Nga Aurel Dasareti*/
Është vetëm një recetë që mund të shpëtojë shqiptarët, në te thuhet: Një mirëqenie e përbashkët.
***
Unë zakonisht e them atë çfarë unë besoj dhe unë kam prirje të besoj në atë që unë e them.
“Analistët” që ju mashtrojnë se shqiptarët do të bashkohen në dështimin e quajtur BE, si dhe shpikësit e “kombit kosovar”, janë gomarë dhe tradhtarë.
***
Ti duhet ta duash vendin tënd, me gjithë zemër dhe me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë forcën tënde.
Ne duhet të ndihmojmë të varfëritë tonë në një zhvillim, ku banorët të kenë kushte normale jetese, për të gjetur kuptimin dhe shpresën për të ardhmen në vendin e tyre. Në Shqipërinë e ribashkuar, ëndrrën që gjenerata ime do ta realizojë – nëse shqiptarët nuk çmenden tërësisht pas të huajve.
Shqiptarët janë një lloj njerëzish të mirë, por shumë të përçarë, të padisiplinuar, shumë naiv, vetë-shpërbërës dhe kozmopolitë. Edhe ato pak toka të copëtuara nga pushtuesit sllavo-ortodoks dhe grek – që na kanë mbetur – dëshirojmë t`ua dhurojmë azilkërkuesve afrikan/aziatik. Brengosja e juaj për “vuajtjet” e azilkërkuesve fals që pa lejen tonë shkelin tokat tona është një çmenduri e skajshme.
Ne duhet të kujdesemi për njëri-tjetrin. Çdo individ duhet të merr përgjegjësinë dhe mundësinë të jetë një gur ndërtimi për një shoqëri më të mirë, ne së bashku duhet të jemi për të krijuar dhe të ndajmë. Ajo siguron paqen shtëpiake në vend dhe paqen shpirtërore në njerëz.
Lufta në Siri etj ka nxitur 60 milion njerëz të zhvendosur. Ajo prek kryesisht Sirinë dhe vendet fqinje, por edhe Evropën, me shumë gjasa eksportin dhe importin e terrorizmit.
Shqiptarë, përdorni arsyen e shëndosh, përdorni kokën e juaj e jo zemrën. Kur mjaft njerëz duan, mund të lëvizin drejt një mirëqenie të përbashkët. Ne duhet të lëvizim drejt një bote më të mirë. Detyra më fisnike e politikës shqiptare duhet të thotë: “Po, ne e duam Shqipërinë”, ëndrrat që të na motivojnë për të punuar me durim, për aspiratën drejt një mirëqenie të përbashkët.
***
BE-ja është një kalë trojan në Evropë
Federalistët politik kishin ëndërruar se bashkimi monetar mund të bëhet një zëvendësim për mungesën e kohezionit në unionin politik. Monedhat e tyre nacionale i shndërruan në Euro. Ëndrra është kthyer në një makth.
E përkëdhelura e BE-së, Greqia, brenda këtyre 15 viteve ka gëlltitur me qindra miliard euro të buxhetit të këtij unioni imagjinar. Megjithatë, sa më tepër që BE-ja e ushqen aq më tepër është i uritur dhe aq më tepër kërkon ky pacient dembel, dhelparak dhe mafioz.
Logjika e njerëzve të shëndoshë ka shpresuar se BE-ja do ta përjashtojë nga “unioni” këtë kancer. Por ajo ndoshta nuk do të ndodhë. Pse? Për shkak se euro-kracia (burokracia) e Komisionit Evropian, Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, Parlamentit Evropian dhe rrethit ministror të brendshëm është në ankth për ta mbajtur fortë idenë e dështuar në rritjen e lëvizjes drejt një bashkimi gjithnjë e më të ngushtë – të dyja politike dhe ekonomike – pavarësisht nga të gjitha sinjalet e rrezikut.
Kur e vërteta të jetë thanë, dhe ajo e meriton atë në një të premte, kali trojan në Bruksel nuk do të ketë brenda grekët (e falimentuar) por “princërit” dhe “baronët” e BE-së. Kjo është BE-ja e tyre që kërcënon Evropën aq keq dhe aq egërsisht, dhe qindra milion evropianë do të ndjejnë atë në trupin e vet, varfërinë dhe mungesën e lirisë në vitet që do të vijnë.
Evropa po ndryshon me shpejtësi, politikisht, ekonomikisht, veçanërisht në aspektin demografik. Kolonizimin e tokave të saja nga sasi masive emigrantësh të paligjshëm afrikan/aziatik të cilët çdo ditë shkarkohen në Evropën plakë dhe të pamend. Në vend që të përforcon ekonominë dhe ushtrinë për një përballje (eventuale) efikase me Rusinë e Madhe të Putin-it të vogël, BE-ja harxhon buxhetin për luksin e grekëve dhe dhjetëra milion azilkërkuesish fals nga Afrika dhe Azia të cilët as që e kuptojnë fjalën “politikë” e ku më të rrezikojnë qeverinë e vendit të prejardhjes me “aktivitetin e tyre politik“. Megjithatë BE-ja vazhdon të harxhon bateritë (gënjen) si të ishte paqe dhe asnjë rrezik. Me sa duket, jo vetëm se nuk kanë një plan B, të ndalin hovin e emigracionit të paligjshëm që do t`ia ndryshojnë asaj kodin gjenealogjik, por me kalimin e kohës bëhen më indiferent dhe gjithnjë e më të dëshpëruar.
Në qendrën administrative të Bashkimit Evropian nuk ka alternativë të vazhdimit të “integrimit”. Pse? Për shkak se Bashkimi Evropian merë frymë, ndjenë dhe mendon në “integrimin”, dmth shpërbërja graduale e sovranitetit kombëtar dhe legjitimitetit, me shumë kontroll federal dhe policisë së mendimit.
Ëndrra e një Bashkimi Evropian nuk do të realizohet kurrë. Nëse dikush mendon se mund të sjellë paqe me harmonizimin dhe integrimin e kombeve që janë të ndryshme, bën një gabim të përgjakshëm. Kjo u verifikua edhe me shpërbërjen e krijesës artificiale të quajtur Jugosllavi por edhe Bashkimit Sovjetik. Ëndrra e Bashkimit Evropian qëndron në kontrast me ligjet psikologjike/natyrore, njeriu krijon paqe duke i lejuar çdo populli të zhvillohet sipas përcaktimit të vet.
Ëndrra ende ekziston dhe mund të bëhet realitet i përgjakshëm të asaj që dikur quhej Evropa.
*USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)
Archives for July 2015
Shqiptari Hasan Tahsin Mesarea, gjenerali që u dhuroj grekëve Selanikun
Nga Arben LLALLA*/
Selaniku është kryeqendra e Greqisë së Veriut. Unë jetova dhe punova rreth 12 vite në këtë qytet. Gjatë qëndrimit tim u mora dhe me studimet historike që lidheshin me jetën politike-shoqërore të shqiptarëve që nga koha e perandorisë osmane e deri më sot. Kështu, në Selanik ka jetuar disa vite Ismail Qemali Vlora, mbreti Ahmet Zogu qëndroi pak muaj mbas largimit nga Shqipëria në vitin 1939. Në qytetin e Selanikut është vrarë ish-kryeministri i Shqipërisë, Hasan Prishtina, më 12 gusht 1933. Gjatë kohës së kryengritjes së turqve të rinj (Xhonturqit) në Korrik-Gusht të vitit 1908, Çerçiz Topulli, Bajo Topulli, Mihal Grameno, qëndruan disa ditë në Selanik. Në vitin 1916, në qytetin e Selanikut forcat greke të ndihmuar nga ushtria franceze pushkatuan atdhetarin e shquar Themistokli Gërmenjin. Bashkësia shqiptare në Selanik ka pasur edhe varrezat e saja në lagjen e sotme Triandhria. Vendi i varrezave të shqiptarëve ka qenë i blerë nga familjet shqiptare që kanë jetuar dhe punuar në Selanik në kohën e Perandorisë Osmane. Këto varrezat u shkatërruar nga qeveria greke në vitin 1983. Eshtrat e mijëra të vdekurve u zhdukën, përveç disa të cilat i tërhoqën familjarët e tyre që jetonin ende në Selanik atë vit.
Me Selanikun lidhet një ngjarje shumë e rëndësishme për shqiptarët dhe Greqinë, është ajo e 26 Tetor 1912, komandanti turk me kombësi shqiptare gjenerali Hasan Tahsin Pasha Mesarea (1845-1918) ia dhuroi grekëve dhe jo bullgarëve qytetin e Selanikut. Hasan Tahsin Pasha pasi ua dhurojë grekëve Selanikun u largua në fillim për në Francë e më pas në Zvicër, vdiq në vitin 1918, në Lozanë, aty edhe u varros për herë të parë. Në vitin 1937, Hasan Tahsin Pasha ç’varroset dhe eshtrat e tij u varrosën për herë të dytë në varrezat e shqiptarëve në Selanik, në varrin familjar Mesarea. Pasi u prishën varrezat shqiptare më 1983, përsëri ç’varroset dhe rivarroset në varrezat e Malakopit, ku eshtrat qëndruan 23 vite. Toka ku gjendej varrezat e shqiptarëve në Selanik u ndërtuan pallate, rrugë e një pjesë mbeti lulishte dhe njihet me emrin Parku Triandhria.
Më 2006, eshtrat e Hasan Tahsin Pashës do të ç’varrosen për të tretën herë për tu rivarrosur me nderime të larta ushtarake bashkë me eshtrat e djalit të tij, Qenanit në Muzeun e Luftërave Ballkanike që ndodhet 25 km larg Selanikut në drejtim të qytetit të Edesës. Ndërtesa që është kthyer në Muze ka shërbyer për bisedime midis gjeneral Mesaresë dhe komandantit të ushtrisë greke, Kostandinit nga 25-26 Tetori 1912.
Hasan Tahsin Pashë Mesarea kishte 7 fëmijë, prej të cilëve vetëm 3 jetuan, dy djem dhe një vajzë. Njëri nga djemtë e tij, Qemal Mesarea ka qenë ambasador i Shqipërisë në Athinë më 1933-1934. Ai u martua me një greke dhe vdiq në vitin 1968. Vajza e vetme u martua në Turqi. Kurse djali tjetër i Hasan Tahsin Pashës, quhej Qenan Mesarea (1889-1965). Gjenerali Hasan Mesarea ka shërbyer si komandant i përgjithshëm i trupave osmane në Jemen, Siri, Irak, Qipro, Kretë dhe në Selanik. Gjatë kohës që ka shërbyer në Kretë ai lidhi miqësi me Venizelon, i cili pas dhurimit pa luftë qytetin e Selanikut e ndihmojë më vonë familjen Mesarea që të largohej për në Francë dhe të fitonte shtetësinë greke. Hasan Tahsi Mesarea i përket ajkës së shqiptarëve që kanë studiuar në shkollën e mesme Zosimea të Janinës. Siç dihet këtë gjimnaz kanë ndjekur mësimet Konstadin Kristoforidhi, Ismail Qemali, Hoxhë Hasan Tahsimi, Ali Asllani, Abedin Pash Dino, Naim dhe Sami Frashëri, Sali Nivica, Aleksandër Xhuvani, etj.
Historia e Hasan Tahsin Mesarea është një nga historitë e shumta të ushtarakëve shqiptar që i kanë shërbyer ushtrive të huaja. Rrugëtimi i Hasan Tahsin Mesaresë nisi në vitin 1845, në fshatin Mesarea, në Jugun e Shqipërisë (Mesare ndodhet në rrethin e Kolonjës) dhe përfundoi më 2006, në Veriun e Greqisë, në qytetin e Selanikut. Hasan Tahsin Mesarea ishte një ushtarak vizionar i cili shpëtoj jetët e mijëra qytetarëve të kombësive të ndryshme që jetonin në qytetin e Selanikut. Akti i tij për dhurimin me paqe të këtij qyteti tregon shpirtin human të një njeriut i cili i takon nderi më i madh për shpëtimin e Selanikut nga shkatërrimi nën grykat e topave. Historianët grek çlirim e Selanikut ja dedikojnë komandanti të ushtrisë greke Konstandin apo Venizelosit, por këto merita janë të pavlera përpara aktit human të gjeneralit Mesaresë i cili preferoj më mirë dorëzimin me nder se sa të derdhej gjaku lum. Në çastin e dhurimit të Selanikut, gjeneral Mesarea kishte 26.000 ushtar nën komandë dhe preferoj më mirë tu shpëtonte jetën se sa të vriteshin.
Dorëzimi i Selanikut nga gjenerali turk me kombësi shqiptare
Pas luftimeve të gjata midis forcave turke dhe forcave të ushtrisë greke në Greqinë e Veriut u arrit armëpushimi. Gjenerali turk me kombësi shqiptare Hasan Tahsin Pasha, në 26 Tetor 1912, kishte firmosur dhurimin e qytetit grekëve dhe po përgatitej të largohej bashkë me ushtrinë për në Turqi. Më 27 Tetor, të dërguarit e krye-gjeneralit të ushtrisë bullgare Teodorov, duke mbajtur flamurin e bardhë u takuan me gjeneral Hasan Tahsin. Bullgarët përfaqësoheshin nga një kolonel, dy oficerë dhe kapiteni Standov që më pas u bë ambasador i Bullgarisë në Paris. Gjatë bisedës kapiten Standovi shprehu befasinë dhe pakënaqësinë për dorëzimin e Selanikut grekëve, pasi siç tha ai ushtria bullgare kishte hyrë duke luftuar disa herë në Selanik. Prandaj gëzonte të drejtën që të marrë në dorëzim në emër të naltmadhnisë së tij Carit të Bullgarisë. Por gjeneral Hasan Tahsini u kujtoi bullgarëve që ushtria turke kishte pasur kundërshtar lufte për Selanikun vetëm ushtrinë greke. Koloneli kryetar i përfaqësueses bullgare mbas këtyre fjalëve u përgjigj me tërbim se para pak orëve ushtria bullgare kishte luftuar kundra ushtrisë turke në rrethinat e Selanikut. Prandaj duhej të përgatitej menjëherë një shkresë e posaçme, sipas të cilës qyteti i Selanikut u dorëzohej ushtrisë bullgare. Ndonëse tashmë i mundur, gjenerali Hasan Tahsin Pasha me kryelartësi tha – JO. Atëherë me diplomaci ndërhyri kapiten Standovi për të qetësuar përshtypjen e keqe që kishte lënë koloneli bullgar duke thënë që mbas një përgjigje pozitive për bullgarët Hasan Tahsin Pasha do të vlerësohej nga krye-gjenerali Todorov dhe ushtria e tij. Pas dy orë bisedime pa bindur gjeneral Tahsinin, kapiten Standovi shprehu dëshirë të bisedonte vetëm për vetëm me djalin e gjeneralit, adjutantin Qenan Mesarea. Pasi kaluan në një sallë veçmas zoti Standovi nxori nga çanta e tij një çek të një banke Londineze me një shumë marramendëse, që ia dha adjutant Mesarea duke pëshpëritur se çeku ishte shpërblimi për një firmë të thjeshtë të babait të tij. Në atë çast Qenan Mesarea mbeti i hutuar dhe u kthye në zyrë duke refuzuar shpërblimin. Pasi dështuan kërcënimet dhe shpërblimet e ndryshme, përfaqësuesit bullgarë kërkuan që gjeneral Hasan Tahsin Pasha t’u jepte një kopje të protokollit të dorëzimit të Selanikut forcave të ushtrisë greke. Pasi morën kopjen e protokollit të dorëzimit të qytetit të Selanikut forcave greke, përfaqësuesit e ushtrisë bullgare u larguan për të mos u kthyer më kurrë.
*Historian
Kosovë-Kuvendi drejt vendimeve të reja, pas mungesave në kuorum dhe vota
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 19 Korrik 2015/-Në një verë me vapë të këtyre ditëve në Kosovë, Kuvendin e presin edhe më punë para se të shkojë në pushim. Miratimi i Ligjit që i hapë rrugë rishikimit të Buxhetit të Shtetit për vitin 2015, ishte vendimi i fundit i Kuvendit të Kosovës në këtë javë, 16 korrik, pasi për shkak të mungesës së kuorumit për votimin e projektligjeve seanca plenare ndërpreu punimet.
Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015 kaloi shqyrtimin e parë dhe të dytë në procedurë të përshpejtuar pasi në 24 korrik Bordi i FMN-së në Uashington do të diskutojë marrëveshjen me Kosovën.
Në prezantimin e projektligjit nga qeveria i është dhënë një rëndësi e veçantë marrëveshjes me FMN-në, ruajtjes së fondeve për investime dhe uljes së shpenzimeve në mallra dhe shërbime.
Vazhdimi i seancës së ndërprerë të Kuvendit të Kosovës pritet javën e ardhshme, duke nisur me votimin e Projektligjit për Sigurimet, të shqyrtuar tashmë për herë të parë.
Qeveria e Kosovës, në 17 qershor, ka miratuar Projektligjin për Sigurimet, i cili përcakton procedurat, parimet dhe rregullat themelore për licencimin dhe mbikëqyrjen e siguruesve, re siguruesve, ndërmjetësuesve të sigurimit. Projektligji rregullon funksionimin e industrisë së sigurimeve në Republikën e Kosovës në mënyrë të sigurt, të qëndrueshme dhe transparente si dhe mbrojtjen e interesave të policë mbajtësve, ka theksuar qeveria.
Në Kuvendin e Kosovës pritet edhe që qeveria të riprocedojë për votim amendamentin kushtetues që ka të bëjë me Gjykatën Speciale pasi për këtë edhe të sigurohet numri i nevojëshm prej dy të tretave.
Në 26 qershor, Kuvendi i Kosovës me 75 vota pro, 7 kundër, 2 abstenime nuk e miratoi propozim-amendamentin nr. 24 në Kushtetutën e Republikës për krijimin e Gjykatës Speciale. Votat kundër dhe abstenim ishin nga pozita – PDK, ndërsa opozita nuk mori pjesë në votim. Për miratim mungonin 5 vota, duheshin së paku 80 vota të Kuvendit 120 anëtarësh, përfshirë këtu edhe dy të tretat e 20 deputetëve të komuniteteve pakicë.
Dy të tretat e votave duheshin, por nuk u arritën, edhe për zgjedhjen e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës në seancën e 16 korrikut të Kuvendit kosovar.
Për axhendën e mëtejme dhe përgatitjet e seancës plenare në fillimjavë pritet të ftohet mbledhja e përbashkët e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës me kryetarët e grupeve parlamentare.
Qeveria e Kosovës, e zgjedhur në 9 dhjetor 2014, për vitin 2015 ka parashikuar të përgatisë dhe të dërgojë për miratim në Kuvend rreth 100 ligje.
NJË JETË NË SHËRBIM TË ARSIMIT, KULTURËS DHE TË SHKENCËS SHQIPTARE
Nga Mikel GOJANI*/
U bënë 11-vjet kur arsimi, shkenca dhe kultura shqiptare në Kosovë mbeten pa profesorin, intelektualin dhe veprimtarin e shquar, prof. dr. Gjergj Rrapin, i cili një jetë të tërë ia kushtoi arsimit, shkencës dhe kulturës shqiptare në përgjithësi. Me humbjen e Rrapit familja mbeti pa njeriun më të dashur, studentët mbeten pa fjalën e ëmbël e me shumë kompetencë shkencore, punonjësit shkencorë mbeten pa hulumtuesin e vyeshëm prej sensit të hollë të çështjeve sociologjike, shoqëria kosovare mbeti pa veprimtarin e devotshëm për çështjen kombëtare.
Rruga jetësore dhe veprimtaria, arsimore shkencore dhe atdhetare e prof. dr. Gjergj Rrapit
Kur Kosova rënkonte nën peshën e rëndë të okupimit serb, kur popullit shqiptar i shkeleshin të drejtat në mënyrën më barbare, ky veprimtar i devotshëm i kauzës kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ishte ndër të parët që ngriti zërin lart kundër kësaj shtypjeje që regjimi serb ushtronte ndaj popullit të tij, dhe për asnjë çast deri në frymën e fundit nuk iu frikësuar dhe nuk iu është nënshtrua.
Prof. dr. Gjergj Rrapi u lind më 3.5.1937 në fshatin Stupë të komunës së Klinës. Shkollën fillore e kreu në fshatin Budisalc (fshat afër vendlindjes), më pastaj një pjesë të gjimnazit real në Pejë. Pas kryerjes së klasës së dytë të gjimnazit ka vazhduar mësimet në vitin e tretë të shkollës normale në Prizren, e vitin e katërt dhe të pestë i ka kryer në Prishtinë. Ka diplomuar në shkollën normale në qershor të vitit 1959. Pas kryerjes së normales ka punuar si mësues në fshatrat Ujmirë, Budisalc dhe Zllakuqan të Klinës, ndërkaq në vitin 1963 është inkuadruar në shkollën fillore “Rilindja” në Terstenik të Pejës. Si drejtor shkolle ka pune në këtë shkollë, po ashtu edhe në Shkollën e Zllakuqanit. Në vitin 1969 është regjistruar në Degën e Sociologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Beogradit, ku në këtë degë ka diplomuar dhe në vitin 1974 ka marrë titullin Sociolog. Me t`u kthyer nga Beogradi është inkuadruar në Shkollën Politike të Kosovës – Qendrën Krahinore të Arsimit Marksist, në këtë institucion ka punuar si bashkëpunëtor profesional deri sa ka kaluar në Fakultetin Filozofik në cilësinë e asistentit. Në vitin 1979 është zgjedhur ligjërues i lëndës “Metodologjia e sociologjisë” si dhe lëndën e Sociologjisë – Kursi i përgjithshëm në Fakultetin Ekonomik, ndërsa në Degën e Sociologjisë ka mbajtur ushtrimet nga lënda e Sociologjisë së përgjithshme”, si dhe lëndë të tjera sipas nevojës. Në vitin 1977 është regjistruar në Shkallën e Tretë në Degën e Sociologjisë, duke i plotësuar të gjitha kushtet e vazhdimit të rregullt të studimeve post-diplomike, sepse i ka dhënë të gjitha seminaret dhe një pjesë të provimeve . Ka doktoruar në vitin 1986 me temën “Martesa shqiptare”. Ai është ndër themeluesit e katedrës së sociologjisë, meqë ishte i pari sociolog me gradë shkencore i Universitetit të Prishtinës. Prej themelimit të Degës së Sociologjisë deri në vdekje ka qenë sekretar i Degës së Filozofisë dhe Sociologjisë, si dhe shef i Degës i Degës së Filozofisë dhe Sociologjisë. Në kërkime shkencore nga lëmi i sociologjisë merret që nga koha kur ishte student. Është meritë ekskluzive e profesor Rrapit edhe dalja e revistës së Shoqatës së Filozofëve dhe Sociologëve të Kosovës “Thema”, që ishte edhe kryeredaktor i saj, se cilës po ashtu edhe i ka dhënë emrin. Meritë tjetër e profesor Rrapit është se për avancimin e mendimit filozofik-sociologjik, e ka shkruar elaboratin e parë për themelimin e Institutit të Filozofisë dhe Sociologjisë, mbi bazën e të cilit Fakulteti e themelon institutin në fjalë. Ka botuar libra dhe dhjetëra studime sociologjike. Në vitin 1985 botoi librin “Savremene zadruzhne porodice na Kosovu”. Ky libër është përkthyer edhe në gjuhën gjermane. Në vitin 1994 botoi librin publicistik “Kosova e viteve të ndrydhura”, në të cilin libër janë të përfshira disa shkrime publicistike , diskutime të autorit të cilat i ka paraqitur në sesione dhe simpoziume të ndryshme shkencore qysh nga viti 1985 e deri në fundvitet e `90-ta. Ky libër është një fryt i një kohe të rëndë për individin dhe kolektivitetin në gjithë hapësirat e ish-Jugosllavisë ku jetonin shqiptarët e sidomos në Kosovë, i cili për afro dy dekada kjo popullatë u gjend nën represionin e padurueshëm të hegjemonistëve serbë, vetëm pse shqiptarët i kërkonin të drejtat e tyre demokratike, nacionale e qytetare, edhe pse shqiptarët ne Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe Kosovën Lindore janë autoktonë që nga kohët antike, pra pasardhës të ilirëve. Autori Rrapi, në këtë libër po ashtu tërheq paralelen e luftës së popullit shqiptar kundër tre nacionalizmave: kundër nacionalizmit serb, nacionalizmit malazez dhe atij maqedonas. Çështjen e Kosovës nuk e konsideron vetëm si çështje të Kosovës, por edhe të bashkësisë ndërkombëtare, sido që të zgjidhet ajo, sipas tij do të jetë e paqëndrueshme. Çështja e Kosovës mund të zgjidhet drejt dhe përfundimisht vetëm me zgjidhjen e çështjes shqiptare në përgjithësi – kjo është edhe ideja kryesore që i përshkon shkrimet dhe publikimet e tij dhe përgjigja e Rrapit për fatin e kombit.
Profesor Rrapi, po ashtu në vitin 1995 ka botuar librin “Familjet e mëdha të sotme shqiptare”, ndërkaq në vitin 2000 në Tiranë botoi librin “Roli i traditës së zhvillimit ekonomik”, ndërsa në vitin 1997 librin “Sociologjia”, tekst universitar. Rrapi është autorë edhe i shumë librave shkollore dhe i botimeve tjera profesionale. Po ashtu, ky studiues ka redaktuar dhjetëra libra të autorëve tjerë, si dhe ka botuar mbi 100 artikuj studimorë profesionalë në periodikun kosovar dhe jashtë.
Në një bibliografi të lënë nga vetë profesor Rrapi, ai shkruan se me punime kërkimore është marrë qysh nga bankat e studimeve, si student i Universitetit të Beogradit. Në këtë drejtim, profesor Rrapi, po ashtu ka shënuar disa nga punimet e botuara në revistat qendrore profesionale në vend si dhe në Kosovë:
– Në revistën “Sociologjia, revistë e Shoqatës së Sociologëve Jugosllav”, nr. 1/1972, e ka botuar studimin me titull: “O zadruzanoj porodici Jakaj iz sela Renovca”;
– Në revistën “Sociologia sela”, që del në Zagreb, në vitin 1976/2, ka botuar studimin me titull: “O zadruzi – tekije”;
– Në revistën “Përparimi” 1978/3/, studimi mbi filozofinë e Altyserit me titull: “Ndryshimet epistemologjike te filozofisë së tij”;
– Në “Përparimi”, po ashtu në vitin 1979, studimin me titull: “Klasikët e Marksizmit mbi fshatin dhe fshatarët”;
– Në revistën “Socioloski pregled”, revistë kjo e Shoqatës së Sociologëve të Serbisë”, në vitin 1979, studimin me titull: “O starom i novom u kosovskom selu”. Studimi në fjalë ka qenë referat i mbajtur në Këshillimin e Shoqatës së Sociologëve të Serbisë në Ivajnicë;
– Në të përditshmen “Rilindja” në vështrimin me titull: “Filozofia marksiste filozofi revolucionare”. Lidhur me librin e prof. dr. Gajo Petroviqit, që mban titullin “marksizëm i revolucija”;
– Punimin e diplomës me titull: “Danasnja Metohiska zadruga”, komision i profesorëve pranë të cilëve e mbrojta temën e propozoi temën për botim të veçantë pa ndonjë ndryshim. U propozua që tema t’i ofrohet Akademisë së Shkencave Serbe në Beograd;
– Në “Rilindje” vështrimin me titull: “Problemet e strukturës shoqërore”, përkitazi me ribotimin e veprës së prof. dr. Mihailo Popoviç, po më të njëjtin titull;
– Shqyrtimi me titull: “Trajtimi shkencor i kategorive sociologjike”, botuar në “Përparimi” 1979, lidhur me veprën e prof. dr. Ivan Kuvaciqit “Znanost i drustvo”;
– Po në revistën “Përparimi”, punim me titull: “Origjina e psikanalizës”, vështrim ky i shkruar me rastin e përkthimit në gjuhën serbokroate të veprës së Erik Fromit, “Misija Sigmunda Frojda”, Beograd 1978;
– Revista “Përparimi”, shqyrtim me titull: “Anatomia klasore e shoqërisë borgjeze, vitin 1979, nr. 4.;
– “Shqyrtim marksiste vetëqeverisëse, revista “Përparimi” 1980;
– Revista “Përparimi”, nr. 3/1980, shqyrtim me titull: “Kontraditat e shoqërisë kapi taliste, përkitazi me ribotimin e veprës së prof. dr. Ivan Kuvaciqit me titull: “Obilje i nasilje;
– Në të dyjavshmen “Fjala”, botohet një vështrim i veprës së Erik Fromit, përkitazi me vdekjen e këtij emri të madh të filozofisë, sociologjisë dhe psikologjisë së sotme botërore’
– Librin “Sociologjia”, tekst universitar, Prishtinë 1997;
– Libri, “familjet e mëdha të sotme në Kosovë” 1995, Instituti i Sociologjisë i Fakultetit Filozofik në Beograd; 16 – a): Ky libër u përkthye në gjuhën gjermane këtë vit (2001), dhe do të botohet në Graz të Austrisë kah fundi i vitit;
– E. Dyrkemi, Përkthimi i librit të tij: “Rregullat e metodës sociologjike”, Prishtinë 1985;
– Roli i traditës në zhvillimin ekonomik, Tiranë 2000;
– Shtjefën Gjeçovi – themelues i sociologjisë urbane, revista “Thema”, 15, 2000;
- Gati çdo muaj ka realizuar nga një projekt shkencor.
Kështu që, prof. dr. Gjergj Rrapi, është emër i shquar i arsimit dhe shkencës shqiptare. Me rezultatet e arritura në lëmin e filozofisë e të sociologjisë, ka lënë pas vetes aq studime, aq të arritura shkencore e libra, aq e përjetësoi punën e vet në to , sa ai gjithmonë do të jetë emër i nderuar dhe i çmuar jo vetëm në përmasat kombëtare, por edhe më gjerë. Profesor Rrapi tërë energjinë e tij e derdhi në avancimin e punës shkencore në Universitet dhe në mbrojtjen e autonomisë së tij. Në veçanti kontributi i tij ishte madhor në kohën kur shteti “juridik serb” me tërë potencialin e vet ekonomik, propagandistik, policor e ushtarak, ishte përcaktuar për zhbërjen definitive të arsimit shqip në përgjithësi, të Universitetit të Prishtinës në veçanti dhe për zhbërjen e Kosovës. Ai ishte një nga ideatorët kryesor për vazhdimit institucional dhe legal të punës së Universitetit nëpër objekte private, pas aplikimit të masave të dhunshme administrative të pushtetit serbo-komunist në Universitetin e Prishtinës. Në mbrojtje të këtij institucioni me interes kombëtar, u gjend në ballë të formave të ndryshme të rezistencës për mbrojtjen e tij dhe të shkollës shqipe.
Prof. dr. Gjergj Rrapi ishte luftëtar modern, i denjë dhe i pakompromis për të drejtat njerëzore dhe kombëtare të popullit shqiptar. Kudo që prezantonte në simpoziume të ndryshme shkencore të niveleve ndërkombëtare, haptas, në mënyrë të guximshme dhe argumentuese e prezantonte dhunën dhe gjenocidin serb mbi popullin shqiptar të Kosovës. Padyshim se në këtë kontekst kontributi i tij u sublimua me daljen në dritë të librit “Kosova e viteve të ndrydhura”, të botuar më 1993, në Prishtinë, ku në mënyrë shumë të qartë dhe argumentuese prezanton realitetin shqiptar të atyre viteve, të cilat vërtet ishin të ndrydhura e të rënda.
Ishte mik dhe krah i djathtë i profesor Fehmi Agani
Gjatë fundviteve të viteve të `80-ta, kur Kosova rënkonte nën peshën e rëndë të okupimit serb, kur të drejtat e këtij populli shkeleshin në mënyrë më drastike, ai në një simpozium shkencor në Split të Kroacisë ngriti lartë zërin e protestës kundër gjithë asaj shtypje që Serbia ushtronte ndaj popullatës shqiptare. Në këtë simpozium Rrapi u shpreh se ne shqiptarëve në Kosovë, popull autokton dhe gjysma e popullsisë në territorin kompakt, si dhe populli i tretë për nga numri në Jugosllavi, na mban shpresa se Evropa nuk do ta përsërisë gabimin e saj tragjik ndaj shqiptarëve si në vitin 1913. Pa zgjidhjen e çështjes së 3 milionë shqiptarëve nuk do të zgjidhet çështja e Jugosllavisë. Kriza jugosllave ka filluar në Kosovë dhe nuk mund të zgjidhet pa Kosovën, është shprehur ndër të tjera Rrapi në Simpoziumin e Splitit. Janë të shumta simpoziumet dhe tryezat në të cilat ka marrë pjesë z. Rrapi, i cili është ndër intelektualët që e ka kualifikuar politikën gjenocidiale të S. Milosheviqit në Kosovë dhe qëndrimet e tij ndaj kësaj politike i kanë përshëndetur prof. Branko Horvat, Rudi Supek, Predrag Matjvejeviq dhe të tjerë.
Gjatë viteve të `90-ta kur angazhimi politik e demokratik bënte jetën shqiptare, formë kjo e zgjedhur për daljen nga ai okupim i hekurt i robërisë, edhe profesor Rrapi u angazhua në jetën shoqërore e politike. Ishte themelues i Partisë Shqiptare Demokristiane, më pastaj edhe i Partisë Liberale Shqiptare. Në vitin 1997 është zgjedhur edhe kryetar i shoqatës së Filozofëve dhe Sociologëve të Kosovës. Ishte mik dhe krah i djathtë i profesor Fehmi Agani.
Prof. dr. Gjergj Rrapi, ishte njëra nga figurat tona që kanë luajtur rol në jetën tonë arsimore, intelektuale, shkencore, kulturore, shoqërore, politike dhe kombëtare në gjysmën e dytë të shekullit që e lamë pas dhe në vitet e para të këtij shekulli. Ai i takon atij brezi intelektualësh, edukuesish e veprimtarësh shqiptarë të Kosovës, të cilët me punën e tyre të përkushtuar, me kultivimin e mençurisë, dijes dhe shkencës, i kanë zgjeruar e zgjeruar gjithnjë kufijtë e lirisë vepruese e të krijimtarisë mendore. Edhe pas shtatë vjetësh e kemi parasysh personalitetin e tij të gjithanshëm: figurën e sociologut, të publicistit e të shkencëtarit, aq edhe të vepruesit politik që nga fundvitet ’80 e deri sa vdiq.
Çfarë paraqet profesor Rrapi në librin e tij, “Kosova e viteve të ndrydhura?”
Profesor Gjergj Rrapi, në vitin 1993 botoi librin publicistik “Kosova e viteve të ndrydhura”. Brenda këtij libri janë të ngërthyera disa shkrime publicistike (diskutime të autorizuara), të cilat i ka paraqitur në simpoziume dhe sesione të ndryshme shkencore në shumë vende të Kosovë, të ish- Jugosllavisë dhe të vendeve të tjera evropiane, qysh nga viti 1985 e deri në frymën e fundit të jetës së tij, më 2004.
Libri “Kosova e viteve të ndryshkura” të profesor Rrapit, është një fryt i një kohe të rëndë për individin dhe kolektivitetin shqiptar në gjithë hapësirat në ish- Jugosllavi, ku jetojnë popullata shqiptare dhe sidomos në Kosovë, i cili , që, për afro një dekadë e gjysmë kjo popullatë gjendet nën represionin e padurueshëm të hegjemonistëve komunistë serbë, vetëm pse kërkojnë të drejtat e tyre demokratike, nacionale dhe qytetare, edhe pse shqiptarët në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbinë Jugore (Kosovën Lindore), janë autoktonë që nga kohët antike, pas ardhjes të ilirëve.
Shkrimet publicistike të këtij autori janë një ditar i veçantë që dallon nga një ditar tjetër. Është ky një ditar i cili nuk është shkruar nga profesor Rrapi, mirëpo është shkruar në një kohë – zezonë, prandaj për këtë fakt edhe bart një të vërtetë të dhembshme, por edhe krenare.
Në librin “Kosova e viteve të ndrydhura, shfaqet një sfond i një natyre të zymtë; rropatjet e këtij populli që shekuj të tërë shkojnë në përballje me historinë; shekuj të tërë ky popull vazhdimisht pinrrohet me lirinë… Janë pamjet ekskluzive që i ka parë dhe i shohin sytë e një intelektuali, fa ti i të cilit është i lidhur ngushtë me fatin kolektiv – kombëtar. Prandaj, nyjëtimi më i thellë, më i qartë, më i guximshëm dhe, jo më tronditës i vullnetit të kombit shqiptar, njëmendësisht në publikimet e këtij vëllimi të këtij autori.
Disa nga temat bosht të përfshira në këtë libër, si “Çështja kosovare në diskursin jugosllav”, “Kosova dhe nacionalizmat”, “Shqiptarët në Kosovë dhe në vendet tjera të Jugosllavisë nuk janë pakicë kombëtare por komb”, “Ç’shoh të diskutueshme në politikën popullatave”, “Vetëdija e ideologjisë si fat tragjik për popullin shqiptar”, “Si u mor autonomia e Kosovës?”,Kosova në aktualitetin e sotëm etj., paraqesin se si Kosova prej se është aneksuar dhe është futur padrejtësisht në bashkësinë artificiale ish- jugosllave e sidomos deri në vitin 1966 ka përjetuar çastet më të vështira në historinë e saj.
Periudha e fundit, në veçanti prej vitit 1981, populli shqiptar në Kosovë dhe në gjithë hapësirat tjera të ish- Jugosllavisë përjetoi ndrydhje të mëdha, aq sa mund të thuhet lirisht, siç shprehet edhe vetë autori, “periudhë e imponimit të obskurantizmit serbosllav”. Në frymën e kësaj logjike dhe sipas konceptit armiqësor në që prinin ASHA të Serbisë, Shoqata e Shkrimtarëve të Serbisë” ( e njohur si Francuska – 7), dhe të gjitha institucionet të tjera politike, kulturore e shoqërore serbe, duke elaboruar vazhdimësitë e projekteve famëkëqija, tashmë të njohura dhe të stërnjohura me pretekst që shqiptarët të shpërngulen, pra t’i lëshojnë vatrat e tyre stërgjyshore që i kanë ruajtur me shekuj me fanatizëm, madje edhe të asgjësohen me qëllim të rikolonizimit të Kosovës dhe serbizimit të saj.
Kapitull të veçantë autori i këtij libri i kushton pezullimit të Kushtetutës së vitit 1974, kur Serbia krijoi një gjendje edhe më të tendosur në të gjitha masat e popullit shqiptar në Kosovë dhe jashtë. Duke e vërejtur pushteti okupues serb këtë pakënaqësi të madhe të popullit, në Kosovë solli forca edhe më të mëdha ushtarake e policore, ku Kosovën e robëroi më argumentin e forcës dhe terror të papërshkrueshëm, duke i munguar çdo argument tjetër.
Autori, prof. dr. Gjergj Rrapi, në librin e tij “Kosova e viteve të ndrydhura”, tërheq shumë paralele të luftës së popullit shqiptar kundër shumë nacionalizmave, duke u fokusuar në tre nacionalizmat ortodoks: në nacionalizmin serb, malazez dhe atë maqedonas.
Çështjen e Kosovës, autori nuk e konsideron vetëm si çështje e Kosovës, sido që të zgjidhet ajo, sipas tij do të jetë e paqëndrueshme. Çështja e Kosovës, sipas profesor Rrapit, mund të zgjidhet drejt dhe përfundimisht vetëm me zgjidhjen e çështjes shqiptare në përgjithësi, pra të tërë gjeografisë shqiptare, ku, kjo njëherësh është edhe ideja që i përshkon shkrimet dhe publikimet e tij dhe përgjigjja më autentike e profesor Rrapit sa i përket fatit të kombit shqiptar.
Një ide e këtillë, sipas tij mund të realizohet, në radhë të parë në bazë të rrethanave që po lëvizin në këtë pjesë të këtij globi tokësor, dhe çka është më qenësore për forcat tona politike, ndërtimi i një platforme të përbashkët politike e kombëtare. Kjo platformë do t’i paraprijë këtij synimi që është shumë racional dhe me pretendim që të realizohet në një rrethanë të caktuar politike.
Këto të dhëna dhe shumë të tjera të cilat profesor Rrapi i ka kapërthyer në brendinë e këtij libri, e bëjnë shumë të rëndësishëm këtë libër, i cili do t’i qëndrojë kohërave.
Kjo vlerë e këtij studiuesi nuk është nuk është e vetmja punë e frytshme. Profesor Rrapi punoi edhe vepra të tjera që të cilat do të lënë gjurmë për gjeneratat tona.
U shkëput nga jeta kur ishte në kulmin e fuqive të tij krijuese
Kështu, prof. dr. Gjergj Rrapi u shkëput nga jeta në kohën kur ishte në kulmin e fuqive të tij krijuese, bash në kohën kur bashkëkombësit kishin aq shumë nevojë për talentin e tij të madh, për mendjen e tij të ndritur, për fjalën e tij me autoritet, për veprimin e tij të guximshëm dhe efektiv. Zbrazëtia që la prof. dr. Gjergj Rrapi në frontin e punës e të luftës nuk është aspak e lehtë të mbushet. Por, njerëz si ai mbeten të gdhendur përjetësisht në kujtesën e kombit si pika të ndritshme referimi të historisë së tij.
Le të jenë këta rreshta një homazh e një nderim i thellë për profesorin e nderuar, Gjergj Rrapi, emrin e të cilit do ta mbajmë përjetë të paharruar.
Prandaj, prof. dr. Gjergj Rrapi, mbetet personalitet i shquar i arsimit e i shkencës shqiptare, po ashtu edhe luftëtar i denjë për të drejtat njerëzore e kombëtare.
Në përfundim mund të konstatojmë se emri dhe vepra e profesor Gjergj Rrapit do të mbeten të pashlyera në kujtesën tonë dhe të brazave që pasojnë, të cilëve u shërbeu gjatë gjithë rrugës së tij jetësore.
*HOMAZH PËR PROF. DR. GJERGJ RRAPI (1937-2004)
Gjeniu Gjergj Sina nga Voskopoja dhe perandoria e tij finaciare në Austri
Nga Pjeter Logoreci-Vjenë/
Në vazhdim të ciklit me shkrime për dinastinë Sina, mbi historinë e suksesëshme të kësaj familje nga Voskopoja, në Austri, po sjell disa informacione mbi jeten dhe aktivitetin shumë dimensional të një prej burrave më në zë në xhiron e bizneseve dhe të parasë, bankierit Gjergj Sina.
Po të kërkosh për Gjergj Sinen në arkivat e shtetit, por edhe ato private austriake, nga sasia e madhe e informacionit që gjindet, mund të krijosh një ide fillestare për xhiron gjigande të aktiviteteve tregtare, bankare, prodhuese, ndërtuese por edhe shoqërore të Bossit Gjergj Sina. Perandoria finaciare të cilën Gjergj Sina trashëgoj nga i ati Simon Sina dhe që e fuqizoi me tej, kalonte kufijtë e disa shteteve të fuqishme të kohës si perandoria osmane dhe ajo austrohungareze, duke u përhapur në të gjithë Europën e zhvilluar.
Të njohim Gjergj Simon Sinen.
Gjergj Simon Sina lindi në Nish me 20 nandor 1782, nga martesa e Simon Sines (plakut) me vajzën nga Nish-i, Irene Czippe. Për të vërtetuar vendin e lindjes së tij nuk pat ndonji dokument, pasi në perandorinë osmane nuk lejohej një dokument pagëzimi. Vetë Gjergji e ka deklaruar më vonë, Nish-in si vendlindjen e tij, përsëri pa e pasur të dokumentuar, por të vërtetuar gojarisht nga pesë dëshmitare që ishin miq të familjes dhe “që e njihnin ate që fëmijë”. Kur Gjergji ishte në moshën 10 vjecare, pas vdekjes së parakohëshme të nënës, babai vendosi që të largoheshin nga Nish-i për tu vendosur në Vjenë, kryeqendrën e fuqishme tregëtare e finaciare të perandorisë.
Sipas informacioneve të asaj kohe, (rreth viteve 1800) mendohej që numri i tregtarve “grek”(1) me shtetësi turke të cilët kishin firma të mirëfillta me aktivitet tregtar në Vjenë, ishte rreth 217-të.
Duke filluar nga viti 1803, Gjergj Sina ishte aktiv dhe drejtonte firmen bashkë me babain e tij, firmë që ishte pjesë e SHOQERISE së tregëtarëve “grekë” në Vjenë. Me 3 prill 1818, tre nga Sina-jt, babai i tij Simon, vëllai Johann dhe ai, morën titullin BARON. Thuhet që, si Gjergji ashtu edhe Simoni (i vjetri), që nga viti 1811 deri me 1818 përdorën në të mirë të tregtisë së tyre, shtetësinë e dyfishtë (turke dhe austriake). Në vitin 1822, për të nderuar figurën dhe veprën e babait (një vit pas vdekjes së tij), Gjergji, ja ndryshoj emrin e firmës që trashëgoi (që dikur quhej PAPA NAUM, SINA & CO) në SIMON GEORG SINA, duke marrë mbi vehte cdo detyrim si dhe kontaktet që babai kishte në zonat e perandorise osmane. Biografja austriake A.Lanier, e cila ka bërë historikun e bankës dhe bizneseve të familjes Sina, mendon që një gurë i fortë në themelin e kapitalit të FIRMES SINA ishin edhe disa situata që u krijuan në favor të Voskopojarëve. Ajo i referohet për këtë tregimeve që vetë Gjergj Sina ju ka shprehur bashkohësve e miqve të vet:……. ne familjarisht duhet ti falenderohemi,…. rritjes së kërkesës për lëndën e parë, pambukun (në fillimin e prodhimit të tij industrial), ….një lufte , … disa vdekjeve që pasuan,…. si dhe rrotacionit të zyrtarve në disa organe shtetërore të perandorisë osmane….
Gjergj Sina hapi në Vjenë një firmë ku tregtonte mall me shumicë nga Ballkani, e cila “gëzonte mbrojtjen dhe privilegjet” e pashait vendas. Sipas historianëve, ishte koha kur akoma nuk kishte filluar eksporti i pambukut nga Amerika, ndërkohë që në zonat e Ballkanit, sidomos në Maqedoni, prodhimi i pambukut ishte në kulmin e lulëzimit. Pashai vendas, Ali Pasha, e ndaloj popullsinë që prodhimet ti tregtonte diku tjetër dhe mori për vehte monopolin mbi pambukun, duke e mbledhur për të ja shitur më pas bashkëatdhetarit Sina, i cili kishte nënshkruar në Manastir një kontratë të rregullt me pashain. Tregtia në mes tyre do të funksiononte si një Shoqëri e mirëfilltë. Pashai duhej ti dërgonte pambukun Sines me një cmim për të cilin ishin kuptuar bashkë, ndërsa Sina duhej ta shiste. Nga fitimi i përbashkët, sipas marrveshjes dy palëshe, Sina ishte i detyruar të administronte edhe pjesën e fitimit të ortakut. Ali Pashai trembej që Sulltani një ditë do të hakmerrej dhe për cdo gjë që mund të ndodhte, bankieri Sina ishte i detyruar që, sipas kontratës, ti jepte familjes së pashait pjesën e fituar. Për vite me radhë, kjo tregëti solli fitime të mëdha. Edhe luftrat që po bënin francezët, sollën një ndikim pozitiv në shitjen e lëndës së parë, pambukut që i duhej ushtrisë për veshmbathje. Por erdhi një ditë, që Sulltani arriti të ndëshkojë Ali Pashain, duke e vrarë atë vetë, si dhe djemtë e tij. Ai arriti të fshijë nga faqja e dheut të gjithë familjen e pashait rebel. Kështu që Gjergj Sina u bë trashigimtari i vetëm ligjor i shumës stërmadhe të fitimit që i përkiste Ali Pashait. Kjo gjë është konfirmuar edhe në gazetën e mbrëmjes Pester Lloyd, e cila me rastin e vdekjes së Gjergj Sines, në numrin e saj të 20 maj 1856-es, në një kronologji që botoj mbi jetën dhe karrieren e Gjergj Sines shkruante: …Ai (Gjergj Sina) duhet ti falenderohet …..të famshmit e të plotfuqishmit Ali Pasha nga Janina, me të cilin në atë kohë zhvilloj një tregti të përmasave të mëdha, nga ku i vjen një pjesë e madhe e kapitalit bazë të firmës…. Thuhet që për këtë arsye, rreth vitit 1847, qeveria turke i kërkoj Vjenës që ta ekstradojë Gjergj Sinen, një kërkesë që nuk u realizua kurrë.
Gjenialiteti i Gjergj Sines si afarist dhe financier bëri që pjestarët e tjerë të familjes Sina të mbesin “në hije” edhe pse patën një aktivitet të mirëfilltë tregëtar dhe social. Në mbretërinë e financave të perandorisë, ai filloj të thirrej “Gjergji i madh” ose “para-lija Sina”. Talentin për të bërë tregëti që trashëgoi nga babai e zgjeroj dhe me tej duke vendosur kontakte pune në tërë Europën. Me fillimin e eksportimit të pambukut si lëndë e parë për industrinë europiane nga Amerika, Sina humbi monopolin dhe tregëtia me këtë mall u dobësua shumë. I prirë nga nuhatjen e tregëtarit të lindur, ai filloj të kërkojë mëndyra të tjera biznesi. Gjergji nuk vonoj të futej me sukses në tregtinë e duhanit, ku në vitin 1851 pat monopolin e tij në Hungari, por pa lënë pas dore edhe tregtinë me mallrat e tjerë si; druri, qymyrigurit dhe krypa, që i sillnin fitime të mëdha. Gjergj Sina nuk ishte vetëm burri më i pasur i perandorisë, por krahas bankës Rothschild, ai ishte zotëruesi dhe drejtuesi i bankës më të suksesshme të Austrisë, e cila pat kulmin fitimeve në vitin 1848 nga obligacionet e shtetit dhe nga dhënia e kredive për ndërtimin e ujësjellësit, bashkisë së Vjenës. Duke praktikuar letrat me vlerë, kambialet (urdhër xhirimi), dëftesa borxhi, banka Sina arriti të fitojë shuma marramendëse. Nga aftësitë e tija të vecanta si burrë i financave, në vitet 1825 deri 1849 ai u zgjodh si drejtor i bankës kombëtare të perandorisë dhe nga 1849 deri 1856 (deri sa vdiq) zëvendës guvernator i po kësaj banke.
Gjergj Sina me një inteligjencë të pashoqe drejtonte bizneset dhe rriste zotërimet e tija. Puna ishte për të si oksigjeni. Edhe pse në moshën 70 vjecare, punonte nga mëngjesi deri vonë në darkë. Qëllonte që kalonte netë të tëra në zyrë.
Tregojnë që një herë në një mëngjes të bukur me diell, teksa zbriste shkallët e ndërtesës së bankës, një i njohur që banonte në pallatin pranë tij i habitur e pyeti:… si zotni Baron, nuk keni shkuar mbramë në fshat (ku ishte vila e tij familjare)? Baroni i milionave u pergjigj i shkujdesur: ….Nuk kam kohë…
Gjergj Sina edhe pse drejtor dhe pronar i bankës, priste me përulësi këdo: …si bankierin superpasanik që i propozonte lëvizje të mëdha parash apo fitime të mëdha, ashtu dhe tregtarin e thjeshtë që i ofronte veprime të vogla biznesi. Me secilin bisedonte dhe negocionte vetë. Ishte pasioni i tij të bënte ”tregtarin”. As përfitimet finaciare dhe as mëndyra e fitimit nuk ishin qëllimi i jetës së tij, por kushtet e jetesës, realizimi i dëshirave dhe elementeve të jetës aktive. Ishte i saktë dhe i vëmendëshëm deri në detajet me të vogla në jetën e tij private dhe profesionale……
Tregojnë që,… shërbëtori i kërkoj leje të blejë një dry që i nevojitej ….
– “Shiko në katin e sipërm, atje gjinden disa, të vjetër por funksional – ju pergjigj baroni Sina”. Por, shërbëtori nuk arriti ti gjejë dhe u kthye nga lart duar bosh. Atëherë multimilioneri Gjergj Sina, i dyti burrë i pasur i perandorisë, u ngjit vetë në papafingo dhe u kthye duke sjellë me vehte një dry të përdorur, por në gjendje pune.
Vemendja, ishte një nder dhuntitë e rëndësishme në aftësitë dhe karakterin e gjeniut GJERGJ SINA….
Ky serial shkrimesh per dinastine Sina vijon në numrat e ardhëshëm….
Shenime:
(1)Voskopojarët të cilët ishin me besim kristian ortodoks shiheshin nga popullsia e Vjenës si GREKE…
Vjenë, me 10 korrik 2015
Foto : Gjergj Simon Sina
- « Previous Page
- 1
- …
- 33
- 34
- 35
- 36
- 37
- …
- 100
- Next Page »