• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2014

NJË VEPËR NDRYSHE PËR KRYETRIMIN SHQIPTAR

October 23, 2014 by dgreca

(Virgjil Kule, Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Kryqtari i fundit, Tiranë, 2012)
Nga Prof. dr. Nusret Pllana/Prishtinë/
(Paranteza e fillimit:Ju flet Televizioni Shqiptar i Tiranës! Po lexojmë pjesë nga shtypi i huaj për ngjarjet në Kosovë! Ky ishte zëri i folësit të dalluar, z. Virgjil Kule! Brezi im i shqiptarëve të Kosovës, në një mënyrë ose në një tjetër, mezi priste të dëgjonte zërin karakteristik të folësit të mirënjohur, Z. Virgjil Kule, duke lexuar pjesë të shkrimeve të shtypit të huaj, ku i jepej mbështetje morale rinisë së Kosovës. Por, në të njëjtën kohë, ky zë që vinte nga Tirana jonë, ishte e vetmja mbështetje në errësirën e madhe që kishte rënë mbi ne. Pjesëmarrës ose jo në Demonstratat e vitit 1981, të burgosur ose jo për shkak të atyre ngjarjeve, të shkolluar apo nxënës e studentë që sa bënin hapat e parë të dijes në Kosovën e robëruar, e cila me demonstratat e vitit 1981 hapi procesin e madh të shkatërrimit të atij shteti artificial të quajtur Jugosllavi, që të gjithë e kishin bërë të vetin këtë zë aq specifik, jo vetëm për të folurit e pastër të gjuhës shqipe, por edhe për ngjyrën shumë të veçantë të zërit, përmes të cilit jepte nuancat e gjithë përmasës së tragjedisë dhe të krenarisë sonë në ato ngjarje).

Hyrje
Vepra e publicistit, e studiuesit, e intelektualit të mirënjohur, njohës i disa gjuhëve të lashta dhe të reja botërore, Virgjil Kule, që i kushtohet kryetrimit tonë, Gjergj Kastiroti Skënderbeu-Kryqtari i fundit, është e një rëndësie të veçantë jo vetëm për historiografinë shqiptare, por edhe për kulturën shqiptare në përgjithësi. Pse mund të thuhet kështu? Mund të thuhet për disa arsye, që lidhen me ndërtimin e kësaj vepre, por mund të thuhen edhe për disa arsye që dalin nga metodologjia shkencore e ndërtimit të kësaj vepre.
Autori e thotë, që në hyrje të veprës së tij, se cilën rrugë ka ndjekur për të thënë të pathënat e kohës së kryetrimit tonë, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, të cilat ose janë thënë sipërfaqësisht, ose janë lexuar një anshëm, apo edhe janë heshtur nga studiues të huaj e shqiptarë.
Përkundër faktit se vepra fillon që nga viti 1443 dhe përfundon në vitin 1468, që është viti i vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, gjë që mund të krijojë përshtypjen se është një vepër e ndërtuar mbi parimin e kronologjisë historike. Por ajo nuk është e tillë. Nuk është kronikë historike për ngjarjet dhe për pjesëmarrjen e njerëzve në ato ngjarje. Në radhë të parë ajo është një trajtim dhe një shpalim i brendshëm, thënë kushtimisht, një shpalim shpirtëror, jo vetëm i ngjarjeve, i luftërave, i prapaskenave dhe skenave të atyre luftërave, nga ato që përgatiteshin në skenat botërore të atyre ngjarjeve, e deri te fërkimet e brendshme, por edhe i pjesëmarrësve në to, duke filluar nga kryetrimi ynë, e deri te ushtari i fundit që kishte rënë në betejat e luftimeve.

Skena dhe prapaskenat e jetës dhe bëmave të Skënderbeut

Autori Virgjil Kule, duke u marrë me luftërat 25 vjeçare që ka bërë populli shqiptar nën prijësin e tij të përmasave legjendare, bën të tij mendimin e thënë kaherë, që nga Makiaveli e këndej, që në hapje të veprës së tij, për t’ia sqaruar lexuesit ecurinë e projektit të tij shkencor për kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, për Mesjetën shqiptare, për lidhjet me Perëndimin dhe Lindjen, për kryqëzatat që në atë kohë ishin mundësi të pafundme të rregullimit të jetës së individëve dhe të shteteve, por edhe për prijësit e popujve që donin lirinë e vendit të tyre më shumë se gjithë favoret e tjera të kësaj jete. Prandaj, autori thotë: ‘se një lider që arrin të qëndrojë me sukses për 25 vjet në politikën aktive, nuk mund të jetë kurrë më shumë viktimë e situatave se sa krijues dhe manipulues i tyre, andaj kam rieskploruar në gjerësi dhe thellësi fondin e madh dokumentar mbi Skënderbeun’. Kurse lexuesi dhe studiuesi shqiptar, por edhe ai botëror e di se ky fond, është aq i gjerë dhe aq i thellë, sa vështirë të mjaftojë një jetë njeriu për t’u marrë me të. Fajet, mund t’i kenë shumë krijues, por ai Babagjyshi i Madh, që u ka treguar për mbijetesën tonë, gjithë kulturave evropiane, është padyshim Marin Barleti, biografi i parë i jetës dhe i bëmave të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Virgjil Kule ia ka dalë të merret me të. Virgjil Kule ia ka dalë ta ‘rieskplorojë’, siç thotë vetë, si dhe të shpalojë, në mënyrë maestrale gjithë skenat dhe prapaskenat nëpër të cilat ishin zhvilluar ngjarjet e mëdha, nëpër të cilat i kishte prirë një populli, kryetrimi i atij populli, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Do të thotë, prandaj, se Virgjl Kule është dashur të rieskplorojë gjithë këtë trashëgimi historiografike për ngjarjet e mëdha të Mesjetës Shqiptare, figurë qendrore e së cilës, doemos ishte Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe, së pari është dashur të përballet me Stërgjyshin e tij, Marin Barletin.
Një fakt është i pamohueshëm, se e gjithë historiografia skënderbegiane e përmasës evropiane është ndërtuar mbi veprën e Marin Barletit. Për këtë, mjaftojnë të shfletohen vetëm datat e përkthimit të veprës së Barletit në qendra të ndryshme të Evropës së kohës, që të shihen pastaj vitet e botimeve për figurën më të rëndësishme historike të asaj Evrope, siç ishte figura e Gjergj Kastriotit Skënderbeut-Kryqtarit të fundit.
Njëra nga çështjet interesante, qoftë edhe për njohuritë tona lidhur me këtë periudhë, janë padyshim përgatitjet, aspiratat, kërkimi i mundësive brenda përmasave ndërkombëtare të kohës, për shkëputjen e Gjergj Kastriotit nga Perandoria Osmane.

Rruga e ardhjes në Krujë e Kryqtarit të fundit

Po vinte viti 1443. Përgatitjet për kthimin e tij në Krujë, pra në Principatën e të atit, kishin filluar kaherë, vite më parë. Do të thotë, përveç asaj që dihet, se Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte kthyer në vendin e tij, pas betejës së Nishit, prapaskenat e përgatitjes, marrëveshjet e bëra, qoftë me faktorin e jashtëm, siç ishin hungarezët e Huniadit, të cilët ishin forca kryesore në atë front luftimesh kundër Perandorisë Osmane, qoftë me atë të brendshëm, siç ishin princër dhe ushtarakë të shumtë shqiptarë, duke filluar nga Hamza Kastrioti, e deri te Lekë Dukagjini, tashti i mësojmë ndryshe, edhe nga ato që ka thënë Marin Barleti. Sepse këtu janë shpaluar, mbi bazë faktesh dhe të dhënash nga shumë burime arkivore historike dhe publicistike, se ç’rrugë është ndjekur për t’u realizuar ardhja e tij në atdhe, pa pasoja dhe pa pengesa.
Nga ky moment e tutje, deri në vitin 1468, që është viti i vdekjes së kryetrimit tonë, i cili për njëzet e pesë vjet u bëri ballë gjithë atyre mësymjeve dhe tërë asaj hordhie ushtarake osmane, janë shqyrtuar me radhë të gjithë vitet e ekzistencës së qëndresës shqiptare, jo vetëm për ta dëshmuar praninë e tyre në këto hapësira, por edhe për faktorizimin e tyre në planin evropian të asaj kohe. Ngase ndryshe, si do të ishte e mundur që një princ shqiptar, i kthyer në pronat e të atit, të bëhej kryqtari më i rëndësishëm i asaj kohe. Mirëpo, në anën tjetër ky princ shqiptar, kishte arritur të organizonte një ushtri të mirëfilltë kundër forcave pushtuese osmane, por edhe kishte arritur, përveç të tjerash, të krijojë edhe Besëlidhjen e madhe në mes principatave shqiptare, pra i cili kishte vënë themelet e një shteti arbëror, thuajse i barasvlershëm me organizimin shtetëror të asaj kohe në gjithë Evropën.
Rëniet dhe ngritjet kishin qenë të shumta dhe të mëdha, jo vetëm në jetën personale të kryetrimit shqiptar, por edhe në jetën historike të vendit. Ndoshta për historinë 25 vjet qëndrese dhe luftërash të pandërprera nuk janë shumë, por për një vend që ishte në zgrip të ekzistencës fizike, këto 25 vjet ishin më shumë se shekuj. Të gjitha këto rënie dhe ngritje janë trajtuar me shumë kujdes, me shumë akribi në gjithë shtrirjen e ngjarjeve nëpër vite, që nga vitit 1443 e deri në vitin 1468, nga autori Virgjil Kule. Prandaj, vepra e tij, Gjergj Kastriotit Skënderbeu-Kryqtari i fundit, është specifike edhe në planin e organizimit të lëndës për këtë vepër, siç është specifike edhe për rishqyrtimin e shumë fakteve historike, qoftë nga autorë të huaj, qoftë nga ata vendor, duke filluar nga Marin Barleti, Frang Bardhi e deri te autorët tanë të Rilindjes Kombëtare, që e shndërruan figurën e tij, në prijësin legjendar të shqiptarëve.
Me këtë rast, le të më lejohet të sjellë edhe një fakt përfundimtar, për madhështinë e projektit të Skënderbeut, jo vetëm lidhur me mbrojtjen e lirisë së vendit të tij, por edhe të pengimit të depërtimit të Perandorisë Osmane në hapësirat evropiane, si dhe me mundësinë e marrëveshjes me Vatikanin lidhur me organizimin e ndonjë kryqëzate, së cilës do t’i printe kryetrimi ynë, gjë që dëshmohet edhe përmes ndihmës që Papa Pali II-të, ia kishte dërguar si lloj ndihme. Në vitin 1467, pak ditë para vdekjes së Gjergj Kastriotit Skëndebeut, Pali II-të ia kishte dërguar 1. 100 dukat, fonde që duheshin kuptuar edhe si një vazhdimësi e realizimit të projekteve të kryetrimit tonë me bashkësinë evropiane të kohës.
Atëherë, po trokiste Viti i Ri 1468. Projekti i Skënderbeut kishte përsëri shanse të vazhdonte aty ku kishte ngecur, por me lëvizje politike që vetëm mendja e tij gjeniale mund t’i përpunonte në përputhje me situatat. Cilat mund të ishin ato? Përgjigjet mund të dalin vetëm nga një kuis interaktiv historik nga ata që, duke paraqitur rrethanat konkrete, u kërkojnë historianëve të japin variante mbi mënyrën se si mund të kishin vepruar figurat madhore politike të kohërave, në rast se vdekja e papritur nuk do t’i largonte nga kjo botë.
Një përmbyllje e këtillë e një vepre madhore, si kjo e intelektualit të mirënjohur, z. Virgjil Kule, Gjergj Kastrioti Skënderbeu-Kryqtari i fundit, mund të jetë e lejueshme vetëm për ato dije që kanë pretendimin se kanë shtjerrë përgjithësisht gjithë burimet, publike dhe arkivore lidhur me jetën, luftërat, bëmat, vendin dhe gjeninë politike të Kryetrimit të shqiptarëve.
Përfundim
Autori i veprës Gjergj Kastrioti Skënderbeu-Kryqtari i fundit, me veprën e tij ka hapur shumë dilema. Dilema të natyrës historike, se a mund të argumentohen të gjitha veprimet e tij politike dhe ushtarake me burime arkivore të besueshme. Dilema politike, se a ishte koherent projekti i tij, pra a përputhej pa ngërçe historia e veprimit të tij me historinë e veprimit të tij politik e ushtarak, po ashtu të vërtetuar nga burimet historike.
Qoftë edhe vetëm për trajtimin dhe shqyrtimin e këtyre dilemave, që e përshkojnë fund e krye këtë vepër madhore të autorit Virgjil Kule, ajo, vepra pra, hap rrugë për këndvështrime të ndryshme, për lexime të ndryshme, si dhe për qasje e komentime të ndryshme. Kjo veti e veprave shkencore, kanë thënë të gjithë të diturit, është mirë për jetën e veprës.
Vepra e intelektualit të madh, z. Virgjil Kule e ka këtë cilësi.

Filed Under: Kulture Tagged With: Kryqtari i fundit, Nusret, Pllana, Skenderbeu, Virgjil Kule

LIGJET GREKE- SHQIPTARJA TRI DITE PA VARROSUR

October 23, 2014 by dgreca

Nga Shpëtim Zinxhiria (Athinë)/
Greqi: Edhe pas vdekjes, u kërkohen emigrantëve të kenë leje qëndrimi për t’u varrosur. Familja e 24-vjeçare pret tre ditë për të varrosur vajzën e tyre Aldiora Dingo/
Nga Shpetim Zinxhiria/
E pabesueshme, por një realitet që ndodh në vendin fqinj, vendi i çudirave dhe i mrekullive, vendi ku për të parën herë lindi Demokracia, arti dhe kultura. Por, mesa duket, ky vend anëtar i Komunitetit të Bashkimit Europian që nga 1981 vazhdon të nxjerrë ligje nga më ekstreme, ku gjejnë zbatim, jo vetëm për emigrantët e gjallë, por edhe kur ata shkojnë në botën tjetër (parajsë). Gjatë dy dekadave të fundit emigrantët janë përballur me ligje nga më të ashprat për legalizimin e tyre, ligje të cilat asnjëherë nuk ndikuan në integrimin dhe marrjen e statusit të emigrantit. Janë këto ligje të çuditshme, të cilat nuk mjaftojnë për ashpërsinë e tyre, kur emigrantët janë gjallë, por, edhe kur ata ikin nga kjo botë. Çudia më e madhe është se si ka mundësi që këto ligje të kësaj natyre jashtë çdo logjike të gjejnë zbatim në një vend të BE-së, ashtu siç është Greqia, ku emigrantëve ! të ikur nga kjo botë u kërkohen gjëra absurde, për të gjetur parajsën në botën tjetër.
AKSIDENTI
Konkretisht, javën e kaluar, një aksident automobilistik, midis viktimave te tjerë, i mori jetën një vajze 24 vjeçare, e cila kishte shkuar të rinovonte lejen e qëndrimit, tek priste në stacion të autobusit në rrugën “Petro Rralli”. Kjo tragjedi u trajtua me të madhe për shumë ditë nga media vendase, si një tragjedi kombëtare.
Kur je shqiptar!
Sa u mor vesh qe vajza nuk ishte vendase dhe aq më shumë ishte shqiptare filluan peripecitë e familjes së viktimës. Nuk u besoja syve dhe veshëve, kur dëgjoja se sa e vështirë ishte që të varrosej një njeri i huaj në këtë vend, aq më tepër me një fe tjetër. Ishte hera e parë që me të atin e vajzës po përballonim të vetëm një skenë të tillë, e gjithë kjo pasi duhej të përgatisnim dokumentet përkatëse për raste të tilla.
Policia: Vajza ka leje qëndrimi?
Peripecia e parë për familjen ishte në komisariatin e policisë në zonën e Kalitheas, ku familjes iu kërkua që të ishte i pranishëm avokati për të vërtetuar nëse viktima kishte leje qëndrimi në Greqi, në një kohë që policia e di shumë mirë që çdo leje qëndrimi ka një kod të veçantë dhe për këtë mund të merrte të dhënat nga institucioni përkatës. Sikur të mos mjaftojë kjo, oficeri i policisë i thotë familjes që duhet të vinte përsëri në këtë komisariat për të deklaruar se si u krye aksidenti, në një kohë që familja priste nga këta, të mësonte lidhur me aksidentin.
Shtyhet varrimi, se është shqiptare
Në derën e komisariatit të policisë në Kalithea të Athinës, nga personeli i zyrës funerale të Nikeas mësuam se sa e vështirë është për të huajt që të varrosen në Athinë, kjo aq më shumë për këtë rast kur viktima nuk ishte pagëzuar dhe se ishte shqiptare. Në fakt, ajo nuk u varros të nesërmen, sipas rregullave, me arsye se ishte e huaj dhe burokracia vendase do ndikonte në të. Varrimi u shty edhe dy-tre ditë të tjera, por u bë më në fund, falë parasë që gjithmonë të pamundurën e kthen në të mundur, ku vajza shqiptare më në fund, që nuk ishte pagëzuar në fenë ortodokse, të varrosej e të prehej në paqe provizorisht në varret vendase.
Konkluzioni
Turp! Siç dihet Athina është i vetmi qytet në botë që nuk ka varre për ata që nuk kanë fenë Ortodokse, pasi për këta njerëz me fe të ndryshme ka varre për ta 700 kilometra larg Athinës. Në rastin e lartpërmendur nuk ka si mos të indinjohesh kur përballesh me ligje të ashpra dhe jo njerëzore, ligje që nuk njohin logjikë dhe as ndjejnë dhimbjen në të tilla raste. Nuk ka si mos të indinjohesh kur në zyrat e policisë të vdekurit i kërkojnë lejen e qëndrimit, nuk ka si të mos të indinjohesh kur zyra funerale kërkon letrën nga Kisha Ortodokse që të vërtetojë pagëzimin, se ndryshe nuk mund të bëjë varrimin. Por, në fakt, janë ligje të cilat duhet të gjejnë zbatim për të vdekurit vetëm në një vend që quhet Greqi. Më në fund mësuam se edhe të vdekur, emigrantët për të shkuar në botën tjetër duhet të tregojnë legalizimin dhe fenë e tyre…(Kortezi- Telegraf, Shqiperi)

Filed Under: Mergata Tagged With: LIGJET GREKE- SHQIPTARJA, PA VARROSUR, Shpetim Zinxhiria, TRI DITE

Prezantohen për publikun shqiptar dëshmitë e rralla për piramidat ilire në Bosnje

October 23, 2014 by dgreca

Për herë të parë vjen në Shqipëri zbuluesi i piramidave të Bosnjes, profesor Semir Osmanagich, i cili prezantoi faktet shkencore që hedhin dritë mbi ekzistencën shumëshekullore të këtyre piramidave dhe asaj çfarë fshihet nën to.
Me 23 tetor në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar u mbajt referimi shkencor me temë “Zbulimi i luginës së piramidave në Bosnje ndryshon historinë”, i organizuar në kuadër të takimit të radhës të Akademisë “Popuj dhe Kultura” nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) në bashkëpunim me Fondacionin “Piramida e Diellit” në Bosnje.
Referimi i arkeologut dhe zbuluesit profesor Semir Osmanagich ngjalli interesin e një publiku të gjerë, që përbëhej nga akademikë, studiues, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, përfaqësues të medies e shoqërisë civile dhe studentë nga universitete të ndryshme në vend.
Ky referim i hapur për publikun shqiptar vjen pas takimit që profesor Osmanagich mbajti një ditë më parë me historianë, arkeologë e specialistë të fushës në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, takim në të cilin u diskutuan dhe shqyrtuan tezat shkencore të historisë së piramidave të Bosnjes. Studimi mbi ekzistencën e këtyre piramidave është konsideruar si zbulimi më i rëndësishëm e më i madh arkeologjik i shekullit.
Siparin e aktivitetit e çeli drejtori i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam (AIITC), Dr. Ramiz Zekaj, i cili theksoi rëndësinë e këtij zbulimi, që pritet të
sjellë riformatizimin e historisë së Ballkanit, Europës dhe më gjerë.
Ai falënderoi Dr. Semir Osmanagich për të dhënat interesante, të mbështetura në fakte të pakundërshtueshme, ku shpjegohen jo vetëm specifikat e këtyre piramidave, por edhe dukuritë antropologjike dhe energjetike që i rrethojnë ato.
Më tej fjalën e mori profesor Semir Osmanagich, i cili për më shumë se 60 minuta bëri me dije se piramidat janë zbuluar në vitin 2005, në Visoko, qytet 20 km larg kryeqytetit të Bosnjes, Sarajevë dhe ai deri më sot ka vazhduar punën e tij për të vërtetuar nëse ato ishin ilire apo jo.
Arkeologu Osmanagich tha se piramidat ilire nuk janë vetëm piramidat e para në Europë, më të mëdha në planet por ato janë më të vjetrat në botë, konkretisht piramida e “Diellit” e cila është e lartë 220 metra. Pesë piramidat e zbuluara në Bosnje, ajo e Diellit, Hënës, Tokës, piramida e Dragoit dhe Dashurisë datojnë 12.350 vjet më përpara.
Gjithashtu, ai tha se materialet e piramidave janë analizuar në gjashtë institute të ndryshme dhe rezultati ka qenë i njëjtë: materiali është artificial, i krijuar nga njeriu.
Por ai njëherësh u shpreh se nuk ka qenë një punë e lehtë për të arritur në këtë konkluzion.
Osmanagich theksoi se është hasur me vështirësi të ndryshme, pasi një grup arkeologësh në Bosnjë kanë kundërshtuar pretendimet e tij. Por kjo nuk e ka penguar që ai të vijonte me punën e tij për të sjell lajmin që do të shkaktojë rishikimi e historisë së Ballkanit.
Në mbyllje të aktivitetit të pranishmit shfaqën interes dhe kureshti në lidhje me këtë zbulim shkencor, duke i drejtuar pyetje të ndryshme arkeologut Semir Osmanagich, i cili përmes materialeve filmike dhe dëshmive shkencore iu përgjigj të gjitha pyetjeve e çështjeve të ngritura për diskutim.

Filed Under: Kulture Tagged With: ne Tirane, piramidat Ilire, prezantohen, te bosnjes

HUMORI SHKODRAN….

October 23, 2014 by dgreca

INTERVISTA/ Flet Xhelal Halili, kryetar i Shoqatës Kulturore “Jehona e Shkodrës”; Shkodra mbetet qytet i aktiviteteve kulturore
-Humori shkodran është i rrallë si vet Zef Deda, Gëzim Kruja Drande Xhai/
– Në Shkodër një aktivitet pa zërin e Bujar Qamilit do të dukej i zbehtë/
Bisedoi: Albert Z. ZHOLI/
Xhelal Halili mbetet një ndër organizatorët më të suksesshëm të aktiviteteve kulturore-artistike në Shkodër. Grupi i tij artistik “Jehona e Shkodrës”, tashmë i ka kaluar njohjet në kufijtë e zonës së Shkodrës pasi ka kaluar deri në Vlorë në eventet e bukurisë. Madje aktiviteet e grupit të tij, kanë bërë bujë dhe në Malin e Zi. Kjo falë dhë humoristëve shkodran por dhe këngëtarëve me emër të këtij qyteti simpatik.
Cilat janë aktivitete e “Jehona e Shkodrës” gjatë vitit 2014?
Aktivitetet kryesore janë spektakli i bukurisë “Mis Plazhi Adriatik 2014” edicioni i 2 me eksluzivitetin tonë. Aktivitetet tona startuan më 30 korrik në resotrtin “Sanset”, Vlorë dhe më pas u zhvendosëm në Shëngjin po me këtë sigël ku çmimin e parë e mori Beki Ndreu nga Burreli dhe ëm aps në Velipojë në kompleksin turistik “Titanik” në datën 15 gusht. Gjithë ky rrugëtim pati kulmin në kompleksin turistik “Copacabana”, në Ulqin ku çmimin “Bukuroshja e detit shqiptar” e mori vajza nga Shkodra Ilda Kroni, çmimin e dytë vajza nga Elbasani Ina Qoshku, dhe çmimin e tretë vajza 17 vjeçare nga Shkodra Marinela Zefi. Të gjitha këto vajza u u respektuan nga z. Prel Shkreli dhe Myslim Llolla, si bashkëpunues me “Jehona e Shkodrës”.
Si u cilësuan çmimet dhe nga ishin vajzat konkurruese?
Çmimin e parë e mori një vajzë shkodrane, çmimin e dytë vajza nga Elbasani, por do të veçoja çmimin n”Miqësia” të cilin e mori vajza nga Serbia, Zorana Merkoviç. Juria ishte profesionale e përbërë nga Shpresa Drasati (kryetare jurie), Ardit Çelepija nga Shkodra, Prel Shkreli, Lida Haxhija Presidente e një agjencie mode.
Cilat janë projektet e së ardhmes?
Së shpejti jemi të ftuar nga komuniteti shqiptar në Zvicër me 10 vajza mis fituese në spektaklin bukuroshet e detit shqiptar. Në Zvicër do të realizojmë nj spektakël me këngë, humor, dhe me sfilata të bukurosheve. Bashkë me ne do të jetë dhe këngëtari i mirënjohur dhe Mjeshtri i Madh, Bujar Qamili, Elidon Çelaj dhe këngëtaren e emigracionit Elisabeta Marku. Mbas këtij aktiviteti që do të zgjas tre ditë ne dio të përgatitemi për aktivitetin final që e bëjmë çdo fund viti “Sofra Shkodrane”, që e zhvillojmë ditën e natës së bardhë më 25 dhjetor, ose ndryshe në ditën e Krishtlindjeve.
Me cilët realizohet ky aktivitet i veçantë?
Sigurisht ky aktivitet realizohet në bashkëpunim me humoristët dhe këngëtarët më të mirë shkodran. Mund të themi se është një variete më e bukur se ato që shfaqin televizionet netët e vitit të ri. Këtu dua të përmend dy Mjeshtrit e Mëdhenj, Gëzim Krujën dhe Zef Dedën si humorist tepër të spikatur (të cilët do vijnë dhe në Zvicër), por nuk do të veçoj aktoren Drande Xhai, apo Anton Krosaj që përbëjnë grupin e humorit “Gaz e Maraz”
Cilat festa janë të mirë organizuara nga ju?
Përveç sa më lart ne organizojmë spektakle dhe variete thuajse në tërë festat e vitit që përmban kalendari shqiptar. Psh, zhvillojmë aktivitete në ditën e 14 shkurtit, në ditën e 8 Marsit, dhe ën festat që theksuam më lart.
Me bashkatdhetarët tanë në Mal të Zi a keni bashkëpunime?
Sigurisht. Ne spektaklin e fundit të bukurisë e bëmë në qytetin e bukur të Ulqinit. Ne bashkëpunojmë me të gjithë këgëtarët e mirënjohur të trevave shqiptare në Malin e Zi, pasi ata kanë fansat dhe njohjet e tyre dhe në Shqipëri.
Mund të na thoni një numat të përafërt të aktiviteteve që zhvilloni në vit?
Janë pothuajse mujore, mbi 12 aktivitet ku dua të përmend dhe bashkëpunimet me Unionin Artistik të Kombit shqiptar që e drejton z. Haklaj. Shkodra është një qytet artdashës dhe nuk mund ta perceptoj jetën pa aktivitete të tilla që rrallë qytet tjetër mund ti zhvilloj

Filed Under: Interviste Tagged With: Bujar Qamili, Drande Xhai, Gezim Kruja, Humori shkodran, Xhelal Halili, Zef Deda

Ushtria Kanadeze pré e akteve terroriste

October 23, 2014 by dgreca

Nga Ajet Nuro/
22 Tetor 2014, Montreal, Kanada/
Në një hapsirë kohe prej 48 orësh, ushtria kanadeze ka rënë pre e sulmeve që mund të konsiderohen terroriste. Kështu, në datën 20 tetor 2014 në Saint-Jean-Sur-Richelieu, province e Kebekut, Martin « Ahmad » Couture-Rouleau, 25 vjeç, godet me makinë dy ushtarakë kanadez, njëri prej të cilëve vdiq në spital nga plagët e mara në parkingun e një qendre tregëtare jo shumë larg nga kolegji ushtarak. 25 vjeçari I konvertuar para një vitit në islam, ishte radikalizuar dhe kishte tentuar të udhëtonte në Turqi për të shkuar mandej në Siri ku do të luftonte në krah të xhihadistëve që luftojnë atje. Por Xhandarmëria Mbretërore, duke e patur nën vëzhgim i konfiskoi pasaportën dhe madje u përpoq edhe t’a ndryshonte duke kontaktuar njerëz që mund të ndikonin tek ai dhe para datës 20, datë që ai kreu aktin e dhunshëm, policia mendonte se ai kishte ndryshuar …
Pa u mbylluar ende kjo ngjarje, sot në Ottawa, brenda parlamentit Kanadez, dhe në dy vende të tjera jo larg parlamentin, tre qitje me armë nga të cilat ngelën të plagosur një roje i parlamentit dhe një ushtarak i cili edhe vdiq më pas në spital. Ndonëse nuk është hedhur dritë mbi ngjarjen më të fundit, gjithçka të lë të mendosh se edhe ky akt është i lidhur me ngjarjen e para dy ditëve dhe se ushtarakët kanadez janë objektivi i tyre.
Siç dihet Kanadaja është rreshtuar në krah të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tjerë në luftën kundër terrorizmit dhe konkretisht kindër Shtetit Islamik. Ngjarjet tragjike në Kanada vijnë pas thirrjeve të Shtetit Islamik për të dëmtuar interesat e të gjitha shteteve aleate që janë angazhuar në luftë kundër tyre.
Kanadaja, një vend me paqe dhe sigurie ku jetojnë në paqe komunitetete me prejardhje nga të gjitha këndet e botës, tash gjendet para një situate dhune. Deklaratat e para të drejtuesve federal e provincial janë se Kanadaja nuk do të tërhiqet nga akte të tilla dhe se jeta politike do të vazhdoj si më parë.
anuro@albemigrant.com
Montreal, 22 tetor 2014

Filed Under: Kronike Tagged With: Ajet Nuro, pré e akteve, terroriste, Ushtria Kanadeze

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 54
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT