Presidenti i Republikës zoti Bujar Nishani e ka dekoruar me “Urdherin e Flamurit Kombetar” Mbretin e pare te shqipetareve Ahmet Zogu. Ne motivacionin e ketij dekorimi nga presidenti thuhet .
” Presidenti i Republikes , Bujar Nishani i akordoi Naltmadhnise se tije Zogut I, Mbretit te Shqipetareve (Pas vdekjes) “Urdherin e Flamurit Kombetar” me motivacionin :Figure madhore e qendrore e historis se Shqiperise, qe hodhi themelet e ndertimit dhe funksionimit te shtetit moderne shqiptar ,me orientim te qarte europian. Ideator dhe realizues i administrates se pare te shtetit shqipetar, si dhe nje legjislacioni bashkekohor te niveleve te larta,qe do ti hapte rruge emancipimit shoqeror dhe zhvillimit te vendit. Personalitet qe gjithe jeten e tije e lidhi me fatet e kombit, te Shqiperise dhe shqipetareve”
Dekorata ju dorezua nipit te tije Princ Leka ne ceremonine e zhvilluar me kete raste ne ambjentet e presidences.
Nje dekorate te tille kan mare me pare presidentet amerikane Xhorxh Bush, Bill Klinton dhe Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton.
Me kete Urdher eshte dekoruar edhe Federata Panshqiptare e Amerikes”VATRA”, Shtator 2014.
Archives for October 2014
EKSPERTËT E ARKIVAVE TË KOSOVËS NË VATRËN E NGROHTË TË SHQIPTARËVE TË AMERIKËS
Federata “Vatra”, vatër e ngrohtë takimi midis ekspertëve të Arkivate të Kosovë dhe studiuesit të mirënjohur shqiptaro-amerikanë Idriz Lamaj/
Nga Klajd Kapinova/
BRONX, New York. Këto ditë një ekip ekspertësh nga Arkivat Qëndrore të Kosovës, zhvilloi takime me përfaqsues të ndryshëm të komunitetit shqiptaro-amerikanë në New York. Miqtë: Ramë Manaj Kryeshef Ekzekutiv i Agjensisë Shtetërore të Arkivave, Prof. Dr. Muhamet Shatri, zyrtar i lartë i Ministrisë së Diasporës për Grumbullimin e Lëndës Arkivore dhe Muzeale dhe njëherazi president i Shoqatës Mbarëshqiptare “Trojet e Arbërit”, Hamdi Bërbatovci, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Diasporës, Dr. Ruzhdi Panxha, Drejtor i Drejtorisë për Veprimtari Arkivore të Republikës së Kosovës, gjatë gjithë kohës dy javore të qëndrimit në New York, u shoqëruan nga aktivisti i palodhur i komunitetit shqiptaro-amerikanë, studiuesi, publicisti dhe Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes se Prizrenit Tomë Mrijaj. Në vazhdën e traditës së tij mikpritëse bujare, me makinën e tij, studiesi Tome Mrijaj u ofroj delegacionit nga Kosova mundësi takimi me përfaqsues të komunitetit shqiptaro-amerikanë në New York.
Ekspertët e arkivave mirëpritën në Federatën Panshqiptare Vatra
Në orën 5:00 pm, delegacioni i ekspertëve të Arkivave Qendore të shtetit të Kosovës, u shoqërua gjatë gjithë kohës së qëndrimit nga aktivisti i palodhur i komunitetit shqiptaro-amerikanë, studiuesi Tomë Mrijaj, njëherazi Sekretar i Përgjithshëm i LShP.
Publicisti dhe autori i disa libra për komunitetin tonë z. Mrijaj, u dhuroi nga arkivi i tij përsonal Arkivit të Kosovës, dokumente të rëndësishme, që kanë lidhje më historinë e aktiviteteve patriotik të LShP, për cështjen shqiptare dhe të Dardanisë në vecanti.
Në zyrat e Federatës Panshqiptare “Vatra” (1912) në Bronx, delegacioni i miqve nga Kosova, u prit në ambientet e Vatrës nga kryetari i saj Dr. Gjon Bucaj dhe stafi i tij si dhe editori i gazetës “Dielli” gazetari Dalip Greca.
Në shtëpinë e rinovuar të Vatrës, në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, u zhvillua takimi mes drejtuesve të lartë të Federatës Vatra dhe përfaqësuesëve të Arkivave të Kosovës.
Kryetari i Vatrës Dr. Bucaj, u uroi mirëseardhjen dhe bëri një përshkrim të historisë së arkivit të Vatrës nga vendlindja (Boston) deri në New York, dhe mundësitë, që ka organizata më e vjetër shqiptare në SHBA, për të dërguar kopje të dokumentacionit të saj arkivor.
Në takimin me vatristët, diskutuan miqtë: Ramë Manaj Kryeshef Ekzekutiv i Agjensisë Shtetërore të Arkivave, Prof. Dr. Muhamet Shatri, zyrtarë i lartë i Ministrisë së Diasporës për Grumbullimin e Lëndës Arkivore dhe Muzeale dhe njëherazi president i Shoqatës Mbarëshqiptare “Trojet e Arbërit”, Dr. Ruzhdi Panxha, Drejtor i Drejtorisë për Veprimtari Arkivore të Republikës së Kosovës.
Ata në mënyrë profesionale bënë një përshkrim të arkivave të Kosovës, gjendjen e tyre dhe mënyrën se si personeli i saj i kualifikuar i admnistron materialet dokumentare, që dhurohen (origjinale ose fotokopje) nga organizata, klube, individe, parti politike dhe shoqata të tjera në emigracion.
Editori i gazetës mujore, informative kulturore “Dielli” (1909) Dalip Greca, ekspozoi disa nga dokumentet origjinale, ndersa Kryetari Dr. Gjon Bucaj, dhuroi një dokument origjinal të vitit 1920, e njohur asokohe si “Huaja Kombëtare”, organizuar nga Federata Vatra, për t’i ardhur në ndihmë Qeverisë së Shqipërisë.
Gjatë bashkëbisedimit të kualifikuar, miqtë e ardhur nga vendlindja, u bënë thirrje individëve, grupeve, organizatave atdhetare, kulturore, politike etj., të cilët, kanë dokumentacion arkivor, shkresor apo fotografik, t’ia dhurojnë Kosovës, me qëllim që të vihen në dispozicion të studiuesve në mënyrë profesionale e institucionale.
Ajo që ishte e rëndësishme në mesazhin final të miqve ekspertë të arkivave dhe historisë ishte se ata garantuan ruajtjen dhe privatësinë e dokumentacionit të dhuruar nga grupe dhe individë nga emigracioni.
Studiuesi Idriz Lamaj dhe ekspertët e arkivave të Kosovës
Mbas një mikpritje të ngrohtë nga kryesia e Federatës “Vatra” me qendër në Bronx, New York, u zhvillua një bisedë e gjatë dhe profesionale, midis studiuesit të palodhur Idriz Lamaj dhe ekipit të arkivave të Kosovës.
Publicisti veteran i mirënjohur i komunitetit tonë Idriz Lamaj, është autor i disa librave: “Diplomatic Report Relating to Albanian-Montenegrin Conflict Over Plava and Gucia 1879-1880” (New York, 1999), “Komiteti Kombëtar “Shqipria e Lirë 1949-1956” (New York, 2000), “Ing. Xhafer Deva (1904-1978) Jeta dhe Vepra” (New York, 2000), etj.
Ish gazetari i Radios prestigjioze “Zwrit tw Amerikws” Lamaj, ishte i përgatitur shumë mirë pwr kwtw takim, kishte sjellë me vete disa kuti të mëdha, të mbushur me mbi 15,000 dokumente origjinale, të cilat me shumë interes u panë nga ekspertët profesionistë të Kosovës.
Më pas z. Lamaj tha, se ishte i gatshëm t’i ofronte këto dokumente të fotokopjuara, për Arkivin Qendror të Shtetit në Shqipëri dhe për Arkivin Qendror të Shtetit në Kosovë, duke lënë kopjen origjinale në New York.
Midis studiuesve shqiptaro-amerikanë dhe miqve nga Kosova, u bisedua për rrugën më të shkurtër, që këto dokumente me shumë vlerë të shkojnë në vendlindje. Në fjalën e tij publicisti Lamaj, tha se është mirë që të sigurohet një fotokopjatrice dhe një përson, qoftë ky edhe ekspert i arkivave të Kosovës apo Shqipërisë, të cilit, mund t’i vihen në dispozicion dhoma e punës, të gjithë dokumentet, duke i fotokopjuar një nga një. Ai qoftë me pagesë apo vullnetarisht si ekspert profesionist, e shikon konkretisht se cilët dokumente janë me shumë vlerë për arkivat e tyre respektive.
Miqtë, vlerësuan origjinalitetin e shumë dokumenteve, që ata i panë vetë më sy e tyre, duke falënderuar studiuesin Idriz Lamaj, për përkujdesin e vecantë, që ka treguar gjatë shumë dekadave, për t’i ruajtur të pademtuara si pasuri e madhe kombëtare për trojet etnike shqiptare.
Bashkëbiseduesit e lanë rrugën e hapur për takime të tjera, midis delegacionit të ekspertëve të Kosovës dhe përfaqsuesve të organizatave, që veprojnë prej shumë dekadash në Amerikë dhe posacërisht në New York, duke shpresuar se në të ardhmen e afërt, pasuria e madhe e dokumenteve, që ruhen prej dekadash, në arkivat e shqiptaro-amerikanëve të bëhen pronë e gjithë popullit shqiptar në trojet etnike.
Në arkivin e Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, përfshihen letërkëmbime të personaliteteve të shquara të diasporës shqiptare në SHBA dhe shtete të ndryshme të botës. Këto letra, foto, dorëshkrime, etj., janë ruajtur prej shumë dekadash në zyrat e Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë” me qendër në New York nga i apasionuari studiuesi i palodhur Idriz Lamaj.
Thesari që fle në Arkivin e pasur të Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”
Ajo që suprizoi të gjithë të pranishmit, ishte një fond origjinal e i pasur arkivor, që kishte sjellë me vete studiuesi veteran i komunitetit ish gazetari i “Zërit të Amerikës” Idriz Lamaj.
Ai tha, se kishte sjellë për të parë ekspertët e arkivave të Kosovës, dokumente origjinale dhe se ata nuk janë i gjithë materiali i pasur, që ai disponon prej shumë dekadash nga ish zyrat e Komitetit, ku ai bënte pjesë.
Vatristi veteran Lamaj, u shpreh i gatshëm të bashkëpunoi me Arkivat Qendore të vendlindjes në Kosovë dhe Shqipëri.
Për lexuesit, është mirë të dijnë se cfarë përmbajnë një pjesë e dokumenteve: “Masakrat malaziase në Plavë-Gusi-Rugovë”, raporte origjinale nga Komiteti i Kosovës 1919-1921; “A chronology of events in Albania 1944-1952” (Free Euro Press); correspondence: letrat e Prof. Ernest Koliqit, Athanas Gegaj, Tahir Zajmi, Ing. Xhaver Deva, Raif Maliqi, Dervish Bajram Currit, Prof. Rexhep Krasniqit, Prof. Martin Camaj, Prof. Zef Nekaj, Imam Vehbi Ismaili (autobiografi); deklarata e mbylljes së KShL; Prof. Rexhep Krasniqi: “Qendresa e Kosovës kurrë nuk asht trajtue në historinë e Shqipnisë” (dorëshkrim); Xhevat Kallajxhiu “Zëri i Amerikës”; Vasil Germenji 1960 (raport); KShL Zyra e Kryesisë për vitet 1960, 1970, 1971 etj.; Letra të ndryshme dërguar Departamentit të Shtetit Amerikan gjatë viteve: 1960, 1969, 1970, 1971 etj.; KShL “Dita e Flamurit”, 1977, 1975, 1978, 1980, 1983 etj.; KShL Zyra e Kryesisë–korrespondencë 1957-1967, 1964-1965, 1984-1985 etj.; korrespondenca të ndryshme në gjuhën angleze; letërkëmbimet e Dr. Mons Zef Oroshit me juristin Kapidanin e Mirditës Ndue Gjomarkaj; Kolë Mirakaj, Njazi Sulca, Ëelfgang Tucks, Prof. Rexhep Krasniqi, Miss Melanie M. Sever, Shemshedin Kryeziu, Lec Shllaku (editor), Jonuz Ndreu, Ragip Frashëri, Joe Ëilkie, Shaban Gjura, Leo Cherna, Prof. Gjon Sinishta, Prof. Adem Hoda (editor i gazetës “Ndërgjegja”), Barbara Lopez, Dr. A Dema (Uriburu, Argentina 25.5.1984), Dori Male, Tahir Kolgjini, Skënder Zogu, Lt. Col. Eduardo Ressel (Rio de Janeiro, RJ Brasil); Mark Traboini, Mr. C. Barsh (The Hague The Netherlande), Dr. Sami Repishti, Emil Kastrati, Shaban Gjuro, Maria Lombardo, Rifat Kolgjini, Stephan Lipsiue; “Dosja e Trathtisë” (material tepër secret), Prof. Arshi Pipa, Isuf Uka Kelmeni, Prof. Rexhep Krasniqi (letrat e fundit, para se të ndërronte jetë…), 50-vjetori i Radios “Zëri i Amerikës”, Adem Hodo, Xhevat Kallajxhiu, letërkëmbimi i gazetarit Idriz Lamaj, me figurat e shquara të botës shqiptare në diasporë, Osnelda Deva, Mehdi Frashëri (raporti original i autopsisë), Memorandim për Këshillin e Komitetit “Shqipnia e Lirë”, Viktor Darragjati (Madrid, Spanjë), Këshilli i KShL për vitet 1958-1960, Organizatat Politike Shqiptare në Mërgim, etj., etj.
LAMTUMIRË PIKTORI I VLORËS, NJERIU I MIRË, ILMI BANI!
Shkruajnë nga VLORA: Albert R. HABAZAJ & Jorgo V. TALO/
Fjala e Lamtumirës. Miq e dashamirës të artit dhe të familjes! Sot kemi ardhur që t’i japim lamtumirën e fundit piktorit dhe kritikut të artit Ilmi Bani. Hutim, trishtim, tronditje, shokim na shkaktoi kjo ikje e papritur dhe e padrejtë. Lajmi i hidhur për vdekjen e hershme pikëlloi pa masë piktorët, shkrimtarët, mësuesit, pegagogët, nxënësit, studentët, miqtë e shokët, të gjithë qytetarët që e njihnin, apo që i kishin dëgjuar emrin nga veprat e tij të mira, të bukura dhe të dobishme. Në emër të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Vlorës, të Universitetit “Ismail Qemali”, të Shkollës së Mesme Artistike “Naim Frashëri”, Vlorë, si dhe me dëshirën e familjes për të shprehur fjalën e lamtumirës, dua t’i them Ilmiut, se vërtet ike, por do të jetojë dhe do të na frymëzojë vepra jote artistike, pikturore e kërkimore – shkencore me karakter të thellë humanitar. Pikëllim i madh, dhembje e thellë shpirtërore, humbje e madhe për artin, arsimin dhe kulturën në qytetin e Vlorës e më gjerë, deri në rang kombëtar, sepse kontributi i tij ka qenë i dukshëm dhe i spikatur. Me pikëllim të thellë po ndahemi nga Ilmi BANI, njëri prej emrave emblematikë të pikturës Vlonjate, figurë e dalluar e pikturës shqiptare dhe e kritikës së artit. Një shpirt i etur për qytetari e për dituri dhe i gatshëm kurdoherë atë qytetari e dije ta transmentonte me zotësi te njerëzit e botës shqiptare dhe më gjerë. Njeri i pasionuar, korrekt si ai, me predispozitë e me kërshëri të admirueshme për kërkime e studime didaktike e shkencore në fushën e shkencave humanitare, në lëmin e artit dhe sidomos të pikturës e të kritikës së artit. I paharruar miku im i shtrenjtë, Ilmi Rexhep Bani! S’kam fuqi të të shpreh dhembjen që më shkaktoi ikja jote si meteor i shndritshëm i artistit qytetar dhe të kulturuar. Mundohem ta mbaj veten, të ngrihem mbi të, se të nderoj shumë. Ashtu sikurse i paharruari Vasil Talo, mësuesi yt dhe i gjithë piktorëve me emër të Vlorës, edhe ti ike shumë shpejt nga një aksident fatal, jo për faj tënd… Koicidencë?! Një odise e tërë të ndodhi, por e pamerituar një fije floku. Ti ishe njeri me kulturë, me zemër të madhe e bujare, balancë ekuilibri, simboli ynë i mirësisë, etaloni i korrektesës. Ti ishe një njeri që qëndroje stoikisht dhe nuk ligështoheshe. Ti punoje vazhdimisht me të gjitha forcat. Luftoje për jetë, për jetë të ndershme, qytetare dhe të lumtur. Pakkush sa ti inkurajonte dhe përkrahte talentet e reja. Do të kalojnë vitet dhe ti, i paharruar Ilmi do të jesh më pranë nesh, ashtu si të kujtojmë të gjithë, të dashur, me buzëqeshjen e jetës, që nuk të ndahej kurrë nga fytyra jote fisnike. O Ilmi, më prishe punë me ikjen tënde, sepse do të më mungojë miku i vërtetë, këshilltari i duhur, modeli i këkuesit ndaj punës studimore, mjeshtri i shkrimeve lakonike, redaktori i rreptë dhe i drejtë te Zoti, busulla e përparimit të punëve të mira të letërsisë dhe artit.Ti, si intelektual i formuar, ishe orë e çast i përkushtuar për mirëvajtjen e punës arsimore, shkencore dhe artistike në Vlorë, i përzemërt dhe i devotshëm në realizimin e projekteve të Pemës së gjelbër dhe të shëndoshë të krijimit në qytet. Dashamirësia jote, ndjenja e sakrificës, solidarësia dhe besnikëria, ishin virtyte morale tuajat, si njeri modest dhe i dashur. Puna këmbëngulëse në procesin kompleks të studimit, përgjegjësia intelektuale, guximi dhe talenti krijues, si dhe objektiviteti shkencor të shquajnë, miku ynë, në kuadër të brezit të krijuesve dhe studiuesve që kanë merita për zhvillimin dhe pasurimin e kritikës së artit, didaktikës dhe pikturës në veçanti, patjetër dhe shkencës bashkëkohore në përgjithësi. Ilmi Bani – Është lindur më 1942 [15. 09. 1942] në Vlorë, nga nënë Sania, bijë nga Kafaraj, matanë Vjosës, e cila rrojti rreth 70 vjeçe, duke i rritur dy jetimët Ilmiun, dritën e syrit dhe Buqen, vajzën e vetme, me sakrifica e me nder, me punë të përgjegjshme dhe të ndërgjegjshme në Ndërmarrjen Ushqimore të Vlorës, ku la një emër të respektuar. Babai i Ilmiut, Rexhep Bani atë pranverë të ’44 – ës “këndonte duke rënkuar për lirinë/ dhe kur në ferr të Mathauzenit e flakën, se shumë nuk u kthyen tok me të. Ata që u kthyen qenë me kokrra…e kujtimi i Babait, dëshmor Lirie mbeti për Ilmiun tonë Përshpirtje për Ëndrrën. Ilmiu u martua me Viton nga Tragjasi me origjinë, mësuese, njërën nga të bijat e Kamber Xhulevit, emër i njohur i arsimit të Vlorë, i cili është i biri i Patriotit Xhafer Xhulevi, sekretari besnik i Ismail Qemalit. Ilmiu me Viton lindën dy fëmijë: një djalë, Blendin, arkitekt, i cili është martuar me Almën, inxhiniere nga fisi Thomai, i nderuar në Elbasan, si dhe një vajzë, Bojkenën, arkitekte, e fejuar me ing. Elton Lala, në Sarandë. Blendi dhe Alma kanë dy fëmijë, Entonin dhe Irsën. Irsës së vogël do t’i mungojë gjyshi më i mirë në botë! Familjarisht Ilmiu jetoi e punoi në Vlorë. E aksidentuan tragjikisht më 13 gusht 2014, rreth orës 20. 30’ – 21.00 në Skelë, Vlorë , gjatë ditëve të ekspozitës “Vlora në Telajo”, me 500 piktura nga 60 artistë të peizazhit, mbylli sytë më 23 shtator, ora 10.00 në spitalin “Vitto Pazzi” në Lecce, Itali dhe sot, këtë të enjte të datës 2 tetor kur merr dhè, dhe ky dhè i qoftë i ëmbël, se për ëmbëlsi e mirësi të jetës jetoi e krijoi…U diplomua në Insitutin e Lartë të Arteve, më 1967. Më vitin 1974 kryen kursin mbas universitar për teori dhe kritik arti. Ka punuar mësues i lëndëve: Vizatim, Pikturë dhe Teori Arti në Shkollën e Mesme Artistike “Naim Frashëri”, në disa shkolla tetëvjeçare dhe në Fakultetin e Edukimit të Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë. Mbahet mend si një nga themeluesit e LSHA të Vlorës dhe për një kohë të gjatë, deri sa mbylli sytë, kryetar i LSHA, Vlorë. Para viteve ’90 të shekullit të kaluar ka botuar në organet e shtypit letraro – artistik dhe politik të kohës në fushën e arteve figuartive. Ka fituar dy çmime kombëtare (të I dhe të II) në konkurset kombëtare të kritikës dhe një çmim vjetor (të I) të revistës “Nëntori”. Më vitin 2007 botoi librin monografik “Përtej mjegullës”, biografi e letrarizuar kushtuar Vasil Talos, që është vlerësuar si një libër i vyer për pionierin e Shkollës së Pikturës vlonjate. Mbas këtij botimi përgatiti librin “Didaktika e Edukimit Figurativ” tekst mësimor për shkollat e mesme, 2010, si dhe librin studimor “Lira udhëheq popullin dhe Delakrua [Delacroix, Eugène], 2012, për të cilin punoi nga viti 2009 – 2012, dhe përsëri iu kthye për përpunim sa më mirë shkencor. Tabloja “Lira udhëheq popullin” – më thoshte shpesh profesor Bani – e bëri romantikun KAMPION TË ARTIT TË RI”. Përgatiti dhe punim serioz tepër të guximshëm dhe interesant për artin e Da vinçit “Buzëqeshja e Monalizës dhe sfumatura Leonariane”. Të gjitha këto punime të vlerta janë në komjuterin tim. Ilmi, për gati 10 vjet ishim dhe punuam bashkë në LSHA, Vlorë për zbukurimin e jetës letraro- artistike në qytet, me ty, si Kryetar të Lidhjes. Ti u ndave përgjithmonë prej nesh duke na lënë veprën tënde të bukur, të mençur e fisnike dhe kujtime të paharruara. Do të jesh midis nesh dhe do të komunikosh me bashkëkohësit e brezat që do të vijnë. Jeta dhe vepra jote kanë sfiduar vdekjen. Kujtimi për njeriun e dashur dhe artistin e dalluar do të mbetet gjithmonë i paharruar . të jetë i paharruar kujtimi yt, miku im, siç ka qenë e nderuar vepra dhe emri yt. Miku im i vërtetë, qofsh i paharruar e dritë të bëftë emri! Të qoftë i lehtë dheu! Në kujtim të emrit të Ilmi Banit, ju ftoj të mbajmë 1’ heshtje nderimi.
P.s. Fjala e mbajtur me rastin e varrimit të piktorit dhe kritikut të artit Ilmi Bani, e enjte, më 2 tetor 2014,ora 14, në banesën e fundit, Babicë, Vlorë, nga Albert Habazaj, Sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve, Vlorë.
Situata pikturore. Punë intensive, telajo të shumta peizazhesh, larmi situatash koloristike, penel herë i shkathët, herë herë i qetë, konstruktiv, dritë e bollshme, etyde edhe në tepër variacione të ndryshme të ditës, agim, mesditë, perëndim, muzg etj. Kjo është prurja gjatë 2- 3 muajve të fundit nga organizimet e grupuara të piktorëve në Vlorë dhe shumë vende të tjera përreth, si Himarë, Kuç etj. Një studio e mbushur plot dhe papritmas gjithshka ndërpritet nga një lajm i zi: Ilmi Bani aksidentalisht largohet nga kjo jetë!
Jeta. I lindur në Vlorë më 15. 09. 1942 nga prindër të varfër, në moshën 1 vjeçare mbetet jetim. Këtu fillon stërmundimi i nënës Sanie për të rritur dy fëmijët…Në vitet e para të shkollës lind dhe dëshira për të vizatuar…Më pas ndjek kursin e pikturës, si shumë djem të talentuar me piktorin e palodhur, plot dëshirë e passion, themeluesin e pikturës në Vlorë, Vasil Talo. Nxënës në Liceun Artistik “Jordan Misja”, student në Institutin e Lartë të Arteve dhe më vitin 1967 diplomohet. Ilmi Bani i përket brezit të piktorëve të fundit të viteve ’60, një grupi piktorësh në Vlorë, të cilët bënë emër me krijimet e tyre në Shqipëri. Mësuesi. Shtator 1967, Ilmiu fillon punës si mësues vizatimi për 2 dekada në disa shkolla të qytetit. Punon disa vjet në krye të Seksionit të Kulturës. Kryen një kurs pasuniversitar për kritik arti. Në vitin 1983 emërohet arsimtar në Shkollën Artistike “Naim Frashëri”. Modest, komunikues, i çiltër, plot humor, i apasionuar në punë, liberal në koncepte – ky ishte Ilmiu në marrëdhënie me kolegët. Në vitin 1998 emërohet drejtor i shkollës, shpaloset përpara nesh, kolegëve artisti vizionar, organizator me mendim të qartë perspektiv, këmbëngulës me kulturë dhe edukatë, cilësi këto që i manifestoi kudo ku drejtoi. Krijuesi artist. Në thesarin e pikturës vlonjate, Ilmi Bani ka vendin e tij të veçantë dhe shumë të merituar. Punëtor e i palodhur krijimet e tij janë të ekspozuara në Galerinë Kombëtare, në Galerinë dhe Muzeun Historik, Vlorë, në Gjirokastër etj. Krijimtaria e tij prek të gjitha zhanret, por i parapëlqyer mbetet kompozimi, biles në këto vite të vështira për piktorët, ku shumë ju përshtatën edhe tregut, Ilmiu nuk e la mënjanë kompozimin. Këmbëngulës në kërkimin e gjetjes artistike, konsekuent i idesë së tij, ai nuk heziton që mbasi e ka mbaruar tablonë ta fshijë dhe ta rinisë edhe një herë, por këtë radhë me më shumë dinamikë, përmirëson elementët artistikë, kolorin, shpërndrjen grafike etj., siç ndodhi me tablonë e titulluar “28 Nëntori”, por edhe herë të tjera. Në vendin tonë, deri në vitet ’70, nuk ishte praktikuar puna në grup në piktura; e kundërta ndodhte në skulpturë, me grupin Paskali, Mano, Paço, por vazhdonte edhe me grupin tjetër të suksesshëm Dhrami, Rama dhe Hadëri. Tentativa e parë në pikturë ndodhi në Vlorë. Shtypi i kohës, kritika e vlerësoi tablonë kompozicionale me dimensione të mëdha të paraqitur me rastin e Ekspozitës së 30 vjetorit të Çlirimit, të grupit të piktorëve Ilmi Bani, Skënder Milori dhe Nestor Jonuzi. Lirizmi, delikatesa, koloriti plot dritë, dashuria për jetën karakterizon tablonë e kompozuar vertikalisht “Nëna e ve”. Ilmi Bani është fitues edhe i çmimeve kombëtare në pikturë gjatë konkurseve të ndryshme. Ide filozofike trajton në kompozime me dimensione të vogla por të fuqishme në përgjithësimin e temës, gjetjes kompozicionale e përgjithësimin artistik të idesë; kemi parasysh titujt si “Mbijetesa”, “Zanafilla e jetës”. “Vjeshta”, ekspozuar në Berat, në Galerinë “E. Lear” ishte një kompozim i vogël me një femër, ekzekutuar me lirshmëri, bukur dhe shumë i freskët. Në këto vite të trazuara dhe të hallakatura, të bie në sy se Bani mbeti besnik i formimit dhe i individualitetit të tij artistik, duke mos bërë plagjiatura. Brenda studios ka piktura për popullin, por ka edhe “Krijime artistike kontemporane”, si u thoshte ai punimeve bashkëkohore. Portreti një zhanër që piktori nuk e la pa e prekur, e ndër vite realizoi shumë, të njerëzve të dashur, të personaliteteve të letrave, të patriotëve etj. “Fishta” është një nga këto, portret shumë i bukur me një dritë të brendshme vezulluese. Në disa kompozime për I. Qemalin, Plaku i Vlorës, herë i ulur, herë në këmbë, në situate të ndryshme koloristike dhe grafike paraqitet me një kolorit dhe plastikë të ngrohtë, natyrshëm, i qetë dhe shumë fisnik. Por, padyshim, portreti i kompozuar “Nëna” është një nga veprat më të bukura të realizuara, ku përveç kompozimit impozant të figurës, qëndrimit artistik, organizimit grafik, drita përqëndrohet vetëm te portreti. Përmes ekzekutimit të lirshëm të një plastike shumë të ndjerë, një koloriti të kursyer, kompozimi mbyllet tek dy duart e kryqëzuara në hije, një individualizim i përkryer, që sugjeron gjithë dashurinë dhe respektin e piktorit për nënën e tij. Janë të panumërta peizazhet, natyrat e qeta të realizuara e natyrisht në këtë shkrim homazh nuk mund të përmenden të gjitha. Mjeshtëria e këtij piktori modest por të fuqishëm duket edhe në një teknikë tjetër të artit figurative, në akuarel. Në studio ka shumë akuarele të realizuara ndër vite, të paekspozuara: portrete, peizazhe, natyra të qeta, teknikisht të përkryera. Ilmi Bani shpalosi vetvetiu dimensionin e tij human, intelektual, erudicionin, shpirtin e tij artistik edhe një një fushë tjetër, atë të mendimit estetik të kritikës artistike me shumë artikuj për ekspozita kolektive dhe personale për kolegë, studime të ndryshme për probleme të artit, tablo kompozicionale etj. Kohë më parë, piktori na njohu me një studim akoma në proces për tablonë “Liria në barrikadë” të Delakruasë, për tendencën artistike, filozofinë e kohës, por mbi të gjitha, për afeksionin e tij personal për artin Grek, që lidhet me figurën symbol në qendër të kësaj kryevepre të pikturës botërore. Vlen të veçojmë studimin e tij: “Kërkime për kolorin, linjën, karakterin dhe detajet” për ekspozitën e piktorit Skënder Milori, një punim i plotë, i thellë, me kompetencë profesionale. Si asnjë piktor vlonjat i brezit të tij, Ilmi Bani tregoi një cilësi tjetër të karakterit: Mirënjohjen. Mirënjohës për punën e palodhur të mësuesit të tij, por edhe për vlerën si piktor, ai realizoi monografinë e letrarizuar “Përtej Mjegullës”, kushtuar Vasil Talos. Ky libër me nivel të lartë artistik, është shkruar me dashuri dhe vërtetësi, me ndershmëri profesionale dhe, ndërkohë, është i vetmi libër deri më sot në Shqipëri, ku një piktor shkruan për mësuesin e tij të artit të ngjyrave.
Veprime pa ndonjë formë të legjitimitetit
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Cirku i liderëve politik të ënjtën e shkruar nuk pati ndonjë formë të legjitimitetit, por të gjitha ato lojëra absurde kanë një ndikim të fort mbi ngjarjet që ato po i shkaktojnë në bllokimin e krijimit të institucioneve konform rezultatit zgjedhor të arritur me tetë qershor të këtij viti.I gjithë ky proces i udhëhequr nga VLAN-i është një farsë “ tragjike” në të cilin vendi ynë është gati për për t’u “ shqyer” nga lakmitarët për pushtet, të cilët të sëmur nga xhelozia, urrejtja, hakmarrja dhe synimi për të realizuar qëllimet e tyre nuk kuptojnë apo nuk dëshirojnë të kuptojnë se cili është vendimi i Kushtetutës, që vetëm koalicionit parazgjedhor i jep të drejtën për të propozuar dhe për të zgjedhur Kryekuvendarin nga radhët e tij.
Si mund të këtë urrejtje kaq të padurueshme/
I ashtuquajturi bllok paszgjedhor, sepse këtë nuk e njeh Rregullorja e Kuvendit dhe akti më i lartë juridik Kushtetuta, u parapri nga njerëz të etur shumë për pushtet, rasti i Haradinajt, nga njerëz që e urrejnë skajmerisht Thaçin, këtë e ka në shpirt Albin Kurti, nga njerëz hakmarrës, Fatmir Limaj dhe nga një komunist që nuk mërzitet fort për shtetin e aq më pak se sa dëm po i shkakton partisë së tij, Isa Mustafa. Fitohet përshtypja se ky cirk politik po shoqërohet me një mbajtje rekorde takimesh të liderëve inatçorë që po mundohen të gjejnë një zgjidhje e cila kahdo që ta marrësh është në kundërshtim të plotë me aktet juridike, për të cilat kanë votuar dhe janë miratuar edhe me pëlqimin e partive të tyre. Ndaj, duke marrë parasysh situatën aktuale në vendin tonë është fare e dyshimtë nëse këta grykës për pushtet mund të zbatojnë në mënyrë të pranueshme ambiciet e tyre. Është për të ardhur keq se si një njeri, me këtë rast politikanët tanë, mund të kenë një urrejtje kaq të padurueshme, një mosbesim kaq të madh pothuajse ndaj çdo njeriu, ndërkaq nga ana tjetër ata nuk dinë kah t’ia fillojnë e si të mbarojnë punën pos që kanë bllokuar çdo tentativë për ta bërë se pari funksional organin më të lartë legjislativ të vendit.
Kërcënime të “çoroditura” të bllokut opozitar
Dhe duke mos patur asnjë mbështetje ligjore për të ardhur në pushtet, blloku opozitar po zhvillon një luftë “ speciale” dhe lojë nervash në drejtim të fituesit të zgjedhjeve duke e kërcënuar se ai do të marrë një serë veprimesh për të marrë pushtetin që sipas Kushtetutës nuk po i takon. Herë e kërcënojnë Flora Brovinën se do ta ndërrojnë nga Kryesuesja e mbledhjes inauguruese, e herë së do të thërrasin vetë këtë mbledhje, duke e ditur se ato aktivitete janë në kundërshtim të plotë me rregulloren e Kuvendit, por edhe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese që i jep të drejt vetëm koalicionit parazgjedhor që të propozon Kryeparlamentarin. 62 delegatë kanë nënshkruar një kërkesë të cilën e kanë dërguar në sekretarinë e Kuvendit të Kosovës me kërkesë që Mbledhja Inauguruese të mbahet me nëntë tetor. Mirëpo, nuk është sekretaria kompetente që të caktojë farë mbledhjeje dhe as grupi i delegatëve që ta bëjë këtë punë. Këtë veprim mund të ndërmarrë vetëm Kryesuesja, Flora Brovina. Ndërkaq, PDK duke qenë në pat pozicion ka shprehur gatishmëri që të bëj kompromise, por jo edhe të shkoj në opozitë, të cilën gjë partitë e tjera të shqiptarëve nuk po e pranojnë në asnjë mënyrë. Po ashtu, kjo parti ka paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë në atë mbledhje ilegale siç e quan ajo këtë tentativ të VLAN-it. Nëse nuk ndryshojnë për të mirë këto pozicione të ngurta të të dyja palëve, atëherë domosdo shtrohet pyetja se çka janë duke menduar këta liderë aq më shumë kur dihet se po afrohet fundi i vitit kur duhet të aprovohet buxheti i shtetit, pa të cilin do të mbetën shumë punë të rëndësishme pa u kryer.
Pse po i frikohet zgjedhjeve të jashtëzakonshme blloku opozitar?
Kjo lojë rreth formimit të Parlamentit nuk mund të zgjas pafundësisht dhe e vetmja zgjidhje mbetët shpallja e zgjedhjeve nga Presidentja e vendit Atifete Jahjaga. Edhe pse ende nuk po preferohet inkuadrimi e BE-së në këtë proces tejet të rëndësishëm , megjithatë, sipas situatës që aktualisht mbretëron , është më së e domosdoshme veprimi konkret e bile edhe i shpejt i këtij faktori për të zbutur sado pak pozicionet e të dyja blloqeve dhe kështu do të mund të evitohej organizimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Për më shumë, do të evitohej edhe një konfrontim fizik qytetar, të cilin, për fat të keq, po mendojnë ta organizojnë humbësit me përkrahjen edhe të disa “ analistëve”, duke organizuar protesta vetëm e vetëm që mos t’iu humbët ky rast i fundit për të ardhur në pushtet.
Shtrohet pyetja se përse blloku opozitar po i frikohet zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të cilat, siç po duket, janë të pashmangshme. Përgjigja në këtë rast është negative për liderët e bllokut inatçor sepse nëse në këto zgjedhje shkon me këtë përbërje humbjen e kanë të sigurt, në rend të parë, se anëtarët dhe simpatizuesit e LDK-së në asnjë mënyrë nuk do të votojnë për Kryeminister Ramush Haradinajn. Po ashtu, nga 360 deputet të trija partive të bllokut, në zgjedhjet e ardhshme ato do të duhej t’i propozonin vetëm 120 sish, të cilën gjë, posaçërisht, anëtarësia e LDK-së nuk do ta përkrahte e aq më tepër kandidatët që do të ishin jashtë listës për deputet. Kjo gjë do ta komplikon aq shumë situatën brenda subjektit politik të LDK-së sa që do të ndodh një “ rebelim” i anëtarësisë, e cila nëse asgjë nuk do të marrë hapur, votën do t’ia jap më shumë PDK-së, por edhe VV-së. Këtu është ai thelbi i frikës që iu ka hy në palcë këtyre liderëve të pangopur për të ardhur në pushtet.
Juristi i pasluftës nuk e kupton nenin 127
Të vetmen shpresë për të ardhur në “ pushtet” inatçorët e kanë në nenin 127 të Kushtetutës. Më së shumti shpresë ka juristi i pasluftës, Ramush Haradinaj, i cili siç duket ashiqare ose nuk po e lexon në tërësi këtë nën ose nuk po e kupton fare se çfarë thotë e udhëzon ai. Në fakt, neni 127 thekson qartë thekson se zgjidhjen duhet ta gjejnë deputetët e Kuvendit, vetëm deri këtu e lexon këtë nen Haradinaj, për të vazhduar më pastaj duke u mbështetur në Rregulloren e Kuvendit dhe në Kushtetutë. Më shumë me habit fakti se si është e mundur që në këtë “ kurth” janë futur edhe disa “ doktor” shkencash juridike të bllokut inatçorë, të cilët për t’ua bërë qejfin liderëve të tyre e keqinterpretojnë këtë nen shumë të qartë që duhet të respektohet nga të gjithë.
Dhe krejt në fund. Shkuarja së bashku e liderëve inatçorë tek Presidentja e vendit mund të kuptohet se sa “unik” janë ata, apo ma mirë më thënë se sa i zënë besë njeri- tjetrit. Po ashtu, turpi iu ka ikur nga shpirti e mendja liderëve tanë politik, të cilët janë shkëputur fare nga realiteti i jetës qytetare.
LIBËR I RI, PËR ATDHETARIN E SHQUAR ALI IBËR NEZAJ
Nga Prof. MURAT GECAJ*/
1.Jo shumë kohë më parë, përmes Internetit mora një mesazh nga poetja Ganimete Thaçi ose, e njohur ndryshe, “Çika Hasjane”.Ajo më informonte se kishte nisur punën për mbledhjen e shkrimeve të ndryshme, që të përgatiste një libër të ri, kushtuar atdhetarit të shquar, Ali Ibër Nezaj. Po aty, ajo kërkonte ndihmë dhe bashkëpunim, në këtë drejtim.
Të jem i sinqertë me lexuesit, m’u duk një nismë e guximshme prej kësaj krijueseje të re, e cila dija që vetëm shkruan poezi. Bile, isha shprehur në shtyp edhe për librin e parë të saj poetik, “Kërkoj vargun tim”. Por, nga ana tjetër, arsyetova se njeriu, me guxim, vullnet e këmbëngulje, realizon dhe arrin çdo qëllim, të cilin ia cakton vetes. Meqenëse kisha dijeni për këtë atdhetar të njohur tëkrahinës së Shipshanit, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), nga jam dhe vetë, gjeta ndonjë burim nga mund të merrte Ganimetja shkrime për këtë botim. Më pas, ajo erdhi në një takim, ku ishte dhe bashkëkrahinasi im, arsimtari e publicisti Ibrahim Hajdarmataj.Aty i shfaqa asaj ndonjë mendim për të gjetur burime, për librin në fjalë.
Ishte jo vetëm kënaqësi, por dhe befasi e këndshme një takim tjetër i radhës me këtë autore, ku tashmë ajo ishte bashkë me Halit Nezajn, studiues e botues, me banim në SHBA dhe vazhdues i afërm i Ali Ibër Nezajt. Ne ishim njohur dhe më parë, pra kur ai përuroi në Tiranë, në maj 2012, librin e tij jetëshkrimor, “Udha e ëndrrës së thyer”. Sigurisht, tani temë e bisedës sonë ishte kryesisht botimi i ri, për të cilin Ganimetja na tregoi se kishte mbledhur disa shkrime, si me autorësi, nga botime të ndryshme, nga shtypi etj.
Kështu, duke punuar me përkushtim dhe duke patur ndihmën e disa vetave, para më shumë se një muaji, ajo e dërgoi në shtyp librin me shkrime e poezi nga disa autorë, kushtuar atdhetarit Ali Ibër Nezaj(1835-1900), luftëtar trim e i paepur dhe mbrojtës i vendosur i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në vazhdim, duke u mbështetur për botimin e tij nga: Zenel Nezaj, Përparim Nezaj, Hamdi Nezaj e Halit Nezaj, Shtëpia Botuese “Ada” e vuri atë menjëherë në qarkullim. Një kopje të këtij libri, Ganimetja ma dhuroi me fjalët dashëmirëse: “Miqësisht, profesorit Murat Gecaj, Tiranë, më 15.09.2014”.
2.Ja, tani e kemi ndër duar këtë libër modest, me 161 faqe dhe me titullin domethënës “Ali Ibra, Zëri i Atdheut”-Antologji (Tiranë, 2014). Ai botohet me rastin e 800-vjetorit të Shtetit të Arbërit dhe ka redaktorë Dukagjin Hatën e Ndue Malajn, korrektor Sali Mandrin dhe kopertinën e punuar nga Ilmi Kastrati.
Në vazhdim të “Parathënies”, që e ka hartuar G.Thaçi, në pjesën e parë vijonë 9 shkrime të posaçme kushtuar Ali Ibër Nezajt. Autorët e tyre janë: Ganimete Thaçi (Has), Serxho Mazrreku (Elbasan), prof.dr. Masar Rizvanolli (Gjakovë), Luanda Hajdari (Kukës), Qazim Shehu (Librazhd), Petrit Dunga (Kukës). Veçanërisht, aty bien në sy disa dëshmi e fakte historike, nga studiuesiGani Qarri (Gjermani).
Ndërsa studiuesi e gazetari Ndue Malaj (Tropojë) nënvizon në shkrimin e tij: “Ali Ibra përfaqëson, në lëvizjen kombëtare shiptare, interest më të larta të popullit e të Atdheut; ai u pagëzua që në rininë e tij në zjarrin e betejave të madha, si një prijës dhe strateg i shquar popullor dhe deri në fund të jetës dha gjithçka që kishte, së bashku me fisin e tij, në të mirë të luftës për çlirim dhe dinjitet kombëtar”.
Interesin për këtë libër e shtojnë edhe krijimet e posaçme të 18 poetëve, nga krahina të ndryshme të vendit. Ata i kanë thurur vargje të frymëzuar luftëtarit trim, për lirinë e pavarësinë e Atdheut, Ali Ibër Nezajt. Emrat e këtyre autorëve janë: Nehat Jahiu (Kumanovë), Ilmi Dervishi (Tiranë), Lekë Prenga Gjeçi (Lezhë), Pëllumb Xhafer Alia (Tepelenë), Mevlud Buci (Dibër), Ganimete Thaçi (Has), Hazbi Dida (Kukës), Qazim Shehu (Librazhd), Luanda Hajdari (Kukës), ckël poetik nga Gani Qarri (Gjermani), Agim Desku (Pejë),Sejdullah Martinaj(Hollandë), Halil Haxhosaj (Gjakovë), Bledar Tafaj (Shkodër) Sali Mandri (Dibër), Sinan Isufi dhe Esat Bytyçi (Kukës).
Sigurisht, e meriton të përmenden vargjet e secilit nga këta autorë. Ndërsa po riprodhojmë vetëm disa nga ata, që ka shkruar plot frymëzim arsimtari e poeti nga Çamëria, Namik Selmani. Ndër të tjera, i ndodhur përpara shtatores së Heroit tonë, ja çfarë shkruan ai: “Zbrit nga bronxi, Ali Neza,/ të prêt oda, mes një kulle!/ Të prêt kënga, portë për breza,/ hap pas hapi, udhë pas udhe…/Zbrit, or, zbrit e udhën prina,/ nëpër shkronja, nëpër krisma!”
Në mbyllje janë shënuar edhe mjaft burime të informacionit, ku është bazuar G.Thaçi për përgatitjen e këtij libri antologjik, të cilën e falënderojmë dhe e përgëzojmë, si për nismën e saj dhe arritjen e qëllimit të dëshiruar!
Tiranë, 7 tetor 2014
*Shenim: Ky liber tashme ka mberrtur edhe ne Biblioteken e VATRES ne New York
- « Previous Page
- 1
- …
- 41
- 42
- 43
- 44
- 45
- …
- 54
- Next Page »