• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2015

“Rreth shkaqeve të përçarjes së shqiptarëve”

May 27, 2015 by dgreca

Nga Ago Agaj*/
Flet Veterani lng. Ago Agaj/
E shkëlqyera Kryetare e Mbledhjes/
Z. Kryetar i B.D.Sh./
Të nderuar klerikë dhe zonja e zotërinj/
Jam mirë njohës për rastin që m’u dha për të marrë pjesë në këtë kongres i cili mori formën e një seminari të vërtetë.
Dua të vë në dukje se mua më gjeti si dikur një Lab qiraxhi që ishte këngërrek e vallëtar dhe e mbante fustanin gjithënjë në mes të samarit të mushkës. Një ditë duke udhëtuar pas mushkave, u ndoth pranë një shtëpije ku bëhej dasëmë. Dasmorët e panë, e mbërthyen dhe e detyruan të merrte një valle. Mirëpo vallja Labërisht pa fustan nuk ka lezetë dhe aj vrapoj te mushkat, por fustanin nuk e gjeti, se e shoqja e kishte hedhur në finjë për të larë, se atëherë sapuni ishte i rrallë. Labi u këthye i mërzitur, nxorri shaminë e madhe nga brezi, e tundi e tha:
Hafansëz valle më zure
Këtë radhë me pature.
Dhe unë vij sot para juve pa fustan d.m.th. i pa pregaditur… vallja ime nuk do të ketë hije në këtë seminar.
Përdora fjalën, fustan e jo «fustan-ellë» se një këngë e vjetër, më se 150 vjet thotë:
Gjonleka në shur të kuqe
Mban fustan mbi gju hajduçe
Flet greqisht, shqip e turçe
Nuk e dij se ku e gjetën shkrimtaret e Tiranës këtë bishtë « ELLA » që ja ngjitën fustanit tonë.
Ky Zenel Gjonlekë qe aj që vrau Kuftanazin në Manastirë, se aj kishte vrarë gjyshin e Ismail Kemalit kur ishte Pasha në Janinë. Gjonleka e dinte se Beu i Vlorës ishte ftuar e vrarë në besë, por nuk dinte se prej kujt. Kur Pashai u lavdërua se e kishte vrarë aj, Gjonleka dolli nga Saraj, vate tek dyfekçiu më i mirë, bleu me të dy Lirat e vetëme që kishte, dy gjarpnushe prej Stambolli, u vuri gurë Vlonci, i mbushi me barut Mati që të ndeznin edhe nd’ujë, u këthye te Pashaj dhe me të dyja e qëlloj.
Kaftanazit ia martoj
Nëpër 40 mijë shkoj
Kështu aj mori hakun e stërgjyshit të ksaj Zonje së lartë që kryeson kët seminar.
Zotërij, sot është dita e doktorëve për të folur, dhe unë e kam një Doktor të vogël që duhej të fliste sot, por më duket se u tremb para ktyre Profesorëve e Doktorëve të mbëdhenjë dhe u aratis. Kështu dal unë si jedek (kal beteje në rezervë).
Fjalimet e parafolësve qenë shumë të vlefshme, instruktiv e nga një herë të shkëlqyer dhe që të gjith në fund të fjalimeve theksuan nevojën e Bashkimit. Kjo më kujtoj Senatorin Romak i cili në fund të çdo fjalimi me çdo lloj përmbajtjeje thoshte Carthago Delenda Est.
Për Bashkim kanë folurë që kur ishim në Atdhe e na digjeshin shtëpijat. Bashkim s’u bë dhe na ikëm nga sytë këmbët. Erdhëm në Italij, folëm shumë por bashkim s’u bë Në Alexandri të Egjyptit u nënshkrua një protokoll bashkimi dhe mund të them për të me një fjalë të vjetër.
U ndez një zjarr në prrua.
Kurë u ndez e kurë u shua
Sëfundi u mblodhën në SHTB. të cilat unë pëlqej më mirë t’i quaj Shtetet e Bekuara. Dhe këtu janë bërë tentativa të shumta për bashkim, të cilat shtuan edhe më shumë përçarjen tonë.
Eshtë folë për bashkim në kohën e Luanit të Janinës, por më kot. Besoj se do të jetë folë edhe në kohën e Ilirëve por sikur të ishin bashkuar ato që në TRIEST e në PREVEZ, ato nuk do te ishin mundur prej Romakëve.
Qindra vjet me vonë kur Atila i Hunëve (një fis Turk) i solli Sllavët si Skllavër dhe hapi shtegun nëpër dynjanë e tyre në Evropën Jugore në shumicë, Ilirët po të kishin qenë të bashkuar, nuk do të ishin përpirë prej Sllavëve si vesa në diell. Mosbashkimi ngjan të jetë një mallkim i racës tonë, por shkaku i dukshëm ishte se ne kemi harruar fjalën e Krishtit i cili thot se njerëzit shohën qimen në syrin e tjetrit por jo trarin në syrin e tyre.
Një tjetër e vërtetë që na nuk e marrëm parasysh është fjala që thotë çdo gjë që me ngjet mua, shkakëtar i parë jam vetë. Duke qënë na të përçarë e të pa fuqishëm, nuk duhet hedhur fajin fqinjëve lakmitarë, që përfitojën nga dobësija jonë. Ata ndjekin me zotësij të shquar interesat e Atdheut tyre.
Po të marrim parasysh të dy akcionet që përmenda më lart, na duhet të analizojëm karakterin tonë për të gjeturë të metat, që nuk na lënë të formojëm asnjë lloj bashkimi.
Na jemi individualista, egoista aq sa dhe Naimi thotë.
Unë, unë, ti moj unë.
Që ke prishur e prish punë.

Veç ksaj gjithkush prej nesh kërkon të komandojë. Pouqueville, Konsulli i përgjithshëm i Napolonit pranë Ali Pashës Tepelenës gjat 10-12 vjetëve, njeri shkencar e studioz, thotë: Shqiptari kërkon të komandojë; në qoftë se nuk i del në fshatin e tij, atëher aj ikën nga syt këmbët në imperatorín pa fund të Osmanllive dhe shumë herë atje ja mbrrin qëllimit. Por në qoft se edhe atje nuk ja del dot, atëherë blen me paratë e kursyera një kope me dhij e komandon ato.

Një tjetër bashk-kombas yni u ndodh në fund të shekullit të shkuar në Egjypt, punoj si kryerojtar ne çiflikun e gjërë të njëj Princi shumë kohë dhe, kur u plak, u tërhoq në Kajro ku mund të jetonte rahat, por i kënaqurë nuk qe. Nuk kishte kë të komandonte. Vrau mëndjen dhe e gjeti. Në at kohë Kajro nuk kishte ujësjellës dhe ujin e sillnin nga mali, të ngarkuar në deve, me lëkura. Pra ndihej mungesë e madhe për ujë në qytet.
Miku ynë bleu dy qypa të mëdhenj, i mbushi me ujë, i vuri pranë rrugës në hije të një pemës të madhe, u vuri dhe dy sapllake përsipër dhe u ul këmbëkryq në mesë të dy qypave. Erdhi i pari i etur e u lëshua në qypin e djathtë, por miku e urdhëroj të shkonte tek i mëngjëti. Pas atij erdhi i dyti dhe vete pas të parit, por miku e urdhëroj të shkonte tek i djathti. Kështu vazhdoj çdo ditë duke urdhëruarë djathtas, majtas, dhe më darkë vente i kënaqur në shpij.

Prej sa u tha me sipër neve na mungon ajo cilsij që formon bashkësij e shtet. Popujt Gjermanikë, Sllavë dhe Turqit e kanë këtë cilsí, se ato, po të dalë një burrë mbi ta, ato e marrin pas, e ngrejën lartë, formojën shtet, përparojën, forcohen dhe shtojën sigurinë e tyre, se të fortin nuk e sulmon kush.
Na Shqiptarët e sidomos na Jugorët, me të dalë dikush mbi shokët, do të lëshohemi ta zëmë për këmbe e ta heqim poshtë.
Prandaj nuk kemi formuar shtet gjer pak dekada më parë. Këtu në programin e B.D.SH. shof se flitet për një bashkërendim veprimi dhe kjo më duket e përshtatshme e realizushme me pak vullnet të mirë, duke krijuar një atmosferë vëllazërimi, harmonie dhe veprimi ynë të drejtohet jo kundra njëri tjetrit, por kundra kundërshtarit të përbashkët, kundra atyre që torturojnë e skllavërojnë sot popullin tonë.
Mendoj se në vijë të parë mund të realizohet nji bashkërendim kulturor, se shtegun e kemi të hapurë disi.
Thohet se mrekullira nuk ngjajën më në kohën e sotëme. A dinit ju të kemi pasur një Mecen (MAECENAS) Shqiptar? Unë nuk e dijë. Por sot kemi këtu në mes tonë një të till: Isa Elez Ndreun, i cili ka 20 vjetë, që me mjetet financiare të tijat, e vlera të tij, ka bërë, të mundur vazhdimisht, pa ndërprerje, botimin e të përkohëshmes « KOHA E JONË». Ka dhe një bashkëpunëtor me një energjij e dedikim të habitshëm Z. Lec Shllakun, i cili nën rrethana shumë të vështira vazhdon punën.
Besoj se rreth këtij Meceni e bashkëpunëtorit tij, mund të mblidhen edhe pak pasunikë të tjerë të mërgatës, të cilët natyrisht duhet të jenë çmonjës e admironjës të kulturës e jo vetëm materjalista, dhe me kontribute të përshtatshme mund të botohen ose ribotohen shkrime, që sod fishken e verdhen ndëpër sepete ose libra që janë në rrezik të xhduken.
Këto libra e botime sot populli ynë në Atëdhe nuk i këndon dot, por çdo botim yni vete në Tiranë dhe përgjegjësit i këndojën dhe ato do të shohinë ndryshimin e madh ndërmjet një botimi e studimi në atmosferë të lirë, e t’atij që është i drejtuar e censuruar si kalë arabaje. Do t’u futen idera si miza në vesh dhe do t’u hyjën në tru.
Këtu u prekën si me shaka e fshikës bejlerët e agallarët e së shkuarës në vendin tonë dhe jo satrapët e sotëm. Një më i math se neve, F.S.NOLI u dedikoj «Historin e Skënderbeut» Kryetrimave që e çliruan vendin nga Bejlerët, Agallarët etj.. Noli kishte shumë fëtyra të ndryshme, si fetar, historian, muzikant e tjera, por ajo më e thekura ishte poezija dhe si poet nuk ishte realist, se përndryshe do të dinte se Shqipëria u pregadit, u krijua e u mbajt prej Bejlerëve të vetët d.m.th. «Oxhakëve».
Në mos besoni e në mos përtoni këndoni historinë tonë, atje do të shifni Skënderbeun, Princat e tij, më vonë Bushatlinjët, Ali Pashën, të tre bejlerët e shkëlqyer Frashërlinj, bejlerët e agallarët e bajrektarët e «Lidhjes Famshme Të Prizrenit» të cilën e përkujtojëm na sot dhe e cilla mbolli farën e Nacionalizmës Shqiptare, Vaso Pashën dhe Oxhakun e Vlorës që kurorëzojnë veprën e tyre.
Sa për Agallarët ju kujtoj vetëm një vepër të tyre: Luftën e Vlorës.
Ishin agallarët ata që muar nisiativën, formuan mbrojtjen Kombtare, kryesuan luftën dhe udhëheqën në beteja e famë të pavdekëshme Luanët Tonë. Lufta qe si të gjitha luftërat me trimrij, gjak e sakrificë, por dy pamje të kësaj lufte janë, në historinë tonë, të pa shoqe.
I kësaj klase ishte Elez Agë Ndreu që dërmoj në Lumë ushtrinë Serbe, i ksaj ishte Cincinati i vogël yni Salih Butka e tjerë dhe do të më çonte shumë lart si kur të delsha në Dardani tek Kryeluani Isa Buletini, Idriz Seferi dhe në Çamëri tek Muharrem Rushiti etj..
Më duket se ka ardhë koha të heqim dorë nga shkryerja e pa të drejtë, e pa vend e të parëve tanë. Të mos zhyejmë të kaluarën tonë, se një popull që nuk ka e nuk di të kaluarën, nuk mund të këtë të ardhme të denjë.
Vendimi për luftë, që në vetvete përbënte një vendim për vetëvrasje në masë dhe, së dyti, efekti i saj i pa shembull për jetën Kombtare tonën.
Të mos ishin përzënë fuqitë Italiane nga Vlora, Greqija nuk hiqte dorë nga pjesa tjetër e Shqipërisë Jugore dhe Jugosllavija që kishte zënë Dibrën, Lumën e Malsinë e Gjakovës, nuk do të hezitonte të dyndej brenda ditës gjer në Shëngjin për t’i siguruar vetes edhe një skele në Adriatik.
Atëherë si do të krijohej e si do të jetonte një Shtet Shqiptar.
Zotërinj, ky është realiteti dhe le të dali kush të përgënjeshtroj me fakte e jo me fjalë boshe.
Ç’gëzoj F.S. Noli se u zhdukën bejlerë e agallarë. Po kush erdhi në krye?
Presidenti i parë i shtetit Shqiptar Komunist gjer sa vdiq qe Dr. Omer Bej Nishani.
Enver Hoxha është nga klasa e agallarëve, siç e dëshmon shtëpija madhështore e tij, e transformuar në Muze.
Mehmet Shehu, bir i teqes së pasur në Çorrush dhe nip i agallarve të Shkozës (Vlorë), Manush Myftija, denbabaden shtëpij agallarësh. Kadri Hasbiu brez pas brezi agallarë.
Më i varfëri i tyre ishte Hysni Kapua, por edhe ky ka historinë e familjes tij: Stërgjyshi i tij, i plakur kishte dalë shullëhej në rrëzë të shtëpisë së madhe e të vetëmuar në krye të Tërbaçit dhe mendonte të ardhëmen e familjes së tij. Djalin nuk e kishte të zotin por nusja e djalit ishte « nuse plot goja », e Zonja.
Plaku e pyeti: Bija e babait, do ta qash ti babajn kur të vdesë?
– Me gjith zëmër baba!
– Po si do ta qash?!
– Kur të vijë koha, do të dij si ta qaj…
-Unë dua ta dëgjoj sa të jem gjallë.
Nusja s’ia prishi qefin dhe nisi vajnë:
– Që në tenzimat, e tutje, babo derzeza
Trim me pallë mi supe, babo derzeza
Kur u shtrua tenzimate, babo derzeza
Plak e aga fshati, babo derzeza
O dashi me këmbor të madhe, babo derzeza
Si e hoqe kujt ja vare, babo derzeza…

-Mjaft, bij e babajit, mjaftë, – i tha plaku, dhe – a po pushon!?
Djali i mefshtë i plakut dhe nusja Zonja bënë një djalë, Muradin, i cili e varë këmborën dhe u bë anëtar i komitetit Mbrojtja Kombtare në luftën e Vlorës.
Kur Muradi u plak e u bë kruspull, dolli nipi i tij Hysni Kapua. Në kët mënyrë mund t’u shpie gjer në Pezë e në Dibër.
Si përfundim Zonjë e Shkëlqyer dhe Zonja e Zotërinj të nderuar, u them se Bloku Kombtar Indipendent ka qënë, është e do të jetë për herë përkrahës i bashkërendimit të sinqertë me të gjitha partitë nacionaliste në mërgim, që dëshirojnë të bashkëpunojnë.
***
Marrë nga buletini me titull «Seminari dhe Kuvendi i Dytë i “Bashkimit Demokrat Shqiptar”, Nju Jork, 16-18 shtator 1977», fq.56-60
***
Shenim i botuesit:
ING. AGRONOM AGO AGAJ
Ing. Agr. Ago Agaj, lindi me 7 Mars 1897 në katundin Ramicë, të Mesaplikut (Vlorë).
Shkollën fillore e kreu në Vlorë (turqisht). Me 28 Nandor 1912 ishte djalë 15 vjeçar kur Ismail Qemal Vlora ngrijti Flamurin Kombëtar.
Shkollën e mesme e kreu në Vjenë po ashtu studimet Universitare. Kurse stazhin e kryen në gjermani në Schlesien e sipërme.
Me 1920 merr pjesë në Luftën e Vlorës, në çetën e Bajram Qamil Agajt.
Gjatë viteve 1920 – 23 bashkpunon me Prof. Dr. Ernst Nowak, të Universitetit të Köln-it (Gjermani), për hartimin e kartës gjeografike, topografike dhe gjeologjike të Shqipnisë, dhe më 1924 ban pjesë në Komisionin për caktimin definitiv të nomenklaturës së Hartës së Shqipnisë.
Kur kthehet në Vlonë, emnohet agronom i zyrës së bujqësisë, dhe në Revolucionin e Qershorit 1924 merr pjesë si Fanolist.
Prej vitit 1925-26 bashkpunon me sviceranin Dr. Miller në kërkimet e shtresave vajgurore të nëntokës shqiptare, për llogari të Dutch Shell Oil Comp. dhe Z. Agaj asht prezent në hapjen e pusit të parë vajguror shqiptar.
Në fund të vjetit 1926 emnohet agronom në Shkodër, ma vonë në Qafzotaj (Shijak), mandej Drejtor i Shkollës Bujqësore në Lushnje. Si Agronom, kur mbyllet Shkolla Bujqësore e Lushnjës, shërben në Berat, Gjinokastër dhe Delvinë.
Më 1936 Z. Agaj merr pjesë në kryengritjen e Ethem Totos, dënohet dhe 7 Prill 1939 e gjen Z. Agajn në burg. Me qeverinë e Shefqet Verlacit emnohet kryeagronom në Ministrinë e E. Kombëtare.
Mbas bashkimit të Kosovës me Shqipni, prefekturat e Mitrovicës, Vuçiternit, Podejevës dhe e Pazarit të Ri, kishin mbetë, në ato kohë të turbullta, nën sundimin serb. Z. A. Agaj me shumë shokë e bashkpunëtor si me Dr.Vehbi Frashërin, ndërhynë pranë autoriteteve gjermane dhe i bindën që ato krahina t’i ktheheshin Shqipnís.
Me vota të lira Ago Agaj zgjidhet prej mitrovicarve Prefekt dhe kështu fillon organizimi i administratës shqiptare, i gjendarmërisë dhe i hapjes së shkollave në gjuhën shqipe. Njikohësisht i duhet të mbrohet nga sulmet e çetnikve të Drazha Mihaloviçit, e ndër këto ndeshje Z. Agaj plagoset.
Qeverija e Mustafa Krues e emnon drejtor të përgjithshëm i Nuzullimeve, qe mvarej nga Kryeministria. Në qeverinë e Rexhep Mitrovices ban pjesë si Ministër i Ekonomisë Kombëtare, në këtë kohë Shqipnija ishte shpallë e pavarme e neutrale, mbasi fashizmi me 7 Shtator 1943 kishte ra.
Si të gjithë nacionalistat Z. Agaj në nandorin e vjetit 1944 largohet nga Shqipnija dhe emigron në Egjypt, ku zgjidhet si Këshilltar për administrimin e pasunisë së Aziz Izzet Pashë Arnautit (origjinë shqiptare prej Familjes së Qoralive të Tiranës) dhe drejton sektorin « Vinicole e Viticole » derisa Egjypti nuk anoi politikisht nga Rusia Sovjetike, atëherë Z. Agaj emigroi në Shtete të Bashkueme të Amerikës.
Gjatë qendrimit në Egjypt Z. Agaj pregatiti dorëshkrimin e vëllimit « Lufta e Vlorës » të cilin e vuni në shtyp në 1969 në Amerikë, që pat sukses të madh mbasi ishte hera e parë që fiitej mbi luftën heroike të vlonjatve, nga nji pjesëmarrës siç asht Z. Agaj. Z. Agaj ka tjera dorëshkrime që presin të vehên në shtyp posa të gjinden mjetet financiare.
Z. Agaj, përveç se ka nji kulturë të gjanë agronomike, historike e përvoja tjera, njeh dhe zotnon gjuhën gjermanishte, frengjishte, italishten, arabishten, turqishten, greqishten, e tjera; asht orator i shquem dhe poezia popullare asht « hobby » i tij.
*Marrë nga buletini me titull «Seminari dhe Kuvendi i Dytë i “Bashkimit Demokrat Shqiptar”, Nju Jork, 16-18 shtator 1977», fq.56-60

Filed Under: Komente Tagged With: Ago Agaj, rreth shkaqeve, se shqiptareve, te percarjes

HETIM NDERKOMBETAR PER VRASJET E DYSHUARA NE BURGUN E SHKUPIT

May 26, 2015 by dgreca

Shoqata e ish të Burgosurve Politikë e Kosovës/
Association of former Political Prisoners of Kosova/
Deklaratë për media/
Për hetim ndërkombëtar të vrasjeve të dyshuara, në burgun e Shkupit/
Shoqata e ish të burgosurve politikë e Kosovës shpreh sërish indinjatën e anëtarësisë së saj si dhe të opinionit të gjerë, lidhur me pasojat e tragjedisë së shkaktuar nga haranga e fundit e formacioneve politiko-ushtarake të Maqedonisë, në lagjen shqiptare të Kumanovës,që rezultoi me dhjetëra të vrarë e të plagosur,me qindra të dëbuar nga shtëpitë e tyre të granatuara e të shkrumuara dhe me një popullatë të tërë të tmerruar e të traumatizuar.
Idiniatën e madhe e shtojnë edhe më shumë dyshimet e bazuara, të konfirmuar edhe nga videoinçizimet e publikuara dhe obduksioni i kryer i të vrarëve,sipas të cilave një numër i viktimave janë ekzekutuar ose mbytur në torturë,pas dorëzimit dhe arrestimit të tyre, gjë që përbën shkelje të rëndë të dispozitave të Deklaratës Universale të OKB – së për të Drejtat e Njeriut, Konventës evropiane të Drejta e të njeriut dhe protokoleve përkatëse kunder krimit të torturës, nënshkruese e së cilave është edhe Republika e Maqedonisë.
Duke qenë edhe vetë objekt i dikurshëm i burgosjes dhe torturës shoviniste,ish të burgosurit politikë, kërkojnë zbardhjen dhe publikimin e gjithë të vërtetës për masakrën e Kumanovës dhe ngrenë zërin kundër dhunës së ushtruar brutale dhe terrorit shtetëror,veçmas kundër popullatës civile, qytetarëve të pafajshëm dhe atyre të dorëzuar e të prangosur. Cilado që të jetë e vërteta ajo nuk mund ta justifikojë në asnjë mënyrë brutalitetin dhe barbarinë që pati si bilans aq jetë të humbura në të dy anët,aq shumë plagosje e lëndime dhe aq shkatërrime e dëmë materiale e shoqërore.
Shoqata e ish të burgosurve politikë kërkon me ngulm hetim të specializuar, të pavarur dhe objektiv ndërkombëtar, vecanërisht për dyshimet e bazuara për mbytje të të burgosurve në torturë, pas dorëzimit dhe arrestimit të tyre, në kundershtim flagrant më aktet universale të të drejtave të njeriut.
Shoqata fton qendrat ndërkombëtare të vendosjes, organizatat ndërkombëtare të drejtave të njeriut dhe mekanizmat ndërkombëtarë të paqendërtimit, që të angazhohen në konstatimin e shkaqeve të vërteta që prodhojnë situatata të tilla të mbarsura më konflikte e rreziqe të mëdha dhe të fokusohen veçmas, në skanimin gjendjes së papabartë të popullatës shqiptare në Maqedoni dhe të politikave të padrejta e diskriminuese e luftënxitëse, që ndiqen në vijimësi dhe sidomos tashi, kur kreu politik i maqedonisë është përfshirë nga një krize e rëndë politke dhe është mbërthyer në darët e forta të influencave të rrezikshme revanshiste gjeostrategjike, dhe mbi këtë bazë, të shqyrtojnë nevojen e ndërmarrjes e pashtyeshme të masave përkatëse të diplomacisë preventive,në funksion të parandalimit të eskalimit të situatës së tensionuar në Maqedoni dhe më gjerë.
Eliminimi i shkaqeve është mënyra më e mirë për eliminimin e pasojave, përsëritjen e tragjedive si ajo në Lagjen e trimave në Kumanovë dhe ndërtimin e një paqeje të drejtë e të qëndrueshme në interes të secilit popull veç e veç dhe të të gjithëve, bashkërisht, në familjen evropiane.
Prishtinë, Për Kryesinë e Shoqatës
Maj 2015 Hydajet Hyseni ( kryetar)

Filed Under: Opinion Tagged With: hetim nderkombetar, kerkon, Kosove, Shoqata e ishte te burgosurve

SHBA,Shqiptarët, aleatët tanë të përjetshëm në luftën kundër tërrorizmit

May 26, 2015 by dgreca

Pittsburgh, SHBA, në Memorial Day Celebration, Shqiptarët, aleatët tanë të përjetshëm në luftën kundër tërrorizmit/
Nga Shefqet Kërcelli, Pittsburgh/
Paraditen e datës 25 maj, qindra qytetarë të Pittsburghut dhe qendrave të tjera të shtetit të Pensilvanisë mbushën lulishtet dhe ambientet e brendshme të Soldiers&Sailors Memorial Hall&Museum në qendër të qytetit, për të festuar Memorial Day Celebration. Dita e kujtimit të të rënëvë, është një ditë e vecantë në SHBA, sepse kujtohen e respektohen të gjithë meshkujt dhe femrat me uniformë që kanë dhënë jetën në beteja. Kjo ditë e ka origjinën që nga Lufta Civile në SHBA, për të nderuar ushtarakët që vdiqën në luftë nga të dy palët luftuese. Fillimisht ajo njihej si dita e dekorimeve, por në shekullin e XX, koncepti i saj u zgjerua duke ju përkushtuar kryesisht të rënëve dhe veteranëve të Luftës. Nga fillimi i shekullit të XX-të ajo festohet të hënën e fundit të majit dhe është ditë pushimi në të gjithë shtetet federale të SHBA. Në ditën e kujtimit të të rënëve, veteranë të luftës, ushtarakë aktivë e në pension bashkë me familjet, si dhe qytetarë te shumte vizitojnë varret e të rënëve, memorialet e tyre, vendosin flamuj të SHBA e buqeta me lule në cdo var, vizitojnë muzeumet e Ushtrisë dhe qytetit. Ceremonia e Memorial Day në shtetin e Pensilvanisë zhvillohet cdo vit në Muzeun e Ushtarëve dhe Marinarëve të Pittsburghut, një nga muzetë më të mëdha të këtij lloji në SHBA. I ngritur një shekull më parë, ky muzeum përmban një pasuri të madhe historike jo vetëm në sferën ushtarake, por dhe më gjerë. Në eksponatet e tij pasqyrohet historia e krijimit të qytetit dhe rajonit e gërshetuar kjo me luftërat e zhvilluara në SHBA, brenda dhe jashtë vendit. Bazuar në konceptin kohor të zhvillimit të ngjarjeve vijnë me radhë ushtararakët e cdo rangu, cdo shtresë apo gjinie, pjesmarrës në betejat dhe luftërat e zhvilluara. Natyrisht përmbajtja e muzeumit ka kolonë kryesore konceptin e lirisë dhe demokracisë, për të cilën amerikanët kanë luftuar më shumë se kushdo. Në muzeum zenë vend të gjithë burrat dhe gratë e Pensilvanisë që pamvarësisht gjinisë, racës, moshës, origjinës kanë luftuar për liri dhe paqe. Është një muzeum i kompletuar dhe mbresëlënës, i cili cdo ditë vizitohet nga dhjetra vizitorë. Një kompleks muzeal, do ta quaja, i konceptuar dhe realizuar bukur në formë dhe përmbajtje, që nga godina e stilit klasik. Kam shkruar gjatë për këtë muzeum vitin e kaluar dhe sdua përsëris, por ajo që dua të evidentoj është një fakt i rëndësishëm për opinionin shqiptar. Kam dy vite që bashkëpunoj me drejtuesit e këtij muzeumi për ngritjen e një këndi (corneri) të vecantë të bashkëpunimit ushtarak SHBA-Shqipëri, ide të cilën po e konkretizojmë gradualisht bashkë me zotin Michal Kraus, restaurator në këtë muzeum. Madje zoti Michael ka filluar të ndjehet shqiptar dhe mirëpret cdo shqiptaro-amerikan si vizitor të këtij muzeumi. Kështu në arkivin e këtij muzeumi mund të gjeni disa nga momentet kryesore të bashkëpunimit ushtarak midis dy vendeve si, ndihma e Departamentit të Shtetit e Pentagonit për ushtrinë shqiptare gjatë këtyre dy dekadave, programet e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, sidomos në fushën e arësimimit të ushtarakëve shqiptarë, stërvitjet dhe operacionet e përbashkëta, vizitat e anijeve të SHBA në portet tona deri tek operacionet paqeruajtëse dhe ato kundër terrorizmit. Sigurisht që vend kryesor kanë ushtarakët shqiptarë të rënë në fushën e betejës si, Heroi Kapiten Feti Vogli, që ra duke luftuar krah për krah me ushtarakët amerikanë në Kandahar, por dhe djem shqiptaro-amerikanë në përbërje të ushtrisë së SHBA, të vlerësuar me medalje të ndryshme nga autoritet e SHBA. Për merak të lexuesve në këto material të thjeshta nuk ka asnjë ngjyrim politik, dhe këtë punë e kam bërë thjesht vullnetarisht, si ishushtarak e dëshmitar i këtij bashkëpunimi mbas viteve ’90. Bazë në njohjen dhe pasqyrimin e tyre janë kryesisht materiale të pasqyruara në shtypin ushtarak shqiptar. Në këtë kuptim shqiptaro-amerikanët kudo që jetojnë në SHBA, mund të marrin pjesë denjësisht në ceremonitë e Memorial Day. Bazuar në këto ndjesi, më 25 maj, u bëra pjesë e aktiviteteve të larmishme të zhvilluara në këtë ditë të shënuar, ku u përfshinë qindra qyetarë Pittsburgas. të gjithë moshave. Fillimisht në orën 11.00, u zhvillua një ceremoni e vecantë për ushtarakët e Pensilvanisë të rënë në luftën kundër terrorizmit. Presidenti i shoqatës së veteranëve dhe shef ekzekutiv i saj, (CEO, Chief Executive Officer), zoti John F.McCabe i uroi mirëseardhjen qytetarëve të shumtë me ose pa uniformë dhe vlerësoi kontributin e qytetarëve të Pensilvanisë në këtë luftë të madhe, vecantërisht veprën heroike të dhjetra ushtarakëve që dhanë jetën për këtë kauzë të shenjtë. Por për mua ishte befasi, kur gjatë fjalimit zoti John theksoi se në këtë luftë të madhe ne do vashdojmë bashkëpunimin me shtetin e popullin shqiptar, (e kam video). U ndjeva krenar për këtë, pasi në sallë ishin qindra qytetarë të Pittsburghut, mjaft prej të cilëve pak ose aspak dinë për vendin tonë. Më pas nën drejtimin e kapelanit Ira Houck, përfaqsues i kishës mirësia anglikane, u zhvillua ceremonia e bekimit të të rënëve në beteja. Ishte mallëngjyes e prekës dokumentari që paraqiste të gjithë luftëtarët e Pensilvanisë në operacionet kundër terrorizmit, nën tingujt e simfonive të përzgjdhura për bijtë dhe bijat e këtij shteti. E pra, kujtohej, nderohej dhe respektohej cdo ushtar, nënoficer e oficer për përkushtimin dhe gjakun e derdhur në emër të lirisë. Ndërkohë familjarët e këtyre ushtarakëve e shihnin me sytë e tyre vlerësimin e shtetit amerikan, se nuk humbiste gjë nga djersa dhe gjaku i derdhur për paqe dhe siguri nga bijtë e tyre. Mbas kësaj ceremonie prekëse për të gjithë, vizitorët e shumtë ju drejtuan ambienteve të muzeumit, për tu njohur me përmbajtjen e tij. Duhen ditë që ta vizitosh atë, por dhe për 6 orë mund të krijosh përshtypje për vlerat që mbart ky muzeum. Muzeu pasurohet cdo ditë me materiale, dokumente e fakte, të dhuruara nga qytetarë e familjarë të ushtarakëve të Pittsburghut. Në ditë të zakonëshme atje punon një staf prej 15 vetash, ku përfshihen specialistë e ishushtarakë, njohës të periudhave të ndryshme historike, por në raste ceremonish ka me dhjetra vullnetarë që ndihmojnë për cdo punë e shërbim që duhet në këto raste. Kështu duke vizituar këndet e muzeut pashë që dikush shpjegonte me pasion pjesë nga muzeu. E ndoqa për gati 1 orë shpjegimin e tij dhe më pas e pyeta, kush ishte. Jam Ed Rak, më tha me dashamirësi, kam qenë pilot dhe tani në pension. Nuk ka ciceron më të mirë se një ishushtarak për këto muzeume, thashë me vete. Pjesë e këtij grupi vullnetarësh ishin dhe të rinjtë, kështu djaloshi Avery Kaminski, student i historisë, orientonte shikuesit e shumtë në ambientet e muzeumit. Aktivitetet kulturore-historike-zbavitëse pasonin njëri-tjetrin. Ndërsa një pjesë njihej me muzeumin, të tjerët ndiqnin një koncert me fyell dhe daulle nga grupi i Regjimentit të 6-të të ushtarëve dhe marinarëve të cilët performuan disa pjesë karakteristike që shoqërojnë ushtarët para se të shkojnë në betejë. Duke ndjekur këtë koncert sa foklorik, aq dhe patriotik e ushtarak, shfrytëzova disa minuta për të njohur grupin e televizionit kryesor të qytetit të Pittsburghut, KDKA me momentet kryesore të bashkëpunimit SHBA-Shqipëri dhe prezantova vizitat e anijeve amerikane në portet e Durrësit e Vlorës. Ndërkohë fëmijët zinin një vend te vecantë në këtë ditë, ndaj nga ora 14.00 deri më 15.00, ata zhvilluan ushtrime të ndryshme rreshtore-ushtarake e sportive, me veshje e piktura të ndryshme në fytyrë dhe temë atdhedashurinë, nën drejtimin e Curatorit të muzeut Michael Kraus, ku për më të shkathtin kishte një zarf të mirë me Dollarë. U zhvilluan ushtrime për shpejtësinë në ngrënien e bukës së misrit e ushqime të tjera që përdorin ushtarët në beteja. Kuptohet që për fituesin e cdo gare kishte stimul material. Ky aktivitet madhështor nuk kishte ngelur jashtë vëmendjes së Qëndrës së Rekrutimit Ushtarak të Pensilvanisë të cilët ishin të pranishëm me një eksponat të vecantë, jo pa rezultat, pasi pashë me sytë e mi të paktën 6 të rinj që u regjistruan në ushtrinë e SHBA. Mbasdite një nga grupet më të mira muzikore të Pittsburgut, “Brassroots”, dha një koncert falas për të gjithë pjesmarrësit dhe familjet e të rënëve. Vec pjesëve orkestrale në nderim të të rënëve u ekzekutuan me mjeshtëri hymni i SHBA, marshet ushtarake të Marinsave, Forcave Ajrore, Flotës Ushtarake, Rojes Bregdetare, Gardës Kombëtare, etj. Cdo gjë ishte prefekte dhe e organizuar mirë, ku dhe qytetarët e thjeshtë të dukeshin si profesionistë, gërshetohej tradita, puna, kultura, aftësitë, mosha. Hedhja e llotarive ishte një moment tjetër tërheqës i festimeve të kësaj dite. Dhjetra veteranë e familje ushtarakësh fituan vizita turistike falas në vende e hotele të ndryshme të SHBA. Ishte një ditë ku njerzit respektonin në heshtje të rënët, por e ngarkuar dhe me emocionet e programit që u zbatua ashtu thjesht, natyrshëm dhe pa show artificial, ashtu si dinë ti bëjnë amerikanët këto punë. Festimin e kësaj dite e sponsorizonin mjaft firma të Pittsburgut ku spikaste restoranti “Shtëpia e peshkatarit e Pittsburgh-ut”. Ishte vërtet mbresëlënës kontributi i bisnesmenëve për të nderuar të rënët por dhe veteranët që ishin gjallë. Njerzit në tavolinat e mbushur plot ndiqnin aktivitetet, bisedonin për operacionet e betejat e zhvilluara, secili kishte shumë për të treguar, flisnin direkt me ushtarët e marinarët nga Pittsburghu kudo që ndodhen ata, dërgonon pako të ndryshme, etj. Hapësira e gjelbër përrreth muzeumit, një sipërfaqe prej disa akrash tokë, i krijonte mundësinë pjesmarrësve të qëndronin me miq e fëmijë pa shtrënguar kënd. Krahas ndihmës së bisneseve dhe disa universitete të Pittsburghut ofronin bursa për fëmijët e të rënëve dhe veteranëve, ndërsa për këtë ditë vunë në dispozicion disa konvikte për veteranët e ardhur nga rrethinat e Pittsburghut. Pra, në këtë ditë krahas pjesmarrjes masive, për zhvillimin sa më normal të saj, u angazhuan e kujdesën të gjithë, jo vetëm Departamenti i cështjeve të ushtarakëve dhe veteranëve të Pensilvanisë dhe shoqatat e veteranëve apo ushtarakëve, që e kanë për detyrë. Gjithashtu shteti i Pensilvanisë në një eksponat të vecantë prezantoi një program për mundësitë e punësimit dhe edukimit të ishushtarakëve dhe veteranëve, të cilat ishin të shumta, sidomos industria e Pensilvanisë Jugperëndimore kërkonte punonjës të kualifikuar. Shteti i afronte punë sipas zanatit që dëshëronte, por dhe të kualifikon falas për këtë. Aktivitetet vazhduan deri vonë. Këto bënë që dita e kujtimit të të rënëve të merte kuptimin e saj të plotë, respekt dhe nderim për të gjithë ata që bënë aktin sublim, duke dhënë jetën për liri. Këtë e theksoi dhe presidenti Obama, i cili gjatë vizitës në memorialin e të rënëvë në Washington më 25 maj tha se “Këta qytetarë amerikanë dhanë gjithëshka kishin, as për lavdi, as për mirënjohje, por për dicka më të madhe që tejkalon veten e tyre”. Duke ndjekur me detaje programin e Memorial Day theksoj se, nga kjo mënyrë e të përkujtuarit të të rënëve për gjestin e tyre fisnik, kemi cfare të mësojmë dhe ne, si këtu në Amerikë ashtu dhe në Shqipëri. Psh.-Në organizimin e festave tona ne mund të fusim mjaft pjesë nga programi që zbatojnë amerikanët, sidomos ato për atdhedashurinë. –Nga mënyra se si janë konceptuar, oraganizuar e menaxhohen muzetë në SHBA mund të përfitojnë të gjithë specialistët, muzeologët dhe punonjësit e këtij sektori në Shqipëri, të cilët për fat i kemi me shumicë.–Mendoj se Shqiptaro-amerikanët kanë të drejtën morale dhe janë të pranueshëm për cdo festë tradicionale të SHBA, përfshi Memorial Day, anasjelltas ata duhet të ftojnë dhe amerikanët në organizmin e festave tona kombëtare, se miqësia forcohet e zhvillohet në këto aktivitete e jo thjesht nëpër takime zyrtare.-Ka ardhur momenti që të krijohet shoqata e ushtarakëve shqiptaro-amerikanë në SHBA, varet kush e mer inisiativën, pasi vetëm në New York janë mbi 200 familje ishushtarakësh shqiptarë. –Është e domosdoshme që në Shqipëri të caktohet një ditë e mirëfilltë e veteranëve, që të festohet thjesht e pa tam-tame, sic i bëjmë ne, kjo nuk e zvëndëson 5 majin, por zbut debatet pa fund të datave 28-29 nëntor. –Ndërsa në Ushtrinë Shqiptare duhet të caktohet, dita e paqeruajtësve shqiptarë, ku të evidentohet vlerat dhe kontributi i djemve tanë, pjesmarrës në misione, me të cilët po mburremi të gjithë, ata që j’a kanë bërë bam në beteja këto 20 vite, e cila gradualisht mund të kthehet dhe në festë kombëtare. Kështu sfumohet dhe roli i të paaftëve, parazitëve e militantëve që gëlojnë me shumicë në ushtrinë shqiptare.- Këto dhe të tjera do i shërbejnë më së miri forcimit të miqësisë midis dy popujve tanë, se tashmë populli shqiptar e ka kuptuar që ne kemi vetëm një partner strategjik, kjo është SHBA, se ndryshe na ha ariu, ujku, dhelpra e cakalli. Politikanët e pushtetarët tanë duhet ta dinë se të tjerët janë thjesht partnerë e aleatë.
Shefqet Kërcelli, Pittsburgh, SHBA

Filed Under: Editorial Tagged With: aleatët tanë të përjetshëm në luftën, kundër terrorizmit, Shefqet Kercelli, shqiptaret

EDHE NJË HERË PËR ELHAIDËN

May 26, 2015 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Prezantimi i Elhaida Danit në Eurosong nuk dha atë që publiku priste. Elhaida e ka formatin vokal për të rrëmbyer jo vetëm zemrën e shqiptarëve, por edhe të gjithë Europës dhe botës. Shansi i Vjenës i shkoi dëm.
Elhaida u shfaq e kontraktuar dhe nuk arriti të eksplodojë me potencialin e saj.
E pra, i kishte të gjitha mundësitë. Nuk është faji i saj natyrisht. Por gjithsesi, ajo tani e ka moshën për të shfaqur personalitetin e saj edhe si artiste, edhe si njeri.
Thuhet rëndom se në Shqipëri, Artistët nuk kanë sukses. Kur kemi parasysh Rita Orën që ka pushtuar botën, por zhvillimin e saj e ka marrë në Britaninë e Madhe dhe jo në trojet shqiptare. Po të shohim edhe gjithë Artistët shqiptarë që kanë bërë emër në botë, këtë gjë e kanë arritur vetë dhe jo me ndërmjetësinë e shtetit amë, i cili duket si barrierë për talentet shqiptare. Dhe jo vetëm duket, por edhe është barrierë. Sepse e politizojnë artin. Ashtu si shfaqen dasitë në politikë, e njëjta gjueti shtrigash është edhe në art, ku meritokracia nuk njihet.
Edhe stafi që shoqëroi Elhaida Danin nuk ishte i duhuri, ishte një staf politik i përzgjedhur nga politika. Elhaida Dani do të duhej të shoqërohej nga një staf profesionistësh të klasit të parë dhe në Shqipëri e trojet shqiptare këta njerëz mund t’i gjesh, por shteti nuk do t’i gjejë. Sepse në RTSH dhe institucionet e kulturës shkojnë homos politicus, jo artistët. Ose edhe kur shkojnë artistët, ata duhet të tregojnë bindje partiake jo kulturore.
Problemi i paraqitjes të Shqipërisë në Eurosong 2015 nisi që tek kënga, e cila edhe kur u ndryshua, nuk ishte kënga sfiduese. Paçka se kishte një titull intrigues – I’m Alive – që rimonte dhe të kujtonte – I Will Survive, të kënduar nga Gloria Gaynor, por ishin shumë shumë larg me njëra-tjetrën e të pakrahasueshme.
Kur u vendos se Elhaida do të dilte me këtë këngë, atëhere stafi i specializuar, që do të duhej ta rrethonte këngëtaren, do të duhej që bënte gjithçka për ta shpëtuar këngën. Dhe kjo bëhej duke afruar dhe kërkuar ndihmën e kompozitorëve dhe kantautorëve më të mirë shqiptarë. Sepse në këtë rastin konkret flitej për një përfaqësim kombëtar.
Elhaida do të duhej të shoqërohej nga ekspertë të fushës, që t’i jepnin siguri dhe këshilla që ajo ta largonte stresin dhe të demonstronte aftësitë e saj, ashtu sikur u shoqërua nga Ricardo Cocciante që ishte mentori i saj tek The Voice of Italy. Pra duhej një staf elite profesionistësh, që Elhaida nuk e pati.
Një tjetër problem i saj ishte paraqitja skenike. Elhaida Dani, një vajzë shkodrane plot bukuri dhe hire, e cila me zërin dhe magjinë e saj prej artisteje do të duhej ta kishte tërhequr si me magnet publikun, duke e lënë në hije Gagarinën, u shfaq në skenë pa sharm dhe e zakonshme, kur i kishte të gjitha të dhënat që të ishte rock – në atë kuptim që e thotë Adriano Celentano, marramendëse dhe imponuese. Fustanet e saj linin për të dëshiruar, po ashtu edhe krehja e saj që e bënin atë të mos ndihej Zot i skenës. Edhe ky difekt i organizatorëve mund të evitohej mjaft lehtë, mjafton sikur stafit t’i ishte bashkangjitur, le të përmendim regjizoren Vera Grabocka, për shembull, dhe Elhaida Dani do të kishte shkëlqimin e një ylli, kur ajo është yll dhe nuk u shfaq ashtu si është
Votimi përfundimtar ishte i politizuar, por Elhaida Dani, do ta depolitizonte, nëse do të bënte një ekzibicion të jashtëzakonshëm, ashtu si ndodh me artistet e vërteta.
Edhe kur flasim për votimin e publikut, Elhaidën e votuan shqiptarët e diasporës, por jo publiku gjërësisht ashtu sikur votoi përfaqësuesit e Italisë me “Grande amore”, që do të duhej të ishte kënga fituese nëse do të ishte një garë e vërtetë artistike. Grande Amore e kënduar nga trioja pop Il Volo, me votën e publikut zuri vendin e parë, ndërsa për meritë të publikut patriot shqiptar të diasporës Elhaida të nëntin.
Sa i përket mediave shqiptare, ato nuk treguan dashamirësinë e duhur, u treguan cinike dhe ndofta u bënë shkak që Elhaida të gjunjëzohej dhe jo ta gjunjëzonte botën me zërin e saj, kur dihet se fuqia e Artit bën të heshtin armët.
Gjatë ditëve që ajo performonte në Vjenë, nëpër portale dhe Facebook qarkullonte një video, ku Elhaida këndonte këngë fetare e veshur me shami, diçka e papranueshme për formatin e një artisteje të vërtetë, e cila duhet të jetë e depolitizuar dhe larg çdo konotacioni fetar.
Suksesi apo mossuksesi i Elhaidës në Eurosong 2015 ishte kombëtar, në fund të fundit Elhaida përfaqësonte zyrtarisht Shqipërinë, dhe ajo në një farë mënyrë ishte e varur nga organizatorët e nuk mund të vendoste vetë për çfarë ajo do të deshte të ishte më e mira. Një gjë ajo mund ta bënte, që të mos pranonte të performonte. Për karrierën e saj gjithsesi pjesëmarrja në Eurosong është një arritje, por majat e vërteta të arritjeve janë garat e mëdha të tipit Grammy Award, Music World Awards etj.etj.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, per Elhaida Danin

Elseid Hysaj nderohet me çmimin “Mauro Gozzini”. Napoli ben gati “ftesen”

May 26, 2015 by Administrator

 

Nga Albano Kolonjari

Elseid Hysaj nderohet me çmimin ” Mauro Gozzini”, nga specialistet e futbollit Italian. Mrojtesi i Kombetares Shqiptare qe ne Kampionatin Italian luan me Empolin ne Seria A do ta marre çmimin, ne eventimentin  “ Briglia d’Oro” te futbollit Italian  me 3 qershor 2015. Mbremja gala  “Briglia d’Oro” organizohet nga AIAC (shoqata Italiane e trajnjereve te futbollit) ne hotel Garden ne qytetin Siena te Italise. Çmimin e madh mesohet se e ka fituar tranjeri i Lacios Stefano Pioli.  Pak dite me pare eshte folur per nje transferim te mundeshem te Hysaj te Lacio. Mbrojtesi kuqezi Hysaj eshte shpallur si  nje nga mbrojtesit me te mire te Seria A, do te perballet ne podium me teknikun me te mire per kete sezon ne Itali Stafano Pioli. Do te jete thjeshte nje shterngim duarsh apo edhe nje ftese “made in  Lacio”, per Elseid Hysajn. Nga ana tjeter Sky Sport bent e ditur se dy mbrojtesit e Empolit Elseid Hysaj dhe Mario Rui, jane tashme ne listen e transfertave te klubit te Napolit ne Itali. Duket se per Hysaj do te jete nje vere e nxehte, nderkohe qe ai pritet te grumbullohet nga tekniku kuqezi De Biasi per miqesoren Shqiperi-France. Çmimin special Mauro Gozzini e fitojne cdo vit ne baze te vleresimeve futbolliste dhe trajnere te ligave te ndryshme ne Itali. Mauro Gozzini ka qene ish tranjeri i Sienes ne Italia dhe nje figure e njohur sportive.

Filed Under: Sport

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT