• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2015

Eksodi i shqiptarëve- Ikje apo dëbim masiv?!

February 9, 2015 by dgreca

Nga Gani QARRI/
Kosova është kthyer në dinasti të krimit,120 deputet, kanë pasuri sa një milion shqiptar, apo thënë më drejtë, më shumë se gjysma e banorëve të saj.
Ky fakt trishtues flet vet, flet më shumë se mijëra fjalë, dhe nuk do asnjë koment.
Nga ardhja e “patriotëve” të tillë në pushtet, vendi fatkeq nuk njeh ecje as përparim, e si duket nga dështimi në dështim do të përfundoj në kolaps total dhe katastrofë të përgjithshme, në të cilën mund të pësojnë edhe vet mbjellësit e saj.
Vetëm, rreth 16 vite pas dëbimit të Serbisë nga NATO, sipas marrëveshjes së arritur në Kumanovë, ndërmjet përfaqësuesve të Aleancës Euro-Atlantike dhe komandës së ushtrisë pushtuese serbe, politikanë, “patriot”, kryetar partish e komandantë, janë kthyer në padronë të shtetit, kurse shqiptarët në tepricë teknologjike dhe njerëz të pa atdhe, të destinuar për dëbim.
Udhëheqës të tillë që me kohë u ekspozuan me shumë “yrysh” dhe fjalor të përzgjedhur “patriotik”, shpejtë treguan fytyrën e vërtetë antikombëtare, duke vjedhë e plaçkitur nga pozicionet udhëheqëse çdo gjë që mund të përvetësohej, pa zgjedhur forma as mënyra, derisa i sollën shqiptarët në këtë gjendje.
Shtatë vjet pas shpalljes së Pavarësisë, ata e zhveshën tërësisht Kosovën nga çdo gjë me vlerë dhe zhytën atë, në aq mjerim e skamje, sa që për shqiptarët,ajo të bëhet vend i pamundur për jetesë.
Zhvillimet më të reja, tregojnë qartë se e keqja kombëtare e cila për më tepër se një shekull, po u rri shqiptarëve mbi kokë, vazhdon edhe më tej, tanimë përmes një plani konspirativ dhe pjesëmarrjen e shqipfolësve të organizuar në shërbime e sigurime turliçfare, që kanë për qëllim, vazhdimin e planit të Millosheviqit, në mënyrë të “butë”, por gjithsesi- hiq më pak ogurzi se sa vet zbrazjen masive të Kosovës nga shqiptarët.
Pas shkatërrimit të sistemit arsimor, atij shëndetësor dhe mbytjes së perspektivës zhvillimore, ata duke e ditur tanimë se nuk mund ta sundojnë përgjithmonë këtë vend, me degdisjen aktuale të këtij populli fatmjerë-sipas direktivave të shefave të tyre, përfundimisht po i vënë në jetë projekte e vjetra serbe, për ndërrimin e strukturës së popullsisë në atdheun tonë.
Ndaj, ky nuk ka se çfarë të jetë tjetër, veçse paradoksi i kriminelëve, të cilët sloganin e patriotizmit e përdorën me mjeshtëri gjatë gjithë kohës, për mbetjen në pushtet dhe realizimin e qëllimeve të Serbisë në Kosovë!
Aktet e fundit, dëshmojnë se ardhja e njerëzve të tillë në funksione vendimmarrëse, ishte projekti më antishqiptar në historinë tonë të re dhe të vjetër, i cili edhe në shekullin XXI mundi të gjente shprehje në këto troje, pas gjithë përpjekjeve kombëtare për shtet dhe çlirim.
Madje, tanimë shihet qartë se mbytësit e Kosovës me korrupsion dhe krim të organizuar për 15 vjet me radhë, si “atdhetar” të flakët që janë, pas sjelljes në fuqi të vahabistëve për mbytjen e çdo gjëje kombëtare, edhe rrugët e ikjes për shqiptar, i hapën pikërisht këta, të cilëve tash u erdhi radha tua marrin centët e mbramë nga gjepat, bashkatdhetarëve të varfër ,për ti përzënë ata përfundimisht edhe nga atdheu.
Ndaj nuk është çudi ,se edhe ky eksod po shfrytëzohet nga ta ,për të përfituar lekët e fundit, nga ky popull fatkeq, ani pse, siç dihet botërisht, policia serbe maltreton çdo shqiptar me rrugëtim normal përmes territorit të saj, këta pushtetar ka kohë që “fshehtas” angazhojnë kompani me autobusë anë e mbanë vendit, në bashkëpunim dhe marrëveshje me Serbinë, për transferimin pa “pengesë” të tyre në vende të “treta”, e cila edhe pa këta argat, i ka detyruar shqiptarët gjithmonë në ikje.
Këtu shihet qartë se ka një kastë të shitur politikanësh vendor, të cilët kanë krijuar një strukturë të fort organizimi mafioz dhe makineri të përsosur, për të quar popullin në këso tragjedish etnike dhe realizimin definitiv të planeve anti-kombëtare për zbrazjen e Kosovës nga shqiptarët ,gjë që Serbia pa dorën e tyre, asnjëherë nuk mundi ta qonte deri në fund.
Për pasojë, po shkatërrohet bërthama kombëtare e këtij vendi, duke i përzënë dhe linçuar banorët autokton, për të cilët Kosova është kthyer në burg kolektiv, ku shqiptari duhet të vuaj edhe për bukën e gojës.
Mjerisht në vitin 2015, zhgënjimi përfundimisht ka arritur kulmin dhe është bërë aq i madh sa edhe pas çlirimit nga Serbia, njerëzit e kthyer para rreth 16 vitesh me aq dëshirë e vullnet në vendin dhe vatrat e tyre megjithëse të shkrumbuara nga lufta, tani prej dëshpërimit të pa fund, detyrohen të lënë plëng e shtëpi dhe të ikin përsëri nga Kosova.
Fakti që na mbajti gjallë për shekuj me radhë edhe nën pushtim të huaj, ishte ideali për çlirimin e vendit, kurse tani kriminelët vendor, vetëm për pak vite në pushtet, arritën që të gjitha shpresat t`ia vrasin këtij populli të pa fat.
Ndaj, vijimësia histerike e një kuazi-shtetësie, e cila me vet mënyrën sesi zhvillohen ngjarjet, po shkon drejt falimentimit të plotë dhe një kolapsi total, si duket, për qëllim final, ka pasur arritjen e këtij akti tragjik, për tu rrumbullakësuar me dëbime biblike shqiptarësh nga vendi i vet, në mënyrë që Serbia në shtëpitë tona ti montoj edhe një herë djepat e saj të zbrazët.
Kështu, shqiptarët janë zhgënjyer rëndë, pikërisht nga ata që në emër të “patriotizmit” e varfëruan dhe shkretuan këtë vend, ndaj për ta nuk ka ku të shkojë më ma zi, përveç se përfundimisht të kapin kokën në duar dhe të dalin e të ikin, e bile të humbin krejt….s’kanë atdhe, s’kanë shpresë, s`kanë ardhmëri, çdo gjë u është marrë atyre, si dhe ku të jetojnë ata ?!…
Madje mbetet e pakuptueshme se si këta emra “patriotësh“, të cilët pas gjendjes së krijuar vet, organizojnë edhe dhjetëra autobusë komodë në kryeqytet, mbushin ata me mijëra gra e fëmijë për çdo natë dhe i dorëzojnë në duart e policisë serbe, e cila deri dje ka ushtruar gjenocid mbi popullin shqiptar….
Të gjitha këto janë produkt më i ri i “licencuar” i “atdhetarëve” të përbetuar “shqiptarë” të cilët sundojnë një shtet ku të paguar dhe rrogë-marrës, kanë të drejtë të jenë vetëm akrabaja e pushtetarëve, “drejtues” universitetesh dhe studentë me dije e pa te, bijtë e të fortëve dhe fëmijët e shokëve e të bajraktarëve, udhëheqës firmash e institucionesh vetëm grupi dhe “sebepet” e pronto-proletarëve, kurse shqiptari i rëndomtë nuk ka të ardhura por duhet të paguaj, lihet i papunë por ngarkohet me qindra obligime financiare, duhet tu siguroj bukë e shkollim fëmijëve, duke u bërë lypsar rrugëve, ose të bëjë vetëvrasje, apo për të mbijetuar në këtë vend, ai detyrohet të bëhet hajn, kriminel, vahabist, mafioz, e çka jo tjetër, e nëse asnjëra nga këto, nuk bashkëjetojnë me karakterin e tij njerëzor e kombëtar, ai duhet ta kap kokën në duar dhe të ik një minutë e më parë sa më larg nga atdheu i tij i mbytur prej patriotëve të tillë.
Ndaj, në mënyrë që kjo situatë të përfundojë një orë e më parë, nuk mjaftojnë më vetëm fjalët, por kasta e udhëheqësve të deritanishëm, duhet të shkojë nga pushteti e skena politike, dhe tu lejoj frymëmarrjen shqiptarëve.
Të gjithë mërgimtarët në këto momente të rënda, ndjejnë vuajtje të mëdha dhe shohin zemërplasur këtë dëbim mafioz të bashkatdhetarëve, por gjithsesi ata kanë edhe mirëkuptim të natyrshëm me hallet e bashkëkombësve të tyre, të cilët pas një durimi 15-16 vjeçar, përfundimisht janë mbështetur për muri dhe nuk kanë më se nga t`ia mbajnë, përveçse ti mbyllin sytë dhe bëhen barrë edhe një herë vendeve evropiane.
Pasi që erdhi puna deri këtu, dhe fatkeqësisht prapë përsëritet kjo tragjedi biblike në mesin e trojeve tona, me gjithë keqardhjen, sikur të kishte mundësi, një pjesë e të dëbuarve në këtë të ftohët dhe dimër të madh për shqiptarët, do duhej zbarkuar edhe në shtëpitë e zonjës, Kajdanov dhe z. Dell, ku do të kërkonin nga SHBA, jo vetëm ndihmë për mbijetesën e rrezikuar nga të preferuarit e ambasadorëve të lartcekur në vendin tonë, por edhe përgjegjësi për fajet jo krejt të vogla të përfaqësuesve të saj, në Kosovë.
Në këtë situatë të rënduar, me gjithë shkelm-qitjet e herëpashershme, nuk guxon të harrohet assesi Evropa, edhe nëse qeveritë e shteteve të BE-s, janë keq-informuar, apo nuk janë njoftuar drejtë dhe me kohë, ato mbajnë shumë përgjegjësi ndaj shqiptarëve të cilët u besuan pa rezervë.
Kjo edhe për faktin se pjesa më e madhe e përfaqësuesve të shteteve të Evropës dhe SHBA-s, kooketuan ngushtë me mafinë vendore dhe mbështetën mbetjen e përhershme të kriminelëve në pushtet, megjithëse e shihnin qartë, përditë e më tepër, se çka janë në gjendje “patriot” të tillë ti bëjnë këtij populli të mirë dhe shtetit të vet.
Ata, para syve të tyre, edhe sot detyrojnë masa shqiptarësh për eksod masiv, ndërsa po këto shtete megjithatë ende nuk kërkojnë përgjegjësi nga pushtetarët e kriminalizuar dhe të korruptuar deri në kapuç, për gjendjen e krijuar, por kërcënojnë hallegjinjtë e pa-rrugëdalje, me kthim…!
Mirë or të uruar por a mund të jetë kjo formë veprimi edhe zgjidhje problemi për këta njerëz fatkëqij, të cilët me këtë kast politikanësh të pa-denjë në pushtet dhe pa ndryshime rrënjësore në vend, halli do ti detyrojë sërish që në mungesë të mundësisë për mbijetesë, të cilën ua kanë shkatërruar të njëjtit kapadainj, këtë rrugë që dikur dhe vetëm para pak vitesh ata e refuzuan me dëshirë sepse e donin vendin e vet mbi gjithçka, por tanimë u ka mbetur shpresa e fundit dhe e vetmja zgjidhje, ta marrin përsëri.
Shpresojmë, dhe lusim të plotfuqishmin atje ku është, që kjo të jetë loja e fundit “patriotike” e tyre, përndryshe Kosova përfundimisht po mbetet përgjithmonë pa bazën dhe bërthamën e saj kombëtare.
Shqiptarët, as vet kurrë nuk e kanë besuar, dhe nuk do t’u shkonte mendja asnjëherë, se ata që thirreshin në gjithë ato heroizma, luftëra titanike e patriotizma marramendëse, me ardhjen në pushtet do ta çojnë Kosovën drejt de-shqiptarizimit, të rinjtë drejt shkombëtarizimit, besimin tradicional- për marrje parash!, ta shndërrojnë në salafisto-vahabizëm mesjetar arab, shtetin drejt de-integrimit, kurse familjet me fëmijë në mes të dimrit, rrugëve të dëbimit dhe popullin fatkeq në çorientim të tërësishëm dhe disfatizëm të plotë.
Ndaj, para se ti ktheni, ndihmoni ndryshimet në vendet e shqiptarëve dhe mos përkrahni njerëz e grupe të mbeten në pushtet, të cilët nuk do ti lejonit të qeverisin vendin tuaj, me korrigjimin e problemit, të mos ketë nevojë të përsëriten eksodet, në mënyrë që ata ta ndiejnë veten mirë në vendin e tyre dhe ju ta ndihmoni kështu edhe vetveten!

Filed Under: Analiza Tagged With: - Ikje apo dëbim masiv?!, Eksodi i shqiptarëve, Gani Qarri

Kosova po i fal Evropës të rinjtë e vet me vlera mbi “200.000 Euro” pro person!!!

February 9, 2015 by dgreca

Shpërnguljet të shqiptarëve nëpër shekuj deri në ditët e sotme nga trojet e veta. I njëjti ritëm u përsërit atëherë nga pushtuesit, por sot nga pushtetarët e vet qe i besoj votën e vet .Këtu ndryshon vetëm forma , atëherë kanë zgjatë me muaj këto shpërngulje, sot për 24 të rinjtë dhe popullin tonë e tret Evropa në barkun e vet ,duke e njom trupin e vet të mplakur me rininë e Kosovës ! Rinia po falet sikur kafsha e ngordhura t’u hidhet qenve të uritur!
Shkruan:Asllan DIBRANI/
Eksodi i shpërnguljes shekullore nga trojet e gadishullit ballkanik me vendbanime shqiptare po vazhdon! Ky fenomen u përshkallëzuar me përmasa rrëqethëse , te dhimbshme dhe shumë të rrezikshme për Kosovën. Faktorët po shihen, arsyet po dihen!?… Plagët që po i krijohen Kosovës po shihen dhe rriten për çdo ditë. Shifrat po rriten nga ora në orë, me një bilanc që vetëm për muajin Janar , Kosova mbeti pa 60.000 mije të rinj (banorë).
Pamje e Shpërnguljeve të shqiptarëve nëpër shekuj deri në ditët e sotme nga trojet e veta. I njëjti ritëm u përsërit atëherë nga pushtuesit, por sot nga pushtetarët e vet qe i besoj votën e vet .Këtu ndryshon vetëm forma , atëherë kanë zgjatë me muaj këto shpërngulje, sot për 24 të rinjtë dhe popullin tonë e tret Evropa në barkun e vet ,duke e njom trupin e vet të mplakur me rininë e Kosovës !

Ky bilanc nuk u ndal asnjëherë, po me ritme të reprezaljeve politike dhe gjenocidi qe u ushtuar mbi këtë popull ma të vjetrin në Evropë po vazhdon shpërngulja prapë .Kosova po mplaket. Sakrificat ,vështirësitë dhe mundi për ta rritur një të ri janë marramendëse me standardin e Kosovës. Këta të rinj që po i falen sot Evropës kanë vlera marramendëse që buxheti i varfër i Kosovës po i kursen Evropës hiq ma pak se 200.000 euro në krye të çdo të riu vetëm deri në moshën 18 vjeçare .Kjo kosto është shumë ma e madhe, po që të përllogaritet një matematikë për një të ri që ta këtë një shkollë të mesme profesionale apo shkollë të lartë. Për profesione fakultetative arrin shuma deri në 450.000 -500.000 euro për ta pasur një doktor, një profesor , një shkencëtar një krijues apo në ndonjë lami tjetër profesionale. Këto profile profesionale në mesin e këtyre refugjateve shqiptarë ka me numër të madh që e kanë marrë rrugën e kurbetit, lënë shtëpi e kapital lagje të tera apo edhe fshatra një gjë e tillë u përsërit ne përndjekjet e shqiptareve ne mënyre fushate me gjenocid nga Sanxhaku, Nishi ,Vranja ,Leskovci ani po ndodh edhe tash me të tera fshatra të boshatisen.
Rinia po falet sikur kafsha e ngordhura t’u hidhet qenve të uritur!
Kjo rini e mrekullueshme e shëndosh , e përgatitur , e shkolluar dhe e gatshme për punë për ta rindërtuar Kosovën është masë e dëmshme të zhduket dhe të falet sikur kafshë e ngordhura tu hidhet qenve te uritur ???. E pa falshme është për krerët politik të Kosovës , po edhe për zyrtaret e Evropës që e kanë fut këtë popull të vogël si në kafaz, të mbyllur të izoluar, të pa shpresë dhe të pa rrugë. Si fund le të mbetet si apel tek të gjitha forcat qeveritare , politikaj ,njerëz të dashur dhe popull, mendoni dhe sakrifikoni, për interesat e Kosovës bashkoni forcat që kapitalin dhe vlerat e juaja ndalni në Kosovë mos ja falni Evropës!!!Mos ja falni rininë Evropës se një Kosove pa të rijnë dhe e mplakur e gëlltit Serbia ma lehtë sipas hegjemonizmit shekullor të saj!!!

Filed Under: Analiza Tagged With: asllan dibrani, Kosova po i fal Evropës, me vlera mbi "200.000 Euro", pro person!!!, të rinjtë e vet

SHEMBULLI I RESPEKTIT NDAJ NJERIUT

February 9, 2015 by dgreca

Rreth librit të Prof. dr. Bardhosh Gaçes “Xhevair Rexhepi, nje jete e prere ne mes”, Triptik, Vlorë 2014/
Nga Enver Lepenica/
1. Qajmë, për atë që s`kemi mundur të bëjmë, për të vdekurin.
Gjatë udhës së jetës, shumë shokë e miq, ndahen nga ne, për të mos u takuar kurrë më, me ta. Një pjesë, ikin para kohe, duke lënë tek familja dhe të afërmit plagë të rënda. Shumë prej tyre, lënë pas vetes, gjyrmë të pa shlyera, të cilat do të kujtohen gjithmonë nga shoqëria. Kështu, do të thoshim se të vdekurin e përcjell pas vepra e tij.
E ne të gjallëve s`na mbetet, veç tu japim lamtumirën e fundit, me dhimbje, shokëve dhe miqve tanë…
Por, më thoshte publicisti dhe aktivisti shoqëror Naun Kule: ç`bëjmë ne të gjallët pas lamtumirës, për të treguar respektin dhe vlerësimin për ata që lënë pas gjurmë të jetës në shoqërinë tone, por edhe për të treguar vlerat tona humanitare dhe qytetare?
Pyetje e një qytetari, që duhet të na vërë në mendime, se a e bëjmë detyrën tonë humanitare e qytetare, ndaj atyre që e bënë detyrën ndaj ne të gjallëve?
2.Shembulli i Profesor Bardhosh Gaçes për respektin ndaj njeriut.
Pyetjes së Naun Kules se ç`bëjmë ne të gjallët pas lamtumirës i përgjigjet Prof. dr. Bardhosh Gaçe me veprën e tij “Xhevair Rexhepi, një jetë e prerë në mes”, botuar në fund të vitit 2014.
Monografía “Xhevair Rexhepi…”, dekoruar “Nder i Qytetit të Vlorës”, është shembulli i respektit ndaj njeriut dhe modeli se si duhet shkruar pas vdekjes, për një njeri që sa qe gjallë në jetën e tij të shkurtës bëri shumë për të mirën e shoqërisë sonë, veçanërisht për Labërinë dhe Vlorën që e deshi kaq shumë dhe për të cilën shkruante: “Në hapsirat e reja të demokracisë shqiptare dhe integrimit europian, Vlora dhe Labëria, duke ringjallur traditat e veta historike dhe kulturore po jep një kontribut të vyer në krijimin e një fytyre të re, në zhvillimin ekonomik e turistik dhe përkrahjen e qytetërimit perëndimor.
Përherë shpresoj, që ky kontribut, i cili ka gjetur një mjedis të mbarë në tërë këto treva të ecë drejt një zhvillimi, edhe më të madh për rritjen e mirëqënies dhe begatisë së shqiptarëve dhe Atdheut, duke u bërë një vend i qytetëruar dhe europian ëndërr kjo e brezave të tërë njerëzish”.
Xhevair Rexhepi, lindi në Lepenicë të Vlorës më 13 maj 1961 dhe e dorëzoi shpirtin e tij të bukur në Tiranë më 20 qershor 2008, në një aksident automobilistik, në një moshë ende të re 47 vjeçare.
Pavarësisht se jeta e tij u pre në mes, ai la pas gjurmë të pa shlyera në udhën e jetës tij të shkurtër. Petagog i Universitetit Bujqësor, udhehëqës i Lëvizjes Demokratike për përmbyesjen e diktaturës komuniste, shembulli i një bisnesmeni që dha mésazhe se jeta duhet ndërtuar e jetuar këtu në dheun tonë, kanidat për deputet i Partisë Demokratike, prefekt i Vlorës, “Qytetar Nderi i Vlorës”
* * *
Si mjeshtër i vërtetë i artit të të shkruarit Profesor Bardhos Gaçe, na ka paraqitur një monografi e cila lexohet me kënaqësi dhe emocione nga të gjithë. Autori na tregon se Xhevair Rexhepi, ky bir i dashur i Lepenicës dhe Mesaplikut nuk lindi prej hiçit, por ai ishte produkt i kushteve e rrethanave hisoriko- shoqërore të vendlindjes dhe të familjes tij patriotike: gjyshi dhe vëllai gjyshit ishin luftetarë lirije dhe ranë dëshmor për lirinë e Atdheut.
Gjyshi nga nëna, Veledin Veshaj, ishte gjithashtu një luftëtar lirije, por që vdiq nga torturat e komunistëve vlonjatë në qelitë e Sigurmit të Shtetit. Këto ngjarje dhe shumë te tjera thotë Profesor Bardhoshi lanë gjurmë të thella në shpirtin dhe mëndjen e djaloshit Xhevair Rexhepi dhe ndikuan në formimin e karakterit të tij.
Monografía për Xhevair Rexhepin hapet me nje vështrim të shkurtër të historisë së Lepenicës vendlindjes së tij, pastaj autori na tregon vatrën familjare të familjes dhe fisit Rexhepaj të Lepenicës, duke evidentuar rolin e kësaj familje në historinë e Lepenicës dhe më gjerë.
Në kreun e dytë të librit autori ka kaluar në atë që përbën edhe themelin e hartimit të kësaj vepre, jetën dhe veprën e personazhit kryesor të pa harruarit Xhevair Rexhepi. Me inteligjencën që e karaterizon autorin, Profesor Bardhosh Gaçen, ai di të tregoi bukur dhe të vërë në dukje elementë me vlerë të jetës së heroit duke e bërë leximin interesant, por duke na dhënë edhe nje tablo të jetës që bëhej para viteve 1990, në fshat, në shkollën e mesme, në universitet dhe në mardhëeniet me punën, kur Xhevair Rexhepi sapo diplomohet emërohet me punë në rrethín e largët të Librazhdit.
Kështu vahzdon të na tregoi me një gjuhë të pastër dhe të bukur autori deri ditën fatkeqe të 20 qershorti të vitit 2008, kur jeta e tij u pre në mes.
Në një kapitull të veçantë autori ka paraqitur ngushëllimet që i janë drejtuar familjes nga personalitete të shquara të vendit tonë: Presidenti i Republikës, z. Bamir Topi, Kryeministri z. Sali Berisha etj., si dhe nga personalitete të shquara të Kosovës, çka nxjerrin në dukje vlerat intelektuale dhe atdhetare dhe shërbimet që Xhevair Rexhepit, i bëri vendit në jetën e tij të shkurtër.
Libri vazhdon me kujtime dhe mbresa për Xhevair Rexhepin, nga profesorët e Universitetit Bujqësor, nga shokë e miq të tij, personalitete të kulturës dhe të shkencës dhe mbyllet me poezinë popullore të krijuar sipas traditës nga krahina e vendlindjes pas vdekjes së tij.
3.Ç`farë mësojmë nga libri i Prof. Dr. Bardhosh Gaçes, Mjeshtër i Madh?
Në radhë të parë libri që analizojmë është një shembull i respektit ndaj njeriut, i atij respekti dhe vlerësimi që duhet t`i bëjmë njeriut pas vdekjes.
Libri është gjithashtu një shembull se si duhet kompozuar e shkruar një libar për një personalitet që ka jetuar midis nesh e që ka lënë gjurmë pas ikjes nga kjo jetë.
Libra të këtij lloji janë shfaqje e kulturës së autorit, por edhe e shoqërisë sonë në zhvillim edhe kulturor se ne duhet t`u lëmë brezave jetën tonë të shkruar sidomos për ata personalitete që kanë lënë gjurmë të jetës tyre.
Jetën e Xhevair Rexhepit, autori e ka parë nga të gjitha pamjet, duke evidentuar edhe origjinën e fisit, mbështetur mbi dokumenta, fotografi si dokumenta, poezinë etj, në këtë mënyrë ai na ka dhënë në fakt një enciklopedi të vogël me vlera të mëdha për një masë të gjerë lexuesish.
Gjuha e bukur me të cilën tregon autori, që kombinohet e ilustrohet me poezinë popullore e bën leximin të këndshëm dhe emocional.

Filed Under: ESSE Tagged With: Enver Memishaj, I RESPEKTIT NDAJ NJERIUT, SHEMBULLI

Me Andis Gjoni në Teatrin Gene Frankel në Manhattan

February 9, 2015 by dgreca

Në teatrin “Gene Frankel” në Manhattan u shfaq premiera “Sy për Konsuelën”-“Eyes for Consuela” me skenografi të artistit shqiptar Andis Gjoni./
Nga Keze Kozeta Zylo/
Në teatrin “Gene Frankel” në Manhattan u shfaq premiera “Sy për Konsuelën” “Eyes for Consuela” me skenografi të artistit shqiptar Andis Gjoni. Premiera është Produksion i kompanisë Teatrore “White Horse Theater” një kompani që është e specializuar në vënien në skenë të pjesëve me autorë amerikanë. “Sy për Konsuelën” është një dramë tërheqëse, por që çuditërisht rrallë shihet në skenat e teatrit. Kjo dramë me katër personazhe paraqet natyrën e dashurisë, humbjes dhe ndarjes dhe zhvillohet në peizazhin abstrakt të një qyteze meksikane.
Drama është e bazuar në një tregim të shkurtër të titulluar “Buqeta blu” e shkrimtarit meksikan Oktavio Paz laureat i çmimit Nobel në letërsi.
Pjesa “Sy për Konsuelën” paraqet dramën shpirtërore të një mesoburri (Henri), një amerikan shpirt-humbur, teksa ai endet si në ëndërr nëpër xhunglën meksikane. I ndarë nga gruaja, Henri i dëshpëruar ikën në Meksikë që të gjejë vetvehten, por përfundon në duart e Amados, një tip banditesk me një dhunti të veçantë në penetrimin e shpirtit njerëzor i stërvitur nga eksperiencat e tij të dhimbshme. Amado në një shpërfaqje të absurdit kërkon t’i nxjerrë sytë Henrit. Kjo metaforë e fuqishme e botës amerikane ku emigrantët nuk ndjehen kurrë të integruar, por edhe me shkatërrimin shpirtëror të Henrit paraqet bukur një përplasje të të dy botëve. Sipas Amados, sytë blu do jenë e vetmja gjë që do e bëjnë të dashurën e tij të zemrës Konsuelën të buzëqeshë. Në një betejë të fortë karakteresh Henri dhe Amado përplasen ballë për ballë me demonët e shpirtrave të tyre, me sakrificat e dashurisë dhe me humbjet e grave që ata kanë dashur.
Skenografia e realizuar nga artisti shqiptar paraqet një trinë (mjet lundrues në lumë) dhe simbolizon udhëtimin e personazhit kryesor nëpër dallgët e jetës, në një sfond abstrakt që perifrazon vizualisht pikturat e Xhekson Pollokut. Autori shprehet se: “E vendosa veçanërisht këtë vizion sepse i përshtatet më së miri pjesës… e shpreh mirë ndjesinë e një jete dhe situate abstrakte – ekspresioniste, shpreh tallazet e jetës, pasigurinë e një xhungle. Ka shumë elementë që e bëjnë tërheqëse këtë këndvështrim dhe mendoj se e jep plotësisht atmosferën e dramës që zhvillohet aty”. Vetë autori në hyrje të pjesës e vendos dhomën e Henrit në një godinë që pamjen nga spektatori e ka në formën e bashit të një anijeje. Skenografi Gjoni e çoi më tej abstragimin dhe e vendosi personazhin kryesor në një mjet lundrues të pasigurt siç është trina, një mjet i sajuar që mund të të hedhë në ujë në çdo çast. E gjithë skena e rrethuar nga një sfond transparent që jep vision abstrakt të një pylli ose deti me tallaze, përmes të clit shfaqen vegimet e ëndërrimeve ose demonëve të personazheve tanë. Çdo detaj është i menduar deri në imtësi. Tavolina, llampa e vajgurit, shtrati i varur. Koloriti i gjithe skenës jep tonin e një jete të konsumuar. E gjithë skenografia është e ngritur mbi ide të shtresëzuara që vijnë duke zbuluar pak nga pak misterin e pjesës ashtu siç zbulohet pak nga pak shpirti i personazheve gjatë zhvillimit të dramës.
Në rolet kryesore janë
Richard Fiske (Henri) Roberto Adolpho ( Amado)Pietro Gonzales (Vijejo)Marieta Carrero (Konsuela).
Regjia nën drejtimin e Sindi Marion.
Gjatë intervistave për TV “Alba Life” me aktorët dhe regjisoren e filmit Sindi Marion u folën fjalë miradie për skenografin shqiptar cka na bënte të ndiheshim tepër krenar me arritjet e tij. Andis Gjoni është rritur në një familje të shquar artistësh me baba kompozitorin e famshëm Simon Gjoni dhe pianisten e mirënjohur Mira Gjoni, doemos do të shprehej Andisi se mjedisi që më rrethonte ka ndikuar shumë në botën dhe kulturën time artistike.
Një grup artistësh shqiptarë miq të autorit morën pjesë në shfaqjen e dramës “Sy për Konsuelën” . Ata folën me krenari për pjesëmarrjen e një artisti shqiptar si skenograf dhe njëkohësisht u shprehën me emocion për realizimin artistik të dramës. Këtu përsëri do t’i referohem poetes së famshme amerikane Angleou e cila thotë: “Njerëzit mund të harrojne se çfarë ju keni thënë, mund të harrojnë se çfarë ju keni bërë, por kurre nuk harrojnë se si ju i keni bërë të ndihen”.
Ishte një natë e bukur artistike në Manhattan që do të ngelet gjatë në kujtesën e artdashësve amerikanë dhe shqiptarë, ngase jo vetëm loja mjeshtërore e aktorëve tërhoqi publikun me duartrokitje, por dhe ne si shqiptarë s’do ta harrojmë se si u ndjemë për këtë dramë të bazuar në një tregim të shkurtër të titulluar “Buqeta blu” e shkrimtarit meksikan Oktavio Paz laureat i çmimit Nobel në letërsi, por dhe skenën aq të përshtatshme realizuar nga artisti shqiptar Andis Gjoni.

8 shtator, 2015
Manhattan, New York

Filed Under: Kulture Tagged With: And is Gjoni, Keze Zylo, ne Manhattan, Në teatrin "Gene Frankel"

Prapë për vërshimet …

February 9, 2015 by dgreca

Nga arch. Ylber Vokshi –Ylli/
Sa i pafuqishëm ndjehet njeriu kur pranë ekranit televiziv i shef peripecitë e banorëve të sajë,se si po përballën me vërshimet e tokave,rrugëve dhe shtëpive të tyre të cilat janë vërshuar,si pasoj e shirave të pandërprera të këtyre ditëve në Kosovë dhe Shqipëri. Të zhgënjyer ata vetëm po e përjetojnë situatën e krijuar,e cila do ti dëmton ekstrem të gjithë,si ata që pësuan dëme në pasurit e tyre,në shtëpi,në ara me të mbledhura,në rrugë automobilistike,në makina,ashtu edhe në tërë shoqërinë e jonë.
Për çdo fillim vit me ankth po presim,se si do të jenë ndikimet e dukurive natyrore në jetën tonë të përditshme sa herë që bien shi,borë apo fryn ndonjë erë ma e fortë,ketë e potencoi se të gjithë ne jemi dëshmitar se si po lejohet të veprohet tek ne,në fushën e Planifikimit Hapësinor të territorit (urban dhe rural),Urbanizmit dhe Ndërtimit. Çdo shoqëri normale do të zbatonte rregullat dhe standardet minimale të ndërtimit,për të mbrojtur banorët e saj prej dukurive natyrore,që kohë pas kohe shfaqen në forma të ndryshme.
Njeriu gjithnjë për të mbijetuar ka tentuar dhe ka punuar që këto dukuri natyrore ti luftoi,që sado pak të zbut dëmet që i kanë shkaktuar këto fenomene natyrore,dhe gjithnjë ka tentuar ti shpjegoi me anën e shkencave ekzakte si janë kimia, matematika,fizika,astronomia,gjeografia etj. Sinkronizues i të gjitha këtyre proceseve,
si dhe elementeve tjera për funksionimin e një shoqërie-shteti duhej të ishte Planifikimi Hapësinor dhe ai Urban i territorit. Si nuk u mbush mend kjo shoqëri,të cilës për çdo vjet po iu përsëritën vërshimet,e nuk po ndërmerr masa preventive që sado pak të parandalon dëmet të mëdha që po i shkaktohen ?
Ende i kemi në kujtesë vërshimet e viteve të fundit,të cilat ishin ekskluzivisht si rezultat i mos respektimit se paku të traditës shekullore të ndërtimit. Kërkesa që të mos ndërtohet në zona potencialisht të rrezikuara nga vërshimet,ortekët e borës,rrëshqitja e dheut,shkrirjes së borës,e shumë elementeve tjera të sigurisë së ndërtimeve,në princip nuk zbatohen apo realizohen.
Këtë ditë,ishim dëshmitar të reshjeve të mëdha të shiu të cilat po na përsëriten çdo vit,që së bashku me shkrirjen e borës së pakët,shkaktuan vërshime të mëdha me pasoja e dëme të shumta materiale në të gjitha anët. Në Kosovë (Lipljam),në Shqipëri (Pogradec) dhe Maqedoni (Likovë),pati edhe viktima në njerëz.
Nuk po kërkohet që menjëherë të zhdukim ato veti të lidhura me shprehin e punës,që me shekuj na kanë imponuar sundimtarët e huaj. Sot kemi dijeni të mjaftueshme që të trasojmë rrugën për të përmirësuar dhe siguruar mjedisin ku jetojmë. Një është e sigurt se rehabilitimi i të gjitha atyre hapësirave apo lokacioneve të vërshuara kërkojnë mjete të konsiderueshme materiale.
Dëmet e shkaktuara nga këto fatkeqësi natyror janë të mëdha,të pa përballueshme nga individët e dëmtuar,komunat tona as që parashohin buxhet për këto çështje. Për të evituar këto dukuri diçka konkrete dhe realiste,duhet ndërmarrë pushteti Qendror,pasi jemi të vetëdijshëm me nivelin e ulët të trajtimit të kësaj problematike në Kosovë dhe Shqipëri. Ekspertiza dhe profesionistët e profileve të ndryshme,po e theksoi edhe një herë nuk mungojnë,parandalimi i këtyre dukurive do të ishte preventiva ma e mirë.
Nuk ndërtohet gjithkund ku të iu teket dikujt,së pari duhen analiza detale hapësinore dhe urbane,për të vendosur për zgjerimin e vendbanimeve tona,renovimeve të domosdoshme urbane apo ndërtimeve të reja. Ka disa kritere elementare të cilat duhen me qenë obliguese,kur lejohen ndërtime me leje e pa leje në të gjitha vendbanimet tona. Ndërtimet e pa kontrolluara vetëm po vështirësojnë dhe po varfërojnë popullin tonë,me pasoja të rënda për gjeneratat e ardhshme. Për tërë territorin e shtetit duhet planifikuar në mënyrë profesionale,së paku paraprakisht duhet marr qëndrimet e ekspertëve të fushave adekuate,e jo të bëjmë intervenime të pa kontrolluara në hapësirë.
Në një vend ku janë të evidentuar ma shumë se njëqindmijë (100 000) ndërtime pa leje në Kosovë,ngjashëm është edhe në Shqipëri,vetvetiu tregohet se çka mundesh me pritë nëse ndodhin vërshime,çka po e tregon realiteti ynë i këtyre ditëve. Problem edhe ma i madh janë ndërtimet me leje të cilat po atakohen nga vërshimet. Kjo tregon një realitet të hidhët se si janë punuar dokumentet hapësinore dhe urbane,të cilët fare nuk i kanë trajtuar seriozisht këto dukuri natyrore. Po e theksoi vetëm ekspertizën profesionale,dhe marrjen në konsideratë të vërshimeve gjatë përpilimit të dokumenteve hapësinore. Çështje e veçantë është trajtimi i atyre ndërtimeve,nga faza e ndërtimit e deri te shfrytëzimi i tyre,që tmerrësisht i anashkalojnë fatkeqësitë e mundura natyrore si janë vërshimet.
Se si neve ndërtojmë dhe i kontrollojmë (mbikëqyrim) ato në fazën e eksploatimit,kemi edhe raste konkrete ku janë investuar,shpenzuar mjete të mëdha materiale me vlera milionëshe,si janë rastet e autostradave nga Prishtina në drejtim të Shkupit dhe Pejës,të cilat në disa pika ishin bllokuar nga vërshimet. Arsyetimi i përgjegjësit në Ministrin e Infrastrukturës është se “privatët i kanë mbyllur gypat që e bëjnë bartjen e ujërave sipërfaqësorë”,kjo është e pa pranueshme e pa tolerueshme dhe tragjike. Është humbur koha e çmueshme,janë dëmtuar automjetet,për rrugët e reja ekspertiza do të tregon sa janë dëmtuar,e për anën emocionale as që duhet menduar apo diskutuar. Vetvetiu shtrohet pyetja a duhet dikush me dhënë përgjegjësi për gjendjen e krijuar ?
Të jemi objektiv,ka vërshime ekstreme që hyjnë në kuadër të fatkeqësive të mëdha natyrore,në ato raste faktori njeri është i pa fuqishëm dhe vepron vetëm si preventivë. Në Kosovë dhe Shqipëri të gjitha rastet janë si rezultat i mos planifikimit hapësinor dhe urban profesional,si dhe të mos mirëmbajtjes të hapësirave që na rrethojnë,të cilën në gjithnjë e anashkalojmë,me arsyetime absurde se gjoja nuk ka mjete materiale,kurse dëmet që po i shkaktojnë vërshimet janë shumëfish ma të mëdha. Në thelb jemi të varfër në kokë e jo në gjep,për atë po pësojmë gjithnjë,jo vetëm në planifikim hapësinor dhe urban të territorit,i cili është thuaj se i huaj për ne,për atë po e paguajmë shtrenjtë mospunën tonë si shoqëri. Mjaft ma me shprehjet “duhet”,ka ardhur koha të veprojmë konkretisht,
Të vetmen punë që dimë të bëjmë ne janë vizitat në zonat e vërshuara,formimet e “Komisioneve për vlerësim”,për të kërkuar mjete nga niveli Qendror për të sanuar pasojat e gjendjes së krijuar pas vërshimeve. Kjo është qasje tërësisht e gabuar,pasi së pari jemi të obliguar që brenda mundësive reale të shtetit,të përgatisim dhe zbatojmë projekte që duhet të rrjedhin nga Dokumentet Hapësinore dhe Urbane,për të evituar në maksimum dëmet të cilat do ti shkaktonin fatkeqësitë natyrore si janë vërshimet. Kjo qasje është vetëm një ilustrim i tërë asaj së ku jemi duke jetuar,ku kriteret ndërkombëtare për planifikim dhe ndërtime askush nuk i përfillë.
Prapë më duhet të përsërisë një veti të “trashëguar”që moti,se të gjithë ne dimë të ankohemi kur ngjajnë vërshimet,rrëshqitjet e dheut,tërmetet,rrënimet të ndryshme,sa herë që bien shi,borë apo fryn ndonjë erë ma e fortë. Këso rastesh kemi pa numër pasi nuk është duke u punuar ashtu si e kërkojnë rregullat teknike dhe ato të Planifikimit Hapësinor dhe Urban-Rural. Dashtë zoti mos të kemi ndonjë katastrofë ma të madhe se atëherë do të “vetëdijesohemi” se si jemi duke punuar dhe vepruar.
arch. Ylber Vokshi -Ylli
arkitekt i pavarur
ylberv@gmail.com
Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK),

Filed Under: Opinion Tagged With: Prapë për vërshimet ..., Ylber Vokshi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • …
  • 70
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT