• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2015

Teatri i Bashkimit i Edi Ramës dhe Isa Mustafës

March 24, 2015 by dgreca

Nga Migjen Kelmendi/
Asgja ekonomike e substanciale nuk doli nga takimi i parë në Prizren i dy qeverive shqiptare. A ka me qenë edhe takimi i sotem vetëm nji teatër politik i Ramës dhe Mustafës?
Mizanskenimi, si në tavolinën rreth së cilës kanë me u ulë anetarët e dy qeverieve, ma shumë e anticipon si teatër sesa parlament. Nevoja e kryeministrit të Shqipnisë, Edi Rama, me u marr me mizanskena e teleisje të hapsinave ku mbahen takimet, u pa edhe kësaj here. Edhe pse, tavolina me flamur Europe, e vendosun mbi tepihun me flamur shqiptar, ma shumë duket si “gjenialitet” i ndonji trupe amatore prej Librazhdi sesa sugjerim i kryeministrit me dell artistik Edi Rama.
Keshtu pa shije, si teatër amator, ishte mizanskenue edhe skena në takimin e parë në Prizren, me folklorizem që ta çonte mallin e estetikës enveriane nga Kinostudio “Shqipëria e Re”.
Kjo “tavolinë historike” ma shumë flet për diçka tjetër: “qysh e mendon nji kryeministër prej Shqipnije bashkimin e shqiptarëve”.
Aha, kjo s’asht tavolinë e thjeshtë, kjo asht “tavolinë historike”. Asht nji “tavolinë me mesazh”.
Po cili asht mesazhi që na e çon Edi Rama përmes kësaj tavoline?
Tevona, Edi Rama këtë mesazh na e tha edhe midis Prishtine. Por, njeriu me gjasë ndigjon veç çka ka deshirë me ndigjue.
Ashtu edhe si e tha në Prishtinë- të bashkuem në Europë.
Pra, cili qenka mesazhi i ripërsëritun i kësaj “tavoline historike” të Edi Ramës?
Se bashkim folklorik nuk ka. Nuk egziston asi ideje në Shqipni. Ajo që sot egziston asht kjo tavolinë e përbashkët, e lulueme me yje prej Europe, e cila ofrohet si nji erzac për Bashkimin e Andrruem.
Dhe nji autobus. Ku herë hypë qeveria prej Shqipnije, e herë kjo prej Kosove. Por asnjiherë dy qeveritë mbrenda nji autobusi!
Tavolina historike dhe autobusi veç me nji qeveri n’to, herë në linjën Tiranë- Prizren, e herë në linjën Prishtinë- Tiranë, kokan mesazhe të kodueme: Se Shqiptarët po u bashkohkan n’Europë!
Atëherë, pse krejt kjo pompë, krejt ky teatër i bashkimit? Pse nuk prezentohen këto takime të dy qeverive të dy shteteve si takime pune? Pse duhet me u vesh me prrallën për bashkimin e tavolinat mos me qenë tavolina, po “tavolina me mesazh”?
Nëse takimi i parë u desht me qenë teatër, pse duhet me vazhdue me teatër, si aludon kjo tavolinë?
Pse mos me folë për substancën e takimit, marrëveshjet e mungueme, 1000 e 100 probleme që janë egzistente në relacionin Prishtinë-Tiranë, jo vetem të autobusave, po të dy shteteve. (Ende s’po mun merremi vesh për patatet, e po bajmë “tavolina me mesazh”).
Dhe ka nji dallim substancial në emnimin si takim i dy “qeverive shqiptare”. Ky asht takim i dy kryeministrave shqiptarë, që u prijnë dy qeverive të ndryshme. Po flasim për nji qeveri shqiptare dhe nji qeveri qytetare. Për nji shtet kombëtar dhe nji shtet qytetar.
Qe nji arsye e madhe për nji takim të radhës mes dy qeverive të dy shteteve: Inkompatibiliteti i bashkimit të nji shteti qytetar me nji shtet kombëtar?
Apo ndoshta Edi Rama e Isa Mustafa kanë nji përgjigje tjetër në këtë çashtje në formën e naj “tavoline” apo “autobusi”?

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe Isa Mustafës, Migjen Kelmendi, Teatri i Bashkimit i Edi Ramës

SHQIPTARET E KALIFORNISE BEHEN ME SHOQATE

March 24, 2015 by dgreca

Zyrtarizohet shoqata e parë shqiptare në Kaliforninë Veriore me emrin “Komuniteti Shqiptar në Kaliforninë Veriore” (Albanian Community in Northern California)/
Nga Emine Bajrami/
“Qëllimi i hapjes së shoqatës është bashkimi i shqiptarëve nga të gjitha trojet tona që jetojnë në Kaliforninë Veriore, si dhe ruajtja e traditës, kulturës dhe gjuhës sonë të lashtë dhe madhështore”
Pas shumë përpjekjeve të shumë viteve me radhë nga shumë aktivistë dhe veprimtarë shqiptarë në Kaliforninë Veriore, me datën 22 Mars, 2015 në Luigi’s Deli and Market, 537 Main Street, Martinez, CA, u zyrtarizua shoqata e parë shqiptare në pjesën Veriore të Kalifornisë e emëruar Komuniteti Shqiptar në Kaliforninë Veriore ( Albanian Community in Northern California).
Në këtë mbledhje me shumicë votash u zgjodhën kryesuesit e shoqatës të cilën e përbëjnë: Arben Hamiti kryetar, Brixhilda Dabërdaku nënkryetare, Arjet Skenduli sekretar, Fatos Plaka arkatar dhe Gentian Muzhaqi zëvendes arkatar. Me këtë rast gjithashtu u zgjodh edhe bordi prej 5 antarësh: Hasan Berisha kryetar dhe anëtarë të bordit; Sanije Berani, Mentor Gjata, Enver Sedolli dhe Nazim Nushi. Për nderë të veprimtarisë së tyre shumëvjeçare në ndihmë të komunitetit shqiptarë dhe respektit të madh që kanë nga ana e bashkatdhetarëve tanë, si kryetarë nderi të bordit u emëruan Ali Kraja dhe Xhevat Saiti.
Hapja e mbledhjes u fillua në menyrë festive, së pari me hymnin e flamurit të SHBA-së dhe pastaj të hymnit të flamurit shqiptar. Fjalën së pari e mori Hasan Berisha i cili përshëndeti të gjithë dhe uroj që shoqata të ketë suksese, pastaj iu dha fjala Arben Hamitit i cili shpjegoi në detaje arsyen dhe qëllimin e hapjes së shoqatës. Pas presantimit te tij u krijua komisioni zgjedhor të cilët ndihmuan në zgjedhjen e kryesisë.
Zgjedhja e kryesisë dhe bordit u bë në mënyrë të rregullt dhe demokratike në përputhje me ligjet e Kalifornisë.
“Qëllimi i hapjes së shoqatës është bashkimi i shqiptarëve nga të gjitha trojet tona që jetojnë në Kaliforninë Veriore, si dhe ruajtja e traditës, kulturës dhe gjuhës sonë të lashtë dhe madhështore” tha Arben Hamiti në fjalimin e tij si kryetar i shoqatës Komuniteti Shqiptar në Kaliforninë Veriore ( Albanian Community in Northern California).
Pjesmarrës të themelimit të shoqatës ishin: Elvira Frakulli, Dijana Berisha, Xhafer Nushi, Gentian Muzhaqi, Silvi Palloj, Arben Hamiti, Mentor Gjata, Gezim Kovaçi, Emine Bajrami, Hasan Berisha, Qëndresa Sedolli, Nazim Nushi, Luigj Dabërdaku, Sanije Berani, Arjet Skenduli, Fatos Topanica, Bukurije Sedolli, Markopalos Fotiu, Buqe Sedolli, Enver Sedolli, Brixhilda Dabërdaku dhe Fatos Plaka.
Mbledhja u përmbyll me shpresë që të gjithë shqiptarët në Kaliforninë Veriore një ditë t’ju bashkohen shoqatës së tyre dhe ta japin kontributin e tyre në fusha të ndryshme profesionale.

Filed Under: Featured Tagged With: EDHE SHQIPTARET E KALIFORNISE, Emine Bajrami, KANE, SHOQATEN E TYRE

Atëhere kur studentët e Kembrixhit,të Sorbonës,Romës…..mbushnin burgjet e diktaturës

March 23, 2015 by dgreca

Nga Pertefe Leka/
Atëhere kur shkrimtarja e mirënjohur R.W.Lane(Lejn) vuri në lëvizje Diplomacinë Amerikane për të shpëtuar njërin prej tyre.
E nis këtë shkrim nga një barcoletë që qarkullonte në Shkodër, por që kishte të vërtetën në brendinë e saj: Një ekip i Komitetit te Partisë(i periudhës së diktaturës) kishte vizituar një ndërmarrje në Shkodër. Ndërmjet të tjerave, ata kishin këshilluar, që punëtorët duhet t’i nënshtroheshin kurseve të kualifikimit për t’iu përgjigjur cilësisë së prodhimit. Drejtori i ndërmarrjes, kishte thënë, (sigurisht në intimitet dhe për humorin shkodranë) se edhe rojen (ate plakun te dera)e kemi me Kembrixh, pa le te tjerët……
Personazhi në fjalë, ishte Rexhë Meta, biri i Maleve të Kosovës, i mbetur jetim dhe i adoptuar nga shkrimtarja e mirënjohur amerikane, Rose Wilder Lane .
Shkrimtarja R.W.Lane pas 90-tës është bërë e njohur për publikun shqiptar,pasi ajo ka një jetë të pasur artistike. Ajo është autorja e dhjetra librave letrarë e filozofikë, por shumë e njohur në publicistikë.
Për të përshkruar jetën e saj duhet një studim i veçantë por interesi ynë është të njohim atë pjesë te jetës së saj kur ajo erdhi ne Shqipëri dhe lidhjet e saj me Rexhë Meten.
Për herë të parë Rose erdhi në Shqipëri në vitin 1921, me mision humanitar. Ajo ishte ngarkuar nga Kryqi Kuq Amerikan të observonte veprimtarinë e këtij misioni në Europë e Azi pas ngjarjeve të Luftës së Parë Botërore dhe ta publikonte në Buletinin e Kryqit Kuq.
Në Shqipëri ajo erdhi me një grup punonjësish për të ndihmuar refugjatët nga Kosova dhe trojet shqiptare jashtë kufijëve, të dëbuar me forcë nga serbët.Ata punuan me përkushtim në emër të “Komitetit për mbrojtjen e Kosovës”
Udhëtimin e parë e bëri në Veri të Shqipërisë, në Luginën e Shalës me qëllim për të hapur një rrjet shkollash në ato zona të thella.
Grupin e shoqëronte edhe një djalë i ri i quajtur Rexhë Meta i cili kishte ardhur me prindërit në Shkodër, pas dëbimeve masive. Vuthjani i vogël shpejt mbeti jetim dhe ishte marrë nën mbrojtjën e Kryqit të Kuq Amerikan që vepronte në Shqipërinë e Veriut. Ai në grupin e fëmijëve refugjatë ishte i dalluar, pasi në një kohë rekord kishte mësuar anglishten, paçka se nuk i ishte dhënë mundësia të vazhdonte rregullisht shkollën.
Si përkthyes i Roses ai e ndiqte hap pas hapi atë, sidomos në atë terren të veshtirë të Shalës ku nje ditë asaj i rrëshqiti këmba dhe desh e ra në humnerë, por guximi i djalit i shpëtoi jetën. Rose ndihej e obliguar ndaj të riut Rexhë dhe i ofroi një ndihmë,por Rexha krenar i refuzoi duke i thënë :” Ju jeni gazetare, shkruani tani edhe për Shqipërinë”( marrë nga Bora Meta, vajza e Rexhë Metës.)
Rose e mahnitur nga sjellja fisnike e djalit e adoptoi dhe e afeksionuar pas të birit bëri çmos që ta shkollonte. Fillimisht ajo e regjistroi në Shkollën Teknike Harry Fulltz, ku ai habiti personelin mësimor për arritjet e shpejta në të gjitha lëndët. Pastaj ajo vazhdoi të investonte për te edhe kur ai ishte student në Universitetin e Kembrixhit, ku emri i tij është i shkruar në Librin e Artë të këtij Universiteti.
Ndërkohë Rose shkonte e vinte në Shqipëri dhe me lidhjet shpirtërore që kishte, vendosi të jetonte përgjithmonë në Tiranë, ku ajo ndërtoi dy shtëpi, një për vete dhe një për familjen e Rexhës, tashmë i martuar.
Rose gëzonte se vajza e Rexhës mbante emrin BoraRose, që ajo ta kujtonte gjithmonë gjyshen amerikane.(marre nga Bora Meta,vajza e Rexhe Metes).
Ngjarjet e luftës së dytë botërore i rrokullisen ëndrrat e Roses.Autoritet fashiste e internuan Rexhën me familje në kampet e përqendrimit në Itali si antifashist.
Më vonë, si anëtar i Lidhjes së Dyte të Prizrenit në Shkodër, komunistët e arrestojnë, nga ku ai provoi kalvarin e gjatë të vuajtjeve çnjerëzore.
Rose e ndjeu shumë arrestimin e te birit nga komunistet, pasi kishte dëgjuar shumë për terrorin Bolshevik dhe e kishte njohur nga afër pasi ishte po me këte mision në vendet e B.Sovjetik.
Ajo bëri të gjitha përpjekjet për ta shpëtuar djalin e saj deri te presidentet e Amerikës . Nderkohë i shkroi Bess Truman (gruaja e presidentit në ate kohë)dhe Herbert Hoover (ish pres. i Amerikës) për ta tërhequr djalin e saj nga Shqipëria ,në Sh.B.A.
Pas shumë ndërhyrjesh, takimesh e letrash me personalitete të larta të politikës Amerikane, Rose u këshillua nga familja e Rexhës që të mos vazhdonte ta kërkonte ate haptazi, pasi familja do të kishte edhe më shumë konsekuenca . Atëhere Rose, ndoqi rrugën indirekte për t’u lidhur me gruan e Rexhës, Pertefen,e cila kishte studiuar te Motrat Stigmatine. ku kishte mësuar edhe anglisht. Përveç burgut të rëndë të burrit, asaj i kishin pushkatuar edhe vëllanë e vetëm, Bardhosh Danin. Kështu Rose e tmerruar nga këto ngjarje vuri në lëvizje miqtë e saj të Kryqit të Kuq që vepronin në Europë dhe mundi kështu të hynte në lidhje me familjen e Rexhës.
Rose, deri sa vdiq, nuk pushoi se kërkuari djalin e saj, sigurisht në mënyren më të fshehtë. Kur po i ofrohej fundit te jetës me 1968, ajo ia la amanet djalit te dytë të adoptuar, amerikanit, Raxh(Roger Mac Bride) që të vazhdonte lidhjet me familjen e vëllait në Shqipëri.
Ishte viti 1990,kur Raxh mundi ta plotësonte amanetin e nanës Rose.Ai me ndihmën e Prof. S.Repishtit mundi të hynte në lidhje me vajzën e Rexhë Metës, Bora Rosën dhe arriti ta tërhiqte me familje nga Italia, ku ajo ishte refugjate dhe e vendosi në Florida ku ajo jeton edhe sot.
Te gjitha, çfarë Rose ka parë dhe ka përjetuar në Shqipëri, i ka përshkruar ne veprën e saj “The Peaks of Shala” (Majat e Shalës) dhe në përmbledhjen e artikujve te saj “ Albanian Garden “
Vlen per t’u përmendur që edhe vepra e saj madhore “The discovery of Freedom “(Zbulimi i Lirisë) e ka marrë frymëzimin nga një ngjarje që ajo e përjetoi kur ishte me mision ne Malësitë e Veriut.
Mbas Edith Durham-it, ishte Rose që ka shkruar me detaje jetën politike,sociale,zakonet,mitet,këngët dhe shumë ngjarje historike të dëgjuara dhe aktuale,kur ishte në Shqipëri.
Shkrimet e saj janë një dëshmi e gjallë për historinë e popullit tonë.
Veprat e Rose Wilder Lane asnjëherë nuk u bënë të njohura gjatë periudhës së diktaturës. Ato nuk kishin më pak vlerë se ato te Durhamit, të Bajronit e të tjerëve të huaj që lartësuan vlerat e kombit tonë, kështu edhe ajo s’i shpëtoi luftës së klasave. Por sot duhet evidentuar kontributi i Rose per Shqipërinë e Shqiptarët për ta përjetësuar me emrin e një shkolle, të një institucioni humanitar, të një sheshi a rruge që t’i mbetemi mirënjohës veprës së saj.
Po këtë mirënjohje duhet të kemi edhe për studentin e shkëlqyer të Kembrixhit,intelektualin patriot,që luftoi për bashkimin e trojeve shqiptare,Doktorin e lauruar në Ekonominë e Financave,Rexhë Meta, cili asnjëherë nuk i gëzoi frutet e punës së tij. Sot duhet të vihet në vendin e nderit që i takon,jo vetëm për kontributin e tij në lëmin e ekonomisë, por edhe si delegat i Maleve të Kosovës dhe hartues i programit, të Lidhjes së Dytë të Prizrenit.(ne Foto:Rexhe Meta. Fotografia eshet marre nga punimi i studiuesit Rexhep Dedushaj)

Filed Under: Histori Tagged With: burgjet e diktatures, Pertefe Leka, Rexhe Meta, Rose. W. Lane, studentet e Kembrixhit

Një polemikë e Konicës(Sikur të ishte shkruar sot!)

March 23, 2015 by dgreca

FAKTE…/
-Faktet janë fakte, Çfry, ulëri, hith këlbaza, qesh, qaj, përkëdhel, gris, vrit botën, vrit veten,- faktet, të thata dhe të ftohta, s’luajnë nga vëndi dhe mbeten FAKTE./
-A është fakt, apo jo, që zanatin e tyre si vrasës, hajdutë dhe spiunë, e vazhdojnë me forcë të re që kur rrëmbyen Guvernën?/
-A është fakt, apo jo, që zanatin e tyre si vrasës, hajdutë dhe spiunë, e vazhdojnë me forcë të re që kur rrëmbyen Guvernën?/
Shkroi:Faik KONICA/
Për të ndritur Popullin dhe për të stërvitur gjykimin e tij në shesh të politikës, kam folur për aktorët e lodrës shqipëtare me liri dhe me paanësi, ashtu siç më ka prerë mendja dhe siç më ka thënë ndërgjegjja. Një mijë zëra në Shqipëri m’u përgjigjnë që kam të drejtë dhe që punët janë edhe më keq se sa i kam përshkruar, njerëzit edhe më të fëlliqur se sa më janë dukur. Po fajtorëve penda ime nuk u pëlqen shumë. A është për t’u çuditur? Cilit kusar i pëlqen t’i mbajnë dorën kur përpiqet të çpojë një arkë? Cilit leproz i k’ënda t’i heqësh maskën e hijëshme që i mbulon faqet dhe të nxjerrësh në shesh turit’ e tij të çara me plagë dhe të lyera me qelb?
Fajtorët, me shpresë që të pakësojnë rëndësin’ e krimeve që bëjnë, kanë lëshuar zagarët e tyre pas kurrizit t’im: kemi patur rastin të qeshim me lehjet dhe jargët e këtyre kafshëve. ,Ç’ duan të provojnë sodomitët dhe hajdutët e Tiranës? Që jam njeri i keq? Po s’do fjalë që në sy të tyre jam njeriu më i keq i botës. Fjala është: në sy të Petrëndisë dhe të ndërgjegjes s’ime vallë si jam? Kush mund t’i thelojë ato mistere? Ndërgjegja munt të thotë që jam një farë shenti: se jam munduar kurdoherë të bëj të mirën, se i kam shërbyer Popullit me sa kam mundur, se s’kam hezituar kurrë në mes të detyrës e t’interesës, dhe në kam lajthime, nuk i kam kurrë me të dashur po jam gënjyer nga rasti. Në sy të Perëndisë, munt të mos jem as ëngjëll as djall, po një njeri me vullnet të mirë. Sa shqipëtarë vallë hyjnë në këtë kategori?
Po dua t’i mpraps të gjitha këto fantasira të një njeriu që i pëlqen vetia dhe mburret më kot. Ejani pra të thoni se gjithë çpifjet e dësinteresuara t’armiqve të Popullit janë të drejta; le të thomi, për hirën e argumentit, që jam edhe më tepër i keq se sa më pikturojnë ata njerës: Si munt ligësia ime të pakësojë, qoftë një drehem, rëndësin’ e fakteve që peshojnë kundrë kriminalëve të Sodomës së Re?
Faktet janë fakte, Çfry, ulëri, hith këlbaza, qesh, qaj, përkëdhel, gris, vrit botën, vrit veten,- faktet, të thata dhe të ftohta, s’luajnë nga vëndi dhe mbeten FAKTE.
A është fakt, apo jo, që shumica e njerësve që kanë sot punët e Shqipërisë në dorë, kanë vrarë, kanë grabitur dhe kanë tradhëtuar?
A është fakt, apo jo, që zanatin e tyre si vrasës, hajdutë dhe spiunë, e vazhdojnë me forcë të re që kur rrëmbyen Guvernën?
A është fakt, apo jo, që çdo ministër ka lidhje të fshehtë dhe kriminale me një mbretëri fqinje?
A është fakt, apo jo, që sëmundja e fëlliqur eSodomisë u përhap dhe dolli sheshit nënnë “guvernën” e tanishme, që praktikohet nën hie të “guvernës”, dhe që të huajve kjo gjendje u bën përshtypjen më të tmeruar?
A është fakt, apo jo, që “guverna” e sotme është themeluar mi sistemin e iftirahut, të spiunllëkut, të rushfetit dhe të pusisë?
A është fakt, apo jo, që shumica e proprietarëve të dheut në Shqipëri i kanë grabitur dherat që kanë ose nga fshatarët ose nga Shteti, dhe që bujqët përdoren si bagëti e janë bërë gjysmë-njerës të verdhë e të shtrëmbër nga rojtja e keqe?
A është fakt, apo jo, që ky system skllavërie jo vetëm mprohet nga “guverna”, po njerëzit dhe miqt’ e “guvernës” e zgjerojnë për ditë duke kallur nën zgjedhë edhe fshatëra që gjer më sot nuk ishin çiflik?
A është fakt, apo jo, që Populli” s’ka bukë as punë, dhe që “guverna” jo vetëm nuk i përkrah fshatarët po u thëthin gjakun me hua mme zor, me taksë dhe me grabitje?
Në qoftë se këto janë ose s’janë fakte, Populli i Shqipërisë e di shumë mirë. Dhe gjykimin e tij s’munt ta ndalojnë as klika e Sodomës së re, as ndonjë fuqi në botë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Fakte, Nje polemike e konices

Shkencëtari që para trupit gjykues, foli sikur të ishte kryeministër

March 23, 2015 by dgreca

Lef Nosi, elbasanlliu që nuk e mohoi kurrë origjinën (Leterkëmbimi me familjarët)/
Ne Foto:Lef Nosi para Trupes se gjyqit komunist me 1946,ne perberje te te cilit ishin: Major Irakli Bozo, major Gjon Banushi dhe major Tonin Jakova./
Pergatiti:ARTUR AJAZI/
Dijetari, mendimtari, politikani, publicisti dhe pinjolli i një ndër familjeve më të vjetra të lagjes Kala në Elbasan Lef Nosi, ishte dhe do të mbetet njeriu që kurrë nuk njohu dhe pranoi kushte për tu poshtëruar, kurrë nuk bëri pazare me dinjitetin dhe familjen e tij, kurrë nuk pranoi të nënshkruante kapitullimin e tij politik, moral, e intelaktual. Banor i lagjes më të lashtë (afro 2500 vjeçare) të Kalasë, Lef Nosi, padyshim bën pjesë tek plejada e figurave më të shquara që ka nxjerrë Elbasani, duke nisur nga shkencëtarët, e duke përfunduar, tek publicistët, e artistët me famë kombëtare dhe botërore. Për figurën e Lef Nosit, është shkruar shumë, edhe pse deri më sot nuk ka një monografi të plotë, pavarsisht se me emrin e këtij kollosi lidhet ruajtja e dokumentit të Pavarësisë, por edhe një veprimtari e gjerë atdhetare, politike e shoqërore. Nosiihste i pari që botoi fletoren “Dokumente historike” dhe në 1937 një fletëpalosje me Aktin e Pavarësisë të vitit 1912, me rastin e 25-vjetorit. Bashkë me Aqif Pashë Elbasani, Lef Nosi ngritën flamurin në Elbasan më 25 nëntor 1912. Të dyja këto figura luajtën rol parësor edhe në Kongresin e Elbasanit dhe në themelimin e shkollës Normale. Mbështetja e tyre për qeverinë e Vlorës ka qenë e palëkundur në një kohë që mbretëronte një situatë separatizmash dhe pashallëqesh. Në këtë periudhë, Lef Nosi dhe Aqif Pasha kishin autoritet të jashtëzakonshëm, kurse pozita e tyre nuk u ndërlikua kurrë. Nosi ka pasur një letërkëmbim të pasur me personalitete të njohura të politikës ndërkombëtare, albanologjisë, gjuhësisë e historisë të kohës. Por të pathënat për Lef Nosin janë marrëdhëniet me familjarët e tij. studiuesit dhe historianët elbasanas dhe më gjerë, kanë arritur pas hulumtimeve të shumta të zbulojnë letra të shkëmbyera mes tij dhe nënës e vëllait, të gjetura në fondin personal të tij në Arkivin Qendror Shtetëror. Në 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, përshkrimi i veprimtarisë, copëzave të jetës dhe dorëshkrimeve të Nosit, ishin një dedikim dhe mirënjohje për këtë figurë që dha shumë për këtë moment, jo si një nga firmëtarët e Pavarësisë, por edhe si një intelektual dhe familjar briland. Falë këmbënguljes dhe bashkëpunimit me Arkivin Qëndror të Shtetit, është evidentuar dhe publikuar një pjesë nga dorëshkrimet dhe letërkëmbimi personal i Nosit, i cili nuk është i ndarë nga ndjenja e tij e atdhetarisë. Nosi na shfaqet më i plotë në letërkëmbimin e tij me nënën, me vëllanë e vet Gregorin, si dhe në pjesë të ditarit të mbajtur prej mikeshës së tij, Margaret Haslluck, në shënime dhe vargje poetikë të saj, mbledhur prej Nosit.
Kurrë nuk e mohoi origjinën
I lidhur ngushtësisht me Shqipërinë dhe fatin e saj, veçanërisht me qytetin ku u lind dhe u rrit, Elbasanin, Nosi megjithatë kërkon thellë në rrënjët e tij, madje shkruan për zbulimin e tij. Sipas fakteve që i pranon si të vërteta, origjina e Nosit dhe familjes së tij është nga Greqia. Ai pohon se Nosët kanë të njëjtat rrënjë me një tjetër familje të madhe, atdhetare e intelektuale, Shuteriqët. Kjo do të thotë se dy prej intelektualëve më të njohur të kohës, me të cilët krenohet jo vetëm Elbasani, por edhe Shqipëria, Lef Nosi dhe Dhimitër Shuteriqi, i bashkon jo vetëm vetëdija atdhetare dhe dashuria për dijen, por edhe i njëjti gjak.“Gojdhana e familjes thotë se Nost janë t’ardhun nga Greqia. I pari që kishte ardh këtu pasi kishte “ranë më gjak në vendt të vet e kishte qenëi shtrënguem me dalë dheut.Po, sekure ka ardhë nuk dihet mirë pasi në familje nuk ndodhet asnjë dokument i shkruem që tëna e dëftejë. Ky fis me kalim të kohës ashtë shtue e ashtë ndamë në tri dega të ndryshme nga të cilat vetëm njana e ruejti mbiemrin e vjetër e dy të tjerat e ndërruan tuke marrë njana mbiemrin “Shuteriqi” e tjetra “Marku”. E shumta e emnavet që u ngjisnin fëmivet këta tre barqe janë po ato. Përshembull sot kanë: Anastas, Beniamin, Jakob, Gregor, Basil, Kolë, Dhimitër, Josif etj. Por edhe Shuteriqt e Markajt po kesi emnash kanë. Veç kësajë të tria degat festojnë Shënkollin me tëvetmin ndryshim që Nost e bëjnë festën në verë e Shuteriqt në dimën që të mund kështu të thërresin shishoqin në festë.
Ja çfarë shkruante Lef Nosi në ditarin e tij
“Mbiemnin tim por edhe disa të tjerë si Kapidani, e gjejmë në kodikun e motshëm të kishës së Shën Mërisë në vitin 1784 e faqe 167….Ashtë edhe në vitet 1812 e 1814 faqe 192 e 193….…Një gjë që provon që Nost janë t’ardhun nga Greqia asht një ngjarje që më kallzon im vëlla Gregori.Simon Shuteriqi më thotë se e ka pasë ndigjue nga i ati se i pari i familjes “Nosi” kishte pasë qenë “Kapidani i një anie e pasi kjo i kishte mbytë, nga Korfuzi ishte hudhë e kishte dalë mëktanë. Kishte ardhë e kishte zanë vend ktu n’Elbasan e prandaj i kishin quejtë Kapideni. Mirëpo nuk më gjanë të jetë kështu.Emri kapidani asht ma fort nji titull nderi të cilin kur ishja më i vogël përdoresh edhe kapidan. U thoshin muhamedanët e Elbasanit të krishtenvet të pasun e me randësi në shoqëni. Edhe në katundin Golomesh të Lushnjës e kam ndigjue…” Lef Nosi më poshtë shkruan se “unë me time shoqe, gruan e parë që kysha sëmunë në grykë të Salaminës kundrejt Pireut…, hasëm mbiemrin Nosi në Greqi”. Madje ai jep të dhëna më të gjera për familjen Nosi, dhe tregon për dy të afërmit e tij, Jançi e Nosi, “të bijtë e të cilëve nisë tregtinë” dhe “Patën një dyqan në shtëpi e pastaj dolnë në Pazar. Shkonin për mall në Venecia…”.
Letra për nënën e tij “Elbasani, kryeqyteti i ardhshëm i Shqipërisë”
Duke nxjerrë në pah vlerat e tij si poet dhe publicist, Lef Nosi i shkruante pak kohë pas shpalljes së Pavarësisë nënës së tij të dashur, por me një ton që tingëllon më tepër patriotik se familjar. I ndodhur në Vlorën ku ishte shpallur Pavarësia, si një nga firmëtarët e saj, Lef Nosi vazhdon të mendojë e të punojë për të ardhmen e vendit. Në letrën shkruar nënës, i flet asaj për situatën në Ballkan dhe “luftën” e kombeve për kufijtë e Shqipërisë. Me optimizëm ai vëren gjithsesi se gjërat po ecin mbarë dhe beson se së shpejti Elbasani do të jetë kryeqyteti i Shqipërisë. Ndërsa flet për lindjen e njërit prej nipërve të tij ai e “urdhëron” nënën që t’i vendosin emër shqiptar.
Vlonë 21 Shkurt 1913.
“E dashuna im më. Lettrën tande nga Durrësi me anë të Mustës e mora edhe ngëzova që jeni shëndoshë.Edhe ma tepër jam gëzumë për martesën e Lanës, lindjen e djalit t’Kolës, ardhjen e Sifit edhe qenjen e nuses s’Grigorit ma mirë.Besoj qi edhe Venimia ashtë kthymë shëndoshë nga Durrësi. Nji ditë thirra edhe Mitrin e Sildashit në telegrafore të Fierit e e pieta për ju.Vërte u ba nji muaj që nuk ju kam shkrumë; po, shkaku qe se nuk gjinden shpeshë njerës për aty për me u dhanë lettra.Dua t’ju çoj edhe gazeta qi i marrim rregullisht nga vaporet e Greqiës, po nuk kam sesi.Punët e Shqipëniës qënë tyke marrë funt shpejt; po, roi e s’undreq Turqia me Bullgariën për punë t’Edrenes, se xhemieti rrëxoi kabinetin e Qamil Pashës e vrau ministrin e luftës Nazim pashën e si e rroku frenin e mbretëniës në dorë nisi prap luftën. Për fat të mirë ushtëria e Turqvet u thye prap edhe pritet këtë javë të mbyllet paqa.Për kufijt e Shqipniës hahesh Rusia me Austrinë aqë shumë sa qi desh të nisin luftë. Po, lajmet e fundit na kallxojnë se undreqën edhe po i lëshojnë ushtëritë qi patën mbledhë. Besoj se nuk asht për t’u vonumë më puna, e për së shpejti do të vimë në Elbasan në Kryeqytetin e pastajshëm të Shqipniës së reë. Do të përpiqem t’ju çoj edhe gazeta me anë të Mitrit në qoftë se mund t’jua dërgojë me sigurië. Nusja Kolës përintët i ka mirë edhe u gëzuan për lindjen e djalit.Emnin t’ia ngjitni shqip.Gjithve u falem me shëndet.Të vegjëlvet u puth sytë.Sifit veçan i puthi sytë.
Tyke të puthmi dorën mbetem, biri yt Lefi
Nosi, koleksionist dhe “tregtar”
Në letrën drejtuar të vëllait shohim një anë interesante të karakterit njerëzor të Nosit, si një person me shpirtin e tregtisë që kujdeset për mirëqenien e familjes dhe që këshillon vëllezërit për disa veprime praktike që duhet të bëjnë për të fituar para. Po këtu shfaqet edhe pasioni i Nosit si koleksionist, ndërsa kërkon të ruajë për “antika” pulla serbe…
Vlorë 12 Mars 1913- I dashuni vlla Grigor
Kartën tate ato të Kolës edhe të Ali Irfanit i mora edhe u gëzova që jeni shëndoshë. Edhe ne jemi shëndoshë e së gjithash mirë. Presim me sot e me nesër qi të marri një funt puna e të vimë aty. Me anë të Mitrit ju dërgova letër edhe disa gazeta, të cilat besoj se ju kanë ra në dorë. Grekërit erdhën gjer në Tepelenë tyke ndjekun ushtëriën e Turkut. Komiteti Bullgar vrau në Selanik Gjergon mbretin e Greqiës. Ordia e Turkut qi ndodhet mbledhun sot në Lushnjeë e Fier po shet kualt e plaçkat se duket qi do t’i bjerë në dorë Sërbëvet pasi të bëjnë nji përpjekje të vogël me ta qi të mos thohet se u dhanë pa luftë. Mitri më thotë se ka blemë për ju 15 kual gjer më sot; do të bëjë mirë në qoftë se blenë ene ma të tjerë se si të shëndoshen bëhen që të vinë nga 40-50 lira kali.Këtu sot pasi asht mbyllë dati oka e sheqerit po shitet (30) tridhitë grosh e s’gjindet. N’qoftë se mundeni dërgomëni sa ma parë nja Katër a pesë barrë t’i shes se fitimi ashtë shum i math si e shifni. Në qoftë se do të çoni, të bëni herapë për 10 ditë e sot të ndodhet gjija këtu e po u hap deti pa m’ardhë sheqeri këtu, munt të vijë nga jasht e s’mbetet fitimi. Mos e humpni pra kët rast e nisni nji njeri t’a sjelli. Të më runi ca pulla të Serbiës, me vulën e sotme qi përdor në për letra në Shqipnië e ndonji shkresë…të kumandantit sërb se i dua për antika e kujtim. Për Cilkën e Ericksonin më shkruni si janë edhe u falem me shëndet. Farës e fisit u falem me shëndet. … e uroj për djalin. Të më dërgoni 5 qeleshe burrash nga ato qi prodhohen n’Elbasan edhe 5 qeleshe nga ato qi vinë nga Stambolli si në bojë hiri lesh e pambuk si ajo qi kam unë këtu … . Nanës i puth dorën, vëllezëvnet e motravet u falem me shëndet,të vegjëlvet u puth sytë. Sifit të fala. Shokvet të mij të fala. Lef Nosi
Fondi Nosit dhe figura e tij shumëdimensionale
Fondi me letrat e Lef Nosit na tregon për një figure shumëdimensionale të këtij burri të shquar. Ai në dorëshkrime flet mbi nismën për të botuar gazetën “Tomorri”, veprimtarinë e tij zyrtare si drejtor i gazetës, si dhe jepen lutjet e Nosit dhe nënës së tij për ta liruar nga internimi i bursës. Një figurë e tillë shumëdimensionale shpaloset në gjerësi të madhe edhe përmes korrespodencës së Nosit me figura të njohura të kohës. Mjafton të përmendim emra si: Faik Konica, Fan Noli, Ismail Qemali, Fuat Toptani, etj. Numri i letrave të dërguara në adresë të tij nuk është pak. Pothuajse të gjithë letrat e Nosit janë të lidhura me çështjen kombëtare. Veprimtaria e tij është e gjerë edhe në publicistikë dhe etnologji. Një personalitet kompleks me veprimtari të gjerë e të thellë patriotike dhe intelektuale, Lef Nosi, pati në të njëjtën kohë një fat kontravers dhe vdekje të pamerituar. Botues i gazetës “Tomorri”, pjesëmarrës në Kuvendin e Vlorës, firmëtar i dokumentit të Pavarësisë apo Kryetar i Bashkisë së Elbasanit në kohën e qeverisë së Vlorës, ai u vra nga regjimi komunist duke u cilësuar si bashkëpunëtor i nazizmit gjerman. Nga dokumentet e sjella vërehet dashuria e vërtetë, pamëdyshje dhe e pastër që ai kishte për Shqipërinë dhe preokupimi për fatin e saj. Rëndësia e këtyre dokumenteve është padyshim e jashtëzakonshme, porse ka ende mjaft dokumente të tjera, të cilët duhet të shfletohen e të interpretohen në dritën e duhur. Është interesante të sqarohet qëndrimi i Nosit gjatë Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, për të zhdukur “hijet” që mund të ekzistojnë lidhur me figurën e tij në këtë pjesë të historisë shqiptare. Ajo për të cilën nuk mund të dyshohet është se Lef Nosi, edhe vetëm përmes këtyre dokumenteve dhe detajeve të sjella këtu, dëshmohet si një figurë e patriot i rrallë me kontribut të madh për Shqipërinë dhe dashuri të veçantë për qytetin e tij, Elbasanin. Vrasja e tij në 1945, pas një seance të sajuar gjyqsore dhe qëndrimi dinjitoz të tij para trupit gjykues, ku thuhet se ka folur sikur të ishte kryeministër i vendit dhe jo i burgosur nën akuza qesharake, ishte një makabritet që nuk duhej të ndodhte, pasi vendi humbi në mënyrën më brutale njeriun me vlera të paçmuara, intelektualin dhe shkencëtarin që e kishin zili edhe akademitë më të njohura të Europës. Mjafton të përmendim faktin se në 1937, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Austrisë e ka ftuar të jetë pjesë e saj, po ashtu edhe ajo e Gjermanisë.

Filed Under: Histori Tagged With: Artur Ajazi, Lef Nosi, shkencetari, si kryeminsiter

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 80
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT