• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2015

KOSOVA 38 KOMUNA, 10 ME SHUMICË SERBE

July 31, 2015 by dgreca

-Kryeministri Mustafa viziton Ranillugun, komunë me shumicë serbe/
Nga Behlul Jashari/-PRISHTINË, 31 Korrik 2015/-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga disa ministra ka vizituar të premten komunën e Ranillugut, ku u prit nga kryetari Gradimir Mikiç, me të cilin kanë biseduar për aspektet kryesore që lidhen me jetën e qytetarëve.
Kreu i qeverisë së Kosovës vlerësoi punën dhe angazhimin që po bëhet në çështjet jetike të qytetarëve, siç janë ato që kanë të bëjnë me objektet e infrastrukturës dhe me projektet e tjera zhvillimore.
Duke folur për Buxhetin e kësaj Komune, kryeministri Mustafa theksoi nevojën e gjetjes së mundësisë që grantet dhe subvencionet qeveritare t’u përshtaten kritereve të popullatës, e cila është më e dendur në këtë komunë, dhe e cila ka hapësirë më të vogël të tokave në krahasim me pjesët tjera të vendit. “Unë konsideroj se ishte një vizitë shumë e rëndësishme dhe ne duhet të kapemi në këto probleme jetike, sepse kur t’i zgjidhim këto probleme jetike të qytetarëve, pastaj zgjidhen edhe problemet e tjera”, theksoi kryeministri Mustafa.
Kryetari i Komunës së Ranillugut, Gradimir Mikiç, u shpreh i nderuar me vizitën e kryeministrit Mustafa, duke e informuar për punën që po bëhet në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Mikiç theksoi se kanë hasur në mirëkuptim nga ana e kryeministrit, duke e falënderuar për qasjen dhe vendosmërinë e tij që të zgjidhen këto probleme. “Për disa gjëra kemi gjetur menjëherë zgjidhje, gjë që tregon që kjo vizitë nuk është vetëm formale, por edhe përmbajtjesore, ku kërkohet mënyra e zgjidhjes së çështjeve, ku kërkohet zgjidhja problemeve me të cilat ballafaqohet Komuna”, tha Mikiç, një nga përfaqësuesit e komunitet serb në institucionet e Kosovës dhe kryetarët e 10 komunave me shumicë serbe.
Mitrovica e Veriut është komuna më e re, e 38-ta e Kosovës, e 10-ta me shumicë serbe, e 5-ta pas Graçanicës, Kllokotit, Ranillugut e Parteshit, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të kryenegociatorit Ahtisaari – emisarit special të OKB-së.
Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.
Edhe Mamusha është një nga komunat e reja të Kosovës, e vetmja ku shumicë është komuniteti turk.
Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, 92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 % serbë, 1.08 % turqë, etj.
Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.
Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen e veriut në regjistrim. Në veri të Mitrovicës dhe tre komuna tjera veriore – Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan, ku është refuzuar regjistrimi i popullsisë, sipas një shifre që e kanë përmendur autoritetet kosovare, jetojnë rreth 40 mijë serbë.

Po sot, gjatë qëndrimit në Kamenicë, kryeministri Isa Mustafa është takuar fillimisht me kryetarin e Komunës, Begzad Sinani dhe udhëheqjen komunale, ku është biseduar për zhvillimet kryesore në Kamenicë.

Më pas, kryeministri Mustafa, i shoqëruar nga ministrat dhe kryetari i Komunës, kanë vizituar objektin e banimit social dhe biznesin për prodhimin e kërpudhave “Fungo FF”, në Kamenicë.

Filed Under: Featured Tagged With: komuna me shumice serbe, komunat e Kosoves 38, Kryeministri Mustafa

KOSOVA DO NDIHMOJË ARSIMIN SHQIP NË MAL TË ZI

July 31, 2015 by dgreca

-Ministri Bajrami u prit në Mal të Zi nga ministri i Arsimit dhe ministrja e Shkencës-
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 31 Korrik 2015/-Ministri kosovar i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami po qëndron në vizitë zyrtare në Mal të Zi, ku sot ka pasur takime të rëndësishme me udhëheqës të institucioneve më të larta të arsimit dhe shkencës, me të cilët ka biseduar për mundësitë e bashkëpunimit.
Ministri Bajrami është pritur nga ministri i Arsimit i Malit të Zi, Predrag Boskoviç, me të cilin është pajtuar për bashkëpunim në të gjitha nivelet e arsimit. “Me ministrin Boshkoviç, u pajtuam për bashkëpunimin në fushën e shkëmbimit të përvojave akademike universitare në të mirë të ngritjes së cilësisë, e po ashtu edhe në aspektin e integrimeve regjionale dhe evropiane”, bëri të ditur ai.
Ne, theksoi ministri Bajrami, u pajtuam plotësisht që të ndihmojmë arsimin shqip në të gjitha nivelet në Mal të Zi, që të krijojmë një cilësi në shkollat shqipe, duke siguruar mësimdhënës të përgatitur, por edhe kushte të mira për mësim. “Do të mbështesim shkollat shqipe këtu me të gjitha mundësitë që kemi në një platformë të bashkëpunimit ndërshtetëror”, tha ministri kosovar.
Po ashtu, ministrat e arsimit të të dy shteteve kanë biseduar edhe për nevojat që ka arsimi shqip në Mal të Zi dhe mundësisë për të pranuar më shumë studentë në Universitetin e Prishtinës për përgatitjen e mësimdhënësve për mësimin në gjuhën shqipe. Gjithashtu, ata kanë biseduar edhe për lehtësimin e procedurave të njohjes reciproke të diplomave.
Ministri Bajrami e ka falënderuar homologun e tij malazez edhe për gatishmërinë që t’i mundësojë Republikës së Kosovës të ndihmojë arsimin shqip në Mal të Zi me tekste. “Qeveria e Kosovës nuk dëshiron të zhvillojë bashkëpunimin në arsim me platforma patriotike, por reale. Interesat e komunitetit, interesat e mësimit në gjuhën shqipe këtu janë jetike dhe ne kemi arritur konsensus të plotë që të bashkëpunojmë me një vullnet pozitiv”, tha ministri Bajrami.
Ministri kosovar Bajrami është pritur edhe nga ministrja e Shkencës e Malit të Zi, Sanja Vllahoviç, me të cilën ka biseduar për mundësinë e bashkëpunimit ndërshtetëror për projkete të përbashkëta shkencore, por edhe për projektet evropiane si Erasmus+, Horizon 2020, ku dy shtetet mund të konkurrojnë për fonde dhe studime të përbashkëta në fusha të ndryshme.
Të dy ministrat kanë biseduar edhe për shkëmbime akademike të profesorëve të të dyja vendeve dhe janë pajtuar që së shpejti ky bashkëpunim të konkretizohet me një Marrëveshje Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Malit të Zi. “Ka një vullnet jashtëzakonisht të mirë midis dy shteteve që të ecim përpara në rrugën tonë evropiane edhe me raporte jashtëzakonisht të mira e miqësore, ku arsimi dhe shkenca janë fusha ku mund të shënojmë rezultate të mira”, tha ministri.
Ministri Bajrami gjatë ditës është takuar edhe me Komisionin Parlamentar për Arsim të Malit të Zi, të kryesuar nga Branka Tanasijeviç.
Gjatë ditës së nesërme, ministri Bajrami do të takohet edhe me udhëheqës të Komunës së Ulqinit, Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Malit të Zi dhe përfaqësues të partive politike shqiptare për të biseduar për nevojat e arsimit shqip.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Kosove, Mali i Zi, MINISTRI I ARSIMIT

PERKTHYESI FASLLI HALITI SJELL NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT POETE INDIANE TE AMERIKES

July 31, 2015 by dgreca

NGA POEZIA E INDIANËVE TE AMERIKES/
___________________________________________

Ç’ËSHTË MIRË/
MBAJE SHTRËNGUAR FORT/
___________________________________/

A E DINI SE PEMËT FLASIN?/
 
Po flasin. Flasin me njera-tjetrën,/
dhe flasin për ty, nëse ti je duke i dëgjuar./
Por njerëzit e bardhë nuk dëgjojnë./
Ata nuk kanë menduar kurrë/
nëse ia vlen të na dëgjojnë ne indianëve,/
kam frikë se ata s’kanë për të dëgjuar /
as edhe zërat e tjerë të natyrës./
Unë vetë kam mësuar shumë nga pemët:/
Ndonjëherë edhe diçka mbi motin,/
ndonjëherë diçka për kafshët,/
ndonjëherë tjetër edhe diçka mbi Shpirtin e Madh./

(Tatanga Mani )

Jetoje jetën tënde

Jetoje jetën tënde në mënyrë të tillë që frika e vdekjes
të mos mundet të futet kurrë në zemrën tënde.
mos sulmo askënd për fenë e tij ;
respekto idetë e të tjerëve ,
dhe kërko që edhe ata të respektojnë të tuat.
Duaje jetën tënde, përmirësoje atë,
stolisi gjëra që të jep ajo.
Kërko që të jetosh gjatë
dhe të kesh si qëllim që t’i shërbesh popullit tënd.
Përgatit një këngë fisnike vdekjeje për ditën
në të cilën do të ecësh drejt ndarjes së madhe.
Këmbe përherë një fjalë a përshëndetje një miku që sheh
edhe i huaj po të jetë në një vend të vetmuar.
Trego respekt për të gjithë njerëzit dhe mos iu përul askujt.
Kur zgjohesh në mëngjes falëndero për ushqimin e gëzimin ejetës.
Nëse nuk ke asanjë arsye të falenderosh,
faji bie vetëm tek ti.
Mos abuzo për asgjë e me askënd,
për të këmbyer gjërat e urta me të marrat
dhe heq shpirtin e vizioneve të tij .
Kur të të vijë çasti për të vdekur,
Mos u bë si ata, zemrat e të cilëve, janë plot me frikë,
dhe kur të vijë koha e tyre ata do të qajnë
dhe do të luten që të kenë edhe pak kohë tjetër për të jetuar
jetën ndryshe.
Këndo këngën tënde të vdekjes
dhe vdis si një hero që kthehet në shtëpi. ”

Capo Tecumseh

Vajzë e trishtuar
Këngë – Navaho –
 
shumë njerëz ekzistojnë në këtë botë ,
por vetëm njëri është i dashur për mua.
Është i mirë, i fortë dhe guximtar.
m’u betua për një dashuri të përjetshme ,
por më harroi.
Një shpirt i keq
duhet t’a ketë marrë mendjen.
dhe unë,
unë s’di të dashuroj të tjerë, veç tij
dhe unë pres, unë pres.

Frikë nga Dashuria
Këngë – Fox-

Nuk jam trembur kurrë nga një egërsirë e tmerrshme
gjatë gjithë jetës sime
s’jam trembur kurrë nga një pëllumbeshë
gjatë gjithë jetës sime ,
s’jam trembur kurrë nga një flutur
gjatë gjithë jetën sime ,
s’jam trembur kurrë nga një lule fushe
gjatë gjithë jetës sime

Vejusha
Këngë – Sioux –

Natën
kur bufi tregon ëmbëlsisht
historinë e vdekjes tënde
dhe të të gjithë të vdekurve
e njerëzve
të popullit tim ,
ëndërroj të të gjej
në fund të horizontit të perëndimit,
dhe të ulem pranë teje dhe, të këndoj kështu:
” Pse ike kaq shpejt, kaq larg që këtu?

Paqja
Nohawh

Paqja nuk është vetëm
e kundërta e luftës :
paqja është më shumë se kaq.
Paqja është ligji i jetës njerëzore .
Paqja është ajo që, kur ne veprojmë
ashtu siç duht vepruar
është ajo që kur midis çdo qenie njerëzore
mbretëron drejtësia.

Unë jam vetëm një njeri
 
Unë jam zëri i popullit tim .
Unë jam vetëm një njeri .

Sidoqë të jenë ndjenjat e tyre ,
Unë them.
Nuk e dua luftën.
Unë dua të jem thjesht njeri .
Ju më mohoni të drejtën e një njeriu të bardhë . Lëkura ime është e kuqe ,
zemra ime është si zemra e një njeriu të bardhë , por unë jam një Modoc .
Nuk kam frikë të vdes.
Nuk do të bie mbi shkëmbinj.
Kur unë të vdes armiqtë e mi do të jenë poshtë meje.
Ushtarët tuaj më sulmuan, ndërsa unë po flija bri lumit Lost .
Ata na shtynë mbi këta shkëmbinj si një drerë të plagosur .

( Kintpuash dei Modoc)

Gugatja

Të gjithë indianët e dinë që edhe kafsha më e vogël
ka një rëndësi të madhe dhe mund të na mësojnë shumë gjëra,
saktësisht siç janë të rëndësishëm
të gjitha njohuritë e vogla që mësojmë ditë për dite.
Për më tepër, çdo ditë e çdo moment
të jetës sonë janë plot me gjëra të vogla .
Për këtë arsye nuk duhet të përqendrojmë
mendjen tonë
mbi ngjarjet të mundshme të mëdha të së ardhmes ,
por duhet të veprojmë për të zhvilluar sa më mirë të mundemi
detyrat tona të përditshme.
Vetëm në këtë mënyrë do të demonstrojmë
respekt për Shpirtin e Madh
dhe gjithçka që Ai ka krijuar .
( Tail Yellow ) – Crow

përktheu Faslli Haliti

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Faslli Haliti, te Amerikes, tete porte indiane

Jace Agolli – shqiptari i parë konkurent në “Big Brother 17-të” të SHBA

July 31, 2015 by dgreca

Nga Beqir SINA –New York/
Sezoni 17-të i Big Brother, filloi këtë javë në Wetpaint të Kalifornisë, ku të 17 banorët do të konkurrojnë për çmimin e madh 500 mijë dollar amerikan.
WETPAINT CALIFORNIA : Edicioni Big Brother 17të, i njohur gjithashtu si Big Brother USA, është në sezonin e shtatëmbëdhjetë të saj – në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky spektakël televizivë për çdo vjet vjen me nji seri televizive të ashtuquajtura realitet show – me titullin “Big Brother”.
Një spektakël televizivë, i cili imitohet duke “kopjuar” këtë amerikan – në disa vende të botës, përfshirë edhe Shqipërinë, e cila ka spektaklin e saj Big Brother Albania.
Sezoni 17-të i Big Brother, filloi këtë javë në Wetpaint të Kalifornisë, ku të 17 banorët do të konkurrojnë për çmimin e madh 500 mijë dollar amerikan.
Sezoni premierë Big Brother 17-të, i cili nisi më 24 qershor 2015 në kanalin televizivë kombëtar CBS, emtohet në një ndër tre rrjetet më të fuqishmet televizive në SHBA.
Sezoni Big Brother 17-të, pritet të përfundojë më 23 shtator 2015 – me një episod 90-minutësh – e cila pas sezonit të vjeshtës – do të vijojë me finalen Premier of Survivor. Ky është një sesion që është vendosur simbas një formati të ri dhe të zgjasë 98 ditë, duke e bërë këtë edhe sezonin më të gjatë të versionit amerikan deri sot.
Këtë vit edicioni i 17-të i “Big Brother” USA, simbas klasifikimeve mban ashtu si dhe vitet e kalauar vendin e parë për nga shikueshmëria e lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Jace Agolli shqiptari i parë konkurrent në banorët e “Big Brother” të SHBA

E veçanta e Big Brother – USA, për ne shqiptarët natyrisht që është ajo se kësaj radhe në garën për edicionin e 17-të të këtij spektakli me famë botërore,Big Brother USA – është edhe një shqiptar; i cili quhet Jace Agolli.
Jaçe Agolli – simbas shtypit amerikan është një nga 17 banorët e Big Brother sezonit 17-të. Ai është një trajner privat nga Venecia Beach – cili e përshkruan veten e tij si një djalosh “i zgjuar, i fuqishëm dhe trim.”
Atij pëlqen për t’u takuar me njerëz, që si ka takuar ndonjëher, dhe ka si hobi të tij për të eksploruar në vende të reja- që nuk ka shkelur ndonjëher.
Ai gjithashtu ushtron me mjaft passion dhe bukur disa sporte atraktive si surfing, patinazhin dhe ski mbi dëborë.
Pra, kështu Jaçe Agolli – bëhet edhe shqiptari parë në historinë shtatëmbdhjetëvjeçare të Big Brother USA, i cili po bën famë në SHBA, si pjesë e edicionit amerikan të spektaklit “Big Brother 17”.
Pjesë e të cilit është edhe një banor shqiptar, Jaçe Agolli ose djaloshi shqiptar, i cili me krenari e tregon prejardhjen e tij shqiptare, madje ai ka pozuar disa herë ne setet e tij fotografike, në foto-albumin e Big Brother 17-të, edhe trupin e tij, ku në anën e majtë te shpatullës ka pikturuar një tatuazh të shqiponjës tonë Shqiptare.
Jace Agolli – ka jetuar në Dunwoody – Georgia dhe tani jeton në Venecia Beach, Kalifornia

Filed Under: Komunitet Tagged With: Jace Agolli, konkurent në “Big Brother 17-të”, shqiptari i pare, te SHBA

Gjykatat Amerikane dhe të BE-së nuk duhet të riatdhesojnë shqiptaret që jane në gjak

July 31, 2015 by dgreca

Qeveria shqiptare duhet të pranojë paaftësinë e saj ndaj mbrojtes së jetes së shqiptareve të përfshirë në gjakmarrje/
-Nga Lek Gjoka-Jacksonville Florida/
Fenomeni i gjakmarrjes nga Veriu në Jug të Shqipërisë është një plagë që u rihap pas varrosjes së diktatures komuniste.Në Jug plaga e gjakmarrjes mori një zhvillim pas vitit të zi të 1997 kur Shqipëria u përfshi në një luftë civile për faj të politikes dhe u krijuan banda të armatosura që filluat të vriteshin me njëri-tjetrin për sherre të ndryshme që më pas u kthyen në gjakmarrje.Një pasqyre tjeter është Veriu i Shqipërisë që gjakmarrja kjo plagë e vjeter mori një përkeqsim me të madh.Sigurisht që disa mund të fajsojnë Kanunin e Lek Dukagjinit pa e lexuar atë dukë gabuar sepse në një nga nenet e Kanunit thuhet shprehimisht së kur vendi të kete një shtet ligjor Kanuni thjeshtë ngelet një histori e pashkruar e kombit shqiptar deri në fillim të shekullit XX kur At Shjefen Gjeçovi i mblodhi dhe botoi me një parathenie brilantë të poetit kombëtar At Gjergj Fishtes ku sot ky Kanun studiohet në Universitetet me me ze të botes së qyteteruar.
Cilët janë shkaktaret e rifillimit të gjakmarrjes në Veri të Shqipërise ndërkohë që në Kosove plaku i urtë më origjinë mirditore Anton Çeta arriti ta mbylle këtë plagë të rëndë?
Gabimi i parë filloi që në kuvendin e Shqipërise në ligjin 7501 të ndarjes së tokave bujqësore , një reforme e re agrare si në kohën e diktatures komuniste.Tokat e koperativave dhe ndërrmarrjeve bujqësirë iu dhanë antareve te tyrë në bazë fryme duke abuzuar këmbëkryq me të drejten e prones që u takonte pronareve të dikurshëm.Pas saj nisen përplasjet për pronën që degjeneruar dëri në ekstren në humbje jetesh njërëzore.Dukë pasur një shtet të korruptuar që nuk i interesonte fare humbjet e jeteve të nështetasve të tyre kjo plage u bë një gangrene për mijera familje që u ngujuan.Mjaft prej tyrë u detyruan që të marrin rrugën e mërgimit.
Gabimi i dytë që krijoi mjaft gjakmarrje është vete shteti.Në shumë raste aksionet e policisë dekospiroheshin nga vete politikanet e korruptuar që janë lidhur këmbëkryq me krimin për mbrojtjën e monopoleve të tyrë të krijuar në kundërshim me Kushtetuten e Republikes së Shqipërisë.Drejtuesit rajonale të policisë në mjaft raste jo vetem që dilnin bllof në aksionit e tyre ndaj mafies lokale e shteterore por pa mbaruar mirë aksionin kërcënoheshin me jete familjet e tyre.Ka raste ku mjaft qytetare të pafajshem janë vrare në prita për fajin e vetem se vellezerit e tyre ishin punonjës policie dhe kishin drejtuar disa aksione për ti arrestuar me qëllim ndërtimin e një shteti ligjor mjaft të mirëpritur nga populli por që e minon vete politika shqiptare.
Rrëmuja që vete shteti shqiptar ka krijuar në tjetersimin e prones private nga pronaret e ligjshem në individe të inkriminuar por që punojnë për interesa të politikaneve kanë krijuar përmisa për shtimin e konflikteve.Aq shumë është i korruptuar shteti shqiptar saqe mjaft prona të shqiptareve që jetojnë në mergim janë tjetersuar deri në ndërrimin e pronesise pa ditur asgje nga pronari i vertete ndaj ju takon edhe shteteve ku këto shqiptare jane bere neshtetas të tyre te mbrojnë pronen e qytetareve të tyre ne baze te të drejtes ndërkombetare.
Problemi i pronësise është një ndër përplasjet e nisjes së vrasjeve që në mjaft raste janë edhe mbrenda një gjaku dhe një familje.
Sigurisht ka edhe arsy të tjera që kanë krijuar konfliktë që me vonë u kthyen në gjakmarrje sepse shteti është i pa afte për ti mbrojtur qytetaret e tij nga kjo plage shekullore.Qeveria shqiptare të pakten moralisht duhet të pranoje para botes demokratike kete plage shqiptare dhe të përpiloje listat e sakta të fiseve që janë në gjak dhe si të tilla osë janë ngujuar ose kan marre arratine udheve të botes dhe keto lista tiu dërgohën ambasadave shqiptare nëpër botë më qellim që këto familje të strehohen dhe të mos riatdhesohen në Shqiperi.Me vjen keq që një përson që nuk është në gjak pagon 700 euro për të marre një dokument tek shoqata për pajtimin e gjagjeve në Shqipëri për të fituar letrat padrejtesisht ndërsa familje të tëra që fatkesisht e vuajnë kete plage të rëndë humbasin të drejten e qendrimit në shtetet ku ato paraqesin letrat sepse sipas gjykatave shteti shqiptar iu siguron atyre jeten dhe dokumentat e tyre mund te jene fallco ngaqe me qindra raste jane të tilla dhe nuk kane mundesi verifikimi.
Ndaj ju lutem gjakatave në Amerike,Kadada dhe në Bashkimin Evropian që të mos i riatdhesojnë shqiptaret që janë në gjak sepse jeta e tyre dhe e femijeve është në rrezik.Në bazë të çdo kushtetute të një vendi demokratik kur jeta e një përsoni kercënohet duhet patjeter të mbrohet në shtetin ku ai ka deshirë të rindërtojë një jete të re familjare pa friken se dikush do ti vrase pa pasur asnjë faj..
Jacksonville Florida
Korrik 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: Be, gjakmarrja, Gjykatat amerikane, Lek Gjoka, shqiptaret

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 100
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT