• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2014

CIKËL POEZISH NGA PETRIT DERRAJ – SMOKTHINA

April 14, 2014 by dgreca

KUR U VRA CANE MIFTARI*/
Cane Miftari,kryetrimi lab i kryengritjeve antiturke, bashkëluftëtar i Zenel Gjolekës, së Kuçe./

Gjithandej u hap një gjëmë,/
Dhe zija mbuloi vendë./
Kur u vra Cane Miftari,/
Humbi jeshillëkun bari./
Qyqet e shtuan vajtimin,/
Zoqtë e ndalën cicërimin./
Eres fuqitë iu gjysmuan,/
Shkëmbijtë sikur u thërrmuan./
Dhe lumi sikur u shter,
S`rrithte ujë po rrithte vrer.
Nga dhimbja u tundën malet,
Luleve u ranë petalet.
Dafina degët i vari,
Për t`iu bërë kurorë te varri.

I FELT ZEMRA ZEMRES
I flet djali nënës,
Ç`i thot dielli hënës?!
I flet vëllai motrës,
Ç`ithot mali kodrës?!
I flet vajza nënës,
Ç`i thot zemra zemrës?!

VILË E GJUSHËRVE TË MI
Moj oda ime e lashtë
Dritë brënda dritë jashtë
Themelet hedhur mbi shkëmb
Asnjë stuhi s`të ka shemb
Anës vatrës dy qoshe
Me oxhakun si kube
Dërras pishe dyshemeja
Zemër lisi qeresteja
Mbi vatër mbi një pllak guri
Gdhëndur me mjeshtëri flamuri
Qylimat shtruar e hedhur
Nga labet – artiste endur
Sixhadet varur në mur
Të jepnin dritë edhe nur
Tabakaja plot me pije
Tavani si qiell me yje
Brënda ulur pesëdhejt burra
Kënga buronte si gurra
Hapur kanë qenë ato dyer
Për shokët e miqtë e vyer
S`të ndërroj me asnjë shtëpi
Vil` e gjyshërve të mi.

NË BALLIN TËND
Në ballin tënd të rrudhur
Një pentagram me nota dhimbjeje.
Në ballin tënd të vuar
Një dhimbje e kompozuar.

QËNDISTARJA DHE POETI
Qëndistraja mbi beze nis një qëndimë
Poeti me fjalë flakë ndez poezinë.
Qëndistaria me majë të gjiplërës bën art
Poeti me ngulm fjalën gdhënd si me daltë.
Njëri ngjan me detin, tjetra ngjan me valën
Njëra qëndis lulen, tjetri qëndis fjalën.

G J U H A
Gjuha fshihet pas një dhembi
Që të mos shpojë si gjembi.
Gjuha është edhe drapër
Gjuha është edhe gjarpër.
Gjuha të pret si me shpatë
Gjuha është edhe mjaltë.
Gjuha si plumbi të vret
Tule është po hekur pret.
• Poezite i dergoi per Gazeten”DIELLI” bashkepunetori studiuesi Enver Memishaj.

Filed Under: Sofra Poetike

UNË JAM ARBËR: 800 VJET SHTET !

April 14, 2014 by dgreca

Shkruan:Azgan HAKLAJ/
Të nderuar bashkëkombas, Unioni Artistik i Kombit Shqiptar në bashkëpunim me Komitetin e Pajtimit Mbarëkombëtar, Qëndren e Studimeve Albanologjike të Akademisë së Shkencave, Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, organizon më datën 18 prill 2014, në Hotel Tirana Internacional (Salla Balshaj) Sesionin Akademiko-Shkencor , me rastin e 800 vjetorit të Shtetit të Arbërit, shek. XI-XII.
Në orën 18.00 në qytetin e Krujës, (Kryeqytet i Shtetit të Arbërit) Unioni Artistik i Kombit Shqiptar në bashkëpunim me Bashkinë e Qytetit të Krujës, organizon koncertin tematiko-patriotik me artistë nga të gjitha trojet shqiptare, të titulluar “Unë jam Arbër: 800 vjet Shtet” .
800 vjetori i Shtetit të Arbërit është ngjarje madhore në historinë e Kombit Shqiptar. Me dhjetra libra memorandume e takime në kancelatitë më të rëndësishmë të Perëndimit, ku shpesh është përcaktuar fati i popujve të Ballkanit, qarqet shoviniste serbe e greke janë munduar të argumentojnë para fuqive të mëdha oreksin e tyre për të zhbërë etninë e Shqiptarëve e më vonë shtetin e sapoformuar në vitin 1912 me tezën se Shqiptarët nuk kanë aftësi shtetformuese, se ata janë një popull baritor, shtegtar, pa gjuhë e kulturë të tyren dhe se ata më në fund duke qënë një popullsi e egër (sipas tyre) përbëjnë rrezik për Ballkanin dhe civilizimin evropian. Kanë patur mjaf sukses në këtë sipërmarrje në dëm të trojeve etnike shqiptare. Mjafton të theksojmë faktin se Shteti Shqiptar, njohur nga Konferenca e Ambasadorëve të Londrës, nuk përfshin në gjirin e vet, as gjysmën e teritorit që banohej në shekuj e mijëravjeçarë nga shqiptarët.
Është kjo arsyeja që Shteti i Arbërit, i themeluar 800 vjet më parë nga Progoni e i udhëhequr pas vdekjes së tij nga djemtë, Gjini e Dhimitri, shkëlqen sot në dritën e historisë si një yll i shëndritshëm në organizimin Politiko-Shtetëror dhe në orientimin e Popullit Shqiptar drejt vlerave të Qytetërimit Perëndimor Latin dhe besimit të tij katolik-roman si një nga tre kombet bashkëthemeluese të Krishtërimit të hershëm.
Është fakt historik se në preludin e formimit të Shtetit të Arbërit edhe pse pjesa më e madhe e trojeve shqiptare administrohej nga Perandoria Bizantine, e cila impononte organizimin shoqëror, jetën ekonomike, kulturën e besimin, familjet me të fuqishme të fisnikërisë vëndase rivalizonin me këtë perandori dhe prisnin rastin e volitshëm për t’u çliruar nga pushtuesi.
Në fundin e shekullit të 12-të , sundimtari më i fuqishëm ishte Progoni, i cili arriti në kushte shumë të vështira historike mes dallgëve të ashpra Lindje-Perëndim, rivalitet ky që përfshinte jo vetëm atë ushtarak por edhe atë fetar; të krijonte të parin shtet në Mesjetën e Hershme, i cili është praktikisht Shteti i parë Kombëtar me atributet që ka sot ky nocion. Edhe pse nuk arriti të shtrihej në të gjitha teritoret ku banonte popullsia arbërore, ky shtet do të kishte konseguenca themelore për fatet e popullit shqiptar në kohën e tij dhe në shekujt që erdhën pas.
Lulëzimin më të madh Shteti i Arbërit e pati nën udhëheqjen e Dhimitrit në vitet 1208-1216.
Dhimitri krijoi një shtet të fuqishëm me qendër Mirditën (Gëziqin). Ai organizoi një ushtri e administratë të aftë dhe u tregua një diplomat i zoti.
Akti i parë politik i Dhimitrit ishte konvertimi i tij (e më vonë i nënshtetasve të tij) në besim katolik. Me këtë akt vizionar ai arriti të siguronte një aleat të fuqishëm si Vatikani, të fuqizonte pozitat e Arbërit drejt kulturës, gjuhës e besimit latin.
Dhimitri zmbrapsi inkursionet e Bizantinëve nga lindja e të Venedikut nga perëndimi dhe lidhi aleanca të fuqishme përveç Papës Irrokenti i III-të ; edhe me sundimtarin e Rashës Stefanin, me despotin e Epirit, Mihal Angjel Komenin, etj.
Egziston një dokument me vlera të jashtëzakonshme historike i firmosur nga kryetari i Shtetit të Arbërit, Dhimitri. Bëhet fjalë për një marrëveshje tregëtare me Republikën e Raguzës, ku ai, si kryetar i shtetit, zotohet të lejoi të bëjnë tregëti të lirë “në detet e tokën e tij” tregëtarët e Raguzës pa i ngarkuar ata me asnjë taksë e madje duke i marrë në mbrojtjen e tij.
Si kryetar i Shtetit të Arbërit, Dhimitri, mbante titujt e lartë : “Arkond i Madh” , “Panhyperzvast” (Gjykatës), “Sundimtar i Madh”, etj. dhe la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Shqipërisë. Ai i dha jetë ndërgjegjies nacionale dhe ëndrrës për krijimin e një shteti komb.
Pas tij dolën në skenën historike dinasti të fuqishme të feudalëve shqiptar si Balshajt, Blinishti, Kastriotët, Dukagjinët, Topiasit, Aranitët, Muzakajt, Spanët, etj., të cilët në zjarrin e luftës së shekullit të XV-të, prirë nga Heroi Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, krijuan shtetin e përqëndruar arbëresh duke triumfuar 25 vjet kundër Perandorisë Otomane.
Fillimet e të Drejtës Zakonore Shqiptare duhen kërkuar pikërisht në kohën e Shtetit të Arbërit, tek Progoni e Dhimitri, të cilët zëvëndësuan legjislacionin e shtetit bizantin me normat vetëqeverisëse Iliro-Arbënore.
Këtë fakt e përforcon e vërteta historike se Mirdita, Kryeqendra e Shtetit të Arbërit, mbeti në shekuj e lirë dhe e vetëqeverisur, dhe është epiqendra jo vetëm e qëndresës për liri, por edhe e Kanunit të Lekë Dukagjinit.
Nderimi e mirënjohja për burrat korifej që krijuan e udhëhoqën Shtetin e Arbërit tetë shekuj më parë është borxh ndaj atdheut e historisë së tij.
Ky Jubile i 800 vjetorit të Shtetit të Arbërit, do të kremtohet ashtu siç e meriton, si një eveniment i madh historik që është një ogur i mbarë për rikthimin e kujtesës sonë historike dhe të ndërgjegjies kombëtare..
Unioni Artistik i Kombit Shqiptar u bën thirrje të gjitha shoqatave e shoqërive kulturore, që janë antarë të Unionit dhe shoqatave partnere të Kombit Shqiptar, që aktivitetet kulturore të këtij viti të zhvillohen nën emblemën e Shtetit të Arbërit.

Filed Under: Editorial Tagged With: Azgan haklaj, UNË JAM ARBËR: 800 VJET SHTET !

“INTERVENIMI I NATO-S NË KOSOVË” U PROMOVUA NE BERLIN

April 14, 2014 by dgreca

Nga Kolonel, Xhavit Sadrijaj*/
I nderuari z. Fadil Ismajli, Ministër i zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës
I deruari Ambasador i Republikës së Kosovës, z. Skender Xhakaliu
Të nderuar përfaqësues të Ambasadës së Republikës së Shqiperisë
I nderuar Prof. dr. Afrim Hoti
Të nderuar të pranishëm,
Ndjehem i privilegjuar që në cilësi të mikut të autorit Dr. Nusret Pllana, më është dhënë rasti t’i them para jush disa fjalë për librin e tij, Intervenimi i NATO-s në Kosovë, i botuar në shqip në vitin 2010, ndërkaq në versionin anglisht më 2011.
Ju flet Kosova e lirë, Ju flet Kosova e lirë….” ishte ky zëri i shpresës i cili transmetohej çdo ditë jo më larg se 100 metra vijë ajrore nga vendkomanda ime, në atë kohë si Ndihmës Komandant i Brigadës 121 “Ismet Jashari KUMANOVA” dhe nga pozicionet luftarake të cilat fuqishëm dhe me shumë sukses i mbronin trimat e kësaj Brigade të Lavdishme, duke mbrojtur kështu edhe selitë e të gjitha institucioneve udhëheqëse dhe mediatike të UÇK-së dhe duke ua shpëtuar jetën mbi 70.000 qytetarëve të strukur në grykat e vargmaleve të Berishës.
Njeriu që i fliste këto fjalë ishte z. Nusret Pllana – tani Doktor Shkence, i cili sonte është me ne këtu në Berlin, dhe para nesh sjell librat e tij shumë domethënëse dhe historike njëkohësisht, mbi terrorin dhe tmerrin që përjetoi populli ynë si dhe përfundimin e atij tmerri i cili u arrit duke iu falënderuar përjetësisht punës dhe veprës së madhe të UÇK-së e cila bashkë me Aleancën Veriatlantike përgjithmonë dëbuan pushtuesin shekullor nga trojet tona.
Do e vazhdoj këtë fjalim sonte me një faqe nga ditari im i luftës që është shkruar mu në vendin ku unë për herë të parë takova dhe njoha z. Pllana dhe tërë stafin e Radios Kosova e Lirë, ku kaluam goxha kohë së bashku, shkëmbim mendimesh dhe përvojash interesante në ato rrethana të jashtëzakonshme lufte.
Është shkruar natën e fillimit të sulmeve ushtarake ajrore të NATO-s:
Edhe pse nuk mendoja se do arrihet konsensus i shpejt për ndërhyrje kjo ndodhi. Sonte është krejt ndryshe mbi malet e Berishës. Jam këtu me ca bashkëluftëtar, Muharremi, Fadili, Izeti, Elmiu ….. është një çast i papërshkrueshëm ky, shpresë, gëzim dhe frikë njëkohësisht. Mbi ne ushton qielli, natë është, asgjë nuk shihet, të gjithë shikojmë lartë drejt ushtimave të aeroplanëve, papritmas dy flakë ndriçuan qiellin, pas disa sekondave eksplodim i fortë mbi fshatin Tërpezë, mu para nesh, një aeroplan u rrëzua, athua mos qëlloj dikush nga popullata afër. Disa qindra metra edhe një eksplodim tjetër, është aeroplani i dytë i rrëzuar. Të nesërmen mësuam, ishin këta dy MIG 29 të forcave serbe. NATO qëllon, është e saktë…. Veç po e shoh horizontin e fitores. Jam i sigurt se forcave armike kjo nuk është duke u pëlqyer dhe ndjej njëfarë frike si ethe në vete, athua si do ja kaloj popullata e pa mbrojtur tani, a do jetë cak hakmarrjeje. Kjo më është një pyetje e vështirë tani e që gëzimin e mëparshëm në frikë ma shndërron.
Tërpezë 24. 03. 1999, 21.30
Të Nderuar te pranishëm:
Intervenimi i NATO-s në Kosovë është rasti më historik i kësaj aleance që nga themelimi i saj. Pas luftës së Ftohët apo “Rënies të Perdes së hekurt” që ndërlidhet shumë edhe me Berlinin ku ne sonte gjendemi, në njëfarë mënyre NATO-ja humbi kuptimin e të ekzistuarit pasi që arsyeja e themelimit të saj nuk ekzistonte më. Ngjarjet në dallgën Ballkanike të fundshekullit XX gjegjësisht Lufta Çlirimtare e Kosovës, fuqishëm e rikthyen Aleancën në skenë, duke dëshmuar nevojën e madhe për ekzistencën e saj dhe duke përcaktuar dimensione dhe koncepte të reja strategjike të mbrojtjes dhe sigurisë për Aleancën në lëmshin e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Intervenimi i NATO-s në Kosovë ka shpëtuar shumë jetë…. Jamie Shea
Të nderuar te pranishëm, pse NATO-ja ndërhyri ne Kosovë?
Ndërhyri pas sulmeve të diktatorit serb Sllobodan Milosheviq dhe përkrahësve të tij kundër një popullate të pambrojtur,
Ndërhyri pas mësimeve të mësuara në Bosnjë dhe Hercegovinë
Ndërhyri pasi u harxhuan të gjithë mekanizmat e mundshëm të diplomacisë,
Ndërhyri kur u kuptua se me Millosheviqin nuk mund të bëhet paqe,
Ndërhyri për të mbrojtur mijëra civilë të pafajshëm nga një ofensivë ushtarake që kërcënonte t’i gllabërojë ata.
Ndërhyri për të mbrojtur stabilitetin në Ballkan dhe për të çuar përpara kauzën e paqes.
Ndërhyri për mbrojtjen e viktimave të pafajshme nga një tiran brutal.
Ndërhyri për të parandaluar operacionin famkeq PATKOI të hartuar nga gjeneralët e Millosheviqit
Ndërhyri siç shkruan autori Dr. Nusret Pllana në librin e tij, për të parandaluar gjenocidin, apo zhbërjen e një pjese të tërësisë së kombit shqiptar dhe, për pasojë, zhbërjen të një pjesë të gjeografisë sonë kombëtare.
Analiza e rëndësisë historike të rolit të NATO-s në Kosovë ka rëndësi jo vetëm historike njohëse, por para së gjithash për të kuptuar rolin dhe karakterin e NATO-s, misionin dhe aftësinë e saj implementuese.
Pa NATO-n as parimet universale të Kartës së San Franciskos, as Parimet Euro-Atlantike të Helsinkit, as paqja e stabiliteti në Ballkan dhe as zgjidhjet e mëtutjeshme nuk do të mund të arriheshin.
Prandaj ndërhyrja e NATO-s në Kosovë është baza e një vlerësimi të lartë për Aleancën dhe përcaktues i vendit dhe rëndësisë historike të saj për sot si dhe koncept i ri për të ardhmen në rendin e ri botëror.
Rasti i ndërhyrjes së NATO`s në Kosovë është më rëndësi të veçantë dhe si i tillë ka impakt të dyfishtë në marrëdhëniet ndërkombëtare:
Me Kosovën mbyllet kapitulli i rendit të krijuar gjatë Luftës së Ftohtë si dhe i hapet rruga rendit të ri botëror që është duke u krijuar.
Në librin Intervenimi i NATO-s në Kosovë autori Dr. Nusret Pllana ka përmbledhur dhe forcuar lidhjet e pa shmangshme argumentuese në mes të intervenimit te NATO-s në Kosovë dhe koncepteve klasike doktrinare të intervenimit humanitar si segment i ri në politikat dhe konceptet strategjike të Aleancës për mbrojtje dhe siguri ndërkombëtare.
Me Ndërhyrjen në Kosovë NATO ka nisur një kapitull të ri dhe ka vendosur standarde të përhershme mbi intervenimin humanitar duke marrë si bazë vlerën më të shejtë, atë të jetëve njerëzore, bazë e cila vuri dhe përforcoi themelet e luftës përtej kufijve kombëtarë dhe gjeografik.
Përmes gjashtë kapitujsh autori sqaron situatën në Evropën juglindore duke filluar nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, zhbërjen e dy dinosaurëve federativ – BRSS dhe RSFJ, luhatjet në marrëdhëniet ndërkombëtare, dhembjet dhe tragjeditë që ky proces shkaktoi, posaçërisht në rastin e shpërbërjes së RSFJ, gjenocidin në Bosnjë dhe Kosovë, të shkaktuar nga forcat kriminele fashiste serbe, duke vazhduar pastaj me zhvillimet politike të fundshekullit XX, me theks te veçantë rrjedhën dhe ndikimin e tyre në Kosovë, më pastaj autori shtjellon në mënyrë gnoseologjike, kronologjinë e lindjes dhe zhvillimit të aleancës më të fuqishme në botë, samitet dhe kongreset në disfavor të shqiptarëve të Kosovës si arsye e nxitjes se Evropës për të përmirësuar gabimet pas një shekulli e që sipas autorit shërbyen si parakusht për ndërhyrje ndaj forcave serbe në Kosovë nga NATO-ja, sukseset dhe dilemat e kësaj ndërhyrjeje, posaçërisht kundërthëniet e ndërhyrjes të cilat kanë ndarë në dysh opinionin publik ndërkombëtarë.
Autori kurrsesi nuk i ikë faktit se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ka hasur në përplasje të mëdha në mes të disa shteteve që fuqimisht ishin kundër kësaj lufte të drejtë të NATO-s e që edhe sot janë kundërshtarë të Pavarësisë së Kosovës, të cilat për arsyet e tyre bënë dhe e bëjnë edhe më tutje një gjë të tillë, duke mos tradhtuar kurrsesi miqësinë e përhershme me Serbinë.
Në fund autori mëton rëndësinë e themelimit, rritjes dhe efikasitetin e ushtrisë më të suksesshme guerile në botë UÇK –së , Ushtri e cila përfundimisht ndryshoi realitetin në tokën e vuajtjeve shekullore, duke kthyer lotët në buzëqeshje dhe shpresë për popullin e vuajtur shqiptarë dhe duke realizuar amanetin e lënë brez pas brezi.
Luftën e bënë djemtë më idealistë dhe vajzat më të mira të këtij populli, të radhitur në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ka thënë autori, e unë kësaj po ia shtoj thënien time që, parim e kam në çdo hap “ I mallkuar për jetë qoftë ai që për përfitime personale shkelë mbi gjakun e dëshmorëve”.
Lavdi e përjetshme të gjithë atyre që kontribuuan për lirinë, paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe krijimin e një realiteti shpresëdhënës në shtetin më të ri në botë.
Faleminderit Dr. Pllana për librat që do t’u shërbejnë aq shumë brezave që do të vijnë, për të mësuar për themelet e shtetit tonë të dashur shume të çmueshëm e shumë të shtrenjtë, Republiken e Kosoves, që po ndërtohet mbi gjakun e djemve dhe vajzave tona më të mira.

Ju faleminderit
Kolonel, Xhavit Sadrijaj
Berlin, 11. 04. 2014
*Fjala ne promovim

P.S. Adelina Sadrijaj – vajza 17 vjeçare e luftëtarit të lirisë, Kolonel Xhavit Sadrijaj, e cila prezentoi me një pikë muzikore në promovimin e veprave të Dr.Pllanës, para se të filloi interpretimin e një këngë me kitarë, me titull:
“Kur do pushoj kjo këngë…” nga Jericho, e prekur nga skenat e filmit dokumentar “Rrugëtimi i një libri nëpër botë”, u shpreh kështu:
Para se me ia fillu këngës, pata dëshirë edhe unë me i thënë disa fjalë, edhe pse ndoshta mua më së paku më takon me folë, po besoj qe secili prej nesh, pas përcjelljes së këtij dokumentari dhe fotografive rrënqethëse ndjen diçka thellë në shpirt që ke dëshirë me e shprehë.
Mua babi gjithë m’ka folë për historinë si dhe në nje masë edhe si ka qenë lufta çlirimtare në Kosovë, por mu s’ma ka marrë mendja kurrë që ka pasë kësi gjana kaq të tmerrshme, që as nuk kam mund me i paramendu. Kah i shikoja këto fotografi i paramendojsha moshatarët e mi, veten në ato situata, edhe një pikëpyetje n’trurin tim vetëm shkonte duke u ba më e madhe, dhe e pyesja veten se, çka kisha ba unë në ato situata?!! Për mendimin tim ky libër është pasuri për popullin tonë dhe vuajtjet e tij. Këtë libër duhet ta shfletojmë dhe debatojmë, ta kemi si një pasqyrë për të shiku se çfar gjenocidi ka bo nji regjim kaq barbar mbi neve, se fatkeqësisht populli ynë vetëm po shkon duke u asimiluar në mërgim, sepse është shumë larg të së vertetës. E këtë libër duhet me e bajtë brez pas brezi, që historia jonë e dhimbshme kurr mos me u harru.

Filed Under: Featured Tagged With: Intervenimi i NATO-s, kolone, Nusret pllana, Xhavit Sadrija

Koha që të kemi “Një komb, një kombëtare, një ligë shqiptare”!

April 14, 2014 by dgreca

Në vitin 2008 nga 2930 të anketuar: 1902 veta mendonin se Liga 1 e Kosovës, duhet të integrohet në atë të Shqipërisë/
Nga BEQIR SINA – Nju Jork/
New York City : Vazhdimisht, po diskutohet dhe janë shtuar zërat në portalet shqiptare në internet dhe disa media shqiptare, çështja e bashkimit të dy ligave të futbollit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Madje shpesh herë merret si shembull eksperienca e kontinetit të Amerikës së Veriut, Kanadja dhe SHBA ku janë gjashtë ligat më të mëdha sportive në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada : Football League Canada (CFL), Major League Baseball(MLB), Major League Soccer (MLS), Shoqata Kombëtare e Basketbollit (NBA), Lidhja Football Kombëtare (NFL), dhe League Kombëtare e Hokejit (NHL) që kanë një ligë të përbashkët.
“Një komb, një kombëtare, një ligë shqiptare”! Është kjo fushata më e fundit e nisur në stadiumet e Shqipërisë, Kosovës dhe madje edhe në Maqedoni, prej se kur Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt 2008. Dhe ky qëndrim i shumë shqiptarëve si në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Preshevë, Bujanovc, Medvegje dhe diasporë është parë ngado si :”Një mesazh i qartë për krerët e futbollit, në të dy ligat futbollistike atë të Shqipërisë dhe Kosovës, duke dashur që shqiptarët në Ballkan të përfaqësohen vetëm me një kombëtare, pse jo, edhe me një ligë mbarëshqiptare futbolli ku brenda saj të zhvillohen të gjitha garat “.
Fushata e fundit mori shkas pas zhvillimit të ndeshjes së parë miqësore të Kosovës ndaj Haitit dhe për t’i paraprirë një debati marëkombëtarë si fillim dhe më pastaj për t’a kërkuar në instuticionet përkatëse ndërkombëtare për atë :” Që Kosova dhe Shqipëria të kenë “Një komb, një kombëtare, një ligë shqiptare”! apo dy kombëtare, pra secila të veten.
Por duket se në mënyrë dërrmuese janë për një kombëtare, të paktën shumica e shqiptarve, ku kryesorët, simbas shtypi shqiptar kan qenë edhe “Tifozat Kuq e Zi”, të cilët thuhet se e kanë thënë fjalën e tyre para se Kosova të merrte lejen nga FIFA për zhvillimin e ndeshjes miqësore me Haitin. Dhe po të ndjekësh debatet për këtë çështje në interrnet shikon qartë se nuk janë vetëm tifozët e futbollit ata që mbështesin për idenë e një kombëtareje apo të një lige mbarëshqiptare, por janë shqiptarët kudo .

“Në fakt, kjo ide është hedhur që në vitin 2007, simbas gazetës shqiptare, e cila shkruan se por publikisht, pikërisht më 4 mars të këtij viti, një ditë para ndeshjes miqësore me Maltën, kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana, deklaronte hapur që duhet të jetë një kombëtare shqiptare dhe një kampionat i përbashkët, në mënyrë që t’i shërbejë cilësisë jo vetëm të garës sportive, por edhe të përfaqësueses së vetme. Lorik Cana, simbas Gazetës Shqiptare, duket se i parapriu edhe ndonjë mendimi kundër, duke deklaruar se natyrshëm që do të kishte edhe nga ata që nuk e donin këtë, por ishte i bindur se shumica do vetëm një kombëtare.
Rreth kësaj ideje janë shprehur disa vjetë më parë në një faqe elektronike shqiptare në interenet, e realizuar me një teknik bashkëkohore, në adresën(domain) : www.sportalbania.com – më shumë se 3 mijë shqiptarë. Për këtë qëllim pyetje e cila, deri tani, egziston dhe ka ngritur vëmëndjen, e një numëri të konsiderueshëm apasionuesish, të sportit dhe të kësaj faqe elektronike(web-site), por edhe të vizitorve të cilët, kan pas rastin të ndjekin atë, është thuajse e përditëshme në rrjetet sociale shqiptare në internet.
Për këtë tregon dhe vet numëri i madh i të anketurave, qysh në atë kohë, është tregues i qartë se ka një interesim të madh ky anketim, dhe i thyen ndoshta edhe parashikimet.
Pyetja e këtij anketimi ka qenë e formuluar në mënyrë të till : ku i kërkohej çdo njerit me anë të një klikimi, të përgjigjej në atë se : A mund të integrohet Liga 1 e Kosovës, në atë të Shqipërisë?. Sipas kësaj faqe; anketimi(sondazhi) kishte arrirë rezultatet dhe komentet e kënaqeshem të këtij anketimi. Të cilat, në shikim të parë u duken tepër dinjitoze dhe lanë pas shpresën se në të ardhmen rezultatet e tij përfundimatare, mund të vihen në jetë, duke i bashkuar zyrtarishtë dy ligat e futbollit e përfshirë ato në një ligë të përbashkët të futbollit shqiptarë.
Ky lloj organizimi ka arsye dhe mund të marr shëmbull konkret nga liga Amerikano – Veriore e disa sporteve. Në këto dy vende ka përfshirje të dy ligave Kanadezo – Amerikane, si të përbashkëta; në basketboll , bejsboll, hokej mbi akull, e sporte të tjera më të vogla.
Sipas ish- anketimit të “www.sportalbania.com” deri atheere kishin votuar gjithësej 2930 apasionues, të interenetit dhe sportit shqiptarë.
Ndër ta 1902 veta i kishin thënë : Po! pyetjes, ç’ka do të thoshte sipas atij rezultatit 64.91 % e të pyetureve, mendonin se kjo duhet të bëhet dhe se nuk ka asnjë penges ligjore ndërkombëtare për t’a kokretizuar realizmin e bashkimit të dy ligave të futbollit. Ndërsa, për “Jo” duket se mendojnë më pak se gjysma e të pyeturve pra 28.77 % ose 843 veta. Të pasigurt me përgjigjen “Nuk e di” 2.59 % ose 76 veta. Një “Po” tjetër në këtë anketim ka qënë ajo e mendimit të 3.72 % ose 109 të cilët thonë Po, por kësaj ideje duhet që së parit t’i paraprijë proçesit politik.
Mirëpo, duhet theksuar se debati që ka nisur menjëherë pas zhvillimit të ndeshjes së parë miqësore të Kosovës ndaj Haitit, për t’i paraprirë asaj që Kosova dhe Shqipëria të kenë apo të mos kenë dy kombëtare, pra secila të veten, duket se e i ka nxitur edhe më shumë shqiptarët, të kërkojnë ( votojnë në rrjetet sociale Facebook e Twitter ) për :”Një komb, një kombëtare, një ligë shqiptare”!”
Për një kombëtare, të paktën janë shumica e shqiptarëve në Kosovë dhe trojet shqiptare, por edhe “Tifozat Kuq e Zi”, në Shqipëri, të cilët thuhet se kanë thënë fjalën e tyre, që para se Kosova të merrte lejen nga FIFA për zhvillimin e ndeshjes së parë ndërkombëtare miqësore me Haitin në stadiumin e Mitrovicës në Kosovë, ndeshje e cila u mbyll me një barazim të “thatë” 0 – 0.

Filed Under: Sport Tagged With: Nje Komb, një kombëtare, një ligë, shqiptare

15-VJETË NGA SPASTRIMI ETNIK I NJË POPULLI

April 14, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Ishte kulmi i luftës në Kosovë. Periudha Mars-Qershor, 1999 ishte periudha e bombardimeve të NATO-s kundër objektivave të forcave ushtarake dhe policore të Serbisë në Kosovë dhe anë e mbanë Serbisë. Por mbi të gjitha, ishte edhe kulmi i krimeve të luftës më barbare kundër popullit shqiptar në Kosovë, krime të papara dhe të pajetuara deri më atëherë, ç’prej Luftës së Dytë Botërore. Këto krime çnjerzore kundër shqiptarëve nga forcat terroriste serbe, të drejtuara nga kancelaritë më të larta shtetërore serbe, janë dokumentuar mirë nga një numër raportesh kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë raportet e Departmentit Amerikan të Shtetit dhe të një numër organizatash të ndryshme amerikane që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, anë e mbanë botës.
Andaj, ndërsa po flitet për krimet gjatë luftës në Kosovë dhe për krijimin e një Tribunali, ia vlenë që në këtë 15-vjetor të luftës për çlirimin e Kosovës nga forcat terroriste serbe të Millosheviqit, të sjellim ndër mend se cilat ishin krimet e vërteta të asaj lufte dhe se kush ishin kriminelët që i bënë ato krime. Këto krime ishin rezultat i një dhune të sponsorizuar dhe të mbështetur nga të gjtiha instancat e qeverisë serbe dhe jugosllave kundër shqiptarëve, të cilët në atë kohë ishin ende qytetarë të shtetit artificial, që quhej Jugosllavi. Ishte kjo një fushatë e mirë-koordinuar dhe e planifikuar në hollësi që më kohë nga aparatet kriminele të sigurimit serb, shumë më heret se të ndërhynte NATO-ja. Krimet kundër popullësisë civile shqiptare ishin të mëdha dhe të panumërta, shumë prej të cilave kam drojë se nuk do të zbulohen kurrë. Ishin këto krime në shkelje flagrante të të gjitha normave dhe ligjeve ndërkombëtare të luftës.
Krimet serbe kulmuan me dëbimin me forcë të më shumë se 850,000 shqiptarëve në vendet fqinje, kryesisht në Shqipëri, por edhe në Maqedoni dhe në Mal të Zi, ndërsa me qindra mijëra shqiptarë të tjerë ishin ç’vendosur mbrenda Kosovës. Përveç dëbimit masiv të shqiptarëve drejtë vendeve fqinje me qëllim të spastrimit etnik fizikisht dhe gjeografikisht të Kosovës, forcat kriminele serbe kishin edhe një plan tjetër anti-shqptar për t’a venë në veprim, e ai ishte edhe “spastrimi i identitetit”, siç e cilësuan në atë kohë organizata të ndryshme humanitare dhe të të drejtave të njeriut. Ishte kjo një praktikë ku forcat policore dhe ushtarake serbe të ndihmuar edhe nga civilët e armatosur serbë, dhe nga forcat paramilitare të huaja si ato ruse, në mënyrë sistematike dhe të organizuar konfiskonin dokumentat personale të shqiptarëve, përfshirë letrat e njoftimit dhe targat e makinave, me qëllim për të mos i lejuar ata të këtheheshin më në Kosovë.
Për më tepër, numëri i shqiptarëve të vrarë, sipas burimeve të Departmentit amerikan të Shtetit dhe burimeve të Kombeve të Bashkuara mund të ketë arritur gjatë konfliktit deri në 11,000 veta të hedhur në 529 varrezat masive që diheshin deri atëherë , por numrë i cili nuk përfshinë trupat e djegur të shumë shqiptarve, identiteti dhe fati i të cilëve nuk dihet as sot. Ka pasë të dhëna edhe për ekzekutime në masë të shqiptarëve, në rreth 500 vende anë e mbanë Kosovës. Ndër krimet e tjera të luftës në Kosovë përfshiheshin edhe përdhunimi horror i femërave shqiptare nga forcat terroriste serbe, që mund të jetë një ndër krimet, përmasat e të cilit për arsye të natyrës së krimit, nuk do të dihen kurrë. Si dhe vjedhjet e plaçkitjet e banesave dhe pasurisë së shqiptarëve nga gangsterët dhe vrasësit serbë, të sanksionuar nga udhëheqja serbo-jugosllave. Grupet e të drejtave të njeriut njoftonin në atë kohë, se forcat serbe në fushatën e tyre të pamëshirshme anti-shqiptare, sulmonin mjekët shqiptarë dhe qendrat shëndetsore që frekvetoheshin nga shqiptarët dhe përdorshin qëndra të tilla për aktivitetet e tyre ushtarake, në kundërshtim të plotë me rregullat ndërkombëtare të luftës.
Ishte kjo pra, një përpjekje kriminale e sponsorizuar nga Beogradi zyrtar dhe udhëheqsit e saj më të lartë, jo vetëm për të spastruar etnikisht Kosovën nga shqiptarët, duke spastruar njëherazi edhe identitetin e shqiptarëve, por ishte një ndërmarrje masive e Serbisë për të ndryshuar historinë e shqiptarëve dhe të Ballkanit në përgjithësi, në favor të Serbisë, në përpjekje për të zhdukur njëherë e mirë gjurmët e historisë së kombit shqiptar në Kosovën dardane. Duke shkatërruar gjithëçka që ishte shqiptare, forcat serbe donin që në të vërtetë të shkatërronin identitetin kombëtar dhe kulturor të shqiptarëve. Ky ka qenë historikisht qëllimi i Serbisë, ky është gjithnjë qëllimi i saj.
Të gjithë ata që kanë bërë krime lufte dhe kanë shkelur normat ndërkombëtare të luftës duhet të përballen me drejtësinë. Por brutaliteti i forcave serbe kundër shqiptarëve të Kosovës, 15 vjetë më pare, ishte një fushatë e egër spastrimi etnik dhe krime lufte të përmasave të pa para në Europë ç’prej Luftës së Dytë botërore kundër një popullësie civile. Ishte kjo një politikë serbe e ndjekur historikisht për shfarosur kombin shqiptar, me të gjitha mjetet që Beogradi kishte në dispozicion, përfshirë edhe spastrimin etnik. Ishte kjo një përpjekje e dështuar e planifikuesve serbë — fal Zotit, NATOS dhe luftës së popullit të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – që sipas mendimit të tyre, për të zgjidhur njëherë e mirë “Albansko pitanje”, ose çështjen shqiptare duke e spastruar Kosovën nga shqiptarët. Urdhëri për dëbimin e pothuaj 90 për qind të shqiptarëve të Kosovës 15 vjetë më parë, nuk ishte asgjë tjetër veçse një rast historik, nga pikpamja e shovinistëve serbë, për të zhdukur gjurmët e kombit shiptar nga trojet e veta shekullore në Dardani. Dhe ata e bënë këtë, ditën për diell, pa u përpjekur aspak të mbulonin faktet.
Ajo që ndodhi në Kosovë nuk ishte një tragjedi, megjithse tragjedi kishte mjaftë personale, familjare dhe këmbëtare, por në të vërtetë ishte diçka më tepër, më djallëzore — ishte një plan për të zhdukur një komb nga faqja e dheut. Kjo gjeneratë e Serbisë është përgjegjëse për krimet që udhëheqsit e sajë kanë bërë kundër shqiptarëve të Kosovës. Krimet që kanë ndodhur në Kosovë janë krahasuar me krimet e bëra gjatë Luftës së Dytë Botërore. Andaj si të tilla, ato krime të luftës në Kosovë duhet të dënohen siç janë dënuar krimet e gjenocidit të Luftës së dytë Botërore dhe krim-bërsit serbë të mbahen përgjegjës. Ka ardhur koha që në 15-vjetorin e gjenocidit në Kosovë të mos bëhet politikë me krimet kundër njerëzimit dhe me vrasjet në masë të shqiptarëve.
Frank Shkreli

Filed Under: Histori Tagged With: 15-VJETË NGA SPASTRIMI, Etnik, Frank shkreli, I NJË POPULLI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • …
  • 70
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT