Lu takim në KQZ: Donald Lu ka deklaruar në takim se pastrimi i politikës nga kriminelët është një proçes me rëndësi të madhe për demokracinë në Shqipëri dhe për për anëtarësimin e vendit në BE./
Ambasadori amerikan Donald Lu ka zhvilluar një takim me kryetaren dhe anëtarët e KQZ.
Burimi pranë këtij institucioni bëjnë të ditur se Donald Lu ka deklaruar në takim se pastrimi i politikës nga kriminelët është një proçes me rëndësi të madhe për demokracinë në Shqipëri dhe për për anëtarësimin e vendit në BE.
Ambasadori amerikan mësohet se gjatë këtij takimi ka vlerësuar vendimmarrjen e deritanishme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Ai theksoi rëndësinë e të gjitha institucioneve zgjedhore, nga KQV-të tek KQZ e deri tek Kolegji Zgjedhor, për të zbatuar ligjin në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme.
Ambasadori nënvizoi rolin jetik të KQZ-së, për të ruajtur demokracinë shqiptare dhe bëri një paraqitje të mbështetjes së qeverisë së SHBA për vëzhgimin vendas dhe ndërkombëtar të zgjedhjeve.
Takimi vjen një ditë pasi Ambasada e SHBA përshëndeti vendimin e liderit te opozitës, Lulzim Basha, për tërheqjen e kandidatit të PD për Këlcyrën, Gentian Muhameti.
Një ditë më parë KQZ vendosi të mos regjistrojë Ilir Pjetrajn si kandidat të PD në Kurbin dhe nga ana tjetër të mos pranojë dorëheqjen e Altin Bibës për të kandiduar për kryetar të Bashkisë së Kurbinit.
Archives for June 2015
Obama foli si shqiptar!
Ilir Levonja-Florida/
Dje në mbrëmje, ndërsa shfletoja faqet e The Daily Caller (Të rejat nga dita) në internet. Erdhi si lajmi më i fundit deklarata e presidentit Obama, në lidhje me pozitat e Shteteve të Bashkuara midis vendeve të tjera në botë. Përfshi këtu jo vetëm ato me potencial ekonomik dhe ushtarak. Por edhe të vegjlit, që ndahen në miq dhe partnerë, etj.
Midis të tjerave ai ngriti si trofe, fundin e luftës në Irak dhe Afganistan. Lidhjet e saposhme me Kubën e vëllezërve Kastro. Si dhe fundin e ankthit të armatimit bërthamor me Iranin. Fjalë për fjalë Obama tha: ”Nën qeverisjen time Amerika u bë vëndi më i respektuar në botë”.
Titulli i parë që u përhap qe, këputja president. Çfarëdo që të thuash ne të besojmë. Një ironi e hidhët. Mbasandaj me mijra komente. Njerëzit ishin të indinjuar. I tërhiqnin veshin. Komentet shoheshin vrullshëm. Shifra rritej, rende. Pjesa më e madhe quanin jo vetëm politikan të dështuar, por edhe aktor komik i dështuar.
Megjithatë kur vjen momenti final, këta njerëz votojnë të qetë. Këta burra shteti ndërrohen plot respekt. Vendi mban frymën. I respekton.
1)Nuk kam një njohje të thellë për sa Obama premtoi dhe sa arriti. Por nga kontaktet me njerëzit, ndiej efektin e një zhgënjimi të madh në raport me ardhjen në pushtet të tij. Ato vite djali nga Hau’ai, u bë një lloj simboli i njeriut që do bënte realitet Eldoradon e Perëndimit. Sidomos në politikat sociale, përkrahja dhe siguracionet shëndetësore etj. Kjo sapo ka filluar të aplikohet. I bie plot 6 vjet më pas nga fushata e dimrit të 2009-ës.
Por ai qe dhe një risi, madje një ëndërr e njerëzve me ngjyrë për të patur një president nga soji i tyre.
Atë kohë vendi vinte si i demoralizuar nga kriza ekonomike e 2008-ës. Kështu në atë dimër vërtet të ftohtë, ai u bë një mesie. Dhe disa politika sociale, apo edhe ekonomike dhanë efektet e duhura. Si lëvrimi i kreditimit duke simuluar blerësit, në marrëdhënie me bankat.
Por ashtu si në mjeksi, efekti anësor i ilaçeve, edhe këto reforma kanë sjellë disa pasoja. Më e përfolura, stimulimi kartave ushqimore tek njerëzit me të ardhura të pakta. Ku pjesa dërmuese e tyre përbëhen nga njerëz që nuk duan të punojnë. Nga femra, qofshin me ngjyrë apo pa ngjyrë, që krijojnë familje me shumë fëmijë dhe baballarë të ndryshëm. Kjo për të përfitur. Të drejta studimi, qera të ulëta dhe kujdestari etj. Gjen me shumicë gjyshe tridhjetë e pesë vjeçare. Dhe njëzetë vjeçare me dy fëmijë apo tre fëmijë. Vetëm për të përfituar nga këto të ardhura nga ndihma sociale. Ku sipas shumë njerëzve, konsiderohet si degradimit i vatrës familjare amerikane. Shpesh plot nga të njohurit, tregojnë raste kur mblidhen në ndonjë event familjar, babai i motrës së madhe, babai djalit dhe burri i radhës. Madje, ky i djalit të lidhet me shoqen e vajzës së babait tjetër.
Shkurt, Obama me politikat e tij, nuk i parandaloi. Por i simuloi.
2)Për sa i përket politikës së jashtme, mbarimit të luftës në Irak apo Afganistan. Lidhjet me Kubën. Ka akoma më shumë indinjatë.
E para, për faktin se disa mendojnë se tërheqja nga lindja e mesme, nuk dha rezultatin e pritshëm. Sot Iraku është një shtet i pastabilizuar. I paftë të qeveriset. Po ashtu Afganistani. Lindi konflikti sirian, pranvera arabe apo dhe së fundi Isis.
Pra mbarimi i luftës, që në fakt ishte tërheqja e trupave nga andej, nuk solli pritshmërinë e duhur.
E dyta. Kina sapo i tregoi forcën në detet rreth saj. Me Moskën marrëdhëniet janë të ngrira për efekt të ndërhyrjes në influencën ruse. Konflikti i Ukrainës. Strehimi që i dha Eduard Snouden-it. Njeriut që nxorri të dhënat kompjuterike etj.
Kuba nuk është asgjë tjetër veç një legjitim për ata kubanezë që jetojnë këtu,të privuar nga regjimi komunist. Një lëshim i Guantanamos. Apo hapja e portave nga Raul Kastro do të shtojë prurjet e refugjatëve. Kubës i ka vajtur atje ku nuk mban më.
Madje shumë e konsiderojnë si një lëvizje të padobishme edhe për faktin se duket sikur po ndihmojnë vëllezërit Kastro, nga një largim i butë prej pushtetit.
Si përmbledhje e të gjithë kësaj vërshime komentesh e ironish të hidhta. Eshtë retorika e Obamës ajo që nuk u pëlqen njerëzve. Për ta realiteti nuk është ai që thotë Presidenti.
Ndjesia njerëzore nuk është ajo. Amerikanët ndihen të zhgënjyer. Dhe kanë filluar të thërrasin bufon. Butaforik. Qënie e komanduar skenike. Jo mesia me ngjyrë që i ngriti më këmbë.
Pra ata, nuk ndihen të respektuar. Për rrjedhojë as Amerika.
3)Si shqiptar mua gjithmonë më vete mëndja në vendin tim. Bëj krahasime. Përfytyroj. Madje i frymëzuar nga një kalim pushteti. Nga një debat televiziv, nga mënyra se si bëhet fushata. Si flasin kundërshtarët me njëri-tjetrin. Hidhem ëndërrues edhe në vendin tim. U kam shkruar personalisht edhe pushtetarëve aty se si të ndërrojnë pushtetin. I shkruajta Berishës që të priste Ramën tek dera e Kryeministrisë. Pasi gjykoja, gjykoj edhe sot se ai vend ka nevojë tashmë për një risi në politikë bërje. Po gjithmonë mbeta naivi. Ai që nuk e kupton se çfarë është komunikimi ndër kundërshtarë në politikë.
Madje nuk shoh as reagime të tipit Daily Caller. Ku njerëzit t’i kujtojnë politikanëve se ku dallon retorika nga realiteti. Nga jeta e tyre. Por aty ka vetëm thirrje e lavdi. Rroftë, pa pushim. Rroftë përjetësisht. Ka manovra se si të marrim edhe Lefterinë e të japim Blushin. Si të përplasim dy kuksianë demokratë, për një kryqëzim në dalje të Tiranës.
Nxjerrja nga arkivat e ndonjë fotoje me një të burgosur. Kilet e Nanos në tragetin e liqenit të Fierzës.
Në ato pak sekuenca vizive fushate. Dominon retorika e ndërsimit të turmës me turmën. Marrja nëpër gojë e kundërshtarit, me mllefin e shpirtit, jo planet konkrete. Se si të dali nga depresioni vendi i ”lulëzuar” i Edi Ramës. Një retorikë e tillë si ajo e ditës së diel në Vlorë. Përpara…, një grupi simpatizantëve, jo popullit. Kuvajti, do na japi miliarda. Dhe ky djali këtu, di si t’i kollondrisi.
Po frymëzojmë një popull me ndjesinë e pritjes. Për para kredish, para të dhuruara. Me pritjen e një shiu parash nga qielli. Por më e keqja, me pasionin për të shpërfytyruar njëri-tjetrin. Të bindur se kështu bëjmë reforma.
Të dekriminalizohet kuvendi!
NGA ILIR HASHORVA,New York/
Ç’do të thotë të dekriminalizohet kuvendi?
“Të largohen apo të mos mund të bëhen dot deputetë disa persona me të shkuar kriminale, disa persona me veprimtari si të Al Kapones,” – është mendimi i përgjithshëm. Por, në qoftë se do të largohen apo do t’u pengohet hyrja në kuvend këtyre personave, vërtet do të përmirësohet ai kuvend, vërtet do të dekriminalizohet?
Mendoj se të kuptuarit e çështjes në këtë mënyrë është shumë e cektë. Kriminel nuk është vetëm ai klasiku, ai që të ngul thikën para apo pas shpine; ai që të vjedh apo të grabit në kundërshtim me ligjin; ai që të rrëmben, të mban peng apo të përdhunon; por është edhe ai që, pa shkelur ligjin, madje, në emër të tij, pa e kuptuar edhe ti vetë, të dëmton dhe të dëmton rëndë.
Kur Ali Pasha ishte ende në mal, kur vidhte e grabiste, kur vriste e përdhunonte, një ditë, pasi kishin vjedhur një cjap së bashku me bashkëluftëtarin e tij, Sulon, pasi e poqën dhe filluan ta hanin, nisën një bisedë:
– Sulo, kështu do të hamë përditë, prit sa të marrim kryen e vendit.
– Po atëherë, nuk do të vjedhim dot, se do të na shohin e do të jetë turp.
– Do të vjedhim Sulo, do të vjedhim e nuk do të na shohin, do të vjedhim me ligj.
Të dekriminalizojmë vërtet kuvendin, do të thotë që ai kuvend të paraqesë, të diskutojë dhe të miratojë ligje të drejta e morale; do të thotë që kuvendarët, para se të miratojnë një ligj, të mos pyesin: “ç’përfitoj unë nga ky ligj?”; do të thotë që kuvendarët të mos miratojnë ligje që u vinë në ndihmë kusarëve, grabitësve e mashtruesve se, po bënë kështu, bëhen të gjithë ata vetë kriminelë dhe kuvendi mbetet i kriminalizuar.
Nuk ish gjë hajduti malit, ai vidhte atje ku kish, por hajduti brenda gardhit, të thyen brinjë e kërbisht, – thotë populli.
Dhe kuvendi ynë, që nga ai i pari i vitit 1992, ka miratuar disa ligje që në vetvete janë kriminale dhe është për t’u habitur se të gjithë: “të majtë” e të “djathtë”, edhe pse për ligje të tjera krejt të parëndësishme kacafyten keqas me njëri tjetrin, për këto ligje (po të përdorim një neologjizëm të Edi Ramës) janë në “dakordësi” të plotë.
Disa prej këtyre ligjeve po i rendis më poshtë.
Një kuvend që ka miratuar ligjet e pronave që kemi, është kuvend kriminal. Të vendosësh që pronën e X-it, që ia ka marrë apo grabitur Y-i, t’ia ligjërosh Y-it dhe t’i thuash X-it se po ia “kompenson” financiarisht, ke hartuar dhe ke miratuar një ligj të pastër kriminal. Përse? Së pari, se ke promovuar vjedhjen dhe grabitjen dhe ke vrarë ligjshmërinë, ke mbrojtur shkelësin e ligjit dhe ke dënuar respektuesin e ligjit. Së dyti, ç’të drejtë ke ti që të marrësh paret e taksapaguesve shqiptarë dhe, në vend që t’i shpenzosh ato në dobi të vendit, në dobi të përgjithshme, shkon e ua jep atyre të cilëve u ke marrë pronat për t’ua dhënë të tjerëve? Së treti, vetë pronaret, të cilëve u ke marrë pronat, nuk duan shuma qesharake parash kompensimi, para që shumica nuk do t’i marrin në jetë të jetëve. Ata duan pronat e tyre. Së katërti, metoda e kompensimit financiar nuk është krijuar për të dëmshpërblyer vërtet në njëfarë mënyrë të gjithë ata të cilëve u janë grabitur pronat, por për të ngushëlluar me pak para një grusht të vogël ish-pronarësh të afërt me pushtetin si dhe për të shpërblyer një numër zyrtarësh, përsëri të lidhur me pushtetin, të cilët e shfrytëzojnë postin e tyre për të marrë ryshfete prej atyre të cilëve u akordojnë njëfarë kompensimi. Ka edhe aspekte të tjera shumë negative që lidhën me tjetërsimin e pronave, por edhe kaq mjafton për ta karakterizuar ligjet e pronave si kriminale dhe kuvendin tonë që ka miratuar ato ligje si kriminal. Të mos harrojmë se ligjet e pronave janë hartuar që në vitin 1992. Që në këtë kohë kuvendi mori fytyrën e një institucioni kriminal dhe që në këtë kohë u ka dhënë të drejtën kryetarëve të qeverive, por edhe zyrtarëve të rangjeve më të ulëta, që të dalin e të mburren lart e poshtë nëpër Shqipëri, duke shpërndarë vërtetime pronësie për pronësi të grabitura, madje të futen edhe në garë për numrin e vërtetimeve që ka lëshuar njëri apo tjetri dhe të lënë dyerve të zyrave të shtetit dhe të gjykatave që prej 25 vjetësh ata të cilëve iu grabitën pronat. Ç’interes kanë për këtë? Ata përdorin pronat e grabitura për të blerë votat.
Një kuvend që miraton ligje për të shtuar herë pas here pagat dhe privilegjet e anëtarëve të tij, në një kohë kur niveli i jetës së shtetasve ulet e taksat ngrihen, është kriminal. Anëtarët e kuvendit janë bërë nga njerëzit më të pasur të këtij populli të varfër. Që në vitin 1992, nga ligjet e para që miratoi kuvendi, ishte ai i pagave dhe i privilegjeve të deputetëve. Presidenti i asaj kohe, Ramiz Alia, ua ktheu mbrapsht kërkesën deputetëve dhe një deputet i zemëruar i asaj kohe, tha: “Vetëm zogu knon pa lekë”. Sipas tij, fjalët që thonë deputetët në kuvend janë perla e kaluar perlave që duhen paguar dhe duhen paguar mirë. Kuvendi e miratoi ligjin për përfitimet e deputetëve dhe që nga ajo kohë ato përfitime u shtuan herë pas here.
Një kuvend që, në vend që të merret me ideimin dhe hartimin e ligjeve të mira e të drejta për popullin dhe vendit, merret me grindjet rrugaçësore midis anëtarëve të tij, është kriminal. Ja një grindje e kohëve të fundit e zhvilluar në kuvend:
Koço Kokëdhima: “Fillimisht dëshiroj të shpreh pakënaqësinë time për z. Ristani, i cili u zgjodh të përdoret nga Saliu në këtë seancë kundër meje. Ristani është nip në fshatin tim. Gjyshi i Ristanit ishte Pllatua. Pllatua ishte kushëri i parë me gjyshin tim. Pllatonin e kishte bërë Baxhia, motra e Mitros. Mund të kishte zgjedhur Saliu një burrë tjetër për ta përdorur kundër meje. Kam një këshillë për ty Ristan, se të ndoqa me vëmendje atë natë në Komisionin e Mandateve. Ishe i dehur në atë Komision. Ishe bërë dhogë dhe kjo të turpëron tri herë. Një herë si nip në fshatin tim, njëherë si kushëri i imi dhe një herë si deputet i opozitës” (të gjithë anëtarët e shumicës në parlament gajasen).
Arben Ristani: “Për sa i përket marrëdhënieve të mia me Kokëdhimën m’u kujtua një shprehje e të parëve të mi që thoshin: “Në fshat ka qenë një rregull që mos të bënin krushqi me Kokëdhimat”. Tani që po e shikoj Kokëdhimën, e kuptoj se pse ata kishin të drejtë” (të gjithë anëtarët e pakicës në parlament gajasen).
Në vend që deputetët të vlerësohen nga idetë që hedhin dhe nga mbrojtja e atyre ideve, vlerësohen nga sharjet që shkëmbejnë midis tyre kur grinden, nga ato që quhen “batuta” e që janë thjesht budallallëqe e banalitete. Për këto marrin ato paga të larta dhe sigurojnë një mori privilegjesh të tjera, të gjitha të paguara nga populli i varfër shqiptar.
Një kuvend që vendos të ketë 140 përfaqësues në një vend të varfër me më pak se 3 milionë banorë, dhe këta t’i mbajë me të gjitha të mirat, është kriminal. Vende shumë më të mëdha me popullsi se Shqipëria dhe me shumë më shumë probleme reale se Shqipëria, kanë shumë më pak përfaqësues. Përveç kësaj, mbi gjysma e deputetëve janë thjesht parazitë, janë thjesht mumie që, as nuk japin dhe as nuk marrin, as nuk flasin as nuk dëgjojnë, as rrinë e as ikin. Edhe të tjerët që flasin jo se kanë ndonjë mendim personal, ata thjesht shquhen në zotësi për të mbështetur ato që thotë i pari i tyre.
Një kuvend që miraton ligje për financimin e partive politike si dhe të fushatave të tyre zgjedhore tepër të kushtueshme, është kuvend kriminal. Përse duhet të paguajnë shqiptarët para për të mbajtur ato farë partish politike? Përse duhet të paguajnë shqiptarët fushatat zgjedhore të atyre partive të cilat mbledhin dhe paguajnë mijëra njerëz që të dëgjojnë e t’u bëjnë dekor disa injorantëve që mbajnë gjoja fjalime në të cilat përsërisin pa pushim budallallëqe e banalitete të neveritshme? Dhe, të mos harrojmë: financimi i partive politike shtohet nga viti në vit, ashtu siç shtohen dhe pagat dhe privilegjet e deputetëve. Partitë të vetëfinancohen nga anëtarët e tyre dhe të mos marrin asnjë lek nga buxheti i shtetit, nga paratë e popullit, përndryshe, parlamenti mbetet kriminal.
Një kuvend që nuk është në gjendje të nxjerrë një ligj për të qenë për të zbuluar krimet dhe kriminelët e komunizmit, është vetë kriminal. Ka 25 vjet që flitet për hapjen e dosjeve, për gjënë më të lehtë që mund të bënte shoqëria shqiptare, për të zbuluar dhe për t’u ndarë me të shkuarën mizore komuniste dhe kuvendi nuk e bën.
Për deri sa kuvendi do të vazhdojë në këtë mënyrë, sado Mark Froqër të largojë apo të fusë në burg, ai është dhe do të mbetet kriminal.
Nju Jork, 26.05.2015
Arkitektura e Vlores ne 50 vjet ne gjykimin e Arben Meksit
Nga Gëzim Llojdia/
1.Thuhet se :arkitektura është arti dhe shkenca e projektimit të ndërtesave dhe strukturave. Dhe se : arkitektura shpesh merret me përpunimin e hapësirës, vëllimit, formës, dritës, hijes dhe elementeve abstrakte për të arritur një përfundim estetik. Arben Meksi njohu tridhjetë vjet pune si arkitekt në qytetin e tij të lindjes.Arben Meksi bënë 20 vjet pune në një ndër gjinitë e njohura si karikatura, por që po shkon drejt zhdukjes me ikjen e këtij brezi.
Mirëpo, çfarë mund të ketë në brendi shpirti i artistit arkitekt?Po citojmë thjeshtë thënie të tij:Veprat e botuara, me të mirat e krijimtarisë time si pjesë e historisë ndërtimore të qytetit janë një arkiv i hapur për cilin do që është interesuar për arkitekturën nga pikëpamja profesionale apo historike.
Mirëpo ku qëndron thelbi i punës së një arkitekti?
A.Meksi:Çdo arkitekt e ka te qarte se suksesi i një vepre, nuk qëndron te objekti ne vet vete, por te pozicionimi urbanistik dhe peizazhi natyror apo urban. Arkitektet: me punën e tyre formojnë apo deformojnë ndërgjegjen estetike te brezave, me format e tyre ata modelojnë shijen njerëzore, prandaj me te drejte arkitekti i madh Le Corbusier ka thënë:” Arkitektura është loja e mençur e volumeve nën drite. Në arkitekture me material bruto mund te besh një drame”. Arkitektura akumulohet pa vetëdije ne ndërgjegjen tonë , sepse në bashke jetojmë me të përditë, ajo kthehet në një kujtese të ngurtësuar dhe imazhet e saj na shoqërojnë kudo që jemi. Duke kujtuar qytetet kudo në botë, e para që vjen në mendje është arkitektura e tij, prandaj dhe ky profesion është sa i vështirë aq dhe i përgjegjshëm, me jetëgjati, sepse arkitektura jeton me shume se një brez. Arkitektura është si njeriu, ka personalitet. Veprat ne arkitekture haptas apo ne mënyrë të fshehte ushtrojnë mbi ne pushtetin e vet të paperseritshëm. Domosdoshmëria e njeriut për t’u rrethuar nga bukuria është shenja e këtij pushteti.
Te ndërtosh dhe te besh arkitekture janë dy gjera te ndryshme. Natyrisht mund te bëheshin projekte me te mira por arkitekti duhet pare si pjese e shoqërisë ku jeton dhe punon. Ai bashkudhëton me ekonominë, pushtetin, psikologjinë, kulturën dhe mentalitetin e mjedisit, që e rrethon, prandaj arkitektura më e drejtë është përcaktuar si: “Vullneti i një kombi i ngritur në hapësirë”. Arkitektura është mjaft selektive. Ne arkitekture nuk mbahen mend ata, që kane projektuar shumë, por ata që kanë projektuar sakte. Prandaj arkitekti më i mire i çdo qyteti nuk është individi, por koha.
Vitet pas vendosjes se demokracisë sollën ndryshime të mëdha në arkitekturën e qytetin tonë. Prona private mbi truallin, futja e teknologjive të reja në projektim , mekanizimi i proceseve të ndërtimit, ardhja e specialisteve nga emigracioni, kontaktet me arkitekturën botërore, reflektuan edhe ne arkitekture. Jo me kot arkitektura e re e Vlorës e 15 viteve te fundit po tërheq vëmendjen e qytetareve brenda dhe jashtë saj. Cilësia e ndërtimeve, materialet e reja, linjat e kurbëzuara, arkitektura plot drite ( edhe pse e tepruar me ballkone) I japin arkitekturës vlonjate një pamje te veçante. Në këto vite, ne arkitektet se bash-ku me ndërtuesit, kemi qene bashkëkohësit e qytetit, autoret dhe aktoret e tij, duke shkruar këtë pjese të historisë se qytetit, te mbushur me pune dhe ngjarje të mëdha.
2.Vlora nga një qytet horizontal, i shtrire dhe linear me ndërtime 3-5kate, po kthehet në qytet vertikal me godina 10-13 kate. Nga pikëpamja urbanistike ajo po zhvillohet në formën e një aragoste, ku rruga Vlore-Skele është aksi kryesor i qytetit, shtylla kurrizore,nder-sa dy krahët e saj janë ndërtimet drejt Ujit te Ftohte dhe Zvernecit.
Ky bum i madh ndërtimesh jo vetëm i dhanë një fizionomi tjetër
qytetit,por krijuan edhe një brez arkitektesh,që me punën e tyre
hodhën bazat e shkollës vlonjatet arkitekturës.Kjo duket qartë në Skele, ku janë dhe ndërtimet me cilësore të qytetit si dhe në shëtitoren Skele-Uji i Ftohte apo në rrugën Adriatiku (Transballkanike). Ndryshe nga profesionet e tjera, profesioni i arkitektit ka fatin e madh te jete i dobishëm,i prekshëm nga njerëzit, i lavdërueshëm apo i kritikueshëm. Arkitektet janë njerëz vizionar, futurist, ata modelojnë mentalitetin e njerëzve duke kuptuar se qyteti nuk i takon vetëm një brezi. Vlora është një qytet qe nuk t’i fal gabimet, me kalimin e viteve ajo ka fuqinë t’i zmadhoje ato, sepse ka natyre te bukur ku asnjë arkitekture nuk mund ta konkurroje. Arkitektura është profesion i vështirë, kompleks. Për këtë arsye arkitekti dhe kritiku i madh amerikan Peter Eisenman u drejtohet të rinjve me këshillën : ” Mos u bëni arkitekt, veçse po patet arsye te forta te brendshme qe jua detyrojnë një gjë te tille”. Arkitektura është sa individuale, po aq edhe kolektive. Arkitekti krijon mjedis te ri, duke punuar me mjete qe koha i ofron, këtë gjë ai nuk mund ta bej vetëm. Arkitektura është rregull, harmoni dhe te kërkosh harmoninë, përfaqëson, pasionin me te bukur njerëzor. Qëllimi final i saj është njeriu. Njeriu nuk rrezikohet aq nga natyra sesa nga mjedisi material qe ndërtohet prej tij. Arkitekti është transformuesi i natyrës, zbukurues apo dëmtues i saj. Duke pare arkitekturën shqiptare ne përgjithësi, te vjen keq për disa forma arkitektonike te perënduara, pa plastike , për disa volume qe evokojnë një te sotme pa te ardhme, me një arkitekture as kombëtare as ndërkombëtare. Me to drejte, arkitekti Maks Velo thotë:” Arkitektura qe duhet te jete iluzion magjike, kthehet ne fushe shokuese dhe anti-njerëzore”. Ajo vepron në mënyrë shkatërruese ,gërryese,kordon, dhe dëmton rëndë ndërgjegjen njerëzore.
3.
Arkitekti A.Meksi ka projektuar një sërë objektesh në qytetin e Flamurit. Një ndërtesë që u projektua për hotel nuk arriti kurrë të përfundoj. Ky është hoteli në qendër të Vlorës.
Konfigurimi i sheshit të Flamurit në Vlorë, zbuloi nga mesi i viteve 80 ,një tablo të portretit të vetën të sheshit historik, një hotel shumëkatësh që gjithsesi shënonte për banorët e këtij qyteti ,një ëndërr e ëndërruar u mbushën me dritë,veten e zgjuan,ku mëndja u ra pre dhe u mugulluan sytë. Qyteti gjithë kohën kishte mbetur me një turizëm të vjetruar diku ndanë një udhe pa ndriçim netëve,ku errësira ndihej thellë e më thellë. Në c’orbitale vërtitej mendimi,tek drejtuesit e shtetit që qyteti të kishte një hotel në qendrën historike të tij?
Mënyra se si do të rrëfej arkitekti A.Meksi është e lidhur pikë së pari me elementin kohë.
Ky objekt i ndërtuar në vitin 1985, mbeti i pa përfunduar duke qëndruar ne qendrën historike të qytetit si karabina për gati 30 vjet. Grupi i projektimit në atë kohe beri një pune serioze, me kërkesat dhe normativat e asaj kohe. Me kalimin e viteve dhe me ndryshimet ne pronësinë e objektit dhe të truallit te ndërtimit si dhe me kërkesat e reja të kohës, ky objekt duhej transformuar.
Si projektues dhe bashkautor i projektit te vitit 1985 me kërkesën e investitorit u ngrit grupi i ri i projektimit të përbëre nga arkitekt të talentuar, profesor në Universitetin Politeknik të Tiranes : Elton Qepali, Florian Luzi, Oltion Luga. Konstruktor : Erion Bukagi, Besion Meksi. Këta tre arkitekt te talentuar dhe me pasion, punuan tre zgjidhje të tjera, të cilat ndryshonin nga njëra tjetra në konceptimin e kullës së hotelit, anën funksionale, pozicionin urbanistik dhe trajtimin arkitektonik. Këto tre zgjidhje po paraqiten në këtë katalog. Puna u përqendrua në dy drejtime :
1. Të qëndronte projekti i ndërtuar i hotelit me ndryshime ne funksion arkitekturën dhe konstruksionin
2. Të prishej hoteli ekzistues dhe të projektohej holli i ri, me program te ri , qe plotësonte kërkesat e një hoteli me katër yje. Pasi u punua disa muaj me zgjidhjen e pare duke ndryshuar funksionet, duke e zgjeruar objektin nga pjesa veriore me një qendër të re tregtare, duke zmadhuar dhomat e fjetjes, kuzhinën, baret restorantet, pishinën e re, u pa se dolën shumë probleme. Në objektin ekzistues mungonin parkimet nëntokësore qe ishin te domosdoshme. Por gjëja me kryesore ishte amortizimi i strukturës beton arme e cila ishte e dëmtuar nga vitet. Kjo doli qartë edhe nga provat dhe sondazhet e konstruksionit. Kështu u kalua në zgjidhjen e dytë. Hoteli u projektua nga fillimi. U ndryshua forma e kullës, u shtuan shume mjedise te reja, u rrit kulla në lartësi u bene parkimet nëntokësore, u nda funksionalisht hoteli nga qendra tregtare. Projekti i ri i paraqitur, i plotësonte kërkesat për një hotel me katër yje. Edhe pse grupi i projektimit punoi me pasion dhe përkushtim, edhe këto zgjidhje nuk i kënaqen kërkesat e investitorit, i cili dëshironte një hotel më të madh, në gjatësi dhe lartësi. Kjo kërkese e tij ndryshonte, formën, funksionin dhe arkitekturën e zgjidhjeje të paraqitura. Grupi i projektimit nuk ishte dakord me këto mendime te investitorit, aq me tepër qe projekti kishte përfunduar. U ndamë nga investitori me mirëkuptim,duke qëndruar ne mendimin se projekti i bere nga grupi i punës ishte më i përshtatshmi për sheshin historik të Flamurit. Prandaj ky projekt ngelet një ëndërr e pa realizuar
Koha kur stacioni i trenit u realizua në qytetin jugor i përkiste mesviteve ‘80.Ardhja e trenit të parë sigurisht që priste stacionin për të cilën arkitekti A.Meksi e konceptoi me një vëllim të plotë horizontal,me dy kate pa thyerje të tepërta, dhe befasia shfaqej te interierë te zbukuruar me vepra arti, mozaik, pllaka të derdhura gipsi përë ktë veprës arkitekti Mkesi shkruan:
Stacioni i trenit:Objekti ishte konceptuar me një vëllim të plotë horizontal,me dy kate pa thyerje të tepërta,me linja te drejta ku funksioni reflektohet ne forme me një theksim n pjesën e hyrjes kryesore. Në hollin kryesor, shpjegon arkitekti Arben Meksi,ndodhen shërbimet për udhëtarë,e cila ka lartësinë e dy kateve (më e madhja e stacioneve në vendin tonë) është orientuar me gjerësi nga ana e personit. Për zgjidhjen funksionale është patur parasysh që rruga shesh-stacion-person të jete sa më e shkurtër dhe pa pengesa. Dalja e pasagjereve,që vijnë me tren bëhet përmes një nënkalimi në pjesën veriore të godinës. Në katin e dytë ndodhet restoranti me kuzhinën dhe një bar i hapur. Të dy këto mjedise shikojnë nga salla e udhëtarëve. Interieret janë zbukuruar me vepra arti, mozaik, pllaka të derdhura gipsi. Mirëpo çfarë ndodh sot pas 25 vjetësh dhe kujt mund ti hyjë në punë kjo godinë? Treni nuk do të vijë më deri tek ky stacion. Stacioni i ri gjendet më larg qytetit dhe ky objekt në të ardhmen mund të transformohet në qendër polifunksionale dhe argëtimi për të rinjtë, thotë arkitekti i njohur i këtij qyteti,njëhershëm edhe karikaturist i shquar.
Shkenca kosovare përfaqësohet në Konferencën për Menaxhim Strategjik
Nga Ismet Azizi/
Konferenca e majit për Menaxhim Strategjik, organizuar nga Fakulteti i Inxhinierisë në Bor, mblodhi këtë vit një numër të madh të ekspertëve në menaxhimin nga vende të ndryshme të botës. Në kuadër të konferencës dy ditore u mbajt Simpoziumi, në të cilin u paraqiten me punimet e tyre studiues nga Serbia dhe vendet e tjera evropiane. Në mesin e këtyre studiuesve të shquar me punimin e vet u prezantua edhe studiuesja nga Kosova, Xhenana Azizi М.Sc..
Studiuesja nga Kosova, Xhenana Azizi, deri më tani ka marrë pjesë në: HYPERLINK “http://www.basim.edu.mk/images/Zbornik%20III%202014.pdf”Тhird International Scientific conference “Contemporary management challenges and the organizational sciences” në Manastir të Maqedonisë të mbajtur më 24-25 tetor 2014, me punimin: CHANGE MANAGEMENT AND MAINTENANCE OF CONFLICT AS A CONSEQUENCE OF CHANGES. Mandej, në Forth international scientific conference në Bansko, Republic of Bulgaria 17-19 prill 2015, me punimin:THE IMPORTANCE OF IMPLEMENTING ENTERPRISE RISK MANAGEMENT.
Ndërsa në International May Conference on Strategic Management – IMKSM 2015, e mbajtur më 29-31 maj 2015, në Bor të Serbisë, paraqiti me plot sukses punimin e sajë; DEALING WITH RISK MANAGEMENT IN SMALL AND MEDIUM ENTERPRISES.
Vlen të përmendet se Xhenan Azizi, në Bor u pranua shumë mirë, në mënyrë të barabartë me gjithë pjesëmarrësit tjetër nga vendet tjera evropiane, ku përfaqësoj shtetin e vet me flamurin e Republikës së Kosovës.
Konferenca Ndërkombëtare e majit për Menaxhimin Strategjik, të cilin Fakulteti Teknik i Borit e organizon për herë të 11-të me radhë në Bor ka tubuar këtë vit ka shumë ekspertë nga institucionet e njohura të arsimit të lartë nga brenda dhe jashtë Serbisë për të studiuar shkencën e menaxhimit.
Që kur para katër viteve kjo konferencë mori tretman ndërkombëtar, numri i pjesëmarrësve është rritur dukshëm, që ka rëndësi të madhe jo vetëm për shkëmbimin e përvojave, por edhe për inkurajimin për hulumtime të mëtejshme shkencore.
Prof. Dr. Ivan Mihajloviq, kryetar i Komitetit Organizativ të konferencës thotë. “Ajo që është gjithashtu e rëndësishme është fakti se Konferenca është radhitur në rang botëror, ndërsa në këtë vit ka më shumë se 200 ekspertë nga Serbia, Brazili, Shtetet e Bashkuara, Finlanda, Kosova dhe do të prezantohen rreth 100 punime shkencore”, transmeton HYPERLINK “http://www.rtvbor.rs/drustvo/18319-pocela-11-internacionalna-majska-konferencija-o-strategijskom-menadzmentu.html” rtvbor.
- « Previous Page
- 1
- …
- 73
- 74
- 75
- 76
- 77
- …
- 79
- Next Page »