• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2014

MOTRES ÇAME-Neki Lulaj NE SOFREN E DIELLIT

July 24, 2014 by dgreca

Motrës sime çame/
Neki LULAJ?
Larg, o larg, të kam o motër
Të prek zgjuar e në gjumë
Preka shtigje mbarë botës
Por si ti nuk gjeta kurrë.
Muza kurrë s’më le të qetë
Kur e shoh se si po vuan
Larg prej trojesh larg-o mbete
Larg prej vatrës së bekuar
Si ta prek malin dhe zjarri
Që më bëhet pus pa ujë
Fyti thahet si gur zalli
Përt ty motër, zemërprush
Ti më je zemër plagosur
Palcë guri e patharë
Mbi një shekull e brengosur
Për ty qielli derdhi lotët varg.
Do të puth në buzë e faqe
Të prek duart shqiptarisht
Do të mbjell ca manushaqe
Përmbi shpirtin tënd fisnik
E do mbyll dyert lakmie
në folenë që të ngre hasmi
nga një shkëmb me fluturime
Vjen për ty kjo fjalë stërralli
Do të lidhim besë të fortë
Fjalë pas fjale si vullkan
Çamërisë atje në Jon
Do t’i ndezim prapë zjarr.
Nëpër trojet me gërmadha
Në themele kaq të fortë
Shpresa jonë do marrë flatra
E flamuri do valojë.

Masakra e Paramithisë
Në Kllogjer ndjej sërish zgjim kllapie
Era kreh flokët e dëshmorëve të Paramithisë
Pipa të rinj po nxjerrin burrat nga lisat
Drejtë Çamërisë rrugëtojnë burrat me plis

Atë mot përkundeshin mes fletëve degët e ullinjve
E shpirtërat përpëliteshin me dhimbje pas hijeve
thërrisnin për ndihmë për bukë, për ujin në kroje
Europa lavire flinte në gjumin e pajtimeve mortore.

Zbraznin breshër plumbash mes gjokseve foshnjore
Vritnin ëndrrat e thurura në gjergjef nusërie
Me mokër shpirtërash dënesnin kodra, male, hone
Një lot hëne binte mbi troje Çamërie

Valë e lot shkërmoq plisin dhe shkëmbin e rreptë
Gjaku rrëshqet si trimat mbi tokën e tharë
As toka as gjaku, eshtrat tona nuk do i tresë
Nga dhimbja kodet ulin qerpikët se s’ka dëshmitarë.

Në udhë shkronjash ecin krushqit e kombit mes dallgëve
Nisen nga trevat shqiptare drejt Jonit shtegtojnë
Ecin në gjurmë të stuhive tragjike çame
Në agim në fshatin Kllogjer do të ndalojnë

Atje do takojnë 2700 rreze pavdekësie
Që do të shuajnë etjen dhe urinë që kanë përsëri
Atje do të shfletojnë palë të dhimbshme historie.
Te Rrasa e Kujtimt do të rizgjojnë tragjedi.

Malli

Kalinjtë me farë misri varen në hambarë\
Trastat e tagjisë varen në gozhdën e vjetër
Koshat e mbushur flasin për vjeshtë të mbarë.
Grazhdi me rrjetë merimange është mbledhur.

Kjo heshtje e harlisur prek botën e zjarrtë
Në ahur të kuajve kam mall dhe për një bajgë
Kam mall për një fletore të mbetur në sirtar
kam mall për plisin që mbillet në maj.

Mes zgalave të murit rri trasta e grisur
Ngarkuar me ëndrrat që sillen vërdallë
Dua të lëpij plagën e të puth tokën e zhuritur.
Të shpejtoj ikjen me kthim në tokën e etur për zjarr.

Ky lëmsh jete i mbushur si thes me përjetime.
Të fshehura në kurmet e zemrës mbyllur me kapak.
Shpendmira këndon në çardak këngën për kthime.
Blatojnë lulet e manit nga gëzimi në shpat.

Mbi pllakën e kujtimit xixëllojnë shekujt e pavdekësisë.
Shkëlqejnë rriska drite që qetësinë gllabërojnë.
Me mall dashurie thërret mërgimtarët në kthim në agime.
Me gardhin mistik të jetës memorien thurojnë.

Kush bën mur

Shoh zemrën e urës të tokës binjake të palcosur
Kolliten shekujt e sëmurë në ikjen pa kthim
Struken nën ombrellën e trupit të njollosur
Mbuluar nga blozë e zezë e padrejtësisë.

Ibri përplaset mistershëm e me valët pëshpërit
E hapen portat e kohës si bedena me zë briri
Më dalin përpara si pleq që koha kurrë nuk i thinj
Si dy mokra gruri me blojë të mbarë mulliri.

Stinica gjarpëron si gjaku në damarë
Një çarçaf mjegulle që nga Bajgorja po vjen
Shtrihen krahët e freskisë në fushë dhe në mal .
Për të huajt “mollë të ndalueme’ lakmie e kthen.

Plisat e bardhë varen në Ibër e në Trepçë
E ndalen mbi gjamat e kullave të Boletinit në prag.
As myshku, as eshka mbi parmak nuk lënë shenjë.
Gurët e mullirit në oborrin e lesës bënin konak.

Ata ishin e janë kulla bacaloke qëndrese
Zgjojnë burrat që nga Dukagjnin e deri në Prekaz.
Te Urat e Ndasisë digjen mbeturinat me urrejtje
Me Ilirisë Çamëri, Preshevë e deri në Tivar.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Motres Came, ne sofren e Diellit, neki Lulaj

BIJTË E ETËRVE ‘TË DJATHTË’

July 23, 2014 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
Bilal Kola u emërua në krye të Institutit të ish të Përndjekurve Politikë, instancë e Qeverisë së Shqipërisë. Ky lajm më shërbeu si nxitës vendimtar për të shtjelluar këtu një ide timen shumë më të hershme.
Emri i të sapoemëruarit, siç ndodh rëndom tek ne, do të lakohej menjëherë së bashku me emrin e babait të tij, Kurt Kolës, ish i burgosur politik, eksponent i organizimeve të shtresës përkatëse në periudhën e tranzicionit, pra, të themi ‘i djathtë’.
Në Shqipërinë gjithnjë e më promiskuite është diçka e përditshme, si buka dhe si ajri, të thirren me tone fyese, përbuzëse, madje dhe urrejtëse përkatësitë familjare, farefisnore, krahinore, fetare e të tjera të njerëzve të njohur. Është diçka për të cilën ndiej neveri përditë e më shumë dhe nuk do të doja e nuk dua as në këtë rast të bie në ato pozita, pavarësisht shprehjeve tona se “dardha nën dardhë bie” apo “nga i miri del i keqi, nga i keqi del i miri”, sepse, edhe e para, edhe e dyta, sado në sense të ndryshme, shprehin paragjykim.
Kurt Kola, dihet sa është figurë kundërthënëse e tranzicionit në Shqipëri. Do të na mjaftonte dalja e tij për krah të majtës në atë që quhet Rebelimi i 1997 në kuadrin e “Forumit për Demokraci”. Ai mbahet mend edhe se i drejtori i parë i Institutit të ish të Përndjekurve Politikë, atëherë në kuadrin e Kryeministrisë, tashti në kuadrin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale. Periudha e tij, 1997-2005 mbahet mend si periudha kur nuk është bërë asgjë, pothuaj absolutisht asgjë për shtresën e ish të burgosurve dhe ish të përndjekurve politikë.
Mbahet mend gjithashtu se përfshirja e Kurt Kolës në lëvizjen e majtë dhe në qeverisjen e majtë aso kohe është interpretuar si renegate, pra braktisje e së djathtës dhe rënie në prehrin e së majtës.
Nga e gjithë kjo, megjithatë, nuk ia lejoj vetes të paragjykoj se Bilal Kola, i biri i tij, nuk ka për të bërë më të mirën e mundshme për shtresën e tij. E uroj, madje me gjithë zemër, të arrij suksese shembullore në detyrë. Dhe, për hir të tij, po bëj lëshim stilistik, duke sjellë biografinë (curriculm vitae) e publikuar nga enti emërues: “Bilal Kola ka lindur në internim në fshatin Plug të Lushnjës, ku ka jetuar deri në moshën 18 vjeçare. Në vitin 1998 ka përfunduar studimet e larta për Drejtësi në Universitetin South Bank, në Londër, dhe në vitin 2011 ka marrë titullin Doktor Shkencash nga Universiteti Ndërkombëtar Montgomery, SHBA. Gjithashtu, ai zotëron një Master në të Drejtën Ndërkombëtare Tregtare nga Universiteti Metropolitan i Londrës, si dhe një diplomë në të Drejtën Ndërkombëtare të Aviacionit. Kola ka një eksperiencë të gjatë 15-vjeçare si jurist në Shqipëri, Angli dhe Kanada, gjë që i ka shërbyer për mbrojtjen e kauzës së ish-të përndjekurve politikë, për të cilën ai është angazhuar prej vitesh. Aktualisht ai është administrator i studios “K&H Law Firm”, që ofron këshillim për disa shoqëri tregtare vendase dhe të huaja.”
Ndoshta nuk do të shikoja asgjë të keqe, madje vetëm të mirë, në këtë emërim, nëse lajmi nuk do të vijonte me “menjëherë pas largimit të Bedri Blloshmit”. Ky emër na e kujton një figurë, një familje, një mbiemër tejet të njohur për vuajtjet shembullore, përballjen dhe qëndresën shembullore ndaj komunizmit në Shqipëri. Le të jetë? Por çka më la mbresë të pashijshme ishte se largimi i Blloshmit u shoqërua me një fushatë përbaltëse, çka nuk i shpëton nga vetëpërbaltja as emëruesit dhe njëherësh shkarkuesit e tij përkatësisht në detyrë dhe nga detyra.
Kjo fushatë, me pjesëmarrje nga grupe interesi pranë qeverisë, si nga ato zyrtare edhe nga ato të segmenteve të ish të burgosurve dhe të përndjekurve politikë, tregon bashkautorësi të qeverisë, në mos dirigjim prej saj.
Blloshmi, ndër të tjera, akuzohet se ka krijuar precedent, gjoja duke shkelur mbi gjakun e vëllait të pushkatuar, poetit Vilson Blloshmi, mbi idealet e djathta, për shkak se pranoi një post në një qeveri të majtë, në një qeveri të ish persekutorve të së djathtës. Zaten akuzohet nga ata që njëkohësisht vetëtrumbetohen bujshëm si ithtarë të precedentit të vërtetë.

Fakti është, siç përmenda më lart, se precedentin nuk e ka krijuar Blloshmi. Mund të them pa nguruar edhe se Blloshmi në pak muaj ka bërë shumë herë më tepër se Kola gjatë tetë viteve të tij në detyrë.
Fushata të kujton “Shtëpinë me Gjethe” të dikurshme. Dhe të vjen rëndë që në tranzicion gjithnjë e më shumë po iu dalin gjethe shtëpive në qendër të shtetit.
Duke u kthyer, sado vonë, drejtpërdrejt tek tema e shqetësimit tim, le të them se “bijtë e etërve të djathtë” vjen si stilemë e thënieve aq të shpeshta për “bijtë e etërve – të majtë”, “bijtë e etërve bllokistë”, “bijtë e etërve persekutorë” e tjerë, një demagogji që e ka shoqëruar gjatë gjithë këtij tranzicioni atë grupim klanor që ka folur në emër të së djathtës.
Me “bij të etërve të djathtë” dua të kuptoj të gjithë pasardhësit e ish të burgosurve politikë, ish të përndjekurve politikë, pasardhësit e pronarëve të ligjshëm, pasardhësit e antikomunistëve, pra bijtë, bijat, nipat dhe mbesat e atyre që Enver Hoxha dhe klika e tij i mundi para 70 vjetësh dhe që vazhdojnë të korrin frytet e hidhura të humbjes që pësuan etërit e tyre, gjyshërit e tyre, humbje e cila, mjerisht, ishte edhe humbje e kombit, madje humbje tejet e rëndë dhe tejet tragjike.
A e ka, pra, brezi i Bilal Kolës, i të gjithë atyre që lindën e u rritën në internime politike, gjithë atyre që u rritën me mbresat e sporteleve të burgjeve politike të etërve të tyre, vetëdijën e përkatësisë së djathtë dhe vetëdijën e domosdoshmërisë së djathtë për vendin e tyre dhe për shoqërinë e tyre. Dhe kjo vetëdijë a është e asaj shkalle që të çojë në një lëvizje të organizuar të djathtë. Nga kjo lind pyetja: a do të ketë ndonjëherë një alternativë të djathtë ndaj së majtës që sundon prej tre çerekë shekulli në Shqipëri.
E djathta shqiptare gjatë komunizmit i është nënshtruar një genocidi të gjithanshëm. Etërit e djathtë të mbijetuar, tranzicioni i gjeti të dërmuar sa dhe të hutuar e të çorientuar. Këtë e shfrytëzuan, e shfrytëzojnë dhe do ta shfrytëzojnë me pafytyrësi dy grupimet e mëdha klanore, pasuese të PPSH. Ata eksponentë të djathtë që arritën të përfshihen në nivele të larta të politikës apo të qeverisjes, kryesisht u detyruan të përfshihen në klanet dhe të shikojnë vetëm interesat e tyre të ngushta, pa çarë kokën më tej për shtresën e prejardhjes. Edhe ata pak bij e bija të etërve të djathtë, të përdorur në poste të ndryshme të larta, dëshmuan se janë shumë larg figurave të tilla si Pjetër Arbnori apo Azem Hajdari.
Tranzicioni shqiptar, ndër të tjera, ka dëshmuar se tek ne ekziston ndjeshëm elektorati i djathtë, ekziston ndjeshëm populli i djathtë, ekziston ndjeshëm kundërvënia perëndimore ndaj së majtës lindore që vazhdon në të dyja grupimet më të mëdha klanore. Por ata që erdhën dhe qëndruan në pushtet me këtë votë të djathtë nuk bënë asgjë për etërit, nuk bënë, nuk bëjnë dhe nuk do të bëjnë asgjë për bijtë e bijat, nipat e mbesat e etërve dhe gjyshërve të djathtë.
Nëse nuk krijohet kundërvënia e vetëdijësuar dhe e organizuar e “bijve të etërve të djathtë” ndaj së majtës lindore që sundon këto 70 vjet, atëherë e djathta jonë do të mbetet një utopi, një shpresë e rreme. Nëse ata “bij të etërve të djathtë” që kanë mbaruar e mbarojnë studimet në Perëndim apo edhe në universitetet shqiptare, nuk kujtohen për idealet e paraardhësve të tyre, atëherë politika dhe jeta shqiptare do të vazhdojnë të ecin mbi dy këmbë të majta, të veprojnë me katër gjymtyrë të majta, secila më lindore se tjetra, secila më joperëndimore se tjetra. Një çorodi më se tragjike, do të thoja.

Filed Under: Opinion Tagged With: 'TË DJATHTË', BIJTË E ETËRVE, Skender Bucpapaj

Papa Françesku, “Qytetar Nderi” i Tiranës

July 23, 2014 by dgreca

Nga Gjergji MIMA/
TIRANË, 23 Korrik / Në kuadër të vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, në shtator 2014, në një mbledhje të veçantë Këshilli Bashkiak i Tiranës vendosi akordimin e fondit prej 332,786,906 lekë për ndërhyrjen dhe rivitalizimin e sheshit “Nënë Tereza” si dhe dhënien e titullit “Qytetar Nderi” i Tiranës, Atit të Shenjtë.
Për herë të parë, në mbledhjen e mbajtur jashtë radhe, anëtarët e Këshillit Bashkiak miratuan në unanimitet dy projekt-vendimet. Investimi në shesh bëhet edhe më i domosdoshëm dhe emergjent në kuadër të vizitës së Papës në Shqipëri, ku në sheshin “Nënë Tereza” do mbahet dhe mesha e shenjtë.
Ky investim po realizohet në kushtet e një nevoje ekstreme, si rezultat i rëndësisë së këtij evenimenti, ndikimit social dhe kulturor që ka kjo vizitë për komunitetin e qytetit të Tiranës dhe më gjerë, si dhe afatit të venë në dispozicion deri në vizitën e Papa Françeskut, kjo dhe bazuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 440 datë 02.07.2014 , në bazë të të cilit është krijuar Komisioni Shtetëror, që do të bashkërendojë punën për organizimin e aktiviteteve lidhur me këtë eveniment.
Gjithashtu, në mbledhje u mor edhe vendimi për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” i Tiranës Papa Françesku, Papa i 266-të i Kishës Katolike me motivacionin:
“Në nderim të veprimtarisë dhe përkushtimit që ka dëshmuar çdo ditë, për të respektuar dhe inkurajuar njerëzit e thjeshtë, pa ndasi fetare apo status social, nëpërmjet shembullit të jetës së tij dhe veprave në krye të Selisë së Shenjtë, si dhe përzgjedhjen për të vizituar dhe bekuar si kryeqytetin e parë të Europës, pikërisht Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë, simbol i bashkëjetesës fetare , i një populli besimplotë dhe mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Selia e Shenjtë.”

Filed Under: Kronike Tagged With: i Tiranës, Papa francesku, qytetar Nderi

ISA MUSTAFA NUK E GEZON POSTIN E KREUT TE KUVENDIT?!

July 23, 2014 by dgreca

Gjykata Kushtetuese pezullon Isa Mustafën/
Gjykata Kushtetuese ka pezulluar vendimin e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Isa Mustafës në postin e kryetarit të Parlamentit, deri në vendimin e këtij institucioni për kërkesën e deputetëve të PDK-së.
Vendimi është publikuar pak çaste më parë në ueb-faqen e Gjykatës Kushtetuese.
“Të mërkurën, më 23 korrik 2014, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi rastin KO119/14, të parashtruar nga Xhavit Haliti dhe 29 deputetë tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë dhe ka publikuar Vendimin për Masë të përkohshme, me të cilën pezullon Vendimin për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Nr. 05-V-001, të votuar nga 83 deputetë të Kuvendit më 17 korrik 2014, dhe me të cilin obligohet Kuvendi të përmbahet nga çfarëdo veprimi deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Filed Under: Kronike Tagged With: Gjykata Kushtetues, Isa Mustafën/, pezullon

E harruara, Rezana Ilire !

July 23, 2014 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/
Për të kuptuar të huajt ,fqinjët , gllabëruesit dhe të pangopurit , atëherë duhet që ne së pari ose që ne përfundimisht ta përshëndesim historinë tonë që ka filluar të na shohë me një sy më të mire. E ky shikim i sinçertë nuk përsëritet shpesh. Bile , së paku ne e kemi kuptuar që kjo vjen rrallë e shumë rrallë. Rrallë, dhe me të vërtetë shumë rrallë!
O moj Shqipni, e mjera Shqipni
kush te ka qitë me krye në hi?
Ti ke pas kenë një zonjë e rande
burrat e dheut te thirshin nanë……edhe ne të gjithë ,që ishim rreth teje , të mendonim që je një zonjë e rëndë. dhe prej teje prisnim shumë, por…. kurrë nuk na e spjegove Rezanën.
Cila apo çka ishte Rezana ?
Historiani romak Titus Livius , ne e pat lënë një shkrim , ku thoshte që romakët pasi që mundën Mbretin Ilir Gentin , aty rreth vitit 168 prK në Shkodër e ndanë mbretërinë Ilire në tri pjesë . Pjesa e parë ishte territori të cilin e kontrollonte dukur Teuta ( rënja e saj 229-228 prK) , rrethe Durrësit , Apolonisë e deri në Lezhë. Pjesa e dytë ishte deri Ulqini, Rizona dhe Daorsi. Pjesa e tretë , Liviusi thoshte ishte deri tek “të gjithë Labeatët”
Historianët sllav , mendojnë dhe pyeten se athua çka mendonte Liviusi me “ të gjithë Labeatët “.
Ke pasë shumë t’mira e begati
me vajza t’bukra, me djem t’ri
Gja e vend shumë, ara e bashtina
me armë të bardha e pushkë ltina
me burra trima, me gra të dlira
ti ndër gjithe shoqet ke kene ma e mira. .. po Rezona, ishte e jona , dhe ti me gjumin tënd e përtëhuajsove . Neve na duhet që të përcjellim shkrimet sllave , për të ditur se çka paska pasë mëshehur kjo toka e jonë
Po Rezona ( sot Risan , Mali i Zi) ishte vendqëndrimi i Teutës së Madhe , ishte vend i Labeatëve, të cilët ishin të rrethuar nga vetvetja me Taulantë. Pirustë,Dokleatë dhe Sikulatë.
Po sot, Shqipni, pa m’thuej si je?
Po sikur lisi i rrxuem perdhe
Shkon bota sipri, me kambë të shklet
e një fjalë të ambël askush s’ta flet … je hutuar shumë , nuk e ke atë krenari që e kishe, nuk e ke guximin së paku të thuash po këndej pari isha unë ! Rezona ( Risani) shkruajnë gazetat malaziase, është një margaritar arkeologjik dhe se po hulumtohet shumë nga arkeologët malizias dhe ata polka në projektin : “ Risinumi – kryeqendra e mbretërshës Teuta “(“Risinium – prijestonica kraljice Teute”.) , Se, ajo që është duke u gjetur rreth Risanes (Rezones , Rrezones) flet për një kohë të forcës së madhe politike dhe ekonomike të saj.
Si mal me borë, si fushë me lule
ke pas ken veshun, sot je me cule
e s’të kan mbetun as emn, as besë
vet’ i ke prishun për faqe t’zezë … po si jo ? po ta shpojnë qiellin objekte fetare , të cilave nuk iu kanë pa “hajrin “ as ata që po na i ndërtojnë .
Po e përsëris : ke pas ken veshun, sot je me cule , ; sot je me kule dhe shamija , dhe në garën e madhe se kush po ndërton kisha më të mëdha dhe xhamija më të larta..
Qani ju trima bashkë me ne
Se ra Shqipnia me faqe n’dhe
E s’i ka mbetun as bukë as mish
as zjarm në votër as dritë as pishë
as gjak në faqe as nder ndër shokë
por asht rrëxue e bamun trokë ….. kishte të drejt Pashko Vasa , dhe fjalët e tija janë edhe sot të vlerëshme ; mos më tregoni se çka sheh njeriu në ekranet e vogla të Shqipërisë . Ajo është një botë e rrejshme , të cilën vetëm shkrimtarje Brunilda Zlami e spjegon në romanin e saj të fundit. Lexojen dhe binduni !
Akademia e Shkencave e Beogradit i dërgoi në fillim të shek. XX shkenctarët J. Cvijiq dhe A. Joviqeviq në Guci, ku ndejtën nga tre vjet, me qëllim që t’ia ndrronin “shkencërisht” historinë dhe gjeografinë kësaj krahine. P.sh. Cvijiqi, Alpet Shqiptare i ripagëzon me “Prokletije” (Bjeshkët e Namuna). Bjeshkën e Borit në “Radovan”, Bardhoshin në “Bjelic”, Majën e Pejës në “Peqokeq”, Liqenin e Shtarës në “Jezercë”, Rokopecin në “Brada”, Gucinë në “Gusinje” (sipas guskave) e kështu me rradhë. Ose, Plava, sipas tij, vjen nga ngjyra e liqenit “plavo “- i kaltërt, edhe pse e dinte mirë se ishte ky emri i Perandorit Romak – PLAVIUS, me origjinë Ilire që e ngriti këtë vendbanim me emrin e vet. Shqipëri ku je?
“U bëmë gazi botës: në Kosovë kemi një njerëz që luftojnë historinë shqiptare më keq, apo mu ashtu si i konvenon Serbisë. Në Shqipëri martesa bëhen me serb. Në Europë nuk njihen pjesëtarë të një kombi të jenë aq të çoroditur, aq sociopat, aq pa sedër sa ta vështrojnë historinë nacionale me syza të pushtuesit, e as lidhje martesash me ata që përgaditnin gjenocidin…Në këtë kaos mendor nuk kemi qenë kurrë.( nga Lis Bukuroca)..
Intelektuali i vertetë duhet të jetë roje i shendetit mendor, shpirtëror dhe qytetar te shoqërisë! (Agron Bala). Pra shëndeti mëndor dhe shpirtëror edhe qytetarë i shoqërisë janë intelektualët e vërtetë që janë roje të mbarëvajtjes së shëndetëshme të asaj shoqërijeje.
O moj Shqipni, e mjera Shqipni
kush te ka qitë me krye në hi? ….. Kur disa shkonin aq larg saqë e pëshkruanin gjuhën shqipe si një “bashkim të tmerrshëm të së thjeshtës me çrregullsinë” dhe se një gjuhë e tillë në përgjithësi nuk ekziston ,del Fan Noli, që në një memorandum dërguar Komisionit Hetimor, shprehet se gjuha shqipe “është shembulli i vetëm i gjallë i gjuhëve origjinale të Evropës Juglindore, që janë folur që para Homerit. “Ajo është, sipas tij, pa dyshim gjuhë ariane, krejtësisht e ndryshme nga gjuha greke apo gjuhët slave”
Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë
gjithkund lshon dielli vapë edhe rrezë
asht toka jone, prind na e kan lane
kush mos na e prekë “ token” ‘tanë….. Nacionalizmi i një kombi shprehet ne dy mënyra:
– duke e ngritur moralin dhe kujdesin ndaj identitetit te tyre;
– edhe mënyra e dytë duke u angazhuar në arritjen e qëllimeve për vetqeverisje – Pavarësi…(Gellner, E., 1983, Nations and Nationalism, Oxford: Blackwell.)
Në rastin e Shqipërisë dhe të Kosovës, çdo lëvizje për nacionalizëm është vetëm se ngritja e asaj ndjenje e cila me “kujdesin” e elementeve të caktuar lufton me të madhe për zbehjen e tij. Nëse nuk kemi nacionalizëm shqiptar e i cili po shihet me sy të keq nga vetë shqiptarët atëherë do të na mundin – izmat tjerë. Mu atëherë fillon katrahura kombëtare.
Nacionalizmi shqiptar është kur “nderimi dhe respektimi i përkasin veprës nacionaliste, si një ndihmesë me shumë vlerë në njohjen e qytetërimit shqiptar dhe rolin e faktorit shqiptar në periudhën e zhvillimeve globalizuese në mjedisin ballkanik, për mbijetesën e shqiptarizmit në mes të nacionalizmave agresivë e kriminalë serb dhe grek dhe nacionalizmit agresiv turk.(N. Loka)” . Po, ne duhet të jemi nacionaliste sepse jemi të rrethuar nga kombet nacionaliste me qëllime hitleriane, me qëllime pansllaviste dhe megalogreke. Europa nuk i frigohet nacionalizmit tonë, sepse ai nacionalizëm gjithëmonë ka qenë “duke e ngritur moralin dhe kujdesin ndaj identitetit te tyre (Nations and Nationalism, Oxford: Blackwell.). Thjesht e thënë të mbijetojmë.

Filed Under: Kulture Tagged With: e harruara, Fahri Xharra, Rezana Ilire !

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 34
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT