• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2014

SONTE FESTIVALI i 24-të SHQIPTAR NË NEW YORK

November 16, 2014 by dgreca

-Performojne qindra femije shqiptare te lindur ne SHBA, vetem ne grupin e valleve “Rozafat” te pergatitur nga koreografja Angjelina Nika vallezojne 117 femije te lindur ne Amerike!
* -Jane kater grupe femijesh qe performojne: nga Tornto-Kanada, nga Fondi Shqiptar ne Nju Xhersi, Rozofati dhe “Kënga dhe Vallja Shqiptare” NY, nen drejtimin e Pranvera Cobo/
* Krahas amatorve interpretojne dhe kenetare et njohur si: Gëzim Nika, Merita Halili, Hajro Ceka Agron Maqellara, Kino Gara, Nik Carku dhe Fitore Mamaqi./
* Nje nigme tjeter per interpretuseit amerikane do ta zbuloni sonte gajte Festivalit….

Sonte, e Dielë 16 Nëntor 2014, në orën 6 të mbrëmjes, në Lehman Center for the Performing Arts në Bronx, Organizohet prej Qendrës Kulturore Nëna Terezë e Kishës Katolike Zoja e Shkodrës në Neë York, Festivali i 24-të Shqiptar, i cili i kushtohet 15 vjetorit të clirimit të Kosovës nga okupatori serb.
Është i 24-rti Festival në Nju Jork, ku shqiptarët performojnë këngët dhe vallet e bukura shqiptare, shpalosin qindra kostume popullore nga të gjitha trevat shqiptare: Kosovë, Shqipëri, Mal i Zi, Maqedoni, përfshi edhe Kosovën Lindore, edhe Camërinë.
Misioni i këtij Festivali gjithëshqiptar është përpjekja për të identifikuar, dokumentuar e prezantuar folklorin mbarëkombëtar shqiptar, të mbajë të bashkuar komunitetin shqiptar, pa dallim feje apo krahine.
Ky Festival, sic shkruhet edhe në parathënien e buletinit të ilustruar, që sonte do të jetë në duart e pjesmarërsve dhe shikuesëve, ruan dhe përkrah traditat muzikore dhe folklorike autoktone shqiptare si dhe siguron që ato të vazhdojnë të egzistojnë, të ëprcillen dhe të kenë domethënie për brezat e ardhshëm.
Festivali i ofron spektatorit një buqetë të pasur të trashëgimisë folklorike mbarëkombëtare. Përbën një festë kulturore, që manifeston begatinë kulturore të komunitetit shqiptar si pjesë identifikuese e komunitetit të përgjithshëm amerikan.
Festivali i sivjetëm ka për organizatorë një komision organizues, në përbërje të të cilit janë: Famullitari:Dom Pjetër Popaj, Drejtori i Qendrës Kulturore Nëna Terezë- Mark Shkreli, Drejtor i Festivalit Simon Vukel, Drejtor artistik dhe regjia Ludvig Cotaj, drejtor organizativ Fran Cotaj, Konferencierë:Etrita Ibroci dhe Ariot Myrtaj, Bashkëpunëtor artistik Gjovalin Lumaj. Orkestra Alba e drejtuar nga Mjeshtri Edmond Xhani, do të shoqërojë grupet pjesmarrse.
Këshilli Drejtues i festivalit, ka ka përbërje: Simon Vukel -drejtor; dhe Ismer Mjeku, Fran Cotaj, Ludvig Cotaj e Mark Shkreli, anëtarë.
Po ashtu për këtë qëllim është ngritur dhe Komisioni, që ka një anëtarësi prej 17 vetash.
Programi i Fetsivalit do të jetë i pasur me këngë e valle, krahas fëmijëve të lindur në SHBA, do të ketë edhe këngëtarë profesionistë.
Hapja e Festivalit i kushtohet 15 vjetorit të clirimit të Kosovës. Festivali nis me “Këngë Maj’ krahu” Martin Smajlaj, më pas Grupi Polifonik i Bostonit vjen “Këngë me Iso”, më pas e ka ardhën një Instrumentale me gjethe, nga Shaban Lajci; pason një Instrumentale me zymare-Prek Isufaj, Instrumentale me lahutë-Martin Smajlaj, Instrumentale me fyell- Kreshnik Smajlaj, Instrumentale me Cifteli-Lek Lumaj; Vargje për Kosovën-recitojnnë Shaban Lajci dhe Tom Gjergji ; Instrumentale me tupan- Nikoll Tinaj, Vallja”Gëzuar Kosovë 15 Vjetorin-Lulet e Festivalit-Grupi Rozafati; N’Dardani bjen nji tupan -Gëzim Nika etj.
Famullitari i Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës, do të përcjellë përshëndetjen dhe mesazhin e Festivalit.
Grupi i Vajzave “Rozofati” nën koreografinë e mjeshtres Angjelina Nika do të sjellin vallen e bjeshkëve, ndërsa Fondi i përbashkët Shqiptar në Nju Xhersi do të sjellë valle me motive Strugane; Grupi i njohur i shqiptarëve të Bostonit”Bashkimi” nën koreografin e Mjeshtrit Bashkim Braho, do të sjellin Valle me motive Came; diva e këngës shqiptare, Merita Halili vjen me këngën “Xhamadani vija-vija”, këngëtarja e re me të aradhme Dea Elezaj do të interpretojë “Margjelo”. Më pas Shoqëria Kulturore Artistike Kelmendi do të sjellin këngë karakteristike të Kelmendit, këngë djepi, këngë për Papa Franceskun me vargje të rapsodit dhe poetit të njohur Gjovalin Lumaj, valle tradicionale dhe humor të këndshëm , Kino Gara do të përcjellë këngën-hymn”Dua më shumë Shqipërinë”, grupi i “Shqiponajve të vogla” nga Toronto, do të sjellë “O c’ke moj cikë”, Fitore Mamaqi do të interpretojë”Kroi i fshatit tonë”, sërish grupi “Rozofati” do të sjellë valle me motive nga Jugu nën koreografinë e Angjelina Nika. Në pjesën e tretë të Festivalit, Grupi nga Bostoni do të sjellë “Doli Bejka nga Katundi” dhe “Valle me motive Shkupjane”. Agron Maqellara do të prezantohet me “Putpuri këngësh popullore”, ndërsa Ansambli Artistik “Kënga dhe Vallja Shqiptare” nën drejtimin e Pranvera Cobo, prezantohet me “Këngë për Lidhjen e Prizrenit” dhe “Dasma e Malsorit”.Kënga Ulqinake vjen nga Hajro Ceka/ Sami Ceka; Tom Smajlaj dhe Luigj Tinaj do të sjellin humor përmes”Qesh dhe njesh”;, ndërsa në pjesën e katërt të Festivalit, do të prezantojnë: Bashkimi Kombëtar”Për Liri s’të fal Shqiptari”, “Të bashkuar Jug’ e Veri”, Grupi i Bostonit-Polifonik” Syri i djemve bën habinë”; “Shqiponjat e vogla të Torontos do të egzekutojnë në skenë” Valle me motive Mirditore”, -Nik Carku sjell” Putpuri Shkodrane”, Grupi Rozafat vazhdon programin me koreografinë e Angjelina Nika “Valle me motive Tropojane”.
Festivali do të mbyllet me këngën Hymn “O SA MIRË ME QENË SHQIPTAR!”, ku këndojnë: Gëzim Nika, Merita Halili, Hajro Ceka Agron Maqellara, Kino Gara, Nik Carku dhe Fitore Mamaqi.
Shumë i rëndësishëm është afkti se në këtë festival do të këndojnë e do të kërcejnë valle shqiptare fëmijë që kanë lindur këtu, në SHBA. Ata ndjehen krenarë që përcjellin traditat shqiptare në këtë skenë gjigante, ku marrin pjesë rreth 3 mijë shikues. Vetëm në grupin e valleve të ansamblit “Rozafat” nën drejtimin e Angjelina Nika do të performojnë 117 fëmijë, të lindur në SHBA! Ky është një tregues që të emocionon.
Suksese perfomuesëve në këtë Festival që ruan traditat tona kulturore në Mërgim!
Urime organizatorëve!
Faleminderit Amerikë që na lejon dhe na nxit të mbajmë gjallë Kulturën tonë Kombëtare!(KORRESP. DIELLI)

Filed Under: Komunitet Tagged With: Festivali i 24 Shqiptar, ne New York

PSE QENDRON E MBYLLUR PORTA E POLITEKNIUT ?

November 16, 2014 by dgreca

Komshiu im, Shpëtimi është tepër kurioz për ngjarje historike. Një ditë rastësisht ai u ndodh në të njëjtën kohë me KristoZharkalliuntek pinim kafe në qendër të Omonias.
Kristoja është një emigrant i vjetër, një njohës i drejtpërdrejtë i shumë ngjarjeve të mëdha që lidhen me historinë dhe kulturën e Greqisë së kohës sonë, një pjesëmarrës aktiv në luftën kundër Juntës ushtarake greke, i dekoruar midis të gjithë atyre që morën pjesë në rezistencën dhe fitoren kundër saj. Shpëtimi, i inspiruar nga ngjarjet e herëpashershme rreth e qark Universitetit Politeknik apo siç quhet shkurt Politekniu e pyeti Kriston se pse policia nuk guxon të futet brenda mureve rrethues të universitetit dhe pse qëndron e mbyllur porta kryesore e Politekniut. Kristoja një ditë më solli përgjigjen e pyetjes, paksa të gjatë…
E gjeta përgjigjen në një nga zarfet e mija kompjuterike dhe po e përcjell për lexuesin mërgimtar në ditën e 17 NËNTORIT 2014/
Abdurahim Ashiku/
Athinë, 16 nëntor 2014/
* * *
Nuk është aspak e keqe të mos njohësh diçka për njëvend të huaj, sidomos përsa i përket historisë së re që akoma nuk është shkrojtur në libra kur dihet se shumica dërmuese e shqiptarëve kanë pasur halle të mëdha, madje shumë herë është rrezikuar dhe mbijetesa e tyre në një vend që nuk u tregua aspak mikpritës në fillim dhe kur dihet se shqiptarët ishin pothuajse të gjithë të paligjshëm. Por tani shqiptarët nuk kanë më uri për bukë por për dije (këtë të „metë“ e ka pasur gjithmonë shqipoja!) dhe nuk është rastësi se shkrimtarët shqiptarë të emigracioni janë më shumë nga numri se ata të Atdheut! Në këtë drejtim nuk mundesh të mos i admirosh dhe t’i përgëzosh se, më sa di unë në emigracion shumë rrallë shfaqen letrarë të veçantë, kurse shqiptarët brenda pesëmbëdhjetë vjetëve kanë botuar me qindra libra dhe kanë ngritur disa shoqata e klube letrare dhe shoqërore.
Në këtë kuadër pra nëpërmjet faqeve të gazetës, dua të kontribuoj dhe unë në njohjen e disa aspekteve të vendit mikpritës meqenëse kam banuar në Greqi më se pesëdhjetë vjet dhe në shumë raste kam qenëpjesëmarrës në disa nga ngjarjet më të rëndësishme të Greqisë të pasluftës. Përderisa shumë herë shqiptarët tanë kanë krijuar një dije të shtrembër dhe pa baza reale, për këtë ngjarje dhe situatën e trazuar helene, do të përpiqemi të jap informata sa më të sakta me fjalë të thjeshta.
Pyetja e parë që mu drejtua ka të bëjë me festën e Politeknikumit më 17 nëntor dhe më drejtohet kështu: Pse qëndron e mbyllur dera kryesore nga rruga Patisia, e Politeknikumit të Athinës? Pse nuk lejohet policia të hyjë kur aty bëhen trazira?
Është e vërtetë se kohët e fundit në shtypin dhe mediat elektronike greke po bëhet shumë zhurmë rreth „azilit“ akademik të Greqisë. Ç ’është ky azil pra dhe pse pushtetarët e së djathtës dhe shtypi i tyre kërkojnë të ndryshohet dhe pse jo të eliminohet? Madje nganjëherë e dëgjoj dhe prej shqiptarësh të thonë se kjo demokraci e tepruar jo vetëm bën dëme të mëdha materiale por nxin dhe imazhin e Greqisë si vend i lirë demokratik sepse një përqindje e vogël komuniste sulmon institutet kulturore!“ Dhe kjo sa herë nëpër demonstrata, një grup anarkistësh mbyllen nëpër institutet e larta arsimore dhe hedhin që andej bomba „molotov“! Mirëpo a mund të besojmë se policia është në gjendje të mbrojë dhe të respektojë këto institute?. Rinia studenteske greke e din shumë mirë këtë sepse ka një histori të gjatë dhe përvojë shumë të hidhur nga arbitrariteti dhe injoranca e forcave „të rendit“!
Historia jonë nuk do të fillojë fill pas mbarimit të luftës civile në vend, por nga vitet gjashtëdhjetë kur shkruesi i këtyre radhëve ishte vetë dëshmitar i një dhjetëvjeçari të vrullshëm dhe tragjik për popullin grek. Por para kësaj duhet theksuar se „strehimi akademik“ u fitua me gjak nga studentët grekë. Dhe kjo u arrit në vitin 1934, kur pas një lufte të gjatë, ku u vranë dhe disa studentë nga armët e policisë, qeveria e atëhershme vendosi të ndalohet rreptësishtë hyrja e forcave policore në ambientet universitare dhe që atëherë kjo mbrohet me rigorozitet. Prandaj dhe zërat që dëgjohen kohët e fundit, nuk do të mundin të arrijnë që kjo e drejtë e fituar me gjak, të shkelet nga „demokracias“ sotme, siç kukojnë ata që kanë qenë dhe mbeten armiq të përparimit dhe të ardhmes.
Në vitet gjashtëdhjetë pra, (edhe atëherë si tani rivalët e politikës greke ishin një Karamanlis dhe një Papandreu) po bëheshin përpjekje të mëdha për demokratizimin e vendit. Karamanlisi konsiderohej aso kohe njeriu më konservator i perëndimit dhe si i preferuari dhe „shërbëtori“ i pallatit mbretëror. (Të mos harrojmë se atëherë Greqia kishte mbret dhe se fijet e politikës lëviznin nga pallati, shi nga duart e Frederikës !) kurse Papandreu (gjyshi i kryetarit të sotëm të PASOK-ut) përfaqësonte qendrën demokratike, borgjezinë e mesme dhe domosdo një pjesë të klasës punëtore që nuk ishte bindur nga komunistët.(PKG ishte e ndaluar aso kohe në Greqi dhe komunistët ishin inkuadruar në partinë e majtë EDA)
Në vitin 1963 forcat fashiste dhe grupet që drejtoheshin nga policia që në atë kohë ishte ultrareaksionare, dhe si u duk më vonë, kontrolloheshin e drejtoheshin nga pallati mbretëror, vranë në Selanik deputetin e majtë GrigoriLlambraqis. Atëherë u duk distanca politike e Karamanlisit me mbretin. Qëndrimi i këtij të fundit në çështjen e vrasjen e deputetit dhe sidomos ndaj një vizite që përgatiste aso kohe mbreti për në Londër, kur marrëdhëniet e të dy vendeve nuk ishin kaq të mira për çështjen e Qipros dhe se Londra akuzonte Athinën për vend jo demokratik, e detyroi të japë dorëheqjen dhe të largohet për në…Paris.. (nga ku u kthye pas…njëmbëdhjetë vjet si triumfues dhe shpëtimtar i demokracisë helene) Pas „arratisjes të Karamanlisit, u bënë dy herë zgjedhje të cilat i fitoi Bashkimi i Qendrës më në krye Papandreun. Populli grek sikur mori frymë lirisht për herë të parë pas njëzet e pesë vjet diktaturë, luftë, luftë civile qeveri konservatore antidemokratike, u arrit pajtimi kombëtar, në sipërfaqe të paktën ishujt grekë u zbrazën nga të internuarit demokratë me fitoren e plakut Papandreu.
Mirëpo, as pallati as edhe „aleatët“ nuk e shikonin me sy të mire demokratizimin e plotë të vendit, gjoja për „rrezikun komunist” Pallati mbretëror- mbret tani ishte i riu Konstandin pas vdekjes të Pavlllos- nisi t’i hapë dalëngadalë varrin qeverisë së Papndreut. Frederika nuk ishte mësuar deri atëherë që ministrat t’i emëronte kryeministri pa pëlqimin e pallatit. Kështu në korrik të 1965-ës rrëzoi në mënyrë puçiste qeverinë e ligjshme të Papandreut dhe emëroi qeverinë kukull të „renegatëve“ që tradhtuan partinë dhe udhëheqësin e tyre duke hyrë haptazi në shërbim të pallatit dhe të „aleatëve“. Sa për dijeni theksojmë se udhëheqës të „renegatëve“ ose të „tradhtarëve të demokracisë“ ishte Miçotaqisi i sotëm…Por duhet theksuar se, si ngaherë, në ballë të luftës për demokraci qëndronte rinia studenteske universitare. Për mbrojtjen e demokracisë MikisTheodhoraqis krijoi organizatën masive rinore „GrigorisLlambraqis“ që aso kohe lojti një rol vendimtar kundër reaksionit fashist dhe që më vonë shumë nga këta aktivistë të rinj demokratë u bënë udhëheqësit e partive demokratike .
Si thamë, që në vitin 1934 mbrohej strehimi universitar dhe ata që kishin bërë atë ligj duhej të ishin njerëz me mënd të kulluar në kokë se ndryshe do të kishin gjakderdhje të vazhdueshme të rinisë studentore që ishte pjesa më e urryer e forcave të rendit sepse dihet se ata që përbënin policinë dhe të gjitha „forcat e rendit“ nuk kishin kaluar kurrë nga ato dyer të shenjta universitare dhe shumica e tyre aso kohe me zor kishin mbaruar një shkollë fillore dhe nga ana tjetër ishin brumosur me një propagandë antipopullore antistudentore (gjoja antikomuniste) madje kishin mësuar se ata që shkonin në demonstrata e protesta ishin të huaj kryesisht…bullgarë! Fatmirësisht pra ligjvënësit grekë e kishin parashikuar (siç dihet jo me dashje)se rinia studentore do të qëndronte gjithnjë në ballë të luftës për ndryshime e përparim të vendit, prandaj dhe i kishin siguruar mbrojtjen në ato institucione ku idetë politike-ideologjike duhej të qarkullonin lirisht. Sigurisht forcat konservatore-reaksionare nuk pushuan kurrë të mos lakmojnë eliminimin e këtij „strehimit“ por kjo nuk do të arrihej kurrë me metoda demokratike. Kështu pra, pas rrëzimit te qeverisë Papandreu në mënyrë të pabesë, rinia greke gjendej përditë në rrugë, në Universitete bëheshin organizime për rezistencë „ndaj pallatit dhe fashistëve“sepse studentët ishin të angazhuar si ngaherë në luftë për demokraci dhe prokopi.
Duke parë se lufta popullore dhe rinore ishte bërë masive dhe kërkesa për „demokraci të vërtetë“ ishte gjithë popullore, disa krerë reaksionarë të ushtrisë, të nxitur nga pallati dhe të huajt, kryen grushtin e shtetit të 21 prillit 1967, duke eliminuar ose anuluar të gjitha nenet e kushtetutës që u referoheshin lirive dhe të drejtave të shtetasve në një vend demokratik. Megjithatë nuk guxuan as këta të…shkelin me ligj strehimin universitar!
Me gjithëterrorin e ushtruar nga kolonelët e zinj, rinia studentore nuk pushoi për asnjë çast të organizohet dhe të rezistojë në mënyrë ilegale. Prandaj dhe shumica e atyre që arrestoheshin, internoheshin ose gjykoheshin nga gjyqi ushtarak ishin gjithnjë studentë.
Në verën e vitit 1973, diktatori i zi Papadopullos, duke dashur të mashtrojë opinionin publik evropian vendosi gjoja të “demokratizojë” vendin, dhe si zhvilloi një referendum duke shpallur sistemin e vendit demokraci presidenciale, dhe duke përmbysur e dëbuar njëherë e mire pallatin kencerik mbretëror (gjënë e vetme të mire që bëri padashur diktatori!” Kështu ngarkoi politikanin e vjetër të falimentuar SpiroMarqezinin të bëjë qeverinë e re…demokratike. Por rinia studentore nuk mashtrohej lehtë dhe kështu filloi lëvizja heroike studentore, më masive në kushtet e një diktature. Këtu strehimi universitar lojti një rol vendimtar për një kohë mjaft të gjatë. Rezistenca studentore filloi në fakultetin e jurisprudencës në shkurt të atij vitit dhe aso kohe qeveria fashiste nuk guxoi të shkelë azilin universitar. Por lëvizja studentore sa vinte e po bëhej më masive në të gjithë vendin. Gjatë gjithë pranverës dhe verës studentët qëndruan nëpër institutet universitare, duke mos lejuar të bëhen provime, ose dhe leksion mësimore. Atëherë qeveria mendoi t’i nënshtroje me një ligj që dekretoi aty për aty: me qëllim që të dobësojë rezistencën, vendosi të mobilizojë në ushtri të gjithë ata studentë që kishin marrë anulim shërbimi për arsye të studimeve universitare.. Dihet se shumica e këtyre ishin dhe krerët e lëvizjes studentore. Kjo i zëmëroi më shumë studentët-qeveria diktatoriale në vend që të thyejë rezistencën, e bëri më luftarake. Kaq shumë ishte zemërimistudentor sa qeveria „demokratike“ e Marqezinit u detyrua të lirojë nga ushtria të gjithë ata që ishin mobilizuar me ligjin e ri ndonëse më parë kishin marrë anulim të ligjshëm. Por kjo nuk shojti rezistencën- përkundrazi kjo fitore hapte rrugë për kërkesa të tjera më të avancuara dhe një nga kërkesat ishte përmbysja e…juntës! Vjeshta e 1973-së binte erë barot. U dukën parullat e para „Poshtë Junta!“ „Poshtë diktatori Papadopullos!“ „Nuk gënjehemi nga majmuni Marqezini!“ dhe patjetër parulla antiamerikane, antinato e shumë të tjera. Për herë të parë u duk se qeveria diktatoriale ishte në panik.. Madje forcat policore nëpër qytete dukeshin të pamjaftueshme dhe të pafuqishme të përballonin lumin e furishëm të rezistencës demokratike prandaj bëhej fjalë për ndërhyrjen e ushtrisë për të vendosur rendin. Në nëntor të 1973-së lëvizja po shndërrohej nga studenteske në gjithë popullore dhe qeveria e Marqezinit dukej se nuk mund të bindte më askënd se po përpiqej të rivendoste demokracinë në vend. Madje në një deklaratë dramatike të kryeministrit kukull thuhej: „Kini kujdes se me këto që bëni do të detyroni ushtarakët të sjellin në pushtet ndonjë Khadafi grek!“ Diçka dinte ai. Në mes të nëntorit i gjithë vendi u paralizua. Tashmë demonstratat në Athinë, Selanik, Patra, Janinë e gjetkë bëheshin haptazi nëpër rrugë dhe kërkesa popullore ishte të shporrej junta ushtarake. Papadopullos vuri në lëvizje ushtrinë-policia , me gjithë zellin dhe egërsinë e saj, dukej krejt e pafuqishme të vendoste rendin dhe qetësinë në vend. Rreziku i gjakderdhjes tashmë dukej i pashmangshëm.
Kështu studentët u mbyllën në Politeknikum të Athinës dhe në shkollat e larta të qyteteve të tjera. Në Athinë u ngritën shpejt e shpejt radiostacione të „lira“ dhe ai i Politeknikumit u bë zëri i lirisë dhe i dashur që dëgjohej dalëngadalë në të gjithë Greqinë. Folësit e tij, MariaDamanakis (deputetja e sotme e PASOK-ut) dhe Papakristos (gazetar i njohur i gazetës Ta Nea) u bënë zërat më të dashur të popullit grek.
Në këtë paralizim të përgjithshëm, Papadopullos vendosi të ndërhyjë ushtarakisht. Propaganda fashiste çirrej se në mes të studentëve kishin depërtuar elementë armiq dhe të huaj, kryesisht …bullgarë dhe ushtarët e shkretë, gjysme analfabetë besonin se po shpëtonin vendin e tyre nga …sundimi i huaj! Tanket u shfaqën në rrugët e Athinës më 17 nëntor në mëngjes dhe po lëviznin mengadalë drejt Politeknikumit. Ishte menjimend një dukuri absurde- kishe përshtypje se forcat e huaja të blinduara po pushtonin vendin përsëri. Studentët dhe të ngujuarit e tjerë në Politeknkum- nuk mund ta merrnin me mënd një sulm me tanke kundër tyre- vazhdonin të hidhnin parullat e tyre dhe t’u bëjnë thirrje ushtarëve të hidhnin armët dhe të bashkohen me ta kundër juntës dhe në këto rrethana nuk munguan dhe skenat komike. Kështu disa ushtarë që ishin bindur se në Politeknikum
ishin ngujuar …bullgarë, shqiptarë dhe…kinezë, u habitën kur dëgjuan nga altoparlanti të flitej greqisht dhe pyetën oficerin e tyre se si këta pushtues të huaj flitnin kaq mirë greqisht! Populli ishte tmerruar, por megjithatë përpiqej të qarkullonte nëpër rrugë, të ndihmonte me ushqime e me mjete të tjera djemtë dhe vajzat të ngujuar në politeknikum të rrethuar nga tanket që akoma nuk guxonin të…shkelnin azilin universitar dhe në mbrëmje vendosi të vërshojë drejt Politeknikumit nga të gjitha anët e Athinës veçse forcat ushtarake mbyllën rrugët rreth qendrës studentore duke izoluar Politeknikumin, por njerëzit mundën të kapërcejnë dhe pengesat ushtarake dhe shumë demonstrues mundën të arrijnë në rrugën Patision. Atëherë kreu i juntës dha urdhër të sulmohet Politeknikumi me tanke! Ishte një skenë sa absurde dhe tragjike. Mbi kangjellat që rrethonin Politeknikumin ishin ngjitur me mijëra studentë e të rinj dhe shikonin tanket e radhitur në anën tjetër të rrugës pa besuar se do të sulmoheshin nga tanket e vendit të tyre Kur panë aty afër mesnatës se një tank po lëvizte drejt hyrjes kryesore të Politeknikumit vazhduan të brohorasin, të bëjnë thirrje për bashkim e rezistencë ndaj ushtarëve dhe sa më shumë afrohej tanku aq më shumë brohorisnin dhe kur kuptuan se po sulmoheshin të gjithë njëzëri nisën të këndojnë himnin kombëtar. Tanku qëndroi pesë metra larg derës prej hekuri të politeknikumit dhe studentët panë të entuziazmuar se si ushtari që e drejtonte kërceu në rrugë duke refuzuar të sulmojë derën e hekurt. Atëherë një oficer fashist nxori pistoletën, qëlloi ushtarin që e shtriu në asfalt dhe mori vetë drejtimin e tankut. Studentët nuk lëvizën nga kangjellat megjithëse ngrinë për një çast nga akti barbar i oficerit. Tanku u vërsul si përbindësh duke shembur derën e madhe prej hekuri bashkë me të rinjtë që ishin ngjitur mbi të. Askush nuk e di se sa të rinj u vranë aty…
Se ç’u bë më tej nuk është nevoja të përshkruhet këtu. Këtu donim të shpjegonim pse është i shenjte strehimi studentor. Dera e hekurt e shembur nga tanku u hoq dhe u çua në një ofiçinë për t’u shkrirë, veçse punëtorët e fshehën në një depo si dëshmi heroike të rinisë. Kjo derë u dorëzua në rektoratin e Politeknikumit pas rënies të juntës dhe u vendos në brendësi të oborrit si një nga monumentet më heroike të historisë së sotme greke. Ndërkohë u vendos që dera kryesore- ajo që ishte vendosur pas shembjes nga tanku- të qëndrojë e mbyllur përgjithmonë duke u hapur vetëm një herë në vit, kur do të përkujtohej gjakderdhja e Politeknikumit…. Dhe kështu bëhet duke u shndërruar në traditë…sepse grekët dinë të nderojnë dhe të respektojnë historinë e tyre. Por kryesisht dinë të respektojnë monumentet historike. Ndërsa në Shqipërinë e varfër nga historia dhe monumentet, është bërë zakon që të shembet çka trashëgohet nga sistemi i mëparshëm (Ç ‘kishin lënë komunistët nga historia e regjimit të Zogut? Akoma dhe varrin e Nënës së Zogut e shemben duke mos u lënë asnjë gjurmë se ku u çuan kockat e saj! Që të mos flasim për monumentet fetare që u zhdukën barbarisht dhe është fat i madh që u shpëtuan disa thesare të vyer të kulteve!) Por thamë se këto janë akte diktatoriale, por ç’bëri demokracia shqiptare? Rrafshoi çdo monument që kishte të bënte me historinë pesëdhjetëvjeçare, akoma dhe ato të luftës antifashiste…Me një fjalë Shqipëria po bëhet një vend pa histori, pa kujtesë, por ai që shuan të kaluarën, nuk ka të ardhme. Në Greqi Demokracia nuk mendoi kurrë të shembë monumentet e mbretërve, megjithëse i kishin sjellë kaq të këqijavendit. Nuk tentoi të ndërrojë emrat mbretërore të udhëve kryesore të Athinës e gjetkë, akoma dhe rebeluesit komunistë u nderuan me monumente, (Vellohitotis p.sh.) si pjesë përbërëse e historisë dhe rezistencës popullore.Dhe është për të ardhur keq se si kaq shqiptarë që jetojnë kaq vjet në Greqi nuk mësuan asgjë nga kultura dhe toleranca e popullit liridashës grek. Mjerisht kurrgjë!

Filed Under: Analiza Tagged With: Abdurrahim Ashiku, E MBYLLUR, PORTA E POLITEKNIUT ?, PSE QENDRON

Në Panairin e 17, mungojnë autorët emigrantë

November 16, 2014 by dgreca

Nga Albert Z. ZHOLI/
Dje ishte dita e tretë e Panairit të 17 të librit. Ishte një ditë me shumë aktivitete, me shumë promovime, me shumë vizitorë. Veçori tjetër e këtij panairi ishte dhe botimi i shumë librave për fëmijë, botime që panairet e mëparshëm kishin krijuar shumë boshllëqe. Kjo veprimtari e gjerë e librit shqip që do të zhvillohet në datat 12-16 nëntor 2014 nuk po kalon pa diskutime mes shumë shkrimtarëve dhe poetëve. Një prej temave më të prekshme është pasi në të nuk kanë marrë pjesë shumë shtëpi botuese dhe pse janë me një listë të tërë autorësh, që kanë në prodhimtarinë e tyre disa tituj si në prozë po ashtu dhe në poezi. Por më e dhimbshme është se shumica e shtëpive që nuk kanë marrë pjesë janë shtëpi botuese që në botimet e tyre kanë autorë emigrantë kryesisht në Amerikë, Greqi, Itali, Gjermani etj… Në rrjetet sociale shikon dhimbjen që ndjejnë emigrantët që librat e tyre nuk janë në stendat e shtëpive botuese që i mungojnë këtij panairi të shumë pritur. Dhe nuk janë pak po rreth 340 autorë emigrantë që e shohin veten jashtë dëshirës për t’u bërë pjesë e reklamës së panairit, por edhe dashamirësve dhe fansave të tyre. Ndihma që krijuesit emigrantë u japin lexuesve por edhe shtëpive botuese shqiptare është e madhe. Mund të themi se me librat e tyre mbahen gjallë shumë shtëpi botuese, por edhe shumë korrektorë, redaktorë, por edhe përkthyes. Dërgesat e emigrantëve për botimet e tyre janë më shumë 150 mijë euro në vit, por edhe pse japin një ndihmë të konsiderueshme në botimet dhe krijimtarinë shqiptare, ata janë jashtë reklamës për vetë faktin se shtëpitë botuese ku ata botojnë dhe që shohin veten e tyre janë lënë për të dytën herë jashtë Panairit, për shkak të preferencave individualiste apo klienteliste të drejtuesve të Panairit. Por më e dhimbshme është se krijuesit emigrantë, tashmë jo vetëm që kanë krijuar fizionominë e tyre, por librat e tyre po botohen ën gjuhën e vendeve ku punojnë dhe jetojnë duke bërë emër në këto vende dhe duke e ngritur lart emrin e letërsisë shqiptare. Ky aktivitet që organizohet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë duhet të gjejë gjuhën e përbashkët për të mos lënë jashtë kësaj feste të librit ato shtëpi botuese që dëshirojnë të marrin pjesë në këtë festë.
Shtëpia Botuese “Morava”/
Në këto 17 vjet shtëpia botuese “Morava” ka marrë pjesë në 13 panaire. Për ne ky është Panairi më i rëndësishëm jo vetëm për sasinë e titujve, por edhe për cilësinë e tyre. Librat më të shitur të “Morava” kanë qenë ata me tema historike, triller dhe romanet psikologjik. Romani i ditëve të fundit “Treni i Jetimëve” është në krye të klasifikimit botëror për numrin e lexuesve. Ndër romanet më të shitur dhe më të kërkuar në treg janë “Pallati i dimrit”, “Perandoresha e natës”, “Të katër motrat mbretëresha” dhe “Zotëria i jetimëve” që flet për Korenë e Veriut. Po hedhim në treg në këtë Panair 10 tituj të rinj ndërsa në stendën tonë do të ketë më shumë se 150 tituj.
Shtëpia Botuese “ArgetA-LMG”/
Shtëpia Botuese “ArgetA -LMG” në panairin e librit ka menduar dhe për fëmijët, ku në këtë panair ka botuar librat si: Aventurat e Hakelber Finit, Aventurat e Din Pakut dhe një libër që botohet enkas për panairin e Librit Abetarja e lojës së shahut me autor Edmond Bushin
Shtëpia Botuese “ArgetA-LMG” vjen në Panairin e 17-të të Librit me kryeveprat e letërsisë botërore si: “Panairi i kotësive” i Ulliam Theker, botim i plotë i “Novela” të Stefan Cvajg, botim i plotë “Novela & Tregime” të Anton Çehovit , “Lirika & Poema” të Sergej Eseninit, “Kostandinopoja” me autor Edmondo De Amiçis dhe një botim enkas për Panairin e Librit, “Femrat” e Çarls Bukovskit.
Nga autorë shqiptarë në këtë panair prezantohet me tre botimet e tij të librave të shahut, nga mjeshtri i shahut Edmond Bushi. Një tjetër autor shqiptarë vjen me dy botime enkas për panairin e librit, Nuri Plaku me titujt “Ekologjia e Kulturës” dhe “Bibla e udhëve të mia”.
Shtëpia botuese “Toena”
Panairi i Librit që nisi sot në Tiranë konsiderohet nga ne si një stacion i bukur dhe i rëndësishëm i punës sonë botuese dhe promovuese.
“Toena” vjen këtë vit me shumë tituj të rinj, mbi 120 të tillë, shumë prej të cilëve promovohen për herë të parë në stendën e saj në këtë Panair.
E nisën ditën e parë me katër takime të rëndësishme. Të dytën me gjashtë dhe të tretën me tetë takime. Në këtë shtëpi botuese përmendim autorët Mira Meksi, prof. Rexhep Qosja, prof. Paskal Milo me librin e ri “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore”.

Filed Under: Mergata Tagged With: mungojne emigrantet, Panairi

Dështimi i parapërgatitur i zotit Rama në Beograd

November 16, 2014 by dgreca

…Në rastin e vizitës së Ramës në Beograd “armiku” ishte Aleksandër Vuçiç, në rastin e fjalës së Enver Hoxhës në Moskë (Nëntor 1960), armiku ishte Nikita Hrushovi. Vetëm se ata ndryshojnë vendin dhe kohën e ndodhisë./
Nga Enver Bytyçi/
Duke reflektuar dhe me tej pas kaq ditë ditirambesh dhe mburrjesh per “suksesin” e vizitës së zotit Rama në Serbi, duket se njeriu vjen e kthjellohet, pra shkëputet nga vala e entusiazmit të turmës dhe lexon realisht ngjarjen, ndonëse ende nuk është larguar afshi që krijuan lëvdatat e deklaratës së kryeministrit tonë në konferencën e shtypit me homologun e tij serb në Beograd. Edhe pse koha kalon dhe dehja po bëhet esëll, ka njerëz që i qëndrojnë idesë fikse se zoti Rama bëri “heroin”, duke na rikthyer kujtesën jo shumë të largët, kur ne shqiptarët mburreshim me “heroizmat” e diktatorit. Atëherë dhe sot përjetimi është i njëjtë: “Udhëheqësi ynë është më i miri, më trimi, më i guximshmi, më i lavdishmi, ndaj dhe ne duhet të ndjehemi krenar për të”. Krenarinë për udhëheqësin e përjetojmë si krenari kombëtare, e ndërkohë dinjitetin tonë e masim me muskujt dhe forcën që udhëheqësi shfaq përballë “armikut”. Në rastin e vizitës së Ramës në Beograd “armiku” ishte Aleksandër Vuçiç, në rastin e fjalës së Enver Hoxhës në Moskë (Nëntor 1960), armiku ishte Nikita Hrushovi. Vetëm se ata ndryshojnë vendin dhe kohën e ndodhisë.
U ndala në këtë krahasim, jo për ta denigruar dhe zhvleftësuar vizitën në Beograd të kreut të ekzekutivit shqiptar. Eshtë e vërtetë se ai bëri “heroin”, por nuk jam I sigurt nëse sot në kohën e globalizmit i duhet kjo Shqipërisë dhe shqiptarëve. Megjithatë edhe ashtu si u bë, ajo ka një kuptim, ka një konotacion dhe në përgjithësi mund e duhet konsideruar si e nevojshme. Por përjetimin postvizitë, postkonferencështypi, thuajse e shohim të njëjtë. Pikërisht kjo ndjesi duket se na vjen si pluhur fosforie na bën dritë të rrejshme, pasiqë duket se ne shqiptarëve na pëlqen shumë rrena, duam në çdo kohë të bashkëudhëtojmë me iluzionet e për pasojë kemi gabuar e gabojmë aq shumë, sa me gabimet tona kemi dëshmuar se nuk jemi përgjegjës në atë masë sa duket gjatë brohoritjeve nacionaliste për fatin tonë e për fatin e kombit tonë.
Në këtë këndvështrim besoj se ndodhia e Beogradit do të duhet të shihet e analizohet në dy këndvështrime: Në aspektin diplomatiko-politik dhe në aspektin e komunikimit bashkëkohor.
Në aspektin politiko-diplomatik deklarata e zotit Rama dukej e pa vend dhe jashtë çdo dyshimi nuk mund të prodhonte efekte pozitive në përmirësimin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Në politikë e në diplomaci kontaktet, bisedimet, vizitat reciproke nuk bëhen thjesht për shfaqje publike me ultimatume dhe receta absolute. Zoti Rama veç deklaratës se “Pavarësia e Kosovës është një realitet i pandryshueshëm. Atë e kanë njohur 108 vende si dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë”, si dhe një darke me humor dhe mizikë live nën melodinë e zërit të shefit të diplomacisë serbe, Ivica Daçiç, nuk u përpoq të promovonte diçka më shumë. Nëse shkohet për vizitë në një vend thjesht për të lëshuar një deklaratë, atëherë që këtu ajo vizitë do të konsiderohej e dështuar. Ndërsa në rastin e një vizite pas gati 70 vitesh, si ajo që analizojmë, reduktimi i saj në motivin e një deklarate si ajo e zotit Rama, është më shumë se një dështim. Duhet thënë se ajo deklaratë ishte formuluar mirë, ishte e argumentuar si për një konferencë shkencore, por nuk kishte lidhje me diplomacinë e shefit të një qeverie, cilido të ishte ai. Mësë shumti ajo ishte e pranueshme në ndonjë forum ndërkombëtar, por aspak e goditur në një konferencë shtypi.
Vizita e zotit Rama duhej të kishte tri dimensione, dimensionin e marrëdhënieve Shqipëri-Serbi, dimensionin e zgjidhjes përfundimtare të konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë sipas marrëveshjeve të nënshkruara midis palëve, si dhe dimensionin e respektimit të të drejtave të njeriut e ato kombëtare për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Kësaj vizite të ashtuquajtur historike i munguan pikërisht përmasat e tilla, aq sa të krijohet përshtypja se kryeminisri shqiptar e kërkoi me ngulm një vizitë të anuluar së paku katër herë, thjesht për të promovuar “nacionalizmin” e tij dhe për të fituar kapital politik te shqiptarët në rajon. Ai nënshkroi dy marrëveshje, të cilat mund të nënshkruheshin nga kushdo në Tiranë, ose në Beograd, madje dhe nga ndonjë drejtor drejtorie të dikastereve përkatëse të Ramës. Ato marrëveshje qenë si për të thënë “Ja, bëmë diçka më shumë!”, por që nuk kanë ndonjë peshë në përmirësimin e cilësisë së jetës së shqiptarëve dhe serbëve. Ne fund te fundit ai që merr rrugën të udhëtojë jashtë vendit do ta ketë patjetër pasaportën dhe kështu udhëtimi me karta identiteti do të regjistrohet rrallë në pikat e kalimit kufitar me Serbinë. Kjo do të thotë që vizita duhej të kishte në dosjen e saj një objektiv konkret në këtë drejtim, ndoshta në formën e një memorandumi, ose të një dokumenti që së paku në parim i jepte fund një të kaluare dramatike në marrëdhëniet midis dy vendeve, duke marrë përgjegjësi të reja në qëllimet e përbashkëta në integrimet europiane e rajonale. Përcaktimi i angazhimit parimor të palëve për paqe e stabilitet, për integrime dhe projekte të përbashkëta rajonale zhvillimi diktonte nevojën e nënshkrimit të një memorandum të tillë. Por në Tieranë, e më duket se edhe në Beograd, gjithë skenari u përgatit për të luajtur shoun e radhës përballë spektatorëve përkatës me kombësi shqiptare e atë serbe. Prandaj edhë këtë mundësi historike zoti Rama e humbi, pavarësisht se kjo vizitë në Beograd u motivua dukshëm prej tij me interesat e përbashkëta për integrime europiane.
Në raport me Kosovën kryeministri Rama nuk arriti të artikulojë as kërkesën e domozdoshme për angazhimin e palës serbe për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara midis Prishtinës e Beogradit, marrëveshje, të cilat ende nuk gjejnë zbatim për shkak të refuzimit të serbëve. Ndërkaq thelbi i asaj që do të duhej vënë në dukje dhe për të cilin duhej insistuar kishte të bënte me çeshtjen që. Kosova të mos vuajë mosnjohjen e pavarësisë nga Beogradi. Njohja e Kosovës nga Beogradi do të duhej të lidhej me nevojën e Shqipërisë, Serbisë dhe gjithë rajonit për integrimin euro-atlantik. Madje duhej garantuar qeveria serbe se qeveria shqiptare do ta përkrahte anëtarësimin e Serbisë në NATO, si interes jetik për të dy palët, sidomos për ne shqiptarët dhe jo si lëmoshë për krimet e Serbisë në Kosovë. Kosova vuan secesionin serb në veri të Mitrovicës, vuan ndërhyrjen e provokimet serbe në implementimin e shtetit të pavarur të Kosovës, vuan mungesën e bashkëpunimit të minoritetit serb me institucionet e Kosovës. Pikërisht këto çeshtje zoti Rama i anashkaloi dhe as që i përmendi në takimet dhe konferencën e shtypit me homologun e tij serb. Formulimi i një kërkese dhe madje tentimi për të marrë një përgjigje positive nga Beogradi për këto çeshtje do të ishte një nga sukseset e zotit Rama në Beograd.
Ndërkaq sa i përket dimensionit të të drejtave të njeriut e ato kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilën Aldo Bumçi preferon ta konsiderojë si “Serbia Jugore”, zoti Rama vetëm kur erdhi në Tiranë dhe u shfaq në foltoren e kryeministrisë tha se kishte nënshkruar një marrëveshje për njohjen e diplomave. Por se është nënshkruar ose jo një marrëveshje e tillë, ende nuk është dhënë një konfirmim nga ana e Beogradit dhe ende nuk shohim diçka të shkruar në portalin e kryeministrisë. Nuk e dimë kush e nënshkroi e në emër të kujt. Megjithatë në Preshevë zoti Rama tha se ia kishte kërkuar zotit Vuçiç ndërtimin e një materniteti në Luginë dhe se ai nuk priste “provokacia”, dmth mosmbajtjen e fjalës prej tij. Ky ishte “suksesi” i zotit Rama për shqiptarët që jetojnë në Serbi. Asnjë fjalë e asnjë premtim për respektimin e të drejtave kombëtare, për zhvillimin e kulturës, arësimit, gjuhës, teksteve shkollore, traditave, vlerave historike të hershme e të gjalla në kujtesën e shqiptarëve.
Duke analizuar gjithë këtë situatë duhet thënë se vizita e zotit Rama ishte krejt e pasukseshme, nuk solli asgjë të re sa i përket shtrimit dhe zgjidhjes së problemeve tredimensionale që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Serbisë.
Dhe duke mos i zgjidhur problemet politike në rrugë diplomatike, zoti Rama krijoi dhe një precedent tjetër të rrezikshëm dhe të dëmshëm, gjithnjë në aspektin e komunikimit. Mosadresimi i problemeve dhe shmangja e ballafaqimit me to bëri që kryeministri i Shqipërisë e për pasojë edhe kryeministri i Serbisë të krijonin një marrëdhënie komunikimi tashmë jo midis tyre, por me zgjedhësit përkatës të secilit. Zoti Rama dukej se nga Beogradi donte të komunikonte me shqiptarët, të bisedonte gjithashtu po me shqiptarët, ndërsa përballë kishte homologin e tij serb në kryeqendrën administrative e politike të Serbisë. Deklarata e tij nuk ishte apel, as mesazh për liderët e Beogradit, përkundrazi ishte shfaqje ekzaltimi për shqiptarët. Ndërsa reagimi i kryeministrit serb ishte gjithashtu një shfaqje rrjedhojë e liderit për turmën. Të dy në konferencën për shtyp në Beograd komunikuan me turmat përkatëse, pa u shqetësuar aspak për të shfrytëzuar ndonjë mundësi për zgjidhjen e problemeve të mëdha e të shumta që ekzistojnë midis të dy vendeve. Nëse zoti Rama do të donte të komunikonte më homologin e tij serb, do të duhej që pavarësinë e Kosovës dhe njohjen e saj ta integronte në konceptin e tij të integrimeve europiane e rajonale si dhe me konceptin bashkëkohor të bashkëjetesës në paqe, siguri e stabilitet, si parakushte të një Europe të Bashkuar e të një vendi të nderuar të shqiptarëve, serbëve dhe gjitha ballkanasve në këtë Europë. Kjo kërkesë mund të lidhej me normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Prishtinës e Beogradit me epilog njohjen e shtetësisë së Kosovës.
Por ai nuk deshi ta bënte këtë, nuk u përpoq të jepte mesazhe e të bënte ndonjë apel ndaj bashkëbiseduesve që pati përballë, ai ishte i preokupuar me “dronin e tij” që të dërgonte mesazhe nacionaliste te shqiptarët, mesazhe që vinin si jehonë e atmosferës që krijoi “droni I vëllait të tij”. Kjo do të thotë se kryeministri i Shqipërisë u kujdes më shumë të “krijojë një familje dronësh” dhe e shfrytëzoi vizitën në Beograd për të realizuar disa qëllime e synime të tij në politikën e brendshme. Pikërisht kjo e bën jo vetëm të dyshimtë, por të papranueshme një sjellje të tillë. Se është kështu, ai e pranoi në një emission televiziv, kur u shpreh se “Sikur të mos thoja unë ato që thashë për Kosovën, si do të reagonin kundërshtarët e mij?!”. Ndërkohë që ai nuk bëri atë që do ta kishin bërë kundërshtarët e tij, pra të dërgonte mesazhe të qarta te mikëpritësit, siç ndodh e duhet të ndodhë në çdo vizitë politike e diplomatike në botë.
Në komunikim ka gjithmonë dy palë: Folësi dhe dëgjuesi. Një palë flet me synim që të japë një mesazh ose të dërgojë një apel te pala që dëgjon. Folësit ishin Rama dhe Vuçiç. Ata ishin gjithashtu dëgjues të njëri-tjetrit. Por të dy luajtën role aktorësh në monolog. Nuk bënë asnjë lloj apologjie, thjesht shfrytëzuan skenën për të shit sa më shumë nacionalizëm te përkrahësit e tyre. Pra, dëgjues nuk pati në sallë. Sikur të mos ishin prezente mediat, dëgjuesit mund të kërkoheshin në eter, do të ishin imagjinarë. Mediat bënë që dëgjuesi të merrte lajmin e “trimërisë” së pashoqe të kryeministrit shqiptar. Ndryshe këto çeshtje Rama do t’i diskutonte me të njëjtën forcë në takimin kokë më kokë me homologun e tij serb. Ndryshe e njëjta atmosferë do të shfaqej në darkën e mandolinës së Daçiçit.
Shkurt të dy kryeministrat konkuruan dukshëm e me virtuozitet në fushën e nacionalizmit të shtirur dhe u shmangën nga detyrimi themelor për tu përkujdesur për rritjen e cilësisë së jetës së popujve që ata përfaqësojnë. Kosova ishte edhe këtë radhë kurbani i rritjes së popullaritetit të Ramës dhe Vuçiç. Deklarata e Ramës përveçse si nxitje në kahen e kundërt, nuk ka shërbyer në asnjë rast për zgjidhjen e problemeve reale që ekzistojnë. Në këtë kuptim edhe Hashim Thaçi është dëshmuar më konsekuent se Edi Rama.
Kjo lloj konkurence nuk ka sjellë ndonjë dobi as për shqiptarët, as për serbët. Serbët kanë fituar në 100 vite, sepse dijtën të luajnë rolin e viktimës përballë shqiptarëve. Ndërsa shqiptarët fituan luftën më 1999-ën, sepse Ibrahim Rugova dhe liderët e UÇK-së mundën ta bindin botën se viktimat e vërteta të konfliktit shqiptaro-serb ishin shqiptarët në ish-Jugosllavi e në Kosovë. Edi Rama bëri të kundërtën, luajti rolin e fituesit, ndërkohë që është viktima, shpresoj e fundit e këtij konflikti. Një rol të tillë të heroit e luajti për shumë dekada dikatori shqiptar, Enver Hoxha, derisa na izoloi dhe pas izolimit total të dështuar na dha nga një “fletë-hyrje për në varr”, derisa i detyroi shqiptarët që t’ia mbathin nga sytë-këmbët e të shpërndahen si zogjtë e korbit nëpër botë. Nacionalizmi patetik i zotit Rama dhe mbrojtja që ai i bëri pas kthimit këtij nacionalizmi të shëmtuar të stilit të vitit 1981 i ngrohu zemrat e enveristëve kudo në hapësirën shqiptare. Por çdokush që gjykon me gjakftohtësi sot do të kuptojë se vizita e Ramës në Beograd ishte po aq e dështuar sa vzita e Enver Hoxhës e vitit 1947. Përkohësisht vetëm dy veta dolën të fituar: të dy janë kryeministra të të dy vendeve respektive, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç, ndërsa viktimat mbeten si gjithnjë ata që besojnë verbërisht te sinqeriteti dhe “ndërshmëria” e këtyre dy burrave, të cilëve do t’u duhen prova të tjera më borrërore për tu thirrur “Burra shteti”.
Ajo çfarë i bën kombet të konkurojnë sot midis tyre nuk është reatorika nacionaliste, përkundrazi përkushtimi për të ndërtuar një botë të lirë e në stabilitet. Pas 12 qershorit 1999 shqiptarët kanë qenë dhe janë më komod në këtë linjë konkurimi, gjë që ende nuk është kuptuar nga zoti Rama dhe shumë politikanë të tjerë në Tiranë. Ndërkohë që Beogradit I shërben më shumë parimi “I fitores përmes konfliktit”, ne shqiptarëve na duhet t’I fitojmë betejat e humbura përmes rrugës së kundërt, papes e dialogut. Por mesa duket zoti Rama këtë kurs e ka të pamundur për shkak të natyrës së tij konfliktuale si në opozitë dhe sot në pushtet. Nëse ai do të sillej ndryshe në Beograd, do të plasnin kritikat e ashpra në Shqipëri, pse mbron dhe mban standarte të tjera në sjelljen e tij ndaj opozitës dhe popullit opozitar?!

Filed Under: Featured Tagged With: Dështimi i parapërgatitur i zotit, Enver Bytyci, RAMA NË BEOGRAD

NËNA

November 16, 2014 by dgreca

Nga Vjollca PASKU/
Qielli çeli mëngjesin e ftohtë. Dita gdhiu në vranësirën gotike të reve. Gdhiu edhe një nënë e vetmuar me flokët e bardhë shprishur nga rrotullimet e pagjumësisë. Mendimet e saj shtegtonin nëpër labirintet e pafundme të pikëllimit. Nga ameba kthehej në pështjellimet e vetmisë. Lotët vërtisin sahatin e dhimbjes. Akrepat e pyetjeve nuk ndalnin asnjëherë, në shpirtin e minuar, “përse më braktisën fëmijët e mi’. Uria dhe vetmia e shtynë të ngrihej të hapte derën e vjetër dhe të dilte në rrugë, atje ku kishte shumë njerëz. Ajo për botën ishte një hije e padukshme. Vështrimi i nënës ishte poshtë “se mos rastësisht gjente diçka”. Teksa shikimi i saj ndiqte këpuce të vjetra që nxitonin rrugës , madje ndonjëra me gojë të shqyer nga ecja,ndërsa të pakta ecnin të reja që shkëlqenin nga boja e sapo lyer. Disa taka ecnin plotë delikatesë duke përkundur vithet gjithë naze. Një e tillë ngeci në një gropë dhe u nda nga këpuca. “Hajt në djall” u dëgjua një mërmërimë.
Oh , në një cep të rrugës një dorë e vogël hodhi gjithë tërsëllim një qese me ushqim, dhe vazhdoi rrugën duke përplasur këmbët në dorën e mamasë që i lutej “ të mos qante”. Nëna e pa dhe i bëri sytë bigë nga ankthi mos ia merrte ndonjë tjetër. Me të shpejtë mori qesen dhe e hapi. Brenda kishte gjysmë byreku. Avulli i ngrohtë i byrekut u kondensua dhe u shndërrua në pikëza uji. Nëna thithi aromën e këndshme , i mbylli për pak sytë dhe kujtoi kohën kur e rrethonin engjëjt e vegjël me dashurinë e madhe . Ajo përherë i tëhollte vet petët me pec dhe e gatuante me lakra të egra..Të gjithë prisnin të piqej byreku më i shijshëm, duke e quajtur , “byrek nëne”. Kur përpëliti sytë ky imazh u tret menjëherë nga mendimi “ku janë fëmijët e mi, përse më harruan”. Vetullat e bardha u mblodhën si dy vetëtima kur fanepsen njëherësh. Rrudhat e fytyrës shprehnin vitet e mjerimit. Shpirti i saj mbante një oqean dhimbje . Nga dridhjet e stuhive të dëshpërimit lumenj lotësh shpërthenin vrullshëm e mbanin të lagur retinën e plakur. Filloi të mbllaçitej ngadalë pa dhëmbë ,duke u munduar ti kapërcejë burgjitë me zor. Kur mbaroi fshiu buzët e nxira me kurrizin e dorës dhe u ngrit. Trupi i përkulur i përngjante një gozhde të përthyer , që pasi u përdor u hodh pa kujdes. U end një copë herë rrugëve dhe mërmëriti,”vdekje motërzo, hajt të shkojmë”. Një zë si nga fundi i botës iu përgjigj”Prit edhe pak,nuk besoj se nuk ekziston ndonjë njeri zemërdhembshur. Zemërdhembshuria është bija e lutjes.” Nëna u end nëpër ditët monotone duke shpresuar “ndoshta”, por asgjë e re. Atëherë thirri përsëri” Vdekje motërzo hajt të shkojmë, fytyrat e fëmijëve të mi , më janë bërë të huaja”. Vdekja iu afrua pranë dhe i foli “thith edhe njëherë ajrin e kësaj bote, dhe liroji të gjitha pikëllimet e saj, dhimbjen ,vuajtjen, zhuritjen, mjerimin,ato s’të përkasin më”. Nëna mori frymë thellë duke i ngopur me ajër mushkëritë për të fundit herë, dhe e nxori ajrin ngadalë, ngadalë derisa u bë e lehtë.
Shpirti i nënës u bë dritë dhe u ngjit lartë , lartë përtej mjegullës qiellore.
Pas disa ditësh disa njerëz që banonin përreth, e gjetën trupin e nënës të dekompozuar , dhe sytë e hapur vështronin lart. Hallet e tokësorëve u përkasin vetëm atyre.

Filed Under: ESSE Tagged With: nena, Vjollca Pasku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 69
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT