• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2015

Përfundon viti shkollor në Austri

July 5, 2015 by dgreca

Nga Hazir MEHMETI,Vjenë/
Deri në mesin e muajit korrik mësimi përfundon në tërë Austrinë. . Sipas shënimeve janë 13.560 nxënës shqiptarë, prej të cilëve shqip mësojnë në tërë vendin vetëm 2500 nxënës në klasat e 23 mësuesve, apo diku rreth 19% i tyre. Ata që vijuan mësimin në gjuhën shqipe e përfunduan me sukses do jenë pjesë e projekteve të Ministrisë së Diasporës dhe do bëjnë falas shëtitje në Kosovë, Shqipëri dhe në Austri. Pajisja me tekste më e mirë se asnjëherë. 
 Në Austri jetojnë diku rreth 60 mijë shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare, çereku i tyre janë fëmijë shkollor. Sipas shënimeve janë 13.560 nxënës shqiptarë, prej të cilëve shqip mësojnë në tërë vendin vetëm 2500 nxënës në klasat e 23 mësuesve, apo diku rreth 19% i tyre. Kur dihet se Austria është njëra nga vendet ku mësimi i gjuhës amtare është i garantuar si pjesë e sistemit publik arsimor në kuadër të Ministrisë së Mësimit në Austri, kjo është shumë pak dhe paraqet shqetësim. Krahasuar me kombet tjera është e pa kuptim refuzimi i prindërve mësimin shqip. Kjo është diçka befasuese edhe për zyrtarët përgjegjës, kur dihet se çdo gjë është e siguruar nga Ministria e Mësimit të Austrisë. Kryesia e Shoqatës së Mësuesve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Austri në Kuvendin e saj e ka ngritur këtë shqetësim dhe apelon tek Ministria e Diasporës, Ministria e Arsimit, shoqatat shqiptare në Austri në aktivizimin e tyre në formë aksioni për regjistrimin e nxënësve në mësimin shqip nga mosha 6 vjeçare deri në moshën 19 vjeçare. Veçanërisht i ulët është vijimi në Vjenë, Graz, Salzburg si qendra ku graviton një mërgatë shqiptare numerikisht e theksuar. Në Vjenë si rezultat i pasivitetit tonë u shua një vend pune mësuesi në vend që të hapej një i ri, pas shkuarjes në pension të njërit prej tyre. Në Vjenë jetojnë mbi 20 mijë shqiptarë me mbi 3 mijë nxënës nga klasat e para deri në klasat e nënta, prej tyre mësojnë shqip vetëm 370 prej tyre. Afër 2 mijë janë nxënës të rritur 11 deri 19 vjeç, prej tyre mësojnë shqip diku rreth 30 nxënës. 
 Mjerisht, edhe pse shoqatat kulturore e kanë në programet e tyre të ndihmojnë ruajtjen e gjuhës shqipe dhe bashkëpunimin me rrethet kulturore e mësimore, aktiviteti i tyre karshi mësimit shqip ësht shumë larg mundësive e nevojave. Duhet të niset që nga kryesitë e shoqatave kulturore, veprimtarë regjistrimi i fëmijëve në mësimin shqip. Edhe pse ka deklarime se do ndihmohet integrimi me identitet kombëtar e jo të asimiluar, në fakt është e kundërta, me pasivitetin tonë po e mundësojmë asimilimin e fëmijëve tanë. Përshtypja është se në familje punohet pak me fëmijët e rritur duke e humbur atë nga kontrolli i domosdoshëm. Arsyetimet e atyre të cilët nuk i regjistrojnë fëmijët e tyre janë gjithfarë dhe nga më qesharaket e naivet: “Fëmija im di shqip”, “Unë e mësoj në shpi”, “…aiii, atij i duhet gjermanishtja se sa për shqip ai është perfekt”, “…këtu nuk kemi nevojë për shqip”, “ … nuk ka kohë, ai është në gjimnaz”, “ ..nuk po do shqip, veç m’e myt”, “…nashta vitin tjetër”, “ … jo more hiqmu shqipes”, “… u regjistrue në fusboll, nuk ka kohë” etj.
Në të gjitha shkollat prindërit mund të kërkojnë formularin për gjuhën shqipe. Kjo është e drejtë e garantuar me ligj dhe duhet shfrytëzuar nga prindërit që t’i mundëson fëmijës së tij vijueshmërinë… Nuk mund të jesh shqiptar e të mos flasësh gjuhën shqipe.
Në Austri mësimi i gjuhës amtare është i siguruar brenda sistemit shkollor publik dhe nën përkujdesjen e organeve zyrtare përkatëse. Pak vende në Europë e kanë të rregulluar kaq mirë mësimin amtar sikurse është Austria e përcjell nga Suedia, Finlanda. Në vendet tjera mësimi në gjuhën amtare është kryesisht i organizuar dhe financuar nga shoqatat e prindërve
shfrytëzoni mundësitë
Nisur nga rrethanat e volitshme prindërit do duhej t’i shfrytëzojnë mundësitë e ofruara. -Ata duhet më këmbëngulje të kërkojnë që fëmija i tyre të ketë mundësi të mësoj shqip i garantuar sipas ligjit dhe t’i nënshkruajnë fletëparaqitjet (Anmeldung) me kohë, javën e parë.
-Të jenë të organizuar, të komunikojnë mes veti edhe me prindër të shkollave afër deri në formimin e grupit prej 12 nxënësve shqiptarë të cilëve u sigurohet mësimi sipas ligjit për gjuhë amtare. Të gjitha kërkesat pastaj janë në varësi të drejtorive, inspektorit. Mësimdhënësi do sigurohet nga këto organe përgjegjëse, tekstet dhe materiali përcjellës.
Tekstet
Tani janë të siguruara tekstet e reja (19 tekste) nga Ministria e Arsimit dhe Diasporës për të gjitha nivelet mësimore falas. Ato porositen nga mësuesi në Ministrinë e Mësimit të Austrisë të cilit i dërgohen në shkollë. Në Austri për herë të parë është botuar Abetarja në shqip dhe mësuesi e porositë nga katalogu i teksteve mësimore sipas numrit të nxënësve në shkollë. Të gjitha janë falas. Abetarja dhe Tekst Ushtirimi-1 mund të porositen nga prindërit privatisht, por duhet paguar. Adresa: E.Weber Verlag, Eisenstatdt, përmes internetit direkt (O-line). Kjo abetare është e përshtatshme për nxënësit në diasporë dhe e standardeve bashkëkohore për alfabetiizmin paralel me gjuhën e shkollës dhe është porositur nga shumë vend D,S,B,GBr etj. Info: Ph-Zürich Datenbank Mehrsprachigkeit Zvicër; E.Weber Verlag -Austri etj.
Tekstet janë të hartuara sipas kurrikulës së re mësimore për diasporë nga Ministria e Arsimit të Kosovës dhe tani e bashkuar edhe Ministria përkatëse e Shqipërisë.
Për informata shtesë prindërit mund të kontaktojnë me mësuesit shqiptarë. Adresat e tyre janë të shënuara në Ambasadën e Kosovës.
Formimi i personalitetit me identitet dhe i kompletuar nuk mund të jetë i plotë pa e mësuar gjuhën e nënës. Nuk mund të jesh shqiptar e të mos flasësh gjuhën shqipe. Gjuha shqipe nuk e pengon integrimin dhe mësimin e gjuhës së shkollës, përkundrazi e ndihmon atë. Shpresojmë se gjatë këtyre dy muajve do kemi aktivitete në dobi të formimit të grupeve mësimore deri në javën e parë të shtatorit, kur fillon mësimi.

Filed Under: Mergata Tagged With: Hazir Mehmeti, në Austri, perfundon, viti shkollor

Epoka e komunizmit jeton

July 5, 2015 by dgreca

Ka ndodhur më shumë se 25 vjet më parë, por ndjehet sikur dje. Kur po shikoja pamjet e rënies së Murit të Berlinit, qava nga gëzimi, mora shishen e verës franceze më të mirë, lashë televizorin e ndezur dhe dëgjova Simfoninë e Nëntë të Beethovenit papushim.
Nëqoftëse nuk e përjetuat, ta dini se nuk kishte asgjë si ajo. Megjithatë, ajo çka kemi nevojë të kujtohet janë çfarë ishte në lojë dhe çfarë nuk ndodhi në valën e rënies së Murit.
Përveç tiranisë, torturës dhe sulmit ndaj shpirtit njetëzor, viktimat e masakruara të komunizmit nuk qenë mijërat e Inkuizicionit, nuk qenë mijërat e amerikanëve të linçuar, nuk qenë as 6 milion të vdekurit në shfarosjen naziste. Studimet më të mira prodhojnë numra që shpirti duhet të përpiqet t’i kuptojë: miliona e miliona e miliona trupash njerëzorë, që është ajo që e bën veprën e Lee Edwards në mbajtjen gjallë në mendjet tona e viktimve të komunizmit aq thelbësore moralisht, aq vitale moralisht.
Alexander Yakovlev, dora e djathtë e Gorbaçiovit, i cili studoi arkivat për liderin e fundit sovjetik dhe që doli prej tyre një njeri thellësisht i ndryshuar dhe heroik, na bëri me dije se 60 milione njerëz u vranë vetëm në Bashkimin Sovjetik.
Autori kinez Jung Chang, i cili kishte akses në një numër të madh bashkëpunëtorësh të Mao Ce Dunit dhe në arkivat e detajuara ruse e vendore, arriti numrin e 70 milion jetëve kineze të humbura nga zgjedhjet e qëllimshme të tij.
Nëqoftëse llogarisim ata të vdekur prej urisë nga aftësia dhe dëshira komuniste për të eksperimentuar me ndërveprimin njerëzor në bujqësi – 20 milion deri në 40 milion në 3 vjet – atëhere ne mund të shtojmë edhe shumë miliona jetë njerëzore më tepër.
Khmerët e Kuq nën Pol Potin, i cili ishte arsimuar në Francë dhe e kishte mësuar politikën e tij nga intelektualë komunistë francezë, masakruan një të pestën deri një të katërtën e të gjithë popullsisë kamboxhiane. Kjo do të ishte njëlloj sikur një regjim amerikan të kishte vrarë 50 deri në 70 milion banorë të vet.
Në çdo regjim komunist, njerëz të panumërt u pushkatuan dhe u vranë nga denoncimi i qëllimshëm, nga uria dhe u vranë në kampe pune e burgje të krijuara për të shtrydhur edhe pikën e fundit të punës përpara se ata të vdisnin. Asnjë kauzë në historinë e të gjithë njerëzimit nuk ka prodhuar më shumë të pafajshëm të ekzekutuar dhe më jetimë sesa komunizmi. Ai qe sistemi i prodhimit që i tejkaloi të gjithë të tjerët në çuarjen e njerëzve drejt vdekjes.
Çfarë duhet të kishte pritur njeriu pas rënies së Murit të Berlinit? Çfarë nuk ndodhi? Ku qenë festimet dhe vëniet përpara përgjegjësive? Ku qe njohja e vlerës së parrëfyeshme të një qeverie vërtet të kufizuar?
Shkolla, universitetet dhe mediat tona nuk u mësojnë fëmijëve tanë tani ndonjë gjë ndryshe rreth pasojave humane të lirisë, shoqërive të lira ekonomike dhe të qeverisjes së kufizuar në botën reale. Fëmijët tanë nuk dinë në asnjë aspekt se çfarë ndodhi nën komunizëm. Ata që varen në median dhe filmat tanë nuk dinë. Ne jetojmë pa vetëbesim dhe pa ndonjë kuptim moral të vendit të jashtëzakonshëm të Amerikës, vlerave të saj, lirive të saj dhe atë të atyre udhëheqësve që fituan Luftën e Ftohtë për dinjitetin dhe të mirën e njerëzimit.
Çfarë mund të kish shpresuar një individ i shëndoshë dhe moral? Një epifani antikomuniste, një festival festimesh, një lulëzim studimesh krahasimore, një rrëfim të plotë të realitetit komunist – politik, ekonomik, moral, ekologjik, social dhe kulturor – një rishikim të kurrikulumit, një njohje të vlerës së parrëfyeshme të atyre idealeve për të cilët paguam çmimin më të plotë? Ku ndodhi ndonjë gjë prej tyre?
Imagjinoni sikur Lufta e Dytë Botërore të kishte përfunduar në një pikë të vdekur me një perandori naziste evropiane nga Uralet deri në La Mansh, shpejt të armatosej me armë bërthamore dhe në konkurrencë vdekjeprurëse me Shtetet e Bashkuara në një paqe të mbajtur vetëm nga frikësimi. A do të kishin kënduar fëmijët progresistë: “Gjithçka po themi është jepi paqes një shans” nën simbolet e çarmatimit unilateral? A do ta kishin përqeshur intelektualët tanë shprehjen “Perandori e së Keqes”? Cilat qenë diferencat? Vdekjet? Kampet? Braktisja e trupit dhe e shpirtit?
Solzhenitsyn kishte plotësisht të drejtë lidhur me sovjetikët: “Asnjë regjim tjetër në faqe të Tokës nuk mund të krahasohet me të, as në numrin e atyre që ka çuar drejt vdekjes, në entuziazmin, në rrezen e ambicieve, në totalitarizmin e tij të thellë dhe të plotë – jo, as regjimi i nxënësit të tij, Hitlerit” (nga Arqipelagu Gulag).
Cili do të kishte qenë festimi sikur pas dy brezash svastika më së fundi të kishte rënë në vend të drapër e çekanit?
Pas gjithë kësaj që dimë, a i mësojnë historianët sot nxënësit deri diku ndryshe rreth pasojave sociale të tregjeve të lira dhe sundimit të ligjit në një botë fenomeni krahasues? Sa befasuese që ne nuk e kemi një rrëfim intelektual, moral dhe, mbi të gjitha, historik se kush kishte të drejtë dhe kush gabim, dhe pse, na analizat e tyre për komunizmin.
Ne jetojmë në një epokë dashakeqësie të frikshme. “Ju vendosni pronën private përpara njeriut” lexon një anatemë e fuqishme, sikur në dritat e të gjithë atyre mësimeve, prona private të mos ishte absolutisht e nevojshme për mirëqenien, dinjitetin, lirinë dhe jetët e qenieve njerëzore në shoqëri dhe sikur fitimet të mos ishin masa e përmbushjes së dëshirave dhe kërkesave të tjera të njerëzve.
Në të vërtetë, është saktësisht për të shmangur rivitalizimin e parimeve të një shoqërie vullnetare, qeverisjeje të kufizuar dhe përgjegjësi e lirie individuale që mësuesit, pedagogët, media informuese dhe regjisorët e filmave e injorojnë investigimin krahasues që e kërkon me kaq urgjencë koha jonë.
Holokausti komunist, ashtu si ai nazist, do të prodhonte një lulëzim të artit perëndimor, dëshmi, simpati e një oqean lotësh dhe më pas një festim në rënien e tij. Në vend të këtyre, ai prodhoi një akullnajë indiference. Fëmijët që në vitet Gjashtëdhjetë mbanin portrete të Leninit, Maos dhe Çe Guevarës në muret e kolegjeve të tyre – ekuivalenti moral i varjes së portreteve të Hitler, Goebbels apo Horst Wessel në dhomë – filluan të mësojnë fëmijët tanë rreth superioritetit moral të gjeneratës së tyre.
Çdo libër shkollor historie që merret me krimet e nazistëve – me të drejtë – kërkon shkaqet themelore, nxjerr një mësim prej tyre dhe çdo njeri e di numrin 6 milion. Në kontrast me këtë, të njëjtat libra shkollorë qëndrojnë të heshtur lidhur me katastrofën e komunizmit, kudo që ai mbante apo mban pushtetin. Pyesni çdo nxënës kolegji – bëjeni nëqoftëse nuk më besoni – se sa njerëz vdiqën nën regjimin e Stalinit dhe do t’ju përgjigjen edhe tani: “Mijëra? Dhjetëra mijëra?”. Kjo është ekuivalenti i besimit se Hitleri vrau qindra hebrenj.
Skandali i një injorance të tillë buron nga një verbëri e qëllimshme e kulturës intelektuale ndaj katastrofës së simpative relative të saj. Shumica e Europës i ka nxjerrë jashtë ligjit neonazistët, por Partia Komunistë Franceze nga viti 1999 deri më 2002 ishte pjesë e një koalicioni qeverisës. Njeriu nuk mund ta shpalosë svastikën, por mund ta ngrejë draprin dhe çekanin në evenimente zyrtare.
Mohimi i vdekjes së Hitlerit apo minimizimi i holokaustit hebre është realisht krim për shumicën e Europës. Mohimi ose minimizimi i krimeve komuniste është një formë artistike intelektuale e politike dhe një rrugë e shpejtë për një karrierë akademike të suksesshme.
“Antifashist” është një term i nderuar; “antikomunist” një term përqeshjeje dhe keqtrajtimi.
Teksa takohemi, Partia Social Demokrate dhe Partia antiEuro po negociojnë që të hyjnë në një koalicion qeverisës në Landin e Thuringisë që do të kryesohet nga Die Linke, trashëgimtarët e Partisë Komuniste Gjermanolindore, për shkak se asnjeri nuk kujton dhe, mbi të gjitha, asnjeri nuk nxjerr mësim. Për të paktën një gjeneratë, përçmimi intelektual për shoqërinë liberalë ka qenë në thelb të lëndëve shoqërore dhe shkencave sociale të bota.
Kjo është përshpejtuar, jo ndryshuar, qysh nga rënia e Murit të Berlinit dhe, për sa u përket mea culpas, ne presim më kot për to.
Kur Eisenhower dëgjoi se banorët e një qyteti aty afër nuk dinin gjë për një kamp vdekjeje, kutërbimi i të cilit duhet t’i kishte arritur flegrat e hundëve të tyre, ai i vuri që të parakalojnë, të veshur mirë – është sekuencë filmike dramatike – nëpër kufomat e kalbura, i bëri që të shikojnë në drejtim të tyre dhe të ndihmonin në varrosjen e tyre. Kryebashkiaku i Saxe-Gotha dhe bashkëshortja e tij varen veten pasi u kthyen.
Neve na mungon autoriteti i Eisenhower. Milan Kundera deklaronte realitetin moral me qartësi: “Po për ata me qëllime të mira?”, pyeste ai. “Kur Edipi kuptoi se ai vetë ishte shkaku i vuajtjeve të tyre”, përgjigjet ai, “ai nxori sytë e tij dhe u largua i verbuar nga Teba, i paaftë që të duronte shikimin e fatkeqësive që kishte shkaktuar nëpërmjet mosdijes”.
Le t’i lejojmë apologjetët e komunizmit që ta njohin të vdekurin, të varrosin të vdekurin dhe të pendohen për të vdekurin. Përndryshe, le t’i falim vetëm kur të kenë nxjerrë sytë e tyre dhe të largohen të verbuar nga Teba. Le t’i lëmë intelektualët perëndimorë të mësojnë fjalët e poemës Requiem, e shkruar gjatë terrorit stalinist nga Anna Akhmatova, poetja më e madhe ruse e shekullit të Njëzet: “Do t’i kujtoj ata gjithmonë dhe kudo. Nuk do t’i harroj kurrë çfarëdo që të ndodhë”.
Trupat kërkojnë numërim, apologji dhe pendesë. Pa gjëra të tilla, epoka e komunizmit jeton. Pa gjëra të tilla, mbetet sërish një Mur Berlini, i mendjes dhe i shpirtit, që nuk ka rënë akoma.
(Dr. Alan Charles Kors është the Henry Charles Lea Profesor i Hstorisë në University of Pennsylvania, ku specializohet në historinë intelektuale evropiane. Ai është ish anëtar i National Council for the Humanities dhe një përfitues i National Humanities Medal në vitin 2005.)
Përgatiti
ARMIN TIRANA

Filed Under: Analiza Tagged With: Armir Tirana, Epoka e komunizmit jeton

Televizioni Publik dhe kriza e Këshillit të Alfred Pezës

July 5, 2015 by dgreca

Nga Kolec TRABOINI/
E kam pas një borxh për të folur publikisht për tërë ato makinacione me të cilat u zgjodh Këshilli i Televizionit, e ku gjithçka u manipulua nga llogoret e Partive. Nuk është e nevojshme të kesh qenë ushtarak për të kuptuar se ç’janë llogoret, ku nëse bie shi të mbyt balta. Po le të vazhdoj pikërisht aty ku mbaron shkrimi “Si zgjidhet kriza në Radiotelevizionin Publik? -nga Alfred Peza- në të cilin si në profani na sjell mendimin se krizat na i zgjidhin pikërisht ata që i krijojnë. Po zoti Alfred, zoti deputet, ka kaos në forumet drejtuese të një institucioni siç është Televizioni Publik, që duhet të ishte i pavarur, e ky kaos ndodh se gjithçka e bën politika dhe anëtarët e këshillit. Kur u zgjodhën më së shumti u mor në konsideratë kriteri politik dhe aspak profesionalizmi, madje në këshill prej 10 anëtarësh zgjodhët pikërisht tre piktorë e një skulptor, sikur të ishte këshilli i Galerisë së Arteve. Kasta politike e ka politizuar aq keq këtë vend, sa as në kohën e diktaturës nuk ka qenë. Mund të ishe drejtues a këshilltar edhe pa qenë komunist, o Alfred Peza. I di ti këto punë mirë, por bën sikur nuk i di. Çfarë pune kanë PS, PD dhe LSI me televizionin publik? Asnjë punë. Veç ngatërresa. Veç regres. Kanceri i Televizionit Publik është pikërisht politika. Jeni ju të partive që i vutë kazmën çdo gjëje në këtë vend. Televizioni Publik paguhet nga populli dhe duhet që shoqëria civile e jo partitë të bëjnë zgjedhjet për në forumet. Po ju këtë normë elementare për çdo vend demokratik e të kulturuar e keni kthyer në manovra politike e prapaskena të pështira që çdo ditë na shohin sytë. Në emër të gjoja një progresi që keni në kokë, por që nuk duket në realitet, po ia bëni varrin kësaj shoqërie. Cilit progres?! Ku është progresi? Tek ndarja absurde, 10 të këshillit i përkasin PS, PD dhe LSI? Ku vemi kësisoj me këtë egërsi për të kapur politikisht çdo pushtet e çdo institucion. Po le të shohim çfarë ndodh në këto Këshilla Televizioni të sajuar në orekse partish. Lexova platformën e njërit nga të dy kandidatët, për të cilin nuk po gjen rehat deputeti Alfred Peza. Ishte një platformë solide, plot imagjinatë krijuese, me perspektivë vënien e televizionit në një platformë të tillë që të bëhet një dritare ku publiku të shohë vetveten. Por më erdhi çudi se pikërisht atij kandidati i kishin dhënë më pak vota se tjetrit që është rektor në Universitetin e Arteve dhe kërkon të kërcejë nga një kolltuk në një tjetër në sajë të njohjeve dhe privilegjeve që i kanë krijuar pikërisht politika. Nuk u gjend një tjetër të mos kërcente pupthi nga kreu i një institucioni në një tjetër? Të krijohet përshtypja se disa njerëz në sajë të njohjeve, miqve, rrethit duke përfshirë dhe politikën, e kanë një siguri të përjetshme të mbajnë funksione të larta publike. Pikërisht këtij Këshilli të Televizionit Publik, kjo sajesë e Komisionit të Medias që drejton Alfred Peza, i dha këtij kandidati më shumë vota se tjetrit. Kjo tregon se mendësia e këshillit të sajuar “progresivisht” nga Alfred Peza është për të dëshëruar, që fare pak ka të bëjë me profesionalizmin, sikur të mos e dinë se të drejtosh një institucion publik nuk është e nevojshme të jesh aktor, as të dish si interpretohet një rol e ta plastosh mimikën, por të kesh përvojë në fushën e mjetet e komunikimit masiv. Shihni çfarë bëhet me ndërrimin e kryebashkiakëve, i shporrin anëtarët e një partie humbëse dhe vijnë palikarët e partisë fitimtare. Është kthyer rrotacioni politik në rrotacion për vendet e punës. Administrata është politizuar deri në absurditet. Në Shqipërinë e esnafëve “progresistë” që trumbetoni ju, nuk gjen as punë po nuk qe anëtar i një partie politike. A e dini realitetin shqiptar ju që shfaqeni si deputet i partisë, sepse partia të caktoi me listë, siç marrin bukën me listë. Nuk kam pasur fare besim se ju do të ishit një progresist, që kur kryetari i PS ju paraqiti me bujë në media sikur çfarë po sillte t’i paraqiste popullit si kandidaturë në Parlament. Botova asokohe shkrimin “Po vjen Alfred Peza”. Dhe ja ku jemi. Ky këshill është manipuluar i gjithë nga ju. Patët edhe guximin të më hiqnit nga lista e kandidatëve për këshillin e Televizionit në momentet e fundit, një hakmarrje e vogël kjo, për të cilën duhej t’ju skuqej pak fytyra. Edhe pse gjatë një viti ju kam kërkuar shkakun e vërtetë e jo lojëra fjalësh, megjithë premtimin tuaj, asnjëherë nuk më dhatë një përgjigje, as personalisht e as institucionalisht, sepse kërkesën për kandidaturën time në atë këshill e kishte bërë një shoqatë civile e jo partitë tuaja, Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, jetimët pra, ata që ju as që i kini në konsideratë, por unë në fatin e tyre jam fort i ndjeshëm. Ju do të vazhdoni luftën për të vënë në udhëheqje të punëve të kulturës njerëzit që politikisht ju shërbejnë, së pari juve e jo popullit, ju mund t’i hani paratë (se me paratë e popullit keni rroga të majme e makina të shtrenjta), por respektin e popullit kurrë nuk do ta meritoni. Sepse që të meritoni respektin e popullit duhet së pari t’i depolitizoni institucionet e kulturës e jo t’i manipuloni pas kuintave të politikës mediokre shqiptare. Kësisoj nuk ka asnjë mundësi reale apo dhe hipotetike që një njeri a grupim që me veprimet e veta prodhon krizat në institucionet shtetërore e në veçanti ato të kulturës, të na bëhet promotor i zgjidhjes së krizave. Kjo mund të ndodhë vetëm në përralla i nderuar deputet! Natën e mirë dhe gjumë të ëmbël, u thoshte e madhja Vera Zheji, vogëlushëve në valët e Radio Tiranës kur mbaronte emisionin e përrallave.



Filed Under: ESSE Tagged With: Alfred Pza, Kolec Traboini, kriza e Keshlli, TV Publik

O SA TURP ME QENË SHQIPTAR!

July 5, 2015 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Anton Çeta kur ka marrë në analizë Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe ka dashtë me i karakterizu shqiptarët si gen e komb, ka ardhur në konkluzionin se përcaktorët themelorë të fondamentit kombëtar për mbijetesë kanë qenë burrnia, ndera, besa dhe mikpritja.
Sot është zor të gjesh shqiptarë që t’i kenë këto veti. Ka humbur burrnia, ndera dhe prej saj shqiptaria po rrezikon themelin që i siguroi milenarët. Shqiptari ka humbur vlerat kombëtare dhe është bërë një sharllatan i pacipë që rend pas fitimeve duke e shitur burrninë, besën, mikun dhe mikpritjen për para.
Ndërsa krenohemi se gjatë Holokaustit ishim të vetmit që ia ruajtëm nderin Europës sepse i mikritëm me besë hebrejtë, sot për turpin tonë kombëtar, do të kishte maskarenj që do t’i kishte shitur.
Dhe prandaj na vjen turp me qenë shqiptar.
Sepse i shkelëm në besë dhe i vramë çiftin e të rinjve çekë, që kishin zgjedhur vendin tonë me bukuri përrallore për të kaluar pushimet.
Ata kur do të ktheheshin në shtëpinë e tyre në Çeki, do të tregonin për detin e bukur në plazhin e Rrjollit, për Malsinë e Shkodrës, Vermoshin e Dukagjinin epik, por sidomos do t’u flisnin për mikpritjen legjendare shqiptare, që nga legjendë është kthyer në farsë . Michael dhe Anna do t’u tregonin miqve për magjinë e natyrës shqiptare dhe sidmos për bujarinë shqiptare që i pret miqtë me bukë e kripë por me zemër në dorë. Ndërsa tani lajmi i vrasjes së tyre e ka kthyer gjithçka përmbys. Shqipëria nuk është më e bukur derisa miqtë i vret me bukë në gojë. Ku ka ma keq se kaq. Ku ka degradim ma të madh se kaq.
Ah sa turp me qenë shqiptar!
Çifti çek, Michael dhe Anna i kishte thyer tabutë që thuhen për shqiptarët dhe shtetin e tyre. Ata e kishin idealizuar Shqipërinë, e cila në fakt i ka të gjitha të mirat e botës. Shqipëria është një vend me burime të pashterëshme parajsore, ka liqej, ka lumenj, ka Alpe, ka dete, ka 300 ditë diellore në vit, dikur ka patur edhe shqiptarë !– E për këtë do të duhej të ishte destinacioni i parë për Europën. Në fakt është një destinacion i hequr nga harta e turizmit për europianët. Shtetet e tyre u thonë qytetarëve europianë, kujdes mos shkoni në Shqipëri, sepse atje jeta që e ka krijuar Zoti s’ka vlerë, e koka të ikën për një grusht eurosh.
Sipas World Tourism Organization, Italinë e vizitojnë në vit rreth 50 milionë turistë, Turqinë rreth 40 milionë, ndërsa Greqinë 22 milionë. Shqipëria s’ka statistika, sepse s’ka turizëm. Në Shqipëri mund të bujtnin të paktën 11 milionë turistë, me një kosto të paktën prej 7 miliardësh Euro në vit, sepse të ardhurat nga turizmi elitar e me kosto të ulët për Turqinë janë 40 miliardë Euro. Europa nuk e pranon Turqinë në BE, por Turqinë e ka si detinacion turistik për shtetasit e Europës. Ndërsa Shqipëria s’është askund ! Vetëm në statistikat për korrupsion arrin vendin e parë. Dhe për qytetarët e saj më të palumturit e Europës, të cilët rrinë indiferentë përpara kësaj katrahure!
Tani që Greqia është në krizë dhe kur me qindra mijra turistë në ditë anullojnë pushimet e tyre në Greqi, Shqipëria do të duhej të ishte destinacioni i tyre i ri dhe më i bukur. Sepse Shqipëria ka mirëpritur dhe mikpritur në prejhistori, ndërsa tani është kthyer në një destinacion të frikshëm, ku miqtë dhe dashamirët i vret.
Ah sa turp me qenë shqiptar.
Nëse del ndonjë kriziter të më bëjë moral, ose të më kërcënojë, sepse këtu ka degraduar burrnia shqiptare, unë s’do të ndalem dhe do të them prapë ah sa turp me qenë shqiptar !
Dhe kështu do të jetë deri kur shqiptarët dhe shteti amë t’i kthehet gjenezës, thelbit, ashtu si e ka krijuar Zoti, sepse vetëm duke iu rikthyer atyre vetive të ndritura që shkruhen në Kanunin e Lekë Dukagjinit, Kushtetutës të parë të kombit, veti që i nxjerr në pah një burrë i pashoq si Anton Çeta, ne do të na kthehet krenaria kombëtare. Sepse ne dikur jemi krenuar ! Jemi krenuar për burrni e nder, për fjalë, për besë e mikpritje, kur shqiptari e jepte edhe jetën e vet për të mbrojtur Mikun. Ndërsa tani krenaria jonë është vrarë kur shqiptari e vret Mikun, kur shqiptari i vret dy miq të shqiptarëve, siç ishin çifti i dashuruar Michal Svatos dhe Anna Kosinova, që si dy idealistë të marrë besonin se shqiptarët e kanë të shenjtë kultin e Mikut, të besës e të mikpritjes!
Oh sa turp me qenë shqiptar!
Ndërsa sa për shtetin shqiptar, as që bëhet fjalë, ai është cinik dhe mjeran dhe për pushtet vazhdon e shet nder e vlerë ! Prej këtu ka nisur degradimi!

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, me qene shqiptar?, Turp

U përkujtua në Turqi – 71 – Vjetori i Genocidit ndaj Shqiptarëve të Çamërisë

July 5, 2015 by dgreca

Nga Beqir Sina/
ANKARA : Është përkujtuar në Ankara – Turqi, 71-vjetori i gjenocidit grek ndaj popullsisë shqiptare në Çamëri – nën organizimin dhe kujdesin e Diasporës Shqiptare në Turqi, shoqatës atdhetare VATRA.
Përkujtimi u mbajt ditën e shtunë, më 27 Qershor 2015 – kur dhjetëra qytetarë me origjinë shqiptare, që jetojnë në Turqi – u mblodhën në Ankara, nga qytete të ndryshme të Truqisë në kuadrin e aktiviteteve që jan mbajtur me këtë rast vitet e fundit, për çdo fund – javë, të muajit qershor, dedikuar gjenocidit grek ndaj popullsisë shqiptare në Çamëri –
Në këtë takim sipas faqes zyrtare të kësaj shoqate në facebook, thuhet se ka marrë pjesë edhe kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, i cili ka mbajtur edhe një fjalim përkujtimor në përkujtimin e 71 vjetorit të genocidit Çamë
Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi me këtë rast, sipas shtypit shqiptar, citohet të ketë thënë, se, ky është një moment shumë prekës, pasi përkujtohen 2900 personat që humbën jetën të pamundur nga etja dhe uria.
Ndërkohë, kreu i PDIU-së, zoti Idriz, i cili mbasi ka falenderuar vëllazërisht organizatorët e këtij tubimi, Diasporën Shqiptare në Turqi, dhe shoqatën atdhetare VATRA , atje, është shpreh ur duke thënë se : ” J emi mbledhur këtu për të kujtuar historinë e një komuniteti të shquar të Shqipërisë, që 71 vjet më parë, i cili u shkul nga trojet e veta etnike, sipas një plani vrastar, vetëm sepse guxonte të afirmonte Shqiptarinë e tij”. Dhe, vazhdojë ai; “për të përkujtuar historinë e popullit çam, në tokën e të cilit u thurrën legjendat më të bukura të Europës, këngët më të bukura, valle më të bukura në enciklopedinë e folklorit botëror, dhe u shkrua një faqe e historisë së ndritur të popullit Shqiptarë, në këto troje etnike”.
Më pasë zoti Idrizi – ka kujtuar me rastin e këtij përvjetori të genocidit ndaj popullsisë çame, se : ”Sot, shqiptarët, nuk janë më aq të dobët si 71 vjet më parë, por ata janë anëtar të NATO-s, dhe aspirojnë për ne BE – dhe kanë fituar një betejë historike e drejtësie me Serbinë, një histori që duhet treguar dhe paralelisht me të edhe gjenocidin e ushtruar kundrejt komunitetit Çamë, i cili sot nuk kërkon hakmarrje, por drejtësi mbi atë padrejtësi që është bërë”
“Ne nuk do të heqim dorë kurrë nga beteja jonë mbi të drejtat dhe liritë e njeriut, sepse kauza çame nuk ka të bëjë aspak me anti-integrimin, por thjesht kërkon të respektohet e të vendoset parimiiI kartës së të drejtave të njeriut, dhe dinjitetit të tijë”. theksoi deputeti Idrizi në fjalën e tijë. –
Ndërkaq, simbas portalit zyrtar Vatra në Turqi, nëpërmejt rrjetin social Facebook, theksohet,se me rastin gjenocidit grek ndaj popullsisë shqiptare në Çamëri zoti – Sokol Brahaj, një prej themeluesve të Diasporës Shqiptare në Turqi, shoqatës me emrin VATRA, atje, në datën 26.06.2015 ishte i ftuar në një emision televizivë për Gjenocidin në Çamëri, emision ky që u transmetua drejtpërdrejt në ekranet e televizionit shtetëror të Turqisë, TRT.

Filed Under: Kronike Tagged With: 71 Vjetori, i genocidit cam, ne Turqi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 85
  • 86
  • 87
  • 88
  • 89
  • …
  • 100
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT