• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2015

Kur e pushtuan serbët “ Trepçën”

January 26, 2015 by dgreca

Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Gjiganti kosovar “ “Trepça” ishte eksportuesi më i madh në ish- Jugosllavi dhe në llogaritë e saj derdheshin mjete të mëdha devizore. Sado që prej tij mbetej pak, në Kosovë ai ishte, megjithatë, boshti qendror i zhvillimit të përgjithshëm dhe sidomos të atij ekonomik të Kosovës. “ Trepça” me 21 mijë e 500 punëtorë ngriti një sistem të tërë objektesh pune dhe studimi. Objektet më të rëndësishme të saj në Kosovë, pos minierave në Stantërg, Kishnicë, Hajvali dhe Novobërdë, kishte arritur të ngriste edhe këto objekte: fabrikën e baterive industriale në Pejë, , “ Metalikun” në Gjakovë, “ Famipën” në Prizren, fabrikën NI CD të baterive në Gjilan, fabrikën e akumulatorëve në Mitrovicë, fabrikën e municionit të gjuetisë në Skenderaj, fabrikën e llamarinës së zinkuar në Vushtrri, fabrkën e bojërave dhe llaqeve në Vushtrri, , fabrikën e paisjeve për procesin e prodhimit në Mitrovicë, shkritoren dhe rafinerinë në Zveçan, Metalurgjinë e plumbit dhe të zinkut në Mitrovicë. Po ashtu, Trepça ka pasur institutin e vetë për zhvillim, Qendrën elektronike, Organizatën për furnizim të materialeve dhe shitjen e mallrave, laboratorë modern, Qendrën mjekësore dhe sistemin e transportit. Po ashtu pasuria e saj shtrihej edhe në pjesët tjera federale të ish- Jugosllavisë, si në Mal të Zi, Vojvodinë, Bosnje Hercegovinë e më së shumti në Serbi.
Në kulmin e prodhimtarisë serbët pushtuan “ Trepçën”
Siç mësuam unë dhe kolegu im Ymer Avdiu nga bashkëbiseduesit tanë Azizi Abrashi, Nysret Magjera dhe Dr. Safet Merovcinë nëntor të vitit 1999, gjatë vitit 1988, do të thotë në vitin e fundit kur punuan shqiptarët, ky gjigant shënoi kulmin e prodhimtarisë më të suksesshme, rrugë kjo që u ndërpre nga pushtimi klasik serb. Atë vit në Trepçë u arritë që të prodhohen dy milion e 100 mijë tonë xehe, koncentrat zinku 80 mijë, koncentrat plumbi 120 mijë tonë dhe pirit 120 mijë tonë. Plumb të rafinuar u prodhuan 103 mijë tonë, argjend 126 mijë kilogram, ari 242 kilogram, legura të plumbit 30 mijë tonë, bizmut 115 mijë kilogram dhe acid sulfurik 30 mijë tonë.
Metarlugjia e zinkut kishte realizuar 49 mijë e 500 tonë zink elektrolit, 6 mijë tonë legura të zinkut dhe 2 mijë tonë zink oksid, tre mijë tonë zink pluhur,145 mijë tonë acid sulfurik dhe 180 mijë kilogram kadmium. Kështu ishte në të gjithë kolektivat tjerë punues të këtij gjiganti që ia kishin lakmi edhe shumë partner të jashtëm me të cilët kishte kontakte afariste dhe bashkëpunim tjetër me interes. U bënë përpjekje të shumta që edhe në kushte okupimi kjo shtyllë e rëndësishme disi të shpëtohet. Kësisoj, në kuadër të mbrojtjes së kësaj pasurie të madhe që rrezikohej të gllabërohej, punëtorët e “ Trepçës”, sipas dispozitave të atëhershme në fuqi, këtë gjigant asokohe e shndërruan në shoqëri aksionare. Mirëpo, as kjo e as grevat nuk bënë punë, Sepse Serbia mu për shkak të pasurisë e pushtoi ushtarakisht dhe me akte arbitrare e shpalli pronë të Serbisë. Shqiptarët i largoi nga puna dhe pasi vetë nuk mund të prodhonte filloi eksploatimin e vrazhdë dhe krijoj situata të mjegulluara duke i futur kompanitë multinacionale në lojë.
Gjatë kohës së pushtimit serb prodhimi ishte katastrofik
Në të gjitha ndërmarrjet e Trepçës, deri në pushtimin përfundimtar serb më 1989, prodhimtaria dhe kapacitetet e saj përpunuese ecnin me hapa të sigurt drejt një të ardhme më të mirë të banorëve të Kosovës. Me kapacitet disponuese deri në vitin 1989 bruto- produkti vjetor ishte rreth v250 milionë dollarë, ndërkaq eksporti në pesë vitet e fundit ishte 140 milionë dollarë. Çmimi i metaleve të ngjyrosura ka qenë drejtpërsëdrejti i varur nga Bursa, mirëpo për shkak se Trepça kishte arritur të ngrisë kapacitetet përpunuese kjo dukuri jo e favorshme ishte eliminuar në masë të dukshme. Deri në këtë vit është arritur, bie fjala, që të prodhohen mbi 2 milionë e 100 mijë tonë xehe. Mirëpo këtë tempo të afarizmit të suksesshëm nuk arriti ta mbaj udhëheqja serbe, sepse ajo dëboi me dhunë të gjithë punëtorët shqiptarë. Thënë me gjuhën e ekspertëve shfrytëzimi i minierave pa punëtorë shqiptarë nuk ishte i mindur në masë çfarë janë frikësuar të gjithë, por ai eksploatim ka qenë shumë i vrazhdë.
Për dhjetë vjet kapacitet në Trepçë janë shfrytëzuar10- 18 për qind dhe ky ishte prodhim më karastrofik në gjithë historinë e saj. Është punuar vetëm me koncentrate të importuara ngaqë minierat kosovare nuk kanë qenë në veprim, por atje janë shfrytëzuar vetëm shtyllat mbajtëse që shërbenin për sigurimin e horizonteve, duke e rrezikuar në këtë mënyrë tërë xeheroren nga një shëmbje e përgjithshme që do të kishte pasur probleme të mëdha në riaktivizimin e sërishëm të saj. Prodhimi i dhjetë vjetëve mund të krahasohet me një vit prodhimi kur punonin shqiptarët.
Aventura që dëmtonin edhe shëndetin e banorëve
Më tej mësuam se duke mos pasur mundësi që pa punëtorë shqiptarë të aktivizojnë ndërmarrjet e Trepçës, udhëheqja e dhunshme serbe e kontrolluar drejtpërsëdrejti nga regjimi në Beograd, u hyri disa aventurave që ishin jo vetëm në dëm të këtij gjiganti, por edhe të shëndetit të banorëve të Kosovës. Sipas Dr. Safet Merovcit, kjo udhëheqje fantome ka lejuar firmën greke Militeanosit që të përpunojë koncentrat në rafinerinë dhe shkritoren e Zveçanit, dyshohet, me sasi jashtëzakonisht të lartë të zhivës dhe arsenit. Pos në Trepçë askund tjetër në botë nuk kishte mundur të ndodhte një gjë e tillë për të rrezikuar në masë aq të madhe banorët e një vendi e më së shumti shqiptarët që përbënin 95 për qind të numrit të përgjithshëm. Dyshohet që koncentrati që është përpunuar në Zveçan është importuar nga Kolumbia, të cilin askush në botë nuk e përpunon për shkak të sasisë së madhe të zhivës dhe arsenit.
Shkatërrimet e objekteve të ndërmarrjeve të Trepçës pas luftës u dukën kudo. Serbia plaçkiti më të madhe makineritë dhe paisjet më moderne. Ndërkaq edhe ato që mbetën ashtu siç i la okupatori shumica prej tyre u shitën dhe fatkeqësisht asnjera prej tyre nuk e pati fatin që të vazhdoi me prodhimtari për çfarë ishte e ndërtuar dhe e planifikuar. Dhe tash shtrohet pyetja se si do të funksionoj gjiganti ynë pa ato objekte të domosdoshme përcjellëse për t’i sjell dobi dhe zhvillim më të hovshëm vendit tonë. Edhe pas 15 vjetësh të përfundimit të luftës gjendja e Trepçës mbeti pezull, ndoshta bukur shumë me fajin e faktorit ndërkombëtar, mirëpo edhe institucionet tona nuk ishin të vendosura për ta kthyer këtë gjigant në gjirin e saj dhe kështu përfundimisht të përfundoi kjo odisejadë e panevojshme që u zhvillua deri me tash. Është e kuptueshme se çdo nguti mund të sjellë pasoja të paparashikueshme, mirëpo, a nuk mjaftuan 15 vite që i gjithë materiali i nevojshëm të përgatitet dhe prona që i takon me të gjitha dispozitat ligjore edhe të atëhershme edhe të tashme të kthehet në qeverisje të plotë të institucioneve kosovare. Dialog nuk mund të këtë në asnjë mënyrë me Serbinë për pasuritë e saj, por duhet të këtë bisedime për të kthyer gjithë atë që ka plaçkit dhe që ka investuar Trepça në këtë shtet fqinjë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Kur e pushtuan, serbët “ Trepçën”, Xhavit Citaku

Dinastia Komneni

January 26, 2015 by dgreca

Një letër origjinale që dëshmon për Mbretërinë e Epirit/
Nga: Etnor Canaj/*
Aleks Komneni “Postumo”, i fundit i Komnenëve, djali legjitim i Aleks Komnenit të Arratisurit, që lindi në Durrës dhe u edukua prej Marin Barletit.
Aleks Komneni “Postumo”, i fundit i Komneneve, djali legjitim i Aleks Komnenit te Arratisurit, qe lindi ne Durres dhe u edukua prej Marin Barletit.
Sipas studiueseve, te cilet jane marre me Dinastine e Komneneve, kjo dinasti perfundon me Perandorin e fundit te Trebizondes dhe pikerisht me Davidin e Dyte Komneni, i cili ishte Perandori i fundit i Trebizondes prej vitit 1459 deri ne vitin 1461 (shih Ostrogorsky, W. Miller, Sfranze, Duka).
Por, kjo dinasti nuk perfundon kurresesi me Davidin e Dyte te Trebizondes, pasi, sipas eruditit italian L. Miniati, ne Durres ne vitin 1505 lind Aleks Komneni i Fundit (Postumo).
Perhere sipas Miniatit, ne vepren e tij gjeneaologjike per Dinastine e Komneneve, Aleksi i Fundit apo njohur ndryshe si djali legjitim i Aleks Komnenit “i Arratisuri”, duke sjelle informacione per brezin e katermbedhjete te Komneneve, nder te tjera shkruan (perkthimi shkeputur prej origjinalit ne vepren e Miniatit, f. 112):
Ngjitja ne fronin perandorak i Komneneve fillon me Aleksin e Pare, i cili nis shekullin e Komneneve. Ne vepren e abatit Lorenzo Miniati “Le glorie cadute dell’antichissima ed augustissima famiglia Comnena”, botuar ne vitin 1663, ekzistojne disa dokumente interesante te cilat kane te bejne me gjenealogjine e kesaj dinastie. Per pergatitjen e librit te tij, Lorenzo Miniati u referohet disa teksteve greke te marra nga nje njeri tjeter i kishes, G. M. Cariofilli, Kryepeshkop i Ikonos (shenjteruar 18 shtator 1622 – vdiq 23 maj 1633). Kontributi i ketij te fundit per punen e Miniatit eshte e tille qe ai e identifikon si mentorin e tij dhe udhezues (cit. prej Miniatit):
“Et al presente gl’istessi Annotamenti manoscritti, sono in potere di Monsignor Gio.Matteo Gariofilo Arcivescovo d’Iconio historico greco, ch’Io mi son preso per guida in questa mia fatica..”.
Pas perkthimit ne latinisht te teksteve, Lorenzo Miniati perpilon nje veper ne italisht te cilen e titullon “Le glorie cadute dell’antichissima ed augustissima famiglia Comnena”
-GJENERATA E KATERMBEDHJETE E ALEKSIT TE FUNDIT-
Aleks Komneni “Postumo”, femija mashkull i fundit i Aleksit te Arratisur, Princit te Trebizondes, lindi ne qytetin e Durresit ne Shqiperi ne daten 23 nentor te vitit 1505 dhe mbas tre muajve dhe disa diteve prej vdekjes se babait te tij, qendroi nen kujdesin e nenes se tij, grua virile dhe me nje kujdesi te rralle dhe meshire, e cila e edukoi prej Marin Barletit, mesues i shkelqyer dhe i rralle, si ne menyren e qyteteruar, ashtu edhe ne letersine humanistike; dhe prej disa kaloresve ne perdorimin e armeve, perpara te cileve ishte natyrisht shume i bindur.
U rrit dhe u be djalosh i mrekullueshem ne menyre te çuditshme, pasi ushtrimet e tij, te cilat i ushtronte perhere ne shoqerine e disa fisnikeve te rinj shqiptare ishin lufta, hedhja, vrapi, loja e armeve ne kembe dhe mbi kale, hedhja e hushtes, goditja me nje te qelluar te vetme qafen e nje demi, kalerimi i çdo kali te eger dhe zbutja e tij me zotesi, si dhe duke u marre me gjera te tilla, te tjera….
…Nderkohe vdes nena e tij, shume e thyer ne moshe, te cilen ai e nderonte me perkushtim dhe dashuri, virtyte te cilat nje femije i dashur ka karshi nenes se vet te shtrenjte; dhe e varrosi ne te quajturen Kisha e (Shen) Anunciates, aty ku ishte varrosur edhe babi i tij”.
Duke kerkuar te analizojme çka sjell Miniati ne vepren e tij per gjeneaologjine e Komneneve, perhere sipas autorit, Dinastia e Komneneve dhe pikerisht trungu i Trebizondeve vazhdon ne Shqiperi dhe pikerisht ne Durres. Sipas ketij dokumenti, Durresi del si nje qender e rendesishme per familjet fisnike shqiptare te kohes dhe mbi te gjitha ketu shfaqet edhe figura e Marin Barletit si nje mesues dhe kujdestar i pinjolleve te fisnikeve shqiptare
Nese do te konfirmonim diçka te tille, pra prania e Barletit ne Durres si figure erudite e cila merret me edukimin e Aleksit te Fundit, ne kete rast dalin ne pah dy figura te rendesishme te kohes: Barleti si mesimdhenes apo mesues i pinjolleve-princer, sikurse vazhdimesia e dinastise se Komneneve ne trojet shqiptare. Pra, dinastia pushon se ekzistuari ne Trebizonda, por vazhdon te rigjenerohet ne Durres te Shqiperise.
Aleksi varros prinderit e tij ne nje kishe ne Durres e cila quhej kisha e Anunciates. Pra, i fundit i Komneneve te Trabizondes eshtrat e prinderve te tij i nderoi ne toke shqiptare, ne Durresin e famshem i cili ishte kthyer ne nje qender te rendesishme per fisniket shqiptar, ku nuk mesohej vetem arti luftarak, por edhe dija.
Perhere sipas Miniatit, Aleksi i Fundit, braktis Durresin dhe me anije niset drejt Italise se bashku me fisnike te tjere shqiptar te familjeve princerore/feudale sikurse ishin ato te Dukagjineve, Spaneve, Engjelloreve dhe Muzakajve. Keto familje shperndahen neper territorin italian ndersa Aleks Komneni i Fundit strehoet fillimisht ne Puglia te Italise, pikerisht ne shtepine e Ferdinand Kastriotit, i cili mbante titullin Duka i Shen Pjetrit ne Galatine. Ketu Aleksi qendron disa muaj. Me tej kusheriri i tij, Kostandin Komneni, djali i Aranit Komnenit e therret qe te shkoj ta vizitoj ku ndodhej ky i fundit. Kostandin Komneni, djali i Aranit Komnenit, sipas Miniatit, jetonte ne nje keshtjelle ne Montefiore (rajoni Emiglia-Romagna, krahina e Rimini ne Itali). Martohet me 13 qershor te vitit 1529 me Ana Laskarin, vajzen e Kostandin Laskarit, pasardhes ky i fundit i Kostandinit te pare Laskari, i cili ishte kunati i Perandorit Manuel Komneni.
Nese do te vertetonim çka sjell Miniati apo, thene me mire, nese Miniati nuk gabon ne ato çka sjell, Aleks Komneni i Fundit, i cili lind ne vitin 1505, ne moshen 23-vjeçare largohet se bashku me familjet e tjera feudale prej Shqiperise. Pra, Durresi deri ne vitin 1528 ishte nje qender e rendesishme dhe diçka e tille ka nje llogjike pasi nen juridiksionin e Venedikut. Perhere sipas ketij dokumenti, ne se do e merrnim si te mireqene, familjet e tjera si ato te Spaneve, Dukagjineve, Muzakajve dhe Engjelloreve largohen po prej ketij viti, pra 1528. Kemi te bejme me nje vale te dyte largimesh? Sipas dokumentit mendoj se po. Pra, mbas vdekjes se Kastriotit largohen disa pjesetare te familjeve feudale, por jo te gjithe (mos te harrojme qe koncepti feudal mesjetar familjar i fisnikeve, jo domosdoshmerisht do te thote qe largohet figura qendrore si p.sh. Muzaka i vjeter dhe nuk ngelen Muzakaj te tjere). Por ketu lind nje pyetje e cila kerkon pergjigje. Perse ndodh kjo vale e dyte emigrimi i familjeve princerore feudale, kur Durresi ishte nen Venedikun? Mos ndoshta rritet presioni otoman kundrejt ketyre familjeve feudale, te cilat gjendeshin ende ne Shqiperi? Ne vitin 1528, kur Aleksi mberrin ne Itali, tashme aty gjendeshin Kastriotet si dhe Komnenet (kusheriri i tij, djali i Aranit Komnenit).
Perhere sipas Miniatit, Komnenet e Trebizondes, te cilet largohen prej zoterimeve te tyre (pikerisht prej Trebizondes), zoterimet e tyre te reja ne territoret arberore ndodhen perreth Durresit, liqenit te Bunes dhe pergjate lumit Drin. Diçka e tille ben te mendojme se keto zoterime iu bene te mundur kesaj familjeje prej Venedikut, pasi, edhe pse kjo familje ne linje gjaku kishte lidhje me Aranit Komnenin, zoterimet e dy familjeve nuk ishin ne territore te njejte apo te afert midis tyre.
Gjithashtu, Miniati sjell informacione te rendesishme lidhur familjes Komnena (linja e Aranit Komnenit ne kete rast) sikurse Dukagjineve. Duke u mbeshtetur ne vepren e tij dhe pikerisht ne faqen 44, do arrinim ne nje konkluzion disi te guximshem, pasi, sipas Miniatit Principatat e para te Arbrit kane zanafillen pikerisht qe ne shek. 12 m.Kr.
Dinastia e Komneneve (Komeneve/Golemeve), Dukagjineve dhe Principatat e para te Arberit.
Ne vitin 1663 Lorenzo Miniati shkruan nje veper interesante me titull “Le glorie cadute dell’antichissima, ed augustissima famiglia Comnena…”, veper e cila hedh drite mbi dinastine e familjes aristokrate-feudale te Komneneve. Autori duket qe eshte nje njohes i mire i kesaj dinastie, pasi na sjell fakte interesante lidhur rrenjeve apo gjenezes se kesaj dinastie te rendesishme e cila sundoi per disa shekuj ne territoret shqiptare.
Eshte per t’u permendur fakti se autori (Miniati), siç mund te shihet apo lexohet ne veper, eshte nje njohes i disa familjeve te tjera princerore-feudale qe zoteronin ne territoret shqiptare qe prej fillimeve te shekullit te 11 mbas eres sone e me tej. Duke shfletuar kete veper te rendesishme dhe pikerisht duke u ndalur ne faqen 44 te saj, ku autori sjel pikerisht brezin (gjeneraten) e trete te Dinastise se Komneneve, ndeshim ne disa te dhena apo informacione teje interesante te cilat duke i perkthyer prej italishtes mesjetare sjellim si me poshte: “Gjon Komneni Sebasto (Sebasto apo Sebastokrator ne periudhen Bizantine ishte nje titull zoterie, apo titull i cili jepej dikujt pasi supozohej se kishte lidhje me familjen perandorake apo nje perandor, shen. E. Canaj) djali (femija) i fundit i Andronik (Komnenit, shen. E. Canaj) Sebastokratorit, ishte Princ guximtar i Zotit, i mire, bamires kundrejt te varferve, i zbukuruar me doktrina te ndryshme (i ditur, shen. E. Canaj), dhe gjithe virtytet e tjera morale; ku per keto cilesi te mira Perandor Manueli vella kusheriri i tij e respektonte teje mase, i cili e nderoi me titullin Sebasto, titull i pare i Perandorise. Niset prej Kostandinopojes ne shoqerine e Kostandin Dukes, kunatit te tij ne vitin 1150 dhe shkoi se bashku me te ne Mbreterine e Epirit, e cila ndahet ne Maqedoni, & Shqiperi, ku u priten qe te dy prej ketyre Popujve me nderime te medha, dhe kjo per fisnikerine e veçante te tyre, & per me teper per sjelljet e tyre te qyteteruara dhe te hijshme. Ku Gjoni dha fillesat e Principates se tij te Maqedonise, dhe Kostandini asaj se Shqiperise. Per respekt te natyres se kesaj Mbreterie, dhe te gjuhes se veçante, e cila eshte shume e ndryshme prej gjuhes Greke, ndryshuan Vendasit mbiemrat e tyre, sipas perdorimit te (gjuhes) Vendit, e cila kjo gje i dha shkak nje eruditi Shkrimtar te thoshte: Quapropter posteri Comneni, in Golemarum, & Cominorum mutato, & Ducarum in Duchaigni, nobiliori cognomento vocari voluere.Perkthim: Per kete arsye me mbas Komneni, ne Golemi, & Komeni ndryshuan; & Duka ne Dukagjini, mbiemer fisniku u kerkua te quhej (Perkthim prej lat. E. Canaj)….
Pra ne se do analizonim keto te dhena interesante, sipas Miniatit, Epiri ne fillimet e shek. 12 mbas eres sone (pra viti 1150) quhej Mbreteri e Epirit dhe ndahej ne dy pjese, Maqedonia dhe Shqiperia. Pikerisht ne pjesen e Maqedonise krijohet Principata e Maqedonise prej Gjon Komenit (Komnenit) dhe ne pjesen tjeter te Epirit, Principata e Shqiperise me ne krye Kostandin Duken, kunatin e Komenit. Duhet theksuar fakti qe ne vitin per te cilin shkruan autori, pra 1150 kur krijohen keto dy principata, popullsite e ketyre dy principatave flasin nje gjuhe krejt te ndryshme prej greqishtes. Pra kemi nje konfirmim qe vendasit apo banoret ishin me origjine shqiptare dhe flisnin nje gjuhe krejt te veçante, pra nje gjuhe te tyre dhe per respekt te ketyre popujve dy princat pranuan qe te shnderroheshin mbiemrat e tyre ne formen e gjuhes qe flitej prej ketyre popujve, pra ne shqip, ku i pari mbiemer prej Komneni shnderrohet ne Komeni sikurse Golemi dhe i dyti prej Duka ne Dukagjini. Nese ky dokument do te ishte autentik, atehere nuk do te kishim arsye te mos besonim qe principatat e para shqiptare lindin qe ne fillim te shekullit te 12 mbas eres sone. Fatkeqesisht, Miniati nuk na jep informacione lidhur me eruditin shkrimtar, te cilin ai e permend ne keta rreshta: “Per respekt te natyres se kesaj Mbreterie dhe te gjuhes se veçante, e cila eshte shume e ndryshme prej gjuhes greke, ndryshuan vendasit mbiemrat e tyre, sipas perdorimit te (gjuhes) vendit, e cila kjo gje i dha shkak nje eruditi shkrimtar te thoshte: Quapropter posteri Comneni, in Golemarum, & Cominorum mutato, & Ducarum in Duchaigni, nobiliori cognomento vocari voluere. Perkthim: Per kete arsye me mbas Komneni, ne Golemi, & Komeni ndryshuan; & Duka ne Dukagjini, mbiemer fisniku u kerkua te quhej”. Pra, nese do te provohej ky dokument, mund te hidhnim dhe mbronim tezen ku kemi te bejme me shtete te para feudale shqiptare, por sigurisht perbrenda Perandorise Bizantine. Pritja me teje deshire e shqiptareve kundrejt ketyre dy princave mund te justifikohet me faktin se tashme shqiptaret ishin nen trysnine jo vetem te bullgareve prej Lindjes, por edhe te sllaveve prej Veriut.(E dergoi per Diellin Gezim Bocari)

Filed Under: Histori Tagged With: Dinastia Komneni, Etnor Canaj

LISAT E KULLAVE TË BARDHA, JANË TË PAVDEKSHËM !

January 26, 2015 by dgreca

KULLA E MARKAGJONËVE NË SHKODER/
Nga Fritz RADOVANI/
Mirditë, mos mbaj zi per Kapidanin Tand Kreshnik Dedë Gjomarkagjoni!
Kullat Tua vazhdojnë me kenë të bardha si biluri!
Lisat pranë Atyne Kullave rriten, rriten e nuk ka çka u ban as stuhija, as rrebeshi, as rrufeja dhe, as “drapen e çekani apo pushka e kazma” barbare e komunizmit!
Ata Kulla nuk i skuqi as nuk mujt me i nxi as zjarri zharitës i tradhëtarëve t’ Atdheut!
Edhe pse e mbetun pa asnjë njeri të Atij Fisi, qendronte madhështore e krenare!
E vetmja shpresë e njëdite “ma të mirë” ishin dallëndyshët që hynin e dilnin nga dritaret pa xhama e korniza druni, të mbetuna në mëshiren e murrlanit e shirokut të Shkodres…
Asnjë shenjë jete tek ajo kullë per vite të tana… Përveç emnit, Kulla e Markagjonëve!
Historia e vërtetë e Kullave të Malësorëve të Veriut asht një volum në vete, sëpse, edhe lufta per rrafshimin e Tyne kje një program në vete. Gjithshka e parashikueme me një saktësi dhe pashpirtësi barbarësh, ku “shqiptari” kundër Shqiptarit u ba si bisha.
Edhe shumë vite kanë me kalue pa e besue njerëzit historinë e vërtetë të Atyne Kullave.
Ua vranë burrat e djelmët e Atyne Kullave…Ua interrnuen Nanat plaka e nuset e reja me fëmijë nder djepa…Ua plaçkitën gjanë e mallin e bagëtinë…Dhe, ua vune zjarrin derisa edhe muret e tyne u kthyen në grumbuj gurësh… Një vend vërtetë i shkretnuem…
Shqipnia e Veriut mbas vitit 1944 u kthye në një germadhë e çerdhe varfnije…ujqish.
Kjo ngjau në Mirditë, ku qendresa antikomuniste kje ma e gjata, po kjo flakë zharitëse kishte shkretnue që në ditët e para ku shkeli kamba e “çlirimtarëve” sllavoshovenistë, me yllin e kuq në ballë, nën masken shfarosëse komuniste që përsa shekuj e kishte andrrue këte 29 nandor të zi të vitit 1944, fillue nga Maja e Vermoshit e deri ku kishte Shqiptarë nder viset e Tepelenës e poshtë në Çamëri, ku pushka zevendsonte jestekun…
E Shqiptarët ishin po, në Kelmendin e Prekë Calit, Dedë Cokut t’ Bregut Matës… Pukës së Mirakajve, Hotnjanëve të Gjelosh Lulit, Shkrelasve dhe Shllakasve ku kriste pushka e Gjergj Vatës e deri nder shpellat e Dukagjinit ku flinin Trimat e Lekës… Bash aty ku ishte Zef Kolë Prela që me një kunjë shkrepse të ngjymë me gjak të vet, i tregoi Nanës se po vritej i pafaj vetem, se donte me zemer Atdheun…Pak ma pertej ishte edhe Muharrem Bajraktari, që plumbi nuk e kapte se ishte betue me vdekë për Atdhe të Lirë!
U vranë dy vllaznit Mark e Llesh Gjon Markagjoni… Po Shqipja e Atyne Bjeshkëve nuk e derdhi “pasha një pikë lot”! E Nana me vajzat e veta të internueme u mbluene në zi… Mirdita u dogj e zjarri i saj mori dheun mbarë. Motrat humbën vllaznit… E i vetmi vlla i mbetun në prangat e kriminelëve komunistë Deda i Gjonit Markagjonit, kalbej burgjesh.
Heu ju Bjeshkët e Nêmuna shumë gjakun keni pa e, shumë pushken keni dëgjue…
Edhe Tokës sate i vjen edhe sot era rub… Nuk mbet një lis pa plumba në trup të vet…
E pse?! – Vetem se hasmi shekullor donte shkimjen e Atyne Kullave të bardha si vetë kësulat e veshuna per majet e Atyne Bjeshkëve Heroike e të Pathyeshme.
Fort po shndritë ai diell, e pak po nxenë…Fillonte dikur një vjerrshë…
Dedë Gjon Markagjoni asht një prej Herojve të burgjeve shfarosëse komuniste ndoshta, pak i persëritun në krejtë Lindjen komuniste… 46 vjetë tortura, burg e interrnime.
Edhe Dedë Gjon Markagjoni (1921 – 2015) që në vitin 1944 pra, 23 vjeç, filloi Kalvarin e pafund bashkë me të gjithë familjen e vet, që masakrat nuk ju ndanë asnjëherë…
E pse?! – Ishte dhe mbylli jeten i martirizuem per Kryqin, me etiketen “antikomunist” !
Kje dënue në 1944 me 5 vjetë burg…U mbajt 3 vjetë në tortura në sigurimin e shtetit, dhe mbas izolimit u dënue 7 vjetë… u interrnue .. u dënue…u dënue…u interrnue… Vetem për një shkak: “Nuk pranoi me u ba agjent i sigurimit të shtetit gjithë jeten e Tij!”
Nga viti 1944 Deda u arrestue dhe u dënue katër herë, bani rreth 4 vite hetuesi, vuejti mbi 16 vite burg dhe 31 vjetë të tjera, ishte i interrnuem në kampe shfarosje…
E deri kur nder pranga e tortura? Deri në vitin 1990… Në moshen 67 vjeçare lirohet dhe vjen në vitin 1991 në Kullen Markagjonëve në Shkoder…Me motrat e veta të Nderueme dhe nipin e vet të dashtun Gjonin e Markut Markagjonëve, të cilin shpejtë Zoti, e mori në Mbretninë e vet… Një plagë e pasherueshme kurrma e Fisit Markagjonëve…
Në vitin 1991 u njoha me Dedë Gjomarkun… I papersëritshëm ai takim në dhomen e Tij të pritjes, krejt e boshatisun e vetem me dy karriga…Ku, Motrat e Tij e rikthenin atë dhomë me pritjen e perzemert të Tyne, në një Salon Princor të Mirditës Heroike!
E pyeta rreth Golgotës së Tij se, shka të ka mbetë në mendje nga 46 vjetë tmerri?
Bani buzën në gaz, më shikoi dhe filloi një nga episodet e hetuesisë së dënimit të fundit:
“Më torturoj një hetues keqas, më gjakosi aqsa kaloi gjaku nen thesin që më kishte lidhë në fyt, gjoja mos me njollosë rrobat… Kur fillova me ardhë në vete mbas sa kohe s’ e dij, vetem, e shikova drejtë e në sy… Ai më tha: Pse, po më shikon mor qen e bir qeni?…
Vazhdova me e veshtrue pa mu tutë syni drejtë e në fëtyrë… He, mor qen, më tha, a po mendon se çfarë do më kishe bërë po të vij koha yte, or reaksionar i qelbur… Edhe po të vij koha yte or qen, ligjët tua nuk të lejojnë kurrë për të bërë ate që bëjmë neve me ligjët tona! Pikërisht këtu, qendron forca e diktaturës së proletariatit!.. A more vesh tani?!
Shiko, i thashë: Unë jam Shqiptar, po jam edhe Katolik. As nuk më shkon mendja kurrë me masakrue një vlla të timin Shqiptar, ashtusi veproni ju me ne. Ndersa, si besimtar në
Zotin dhe trashigimtarë i Prindëve të mij të Nderuem në mbarë Mirditen, as nuk dij shka domethanë me vra, me masakrue, me vjedhë, me torturue dhe me gjakosë Njeri, kjoftë edhe fajtorë, se për të pafajshëm asnjëherë në jeten teme! E këte mësim e kam marrë njëherit me qumështin e gjiut Nanës seme, që sot nuk i dij as Varrin… Prindët tanë na mësuen me dashtë Shqipninë e Shqiptarët pa dallim Feje, se jeni vllaznit tonë!
Unë do të vdes pa e njollosë emnin e Prindëve të mij, do të vdes pa pranue kurrë me ju sherbye ju, se per këte kanë dhanë jeten e vet Vllaznit e kushrinjtë e mij, per këte po vuejnë Motrat e mija e gjithë Shqipnia, dhe se kjo, asht edhe Ndera e fisit tim!”
Kur u ndame heren e fundit në vitin 2000… Ju mbushën sytë me lot…
E mue, fjala mu pre…
Lisat e Atyne Kullave të Bardha janë Herojë të Pavdekshem të Popullit Shqiptar!

Melbourne, 25 Janar 2015.

Filed Under: ESSE Tagged With: Fritz radovani, Kullat e Bardha

“BARONESHA SHENTEBEN” – NJË ROMAN I DETAJEVE TË PATHËNA

January 26, 2015 by dgreca

Shkruan:Pirro Dollani/ Las Vegas/
Nga gjërat e bukura që mora me vete kur u ktheva nga Shqipëria ishte edhe një çantë plot me libra. Një pjesë të tyre i kam lexuar, pjesa tjetër pret radhën.Natyrisht, librin e Kadaresë “Mëngjeset në Kafe Rostand” e lexova pa mbërritur avioni në Las Vegas.Por libri që më befasoi, që më futi në mendime e më bëri t’i kthehem përsëri është romani i funditi shkrimtarit Viktor Canosinaj, “Baronesha Shenteben”.
Nga faqet e para, ku Vilma, baronesha, zgjohet nga klithmat e një orgazme që i shpërthen në një ëndërr dashurie me një shqiptar, mikun e të shoqit,dhe deri në faqen e fundit ku shërbyesja njofton se te dera “është një shqiptar”, lexuesi kalon nëpër një “rroller koster” emocionesh e befasish saqë e ka të pamundur ta largojë nga dora pa arritur faqen e fundit.
Ngjarjet në roman zhvillohen në fillimet e shekullit XX. Autori ka arritur ta japë mjeshtërisht atmosferën e kohës, një atmosferë marrinash, vrasjesh, grindjesh, apo siç thotë njëri nga personazhet: “Shqiptarët nuk rrinë dot pa shpalosur fodullëkun dhe marrëzitë e tyre”, atmosferën ku tragjedia “Medea”, pasi luhet në një skenë primitive me Vilmën në rolin kryesor, ndodh liveshekuj e shekuj pas vënies së saj të parë në skenë me një grua shqiptare.
Por romanin e bën edhe më interesantfakti që ajo atmosferë e fillimshekullit XX shërben edhe si një lloj alegorie për realitetine kohës postkomuniste, ku politikanët grinden për mustaqet e Çelos, apo siçndodh edhe në roman gjatë një dasme ku plas sherri. Përse? Sepse një palë mbrojnë tezën se laraska ka më shumë pendë të bardha, ndërsa pala tjetër mbrojnë të kundërtën.Dhe e gjitha kjo ndodh gjatë dasmës. Ndërmjet Vilmës dhe Gretës, dy të huaja që ndodhen aty, zhvillohet ky dialog:
– Pse sillen si fëmijë kur i kanë mustaqet një pëllëmbë?
– Sepse janë ende në fëmijëri të njerëzimit, – tha Greta.
Një nga meritat e kësaj vepre është se autori, me shumë art e guxim, lëvron një temë që deri tani, realisht tani,ka qenë tabu në letërsinë shqipe.Me romanin “Baronesha Shenteben” për herë të parë ndeshim në letërsinë shqipe personazhe homoseksualë, që nuk paraqiten si karikatura të shëmtuara aposi figura të gjymtuara, por përkundrazi, janë dhënë me shumë objektivitet.Historia e këtyre karaktereve shërben edhe si një kontrapunt për të krijuar kontrast me realitetin shqiptar të atyre viteve. Autori, si një eksplorator që shkel për herë të parë në këtë “tokë”, ka bërë kujdes që karakteret homoseksualë të jenë thuajse të huaj. Kanë qenë të zakonshme largimet nga vendet e tyre të njerëzve me prirje seksuale ndryshe.Rast shumë i njohur është ai i autorëve të mëdhenj amerikanë Allen Ginsberg, Jack Kerouac, Paul Bowles etj., që në vitet 1950 shkonin të jetonin në Marok, apo autorë të tjerë që vendoseshin në Paris për t’u shpëtuar ligjeve amerikane të kohës.Si shumë të huaj që nën petkun e misionarit, studiuesit, bamirësit etj., vendoseshin në vende të tjera, ashtu edhe heroi kryesor i romanit, baroni Shenteben,ka ardhurnë Shqipëri. Kuptohet lehtësisht se autori është ngacmuar në realizimin e kësaj figure nga disa motive të jetës së albanologut të njohur austro-hungarez, baronit Franc Nopça, një figurë tepër interesante dhe e veçantë për kohën kur jetoi.Ndoshtamund të jetë edhe figura e lordit Bajron,arsyeja e vërtetë e largimit të të cilit nga Anglia ishteorientimi i tij seksual tepër ekstravagant për kohën.Dhe po ashtu si Bajroni qëndihmoi lëvizjen çlirimtare greke për të fituar pavarësinë, ashtu edhe baroni Shenteben i furnizon shqiptarët me armë.
Pavarësisht sesi paraqitet baroni Shenteben në vepër, nuk është e vështirë të përcaktosh se cila është arsyejae vërtetë e ardhjes së tij në Shqipëri,po të kihet parasysh sesi përfundon në fund të romanit.Ai shkruan në revista për botën shqiptare, merret me trafik armësh e shpeshherë largohet nga qytetit në mënyrë misterioze.Ndryshe nashfaqetGreta, gruaja e konsullit perandorak.Nëse baroni Shenteben është më i rezervuar, Greta është më e hapur dhe nuk lë rast pa shprehur pikëpamjet e saj homoseksuale. Autori ka meritë në skalitjen e figurës së saj. Është një personazh gjithë mish e gjak e me një shpirt polemizues që të bën të mendosh.
Por këto karaktere nuk i manifestojnë veprimet e tyre hapur.Natyrisht, jo.Pasingjarjet në roman nuk e kalojnë cakun kohor të dekadës së pare të shekullit XX.Prandaj autori është mjaft i kursyer në rrëfim.Ai e shikon homoseksualitetin si një fat njerëzor dhe jo si prirje seksuale. Pikërisht këtu qëndron vlera parësore e veprës.
Në një tekst të tillë, lexuesi është po aq i rëndësishëm sa edhe vetë autori. Ai duhet të “plotësojë” e të interpretojë tekstin për të nxjerrë në dritë atë pjesë të padukshme të “ajzbergut” që autori nuk e zbulon. Le të marrim një fragment për ilustrim: Vilma bashkëbisedon me të ëmën, e cila është e shqetësuar se, edhe pas disa muajsh martesë, e bija s’ka mbetur ende shtatzënë.

Do të kalonin muaj dhe, një ditë, ndërsa Vilma po pinte çaj me të ëmën në dhomën e ndenjies dhe sytë ia kishte ngulur një fotografie të të shoqit me mikun shqiptar,ajo do ta pyeste jo pa habi:
– Bija ime, çfarë shikon ashtu e mekur në atë fotografi?
– Tim shoq, – i ishte përgjigjur ajo kokulur.
– Ky është miku shqiptar i Rudit?
– Njëri nga miqtë. Dy shqiptarë i ka bërë vëllezër. Ka pirë gjak me ta.
– Ashtu?! Zakon ivjetër. . . Racë e egër, por e bukur. . .I martuar është miku i Rudit?
– Jo, mama, është ende iri, vetëm 25 vjeç.
– Oh, raca e tyre martohet që 16 vjeç.
Kupa e çajit të nënës kishte tringëllirë mbi pjatën e porcelantë…

Siç shihet nga ky dialog, që nga ky çast shqetësimi i nënës për shtatzëninë e Vilmës do të dalë në plan të dytë. Shkrimtari na e jep shumë bukur këtë gjendje emocionale të nënës, por hesht për të shpjeguar arsyen. Pikërisht këtëpjesë të padukshme të “ajsbergut” ua lë lexuesve ta zbulojnë. Dhe me këtë “formulë”, me këtë “technique of absence – teknika e mungesës”, siç e quajnë studiuesit, autori procedon gjatë tërë romanit.
Një vlerë tjetër e romanit është se autori nuk i “përflet” veprimet e karaktereve.Ata shpalosen para syve të lexuesve me lëvizjet e veprimet e tyre si të jetë hapur sipari i një skene.Pikërisht, ky procedim e ka bërë më dinamik e më të zhdërvjellët rrëfimin.
Edhe pasi lexuesitdo të kthejnë faqen e fundit, atyre do t’u mbeten shumë pikëpyetjeje dhe historiqë autori qëllimisht i ka lënë të hapura, si: Çfarë e lidhte zonjën Horti me zonjën Shentenben? Ç’marrëdhënie ka Greta me shërbyesen shqiptare?Ç’ndodhi në të vërtetë me shqiptarin, mikun e Rudit? Etj. etj. Ndoshta tërë këto “të pathëna” autori do t’i shtjellojë në një vëllim të dytë. Këtë mendim e përforcon edhe më shumë fraza mbyllëse e romanit që do të nxisë më shumë fantazinë e lexuesit.
“Te dera ndodhet një zotëri. Thotë se është shqiptar.”
Vërtet, cili është ky shqiptar? – do të pyesë lexuesi kur të mbyllë faqen e fundit.

Las Vegas, Janar 2015
* Falenderojme Prof Pirro Dollanin, qe e dergoi per lexuesit e Diellit

Filed Under: ESSE Tagged With: - NJË ROMAN I, “BARONESHA SHENTEBEN”, DETAJEVE TË PATHËNA, Pirro Dollani

TRETJA E SHQIPËRISË

January 25, 2015 by dgreca

NGA ISMAIL KADARE*/
Zoti ministër, desha t’ju bëj një pyetje fare të thjeshtë, dhe po aq pa të keq:sa banorë ka Shqipëria?
Pyetja i drejtohet një ministri të Brendhshëm të Shqipërisë, gjatë një darke te fqinjët e mi, në Mal të Robit.
Pres që ministri të ngryset, por ai e mban veten. Turp më vjen që ta them, por vetëm para dy muajësh e kam marrë vesh shifrën e vërtetë. Pesë milionë!
Biseda është bërë para tri vitesh.
Kam kujtuar se, më në fund qenka ndrequr një nga keqkuptimet më dramatike të Shqipërisë: Çështja e numrit të banorëve të saj.!
Shpresa ka qenë e kotë. Pas dy-tre muajësh që Shqipëria u bë më në fund pesëmilionëshe, e keqja u rikthye me ngulm. Jo pesë, por tre.Ashtu si më parë. Ashtu si tri vite! Si trembëdhjetë! Si tridhjetë vite më parë.!
Është përmendur disa herë mendimi, më saktë habia e Jakob Fallmerayer më 1860, se popullsia e turqëve osmanë në fillimet e perandorisë së tyre, në vitet 1300, ishte afërsisht sa ajo shqiptare, një milionë! Kurse sot, vazhdon Fallmeryer, më 1860, shqiptarët kanë mbetur po aq, një milionë, në kohën që turqit osmanë kanë arritur 16 milionë!
Shifrat do të ndiqeshin me një shpërfillje të çuditshme midis vetë shqiptarëve! Gjithfarë avokatësh do të dilnin për të përligjur orën e mbetur të popullsisë, thënë ndryshe të tretjes së Shqipërisë. Një million, në disa qindra vite?! Vërtet pak e çuditshme, por sidoqoftë e shpjegueshme. Dhe sytë e ekspertëve, e pas tyre ata të qeveritarëve, ministrave, kryeministrave, presidentëve, ngrijnë me atë ngrirjen e veçantë të pagdhendjes.
Një dëshirë e habitshme që të jetë ashtu.
Shifra një million nuk i ndahet Shqipërisë, gjatë disa shekujve.(Anglia, ndërkaq, për të sjellë veç një shembull, nga tre-katër milionë, arrin në 40-50 milionë). Shqipëria, si në një kurth fatal, s’lëviz. Në vitet ’20, është po aq, një million! Në vitet ’50, ’60, po aq, një million. Të gjithë ngulnin këmbë për të.Nga Enver Hoxha, te Stalini, te Çubrilloviqi. Pse? Asnjë shpjegim!ç
Një ditë kur mashtrimi ka rrezik të shpërthejë haptas , ndodh një kapërcim i befasishëm: nga një milion, Shqipëria shkon tre milionë. Asnjë shpjegim përse është fshehur shifra kaq kohë! Përse është ngulmuar! Ç’grup armiqësor ka qenë në themel të mashtrimit! Ç’prirje revizioniste! Ç’agjenturë e huaj! Ç’puç!
Asgjë. Shifra tremilionëshe për gati 30 ose 40 vite sundon në Shqipëri.Kundër çdo logjike.Nën vështrimin guhak të zyrtarëve, dijetarëve, ministrave.Në komunizëm. Në paskomunizëm. Gjer tek dreka e fqinjit të Malit të Robit. Gjer te skandali i dy viteve më parë, kur popullsia e Shqipërisë u shpall aq sa numri i zgjedhësve: dy milionë e tetëqind mijë!Dhe asnjë habi nga askush!
Shqipëria vazhdon të tretet në sytë e të gjithëve.
*Marrë nga libri më i fundit I shkrimtarit Ismail KADARE ”Mëngjeset në kafe Rostand”-Motivet e Parisit-Onufri 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: Ismail Kadaree, Mengjeset ne Kafe Rostand, motive te Parisit, TRETJA E SHQIPËRISË

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 68
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT