Një polemikë e Faik Konicës/
Për të ndritur Popullin dhe për të stërvitur gjykimin e tij në shesh të politikës, kam folur për aktorët e lodrës shqipëtare me liri dhe me paanësi, ashtu siç më ka prerë mendja dhe siç më ka thënë ndërgjegjja. Një mijë zëra në Shqipëri m’u përgjigjnë që kam të drejtë dhe që punët janë edhe më keq se sa i kam përshkruar, njerëzit edhe më të fëlliqur se sa më janë dukur. Po fajtorëve penda ime nuk u pëlqen shumë. A është për t’u çuditur? Cilit kusar i pëlqen t’i mbajnë dorën kur përpiqet të çpojë një arkë? Cilit leproz i k’ënda t’i heqësh maskën e hijëshme që i mbulon faqet dhe të nxjerrësh në shesh turit’ e tij të çara me plagë dhe të lyera me qelb?
Fajtorët, me shpresë që të pakësojnë rëndësin’ e krimeve që bëjnë, kanë lëshuar zagarët e tyre pas kurrizit t’im: kemi patur rastin të qeshim me lehjet dhe jargët e këtyre kafshëve. ,Ç’ duan të provojnë sodomitët dhe hajdutët e Tiranës? Që jam njeri i keq? Po s’do fjalë që në sy të tyre jam njeriu më i keq i botës. Fjala është: në sy të Petrëndisë dhe të ndërgjegjes s’ime vallë si jam? Kush mund t’i thelojë ato mistere? Ndërgjegjs munt të thotë që jam një farë shenti: se jam munduar kurdoherë të bëj të mirën, se i kam shërbyer Popullit me sa kam mundur, se s’kam hezituar kurrë në mes të detyrës e t’interesës, dhe në kam lajthime, nuk i kam kurrë me të dashur po jam gënjyer nga rasti. Në sy të Perëndisë, munt të mos jem as ëngjëll as djall, po një njeri me vullnet të mirë. Sa shqipëtarë vallë hyjnë në këtë kategori?
Po dua t’i mpraps të gjitha këto fantasira të një njeriu që i pëlqen vetia dhe mburret më kot. Ejani pra të thoni se gjithë çpifjet e dësinteresuara t’armiqve të Popullit janë të drejta; le të thomi, për hirën e argumentit, që jam edhe më tepër i keq se sa më pikturojnë ata njerës: Si munt ligësia ime të pakësojë, qoftë një drehem, rëndësin’ e fakteve që peshojnë kundrë kriminalëve të Sodomës së Re?
Faktet janë fakte, Çfry, ulëri, hith këlbaza, qesh, qaj, përkëdhel, gris, vrit botën, vrit veten,- faktet, të thata dhe të ftohta, s’luajnë nga vëndi dhe mbeten FAKTE.
A është fakt, apo jo, që shumica e njerësve që kanë sot punët e Shqipërisë në dorë, kanë vrarë, kanë grabitur dhe kanë tradhëtuar?
A është fakt, apo jo, që zanatin e tyre si vrasës, hajdutë dhe spiunë, e vazhdojnë me forcë të re që kur rrëmbyen Guvernën?
A është fakt, apo jo, që çdo ministër ka lidhje të fshehtë dhe kriminale me një mbretëri fqinje?
A është fakt, apo jo, që sëmundja e fëlliqur eSodomisë u përhap dhe dolli sheshit nënnë “guvernën” e tanishme, që praktikohet nën hie të “guvernës”, dhe që të huajve kjo gjendje u bën përshtypjen më të tmeruar?
A është fakt, apo jo, që “guverna” e sotme është themeluar mi sistemin e iftirahut, të spiunllëkut, të rushfetit dhe të pusisë?
A është fakt, apo jo, që shumica e proprietarëve të dheut në Shqipëri i kanë grabitur dherat që kanë ose nga fshatarët ose nga Shteti, dhe që bujqët përdoren si bagëti e janë bërë gjysmë-njerës të verdhë e të shtrëmbër nga rojtja e keqe?
A është fakt, apo jo, që ky system skllavërie jo vetëm mprohet nga “guverna”, po njerëzit dhe miqt’ e “guvernës” e zgjerojnë për ditë duke kallur nën zgjedhë edhe fshatëra që gjer më sot nuk ishin çiflik?
A është fakt, apo jo, që Populli” s’ka bukë as punë, dhe që “guverna” jo vetëm nuk i përkrah fshatarët po u thëthin gjakun me hua mme zor, me taksë dhe me grabitje?
Në qoftë se këto janë ose s’janë fakte, Populli i Shqipërisë e di shumë mirë. Dhe gjykimin e tij s’munt ta ndalojnë as klika e Sodomës së re, as ndonjë fuqi në botë.