• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2015

Fan S. Noli dhe Koshienca Shqiptare

January 6, 2015 by dgreca

Me 6 Janar 1882 lindi ikona e Kombit shqiptar, themeluesi I Kishes Autoqefale Orthodokse Shqiptare, apostulli i dytë i shqiptarëve ,bashkethemelusi I Federates Panshqiptare te Amerikes “VATRA” , themelues I Gazetes DIELLI, perkthyesi, muzikologu, poeti, Kryeministri, diplomati qe anetaresoi Shqiperine në Lidhjen e Kombeve, FAN S. NOLI/
Nga Atë Arthur Liolin*/
Fan Noli ishte njeri i të gjitha kohërave. Tërë jetën, talentin dhe aftësinë e tij të pashoqe ai i vuri në shërbim të popullit shqiptar.
Në fe dhe letërsi, qeverisje dhe gazetari, studime skolastike dhe në muzikë, ai u përpoq t’i jepte popullit të vet – aq të vuajtur nën pushtimin shekullor – një bazë të shëndoshë për të rizbuluar identitetin kombëtar pas disa shekujsh shtypjeje dhe asimilimi kultoror. Në këtë drejtim, ai e përqëndroi tërë energjinë e tij intelektuale e shpirtërore me një vullnet të paparë në lëmitë ku ai e pa të domosdoshme, sepse ai e kishte kuptuar mirë thënien biblike: “një popull pa vizion zhduket.”Çdo pjesë e punës që bëri ai gjatë jetës përbën një përpjekje të vetme për ndërtimin e kombit dhe ngritjen e koshiencës kombëtare. Po përdor fjalën koshiencë, me qëllim për ta dalluar këtë kategori shoqërore nga ksenofobia e ligë që po u kërcënohet shumë shteteve tani kur po kalojmë në shekullin tjetër. Kjo përpjekje e Nolit në bërthamë çonte drejt bashkimit dhe afrimit dhe nuk ndante apo përjashtonte. Le të shohim disa aspekte.
Shqiptarët orthodokse po ballafaqoheshin me pengesa të mëdha në përpjekjen e tyre për të krijuar një kishë kombëtare në gjuhën e tyre, përpjekje kjo plot martirizime e sakrifica. Kështu, në fillim si prift në vitin 1908 dhe pastaj si peshkop, Noli vuri themelin e një kishe autoktone përmes përkthimeve dhe botimit të librave kryesorë të shërbimit fetar dhe duke frymëzuar Shpalljen e Autoqefalisë në vitin 1922. Për këtë, ai u quajt, pas Shen Palit, apostulli i dytë i shqiptarëve. Bash për këtë arsye, mbështetja që ai pati prej popullatës muslimane, katolike, protestane, hebreje si dhe asaj kristiano-orthodokse dhe bile edhe të mosbesimtarëve ishte shprehje e një bashkëpunimi kulturor midis tyre, që më vonë u bë standard për shoqëritë multi kulturore.
Në fillim të këtij shekulli, menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë, Shqipëria u gjend pa një arkivë kombëtare. Si një atë i urtë, Noli përktheu në shqip, në mënyre sistematike kryeveprat e autorëve dhe poetëve të mëdhenj botërorë, duke u shtuar atyre veprat e veta orgijinale, të cilat që atëherë vazhdojnë të jenë inspirim i intelektualëve tanë për të menduar, kompozuar, shkruar dhe krijuar në gjuhën e tyre të njësuar. Dimensionet kozmopolite të të menduarit, entusiazmi patriotik, ironia ideologjike dhe rrëfimi i thjeshtë karakterizuan gjuhën e tij, ndërsa me individualitetin e tij të madh dhe respektimin e parimeve në veprat e tij, me forcën tronditëse të luftërave të tij personale, të dyshimeve dhe epifanive u jepte shkrimeve të tij një vërtetësi çliruese: vulen e një njeriu të ndershëm.
Para më pak se një shekulli, vendet e banuara me mija vjet nga shqiptarët ishin ende pjesë te padefinuara të perandorive dhe konfiguracioneve gjeopolitike të huaja. Dihet nga të gjithë se gjysma e popullit shqiptar jeton tani jashtë kufijve të vërtetë të Shqipëris dhe se shumica është e privuar nga të drejtat më elementare humane dhe civile të mbledhjeve dhe të shprehjes së lirë. Meqë Shqipëria qe shndërruar në një korridor për fiset endacake dhe për ushtritë invaduese, banorët e saj shpesh reflektonin divergjenca kulturore. Por, megjithatë, ky popull antik mbeti kompakt dhe në thelb homogjen deri në ditët e sotme.
Si themelues i Federatës Panshqiptare Vatra dhe editor i gazetës “Dielli”, Noli prej viteve 1909 deri 1919 udhëtoë nëpër vende të ndryshme ku banonin shqiptarët dhe ku ata kishin të drejtë organizimi – një gjë që ishte mohuar në vendin e tyre autokton. Shtetet e Bashkuara ishin një nga këto vende që e mirëpriti Nolin. Këtu ai fitoi respektin e Presidentit amerikan Wodrow Wilson, më 1918, dhe përfaqësoi Shqipërinë në Gjenevë, më 1920, duke siguruar kështu futjen e saj në Lidhjen e Kombeve. Duke fituar admirimin e shokëve dhe respektin e bashkatdhetarëve të rinj të ndërgjegjshëm, ai shërbeu si anëtar parlamenti, ministër i Punëve të Jashtme dhe Kryeministër: një karrierë diplomatike që do të kishte kërkuar një jetë të tërë për t’u përmbushur.
Një provë tjetër për orientimin, durimin dhe ndërgjegjen e tij qe mërgimi i tij politik, në vitin 1925, kur ai ia kushtoi jetën kishës së tij, studimeve shkencore dhe zgjërimit të veprimtarisë letrare. Muzika shqiptare, që kishte lindur nga temat antike të luajtura me instrumenta antike, ishte ende e lokalizuar dhe e kufizuar në ritualet e fshatrave. Kështu Noli u regjisrua në New England Conservatory për të marrë mësime në një fushë krejt tjetër. Duke kompozuar një Rapsodi Shqiptare dhe Uverturën Bizantine, ai u dha shqiptarëve shembullin se atë që kishin bërë të tjerët mund ta bënin edhe ata vetë. Nëse ai mund ta bënte këtë, nuk ishte pse mos ta bënin edhe ata. Ishte ky një mësim për kurrajo. Për këtë ai është njëri nga modelet kryesore për vendin tonë.
Në Shtetet e Bashkuara, ai pat studiuar historinë dhe shkencat politike në Harvard (1909-1912) dhe më vonë në Universitetin e Bostonit, gjithnjë duke u përpjekur për të bartur shpirtin e demokracisë dhe qytetërimit amerikan në tokën e të parëve të tij, duke arritur kulmin e përpjekjeve me reformën agrare që bëri qeveria e tij në vitin 1924. Në këtë kohë Shqipëria ballafaqohej me pengesa të mëdha që nuk lejonin ndryshime, si ekonomia e varfër, mentaliteti feudal, besnikëria ndaj klaneve primitive, numri i vogël i miqve dhe numri i madh i kundërshtarëve grykës. Kjo ishte një nismë e guximshme, që edhe sot na habit për nga trimëria dhe largpamësia. Qeverija dhe përkrahësit e tij pasqyronin më së miri diversitetin krahinor dhe fetar, që nuk ishte gjë e zakonshme në atë kohë dhe dëshmonte për tolerancën dhe zemërgjerësinë e të gjithë udhëheqësve shqiptarë të këtij zgjimi kombëtar të shqiptarëve. Gjatë tërë kohës Nolin, kuptohet për interesate e veta, shumë e shpallnin si të vetin, por kurrë nuk u bë vegël e ndonjërit.
Nuk ka dyshim se kishte edhe kontradita të brendshme në këtë eksperimentim fillestar të lirisë dhe të një qeverisje iluministe. Realiteti politik i kohës, mungesa e një baze të përshtatshme arsimore, pavendosmëria e tij që menjëherë të formonte një bazë kushtetutare, mbështetja e tij vetëm në mjeshtërinë diplomatike dhe presionet e panumërta nga jashtë ishin gabime të trashëguara, që pengonin suksesin e menjëhershëm. Duhej kohë, dhe kohë ai nuk pati.
Sidoqoftë, qeveria e vitit 1924 qe fillimi: një Pranverë e shkurtër por e ndritur që edhe sot frymëzon zemrat dhe mendjet e atyre që aspirojnë një Shqipëri të lirë, demokratike, të lulëzuar dhe të barabartë, me besim të plotë në vetevete, por gjithmonë e gatshme për të bashkëpunuar me fqinjët e ndershëm në rajon, në kontinentin e saj dhe në tërë botën… Një Shqipëri që e respekton vendin stërgjyshor, por mbron edhe parimet universale të drejtësisë…Një Shqipëri e zellshme për të rritur potencialin e saj ekonomik, por dhe e vetëdijshme për grykësinë njerëzore, shfrytëzimin dhe mungesën e përgjegjësisë ekologjike….Një Shqipëri e udhëhequr nga prijës të aftë dhe të besuar, por që në të njëjtën kohë i japin llogari parlamentit dhe elektoratit të tyre…Një Shqipëri që respekton lirinë e besimit dhe diversitetin fetar, por që nuk lejon fanatizmin eksklusiv…Një Shqipëri që përkran talentin dhe ëndërrat e qytetarëve të saj plot vitalitet, por që edhe pranon parametrat e provuara nga koha të ligjit kushtetues dhe të konventave ndërkombëtare.
Por ky synim i vlefshëm ka edhe çmimin e vet. Bashkë me lirinë vjen edhe detyra. Me krenarinë kombëtare duhet të vijë edhe përgjegjësia. Me dëshirën për tokën dhe pasurinë personale duhet të vijë edhe shpirtgjërësia dhe synimi personal duhet të përputhet me mirëqenien e përgjithshme.
Në fund të fundit, këto janë çështje të ndershmërisë dhe të drejtësisë, të mëshirës, të trimërisë dhe të mikpritjes. Të koshiencës. Këto janë çëeshtje të etikës dhe moralit që përbëjnë ndërgjegjen e një kombi dhe popullatës së tij. Të gjitha sistemet jetëgjata demokratike kanë këtë element të domosdoshëm për bazë. Noli e dinte këtë dhe, mu për këtë, u mundua ta kultivonte në të gjitha fushat e lartepërmendura.
Republika e Shqipërisë sot, me udhëheqësinë e saj ekzekutive dhe gjykatën, qytetarët dhe diasporen, klerikët dhe fermerët, minatorët dhe mësuesit, tregtarët dhe mjekët, ushtarakët dhe intelektualët, shumicën dhe pakicën e saj ka detyre para gjeneratave të ardhshme dhe vetvetes të shfrytëzoje shansin për ta mbushur jetën e tyre me liri, siguri dhe nder.
Duhet të jemi të bindur se realiteti demokratik i Shqipërisë sot ende mbetet të përceptohet plotësisht, të absorbohet plotësisht dhe të zbatohet plotësisht. Është gjithashtu e qartë se ky proces filloi vetëm para ca vitesh dhe si i tillë nuk mund të mohohet. Janë të shumtë ata që përjetuan çnjerëzimin dhe manipulimin në mungesë të demokracisë. Pavarësisht nga provat dhe sfidat që duhet të përballojnë koshienca dhe vullneti i këtij vendi, ka shenja shpresëdhënëse se populli shqiptar po përpiqet t’i tejkalojë pengesat e mëdha dhe të sigurojë vendin e tij të merituar në këtë botë.
Qeveria e Noit e vitit 1924 ishte faza e parë dhe do ta ruajë përherë vendin e saj si lajmëtar i idealit demokratik në Shqipëri. Prandaj, Fan Stilian Noli do të përkujtohet jo vetëm për veprimtarinë e tij voluminoze dhe përpjekjet e tij në emër të interesit kombëtar të atdheut. Noli përkujtohet sot sepse ai ndihmoi në hedhjen e themeleve të gjera të një qëllimi kombëtar të bazuar në kultivimin dhe vlerësimin e asaj që vlerësohet nga i gjithë njerëzimi. Duke bërë këtë, ai nderoi veten, popullin e tij dhe Zotin e tj.
*“Kumtesë e mbajtur në Tiranë, me rastin e 70-vjetorit të Qeverisë Demokratike të vitit 1924 nga I Përndershimi Atë Arthur Liolin Tiranë, 15 Qershor 1994

Filed Under: Editorial Tagged With: Ate Arthur Liolin, Fan S. Noli dhe, koshienca shqiptare

Hoteli ku bujtën poetet

January 6, 2015 by dgreca

Nga Gëzim Llojdia/
1.Hoteli ku bujtën poetet, një ngrehinë përkarshi detit në Ujë të Ftohtë. Deti-pasqyra ku tejqyrët fytyra:mërmërima dimërore. Valët këtë natë hepohen. Lëkundje sizmike.
Llaftari dimërore. Copëra, rrëzimi. Dhimbje,lotësh. Harrimi. Poetët të menduar nëpër karrige. Bustet-Trëndafila të drurëve të harruar.
Jemi në ditën e fundit të takimit poetik. Poetët. Të bëhen një shpirt,një trup e të jenë të pajtuar ?Kurrsesi. Dje u grindën me Nasen. Kanë mugulluar kohët. Nëpër akullime. Sythe-buavitur. Trajta habitore thellësisht të habitur. Eh Nase miku im!Nasja vë duart në zjarr.
-Aliu, thotë është liriku më i zëshëm.
-Jo them unë. Lasgushi është.
Poetët ndizen dhe mërmërisin vargimin e lirikut Ali.
………………….
Një vështrim i arratisur/Nga qepallat e qendisur/Ku është shpirti im skalisur,
Nga dy syt’ e zez të tu/Vjen me thotë ashtu-kështu!Më thot’ jo edhe më ndez
Më thot’ po edhe më vdes/Nata zgjatet edhe zgjatet/Ah kjo nat’ me or’ nuk matet!E un’ mbetem duke lutur/Lutem yjeve të këputur.
…………………………………..
do të thot’ një fjal’ në veshë:/do të them në veshë një fjalë…/nuk është fjal’ por është valë,/që nga shpirti del e vjen/dhe në zemër vjen e zjen,/me rrëmbim e me tërmete,/e më bënë që s’jam në vete..
Myrteza M. :Kur Aliu në udhë ,gratë dhe vashat thërrisnin prapa qelqeve të penxhereve:Hej shikoni po del Ali Asllani…Zhurmë poetësh, elipse fjalësh. Sërish lirikat e Aliut.
…………………………….
Ti përherë në shtëpi/dhe përhera puth e pi/Pi e puth/si një zog i zën’ në kurth/përpëlite nëpër odë,/mbush një godë e zbraz një godë/dhe me fletë për poezi/Përgëzohem or’e ças,/nga një bot’ në tjetrën shkas/rreth për ty me zotin flas!/Syri puthet, gota pihet,/numri tyre s’mund të dihet,/kurse zemrat dashurohen,/gotat puthjet s’numërohen!/Un’ kam vjershën edhe pijen/po je ti që u jep shijen/pija ime, shija jote un’i gjithë hija jote!
………………………………….
Unë :Një bust dhe emri i poetit dhe pushtetarit Ali Asllani u vendos në një shkollë të mesme në një qytezë të vogël të Labërisë buzë lumit Shushicë. Ali Asllani qëndron 10 km larg vendlindjes së tij,fshatit Vajzë ku lindi i ati. Gjithmonë përpara Bashkisë, ai kishte urdhëruar që të punonte një lustraxhi,kurse brenda në korridor,të vendosej një gardërobë me disa xhaketa e bluza. Dhe kushdo që do të shkonte për ta takuar Kryetarin e Bashkisë,duhet ti fshinte këpucët dhe ti lyente me bojë,aq sa ato mbanin. N.q.s qytetari nuk kish mundësi të paguante llustraxhinë,atë e paguante Bashkia nga fondi i saj,dhe pastaj sipas kohës dhe nevojës vishte dhe një xhaketë,e shkonte për të takuar Kryetarin,Ali Efendinë. Dalë nga dalë, qytetarët filluan ta kuptojnë dhe në takim me të shkonin më të pastër dhe të veshur më mirë,sipas edhe mundësive që kishin. Ali Asllani i vendosi këto kushte,jo vetëm se ato ndikonin në rritjen e kulturës qytetare,që atëherë ishte shumë e nevojshme,por edhe për të ndërgjegjësuar qytetarët,se në ato zyra të shtetit,që iu zgjidheshin problemet dhe hallet,që iu mbrohej prona dhe iu garantohej dhe jeta,të shkoje i rregullt,ti doje e respektoje ata nëpunës e pushtetar,sepse doje dhe respektoje shtetin tënd që ahere ndihej shumë nevoja e tij. Ishte ky qëndrim dhe ky preokupim i Ali Asllanit që institucionet në qytetin e Vlorës,të funksionin normalisht, e të ecnin në rrugë të mbarë,duke i zgjidhur më së miri,hallet e problemet që kishin në atë kohë,Vlora dhe qytetarët e saj. Prandaj ishin të shumtë e përditë jo vetëm banorët e qytetit të Vlorës, por edhe banorët të fshatarëve të rrethit,që përherë shkonin të takonin Ali Asllanin,Kryetarin e tyre.
Kaq për poetin,lirik dhe pushtetarin e diplomatin Ali. Fryrje sythymesh. Shpërthim sizmik lulërish. Ngazëllim masiv. Ethe. Ehe plot zhaurimë. Lot,poezi.
I.Mborja:Kur pyesnin Lasgushin çfarë je :përgjigjej- jam poet.
Mirëpo cila është poezia Lasgushit:
Mi zall të pyllit vjeshtarak /Dremit liqeri pa kufi, /Ay ndaj fundesh u përflak /Posi me zjarr e me flori /posi me flake u ndes e kroj, /E vetëtiti plot magji,/E ylli i ditës perëndoj /Në qetësi dhe dashuri /Tashi po shuhet nën mal/Qytet’i ngrysur ne zi. /Po ndizen yjtë dal-nga-dal /Plot bukuri! plot fshehtësi!/Në këtë çast perëndimor, /Ndaj po më dehen sytë e mi, /Kuptoj si shpirtin vjershëtor /M’a frymëzon nja mall i ri.
Unë them se këto: Elipse rrathësh,agojnë shenja fjalësh. Pjesët e ngrira,do të shkrihen. Prej mahisë. Ari qelqor,ndrinë nëpër lëfyte. E bukurisë. Lasgushi Hyjnor.
2.
Hoteli ku bujtën poetët në stinë dimri. Dimri ka ,zgjatimet e tij. Krahët, trupi ,këmbët . Pushteti i ftohtësisë ,që shtrihen në hapësirën gjithkund. Zbritur prej hapësirës,si rrathët,që shtohen në sipërfaqe uji. Frymëmarrja e ngadaltë e shtruar,e qetuar.
Dimri. Në mos është,ka pjesë nga lugati. Ky zemërkeq me piskama uluritëse si lukuni ujqish të xhindosur,që hënën në mos vërtetë,copë-copë do ta bënin. E kërrusur nata. Shira tërbimi. Stërbimi. Dëborë, akullim,cingërimë. Dimri maskarallëk,por si sinonim i afrohet fjala fukarallëk. Ftohtë tej hapësira. Ne jemi shtruar rreth tryezës për vaktin e darkës. Pyesim krijuesit Sabiti,Ganiu,Haziri sa orë u duhet për tu kthyer në Mitrovicë?Rreth 6 orë shtonë Sabiti.Nga udha e kombit.Poetet e tjerë mblidhen rreth tryezës. Samiu është avokat- poet ,Xhelal Tosku vetëm poet. Beatrice Ballici mësuese –poete,Iliri nga Elbasani piktor,një ese e tij lexohet këndshëm,bënë llaf për tradita dhe folklorin lab. Bardhyli fabulist .Virgjili ka shkruar edhe vargje poetike.”Kryqtari i fundit” ia ka dedikuar Skënderbeut,është shitur në Kanada,SHBA,Evropë. Në vitet viteve ’80,pra shekulli i kaluar lajmet tek i vetmi stacion që emetonte lajme i ndiqnin përmes zërit të këtij artisti të mrekullueshëm.
Nëse do të pyesje Xhelalin:Çfarë je. Përgjigja është e lexueshme.
-Jam poet. Aty nga mesi i viteve ’80,një brez i ri poetësh u shfaqën nëpër faqet e periodikëve letrarë. Mes tyre tek ‘Gazeta” Zëri i rinisë” kujtoj edhe emrin e një poeti .Ai vinte nga qyteti i vogël kur këmbeheshin trenat për në destinacionet e jugut dhe në juglindje të vendit. Xhelal Tosku është poet i formuar. Ai do të jetojë vetëm me poezinë. I përkushtuar asaj magjie qiellore. Nga ajo strehë shkon e vjen përherë shpirti i tij. Si gurët e rrallë të smeraldit,që shkëlqejnë në errësirë,dritëza e poetit ndriçoi vende, që nën mjegull bënin jetën me shpirtin në errësirë.”Minierat e shpirti ,prodhojnë diamante të rrallë”.
Në perëndim, i quajnë të marrosur sigurisht pas fletëve,të hutuar gjithë kohës dhe të tjetër soji njerëzor .Një studiues kosovar thotë se ky: Parisi i madh ka fare pak dyqane libri,tregues poezia po zhduket vetëm në Shqipëri e Kosovë po lulëzon vrullshëm. Aq i fuqishëm është potenciali i tyre shpirtëror dhe pjellja e tyre shpirtërore,pra poezia e atij soji saqë shpesh quhet si produkt i frymës hyjnore. Në oborrin e krijuesve poezia është lulja erëmirë,lulja erëmirë nxori polenin e artë,por era i nxori shenjtoret nga kahu i lindjes në perëndim,herë me era jugore të bardha,herë me shtegtarë të hutuar,që në thelb përbënin shenjtorët e ndërlikuar,që si fundmi u thërrasin shkurt poetë.
Poezi nga Xhelal Tosku- Gjeneza në Pijetore/në fillim ishte fjala/tha ai/pas fjalës një kokërr mollë/thashë unë/pas mollës Adami dhe Eva/tha ai/pas Adamit dhe Evës kjo botë shkërdhat/thashë unë/dhe botën e kthyem që të dy me fund.
3.Ditët poetike janë dëshmi e manifestimit poetik. Pas tri ditëve poetët bëjnë gati bagazhet. Nesër hoteli ku bujtën poetët buzë këtij deti jugor do të jetë boshë .Poetët largohen nesër. Nuk ka agjenci udhëtimi si dikur por gjithsecili në hesap të vet. Çfarë do të bëjë deti,paskëtaj sigurisht do të vajtonte kohën e shkuar. Ujërat dallgëzonin. Ikën poetët,kurrkush nuk i pa,si ikën. Pika e lotit mbeti mbi hapësirën pa skaj të këtij deti.
4.Raca e Poetëve po rrallohen. Në vitet e fundit poetët,shkrimtarët e qytetit jugor Ferhat Çakërri, Anastas Bita, Fadil Zeqiri, Miliano Stefa shkuan definitivisht në qytetin e heshtur të varrezave publike .Në ftohtësinë e tokës së Babicës shkuan këtë fund vere në botën e parajsës, poetët Petrit Qejvani dhe Jonida Osmani. Rrallohen poetët, rrallohen shitoret e librave në botë. Mirëpo dihet, poezia është bijë e parë e bukurisë hyjnore,a do të na lërë vërtetë Zoti pa të?

Filed Under: ESSE Tagged With: bujtën poetet, Gezim Llojdia, Hoteli ku

NJOFTIM NGA PARTIA LEVIZJA E LEGALITETIT NE SHBA

January 6, 2015 by dgreca

Te shtunen do te perkujtohet ne Kew Gardens New York, Gjenenerali Abaz Kupi/
Partija Levizja e Legalitetit, Dega e SHBA-se, ne bashkepunim me familjen Kupi, ka nderin te njoftoje komunitetin shqiptar, entet fetare dhe politike,mbreteroret shqiptare, anetaret e Partise Levizja e Legalitetit, miqte dhe dashamiret e familjes Kupi, se edhe sivjet, si cdo vjet, diten e Shtune me date 10 Janar 2015, ne oren 12:00 pm do te mblidhemi tek varri i Gjeneral Abaz Kupit, ne varrezat Maple Grove Cemetery, ne Kew Gardens New York, per te perkujtuar 39 vjet…orin e vdekjes se keti udheheqesi te madh te nacionalizmit shqiptar, njeriut simbol te beses ndaj atdheut, themeluesit te Organizates Kombetare “Levizja e Legalitetit”, politikanit te pa kompromis, besnikut te pashoke ndaj Mbretit Zog dhe mbi te gjitha organizatorit te rezistences antifashiste te 7 Prillit 1939, Kryetarit tone dhe heroit kombetar, Abaz Kupi!
Tubimi do te mbahet ne oren 12:00 pm ne adresen e meposhtme:
Directions
127-15 Kew Gardens Road, Kew Gardens, The New York Times 11415
Telephone: 718-544-3600, Fax: 718-544-2227
Te gjithe Shqiptaret jane te ftuar dhe te mirepritur.
Mire se te vini.
Kryesia e Partise Levizja e Legalitetit per SHBA.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Ahmet Hoti, hakik Mena, Levizja e Legalitetit, Njoftim, Partia, Sokol Kupi

Masakra e Bihorit në Natën e Bozhiqëve të 43-tës(I)

January 5, 2015 by dgreca

Sprovimet e vështira dhe vuajtjet e popullit të Sanxhakut janë përshkallëzuar sidomos në periudhën nga 5 janari deri më 7 shkurt të vitit 1943 kur është kryer gjenocid kryesisht kundër popullsisë së besimit islam të luginës së lumit Lim nga Bijello Polja deri në Foçë. Sipas dëshmive të dokumentuara në këtë periudhë janë masakruan rreth 9200 Sanxhaklinjë. Popullsia e kësaj treve është persekutuar pa dallim gjuhe, përkatësie kombëtare (shqiptarë apo bosh Jake). Kjo ka ndodhur gjatë Luftës së Dytë Botërore – luftë e cila për çetnikët kishte edhe karakter “kryqëzate”.
Shkruan: Ismet Azizi/
Duhet përkujtuar se Pavle Gjurishiq ishte komandanti çetnik i cili, ndër të tjera, udhëhoqi një nga veprimet më brutale kundër popullit të Sanxhakut dhe Bosnjës lindore në fillim të viti 1943. Konsiderohet se Gjurishiq ka qenë krimineli më i madh në Luftën e Dytë Botërore në Mal të Zi por dhe më gjerë.
Myftiu i Sanxhakut, Muamer Zukorliq, për “Srebrenicën e Sanxhakut”, thotë: “Sipas raportit të komandantit çetnik Pavle Gjurishiq, Gjeneralit Drazha Mihajlloviq, në gjysmën e dytë të muajit shkurt të vitit 1943. në Luginën e lumit Lim njësitë çetnike të Ushtrisë së Mbretërisë Jugosllave kryen gjenocid ndaj 9200 sanxhaklinjve të pafajshëm. Në raport theksohet se 1.200 të vrarët ishin të aftë për ushtri, ndërsa 8000 të tjerë ishin gra, fëmijë dhe pleq”, shkruan bosnjaci.net
Historiografia shqiptare në dy dekadat e fundit ka bërë përpjekje të dukshme për zbardhjen e ngjarjeve dhe zhvillimeve politiko-ushtarake në trevat etnike shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për këtë qëllim janë organizuar me dhjetëra simpoziume shkencore në Tiranë, Prishtinë, Shkup etj, në të cilat janë ofruar fakte dhe dëshmi të pakontestueshme për krimin dhe gjenocidin ndaj popullsisë civile shqiptare nga ana e forcave të ndryshme pushtuese çetnike e komuniste.
Krimet çetniko-komuniste janë kryer në vijimësi, sa herë që u është dhënë mundësia, e që për fat të keq deri më sot kanë ngelur në errësirë.
Të dhënat burimore flasin qartë se forcat serbo-malazeze çetnike të përkrahura me logjistikë dhe me armë nga ushtria italiane, shkatërruan përtokë, me zjarr në 82 fshatra në Krahinën e Bihorit më 5 – 6 janar të vitit 1943 nga ana e forcave çetnike serbomalazeze, të udhëhequr nga krimineli i njohur çetnik, Pavle Gjurishiq. Siç bëjnë të ditur dokumentet arkivore shqiptare, brenda dy ditëve janë vrarë, therur, masakrua mbi 4 628 banorë shqiptarë, qindra të tjerë janë zënë rob (shumica gra e vajza të reja) kurse mbi 15.000 janë detyruar t’i lëshojnë vatrat e tyre për t’u vendosur në vende më të sigurta. Krahina e Bihorit ishte zonë neutrale midis vijës së demarkacionit të Shqipërisë dhe Malit të Zi, e cila mbikëqyrej nga autoritetet civile e ushtarake italiane.
Krahina e Bihorit gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte zonë neutrale midis vijës së demarkacionit të Shqipërisë dhe Malit të Zi, e cila mbikëqyrej nga autoritetet civile e ushtarake italiane.
Bihori i Sanxhakut ishte lënë zonë e demarkacionit midis zonës së interesit gjerman (Serbisë së Nediqit), zonës italiane (Mbretërisë së Malit të Zi) dhe farsës “Shqipëri e Madhe” nën kurorën mbretërore të Italisë. Mirëpo, mbi këtë teritor kishte vu dorë Mali i Zi, me përkrahje të plotë nga ushtria fashiste italiane.
Popullsia e zonës neutrale, konsideronte për gjendjen e krijuar dhe për masakrën në Bihor, janë fajtore autoritet shqiptare, si dhe autoritetet ushtarake italiane të Malit të Zi, për moskujdesje ndaj sajë. Sipas tyre zona neutrale e cila nuk i takonte askujt ishte mundësi e mire që sersbomalazezët të realizojnë qëllimin e tyre të pastrimit etnik të kësaj treve. Qeveria shqiptare nuk kishte marrë masat e nevojshme për mbrojtjen e saj. Popullata akuzoi qeverinë sepse nuk ishte në gjendje as ta armatos popullin që të vetorganizohen në mbrojtjen jetës së tyre, edhe pse një gjë e tillë iu ishte premtuar, ose te e fundit populli nuk iu bë me dije që të gjinden vet ashtu si dinë dhe munden.
Pasi që tashmë për masakrën e Bihorit ishte dëgjuar gjithandej, qeveria e Tiranës formoi një komision i cili do ta analizonte gjendjen e krijuar në këtë trevë , dhe ta njoftoj qeverinë për masakrën e shkaktuar ndaj popullatës së Bihorit dhe pasojat e sajë.
Qeveria Libohova e Mbretërisë Shqiptare e dërgoi në Bihorin e martirizuar një komision shtetëror, në krye me Nënministrin e Tokave të Lirueme, juristin Qazim Bllaca. Në komision ishte edhe Thoma Luarasi, me karrierë politike në këtë ministri, dhe tre ushtarakë të lartë italianë, mandej një numër i parisë shqiptare të Dukagjinit me Demë Ali Pozharin, Emrush Miftrain, Bajram Gashin etj, kurse në vend komisionin e shoqëroi një delegacion i Sanxhakut në krye me patriotin e zjarrtë shqiptar Mulla Osmanin e Petnicës .
Dhe, nga të dhënat që mblodhi, emër për emër, ky komision, në Masakra e Bihorit nga serbo-malazezet, të mbështetur në ushtrinë italiane dhe të vështruar nga afër prej ushtrisë antifashiste – komuniste të Titos, pësuan: Burra – 590 të vrarë, 185 të therë, 119 të grirë; gra – 340 të vrara, 285 të thera, 266 të grira; fëmijë – 701 të therur, 705 të djegur, 447 të grirë. Të plagosur: burra – 359, gra – 275 dhe gra të reja e vajza të deportuara në kampet çetniko-drazhiste për t’i shfryer epshet shtazarake prej ushtarit kanibalist sllav ortodoks – 251. Asnjë nuk shpëtoi nga thika për të dëshmuar krimin shtazarak të serbo-malazezit. Ua humbën edhe varret. Pra, gjithsej viktima 4 628 veta – fëmijë, gra, burra.
Në Arkivin Qendror të Shtetit, Tiranë, në fondin arkivor të viti 1943 (janar – korrik), gjendet dosja nr. 5, me 57 fletë, ekzistojnë disa dokumente origjinale dërguara kryeministrit të atëhershëm të Shqipërisë z. Ekrem Bej Libohovës nga ana e Komisioni të zgjedhur enkas për ta konstatuar gjendjen faktike, të cilat në mënyrë të pakontestueshme dëshmohet krimi dhe gjenocidi serbo-malazias mbi banorët shqiptar të kësaj zone. Dokumentet në fjalë do t‘i paraqesim në formë origjinale.
Dokumenti i I -rë
“Tiranë, me 30 Kallnuer, 1943-XXI, Shkëlqesisë Ekrem bej Libohova, Kryetar i Këshillit të Ministrave
Shkëlqesi
Në vijim të kthjellimeve që patëm nderin të Ju apim mbi ngjarjen e tmerrshme që ndodhi në Bihor, në krahinat e Senicës e të Bjelopolës, sikurse na porositët, po paraqitim së bashku me këtë shkresë, nji relacion mbi ato mizorina, i forcuem me dhjetë copë dokumenta provuese. Shkëlqesia e Juaj e din vehtë se ç’masa duhet marrë për t’u ardhur në ndihmë refugjatëve – gadi 10.000 shpirt – që janë tue vuejtun keqas, si edhe mbi çka duhet bamë qi ata mizorina mos të përsëriten dhe populli mund të shkojë në vend të vet. Edhe mbi atë pikë simbas porosisë së Juaj, e kemi dhënë mendimin tonë këshillues. Tue qenë të sigurt se Qeverija Mbretnore do t’a merrë parasysh këtë çështje me rëndësin e me ngutësin që meriton, mbeteni me shumë nderime.
N’emër të muhaxhirëve të Bihorit
P.S.
I lutemi së ndershmes Kryesi t’ia përcjellë sa më parë Kryqit të Kuq Shqiptar dokumentat origjinale, mbasi atij instituti i janë drejtue.
Dokumenti i II-të
Promemoria mbi ngjarjet e tmerrshme në zonën e Bihorit
1.- Katundet shqiptare të Bihorit, ndër krahinat e Senicës e të Bjelopoles, në zonën që quhet neutrale, midis Malitzi dhe Shqipnis, sepse nuk mvaret prej Administratës malazeze por as nuk asht e bashkueme me Mbretnin shqiptare , janë ba lama e nji tragjedije të tmerrshme qi ndodhi në ditët 5 e 6 Kallnuer 1943.
2.- Banorët e atyne krahinave fatkeqe qi priteshin me padurim, por plot shpresë e besim, bashkimin e tyne me Nanën Shqipni, sikurse e don e drejta dhe vullneti i atij populli qi ka vuejtun për kohë të gjatë nën zgjedhën e Malazezve, u ban dëshmorë të nji dëshire të shejtë, ata kanë pa me sy, ndër ato ditë të zeza, çka nuk ka ndodhur kurrkund ndër vise t’ona.
3.- Çetnikët malazez e serb, katër a pesë mijë, dhe ndoshta ma shumë, nën komandën e Vojvodës Pavle Gjurishiq ose t’urdhënuem prej “tij” u avitën tinas katundeve të Bihorit, tue kalue lumin, togje – togje, në të mugët e natën. Sa t’a kuptojë popullsia rezikun, çetnikët, u vërsulën kundër saj si bisha t’egra dhe e filluan me terbim veprën e tyne shnjerëzore tue prishun, tue gjegun e tue masakrue. Në pak kohë 82 katunde u prishën e u shfaruen. Banorët e tyne, të tmeruem, duelën në mes të natës prej shtëpizave që të shpëtojnë prej zjarrit, të veshun e të shveshun. Por ranë në duert e çetnikëve t’egjër, të cilët i grinë me pushkë, me thika e me shpata. Nuk kuryen as pleq, as gra, as fëmijë të njomë. Kush shpëtoi prej dorës së çetnikëve, e gjet vdekjen në bjeshkë prej të ftohtit. Kush mundi t’i shpëtojë vdekjes tue ikur, ka me e pasë për gjithë jetën në trup e në shpirt, vulën e tmerit e të vuajtjeve. (vijon)

Filed Under: Histori Tagged With: Bihorit në Natën, e Bozhiqëve, Ismet Azizi, Masakra e, të 43-tës

VEPRIMET AUTODESTRUKTIVE TË VAN-it ZGJASIN PUSHTETIN E HASHIM THAÇIT

January 5, 2015 by dgreca

Pas deklarimit të VAN se nuk do ta votojë Gjykatën Speciale/
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Sot që në mëngjes lexova lajmin nga Zëri se “Vetëvendosja”, AAK-ja dhe “Nisma për Kosovën” do të votojnë kundër themelimit të Gjykatës Speciale, ligj të cilin qeveria e Kosovës është e detyruar ta paraqesë brenda pak ditësh në Kuvend për votim. Ishte një lajm skandaloz. Shumë autodestruktiv për VAN. Në favor të kohëzgjatjes së pushtetit të Hashim Thaçit.
Dihet metodologjia që ka përdorur Hashim Thaçi këta tetë vjet ndaj kundërshtarëve politikë. Ai u ka bërë të nëntëdhjetë e nëntat kur thotë populli shqiptar, por më së shumti është përqëndruar në diskreditimin dhe demonizmin e tyre në sytë e ndërkombëtarëve, ndërsa vetë ndaj ndërkombëtarëve në dukje ka mbajtur qëndrim korrekt.
Ndaj kundërshtarëve politikë, gazetarëve dhe të gjithë personaliteteve që e kanë kritikuar apo denoncuar, apo ia kanë rrezikuar pushtetin, Hashim Thaçi duke eksploruar metodat që ka përdorur regjimi ish-pushtues dhe regjimet e dala nga diktaturat sovjetike, u ka kundërvënë makinerinë e pushtetit politik, duke përdorur kundër tyre të gjitha maskarallëqet, intrigat, paratë, mediat e kontrolluara, ambasadat e shtetit të Kosovës. Paçka se nuk ka as kapacitete dhe as kompetenca, paçka se ka rreth vetes injorantë dhe analfabetë, paratë kanë mjaftuar.

Prandaj është urgjente për opozitën dhe çdo politikan me integritet të Kosovës që ta sqarojë veten apo partinë për pozitën që mban. Se who is who. Se cili është ai aksh politikan apo ajo aksh forcë politike. Se është pro euro-atlantike, se është pro qeverisjes demokratike, pro shtetit të së drejtës, pro shtetit ligjor, se është kundër korrupsionit dhe çdo lloj krimi të organizuar, se është për zbardhjen e së vërtetës dhe se është po ashtu pro Gjykatës Speciale. S’ka alternativë tjetër.
Ishte qeveria e Hashim Thaçit gjatë mandatit të tij të dytë që e zvarriti votimin e kësaj Gjykate, e cila pritet të vendosë drejtësinë e munguar në Kosovë. Pasi në Kosovë nuk ka drejtësi. Le të fillojmë nga vrasjet politike të pas luftës. Asnjë prej këtyre vrasjeve nuk është e zbardhur. Dhe ky fakt rëndon në integritetin e qeverisjeve të Kosovës dalë pas luftës.
Prandaj është skandaloz deklarimi i VAN-it, se do të votojë kundër themelimit të kësaj Gjykate, pa marrë parasysh se votimi i saj është kërkesë emergjente e faktorit ndërkombëtar dhe për të ardhmen e shtetit demokratik të Kosovës.
Dhe në një farë mënyre i vërteton akuzat demonizuese të Hashim Thaçit kundër tyre. Bile, kësaj here Hashimi s’ka nevojë fare të flasë, sepse faktet flasin vetë.
Dy liderët nga tri partitë opozitare të VAN i kanë provuar burgjet dhe kanë dalë prej tyre të pastër. Atëhere përse dalin kundër kësaj Gjykate. Haradinaj dhe Limaj kanë luftuar vetë për çlirimin e Kosovës. Ata simbolizojnë edhe UÇK dhe ata i kanë larë duart me drejtësinë. Atëherë përse nuk e votojnë ligjin. Përse dëmtojnë imazhin e tyre si politikanë dhe të partisë së tyre. E njëjra gjë vlen edhe për liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin.
Pse, kështu rrëzohet aleanca e qoftëlargut midis Hashim Thaçit dhe klanit të Isa Mustafës?! Jo, kështu kjo aleancë zgjatet. Do të zgjatet edhe keqqeverisja, edhe pushteti despotik i Hashim Thaçit. Pas dy mandateve kryeministër, de facto edhe tani ai është kryeministri në hije i Kosovës, duke synuar të marrë për pesë vjet, apo, pse jo, dy mandate edhe postin e presidentit të Kosovës dhe kështu Kosova do të vazhdojë të qeveriset nga një regjim despotik, që rrezikon stabilitetin e gjithë rajonit.
Meqë e kam përkrahur këtë koalicion, VLAN-in, kur pjesë e tij ishte edhe LDK-ja dhe për konsekuencë edhe VAN-in, sepse kam besuar se ky koalicion ka synuar shtetin e së drejtës dhe jo pushtetin, i bëj thirrje që të heqë dorë nga qëndrimet autodestruktiviste, të cilat jo vetëm dëmtojnë imazhin e tyre si liderë dhe politikanë, por dëmtojnë të ardhmen e Kosovës.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, VEPRIMET AUTODESTRUKTIVE TË VAN-it, ZGJASIN PUSHTETIN

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 60
  • 61
  • 62
  • 63
  • 64
  • …
  • 68
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT