Nisur nga një hulumtim i bërë nga gazeta suedeze “Svenskadagbladet” dhe Fondacioni Exspo, në zgjedhjet për parlamentin evropian që do të mbahen me 25 maj, pra edhe dy javë të plota, partitë ekstremiste do të marrin mandate më shumë se asnjëherë më parë/
Nga XHAVIT ÇITAKU/
Partitë e krahut të majtë dhe të ekstremit të djathtë janë duke u zhvilluar si një forcë që në të ardhmen duhet të llogaritet në to. Sipas një hulumtimi të bërë nga gazeta autoritative suedeze “ Svenskadagbladet” dhe Fondacioni Exspo në zgjedhjet parlamentare të BE-së që do të mbahen kah fundi i këtij muaji, shihet se këta dy krah do të fitojnë mandate më shumë se asnjëherë më parë. Zaten, një sukses i tyre në rrugën e depërtimit të vendosjes së parlamentarizmit evropian shtrojnë edhe pyetjet: Kush janë ata? Çfarë kërkojnë ata? Cili është suksesi i tyre.
Pikërisht këto pyetje dhe shumë çështje të tjera që lidhen më këtë problematikë kishin shtyrë këtë medium dhe këtë Fondacion që t’i rrekën kësaj çështjeje apo më mirë me thënë këtij realiteti të hidhur, në mënyrë që të kuptohet më shumë ky fenomen politik shumë i diskutueshëm në kohën e sotme. Në faqen e hapur posaçërisht për këtë fenomen të përgatitur nga Exspo, përfshihet një përmbledhje e plotë dhe unike të të gjithë krahut të majtë dhe të krahut të djathtë populist si kandidatë për Parlamentin Europian. Në këtë faqe paraqitën të dhënat e rezultateve të zgjedhjeve në njëzet vjetët e fundit në mënyrë që të tregohet imazhi i populizmit të djathtë në BE dhe ekstremizmit të krahut të djathtë si një fenomen unifikues me gjithë kompleksitetin e saj të natyrshëm.
Partitë populiste të djathta janë ato që kombinojnë; ruajtjen e hegjemonitetit kulturor dhe etnik; Auktoritarizmi”- besimi në një shoqëri të organizuar në mënyrë rigoroze duke kërkuar ligjin dhe rendin për realizimin e synimeve të tyre; partitë që pohojnë se përfaqësojnë një popull të shtypur kundër një elite multikulturale. Këso partish sot veprojnë në disa shtete si për shembull “ Demokratët suedez”, Partia Popullore Daneze, Partia e Vërtetë Finlandeze, “ Definicioni politik shkencor CAS MUDDES i Holandës etj.
Përtej këtyre partive gjendet partia e krahut të djathtë ekstrem NPD- ja gjermane. Ata që përbëjnë këtë formacion politik janë palë të lidhura në shkallë të ndryshme me traditat fashiste të mendimit dhe të simbolizimit.
Fjala ekstremizëm është fjalë e hapur. E djathta në të këtë kontekst nuk thotë asgjë lidhur me politikat ekonomike të partive, të cilat në të shumtën e rasteve janë të orientuara në të majtë, por në vend të kësaj vizioni i tyre i vazhdueshëm synon ultra- konservatizmin e demokracisë, lirisë, respektimin e minoriteteve dhe idenë e barazisë njerëzore. Programi i këtyre partive ndryshon në shumë pika. Mirëpo, gjatë veprimtarisë së tyre ato përkujtojnë njëra- tjetrën. Ata të gjithë së bashku përfaqësojnë një forcë politike, që në shumicën e rasteve janë kundër projekteve të BE-së, i cili dëshiron për të kufizuar emigracionin në Europë nga shtetet tjera jashtë këtij unioni dhe shumë herë duke folur për të njëjtin problem me të njëjtin lloj të retorikës. Ata shkojnë në zgjedhje me një ëndërr të një Europe krejtësisht të ndryshme nga ajo siç BE është munduar të krijohet kësisoj çfarë është sot.
Mos do të jetë kjo një ëndërr e një fundi të Europës?
Archives for May 2014
NJË SHKËNDIZË JETE
Nga ROZI THEOHARI/Boston/
Ende ishte errët kur morëm përpjetë shpatit dhe lamë mbrapa spitalin dhe anekset e tij, të cilët ishin bërë njësh me mjedisin e bardhë përqark. Dëbora, që këto ditë s’ishte kursyer së treguari pasurinë e saj të bardhë, duhej t’i kishte kaluar dy metrat.
Arifi ishte infermieri i spitalit dhe, sa herë dilja fshatrave, e merrja me vete. Ai ishte vendës dhe i dinte symbyllur të gjitha monopatet, shurigat, rrëpirat e shkurnajat. Kishte shtat të lartë, dy këmbë të drejta si lëndë pylli, dy sy të kaltër, një hundë shqiponje dhe një buzëqeshje dashamirëse: “si ke nje doktor!”…
Që tej, filloi të dukej qafa e ortekëve me tërë madhështinë e bukurinë e saj. Ajo fillonte poshtë, me të kapërcyer lumin dhe mbaronte lart në majën e një shkëmbi thepa-thepa, në zgavrat e të cilit malësorët kanë ndërtuar shtëpitë e tyre prej guri.
Mbërritëm aty nga drekëhera të këputur nga lodhja, uria e të ftohtit. Pyetjeve tona të shpeshta njerëzit e fshatit u përgjigjeshin qetë e kuptueshëm. Asnjë lloj gripi nuk kishte shkelur në portat e tyre dhe qeshjet plot jetë të vocërrakëve na çlodhën e na bënë t’i binim edhe një herë rrotull qafës së ortekëve. Gjithë mbasditen shpërndamë nëpër shtëpi vitamina e vaj peshku dhe vonë, shumë vonë, u plasëm të këputur në shiltet e leshta pranë vatrës që bubullonte nga flakët e nga prushi.
Dikush po tundte supin tim të majtë. U hodha në këmbë dhe pashë se i zoti i shtëpisë po jepte e merrte me duar për të më thënë diçka që unë s’po e kuptoja. Sidoqoftë, u vesha shpejt e dola në korridor. Aty po me priste një vajzë shtatimët, e mbështjellë me një pallto të trashë dhe me një shall të bardhë të leshtë. Ishte mamia e fshatit, e cila, nga nxitimi dhe emocioni, mezi më shpjegoi se ndodhej para një lindjeje të parakohshme dhe se kërkonte ndihmën time. Zgjova Arifin dhe u nisëm që të tre nëpër një rrugicë të ngushtë e të bardhë dëborë që ndriçohej nga drita e zbehtë e hënës.
Dhoma ku u futëm, ndodhej në katin e parë të një shtëpie ndërtuar mbi një copë shkëmbi. Nga lindja kishte dy dritare të vogla dhe përballe tyre, në një vatër me gur të gdhendur, digjeshin dy trungje të trasha lisi. Afër vatrës, mbi një krevat prej dru arre të skalisur prehej një grua e re. Ajo kishte sy
bojëqielli, ashtu sikundër i ka Arifi dhe gjithë njerëzit që banojnë në këto vise. Duket, meqë janë larg detit, dëshirojnë t’i vështrojnë nuancat e ngjyrave të tij në sytë e njëri-tjetrit.
Duke vizituar gruan, psherëtiva sepse duhej patjetër gjak e
oksigjen. “Njetash!” – u dëgjua zëri i Arifit. Unë e pashë i
habitur. “Po nisem, pra, doktor i dashtun”, – tha ai dhe, pasi
mbërtheu pallton, me firoi nga sytë, thua se i kërkonin një
gotë me ujë e jo një udhëtim plot me rreziqe dhjetëra kilometra
mes tufanit, ortekëve dhe errësirës.
Ai u zhduk duke u kthyer në një pikë të zezë në sfondin e
bardhë të dëborës, herë duke u hedhur, herë duke rrëshqitur,
herë duke më humbur nga sytë e herë duke më dalë përsëri.
Tek e vështroja këtë njeri nga sofati i shtëpisë, më shkoi mendja
te detyra ime e vështirë për të shpëtuar shtatzënën dhe
ferishten e saj. Nusja e re kishte humbur shumë gjak, fëmijës
nuk i dëgjoheshin mirë rrahjet e zemrës. Një avull i nxehtë ma
solli mendjen qark dhe u ula tek një gur i madh i rrumbullakët
që ndodhej para portës së shtëpisë. Mbështeta pëllëmbët në
tëmtha dhe ia mbërtheva vështrimin peizazhit bardhë e zi. Tani
mamia po përgatiste shtatzënën, ndërsa Arif shtetgtari, Arif
hapamadhi, kishte marrë tatëpjetën e qafës. E merrja me mend
se si do të paraqitej në spital, do të informonte e do të kërkonte
gjakun e grupit “B”, pastaj do të ngarkohej me ilaçe, me shishen
e gjakut, kacekun e oksigjenit… Gjakun, me siguri, do ta
vendoste nën sqetull që të mos ngrinte. Edhe të ngrinte, ne do
ta fusnim në sqetullat tona deri sa të merrte temperaturën e
trupit… Papritur, në prehrin tim u gjend një kuti alumini, mbi
kapakun e së cilës ishte gdhendur një çibuk. Ktheva sytë e
pashë një plak qeleshebardhë, i cili dukej se kishte qëndruar
gjatë pranë meje.
Isha ulur në një fron të vogël te koka e krevatit të gruas së
re. Ajo dukej krejt e hutuar, e trembur, gati e ngrirë në vend.
Sapo më kishte treguar për aksidentin (kishte shkarë në akull)
dhe sytë i ishin mbuluar nga një cipë llahtari tek parandiente
se fëmija nuk do t’i rronte. E pyeta se kur e kishte ndier fëmijën
gjallë e ajo m’u përgjigj “rreth ditëve kur kishte rënë bora e
parë”. Sipas llogarisë, duhej të ishte aty nga fillimi i të shtatave
dhe jetës së fëmijës i vihej një pikëpyetje e madhe. Këtë dyshim
ajo e pikasi menjëherë në sytë e mi dhe bebëzat e syrit iu
zmadhuan çuditërisht. Me një lëvizje të dorës së majtë afroi
jorganin deri të hunda, pastaj mbuloi krejt kokën… “Mos, – i
thashë, – ke nevojë për ajër!” – dhe ia zbulova fytyrën. E dija.
Po qante. Ia shtrëngova, pa folur, pëllëmbën e dorës së djathtë,
mbi damarin e se cilës pikonte ngadalë-ngadalë lëngu sintetik
e pa ngjyrë, i cili do të luftonte të nxirrte jashtë frutin e saj të
dhembshuruar. “Shpëtomëni!”, – luteshin sytë e saj. “Do të të
shpëtoj!”- përgjigjeshin sytë e mi… “Jo mua, të voglin!” …”Edhe
të voglin!”…Do të jetojë?”… “Do të jetojë!”… “Të faleminderit…,
të keqen motra!” … “Rri qetë tani!”
Kur s’kisha më ç’të bisedoja me sytë e saj, ngrita kokën
lart dhe e rrotullova në të katër muret. Kudo vareshin qëndisma
dhe fotografi prerë nga revistat. Në njërën, një nënë i qeshej
një fëmije, në një tjetër një mace lëpinte dy mace të vogla, në të
tretën një rosë notonte me të vegjlit e saj. Përfytyrime të denja
dhe të ligjshme të nënës së ardhme, të nënës!… Kur mbaroi
injeksioni, ia hoqa gjilpërën nga damari dhe u largova me
hapa të lehtë. Gruaja e re kishte rënë në një dremitje të qetë.
Dola jashtë ne oborr, u ula te guri i rrumbullakët, nga ku me
erdhi përsëri në prehër kutia e alumintë me çibukun e
gdhendur mbi të. Megjithëse nuk e pija duhanin, ia pranova,
për herë të dytë. Sytë e mi u mbështetën mbi vështrimin e
qullët të plakut, i cili foli me një zë që s’kishte ngjyrën e zërit të
malësorit: “Shpëtomani nusen, doktor, sa për kërthinin e dimë
që nuk rron, por nusen shpëtomani, e kena të mirë fort!”. Ky
plak kishte qenë i vjehrri i saj. “Kërthini s’rron e ty s’të vëmë
faj!”, – përsëriti plaku duke thithur çibukun. “Do të përpiqemi
të rrojë!”, – i dhashë zemër atij… “Nuk bëhet ihsan ai, doktor”…
Ndërkaq plaka e tij m’u afrua me hapa të druajtur. Në duar
mbante një tas me maz. Mazen këtej e gatuajnë me ajkë
qumështi, miell misri e djathë taze. Për ta jam bërë njeriu i
shtëpisë.
– Doktor, ajo po lind! – thirri mamia me një fytyrë më të
bardhë se çarçafi.
Vesha shpejt dorezat prej llastiku dhe vura maskën në
hundë. “Arifin! – bërtita, – shkoni e prisni Arifin!” Një turmë
grash, që deri atëherë s’i kisha parë, u sulën në drejtim të qafës
së ortekëve… Rënkimet e shtatzënës po bëheshin të dendura e
rrëqethëse. Iu afrova dritares. Barku i rrudhosur i qiellit pillte
pa pushim flokë të mëdha dëbore, të cilat herë-herë vinin e
përplaseshin te xhami i dritares sikur diç donin të vështronin
aty brenda. Duke ndjekur i përhumbur vallen e tyre, një rënkim
fatal më bëri të dridhesha ashtu siç dridhet peshkatari kur i
kap grepin peshku…
Në dy pëllëmbët e mia prehej një qenie e vogël njerëzore.
Frika nëse do të jetonte kjo qenie, ishte ideja e parë që më
pushtoi trupin në formën e një avulli të kuq e të nxehtë dhe
gati ma mori frymën. Vërtitesha nëpër dhomë si i çmendur
me këtë qenie të brishtë, pa guxuar ta lëshoja gjëkund, mbasi
më dukej sikur jetën e merrte prej pëllëmbëve të mia. Nuk
ishte më e madhe se një grusht dhe nuk peshonte më shumë
se 1500 gramë. Një kilogram e gjysmë mish njeriu! “Doktor, –
më përmendi mamia, – po ajo nuk po qan! Mos vallë…” Ajo
kishte të drejtë dhe me mëdyshje e lëshova çikën e vogël mbi
një grumbull leshi që e kishim përgatitur më parë. Më duhej
një tub llastiku dhe m’u kujtua se pak më parë me një të tillë
kisha bërë injeksionin intravenoz. E gjeta në grumbullin e
shiringave, e zhyta disa herë në ujin e valuar të kusisë dhe ia
futa njërën anë fëmijës në gojë. Anën tjetër e futa midis buzëve
të mia. Fillova të thithja sekrecionet që kishin zënë vend në
organet e frymëmarrjes së fëmijës. Të gjitha këto veprime u
kryen në disa sekonda dhe duke thithur vazhdimisht, së fundi
vura re se ngjyra blu e fëmijës po tërhiqej në panik e ndjekur
nga ngjyra roze trëndafili, e cila po mbulonte me shpejtësi
trupin e flashkët. Mbas frymëmarrjes gojë me gojë dhe lëvizjeve
të lehta të kraharorit u duk sheshit se ajo filloi të merrte frymë.
Jetonte! Ngrita ballin e djersitur dhe lart mbi kokën time pashë
sytë e butë e të dashur të Arifit, i cili shtrëngonte në dorë
kacekun e oksigjenit… “Ke ardhur në kohë,” – i pëshpërita, –
filloni menjëherë transfuzionin e gjakut!”, – thashë dhe i lirova
vendin. Ndjehesha i këputur, ndaj dola jashtë dhe u ula mbi
gur duke numëruar me mend lindjet që kisha asistuar në dy
vitet e para të profesionit tim si mjek i përgjithshëm dhe e
lashë veten të rrëmbehesha nga harresa.
“- Doktor, kërthini po vdes! “ Ky ishte zëri i pazakontë i
Arifit. U gjenda në dekik tek qoshja ku e kishim vendosur
fëmijën. Kjo vogëlushe malësore, pa dalë mirë në jetë, u ndodh
papritur në përleshje fytafyt me vdekjen, ajo, e brishta, sfidon
mizoren… Tani, edhe profesori po të ishte në vendin tim, do të
shqetësohej. Duke mbajtur fëmijën nën maskën e oksigjenit,
lëkura po i merrte ngjyrë trëndafili, por, me keqardhje, pashë
se jastëku i oksigjenit po boshatisej; edhe disa minuta e ai do
të mbaronte plotësisht. Tani e tutje vogëlushja duhej të luftonte
pa ndihmën e shkencës. Vallë, do të gjente forca të tilla? Arifi
dhe mamia u panë në sy të alarmuar. Akoma më keq u
shqetësua lehona kur ndjeu heshtjen tonë. Asnjë kraharor nuk
merrte fryme lirisht… Jastëku ishte boshatisur, me duar të
dridhura hoqa maskën e oksigjenit nga fytyra e fëmijës.
Atëherë ndodhi e papritura… mrekullia vetë: vogëlushja në
fillim mori frymë thellë dhe me gulçe, pastaj frymëmarrja iu
bë më e qetë. Ne të tre përgjonim të përqendruar këtë
frymëmarrje, thua se për herë të parë përgjonim një qenie të
gjallë që merr ajër… Ajo thërmizë jete, që e trembur, pak më
parë kishte lënë trupin e brishtë, tani po rikthehej e druajtur
dhe po hynte ngadalë në folenë e saj, tamam si bletët e roitura
që mblidhen në zgjoin e ri. E përgjoja tek merrte frymë vetë
edhe për disa çaste. Kur u binda për një frymëmarrje ritmike,
kërkova të më sillnin një kanistër tjetër të mbushur me lesh të
pastër, brenda së cilës vendosa me kujdes vajzën dhe e
mbështolla duke i lënë vetëm kokën jashtë. Lehona i vështronte
të gjitha këto lëvizje me shqetësimin e shqiponjës kur ia trazojnë
folenë dhe, kur e vendosa kanistrën afër vatrës, ajo ngriti me
mundim kokën duke rrezikuar të nxirrte nga krahu gjilpërën
nëpër të cilën rridhte gjaku. U mbështeta mbi një shilte pranë
vatrës dhe njërën dorë ia qarkova kanistrës. Me dorën tjetër
kontrolloja pulsin, ndërsa sytë ia kisha mbërthyer krijesës duke
i përgjuar frymëmarrjen. Tek e shihja vajzën aty afër vatrës,
m’u kujtua pjesa në prozë e Migjenit “Bukuria që vret” dhe
m’u rrëqeth trupi nga krahasimi… Aty… një lopë që shtyp në
gjumë një fëmijë pranë vatrës dhe, këtu… një mjek që përgjon
pranë vatrës frymëmarrjen e një vajzë kërthi.
Në atë pozë të palëvizshme, gati si statuje, duhet të kisha
qëndruar shumë orë dhe aty nga mesnata, me sy gati të
përgjumur, pashë një hije të zezë që po afrohej në drejtimin
tonë. Arifi, që ishte mbështetur pranë meje, më tundi krahun,
ndërsa mamia ngriti kokën nga pozicioni gjysmë shtrirë në
krevatin e lehonës. Hapat qëndruan diku, pranë vatrës dhe, si
zogu që mbron folenë, zgjata instinktivisht krahun mbi
kanistër. Kur i hapa sytë mirë, vura re nën dritën e zbehtë të
vatrës një plak të përkulur përgjysmë mbi fëmijën. Plaku u
çua dhe gjithë sa ishim atje, pamë një lot të madh të rrëkëllehej
në faqen e tij e të ndalej në majë të mjekrës si një gur kristali.
Familje e shëndoshë- Atdhe i shëndoshë
Nga Bardhyl SELIMI/
Të nderuar bashkëqytetarë fisnikë të Shqipërisë,
Ju që jeni gjyshër, prindër, motra e vëllezër;
Ju që jeni miq, shokë e kolegë të ndershëm;
Ju që jeni edukatorë të mendjes e të shpirtit;
Ju që ushqeni me djersën, gjakun, drejtësinë dhe moralin tuaj të lartë, më të shenjtën – familjen, shoqërinë dhe atdheun;
Ju që me këmbënguljen dhe përvojën tuaj ngrini në këmbë fëmijët, i mësoni të hedhin hapat e parë, i përgatitni për jetën e ndershme me zemër të madhe, me dhimbsurinë, dashurinë, besimin e sakrificën për idealet e familjes, shoqërisë dhe atdheut;
Ju që luftoni sa keni frymë për harmoninë e vatrës sonë, për mirësinë dhe respektin, për vlerat njerëzore e qytetare që trashëguam nga brezi në brez dhe i bëheni kështu barrierë tendencave të çarjes, shkatërrimit, shfytyrimit dhe perversionit, që mëton të çajë udhë në gjirin tonë;
Për të gjitha këto dhe të tjera forma, që nën maskën absurde të “të drejtave legjitime” kërkojnë revanshin të na imponojnë një moral të importuar, dhe për më tepër, të marrin bekimin tonë për modelet e shthurjes dhe devijimit të shëndetit të familjes dhe shoqërisë, të ngremë zërin tonë të bashkuar e të fuqishëm, për të dhënë një përgjigje të prerë:
– Jo shkatërrimit të familjes shqiptare!
– Jo gjesteve që inkurajojnë cenimin e unitetit të familjes dhe shoqërisë!
– Jo përkrahje publike modeleve që e shndërrojnë shoqërinë tonë në Sodomë dhe Gomorrë!
Sepse familja është embrioni i çdo shoqërie dhe i çdo qytetërimi. Familja është shoqëria në miniaturë. Familja fillon me fëmijët. Familja është mjedisi i parë, ku njeriu duhet të mësohet të krijojë mirësi. Paprekshmëria e familjes garanton sigurinë e shoqërisë së madhe njerëzore. Çdo doktrinë sociale, që përpiqet të rrënojë familjen është e papranueshme dhe përveç kësaj, e pazbatueshme. Të rritesh në një familje vërtet të shëndetshme – ky është suksesi i sukseseve. Varësia e jetës familjare e bën më të moralshëm njeriun. Një popull që nuk duron padrejtësitë në jetën familjare, nuk mund t’i kryejë ato në jetën shoqërore. Sepse familja është kristali i një shoqërie.
Populli shqiptar ka përjetuar mjaft mjerime, luftera, fatkeqësi e pushtime të huaja. Por të gjitha plagët ne i kemi shëruar dhe të gjitha fatkeqësitë i kemi kaluar, duke u mbështetur gjithnjë në moralin e lartë të një familje të bashkuar. Vlerat tona të familjes kanë qenë gjithnjë ato që na kanë mbajtur të qëndrojmë në këmbë me krenari e dinjitet. Ky ka qenë sekreti i qëndresës sonë në përballimin e vështirësive që s’na i kurseu fati dhe kështu ka për të qenë në jetë të jetëve. Familja shqiptare është vlerë e shenjtë, e paprekshme!
Mbrojtja e këtyre vlerave është mbrojtja e nderit dhe dinjitetit tonë shoqëror e kombëtar. Ata që kanosen t’i shkallmojnë këto vlera, ta denatyrojnë familjen dhe shoqërinë tonë përkundër trashëgimisë dhe identitetit të saj, përkundër vullnetit të Zotit dhe ligjeve të natyrës, le të ndeshen me kundërshtimin tonë kategorik: familja shqiptare është e paprekshme! Ajo është projektimi ynë i bashkuar në të ardhmen e kësaj shoqërie dhe do të vazhdojë ta riprodhojë vetveten në akord me vullnetin e Zotit dhe ligjet e natyrës. Ata që që kanë marrë revanshin të na diktojnë modelet e tyre jashtë këtij vullneti e jashtë këtyre ligjeve, janë pjesë e keqardhjes së identitetit tonë familjar e shoqëror, por kurrsesi vlerë e tij. Sepse kush proklamon, se modeli i “mjerimit të natyrës” është vlerë universale, ata jetojnë në keqkuptim dramatik me vlerat e qytetërimit të sotëm. Ata kanë një përfytyrim karikaturesk mbi vlerat etike e shpirtërore të bazës së qytetërimit europian.
Prandaj le të bashkojmë zërin tonë në një JO të përbashkët:
– Jo shkatërrimit të familjes!
– Jo shthurjes së shoqërisë!
– Jo shfytyrimit të atdheut!
NANA ZADRIMORE
Ahmet Kolgjini (1939-1999)/
I/
Plot dy javë te porta e hekurt priti/
Nana-zeza, e kërrusun, e bame lak/
Shkallët, me mbesë perdorë, ngjiti/
Shoqnue prej nji zullapi torollak/
Sheh kanibalin me fytyrë Jeziti/
Që i vrau të shoqin më dyzet e pesë/
Ndejti me nji djalë, mezi e rriti/
Tek ai u mbështet, e kish të vetmën shpresë./
“-Djalin ta denoi ligji. Ka bërë faj /
Po Partia tonë është zëmër-madhe/
Djali t’i heqë Iakrat, trutë t’i shpëlaj/
Ashtu si te tjerët të futet në aradhë
Me mësimet e Partisë të eci paskëtaj!
Do ta studjojë Partia… Mirë bëre që ardhe…
II
Bir i nanës! Takova shokun Enver
Më tha të bash nji lutje. Una jam nanë…
-Atë që kam timën, s’Iutëm me ma dhanë
Zoti ma dha jetën dhe Zoti ma merr,
“Andërronte tepër, u dënue me ligj.
“Me siguri kështu të kanë thanë
Ti a s’e kupton se lutja e përligj
Dhunën që ushtrojne këta mjeranë?
Enveri me shokë janë nji skotë
Nji lukuni e pangishme kriminelash
Nji shuplakë e Zotit në këte botë.
Ma mirë pushkatue se rrethue telash
Prej këtyne mos prit farë uzdaje
Zoti të shpëtoftë prej kësaj murtaje!
III
Kalon nji muej. E kerkojnë në zyrë.
Nji strupull teshash merr për me i hapë
I qetë, ai qe djalin ia ka kapë…
Ajo bahet dhe, limon bahet n’fytyrë
I dridhën buzët nanës zadrimore
Kur sheh bluzë e krahën, laps e bllok
Të mbështjella lesh e Ii me nji spathok
Nji kuti cigaresh e nji orë dorë…
I merr e del, po s’di ku me u mbytë
Këqyr përqark, kurrkund nuk sheh njeri
Ecen kuturu, nuk sheh ma nga sytë
Kryq ban tri herë, me teshat mblidhet shuk
Prej ure me vertik hidhet në Dri!
Në shkulmat zhduket … duket… deri sa u zhduk!…
Gusht 1984
Nxjerre nga Kolgjini, Ahmet (1999). Poezi. Tirane: Shtepia Botuese “Koha”, faqe 60-63.
Ne rubriken shënime, në faqen 67, autori shkruen: “Cikli i fundit ‘Prapë dhimbje’ përbahet nga tri njësi: Marku, Nana Zadrimore, dhe Lili. Asgja në këtë cikël nuk asht e trillueme. Asgja nuk asht sendërgjim I fantazisë për të krijue efekte pikante dhe fictive me tërheqe lexuesin. Të gjitha janë realitete. Të gjitha janë përjetime.
‘I vdekuni nuk ka miq,” thotë nji fjalë e urtë. E vëerteta ka. Ka pasë dhe ka me pasë gjithmonë. Nuk duhet të shtiremi sikur nuk I njohim dhe nuk I dimë të vërtetat, sepse kjo do të ishte nji vetvrasje në llojin e vet. Tue I njoftë e tue I pranue të vërtetat, mund të ekzorcizojmë të keqen, mund të korrigjojmë gabimet dhe mund të shmangim pasojat. Heshtja përban nji pranim të të keqes dhe, gjitashtu, nji pajtim me të keqen. Pajtimi me të keqen asht ligësi, bashkëjetesa me krimin asht krim.
Ne faqen 68, po nen rubriken shenime, autori shkruen:
Nana Zadrimore e veja e nji oficeri të Ushtrisë Kombëtare, mbasi I vritet I shoqi prej komunistëve ne vitin 1945, lidh shaminë a zezë dhe vendos me rritë të birin 7 vjecar. I biri meqenëse iu ba e padurueshme lufta e klasave, lidhet me dy moshatrë të vet dhe vendosin me u arratisë, por kapen dhe ai si kryetar I grupit dënohet per tradhëti të lartë ndaj atdheut me vdekje Nanë shkreta ban cmos për të shpëtue të birin. Nji ditë e thërrasin në zyrë për t’I dorëzue sendet personale të të birit. I biri ishte pushkatue. Nana s’e kontrollon ma veten dhe mbytet ne Dri. Kështu u shue e u fik edhe nji familje.
Shënim: Ahmet Kolgjini bani 20 vjet burg në disa burgje të Shqipnisë komuniste dhe për shum vjet ishte i internuem në Kampet e internimit të Lushnjes.
NJËLLOJ SI PARAARDHËSIT
Nga Rasim Bebo, Çikago/
Janullatosi e ktheu meshën nga shqip në greqisht. Ai po u thotë shqiptarëve, se vetëm greqishtja është gjuha e kishës. Kishën noliane e quan si shtojcë, apo pjesë të kishës greke dhe quan fitore të madhe që shekullin e kaluar hodhën në dorë K.O.A.SH. Kështu Janullatosi flet vetëm me gjuhën e nënës së tij greqishten. Ndërsa e vërteta është se besimtarët ortodoksë, as që kanë lidhje me greqishten, as u hyn në punë ajo dhe as janë të detyruar të dëgjojnë meshën në gjuhën greke. Gjithmonë kisha greke e ka mallkuar gjuhën shqipe, e cila sipas tyre nuk është “Gjuhë e Zotit” por gjoja vetëm greqishtja është e tillë.
Një nga parimet bazë të autoqefalisë, është gjuha e kombit ku ndodhet kisha. Gjuha shqipe është parimi bazë. Autoqefalia është kombësia e nivelit të lartë drejtues. Është e pamundur që 23 vjet pas ardhjes së Janullatosit, me kontributin e të cilit janë përgatitur qindra klerikë, në Shqipëri, sikur në Sinodin e shenjtë nuk paska tre klerikë shqiptarë. Jo vetëm në Tiranë, por janë edhe peshkopët e Beratit dhe të Gjirokastrës janë vënë me kombësi greke. Përdorimi i greqishtes në mënyrë të rregullt nëpër mesha, jo vetëm qe është veprim antiligjor, por bëhet si veprim urrejtje ndaj shtetit shqiptar, për t’i thënë se ne nuk pyesim fare për ju, pasi e rëndësishme është vetëm Greqia. Nuk është as e para herë as e fundit, që thuhet se shteti grek gjithnjë i ka konsideruar ortodoksit shqiptarë si “grekë”. Ndërsa priftërinjtë shqiptarë që kanë meshuar në gjuhën shqipe, janë masakruar
nga paraardhësit e Janullatosit. Dhe ndonëse e dinin që do të vriteshin nga bandat greke që udhëhiqnin peshkopatet, ata vazhdonin me vendosmëri meshën në gjuhën e tyre amtare. Kundra këtyre pishtarëve të gjuhës shqipe, u përdor helmi dhe gropa e gëlqeres, për Petro Nini Luarasin, sëpata për çarjen e kokës, Papa kristo
Negovanit ia kthyen trupin e tij në ushqim për qentë, prerjen e kokës dhe zhdukjen e saj, përdorën për At Stath Melanin, trupi e të cilit, përmetarët e varrosën pa koke në kishën e tyre. Koto Hoxhin, që u mësonte fshehurazi nxënësve shqipen, peshkopi greke e spiunoi te kajmekami turk dhe pasi e arrestuan, e varrosën së gjalli në burgun e tmerrshëm të “Xhedikulit” në Kostandinopojë.
Janullatosi, si uzurpator, po e kthen Shqipërinë në helenizim, duke e qëndisur me kisha të stilit grek, me kisha në emër të Shën Kozmait të vrarë si agjent grek nga paria e vendit para 235 vjetëve, po ngre shkolla greke dhe varreza të quajtura të ushtarëve grekë pas 73 vjetëve. A ka punë më të pështyrë që bën Janullatosi, gjoja po kërkon kockat e ushtarëve grekë të lëna harcave e kodrave që nga 28 tetori i vitit 1940 deri me 15 prill të 1941, që është koha e luftës italo-greke, dhe kujtohen tani pas 7 dekada për qëllimin politik të helenizmit, që drejton tashmë vetë peshkopi grek. Sot ka filluar një ere e fortë, kundër fqinjëve tanë në Veri e në Jug. Kërkohet “Shqipëria Natyrale”, nga politologu Kocho Dano, me një fjalë që Shqipëria të mos te kufizohet më me shqiptarë, por të kufizohet me fqinjë. Po përgatiten dokumenta për në gjyqin e Hagës, për të denoncuar gabimet e Konferencës
së Londrës të vitit 1913. Kjo ide gjen mbështetje të plotë te Amerika dhe Turqia. Për bashkimin e katër vilajeteve shqiptare në një komb, në një gjuhë, në një flamur, në një histori. Platforma për Shqipërinë Natyrale, e ka trazuar shumë Serbinë, Greqinë, sllavo Maqedoninë, dhe Malin e zi. Kjo ka gjetur mbështetje nga faktorë të rëndësishëm në SHBA. Qëkur u publikua në vitin 2006 “Shqipëria Natyrale” në gjuhët, shqip, anglisht, serbisht, greqisht dhe sllavo – maqedonisht, në Beograd janë publikuar mbi 850 botime të quajtura “Rreziku i Shqipërisë Natyrale”. Ndërsa Greqia, me komisarin e saj në Shqipëri, ka shprehur hapur luftën kundër rilindjes tonë kombëtare, të deklaruar në gazetën kryesore greke “Kathemerini”: “Nuk e kuptoj idenë e shqiptarëve, që feja e shqiptarit është shqiptaria”, shprehet Janullatosi dhe në vazhdim nuk dëshiron të njohë as ligjin e gjuhës shqipe në
kishat tona. Në artikullin nr. 3 të Statutit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, pёrpiluar në Korçë më 29-6-1929 thuhet se: “Gjuha zyrtare e kishës është shqipja”. I njëjti parim për gjuhën zyrtare është ruajtur në Statutin e Kishës Ortodokse Shqiptare, miratuar me dekretin nr. 1065, datë 5-5-1950 të Presidiumit të Kuvendit Popullor të republikës Popullore të Shqipërisë. Këtë ligj të miratuar zyrtarisht Janullatosi e ka shkelur me të dy këmbët.
Sinodi i Shënjtë është një gardë e krijuar nga Janullatosi që i shërben të zbatojë planin e helenizimit grek në Shqipëri. Që të krijosh një Sinod të Shënjte, duhet që kryepeshkopi i cili e drejton, të jetë aprovuar nga Patriakana dhe nga shteti. Janullatosi, nuk e vlereson fare qeverin Shqiptare dhe Akademin e Skencave. Krijoj Sinodin e Shënjtë një gardë, që i shërben interesave personale të kryepeshkopit. Prandaj mund të shprehem me plot gojën, se ju po e teproni. Mëso, se je i huaj në vendin tonë në Shqipëri, në shtetin shqiptar. Në këtë vend flitet shqip këtu e 10.000 vjet më parë. Këtu nuk jemi në Greqi, ku kisha është mbi gjithçka dhe nuk mund të imitosh peshkopin e Athinës në Tiranë. Por ju punoni mbrapsht, sinodin e keni bërë të ngjashëm me atë të Athinës. Vend-varrimin tuaj e përgatitët, mundet te katedralja në Tiranë ose te kisha në Shënavlash, nuk është çudi se mund të
shenjtëroheni edhe para vdekjes, se pas vdekjes do të keni kishën personale “Shën Janullatos” ashtu si keni bërë për Shën Kozmanë, disa kisha që nga Mursia në Vurgun e Delvinës. Ka pasur figura si ju, që e kanë cënuar këtë popull dhe kurdoherë janë larguar ose kanë lënë kockat këtu. Për Ilustrim” Në pranverë të vitit 1931, u ngrit gjyqi në Tiranë dhe u zhvillua në Gjirokastër, kundër Daut Hoxhës, i cili kishte vrarë shumë persona në Greqi. Qeveria greke përfaqësohej nga avokati Shkarpa, shumë i zoti. Kryetari i gjyqit pyeti të pandehurin: Ç’ke të thuaç? -“Kam vrarë shumë më tepër nga sa përmendi përfaqësuesi grek, por jo për “hakmarrje”, siç tha z. Shkarpa; kam vrarë vetëm pushtetarë, keqbërës dhe pjesëtarë të njësive ndjekëse, ca në luftime ca ku i gjëja, sepse nuk linin të zezë pa bërë në Çamëri…Prandaj mos më pyet në kam vrarë, po më pyet, se ku i kam vrarë,
kur, ku, e pse i kam vrarë. I vrava në vendin tim, e jo në vendin e tyre: I vrava kur këta zunë të na shuajnë; I vrava se këta u lëshuan mbi ne me plumb, thikë, sëpatë, me urë në dorë dhe me vraka zgjidhur, I vrava për t’i shporrur nga vendi im…”Vrasjet e bëra nga Daut Hoxha dhe çeta e tij ishin bërë për qëllime politike-kombëtare. Prandaj gjyqi e quajti Daut Hoxhën “të padorëzueshëm”. Nxjerrja e Daut Hoxhës në gjyq, me kërkesën e qeveris greke, si masë paraprake, nëpërmjet dy nënoficerëve të besuar që kryenin shërbimin në burg, që para daljes në gjyq e pajisën me dy revolverë. Kjo mase ishte e domosdoshme për të parandaluar ndonjë grabitje nëpër udhën burg – ndërtesa e prefekturës, ku bëhej gjyqi, apo qoftë edhe nga salla e gjyqit. Dyshimet për këtë, i shtonte mbërritja nga Janina për në Gjirokastër e disa veturave me 3-4 vete secila. Ishte afër mendjes, se ata qenë të gjithë
të asfalisë dhe të korofillaqisë. Atëherë, në qeverinë e Mbretit Zog, punohej për Shqipërinë. Sot siç thotë Prof. Dr. Eshtref Ymeri: “Shqipëria ka në krye një kastë tradhtarësh në pushtet dhe në opozitë… Janullatosi është guvernatori faktik në Shqipëri i shovinizmit grekokaragjoz…”.
- « Previous Page
- 1
- …
- 49
- 50
- 51
- 52
- 53
- …
- 73
- Next Page »