• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2015

1945 – 2015- 70 VJET SHQIPTARËT NËN “PERKRENARE” BETONI

January 16, 2015 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/
17 Janar …/
■Plot 70 vjetë që u dhunue Atdheu dhe Flamuri i Gjergj Kastriotit…
Një za ushtoi pranë kompanjelit ku partizanët vune Flamurin e Shqipnisë me yllin e kuq.
Ishte… At Gjergj Fishta…
ÇOHI, TË VDEKUN !
Shqiptarë, a ndiet ? Evropa, mrrutë e ndytë,
Shkerdhye me Evrej t’ Parisit e t’ Londonit,
(Se cilës dreqi ia plasi të dy sytë
E marren ma s’ e sheh, njitash n’ e s’ vonit)
E bani gjyq, qi t’ nipat e Kastriotit
Shkjeve t’ Balkanit urë t’u rrijnë mbas sotit.
Po; per Shqiptarë pleqnue e ka Evropa,
Qi shi njatyne urë t’u rrijnë perdhé,
Të cilët Kishat rrënue ua kanë me topa
E n’ djep foshnjet e njoma ua kàn pré:
Qi t’ ndertat vasha u kanë koritë përdhuni
E rrugash bamë i kanë me vdekë ûni.
E mbas sotit Shqiptarët n’ gjuhë t’ huej do t’ flasin;
E gjakësve t’ vet do t’ bajnë këta t’u ngjatët jeta?
Hajnat lapera zotni do t’ thërrasin,
E t’ pa rodit do t’ i apin pagë e t’ dheta;
Me armë shqiptare, n’ za gjithmonë e n’ namë,
Sogje Shqiptari shkjaut do t’ rrijë sot n’ kambë.
Ah vaj! Ah kob! A ka ma zi n’ ketë jetë?
A ka si i bahet kujt ma tepër dhúnë?…
Ehu! Shka do t’ bajnë, thue, tash Shqiptarët e shkretë:
Ata, qi m’ vedi pasë e kanë kanunë:
Ata, qi n’ dej kanë gjak të Skenderbeut:
Qi shekulli mbajtë i ka per burra t’ dheut? –

***
Urra! Po, djelm! Shqiptar kushdo ka lé,
N’ mos mujtë Shqiptar me mbetë, Shqiptar t’ hijë n’ dhé!
E n’ kjoftë se lypet prej s’ hyjnueshmes Mëni,
Qi flijë t’ bahet ndo ‘i Shqiptar m’ therore,
Qé, mue tek m’ keni, merrni e m’ bani fli
Per Shqiptari, me shue çdo mëni mizore. –
Oh! Edhe pa mue Shqipnia kjoftë e rrnoftë
E nami i sajë per jetë u trashigoftë!
Po: Rrnoftë Shqipnia! E porsi krypa n’ Dri
E porsi krandja e thatë n’ nji flakadâ,
U shoftë me arë, me farë me mal me vërri
Kushdo Shqiptar, qi s’ brohoritë me zâ,
Kushdo Shqiptar, qi s’ brohoritë me uzdajë
Oh! Rrnoftë Shqipnia! Rrnoftë Flamuri i Saj!
(Marrë nga Lirikat: “Surgite mortui!”)
***
■Nëse në vitin 1913 kishte mbetë një “copë” Shqipni, po i themi…
Në vitin 1945, Aleatët e robnojnë Shqipninë e Gjergj Kastriotit, nën zgjedhen e eger të shovenistëve sllavokomunistë të Titos… Qeveria kukull e Tiranës, i dorzohet një tirani sa anadollak aq tradhëtar dhe i pabesë, që për kolltuk të vet vret e therë edhe kunatin…
At Gjergj Fishta vertetë se u “perjashtue” nga shkollat Shqiptare… Pse, vepra e Tij asht e papersëritëshme dhe e panjohun nga brezat pasuese… Ai parandjente:
Qé, mue tek m’ keni, merrni e m’ bani fli
Per Shqiptari, me shue çdo mëni mizore. –
– Po, a u shue deri sot ajo mëni mizore? – Urrejtja ndaj Tij…nuk shuhet!
Lè të flasin zani i vertetë i Historisë së Pergjakëshme 47 vjeçare të Popullit Shqiptar…
Lè të flasin varrezat nën “Perkrenaren” e betonit…
Ata, qi n’ dej kanë gjak të Skanderbeut:
Qi shekulli mbajtë i ka per burra t’ dheut? –
E nuk janë aq pak sa kujtojnë… Po, janë mbi 50.000 viktima të kësaj robnije 47 vjeçare…
Melbourne, Janar 2015.

Filed Under: ESSE Tagged With: 1945 – 2015- 70 VJET, Fritz radovani, NËN “PERKRENARE” BETONI, shqiptaret

Në kërkim të eshtrave të të rënëve për liri dhe demokraci

January 16, 2015 by dgreca

Nga Reshat Kripa/
Ishte dhjetori i vitit 1991. Në një nga këto ditë më ndaloi në rrugë Shpëtimi, një shoku im.
– Kemi një kërkesë nga shokët tanë – më tha
– Çfarë?
– Jua thashë, kemi një kërkesë. Vij si i dërguar i familjarëve të të pushkatuarve në vitin 1945. Kërkojmë eshtrat e prindërve dhe vëllezërve tanë. Duam t’u bëjmë një varrim dinjitoz, ashtu siç e meritojnë.
U mendova për një çast. Në kryesinë e shoqatës e kishin biseduar një gjë të tillë. Ajo ishte një nga pikat e para të programit tonë. Kishin gjetur edhe një dëshmitar të gjallë, Ali Mingën nga Kanina e Vlorës, që dinte vendin e saktë ku ishin ekzekutuar.
– Ti e di që s’e kemi harruar, – i thashë Shpëtimit. – Së shpejti do të marrim vendimin përfundimtar.
Në të vërtetë vendimi u mor që atë mbrëmje. Do të kërkonin të gjenim eshtrat e të rënëve. Para syve të mi dilnin figurat e shquara të mbi shtatëmijë të rënëve dhe të vdekurve nepër burgjet komuniste që nuk kishin një varr ku të derdheshin dy pika lot apo të vendosesh një buqetë me lule. Në mendjen time endej meditimi:
– Mijra arkivole bosh presin eshtrat e të rënëve. Është detyra jonë që ta kryejmë këtë për këta martirë, për të qetësuar shpirtrat e tyre dhe për të përmbushur detyrimin tonë ndaj atdheut. Është detyrë e çdo shqiptari që të japë ndihmesën e tij në këtë drejtim.
Iu drejtuam organeve të ruajtjes së rendit për të na ndihmuar në saktësimin e vendit të pushkatimit të martirëve. Është për të ardhur keq por, me gjithë thirrjen tonë të sinqertë, ato e bënë veshin të shurdhër karshi kësaj thirrjeje njerëzore. Ne iu drejtuam ish-pjesëmarrësve në këto krime, duke iu thënë se heshtja e tyre ua rëndonte më shumë ndërgjegjen që edhe kaq e kishin shumë të ngarkuar.
Mendja fluturoi përsëri në hapësirat e pafund. Ishte pikërisht gjaku i këtyre martirëve dhe mijëra të tjerëve që na kishte sjellë lirinë. Kjo liri tashmë duhej mbrojtur me çdo mjet. Nuk duheshin lejuar hijet e së shkuarës të mbulonin diellin e ri që kishte lindur. Unë vazhdoja të meditoja:
– Era e lirisë dhe demokracisë ka filluar të fryjë. Sistemi i dështuar socialist ka filluar të përpëlitet. Ai po hiqet zvarrë. Tani këtij zvarraniku i është prerë vetëm bishti. Për ta zhdukur atë i duhet prerë koka. Europa dhe bota na kanë shtrirë dorën e miqësisë. Le ta kapim atë dorë! Le të ecim edhe ne si kombet e tjera, ashtu siç ëndërronin rilindasit e ndritur, luftëtarët e pavarësisë, martirët e luftës kundër komunizmit.
Objektivi i shoqatës ishte gjetja e eshtrave të të rënëve të pushkatuarve në tre vende. Vendi i parë ishte vendi i quajtur “Bishti i Kalldrëmit” ku preheshin eshtrat e njëmbëdhjetë të rënëve: Tahsim Halili, Hamdi Çeprati, Muharrem Sharra, Azbi Ademi, Qemal Xhyheri, Nazif Çela, Shako Alushi, Meto Ngucaj, Bego Ahmeti, Hysen Çobo dhe Kaçandon Breshani, pushkatuar më 22 qershor 1945. Në grupin e dytë, në vendin e quajtur “Ura e Ballistave”, preheshin gjashtë martirë: Avdul Kuçi, Shahin Nuredini, Hysni Xhindi, Sabri Myslymi, Alush Runa dhe Petref Risilia, pushkatuar më 1 maj 1945. Ndërsa Hysni Durmishi, pushkatuar më 17 dhjetor 1945, ndodhej i vetmuar.
Për realizimin e këtij objektivi iu kërkua ndihma Komitetit Ekzekutiv Pluralist të
Rrethit. Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Agim Kadiu, u tregua i gatshëm. Premtoi se do të vinte në dispozicionin tonë një skrap.
Gërmimet filluan qysh të nesërmen. Fillimisht në vendin ku ishin pushkatuar njëmbëdhjetë martirë. Për këtë i ndihmoi edhe Aliu, dëshmitari i vetëm që kishte parë me sytë e tij çastin e pushkatimit.

Atë natë ai po kthehej shumë vonë në shtëpi. Kishte qenë në një mbledhje të fshehtë që zhvillonte grupi i tij klandestin. Mbledhja kishte mbaruar shumë vonë dhe ai duhej të kthehej shpejt pasi të nesërmen do të dilte në punë qysh herët.
Shtëpia e tij ishte jashtë qytetit në rrëzë të një kodre të rrethuar nga ullinjtë. Ishte qershor. Një natë me hënë të plotë. Aliu ecte dhe mendonte për vendimet që kishin marrë në mbledhje. Papritmas ndjeu një zë:
– Ndal!
Para syve të tij dalloi dy gryka pushkësh. Në fillim u tremb. Mendoi se ishin hajdutë. Kur i vështroi mirë vuri re se ishin ushtarë.
– Çfarë doni? – pyeti si e mblodhi veten.
– Ku shkoni? – pyeti zëri pa iu përgjigjur.
– Në shtëpi.
– Ku e keni shtëpinë?
– Në rrëzë të kodrës.
– Ti qenke Ali? – pyeti ushtari tjetër që e kishte njohur, – Po ku paske qenë, mor i uruar, që kthehe kaq vonë?
– Një kushëriri im marton djalin të dielën dhe shkova për urim. Kështu që u vonova dhe po nxitoj, – gënjeu Aliu.
– Mirë, mirë, – foli përsëri zëri, – ik tani dhe drejt e në shtëpi. Mos dil më jashtë.
U nis. Rrugës kujtonte fjalët e tij dhe mendonte se çfarë kërkonin ata në këtë orë. Diçka duhej të ndodhte. Kureshtja e shtyu të fshihej pas një ulliri dhe të priste.
Kaloi gati një orë. U ndie një zhurmë makinash. Ktheu kryet dhe pa të dilnin nga kthesa tre prej tyre. E para ishte një veturë. Pas saj vinte makina e mbyllur e burgut dhe më prapa një kamion plot me policë dhe ushtarë. Makinat ndaluan si ndonja njëqind hapa larg tij. Ushtarët zbritën dhe e rrethuan vendin, ndërsa policët hapën dyert e makinës burg. Prej saj zbritën njëmbëdhjetë burra. Atë të parin prej tyre e njohu. Ishte një fshatari i tij, Tahsimi, komandant i çetës nacionaliste për Kaninën. Edhe të tjerët që vinin pas tij i njihte. I dyti ishte Muharremi, vëllai i një mikut të tij,Azizit, vrarë në një atentat nga komunistët në kohën e luftës. I treti, Hamdiu, komandant i çetës tjetër nacionaliste, asaj të Çepratit pranë qytetit. Më pas të tjerët. Të njëmbëdhjetë burrat i rreshtuan para një grope të madhe të hapur më parë. Përballë tyre qëndronte toga e ekzekutimit. Në krah të saj komandanti, i gatshëm për të dhënë urdhrin. Një ushtarak tjetër, i shoqëruar nga një civil qëndronte në anën tjetër.
– Patjetër ata janë prokurori me mjekun, – mendoi Aliu.
– I pandehur, fjalën e fundit! – iu drejtua prokurori komandant Tahsimit.
Ai ngriti kryet lart dhe me një zë që gjëmoi thirri: – Rroftë Shqipëria!
I erdhi rradha Muharremit të thoshte fjalën e fundit:
– Vdekje tradhtarve, Shqipëria e shqiptarve! – foli ai me një zë të vendosur.
Ndërsa Hamdiu:
– Ju nuk e shuani dot nacionalizmin shqiptar. Ai është i pavdekshëm.
Kështu folën të njëmbëdhjetë ata burra. Një batare armësh buçiti dhe trimat ranë në gropën e hapur. Prokurori erdhi pranë tyre dhe i dha secilit goditjen e fundit në kokë. I fundit që
u afrua pranë të ekzekutuarve ishte mjeku, i cili konfirmoi vdekjen e tyre.
Sytë e Aliut ishin mbushur me lot. Ndjeu një dhimbje në zemër. Ngriti sytë nga qielli dhe duke hapur krahët foli me një zë të ultë që të mos e dëgjonin rojet:
– O Perëndi! Si e lejove një krim të tillë? Si nuk të erdhi keq për ata trima? Përse? Përse? Ku është ndëshkimi yt për kriminelët?
Dhe qëndroi ashtu me krahët hapur deri sa çeli rrezja e parë e dritës.

Gërmimet vazhduan disa ditë. Ndërruan disa vende. Koha e gjatë që kishte kaluar kishte fshirë çdo gjurmë. Kishin humbur pothuajse çdo shpresë se mund të gjenin gjë, kur dëgjuan zërin e Aliut që thirri:
– Ejani, ejani këtu!
Të gjithë vrapuan. Ai mbante ndër duar një eshtër. E vështruan të gjithë. Një mjek që kishin me vete konstatoi se ishte eshtër njeriu. Filluan të gërmojnë. Kësaj radhe jo me skrap, por me lopata dhe me ngadalë. Iu dukej sikur do t’i lëndonin ato eshtra. Zbuluan njëmbëdhjetë skelete. I morën dhe i vendosën në njëmbëdhjetë arkivole kuq e zi që i kishin përgatitur më parë dhe i dërguan në xhaminë e qytetit. Atje do të preheshin deri sa të zbuloheshin edhe eshtrat e të rënëve të tjerë.
Ditët e tjera puna vazhdoi me kërkimin e të rënëve të grupit të dytë. E njëjta proçedurë. Të njëjtat vështirësi. U zbuluan gjashtë skelete. I vendosën edhe ato në arkivole kuq e zi dhe i dërguan në xhami. Njëkohësisht u zbulua edhe vendi ku ndodheshin eshtrat e të rënit të vetmuar. Edhe ato u vendosën në xhami. Të gjithë të pushkatuarit ishin të fesë islame.
Të nesërmen, më 29 janar 1992, u zhvillua ceremonia e rivarrosjes së tyre. Një ceremoni madhështore funebre. Merrte pjesë pothuajse i gjithë qyteti si dhe autoritetet e opozitës së djathtë. Nga kryeqyteti kishin ardhur Kryetari i Shoqatës Osman Kazazi, Kryetari i Komunitetit Mysliman, Hafiz Sabri Koçi dhe një grup shoqërues të tjerë, personalitete të ish të burgosurve politikë.
Pasi u bënë lutjet e rastit, folën Lalë Osmani dhe Hafiz Sabriu, folën edhe të tjerë. Zërat e tyre buçsnin në sheshin para xhamisë, të mbushur plot e përplot me qytetarë të qytetit.:
– Motra dhe vëllezër! Pjesëtarë dhe të afërt të familjeve të të rënëve! Jemi mbledhur sot këtu në këtë ceremoni të përmortshme për të nderuar kujtimin e këtyre martirëve të cilëve plumbat e diktaturës komuniste mundën t’u merrnin vetëm jetën, por kurrë nuk mundën të shuanin emrin e veprat e tyre.
Kanë kaluar dyzeteshtatë vjet nga ato ditë të kobshme të vitit 1945, megjithatë ne sot i kemi përsëri të gjallë, përsëri me kokat lart, ashtu siç qëndruan edhe para togave të zeza të pushkatimit. Ja tek i kemi para syve tanë të mbuluar me flamurin kombëtar, i cili është ashtu siç e ëndërruan ata, pa spatën e fashizmit dhe pa yllin e komunizmit.
Unë shikoja arkivolet e martirëve dhe mendoja për një çast:
– Sa të tjerë janë që nuk e kanë ende një varr? Deri kur do të presin? A do të kujtohet
shteti shqiptar për gjetjen dhe rivarrosjen e tyre?”
Këto pyetje tingëllonin fort në mendjen time. Më dukej sikur nuk po jetoja në këtë botë, sikur po fluturoja diku në hapësirën e pafund. Kjo bëri që, për disa çaste, të heshtja. E mblodha veten dhe thashë:
– Lavdi të përjetshme kujtimit të tyre të paharruar!
Kortezhi përkujtimor u nis drejt varrezave të qytetit. Një numër i paparë njerëzish
shoqëronin arkivolët që shkonin për në banesën e tyre të fundit. Arkivolet e martirëve u vendosën në një parcelë të veçantë. Përsëri fjalime përkujtimore nga miq të të rënëve.

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe demokraci, Në kërkim të eshtrave të të rënëve, per Liri, reshat kripa

Kujdes, Serbia po e teston luftën speciale në Kosovë

January 16, 2015 by dgreca

Nga Faton Mehmetaj/
Dërgesa me mbi 12 kilogramë eksploziv nga qarqet e shërbimeve sekrete serbe, që ditë më parë u zu në Kosovë, me qëllime terroriste ishte një mesazh i Qeverisë së Serbisë i vazhdimit të dhunës dhe destabilizimit të mëtutjeshëm në territorin e Kosovës, e motivuar politikisht kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës. Megjithatë dërgesa e tillë nga ana e Qeverisë së Serbisë nuk është e re për Kosovën.
Rasti i fundit kur serbi Slobodan Gavriq (1968), u zu në mes të Prishtinës me eksploziv C4, është tregues i qartë se është pjesë e mekanizmave zbatues të programeve të Serbisë për ta shantazhuar dhe destabilizuar Kosovën. Qëllimi ishte i qartë, por nuk ishte i ri: të ndizet konflikti ndërfetar mes shqiptarëve, në të cilin Serbia ka më shumë se njëzet vite që është duke investuar intensivisht.
Sipas cilësimeve të medieve, çka është edhe logjike, Slobodan Gavriq kishte patur në plan ta hidhte në erë Katedralen Shqiptare “Nënë Tereza” në Prishtinë. Po të ndodhte ky akt i rëndë terrorist, për të cilin do të fajësoheshin shqiptarët, në aspektin politik do ta paraqiste Kosovën të paaftë në mbrojtjen e rendit e të sigurisë publike dhe përveç pasojave të paevitueshme në njerëz, do ta godiste rëndë gjithashtu edhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Edhe pse ky rast duhet shikuar dhe trajtuar me kujdes, ngase forma e zënies dhe komplet rasti është i mjegullt, megjithatë, shërbimet sekrete serbe nëpërmjet këtij rasti kanë luajtur lojëra të shumëfishta dhe kanë bërë testime në fushat e sigurisë së brendshme dhe të asaj ndërkombëtare. Pos kësaj, rasti lë për të dyshuar se si Ministri i Brendshëm i Serbisë u tregua aq i gatshëm që të “bashkëpunojë” me EULEX-in, kur Serbia nuk e njeh Kosovën dhe sovranitetin e saj. Ata po bëjnë çmos për ta rikthyer Kosovën në pikën zero.
Vetura e tipit “Renault Clio” në të cilën u gjetën mbi 12 kilogramë eksploziv ushtarak ishte me targa të Beogradit (BG-479-GC), ndërsa personi Slobodan Gavriq, tek i cili u gjet eksplozivi është shtetas i Serbisë, i lindur, i rritur e me banim në Beograd, i martuar, baba i dy fëmijëve, punëtor i Ministrisë së Bujqësisë në detyrën e inspektorit të veterinarisë. Siç u tha, ai bashkë me gruan e tij, e cila punon në Ministrinë e Brendshme në Beograd, dhe fëmijët, jetojnë në një banesë në Beogradin e Ri, kurse fillimisht mediet Gavriqin e paraqitën si person nga Rashka dhe me banim në Rashkë, ku policia serbe kishte urdhëruar për t’ia bastisur shtëpinë e tij po ashtu në Rashkë.
Një gjë dihet hapur, kur operacionet e sigurisë së lartë të Serbisë dështojnë, siç ndodhi edhe në rastin konkret, atëherë shërbimet sekrete të kundërzbulimit lansojnë lloj-lloj tezash e pista të rreme për ta tërhequr vëmendjen e opinionit për të krijuar opinione të rreme. Në të kundërtën përgatitja për akte terroriste të përmasave të tilla nuk ka kurrfarë shanse të jetë bërë pa dijeninë dhe organizimin e organeve më të larta të shtetit serb. Materia e dyshuar është testuar me skaner elektronik nga sigurimi i Ambasadës Amerikane në Prishtinë dhe ka rezultuar të jetë Eksploziv RDX (eksploziv i fuqishëm ushtarak plastik) me sasi 12 kilogramë e 219 gramë. Sipas njoftimeve zyrtare të publikuara në mediat tona, “gjatë ekzaminimit është vërejtur se në brendi të materies gjendeshin bulona të metalit të cilët përdoren në eksplozive për fragmentim”. Ky eksploziv, si u tha më lartë, është eksploziv plastik me fuqi tejet të madhe shkatërruese, prandaj për tërheqjen e tij nga magazinat ushtarake duhet kaluar një varg procedurash nga persona kompetentë me leje të veçanta. Pra, sasia e këtij lloji të eksplozivit ka mundur të tërhiqet vetëm pas kalimit të një varg procedurave verifikuese zyrtare. Slobodan Gavriq jo rastësisht kishte me vete edhe hartën dhe skicën e planit të largimit nga vendi i ngjarjes. Në hartë paraqitet qartë rruga nëpër të cilën duhet të kalojë, e cila është rruga më e shkurtër për t’u larguar nga territori i Kosovës. Nuk është rastësi as zgjedhja e kohës për ta kryer këtë vepër terroriste. Gavriqi kishte ardhur për ta kryer ketë vepër terroriste në një kohë të veçantë, në prag të festave të fundvitit ku secili prej nesh ka qenë i preokupuar me përmbylljen e vitit dhe me përgatitjen për kremten e festës se ndërrimit të moteve. Së dyti, serbi në fjalë, u vendos në Hotel “Grand”, pra mu në qendër të kryeqytetit ku dendësia e popullatës gjithherë është më e madhe. Është për t’u habitur pse Gavriq pasi ishte akomoduar në hotel “Grand”, lëvizi në afërsi të Ambasadës së SHBA-ve, ku edhe u zu nga Policia e Kosovës në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, ku përveç selisë së Ambasadës Amerikane gjenden edhe disa përfaqësi të tjera diplomatike. Pas zënies është thënë se Gavriq është shprehur i gatshëm të bashkëpunojë me hetuesinë.
Se Gavriqi kishte ardhur në Kosovë me qëllim për të kryer punën e tij të ngarkuar nga qarqe të larta të sigurisë në Serbi tregon edhe fakti se më 24 dhjetor kishte marrë një dhomë me qira në hotelin “Grand”. Pikërisht aty, para se të hynte në hotel, ku e kishte kaluar natën, Gavriqi kishte parkuar makinën në një parking shumë afër Grandit. Pasi ishte akomoduar aty, kishte shkuar në Serbi ku ishte ngarkuar me eksploziv dhe përmes veriut ilegalisht dhe në forma të planifikuara përmes pikës kufitare në Rudnicë kishte hyrë në Kosovë. Pas zbulimit të rastit, për një kohë mbizotëroi heshtje e plotë jo vetëm nga qeveria serbe por edhe nga mediet e atjeshme. Disa ditë më vonë, mediet e Beogradit tërhoqën disa paralele, kinse Gavriq është zbuluar nga një tregtar i drogës nga Novi Pazari, e plasime të tjera kinse eksplozivi ka pasur për t’u shitur në Shqipëri, gjë që s’mund të jetë e qëndrueshme. Arrestimi i mëvonshëm në Beograd i Zhelko Todoroviqit (42 vjeçar) lidhur me rastin, apo deklarimet e tij se Gavriq ishte futur në borxhe dhe paska dashur të bëjë tregti me eksploziv, apo se informacionet e zbulimit të Gavriqit kanë rrjedhë nga një qytetar bullgar, i cili dyshohet se është pjesëtar i shërbimit informativ bullgar, i cili e paska dekonspiruar rastin, nuk janë asgjë tjetër veçse pjesë e makinacioneve të shërbimit sekret serb për ta zhvendosur rastin në një rrafsh tjetër.
Dëshmitë që lidhen me rastin duhet parë dhe trajtuar me kujdes, për të zbardhur kush qëndron nën hijen e këtij rasti. Sidoqoftë, nga ekspertë të sigurisë së brendshme, por edhe ekspertë ndërkombëtarë të sigurisë, rasti është cilësuar si akt terrorist.
Pos ekspertëve të fushave të sigurisë, sipas deklarimeve të zyrtarëve të lartë shtetërorë të Republikës së Kosovës, përfshirë Presidenten Atifete Jahjaga dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, i dyshuari po përgatiste një sulm terrorist në Kosovë. Ka pasë zëra nga burime brenda institucioneve të sigurisë, se objektiv i mundshëm sulmit mund të ketë qenë hoteli “Grand” ku pritej të qëndronte gjatë vizitës në Kosovë, Kryeministri Edi Rama. Kjo mbetet të verifikohet por megjithatë agjenda e kryeministrit shqiptar kishte ndryshuar, sepse ai nuk erdhi në mbrëmje në Prishtinë, sipas agjendës së paraparë, por erdhi të nesërmen.
Sipas të dhënave policore eksplozivi ka qenë i ndarë në dhjetë njësi të veçanta, dhe i njëjti, do të mund të hidhej në erë me telekomandë në pikat të cilat kanë qenë në shënjestër të sulmuesit.
Sulmuesi në Kosovë kishte ardhur nga Serbia përmes veriut të Kosovës, pa hasur në asnjë pengesë, sepse edhe më tutje kjo pjesë kontrollohet nga strukturat paralele legale e ilegale të kontrabandës dhe krimit të organizuar. Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, ka kërkuar ndihmë ndërkombëtare për zbardhjen e këtij komploti terrorist dhe njëkohësisht e ka përgëzuar policinë e Kosovës për profesionalizmin dhe punën e mirë në pengimin e këtij veprimi terrorist dhe në mbrojtjen e sigurisë kombëtare të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Ky operacion u bë, siç u bë e ditur, ishte drejtuar direkt nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, për shkak të ndjeshmërisë së rastit edhe pse këtë operacion ka mundur ta udhëheqë drejtori i Drejtorisë Kundër Terrorizmit apo ngjashëm. Sidoqoftë, është fatbardhësi që është zbuluar rasti dhe është kapur personi në vepër.
Padyshim, Serbia është ndër vendet më të militarizuara në Ballkan dhe në Europë, me një ushtri të pa reformuar, diku me një personel prej 37 mijë pjesëtarëve profesionistë dhe mbi 100 mijë rezervistë, me një buxhet prej afro 700 milionë euro në vit. Është fakt i pamohueshëm se mafia politike dhe ushtarake në Serbi i kontrollon pothuajse të gjitha strukturat dhe bizneset e shtetit serb. Ndërkaq, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP), del se policia e Serbisë i numëron 45 mijë punonjës. Edhe më tutje, për çdo vit Serbia i shpenzon mbi 500 milionë euro në mbështetje të strukturave paralele që veprojnë jashtëligjshëm në Kosovë. Shërbimi sekret serb mbanë të angazhuar në Kosovë mbi 150 anëtarë të BIA-s dhe mbi 50 organizata sekrete serbe të cilat e përbëjnë pushtetin paralel serb në Kosovë dhe përdoren nga shërbimi sekret i Serbisë për ta mbajtur peng sigurinë në Kosovë.
Armët e Serbisë, eksplozivi i Serbisë i nxjerrë nga magazinat ushtarake të sigurisë tepër të lartë është përdorur edhe me rastin e sulmit terrorist të “Al Kaeda”-s që ndodhi në metrotë e Londrës, në korrik të vitit 2005, kur Britania e Madhe u godit pikërisht në ditën kur vendet e zhvilluara mbanin një konferencë për t’i ndihmuar vendet e pazhvilluara, ku humbën jetën dhjetëra njerëz të pafajshëm dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Eksplozivi i përdorur nga “Al Kaeda” në këtë sulm vinte nga Beogradi. Menjëherë pas aktit terrorist, ekspertja e njohur kundër terrorizmit, Giora Shamis, kryeredaktore e gazetës “Debka” të Izraelit, deklaroi se materiali i përdorur në këtë sulm, kishte prejardhje nga Serbia dhe kjo nuk ishte hera e parë që përpjekjet për prishjen e paqes në botë i provokon shteti serb. “Eksplozivi i përdorur nga “Al Kaeda” gjatë sulmeve në Londër rrjedhë nga Beogradi. Bëhet fjalë për kanal të organizuar mirë për tregti me armë”, kishte thënë Shamis.
Sipas burimeve të hapëta, të publikuara edhe në vija mediale, eksplozivi plastik ushtarak, i prodhuar në Serbi, është verifikuar se është përdorur edhe në Irak dhe në vende të tjera të Lindjes së Mesme nga organizatat terroriste të lidhura me “Al Kaedan”. Kjo është verifikuar edhe nga ekspertë të SHBA-ve, nëpërmjet ekzaminimit të eksplozivëve dhe të armëve të kapura në Irak.
Po ashtu Serbia e ka ndihmuar regjimin e Sadam Hyseinit, me armë dhe me ekspertë ushtarakë, ashtu siç e ka ndihmuar edhe Gadafin.
Mercenarët e parë të huaj në Libi qenë serbët që iu bashkuan regjimit të Gadafit. Legjionarët serbë që morën pjesë në mbështetjen e Gadafit ishin veteranë nga luftërat e ish-Jugosllavisë. Përpos ish-pjesëtarëve të ushtrisë dhe të policisë, pjesa më e madhe kanë qenë pjesëtarë të “Beretave të Kuqe”, që tashmë janë shpërndarë nëpër botë. Njësitë paramilitare serbe qëndruan përkrah Gadafit deri sa është rrëzuar regjimi i tij. Nga të bëmat e ushtarakëve serbë dhe programet shoviniste serbomëdha të Akademisë së Shkencave të Serbisë për shfarosjen e shqiptarëve u frymëzua dhe u motivua edhe terroristi Anders Behring Breivik. Është me rëndësi të theksohet se në traktin e shpërndarë të të ashtuquajturës “Lëvizja për Mbrojtjen e Kosovës” paralajmërohej ekzistenca e “kalorësve serbë” me të cilët ndërlidhej monstrumi norvegjez, Anders Behring Breivik, i cili më 22 korrik të vitit 2011, në dy sulme të ndara në Norvegji (në sulmin me bombë në Oslo dhe atë me armë në ishullin Utoja), vrau 77 persona dhe plagosi 242 të tjerë. Për sulmet e tij masive, Breivik, ka thënë se është frymëzuar nga nacionalistët serbë dhe se i ka takuar organizatës djathtiste “Kalorësit Tempullarë”.
Edhe sot Serbia është në mesin e vendeve kryesore për nga prejardhja e municionit që e përdorin ekstremistët e Shtetit Islamik (ISIS) në Irak dhe në Siri, thuhet në hulumtimin e Conflict Armament Reasearch. Po ashtu në listën e re ku janë publikuar rreth 82 organizata terroriste në botë, në mesin e tyre është edhe organizata “Otpor” nga Serbia, e cila krahasohet me organizatat Boko Haram dhe ISIS-in.
Rrezikimi i sigurisë në Kosovë ka të bëjë edhe me zhvillimin e politikave globale.
Qysh në vitet 2004-2005, Serbia kishte nënshkruar disa marrëveshje interne me Iranin për ta goditur Kosovën ushtarakisht. Në përmbajtjen e njërës prej këtyre marrëveshjeve thuhej se “forcat serbe do të hyjnë në Kosovë, në rast se SHBA-të sulmojnë Iranin”. Në kuadër të angazhimeve të ndërsjella të Serbisë dhe të Iranit në fushën e sigurisë, në një kohë kritike për Iranin por edhe për Serbinë, mbetet e paditur se a do të kenë vetëm këmbime informacionesh, pajisjesh armatimi apo edhe aleancë të fortë ushtarake.
Situatat e tilla tregojnë qartë se sa është e përgatitur Serbia për të ndërhyrë në Kosovë. Në fakt, sipas burimeve të ndryshme, Irani ka një rrjet të garantuar të agjentëve të vet në Kosovë, të cilët edhe janë të gatshëm të provokojnë luftëra në rajon, të karakterit lokal. Këto struktura janë të lidhura me elementin serb, si në vija diplomatike si në ato ushtarake dhe të sigurisë, nëpërmjet të cilave i mundësohet konsolidimi, organizimi dhe veprimi elementit ekstremist mysliman në hapësirat e ish-Jugosllavisë e më gjerë. Problemet tjera nxitëse deri në shkallën e pasigurisë janë edhe disponimi antishqiptar që do të nxisë pakënaqësi në rajon.
Serbia nëpërmjet shërbimeve sekrete, e mbështetur edhe nga aleati i saj i përhershëm Rusia, ka investuar në ngritjen e strukturave të ekstremizmit mysliman në Ballkan e më gjerë, veçmas në trojet shqiptare, duke krijuar edhe një opinion tek popullata nëpërmjet propagandës, medieve dhe mekanizmave të shërbimit sekret serb.
Kur flitet për militarizimin e Serbisë duhet përmendur edhe baza ushtarake ruse në Nish, e formuar më 20 tetor 2009, me rastin e vizitës së ish-kryetarit të Rusisë, Dimitrije Medvedev, në Serbi, ku temë e bisedimeve ndërmjet Medvedevit dhe udhëheqjes së lartë serbe ka qenë arkitektura e hapësirës euroaziatike dhe krijimi i bazës ushtarake ruse në Nish, mbase si kundërvënie ndaj bazës ushtarake amerikane në Bonstill. Baza ruse në Nish po merr përmasa të mëdha si bazë ushtarake, e cila është edhe baza e parë ushtarake jashtë territorit të ish-Bashkimit Sovjetik, e cila Serbinë e bën edhe më të fortë ushtarakisht dhe më kërcënuese të sigurisë në rajon.
Duhet përmendur se pas fitores së Putinit, ndër planet e tij ushtarake afatmesme ka qenë edhe prania ushtarake ruse në Ballkan. Vendosja e kësaj baze ushtarake në Serbi nga ana e Rusisë është një shqetësim i brendshëm ndërkombëtar, sepse kjo përkon me një lëvizje të re strategjike të Moskës në Ballkan.
Për militarizimin e Serbisë tregojnë edhe faktet e industrisë së armatimit në Serbi, duke pasur një qarkullim rekord. Gjatë vitit 2008 Serbia ka eksportuar armatim në vlerë prej 520 milionë dollarësh, kurse në vitin 2009 kjo shumë është ngritur në 650 milionë dollarë. Rreth 90 për qind e prodhimit të armatimit në Serbi është e paraparë për eksport. Kjo tempo ka vazhduar edhe në vitin 2010, 2011, 2012 e tutje. Duhet theksuar se vetëm kontrata me Irakun kapte vlerën prej 350 milionë dollarësh.
Serbia i shet armë legalisht dhe ilegalisht Irakut, Libisë, Indisë, Indonezisë, Pakistanit, Afganistanit e vendeve të tjera që kanë konflikte të brendshme, apo me shtetet fqinje, apo me NATO-n.
Aktet terroriste apo përgatitjet e tilla për akte terroriste si kjo e Slobodan Gavriqit kanë të bëjnë me grupe ekstremiste, radikale politike, nacionaliste apo fetare të kontrolluara direkt nga shteti serb, i cili i përdorë struktura e tilla në pamundësi për ta zotëruar mundësinë reale të sundimit të Kosovës, pas dëbimit të forcave ushtarako-policore serbe dhe shpalljes së Kosovës shtet i pavarur. Po në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, grupet e tilla i dogjën pikat kufitare me Serbinë dhe kanë vazhduar me akte terroriste dhe akte të dhunës, që janë të evidentuara në raportet e strukturave të sigurisë së Kosovës dhe atyre ndërkombëtare. Rreth 350 policë serbë të Shërbimit Policor të Kosovës bashkë me stafin civil e lëshuan punën në shenjë solidariteti me grupet ekstremiste në mars të vitit 2008. Kurse për praninë e strukturave paralele ushtarako-policore të Serbisë në Kosovë flet edhe “Raporti për strukturat paralele 2006-2007” i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Europian (OSBE). Shumica prej këtyre strukturave janë aktuale edhe sot e kësaj dite. Disa prej tyre vitin e kaluar kanë hyrë pa kaluar nëpër testin e sigurisë në departamente të sigurisë në Kosovë edhe pse nuk e njohin shtetin e Kosovës.
Aktet terroriste të kryera në Kosovë, ku është përdorur eksplozivi nuk janë risi. Rasti Gavriq ishte atakimi i radhës, që fatmirësisht u parandalua. Jemi dëshmitarë të një varg sulmesh me lëndë plasëse, në të cilat përveç dëmeve materiale kanë humbur jetën edhe disa njerëz, madje edhe nga radhët e policisë ndërkombëtare. Jo rrallë herë, sulmet me lëndë plasëse ishin të drejtuara edhe ndaj institucioneve të vendit, pjesëtarëve të sigurisë etj. Që nga viti 1999 e gjerë më sot në Kosovë kanë ndodhur mbi dy mijë eksplodime. Çuditërisht, që nga ajo periudhë e deri më sot nuk u identifikuan kryesit e pothuajse asnjë vepre të kësaj natyre edhe pse pistat hulumtuese në disa raste janë përafërsisht të ditura. Në këtë lojë politike u viktimizuan shumë njerëz të pafajshëm. Loja me eksplodime po vazhdon edhe sot. Një shpërthim i fuqishëm në Termocentralin Kosova A, mu në kohën e përfundimit të fushatës zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare në qershor të vitit 2014, që la pas vetes të vdekur dhe të plagosur mund të klasifikohet pjesë e zinxhirit të sabotimeve të përgatitura nga Qeveria e Serbisë, e cila minoritetin serb të Kosovës në pjesën veriore të vendit e ka shkëputur nga rrjeti elektrik i Kosovës. Serbia ka krijuar një varg lidhjesh për ta rrëzuar pushtetin në Kosovë, për ta paraqitur të paaftë për udhëheqje dhe për ta pasur nën kontroll. Vitin e kaluar u hodh një bombë në pjesën veriore të Mitrovicës, me ç’rast u plagosën nëntë persona. Një rast i ngjashëm ndodhi edhe në Klinë, ku u hodh në erë shtëpia e një malazezi, e ndërtuar në kuadër të projektit për kthim. Të kësaj natyre ishin edhe disa eksplodime që ndodhën në Dragash, të cilat kishin në shënjestër disa shtëpi të goranëve, me qëllim të iritimit të popullatës. Me këtë lloj eksplozivi qe vrarë edhe Selver Haradinaj në shtëpinë e tij në Mitrovicë, e dhjetëra raste të tjera. Në të gjitha rastet eksplozivi kishte origjinën nga Serbia. Edhe eksplozivi me telekomandë, sidomos eksplozivi C4 që është përdorur në shumë raste, e kishte origjinën nga Serbia. Eksplodime në seri kanë ndodhur prej 14 vitesh në pjesën veriore të Mitrovicës dhe në vendbanime të banuara me serbë, që më shumë ishin një fushatë politike për ta diskredituar gjendjen e sigurisë në vend. Por akti i fundit i zënies së Slobodan Gavriqit në vepër me mbi 12 kilogramë eksploziv, e zbardhë dhe e ndryshon qasjen e natyrës së presioneve me lëndë plasëse. Ky akt merr përmasa të terrorizmit rajonal, i motivuar nga kriminaliteti politik dhe i përkrahur nga strukturat e sigurisë së Serbisë. Ky akt është vazhdimësi e akteve tjera që e përbëjnë tërësinë e problemit të quajtur luftë speciale e Serbisë në Kosovë nëpërmjet të cilës Serbia mendon ta kthejë sovranitetin e Kosovës në njësi të mëhershme administrative, meqenëse Kosova konsiderohet shtet në ndërtim e sipër dhe si çdo shtet i ri edhe Kosova i ka problemet e veta. Kosova edhe pas gati shtatë vitesh pavarësi, edhe më tutje në Kushtetutën e Serbisë rezulton si pjesë integrale e saj!
Xhandarmëria serbe me qindra herë gjatë këtyre pesëmbëdhjetë viteve ka hyrë në brendi të territorit të Kosovës, ka ndaluar e arrestuar njerëz, ka keqtrajtuar, ka kryer operacione të ndryshme, etj. Për një periudhë të shkurtër nga fshati Karaçevë, në kufi me Serbinë, janë shpërngulur mbi 125 persona nga presionet e xhandarmërisë serbe. Kjo po ndodhë para syve të qeverisë dhe organeve të rendit. Mbi 30 protesta i kanë bërë banorët e këtij fshati kundër presioneve të xhandarmërisë serbe, duke kërkuar mbrojtje dhe siguri, por askush nuk e ka dëgjuar zërin e tyre.
Pos tjerash, duhet përmendur rasti i kidnapimit të dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, derisa ishin në detyrë në brezin kufitar me Serbinë, më 31 shkurt të vitit 2012, më saktësisht në fshatin Dumnicë të Podujevës. Sipas video-incizimeve të publikuara edhe në mediet elektronike nga pala serbe shihen dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të shtrirë përtokë, të lidhur dhe të poshtëruar. Kurse pjesëtarët e xhandarmërisë serbe, sipas fotove dhe postimeve të tjera i takojnë njësisë speciale të xhandarmërisë (ish JSO-së famëkeqe), pjesëtarët e të cilës kanë marrë pjesë edhe në disa operacione të tjera në brendi të territorit të Kosovës.
Sipas raporteve të portalit beogradas B/92, të datës 24 nëntor 2011, Daçiqi kishte kërcënuar se “për Kosovën mund të shkojmë deri në luftë”. Prononcime të kësaj natyre kohë më parë bëri edhe udhëheqësi i organit ilegal të përkohshëm të Mitrovicës, Aleksandar Spiriq, i cili deklaroi se shteti serb është i vendosur që të qëndrojë në Kosovë.
Sa për ilustrim po përmendi rastin kur në natën ndërmjet 3 e 4 shkurtit të vitit 2000, forcat serbe i vranë 11 shqiptarë, në mesin e të cilëve edhe gra e fëmijë, i plagosën mbi 40 të tjerë në prani të ushtarëve francezë të KFOR-it, dhe brenda 24 orëve i dëbuan 1 564 familje shqiptare me 11 364 anëtarë nga pjesa veriore e Mitrovicës. Është e ditur publike se ekspeditën për dëbimin e mbi 12 mijë shqiptarëve nga pjesa veriore e Mitrovicës e kanë udhëhequr strukturat e MUP-it serb në krye me ish-komandantin Dragan Delibashiq.
Si pasojë e kësaj, Kosova është bërë ndër vendet më të blinduara në aspektin e sigurisë. Sipas të dhënave, misioni i KFOR-it ka në Kosovë përafërsisht 5 mijë pjesëtarë nga 29 shtete, që shërbejnë në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, pastaj Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), AKI-në, MPB-në, Policinë e Kosovës, që ka afërsisht 8 mijë pjesëtarë të uniformuar, 1 100 staf civil të angazhuar në shërbimet mbështetëse, administrative dhe teknike me një sistem të organizimit unik dhe të centralizuar në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Me të gjitha këto blindime të sigurisë dhe shpenzime marramendëse për ta siguruar sigurinë në Kosovë, ajo u mungon qytetarëve të Kosovës, si pasojë e ndërhyrjeje të jashtëligjshme të Serbisë, të cilat u toleruan dhe u minimizuan. Në këtë kontest duhet përmendur edhe misionin e EULEX-it, i cili u themelua në vitin 2008, kur Kosova e shpalli zyrtarisht pavarësinë e vet. Ky mision i Unionit Europian, veç tjerash, kishte premtuar që të ndihmojë në zhdukjen e korrupsionit dhe në “kapjen e peshqve të mëdhenj”, mirëpo me kalimin e kohës doli se edhe vet EULEX-i ishte pjesë e “peshqve të mëdhenj”, e marrjes së ryshfetit dhe korrupsionit të nivelit të lartë, duke prolonguar e shkatërruar shumë prova të një varg proceseve të krimit të organizuar në Kosovë.
Duhet përmendur se për luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimeve të luftës, shtetet anëtare të Unionit Europian e financojnë EULEX-in me shumën prej 165 milionë eurosh në vit. EULEX-i i ka të punësuar rreth 3 mijë punonjës. Një numër i konsiderueshëm i tyre, madje edhe në pozitat kyçe në këtë mision, vijnë nga shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Gjatë gjithë kohës ky mision është kritikuar, veçanërisht se ka dështuar në fuqizimin e sistemit ligjor në Kosovë, në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në shkallë të lartë, si dhe për koston me të cilën po e drejton organizatën. Një reportazh i transmetuar kohë më parë nga televizioni gjerman “Deutsche Welle”, tregonte për shpenzimet marramendëse të këtij misioni dhe punën e policëve të tij në veri të Kosovës. Gjithashtu, tregoheshin edhe kalimet ilegale të kufijve nga serbët që nuk i njohin pikat kufitare të Kosovës. Një ndërrim doganierësh e policësh me helikopter, kushtonte 4 mijë euro, thuhej në reportazh. Deri tash vetëm për këtë llogaritet të jenë harxhuar rreth 400 mijë euro, kurse krejt misioni deri tashti ka kushtuar rreth 400 milionë euro. Me gjithë shpenzimet marramendëse për këtë pjesë (veriun e Kosovës) ende nuk ka një zgjidhje. Edhe ashtu veturat zyrtare të EULEX-it dhe personeli i tij dhjetëra herë janë sulmuar, por edhe shkatërruar nga grupet ekstremiste serbe në veri, të organizuara dhe të orkestruara nga Beogradi zyrtar.
Me të gjitha këto vështirësi, institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara që Kosova të mos bëhet vatër dhe shënjestër e aktiviteteve terroriste. Mirëpo, provokimet janë të vazhdueshme dhe të padurueshme nga ana e palës serbe. Me rastin e festës së Krishtlindjeve Ortodokse këtë vit, njëri nga ministrat e Qeverisë së Isa Mustafës, Aleksandar Jabllanoviqi, përdor fjalor fyes e shovinist, duke i quajtur nënat tona “egërsira” (kujto Vulinin që vitin e kaluar në të njëjtin rast i quajti “jo njerëz”), fjalor ky i elaborateve shfarosëse të akademikëve dhe Akademisë së Shkencave të Serbisë, të cilin jemi mësuar ta dëgjojmë vazhdimisht nga zyrtarë të Serbisë, por është i papranueshëm kur vjen nga një ministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës. Është sinjal i keq dhe veprim antikushtetues kur ministrat nuk e njohin shtetin në të cilin ushtrojnë detyra të ekzekutivit, është e papranueshme dhe antikushtetuese kur deputetët e Parlamentit të Kosovës, nuk e njohin Kosovën si shtet!
Sjelljet e tilla shprehin haptazi urrejtje të papërmbajtur ndaj palës shqiptare, sikurse edhe eksplozivi i gjetur tek Slobodan Gavriqi, që është dëshmi e shprehjes së urrejtjes dhe tendencë e vrasjes në masë të njerëzve të pafajshëm. Është shumë me rëndësi të theksohet se akti terrorist i mbetur në tentativë në rastin Gavriq, për kryerjen e të cilit domosdoshmërisht do të fajësoheshin shqiptarët, do të ishte “mesazh” që do t’i paraprinte presidentit serb Tomislav Nikoliqi, në shpalljen “planit të përhershëm” për zgjedhjen e çështjes së Kosovës! Ky plan nuk është as i pari, as i rastit. Të tilla pranprograme antishqiptare kanë përpiluar vite më parë, por atëherë së bashku në emër të Partisë Radikale Serbe: Vojisllav Shesheli, Tomislav Nikoliqi, Aleksandër Vuçiqi…, për të mos i përmendur të gjithë të tjerët.
Rasti Gavriq është atakim direkt i drejtuar kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. “Qeveria e Republikës së Kosovës e ka dënuar fuqishëm këtë akt të dyshuar terrorist, ajo mbetet shumë e përkushtuar që Kosova të jetë vend i paqes dhe tolerancës, dhe kërkon nga organet përkatëse të hetojnë në tërësi këtë akt të dyshuar terrorist, dhe përgjegjësit të vendosen para drejtësisë”. Megjithatë, struktura të caktuara duhet të vihen para përgjegjësisë me theks policia dhe dogana në Mitrovicë, e cila pothuajse është nën kontrollin e strukturave paralele që veprojnë në këtë pjesë.
Kosova nëpërmjet bisedimeve ka rënë në lajthitje diplomatike dhe nëpërmjet këtyre bisedimeve ka krijuar varshmëri politike nga Serbia, nga ky ndikim që është i dukshëm duhet liruar me kalimin e kohës.
Trevat shqiptare (Kosovë, Shqipëri, Maqedoni) importojnë nga Serbia mallra në vlerë prej një miliard euro në vit! Serbia në bashkëpunim me miqtë dhe përkrahësit e saj është duke i përdorur teoritë e komplotit nëpërmjet strukturave të saj të instaluara gjithandej Kosovës për ta paraqitur Kosovën të paaftë para qarqeve ndërkombëtare dhe qendrave vendosëse. UNMIK-u më herët dhe tani EULEX-i e kanë mbajtur dhe po e mbajnë direkt anën e Serbisë.
Duhet përmendur edhe rastin e para dy vjetëve kur më 7 janar 2013, Aleksandër Vulini, Drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, i cili e kishte të lëshuar një fletarrest nga Qeveria e Kosovës (urdhër ky që u tërhoq më vonë) dhe pas kësaj ai e kishte vizituar Graçanicën, në mënyrë provokative i veshur me rroba të njësisë së ashtuquajtur “Mbrojtja Civile Serbe”, bashkë me truprojat e tij po ashtu të veshur me të njëjtën uniformë, për çka disa prej këtyre truprojave të Vulinit u arrestuan nga Policia e Kosovës në Graçanicë, pasi që të njëjtit si të tillë kanë paraqitur rrezik për sigurinë. Për arrestimin e truprojave të Vulinit me uniforma të të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile”, zyrtarët serbë bënë shumë zhurmë, duke e konsideruar këtë arrestim si “provokim të rëndë”. Pas gjithë kësaj, pas presionit të Serbisë, Prokuroria e EULEX-it i akuzoi njëmbëdhjetë pjesëtarë të Njësisë Speciale Operative (ROSU): Gani Konjuhi, Sabit Sadiku, Naim Durmishi, Sevdaim Avdullahu, Nexhmedin Zahiti, Jeton Ramadani, Nexhat Shabani, Xhafer Hyseni, Vesel Keriqi, Zenel Salihu dhe Ilmi Rexhepi, duke i akuzuar se i paskan maltretuar truprojat e ministrit serb Vulin, i cili kishte hyrë ilegalisht në Kosovë. Që nga ajo kohë e gjerë më sot pjesëtarët e ROSU-së, pas presioneve të Serbisë, u suspenduan dhe u nxorën para gjyqit vetëm pse e kanë kryer detyrën konform ligjit. Edhe më tej ata gjenden duke u përplasur me sistemin e drejtësisë që për ta deri më tani është treguar i njëanshëm dhe shumë i padrejtë. Barazo me atë që e bëjnë Policët e Kosovës nga radhët e minoritetit serb, për të cilën askush flet asgjë.
Këto probleme me të cilat po ballafaqohet Kosova janë të zgjidhshme dhe kanë rrugëdalje. Interesat e vendit nuk duhet t’i kenë dy kuptime, por një, dhe ne duhet t’i zgjidhim.

Filed Under: Analiza Tagged With: Faton Mehmetaj, Kujdes, po e teston luftën, Serbia, speciale në Kosovë

ÇATIA E BRESHKAVE

January 15, 2015 by dgreca

EGLANTINA MANDIA*/
Im atë trishtohej më shumë nga heshtja ime e thellë, se sa nga çapkënëritë dhe rrengjet që s’ia kurseja askujt. Si përgjigje, më erdhi edhe nofka “Egërsirë e vogël”, që siç dukej, s’do më shqitej lehtë.
Ndoshta, të huajt e kishin të vështirë ta shpjegonin zemërimin tim për padrejtësinë që më kish ndodhur. Brenda një çasti, jeta ime e njomë qe plakur e qe mpakur njëherësh. Kisha humbur rrezatimin e ngrohjen e diellit, me humbjen e mamit tim të bukur. Sapo i pata kapërcyer katër vitet e para të jetës sime.
Qe e pamundur, ta kuptoja nocionin VDEKJE.
Aq më tepër, stihia e papritur e zisë, që pllakosi shtëpinë tonë, rrokullisi gjithçka si një ortek. Që të më largonin nga kujet e grave, xhaxhai im më rrëmbeu nga krevati ashtu siç isha e përgjumur, e më degdisi tek e fejuara e tij, që ishte mike e ngushtë e mamit tim.
Ishte duke gdhirë dita e hidhur e 14 prillit…
Unë dridhesha nga të ftohtit. Këmbët i kisha akull. Që t’i ngrohja i fusja në xhepat e palltos se xhaxhait. E gjithë qenia ime frugullonte, si një trumcak me krahë të prerë, që ish rrëzuar nga foleja. Nuk qaja sigurisht, po kisha një ankth të pa rrëfyer në shpirt. Motra ime e vogël s’kuptoi gjë prej gjëje, se qe vetëm një vjeç e gjysmë, ende e pa ngritur në këmbë.
E vluara e xhaxhait më mori në krahë dhe i tha të fejuarit, të mos bëhej fare merak, se ne do të loznim të dyja, ashtu siç bënim gjithnjë, kur mami më linte nën kujdesin e saj. Ajo ishte një vajzë e re, zeshkane që ende s`e kish mbaruar shkollën për mësuese dhe kur vishej me uniformën e shkollës “Nana Mbretëreshë”, mami im e quante “xhandar”, një farë roje personale dhe ato qeshnin e qeshnin me këtë…
Ajo qe një çupë shumë e mirë e gazmore, që më futi në krevatin e saj e më bëri një çaj të ngrohtë. Mua nuk më ndaleshin të dridhurat.
– Hajde të flemë edhe pak të dyja, se nesër do të kemi shumë punë, – më tha ajo.
Unë u mblodha në gjirin e saj të ngrohtë e më zuri gjumi. Nuk e di sa kohë kam fjetur, por kur u zgjova, qe përsëri natë. Një qukapik trokiste pa reshtur në dritare.
Mbas kësaj, unë hyra në grupin e fëmijëve të vështirë, kryeneçë e të pabindur. Me një fjalë, kokë me vete. I vetmi njeri që mund të më zbuste disi, qe vetëm im atë. Nuk bëja kurrë pyetje për mamin. Të gjithë çuditeshin me heshtjen time absolute, veçanërisht, me dëshirën time për të mos u ndodhur në shtëpi, por në rrugë me rrugaçët e lagjes, të gjithë çuna.Vraponim si të çakërdisur, nga rruga e Zajmit, ku banonim në Tiranë, tek Varret e Bamit. Unë nuk e dija ku qe varrosur mami im, po në varreza shkoja për të, me një shpresë të pashpresë, që të mund ta shihja gjëkundi…
Kështu, prita një vit të tërë. Im atë u transferua në Roskovec. Atëherë, u mbylla fare në vetvete dhe fillova të qëndroja pothuajse gjithë ditën, nën hijen e një molle, që ishte në oborrin tonë, me një biçak, me sy krejtësisht të çmeritur dhe me një inat të pashpjegueshëm, u shkulja çatinë nga kurrizi breshkave të vogla.
Që të më shkëpuste nga ky fiksim, im atë iu lut mikut të tij, Hekuran Zhitit, mësues i shkollës fillore, të më mbante në klasë për disa orë si dëgjuese, derisa të mbushja moshën për t`u regjistruar në klasën e parë.
Më në fund, edhe unë u vesha me një fustan të ri jeshil, me jakë të bardhë. Mësuesi punonte me klasa kolektive, pra në katër rreshta bankash në një klasë të madhe dhe në fund të çdo rreshti, shkruhej: Klasa e Parë, Klasa e Dytë, Klasa e Tretë dhe Klasa e Katërt. Ai gjeti edhe një bankë për mua dhe për një djalë tjetër më të heshtur se unë, e na nxori në fillim të rreshtit të klasës së parë.
Mësuesi ynë ishte një burrë i pashëm, flokëkaçurrel, shpatullgjerë dhe shumë i qeshur. Ishte i qetë. Ai nuk e ngrinte zërin kurrë dhe kishte gjetur një mënyrë të veçantë për të punuar me çdo nxënës veç e veç, ndaj në klasë kishte një qetësi absolute. Nxënësit bënin detyrat që ai i përgatiste për secilin, që më parë, në shtëpinë e vet.
Me mua dhe djaloshin flokëverdhë, shokun tim të bankës, Rikun, fliste me zë të butë, gati me pëshpërimë. Më solli një fletore vizatimi dhe plot lapsa me bojëra. Më tha të vizatoja çfarë të kisha qejf. Pastaj, i solli flokëverdhit një vjershë për ta mësuar dhe i tha se në pushimin e madh, kur nxënësit të dilnin jashtë, do e këndonin së bashku vjershën. Të them të drejtën, nuk po e kuptoja fare ç’po thoshte mësuesi im, po unë e desha menjëherë atë njeri me vështrimin e butë dhe zërin e ngrohtë, që ma ngrohu edhe mua zemrën time të akulluar.
Unë që nuk kisha bërë asnjë vizë në jetën time, për çudi vizatova mollën zemërmirë…
Mësuesi më pyeti, se përse e quaja mollën “zemërmirë”.
Dhe unë iu përgjigja se ashtu ishte vërtet. Ajo nuk më qortonte asnjëherë, çfarëdo që të bëja dhe më mbronte nga çdo e keqe që mund të na vinte, si mua ashtu dhe motrës sime të vockël.
Ajo vinte herë pas here e çuditej me biçakun tim dhe me duart e mija të gjakosura dhe shkonte me vrap në shtëpi të thërriste hallën, që kish ardhur të ndihmonte vëllanë e saj, në ditët e tij më të vështira. Halla vinte buzagaz, më merrte biçakun dhe thoshte se duhej të bëja pushim, se edhe nëna – breshkë po qante për beben e saj dhe çupat e mira, duhet të hanë bukë dhe duhet të flenë.
Edhe pse isha e inatosur shumë, nuk ja prishja hallës time, që të gjithë e quanin “Engjëll i Perëndisë”. Ajo përpiqej të më largonte një orë e më parë nga masakrimi i breshkave.
Po siç dukej dhe mësuesi im i dashur, e kuptoi menjëherë se “ku pikonte çatia ime”.
Kur nxënësit dilnin në pushimin e madh dhe oborri i shkollës gumëzhinte, mësuesi këndonte me Rikun e ndrojtur këngët me vargjet, që ai i mësonte përmendësh me një mundim të jashtëzakonshëm, meqenëse i merrej shumë goja dhe shokët i thërrisnin “gega gagaç”.
Kur e pyeta mësuesin se çdo të thotë fjala “gega”, ai qeshi e m’u përgjigj se gegë ishin shqiptarët nga viset e Fishtës.
Fishtën, Naimin dhe Skënderbeun, i kishim në fotografi.
Pra, ata ishin miqtë tanë që do na mëkonin mirësinë dhe diturinë. Dhe mësues Hekurani në programin e tij të larmishëm jashtëshkollor, u mësoi poezi të tyre të katër klasave edhe mua, që ca i merrja vesh e ca s`i kuptoja, por më ndihmonte kujtesa ime, e recitoja bashkë me të tjerët:

“GJUHA SHQYPE

Porsi kanga e zogut t’verës,
Qi vallzon n’blerim të prillit;
Porsi i ambli flladi i erës,
Qi lmon` gjit` e drandofillit;
Porsi vala e bregut t’detit,
Porsi gjama e rrfes` zhgjetare,
Porsi ushtima e nji tërmetit,
Ngjashtu a’ gjuha e jonë shqyptare.

***
Në gjuhë shqype nanat tona
Qi prej djepit na kanë thanun,
Se asht një Zot, qi do ta dona;
Nj`atë, qi jetën na ka dhanun;
Edhe shqyp na thanë se Zoti
Për shqyptarë Shqypninë e fali,
Se sa t’enden stina e moti,
Do ta gzojn` kta djalë mbas djali”.
………………

Këto vargje të Fishtës, ishin talismanët, që mësuesi na i la në shpirtrat tanë, për të gjithë jetën.
GJUHA dhe ATDHEU! Këto fjalë qëndronin me germa të mëdha, në të dy anët e fotografisë së At Gjergj Fishtës.
“ATDHEUT
Edhe dielli do t’ ket pa,
Se përqark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija vend nuk ka !
Nën nji qiell përherë t’ kullueme,
N’ rreze e n’ dritë përshkue unjí,
Bjeshkë e male të blerueme
Si vigaj shtiellen n’ ajrí.
Ke ato bjeshkë e ke ato male
Kroje t’ kjarta e t’ cemta gurra,

***
Atje lejn, po Toskë e Gegë,
Si dy rreze n’ flakë t’ nji dielli:
Si dy rrfe, qi shkojn tue djegë,
Kúr shkrepë reja nalt prej qielli.
Oh! Po, e din i prujtë anmiku,
Se asht rrfé zogu i Shqyptarit,
Rijtun gjakut kah çeliku

***
Dridhet toka e gjimon deti,
Ndezen malet flakë e shkndija,
Ka’ i frigueshëm, si tërmeti,
Atje rrmben ku e thrret Liria…

Mësuesi thoshte: “Mbreti Gjergj Kastrioti, luftoi me shpatë, ndërsa vjershëtorët luftuan me penë”. Me klasat e katërta, mësuesi bëri një pjesë teatrale nga “Lahuta e Malcisë”, me disa personazhe si Marash Uci dhe Uk Mehmeti, që: “anekënd i kish ra detit!”

MIRËSIA
(N.Frashëri)
Mërgohu nga ligësitë
Mirësin’e mba si burrë
Mirësia është një dritë,
Që nuk shuhet kurrë,

Mirësia s’ësht’e shkretë
Është drit’e Perëndisë,
Drit’e Zotit të vërtetë
Është drit’e gjithësisë.”

-Thuaje edhe njëherë me zë, sikurse e kënduam biri im. Ti je një fëmijë i bukur dhe shumë i zgjuar, derisa kur këndon, nuk të merret fare goja. Ne të dy do ta mundim këtë të metë dhe ti do të jesh si të gjithë shokët e tu të klasës.
Flokëverdhi, gati mbetej pa frymë. Edhe unë që e kisha shpirtin gur, u mallëngjeva dhe herën e tretë, këndova bashkë me ta.
– Oh, – tha mësuesi, – Nuk e dija që ti vogëlushe këndoje kaq bukur.
– Mami im këndonte gjithnjë, – i thashë e ia krisa të qarës me të madhe.
-Ti e di që mami po të dëgjon dhe po gëzohet që po këndon përsëri?
-Vërtet?
– Duhet ta dish, – tha mësuesi,- Njerëzit nuk ikin asnjëherë shumë larg nesh. Ata jetojnë së bashku me ne dhe shohin çdo gjë që ne bëjmë këtu.
– Po ne, përse nuk i shohim? – e pyeta, – Mua më ka marrë malli shumë, shumë.
-E di, – tha mësuesi, e ma vuri dorën në zemër, – Mamin e ke këtu sa të jetë jeta, bija ime, të kyçur me çelës. Kish zë të bukur the?
– Po. Ajo edhe kërcente me mua.
– E sheh, sot të ndihmoi të këndosh me ne dhe do të të ndihmojë, që të bëhesh e para e shkollës, megjithëse je më e vogla nga të gjithë.
Pas ca ditësh, mësuesi më mësoi si rastësisht, këtë vjershë:

“ZOGU DHE DJALI
(N.Frashëri)
Një zog të bukur zuri një djalë
Ay po dridhej, dhe i thosh ca fjalë;
Nukë të vjen keq që jam i mitur
Si ti i vogël,e s’jam dhe rritur?
Jam bir i vetëm e mëma më pret,
E kam lënë keq brenda në folet
Dheu me dëborë gjith’u mbulua
Më s’ka dhe gjëkunt po thua!
Vuaj i gjori dit’ edhe natë,
E s’gjej dot as një drudhe të thatë!
………………
Ah! Kjo e keqe këtu më pruri
E gracka jote ra e më zuri!
Më pret im mëmë, si ty jot ëmë
Të mos t’i vete, ç’bëhet prëmë?
Të zesthitë na! Përse na ngini?
Më punët tënë përse s’na lini?
Kam edhe unë shpirt dhe dua të rronj.
Të lëçinj, të breth, të los, të këndoj,
………………
Mua të lirë më bëri zoti,
Përse me bën rop?Nga unë ç’do ti?
Fjalët e zogut djali i dëgjoi
Qau dh’e puthi, pastaj e lëshoi.”

Shkolla nuk qe shumë larg shtëpisë. Halla me motrën time të vogël vinin të më merrnin. Prisnin te gardhi dhe unë vrapoja drejt tyre, çdo ditë, më pak e egërsuar… Siç dukej, “bisha e vogël”, po zbutej.
Kështu, unë e Riku u bëmë shokë. Mësonim dhe këndonim para klasës dhe çdo pushim, merrnim duartrokitje.
Ajo kohë, kur isha aq e vockël, zemërake dhe e paditur, quhej “Koha e Italisë”. Po mësuesi ynë, kishte programin e tij të veçantë jo vetëm me mësimet didaktike individuale, por ai synonte të na nguliste në kokë edhe poetët e mëdhenj të kohës, të na mësonte historinë dhe lavdinë e Shqipërisë së bashku:

“Kruj’o qytet i bekuar!
prite, prite Skënderbenë
Po vjen si pëllumb i shkruar
Të shpëtojë mëmëdhenë;
Shqipëtarë t’i shpëtonjë
Nga xgjedh’e keq’e Turqisë
Edhe ty të të nderonjë
Që je krej’i Shqipërisë.

***

O Shqipërizë! Gëzohu!
Se të erdhi prapë dita,
Lulëzohu, zbukurohu.
Të zbriti nga Zoti drita.
Edhe juve, o të vdekur!
Merrni nga ky gas pjesë
Që shkuatë buzëpjekur,
Nd’atë jetë, paçi ndjesë.

O moj vash’e Shqipërisë
Që më rri duke mejtuar
Pa i zhvish rrobat’e zisë
Arriti dit’e uruar.
Zbardhi fusha, ndriti mali
Nga armët’ e trimërisë,
Hingëllint` e s’mbahej kali
Që sill mbren’e Shqipërisë.”

I mësova një për një të gjitha germat alfabetit dhe historitë e abetareve të para të gjuhës sonë, për të cilën qenkëshin vrarë e helmuar nga keqdashësit e mëmëdheut, shumë mësues trima, që na qenkëshin dëshmorë të atdheut, si Petro Nini Luarasi.
Kështu na e mësonte historinë, mësuesi ynë i shtrenjtë, të cilin e adhuronim të gjithë, të mëdhenj e të vegjël. Ishte një artist i vërtetë, Hekuran Zhiti!
Ai, mbeti i paharruar për ne, që nga ajo kohë aq e largët e Italisë, po që për ne të vegjlit, mbeti koha e: SKËNDERBEUT, FISHTËS dhe NAIM FRASHËRIT.
Mjaftonin këta emra, që i skaliti përjetësisht në shpirtrat tanë të njomë, mjafton që ne i recitonim në kor së bashku me të, apo veç e veç.
I këndonim, që të mos kujtonim fare, fare, se na paskësh qenë edhe një “Kohë e Italisë”, brenda Shqipërisë sonë të vogël.

EPILOG.

… Ditët e Roskovecit mbetën pas. Nuk e pashë më kurrë mësuesin tim, pasi familja ime u kthye në Tiranë. Sa për veten time, mund të them se hoqa dorë një herë e përgjithmonë, nga “lufta me çatitë e breshkave” dhe u bëra një recituese e vërtetë. U mblodhën përsëri çamarrokët e lagjes së Zajmit, po kësaj here, unë luaja rolin e mësueses dhe u mësoja vjershën “Fjalët e qiririt”:

Në mes tuaj kam qëndruar
E jam duke përvëluar,
Që t’u ap pakëz dritë
Natën t’ua bënj ditë…
Pastaj, në krye të rrugicës, ishte hapur dyqani i nebleblive dhe tullumbaceve, që i frynim dhe i lëshonim lart, në qiellin blu kryeqytetas. Motërza ime e vogël ishte rritur pak dhe i kishte qejf si të gjithë vogëlushët, tullumbacet e kuqe.
Oborri i shtëpisë sonë ishte lidhur me një deriçkë me oborrin e Ijes, një grua tiranase, zemërbardhë, shtëpia e së cilës, gumëzhinte nga kalamajtë.
Ija kishte plot gjashtë fëmijë: katër djem e dy goca, këto të fundit, ishin moshataret e mia.
Një kushëri i babait tim, sapo kishte blerë kinemanë “Kosova” e kështu, ne shkuam atje, të shihnim filmin “Zëri në shtrëngatë”.
Ishte hera e parë, që po shkoja në kinema, ndaj isha shumë kurioze dhe e lumtur njëkohësisht, meqenëse babi më mbante lart mbi supe, që të çanim kallaballëkun.
Kushëriri na shpuri në lozhë. Sapo filloi filmi, thirra:
– Babi shiko! Mësues Hekurani qenka në film!
Im atë qeshi me të madhe dhe më tha:
-Vërtet, i ngjaka shumë si të qenë binjakë, po ai është një artist anglez. Lorenc Oliver, e ka emrin.
Mua m`u mblodh një lëmsh në grykë nga malli e nga dashuria, për mësuesin tim të shtrenjtë.
*HOMAZH PER FAMILJEN ZHITI,TRE BREZA TE NDERUAR, MBI ME TE NDERUARIT MEMEDHETARE!

Filed Under: ESSE Tagged With: ÇATIA E BRESHKAVE, Englantina Mandia

U VRANË NË NJË DITË: NJERI SHPALLET DËSHMOR, TJETRI ARMIK I POPULLIT

January 15, 2015 by dgreca

*Për ata që mohuan dhe harruan/
*Një shembull tipik i falsifikimit të historisë/
Nga Enver Lepenica/
Dy vëllezër, Fejzi Hysen Micolli (1919-1945), dhe Hydajet Hysen Micolli (1921-1943), kishin lindër në një familje të varfër, patriotike të Bolenës së Vlorës dhe u edukuan me ndjenja atdhetare. Të dy vëllezërit, u ikaudruan në çetën ”Plakë” të Vlorës që me krijimin e sajë më 4 dhjetor 1942 dhe morën pjesë në të gjitha luftimet që zhvilloi çeta. Të dy vëllezërit, kishin një adhurim, për komandantin e çetës trimin sypatrembur Neki Ymerin dhe komisarin e sajë atë gjuhë bilbilin dhe trimin Qazim Çakërrin.
Në fillim të vitit 1943, të dy vëllezërit u pranuan në radhët e Partisë Komuniste. Me zhvillimet e më vonëshme të luftës Fejziu, që njihej me psudonimin “Vullneti”, u inkaudrua në radhët e Brigadës së Parë që me krijimin e sajë më 15 gusht 1943, ndërsa pas trasferimit të Qazim Çakërrit në një zonë tjetër, vëllai tij Xhemil Çakërri u emërua komisar i çetës dhe Hydajet Micolli nënkomandant i çetës.
Të dy vëllezërit Micolli, Fejziu dhe Hydajeti, ishin djem të thjeshtë, trima dhe besnikë të udhëheqësit tyre komunist Sadik Premtes.
***
Në pranverën e vitit 1943, në krahinën e Vlorës lindi ngjarja që në histori ka hyrë me emërtimin: Fraksioni i Vlorës. Kontraditat ndërmjet shumicës së komunistëve të Vlorës erdhën sepse: Udhëheqësit e Grupit Komunist të “Të Rinjëve”, Anastas Lula dhe Sadik Premtaj që në themelimin e Partisë Komuniste kishin ngritur çështjen e Kosovës, fakt që e provon Prof. Kristo Frashëri, dhe që nuk mund ta pranonin dy serbo-malazest Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha.
Nga ana tjetër Hysni Kapua dhe pasuesit e tij pa shkollë, në Vlorë, e ndienin inferioritetin, nga Sadik Premtaj dhe pasuesit e tij, kështu që kishte lindur vetvetiu cmira dhe zilija primitive ndaj tyre.
Së fundi është fakti se kishin dallime per shtresat shoqërore, Sadik Premtja dhe pasuesit e tij nuk nxirrnin në plan të parë luftën e klasave.
Këto kontradita sollën armiqësinë e grupeve dhe në qershor të vitit 1942, Anastas Lula dhe Sadik Premtaj u përjashtuan nga partia. Anastas Lula u dërgua partizan i thjeshtë në Skrapar, nën mbikqyrjen e Ramis Aranitasit, kurse Sadik Premtaj u dërgua në Vlorë, nën mbikqyrjen e shokut Hysni Kapo, që sipas Enver Hoxhës të shlyenin “gabimet e tyre”.
Në Konferencën e Pare të Partise Komuniste Shqiptare, më 17 mars 1943, që u mbajt në Labinot, u vendos që të bëhej luftë e vendosur për shkatërrimin e fraksionit të Anastas Lulës dhe Sadik Premtes. Pra ishte vendosur de fakto pushkatimi i Anastas Lulës dhe Sadik Premtes. (‘“Dokumente kryesore të PPSH”, Vëllimi i Parë, Tiranë, 1971, f. 118) “Konferenca kishte dhënë porosinë që, Sadik Premtja, për shkak të veprimtarisë së tij përçarëse e fraksioniste të demaskohej, të arrestohej e të dënohej si tradhëtar”
( “Historia e Luftës Antifashiste…” Vëll. 2, Tiranë 1986, f. 174-175)
Fakt që e pranon edhe komunisti Hysni Kapo kur thotë se në Labinot Miladini dhe Dushani ngarkuan Mehmetin për të vrarë Xhepin, Sadik Premten.
Për të ekzekutuar vendimin me vdekje të Sadik Premtes u ngarkuan Mehmet Shehut dhe Hysni Kapo, që hartuan këtë plan kriminal: Hysni Kapua duhet të arrestonte, në Tragjas, Pali Terovën, përgjegjësin e Partisë për krahinën e Dukatit dhe ta detyronte atë ti shkruante Sadik Premtes që të vinte në takim në malin e Tragjasit, dhe kështu do të ekzekutoheshin të dy. Mehmet Shehu do ti kërkonte Neki Ymerit, komandantit të çetës “Plakë”, të shkonte më gjithë çetë në Mallakastër dhe atje do ta arrestonte, atë, bashk me Xhemil Çakërrin, komisarin e çetës.
Sadik Premtja sapo mori letrën e Pali Terovës u nis nga Gjormi për në vendin e takimit në mal të Tragjasit. Nga Tragjasi u nis Abas Fejzua, besnik i Sadikut, më pas gjeneral dhe që vdiq në burgun e Burrelit. Ai takoi në rrugë Sadik Premten dhe i tha: “Ktheu se je në pritë. Pali është arrestuar” Kështu, Sadiku arriti t`i shpëtoi edhe kësaj prite të pa besë të Hysni Kapos. Pali Terovën e donte, e besonte dhe repsektonte gjith krahina e Dukatit, prandaj u ngritën në protestë kundër Hysni Kapos dhe e shpëtuan atë. Nga ana e tij, Memet Shehu më 7 maj 1943, me anën e një letre i kërkonte Neki Ymerit të nisej urgjent në Mallakastër, sepse pritej operacioni fashist. Sadik Premtaj i kërkoi Nekiut të mos shkonte, sepse do ta vrisnin, por ai nuk u bind dhe u nis. Në Mallakastër arritën më 8 maj 1943, në shtëpinë e Bilbil Klosit. Atje, pabesisht komandanti i çetës “Plakë”, patrioti dhe trimi sypatrembur, Neki Ymeri dhe patrioti dhe trimi tjetër komisari çetës Xhemil Çakërri u arrestuan, sekret, nga një njësit që kryesohej nga Idris Seiti dhe Vllas Arapi, besnikë të Mehmet Shehut.
Më 9 maj 1943, ndërsa këta mbaheshin të arrestuar në mullirin e Kutës në Mallakastër, Hydajet Micolli, sapo mori vesh këtë fakt tronditës, duke u qëndruar besnik shokëve të tij, pa pyetur për rrezikun, me disa luftëtarë të çetës, sulmoi mullirin për të liruar komandantin dhe komisarin.
Kështu që filloi përpjekja me armë ndërmjet Njësitit prej katër vetave që mbante të lidhur
Neki Imerin dhe Xhemil Çakërrin dhe një pjesë të çetës “Plakë”, të kryesuar tashmë nga Hydajet Micolli.
Në këto rrethana të vështira Njësiti në zbatim të urdhërit të prerë të Mehmet Shehut, që arrestimi Neki Imerit dhe Xhemil Çakërrit nuk duhej të merrej vesh nga askush dhe nuk duhet të binin të gjallë në dorën e askujt, Njësitu vrau brenda mullirit Xhemil Çakërrin dhe jashtë tek dera e mullirit Hydajet Micollin, i cili kishte sulmuar me trimëri derën e mullirit dhe ishte gati të hynte brenda për të shpëtuar shokët e tij.
Kjo vrasje solli pasoja të rënda për zhvillimin e luftës në Qarkun e Vlorës dhe më gjerë, pasi përçau populin, përçarje që vazhdoi deri sa u përmbys sistemi diktatoril komunist.

Pas 37 vjetëve, Hydajet Micolli, shpallet dëshmor i Atdheut, ndërsa Xhemil Çakërri, “armik i popullit”
Në janar të vitit 1945, Fejziu Micolli, u bë komandant batalioni në Brigadën e Parë. Batalioni tij ndërsa sulmonte forcat civile antikomuniste të Preng Calit në malet e Kelmendit, u vra në rrethana të pa sqaruara, tek ura e Tamarës, më 15 janar të vitit 1945 dhe u shpall dëshmor dhe Hero i Popullit.
Të dy luftëtarët komunist, Hydajet Micolli, vëllai i Fejziut dhe Xhemil Çakërri, u shpallën armiq të Partisë dhe të popullit, si fraksionist, kontributi tyre në luftë u harrua nga shokët e tyre dhe nuk u zu më në gojë.
Pas 37 vjetëve, falë miqve dhe dashamirësve, Hydajeti, me vendim të Komitetit Ekzekutiv të K.P. të Rrethit të Vlorës nr.118, datë 7.7.1980, u shpall dëshmor i Atdheut.
Për turpin e komunistëve vlonjatë, për ta shpallur dëshmor ata e raportuan këtë vrasje të pa besë, nga vetë ata, se gjoja ai ishte vrarë nga reaksioni i Xhepit!
(Dervish Mejdani ”Dëshmorët … e Vlorës”, Geer, Tiranë 2002, f. 21, 340)
Ndërsa Hydajeti u shpall dëshmor, vetëm pas 37 vjetëve, shoku i tij, Xhemil Çakërri mbeti armik i Partisë dhe i Popullit!!!, sjellje tipike e falsifikimit të historisë nga komunistët vlonjatë.

Barbaria dhe egërsia e komunistëve vlonjatë mbi familjen patriotike Çakërri
Nuk mjaftoi vetëm kjo, por familja e vëllezërve Çakërri, Qazimit dhe Xhemilit, komunistët, mbajtën një qëndrim, armiqësor, të egër, çnjerzor, me atentate për të vrarë Qazimin, me vuajtje dhe persekucion barbar dhe të pa meritur, pikërisht nga shokët e tyre komunistë, të urdhëruar nga Hysni Kapua.
Familja e këtyre djemëve trima dhe patriotë nën drejtimin e babait tyre patriot Azem Murat Çakërrit, nga Tragjasi, është e sakrifikuar për lirinë e vendit të tyre, ndofta si pak familje të tjera në Vlorë.
E gjith kjo familje u lidh që në fillim me Lëvizjen Antifashiste.
Të dy vëllezërit Qazimi dhe Xhemili kishën mbaruar tregëtaren e Vlorës. Qazimi kishte bërë edhe dy vjet shkollë ushtarake.
Motra e madhe Salia u martua me Yzeir Alimerkon, që kishte marrë doktoraturë në Itali për arkeologji. Yzeiri që në fillim u ndodh në vijën e parë të luftës për liri në radhët e Ballit Kombëtar, për këtë aktivitet atdhetar ai u pushkatua nga gjermanët.
Në vitin 1942, motra tjetër Sulltana si antifashiste e luftëtare, u arrestua dhe u burgos nga fashistët
Qazimi, Xhemili dhe Sulltana u inkuadruan në çetën “Plakë” të Vlorës, që me krijimin e sajë më 4 dhjetor 1942. Qazimi, i njohur me pseudonimin Difi, u zgjodh komisar i çetës, dhe pas trasferimit të tij, komisar u zgjodh vëllai tij Xhemil Çakërri, i njohur me psudonimin Milo.
Sulltana ishte zgjedhur përgjegjëse e gruas për Qarkorin e Vlorës. Të tre Qazimi, Xhemili dhe Sulltana ish anëtarë të Grupit Komunist të “Të Rinjëve”, u bindën se vija politike që ndiqte Qarkori i Vlorës me Dushan Mugoshën, Liri Gegën dhe Hysni Kapon nuk ishte e drejtë, ishte terroriste dhe e kundërshtuan atë në krah të Sadik Premtes.
Xhemili u vra nga komunistët, në Kut të Mallakstrës, Yzeir Alimerko u pushkatua nga Gjermanët, në Bubullimë të Lushnjës, Sulltana me Qazimin ndiqeshin këmba këmbës, për t`u vrarë, nga shokët e tyre komunist.
Pas vrasjes së Xhemil Çakërrit, Hysni Kapua urdhëroi Fejzo Gjomemën nga Tragjasi, të ngarkonte njerës për të vrarë Qazim Çakërrin, vëllan e Xhemilit. Fejzua, ishte anëtar i Grupit Komunist të ”Të Rinjëve”… mendonte se vrasja e Qazim Çakërrit do të sillte trazira, brenda dhe jashtë fshatit të tyre, Tragjasit. Fejzua nuk e bëri vrasjen, prandaj atë e vranë tradhëtisht pas shpine, me dorën kriminale të L. B. më 15 shtator 1943, pasi kishte përfunduar Lufta e Drashovicës. ( Shih për më shumë ”Neki Hamiti ”Kujtime”, Triptik, Vlorë 2006, f. 68)
Qazim Çakërrit iu bënë pesë atentate, vetëm në atentatin e pestë në Tiranë komunistët arritën ta plagosin. Nako Spiro i shkruan Enver Hoxhës, me hidhërim: “Dhe një gjë që duhesh në fillim, por ishja duke shkruar, kur mora vesh se Qazim Çakërri u plagos rëndë. Kishte 4-5 ditë që e ruanim. Mbas dite afër shtëpisë tënde, në rrugë, mundet te shkolla kur qe me tre vetë tue shkue e qëlluan, por çe do që s`ka vdekur ala”. (AQSH, F. 14, Data e dokumentit 14.10.1943, D. 26/1, Lista ¼)
Qazimi, ky trim dhe patriot, shpëtoi nga plumbat e shokëve të tij komunist dhe u arratis së bashku me të motrën Sulltanën, në Amerikë ku edhe e mbylli jetën e tij, larg Atdheut për të cilin kishte luftuar dhe sakrifikuar aq shumë. Shtëpinë e tyre në Skelë të Vlorës e dogjën fashistët italianë, kështu që familja u detyrua të trafserohej në vendlindje, në Tragjas, por edhe atje fashistët ua bënë shkrumb e hi shtëpinë. Në çlirimin e vendit, Azemit dhe Qeribasë, prindërve të luftëtarëve të lirisë, nuk u mbeti gjë tjetër, veç hirit të shtëpive të djegura.
Ata, në moshën e pleqërisë, të helmuar nga vrasja e djalit dhe e dhëndërrit, si dhe nga djali tjetër dhe vajza të arratisur u kthyen në Vlorë, në një gjendje të mjeruar, pa bukë, pa shtëpi, të persekutuar dhe të përbuzuar, u detyruan të strehohen në bodrumet plot lagështi të një shtëpie të vjetër. Në këto kushte Azemi u bë turbekuloz, por atë babanë e luftëtarëve të lirisë, nuk pranuan ta shtronin as në spital sepse i thoshin: je babai i armiqve të popullit!?
Ai dhe e shoqia vdiqën të harruar, në mjerim të plotë. Varret e Azemit dhe të Qeribasë, varri Yzeir Alimerkos, varri Xhemil Çakërrit humbën përgjithmonë.
Shembulli kësaj familje patriote, tregon një shembull tipik të falsifikimit të historisë dhe njëkohësisht fytyrën çnjerzore të komunistëve të Vlorës.
Një padrejtësi që pret të koregjohet.

Filed Under: Histori Tagged With: ARMIK I POPULLIT, Enver Lepenica, SHPALLET DËSHMOR, TJETRI, U VRANË NË NJË DITË: NJERI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • …
  • 68
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT