• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2015

“Si shkohet për të vet vetja”…

June 3, 2015 by dgreca

Shkruan: Ricardo Rubio-Buenos Aires, Argjentinë/*
E njoha Jeton Kelmendin në qytetin e Curtea de Arges, ish kryeqyteti i mbretërisë së Vllahisë, Rumani, në vitin 2014, gjatë aktiviteteve në një festival të poezisë, virtyti më i madh i të cilit ishte për të mbledhur poetë të distancave të ndryshme, të largëta në të vërtetë, nga ato të cilat bashkojnë rregullisht autorët latinë me të cilat jam mësuar.
Kelmendi është dhe ka qenë një luftëtar në spektër të gjerë të fjalës; është një ish luftëtar ballkanas i cili u përball me peripecitë me të cilat politikat e rradhës i mbajnë pezull popujt, duke ua parandaluar lirinë dhesi pasojë e kësaj edhe buzëqeshjen; këtë temë e shtjellon Richard A. Brosio në parathënien e botimit në gjuhën angleze të paraqitur në vahzdim; preferoj, nga ana ime, tani të flas për punën e përkthimit dhe disa nga tiparet dhe karakteristikat e poetit tonë.
Ne e dimë se përkthimin në mes të gjuhëve të largëta, të tilla si gjuha spanjolle dhe ajo shqiptare ofrojnë më shumë vështirësi se ato me të cilat përballemi gjatë përkthimeve të teksteve të gjuhëve romane mes veti, sepse, në një mënyrë, në këto të fundit, substrati i përbashkët i latinishtes vulgare i bashkon
pjesërisht.
Kam vënë re se si anglishttja, me barrierat e saja që synojnë reduktimin e
fjalëve nuk e përballon sintetizimin energjik të shqipes, dhe në disa metafora ose alegori është dashur të ndërhyhet për t´i mbart nga një gjuhë në një tjetër, në mënyrë që të sigurojë vullnetin dhe synimin e poetit. E shoh në gjuhën shqipe një fuqi të fshehtë, të ngjashme me ate të gjuhës gjermane, por me më shumë mundësi të ekstraktit.
E kam bërë përkthimin nga gjuha angleze, nuk i di gjuhët ballkanike, arsye kjo që nuk më bënë të turpërohem që iukam drejtuar fjalor shqip kur versionet e poezive në gjuhën angleze ishin të papërcaktuara. Papërcaktime që, të detyruara nga idealizimi permanent i synimeve në tropet e Kelmendit, është dashur disa herë të modifikohen për të dhënë kredon e vërtetë të autorit, duke u përpjekur që të jam më besnik ndaj mendimit origjinal dhe sa më pak “tradhëtar”; një lojë e vështirë tekstualiteti, interpretimi dhe përshtatjaje, sepse kthimi i kuptimeve me përkthim të thjeshtë, duke e respetuar renditjen e fjalëve, do të rezultonte në një marrëzi të pakuptueshme.
Janë tri çështje qendrore që zënë plan të parë të “Si shkohet për të vet vetja”, domethënë: çrrënjosja (“atdheu”, “Albanica “,” Iliria “); dashuria, ndoshta më e madhja; dhe kalimi i viteve. Të tjerat, që i konsideroj nëntema, janë homazhe dhe përkujtime (“Gonxhe”, “Familja Dukaj “), disa prej tyre të ndërthurura edhe me çrrënjosjen, me dashurinë dhe me kalimin e viteve.
Tema e çrrënjosjes manifestohet si një nostalgji që madhëron peisazhet e fëmijërisë, madje edhe duke i mbart ato në imazhe të një të kaluare të krenarisë historike, u afrohet njerëzve dhe ngjarjeve që kurorëzojnë përzgjedhjen e tij, duke e cituar familjen e tij origjinale, më të mëdhenjtë e tij dhe më të mëdhenjtë e atdheut të tij.
Tema e dashurisë zë një numri më të madh të punimeve, dashuri që duket
të mos jetë gjithmonë e njëjta dhe në të cilën çifti takohet në vende të ndryshme dhe të largëta, si të mos kishin mundësi të vendoseshin në një vend, në këto raste
ku shpirti paqëndrueshme i autorit tonë i bashkon pasionet e dashurisë me temën e çrrënjosjes-, në këto situata, të dashuruarit janë të detyruar gjithmonë që të vijnë me kohë, që të presin një ardhje, që të ikin në kohë të caktuar, që të ëndërrojnë, dhe që të janë përherë të përmalluar.
Tema e moshës kronologjike e shqetëson autorin tonë në disa nga
tekstet e shfaqura këtu, kjo fazë është e njohur në mjedisin tonë si krizë e moshës së mesme, që e përshkruan një periudhë të pyetjeve personale që prezantohet me të arritur një midis të papeshë konceptuar si pritje jetësore, në të cilën, ai e cili vuan, zakonisht e ndjen si të humbur moshën e rinisë dhe të mjerë hyrjen në moshën e pjekurisë: fakt është se në këtë moshë nuk është se jihet njeri i vjetër e poashtu as
një i ri që ëndërron të fluturoi. Ndoshta poezia “E dashur, më mëso të
dashuroj “(fq. 54), ka një nga çelësat për sintetizimin e të paktën dy
nga temat kryesore të librit.
Momenti kur manifestohet shpronësimi nga ndruajtjet është padyshim një nga virtytet e mëdha të Jeton Kelmendit, na flet se si nuk i shmanget të vërtetës ose ndjenjave të mëdha thumbuese: na flet ca për pak kripë të dashurisë, duke e përdorur simbolin e kripës në përshtatje të përsosur, “koha” pak kohë në dashuri do të jetë kërkesa e tyre; në mënyrë që mund të shihet në këto prekje të vogla, jo vetëm aftësia, por edhe sinqeriteti me të cilin i ndan me ne betejat e tij të inteligjencës dhe nevojat e tij emocionale. Ia vlen për këtë, përveç sintezës, tropeve krahasuese dhe metaforave të pastra që shpesh sintetizojnë në mënyrë figurative semantikën e vargjeve të para, duke u dhënë një “hyrje”, paj janë këto vargjet e para shkaktare të ideve që do t´i shqyrton në çdo rast, këto figura që janë futur në rrjedhën e zhvillimit të teksteve si një fat në lojë, ku shfaqet një pikëllim dhe fill më pastaj krahasohet, e ndërron, në metaforë ose e lë të kuptohet si alegori, si në rastin e poezisë së parë, e cila i jep emrin e saj librit “Si shkohet për të vet vetja”. Për latinët, padyshim është një risi, pavaërsisht se sintetikja, në rastin tonë, afrohet të fshehtës, ajo nuk ndodh te Kelmendi, nuk do të hasim në zona aq të errëta që ngatërrojnë qëllimet, ndoshta analogjitë, të ndryshme nga ato që ne i trajtojmë në gjuhën tonë, do të na paraqitnin disa vështirësi. Për t´u shmangur gabimeve, na mjafton të dimë se poeti ka një gjuhë të drejtërpërdrejtë, pa rrotlla, pa motive të fshehta, edhe pse me aluzione të shpeshta; nuk kërkon të mashtroj lexuesit me dyshime e as nuk dëshiron të thotë e të fshehet ose të dua të shprehet dhe të fshehet pas murit të palexueshëm; ndoshta po, na kërkohet një kënd i ri i të analizuarit dhe i të kuptuarit nga i cili do ti afrohemi kësaj mënyre të pamurit dhe dhe të të shprehurit.
Një vepër poetike si kjo e Jeton Kelmendit, tematikisht e gjerë dhe gjithëpërfshirëse, e krijon një univers të plotë e cila natyrisht mban rregullat e veta -dhe kjo ka të bëj me veprën artistike, e cila është e bazuar në një strukturë organike të rastit, e cila duket se i shkon më shumë për shtati fuqisë konceptuale të poezive dhe jo njësisë tematike, sikur çështjet nuk mund të ndaheshin apo Kelmendi nuk deshi t´i ndajë ato, sepse janë “të pandashme” nga vetja e tij, dhe përziehen dhe përputhen në mënyrë të përhershme; e pranoj dhe e mirëpres këtë vullnet, në të njëjtën mënyrë që e pranoj se punimet që më shumë i “ndjen” apo me të cilat është më i kënaqur janë ato në fillim të këtij libri, poezitë e para që arsyetojnë dhe e vërtetojnë poetin, shumë të angazhuara për cilësinë ontologjike të panoramës emocionale që i parandjen nga kronologjikja — të mos harrojmë se një nga temat kryesore është kalimi i viteve. Ndoshta kjo është arsyeja themelore që çdo dukuri artistike duhet të pranohet me rregullat e saj, nga vetja, nga ligjet e veta, në qoftë se doni t´i analizoni arsyet e të qenurit. Duke u bazuar në këtë koncept, roli i poetit në veten e tij dhe kah vetja e tij, miratojmë një hapësirë shoqërues emocionale, Einfühlung*, parim ose gjysëm teori e Theodor Lipps, duke e formuluar një projektim sentimental për dashurinë duke e kombinuar dashurinë e tërë në konkluzionin:

“Thuaje edhe një fjalë / shqip / Zoti e bekoftë Arbërinë / ndizeni një qiri / le ta ndriçon vendin / e Ilirisë / Kjo është hera e parë / nënë, që je drita në veten tënde”

nga poezia “Duke jetuar përtej vetvetes” (fq. 18), ku shkrihet drita e Nënë Terezës me gjuhën shqipe dhe atdheun historik, tri dashuri të bashkuara në poezinë e dytë të librit, që lirojnë vendimin nga ajo që pritet gjatë këtij udhëtimi poetik. Që nga aty, një fat i panoramës historike të rajonit, një peizazh i brendshëm që ngjall të vërtetën, të mbajturën mend, atë që në te është jetuar, apo që dëshirohet të jetohet, dhe pastaj temat e dashurisë, të futura me sinjalet e shpallura. Një udhëtim i tërë nëpër energjinë dhe njohuritë e Jeton Kelmendit, një udhëtim që afron një hapësirë të bukurisë, një ngushëllim me muzikën e fjalëve dhe referenca të shumta për veprimtarinë e një poeti.

Ricardo Rubio
Buenos Aires, Argjentinë, 2015.
*Parathenia e librit “Si shkohet për të vet vetja”

Filed Under: ESSE Tagged With: “Si shkohet për të vet vetja", Jeton Kelmendi, Ricardo Rubio

PANORAMË POLITIKE SHQIPTARE

June 3, 2015 by dgreca

Nga Eugjen MERLIKA/
“Arti i luftës është arti i shkatërrimit të njerëzvet, politika është arti i të gënjyerit”- D’ALEMBERT/
Edhe se të nxehtit e stinës nuk është ndier ende shumë, matësit e etheve politike shqiptare shënojnë “temperatura” të larta, që janë të zakonëshme për një fushatë zgjedhore kudo, por marrin trajta të veçanta “lufte të ftohtë” në Shqipëri. Në më shumë se një shekull shteti të pavarur nuk arritëm ende të njohim e respektojmë etikën njerëzore edhe në garat zgjedhore. Ulja e personalitetit të kundërshtarit, në shumicën e rasteve, mbetet arma e zgjedhur e kandidatëve apo atyre që i kanë caktuar ata.
Ndoshta këtë herë ka një qëndrim disi ndryshe e ndonjë shembull i Shkodrës e Tiranës japin nota optimizmi. Në Shkodër dy kandidatet femra, (Bazhdari e Ademi), bëjnë një ballafaqim korrekt para studentëve, në të cilin shpalosin programet e tyre. Më duket një veprim mjaft i vlerësueshëm, madje të cilin nuk e has as në Itali , ku këto ditë ka qenë një fushatë zgjedhore. Në Tiranë kandidatët Kosova dhe Veliaj, më shumë i pari se i dyti, përqëndrohen në problemet reale, të mprehta e të shumta të kryeqytetit, pa u ndalur në propagandën politike të partive. Kjo mënyrë të biseduari me votuesit më duket më e zgjuara dhe më e pëlqyeshmja.
Ndërkaq vazhdon në largësi dyluftimi i kryetarëve : në një anë ai i PD-së, z. Basha, e në tjetrën ai i PS-së, kryetari i Qeverisë, z. Rama, e ai i Kuvendit e LSI-së, z. Meta. Duket, në pamje të parë, se ka një farë korrektësie në këta dyluftime të përditëshme por, në thelb, jemi të pranishëm në një garë të pafund për të personalizuar proçesin në një ballafaqim meritash apo të metash vetiake. Kështu Basha vazhdon të përdorë armën e vet të parapëlqyer, atë të padisë së “mos mbajtjes së premtimeve” kundrejt dyshes Rama – Meta, një armë e zakonshme në politikë, sidomos në opozitë. Por kur kjo armë fillon të mbahet e zhveshur edhe mbas 15 ditësh të marrjes së pushtetit nga kundërshtari, e humbet disi rolin e saj. Nga ana e saj, dyshja Rama – Meta, sidomos i pari, gjithandej e quajnë të paqenë punën e të zgjedhurve të PD-së, si një “vegjetacion” në pushtetin vendor, duke filluar nga kryetari i bashkisë së kryeqytetit.
Hasim në një farë manikeizmi të dyanshëm në paraqitjen e kundërshtarit dhe punës së tij, gjë që nuk tregon ftohtësi e ndershmëri gjykimi, mbasi mungon kurajua për të njohur e vlerësuar edhe punën e kundërshtarit, kur ajo është e dobishme, në ligje apo veprime të veçanta që shkojnë në favor të bashkësisë e të shtetit. Megjithë dobinë e një mendësie të ndryshme nga ajo e gjithë këtyre viteve të pas komunizmit, që karakterizon marredhëniet pushtet – opozitë, me gjithë bagazhin e veprimeve shpesh të pafrytëshme e të dëmshme si braktisjet e Kuvendit, apo mobilizimet e manifestimevet thjesht për qëllime politike, të zbatuara njësoj, si dy pika uji, nga dy forcat kundërshtare, nuk është ky aspekti më negativ i panoramës politike shqiptare.
Atë duhet t’a kërkojmë tek korrupsioni, një dukuri e shpalosur si flamur, përpara çdo fushate zgjedhore, për të marrë votat e për të zhvendosur kundërshtarin nga pushteti, por e vënë në letargji, sapo të merret ky i fundit. Muajt e fundit kemi qënë të pranishëm në një dukuri të paparë ndonjëherë, atë të ndërhyrjes në forma të ndryshme të autoriteteve politike të huaja, përfaqësues organizmash ndërkombëtare apo shtetesh miq, ndonjëherë me tone shumë të forta në ngritjen e problemeve. Është një tregues jo vetëm i paaftësisë apo mungesës së vullnetit të klasës sonë politike për t’u ballafaquar seriozisht me patologjinë e sëmundjes, për të ndërhyrë kirurgjikisht mbi të, por edhe i shqetësimit të dukshëm të të huajve për të shëndoshur gjëndjen tonë që, n’atë drejtim i ngjan një kome klinike. Po mundohen, me të gjitha mënyrat, të huajtë të na bindin të çrrënjosim tumorin nga nivelet e larta të shtetit. Prokurori kroat dhe ministreja rumune vijnë e japin përvojën e tyre. I pari ka vënë në bangën e t’akuzuarvet ish kryeministrin Sanader, duke filluar hetimet nga një orë dore, e dyta ka dërguar në hetime e proçese më shumë se 1400 vetë, ndërmjet të cilëve ministra e deputetë.
Por çfarë ndodh tek ne ? Merremi me muaj të tërë, gjykata, prokurori, qeveri e parlament me telenovelën Doshi – Frroku. Autoriteti për kontrollon e pasurisë del herë mbas here me shifra të pajustifikueshme mbi pasuritë e politikanëve, me miliona euro, por askush nuk merr mundimin të zbulojë prejardhjen e tyre, kur llogaria është fare e thjeshtë të bëhet. Thuhet se Tom Doshi ka 23 mil. ndërsa Dritan Prifti rreth 10 të tillë. Shifrat e tyre dalin sepse ata kanë hyrë në kundërshti me kryetarin e LSI-së, por deklarimi dhe vërtetësimi i pasurive duhet t’ishte një praktikë e zakonshme që nuk zbatohet apo bëhet tepër formalisht. Si ka mundësi që organet e kontrollit dhe të garancisë, si Kryetari i shtetit, Gjykata kushtetuese, Prokuroria e përgjithëshme, Kontrolli i lartë i shtetit, nuk ngrenë kurrë zërin për këtë anomali të jetës shqiptare ? Apo vlen më shumë privatësia e banditëve të shoqërisë ?
Përgjigjet e këtyre pyetjeve të çojnë në një përfundim tepër zhgënjyes : shoqëria jonë, në nivelet e saj të larta t’administrimit, nuk është e interesuar për zbatimin e ligjshmërisë. Ja sepse korrupsioni nuk luftohet, ja sepse zv. Ambasadori amerikan, duke dalë jashtë perimetrit të detyrës së tij, i bën thirrje nxënësve të exellence-s në Tiranë, të mos qëndrojnë indiferentë kundrejt fateve të Vendit të tyre.
Para 135 vjetësh Kryeministri i Britanisë së Madhe, Disraeli, shprehej kështu : “Ushtrimi i politikës në Lindje mund të përcaktohet me një fjalë të vetme : skuthërí”. Atëherë ne nuk përfshiheshim në këtë përcaktim, sepse nuk kishim një politikë tonën, edhe se kishim treguar, nëpërmjet Lidhjes së Prizrenit, se ishim të lidhur me tokat dhe zakonet tona. Fatkeqësisht sot në përballimin e problemeve qëndrore tonat mund të përdorim termin e Disraelit, skuthëri. Të gjithë janë të vetëdijshëm se korrupsioni ka rrënjë të thella e të gjithë i janë nënështruar idesë se askush nuk mundet t’a zhdukë, sepse ata që e kanë për detyrë shmangen, tërhiqen, sepse ndoshta çmimi i luftës është shumë i shtrenjtë.
Rezultati është se në parlament shkojnë edhe njerëz me proçese kriminale të hapura jashtë shtetit e në kandidaturat për organet vendore ka edhe nga ata që janë të përfolur. Shpjegimi është i thjeshtë : forca e parasë që arrin të blejë gjithshka edhe pozitën edhe paprekshmërinë. Përballë kësaj gjëndjeje politika nuk paraqet alternativa, dhjetra partitë fiktive vrapojnë të vihen në rradhë për të marrë ndonjë thërrime lëmoshë nga partitë e mëdha që e kanë blinduar sistemin me një marrëveshje të vitit 2008.
Kohët e fundit ka patur zgjedhje edhe në Vende të tjera t’Evropës. Kanë dalë në skenë forca të reja, herë për mirë e herë për keq, por janë dëshmi e ndryshimeve të opinioneve publike, shumë prej të cilëve bëjnë levë mbi faktorin korrupsion. Dukuria nuk është vetëm e jona, e kanë në forma e përmasa të ndryshme edhe të tjerët. Ndërsa ata, mirë apo keq, mundohen t’a luftojnë, ne kënaqemi me qëndrimin vend numuro, presim të tjerët të marrin përsipër zgjidhjen e problemeve tona, për të dëgjuar në shqip nga ambasadori amerikan se “gomarin e nxjerr nga balta i zoti”. Përpjekjet për moralizimin e politikës duhet të jenë të përherëshme, mbasi prirja për të fituar me rrugë të lehta është gjithmonë e pranishme në racën njerëzore. Ato nuk duhet të jenë mjete për luftimin e kundërshtarit e për fitime politike të çastit, por kostante e jetës së shtetit e shoqërisë.
Së pari ky proçes është i lidhur me respektimin e rregullave, gjë e cila vazhdon të mbetet problematike për ne, si pasojë e një mendësie të rrënjosur thellë nga gjysëm shekulli komunist, në të cilin rregullat ishin në funksion të “përkatësisë klasore” e zbatimi i tyre subjekt i “luftës së klasave”. Sot nuk hasim të tilla mynxyra juridike, por në lëmin e drejtësisë kanë hyrë interesat financiare, shumë më të fuqishme se sa udhëzimet për karakterin klasor të saj dikur. Një shembull i thjeshtë, por tregues i mendësisë së shkeljes së rregullave qe edhe fillimi i fushatës zgjedhore para datës së caktuar me rregulloren e K.Q.Z. Përgëzime kryetares së saj që i vuri në dukje partive shkeljen e rregullores.
Për të ngulitur këtë mendësi qeveria aktuale ka ngulur këmbë që në krijimin e saj, por mjetet e përdorura janë shumë të diskutueshme. Rreptësia në kërkimin e zbatimit të ligjeve e rregulloreve është një domosdoshmëri, që duhet t’i nënështrohet një ligji të pashkruar, të zbatohet njëlloj për të gjithë qytetarët. Në këtë drejtim ankesat janë të shumta e nuk është e lehtë dalja në përfundime të sigurta. Ana tjetër e këtij problemi rrënjësor për të sotmen dhe t’ardhmen tonë, është zbatimi i forcës vepruese të shtetit mbi qytetarët shkelës të rregullave, në masën e kriteret e duhura. Në këtë drejtim besoj se ka teprime, mbasi nuk mund të konceptohet largimi nga puna e një punonjësi sepse nuk ka paguar një faturë të korrentit, aq më tëpër arrestimi e dënimi me gjyq i tij, kur nuk ka raste të përsëritura vjedhjesh të mëdha të energjisë. Dhënia policisë kompetenca të shtetrrethimit çon në veprime herë herë të pajustifikueshme e shpesh në kundërshtim me normat evropiane. Para disa ditësh policia i ka hequr të drejtën e patentës për gjashtë muaj një qytetari, sepse ka hyrë gabimisht në një rrugë me kah të kundërt . Pakujdesia në trafikun duhet ndëshkuar, por n’asnjë Vend t’Evropës nuk hiqet patenta për një veprim të tillë, pa asnjë pasojë apo dëm kundrejt të tretëve. Gjoba, në masën e duhur, është ndëshkimi që duhet të parashikojë ligji.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i realitetit shqiptar është ai i marredhënieve me Vendet e rajonit e të botës. Takimet dhe mbledhjet e fundit të kryeministrave ballkanas në Tiranë, besoj se mund të quhen një tregues i mirë i veprimtarisë së shtetit. Ka një keqësim të marredhënieve me Greqinë, që kalon periudhën e saj më të vështirë nga mbarimi i luftës së dytë botërore. Nuk do t’a dëshironim një gjë të tillë, sepse kemi atje më shumë se gjysmë milioni shqiptarë të mërguar, por nëse përmirësimi i atyre marredhënieve do të ishte kusht sine qua non për lëshime të interesave kombëtare, ai bëhet i papranueshëm. Përmirësimi i marredhënieve me Sërbinë, i nxitur dhe i detyruar nga Evropa, shkon në drejtimin e duhur. Projekti i ndërtimit të një autostrade nga Nishi në Durrës është një sihariq, tregues i një perspektive të mirë për të dy Vendet e për gadishullin.
Bashkëpunimi me fqinjët është një detyrim, jo vetëm për shpresën e hyrjes n’Evropë, për të cilën kohët nuk do të jenë të shkurtëra, por edhe për vetë dialektikën ballkanase, të vështirësuar nga trashëgimi historike, ndërthurje interesash të të mëdhenjve e probleme kombëtare të lëna nga vendimet e shekullit të shkuar. Çështja kombëtare duhet të mbetet gjithmonë në qendrën e projektit tonë për t’ardhmen, por nuk mund të trajtohet në fundin e këtij shkrimi, për hapësirën e nevojshme që kërkon. Mendoj se filozofija, që duhet të na paraprijë në strategjinë e saj, është ajo e ish Presidentit Rugova, kurse episode si ai i dronit në stadiumin e Beogradit apo i aksionit të Kumanovës, megjithë respektin e thellë për ndjenjat atdhetare të protagonistëve, nuk janë më të këshillueshmet në rrugën tonë.
Ishin këto disa nga problemet me të cilët ballafaqohemi këto ditë. I duhen shtuar këtyre ata të zhvillimit ekonomik, të punës e të ngritjes së standartit të jetesës, për të cilët premtimet e politikës janë të pakursyera, pa spjeguar kurrë se ku do të gjenden paratë për të sendërtuar projektet. Fakti që flitet për ulje taksash në fushatën zgjedhore për administratat vendore e, njëkohësisht për projekte faraonike të qyteteve tona, pa mbulesën e duhur financiare, janë demagogji që nuk dëshmojnë seriozitetin e një klase drejtuese. Ato vetëm vërtetojnë fjalët e iluministit të madh francez D’Alembert, të vendosura në krye të këtij shkrimi.
Ngopja me lugë të zbrazur ka qenë kostanteja e 70 vjetëve të fundit të jetës sonë shtetërore. Do të ishte më e dobishme të na thuhej e vërteta, qoftë edhe e hidhur, për t’u vetëdijësuar për vështirësitë e sakrificat që na presin për t’arritur ata synime, që të tjerë popuj të Lindjes ish komuniste i kanë realizuar.
Qershor 2015 Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Panorame e politikes, shqiptare

MAQEDONI, VENDI IM I DASHUR…

June 3, 2015 by dgreca

“Jam shqiptar me besabesë,/
anës lumit të Vardarit do të vdes./
Dyshek toke dhe jastëk gurë,/
s’luaj nga vendi se jam burrё!…“/…
Nga Rasim Bebo, Çikago/
Unë jam maqedonas, zotërinj qeveritarë të Tiranës dhe të Prishtinës, ndërsa ju më keni lënë mua dhe të parët keni njohur, që nga krijimi i vitit 1991, shtetin artificial të Sllavo- Maqedonisë, pra, ekzistencën e kombit dhe të shtetit sllavo-maqedon. Po ta kishit kërkuar me konsekuencë, ju, Tirana dhe Prishtina, ne do të ishim tani vetë në krye të shtetit Maqedon dhe jo sllavo-maqedonët rrjepacakë. Por ju u bëtë urë sllavo-ruso-grekut dhe kjo është tradhti kombëtare. Ka të drejtë prof. Mejdi Hyseni, kur thotë: “Të tre qeveritë, e Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit janë më armike se greku, serbi, malazesi dhe maqedonasi.” Këtu mungon fjala “sllavë” para fjalës maqedon.
Ka Profesorë dhe doktorë, të cilët maqedonasit i quajnë maqedonas etnikë, sepse këta nuk vënë nocionin “sllav” para emrit maqedon. Ka raste, kur armiqtë e Shqipërisë renditin edhe Maqedoninë dhe nuk e përcaktojnë “Sllavo- maqedonasit”. Një tjetër shkruan: “Maqedonasit dhe shqiptarët luftuan kundra serbit në vitin 1913 dhe për këtë është vënë një pllakë përkujtimore në Strugë, që përkujtohet çdo vit.” Vallë a ka bërë vaki që maqedonasit (sllavë) dhe shqiptarë të luftojnë kundra serbëve?… Kristo Polljanskit i hapet goja kur thotë, se: “… se maqedonasit e sotshëm ishin stërnipërit e Lekës së Madh.”Kur i thane se në kohën e Lekës, ju bridhnit në stepat e Rusisë dhe keni ardhur 10 shekuj më vonë, ai përgjigjet: “por kur ne u vendosëm në trojet maqedonëve të lashtë, ne jemi pasardhësit e tyre, por edhe gjenetikë.” Kurse ne heshtim. Ata mbas vitit 1991 që u njohën si qeveri, e quajtën veten “maqedonë antikë”. Dhe kështu ata rrëmbyen emrin maqedon, vendin maqedon, identitetin maqedon, flamurin maqedon dhe historinë e Maqedonisë.
Pak histori, që tregon se dihet nga të gjithë se kush jemi.
Popullsia që u vendos më vonë në Maqedoni, Epir dhe Iliri, ishte pikërisht nga kjo kryeqendër pellazge, Mikena dhe Argosi. Mendohet se kanë ardhur në pjesën e poshtme të Ballkanit rreth vitit 1900 p.e.s. (E. J., f. 66).
Për herë të parë në histori të tri mbretëritë pellazge: Maqedoni, Epir dhe Iliri, d.m.th. shqiptarët e hershëm, u vunë nën një prijës, nën Mbretin Filipi i II, 359-336. P.e.s Mbretërit e Maqedonisë kanë qenë mikpritës të figurave kundërshtare të Athinës. Mbreti Aminta, 540-500 p.e.s. Pranoi refugjatë të shquar, tetë të syrgjynosur nga Athina, si despotin Pisistrati me të birin Hipian, 510 p.e.s. Ndërsa, Mbreti Perdika i II, 454- 413,p,e.s. mirëpriti Melanipidin, një autor i shquar lirikash, dhe Hipokratin, 460-375 p.e.s. “Babai i mjekësisë” i lindur në Kosin Pellazgë, i cili shërbeu te Perdika si mjek i pallatit të tij, (E. J., f.100). Mbreti Arkelau, 413-399 p.e.s. mirëpriti poetin tragjik Euripidin, në vitin 404. Shumë të tjerë, u mirëpritën nga mbretërit maqedonas në besën pellazgo-shqiptare. Citojmë Tajar Zavalanin: “Më 617, një fuqi e kombinuar avaro-sllave arriti kulmin. Si një valë deti prej njerëzish, shkruan Prokopi, me burra gra dhe fëmijë, ata u vërsulën duke kthyer në gërmadhë dhe zhytën në gjak Ilirinë, Maqedoninë, Epirin dhe Thrakën. Ata vranë dhe masakruan të gjithë njerëzit që u ranë në duar, pa dallim seksi dhe moshe. Më se 200.000 vetë humbën jetën.”
Historiani Çek Prof. Dvornik thotë: “Sllavët nuk kanë asnjë legjendë heroike, që të kujtojnë vendosjen e tyre në gadishullin e Ballkanit”
Historiani Anglez William Temperly shkruan: “Sllavët shkatërruan monumentet e mrekullueshme, që ishin krijesat e gjeniut të perandorëve të mëdhenj romako-bizantin me origjinë shqiptare Dioklecianit dhe Justinianit.” Sllavët më herët, nuk janë përmendur fare, askush nuk i ka njohur me një emërtim kombëtar, sepse kjo hapësirë ishte shqiptare, territori shqiptar, popullata shqiptare, ndërsa sllavët në Maqedoni ishin pakicë, raja, që i solli në luginën e Vardarit Perandoria Osmane për të punuar tokën…
Josif Bagëri (1870-1930) thotë: “Asimilimi u përballua gjatë 520 viteve të sundimit osman, por ndodhi vetëm nga viti 1913 e këtej, kur u pushtua nga Serbia dhe vazhdoi gjatë komunizmit. “
Prof. Saimir Lolja shkruan: “A ka shpëtuar pa u vënë re fakti, se është e pamundur me qenë njëkohësisht edhe maqedon edhe Sllav? Një maqedon i vitit 300 p.e.s. ndahet me 1000 vjet nga një sllav i ardhur në vitin 700 e.s. Është bërë e udhës, se na ka shpëtuar, që sllavet i quajmë maqedonë.”
Në artikullin e Zotit Rexhep Shahu, që është një material shumë i mirë dhe i kohës, kur ne e dimë që ai nuk është Maqedon, por e dimë që është një vjedhës, rrëmbyes i emrit, duhet, ta përcaktojmë, se është “Sllavo maqedonas”. Marrim disa shprehje te Zotit Rexhep Shahu, ku mungon përcaktimi “sllav”: -“Ambasadorit të Shqipërisë duke kërkuar falje, u tha Maqedonëve se e kemi…” 2- “…por ai e do Maqedoninë për veten e tij,”. 3. -“, përkulje e puthje dore maqedonasve si servilë…”. Pra, përpara emrit Maqedoni, duhet vendosur emri “sllavë”. Si zakonisht nocioni “sllav” të përcaktojë se kush je. Kemi parasysh një mbiemër me dy emra “sllavë dhe maqedonë”. Kombet që bëjnë pjesë në Maqedoni, quhen: “turko – maqedonas”, “Greko – maqedonas”, “serbo – maqedonas’, “bullgaro – maqedonas”, kështu duhet edhe për “sllavo – maqedonas”.
Ju shkruani: “Torta është në tavolinë. Duhet ndarë me domosdo me Maqedonasit (emri maqedonasit nuk duhet). Fjalia do të ishte e përkryer: “Torta është në tavolinë. Duhet ndarë me dy pronarë të saj, me sllavo maqedonasit dhe me maqedonasit shqiptarë. Kurdoherë duhet të shënojmë, se këta janë: “SLLAVO-MAQEDONAS”.
Z. Rexhep Shahu Thotë: “Maqedonia nuk funksionon pa shqiptarë e sllavë-maqedonas, si dy këmbë të saj.”Vërtetë, ka ardhur koha që sot Maqedonia duhet të qëndrojë mbi dy këmbë, me shqiptarët dhe sllavo maqedonasit, por është e vështirë, kur ata përgatitën “mostrat”, “Kumanovën”, kur të tërheqin prej hunde dhe dalin me parullën “Më mirë një shqiptar i vdekur” dhe partitë shqiptare në krye kanë tradhtuar.
Rexhep Shahu thotë: “Duhet të gjejmë shqiptarë që flasin sakllam shqip, e jo shqiptarë të shpikur si të tillë, sipas oreksit e dëshirave të Gruevskit e të sllavo -maqedonasve që jetojnë me një histori të shpikur.”
Rasim Bebo, Addison, Çikago, maj 2015

Filed Under: Opinion Tagged With: maqedoni, rasim bebo, vend i dashur

A PO I AFROHET “TORNADO-ja” EKONOMISE SE GREQISE?

June 3, 2015 by dgreca

NGA ASLLAN BUSHATI/
Nisur nga të dhënat statistikore të fundit të prillit të këtij viti, “meteorologet” e parave thonë se “tornado”-ja nuk është shumë larg ekonomisë greke. Borxhi publik i Greqisë është afërsisht 313 miliard, ose ekzaktësisht 312,679,022,950 euro. Pra Greqia cdo vit duhet t’u paguaj kredidhënësve të saj (FMN-së,Bankës Qëndrore Europiane, BE-së dhe vendeve të tjera), jo më pak se 10 miliard euro në vit. Në këto kushte do të duheshin 42 vite për t’u paguar detyrimet huadhënësve të saj, në qoftëse borxhet nuk thellohen ose nuk shtohen penalitete të tjera për tejkalimin e afateve të këstevë të pagesave.
Kjo situatë e ekonomisë greke më solli në mendje kohën e “piramidave në Shqipëri”, të cilat kanë lënë gjurmë të pa heqëshme në kujtesën tonë. Aty nga fillimi i nëntorit të 1996, shkova për arsye pune në zyrën e Zotit Alfred Moisiu (në atë kohë ish Zëvëndës Minister i Mbrojtjes e më pas President), dhe krahas të tjerave i thashë shqetësimin tim për skemat piramidele se nuk i pelqejë dhe se më duken si një dalldi kolektive. Në vazhdim i thashë Zotit Moisiu se ndoshta është mirë që zyrtarisht të thuhet dicka për ta ndaluar këtë fenomen. Ai ishte akoma më i shqetësuar se unë dhe se prognoza e tij ishte drithëruase kur e dëgjova. Më pas pata rastin t’ja them edhe ish Ministrit të Mbrojtjes të ndierit Safet Zhulali, i cili në analizën e punës së muajt nëntor tha afërsisht se parat e kursyera janë të sigurta në bankën e shtetit e jo tek privatët. Kam dëgjuar se disa ushtarakë kanë shitur edhe shtëpit për të futur pratë për shumim tek privatët, kjo është e paimagjinueshme-tha ai. Por sic e dini miqt e mi, fenomeni nuk u ndal, por si një ortek masiv dëbore në rrëshqitje, shembi ekonominë shqiptare duke zënë ndër vehte dhe gjithe institucionet e shtetit, duke vënë në rrezik pavarsinë e vendit, sa u deshën forcat ndërkombëtare të vinin e të na vendosnin rendin e qetësinë . Por pas stuhisë njerëzit të trullosur e të marrosur filluan të pyesin njeri tjetrin dhe institucionet e shtetit se ku shkuan miliardat e parave shqiptare? Kjo pyetje që prej asajë kohe e deri më sot, nuk ka marrë një përgjigje të saktë, por disa gojë të liga thanë se “gropat e zeza të Egjeut janë të mëdha dhe shumë gëlltitëse”.
Duke e lënë pas këtë histori të hidhur ( por duke mos e harruar kurrë atë), le të këthehemi edhe një herë tek ekonomia greke me të cilën Shipëria është e lidhur me një mijë fije. Sipas njoftimit të agjensisë greke të statistikave ELSTAT, del se në Greqi në tre mujorin e parë të vitit 2015 ka një rënie të investimeve në 7.5 përqind, produkti i brendëshëm bruto (PBB) u ul në 0,2% krahasuar me tremujorin para ardhës, eksportet u ulën në 0,6%, të mirat materiale nga eksportet u ulën në o,3%, importet u ulën në 0,7%, të mirat material nga importet u ulën në 2,3% dhe shërbimet u shtrenjtuan me 10,8%. Duke qenë se tremujori i fundit i 2014-tës ishte në rënie dhe tremujori i parë i 2015 është në rënie, ekonomia greke konsiderohet në recension.Po ashtu statistikat thonë se Greqia është vendi me nivelin më të lartë të borxhëve për frymë në botë. Borxhe marrin të gjitha vendet në një formë ose në një tjetër, por i lajnë ato në kohë sepse kanë për masë shprehjen shtrihen këmbët sa është jorgani. Greqia është një e vdekur ekonomikisht e pa varrosur, sepse borxhi i saj është sa dyfishi i PBB-së.Kjo situatë ndodh në një kohë që shumë shtetarë e politikanë grek kanë miliona e miliarda në banka jashë Greqisë, vila e pasuri të paluajtëshme në Greqi e jashtë saj dhe kur blihen armatim e paisje ushtarake të gjeneratës së fundit. Kjo e ka emrin korrupsion e keq qeverisje. Këtë korrupsion e keq qeverisje do ta vuajnë grekët vetë, por dota vuajnë edhe mbi 750 mije emigrantët shqiptarë të pas viteve nëntëdhjetë, camët shqipfolës dhe jo shqipfolës, e mbi dy million arvanitas qe kanë derdhur gjakun dhe djersën e tyre për një Greqi më të mirë.
Personalisht më vjen keq dhe ndiejë dhimbje per këtë gjendje ekonomike të pa shpresë të Greqisë. Ndiehem keq kur në media thuhet për një kolaps të mundshëm në një kohë të shkurtër. Nuk do t’ja dëshiroja këtë situatë jo vetën Greqisë ku jetojnë kaq shumë shqiptarë emigrant, camë autoktonë dhe arvanitas, por asnjë vendi tjetër. Por thone se mendja e madhe është e zeza e të zotit dhe se koka bën e koka pëson. Tani pa dhimbje kjo situatë nuk kalohet. Dhimbjet janë shkurtim i administratës , i rrogave, pensioneve, sherbimeve, policisë, ushtrise, fondeve për art, kulturë, shkencë, sport etj gati në 50% dhe qëndrimi në këto nivele për një kohë të gjatë. Shtetëzimi i pasurive të vëna në mënyrë të pa ligjëshme dhe shitja e pasurive publike. Por “tornadoja” mbi ekonominë greke , me rrathët ciklonik mund të marrë me vehte edhe ekonomi të tjera të lidhura me të.Del apo nuk del Greqia nga zona e euros dëmi do të bëhet. Ai do të jetë më i madh në se del dhe këthehet tek monedha kombëtare greke dhrahmi dhe pak më i vogël në se qëndron në euro por zbaton masat shtërnguese të përmendura më lart.
Tani le të këthehemi tek ekonomia shqiptare dhe të shohim se sa e influencuar mund të jetë ajo nga keqësimi i asaj greke. Statistikat tregojnë se sot borxhi i Shqipërisë është zyrtarisht 73%, kur me ligj duhet të ishte deri në 61%. Disa media thonë se borxhi mund të jetë ndoshta në kufijt e 80-90%, por nuk poblikohet me shpresë se do të ulet dhe për të mos ngjallur alarm.Shpresoj që kjo të mos jetë e vërtetë se po të jëtë e vërtetë alarmi nuk është fals. Edhe në këto situata të borxhit të lartë, Qeveria vazhdon të marrë kredi me përqindje më të ulta për të larë ato të më parëshmet, në një kohë që shumë politikanë e zyrtarë të lartë kanë vila luksoze, para në bankat jashtë vendit, pasuri të paluajtëshme brenda e jashë Shqiperisë , nje tablo gati si ajo greke.Ministria e Financave dhe institucionet që merren me statistikat mund të kenë prirjen per ti rrumbullakosur për mirë disa të dhëna ekonomike, por parlamenti është i detyruar të bëjë publik e me transparencën më të madhe ,në radhë të para borzhin dhe rrezikun makro ekonomik që i kanoset vendit nga kolapsi ekonomisë greke dhe veshtirësitë e asaj italiane.
Por pyetja shtrohet se cilët sektorë mund ta tërheqin ekonominë shqiptare në greminën greke? Mendoj se bankat janë të parat, sepse disa prej tyre i kanë bankat të ashtu quajtura “mëmë” me qendër në Greqi. Në se Banka Qëndrore e Shqiprisë(BSH) dhe institucionet financiare qëndrore, tregohet të pavëmendëshme, një skemë e re piramidale do të bjerë mbi ekonominë shqiptare. Po ashtu energjitika, lëndët e para, mjetet e konsumit do të pësojnë një rritje të shpejtë sa mund të bëhen të pa përballueshme për konsumatorin shqiptar.Në këto kushte është domosdoshmëri për qeverinë ,rishikimi i planeve ekzistuese dhe sigurimi i një hapsire ekonomike më stabile ,më e garantuara dhe e përballueshme për nivelin ekoniomik të Shqipërisë.
Si përfundim, jo vetëm për momentin që lidhet me Greqinë, por edhe në të ardhmen e afërt ekonomia shqiptare do të jetë e zbuluar dhe e rrezikuar nga fenomenet e jashtëme në se nuk do të ketë një strategji të vërtetë afat gjate kombëtare.Pavarsisht nga ndërrimi i qeverive disa linja duhet të jenë platform mbi të cilat nuk duhet të luaj askush. Kështu, fiksimi i kufirit të borxhit jo më shumë se 60% dhe perspektiva drejt BE-së, duhet të jetë strategji të shoqeruar me masa makro ekonomike të votuara në parlament me dy të tretat e votave. Zhvillimi i brendëshëm ekonomik lypset të vihet mbi baza më të shëndosha të një platforme kombëtare e jo partiake, mbi baza konkurenca programesh e jo platforma ideologjike. Cdo adresim se ju që shkuat nuk keni bërë asgjë dhe ne që po vijmë po e fillojmë nga zeroja, është e pa pranueshme. Shqiptarë janë të dyja krahët e politikës si liderët dhe zgjedhësit, nuk janë disa atdhetarë e disa armiq të atdhetarisë.

Filed Under: Opinion Tagged With: a po i afrohet, asllan Bushati, GREQISË, Tornado

Le Journal de Dimanche: Shqipëria 1913, shteti i ri në udhëkryq historik

June 3, 2015 by dgreca

Gazeta “Le Journal de Dimanche”, gazete franceze mjaft me zë për kohën, në vitin 1913, fill pas disa kohësh pasi Shqipëria ishte shpallur shtet i pavarur, i kishte dedikuar një artikull vendit tonë.
Në këtë artikull hidhen pikëpyetje rreth asaj se çfarë të ardhme politike, ekonomike dhe kulturore do të ketë Shqipëria.
Lexojeni të plotë artikullin e transmetuar nga Lajm
Kjo është një popullsi luftarake, e pavarur dhe e prapambetur malësorësh energjikë, të shkathët dhe të guximshëm, që të gjithë të armatosur dhe qitës të mirë, myslimanë dhe katolikë, të cilët duan, mbi të gjitha, të jetë të lirë, të jetojnë sipas ligjeve të tyre tradicionale.
Shqipëria, me anë të fuqisë së ngjarjeve aktuale, ka fituar tani autonomi të plotë dhe do të bëhet shtet. Por cilët do të jenë kufijtë e këtij shteti të ri? Si do të lidhet ai me pjesën tjetër të botës? Cila do të jetë e ardhmja e tij politike, ekonomike dhe ndërkombëtare? Cilat janë ndikimet që do të ushtrohen mbi këtë shtet të ri? Askush nuk e di.
Shqipëria misterioze dhe e mbyllur ishte një vend thuajse i ndaluar për udhëtarin, prandaj deri tani kishte mbetur në hije. Por G. L. Jaray (Zhare), duke mos marrë parasysh rrezikun për jetën, arriti’ të vizitojë këtë vend të çuditshëm dhe, në saj të tij ne dimë tani diçka rreth Shqipërisë së panjohur. Gabriel Hanotaux (Gabriel Anoto) na sjell një përmbledhje nga pikëpamja e shqiptarëve:
Nuk kishte rrugë tjetër, Shqipëria duhej të ishte e lirë, por pyetja që shtrohet është: a mund të jetë ajo e lirë? Ajo ka tre besime fetare, mbi të përpiqen të ushtrojnë ndikim tre vende. Edhe historia ka bërë që ajo të jetë vazhdimisht e nënshtruar dhe e provokuar. Kjo është arsyeja se përse ky vend fatkeq dhe i bukur mbeti në stanjacion dhe anarki.
Shqipëria nuk është një vend i vdekur. Përkundrazi, ajo është plot jetë dhe madje mund të themi është në ofensivë të plotë kundër vendeve fqinje. Shqiptari lufton kundër malazezit, spraps serbin, mban të gozhduar grekun dhe shfrytëzon me shkathtësi përpjekjet rivale për asimilim të austriakut dhe italianit.
Ai reziston kudo dhe me energji të madhe nuk kërkon veçse një gjë: Lirinë e vet, armën e vet në mal. Askush nuk e ka mposhtur dhe as do ta mposhtë, përveçse me çmimin e sakrificave të padëgjuara. Por do të jenë sakrifica të kota.
Kjo është një popullsi luftarake, e pavarur dhe e prapambetur malësorësh energjikë, të shkathët dhe të guximshëm, që të gjithë të armatosur dhe qitës të mirë, myslimanë dhe katolikë, të cilët duan, mbi të gjitha, të jetë të lirë, të jetojnë sipas ligjeve të tyre tradicionale.
Ata kundërshtojnë çdo autoritet të jashtëm; nuk janë domosdo armiqësorë ndaj të huave por i shohin me shumë mosbesim veprimet e tyre. Ata janë të vendosur të jetojnë më vete, flasin dialekte të ndryshme dhe deri në vitin 1912, nuk arrinin të merreshin vesh mes tyre. I tillë është ky komb me të cilin Turqisë iu desh të përballej prej shekujsh dhe me të cilin do të përballet Evropa tani e tutje.
Shpesh përdoret shprehja “Ballkani për ballkanasit”. Mirëpo, edhe shqiptarët janë ballkanikë dhe, në fakt, janë të vetmit që kanë mbetur të panënshtruar. Asnjë fuqi nuk ka qenë aq e fortë deri tani, dhe pa dyshim nuk do të jetë aq e fortë, për t’imposhtur. Por, a janë ata vetë të fortë për të mposhtur vetveten, pra për t’u organizuar dhe t’u paqtuar mes tyre? Si do jetojnë ata me fqinjët e tyre, serbët, bullgarët, malazezët, grekët?
A do ta pranojnë muslimanët dhe katolikët dhe, në cilën formë do ta pranojnë, shkëputjen e tyre me Turqinë? Me një fjalë, a do të jetojë dot Shqipëria? A është e denjë për të jetuar?
Këto janë pyetje që shtrohen me urgjencë, por që, tani për tani, nuk kanë përgjigje. Është e fshehta më e madhe e Konferencës së Londrës.

Filed Under: Histori Tagged With: Shqiperia 1913, udhekryqi historik

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 69
  • 70
  • 71
  • 72
  • 73
  • …
  • 79
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT