Marrëveshjen e Ohrit mund ta implementojë vetëm PPD-ja/
Në një intervistë kryetarja e komisionit për organizimin e Kongresit të PPD-së,Teuta Kamberi-Llalla, flet për Programin e PPD-së, numrin e delegatëve që do të marrin pjesë në Kongres, datën e kongresit, e shumë çështje të tjera/
PYETJE: Kur do të mbahet Kongresi, a kanë përfunduar përgatitjet, a është gjithçka gati?
Kamberi-Llalla: Në kuadër të Grupit të punës për përgatitjen e Kongresit të 6-të vepron edhe Komisioni për kuadro i cili me vëmendje të posaçme i analizon edhe potencialet kadrovike që partia i ka në momentin e dhënë. Komisioni përveç kësaj ka kontaktuar edhe kuadro për të cilat konsiderohet se mund ta udhëheqin partinë me sukses në periudhën që vjen. Synimi kryesor i nomenklaturës së deritashme politike është që të lansojmë në orbitën politike shqiptare kapacitete të reja politike që në heshtje ekzistojnë, por për një shkak ose një tjetër rijnë nën hije dhe nuk e marrin përgjegjësinë e shtyrjes së proceseve politike përpara. Këto kuadro me koncepcione evropiane, të rritur dhe edukuar në kohën e internetit, të facebook, twitter dhe instagram do ta marrin përsipër përgjegjësinë të ndërtojnë një shoqëri të drejtë multietnike, në të cilën do të respektohen dhe favorizohen realisht harmonia ndëretnike dhe parimet e barazisë e të drejtësisë për të gjithë qytetarët dhe komunitetet e tyre, duke u angazhuar për zbatim të politikave efikase dhe konkrete për barazi ndëretnike e për pjesëmarrje aktive të të gjithëve në prosperitetin e vendit.
Në mbledhjen e fundit të Kuvendit të përgjithshëm kemi caktuar një datë paraprake 14 dhjetorin, por do jetë mbledhja e Kuvendit të Përgjithshëm që do mbahet më 30 nëntor që në bazë të punës organizative që do të paraqes Komisioni për organizim të Kongresit. Do vendosi 14 dhjetorin apo disa ditë pak më tutje, të shohim, por ne punojmë për datën 14 dhjetor.
Komisionet vazhdojnë punët për përgatitje, do jetë një Kongres modest, larg lukseve dhe imazhit fallso. Çdo gjë do jetë demokratike ashtu siç ka qenë dhe është ndërtuar funksionimi i PPD.
PYETJE: Sa delegatë do të marrin pjesë në Kongres?
Kamberi-Llalla: Kemi paraparë që numri i delegatëve do të jetë 210 të cilët do votojnë për kryetarin e Partisë, kryesinë e ngushtë dhe drejtuesit e tjerë. Në Kongres do votohet për ndryshimet në Statut dhe Programin 4 vjeçar, politikën etj.
PYETJE: Kush janë kandidatët për kryetar partie?
Kamberi-Llalla: PPD ka qenë dhe mbetet ambient demokratik që nuk duron diktatura. Ne do të ndërtojmë ambientin tonë tradicional ku kryetari i partisë do të bashkëveprojë me organet e saja për ndërtimin e platformave politike, ekonomike, sociale, arsimore, kulturore. Do të zbatojë platformat dhe nuk do të vihet në pozitën e të të gjithëditurit dhe komandantit suprem. Anëtarët e organeve udhëheqëse të PPD-së do të punojnë për realizimin e vizionit të përbashkët politik ashtu siç kanë vepruar rilindësit tanë në të kaluarën e jo ashtu siç veprojnë politikanët ballkanas: paraja mbi të gjitha.
Nisur nga këto parime Komisioni konsideron se ende është herët të lansohen emra për kryetar, sepse kjo nuk është më e rëndësishmja se sa rëndësia e përcaktimit të parimeve me të cilat do të ecet përpara. Fundja, të gjithë e dinë se PPD nuk duron diktaturë brenda-partiake dhe është e vetmja parti demokratike në Maqedoni dhe Evropë që për 24 vite veprimi është udhëhequr prej gjashtë kryetarëve.
PYETJE: A ka gjasa që PPD të kthehet dhe të bëhet partia më e madhe shqiptare që ishte dikur?
Kamberi-Llalla: Dy skuadra futbolli kur hyjnë në fushë për të luajtur për fitore, por vetëm një ekip do fitoj ndeshjen. PPD ka qenë një parti e madhe, parti e popullit dhe i përket vetëm atij. Shpresojmë që votuesi shqiptar të bëj vlerësimet se kush parti shqiptare u ka ofruar gjatë qeverisjes, siguri, shpresë, krenari dhe punësime pa ryshfet. Do jetë vota e popullit në zgjedhjet e ardhshme nëse ka dëshirë të rikthehet fuqishëm PPD apo të mbetet një parti në histori. Duhet të dimë se është mëkat që PPD të mbetet jashtë Kuvendit të Maqedonisë, sepse ajo ka qenë dhe është partia e vlerave të larta, partia që bëri historinë e vërtetë të shqiptarëve në Maqedoni.
PYETJE: A do të miratohet platformë e re e partisë dhe cilat risi do ti përmbajë ajo?
Kamberi-Llalla: PPD ka qenë dhe mbetet burim i pashtershëm i platformave politike. Koncepti ynë fillestar ka qenë dhe ende më tej mbetet ai i shtetit dykombësh. Nëse për një arsye ose tjetër forca politike të caktuara nuk janë në gjendje ta pranojnë këtë filozofi politike atëherë alternativa jonë do të ishte ajo e qytetarëve të barabartë dhe jo ajo e një kategorie qytetarësh të pagëzuar me emër e mbiemër dhe e qytetarëve numra me përqindje. Thënë shkurt, PPD parimet e veprimit të saj politik i ka paraqitur qysh në Deklaratën e Grupit parlamentar për barazinë e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë në vitin 1992 dhe ato janë parime bazë të veprimit tonë politik dhe janë: krijimi i një sistemi politik konsociativ mbi parimet e të cilit mund të ndërtohet baraspesha e përfaqësimit dhe e garantimit me dinjitet të pabarabartë institucional të interesave të shqiptarëve në tërësinë shtetërore të Maqedonisë, krijimin e një strukture shtetërore dhe institucionale që reflekton realitetin multietnik të Maqedonisë, përfaqësim të drejtë politik në institucionin qendror legjislativ (Kuvendin e Maqedonisë) proporcionalisht me peshën demografike të shqiptarëve në këtë republikë, përfaqësim të drejtë, respektivisht proporcional në pushtetin ekzekutiv, në strukturat dhe organizmat e saj, përfaqësim proporcional në organet dhe në të gjitha instancat e pushtetit gjyqësor, etj, etj.
Shihni, edhe pas 23 vitesh zhvillim demokratik platforma e PPD-së ende nuk është realizuar plotësisht, ende duhet kohë realizimi. Nuk është ndonjë thënie e mençur po qe se themi se aktiviteti ynë politik do të mbështetet kryekëput në Marrëveshjen e Ohrit. Fundja ajo marrëveshje bazë politike ka pasur platformën e PPD-së, madje edhe e hartuar nga ekspertë të PPD-së, e hartuar për kohë të caktuar dhe rrethana të caktuara. Në këtë Kongres ne do të dalim me një deklaratë politike se si PPD i sheh zhvillimet politike, ekonomike, kulturore, arsimore aktuale dhe paralelisht do të punojmë edhe për rifreskimin e platformës tonë të përgjithshme politike në të ardhmen.
Ka shumë tema për të cilat, jo vetëm PPD, por edhe partitë tjera, duhet ti meditojnë. Për shembull ajo e koalicioneve parazgjedhore me partitë e etnikumeve tjera. Si të sqarohet fakti kur në sytë e shqiptarëve partitë në fushatën parazgjedhore i shajnë partitë maqedonase dhe fshehtazi në regjione të caktuara e ndihmojnë njëra- tjetrën. Dilema është a duhet dhe a ka ardhur koha veprimet prapa skenës politikes partitë politike shqiptare e maqedonase ti legalizojnë apo të vazhdojnë edhe më tej të punojnë prapa shpinës së elektoratit në emër të një patriotizmi të rrejshëm? Fundja çka u duhet platforma politike partive politike shqiptare kur fitimin e votës nuk e bazojnë në vullnetin e lirë të zgjedhësit por në vjedhjen masive të votave, në blerjen e tyre pasi ta varfërojnë paskajshmërisht zgjedhësin, me frikësime policore të elektoratit, madje edhe me vrasje? Për PPD këto koncepte asnjëherë nuk kanë qenë të pranueshme dhe gjithnjë do të refuzohen.
PYETJE: A do të ketë risi në bashkëpunimet ndërpartiake?
Kamberi-Llalla: PPD, gjithnjë ka qenë partia që ka vërtetuar se për çështjet e mëdha kombëtare dhe shoqërore, ka afruar zgjidhje dhe bashkëpunim. Është PPD, ajo që i mundësoi formacionit ushtarak të papranuar nga komuniteti ndërkombëtar që të paraqitet me subjekt politik, por kjo parti e nëpërkëmbi sinqeritetin e PPD-së dhe anëtarëve të saj dhe u angazhua për zhdukjen e saj nga skena politike. Të mos harrojmë se PPD është partia mëme e këtyre dy partive dhe është mëkat të sulmohet dhe shpifet pa fakte për të. Për ne paraqitja e çdo subjekti të ri politik është zbukurim i mëtejmë i një kopshti me lule plotë dhe ngjyra të ndryshme. Zaten në programin tonë politik kemi theksuar se PPD-ja është e hapur për bashkëpunim me të gjitha formacionet politike identike me principet dhe vlerat e saja në vend dhe jashtë se PPD-ja afirmon vendosjen e partneritetit dinamik me tërësinë e organizmave dhe asociacioneve të shoqërisë civile.(Intervista u dha per “Lajm” ne Maqedoni)
Archives for November 2014
QYTETARËT T’U KËRKOJË POLITIKANËVE TË KOSOVËS TË PËRMBUSHIN DETYRIMET
Richard Lukaj:”Jam i çuditur që s’ka pasur më shumë reagim publik kundrejt udhëheqësve duke i kërkuar të përmbushin detyrimet e tyre”/
Intervistë me financierin e dalluar shqiptaro amerikan me origjinë nga Ulqini – Richard Lukaj, filantropist dhe biznesmen i suksesshëm i komunitetit shqiptar, në SHBA
Nga Beqir SINA/
NEW YORK : Muaj më parë nga Presidenti i Shqipërisë, iu dha dekorata Nderi i Kombit , mbas disa nderimeve dhe vlersimeve që ka marrënga Shqipëria dhe Kosova si dhe disa institucione ndërkombëtare. Financieri i dalluar shqiptaro amerikan me origjinë nga Ulqini Richard Lukaj, biznesmen i suksesshëm i komunitetit shqiptar, flet për herë të parë në një intervistë të posaçme për ngërçin politik në Kosovë, me gazetarin Beqir SINA.
Megjithëse me një aktivitet financiar që përfshin transaksione në të gjithë botën me vlerë prej gati gjysmë trilioni dollarë, zoti Lukaj ka gjetur kohë për të punuar edhe me komunitetin shqiptarë dhe për tu marrë me veprimtari filantropike, të ndjek dhe të kontribojë nga SHBA në disa çështje, për Kosovën, Shqipërinë, shqiptarët në Mal të Zi, Maqedoni dhe Luginën e Preshevës e Çamërinë, sidomos duke shfrytëzuar takimet me kongresmen e senator, udhëheqësit e shtetit ku ai jeton në Konektikët.
Ai thotë në këtë intervistë se udhëheqësit e Kosovës duhet të zgjidhin mospajtimet që kanë dhe të ushtrojnë sovranitetin e tyre. Çdo alternativë tjetër paraqet informalitet dhe ofendon sovranitetin për të cilin sakrifikuam kaq shumë.
Ndërsa shton për fjalët e ambasadores amerikane se simbas tij ato ” Nuk ishin fjalët më diplomatike të mundshme, por e kuptoj frustrimin që pasqyrojnë. SHBA-të, ndërkombëtarët, diaspora, dhe sidomos çdo qytetar kosovar kanë investuar shumë dhe ky ngërç politik pasqyron mungesë pjekurie politike dhe përgjegjësie”.
Lukaj tha se :”- Kostoja e këtij ngërçi është shumë e lartë për qytetarët kosovarë. Jam i çuditur që s’ka pasur më shumë reagim publik kundrejt udhëheqësve duke i kërkuar të përmbushin detyrimet e tyre.Gjatë kësaj periudhe ka pasur shumë projekte, investime, çështje ekonomike dhe strategji të ngrira nga pamundësia për të bërë biznes në Kosovë.”
Këtë javë – Ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë, ka përçuar një mesazh për liderët e Kosovës, duke u thënë atyre mos e prishni punën’, derisa po fliste për ngërçin politik. “Mesazhi im për politikanët është shumë i qartë, mund ta them edhe në shqip, mos e dhi punën”, tha Jacobson. Si e komentoni ju dekleratën e ambasadores amerikane ne Kosovë Tracy Jackobson ?
– Nuk ishin fjalët më diplomatike të mundshme, por e kuptoj frustrimin që pasqyrojnë. SHBA-të, ndërkombëtarët, diaspora, dhe sidomos çdo qytetar kosovar kanë investuar shumë dhe ky ngërç politik pasqyron mungesë pjekurie politike dhe përgjegjësie. Shpresoj që grupimet e ndryshme të kuptojnë që po e mbajnë shtetin e porsalindur pezull dhe zgjedhjet e reja do të kushtonin shumë. Nga ana tjetër ngërçi ka ngacmuar publikun, të cilin shpresojmë ta frymëzojë që të angazhohet më shumë në të ardhmen dhe të bëjë zgjedhje më në përputhje me interesat e tij.
A mendoni se ngërçi politik në Kosovë, duhet të zgjidhet nga vetë forcat politike dhe jo me ndihmën e shteteve të tjera, mbasi siç permendet shpesh ose siç aludohet se “Kjo nuk mund të zgjidhet pa ndërhyrjen e Uashingtonit e Brukselit”?
– Udhëheqësit e Kosovës duhet të zgjidhin mospajtimet që kanë dhe të ushtrojnë sovranitetin e tyre. Çdo alternativë tjetër paraqet informalitet dhe ofendon sovranitetin për të cilin sakrifikuam kaq shumë.
A mendoni se Tirana sado pak mund të luaj rolin e saj në zgjidhjen e këtij ngërçi politik – dhe a ka pasur deri tani nga këndëshikimi juaj njëanshmëri të trajtimin e kësj çështje – nga Tirana zyrtare ?
– Jam i sigurt që Shqipëria është e angazhuar dhe është e informuar mjaft mirë mbi zhvillimet në Kosovë. Shqipëria vazhdon të tregohet një lojtare e pjekur dhe konstruktive në rajon, duke e kuptuar që angazhimi i saj rajonal përmban shumë përgjegjësi dhe shpeshherë vetëpërmbajtje të rreptë.
Heqja dorë nga Kryeparlamentari, a e zbeh fuqinë e veprimit të Bllokut, në “bllok” ashtu si u nisë dhe a mendoni se këtu me këtë rast “veproi” ose pati një farë indicie, deklerata e ambasadores amerikane ne Prishtinë?
– Nuk i di me aq imtësi detajet e negociatave të zakonshme të ndërmjetësuara nga presidentja Jahjaga, por di të them që SHBA-të dhe ndërkombëtarët do dëshironin ta shihnin këtë çështje të zgjidhur nga udhëheqësit e votuar për ta çuar kosovën përpara.
Ban Ki Moon tha sot se :Liderët kosovarë ta zgjidhin krizën politike. Mirëpo çfarë kërkohet nga lideret kosovar që të dilet nga kjo gjendje në se ajo nuk zgjidhet ? edhe tani
– I nderuari z. Ban Ki Moon ka përsëritur dëshirat dhe shpresat të shprehura dhe nga të tjerë mbi këtë çështje. Nëse udhëheqësit kosovarë nuk japin zgjidhje, atëherë gjithçka që po i ndodh dhe që mund t’u ndodhë shqiptarëve të Kosovës do jetë në konsideratën e elektoratit për zgjedhjet e ardhshme kurdo qofshin. Unë i qëndroj besnik demokracisë së njomë të Kosovës si dhe shqiptarëve të Kosovës, të cilët kanë kaluar sfida shumë herë më të mëdhaja se ky ngërç.
Fakti është se kanë kaluar afro pesë muaj që nga përfundimi i zgjedhjeve në Kosovë dhe institucionet qeverisëse ende nuk janë krijuar. Cili është mendimi juaj lidhur me këtë ngërç politik në të cilin e gjejnë veten sot politikanët e Kosovës?
– Kostoja e këtij ngërçi është shumë e lartë për qytetarët kosovarë. Jam i çuditur që s’ka pasur më shumë reagim publik kundrejt udhëheqësve duke i kërkuar të përmbushin detyrimet e tyre.Gjatë kësaj periudhe ka pasur shumë projekte, investime, çështje ekonomike dhe strategji të ngrira nga pamundësia për të bërë biznes në Kosovë.
A mendoni se nëse në këtë mënyrë po shkohet drejt zgjedhjeve të reja dhe a mund të shërbejnë këto zgjedhje si zgjidhje e këtij ngërçi?
– Shpresoj që jo sepse kostoja është tashmë shumë e lartë dhe ajo është rruga më e dëmshme për të gjithë shtetasit, por nëse çështja merr atë rrugë shpresoj të jetë paqësore dhe e efektshme.
– A duhen përpjekje të bashkërenduar nga të gjithë, dhe a po bëhet kjo në Kosovë?
Ka shumë pozicione dhe qëndrime për të ardhmen e Kosovës për të cilat janë dakord të gjitha palët. Të gjithë dëshirojnë ta afrojnë Kosovën afër institucioneve euroatlantike, kërkojnë dhe promovojnë zhvillimin ekonomik, duan të zhvillojnë siguri më të fortë dhe predikojnë për rend dhe struktura më të sigurta drejtësie. Gjithashtu të gjithë pretendojnë se po luftojnë kurrupsionin dhe sipërmarrjet kriminale. Thonë që janë të interesuar dhe për reforma të infrastrukurës arsimore për të përballuar nevojat e kapitalit intelektual të vendit.
Ndryshimi mes këtyre grupimeve qëndron tek përvoja, strategjitë e ndryshme dhe prioritetet përsa i përket këtyre çështjeve. Qytetarët kosovarë duhet të gjykojnë se me sa sinqeritet i ka klasa politike këto nisma, gjithashtu dhe aftësitë e këtyre grupimeve për të mbajtur premtimet e tyre zgjedhore.
-Si e komentoni vizitën e Kryeministrit Rama në Beograd e lidhur me situatën në Kosovë ?
Mendoj se vizita ishte e domosdoshme dhe respektoj shumë kurajon dhe profesionalizmin e treguar gjatë përfaqësimit të interesave të Shqipërisë.
– Së fundi në se ka mundësi edhe një mesazh nga ju për lexuesit tanë
Dëshiroj që të gjithë shqiptarët të angazhohen konkretisht, sepse jo vetëm kemi shumë çështje për të zgjidhur, por dhe shumë shanse të mrekullueshme për të realizuar sakrificat e bëra gjatë gjithë këtyre viteve. Vetëkënaqësia thjesht do të na bëjë të humbim dhe si pasojë të kemi shpërdëruar investimet kohore, energjitë, burimet dhe gjakun.
KADARE: “Mëngjeset në kafe Rostand”
Një homazh për Parisin, i ndërthurur me rrëfime për Shqipërinë, të shkuarën, të tashmen e të ardhmen e saj. Libri i ri i shkrimtarit të njohur Ismail Kadare “Mëngjeset në kafe Rostand” sjell ese, portrete, shënime për kohë e personazhe të ndryshëm, që edhe nëse nuk kanë emra, mund t’i zbuloni mes radhëve. “Gazeta Shqiptare” boton sot një pjesë prej librit, atë ku tregohet një skenar kërcënimi për librin “Viti i mbrapshtë”. Një i njohur i bën me dije shkrimtarit se libri i tij është antiparti dhe për të do ketë ankesa lart. Ndërsa shkrimtari i kalonte ditët në ethe, duke pritur çdo të ndodhte, por duke kërkuar zgjidhje që të mos e kërcënonin, gjakrat krejt papritur qetësohen. Ka vetëm heshtje. Miku i tij qaraman, tani buzëqesh. Më vonë Kadare mëson se “grupi i armiqve” që rrinin së bashku ishin “turku”, “Liliana”, “I verbri”, qarësi dhe kërcënuesi me syze”.
Nga Ismail Kadare*
E qara në mesnatë
Nga cikli i përfytyruar
“Këngë dhe vome për letërsinë shqipe”
I
Ishte viti 1986. Ishte pranverë dhe mesnatë kur ra telefoni.
Ngaqë s’më kishte qëlluar ndonjëherë të flisja në telefon me një burrë që qante, në fillim kujtova se qarja s’ishte veçse rrjedhojë e çrregullimit të linjës. Por shumë shpejt e kapa se qarja ishte e vërtetë, madje, njëkohësisht me këtë, e njoha qarësin. Ishte një redaktor i shtëpisë botuese, që merrej ato ditë me një librin tim, përmbledhje novelash, më saktë novelash e reportazhesh bashkë, në përzierjen e të cilave kisha vënë gjithë shpresën e mosrënies në sy të një romani të shkurtër problematik.
Asgjë të mirë s’mund të jepte kjo qarje redaktori, ndaj mendimi i parë e, bashkë me të, droja në trajtë lutjeje që më erdhi ndër mend ishte: veç mos ketë të bëjë me romanin!
Për fat të keq kishte të bënte pikërisht me të: romanin e maskuar si novelë.
Kush e kishte kapur? Ku? Si? Shefi, drejtori, zyra e shtypit në Komitetin Qendror? Përgjigjet, ndonëse të ngadalësuara prej qarjes, i mora njëra pas tjetrës. As shefi, as drejtori, as zyra e shtypit në Komitetin Qendror. Shkurt, tani për tani romani ende nuk ishte kapur. Por mbi të rëndonte një kërcënim.
Ç’kërcënim, pyeta me padurim. Nga kush?
E qara në skajin tjetër të fillit u dendësua ndjeshëm. Ishte një fjalë e ngjashme me “kërcënim”, që mbaronte me “im”, por që u desh njëfarë kohe sa të shpëlahej prej gulçit.
Aha, një denoncim. Po nga kush?
E qara pati një ngritje të re. Pastaj, pas një psherëtime të gjatë, vetëfajësimi për pakujdesinë dhe naivitetin, dëgjova emrin e denoncuesit.
Po pse ai? fola me zë të ulët. Pse pikërisht ai?
E njihja, ishte një djalë i heshtur, që ashtu heshturazi hipte dhe zbriste shkallët e Lidhjes së Shkrimtarëve pa rënë në sy të askujt.
Ai është miku yt, apo jo?
Pikërisht, ndaj bëra gabim të madh, ia dhashë dorëshkrimin ta lexonte, ashtu kot nga qejfi.
Dhe ai të kërcënoi me denoncim?
Pikërisht. Më kërcënoi se do t’i shkruante letër Komitetit Qendror, kundër botimit të “Vitit të mbrapshtë”, si vepër antiparti, anti… kështu e anti ashtu, shkurt në kundërshtim me mendimet e shefit të madh për lëvizjen e Haxhi Qamilit…
Nuk përqendrohesha dot të dëgjoja arsyet.
E qara po reshtte më në fund.
Po ai sikur s’dukej i tillë, i thashë. Përkundrazi, dukej si… tepër i krishterë… Isha kujtuar se telefonat përgjoheshin, kështu arrita të gëlltis fjalën “liberal”. Nga skaji tjetër i fillit, tjetri vazhdonte të më kërkonte ndjesë.
II
Si çdo kohë e kaluar me dyshime, java u duk së paku dyfish më e gjatë.
Dyshimet ishin të larmishme. I pari, më i shpeshti, ishte ai për vetëqarësin. E njihja prej disa vitesh, na vinte në shtëpi, kishte miqësi me vajzat, sillte libra, disqe, ngaqë kishte mundësi për të tilla. Një teze e tij ishte martuar me një zyrtar të lartë.
Hamendja se mos ai vetë e kishte bërë denoncimin kundërshtohej brenda meje pikërisht nga kjo rrethanë: karriera e tij s’kishte pasur nevojë për shtysa të tilla.
Dyshimit s’i mbetej rrugë tjetër veç të rikthehej te kërcënuesi. Të gjitha gjasat dukeshin të besueshme, emërimi i tij i beftë në shtyp fill pas Plenumit të Katërt, rrethi i tij familjar, i cili, ndryshe nga familja e qarësit, jo vetëm s’ishte i afërt me shtetin, por shihej me sy të keq, çka ia kishte penguar vazhdimin e shkollimit të lartë e të tjera të ngjashme.
Sapo më dukej se ishte kështu dhe s’kishte si të ishte ndryshe, mendimi kundërshtues ngrihej aty për aty. Vështirë të besohej që një denoncues i stërholluar, siç ishin zakonisht ata të shkrimtarëve, ta hidhte maskën kaq lehtë e kaq rëndomtas. Ngado që ta ktheje kishte diçka që nuk shkonte në këtë histori.
III
Zgjidhjen e mendova të thjeshtë, mendjelehtë për dikë, të hatashme për dikë tjetër, të vetmen për mendimin tim: me rrahje.
Kisha disa adresa rrahësish, të mbetur qysh nga koha e një skandali, por që, për fat të mirë, nuk i kisha shfrytëzuar.
Pa i treguar asgjë askujt, zgjodha njërin prej tyre, nga ata të ‘Profarmës’, të cilët, ndryshe nga rrahësit e vrazhdë të kombinatit të mishit, të rrethuar siç ishin prej barnave, fashave dhe kremrave qetësues, njëfarë kujdesi gjatë goditjeve e kishin përvetësuar gjithsesi.
Porosia ishte e thjeshtë: të paralajmërohej kërcënuesi me thyerje nofullash “në rast shpifjeje ndaj shkrimtarit të njohur K.”.
Pas premtimit se porosia do të kryhej siç duhej, u qetësova krejtësisht. Për të shmangur çdo zbulim të mundshëm, i thashë dr. X-it (kështu e emëroja në vetëdijen time rrahësin), se s’kishte nevojë të më telefononte për “zhvillimin e mëtejshëm”. Ndërkaq kjo s’më pengoi që, qysh të nesërmen, të shkoja në Klubin e Gazetarëve për të hetuar ndonjë shenjë në fytyrën e viktimës së ardhshme.
Sa më shumë që kalonin orët, aq më pak besoja se puna do të përfundonte me mirëkuptim. Disa ditë më pas, ndihesha disi i zhgënjyer. Ishte e vërtetë se midis dy pamjeve të mundshme të fytyrës së njeriut: asaj të nxirë prej goditjeve dhe tjetrës, normales, do të parapëlqeja këtë të fundit, megjithatë edhe ky idil po fillonte të më bezdiste. Fytyra e tjetrit, jo vetëm që s’dëshmonte asnjë shenjë dhune, por jepte përshtypjen e një lëmimi të tepruar, thuajse ngazëllues, si ato të njerëzve që kthehen nga qendrat termale dhe të gjithë iu thonë: sa mirë që dukesh.
Po bëhesha gati ta lija mënjanë kujdesin dhe t’i telefonoja rrahësit për të marrë ndonjë lajm, kur ndodhi diçka e papritur: viktima befas kishte ndërruar syzet. Ndërsa të tjerët e uronin për syzet e reja, duke i thënë vërtet se i shkonin, unë përpiqesha më kot të gjeja ndonjë shenjë, nga ato që krijoheshin prej goditjes ose shkuljes së dhunshme të tyre. Kur u binda se s’kishte asnjë gjurmë të tillë, mora në telefon qarësin dhe me një shpërfillje të shtirur e pyeta ç’bëhej me librin. M’u përgjigj me të njëjtën mënyrë, thua se s’kishte ndodhur asgjë dhe se nuk kishte qenë ai që ca ditë më parë i kishte derdhur lotët çurg.
Pas pyetjes sime të përsëritur për librin, ai, si të ma bënte enkas, u përgjigj edhe më shpërfillshëm, se çdo gjë shkonte për bukuri, gjë që, në çdo rast tjetër veç këtij, do të më gëzonte.
Gati i fyer, e pyeta nëse “ai” ishte bërë i gjallë?
Cili ai? pyeti qarësi.
Një këngë dashurie, dëgjuar një natë në bregdet, rrihte të futej midis: lotët e tua, o moj korçare, si i harrove.
Ai, pra, thashë me njëfarë nervozizmi. Ai që të kërcënoi lidhur me…
Aha, ia bëri tjetri, pas një vonese të shkurtër. Aha, përsëriti, më kishte dalë fare nga mendja… Jo, jo, vazhdoi. Nuk është ndier fare.
Këtë herë isha unë që e kisha radhën të thosha “aha”.
S’më kujtohej mirë vazhdimi i serenatës korçare. Ishte diçka me syçka dhe me premtimin e shkelur.
Kisha njëfarë mpirjeje kur e mbylla telefonin. Njëherë m’u duk se gjithçka mund të kishte qenë e thjeshtë dhe ishte mendja ime që po i ndërlikonte gjërat. Rrahësi e kishte bërë punën e vet, me dhunë apo pa, kjo ishte punë e tij. I trembur, kërcënuesi ishte tërhequr paq. Libri po shkonte në shtyp dhe kjo ishte kryesorja.
Po qetësimi ishte i shkurtër. S’ishte vetëm vazhdimi i këngës së dikurshme që, për dreq, më ishte kujtuar: Lotët e tu, o i pabesë, ku i çove…, por tani gjithë kjo histori po më ngjante e dyshimtë. Mendimi për t’i telefonuar rrahësit, shoqëruar me fjalën “idiot”, me të cilën e qortova veten, më erdhi si gjëja më e natyrshme në botë. Çelësi për ta shpjeguar ngjarjen lidhej me të, dhe duhej të isha një karafil i pandreqshëm po ta kërkoja gjetkë. Këtë po mendoja tek po i bija telefonit, gjersa ndërhyrja e centralit, se numri tani për tani ishte jashtë përdorimit, më shtangu si një lajm i keq.
IV
Pas mpirjes, dyshimi, i papenguar tashmë nga asnjë kufizim, po binte mbi të gjithë, pa kursyer askënd. Zhvendosej si mjegull, nga rrahësi te kërcënuesi, për të përfunduar atje ku ishte nisur: te qarësi. Mendoja se dikush prej të treve kishte qenë i pabesë, e aty për aty thosha me vete: përse njëri e jo dy prej tyre, për të mos thënë të tre.
E ndieja edhe vetë se kishte një mungesë logjike në këtë lëmsh.
Rrahësi i pabesë? Zhdukja e tij e ngucte natyrshëm dyshimin, por po aq natyrshëm më bënte të pyesja: përse? Ishte thjesht një rrahës. Dhe, veç kësaj, s’ishte ai që ma kishte kërkuar shërbimin, por unë vetë. Sa për heqjen dorë, nuk ishte vështirë të shpjegohej: frika e ndërlikimit në një punë të rrezikshme ose këshilla e dikujt, e një njeriu ose ndonjë zyre, që të mos përzihej në grindje shkrimtarësh.
Lidhur me kërcënuesin, sa më shumë dyshoja, aq më pa kuptim dyshimi më dukej. E para, nuk isha i sigurt për kërcënimin e tij. Gjithçka që dija, e dija prej qarësit. E dyta, kërcënimi, edhe pse ngjante i pështirë, s’mund të thuhej se ishte qind për qind ashtu. Madje me pak vullnet të mirë mund të merrej edhe si një përpjekje për shmangien e një të keqeje më të madhe. Në fund të fundit, shokut të tij po i drejtohej dhe jo shtetit.
Ndërsa dyshimi për të, ashtu si për rrahësin, kishte raste që zbehej, për të mos thënë fashitej krejtësisht, për qarësin nuk ndodhte asnjëherë kështu. Përherë e më tepër besoja se mund të mos kishte marrë kurrfarë paralajmërimi kërcënues, por gjithçka e kishte shpikur vetë. Kishte gjasë që një panik i çastit e kishte shtyrë të besonte që vepra ishte e dënueshme dhe nga turpi për atë dyshim kishte sajuar kërcënimin e tjetrit. Kjo ishte më e pakta e të këqijave. Më e shumta do të ishte që, i mposhtur prej panikut, ai vetë e kishte bërë ndërkaq denoncimin dhe tani kërkonte një alibi. Dënesa e tij e thekshme nuk dëshmonte veçse këtë. Në të vërtetë, ishte pikërisht kjo e fundit dhe sidomos qetësimi i gjërave më pas, që më shtynin drejt një prirjeje zbutëse. Në fund të fundit, kishte ndodhur ç’kishte ndodhur, gjithçka ishte kapërcyer dhe s’kisha pse të ngulmoja për zbërthimin e një të fshehte që, përpara se të lidhej me mua, ishte e tij.
Ajo më vinte ndër mend përherë e më rrallë, madje vetë pyetja se cili nga të tre më kishte tradhtuar, njëri, dy prej tyre, apo të tre bashkë, kishte raste që nuk më trazonte më shumë se kureshtja gjatë një filmi të orëve të vona të natës.
Pak kohë më pas, në stinën e parë të rënies së komunizmit, atëherë kur nuk pritej, qarësi i dikurshëm i mesnatës, doli haptas në shtyp kundër meje, ish-mikut dhe dëshmitarit të dënesës së tij.
Bashkë me befasimin, mendova se, ndonëse me vonesë, do të merrej vesh, më në fund, misteri i tij, që tani, sido që të ishte, do të ngjante i vockël, në krahasim me zezonat e mëdha. Me këtë shpresë, mendja më shkoi te kërcënuesi i dikurshëm, të cilin vetvetiu e përfytyroja si një kundërshtar të tij, gjersa, për një befasim edhe më të madh, mora vesh se jo vetëm nuk ishin kundërshtarë, por ishin së bashku të dy në njëfarë grupimi me ide të njëjta. Me ta ishte një shkrimtar i dënuar, por i vetëshpallur kohët e fundit si turk, si dhe një i katërt, më i rëndomtë se turku si shkrimtar, për rrjedhojë më smirëzi, të cilit, detraktorët e tij, me shpresën se mund ta poshtëronin më bindshëm, e thërrisnin me nofkën “Liliana”.
Ndër dy ndihmësit që iu silleshin rrotull, njëri nuk kishte nevojë për kurrfarë nofke, ngaqë mbiemrin e tij Laviro dashakeqësit e kishin lehtë ta kthenin në Lavirja, kurse tjetri, një arkitekt me sy të dëmtuar, herët a vonë do të dyshohej se verbimin e përdorte si kurth.
Grupi ishte në gjallëri të përhershme. Herë qarësi vihej në krye, e herë kërcënuesi, e kur krijohej përshtypja e lodhjes së tyre, shfaqeshin në çast turku, Liliana ose i verbri. Një valle e shëmtuar që s’resht.
*Pjesë nga libri (Gazeta Shqiptare)
Bandat ruse të Nju Jorkut
Kur gazetari Alexandre Grant ka nisur të mbulojë krimin 25 vjet më parë, gangsterët që janë arratisur nga Bashkimi Sovjetik dhe kanë bredhur në lagjet rusishtfolëse të Nju Jorkut, kanë kërcënuar imigrantët me zhvatje.
Kjo skenë është zhdukur në masë të madhe dhe Grant thotë se e tradhton nostalgjia për atë kohë të vrazhdë.
Në një karrierë prej afro tri dekadash, ai ka mbuluar rritjen dhe rënien e gangsterëve të Nju Jorkut nga ish-Bashkimi Sovjetik – një kastë kriminale që zakonisht fshihej nën emrin “mafia ruse”.
Si ish-korrespondent i gazetës së imigrantëve “Novoye Russkoye Slovo”, Grant ka përdorur vrasësit dhe mashtruesit e dënuar si burime dhe ka bërë intervista me personat më famëkeq të krimit, si shtetasi ukrainas, Semion Mogilevich, i listuar nga FBI-ja si njëri nga dhjetë personat më të kërkuar.
Grant thotë se mjetet kryesore të gangsterëve në atë kohë kanë qenë armët, që kanë përdorur për sekuestrime të ndyra, ndërsa në ditët e sotme, lloji kryesor i dhunës në komunitetet rusishtfolëse është dhuna në familje ose rrahjet e të dehurve.
Por, nuk është vetëm krimi ai që ka ndryshuar. Në vitet 1990, komuniteti imigrant ka qëndruar praktikisht indiferent ndaj përpjekjeve të autoriteteve të zbatimit të ligjit për të marrë dëshmitarë.
“Së pari dhe më kryesorja, ata kanë pasur frikë nga ndëshkimi fizik. Së dyti, ata janë frikësuar nga vetë bashkëpunimi. Sepse, bashkëpunimi me autoritetet në Bashkimin Sovjetik është konsideruar, nëse jo mëkat, si diçka e pahijshme. Imigrantët nuk e kanë ditur se bëhet fjalë për një sistem krejtësisht ndryshe të sundimit të ligjit. Por, tani situata është ndryshe”, thotë Grant.
Ai tregon se një pronar i një dyqani të bizhuterive i ka thënë se nëse një person shkon te ai dhe i kërkon para për ta mbrojtur, ai do ta thërriste policinë menjëherë.
I diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë në Universitetin Shtetëror të Moskës, Grant është miqëuar me gazetarë perëndimorë që punonin në Moskë, por këto lidhje kanë bërë që ai të përfundojë në burg.
Në mes të viteve 1960, Grant thotë se ka vizituar gazetarët që jetonin në një kompleks diplomatik në qendër të Moskës. Ai atje ka pasuar transkriptin e gjykimit të poetit sovjetik, Joseph Brodsky, te një reporter për një gazetë franceze.
Në atë që Grant e cilëson si “histori të çuditshme”, ai është arrestuar nga disa roje vullnetare të rrugëve, të njohur si “druzhiniki”, të cilët kanë thënë se Grant i ka ngjarë një hajduti që kërkonin. Pesëmbëdhjetë minuta më vonë, ai ka qenë në selinë e KGB-së famëkeqe, në sheshin Lyubyanka.
Grant është shpallur fajtor për përhapje të propagandës anti-sovjetike dhe për shkelje të ligjeve të monedhës, duke blerë sende me paratë që kishte siguruar nga diplomatët perëndimorë. Ai është dënuar me pesë vjet burgim.
Një vit e gjysmë pas lirimit, ai ka goditur dhe vrarë një këmbësor në Moskë. Për këtë vepër është dënuar me shtatë vjet heqje lirie.
Dymbëdhjetë vjetët në burgjet sovjetike, Grant thotë se kanë pasur ndikim në jetën e tij.
“E kosnideroj atë si një nga periudhat më pozitive të jetës sime, sepse në atë kohë unë jam pjekur, e kam kuptuar çfarë ëshë mirë dhe çfarë keq”, thotë Grant, tani 70 vjeç.
Koha e tij pas hekurave ka qenë e dobishme për karrierën e tij të ardhshme si gazetar i krimit. Ai thotë se ka marrë informacione nga shokët e burgut.
“Një gazetar që shkruan për këtë temë, ulet në gardh midis dy botëve. Është një akt i rrezikshëm balancues, sepse agjentët e FBI-së nga Departamenti rus më besonin, por edhe shkelësit e ligjit më besonin”, rrëfen Grant.
Ditët e errëta të mafias ruse mund të kenë kaluar, por Grant mbetet ende i zënë. Ai shkruan për disa publikime të imigrantëve, bën raporte ditore për radiot dhe udhëheq programe televizive për politikat amerikane.
Ai e viziton Moskën një ose dy herë në vit, por thotë se nuk ka dëshirë për t’u kthyer.
“Shpirtërisht ëshë një vend krejtësisht i huaj për mua. Jam amerikanizuar shumë”, thotë Grant.(Pergatiti:Valona Tela)
Blloku insiston: Nuk ka mosmarrëveshje
Liderët e partive të koalicionit paszgjedhor pasi kanë marrë vendim që të heqin dorë nga pretendimi për të pasur postin e kryetarit të Kuvendit, pritet që të premten të takohen dhe të dakordohen për hapat e mëtejmë të veprimeve.
Në partitë politike, Lidhjen Demokratike e Kosovës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje, thonë se koalicioni paszgjedhor është i qëndrueshëm dhe se nuk ka mosmarrëveshje.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se pas vendimit të fundit nga blloku për të hequr dorë nga posti i kryetarit të Kuvendit, bënë që partnerët e koalicionit të ulen për të gjetur zgjidhje dhe të vendoset se si të shkohet tutje.
“Për të bërë marrëveshjen të re, ose për të prishur të vjetrën e për ta bërë të renë, janë kompetentë liderët. I kanë autorizimet sigurisht të partive tona dhe do të bëjmë këtë. Ne ketë këmbëngulje, këtë qëndrim, këto parime, ketë vullnet e kemi për këta muaj të terë dhe ne sigurisht nuk do ta vejmë në pikëpyetje dhe ne jemi të bindur që do ta bëjmë marrëveshjen e re”, tha Beqiri.
Ai ka shprehur bindjen se koalicioni i shumicës do ta formojë qeverinë dhe se sipas tij, të gjithë atë të cilët mund të pretendojnë se do të ketë prishje të këtij koalicion, do të gabohen.
Ai duke përmendur Partinë Demokratike të Kosovës, tha se LDK-së nuk i duhet një koalicion me këtë parti politike.
“Asnjë arsye, asnjë nevojë, e as vullnet e gatishmëri nuk kemi që të bisedojmë me PDK-në për atë çka ata po kërkojnë”, tha Beqiri.
Beqiri përsëriti se tashmë LDK-ja, ka qëndrimin e saj se posti i kryeministrit i takon vetëm këtij subjekti.
Edhe në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se koalicioni paszgjedhor është funksional dhe nuk mund të flitet për diçka tjetër.
Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj tha për Radion Evropa e Lirë, se nuk ka asnjë problem që mund ta rrezikojë funksionalitetin e bllokut.
“Sigurisht që ka tema që janë duke u diskutuar, por të gjithë jemi dakorduar që asnjëra prej këtyre temave dhe temave të ardhshme që do të vijnë, të cilat mund të jenë tema që duhet të diskutohen, nuk e rrezikojnë funksionalitetin e shumicës parlamentare ose marrëveshjen ndërmjet tri subjekteve në njërën anë, dhe Vetëvendosjes në anën tjetër”, tha Molliqaj.
Beqiri tha se rruga për formimin e institucioneve është e hapur dhe se sipas tij, më nuk duhet të ketë pengesa.
Ai u shpreh se presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, duhet të veprojë duke ftuar PDK-në dhe kryesuesen e seancës zonjën Flora Borvina që të thërras deputetët për vazhdimin e seancës konstituive.
“Tash po shihet qartë se bllokuese për krijimin e institucioneve është PDK-ja dhe unë po e them se rrugëdalje tjetër nuk kanë veç ta thërrasin seancën”, u shpreh Beqiri.
Ky bllok, i përbërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe Lëvizja Vetëvendosje, së fundmi ishin pajtuar që të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke hequr dorë nga pretendimi për postin e kryetarit të Kuvendit.
Pretendimet e liderëve të koalicionit paszgjedhor që të marrin nën drejtim qeverinë e re, për kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës dhe kryeministrin në largim, Hashim Thaçi, janë një kthim në krizën që po zgjat tash e pesë muaj.
Ai ka bërë me dije se kriza dhe ngërçi politik nuk do të tejkalohen pa Partinë Demokratike të Kosovës, si fituese e zgjedhjeve.
Kryeministrin në largim, Hashim Thaçi, i ka ftuar partitë tjera të ulen dhe bisedojnë nën ndërmjetësimin e presidentes Atifete Jahjaga, deri në gjetjen e një zgjidhje kushtetuese.(A Konushevci)
- « Previous Page
- 1
- …
- 35
- 36
- 37
- 38
- 39
- …
- 69
- Next Page »