• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2015

PËRPJEKJET RUSE PËR TË PËRÇARË PERËNDIMIN

March 12, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Kryetari i Këshillit të Europës, Donald Tusk vizitoi të hënën Shtëpinë e Bardhë ku u takua me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Barack Obama për të biseduar mbi një numër çështjesh të interesit të përbashkët, por çështja kryesore e bisedimeve ishte gjëndja në Ukrainë.Gjatë vizitës së Donald Tusk në Washington, udhëheqsi amerikan dhe Kryetari i Këshillit të Europës theksuan se është e nevojshme dhënja e një përgjigje të fortë Rusisë për shkak të rolit që ajo po luan në krizën që ka kaplluar Ukrainën. Z. Tusk i tha Presidentit Obama se Rusia po përpiqet të krijojë përçarje në radhët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian si dhe midis Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara. Kryetari i Këshillit të Europës, i cilimë parë ishte Kryeminsitër i Polonisë, në takimin e tij me Presidentin Obama nuk hesitoi të thonte troç ato që mendonte në lidhje me përpjekjet e Rusisë për të përçarë botën perëndimore, duke pohuar se, “Armiqët tanë të cilët përdorin propagandën kundër nesh, kryejnë akte dhune dhe shkelin sovranitetin e fqinjëve tanë.Ata duan të dobësojnë komunitetin politik të botës perëndimore.Ata po përpiqen të na përçajnë mbrenda Europës dhe të fusin grindje midis Europës dhe Shteteve të Bashkuara.” Udhëheqsi europian bëri thirrje për unitet në lidhje me sanksionet kundër Rusisë si ndëshkim për ndërhyrjen e saj në Ukrainë, duke thënë se, “Kur ne jemi të bashkuar, ne do të ndalojmë politikën agresive të Rusisë kundër fqinjëve të saj. E kaluara”, shtoi ai, “ka treguar se kur ishim të bashkuar, ne mundëm të luftonim me sukses terrorizmin dhe të arrinim suksese në fushën e ekonomisë dhe të tregëtisë së lirë”.

Zgjedhja e Z. Donald Tusk në detyrën e kryetarit të Këshillit të Europës vitin që kaloi, pat tërhequr vëmendjen jo vetëm sepse ai është i pari nga Europa Lindore ish komuniste që u zgjodh në atë post të lartë të burokracisë europiane, por edhe për faktin se ai i takon një brezi politikanësh polakë dhe europianë, i cili 25 vjetë më pare — në një moshë të re — u gjënd në frontin e luftës kundër komunizmit. Si student, Donald Tusk ishte shumë aktiv në Lëvizjen anti-komuniste polake, Solidarnost, e cila fillimisht sfidoi komunizmin dhe 25 vjetë më parë mundi regjimin komunist polak. Prandaj nuk është aspak e çuditshme që Z. Tusk edhe në ditët e sotëme, ai nuk e fsheh admirimin e tij për ish-Presidentin amerikan Ronald Reagan dhe ipër sh-Kryeministren britanike Margareth Thacher, të cilët konsiderohen ndër protagonistët kryesorë që kontribuan drejt shëmbjes së komunizmit në Europën Lindore dhe Qëndrore. Z. Tusk, si polak e di mirë se çfarë çorbe mund të jenë duke servirur rusët në Europë.

Duke pasur parasyshë këtë të kaluar të Z. Tusk, si edhe prejardhjen e tij nga Polonia, si një vend që historikisht ka patur marrëdhënje të vështira dhe të tensionuara me Rusinë, por që është një vend i vendosur pro-amerikan, nuk është për tu habitur për seriozitetin me të cilin ai shikon ndërhyrjet e Rusisë në Ukrainë dhe përpjekjet e Moskës për të përçarë vendet europiane si dhe Europën nga Amerika. Duke iu referuar politikës agresive ruse, Kryetari i Këshillit të Europës u shpreh në takimin e tij me Presidentin Obama se, “Historia brutale është këthyer tek ne — një histori brutale me një “fait accompli” politike.” Prandaj shtoi ai, “Kjo është arsyeja që është aq e rëndësishme që Europa dhe Amerika të flasin me një zë dhe të veprojnë së bashku, sepse ç’do të jemi nesër, varet nga ajo që bëjmë sot”, theksoi ai.

Para se të udhëtonte për në Washington, Donald Tusk i dha një intervistë gazetës New York Times, në të cilën ai tha se “Marrëdhënjet trans-atlantike janë boshti, i jo vetëm marrëdhënjeve midis dy kontinenteve tona, por ato garantojnë gjithashtu se vlerat tona të demokracisë, tregjet e lira, lëvizja e lirë dhe të drejtat e njeriut bazohen në një fuqi të vërtetë”, që i mbështetë ato. Ai i tha gazetës amerikane se konflikti në pjesën lindore të Ukrainës dhe aneksimi rus i Krimesë, është vetëm një nga shumë kriza që kërcënojnë tani sigurimin e Europës dhe një situatë e tillë nevojitë një qëndrim të bashkrenduar nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara. Mesazhi i qartë i Kryetarit të Këshillit të Europës Shtëpisë së Bardhë u duk si tepër urgjent!

Ndërkaq, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov reagoi të martën ndaj deklaratave të Kryetarit të Bashkimit Europian, Z. Donald Tusk në Washigton duke e akuzuar atë se po “nxitë tensionet” midis Moskës dhe Bashkimit Europian.

Gjatë takimit, Presidenti Obama pohoi se megjithë sfidat me të cilat përballemi dhe një prej tyre është gjëndja e krijuar në Ukrainë, tha ai, uniteti transatlantik është më i fortë se kurdoherë më parë.Ai lavdëroi marrveshjen e Minsk-ut për një armpushim në Ukrainë që u arritë kohët e fundit me ndërmjetsimin e Kancelares së Gjermanisë Angela Merkel dhe të Presidentit të Francës, Francois Hollande, por Z. Obama shtoise nëqoftse nuk zbatohet dhe nëqoftse nuk monitorohet armspushimi, marrveshje të tilla nuk kanë ndonjë vlerë.” Nga ana e tij, Presidenti Obama e siguroi Kryetarin e Këshillit të Europës se, “Të gjithë ne jemi të zotuar për të mbështetur parimet bazë të sovranitetit dhe integritetit territorial, parime këto që kërcënohen nga agresioni i Rusisë.” Z. Obama u shpreh duke thënë se“kemi ruajtur unitetin e fortë përsa u përket sanksioneve ekonomike”, kundër Rusisë. Është e rëndësishme, tha presidenti amerikan, që të vazhdojmë presionin ndaj Rusisë dhe separatistëve rusë që të zbatojnë marrveshjen e Minsk-ut.

Ndërkaq, si pjesë e diplomacisë transatlantike mbi agresionin rus në Ukrainë, gjatë një takimi me udhëheqsit e ri të Bashkimit Europian në Bruksel javën që kaloi, Zëvendës – Presidenti amerikan Joe Biden bisedoi me ta mbi gjëndjen në atë vend duke thënë se, “Ukraina po lufton për të mbijetuar si shtet”. Rusia, shtoi Z. Biden, vazhdon të përkeqësojë konfliktin duke dërguar në Ukrianë mercenarë dhe tankse. Si përfundim, shtoi ai, “Shtetet e Bashkuara dhe Europa në terësi, në këtë moment të vështirë për atë vend, duhet të qëndrojmë krah për krah në mbështetje të Ukrainës. “Rusia nuk mund të kejohet të ndryshojë hartën e Europës, pasi kjo është ekzaktërisht ajo që janë duke bërë rusët.”Në takimin e tij me Kryetarin e Këshillit të Europës, Donald Tusk në Bruksel, Zëvëndës Presidenti amerikan Biden, akuzoi Rusinë se është duke përdorur dy mjete të reja agresive të politikës së jashtme të cilat i ka këthyer në armë agresioni — përdorimin e oligarkëve dhe korrupsionin, si dhe përdorimin e energjisë si mjete për projektimin e politikës së jashtëme të Kremlinit.
Duket se urgjenca e diplomacisë intensive perëndimor në Bruksel dhe në Washington, në lidhje me gjëndjen në Ukrainë, solli të mërkurën në Washington edhe Ministrine Jashtëm të Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier, i cili zhvilloi një takim me Sekretarin Amerikan të Shtetit, John Kerry, ku një prej çështjeve kryesore që ata biseduan ishte edhe gjëndja në Ukrainë. Ne ngulim këmbë tha Z. Kerry se “Rusia duhet t’i jap fund përkrahjes ndaj shkeljeve të integritetit dhe sovranitetit të Ukrainës”.Ai shtoi se “Kjo, është e doemosdoshme nëqoftse duam të sigurojmë një Europë të tërë, të lirë dhe në paqë”, theksoi kryediplomati amerikan.
Ndërsa, Ministri i Punëve të Jashtëme të Gjermanisë gjatë takimit në Departmentin Amerikan të Shtetit, kujtoi vizitën e John Kerry-t në Berlin nëntorin që kaloime rastin e 25-vjetorit të shëmbjes së Murit të Berlinit, duke thënë se “ajo ishte një ditë që na kujtoi të gjithë ne vlerat e mëdha në bazë të cilave jetojmë, vlera të cilat të dy vendet tona i mbrojnë dhe për të cilat janë të gatëshme të luftojnë”, u shpreh kryediplomati gjerman. Ndërsa në një deklaratë për media para se të nisej për në Washington, Z. Steinmeieru shpreh se qëndrimet e tyre do të jenë më të forta, nëqoftse, “Europa dhe Shtetet e Bashkuara veprojnë së bashku, dhe nëqoftse Berlini dhe Washingtoni veprojnë në mënyrë të koordinuar.”
Ndërkaq, ish-Kryeministri rus, Mikhail Kasyanov në një intervistë për Radio Europa e Lirë muajin që kaloi, paralajmëroi Bashkimin Europian se nëqoftse nuk i pritet hovi Presidentit rus Vladimir Putin tani në Ukrainë, ai do të ketë edhe “objektiva të tjera të politikës së tij” agresive. Z. Kasyanov di se ç’flet sepse ai e njeh mirë Vladimir Putinin, pasi ai ka kishte postin e kryeministrit nën pushtetin e Putinit nga viti 2000 deri në 2004.
Le të shpresojmë se shqetësimet e shprehura dhe paralajmërimet e bëra nga Kryetari i Këshillit të Europës Donald Tusk në lidhje me agresivitetin e politikës së jashtme ruse dhe të kërcënimeve të Moskës ndaj fqinjve të saj, të merren seriozisht dhe të dëgjohen me vemëndje dhe me seriozitetin më të madh në Washington, në Bruksel dhe në kryeqytetet e vendeve europiane, para se të jetë tepër vonë. Përfshirë këtu edhe Tiranën, ku sipas disa burimeve thuhet se kohët e fundit vihet re një lloj agresiviteti dhe tendencë biznismenësh rusë — ose oligarkë të korruptuar për të cilët paralajmëroi Zëvëndës Presidenti amerikan JoeBiden në Bruksel javën që kaloi –që po tentojnë të futen në Shqipëri, sipas këtyre burimeve.Shtojë kësaj edhe reagimin e ashpër të disa gazetave ruse ditë e fudnit në lidhje me deklaratën e kohëve të fundit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë mbi nevojën për të luftuar korrupsionin, si dhe deklaratën e Ministrit të jashtëm të Rusisë Sergey Lavrov mbi Kosovën.
E gjithë kjo duket si një ëndërrë e keqe, shumë e frikshme. Ujëra të turbullta duan rusët për të peshkuar! E këto ujëra të turbullta krijohen, siç ka thënë vitin që kaloi në Munich, Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry duke iu referuar shfaqjeve të autoritarizmit në Europën Lindore kur, “Aspiraratat e qytetarëve të këtyre vendeve po shtypen nën barrën e korrupsionit, të interesave të oligarkëve, të interesave që përdorin paranë për të shtypur kundërshtarët politikë, për të blerë politikanët dhe grupet mediatike dhe për të dobësuar pavarësinë e gjyqësorit si dhe të drejtat e organizatave jo-qeveritare,” ka thënë zoti Kerry.Një atmosferë e tillë politike në cilindo vend qoftë, paraqet një këthim mbrapa në zhvillimin e vendeve ish-komuniste dhe ngjallë një shqetësim të përhershëm ndaj qëllimeve afat gjata të politikës ruse në Ballkan dhe në Europën Qëndrore dhe Lindore, shqetësim për të cilin paralajmëroi Kryetari i Këshillit të Europës, Z. Donald Tusk gjatë takimit të tij në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin e Shteteve të Bashkuara – për ata që kanë veshë e duan ta dëgjojnë!
Frank Shkreli
t

Filed Under: Analiza Tagged With: PËRÇARË PERËNDIMIN, PËRPJEKJET RUSE PËR TË

Çfarë nuk i është dhënë Doshit?

March 12, 2015 by dgreca

Nga Gavrosh Levonja- New York/
Ndoshta mund të jem i gabuar, por kam mendimin që kreu I Parlamentit, Ilir Meta vështirë se mund të ketë kurdisur ndonjë plan për të vrarë deputetin e krahut të tij, Tom Doshi. Nëse deputeti, apo më saktë biznesmeni Doshi, do të përbënte ndonjë problem për kryeparlamentarin, ky i fundit ka në dorë një mijë mënyra e mjete për “t’i a nxirë jetën” atij duke filluar nga rrënimi i bizneseve e deri duke vënë strukturat shtetërore për të gërmuar në të kaluarën dhe lidhjet e Doshit për ta kryqëzuar këtë penalisht. Për më tepër deputeti që u dhuroi Shkodrën Ramës e Metës është i përfolur, të paktën nga kundërshtarët e tij për biznese e afera të dyshimta falë të cilave ka ngritur “perandorinë” e tij duk qenë ndoshta deputeti më i pasur i parlamentit shqiptar. Mirëpo zhvillimet që pasuan fill pas bërjes publike nga Tom Doshi të ekzistencës së një plani për ta ekzekutuar atë, plan në krye të të cilit qëndronte Ilir Meta dhe mënyra si po menaxhohet prej Metës dhe aleatëve të tij momenti i krijuar nga akuzat e deputetit shkodran, të krijon bindjen se në akuzat e këtij të fundit ka të paktën diçka të vërtetë.
E para ka të bëjë me mbajtjen fshehur për një periudhë gati gjashtëmujore të shqetësimeve të zotit Doshi lidhur me ekzistencën e një plani për ta ekzekutuar atë me anë të një vrasësi me pagesë. Përsa i përket kësaj, më së pari lind pyetja: “Për ç’arsye u la jashtë lojë prokuroria në këtë rast?” Në rastin më të mirë mund të mendohet se çifti “Rama-Meta” kanë preferuar të mos i hyjnë një beteje me Doshin qoftë për të mos rrënuar më tej imazhin e dëmtuar të pushtetit të tyre, por edhe pasi kanë akoma nevojë për kontributet e Doshit, aq më tepër duke pasur parasysh pretendimin për “të pushtuar” edhe bashkinë e qytetit I konsideruar deri dy vite më parë si “bastion antisocialist”. Gjithashtu, pas shpërthimit të “bombës” nga Tom Doshi dolën në dritë dhe episode të tjerë të cilët paskan ndodhur gjatë periudhës gjashtëmujore të mbajtjes hermetikisht sekret të gjithçkaje që lidhej me atentatin kundër Doshit. Kështu, një ditë të bukur ministri I policisë, Tahiri duke folur para gazetarëve deklaron se na paska takuar dy herë ekzekutorin e Doshit, të cilit I ishin premtuar 500 mijë euro a thua se po takonte një partner, apo agjent të tijin të infiltruar në grupet kriminale. Madje një herë e paska takuar duke qenë në shoqëri edhe të kreut të policisë së shtetit, ndonëse ky i fundit e ka mohuar një takim të tillë. Në një rast të tillë, duke pasur parasysh edhe faktin se “vrasësi i paguar” për eliminimin e Doshit ishte një individ me precedentë penalë dhe I kërkuar nga policia, vrasësi duhej të kishte dalë me pranga në duar pas takimit me ministrin. Të paktën nuk do të ishte lënë të ndalohej në kufi pas shpërthimit të skandalit, kur u duhej që të depononte kundër Doshit dhe videos së publikuar prej tij.Duke vazhduar me përiudhën në fjalë logjikisht hidhen hije të forta dyshimi ndaj motiveve të atentateve të bëra ndaj vrasësit dhe njeriut I cili sipas Doshit paska dërguar porosinë. Ndërsa tani të bën përshtypje ngutja dhe mobilizimi I gjthë strukturave përkatëse shtetërore për ta nxjerrë kreun e parlamentit “të larë”, në një kohë që opozita po bën presion duke i kërkuar dorëheqjen. Nga ana tjetër duke filluar nga kryeministri Rama, vihet re një përpjekje për trajtimin e akuzës së Tom Doshit si fantazi apo “telenovelë” siç shprehet vetë vetë ai. Ndërkohë, nga zyrtarë apo deputetë të cilët, ndërsa pranojnë se ka ekzistuar një plan për të vrarë Tom Doshin, pretendojnë se në krye të këtij plani ishte as më shumë e as më pak po ish-kryeministri, ish-kreu i PD-së, Sali Berisha, dora vetë. Mirëpo kjo ide që në krye është e pabesueshme, mjafton të merren në konsideratë raportet e Berishës dhe “alergjia” e tij ndaj Doshit, kundër të cilit ka formuluar akuza nga më të rëndat. Synimi për t’i a faturuar Berishës planin për të vrarë deputetin socialist është një autogol klasik. Nëse kjo do të kishte qenë e vërtetë, vështirë se Rama, Meta e Tahiri do ta kishin fshehur me fanatizëm për muaj të tërë. Në të kundërt, duke qenë se u kishte ardhur “zogu në dorë”, pa humbur kohë do i ishin drejtuar prokurorisë që pastaj policët e Didit ta dërgonin Berishën pas hekurave duke shpëtuar prej tij përfundimisht, në kohën që PD-së do t’I vihej një njollë e rëndë.
Sa për prokurorinë, mendoj se po humbet kohë duke marrë në pyetje, Ramën, Berishën, Monikën, dhe të tjerë për të konstatuar se ka ekzistuar realisht një plan për të vrarë Tom Doshin apo jo. Ndoshta do të kishte qenë më tepër e dobishme që hetimet të fillonin nga pyetja: “ Cilët janë shkaqet e prishjes së flirtit të Doshit me ata, për të cilët kontribuoi më shumë se kushdo që t’i sillte në pushtet?” Pas njohjes së shkaqeve të mësipërme mund të konstatohet nëse Ilir Meta duhej të ishte vërtetë i interesuar për të hequr qafe Doshin, apo ky fantazon me qëllim për t’u hakmarrë ndaj premtimeve të pambajtura të çiftit Rama-Meta për t’I kthyer atij borxhin për kontributin e dhënë në fitoren e zgjedhjeve. Duke pasur parasysh eksperiencën, mendja ta do se Doshi nuk I ka mbështetur me të gjitha mjetet në radhë të parë financiarisht Ramën e Metën për idealizëm apo qoftë se ka dashur që Berisha të ikë nga pushteti. Në Shqipëri, mbështetja e një forcë politike nga një pjesë biznesmenësh është si të thuash një lloj investimi, I cili I jep frytet pasi kjo forcë politike vjen në pushtet, prandaj dhe Doshi ndjehet i zhgënjyer, pse jo edhe i revoltuar si pasojë e vlerës së premtuar që nuk i është dhënë. Për mua, më shumë rëndësi se kanë dashur ta vrasin Doshin apo jo, do të kishte zbardhja e asaj se cili ka qenë pazari dhe çfarënuk i është dhënë Doshit nga ky pazar. Dhe për pazare të këtij lloji në një shtet normal ndëshkohen të dy palët.

Filed Under: Analiza Tagged With: Çfarë nuk i është, dhënë Doshit?, Gavrosh Levonja

Artistia nga Kosova Alketa Xhafa Mripa ka hapur një ekspozitë në Londër

March 12, 2015 by dgreca

LONDON EGLAND:”Ju vetëm mos flisni rreth saj – You Just Don’t Talk About It”” është, e titulluar ekspozita e artistes nga Kosova, Alketa Xhafa Mripa, e cila u hap sot më 12 mars, në Galerinë e Sportit dhe Artistëve të Ballkanit, (Gab) në Londër, shkruan “Independent Balkan News Agency “.
Kjo ekspozitë me kuratore Kristale Ivezaj Rama, themeluese e Galerisë së Sporti dhe Artistëve të Ballkanit në Londër, tha për këtë axhensi se ekspozita e artistes nga Kosova do të qëndrojë e hapur deri më 22 mars të këtij viti.
“Ekspozita është realizuar në bashkëpunim me Grupin 4m grupit të arkitektëve dhe projektuesve me mbështetjen e” Art City “në Tiranë, i cili ka shtypur edhe Katalogjet e kësaj ekspozite”, tha kuratoria e kësaj ekspozite.
Ndërsa, shton ajo se ekspozita Alketës, ka të bëjë me artin konceptual, bazuar në një shumëllojshmëri të ndikimeve, duke përdorur mediumet e ndryshme të artit, të tilla si: portrete, fotografi, film dhe instalimeve.
Me veprat e saj, Alketa na dërgon në një nga pjesët më më të mira të dashurisë dhe në të njëjtën kohë, ajo na ballafaqon me dhimbje të mëdha.
Ajo e përshkruan amësinë, jo vetëm në aspektin e krijimit të vetë, por edhe në aspektin e sa amësi ka të bëjë me transformimet sociale që ne të përjetojmë në një nivel eksiztenciale.
Artistia gjithashtu studion marrëdhëniet midis brezave dhe se si ata kanë një ndikim në ne, personalisht dhe gjeopolitikisht.
E lindur në Pejë, Alketa Xhafa Mripa shkoi në Londër, pasi duke përfunduar shkollën e lartë, ku ajo ka studiuar art dhe histori të Artit. Ajo ka hapur edhe ekspozita të tjera më parë një në Firence Itali, Londër, etj./Beqir SINA/

Filed Under: Kulture Tagged With: Alketa Xhafa, ekspozite, Londer

TRI FJALË TË ARTA TË KONICËS

March 12, 2015 by dgreca

Tri shprehje të arta të Faik Konicës (1876-1942) që i kam mbledhur nga gazetat e vjetra Dielli, ia vlen t’i kujtojmë dhe t’i përsërisim me zë të lartë në këto ditë marsi të vitit 2015:
“Shteti ynë nuk lindi në mes të qetësisë dhe shëndetit, po lindi me të dhembura e mend dështoi. Duhej pra kujdesi më i madh që të mbahej i gjallë, që të merrte fuqi, që të rritej. Po, përkundrazi, ky shtet i vogël e i njomë ra në duar aq brutale dhe u përdor aq ashpër, sa edhe një shtet i vjetër dhe i rrënjosur do të ish tronditur sikur të pësonte ato që pëson ay.” Dielli, 28 tetor 1922.
“Në qoftë se e papritura ngjet, në qoftë se Shqipëria – fjalë fatale – vdes, ahere munt pa çpifje të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj: “U-ngjall nga idealistët, U- ruajt nga rastet, U-vra nga politikanët”. Dielli, 1923.
“Shqipëria, për të rrojtur e për të lulëzuar, duhet të spastrohet nga gjithë qelbësirat e vjetra, duhet të riorganizohet në një bazë të re dhe në një mënyrë që tërë forcat morale dhe materiale të popullit të zhvillohen pa pengim.” Dielli, 24 janar 1925.(Ilir Ikonomi-fb)

Filed Under: Komente Tagged With: dielli, Ilir Ikonomi, TRI FJALË TË ARTA TË KONICËS

Absurditeti i një kronike!

March 12, 2015 by dgreca

Me rastin e 34 vjetorit të demonstratave të 11 marsit të viti 1981, RTK, dha një kronikë të shkurtër, aq sa për të denigruar kujtimin për këto ngjarje të rëndësishme, madje duke e dezorientuar qëllimin e një ngjarje madhore siç ishte ajo e vitit 1981, deri në banalitet!
… Po, RTK-, aty kishte tubuar një duzinë pjesëmarrës të atyre ngjarjeve, madje këta personazh të ripërsëritur që në ish Mezen (mensën) e Studentëve atë botë, kishin filluar protestat e rinisë studentore të Kosovës. Kjo ngjarje ripërsëritet me po këta pjesëmarrës gërdallë me tregimin kaq banal, ku heroi i këtyre kthesave vendimtare na del një “pjatë me fasule!”, madje as këtë nuk e thonë tamam shqip, por thonë një Kalanicë me Pasul!…, pra plasja për toke e kalanicës me pasul na del kryeheroi i gjithë këtyre ngjarjeve, madje, autorët e thyerjes së Kalanicës, sa vjen e ndërrohen, në rrahagjoksje për të marrë primatin mbi Kalanicën e nxehtë me pasul!!!
Këta zotërinj, mbetën kaq naiv dhe nuk e kaluan dot shkallën e adoleshencës; ishin torturat shekullore ato, burgosjet, përndjekjet, vrasjet pa gjyq, likuidimet dhe shpërnguljet masive kundër shqiptarëve, që ish pushteti shovinist jugosllav i kishte zbatuar për decenie me radhë si: pushkatimet e shqiptarëve në masë, pa gjyq në Tivar, Tetovë, Gjilan, Drenicë, Llap, shpërnguljet e mbi gjysmës së shqiptarëve nga trojet e veta, burgosjet e bijve tanë më të mirë në krye me Adem Demaçin, Ali Aliun, Zeqir Gërvallën e qindra tjerë, likuidimet e intelektualëve dhe atdhetarëve tanë si Riza Grajqevci, vëllezërit Gërvalla e dhjetëra bijve tanë, demonstratat e viti 1968 e deri tek dita e organizimit të këtyre ngjarjeve madhore të vitit 1981 e tutje, të cilave fillimisht iu kanë paraprirë edhe kërkesat që kishin karakter social, që po i vuante populli ynë, duke kulmuar me kërkesa të hapura politike deri në përgjakje të kësaj toke të zhuritur, ku edhe shënuan fundin e ish Jugosllavisë e cila me gjithë mundin e vet nuk arriti të ribëhet më kurrë.
Demonstratat e viti 1968, 1981 dhe rezistenca shekullore e shqiptarëve, bëri që ish Jugosllavia të mos ribëhet më, ndërkaq pushtuesin shovinist serb pushkët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e vranë përfundimisht!
Pra e gjithë kjo valë pakënaqësie dhe vendosmërie e shqiptarëve për të këputur prangat e robërisë shekullore, deri tek lufta e UÇK-ës, erdhi si rezultat i përpjekjeve tona shekullore për liri, madje sa më e madhe që ishte bërë shtypja mbi shqiptarët, aq më shumë është rritur rezistenca jonë për të shporrur pushtuesit tanë nëpër shekuj nga trojet tona dhe kurrë nuk jemi zmbrapsur, kjo ka si simbol heronjtë tanë të të gjitha kohërave dhe sublimimin e tyre për liri e atdhe, dhe jo Kalanicat e dalzotësit e Kalanicave me Pasul pa kripe!- luten, mos kaloni kufijtë e banalitetit me këto kalanica se nuk jeni axhami.
Mars, 2015
Mehmet BISLIMI

Filed Under: Opinion Tagged With: konika absurde, Mehmet Bislimi, protesta 81

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • …
  • 80
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT