• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2014

A është gabim të duash vendin dhe kombin tënd?!

February 26, 2014 by dgreca

Opinion nga Aurel Dasareti, USA/

 Ekspert i shkencave psikologjike-ushtarake)/ dasaretiaurel@yahooo.com.au/

Ata që duan të heqin dorë nga liritë thelbësore për të blerë një siguri të vogël të përkohshme nuk e meritojnë as lirinë dhe as sigurinë.

Të dy kemi qenë pjesëmarrjes aktiv të betejave të tmerrshme (vitet 1994-1995), por në formacione luftarake kundërshtare. Jemi takuar një herë gjatë një armëpushimit  të përkohshëm(1995). Çuditej pse kam ardhur prej përtej oqeaneve deri aty ku nuk hanë pula gur, edhe atë për të luftuar për të huajt. I tregova se ushtrohem për betejat që do të zhvillohen më vonë në Kosovë…Para disa vitesh u takuam sërish në një kryeqytet evropian. Më sugjeroi të mos kontribuoj për çështjen shqiptare pasi unë as që jetoj në Evropë. I thash: “Ti shumë mirë e din se unë nuk kam më frikë prej asgjëje e askujt. Kur njeriu me mijëra herë ka qenë  aq afër vdekjes, frika zhduket. Dhe, mos e provo edhe njëherë të provokosh shqiptarët ta duan ose të mos e duan kombin dhe vendin e vet, përndryshe, nëse diçka ndodh me ty, unë do të buzëqeshi gjithë rrugës për në funeral.”

A është gabim të duash vendin dhe kombin tënd? A është më e drejtë të jesh neutral ose të urren vendin tënd? Çfarë do të zgjidhje dhe cilat janë mendimet tuaja për këtë?

Ky është një problem i madh social vetëm në Shqipëri dhe gjithë botën shqiptare, se nuk ka mjaft njerëz që e duan  vendin e tyre, as njerëzit e tyre.

Kur do të përpiqemi ne për të ndaluar shkatërrimin e vazhdueshëm të vendit tonë? Pasi të braktisim vendin, asimilohemi dhe tjetërsohemi tërësisht?! Le të shpresojmë se turpi dhe tradhtia jonë ndaj Vendit dhe Kombit përfundon një herë dhe përgjithmonë .

Unë mendoj se ne në përgjithësi jemi shumë krenarë dhe patriotikë kur vjen puna për të qenë shqiptarë. Nuk vërehet se shqiptarët mendojnë dy herë para se të dalin rrugëve dhe të valëvitin flamurin – por, at të Greqisë, Arabisë, Serbisë, Turqisë e jo aq shumë të vetin.

Në bazë të shkrimit tim, duket sikur ajo është një e dhënë, e natyrshme, që të gjithë ne duhet të jemi shumë krenar që jemi shqiptarë.

Kjo është çështje personale nëse dikush është krenar për vlerat që kemi. Dhe cilat vlera dhe sjellje ua tregojmë pjesës tjetër të botës.

Personalisht, ka gjëra që më bëjnë krenar si dhe gjëra të tjera që më bëjnë të turpërohem pse jam shqiptar. Por kjo vetëm do të thotë se ne duhet të mësojmë për të dalluar impulset e mira nga të këqijat.

Identiteti kolektiv të cilit të gjithë ne i takojmë, është diçka tjetër se identiteti personal. Ti sipas qejfit mund të ndryshosh kuptimin dhe mendimet tuaja, por unë nuk pajtohem që shteti në mënyrë aktive ndryshon mendimet e veta sipas qejfit të të huajve dashakeqës, këndvështrimeve të veta ideologjike. Këto njohje i kam përvetësuar nga hulumtimet e mia shumëvjeçare…

Shkenca është kurora e lavdisë së mendjes, por ajo mbështetet në parimin e gabueshmërisë. Kjo sepse sikur teoritë shkencore do të mishëronin të vërtetën absolute, përfundimtare, atëherë ato teori nuk do të kishte nevojë t`i verifikojmë praktikisht ndërkaq përparimi  shkencor do të ndalej në vend. Shkenca ka një kriter të besueshëm në dispozicion – faktet. Ekonomia, artet, filozofia, politika nuk disponon me një proces kritik të verifikimit të këtij niveli. Po të shohim faktet, vërejmë se shoqëritë e hapura (demokratike) zakonisht janë të lidhura me begatinë dhe përparimin. Megjithatë, shoqëria e hapur vuan nga një e metë fatale.

Njerëzit që jetojnë në shoqëri të hapura nuk e pranojnë konceptin e saj si një ideal për të cilin domosdoshmërish ia vlen të luftosh. Parashtrohet pyetja pse ndodhë kështu. Shoqëria e hapur u ofron liri për të zgjedhur. Nëse kjo liri mohohet, duhet të luftosh për të; por nëse e ke, atëherë nuk mjafton – sërish duhet zgjedhur. Vende të ndryshme kanë parti të ndryshme demokratike programet e të cilave dallojnë prandaj demokratët gjithmonë luftojnë mes veti, kurse idhtarët e shoqërisë së mbyllur (moniste) mbeten të disiplinuar dhe bashkuar. Sa kohë që shoqëria e hapur pranohet si vlerë e përbashkët, demokratët mund të luftojnë mes veti dhe prapë t`u bëjnë ballë armiqve të shoqërisë së hapët. Problemi është se shoqëria e hapur është armiku më i keq i vetvetes, sepse shoqëria e hapur nuk pranohet si vlerë e përbashkët.

Tragjikomedia e shoqërisë “demokratike” të shqiptarëve qëndron në faktin se politikanët shqipfolës as që e kuptojnë se ç`është e as që u konvenon demokracia. Derisa partitë demokratike të vendeve Perëndimore luftojnë njëra tjetrën (me fakte) por edhe e përmbajnë njëra-tjetrën kur nuk ka çështje për të kritikuar, duke luftuar kështu s`bashku për atdheun e tyre të përbashkët – “demokratët” tonë luftojnë për pushtet e jo për shtet. Dhe, që të arrijnë te ose ta mbajnë pushtetin janë në gjendje me e shkatërruar gjithë shtetin.

Sa më shumë individë të jenë të aftë të vërejnë me sy kritik dhe qetësi skenën dramatike shqiptare, aq më i vogël do të jetë rreziku i çmendurive të mëdha kolektive, dhe në radhë të parë, i luftës vëllavrasëse. Kur forcat e përçarjes dhe të urrejtjes kërcënojnë të fundosin krejt sistemin shoqëror, atëherë sahanlëpirësit, të korruptuarit, mafiozët dhe tradhtarët bëhen tepër të rrezikshëm – janë ata që digjen nga dëshira për t`i shërbyer armikut të jashtëm si agjentët e saj të ikjes së rinisë në perëndim,  shtypjes, shfrytëzimit, diskriminimit, mashtrimit, manipulimit, persekutimeve politike, terrorizimit, mjerimit të popullsisë.

Për të ndryshuar diçka me të vërtetë domosdoshmërish të përballemi me të se çfarë ishte me të vërtetë ajo.

Shqiptari është i paparashikueshëm, i befasishëm, i papritur. Vetëdija kombëtare e tyre nuk është e ngritur në nivel të duhur si te fqinjët dhe pjesës tjetër të popujve evropianë. Si rrjedhojë, nuk kemi prirje shtet-formuese.

Mesazhi kryesor shqiptarëve është për të goditur korrupsionin publik, gjithashtu në aparatin qeveritar.

Kur popullata nuk dëshiron më të qeveriset në të njëjtën mënyrë si më parë dhe ato që menaxhojnë nuk mund të kontrollojnë situatën si më parë, atëherë ndodh një situatë revolucionare.

Sot arsyeja politike nuk është më pronë e pushtetit politik. Në mënyrë që katastrofat të parandalohen, duhet të shpërthejë një valë inteligjence dhe intuite nga qarqet jozyrtare. Zgjidhja për shoqërinë tonë do të ishte në qoftë se ne bëhemi më të zgjuar, më të mençur në dallimin në mes të neutrales, interesave të përbashkëta publike, aparatit shtetëror dhe të shprehjes së lirë të individit.

Ka privilegje të veçanta dhe diskriminime në institucionet e përbashkëta publike, që ne jemi të detyruar për të hequr, jo mendimet.

Ndërkaq, feja do të bëhet më pak stimul për betejën dhe luftën mbi definicionin e së drejtës – në qoftë se ne vendosim se ajo që është e përbashkët, shtetërore, publike, të mos i përkas një besimi të caktuar, praktikisht të respektojmë qëndrimet e programeve politike të Rilindësve për ndarjen e Kishës nga shteti dhe të shkollës nga feja.Në debatet tona duhet të përpiqemi për të bërë dallime mes shoqërisë dhe shtetit, midis një jete aktive, një jete të lirë fetare (rrugëve, shesheve, kishave/xhamive) – dhe institucioneve të përbashkëta publike.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: a eshte gabim, Aurel Dasareti, Kombin, te duash

Në Vjenë nxënësit i kënduan pavarësisë

February 26, 2014 by dgreca

I.Lladrovci: “Ne e falënderojmë Austrinë për mbështetjen e gjithanshme që i jep mësimit në gjuhën shqipe”.  “…përpjekjeve shekullore e kurorëzuar me luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Komandantit Legjendar Adem Jashari si kryevepër madhore e sakrificës për Lirinë e Kosovës.

Nga Hazir MEHMETI, Vjenë/
Në sallën e bukur të bashkisë së pesëmbëdhjetë të Vjenës ishte festë e vërtetë e cila dukej gjithandej hapësirës, në fytyrat e buzëqeshura të mërgimtarëve, në veshjen solemne të nxënësve me kostumet e bukura kombëtare. Kështu e kërkonte gjashtë vjetori i pavarësisë së Kosovës. Tani 17 Shkurti datë historike për kombin shqiptar e cila erdhi pas përpjekjeve shekullore e kurorëzuar me luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Komandantit Legjendar Adem Jashari si kryevepër madhore e sakrificës për Lirinë e Kosovës.

Manifestimin në ambientin bukur e nderuan me pjesëmarrjen e tyre edhe personeli i Ambasadës së Republikës së Kosovës, Valbona Fazliu-.Rrecaj, këshilltare; Zana Rugova, sekretare e parë; Yllka Geci, sekretare;  Imer Lladrovci, konsull. Nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë, Dede Prenga atashe ushtarak. Z. Fitim Nuhiu  nga ambasada  e Republikës se Maqedonisë në Austri. Morën pjesë edhe aktivistë nga shoqatat shqiptare nga Vjena e rrethina. Familja e skulptorit të njohur, Destan e Barbara Gashi; Avdyl Gjocaj, veprimtar, vëlla i dëshmorit Agush Gjocaj; Anton Marku, poet etj. Pas  himnit kombëtar dhe atij të Kosovës, nxënësit kënduan këngën korale “Për Mëmëdhenë”. Mësuesit: Shqfqet Gashi, Hazir Mehmeti, Osman Ademi, Miradije Berisha, Ibrahim Hasani dhe Ina Arapi i përgatitën nxënësit dhe organizuan rrjedhën e programit të ndihmuar edhe nga disa prindër veprimtarë. Sabrina Konerth, Peter Jäger  nga bashkia e pesëmbëdhjetë e qytetit e ndihmoi aktivitetin me ofrimin e lokalit të bukur. Fëmijët i kënduan atdheut, dëshmorëve të lirisë që nga Iliria e deri tek Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata recituan vjersha kushtuar jetës sonë në mërgim dhe në atdheun aq shumë të dëshiruar. Nëna Tereze frymoi me zërin e ëmbël të fëmijëve në skenën solemne. Piano në këndin e majtë lëshoi tinguj madhështorë në përcjellën e këngës shekullore arbëreshe e luajtur nga Vlora Jonuzi.

Për rrjedhën e programi me sukses u bë nga mësuesi me përvojë z.Osman Ademi, bashkë me grupin e tonteknikës. Në përshëndetjen e saj në emër të Ambasadës së Kosovës, znj.Valbona Fazliu-Rrecaj, mes tjerash tha:” Jam e lumtur të ju përshëndes në emër të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Austri dhe t’ua uroj gjashtëvjetorin e pavarësisë. Liria erdhi fal sakrificës së popullit shqiptar dhe luftës së tij. Ju përgëzoj të gjithë juve që keni organizuar një mbrëmje të tillë. Veçan dua t’i përshëndes nxënësit e mësuesit e tyre, për përpjekjet e mëdha në ruajtjen e kultivimin e gjuhës së bukur shqipe këtu në mërgim. Urime”. Të pranishmëve festen ua uroj në emër të Ambasadës së Shqipërisë në Austri z.Dedë Prengu, atashe ushtarak. Në fjalën e tij z.Imer Lladrovci theksoj rëndësinë e mësimit në gjuhën amtare për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare. “Ne e falënderojmë Austrinë për mbështetjen e gjithanshme që i jep mësimit në gjuhën shqipe”.

E veçantë ishte recitimi i poezisë kushtuar dëshmorit të lirisë Agush Gjocaj i cili nga kurbeti u kthye në Lapidar Lirie në ecjen tonë drejtë lirisë që sot e gëzojmë. Dikur edhe Agushi këtu ishte pjesë e jetës në mërgim. Sot nipi i tij  Agush Gjocaj, nxënës, jetësoi emrin dhe amanetin e xhaxhait që kurrë të mos harrohet Kosova, liria e saj e fituar me kaq sakrifica.
Vargu i nxënësve të programit është i gjatë: Fiona Murseli, Melos Zeqiri, Blina Gashi, Rina Mavraj, Krenar Miftari, Laurent Qestaj, Erenik Pepshi, Amra Bajrami,Lisa e Lira Fetahaj,Erzana Isamaili, Krenar Miftari, Melisa Mavraj, Erzana Ismaili, Leonard Berger.

Sara Bislimi, Reanta Osmanaj, Albiona Murati, Oltian Rrecaj, Loreta Limani,Butrint Rexha, Fabiona Gajraku, Leart Gërdella, Enea Shira, Bellina Jovani, Brini Baci, Sara Emini, Recitali: Fjolla Ademi, Emirjeta Veseli, Elbasan Veseli, Flamur Lladrovci, Diellëza Kuqi, Fitim Bilalli, Besjana Ademi, Ilir Hasanaj, Erlinda e Fatjona Gajraku, Vesa Zeqiri, Lorik e Leonit Ademi. Skeqe: Detiar Osmani, Elona Kabashi, Valentina Morina, Butrint Rexha, Melisa Mavraj,

Blerta Ismaili-   interpretoi me mjeshtri këngën e njohur shkodrane “Luleborë” në përcjellje të tingujve të pianos luajtur nga Vlora Jonuzi,

Pika e parafundit ishte kënga e vallëzuar “Pavarësia”, nën koreografinë e nxënëses krijuese Flutura Ademi. Mbyllja solemne u bë me këngën “Xhamadani vija, vija” e kënduar nga të gjithë pjesëmarrësit. Kjo la për të kuptuar se kremtimet në mesin e mërgimtarëve tanë janë në frymën kombëtare e nxitëse në ruajtjen e gjuhës e kulturës së lashtë shqiptare. Kjo zor se do të ndodhë pa mësimin në gjuhën amtare e cila në Austri është gjithanshëm e mbështetur nga organet mësimore përkatëse. Nxënësit e kanë të garantuar mësimin e gjuhës amtare pa pagesë, tekste falas. Këtë vit shkollor për herë të parë nxënësit shqiptarë mësojnë në abetaren e tyre e mbështetur nga Ministria e Mësimit, kanë disa fjalor shqip-gjermanisht dhe tekstet shkollore të botuara nën mbështetjen e DDr.Basil Schader, albanolog dhe mik i madh i shqiptarëve nga Zürichu. Po ashtu me përkrahjen e  Ministrisë së Arsimit të Kosovës dhe Ministrisë së Disaporës e cila mbështeti botimin e “Mësimi shqip në Austri- Monografi” , një dokument me vlerë veprimtarisë së pandërprerë të atdhetarëve shqiptarë në Austri për themelimin e klasave dhe gjithë përfshirjen e nxënësve.

 

Filed Under: Emigracion, Reportazh Tagged With: Hazir Mehmeti, i kenuan pavaresise, ne Vjene, nxenesit

“QARKU I TREMBËDHJETË” DHE “MINISTRIA E DIASPORËS”

February 26, 2014 by dgreca

Nga Abdurahim Ashiku, gazetar, Athinë/*

Në medien e shkruar dhe atë satelitore na vjen një emër i ri, një “ndarje” e re administrative e Shqipërisë –“QARKU I TREMBËDHJETË”…
Qarqet në Shqipëri  formohen në një hapësirë territoriale me një numër popullsie që në ndonjërin nuk e kap njëqindmijëshin. Edhe qarku më i madh, Tirana, nuk është më i madh se “Qarku i trembëdhjetë”, qark që në medie nënkupton mërgatën shqiptare nëpër botë. Nuk po përdor fjalën “diasporë” për faktin e thjeshtë se shumica e shqiptarëve që punojnë në Greqi, Itali e gjetkë janë njerëz që bukën e ditës e gjejnë duke punuar dhe paratë i  postojnë në adresë të familjeve apo të blerjes së pasurive të paluajtshme. I vetmi ndryshim nga kurbetet e punës (po ta quajmë kështu)  në kohë e hapësirë, nën pushtimin osman kur punonin në ndërtimet perandorake  shekullit të 19-të, apo të lëvizjeve gjatë gjithë vitit (gollobordasit në ndërtimet  në tërë Shqipërinë, reçjanët në ndërtimin e veprave hidroenergjetike, lumjanët në lëvizjet e njohur me blegtori e në punime stinore) është se në kalimet në kufi duhet të paraqesin pasaportën me vizë apo me leje pune apo leje qëndrimi. Mërgata shqiptare (flas për Greqinë) nuk është gjë tjetër veçse qarku më i madh i shqiptarëve në truall të huaj, ngjitur me truallin shqiptar.
Të dhënat statistikore zyrtare më të fundit (censusi) tregojnë se Qarku i Tiranës me 766.000 banorë është më i vogël se “Qarku” i mërgimtarëve shqiptarë në Greqi. Qarqe të tjerë me popullsi të madhe (Fieri me 305 mijë banorë, Elbasani me 293 mijë banorë, Durrësi me 267 mijë, Korça me 216 mijë, Vlora me 173 mijë…kanë më pak banorë se sa ka Athina emigrantë legalë shqiptarë.  Gjirokastra me 68 mijë banorë, Kukësi me 83 mijë, madje edhe Lezha, Dibra … kanë më pak banorë sa ka shqiptarë vetëm në ishullin e madh grek të Kretës. Krahasime të tilla mund të bëjmë edhe me qytete të tjerë si Selaniku, ishujt etj. ku shqiptarët punojnë legalisht e jetojnë me dinjitet.
Shqiptarët në Greqi, ata me letra të rregullta dhe ata që hyjnë nga mali apo shfrytëzojnë “90 ditët” për punë sezonale në bujqësi janë sa një e treta e popullsisë së Republikës së Shqipërisë.
Sa sipër, kuptimi që i jepet mërgatës shqiptare si “Qarku i trembëdhjetë”, mua më duket gjumëndjellës për një problem që duhej zgjidhur me kohë dhe që duhet zgjidhur menjëherë me marrjen e pushtetit dhe formimin e shtetit të koalicionit të majtë.
Shteti më i ri në botë, Kosova, ka disa muaj që me vendim Kuvendi ka vendosë të regjistrojë të gjithë mërgimtarët kosovarë shqiptarë në botë.
Shteti më i ri në botë, Kosova, ka një ministri që merret vetëm me mërgatën, ministri që siç më deklaronte ministri Ibrahim Makolli- emrin “Ministri e Diasporës” ia kanë vënë vetëm e vetëm në kuptim të gjuhës së ndërkombëtarëve ndërsa në të gjithë bisedën me të (është e botuar) nuk e përdori në asnjë rast fjalën “diaspora kosovare” por “mërgata kosovare”.
Një “Ministri Diaspore” , emër mjaft i lakuar sidomos nga mërgimtarët, përbën domosdoshmëri për të sotmen dhe të ardhmen e mërgatës shqiptare shpërndarë në të gjitha anët e globit.
Regjistrimi i mërgatës është domosdoshmëri për njohjen pjesëtarëve të saj me emër dhe mbiemër, me adresë banimi, me nivel arsimor e kulturor, me potenciale ekonomike, me të gjitha të dhënat e një regjistrimi kompleks.
Një “Ministri e Diasporës” është domosdoshmëri për të ardhmen e saj, veçanërisht për brezin e ri, lindur e rritur në mërgim, brez i cili sipas studimeve të mija në një sërë shkrimesh dhe në dy libra “Rilindësit e kohës sonë” dhe “Shkolla shqiptare e Athinës”, nga harresa totale e shtetit është në zgrip të humbjes së identitetit gjuhësor e kulturor.
Në qoftë se shkollimi shqip i fëmijëve nuk sanksionohet me ligj (një detyrim ky kushtetues i nenit 8 pika 1 – 2 dhe 3 dhe i nenit 57), nuk i jepen aq fonde sa ka qarku më i madh i vendit, nuk vlerësohen mësuesit njëlloj me mësuesit në shkollën shqipe në Shqipëri, “ QARKU I TREMËDHJEË” mbetet një slogan, pa nerv e pa asnjë kuptim.
“Qarqet trembëdhjetë” në Greqi, Itali, Gjermani, Angli, SHBA, Kanada…, në qoftë se duam nesër që çdo shqiptar në të gjithë globin ta thotë fjalën e vet për të ardhmen e vendit (miliardave që ka dërguar dhe dërgon për investimet në Shqipëri) nëpërmjet votës së lirë, po nuk u formuan dhe po nuk patën të njëjtën hapësirë ligjore si “Dymbëdhjetë qarqet” aktuale shqiptare, humbin çdo kuptim.
Mërgata shqiptare duhet vlerësuar në tërë aspektet e jetës që përcjell atje ku jeton e punon por edhe në vendlindje. Është pohuar se nga mërgata shqiptare janë postuar çdo vit rreth një miliard euro drejt familjarëve dhe bankave të ndryshme. Bashkuar këtyre edhe detyrimet e saj fiskale dhe të përballimit të jetesës, hamendësoj që edhe qarku më i madh në Shqipëri nuk sjell kaq të ardhura. Mos harrojmë edhe faktin se këta miliarda euro në vit, investuar në ndërtime vetjake, në biznese por edhe thjesht në mbajtjen në këmbë të familjeve të tëra në çdo skaj të vendit, kanë sjellë të ardhura për shtetin nëpërmjet sistemit të taksave dhe tatimeve, ashtu siç kanë mbajtur me të ardhura të drejtpërdrejta Ministrinë e Jashtme nga “vulat dhe pullat” në konsullata.
“Qarqeve trembëdhjetë”  duhet tu kthehet pjesa që u takon nga paratë e rrëmbyera deri tani nëpërmjet sistemit fiskal shqiptar. Kthimi duhet bërë nëpërmjet investimeve të drejtpërdrejta në shkollimin e fëmijëve, ngritjen e qendrave kulturore dhe të  gjitha ato gjëra që lidhen me dinjitetin e tyre.
Në medien shqiptare flitet e shkruhet përditë për “Qarkun e trembëdhjetë”, në vlerë të votës së emigrantëve për ndryshimin politik në Shqipëri, por nuk flitet se pse këto dhjetëramijëra vota nuk u përkthyen në mandate deputetësh. Edhe ata kandidatë që u vunë në lista nga mërgata shqiptare në Greqi u vunë në rrezen e të pamundurës për të fituar.
“Qarku i trembëdhjetë” tashmë është një realitet, një njësi vendore e veçantë që ka vend për tu sanksionuar me ligj dhe e vlerësuar si të gjitha qarqet e tjerë në Shqipëri. Jashtë kësaj kornize ai do të mbetet një slogan i rëndomtë për “përdorim zgjedhor”.

(Shkruar në korrik 2013 përditësuar në shkurt 2014.)

 

Filed Under: Featured Tagged With: Abdurrahim Ashiku, athine, gazetar, Minsitria e Diaspores

FATET SHQIPËRI – ITALI DHE LUFTA E VLORËS

February 26, 2014 by dgreca

nga MSC Albert HABAZAJ*/ studiues/

 

Luftës së Njëzetës, i janë kushtuar studime serioze nga folkloristë e historianë, si A. Buda, K. Frashëri, M. Çami, M. Verli, Z. Sako, Q. Haxhihasani, A. Xhagolli, M. Dibra etj. Epika historike përbën një nga ciklet më të plotë, “më të bukurit, shumë i larmishëm, me një intensitet të madh ngjarjesh, tablosh, figurash, që sjellin informacione aq të gjera saqë në një farë mënyre të duket sikur të vjen para syve” [1] kronika reale e kësaj ngjarje të rëndësishme.

1. Faktorë historikë dhe kulturorë pro europianë

Epoka e Skënderbeut u bë barrikadë e pushtimeve osmane drejt Europës.  “Më 1614, u mblodh kuvendi i Kuçit, me përfaqësues të shumtë nga Shqipëria dhe nga vendet fqinje” [2], ku u përpunua një projekt, me qëllim që të bashkërendonin luftën e popujve të Ballkanit me koalicionin e shteteve europiane për zhvillimin e luftës kundër Osmanëve.

Mërgimet drejt Italisë. S. Frashëri thotë, se në Itali  jetojnë më tepër se 200. 000 shqiptarë – arbëreshë. 21). Në kohët e sotme, në Itali kanë emigruar mbi 500. 000 shqiptarë.

Kleriku italian i Urdhërit të Jezuitëve At Zef  Valentini  (Joseph) (1900-1975) ka thënë:”Shqipëria është perëndimore”.[3]

Ja seç thotë kënga epike:“Moj Vlor’ e bukur në gropë,/ Moj Vlor – o/ Skel’ e parë në Evropë!”, apo: “Obobo, seç qënkej Kota,/ Më e bukur nga Evropa!”, ose: “Evropa shkruajn’ e thonë…”. E shpreh qartë dëshirën populli. Ai kërkon të radhitet në Europë, të intergrohet në familjen europiane.

2. Raporti histori – folklor në rrafshin e marrëdhënieve Itali – Shqipëri

Lufta e Parë Botërore (1914 – 1918), e shndërroi Shqipërinë në shesh lufte. “Greqia pushtoi Korçën dhe Gjirokastrën; Italia zuri Vlorën; Serbia pushtoi Shqipërinë e Mesme, ndërsa Mali i Zi Shqipërinë e Veriut” [4].

Epika historike na i sjell këto kohë në këtë trajtë: “Ra një yll në mes të detit, / Isharet për Shqipërinë:/ Të tërë kralet u ngrinë,/ Veç Frëngu me Italinë./ Na u ngul’ e s’na u shkinë!/ Italija shi’ ç’na thotë:/ “Do ta mbajte Shqipërinë”[5]dhe, për pasojë, “Ki Adriatiku ndjerë,/ Pse s’bën valë këtë herë,/ Valë,  dallgë dhe fortunë?”

Pas mbarimit të Luftës I Botërore, imperialistët italianë, synonin ta mbanin përgjithmonë Shqipërinë, por populli ynë ua përmbysi planet me luftën e tij heroike të 1920 – ës.

Lufta e Vlorës nisi pas fitoreve të mëdha politike të arritura brenda vendit me Kongresin e Lushnjës dhe pasi kishin dështuar të gjitha përpjekjet e palës shqiptare për ta zgjidhur çëshjen e Vlorës me marrëveshje politike. Vendimi për fillimin e luftës u mor nga përfaqësuesit e krahinës së Vlorës, të Tepelenës e Himarës, të mbledhur në kuvendin e Barçallasë më 29 maj 1920, i cili zgjodhi për organizimin dhe drejtimin e luftës komitetin ”Mbrojtja Kombëtare” me kryetar Osman Haxhiun. Organizimi në rrafsh kombëtar u bë nga komitetet e ”Mbrojtjes Kombëtare” të krahinave të ndryshme të vendit, si dhe nga qeveria e Sulejman Delvinës. Lufta e armatosur e Vlorës nisi më 5 qershor 1920 dhe mbaroi më 2 gusht me nënshkrimin e Protokollit, që i dha fund pushtimit.  Përballë ushtrisë italiane, prej afër 20 mijë veta”[6], (ndërsa garnizoni italian i Vlorës përbëhej nga 7000 – 7500 forca këmbësorie, të pajisura me mjete të blinduara, të mbështetura nga aeroplanë e anije të marinës luftarake), u vunë forcat shqiptare vullnetare, që arrinin në rreth 4 mijë veta. Më 3 shtator forcat shqiptare hynë triumfalisht në qytetin e Vlorës. Në këtë fitore ndikuan edhe faktorët e jashtëm. Lëvizja revolucionare në Itali ishte kundër luftës në Vlorë. U ndezën sheshet e Romës nga thirrjet: “Jashtë duart nga Shqipëria!…Jashtë Vlorës”[7] Edhe ushtarët italianë kërkonin ”të kthehemi në shtëpinë tonë, t’ua lemë Shqipërinë shqiptarëve” [8]. Shtypi italian i kohës shkruante: “As Italia, as ndonjë vend tjetër i huaj nuk mund të pretendojë të drejtën e ngulitjes në atë tokë me të vërtetë martire”.[9] Në Vlorë, edhe sot e kësaj dite, kujtohet me respekt një nënoficer italian, Giovanni Valenza, që u hodh në anën e kryengritësve shqiptarë.

Epika historike pohon se të dyja palët janë të pabarabarta në dy aspekte: për nga armatimet, italianët janë shumë superiorë. Kënga e Thanas Benit e sintetizon këtë fakt me vargjet: “Evropa shkruan e thonë,/ Ç’janë këto që dëgjojmë?/ Shqipëtarët po luftojnë,/ Me një mbret dyzet mijonë…” [10]Dhe më tej: “Po me se lëftojnë vallë?/ Me sëpata, me hanxharë,/ Dufekët lidhur me gjalmë,/ Fyshekët në xhep i mbajnë,”.

Ndërsa, për nga morali, përparësia është e shqiptarëve. Epika historike përdor satirën për gjendjen pa rrugëdalje, në të cilën ndodhen trupat pushtues: “Italianët: – Mama mia!”/ E mbajtën vrapin në det” dhe “Shqipëria male, gropa,/ Italin’ e bëri copa”.

Në botimin e vitit 1956, “Këngë popullore historike”, janë 43 këngë mbi Luftën e Vlorës. Më vitin 1970, Instituti i Folklorit botoi 108 këngë popullore për Luftën çlirimtare të Vlorës, “me të cilat pasqyrohet fryma atdhetare e shqiptarëve, vendosmëria e tyre për të çliruar Atdheun. Këngët historike u këndojnë luftëtarëve popullorë: Selam Musai, Kanan Maze, Sali Murati, Zigur Lelo, Sado Koshena, Toto Hosi dhe dhjetëra trima të tjerë të shquar në këtë luftë”.[11]

*) Master Shkencor për Etnologji dhe Folklor,

Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë.

Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”,

Universiteti i “Ismail Qemali”, Vlorë, Albania.

[1]  XHAGOLLI, Agron: Etnologjia dhe folklori shqiptar, Vlorë: Triptik, 2007, f. 251

[2] AKADEMIA e Shkencave e RSH: Fjalor enciklopedik shqiptar.Tiranë: Akademia e Shkencave; 2008, V.2: f.1436

[3] AKADEMIA e Shkencave e RSH: Fjalor enciklopedik shqiptar.Tiranë: Akademia e Shkencave; 2008, V.3: f.2845

[4] AKADEMIA e Shkencave e RSH: vep. e cit. f.1551

 [5] UNIVERSITETI Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Instituti i Folklorit: Kujtime dhe këngë popullore për luftën çlirimtare të viteve 198-1920. Tiranë, 1970, f.227

[6] AKADEMIA e Shkencave e RSH: Halim Xhelo militant e ideolog i shquar. Tiranë, 1975, f.120-123

 [7] ÇAMI, Muin: Shqipëria në rrjedhat e historisë 1912-1924. Tiranë:

Onufri, 2011, f.267

[8] Po aty, f.264

[9] Po aty, f.259: L’Albania e il capitalismo, “Avanti”, Roma, 7 mars  1920.

[10] KOKALARI, Mexhit:  Trima të kryengritjeve popullore: Tiranë, 8         Nëntori,1983, f.163

[11] AKADEMIA e Shkencave e RSH: Historia e popullit shqiptar, Tiranë: Botimet Toena, 2007, V. III, f.157

 

Filed Under: Featured Tagged With: Fatet Shqiperi-Itali, Lufta e Vlores 1920

KUSH E VARI ALI BARDHIN NË FSHATIN KOKREVË TË LIBRAZHDIT?

February 26, 2014 by dgreca

Nga Bedri BLLOSHMI/

 Në fundin e vitit 1977 mbasi na dënuan, më plasën në burgun e Tiranës, i cili thirrej  “Kaush”. Brenda javës na lidhën dhe një herë me hekura e zinxhirë e mbas disa orë udhëtimi, duke u përplasur sa majtas – djathtas me të dënuarit që ishin lidhur, po ashtu përplaseshim dhe mbas spontit të autoburgut herë pas here. Kjo tregonte se rruga ishte plot gropa dhe me shumë kthesa, më në fund u dëgjua kërcitja e disa hekurave që fërshëllenin kur hapeshin e mbylleshin.

Autoburgu u ndal,  menjëherë u hap edhe dera e autoburgut, na zgjidhën dhe dikush hungëriti : “Hajde, hidhuni poshtë, zbrisni, pse hapni sytë, ja këtu do të kalbeni”. U përziem me të burgosurit e tjerë, duke na pyetur nga jeni, sa jeni dënuar, duke përfunduar me fjalët shpresëdhënëse se shpejt do të liroheni, se këta tani kanë filluar të hanë njëri- tjetrin, ky është fundi i këtyre. Në dhomën ku na caktuan, i pari që ma dha dorën ishte një djalë i ri, me trup muskuloz, jo aq i gjatë, i mbushur në fytyrë dhe i qeshur, menjëherë të jepte përshtypjen se ishte i sinqertë. Mbasi më pyeti aq sa deshi dhe unë ju përgjigja me shumë përtesë se isha shumë i lodhur nga izolimi i gjatë dhe e dija dhe përfundimin e Gencit dhe Vilsonit, e dija që i kishin vrarë dhe data shënonte 17 korrik 1977. Kisha mësuar se ditën e internimit kishin arrestuar përsëri xhaxha Hasanin, i cili i kishte bërë 15 vjet burg. Pas dy- tre ditësh na nxorrën në punë në zonën e dytë. Po në këtë zonë punonte dhe djaloshi që përshkrova më sipër. Rastisi që edhe frontet e punës i kishim shumë afër dhe pashë që ky djalosh punonte shumë. i qeshur, i respektueshëm dhe gjëja që më ra në sy ishte se ky djalë i fuqishëm kur binte vagoni nga shinat, i vinte shpinën i vetëm dhe e vendoste në shina. Gjeta rastin që po pushonim dhe e pyes:

– Sa jeni dënuar?

-5 vjet, – ma ktheu duke qeshur.

-Po pse ?- e pyeta unë përsëri.

-Ja ashtu kot, bëra një shaka kur isha ushtar dhe më kushtoi 5 vjet burg.

-Ku ishe ushtar, – i them, -në kufi, bëre shaka dhe të denoncuan se deshe të arratiseshe?

-Po jo mor burrë. Kam qënë në gardë dhe me shaka i vura kapelen me yllin e kuq një qeni në kokë, i varëm një teneqe qenit prapa, ai nga zhurma vraponte, e panë të tjerët, më arrestuan dhe pas disa muajsh më dënuan.

-Hajt mos u mërzit, – i them, – se 5 vjet kalojnë shpejt, ke pesë herë më pak se unë. Po s’të pyeta, nga je?

-Nga fshati Kazias i Peqinit, – ma ktheu.

-Si quheni, vazhdova ta pyes.

-Ali Bardhi, –  vazhdoi.

Ali Bardhi duke qënë shumë shakaxhi,  na mbante gjallë në dhomë kur vinim nga puna sfilitëse. 5 vjet burg kaluan shpejt dhe Aliun e liruan. Mbas ca kohësh vjen në burg një nga anët tona dhe në bisedë e sipër më thotë : “ Bedri, ju po e kujtoni shpesh këtë emër, unë nuk e di me siguri, po një Ali Bardhi nga Peqini që ka qënë i dënuar është gjetur i varur në përruan e Bushtricës. Kështu kemi dëgjuar, ishim tre shokë, ishim nisur të arratiseshim, kështu flitej, por nuk e di a është ky që thoni ju, apo tjetër, ca thoshin se e ka varur sigurimi”.

Kur na lëshuan nga burgu më 29 mars 1991 përveç halleve dhe problemeve të mija, u interesova dhe për Ali Bardhin. Ishin të vërteta çfarë kisha dëgjuar për “ Cupilin”, kështu e thërrisnin në burg. Duke vazhduar kërkimet për të mësuar të vërtetën mbi Aliun, një ditë u nisa në fshatin Kazias, por familja e tij ishte larguar dhe banonte në Elbasan. Prindërit i kishin vdekur, vetëm vëllai i tij ishte gjallë.  E takova, e pyes dhe ai fillon të më tregojë:

-Jetonim bashkë, filloi punë në Metalurgji, u martua, shtëpi nuk i jepnin. Unë edhe pse shumë ngushtë i pata lëshuar një dhomë. Ishte i mërzitur, rrinte vetëm, fliste pak, filloi dhe cigaren. Një ditë do shkonim në dasëm në Dibër, nxorrëm leje në D.P.B .Bashkë me Aliun u nisëm për në dasëm. Aliu më tha : Ikni përpara , se unë kam pak punë, do vij më  vonë. Në dasëm nuk erdhi, ne u mërzitëm. Të nesërmen më thirrën në Librazhd në Degën e Punëve të Brendshme, më pyetën: e njeh këtë kufomë armiku? Po i them është vëllai im Aliu. Të nesërmen e sollën në morgun e Elbasanit, më pas e morën e varrosën. Bashkëshortja ka ikur në Itali bashkë me vajzën.

-A mund të shkojmë tek varri ta shohim, apo nuk e dini? Po po e di se kater- pesë vetë ishim në varrim,të tjerët nuk i linte sigurimi se kishin frikë.

Varrezat e Elbasanit janë pranë lumit Shkumbin, ku qindra e mijëra shpirtra flenë,  në një cep te harruar duket si shenjë varri. Afrohemi me ngadalë e të përlotur i vëllai i Aliut më tregon me dorë, ja këtu.  U përkula duke shkulur barishtet, dora më hasi në një gjë të fortë, e pastrova me kujdes pluhurin dhe lexova me zërin që s’më dilte e duke u dridhur Ali Bardhi 1983. U larguam të mallëngjyer me shikim nga mbrapa duke e lënë Aliun të vazhdojë të pushojë nën hijen e qiparisave e këngën e kumrisë të përzier me gurgullimën e ujit të Shkumbinit, që vazhdon përjetësisht të rrjedhë me nxitim për të shkuar larg shumë larg. E megjithatë dhimbja apo keqardhja kurrë nuk e ndryshon fatin…VIJON

 

Filed Under: Histori Tagged With: Ali Bardhin, Bedri Blloshmi, kush e vrau

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 84
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT