OHIO : Autoritetet e ruajtjes së rendit në policinë e Ohios, seksioni i njerëzve të humbur, duke kërkuar edhe ndihmën e FBI, kan lëshuar në gjithë vendin një njoftim me një poster të martën herët, ku bëhet fjalë për një vajzë 3-vjeçare, e cila rezulton e humbur nga qyteti New Castle, Delaware.
Në rrjetet sociale, thuhet se fëmija është shqiptare, por nuk sqarohet se nga nëna apo babai i saj.
Fëmija quhet Elinor Trotta, ndërsa besohet të jetë “rrëmbyer”, prej të atit të tij, të martën në orën 6;48 të mëngjesit në kompleksin e shtëpive ” School Side Apartments” në qytezën New Castle.
Michael Trotta, 43 vjeç, i cili simbas policisë konsiderohet njeri i rrezikshëm mbasi mendohet të jetë i armatosur , sipas një njoftimi të lëshuar nga Qendra Kombëtare për Fëmijët të Zhdukur dhe të Shfrytëzuar.
Shtypi atje ka shkruar se Trotta, mund të jet në Ohajo, ose New Jersey, mbasi ai ka kaluar një patrull të policisë në autostradë, por ende nuk është e qartë se në cilën pjesë në Ohajos soe New Jersey, ai do të mund të jet futur dhe qëndron i fshehur.
Një zyrtar Tom Jackson nga Departamenti i Policisë të Qarkut – New Castle County, ka thënë se agjencia e tij – ka shpërndar njoftimin me fotografinë e fëmijës së humbur së bashku me foton e babait të tij, dhe është duke e kërkuar nëpërmjet rrjetit social, e shtypit, për personat e humbur në adresën, “Amber Alerts” në disa shtete dhe zona të Ohios dhe shtet për rreth saj.
Ka shumë mundësi që Trotta mund të jetë larguar, së bashku me fëmijën e tij, me një makinë Mazda 626 ngjyrë gri, me regjistrim të Delaware 247457, tha Jackson – pa dhënë ndonjë detaj se në cilin drejtim.
Michael Trotta, është i gjinisë mashkull – i bardhë, 5’8 “i gjatë, rreth 160 paund, me prerje flokësh të shkurtër, pak mjekër dhe me mustaqe, i veshur me rrobat ngjyrë zezë. Trotta është i dyshuar se për rrëmbimin vajzës e tij ka ndodhur gjatë një incidenti të brendshëm në familjen e tij.
Fëmija e tij Elinora, është e bardhë me flokë ngjyrë kafe dhe peshon 60 pouand. Ajo u pa për her të fundit, e veshur me një pallto ngjyrë të purpurt, pantallona rozë dhe atlete të bardha.
Policia, thotë në njoftim se nëse e shihni dikë, me këto të dhëna dhe u duket si i dyshuar – kontaktoni menjëherë policinë në numërin e telefonit 911 – menjëherë. Nëse ju keni informacione, të tjera që do të ndihmojnë policinë në vendodhjen e fëmijësose të “rrëmbyesit” ju gjithashtu mund të telefononi Departamentin e Policisë Qarkut, New Castle County, në 302-573-2800 ose vizitoni faqen e personave të humbur në www.nccpd.com /Beqir SINA/
Archives for February 2015
PRESIDENTI NISHANI:POLITIKA TË BASHKOHET PËR HAPJEN E DOSJEVE TE SIGURIMIT TE SHTETIT
*Presidenti kërkoi gjykim penal për Diktaturën dhe Diktatorin
Kreu i Shtetit shpalli dje vitin e kremtimeve për 25 vjetorin e rrëzimit të diktaturës, duke kërkuar që të miratohet sa më shpejt një ligj i plotë për hapjen e dosjeve si dhe një ligj i posaçëm për lustracionin. Presidenti Nishani deklaroi se Lëvizja e Dhjetorit meriton të kujtohet me një monument, në një nga sheshet e kryeqytetit/
Në 25 vjetorin e rrëzimit të regjimit komunist në Shqipëri, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka kërkuar që aktivitetet që do të organizohen në përkujtim të ngjarjeve që shënuan ndryshimet politike në vend të marrin një profil shtetëror. Miratimi i një ligji të plotë nga ana e parlamentit për hapjen e dosjeve dhe lustracionit, sipas kreut të shtetit, do t’i qetësonte shpirtrat e shqiptarëve. Kreu i shtetit ka sugjeruar gjithashtu se krimet e atij sistemi duhen kujtuar në një datë të veçantë. Sipas tij, në këtë 25 – vjetor edhe lëvizja e dhjetorit meriton të kujtohet me një monument. “Do t’i sugjeroja Parlamentit shqiptar që me ligj të veçantë të kishim një datë, një ditë, e cila të ishte dita e përkujtimit të krimeve të komunizmit në Shqipëri. Kjo datë mund të ishte në diskutim, padyshim, në Parlament, por dhe me grupe të tjera të interesit. Mund të ishte fare mirë dita e ekzekutimit të 22 intelektualëve më 27 shkurt 1951, pas të ashtuquajturës ‘bombë në Ambasadën sovjetike’, ku 22 intelektualë pa proces hetimor, pa proces gjyqësor, me një vendim partie u seleksionuan dhe u ekzekutuan me një plumb pas koke dhe u varrosën në një gropë të përbashkët. Por, mund të jenë dhe data të tjera në kalvarin e gjatë të krimeve të komunizmit: mund të jetë dita e varjes së poetit Havzi Nela, por kjo do të jetë një çështje, e cila duhet të diskutohet nga Parlamenti dhe nga grupet e interesit, të ish-të përndjekurve politikë, të shoqatave të ndryshme të Shoqërisë Civile”, u shpreh Presidenti Nishani. “E kam thirrur këtë takim sot me ju për t’ju njohur ju, por edhe përmes jush për t’i përcjell opinionit publik angazhimin tim personal dhe institucional në celebrimin që meriton ky vit, pra 2015-ta, si viti i 25-vjetorit të rrëzimit të komunizmit në Shqipëri. Është një përvjetor, i cili vitin e shkruar u celebrua me të gjithë dimensionin e merituar në mjaft vende të ish-kampit komunist duke filluar me Poloninë, i cili ishte edhe vendi simboli i nisjes së erës së ndryshimeve, me Gjermaninë që gjithashtu ishte një simbol i fortë me rënien e Murit të Berlinit dhe të gjithë transformimeve të mëdha që më pas pasuan këtë proces. Celebrime patëm në Hungari dhe në Poloni. Diktatura komuniste në Shqipëri ka qenë e shtrirë për një periudhë të gjatë dhe e përhapur në të gjithë fazat dhe etapat në të cilat kaloi”. Ai theksoi se proceset e rezistencës erdhën gjithmonë në rritje deri sa kulmuan në përmbysjen përfundimtare të këtë regjimi në 8 dhjetorin e ‘90-tës. “Por janë disa momente, të cilat lidhen me rezistencën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, të grupimeve të ndryshme shoqërore: kam parasysh këtu jo vetëm rezistencën që i bëri inteligjenca, por edhe ajo që mund ta quajmë rezistenca e mendimit, e cila u përball në forma nga më të ndryshme me ideologjinë komuniste. Kemi rezistencën që i bëri kleri mysliman, katolik dhe ortodoks pavarësisht represionit dhe krimeve të mëdha që regjimi bëri ndaj klerit jo vetëm me prishjen, shkatërrimin e objekteve të kultit, por edhe me ekzekutime masive të klerit. Procesi i përmbysjes së komunizmit në Shqipëri njohu disa momente kulmore siç kanë qenë organizimet dhe demonstratat e ndryshme në Shkodër, Kavajë, Tiranën të cilat kulmuan me momente të rëndësishme, edhe të rrëzimit të monumentit të diktatorit, i cili ishte momenti i vrasjes së një të frike masive nga ana e qytetarëve. Një moment, i cili meriton një vëmendje të rëndësishme ka të bëjë me vrasjet makabre në kufi. Janë mbi 80 të rinj të reja shqiptarë të ekzekutuara në kufi madje pas ndryshimeve ligjore. Pas ndryshimit të ligjit që regjimi i kohës i bëri duke mos e konsideruar kalimin e paligjshëm të kufirit si një akt kriminal, pavarësisht kësaj periudha u pasua me vrasje makabre në kufi vetëm për arsyen dhe faktin që këta të rinj kërkonin lirinë, kërkonin perëndimin kërkonin të shkonin dhe të integroheshin në botën e kulturuar, në botën e qytetëruar, në botën e civilizimit dhe zhvillimit. Është një moment që kërkon një refleksion të madh jo vetëm në identifikimin e këtyre akteve kriminale, jo vetëm të përgjegjësve të këtyre akteve kriminale dhe në kundërshtim të plotë më ligjin e kohës por edhe të simbolikës së madhe që reflektonte akti i këtyre shqiptarëve, të cilët kërkonin orientimin në tërësi të shoqërisë drejt botës së lirë drejt perëndimit”. Presidenti Nishani kërkoi vendosjen e një date përkujtimore për rrëzimin e komunizmit dhe ngritjen e një monumenti për Lëvizjen e Dhjetorit. “Lëvizja e Dhjetorit e Studentëve mbetet padyshim lëvizja lider në tërë këtë proces të përmbysjes përfundimtare të regjimi komunist në Shqipëri. Janë një sërë personalitetesh kombëtare dhe ndërkombëtare që iu gjendën pranë Shqipërisë dhe shqiptarëve jo vetëm për t’i inkurajuar, jo vetëm për t’ju bashkuar, jo vetëm për të gjeneruar ide dhe një aksion të përbashkët për t’i dhënë goditjen përfundimtare regjimit komunist, por njëkohësisht edhe për ta orientuar shoqërinë shqiptare drejt standardeve që ajo meriton, të cilët njëkohësisht mendoj se duhen vlerësuar dhe duhen nderuar. Është një vit, i cili kërkon angazhimin serioz për të kujtuar dhe celebruar 25-vjetorin e rënies së komunizmit nga të gjitha institucionet e shtetit. Ndaj, kam marrë iniciativë për të organizuar dhe drejtuar disa evenimente me profil shtetëror. I bëj ftesë t’i bashkohet qeveria shqiptare, Kryetari i saj, Parlamenti shqiptar, opozita shqiptare në mënyrë të tillë që të koordinohen dhe realizohen aktivitete dhe evenimente, të cilat meritojnë të sjellin në vëmendje pasojat e tmerrshme që pati krimi komunist në Shqipëri, regjimi stalinist në Shqipëri, pasojat që la dhe reflektimi për të ndërtuar një qasje më dinamike drejt standardeve të lirisë dhe demokracisë që meritojnë Shqipëria dhe shqiptarët. Në këtë vit të 25-vjetorit të rënies së komunizmit besoj që është periudha më e mirë që Parlamenti shqiptar të miratojë një ligj të gjerë dhe të thellë për hapjen e dosjeve jo vetëm të drejtuesve të Sigurimit të Shtetit, por dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, duke qetësuar njëherë e përgjithmonë shpirtrat e gjithë shqiptarëve. Njëkohësisht Lëvizja e Dhjetorit meriton të jetësohet me një monument të caktuar në Tiranë, që duhet të jetë një angazhim i Bashkisë së kryeqytetit në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, në bashkëpunim me shoqatat e ish-të përndjekurve politikë. Si President i Republikës do të ofroja të gjithë angazhimin maksimal për t’u dhënë ceremonive të ndryshme, përgjatë këtij 25-vjetori, profilin e merituar shtetëror, nderimin e të gjithë atyre që i rezistuan, të gjithë atyre që kontribuuan në përshpejtimin e rënies së këtij modeli, i cili ishte modeli më i tmerrshëm në gjithë hapësirën e ish-vendeve komuniste të Evropës”, theksoi Nishani. Gjithashtu, kreu i shtetit kërkoi edhe hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Në këtë drejtim, Nishani propozoi miratimin e një ligji të plotë, duke kërkuar edhe hetim e gjykim penal për Sigurimin e Shtetit, për ata që e ndërtuan, e udhëhoqën dhe kryen krime, madje edhe në kundërshtim me ligjet e kohës.
“Ky vit është viti më i përshtatshëm që Parlamenti shqiptar të bëjë një ligj të plotë të lustracionit të bazuar mbi ekspertizën dhe asistencën më të mirë ndërkombëtare dhe të atyre vendeve, të cilët e kanë aplikuar ligjin e lustracionit në vendet e tyre”.
Zoti President, një tjetër çështje – Ju folët për hartimin e një ligji për hapjen e dosjeve, ndërkohë ka një tjetër diskutim në Kuvend; është propozimi i Ministrit Naço për komisionin e reformës në drejtësi dhe një ndër propozimet është përjashtimi i Presidentit të Republikës nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe ndryshimi i procedurës për zgjedhjen e Kreut të Shtetit. Ju personalisht ç’mendim keni?
Unë do të mbështes çdo vendim që ligjvënësi, legjislativi, i cili është pushteti i vetëm që përfaqëson vullnetin e sovranit për të hartuar legjislacionin, për të bërë ndryshime kushtetuese, për të bërë ndryshime ligjore, dhe unë si një qytetar i këtij vendi do të mbështes dhe do të respektoj maksimalisht të gjitha ndryshimet që mund t’i bëhen Kushtetutës, që mund t’i bëhen ligjit dhe natyrisht ajo që unë inkurajoj, ka të bëjë me faktin që çdo ndryshim të jetë në përputhje me standardet dhe me lartësinë që meriton një shtet i së drejtës, një shtet i lirë dhe një demokraci funksionale ku Shqipëria pretendon të jetë e kyçur.
Zoti President, ju folët për ligjin për hapjen e dosjeve. A nuk është e vonuar Shqipëria për miratimin e një ligji të tillë? Cili është apeli juaj për klasën politike shqiptare?
Po, besoj që është e vonuar dhe nuk ka dilemë që është e vonuar. Por, unë jam i bindur që sado të zgjatet në kohë, sado që të vonohet më tej, Shqipëria do t’i hapë një ditë dosjet, jam i bindur për këtë, por ky është momenti më i mirë dhe më i përshtatshëm edhe për reflektim nga të gjithë për të kompensuar kohën e humbur dhe për të krijuar mundësitë e një relaksimi dhe paqtimi shpirtëror të të gjithë shqiptarëve.
Duke mbetur tek ligji i dosjeve – Aktualisht madje gjatë kësaj jave pritet që në Kuvendin e Shqipërisë të vijë zyrtarisht propozimi i qeverisë shqiptare që nuk parashikon lustracion. Kjo do të thotë në fjalën tuaj ju përmendët ‘hapje të dosjeve’ dhe ‘lustracion’. Në rast se nuk do të përfshihet dhe lustracioni në ligjin që do të vijë nga qeveria, nga Parlamenti, do të thotë që Ju mund të mos e dekretoni këtë ligj? Dhe pyetja e dytë, folët për një seri aktivitetesh, kërkuat mbështetjen e qeverisë shqiptare. Keni pasur zyrtarisht, në mënyrë institucionale konsulta paraprake për këto aktivitete? Përmendët edhe çështjen e mbështetjes financiare…
Në lidhje me pyetjen e parë, natyrisht pa marrë përsipër për të gjykuar një vendim të Presidentit, apo një dekret pa parë përmbajtjen, përputhshmërinë me Kushtetutën e vendit të një akti që vjen në Presidencë, mund t’ju them me siguri se pavarësisht dimensionit që do të përmbajë një ligj që ka të bëjë me hapjen e dosjeve, apo me lustracionin do të ketë mbështetjen gjithmonë të Presidentit të Republikës dhe do të firmoset. Por, ajo që unë kërkoj dhe sugjeroj është që, të kemi një ligj të plotë në të gjithë gjerësinë dhe thellësinë e merituar të hapjes së dosjeve jo vetëm të atyre që e ndërtuan, e udhëhoqën atë mekanizëm kriminal për të cilin unë mendoj që është koha që Shqipëria edhe me asistencën ndërkombëtare të kërkojë hetim dhe gjykim penal për mekanizmin e Sigurimit të Shtetit, për krimet që ka bërë në kundërshtim dhe me ligjet e kohës. Por, kjo mbetet në vullnetin e ligjvënësit. Ajo që Presidenti ka qëndrim të palëkundur është që, do të mbështesë çdo iniciativë pavarësisht se ajo sado ta ketë në thellësi dhe gjerësi dimensionin e saj. Përsa u takon çështjeve të tjera, unë jam padyshim i hapur për çdo lloj bashkëpunimi. Kur kam kërkuar buxhetin në fillim të vitit, një nga pikat që i jam adresuar qeverisë ka qenë pikërisht buxheti për të celebruar 25-vjetorin e rënies së komunizmit në Shqipëri dhe kjo ka qenë publike, zyrtare ashtu siç do të vijojë të ofrojë ftesa institucionale për t’u konsultuar dhe bashkëpunuar me qeverinë, Parlamentin dhe opozitën për këtë çështje.
FLAMURI KUQ E ZI,PAS EVERESTIT NGRIHET NE KILIMANXHARO
Pas ngritjes së flamurit kombëtar në majën më të lartë në botë ate te Everestit (8.848 metra lartësi mbidetare), alpinisti shqiptar Fation Plaku ka ngritur flamurin kombëtar edhe në majën më të lartë të kontinentit të Afrikës, Kilimanxharo.
Këta alpinistë kanë për qëllim pushtimin e majave më të larta të botës dhe ngritjen e flamurit kombëtar në të gjitha këto maja.
Kilimanjaro është maja më e lartë në kontinentin e Afrikës, me 5.895 metra lartësi mbi nivelin e detit.
Fation Plaku së bashku me ekipin e tij janë shqiptarët e parë që janë ngjitur në majën më të lartë në botë Mont Everest dhe këtë e kanë bërë në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
Mustafa Kruja mbeti shqiptar,nuk u bë kurrë fashist
Nga Ilir ikonomi*/
Vlera e fjalëve të një publicisti, studiuesi a politikani matet me jetëgjatësinë e kumtit që ato përcjellin dhe, në këtë kuptim, autori i librit që keni në duar e ka kaluar me sukses provën e kohës.
Ai është Mustafa Merlika – Kruja, njëri ndër njerëzit që nënshkruan pavarësinë në Vlorë më 28 nëntor 1912. Ky akt i vetëm e kualifikon atë për të hyrë në histori.
Por historia shqiptare e njeh Merlikën edhe për shumë vepra të tjera. Ai ka qenë një gjuhëtar i dorës së parë, një studiues i hollë e i lëvruar i shqipes. Ka kryer studime me vlerë për historinë e Shqipërisë dhe na ka lënë përkthime prej mjeshtri. Ky libër është kryesisht një përmbledhje e mendimit të tij si polemist dhe politikan.
Pas pavarësisë, jeta e Mustafa Krujës vërtitet mes luftës, arrestimeve, mërgimit, rikthimit dhe përsëri ikjes. Çdo njeri që i provon këto duhet të ketë një mendje të shëndoshë e sidomos një karakter të fortë për të mos u ligshtuar. Mbi të gjitha duhet të jetë patriot me zemër.
Për hir të këtij patriotizmi Mustafa Merlika u tregoi shqiptarëve të vërtetën, edhe kur ajo nuk ishte fort e ëmbël. U foli për dobësinë e tyre kryesore, dasitë dhe përçarjet që ua errësojnë pamjen. I këshilloi se “para se me u zânë për karrika e zyra të Shtetit, duhet t’a bâjmë Shtetin,” fjalë me vend edhe sot e kësaj dite.
Në fund të vitit 1941, kur Shqipëria ishte e pushtuar nga fashizmi, Mustafa Kruja pranoi postin e kryeministrit. Mund të debatojmë sa të duam nëse ky ishte një gabim apo një veprim i mençur në atë kohë kur nuk kishte zgjedhja të lehta. Por, gjatë pak më shumë se një viti në krye të qeverisë, ai tregoi me vepra se, në mendimin e tij, ideologjitë nuk ishin veçse sende kalimtare dhe se atdheu ishte rrapi madhështor që i pështillte të gjitha nën hijen e vet.
Merlika nuk u bë ndonjëherë fashist. Ai mbeti shqiptar, po të gjykojmë nga fryma e shkrimeve dhe fjalimeve të tij.
Në nëntor 1942, duke folur në Tiranë përpara një audience ku nuk mungonin zyrtarë të lartë italianë, ai tha: “Nuk e fshehim se zêmra kishte me na dëshirue nji Shqipní krejt të pavarun, pa asnji lidhje të përhershme me kurrkênd, sidomos pa asnji lidhje t’imponueme.” Qartazi, Merlika e kishte fjalën për lidhjen me Italinë.
Viti 1942 ishte kohë lufte. Ishte edhe një kohë kur komunizmi kishte filluar të shihej nga një pjesë si ilaçi çudibërës që do të zgjidhte të këqiat e botës. Këtë iluzion të kuq e përqafuan qindra mijëra njerëz në Evropë, të cilët ose nuk i dinin ose i mbyllnin sytë përpara krimeve që bëheshin brenda gulagut të madh sovjetik.
Prandaj, është meritë për ata intelektualë në Shqipërinë e vogël, që jo vetëm nuk u infektuan, por u përpoqën të gjejnë mënyra për t’i dalë përpara rrezikut. “Shihni në ksulat e çetnikvet të këtyne idealistave palaço shqipen dykrenare me nji hyll të kuq në mest. E kanë bâ gati edhe flamurin e asaj republike të kuqe,” tha Merlika në të njëjtin fjalim të vitit 1942. Parashikimi ishte i saktë. Madje, republika e kuqe në Shqipëri rezultoi më e egra e Evropës Lindore.
Gjatë disa dekadave diktaturë, ata që u hodhën në anën e komunizmit u përpoqën të tregojnë se zgjedhja e tyre ishte më e mira. Për ta, Merlika ishte thjesht një “kolaboracionist” dhe “tradhtar”. Shkrimet e tij u ndaluan, vepra e tij kryesore, Fjalori kritik i gjuhës shqipe, nuk u përmend në publik. Nxënësve të shkollave nuk u thuhej kurrë që Merlika ishte ndër firmëtarët e pavarësisë në Vlorë, sepse përndryshe ata mund të pyesnin: Si ndodhka që dikush i cili firmosi pavarësinë të quhet tradhtar?
Mërgimi nuk iu nda Mustafa Merlikës deri sa ai vdiq më 27 dhjetor 1958 në Niagara Falls të Shteteve të Bashkuara. Deri atë ditë të mbrame ai nuk rreshti së shkruari, shkëmbeu letra të panumërta me miqtë dhe solli prova të tjera se komunizmi nuk mund të ishte e ardhmja e Shqipërisë, as e ardhmja e botës, por thjesht një sistem që nuk funksionon. Në të gjitha këto shkrime ndihet zemra e Merlikës si atdhetar, rebel, polemist dhe dijetar. Çdo studiues i ndershëm instinktivisht priret të pijë ujë te burimi sa herë që etja i kërkon të hulumtojë mbi të kaluarën. Shkrimet e Mustafa Merlika – Krujës janë një i tillë burim.
* Kjo eshte parathenia e librit“Gjysmë shekulli me pendë në dorë”, botim i shtëpisë botuese Omsca-1”. Ne kete liber përmblidhet gjithë publicistika e shkruar në vite nga Mustfa Merlika Kruja.
KRIMET E KOMUNIZMIT NUK PARASHKRUHEN…HAPNI DOSJET!(Pjesa III)
Nga Fritz RADOVANI/
BURGU I BURRELIT/
“KËNDEJ KALOHET NË QYTET T’ MJERIMIT,/
KËNDEJ KALOHET NË DHIMBJEN PA KUFI,/
KËNDEJ KALOHET N’ SHPIRTNAT HUMUN SHQIMIT./
***
PARA MEJE GJA TJETËR S’ U KRIJUE/
VEÇSE E PËRJETSHME, – E UNË QENDROJ PËRJETË:/
O JU, QË HYNI MBRENDË, KENI MBARUE !”/
“Dera e Ferrit Komunist… Burrel” /
47 VJET KRIME e DHUNIME…/
■Në këte 70 vjetor të përmbytjes së Shqipnisë së Gjergj Kastriotit, nga terrori e krimet barbare të tiranisë komuniste të viteve 1944 – 1991, Përulem me dhimbje dhe respekt para të gjithë Atyne Viktimave të Pafaj, që jo vetem, u torturuen, u vranë, vuejtën, u zhdukën dhe shpesh me Heroizëm të pashoq, arrijtën me u vetvra nder torturat ma mizore vetëm, mos me nënshkrue me firmat e veta proceset fallco apo shpifjet vrastare të shokut…
E këta Burra Shqiptarë, pjesa ma e madhe e Tyne nuk kanë as “Dosje”, e edhe nëse i kanë, nuk asht asgja e vërtetë e shkrueme mbrenda tyne…Vetëm shpifje vrastarësh!
■Ata e dinin mirë se çka asht e shkrueme në “Derën e Ferrit Komunist”!
■Ata porsa u ndodhën ndër prangat e robnisë sllavokomuniste, vetëm mendonin se si duhet me vdekë me faqe të bardhë, mos me turpnue Veten, Familjen dhe Atdheun, për të cilët “vdiqën si me lé!”… E nuk janë aq pak sa kujtojnë ata, që kërkojnë me i “harrue”!
■Shkodra duhet të shkruejnë me shkronja të arta Emnat e Martirëve të Pavdekshëm: Kolec Deda, Av. Muzafer Pipa, Simon Darragjati, Prof. Simon Deda (Durrës), Prof. Kolë Prela, Av. Paulin Pali, Prof. Prenkë Kaçinari (Tiranë), Palë Thani, Pjetër e Marije Deda, etj., tue mos harrue kurrë 118 Burrat e Kelmendit, vra në Kryengritjen e Prekë Calit, që as Emnat e Tyne nuk tregohen nga vrasësit terroristë të Janarit 1945.
■HAPNI DOSJET! Hiqni dorë nga mashtrimet dhe rrenat! Nuk ju beson ma askush!
■Ndër 26 hetuesitë e burgjet e Shkodres, vetëm në hetuesinë e Burgut mënershëm të Kishës së Fretenëve të Gjuhadolit, kishte 700 viktima që torturoheshin ditë e natë…
■E pse?! – Me akuzue të pafajshmit, me shpifë per shokun e me pranue “bashkpunim” me sigurimin komunist, per me çue në plumb inteligjencën Atdhetare Shkodrane!
■Si thoni ju, a duhet të dijnë shkodranët se si e mbytën av. Muzafer Pipën në hetuesi kur po e torturonin Zoji Thëmeli e Vaskë Koleci, kur Ai nuk po pranonte me shpifë dhe këta, i futen nder muskujt e krahëve hekurin e skuqun, që takoi per shtyllen kurrizore dhe i shkreti Muzafer, mbeti i vdekun në çast… Madje, blene dhe pula e i ngranën të pjekuna, se gjoja Muzaferi deshti me ikë, u vra në dalje të hetuesisë e këte e vertetonte “heroi” Zoi Thëmeli, me gjakun e pulave që kishte hapë në çimenton rreth ndertesës!
■Më tregonte i tmerruem gati mbas 50 vjetësh i Nderuemi Loro Vata, sesi e kishin lidhë per karrigë, dhe hetuesi kriminel Fadil Kapisyzi po torturonte Simon Darragjatin… Po i kerkonte me nënshkrue procesin ku akuzoheshin edhe dy shokë të Simonit, i cili po kundershtonte se janë shpifje ato që janë të shkrueme aty. Hetuesi Fadil Kapisyzi, ishte një kokërr sarahoshi e fanatiku i pashoq. Mbrendë në zyrë të tij ishte edhe Dul Rrjolli, ndërsa, Simon Darragjati ishte i shtrimë për tokë e i lamë me gjak. Duli i hodhi Simonit një kovë me ujë për me e prue në vete. Porsa u duk se po e merrte veten, Duli i ra shpinës me një hu të trashë dhe i tha se, asgja nuk të ka ba Fadili ty, se shka kam ndër mend me të ba unë, a po flet, a po jo? – Simoni u përgjegj: Jo e jo, po të tham!! Fadili e humbi durimin mbasi kushedi sa kohë kishin që po e torturonin. E çoi nga toka, e afroi tek një dritare, të cilën e hapi dhe i tha: Sot ose do të firmosësh proçesin ose po deshte, hidhu nga dritaria e ta mbyllim historinë tande! Pa e mbarue fjalën mirë, Simoni zgjodhi rrugën e vdekjës nga dritaria…As unë nuk e kuptoj ku e mori forcën, veç, kur nuk e pashë ma në dhomë…Torturat e banë me vra veten. Mbas tij Fadili u sjell nga unë, po ti shka po ban? – Unë iu përgjegja se, nuk kam asnjë arsye me vra veten, ju, po deshët më hidhni vetë nga dritaria, por unë nuk bij! Duli më ra dy a tri herë me hunin që kishte në dorë, po, me thanë të drejtën pata frikë se po vdes pa muejtë me i lypë Zotit të falun për aktin e vetvrasjës, mbasi Simoni kur po dilte nga dritaria u ndigjue se tha vetëm fjalen “O Zot…”, ndërsa, unë, pata frikë se nuk po mundëm me e thanë as atë. Mandej, edhe po mendojshe me vedi ndër ata pak sekonda kohë, këta qej, kështu mendojnë me na vra të gjithëve… po, të provoj me durue torturat edhe pak si herët tjera…
Nxori një letër dhe ma vuni përpara, shkruej, më tha: “Unë, i pandehuri Loro Vata, nuk pranoj me nënshkrue proçes-verbal në hetuesinë që më ban kapiten Fadil Kapisyzi, në pezencën e Dul Rrjollit. Tuj mos pasë se çka me thanë as, me shkrue ma tepër se këto sa thashë, i vërtetoj me nënshkrimin tem pa as ma të voglin shtërngim… dhe, vuna firmë.
Mirë, tha Fadili, këtë deklaratë e kemi këtu, tashti, shko e mendoju në birucë, që kur të thërrasim, po nuk t’u mbush mendja me firmue do të gjejë ndera e Simonit e mos mendo, se del gjallë prej duerve të mija!
Persëriste Loro : Në torturë, një fije floku të ndanë nga vdekja ose vetvrasja!”
E, sa e sa Burra si këta, kanë zgjedhë “vetvrasjen”…si rrugë shpetimi? (1946 – 47).
***
■DOSJET E BASHKPUNTORËVE TË MASKUEM DUHEN HAPË TË GJITHA!
Agjentët e njohun per bashkpunim me vullnetin e vet, duhen dallue nga të dhunuemit!
■Ky bashkpunim me sigurimin e shtetit me vullnet, që duket sikur asht i njohun po, në fakt, ai ka kenë i mësheftë dhe vazhdon me kenë edhe sot. Në vitin 1945 Mark Çuni formoi në Shkoder Organizatën “Bashkimi Shqiptar”. Mbas pak muejsh, nga Nandori, pra në pragun e zgjedhjeve të 2 dhjetorit, grupi u zbulue… As sot nuk zihen me gojë agjentët që shkuen tek Tuk Jakova dhe i dhane një poezi… Që zbuloi krejtë Organizatën dhe çoi në plumb shtatë vetë, nder të cilët edhe tre klerikë katolik të pafajshëm…
■Po në vitin 1945 lexojmë në dy Dosje, n’atë të Don Lazer Shantojës dhe Ndue Palit, se kur po pritshin nga Riza Dani, kryetar i komitetit Shkodres njoftimin kur me u “dorzue”, forcat e ndjekjes, i zbulojnë ku janë dhe mbasi i kapin të tradhëtuem i pushkatojnë…
■Po kështu, kur forcat partizane kerkojnë me sulmue nga Selca Atdhetarin Prekë Cali, ata u thyen dhe i ranë mbas shpine, bashkë me forcat komuniste jugosllave… Pra, jo vetëm ua treguene rrugën e pabesisë, po edhe u lidhën me pushtuesit jugosllavë…
■Vjen në Shkoder Sejfullah Maleshova, me takue At Gjon Shllakun dhe gjoja, me i thanë se “duhet formue Partia Demokristjane Shqiptare, në Shkoder”, ashtu si kishte mashtrue në Tiranë disa vetë per “Partinë Social Demokrate” etj… Ai nuk mërrijti me u takue me At Gjonin, se ajo ide u kundershtue nga At Mati Prennushi dhe Imz. Gasper Thaçi, dhe megjithate, nuk munguen agjentët e sigurimit, me çue në plumb At Gjonin me shokë, simbas porosisë jugosllave, po gjithmonë me agjentat e sigurimit tonë të PKSh…
■Këta pak fakte mbrenda vitit 1945, i zuna në gojë jo vetëm me tregue se “shqiptarët” u treguen të zellshem me u vue në sherbim të sigurimit të shtetit, që instruktohej dhe në të gjitha veprimet antishqiptare bashkpunonte me okupatorët jugosllavë, po edhe mbasi këta tradhëtarë zbatonin “detyren”, punonin me shtue forcat e bashkpuntorëve të tyne, me agjenta sigurimi që dhunonin nder burgje dhe hetuesi me “plumbin ballit”.
■Nëse, Malet ishin të mbushuna me antikomunistë, lozhet e kinema Republikës në Shkoder ishin plotë me gra që thërrisnin “plumbin ballit” ose “në litar!”…
■Këta ishin “nënat e atyne djelmëve” që vdiqën tue thirrë: “Bijtë e Stalinit jemi né!”
■Ata që nuk u vranë në luftë njenimetjetrin, u angazhuen me PKSh, dhe sigurimin e shtetit që formoi kjo parti tradhëtare, per me nenshtrue Popullin Shqiptar me dhunë ndaj të gjithë pushtuesëve jugosllavë, sovjetikë, kinezë, e madje edhe të pa atdhe …
■Dosjet e agjentave që u vune në sherbim të PKSh, e i sherbyen sigurimit me vullnetin e tyne ma të madh, tue arrijtë deri aty sa “me kerkue pushkatimin e Atdhetarëve tanë”, se nuk donin robninë sllavokomuniste… Duhen njohë nga Populli Shqiptar!
■Duhen njoh edhe ata që u bane agjentë dhe vrastarë të shokëve të vet…
■Duhen njoh edhe ata që me tradhëti, jo vetem vranë Rininë Shqiptare, po edhe u bane “dr. prof. e akademikë”… e deputet të Kuvendit Popullor, ase “Heronjë të Popullit” tue nenshkrue akte e dokumenta pushkatimi, me procese fallco e shpifje…
■Dosjet ma të rendësishme per agjentët e sigurimit që ishin të burgosun janë ata që duhen ba të njohuna, për agjentët informatorë ma keqdashës që kanë sherbye padhunë, me vullnet të plotë, per vrasjen e tjetrit që i rrezikohej jeta si Bardhosh Danit me shokë.
■Nuk duhen perjashtue nga Hapja e Dosjeve, agjentët që ishin të burgosun dhe kanë krye detyren e “zberthyesit” nder birucat e sigurimit, vetem per dy lugë çorbë…
■Të gjithë agjentët dhe antarët e sekretarët e PKSh ose PPSh, hetuesit dhe kriminelët që kanë ndikue në “pushkatimin” e një personi të vetem, edhe në kjoftë se Enver Hoxha i ka burgosë ata, per vepren kriminale të vrasjes ai duhet njoh nga Populli Shqiptar.
■Nder burgjet dhe kampet e punës, vuejtja shpesh ishte e pafund. Shumë të burgosun mbasi plotsonin vitet e dënimit, dhunoheshin me u lirue me kusht: “Me nënshkrue para lirimit, deklaratë bashkpunimi me sigurimin!” Kush nuk pranonte dënohej përsëri. Ka nga Ata Martirë që pranuen me ba mbi 30 vjetë burg, e nuk janë pak Ata Burra si Dedë Markagjoni, Osman Kazazi, Don Nikoll Mazrreku, Don Mikel Koliqi…E, qinda të tjerë!
■Do të mbylli këte pjesë me Martirin e Shkodres Dulo Kali: “Kishte disa muej që nuk e pranonte akuzen (Shtator 1946)… Besoj, i kujtohet terroristit Aranit Çela. Nga korrenti elektrik Duli kishte humbë gati krejtësisht ndigjimin. Afer zyres ku torturohej kishin sjellë disa vajza që po qesheshin, dhe hetuesi i thotë Dulit: I ndigjon zanet e vajzave tua? Duli shokohet! Kujton se vertetë janë vajzat e Tij. Atëherë, hetuesi kur sheh Dulin e tronditun i thotë: Ndigjo Dulo Kali, po nuk firmove procesin, sot ke me pa me sytë tuej vajzat tua këtu mbi këte tavolinë, tue ti përdhunue me rradhë të gjithë hetuesit e policët e degës së mbrendshme! Duli pranon…akuzat dhe nenshkruen procesin!
■Me një proces të tillë Dulo Kali u pushkatue me 11 Mars 1948…mbas dy vjetesh hetuesi!
■Krenaria kombëtare e Popullit Shqiptar, ndera, burrnia, gjaku i kulluem dhe guximi i pathyeshëm historik i këtyne Burrave të pastër e Atdhetarë, lyp drejtësi dhe paqë!
■Vazhdon Pjesa e IV me Heroinat Shqiptare…
Melbourne Shkurt 2015.
*Ne vijim te rubrikes:Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…
- « Previous Page
- 1
- …
- 9
- 10
- 11
- 12
- 13
- …
- 70
- Next Page »