• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2014

Bajron – imazh e figurë

April 19, 2014 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/
Më 19 prill 1824 – Lord Bajroni vdiq në atë që është tani Greqi, ku kishte shkuar për të mbështetur luftën greke për pavarësi nga perandoria osmane. Edhe sot, ai konsiderohet si hero kombëtar grek.
Historia e Bajronit ështe plot skandale, udhëtimet ekzotike; jeta e tij pompoze la përshtypje të thella, dhe emri i tij filloi të nënkuptojë njeriun e ndërlikuar; romantik, arrogant, të errët, cinik; shperthim krijues, shije intrigues në veshje, muzikë, dhe seksualitet, dinak i pabesë, i poshtër (të gjitha përmblidhen në fjalorin urban nën “byronic”.
George Gordon Byron lindi në Aberdeen, Skoci, në vitin 1788. Këmba e çalë dhe mjedisi i varfër ia bënë të vështirë fëmijërinë, por në moshën 10 vjeçare Bajroni trashëgoi titullin Lord nga ungji i tij. Kjo i dha mundësi të dilte nga skamja, të shkonte në shkollë pastaj në Kolegjin Trinity, Kambrixh, ku u zhyt thellë në borxhe, në jetë të shthurur dhe marrëdhënie të pasionuar me gra e burra.
Vëllimi i tij i parë i botuar me poezi, Orët e përtacisë (1807), u hodh poshtë nga kritika, sidomos në Skoci; dhe ne librin e tij të dytë, “English Bards and Scotch Reviewers” (1809), Bajroni sulmoi krijimtarinë dhe kritikën letrare angleze. Po atë vit, ai udhëtoi për në Portugali, Spanjë, dhe në Lindjen e Afërme për dy vjet.
Përvojat e tij përfshihen në veprat e mëvonshme, si në “Childe Harold’s Pilgrimage” (1812 ), që i solli sukses të menjëhershëm në Angli; “u zgjova një mëngjes dhe e gjeta veten të famshëm”, do të shprehej Bajroni; dhe poezia, sjellja, moda, shijet e tij filluan të imitohehen gjerësisht. Më 1815, Bajron u martua me Anne Isabella Milbanke, dhe më 1816, çifti u bë me vajzë, Ada, e cila kur të rritej do të shquhej në fushën e matematikës, dhe sot konsiderohet nga disa si programuesja e parë e kompjuterit. Martesa nuk zgjati shumë dhe çifti Bajron u nda ligjërisht.
Në këtë kohë, shpërthen skandali mbi incestin e dyshuar të Bajronit me gjysmë-motrën e tij, Augusta Leigh, dhe i përçmuar nga shoqëria, detyrohet për të largohet nga Anglia. Fillimisht u vendos në Zvicër, Gjenevë, afër poetit Percy Bysshe Shelley dhe gruas së tij, Mary Wollstonecraft Shelley. Atje, Bajroni përfshihet në marrëdhënie intime me motrën e gruas së Shellit, Claire Clairmont; nga kjo lidhje më janar 1817 lindi vajza tjetër e Bajronit, Allegra. Pas kësaj, Bajroni ikën në Venecia ku marrëdhënie të ngjashme nuk iu ndanë.
“Në fshehtësi u takuam –
Në heshtje u pikëllova,
Se një ditë do t’më harrosh,
Shpirti yt mund të mashtrohet.
Kur unë të dalë përpara
Pas viteve të gjata ,
Si duhet të përshëndes ty? –
Me heshtje dhe lot”
Në vitin 1819, ai u lidh me konteshën Tereza Guiccioli, gruaja e re e një konti të moshuar. Lord Bajron gjithashtu mbeti gjithmonë një mbështetës i zjarrtë i çështjeve të lirisë dhe pavarësisë kombëtare, duke mbështetur luftën greke për pavarësi. Ai u bashkua me kauzën e lirisë, udhëtoi e vizitoi Shqipërinë jugore, oborrin e Ali pashë Tepelenës, u takua me shqiptarë, arvanitas, qëndroi me suliotë, adhuroi zakonet, sjelljet, gjuhën, armët e veshjet, udhëhoqi stërvitjen e tyre në Missolongi, ku vdiq nga ethet, pak pas ditëlindjes së tij të 36-të. Bajroni jetoi ashtu siç shkroi ose anasjelltas: “Në jetë zemra e njeriut thyhet, por edhe me zemër të thyer jetohet”.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Bajroni, imazh e figure

Presidentja Jahjaga viziton Manastirin e Deçanit dhe Katedralen e Prishtinës

April 19, 2014 by dgreca

Nga Behelul Jashari/.-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga vizitoi sot Manastirin e Deçanit dhe Katedralen e Prishtinës, në prag të festës së Pashkëve.
Në Manastirin e Deçanit, Presidentja Jahjaga u prit nga igumeni i këtij manastiri, Sava Janjiç.
Presidentja Jahjaga e uroi atin Sava dhe të gjithë besimtarët ortodoksë për festën e Pashkëve.
Në Katedralen e Prishtinës, Presidentja Jahjaga u prit nga Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, imzot Dodë Gjergji.
Duke e uruar për festën e Pashkëve, Presidentja Jahjaga tha se Pashkët janë një ditë e ringjalljes së jetës dhe të mirës, ditë e shpresës dhe e dashurisë, e mirëkuptimit midis njerëzve.

Filed Under: Rajon Tagged With: manastir i decanit, Presidentja Jahjaga

Presidenti Nishani u uron katolikëve dhe ortodoksëve Festën e Pashkëve

April 19, 2014 by dgreca

Nëpërmjet një mesazhi, Presidenti Bujar Nishani u uron Festën e Pashkëve të gjithë besimtarëve katolikë dhe ortodoksë shqiptarë kudo që ndodhen.
Në mesazhin e tij për besimtarët katolikë, Kreu i Shtetit shprehet se “në vlerën shpresëdhënëse të së cilës besojnë të gjithë të krishterët dhe jo vetëm, ju uroj të gjithëve të jetoni në familje dhe në shoqëri paqen dhe mirësinë që rrezaton kjo e kremte”.
“Qoftë kjo ditë dhe gjithë të tjerat pas kësaj, ditë plot vullnet, kurajë dhe forcë për të përballuar çdo vështirësi! Është dita kur ringjallet shpresa, ndihet më i plotë gëzimi dhe harmonia mes njëri- tjetrit. Dita e bekuar e Pashkëve le të na ndihmojë ta jetojmë më thellë shpresën për një jetë më të mirë në familje dhe në shoqërinë shqiptare”, deklaron Nishani.
Ai thekson se “festa e Pashkëve sivjet i gjen shqiptarët me besim se do të bëjmë përpara në afrimin drejt familjes europiane. Është një provë që kërkon më shumë se kurrë të shpalosim harmoninë, mirëkuptimin dhe dinjitetin tonë si komb”.
Sipas tij, të besosh tek e mira, te shpresa, te paqja dhe te jeta më e mirë, është oguri më i mirë i kësaj feste. Dhe ne e meritojmë edhe shpresën, edhe jetën më të mirë.
Ndërsa në mesazhin drejtuar besimtarëve ortodoksë, Presidenti shprehet se Festa e Pashkëve, duke na forcuar edhe më shumë besimin dhe dëshirën për mirësi, na shtyn të gjithëve, besimtarë ortodoksë apo jo, të rigjallërojmë shpresën dhe forcën për të qenë ashtu si na e kërkon vetë dita e shënuar e Pashkëve.
“Dita e Ringjalljes na ndihmoftë të gjithëve për të besuar edhe më shumë tek e mira, për të qenë të prirur ndaj bashkëjetesës së harmonishme!Sivjet ne kemi sfidën e madhe për t’iu afruar edhe më shumë familjes europiane. Kjo sfidë varet më së shumti nga mirëkuptimi që do të jemi të zotë të realizojmë midis nesh dhe nga dëshira për të pasur një vështrim më të kthjelltë mbi të nesërmen”, thuhet në mesazhin e Kreut të Shtetit.

Filed Under: Kronike Tagged With: Festën e Pashkëve, Presidenti Nishani u uron katolikëve dhe ortodoksëve

AMANETI

April 19, 2014 by dgreca

Tregim nga Vilhelme Vranari Haxhiraj/
Kishin vite larguar nga vendlindja. Ata ishin tre shokë qysh nga fëmijërija. U rritën, kryen arsimin e mesëm…,secili në profilin e vetë, sipas mundësive ,veçse pushimet përherë i bashkonin. Me kohë dhe shoqëria e tyre u rrit e u forcua aq shumë, sa mezi prisnin takimet e radhës. Vonë, kur nisën ta konceptonin lirinë e vërtetë, deklamimi ideor dhe parimor i sistemit të kohës i kishte zhgënjyer. Sepse në kundërshtim me atë që thuhej e propagandohej, jeta ishte shndërruar në dhunë e humbje të drejtash humane, sidomos për rininë e cila kishte tjetër vizion për botën. Atëherë të kushtëzuar, nën trysninë e zhvillimeve të mbrapshta të kohës, përballë pakënaqësisë patën një përputhje mendimesh të përbashkëta. Komunizmi nuk ishte gjella e parapëlqyer për shijen e tyre, me të cilën ata donin të ushqeheshin dhe të formoheshin si individ të lirë. Ndaj për të realizuar individualitetin dhe personalitetin e tyre, zgjodhën rrugën e vështirë e të hidhur të mërgimit. I kishin dhënë fjalën njëri-tjetrit se vetëm vdekja do t’ i ndante…
Pasi bënë nga një dorë para në vend të huaj, vendosën të ktheheshin në atdhe. Ishte një vendim i paramenduar dhe i paravendosur prej kohësh, por politika drakoniane i kishte nxjerrë të jashtëligjshëm. Si të tillë nuk kishin të drejtë të shkelnin në tokën amë, ndaj për shumë vite kthimi në vendlindje kishte ngelur i gdhendur në ëndrrat e tyre, si një dëshirë përvëluese e parealizuar.
Së fundmi ëndrra u bë realitet…
Veçse tani nuk ishin më tre, por dy.
“Përse vallë e thyem besën?! Përse vallë tashmë perustisë (këmbjes) t’i mungojë njëra këmbë?A nuk është mëkat i madh?!” – secili nga ata pyeste ndërgjegjen, teksa ishin ulur në avion dhe kishin lidhur rripat e sigurimit. Ishin aq të heshtur, sa heshtja e njerit mohonte praninë e tjetrit. Ndërsa dëgjonin udhëzimet e stiuardesës, çdonjëri më vete ,diçka sillte ndërmend. Ndoshta kujtonin të njëjtën gjë, madje pa pyetur për mendimet e tjetrit. Një gjë ishte mëse e qartë, se të dy, të pavarur në ndërgjegje, udhëtonin përmes imagjinatës si në kohë, ashtu edhe në hapësirë.
-Kush e mendonte se do të merrnim rrugën për në atdhe një ditë?!- si i kthyer në realitet, Enkeli theu heshtjen i pari.
-Paskemi qenë në të njëjtin udhëtim ndërgjegjësor, në të njëjtat shina…Si ti, edhe unë solla ndërmend ditën e parë kur u nisëm,- ia priti Muzaku.
-E kush mund ta besonte, se do të vinte një ditë dhe koha do të na lejonte të shkelnim në tokën amtare? Madje ende nuk jam i bindur, se nuk do të na sjellin pengesa atje larg, në tokën mëmë, pasi aq shumë e kam humbur besimin, sa…
-Kur u nisëm drejt së panjohurës, ishim tre…kurse tani, na mungon Gjergji. Ndoshta “Ai” u dashurua më shumë me kontinentin Amerikan, se sa ne… Ose, ose ishte fati…
-Ndoshta ishte fati i tij ?! Fati i kishte rezervuar një rrugë pa kthim,një biletë vetëm për vajtje …Iku nga vatra prindërore dhe…- Enkeli u zhyt në mendime, sikur dhembja u vetëgëlltit brenda qenies së tij, ndërsa avioni çante ajrin, duke përshkuar hapësirën mbi oqeanin Atllantik. Sapo Muzaku vuri kufjet në veshë dhe dëgjonte muzikë, shoku e mori me mend…
“Atij shpesh herë i pëlqen të dëgjojë këngën “Qeraxhiu i Grebenesë”. Edhe pse teksti i saj bën fjalë për ata shqiptarë që linin kockat në dhe të huaj, duke luftuar jo për vendin e tyre, por për të tjerët, përsëri ai emigrant e fut veten sikur ka marrë pjesë në luftë. Jeta e emigrantit të çdo kohe, është luftë për bukën e gojës, është një betejë mes vdekjes dhe mbijetesës në një vend të huaj, ku flitet një gjuhë tjetër, ku është kultivuar kulturë dhe është ndërtuar sistem ekonomiko-social ndryshe. Të dyve na duket sikur po kthehemi “fitimtarë” nga beteja e gjatë mes jetës dhe vdekjes. Nganjëherë harrojmë dhe kapim trupin me duar, prekim gjymtyrët, shohim shembëlltyrën tonë në pasqyrë, duke pyetur veten: “Jemi, apo nuk jemi ne? Vërtet jemi gjallë?!” -mendoj se janë pyetje të drejta, sepse emigrimi është kafshatë që nuk kapërdihet kollaj, por ngjan si një kockë që ngec në fyt, e cila zvarget deri sa të merrë gjithë frymën. Jeta në dhé të huaj është një betejë e tejzgjatur, së cilës nuk i dihet kurrë fundi. Jo vetëm që nuk e besonim, por asnjëherë s’na shkonte ndërmend se kjo “luftë” bashkë me të gjitha përpjekjet tona, një ditë do të kishin një limit. Në emigrim e pamundura bëhet e mundur, për shkak të arsyes për të cilën ke lënë pas të shkuarën. Në tru të gëlon i mbilodhur, një mendim i vetëm që është synimi për të arritur qëllimin e mirë, për të cilin mohuam gjithçka. Tani, më shumë se kurrë, e kemi mëse të qartë se lufta është luks për ata që nuk përfshihen në të. Për fat ne e kishim nisur “luftën” dhe duke ecur drejt së panjohurës, mësuam se Zoti duhet të jetë piktor, ndryshe nuk do të kishte kaq shumë ngjyra. E kam fjalën për ngjyrat e jetës. Një jetë pa ngjyra, nuk ka asnjë vlerë, është gri që vetëm di ta përciellë mirë ftohtësinë e vetmisë dhe mallin e zhuritur të mërgimtarit. Ndaj jeta, me larminë e ngjyrave të saj, me vrazhdësinë apo mirësinë që të dhuron, me ritmet apo hopet cilësore dhe sasijore të saj, quhet luftë…”- vazhdoja të meditoja symbyllur, me kokën në mbështetësen e ndenjëses së avionit. Ndërsa shoku im vazhdonte të dëgjonte muzikë…

***

Prej nisjes nga aeroporti civil “Xhon Kenedi”i New York-ut e deri në Zyrih, ku do të bëhej ndalesa për të marrë avionin për në atdhe, do të fluturonin nëntë orë mbi oqean. Kësisoj kishin kohë me bollëk të flinin dhe të mendonin. Edhe pse ishte udhëtim i gjatë dhe i lodhshëm, gjithsesi ishte ajo që e kishin pritur prej vitesh, madje përherë në ankth mosbesimi.
Padashur Enkeli e kaloi shikimin nga shoku i tij dhe diçka iu kujtua…U ngrit me vërtik, hapi “port’bagazhin” mbi kokë dhe nisi të kërkonte diçka me duar. Shoku e ndjeu dhe e pyeti…
-Çfarë të shqetëson?
-E more urnën, se nuk ta pashë në dorë pas nisjes nga aeroporti?
-Si mendon ti? A mund ta harroja ndokund një vazo me aq vlerë? Pastaj është një amanet që nuk harrohet lehtë.
-Thashë se…Të dy e dimë se sa rëndësi ka për ne ajo urnë prej porcelani. Amanetin nuk e tret dheu, vëlla, ndaj duhet çuar në vend, ndryshe shpirti nuk të gjen kurrë më qetësi. Aq më tepër që ajo vazo porcelani është ngjyer në dhembje të mbrujtur me gjak dhe është tejmbarsur me shumë mall.
-Si mund ta lija jashtë vëmendjes diçka për të cilën debatuam aq shumë në aeroport, derisa na i lejuan ta merrnim në dorë…dhe ti beson se unë do ta lija në harresë? Jo, jo miku im, – dhe atë çast Muzaku u ngrit, e mori vazon prej porcelani dhe ia tregoi shokut. Të dy shokët e përkëdhelën urnën sikur ishte qenie e gjallë dhe jo një vazo që mbante hirin e një kufome…Së pari donte që ta bindte shokun se gjithçka ishte në rregull, dhe së dyti donte të qetësonte veten…”Gjithçka mund të ndodhë. Ku i dihet!” -mendoi tek po e vendoste përsëri në çantë. Pastaj u ul në vendin e tij dhe vazhdoi të kotej duke dëgjuar muzikë. “Si lum ky! E kam zili për qetësinë që vetëzotëron, gjë që mua më mungon”,- po e zhbironte Enkeli me dashamirësi shokun e tij të fëmijërisë dhe përsëri nisi të rikujtonte …vazhdoi të udhëtojë ndër vite… Mendimet i galoponin si të harbuara, sikur kërkonin ta ngërthenin kohën që kishte lënë pas, e ta mbanin peng të kujtesës.
“Askush nuk e di, as vet nuk e kuptoj se si mund të bëhen të afërt, të besueshëm dhe të jenë aq të hapur me njëri-tjetrin, njerëz që nuk i lidhin as genet dhe as idetë. Koha ka treguar se jo rrallë herë ndodh që një mik apo një shok të bëhet më i afërt se vëllai. Një miqësi të tillë kishim edhe ne të tre. Kjo lidhje lindi qysh kur luanim me top prej lecke. Me kohë u rrit bashkë me ne dhe më pas u forcua përmes besës që i dhamë shoku-shokut. Në fakt kjo ka qenë tradita jonë e lashtë, ishte kohë tjetër, kur besa jepej vetëm me një të shtrënguar dore. Dy shokët e mi Gjergji dhe Muzaku e kishin biografinë të mirë, kurse unë…isha ndryshe nga ata. Familjen time partia- shtet e shihte me një sy tjetër nënvleftësues. Gjithsesi kjo nuk i pengonte ata të dy të shoqëroheshin me mua. Ky fakt më gëzonte, por shpesh u isha shmangur dhe u bëja bisht bëmave tona të përbashkëta, si e gjithë rinia e çdo kohe. Sa herë më bënin vërejtje dhe ankoheshin ,u përgjigjesha…
-Ju i keni krahët të ngrohta, kurse unë…
-Ne jemi të tre njëlloj…Duam të jemi si ty…sepse nuk na dallon asgjë nga njëri-tjetri. Pastaj as ne nuk dimë të mendojmë ndryshe nga ti. Po jetojmë në gënjeshtra dhe na detyrojnë të mos e pranojmë të vërtetën. Sado i hidhur të jetë realiteti, nuk duhet mohuar.
-E keni gabim. Ju të dy keni si ombrelë një lis të madh që i ka rrënjët te partia, ndaj nuk u përzhit as vapa e korrikut, as nuk ju ftohin ngricat dimërore dhe as nuk ju lagin rrebeshet apo stuhitë. Kurse unë jam një askush, nudo dhe i pambrojtur.
Ata jo vetëm që nuk u shkëputën por e forcuan miqësinë me mua. Në çdo rast të mirë apo të keq, ata më gjendeshin pranë jo vetëm mua ,por edhe familjes sime. Pa qenë ata, dasma ime do të ishte vetëm një celebrim zyrtar. Fal tyre u bë një dasmë e bukur që kurrë nuk e mësova se si dhe kush e organizoi. Aq shumë ishim lidhur me njëri- tjetrin, sa organizonim shëtitje, mbrëmje apo festa të vogla familjare. Na pëlqente t’i jepnim sa më shumë vlera qytetarie jetës. Por këtë lloj argëtimi nuk e shihnin me sy të mirë as Kryetari i Këshillit, as Kryetari i kooperativës dhe as ai i Frontit. Si gjoja për të dhenë shembullin e tyre personal, të dy ata herë-herë i detyronin të punonin në hapjen e tokave të reja, ku na jepej mundësia të qëndronim më shumë kohë bashkë. Në kësi rastesh, brigadieri i kooperativës na i jepte punën veç e veç, që të ishim sa më larg njëri-tjetrit. Veçse ne e gjenim mënyrën që të bashkoheshim e të bisedonim nën zë për situatën e rënduar në vend.
Një ditë na kishin caktuar të punonim në Fëngjet e Shullërit. Mirë unë se punë krahu bëja, po ata të dy përse?! Punë e rëndë dhe ata të dy ishin me shkollë profesionale. Gjergji ishte zooteknik, kurse Muzaku agronom i mesëm. Kur i pashë, i pyeta i tejhabitur, i zgurdulluar pasi nuk e dija që i kishin vënë në rreth të kuq edhe ata. Ndërsa në fytet tanë të tharë për një pikë qumësht, zvargej babanacja e shoqëruar me dy kokrriza sheqeri apo me gjynmë kokrre qepë, ne të tre nisëm avazin…
-Tani që na la dhe “motra e dashur aziatike”, keq e kemi punën,-ia nisi Gjergji.
-Kur kemi qenë ndonjëherë mirë? Ky është bollëku i socializmit…Nuk di ku shkuan lugët prej floriri?!- pyeti duke fërgëlluar Muzaku.
-Ka dhe më keq se ne…-ua preva këtë bisedë të rrezikshme.
-Jo, jo Enkel,jo. As kafshët nuk bëjnë jetën tonë. Së paku ato janë të lira, kurse neve na kanë ngërthyer si miun në çark. Jemi prindër tani dhe si të tillë kemi përgjegjësi.
-Gjergji ka të drejtë…Është babai i dy fëmijëve. Unë kam një vajzë kurse ti, ke një djalë. Me se do t’i rrisim vallë? As me bukë misri nuk i ngopim dot. Gruas sime i iku qumështi. Me se do ta ushqejë vajzën vallë. Yt bir u rrit dhe ka nevojë për një motër… Enkel, a e merrë dot një përgjegjësi të tillë?
-E quaj si të shpejtuar heqjen e oborrit kooperativist,- doja ta zbusja disi bisedën e ashpër .
-Fol hapur me ne,Enkel. Partia -shtet ka bërë krim me ne shqiptarët. Na e ka futur varfërinë në mendje, e në çdo qelizë. Një stomak i uritur, ushqen një trup shëndetlig që nuk i hynë askujt në punë. Tek një skelet gjendet një tru i boshatisur. Kujt i shërben vallë? Hiqemi zvarrë vetëm për të frymuar? Jo… Një nivel ekonomik që është turp të japësh shifra, është padrejtësia më e madhe që na bëhet.
-Muzaku thotë të vërtetën e hidhur, lidhur me atë që po ndodh tek ne…,- i dha të drejtë Gjergji.
-Kështu nuk mund të vazhdohet.,jo…
-Atëherë çfarë duhet të bëjmë vëllezër? Nëse nuk i përballojmë dot vështirësitë e jetës, mos duhet të vrasim veten? E çfarë u kuptua pastaj? – i pyeta.
-Unë nuk qëndroj më këtu…Do të iki nga sytë këmbët…
-Gjergj, mblidh mendjen! Mos u çmende?
-Jo, Enkel, jo…, nuk është i çmendur. Nuk e duron dot shikimin lutës të gruas dhe të fëmijëve kur shkon në mbrëmje me duar bosh. Tridhjetë lekë për ditë pune përse hyjnë në punë vallë? Nuk shërbejnë për asgjë. Fëmijët tanë kanë nevojë të rriten të shëndetdshëm, të arsimohen dhe nesër të jenë “dikushi”. Po me se? E vetmja mundësi e jona është arratisja.
-Ne i kemi dhënë besën njëri-tjetrit se nuk do të ndahemi. Kurse ti po kërkon të shkëputesh nga ne. Kur thyhet një këmbë e perustisë, ajo nuk qëndon dot në këmbë. Pastaj duke e lënë familjen në mëshirën e fatit si do ta përballojë jot shoqe me dy fëmijë dhe pa burrë?
-Enkel, puna ka arritur deri aty, sa nuk mban më ujë pilafi. Duke u arratisur do të jem në gjendje të punoj dhe do t’ju dërgoj të holla që andej. Do t’i quajnë fëmijët e një tradhtari, me një baba të arratisur, por ama nuk do të vuajnë për bukën e gojës.
-Nëse do t’i lënë të qetë, se kampet e inetrnimit i kanë dyert hapur,- ia prita.
-Më vjen keq që duhet t’i lemë të gjitha pas krahëve, njerëzit më të dashur, atdheun e sa të tjera që do të na mungojnë, por… O ikim të tre bashkë, o asnjëri nga ne,- e preu Muzaku si me sëpatë.

***

Më kujtohet si tani…Pragmbrëmje e qetë pranvere. Gjithçka ishte e gjelbër dhe e lulëzuar. Qëndroja në verandën para shtëpisë me time shoqe dhe djalin në gjunjë.
Atë perëndim, dielli u bënte karshillëk maleve përreth. Bardhësia e borës, që dukej si e ngjyer në gjak nga rrezet e purpurta të tij, po i jepte lamtumirën ditës.Vështroja lulet që nuk donin t’ia dinin për varfërinë dhe shqetësimin e njerëzve. Ndoshta ato ishin të vetmet që kundronin me shpërfillje përjetimin e ferrit të një kombi.
Pas pak ra muzgu dhe hëna pesëmbëdhjetë ditëshe nxori kryet matanë pishave te “Bregu i Kishës së Parashqevisë”, e cila prej vitesh trashëgonte vetëm toponimin. Mbretëresha e Natës vazhdonte kundrimin gjatë udhëtimit të saj të përjetshëm në galaktikën e Diellit, duke e larë natyrën me spërkatjen e një rrezatimi argjendor. Gjithçka dukej si një botë tjetër përrallore, që gjendej jashtë skamjes, varfërisë dhe vuajtjes…Papritur nisa ta shpreh kënaqësinë që më dhuronte natyra atë mbrëmje, si një vazhdimësi mendimi.
-…kurse buzëqeshja e luleve të bajameve do të ma mbajë gjallë gëzimin tënd që ma dhuron me të tepërt dhe ma mbush jetën plot dëshirë për ta jetuar atë në çdo rrethanë, zemra ime. Vetëm kur shoh shkëlqimin ndër sytë e tu dhe shndritjen e fytyrës sate që rrezaton dritë, them se kaq më mjafton për të qenë i lumtur…Por dashuria nuk mjafton për të realizuar kërkesat e jetës. Ndaj…,- papritur ajo më ndërpreu fjalën dhe më vuri gishin mbi buzë. Unë heshta, megjithëse më dhembte ndryshimi midis bukurisë natyrore dhe shpirtit tim të turbulluar.
-I dashur shpreh një dëshirë ose mendoje se sot hëna është e plotë, po rrëshqet ngadalë duke ia lenë vendin hënës së re.
– Për të realizuar atë çka dëshiroj, më duhet të largohem për pak kohë… E shoh zemër, e shoh…Sapo doli hëna e re, vështron të gjejë një tjetër portë hyrjeje.
-Kjo ishte dëshira jote?
-Herë-herë instikti më thotë që nuk duhet ta bëj këtë udhëtim. Nuk jam as i prirur as i gatshëm për të bërë largime të gjata nga shtëpia.
-I dashur, po më tremb. Nuk di se çfarë ke sot. Nëse duhet ta bësh atë udhëtim, bëje pa e menduar dy herë. Shko, shko dhe do ta shohësh se sa mirë do të ndihesh. Në fund të fundit njeriu jeton për të punuar dhe punon për të qenë i lumtur.
-Shpirti im, nuk është lumturi kur i ke larg syve dhe zemrës ata që do më shumë. Kur mendoj se nuk do të kem pranë ju të dy, më duket se do të jem një i vdekur.
-Unë do të jem këtu dhe do të të pres.
-Pse duhet të më presësh aq gjatë?
-Sepse kam besim tek ti.
-Por unë…unë vetëm doja të të thosha…doja…-dhe fjala m’u zvarg në fyt.
-Nuk dua të dëgjoj më asgjë. Shko i dashur. Shko! Të qoftë rruga e mbarë! Mos harro që kur të kthehesh të më tregosh gjithçka me imtësi.
– Jo,jo…vetëm se doja të të pyesja nëse duhet ta bëj këtë udhëtim apo ndoshta jo.
-Pyetja është privilegj i cilitdo që bënë gjënë e duhur, në vendin dhe në kohën e duhur, gjë që i vlen kujtdo për të pasur më tepër vetësiguri dhe vetëbesim. Unë të njoh, po aq sa njeh ti veten, ndoshta edhe më shumë, -kjo ishte biseda e fundit e jona.
Atë natë nuk mbylla sy. Gjatë mbrëmjes u kujdesa që gruas dhe djalit t’u krijoja çaste të bukura. Doja që t’i ruaja në kujtesë të lumtur. U ngrita herët dhe eca në majë të gishtave, që të mos i zgjoja. Para nisjes, i putha dhe i përkëdhela lehtë e butësisht me dorë. Nuhata gjatë aromën e tyre, të cilën doja ta merrja me vete, me besimin se do të më mbante gjallë. Disa herë bëja të dilja dhe kthehesha përsëri. Qëndrova disa minuta në prag të derës së dhomës dhe isha gati të ndërroja mendje. Po lija në mëshirën e fatit ata që doja më shumë, gruan, tim bir, prindërit dhe të afërmit. Me prindërit bisedova mbasditen e fundit. U thashë se do të largohesha për pak kohë nga shtëpia. Ndoshta gjeja punë në hidrocentral. Nëna u ligështua dhe u përlot. Kurse babai po më zhbironte përmes përvjedhjes së një shikimi atëror. Sa u largua pak nëna, ai nuk priti dhe pa e zgjatur, më vuri dorën në sup.
-Të vaftë mbarë biri im! E di, e di mirë se çfarë udhëtimi po ndërmerr. E ndiej, ma thotë zemra e prindit. E shoh qartë në shikimin e trembur të syve të tu, në trishtimin e tipareve të tua, në ngulçet e vajit të shpirtit, që, edhe pse janë pa zë, ndihen aq furishëm sa pasqyrohen përmes shqetësimit tënd. Shko, shiko e kërko të njohësh drejtësinë, që është e vetmja që të ballafaqon me mirësinë, me të vërtetën, -ndërsa kujtova fjalët e tij…mora të vetmen rrugë që premton shpresë, atë të kurbetit. Gjithsesi ndihesha i hallakatur nga pavendosmëria. Atë çast të vetëm kuptova se sa e vyer ishte familja për mua. Atëherë ,ato sekonda që m’u dukën një shekull, mësova se ata që po i braktisja ishin frymëmarrja, ishin oksigjeni i jetës sime.
Bëra gati të hidhja hapin e parë tej pragut të portës, por ngërçi që më kapi gjymtyrët nga pavendosmëria e shpirtit tim të dalldisur, më ngeli pezull në ajër. Ngela i ngurosur as jashtë e as brenda shtëpisë. Papritur një mendje më tha që të mos e bëja atë hap. Si një vegim më dolën parasysh shokët. Ndërgjegja nuk më la të tradhtoja besimin e miqve të mi dhe dola pa e kthyer më kokën pas.djemtë apo burrat
Rrezet e para të diellit na gjetën në rrugë. Sapo lamë lëndinën e lotëve , kthyem kokat pas. Pa kaluar shkëmbin e lamtumirës, kufirin ku familjarët përcillnin djemtë apo burrat në kurbet ose në luftë, ndalëm. Po aty në atë vend, ku dilnin me shpresë edhe për kthimin e tyre, i hodhëm një sy për herë të fundit fshatit që ende ishte në gjumë.
Tre shokë, tre bashkëshort, tre prindër morëm rrugën drejt asgjësë… Të tre ishim thuajse në të njëjtat kushte familjare, kishim lënë të dashurat tona, nuse të reja, fëmijët që kishin nevojë për hijen e babait. Kishim lënë ata, të cilëve u kishim borxh jetën. Dukej sikur po shkonim drejt vdekjes dhe jo drejt shpresës. Kthyem kokat të trishtuar dhe dhembja na lexohej në çdo tipar, në ecje dhe në heshtjen që na shoqëronte sikur na përcillte drejt morgut.
Ndërsa mendonim për ata, prej të cilve po largoheshim vjedhurazi, në veshët tanë jehonin vargjet ku fliste dhembja e mërgimit, “Qeraxhiu i Grebenesë, more qeraxhi/ të fala t’mi bësh nënesë, …/ të m’i shes dy qetë e zesë, …/ nëse pyet nëna për mua, …/ i thoni se u martua, …/ po pyeti se ç’nuse mori,… /dy plumba për krahrori, …/- ishte kjo këngë epike që na shoqëroi deri sa kaluam kufirin. Të tre e kishim të qartë se të gjitha mundësitë ishin që të mos hynim dot në kufirin e shpresës së premtuar si qëllim në vetvete. Veçse secilin nga ne e grryente një mendim: “A do të kthehemi vallë ndonjë ditë?”- kjo pyetje ngjasonte si epilogu i një arratije
në drejtim të pacaktuar.

***

Fshati ynë ndodhej jo shumë larg vijës kufitare. Si banorë të kësaj zone, ne njihnim çdo pëllëmbë toke, çdo shteg, çdo korie, çdo qafë mali, çdo rrjedhë të rrëmbyeshme lumi dhe përroi. Dinim vendndodhjen e piramidave dhe cilat pika ishin më të vëzhguara ose anasjelltas nga rojet e kufirit. Përsa kohë udhëtonim në ultësirë, ishim të tre bashkë të veshur si barinj. Për çdo rast dyshimi, ishim çobanë në kërkim të bagëtive të kooperativës.
Kur nisëm t’i ngjitemi të përpjetës malore, u ndamë në tre drejtime, duke lënë një pikë takimi matanë kufirit, gjithmonë nëse do të kishim fat ta kalonim. Që të ngjiteshim në Qafmalin më pak të vëzhguar, për shkak të terrenit të thepisur, na duhej një ditë sorollatje nëpër drurë e gëmusha. Duke u kacavarur nëpër shkëmbinjë të zhveshur, por me shumë lugje e gërxhe, ngjyra e errët e të cilëve shërbente si mburojë, unë arrita ta kalojë kufirin. Për fat, nuk kishte kaluar asnjë orë dhe ne po shikonim njëri -tjetrin të habitur. Nuk donim ta besonim se ia kishim dalë të tre.
-Gjysmë ore nga kufiri ka shtëpinë gjyshi im nga nëna…
Unë dhe Muzaku vështruam njëri-tjetrin në sy.
-Na fal se është gjyshi yt dhe nuk jemi ne ata që duhet ta paragjykojnë dhe…
-Gjyshi im është malësor i vërtetë, atdhetar i besës. Shtëpia e tij është bërë streha e sa e sa të mërguarëve nga Shqipëria. Pastaj më parë duhet të më dëmtojë mua, pastaj e keni radhën ju, – përgjigja e Gjergjit ishte një garanci për ne të tre. -Por kjo nuk do të thotë se jemi jashtë rrezikut, jo…-vazhdoi Gjergji.
-Pse?!- pyetëm njëherësh ne të dy.
-Rojet jugosllave janë po aq të rreptë e ndoshta më të egër se sa ato shqiptare.Po na kapën ose do të na dorëzojnë te rojet tona ose do të na rrasin në kamp, ku do të ndeshemi me kombësi e gjuhëfolës të ndryshëm. Rasti i parë është më i keq se rojet tona do të na dorëzojnë. Veç torturave në qelitë e hetimit, por do të na rasin në burg si tradhtarë të atdheut me njëzetë vjet burg. Ndaj duhet të ecim me kujdes.
Gjatë ditës nuk mund të dilnim hapur. Ndaj na u desh të nxitonim që të mbërrinim pa gdhirë mirë në shtëpinë e gjyshit të Gjergjit. Ndërkohë që kishim ecur gati dyzetë minuta, u ndeshëm me një bari të moshuar dhe
shtatlartë, i cili nxirrte dhentë për kullotë.
-Për nga rruga e mbarë ,more trima?
-Kërkojmë shtëpinë e Preng Gjurës…
-Po e njihni, nëse e shihni?
-Jo, ne na ka dhënë një porosi për të e bija e tij, Mrika e Gjurajve.
-Nga ime bijë?! O Zot! Po shkojnë tridhjetë vjet që nuk e kam parë. Po pse s’thoni se ju qenkeni nga matanë kufirit?!
-Bacë,Ju jeni gjyshi im, që s’e kam njohur kurrë…! Ju…ju… Vërtet jeni gjyshi im? -pyeti Gjergji i drithëruar dhe e rroku për qafe. Nuk di sa kohë ngelën gjysh e nip të përqafuar. Shkëputeshin pak dhe e shikonin njëri-tjetrin për herë të parë dhe s’ngopeshin. Ai plak mallzhuritur u ul mbi një gurë dhe nisi të derdhë lot malli.
-Faleminderit, i madhi Zot që më krijove mundësinë të njoh gjakun e gjakut tim, djalin e sime bije. Më falni more djem, që ju lashë pas dore.
-Ejani në shtëpi dhe atje do të flasim shtruar.
Ishte mëngjes herët. Plaku i Gjurajve dha alarmin dhe i zgjoi të gjithë në shtëpi.
-Zgjohuni djem, nuse dhe fëmijë, zgjohuni! Shtëpia e Gjurajve sot ka gëzim!
-Të gjithë, djem, nuse e fëmijë u ngritën të përgjumur duke gogësirë.
-Ç’është …, çfarë ka ndodhur, o Babë?
-Mbarësi bijtë e mi, mbarësi. Mase ka ardhur sahati dhe për ne shqiptarët, se na ndau shkjau në pabesi. Na ndanë e na përçanë të paudhët vetëm për të na shuar si racë. Por ne shqiptarët nuk e kuptojmë këtë hile djallëzore. Në vend që të bashkohemi, na ka hyrë krimbi e po shkatërrojmë njëri-tjetrin , njëlloj si mola që grryen drurin.
-Po nuk po marrim vesh asgjë, o Atë…
-Njihuni me djalin e motrës suaj… Mrikës, – të gjithë ngelën të habitur. Para tyre qëndronin tre burra të rinj, në moshë me fëmijët e tyre, por nuk dinin cili nga ata të tre ishte nipi.
-Gjergj, njihu me dajat e tu!- e kapi nga krahu nipin dhe e njohu me të katër djemtë e tij. -Këta të dy janë shokët e tij, familjet e të cilëve i njoh prej kohësh.
Në fund u afrua një plakë, një malësore e vërtetë, veshur me kostumin karakteristikë të Dukagjinit, e cila vuri dorën mbi sy për t’u përqëndruar më mirë.
-Grua, të ka ardhur nipi në shtëpi…
-Cili nip, o burrë?
-Gjergji, djali i Mrikës…
-Uh, e mjera unë që i kam harruar fytyrën vajzës, pa le të njoh fëmijët e saj…?!- dhe menjëherë u rrëzua në tokë. Gjyshes i ra zali nga mungesa e gjatë e së bijës dhe mosnjohjes së nipave e mbesave që nuk i mbajti kurrë në duar, që nuk u dhuroi atë dashuri e përkëdheli që dinë të japin vetëm gjyshet.
Pasi e përmendën, Gjergji u afrua dhe i puthi duart gjyshes që i kishte munguar aq shumë. Ishte një takim i dhembshëm që lë shumë gjurmë tek cilido që e sheh atë skenë.

***
Fal gjyshit të Gjergjit, ne kërkuam strehim politik në Jugosllavi, si një vend tranzit. Qëndruam në kamp njëzetë muaj. U jemi mirënjohës njerëzve të tyre që kishin në ShBA, që nisën garancitë për të tre. Natyrisht sipas fjalës së urtë që thotë se, petullat nuk bëhen me ujë, edhe për ne ishte e njëjta gjë. Në ShBA, në vendin e demokracisë, mikëpritsen e shumë kombësive, nuk na e kishin shtruar rrugën me dafina. As dy oqeanet që lagin Amerikën e Veriut nuk ishin bërë kos dhe ne na mungonte vetëm luga. ShBA vërtet është vëndi i mundësive, por duhet vullnet për të bërë më shumë se një punë, nevojitet arsimim dhe përvetësim i gjuhës angleze, që të përballësh vështirësitë e emigracionit. Këto dhe zbatimi i ligjeve janë domosdoshmëri për të qenë qytetar amerikan apo shtetas i gjithë botës demokratike.
Kaluan vite kur ne e morëm veten ekonomikisht. Më pas me kursimet tona ishim në gjendje të ktheheshim në atdhe për të rimëkëmbur ekonominë e fëmijëve që lamë pas. Por ëndrra jonë u bë realitet vetëm pas viteve nëntëdhjetë. Familjet tona i kishin syrgjynosur në internim për fajin tonë. Ne të tre kishim ikur bashkë dhe vendosëm të ktheheshim të tre në vendlindje. Sa më shumë afronte dita e nisjes aq më të padurueshëm bëheshim. Zhuritja e mallit dukej se na lexohej në sy, në sjellje, në fjalë…
Gjatë gjithë atyre viteve ndieja dhembje kraharori për mungesë oksigjeni prej ajrit të vendlindjes. Jetoja dhe frymoja në një tjetër realitet, ku bora dhe stuhitë shkatërrojnë pamëshirë, përballë të cilave ndieja nevojën e vlagut të tokës nën ngrohtësinë e diellit të vendit tim. Qenia ime ishte mbrujtur me tharmin kombëtar që lind dhe rilind diçka tjetër jetësore, që nuk gjendet në asnjë vend të botës. Edhe kur kthimi im ishte i pashpresë, përsëri mua dhe dy shokëve të mi na është dashur të përfytyronim një vizion imagjinar, për të cilin as unë dhe as ata nuk kishim gabuar.
E kishim mëse të qartë se Sh BA u bë atdheu ynë i dytë që na mirëpriti, na bëri njerëz në kuptimin e vërtetë të fjalës.,gjë për të cilën i ishim mirënjohës. Gjithashtu edhe ne ia shpërblyem me punë e korrektësi, por synimi ynë ishte tjetër…
Atje larg në jugëlindje të Evropës, në Ballkanin perëndimor, buzë Adriatikut dhe Jonit, ku dielli ngroh gjithë vitin, na prista toka mëmë, ajo baltë që na lindi e na rriti, për të cilën kishim mall. Na kishte munguar gjuha jonë. Na kishin munguar lindjet dhe perëndimet e magjishme të vendit tonë. Donim të frymonim aromën e pakrahasueshme që të dhuron ky vend i vogël, dhe i bukur, por tejet i varfër, genet e të cilit i kishim në gjak. Na mungonte ajo tradita e bukur shqiptare që e ka mbajtur gjallë këtë komb. E mbi të gjitha na mungonte familja jonë që hoqi njëmijë të zeza nga persekucioni i egër dhe i pakrahasuar komunist.
Biletat i kishim porositur dhe pas një jave do të riktheheshim në familjet tona. Nuk na mbante vendi.
Të jesh larguar nga familja gati një çerek shekulli, natyrisht që do blesh disa dhurata simbolike për secilin. Kishim dalë të tre për të blerë gjërat e nevojshme për udhëtimin. Ishim duke dalë për të shkuar te parkimi i makinave. Gjergji, i lumtur që kishte gjetur dhurata të bukura edhe për të fejuarën e djalit, ishte i pavëmendshëm dhe po fliste gjithë pasion. Para një makine doli një kone e vogël që i shpëtoi nga dora një zonje. Shoferi devijoi dhe shpëtoi qenin, por i mori jetën shokut tonë, Gjergjit.
Ishte një vdekje e tmerrshme, e llahtarshme për sytë dhe zemrat tona. Ai s’mori vesh gjë, se vdiq menjëherë. Kurse tek unë dhe Muzaku vdekja e tij tragjike ka lënë gjurmë dhe dhembje të pashlyeshme.
Gjithë dhuratat që kishte blerë u shpërndanë nëpër bulevard. Kalimtarët u treguan shumë të sjellshëm, mjaft njerëzorë dhe i mblodhën të gjitha sendet e Gjergjit. Ndoshta mungonte ndonjë gjë prej tyre, por pak rëndësi kishte. Kur ai nuk ishte më…ç’vlerë kishin dhuratat.
Emigruam tre, por u kthyem dy dhe një urna prej porcelani kinez, e cila mbartëte hirin e trupit të shokut, mikut dhe vëllait tonë…
Gjatë bisedave tona, kishim vendosur se, nëse ndodhte që ndonjeri nga ne të tre do të vdiste, trupin do t’ia digjnin dhe hirin do ta çonin në atdhe. Këtë dëshirë si një amanet e kishim depozituar tek noteri ynë, gjë që nuk na solli asnjë pengesë.
Ndaj emigrimi është i hidhur si vreri. Po ktheheshim, por tani pa gëzim dhe pa pikë dëshire. Kthimi ishte një ëndërr e të treve, ishte besa e dhënë e cila u gjymtua. Amaneti i plotësuar ishte si të ruaje një relike, por sa herë e shikonim urnën, na krijonte një boshllëk, një zbrazëti, mungesën e një njeriu të mirë që e donte jetën. Edhe pse e realizuam një amanet, gjithsesi ai kurrë nuk mund të zëvendësojë një jetë të humbur… Mbajtja e besës apo fjalës së dhënë, ka vlerë biblike, si diçka shpirtërore a ndërgjegjeje, por kurrë nuk ka vlerën e një jete që frymon. Familja e tij priste Gjergjin e jo dhuratat apo paratë.
Kur mbërritëm në fshat me gjithë njerëzit që na pritën në aeroportin e Rinasit, ndalesën e parë e bëmë në shtëpinë e Gjergjit. U dorëzuam gjihë garderobën e tij, dhuratat dhe dollarët që ishin kursimet për të kaluar vitet e mbetura, sepse ikëm djemë të rinj dhe u kthyem burra pesëdhjetëvjeçar. Nuk kishte gjë më të rëndë për ne të dy. Ndiheshim fajtorë, sikur ishim ne shkaku i vdekjes së tij.
Ajo drekë që bëri familja e tij dhe falenderimi për korrektesën lidhur me dorëzimin e gjithëçkaje që i takonte Gjergjit, ishte ironi e fatit të emigrantit.
-Faleminderit për sa bëtë për Gjergjin. Ky ishte fati i tij dhe yni, të cilit nuk i zihet besë dhe as matesh dot me të. Fal Zotit u kthyet gjallë, kjo ka rëndësi dhe e gëzofshi jetën me fëmijët e me gratë tuaja! Këtej e tutje ju uroj të keni vetëm gëzime!”- uroi ajo zonjë e thinjur para kohe. Vuajtjet e skajshme dhe dhembja e gjatë, që për atë nuk pati fund, e kishin bërë të fortë gruan e Gjergjit.”-përfundova kujtimet e mia i trishtuar për humbjen e një miku, jeta e të cilit u këmbye me një grusht hi.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: AMANETI, Tregim, Vilhelme Vranari Haxhiraj

Komuniteti Mysliman aktivitet festiv “Profeti Muhamed a.s. – Krenaria e Njerëzimit”

April 19, 2014 by dgreca

Mijëra besimtarë, pjesa më e madhe të rinj, mbushën paraditen e sotme sallën e Pallatit të Kongreseve në nderim e vlerësim të njeriut që i Madhi Zot e zgjodhi shembull të përsosmërisë. Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skender Bruçaj iu drejtua ngrohtësisht pjesëmarrësve duke u shprehur se, jemi mbledhur sot për të përkujtuar Profetin Muhamed a.s., personalitetin që la gjurmët më të mëdha në historinë njerëzore.
“Ardhja e Profetit Muhamed shënon plotësimin e dhuntisë së Zotit ndaj njerëzimit. Ai është burim frymëzimi për çdo epokë, çdo brez, çdo kulturë e çdo popull, sepse erdhi t’i njohë njerëzit me Krijuesin e tyre, t’i shpëtojë nga çdo lloj skllavërie fizike, mendore e shpirtërore; erdhi që njerëzit të jetojnë në paqe, erdhi për të zhdukur errësirën dhe për të përhapur dritën, erdhi që njerëzit t’i udhëzojë drejt lumturisë së kësaj bote e asaj të amshuar”, u shpreh mes të tjerash Bruçaj.
Një përshëndetje që emocionoi të pranishmit ishte ajo e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj.
Në fjalën e tij, Veliaj përmendi disa nga karakteristikat themelore të personalitetit të Muhamedit a.s., si mëshirën, drejtësinë, vlerësimin për dijen, dashurinë për Atdheun dhe respektin për tjetrin ndryshe.
Veliaj u ndal edhe në mirëkuptimin fetar që ekziston mes shqiptarëve, ku një rol të merituar sipas tij ka Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, si komuniteti fetar më i madh në vend. “Komuniteti Mysliman nuk është produkt i tolerancës, por toleranca është produkt i myslimanëve shqiptarë”, u shpreh ministri Veliaj.
Fjalë përshëndetëse mbajti edhe kreu i bektashinjve Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili përgëzoi Komunitetin Mysliman për këtë organizim të shkëlqyer në të cilin kujtohet krijesa më e dashur e Zotit.
Kurani, ilahitë dhe pjesët e zgjedhura poetike të përcjella me mjeshtëri nga emrat e njohur të skenës dhe ekranit: Sidrit Bejleri, Kastriot Tusha, Venera Lumani, Rezarta Smaja, Lind Islami, Davud Aktepe, Dritan Boriçi, Sokol Angjeli, Adriana Tolka, Klodian Hoxha, shoqëruar nga kori i bashkuar i medreseve, ngritën peshë zemrat e të pranishmëve, të cilët nuk i kursyen për asnjë moment duartrokitjet e tyre.
Programi që erdhi me regji të regjisorit Agron Hoxha dhe udhëheqës artistik mjeshtrin Kujtim Alia, u dallua gjithashtu për skenografinë dhe efektet e mrekullueshme të cilat prodhuan dimensione të një përjetimi të jashtëzakonshëm.
Respekti e nderimi i manifestuar në këtë program, shpalosën edhe një herë dashurinë për Mëshirën e Dhuruar, një ndjenjë e pastër e ngulitur thellë në zemrat e në shpirtrat e myslimanëve shqiptarë.
Në këtë organizim festiv që organizohet për të nëntin vit radhazi nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në bashkëpunim me Fondacionin Arsimor dhe Kulturor “SEMA”, morën pjesë gjithashtu kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, kreu i Komitetit Shtetëror për Kultet, Ilir Hoxholli, përfaqësues të forcave politike, ambasadorë të akredituar në Tiranë, akademikë, shkrimtarë, artistë dhe të ftuar nga Shqipëria dhe hapësira mbarëshqiptare./a.gegvataj

Filed Under: Kulture Tagged With: Komuniteti Musliman, Profeti Muhamet a.s

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 70
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT