Kryetarit te Kuvendit te Shqiperise, njekohesisht bashkëkryetarit të qeverisë, Ilir Meta i refuzohet vizita në Shtetet e Bashkuara. Një vizitë e paralajmëruar edhe nga zyrtarë të Departamentit të Shtetit se do të realizohej në javën e dytë të muajit maj, nga burime diplomatike saktësohej se ajo është refuzuar në Uashington. Metës po ashtu i janë anuluar të gjitha takimet që kishte programuar.
Ndonëse zyrtarisht nuk ka një reagim nga Kryetari i Kuvendit, vetë Meta e ka pohuar se, nuk do të udhëtojë drejt Uashingtonit ashtu sikurse ishte paralajmëruar. Arsyet e refuzimit të vizitës së Metës në SHBA kanë të bëjnë me reagimin mjaft të ashpër të politikës amerikane dhe vendeve aleate në lidhje me thyerjen e embargos së naftës ndaj Iranit nga qeveria Rama në muajin mars të këtij viti.
Meta do të udhëtonte drejt Uashingtonit me një axhendë mjaft të ngjeshur. Burimet diplomatike saktësojnë se për të hartuar këtë axhendë është paguar një shumë e majme parash. Kjo pagesë është bërë për shkak se vizita nuk ka qenë e programuar, por e kërkuar me ngulm nga Rama dhe Meta.
Duke qenë se Rama është tashmë një person jo i dëshiruar në Uashington, ai i ka kërkuar Metës që të lobojë pranë Departamentit të Shtetit për zbutjen e zemërimit të aleatëve të Shqipërisë për këtë thyrje të embargos. Jo gjithçka ka shkuar ashtu sikurse pritej. Ndërsa në fillim Meta ka konfirmuar disa nga takimet, vetëm tre ditë më parë, ka ardhur një përgjigje befasuese dhe mjaft e qartë. Atij I është refuzuar vizita dhe i janë anuluar të gjitha takimet.
Qarqe politike dhe lobuese në Uashington janë tashmë tepër të irrituara me qëndrimin e Ramës ndaj Iranit. Mjaft prej tyre po flasin hapur dhe po kërkojnë deri vendosjen e sanksioneve ndaj Tiranës zyrtare, ndërsa më radikalët po kërkojnë edhe një rishikim të marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Tiranës .
Archives for May 2014
“Shtegëtarët e Lirë “ drejt Brukselit
Katër Anëtarët e grupit që rrugëtojn Gjilan – Bruksel, arrijnë në orërt e mbrëmjes në Tivat kurse kryeshtegtari Ekrem Avdija ndalon në Podgoricë për shkaqe shëndetësore (Kardiovaskulare) detyrohet të ndërpresë rrugëtimin dhe për tu kthyer në Kosovë.
Nazim Ajdini, Jahi Mustafa, Xhevdet Shabani dhe Liridon Basha vazhdojnë misionin dhe po bëjnë të pamundurën për të arritur në Bruksel duke kaluar edhe mbi 50 km në ditë edhe pse të lodhur po ia dalim.
“Jemi shumë të fort si moralisht ashtu edhe fizikishtë. Pas kthimit të Ekrem Avdijës tani Grupi ka vendosur që Grupin ta udhëheq Nazim Ajdini, kurse për informata rreth mediave caktohet Jahi Mustafa ku do të informojë për cdo pike arritje dhe rrethë Grupit. Grupi është në gjendje të mire psiko-fizike ku jemi zotuar që do arrijmë në selin e BE-së me ndihmën e Zoti, dhe falendojmë gjithë popullin shqiptar që na dalin në mbështetëje dhe na japin më shumë kurajo për kauzën tonë”, kanë shkruar në një kumunikat për media grupi i “Shtegëtarëve të Lirië”.(Kortezi Zeri)
”Gjenerali i ushtrisë së vdekur”
Nga Faik KRASNIQI/
Një gjeneral italian, dërgohet në Shqipëri për të gjetur eshtrat e ushtarëve të rënë italian gjatë kohës të pushtimit të Shqipërisë. Detyra kryesore e gjeneralit ishte kërkimi dhe gjetja e eshtrave të një koloneli, i cili u zhduk pa gjurmë në një fshat të vogël shqiptar. Rrethanat e zhdukjes të kolonelit e ndërlikojnë shumë situatën. Pas shumë mundimeve të kota, eshtrat e kolonelit nuk u gjetën.Gjenerali hedh ato eshtra në humnerë dhe nga ai moment prish raportet me priftin. Si përfundim gjenerali është i mundur në detyrën e tij, dhe në një moment dobësie vendos të maskojë eshtrat e pagjetura të kolonelit me eshtrat e një të panjohuri.
Parlamenti i Kosovës u shpërnda. Zgjedhjet do të mbahen më 8 qershor. Shkaku i paaftësisë, Hashim Thaçi të dy mandatet nuk arriti t’i çoj deri në fund. Këto dy mandate të udhëhequra nga Thaçi dhe PDK-ja do të mbahen mend për shumë manipulime, shumë keqpërdorime, korrupsion, skandale, afera, nepotizëm etj. Hajnia me tenderomani, korrupsioni lulëzoi anembanë Kosovës. Nepotizmi në institucione, marrja e mitos për t’i punësuar njerëzit. Arsimi u degradua, ekonomia u përkeqësua, papunësia u rritë. Shkaku i keqqeverisjes dhe skandaleve të shumta të kësaj qeverie, imazhi i Kosovës në arenën ndërkombëtare u dëmtua. Mos të harrojmë edhe vjedhjen e dëshmive në qendër të policisë. Vjedhjen e madhe në tenderin e pasaportave. Raportet ndërkombëtare flasin për Kosovën, keq e më keq. Liberalizimi i vizave sipas Bashkimit Evropian nuk ka shpresë se do të ndodh së shpejti. Në këto dy mandate të qeverisë Thaçi, shumë ministra, zyrtarë të lartë të qeverisë dhe kryetarë të komunave u bënë milionerë brenda natës, me para dhe me mall që nuk ia dinë fundin. Kurse populli u katandisë prej fukarallëku, mezi po mbijetojnë. Prej vitit 2007, pra nën këtë qeveri të pashpirtë, arrogante, të korruptuar dhe të kriminalizuar ndodhën dhe po ndodhin të gjitha këto pisllëqe. Kryeministri në ikje Hashim Thaçi dhe qeveria e tij, ta kujton romanin e Ismail Kadaresë ”Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Qytetarët e Kosovës më 8 qershor do t’i drejtohen kutive të votimit. Ata do të kenë mundësi të zgjedhin në mes të figurave të pastra dhe figurave të korruptuara apo të konsumuara. Në mes partive (pa përjashtuar edhe partitë e tyre satelite) që kanë keqqeverisur dhe partive që i shohin alternativë. Në mes të mirës dhe së keqes. A do kemi vazhdimësi të keqqeverisjes dhe surratet e njëjta në Parlament dhe Qeveri, apo vota e sovranit do t’i jap fund keqqeverisjes dhe surrateve të njëjta? Nëse populli tregohet i mençur, do të zgjedh alternativën e dytë. Kjo mbetet të shihet më 8 qershor. Është koha që këta liderë dhe këto parti të bëhen burra njëherë e mirë e të punojnë për shtet. Gjenerali i ardhshëm na duhet me një ushtri të gjallë, e jo si Gjenerali paraprak me një ushtri të vdekur. Është koha për ndryshime.
(Autori është publicist nga Prishtina)
LUMTURIA E PAJETUAR E LIDIAS
Nga Arjan Th. Kallço/
Arisit i ndodhte shpesh të shkonte në zyrën e mikes së vet që punonte diku në katin e tretë të një shkolle të lartë në periferi të qytetit, pasi aty gjente mundësi të punonte, edhe për pak kohë, mjaft që të hidhte disa rreshta në memorien e një disku të çuditshëm katror, kur ruante gjithçka. Ishte mësuar të punonte me makinë shkrimi, prandaj tastiera nuk ishte më problem për të, por ai send plastik i zi, i hollë dhe me një kapsë metalike brenda së cilit kishte një copë celuloidi të errët, ia shtonte kërshërinë, sesi mund të memorizonte gjithë punën e një libri. Në atë zyrë kishte një kompjuter me të cilin ishte e pamundur të ndahej gjatë ditëve të punës, si diçka e re kur të vjen në jetë, ndihesh shumë i tërhequr pas tij, dersisa një risi tjetër të ta shpallë joshjen e vet, duke e harruar të mëparshmen. Duke shtypur nuk e shikon sesi koha merr tjetër nocion në jetën tënde, ka filluar kursimi i saj në mënyrë përbindëshe. Kur e ke kohën me tepëri, edhe jeta ecën vërtet ngadalë, por kur ajo fillon e të vrapojë mes risive, atëherë e kupton se ato me kursimin, ta kanë hedhur në ritëm. Nëse më parë fletët e panumërta ishin një problem serioz, jo vetëm bezdie, që t’i mbaje me vete, tash dhjetra faqe fletoresh apo librash i kishe gati në çdo çast në një send të pakuptimtë në xhep. Arsi mundohej ditë pas dite të hidhte në arkiv materialet e tij të shumta për t’i patur për leksione, si dhe përkthime për botim, nëse do të gjente ndonjë mundësi të shpejtë për ta nxjerrë libër.
Pasi e përshëndeste me një kortezi të pashfaqur më parë, ia jepte dorën si shenjë të një miqësie të sigurtë që nuk do të dëshironte kurrë ta ndërronte dhe aq më pak ta humbte. Gjendemi shpesh në jetë, për shkaqe shpesh të papërfillshme për disa, por tepër serioze për të tjerët, në rrethana që miqësia zgjat edhe një ditë të vetme dhe në fund të saj, të lë shëndenë, mes zhgënjimesh që shpesh edhe të plagosin. Natyrisht në një ditë nuk ke njohur asgjë prej mikut fantazmë, por gjithësesi disa veprime për të kuptuar natyrën e tij, tashmë është vështirë të fshihen nga kujtesa për disa kohë. Shija e hidhur nuk të lë që ta kapërcesh hendekun dhe sado të përpiqet të afrohet, zvërdhepsja është roja efikas që të shpëton nga trauma të ardhshme.
Mirëmëngjes Lidia, si je? Si të ecin punët sot? A po lodhesh ndopak me punën e re? Ndërsa e pyeste vinte re se Lidia e shihte gjithmonë drejt në sy kur kishte kohë, shenjë e mirë e sinqeritetit – mendonte ai me një pamje gëzimi. Nëse personi që ke përballë t’i fsheh sytë, hipotezat në kokë janë të shumta, druhet nga prania, ose kërkon të fshehë diçka nga frika se shikimet e drejtpërdrejta do t’ia zbulojnë. E qindra mendime të tjera, shpesh racionale e mbyllin debatin brenda vetes me një të rënë të shkopit. Kur ajo nuk kishte kohë dhe punonte për ndonjë material që i duhej ta përgatiste shpejt, e kthente vetëm kokën, e përshëndeste dhe e ftonte të ulej sa të mbaronte punë.
Mirë faleminderit, po ti? – përgjigjej ajo me një ëmbëlsi tepër të natyrshme, por me një dialekt të theksuar karakteristik që tek Arsi ngjallte një lloj buzëqeshje, për të të pakuptimshme. Ndoshta ajo e kishte pyetur veten kush e di sa herë për atë buzëqeshje pas fjalëve të saj, por nuk kishte guxuar që ta pyeste. Kishe ndonjë orë më parë apo ke tani?
Nuk kishte shumë kohë që e njihte dhe çdo pyetje e pavend, mund ta prishte këtë njohje që mesa dukej u pëlqente të dyve. Por të dy e dinin se jo shumë larg shpjegimet do të ishin të pashmangshme. Në jetë, nëse me një mik të ngjiz muhabeti që në takimet e para, dije se e ke përgjithmonë të ngushtë. Nuk jemi ne që e kërkojmë me insitim apo me selektim miqësinë, janë zemrat ato që e bëjnë vetë zgjedhjen. Kur ndihesh keq, pa humor, mjafton t’i telefonosh dhe nëse është vërtet i tillë, do të lërë çdo punë dhe do të vrapojë tek ty. Por në kohë shndërrimesh të mëdha tranzicioni njeriu nuk është më vetvetja, i duhet pak kohë që ta rigjejë ekuilibrin e vet dhe të fillojë të jetë më human. Nëse oshilacionet nuk marrin fund, atëherë edhe ai do të gjendet gjithmonë në shilarësen, ku si nga para dhe nga prapa e shtyjnë erërat me fuqi të ndryshme dhe që do ta mbajnë gjithmonë në lëkundje.
Mirë, përgjigjej shpejt ai, duke iu afruar me hap të kujdesshëm dhe me të njëjtën ngrohtësi. Sapo mbarova me një grup tani dhe kam pak kohë, një pushim parase të filloj orën tjetër me një grup pjetër.
Kur kishte ditë që nuk shkonte për impenjimet e tij jashtë punës, kishte dëshirë dhe ta qaste kokën dhe ta përqafonte, por nuk e hidhte atë hap që të mos krijonte iluzione të rreme përfitimi. Pasi shkëmbenin disa copëza bisedash të shpejta, për të mos humbur kohë, sytë vetvetiu i hidhte menjëherë tek kompjuterat që ndodheshin në zyrë, për të parë nëse kishte ndonjë të lirë. Buzëqeshja e tij tek e dëgjonte të fliste ishte tepër delikate dhe nuk i kapercente kurrë hamendjet në kokën e saj për ndonjë tallje apo përbuzje. Nuk donte që ta ofendonte me ndonjë të qeshur të papërmbajtur që në sytë e saj do të gjëmonte si dëshirë e hapur për ta vënë në lojë. Butësisë së natyrës së saj nuk mund t’i përgjigjej me një sjellje jashtë një etike qytetare. Kur njeriu të ofron një shoqëri brenda rregullave të bashkëjetesës, atëherë do të ishte çmenduri që të mos tregoje të njëjtin respekt dhe dashamirësi, aq më tepër kur përballë kishe një femër dhe për më tepër të edukuar.
Kishte diçka fisnike tek ajo vajzë me trup të drejtë, pa deformime apo shpërpjestime të gjymtyrëve, me fytyrë ku linjat e saj krijonin një shëmbëlltyrë të një bukurie që ishte vërtet e këndshme, jo vajze kopertine, me flokët disi me onde të prera diku afër shpatullave, e rezervuar në të folur, me një sjellje që të impononte gjithmonë respekt. Ishte ndryshe nga mjaft të tjera që kishte njohur dhe takuar deri më tash. Kishte patur shumë shoqe në universitet, nga qytete të ndryshme, por një klas të tillë sjelljesh, pak i kishte rënë në sy, me ndonjë përjashtim në jetën e vet në kryeqytet. Ndoshta ishte një ëndërrimtar i pandreqshëm, pasi në biseda e shprehte dukshëm se ishte hidhtar i një miqësie që merrte shkas nga ajo te një libër që I kishte mbetur gjithmonë në kujtesë. Idealisti nuk zbret kurrë në pazarllëqe të pista, kur bëhet fjalë për imazhet e tij lidhur me mënyrën sesi e koncepton ai jetën.
A ka ndonjë kompjuter të lirë sot? Kam vetëm 1 orë kohë dhe dua të hedh disa faqe formati, pasi më vonë kam mësim dhe nuk dua që koha të kalojë kot – e pyeste ai me një ton zëri të ulët, si një pyetje së cilës edhe mund t’i jepte vetë një përgjigje, duke u ulur menjëherë para kompjuterit nën dhunën e prepotencës. Por do të ishte një tekë që nuk do të mbetej pa pasoja. I kishte ndodhur shpesh të asistonte në dhunë të tillë, por vetë nuk do ta bënte kurrë. I dukej se një lloj instikti shtazarak kishte mbetur tek njeriu që kërkonte me çdo kusht të imponohej edhe aty ku nuk do të ishte e nevojshme ushtrimi i asaj të drejtë që të drejtën e merrte vetëm nga vetja. Një fjalë apo një përgjigje do ta zgjidhte paqësisht pyetjen dhe kështu nervat do të ishin në kontroll të plotë.
Po, ai kumpjuteri aty është i lirë për momentin. Nuk është kolegia ime dhe mund të ulesh dhe të shkruash sa të duash – ia kthente ajo e qetë.
Faleminderit shumë, shumë – i përgjigjej dhe menjëherë afrohej tek tavolina e vogël ku ndodhej makineria e çuditëshme me ekranin e ndezur. Lëvizte karriken ngadalë pa bërë zhurmë, futej me kujdes midis tavolinës dhe karrikes dhe pa e tërhequr zvarrë, ulej me një lloj delikatese që asaj nuk i shpëtonte. Habia e shoqëronte për disa çaste, sepse shpesh i duhej të përballej me fërkimin neveritës së karrikes mbi çimento. Ku të jetë mësuar me këtë mënyrë tepër elegante të uluri? – e pyeste veten e saj, por pa i dhënë drejtim. Më pas zhytej në punën që po bënte dhe për minuta të tëra heshtja ishte e vetmja mënyrë komunikimi mes tyre.
Ndërsa Arsi ulej që të shkruante, herë pas herë i drejtohej me ndonjë pyetje apo i tregonte ndonjë të re nga ato që kishte dëgjuar dhe parë në emisionet e kanaleve të shumta që bujtnin në televizor. Biseda bëhej pa u shkëputur nga puna, por kishte raste kur e ndërprisnin të dy dhe shiheshin në sy që të shkëmbenin disa mendime. Përsëri secili para kompjuterit të vet rifillonte punën ku e kishte ndërprerë.
Ndonjëherë ndodhte që të kishte njerëz në zyrë që diskutonin për problemet e punës dhe Arsi e kuptonte menjëherë që nuk ishte çasti i duhur për të hyrë. E përshëndeste me përzemërsi dhe largohej në kërkim të ndonjë libri apo materiali në bibliotekë. Aty e kalonte kohën që kishte në dispozicion derisa ora e detyronte ta linte gjithçka dhe të largohej. Edhe Lidia ia kthente me të njëjtën përzemërsi, ndonjëherë duke i bërë me shenje se nuk ishte e mundur që sot të shkruante ndonjë faqe. Nuk kishte nevojë për fjalë të shumta, kuptoheshin vetëm me shikime.
Një ditë e thërret vetë në zyrë dhe ai shkoi pa vonesë. Do të ketë ndonjë problem që po këmbëngul kaq shumë – mendoi Arsi. E kush e di se përse e kërkonte. Ndoshta kishte nevojë për ndonjë ndihmë, apo për ndonjë gjë tjetër. Askujt nuk mund t’i refuzohet ndihma, qoftë edhe njeriut me të cilin nuk ke qef të flasësh. Është mëkat që ta shohësh tjetrin në nevojë dhe të mos tundesh nga vendi, pa bërë asnjë përpjekje fare. Jeta është si topi i rrumbullakët i cili, tek vërtitet. faqet e tij harkore të kalojnë para fytyrës, me përsëritje jo me të njëjtin ritëm, por të kalojnë. Sikur në to të jënë shkruar fatet e njeriut, gëzime dhe hidhërime, do të lexonim çdo herë nga një kujtim, në një përsëritje rrokapujë tek secili prej nesh.
Pasi trokiti dhe mori përgjigjen e zakonshme që jepet, hapi derën dhe hyri me hap të matur brenda. Në mendje i rrihnin të gjitha mundësitë e kësaj bisede. Por ishte i vendosur se sado e thellë të ishte, do ta ndihmonte. Në kësi rastesh mendja gjithmonë hyn në thellësinë interpretuese të varianteve, shpesh pa e kuptuar se sa thellë ke hyrë. Versioni për biseda jo impenjuese vjen në radhë të dytë, kur, pasi i ke hamendësuar të gjitha, zgjidhjet janë të thjeshta.
Si je? Punët ç’thonë, Lidia? – i them pa asnjë fije tradhëtie në meditim. Ajo qëndronte ulur në një karrike metalike të zezë, veshur me sfungjer dhe skrivania para ishte plot me letra, libra, faqe të shkruara me dorë dhe me kompjuter. Nuk i pëlqente kaosi po ta kishte skrivaninë e vet. Do ta rregullonte që sa të hynte në zyrë në mëngjes. I krijonte përshtypjen se kaosi i botës, nuk duhej të pasqyrohej edhe në një zyrë të vogël. I pëlqente rregulli se kështu ishte mësuar dhe e kishte edukuar veten qysh kur ishte student. Rregullsia tregon një karakter të prirur drejt antikaosit që ia rrethonte jetën.
Mirë, faleminderit. Ja, siç e shikon në zyrë që në mëngjes se më duhet të mbaroj disa gjëra sot. Do lodhem pak, por duhet ta bëj. Po ti?
Mirë të themi, kjo është shprehja që na ka mbetur në këtë vend – vazhdoi Arsi. Në jetën e tij kishte patur tronditje të mëdha saqë i dukej se fatalitetet ishin shpikur vetëm për jetën e tij. Shpresonte që kjo mirësi e natyrës të mos kishte halle, për të cilat do t’i vinte vërtet keq. A mund të jetë natyra e pamëshirshme me një engjëll të tillë?
Po mirë, nëse nuk e mbaron sot, nesër ka ditë – ia prita me shaka. Puna aty është nuk lëviz prej vendit.
Mirë e ke ti, por m’i kërkojnë sot deri në drekë.
Si mund të të ndihmoj – u ofrova vullnetar menjëherë. Të duhet të shtyp në kompjuter? Ja, menjëherë, gati.
Jo, jo nuk e kam hallin aty, për tjetër gjë të kam thirrur. Është shumë e rëndësishme, e kupton?
Kështu pa një fill, e kam të vështirë ta kuptoj, por derisa thua e rëndësishme, kjo nuk ia heq aspak seriozitetin bisedës sonë.
E vura re që ndihej pak në siklet dhe nuk po hapej dot. Po sillte rrotull bisedën me një pavendosmëri që diçka e pengonte. Arsi nuk e dinte se ishte beqare, nuk e kishte pyetur kurrë, nuk do të guxonte nëse nuk do t’ia kishte thënë ajo e para.
Dua të të pyes për një shokun tënd që ti e njeh mirë, keni qënë nxënës bashkë, se ma kanë rekomanduar për fejesë. Nuk keni qënë në një klasë, por kishit shumë miqësi.
Çudi sa mirë e dinte që kishim qënë shumë shokë në shkollë – po e bluante në kokë fjalën e Lidias. Ndoshta dinte edhe shumë gjëra të tjera për ne, për mua dhe për të. Do na kenë njollosur fare, guxova të depërtoja në njohuritë e saj të fituara nga tregimet e të tjerëve. Po çfarë mund të kenë thënë? Këtu e ndali gjykimin dhe iu drejtua asaj : mund ta di se cili është? Pa e ditur emrin është disi e vështirë të të them. Nuk kemi qënë pak ato vite, 5 matura.
Quhet Mario, Mario….është inxhinier. Më kanë folur mirë për të, por thashë se mëqë ti e njeh, të mund të marr një mendim. Më duhet të mendohem mirë para se ta hedh këtë hap. Ti e kupton se për një femër nuk është e lehtë nëse ndodh diçka më pas.
Po, po të kuptoj fort mirë, Lidia. Sidomos në këtë qytet të voglë ku të gjithë i njohin të gjithë. Unë nuk do të merakosesha shumë për të tjerat, kur nuk e dimë sesi do t’i vejë filli. Po, e njoh dhe e njoh mirë – u përgjigja me një siguri që të mos i lija rrugë për dyshime. Për një shok si Mario…nuk kishte vend për fjalë të këqia.
Tani Arsit i kujtohej gjithçka nga jeta shkollore në qytetin e vogël,por edhe në qytetin e ëndrrave të tyre të rinisë dhe sapo Lidia përmendi emrin, sa e sa ngjarje i erdhën ndër mend. Katër vjet në të njëjtën shkollë nuk ishin pak. Shoku i tij i ngushtë Dori rrinte në një bankë me Arsin dhe shpesh takoheshin të tre së bashku në shkollë e shumë veprimtari jashtë saj. Dilnin edhe shëtitje nëpër qytet, sidomos kur kishin kohë të lirë apo pas mësimeve. Filmit me ngjarje të përshpejtuara në kokë i dha fund që të mos kishte ndonjë pauzë të gjatë para përgjigjes. Ankthet se mos kishte ndonjë të fshehtë surprizuese në jetën e tij shkollore po e mbanin disi në tension Lidian. Perceptohej qartë nga lëvizjet e shumta që bënte në karrike dhe dukej sikur i thoshte : a, do ma japësh përgjigjen apo jo?
Lidia, nuk kam as më të voglën dëshirë të të gënjej. Nuk bëhet shakak me jetën dhe sidomos të një femre. Nëse do ta dish mendimin tim për Marion, nuk kam fare rezerva : është ndër djemtë e rrallë të këtij qyteti. Ta përsërit me plot gojë, të rrallë. Nuk ke nevojë të pyesësh më. Kaluan pak kohë dhe llokumet e Lidias dhe Marios u shfaqën një ditë nëpër kutia mbi skrivaninë e Lidias. Çdo gjë ishte futur në rrjedhën e duhur dhe kishte përfunduar në një të shtunë apo të dielë në vizitat e ndërsjellta të familjeve. Lumturia e përkohëshme e lidhjes i kishte shpërthyer dyert dhe tashmë sytë e Lidias vezullonin çdo ditë e më shumë. I lumtur ndihej edhe Arsi në lumturinë e saj që për vite e bekoi si një princeshë të vërtetë, në të gjitha fluturimet e tyre. Por diku në ndonjë qoshe të fshehur të fatit, askush nuk e dinte se ngadalë po përgatitej një tradhëti që do ta helmonte lumturinë. Asnjë lumturi nuk është e përjetëshme, të ngjall iluzionet e një qielli pa re dhe të kaltër, por papritur ngryset dhe bëhet pus i zi dhe e mbyt atë, pikërisht atëherë kur plane të tjera të mëdha bën në jetë. Qielli e detyroi Marion ta prishte betimin solemn– derisa vdekja të na ndajë para Lidias, ende pa u tharë boja me të cilën nënshkruan lumturinë e tyre.
Princesha Dora d’Istria dhe vajzat Shkodrane
Një Zonjë e rrallë për zemrat e Shqiptarëve, u ngrit në piedestal nga personalitete më në zë të Evropës dhe Amerikës./
Dora d ‘Istria/
Shkruan: Pertefe Leka/
Lë të jetë,100-vjetori i Ditës së Nënave,proklamuar me 9 Maj 1914,nga presidenti Willson,një përkujtimore për të nderuar princeshen e gjithvirtytshme me origjinë shqiptare,Elena Gjika, e cila rrezatoi dituri në disa kontinente. Ajo qe nënë për një kohë të shkurtër por për një kohë të gjate nuk rreshti së shkruari për mbrojtjen dhe emancipimin e grave në Shqipëri dhe në botë. Shkrimtari i madh amerikan Longfellow,me krenari kishte shkruar me 1880:”Dora d’Istria energjikisht mbron të drejtat e grave” (“ I believe she strenuously maintains the Rights of Women”Nahant July 22,H.W.L.)
Ajo ,edhe për gratë Amerikane duhet të jetë një shembull I shkelqyer ,”Një yll brilant”
(To the women of America she must ever be a shining example,”a brilliant star”)
Ajo,në të vërtetë ishte bërë e njohur në rrethe të larta akademike, por fama e saj arriti deri tek njerëzit më të thjeshtë.
Për këte, mora shkas nga letra që vajzat shkodrane i drejtohen me admirim,mbretëreshës shpirtërore të tyre,Elena Gjikës.
Nderim
“Thone se je e ambël,e mirë,se zemren e ke të madhe po si të hollë ke menden ,bijë kreshnikësh,por edhe motra jonë;
Thonë se natyra yte asht e denjë per SKEPTER ,Prej njerit pol te tjetri,gjithkush kështu shprehet.E në zemrat arbnore tashma ke nji mbretni;Por na ,qi nuk kemi nji skepter ari,nji Fron…Nji Pende argjendi ,dhunti ta japim.Asht dhunti e vogël,nji mend;por difton sa të don e të nderon secili Arbnor!
Shkodër e Arbnisë”
2 Prill 1881
Vajzat shkodrane,me mirënjohje të thellë,ia dërgojnë shkrimtares së ndritshme, Princeshës Dora d’Istria,Nji Pendë Argjendi, me anë të A.Leonardo De Martino(1830-1923) prej Greci,M.O.
Kush janë vajzat shkodrane që e nderojnë me shumë respekt e admirim,motrën e tyre, Elena Gjikën.
Ato janë nxënëset e shkollës femërore që u themelue nga motrat stigmatine në vitin 1878,në Shkodër.
Këto institute u bënë një burim frymëzimi dhe emancipimi kulturor,por edhe një qendër për gjallërimin atdhetar të vajzave shqiptare.
Në ato shkolla pranoheshin vajzat e të gjitha religjioneve (myslimane e ortodokse dhe nga të gjitha viset shqiptare).Aty përfitonin jo vetëm një zhvillim kulturor por edhe pajiseshin me dije që të bëheshin të zojat me drejtue familjen dhe si rrjedhim të ishin të dobishme edhe për Atdheun.
Motrat Stigmatine,në Shkodër, nuk vepruan në një terren të zbrazët,Ato gjetën një qytet që kishte akumuluar dituri që nga lashtësia,kështu misioni i tyre si ndërlidhëse të kulturave,pavarësisht detyrave fetare, qe efektiv.
Me të drejtë është thënë se Shkodra është djepi i kulturës dhe i dijes dhe nuk është për t’u habitur se aty kanë filluar studimet shumë personalitete të shquara të kombit tonë,dijetarë,shkencëtarë,filozofë,poetë,arkitektë,fotografë shkrimtarë,piktor,kompozitorë etj.Disa prej tyre vinin nga ekstremi jugor i Shqipërisë,me religjione të ndryshme
Në Medresetë dhe bibliotekat e Bushatlinjeve, mori dijet e shkollës së mesme(pas mësimeve të para në Prevezë) eruditi nga Çamëria, Hoxha Hasan Tahsin(1812-1881), dijetar i shkallës botërore,pararojë i Rilindjes Kombëtare.
Po në Shkodër mori edukimin e parë në Kolegjin Jezuit Saverian,dhe në biblioteken e tyre shumë të pasur,Faik Konica,(1875-1942) një ndër figurat më të mëdha të kulturës shqiptare.
Pa lënë në harresë edhe numrin e madh të personaliteteve
shkodrane që janë të kalibrit botëror,si At Gjergj Fishta, promotor i edukimit femëror në shkollat stigmatine.
At Fishta,si drejtori i parë shqiptar i shkollës françeskane, zëvendësoi italishten me gjuhën shqipe në të gjitha lëndet mësimore.Me një zell të madh, At Fishta, i njohur si Homeri Shqiptar,përveç të tjerave shkruante edhe drama posaçërisht për vajzat e shkollës stigmatine.
Vetëm një të përmendësh,në mes të shumë e shumë dramave shqipe ose të përkthyera në shqip, melodramen “Shqyptarja e Qytetnueme”.Ishte krijim i Atë Fishtës, me pseudononimin Gegë Toska(vetëm nga ky pseudonim mund të njohësh Shqiptarin e Madh) .Pa hy në përmbajtje e në detaje,drama ka një domethënie të veçantë,emancipimin e vajzës shqiptare, edukimin dhe qytetërimin e saj nepërmjet shkollimit.
Për këte Fishta pohonte:”…Grueja do të jetë zojë e jo robneshë në shpinë e vet ……gruaja asht po njaj diell qe tue shndritë me urti e njerezi,shpinë robit do t’a kthiell…Shpirti i saj asht i njemendtë,bartës i dinjitetit dhe përgjegjësisë njerëzore,me fjalë të tjera ,shpirti për të cilin flasin të gjithë religjionet,profetët e poetët.
Në këto shkolla,përveç mësimeve fetare, merreshin njohuri nga kultura evropiane pjesë e së cilës ishte edhe Shqipëria.E veçanta ishte se aty mësonin për historinë e popullit tonë,për personalitetet e shquara të mbarë kombit shqiptar.
Nga kjo njohje vajzat shkodrane ia drejtojnë falenderimet dhe mirënjohjen, atdhetares më të ditur me origjinë shqiptare, Dora d’Istrias.
Këte prejardhje e paraqet më mirë ,poetesha vjeneze, Jozefina Knorr:”Elena jo vetëm rridhte nga një gurrë fort e kulluar shqiptare që ishte e shtrenjtë për shqiptarët, por edhe se ajo iu kushtua terësisht çështjeve te tyre”
Elena Gjika ishte e lindur princeshë (1828-1888,në Rumani,) e edukuar me pedagogë më në zë të Europës dhe e klasifikuar si enciklopedi e gjallë.
Ajo ishte një humaniste e pashoqe,një studiuse me visione të qarta politike në shërbim të popujve të shtypur të ballkanit e veçanërisht të Shqipërisë.Ajo ishte publiciste e shkrimtare përparimtare në lëvizjen kulturore të Evropës,me mendime progresive për emancipimin e gruas dhe barazinë gjinore.Pozita e gruas në shoqëri ka qenë pjesë e kërkimit të saj shkencor.
Mjafton të përmendim vetëm një prej shumë veprave të tjera, “Gratë e Orientit”, në të cilën, thekson edhe vlerat e gruas gege,gruas toske ,e veçanërisht të gruas çame nga ku kishte edhe prejardhjen nga nëna.
Ajo popullarizoi çështjen shqiptare në qarqet evropiane,përkrahu Rilindjen Kombëtare,duke mbajtur lidhje me veprimtarë të shquar si De Rada (109 letra)..etj
Ajo dha mendime të vyera për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.
Kur poetesha shkoi në Amerikë,me 1880,ndermjet shume personaliteteve amerikane takoi poetin Henri Longfellou(1807-1882),i cili e kishte shkruar poemën për Skenderbeun që në vitin 1873.
Në pritjen që shkrimtari i madh rezervoi për princeshën ishte shumë entuziast që po e nderonte Zonjën në fjalë në mes shumë të ftuarve (”We have a house full of people; and today a wallachian Princess, Dora d’Istria,is coming to dinner”)
Princesha me origjinë shqiptare,ishte shumë entuziaste për poemën “Scanderbeg” të Longfellou –t, të cilën me aqë mjeshtëri e përktheu,gjeniu i letrave Fan Noli në Boston me 1916
Ndër të tjera Princesha i foli me pasion shkrimtarit amerikan edhe për Shqipërinë e shqiptarët.Plaku i urtë Longfellou,pas shumë vlerësimesh, për Zonjën e mençur, për karakterin,për sjelljen,për paraqitjen dhe për gjithë formimin e saj, mbivlerësoi tek ajo, Thjeshtësinë,( the supreme excellence is simplicity) sepse aty lartësohej madhështia e saj.
Kur Princesha rumune me origjinë shqiptare u bë qytetare nderi e Athinës,ajo vizitoi në Miselengj,varrin e Boçarit duke thënë”U luta që të shoh një ditë të valojë mbi varrin e Kastriotit të Madh flamuri që ai e ka mbajtur me lavdi në njëqind beteja.Na u realizoftë kjo aspiratë”.
Ndërsa për Epirin ajo shkruante:”Grekët duhet të mësohen ta konsiderojnë Epirin për ate që është në realitet, domethënë të shohin në të Toskërinë dhe cilido që do të orvatet të vendosë mbi fatin e shqiptarëve pa pëlqimin e tyre, shpejt ka për t’u ndeshur me vështirësitë e pakapërcyeshme që është në kundërshtim me idetë e kohës sonë.”
Ajo ishte edhe piktore e shquar dhe alpiniste e guximshme.
Jo me kot Garibaldi e quan Elena Gjikën “Motra ime Trime”
E për këte kontribut mbarë kombëtar, vajzat shkodrane të edukuara në një institucion fetar,ku koncepti i mirënjohjes zinte pjesën më të madhe të kulturës së tyre,i kanë kaluar caqet e mirënjohjes individuale në mirënjohje kolektive.Ata kanë bashkuar firmat e 300 vajzave të varfra,por shumë të pasura në virtyte të larta,që ditën të vlerësojnë mendjen,punën,sjelljen,sakrificën e një atdhetareje shqiptare.
Kjo dashamirësi e tyre ka shërbyer si mjet ndërlidhes për të ofruar raportet njerëzore.Ato ishin shumë larg fizikisht nga Elena Gjika, por xhesti i tyre, sa njerëzor dhe fisnik u bë parim, u bë institucional,duke marrë vlerë universale të dobishme për njerëzimin.
Ky veprim njerëzor i vajzave në fjalë ka prodhuar shumë energji pozitive që vijnë të shumëfishuara deri sot tek ne.Ato i bënë një nderim jo vetëm institucionit të tyre,kulturës qytetare shkodrane por mbarë Shqipërisë duke lartësuar një zë të fuqishëm të kulturës evropiane dhe botërore.Ato së bashku shprehen mirënjohjen e tyre duke e ngritur princeshën në fronin e mbretërisë së diturisë, të fituar prej saj, si nga të rrallat gra që qëndrojnë në krye të inteligjencës,shqiptare,evropiane e botërore.
Ato e kishin mirëmenduar rolin e skeptrit mbretëror, duke I dhuruar, motrës së tyre vetëm një pendë,pa xhevahire dhe flori,por që simbolika e asaj pende ishte sa modeste aqë dhe e madhërishme.Parafytyroje Statujën e Elena Gjikes, me pendën në dorë si statuja e Jupiterit që mbante në dorë një skeptër.
E me të drejtë mbretëresha shpirtërore e vajzave shkodrane u përgjigjet denjësisht:
“E mora me mend pendën e bukur të shqiptareve të mia të dashura,të cilat do të kisha deshirë t’i përqafoja një ditë.Uroj që kjo pendë më e fortë se një skepter të përdoret gjer në fund të jetës sime për mbrojtjen e nderit dhe të drejtave të Shqipërisë,atdheut tim të nderuar”
Për ta pasur në qendër të kujteses,Dora d’Istrian, duhet të perjetësohet në vepra Arti siç bëri piktori arkitekt,Kolë Idromeno,i quajtur” Mikelanxhelo i Shqipërisë”,me portretin e Motres Tone.
Shqipërisë sot nuk i mungojnë artistët për ta përjetësuar bukurinë fizike dhe shpirtërore të mbretëreshës së grave shqiptare,Elena Gjika, në një statujë me pendën në dorë, duke firmosur aktin e bashkimit siç e kishte në mendje,kur ajo shkruante:”Uroj që bashkimi,zgjuarsia dhe veprimtaria e shqiptarëve të mos lejojnë që vëmendja e paqëndrueshme e Evropës të përqëndrohet gjetiu! Sot vitet vlejnë shekuj, historia ecën me hapa të shpejtë para syve tanë, kjo nuk duhet harruar kurrsesi”
E kjo ditë do të vijë, siç shkruante Dora d’Istria “Të mos ketë më gegë,as toskë,as lebër as çam,por vetëm bij të devotshëm që të marshojnë si një trup i vetëm, nën flamurin e Aleksandrit të Madh,të Pirros,dhe të Skenderbeut”
Është një dëshirë e madhe që ta shohim Statujen e saj,si shembëlltyrë të gjallë, në qytetin që ajo dëshironte të përqafonte motrat e saj, për t’ju rrëfyer atyre,fjalët e urta për të ardhmen.
Shqiptarët,janë të nderuar sot, ta festojnë ditën botërore të Nënave,sepse i dhuruan njerëzimit, Nobelisten,Nënë Tereza dhe mbretëreshën shpirtërore të grave,Dora d’Istria.
Prandaj sot më shumë se kurrë, na duhet ta forcojmë institucionin e mirënjohjes që bota të na mbështesi më mirë për vlerat tona pozitive.
Poeti shkodran Zefi I Ndokë Illis prej Jubanit i cili e kishte njohur personalisht Dora d’Istrian i ka kushtuar këte poezi:
Ti je nji yll e n’a shndrit Arbnin/Me dije ,me t’mira e me bukuri/ Me dashtni tande je tui n’a pertrin /Nji gazmend të math e nji lumni/
Drita e mendes s’ate asht tui lulzue /Si drita e syve asht sjellë për mbi ne /Perendija për t’mirë t’on t’ka krijue,e me sjelle marë dhen t’onë ti ke le/
Ndër hyj ti pra je regjinesha,/Që “Dora d’Istria t’emnojnë,/
Për Shqypni ti je begtaresha,/Që gjithkund e ktu të nderojnë./Po!Shpnesa e ambel je për ne,/
Pse zemra jote asht fort e mirë/
Sjelli sytë e t’e mos harro këte dhe,/
Të kesh edhe për ne mall e deshirë./
- « Previous Page
- 1
- …
- 51
- 52
- 53
- 54
- 55
- …
- 73
- Next Page »