIFUL LUCK! …”
Trekëndëshi i Bermudeve dhe Tri Ikonat e Lagjes Dardania
Ulliam Xheferson Bill Klinton
Në librin e tij që është një manifest gazetarie: Teori dhe Praktikë Gazetarie (botuar nga Rugova Art 2012), Shaqir Foniqi duke shkruar për presidentin Bill Klinton, ka vënë në një sfond krejtësisht të merituar fjalët kuptimplote të Gjeniut të Paqes: “Ne kemi fituar luftën, kurse ju duhet ta fitoni paqen”, sikur ishte mesazhi më i madh për shqiptarët, i dalë nga goja e presidentit Klinton (TPG. Presidenti Klinton Vizitoi Kosovën, fq. 97).
Një thënie e tillë, pa dyshim se na e kujton thënien e Gjon Buzukut, këtu e gati pesëqind vjet më parë: “Kujtesa është bekim. Harresa është mallkim! Unë e bekoj ate që ty të kujton! Unë e mallkoj ate, që ty të harron!” (Meshari)
Nuk ka dyshim se presidenti Bill Klinton – Ikona e Paqes, qëndron si një urë lidhëse në mes shekullit XX dhe atij XXI por edhe si urë lidhëse në mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Paqes së Europës, është ikona e parë e Lagjes Dardania, e sheshit të saj dhe e horizontit të saj paqësor.
Aurora Rita Ora
Stendali thoshte se femrat e bukura janë si akademitë e romantizmit! Ato janë edhe gjykatëse edhe ndërgjyqëse! Zëri i saj, trupi i saj, burim drite – shkruante Pablo Neruda (poezia: Sonte mund të shkruaj vargjet më të trishta në botë.) Ndërkaq, Françisk Anton Santori, autori i dramës Emira, ka përdourur shprehjen: një emër i bukur, si kurmi. Ramiz Kelmendi ka shkuar pak më tej duke shkruar se: emra të bukur kanë vetëm vajzat e bukura. Babilonasit e quanin Venerën një diell të dytë, e poeti, atdhetari dhe dijetari Pjetër Bogdani e përfytyronte token e të parëve tanë, mes territ dhe errësirës: Veshur me diell, mbathur me hënë! …
Rita Ora është aurora vetë, ku shpesh shkrihen e bardha, e kuqrremta dhe portokallja. Ndoshta një nga pamjet që u shfaqen si vegim në vargun gjenial dantesk e ku soneti është koura e poezisë, dhe ku rima e bardhë ashtu si edhe bota përfundon me emrin stella, dhe stella – ylli ishte Beatriçja vetë:
I hapi krahët ajo bukuri,
e, mbasi kokën time e përqafoi
m’zhyti e më la aq sa m’u desht me pi
(Purgatori, XXX, 100-102)
T’amblit ujë, që kurrë s’të ngop tue pi!
Bardhanjorja Rita Ora
Rita Ora. Emri i saj është një grusht pëllumbash. Ajo vetë, ashtu siç do të shkruante dikur Hygoi: është një krijesë që në këngët e saj e merr edhe qiellin. Vetë emri është një vetëtimë e mëndafshtë, një qëndismë e bardhë butësie dhe bukurie në qiellin e muzikës. e në universin letrar poezia është e mëkuar me pjalmin e shpirtit.
Pol Elyar ka thënë me të drejtë se poezia nuk është një thes me lule, por një perëndi e pavdekshme dhe se asaj i besojnë poetët. Gëte ka thënë se natyra është pikëpyetje, arti është përgjigje. Poezia pra, edhe për Shqair Foniqin është një mike besnike, është si edhe për poetët e tjerë: një hyjneshë e shpirtit.
Përderisa, sipas Sokratit dashuria është dhunti e perëndive që u jepet të vdekurve për të ringjallur të gjallët për jetë, për Denis Didëron lotët e artistit dalin nga shpirti. Kështu ngjet edhe me frymëzimin. Poezia është gjuhë e shpirtit, e muzika thellim i qiellit. Novalisi shprehej simbolikisht se dashuria është fëmi i natës! E për më tepër se kaq, Eva është nëna e njerëzimit, shtypshkronja është nëna e revolucioneve, historia është mësuesja e jetës, liria është bija e fitores, por është dashuria ajo që e përkundë djepin e botës, kurse muzika e lartëson ate.
Edhe fjala është si një qëndismë me lenta ylberi. Shaqir Foniqi është Orakulli i Rita Orës. Në Tempullin e Dodonës, e ardhmja parashikohej nëpërmjet fërshfërimës së gjetheve, kurse përmes goditjes së çangës pralajmërohej dalja e Diellit. Fërshfërima e gjetheve zëvendësohet me psherrëtima fjalësh. Gëte thoshte se një rast i veçantë bëhet i përgjithshëm kur e merr në dorë poeti: realiteti ia jep lendën e pikënisjes. Me të drejtë pra Ernest Koliqi ka lëshuar zemër-thirrjen: Kush do të këndojë për lavdinë tuaj, Krye-Zonja të Arbërisë?
Pra, kush do të shkruajë kronikat e bardhanjores? Rita Ora është Muza e Frymëzimeve të tij e fjala është fryma e shpirtit të tij fisnik, një shpirt poeti në ligjërimin lirik të të cilit shfaqet në piadestal krenaria e ligjshme për një sfond me drita të hirshme.
Shkurt shqip, Bardhanjorja Rita Ora për Shaqir Foniqin është ajo që e ka thënë aq bukur Viktor Hygoi në Les Miserbales: Të lidhësh me mend infinitin e lartë (Zotin) me infinitin e ultë (shpirtin), kjo quhet: Lutje për të besuar në misionin e përbashkët se bota ka shpirt! Është gjakimi për të cilin Ernest Koliqi në Audo da Fe-në e tij të njohur, ka klithur: Merre gjakun e fytyrës hyjnore të bukurisë, mbi maskat e përçudshme të dobësisë!
Në një nga tragjeditë e tij, Euripidi ka shkruar se në heshtje brymoset çdo talent e në mes dallgëve të jetës brymoset karakteri, pra brymoset fuqia e magjishme e poezisë që me aq gaz luan me të pamundshmen.
Shaqir Foniqi është krijues që flet pak por soditë shumë. Ai është njeriu i fjalës së urtë por edhe vrojtues i hollë i anëve të shumta të realitetit. Edhe në agoni ka ekstazë! Muzika është dhunti e zemrës dhe e shpirtit. Poezia është ekstazë engjëllore e rimat janë dhuntitë më të buta të zemrës ku imagjinata është arma e memories.
Frymëmarrja dhe frymëzimi
Duke e cituar gazetarin me përvojë Sh. Arifaj (Teori…fq. 47): “Në qoftë se frymëmarrja gjatë leximit (spikerimit) nxirret vetëm nga krahërori, atëherë ajo do të jetë më e shpeshtë, fjalia do të dalë e ndërprerë dhe presjet (,) do të imponohen vend e pa vend. Pra, frymëmarrja që është karakteristike për lexim të rrjedhshëm duket të nxirret përmes krahërorit por me një tërheqje të thellë të diafragmës e cila mundëson që frymëmarrja ta ketë një gjatësi më të shtuar kohore e në këtë mënyrë më lehtë do të arrihet te shenjat e caktuara të pikësimit. Kësisoji, leximi do të dalë më i rrjedhshëm”, Shaqir Foniqi e ka dëshmuar se deri në cilat përmasa i është kushtuar kujdes edhe detalit më të vogël në gazetarinë shqiptare. Dhe jo vetëm kaq: “Ka shumë rëndësiqëndrimi elegant, sidomos para ekranit si dhe pamja estetike e fytyrës dhe e trupit” (Teori…fq. 75).
Edhe me frymëzimin është gati njëlloj. Sa më i thellë që të jetë ai, sa më gjatë që të ushqehet ai, sa më shumë që të projektohet në latimin e fjalës, aq më i bukur del krijimi, aq më e arritur del vepra, aq më e papërsëritshme bëhet vlera estetike e saj…
Shaqir Foniqi, prirem të them se nuk beson në rastësi. Ai e ka dëgjuar profecinë e regjisorit Besim Sahatçiut për të mbesën e tij, por vështirë ta ketë besuar se një ditë do të shkruante për te, madje se do të shkruante ditë për ditë!
Shaqir Foniqi gjithsesi se e ka takuar dhe e ka respektuar alkemistin e fjalës me bardhësinë e të cilës ai i fliste së ardhmes, por vështirë, shumë e vështirë që ta ketë besuar se një ditë do të jetë i frymëzuar prej Të Përndriturës së vargjeve të tij dhe të kohës së tij.
Shaqir Foniqi s’e ka besuar ndoshta kurrë, se regjisori do të shënonte me profecinë e tij: kryeveprën e tij. Ashtu siç nuk e ka besuar se në gjurmët e autorit të emisionit Pasqyra Televizive, do të ecte e do të rendte me një frymëzim nga më të veçantët e me një përkushtim nga më të rrallët, potencialisht: edhe ikona tjetër e gazetarisë mediale.
Rrallë, tepër rrallë, jashtëzakonisht rrallë ka rastisur dhe rastisë që të takohen tri ikona në të njëjtin shesh, në të njëjtën lagje, në të njëjtin sfond, por edhe që të frymëzojnë në përmasa të njëjtë!
Koha gjithmonë kërkon kronikat e saj dhe se kronikat lënë të gdhendura interpretimet dhe vlerësimet e tyre. Koha gjithmonë e thotë fjalën e fundit, sepse siç ka shkruar një ndër stilistët dhe eseistët më të zotë të letrave shqipe, Ernest Koliqi: “Në gjak janë muzat që na bajnë të shkruajmë!”
Shaqir Foniqi: KultArt – Një Parlament Shpirtëror dhe Kulturor
Pasqyra Televizive dhe Ikona e Tretë
Në KultArt e në sofrën e shtruar, fjala vie si një zjarr i qëruar, e Zëri-Zëri gjithmonë vie në gjurmë lashtësie si një zog i shkruar në lirikat e Lasgushit, ku gjithmonë “ka përcëlluar zjarrin drithërues të ilirishtes drejt shqipes” – deri në Përjetësi.
Në KultArt, Zëri që epokat dhe shekujt na i falin shumë rrallë, madje deri në përmasat sa natyra dhe arti vihen në garë se cila do ta bëjë një Zë sa më margaritar: hoje mjalte e kroje galdimi, në të cilat gjuha shqipe e ngjyen shpirtin e vet!
Në KultArt, muzika është sërish thellim i qiellit. Në KultArt fjala shqipe ngritet lart e më lart….derisa Dodona kthehet triumfalisht në Tempullin e saj, e përpara Portave të Tempullit të Dodonës, si përpara Portave të Parajsës, rrinë si sogjetarë amshimi kryevargjet e lirikës shqipe: Veshur me diell, mbathur me hënë!
Në KultArt, kryevepra e Viktorit-Piktorit të Përjetësisë (Shenjtëresha duke Lexuar), del nga honet e shekujve dhe zbret në një nga studiot e RTK-ës, si në një koincidencë nga më të çuditshmet në zbërthim të miteve dhe legjendave.
Lumira Kelmendi, një Kristinë Amonpur e RTK-ës! Sibila e Librit Shqip. Misionare e denjë e kulturës së kombit të vet. Qytetare e botës. Një Marlen Ditrih e RTK-ës! Me Zërin Burim Drite. Zëri – një Premtim Parajse! Merlin Ditrih-Engjëlli Blu dhe buzëqeshja si miliona buzëqeshje të diellit! Dëshmi se bota ka shpirt, se muzika është poezia e Zotit. Zëri veshur me pelerinë shiu. Zëri si ca Pejëza të Shenjta të Dritës Hyjnore! Zëri si një shi i imtë. Dhe muzika e shiut një ekstazë engjëllore. Zëri – dëshmia më e qartë se shpresa është gëzimi i zemrës për mëshirën e Zotit! Dhe se mëshira e tij nuk është vetëm tek Zëri si një nga simfonitë më të përkryera hyjnore, qoftë tek muzika e Bethovenit apo tek tingujt magjik në violinat e Vivaldit; ajo është më shumë se kudo tek një emër me zemër dielli: Veshur me diell, mbathur me hënë! …
Horaci ka shkruar se mëngjesi është më i mençur se mbrëmja. Xhoan Kollins ka shkruar se një gjë e bukur është një kënaqësi e përjetshme. Bota e zërit është gjithmonë një botë e veçantë, ashtu siç është edhe bota e syve, dhe që të dyja përbëjnë një burim drite. Poeti klithi se “bota ka shpirt” tek pa sytë si margaritarë të tejpashëm, “si të jashtëtokësorëve në kuptimin më të mirë”, tek dëgjoi zërin si një ekstazë engjëllore, magji dehëse e butësi zefiri me gishtërinjtë e trëndafiltë të agimeve pranverore.
Pejëzat e zërit si ca gishtërinj të hollë rrotullojnë unazat e tyre nëpër gotën e kristaltë të fytit ku rrjedhin kroje galdimi, pa dyshim dëshmia më e qartë se muzika, ashtu si edhe poezia në vete e kanë aromën dehëse të zambakëve.
Gjuha është muzikë e muzika është gjuhë e tingujve. Muzika e ideve. Portreti i tyre. Shpirti i njeriut zbulohet kur hesht dhe jo kur flet! Meterniku ishte të drejtë kur thoshte se bukuria është e vetmja gjuhë e shpirtit. Shpirtat nuk kanë gjuhë tjetër. Apo siç do të shprehej Shelingu: natyra është shpirt që shihet e shpirti është natyrë që fshihet!
Heshtja është përmendorja e lirisë së gurtë! Mbase mund të ketë qenë kjo arsyeja pse hebreu shetitës, për hir të dashurisë së pafund ndaj Shalumitës, pranoi me vullnetin e plotë dënimin me përjetësi. Çuditërisht, edhe Zana e dënoi malësorin me memecllëkun e përjetshëm! Ndoshta vetëm e vetëm pse portretin e saj e gdhendi: me dy diej mbi supe! Helikona ishte kreshta ku banonin muzat. Apolloni – perëndi e dritës dhe e arteve, prijës i muzave, perëndi e poezisë dhe e profecisë, e diellit dhe e drejtësisë… Në një sfond të tillë mitesh, Orfeu u kërkonte perëndive edhe dy tela shtesë për të përjetësuar dashurinë ndaj Eurudikës, për ta kthyer nga bota e nëndheshme e mortit. Në një sfond të tillë, Zëri/Tingulli gjithmonë u shfaq si Mëshirë Hyjnore, sepse Zëri është Kreshta më e Lartë!
Platoni besonte se pas vdekjes shpirti kthehet në yje! Dante duke besuar se vetëm dashuria i mëson njerëzit që të shohin tek veprat krijuesin e tyre – Zotin, skaliste në mermerin e universit të tij përjetësinë për Beatriçen: përpara saj qielli shkonte, duke fshehur yjet! Ekuinoksi pranveror, pasi piu ujë nga valët e lumit të Eunosë, kah Beatriçja u kthye. Petrarka për 40 vjet rresht s’e ndali kurrë gjakimin e tij: Dielli shoi yjet Ajo shoi Diellin!
E Gëte në Elegjitë Romane psherrëtinte në fjalët lulevirgjëra:
Dhe Roma quhet mbretëreshë e botës
Kjo perëndi quhet rastësi, mundohuni ta njihni,
E urtë dhe lozonjare, e butë dhe plot hijeshi!
Por nuk është rastësi pse në vargjet e poetëve, engjëjt veshen me petka të mëndafshta, rrijnë nën hije të drunjve, në brigjet e lumenjve, në rrjedhën e krojeve. Mendja e parë është gjithmonë Perëndia. Magnus Contemplator: Një Soditës i Madh. Profetët janë më të virtytshëm se engjëjt e sfera e dijes dhe sfera e yjeve u takojnë botës së lartësuar. Nuk është pra rastësi pse shpresa është gëzimi i zemrës për mëshirën e Zotit. Zëri është burim drite. Muzika është thellim i qiellit. Poezia është lartësim i shpirtit. Mentarët janë të bashkuar dhe se dija është gjallëria e zemrës prej vdekjes së padijes, është drita e syve prej errësirës, prandaj artin nuk e do vetëm injoranti. Dituria e heqë perden për ta parë më qartë dritën e shenjtë. Prandaj drita e syve të Beatriçes është dritë hyjnore: Bota ka shpirt! E në sfondin e një shpirti të tillë të butë, shfaqet prapë një Marlen Ditrih. Zëri – Një Premtim Parajse! Zëri, veshur me pelerinë shiu. Ekstazë Engjëllore! Dhe se mëshira nuk është vetëm në zërin si një simfoni e përsosur hyjnore, mëshira është edhe në një emër me zemër dielli. Sa herë që dëgjohet zemërklithja: Përse heshtin shekujt? Sa herë që të tjerët mund të thonë se tragjedive të shumta që pësoi toka bujare e gjakut, u mungon një penë e denjë si ajo e Shekspirit. Sa herë që të tjerët mund të tallen kur thonë se nuk kemi violinë si të Vivaldit, as Simfoni Hyjnore të Ludvig Van Bethovenit për të ngushëlluar qoftë sado pak shpirtat e bardhë të varrezave masive e në plojën e gjakut; as kryevepra si të Volfgang Amadeus Mocartit!…
Po ai sfond ku rri e varur në mur Lahuta, dhe ku rri sot e mot, e shenjtë një shqipe, i kujt është?
Dhe stendat e muzeut krahanor, që në vete ruajnë tempujt e tingujve më lirik, të kujt janë?
I kujt është ai Zë shfaqur në qiellin suferinë dhe tramundanë?
I simfonisë së shqipeve. Zëri në të cilin gjuha shqipe: e ngjyen mjaltin e shpirtit të vet! …
MEMERI MONUMENTAL I PERËNDIVE ILIRE NUK FLE!
E në sfond shfaqet Trekëndëshi i Bermudeve, përmbi të cilin nuk kalon dot! Frymëzimi gjithmonë si ekstazë engjëllore dhe të tri ikonat e lagjes Dardania. Mbishkrimi i poetit të lashtë të Persisë se përpara krijuesit të perlave falem! Më tej, kryevargu i Dantes: Kujt si ty, dy herë i qe hapur Porta e Parajsës?
Gjithsesi, jo vetëm Beatriçes! …
Frymëzim deri në hyjnizim: Engjëllorja Rita Ora
Due shkruar në doracakun e tij për gazetarinë (Teori dhe Praktikë Gazetarie), e që pa dyshim se më shumë se një doracak është një manifest gazetarie, një enciklopedi në miniaturë për gazetarinë, Shaqir Foniqi e ka zbërthyer edhe konceptin e estetikës thelbi i të cilës është e bukura dhe e madhërishmja (fq. 74-75):
“Në pemën e madhe të dijeve të njeriut mbi botën dhe jetën, estetika është një nga degët më të lashta…Përceptimi i bukurisë estetike shkakton nje kënaqësi shpirtërore të veçantë, kënaqësi estetike.”
Në plotni të një definimi të tillë që për thelb ka edukimin përmes artit, Shaqir Foniqi ka nënvizuar rolin e veçantë që ka frymëzimi edhe në gazetari: “Gazetari duhet të ketë frymëzim deri në hyjnizim”, duke cituar një nga perlat e stilit nga Dr. Vasfi Sami Visoka: “Në këtë tempull të atdheut (Kosovë v.j.) rrezet zbresin nga dielli, xixëllimet bien nga yjet, floktë e argjendtë derdhen nga hëna…”!!
Poeti italian Andrengo Sofici, ka thënë se njeriu më i lumtur është ai që di të jetojë urtësisht si lulja. Të jetosh urtësisht si lulja don të thotë të ngritesh kryveprën e modestisë…
Poezia e Shaqir Foniqit si një poezi e një frymëzimi artistik, por edhe e një refleksioni të përnjëhershëm e dëshmon një thënie të tillë se çka do të thotë të jetosh urtësisht si lulja; poezi ku skalitet mendimi që rri si një sintezë e gjithë përkushtimit të falur asaj, se pa Rita Orën, universi do të ishte më pak i lumtur.
Edhe një dëshmi se: muzika është pikëllim qiejsh e shi me këngë kanarinash. Për Shekspirin muzika ishte dhe mbeti buka e dashurisë, kurse Balzaku shprehej se muzika na duhet më shumë se buka!
Poezia është pikturë që heshtë e piktura pozi që flet. Poezia është muzika e Zotit, dhe Zoti: Poeti më i Përsosur, i cili duke parapëlqyer Mëshirën Hyjnore (si Pasqyrë të asaj që Kanti e quajti në mënyrë gjeniale Paqe e Përjetshme) në simfoninë magjike të pikave të shiut – në vend të forcës, pa vënë kushte në mrekullinë e krijimit të universit: të kaltërtën ia fali sa qiellit po aq edhe detit, pa dyshim një pasqyrë e parajsës ku bota e syve blu është pasqyrë e shpirtit që e rikthen Atlantidën e humbur në sfondet e syve “si të jashtëtokësorëve, në kuptimin më pozitiv!”…
Duke cituar Herbert Luis (fq. 164): “Shqiptari nuk rron ashtu kot nga një ditë në tjetrën. Ai përpiqet t’i shohë ndodhitë e shpirtit të tij në sintezë më të lartë, duke i stolisur me një mënyrë përnjëherë fantastike…Kjo rrugë ka sjellë disa herë pemë të bukura”, Shaqir Foniqi sikur ka mëtuar për të zgjuar remenishenca të drejtpërdrejta për ate që shkruante Elena Gjika dhe Pashko Vasa njëlloj, se çdo dhqiptar (të paktën në atë ecjen teatrale) është një poet!
Simfonia hyjnore që shfaqet aq bukur në ritmin e mahnitshëm të pikave të shiut, polemi i pjalmit të luleve, kosheret e bletëve, lentat e ylberit, drita e syve të kaltërt, e kaltërta e detit dhe e kaltërta e qiellit, shkëlqimi i argjendtë i dritës së hënës dhe vezullimi i rrezeve të diellit, janë vetëm disa nga dëshmitë e shumta se: “Krijuesi gazmor vallëzon mbi trupin e vet atje në Amshim!”
Poeti disident Agim Shehu në librin e tij Tek Princesha e Europës (Kronikë nga Zvicra), ka thënë për Zvicrën se po nuk të lëshoi tokë të ecësh, të jep qiell të ëndërrosh.
Njëlloj është edhe me sfondin e frymëzimit!
Aurora Rita Ora.
Bardhanjorja Rita Ora.
Engjëllorja Rita Ora.
“Lulja e kopshtit botëror të artit sipëror!”
Shaqir Foniqi – Orakulli i saj.
Zonja nga bota e lartësuar, siç e ka thënë shekuj më parë një poet persian, duke shtuar: Për Mëshirë Hyjnore shpirti yt është gatuar!
Nuk ka pasur faj Ernest Koliqi kur Matildën reale e hyjnizonte si Matildës Hyjnore, duke ia falur epitetin: Bardhanjore!
Nuk ka pasur pra faj as Ramiz Kelmendi kur ka gjakuar duke shkruar për Ulqinaken: Edhe frymë dëshirojsha me marrë sikur Ajo! … Ajo më kërkoi t’ia bleja një akullore, e unë dojsha t’ia bleja krejt një ambëltore!
Në parafrazim të Gëtes, një frymëzim i pafaj, ashtu si edhe një hyjnizim i pafaj, nuk e lëndon por e gëzon: Perëndinë!
Në përkujtim të Viktor Hygoit: “Të lidhësh me mend infinitin e lartë (Zotin) me infinitin e ultë (Shpirtin), kjo quhet Lutje!” ose edhe: Pasqyra Televizive!
Dhe Lutja është Zemër-Thirrja:
FALEMINDERIT QË EKZISTON!
Gjithsesei, tri ikonat e lagjes Dardania, dëshmia më e qartë se:
MERMERI MONUMENTAL I PERËNDIVE ILIRE, NUK FLE!