• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2015

KU MBESHTETET DREJTESIA??!

May 7, 2015 by dgreca

PO SHQIPERIA ZYRTARE KU NDODHET?!
Këto ditë shikoj në TV dhe lexoj në gazeta se si një plak 93 vjeçar, gjerman, po gjykohet sepse para 70 vjetësh, kishte punuar si llogaritar në kampin nazist të Aushvicit. Aty janë mbytur në dhomat e gazit mijëra njerës për të vetmin faj se ishin hebrej. Dhe gjermani, sot I mbështetur mbi paterica mezi qëndronte në këmbë, pranonte se megjithëse nuk kishte kryer asnjë vrasje, e ndjen vehten fajtor nga ana morale, per të vetmin faj sepse kishte qenë I pranishëm atje në ato kohëra të errta.
Këshilli I Europës mblidhet dhe merr masa se si të shpëtohen njerëzit që arratisen, për një jetë më të mirë, nga Afrika për në Europë.
Në selinë e Kombeve të Bashkuara këtu në New York meren vendime se si duhen ndihmuar refugjatët nga vendet arabe, të vrarë e të përndjekur po nga arabet ndryshe, të motivuar nga armiqtë e vetëarabëve.
Kështu në këtë bote ku na ka bekuar ZOTI I TE GJITHEVE; jetojnë shumë njerës të ndërgjegjëshëm e të kulturuar që kanë ngritur edhe institucione për të MBROJTUR TE DREJTAT E NJERIUT
Në pjesën më jugore të TROJEVE SHQIPTARE, të banuara prej mijëra vjetësh nga SHQIPTARE QE GJATE SHEKUJVE TE ME VONMSHEM, PA HUMBUR NDERGJEGJEN DHE KRENARINE KOMBETARE SHQIPTARE, U RRJESHTUAN NE BESIMIN E KRISHTERE DHE MUSLIMAN GJITHEMONE TE BEKUAR NE GLUHEN E EMBEL TE PERENDISE-GJUHEN SHQIPE TE HASAN TAHSINIT DHE AT GJERGJ FISHTES
Në 1913, me bekimin e fuqive europiane, kjo Krahinë Shqiptare Mijëravjeçare ju dhurua Greqisë bizantino mesjetare. Kështu autoritetet greke filluan te vejnë në veprim ideologjinë e tyre të “megalidesë’ duke vrarë në fillim Parinë Atdhetare Shqiptare, ndalimin e gjuhës Shqipe, çpronësimin e Çamërve musulman Shqiptare njëkohësisht edhe shpërnguljen e tyre për në Azine e vogel, me ndryshimin e Emërtimeve të Vendeve nga Shqipja në greqisht . Pra me zhdukjen e çdo gjurmë Shqiptare të fillonin pretendimet për pjesët e tjera të Jugut të Shqiperise, duke krijuar me ndihmen e Liges Anglo Helenike te ashtu quajtur Vorio Epir.
Por me 1944, shovinistat greke, te mbeshtetur fillimisht nga nazistat gjermane dhe ne fund nga “aleatet” angleze, masakruan dhe vrane mbi 5000 femije e pleq te pafajshem dhe debuan me dhune nga shtepijat dhe pronat e tyre mijera vjecare mbi 30.000 gra,femije e pleq me te vetmin faj se ishin shqiptare musulmane ne trojet e tyre mijeravjecare.
Sipas dokumentave të Departamentit të Shtetit të USA, Nr.84/3, të Misionit të Tiranës 1945-46, shkruhet:”Në bazë të gjithë informatave që kam mundur të mbledhë mbi Çështjen Çame, në 1944 dhe muajt e parë të 1945, autoritetet në Greqinë perëndimore, kryen masakra brutale duke dëbuar me dhunë më shumë se 25.000 Çamë, banorë të Çamërisë nga shtëpijat e tyre ku kishin jetuar me shekuj dhe I nxorrën jashtë kufirit, mbasi u kishin rrëmbyer tokat dhe pasuritë.Shumica prej atyre të vrarë ishin fëmijë dhe pleq”
Një oficer I lartë britanik, majori Palmer, gjatë investigimeve të tij, kërkoi të sqaroi motivet e masakrave, duke u dhënë një shpjegim interesant atyre motiveve. Ai I raportonte komandatëve të tijë se “krahina ku jetonte Minoriteti Shqiptar ishte e pasur. Prandaj kishte ndjenja urrejtje dhe cmirë ndaj Çamëve”.Në të njëjtën kohë, Palmeri nënvizon se pretendimi absurd grek për aneksimin e Shqipërisë së Jugut nga Greqia, të cilin shteti grek e ka kultivuar gjatë shumë dekadave, ka krijuar një urtejtje të madhe jo vetëm ndaj Çamëve por të Shqiptarëve në përgjithësi” Në këtë mënyrë Palmeri dyshonte në se pastrimi etnik I Çamërisë ishte si pasojë e gjasme bashkëpunimit te kësaj popullate me gjermanët, por fatalisht ishte pjesë e strategjisë shoviniste greke ndaj Shqiptarëve” Porse ketu e vlen për ti kujtuar shefave të majorit anglez se ishin edhe anglezët që jo vetëm heshtën por edhe bushtits, në ato kohëra, të grekëve të Zervës. Anglezët me të hollat që furnizonin Zervën, I bënin të mundur ndihmësve të tijë të hynin edhe në Shqipëri duke ju mundësuar minoritarëve grekë të “drejtën” për të ëndëruar që nesër të bashkoheshin me Greqinë nën të ashtuquajtur VE.. Pavarësisht se në fund ndihmuan fëmijet dhe një pjesë të nënave shqiptare te mbetura gjallë për ti transportuar në Shqipëri, ata sipas udhëzimeve, në zbatim të strategjisë, që Greqia të mos bëhej komuniste mbas luftës, heshtën duke mbështetur Zervën në zbatimin e qëllimeve shoviniste greke ndaj Shqipërisë
Dhe krye xhelati atyre vrasjeve dhe dëbimeve, gjenerali famëkeq grek N.Zerva e shkruan me dorën e tij të gjakosur, në letrën që i dërgon më 1953 një ish bashkëpuntori të tij, N.Danit:
“Duhet të ndihemi krenarë se pastruam Çamerinë duke vrarë e dëbuar Shqiptarët, të cilët për mbi 500 vjetë qëndruan mbi qafë të helenizmoit dhe ju mundësuam malësorëve tanë të zbresin e të jetojnë në fushat pjellore.“
Këto tmerre dhe masakra që u kryen mbi Shqiptarët e Çamërisë më 1944 1945, ishin si të thuash fundi I ndjekjeve, persekutimeve, dëbimeve, çpronësimeve, mohimit të drejtave elementare si të gjuhës e shkollimit që kishin filluar të zbatonin autoritetet greke që nga 1913 kur e pushtuan Çamërinë Shqiptare.
Sot, mbas 71 vjetësh të atyre masakrave e vrasjeve të mbi 5.000 njerësve të pafajshëm dhe shpërnguljeve me dhunë të mbi 30.000 Shqiptarëve të Çamërisë ; autoritetet greke jo vetëm që nuk kanë kërkuar të dënohen autorët, por edhe për çudinë se edhe një pjesë e vetë grekëve, si antishqiptari N.Gaxojanis, të cilit I kanë vrarë nënën Eleni, nuk janë në gjendje per ti gjetur vrasësit e aq më pak për ti dënuar ata.
Një pjese të mirë të masakruesave të njerësve të pafajshëm jo vetëm nuk dënohen, përkundrazi ju ngrihen edhe statuja për ti nderuar??!
Kur shikon edhe ndëgjon se si trajtohen në vendet demokratike si Gjermania ish pjesëtarët në vrasjet e hebrejve gjykohen e dënohen jo për vrasjet por vetëm sepse ndodheshin pranë tyre, si mund të shpjegohet “demokracia” greke , e një vendi, megjithëse padrejtesisht, është antar i BE, që jo vetëm nuk do të njohi Genocidin e ushtruar ndaj Minoritetit Etnik Shqiptar të Çamërisë , por as edhe nuk lejon te hyjnë në Greqi njerës të moshuar të lindur atje per të vizituar vendet ku kanë lindur dhe se ku mund të jenë varrosur të parët e tyre të masakruar para 71 vjetësh??!
Çfarë “demokraci e drejtesi” kërkojnë dhjakonarët e botës duke folur me paturpësi se në Shqipëri ju mohokan të drejtat e njeriut ardhacakëve grekë që erdhën për të punuar tokat e bejlerëve Shqiptarë?!
Dhe jo për çudi, por për turpin tonë ose më mirë të qeveritarëve të Tiranës, sot pranë karrikes së Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë është ulur një ish dhjak, ose më qartë një shërbëtor-dhullos I antishqiptarit më të madh janullosit; që me paturpesinë e një dhjakonari na tregon se si të ndahet MiniShqipëria e 1912 në favor të ardhacakëve duke mbllaçitur para një lecke të menderosur si VE?(Karikatura:”Xhongleri”. Kortezi- Mapo)
S.Bollati- New York

Filed Under: Featured Tagged With: drejtesia e munguar, Sali bollati

MAQEDONIA E KRISTALTË

May 7, 2015 by dgreca

Nga Rasim Bebo /
Profesor zoti, Iljaz Kadriu na ka sjellë thelbin e librave: “Shqiptarët ortodoks të Maqedonisë” dhe “Rilindasit” meautorë Branisllav dhe Gordiana Sinadinovski. U bënë dy promovime të këtyre librave, në Çikago dhe New York. Babai i tij, profesori i ndjerë universitar, Joakim Sinadinovski, kishte lënë si amanet, që kurrë të mos harrohej e vërteta e origjinës së shqiptarëve të Rekës, Gostivarit dhe të Dibrës. Sepse shqiptarët ortodoks në Maqedoni, janë një realitet historik dhe pjesë e natyrshme e popullit shqiptar. Prandaj shqiptarët e feve të tjera, duhet t’i ndihmojnë dhe t’i pranojnë mes tyre, për rikthimin e identitetit kombëtar të tyre.
B. Sinadinovski, profesor i së drejtës ndërkombëtare dhe përfaqësues diplomatik, ka pohuar origjinën shqiptare dhe traditën patriotike të familjes së tij, e cila ishte përçuar nga babai Joakim. Ndërkohë ai bën të njohur reagimet negative të kishës Maqedonase, duke i cilësuar si nacionaliste dhe shoviniste, që kishin arritur deri në sulme fizike ndaj tij. A i mendonte rikthimin në identitet, nëpërmjet tre rrugëve: Hapja e një kishe shqiptare, mesha në gjuhën shqipe, futja e gjuhës shqipe në shkollat dhe programet mësimore.
Gordana Sinadinovski, është sllave, por origjina shqiptare e burrit, të cilin e adhuron dhe e vjehrrit të saj, trim e patriot, e kanë nxitur të botojë këtë libër të titulluar “Rilindje”, pasi, siç thotë ajo, “përpara së vërtetës edhe perëndija hesht.”
Po të lexojmë historinë mbi 3000 vjeçare të Maqedonisë, duke filluar nga mbreti i parë Perdika dhe më herët, prej vitit 815 p.e.s, dhe të vijmë në vitin 1930, kur vdes patrioti dhe rilindësi i shquar Josif Bagëri, dalin dy figura të shquara, që i kanë dhënë botës zhvillim dhe përparim, siç është Aleksandri i Madh dhe Justiniani i Madh. Maqedonia, pasqyrohet me emra, data dhe referenca të pa kundërshtuara, ashtu si dhe Çamëria.

Është e vërtetë se Plutarku cilëson si themelues Karanon e Argosit, i cili u shpall mbret në vitin 815 p.e.s. Ndërsa Herodoti quajti si themelues Perdikën. Ky u arratis nga Argosi për në ILIRI, pastaj u hodh në Maqedoninë e sipërme, ku filloi të vinte në zotërim krejt Maqedoninë. Perdika u shpall mbret në vitin 700. Kjo mbretëri përfshinte Selanikun dhe shtrihej në jug të Mollosisë, ose Epir, kurse në veri, deri në IIyri. Kryeqyteti i saj, ishte Edesa, më vonë Vodena. Dihet vetëm që fronin e Perdikës e zuri i biri i tij, Argausi, të cilin e pasoi i biri, Filipi II, që u pasua nga i biri Eropi, i cili u pasua nga i biri i tij Alketi, djali i të cilit, Aminta I, u bë një nga mbretërit më të famshëm të Maqedonisë. ( “Shqiptarët”, f. 97).
Aminta I- (540 – 500) e zgjeroi mbretërinë në lindje. Pranoi “refugjatë të qytetëruar”, si despotin e syrgjynosur të Athinës Pisistratin në vitin 510 p.e.s. dhe më vonë të birin e tij, tiranin Hipia edhe ky i dëbuar nga Athina. Dari kaloi Hellospontin dhe pushtoi një pjesë të Trakës maqedone, në vitin 507 p.e.s. Mbreti Pers dërgoi një delegacion prej 7 personash të lartë dhe i kërkuan dhuratë nga toka dhe uji, si shenjë nënshtrimi. Aminta këta i vrau, duke u zhdukur çdo gjurmë dhe me krushqi e ryshfete, u vuri kapakun.
Aleksandri I- (500 – 454) Emri “grek” në këtë kohë është i manipuluar. Ky emër u vendos më 1830 (R. dA). Aleksandri I- i Maqedonisë nuk ishte grek. Në vitin 493 Maqedonasit filluan përpjekjet, me forcat e Darit, dheu tërhoqën në vitin 491. Në vitin 481 forcat e Darit duke lënë Maqedoninë, donin të pushtonin Athinën. Në saje të flotës pellazgo- spartane, Dari humbi luftën në vitin 480.
Perdika II – (454 – 413 p.e.s.) Hipi në fron, si mbret i Maqedonisë, pas të atit të vet, Aleksandrit. Maqedonia nuk u përzje në luftën midis Athinës dhe Korintit, që zgjati nga viti 431 deri në vitin 404. Athina nxiti trakasit kundër Maqedonisë. Pukëvili lëvdon ushtrinë Maqedonase, duke thënë: “Kur hidheshin në sulm, askush nuk mund t’u dilte në ballë, pasi ishin kalorës të zot dhe të armatosur me parzmore”. Athina herë i bënte maqedonasit si aleat e herë i sulmonte si armiq. Perdika II, si i ati , Aleksandri I, i ftonte grekët e shquar në pallatin e tij në Edesa. Ai mirëpriti Melanipidin, një autor i shquar lirikash të asaj kohe. Hipokrati (460 – 325 p.e.s.) “Babai i mjekësisë”, lindur në Kosin Pellazg, shërbeu te Perdika si mjek i pallatit të tij.
Arkelau (413 – 399 p.e.s.) Hipi në fronin e të atit, pas vdekjes së tij. Tuqididi (460 – 400? p.e.s.) thotë se i thurrnin lavde mbretit për ndërtimet e kështjellave dhe fortifikimin e qyteteve. Arkelau si i ati, mirëpriti poetin tragjik, Euripidin. Sipas Plinit, “Dhënia e udhëzimeve në bujqësi, ishte një zanat me dinjitet të lartë, që faktikisht ushtrohej nga Arkelau”.
Dyzet vjetët e sundimit paqësor në Maqedoni, vijuan me sundime të shkurtra nga viti 399 në 359: Oresti dhe mbrojtësi i tij Eropi II (399-394), Aminta II (393-369), Aleksandri II (369-364) dhe Perdika III 364-360 p.e.s.).
Filipi II (359 – 336 p.e.s.). Filipi ishte djali i Amintës II, në vitin 359 p.e.s. ai hipi në fronin mbretëror dhe ktheu qytetin Pela, afër Selanikut, si kryeqytet. Martohet me Olimbinë në vitin 358, motrën e Aleksandër të Mollosisë së Epirit. Straboni, thotë se tre shtetet pellazge, ngjanin nga gjuha, veshja dhe zakonet. Për herë të parë në histori, të tri mbretëritë pellazge: Maqedoni, Epir dhe Iliri d.mth. shqiptarët e hershëm, u vunë nën një prijës, nën mbretin Filip II. Në viti 336 p.e.s. ai u vra nga një i ri aristokrat. (f.102).
Aleksandri i Madh (336 – 323 p.e.s.) Hyri në histori kaluar me kalë, më 327, kur kaloi qafën e njohur Kyber dhe doli në Penxhabin e Indisë. Pritësit Indianë i thanë: “ para teje kanë ardhur të tjerë nga vendi i juaj këtu.” Disa filozofëve indianë ai u bëri disa pyetje enigmatike: “Sa duhet të rrojë njeriu” , një filozof iu përgjigj: “Kur t’i duket vdekja më e mirë se jeta”. … Aleksandri u kthye në vitin 326 p.e.s. Vdiq në moshën 33 vjeç.
Ja cila është Maqedonia në vitet, kur dominojnë tri figura perandorësh të Perandorisë Bizantine: Justini (518- -527), Justiniani (527 – 565), dhe Justini II (565 – 578) nga Beredina, afër Shkupit. Ata përmenden: për 158 kështjella të ndërtuara në Iliri, Epir dhe Maqedoni. Për “KODIN E JUSTINIANIT”. Ai ndërtoi qytetin e Ohrit dhe e riemëroi “Justiniana Prima”. Ndërtoi “Katedralen e Shën Sofisë”, një kryevepër që ka tërhequr admirimin e botës gjatë 14 shekujve. Gjatë historisë së saj shumëvjeçare, Maqedonia qëndon më kryelartë nga të gjitha vendet e botës, por mbas pushtimit të sllavëve barbarë, që dolën nga luginat e Vollgës, ku jetonin me peshk dhe kafshë të egra, si të egër që ishin; vërshuan në shek. VI – VIIIi, (Kjo periudhë është kapitull më vete).
Njihet në histori 21 korriku 1843, patrioti Dervish Cara, Iljas Pashë Qoku, Sheh Mustafa Tetova, Jashar Bej Shkupi, maqedonasit (shqiptarët) që u shquan në kryengritjen e madhe çlirimtare anti- osmane të Shkupit 11 gusht 1912.
Nga viset e Maqedonisë, morën pjesë 8 delegat në Kuvendin e Vlorës: Myfit Vehbi Agolli, Sherif Lengu, Mehmet Pashë Deralla, Hamdi Ohri, Dr. Myrteza Zyhdi Beu, Nuri Sojli, Mustafa Baruti.
Josif Bagëri, ishte një patriot i shquar i Rilindjes Kombëtare. Jo rastësisht Sinadinovski në librin e tij “Josif Bagëri”, e fillon me këto vargje: “S’due ktu uni me vdek, / Po n’shqipni! / Atje në Rek! / Ah dhe njëherë unë të ngrihem! / Pa n’vorr t’nanës un të shtrihem! / Atje në Rek para kishës; / Atje në Nistrovë, në hijet e pishës”. Ja si filloi asimilimi i shqiptarëve ortodoks në Maqedoni. Branko, vijon: “Mbiemri ynë ishte Tanashi, Serbia na e bëri “Tanasheviq në vitet 1970. Pas mbarimit të Luftës së II Botërore, që ditën e parë të fillimit të shkollës fillore, unë dhe motra, nuk dinim asnjë fjalë sllavisht, po vetëm shqip, mësuesi na çoi te oficeri i gjendjes civile dhe ky na lëshojë në dorë çertifikatën me mbiemrin e ndryshuar “Manojlovski”. Kur ne u kthyem në shtëpi, prindërit nuk e bënë problem ndryshimin e emrit dhe prej këndej fillon rrëshqitja e shqiptarëve ortodoks, si të padijshëm dhe të pavetëdijshëm. Fill pas luftës I- Botërore, sllavet pushtuan kishën Maqedonase (shqiptare), ashtu siç e ka pushtuar sot Janullatosi kishën e Nolit. Ortodoksit shqiptar dhe ortodoksit sllavë mblidheshin te kisha shqiptare e pushtuar nga sllavët, ku puna e priftit dhe mësuesit sllav, bënë që lehtësisht të konvertohen në sllavo – maqedonë, duke ruajtur këtë ortodoksi sllave në dëm të kombit shqiptar.
Kush e ruan identitetin në Maqedoni? Janë shqiptarët myslimanë dhe katolikë, ata që nuk e kanë pranuar ndërrimin e emrit të fëmijëve të tyre që ditën e parë të shkollës fillore. Prej këtej filluan konfliktet midis maqedonasve shqiptarë dhe sllavo-maqedonasve. Prof. Iljaz Kadriu shkruan: “Konvertimet nga një besim në një besim tjetër, nga një komb në një komb tjetër, nuk janë të lehta dhe pa pasoja. Sa është i rëndë dhe i dhimbshëm konvertimi i parë, po aq edhe më shumë është përmirësimi i tij, për kthimin në gjendje të parë”. Si ka mundësi, në këtë histori brilante të popullit Maqedon, tejet të shkëlqyer dhe të kristaltë, që fillon nga Perdika ose edhe më parë të shek IX p.e.s. dhe të arrimë te patrioti Josif Bagëri në shek. XX, me emër dhe mbiemër të plotë shqiptar. Kurse sot kërkojnë të VËRTETËN PARA SË CILËS HESHT EDHE ZOTI. Kur vetë këta, mbajnë emra sllav, si Branko Malinovski, Branislav Sinadinoski dhe kërkojnë të pastrojnë vetveten përfundimisht dhe të gjejnë veten e të kthehen në rrënjët e para të tyre, përndryshe rehat nuk do të kenë as në botën tjetër.”
F. Kordinjano pohon: “Prej popullit shqiptar, 1/3 është bërë muhamedane nga fundi i shek. XVI. Në gjysmën e dytë të shek XVII kemi kthime masive të shqiptarëve nga të krishterë në myslimanë”. (Kordinjano 1934). Shqiptarët, thonë mjaftë autorë bashkëkohorë, u kthyen në myslimanë që të mos thitheshin prej popujve kufitare sllavë dhe grekë. Kështu mendojne respektivisht: I. Irvin, R. Falasçi, W.S. Daw, Roberto Morozzo etj. Ndërsa Konica thotë: “Po të mos ishim bërë myslimanë, harta e Shqipërisë do të ishte e madhe, por ne nuk do të ishim shiptarë”.
Asimilimi u përballua gjatë 520 vjeteve të sundimit otoman, por ky asimilim ndodhi edhe nga viti 1913 e këtej, kur e pushtoi Serbia dhe vazhdoi gjatë regjimit komunist. Emri “Maqedoni” u rrëmbye nga sllavo-serbo-bullgare, me paturpësi të madhe. Veten e tyre e quajnë maqedonë dhe ne autoktonët maqedonë shqiptarë, na quajne “ardhacakë” dhe akademitë e shkencave të tre shteteve tona heshtin.
Maqedonia është në prag të shpërbërjes. Shqiptarët janë të anashkaluar, janë të përbuzur, janë të fyer. Sot në Bruksel, bisedimet bëhen ndërmjet LSDM-së të Zoran Zaevit dhe VMRO-DPMNE-së të Nikolla Gruevskit. Po mbi 40% shqiptarët, ku janë? (numri i shqiptareve është më i madh, por qeveria e fsheh) Ku janë si komb dhe territor? Nuk i përfill askush. Ku është BDI e Ali Ahmetit? Pse nuk e thërrasin në Bruksel. Pse shqiptarët i përdorin si qytetarë të dorës së dytë. Ymer Prizreni dhe të tjerë kishin mentalitet të vjetër në vitin 1908, kur mendonin, më mirë 4 vilajete neo-otomane se sa një shtet londinez. (Danaj).
Nga biseda e përgjimeve të incizuara tregojnë: “…se dy partitë me të mëdha të shqiptarëve, siç është partneri i koalicionit të Gruevskit dhe ajo e ashtuquajtura parti opozitare PDSH e Menduh Thaçit, janë shërbëtore të pushtetit. Qeveria i kontrollon tërësisht. Do të publikohen ngjarje “mostra” dhe lidhjet e ministrave maqedonë me ministrat e Shqipërisë dhe të Kosovës. (Gazeta “ILLYRIA” “Të dyja partitë shqiptare…” 19 mars 2015). Në vlugun e skandalit të përgjimeve, Gruevski ka lançuar dy ligje të propozuar, që të fshijnë zyrtarisht nga regjistri i popullsisë 250.000 shqiptarë të Maqedonisë, të cilët jetojnë dhe punojnë anembanë botës. Nëse këto ligje marrin aprovim legjislativ, do t’u privojnë të drejtën e të qenit banorë, do t’u mohojnë letër njoftimet, po të qëndrojnë tre muaj jashtë shtetit. Kryetari i partisë BDI, Ali Ahmeti, po luan rol të dyfishtë që duket qartë… në njërën anë dëshiron të rezistojë, ndërsa në anën tjetër, është pushtuar nga frika, se mos Gruevski e përjashton nga qeveria. (Uk Lushi, “Loja me letër njoftime…”, 26-3-2015).
Agjencia INA, njofton se protestuesit me flamuj boshnjakë, turq dhe shqiptarë kanë dalë për të kundërshtuar pretendimet e armenëve ndaj genocidit të Turqisë. “Pyetja është, ç’duan shqiptarët në këto protesta. Fatkeqësisht, gjëja e vetme që simbolizon kjo demonstratë, është zhdukja dalëngadalë e identitetit kombëtar në Shkup dhe në krahina të tjera shqiptare… Ka zyrtarë të lartë të këtyre vendeve, që bëjnë thirrje, për ndryshimin e historisë së shqiptarëve në trojet e veta shekullore, për t’ua përshtatur historinë të tjerëve, për interesa të tyre afatgjata. (F. Shkreli, “Në Shkupin shqiptar…”, 26-4-15) “Ohri, sipas statistikave të fundit, ka pasur rreth 50.000 banorë, mbi 80% shqiptarë myslimane, sot ka 7%, nga 38.000 në 3.000 shqiptare. Edit Durham, në vitin 1904 shkruan se Ohri ishte një qytet mysliman gjerësisht shqiptarë, pas vitit 1913 mbeti nën pushtimin sllav , që ushtruan asimilimin ndaj shqiptareve. (B. Sinaj, “Dikur na ishin shqiptarët …”, 29-9-2013).
“Nga qytetarët shqiptarë të Shkupit, Tetovës dhe Kumanovës, 3439 persona kanë ndërruar emrat shqip, për shkak të bindjeve fetare, ku ndikim më të madh kanë hoxhallarët”. Rinia myslimane sllavo-boshnjake është përgatitur për hoxhë, në Beograd dhe janë dërguar në trojet shqiptare për diversion, të luftojnë dhe vriten në Siri. Këta fondamentalistë gjejnë mbështetje te injoranca e hoxhallarëve tanë. “ Armiqë trdicional të Shqipërisë (kolonizatorët e trojeve tona arbërore) janë agresivë, sepse ishin agresivë dhe mbetën agresivë edhe pas Enverit: “ Ne nuk kemi humbur, por dështuar për të fituar”. Fatkeqësia është se në parlamentin tonë nuk kemi një krah nacionalist. Kemi një parlament tradhtarësh dhe Janullatosi ka ngritur në Tiranë shtetin e vet shumë më të fuqishëm se sa shteti zyrtar shqiptar. (A. Desareti, 22-1-2015).
Kjo është fatkeqësi më e madhe, kur qeveritë dhe Akademitë e Shkencave, nuk punojnë për kombin. Faik Konica, ka thënë: “Armiku më i madh i shqiptarëve, kanë qënë dhe janë vetë shqiptarët.” Megjithatë Shqipëria për mijëra vjet ka rrojtur, rron dhe do të rrojë, se është kockë që nuk bluhet.
Rasim Bebo Addison, Çikago, maj 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: MAQEDONIA E KRISTALTË, rasim bebo

NJË VIZITË E PAHARRUAR RRETH E RRETH KOSOVËS

May 7, 2015 by dgreca

Nga Fat’h Duraku/
Kam nderin që me pak fjalë të tregoj diçka më shumë reth vizitës tonë, vizitë kjo e datës 05.05.2015, e realizuar në Republikën e Kosovës, dedikuar atyre që dhanë jetën për Liri,”Ditës së Dëshmorëve të Kombit”, gjatë kësaj dite vizituam vendet më me vlerë dhe më me peshë të Kombit tonë, kështu duke veçuar vetëm disa nga shumë momentet më të bukura që përjetuam gjatë kësaj ngjarjeje..
Unë si përfaqësues i Grupeve studentore, atij të Juridikut (viti III) dhe Gazetarisë (viti I) të Universitetit Shtetëror të Tetovës-Shkup, mund të pohoj se vizita jonë pa dyshim ishte dhe do të ngelet një ndër kujtimet më të bukura të jetës së çdonjërit prej nesh, ishte thjeshtë një vizitë me karakter të pastër kombëtar.
Vizitën e realizuar më datë 05.05.2015, ia përkushtuam vendit i cili na aludon në atë ku bashkimi sjell forcën, vend që na përkujton para së të gjithash Historinë e Kombit më të bukur në rruzullin tokësor…e cili është ky vend??? Pa dyshim se Republika e Kosovës. Vizitën e filluam që nga Fakulteti i Edukimit ku me një mikpritje të ngrohtë na pranoi Dekani i Fakultetit të Edukimit Prof.dr.Et’hem Çeku së bashku me Sekretarin e Fakultetit zotëri Milaim Mazreku, Prof. Demë Hoti, dhe në fund u takuam edhe me Prodekanin e Fakultetit të Edukimit Prof.Dr Zeqir Veseli dhe pa dyshim ai pa të cilin vizita jonë ndoshta dhe fare nuk do të realizohej nëse nuk do të ishim nën shoqërimin e tij, ai i cili mori një përgjegjësi të madhe që gjatë tërë kohës të jetë një me ne…e kush tjetër do të jetë ky njeri pos Prof.Dr.Nusret Pllanës.
Fjalën kryesore e mori Dekani i Fakultetit të Edukimit, duke hyrë në vazhdimësi në debat me ne, i cili filimisht na informoi për strukturën e Fakultetit të Edukimit, marëdhëniet mes Fakultetit të Edukimit dhe USHT-së, por pa mos munguar fare as edhe sygjerimet as edhe idetë e tij që në të ardhmen e shkurtër çka mund të na lidh më shumë neve si student, veçanarisht me Fakultetin e Edukimit apo edhe me Universitetin e Prishtinës në përgjithësi.
Pa mos e zgjatur shumë, gjithmonë nën udhëheqjen e Prof.Dr. Nusret Pllanës, do të veçojmë edhe për atë mikpritje të ngrohtë e cila nuk mungoi as edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës ku në cilësinë e Drejtorit për informim për aq kohë sa ishim prezent në Kuvend na shoqëroi z.Sherif Konjufca. Këtu me pak fjalë na informuan për Strukturën, përbërjen, organizimin e brendshëm dhe mënyrën e realizimit të punës së tyre, gjithmonë në kushte të përcaktuara me Ligj. Befasi dhe fat për ne ishte që në dalje nga Kuvendi rastësisht takuam edhe Kryetarin e Vetvendosjes zotri Visar Imerin dhe në shenjë nderi bëmë edhe një foto spontane me të.
Nuk mund ta lëmë pa përmendur Makofcin,Gllogjanin dhe Reçakun. Në vizitën tonë që ia bëmë Makofcit na shoqëroi me një fjalim rasti arsimtari Alush Krasniqi dhe babai I dëshmorit të kombit Naser Sekiraqa, z.Zeqir Sekiraqa, poashtu këtu na u bashkangjit dhe na shoqëroi gjatë gjithë kohës edhe këngëtari i mirënjohur shqiptar, z.Labinot Tahiri “Labi”, kështu ky i fundit duke na informuar dhe dhënë disa mesazhe të cilat ne të gjithë i mirëkuptuam dhe me shumë lehtësi i absorbuam.
Udhëtimi jonë natyrisht nuk përfundoi këtu, kishim privilegjën ta vizitojmë edhe Monumentin e varrezave të dëshmorëve në Reçak, ku nga studentët e fakultetit të edukimit morëm ‘dhuratë’ librin e Masakrës së Reçakut, dhe u informuam se nga masakrat barbare serbe humbën jetën 45 shqiptarë, të gjithë civilë të paarmatosur, në mesin e të cilëve kishte edhe fëmijë dhe gra. Gjithashtu edhe në Gllogjanin legjendar të Haradinajve vizituam varrezat e dëshmorëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me ç’rast na mirëpriti ciceroni Xhafer Sejfijaj me babain e tij – familje dëshmori, me ç’rast mbajtëm një minut heshtje për dëshmorët e kombit..
Për në fund me qëllim lash të përmendim Prekazin(“Mekën dhe Medinën e shqiptarëve”), vendi ku Komandanti legjendar Adem Jashari dhe familja e tij humbën jetën gjatë një lufte të ashpër me forcat barbare policore-ushtarake serbe, luftë kjo e cila kishte zgjatë tri ditë e tri netë, në marsin e vitit 1998. Ai mban titullin “Komandanti Legjendar i UÇK-së”.Titullin “Hero i Kosovës”, me të cilin mburret dhe krenohet I tërë kombi shqiptar.
Ky është një rast unikat i një rezistence të pashembullt në historinë botërore të luftrave çlirimtare, për të cilën me përgjegjësi dhe kompetencë na rrëfente Prof.Rifat Bejta.
Në fund falënderoj të gjithë ata të cilët ndanë një pjesë së kohës së tyre për të na e kushtuar neve, kështu duke na informuar për të gjithë ngjarjet, historinë, përjetimet, ndjenjat dhe duke na dhënë porosi të cilat çdonjëri prej nesh i morëm deri në thellësi të zemrës.
Dhe për në fund vjen falënderimi i veçantë dhe ai i përzemërt., I cili shkon për Labinot Tahirin “Labin”, i cili edhe përkundër aktiviteteve që ka na u bashkangjit neve dhe na shoqëroi gjatë një pjese të vizitës sonë. Të themi “Qershi mbi Tortë” apo falënderim i përzemërt do t’I shkon atij i cili mori një përgjegjësi të madhe duke na shoqëruar gjatë gjithë vizitës njëditore rreth e rreth Kosovës. , ai i cili edhe përkundër aktiviteteve të shumta që ka u bë një me ne, Profesori ynë i dashur Nusret Pllana, të cilin e falënderojmë përzemërsisht dhe i jemi mirënjohës për jetë.
Kështu me pak fjalë, i cekëm vetëm disa momente të bukura nga të shumtat që përjetuam gjatë vizitës tonë, e që e përfunduam në Prizrenin e bukur, që fund e krye ishte e karakterit kombëtar në Republikën e Pavarur të Kosovës..!!

Filed Under: Kronike Tagged With: e studenteve te Shkupit, ne Kosove, Nje vizite

9 MAJI 1945-70 VJETORI I ROBNISË STALINISTE NË EUROPË

May 7, 2015 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI*/
9 Maji 1945 “PËRANDORIA E SË KEQES” ME DISA MILJON SKLLAVË/
■Ma në fund u gjet edhe mënyra per me shkatrrue Europen e qytetnueme!
■Edhe pse të gjithë e kishin kuptue se kush ishte Bashkimi Sovjetik dhe udhëheqësi i tij diktatori Stalin, as Rusvelti dhe as Çërçilli nuk ishin në gjendje me i caktue cakun se deri ku mund të shtrihej sundimi i tij, madje, shpesh, edhe tue harrue barbarizmin e tij.
Fatkeqsia e popujve të Europës e ma vonë të Azisë, ishte se Rusvelti asnjëherë nuk arrijti me kuptue mjeshtrinë diplomatike të Stalinit per me sigurue zonat e influences së vet!
■Atëherë kur Stalini dukej sikur kishte dalë nga vetvetja e po fliste në Jalta, pra në muejn Shkurt 1945, per “zgjedhje të lira dhe të drejtën e vetvendosjes në zonat e lirueme”, ishte ajo kohë kur ushtria sovjetike i kishte pushtue të gjitha ato, e do të vepronte si donte ai!
Stalini shkoi edhe ma perpara tue propozue edhe “Qeveri Demokratike në të gjithë Europën Lindore, të daluna nga zgjedhjet e Lira nder ata shtete!” Pikrisht, kur ushtria sovjetike vazhdonte marrshimin drejtë pushtimit të Tokave të tjera drejtë Berlinit!
■Prova ma e sakta e mashtrimeve të Stalinit për ata “premtime” ishin zgjedhjet që po përgatiteshin në Jugosllavi, dhe shtetin e varun prej saj në Shqipninë komuniste. Pra, Stalini zgjodhi dy shtete që nuk ishin çlirue nga ushtritë sovjetike, po influenca e tij ishte vendimtare në zgjedhjen e Titos e Enver Hoxhës, në këto “zgjedhje të lira e bolshevike”!
■Me 9 Maji 1945, Stalini kishte arrijtë shtrimjen e vet deri në lumin Elba…
■Në të gjitha shtetet e Europës Lindore (e ma shumë nder ata Perëndimore), Stalini, jo vetem, nuk lejoi zgjedhje të lira, po edhe perforcoi poziten e partive komuniste nder të gjitha shtetet ku kishte kjoftë edhe vetem një ushtar sovjetik, ndersa, nga pikpamja e tyne “demokratike”, ata ishin dhe mbeten deri diten e fundit “parti staliniste”…
■”Perandoria e së keqes” Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike ase BRSS, me datën 9 Maji 1945 kishte 16 “republika bolshevike” që shtriheshin deri nder kufinjtë e Koresë dhe në Lindjen e Largët… poshtë me dalje në Detin e Zi dhe Adriatik e Jon… dhe me një territor të pushtuem ku, mbizotnonte diktatura staliniste nder këto shtete: Letoni, Estoni, Lituani, Poloni, Gjermani Lindore, Çeki e Sllovaki, Hungari, Rumani, Bullgari, Jugosllavi dhe Shqipnia ynë “Dera e Adriatikut”, e “Paktit të Varshavës”!
■Sikur të kalonim para syve tanë vetem portretet e udhëheqësve komunistë të këtyne vendeve para vitit 1990, tue fillue nga Oneker i Gjermanisë apo Çaushesku i Rumanisë, e deri tek anadollaku i Shqipnisë Ramiz Alia… Vetem atëherë, do të kuptonim fatin e zi të Popujve tanë, që per 70 vjetë vuejten nën diktaturen e pashoqe staliniste bolshevike.
■Nëse historia e BRSS nuk do ti harrojë kurrë “Gulagët” e Stalinit, apo ata tmerret e kampeve të shfarosjeve në Siberi… As Populli Shqiptar nuk do të fundosin në “Arkivin e Harresës” asnjëherë: Torturat, masakrat dhe zhdukjet e bame nga hetuesit dhe vrasësit komunistë, nder 26 Burgjet dhe hetuesit e Shkodres nga viti 1944… e përgjithmonë!
***
■Në këte 70 vjetor të datës 9 Maji 1945, Putin i Rusisë… ka mendue me dekorue edhe
24 vetë, që po i thonë se janë “shqiptarë’’: Rustem PEÇI, Odhise PORODINI,
Sul DOMI, Gjike KURTIQI, Ziqiri MERO, Faik ALIAJ, Servet AGALLIU, Orhan FRASHËRI, Gjemal KACANI, Spiro JANI, Llutfie MERO, Gjon BANUSHI,
Manushaqa MIKO, Lefkoshe PAPAJANI, Alfred MOISIU, Rita MARKO, Ballëm META, Kadri DINGU, Asllan GROPASI. Nuk i njoh! Edhe mund të jenë…
■Më çuditë vetem një fakt: Si përputhet mendimi i Putin me veprimin e kryeministrit Edi Rama, që në gjithë listen nuk ka mujtë me gjetë asnjë emen “katolik” ashtusi, edhe kryeministri Rama, tash dy vjet “nuk gjenë asnjë katolik, per ambasador në Vatikan”!!
A mos asht një kujtesë kjo e vitit 1945…Që, përkon me Sulltan Mehmetin e II…në 1478…
■“Në Shqipni, të mos mbetet …Asnjë Katolik!”…
*Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…
Melbourne, 7 Maji 2015.

Filed Under: Histori Tagged With: 70 VJETORI I ROBNISË STALINISTE, 9 MAJI 1945-, Fritz radovani, NË EUROPË

Lamtumirë profesor Afrim Karagjozi…!

May 7, 2015 by dgreca

Nga Dorian Koci/
Profil: Prof. dr. Afrim Q. Karagjozi, studiues dhe përkthyes, njohës dhe pedagog spikatës i gjuhës dhe letërsisë angleze, i cili i ka kushtuar gjithë jetën kulturës angleze. Veprimtar i zellshëm, me kontribut të veçantë në fushën e kulturës e të arsimit, të mesëm e të lartë dhe pjesëtar i shumë konferencave e simpoziumeve ndërkombëtare; disa herë lektor në universitetet më të njohura të Europës. Për vite ka pasur funksione drejtuese në fushën e marrëdhënieve me jashtë dhe në diplomaci. Është themelues dhe kryetar i Shoqatës Shqiptare të Bajronit (1991), si dhe anëtar i bordit të drejtorëve të Shoqatës Ndërkombëtare të Bajronit.
Jeta është si një stacion ku njeh shumë njerëz, por jo të gjithë mbeten përherë në kujtesë. Kjo gjë ndodh jo vetëm sepse ata shfaqen, duken, ikin ose veniten si çdo gjë rreth e përqark nesh, por sepse jo të gjithë arrijnë të përfaqësojnë atë që quhet frymë dhe që për shumë kohë jeton në kujtesën njerëzore dhe në kujtesën e ajrit. Sepse ashtu si është e njohur për të gjithë, në të vërtetë pak njerëz arrijnë të ndriçojnë përtej kohës së tyre dhe në të njëjtën kohë të jetojnë në bashkëkohësi në kufijtë midis dy epokave. Profesor Afrim Karagjozi, edukatori i shkëlqyer anglofon i kaq e kaq brezave në Shqipëri në gjimnazin e njohur të Tiranës “Qemal Stafa”, bajronistin e përkushtuar që arriti përmes veprës së vet të na e përcjellë të detajuar dhe të plotë, shpirtin e një epoke siç ishte Romantizmi Anglez dhe korifeun i tij, Bajronin në kulturën shqiptare, esesistin dhe studiuesin skrupuloz të udhëtarëve anglezë si Lik, Lear dhe Durham, përkthyesin e Show-ut dhe të Durham në shqip është, në fakt, një personalitet kulturor që përvijohet gjithandej në kulturën tonë të gjysmës së shekullit XX, duke pasuruar atë çka një brez para tij i ofroi kulturës shqiptare. Profesor Afrimi ishte një nxënës dhe një dishepull i profesor Skënder Luarasit që solli për herë të parë në shqip Bajronin dhe kryeveprën e tij “Udhëtimet e Çajld Haroldit”. Janë të pakët momentet në kulturën shqiptare kur nxënësi arrin që të jetë si mësuesi, dhe padyshim profesor Afrimi me përkushtimin dhe studimet e veta rreth Bajronit dhe ardhjes së tij në Shqipëri arriti të krijonte një frymë dhe trend studimesh që e bëri shumë të dashur veprën e përkthyer të mikut e profesorit të vet, por në të njëjtën kohë solli një kontribut shumë të madh për të kuptuar më mirë imazhin dhe portretet e shqiptarëve rreth 200 vjet më parë kur ata po trokisnin në dyert e historisë së re të Europës. Ky imazh, këto portrete, mbresa dhe emocione aq të nevojshme për ne të sotmit, për të kuptuar më mirë rrugëtimin e identitetit tonë kombëtar dhe kulturor shfaqen si tablo të plota dhe morën jetë përmes fjalëve të profesorit tonë të dashur në një seri veprash albanologjike që i bëjnë nder çdo biblioteke në Shqipëri e jashtë saj për t’u lexuar dhe për t’u shfrytëzuar si burime të para në hartimin e monografive rreth Shqipërisë dhe shqiptarëve. Në të njëjtën kohë fare natyrshëm, besoj se ato duhet të jenë një literaturë e detyrueshme leximi për cilindo të huaj apo shqiptar që dëshiron të njohë më mirë Shqipërinë, dashurinë e pakushtëzuar të profesorit. Në raftet e bibliotekave tona gjendet dhe një metodë e mësimdhënies së gjuhës shqip për të huajt, pasi profesor Afrimi besonte fort se një komb dhe kultura e tij njihen më mirë kur ata fillojnë e dialogojnë si të barabartë, ndaj pasionin e tij gjuhësor që e ndau për shumë vite me shumë studentë të huaj që mësonin shqip, na e la si monument kulturor për ta përkujtuar gjithmonë se njohja e shqiptarëve nuk mund të mbesë gjithmonë një mister, por të gjithë ata që dëshirojnë të dinë më tepër rreth tyre mund t’i referohen duke studiuar gjuhën tonë. Në këtë frymë ishin dhe botimet e njëpasnjëshme të Bajronit, korrespodencës së tij, studimeve të zgjedhura, poezive rreth shqiptarëve, në dy gjuhë shqip e anglisht si për të na thënë se njohja jonë e parë në Europë u përkiste sa europianëve, po aq dhe neve. I dashur profesor, unë e di që ti u largove me merakun e madh se nuk e realizove dot botimin e kumtesave të dy konferencave shkencore për Bajronin dhe Ali Pashë Tepelenën, por në sistemin e vlerave që kemi krijuar për fat të keq vazhdojmë të mbetemi ende borxhlinj ndaj njerëzve të kulturës dhe artit. Sistemi ynë i vlerave s’ka të bëjë aspak me epokën e kaluar apo këtë të tashmen, por është suigeneris i quajtur idiokraci, ku profesorët që kanë shtatë libra akademikë nuk janë anëtarë të Akademisë së Shkencave, ku për të botuar një punim shkencor u duhet të kërkojnë fonde gjithandej, ku editorialet e gazetave nuk u bëjnë vend për të shkruar opinionet e tyre dhe përkushtimi akademik i tyre shikohet me bezdi. Jetojmë në kohë të çuditshme profesor, ku Bajroni, Durhami që shkruan për Shqipërinë nuk kanë asnjë bust apo përmendore dhe biznesmenë privatë investojnë për spektakle mode. E megjithatë, Eppur si muove, do thoshe Profesor, me buzëqeshjen tënde të zakonshme për të na dhënë kurajë dhe për të besuar se gjërat do të ndryshojnë. Është e vështirë që të ecësh përmes itinerarit kulturor të botës shqiptare dhe botës anglosaksone që krijove me librat e tu, profesor Afrimi, dhe të mos e humbësh fillin e mendimit për të kuptuar më mirë pyetjet tona identitare rreth nesh dhe të tjerëve që na kanë njohur, por jam i sigurt që diku mes bibliotekave, në faqet e librave, në biseda televizive, në artikuj gazete do të frymojë gjithandej fjalët dhe vepra jote për të na nxjerrë nga errësira dhe për të na orientuar drejt dritës, sepse në fakt njerëz të tillë asnjëherë nuk ikin dhe veniten, por në të kundërt na ndriçojnë neve të gjallëve për të na kujtuar se jeta nuk është vetëm një ndodhi e së tashmes por edhe një memorie historike e kulturore e së shkuarës. I paharruar qoftë kujtimi yt, profesor, të qoftë e lehtë balta e Shqipërisë që e deshe aq shumë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Afrim Karagjozi…!, Dorian Koci, Lamtumirë profesor

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • 59
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT