• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2015

Kosovë-Gazeta historike Rilindja, 25 vjet nga ndalimi që nuk e ndali

August 8, 2015 by dgreca

-Kronikë nëpër vitet e çerek shekullit të fundit të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, e cila pret të drejtën/
Nga Behlul Jashari*/
PRISHTINË, 8 Gusht 2015/ “Rilindja e popullit jeton edhe e pashkruar”. Pikërisht para 25 viteve – çerek shekulli, kisha shkruar reportazhin me këtë titull herët në mengjesin 8 gushtit 1990 duke ecur rrugëve e shesheve të Prishtinës dhe duke përshkruar reagimin e popullit në nisjen e ditës pa gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, të ndaluar natën me forcë në shtypshkronjë nga Serbia, derisa edhe gjatë ditës forcat policore serbe të armatosura i bënë shtetrrethim redaksisë së gazetës, që edhe në ato rrethana kërcënimi e represioni nuk ndaloi punën.
Rilindja kishte dalur më shumë se një muaj pa i pranuar masat e dhunshme të Serbisë, që e përfshinin edhe atë në ditën e 5 korrikut 1990 të suprimimit të institucioneve të Kosovës e mbylljes së Radio Televizionit të Prishtinës. “Okupim klasik”, ishte reagimi dhe kundërshtimi i Rilindjes në komentin në faqen e parë në ditën e 6 korrikut. Beogradi, edhe pse në ditën e masave të dhunshme kishte marrë vendimin, kurrë nuk arriti ta bëjë gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja “organ të Kuvendit të Serbisë”. Asnjë punëtor i gazetës Rilindja nuk e pranoi këtë, të gjithë e kundërshtuan dhe e hodhën poshtë.
Masat e dhunshme pasonin 2 korrikun historik 1990, kur në shtetrrethim dhe para snajperëve serbë, Kosova me Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të saj shpallte pavarësinë, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik. Edhe në një film dokumentar të shfaqur në seancën solemne të Kuvenditë të Kosovës në 25 vjetorin e Deklaratës Kushtetuese shihej gazeta Rilindja në duart e delegatëve, në mbledhjen para dyerëve të mbyllura të Kuvendit të Kosovës. Isha pranë delegatëve të Kuvendit të Kosovës në ngjarjen historike dhe shkruajta redaksionalin për gazetën Rilindja me titull “Fillim i së nesërmes”, të botuar në ballinë në 3 korrik 1990, ku theksoja se, “Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota…”
Me reportazhin “Rilindja e popullit jeton edhe e pashkruar”, të shkruar rrugëve më shumë në mendje e në fragmente me laps në një copë letre, përkundër ndalimit shkova dhe hyra në Pallatin Rilindja dhe nisa ta daktilografojë. Kolegët, që poashtu nuk përfillnin ndalimin e erdhën në Pallat, më shihnin si me habi pse po shkruaja kur gazeta s’do të dalë…
“Besoj se do e lexoni nesër në gazetë”, u thash, dhe ngjita shkallëve për te Ndërmarrja e Revistave, një nga gjashtë sa kishte Ndërmarrja Shoqërore e Përbërë Rilindja, te kryeredaktori i revistës letrare Fjala, Milazim Krasniqi. I tregova reportazhin dhe idenë që bashkë me lajmet kryesore që do i merrja nga terreni nga korrespondntët, si shef i korrespondentëve që isha, t’i botonte në Fjala. Fjalën e nxori që të nesërmen, pa pritur dyjavëshin kur dilte.
Në katër faqet e mesme me reportazhin dhe lajmet ishte “Rilindja e fshehur brenda Fjalës”, siç thonin shumë njerëz që e mbanin në duar e lexonin revistën që u botua e shtyp në tirazh rekord.
Kjo përvojë e botimit të shkrimeve-informacioneve të gazetarëve të gazetës Rilindja vazhdoi jo vetëm në Fjala që shpeshtoi botimin, por edhe te revistat tjera, Shkëndija, Kosovarja, Zëri i Rinisë…dhe për të pasur informacione edhe në ndonjë ditë më shumë gjatë javës doli edhe ideja që të nisë të ridalë edhe revista Bujku, e cila ishte e përdymuajshme për fshatin e bujqësinë dhe kishte vite që nuk kishte dalë fare…
Ishte 17 janari 1991. Për ridaljen një herë në javë të revistës Bujku dolën disa ide e propozime, edhe për fizionomi, edhe për kryeredaktor të revistës, por jo ndonjë zgjedhje e pranim detyre dhe po përfundonte mbledhja në lokalet e gazetës Rilindja…
Mora ushtrimin e detyrës së kryeredaktorit, kisha idenë dhe shkasin për ta nxjerrë Bujkun, jo si revistë, për si gazetë dhe të përditëshme “përkohësisht”.
Atë ditë kishte nisë lufta në Gjirin Persek…Edhe me këtë shkas, shkruajta “Fjalën e Redaksisë” me titull “Përsëri ‘Bujku’…”, për faqen e parë të gazetës, ku theksoja se del si “gazetë e përkohëshme…edhe për shkak të nevojës që edhe lexuesit shqiptarë në Kosovë, në mungesë të gazetës së përditëshme, të kenë informacione sa më të gjera e me kohë në gjuhën shqipe për ngjarjen që filloi të tronditë botën – fillimin e Luftës në Gjirin Persik. Për këtë shkak edhe me fizionomi e edhe me përmbajtje ky numër është i jashtëzakonshëm”.
Me përmbajtje të ngjashme, se nga e nesërmja do dalë një gazetë në terrin informativ të Kosovës shkruajta një letër për ta njoftuar Ambasadën e SHBA në Beograd, pasi kontaktova me Ambasadën e Shqipërisë dhe ua dërgova atyre me telefax që ta përcjellnin. Ajo letër sigurisht do të ketë gjetur mbështetje për ne, pasi edhe vazhdoi të dalë gazeta, në ballinën e së cilës Bujku shkruhej me shkronja të vogla nën një B të madhe logo. Ishte si Gazeta B, që zëvendësonte Gazetën A – Rilindjen.
E nxjerrë pikërisht nga gazetarët dhe punonjësit e tjerë të gazetës Rilindja, me guxim dhe sakrifica, me standarde profesionale, Bujku ishte gazetë e rezistencës, e lëvizjes gjithëpopullore të shqiptarëve në Kosovë për liri, pavarësi e demokraci, gazetë e parë e pavarur kosovare, me përcaktim të fuqishëm properëndimor, euroatlantik.
Pjesë e rezistencës ishte edhe grava e urisë, nga 24 maji deri në 3 qershor të vitit 1993, e prirë nga simboli i rezistencës kombëtare, Adem Demaçi, e gazetarëve e shkrimtarëve shqiptarë në mbrojtje të fjalës shqipe dhe në kërkim të lirisë, në Pallatin e Rilindjes, të cilin regjimi pushtues i Beogradit po e merrte për ta tjetërsuar e shndëruar në ndërmarrjen fantome “Panorama”, të dhunës, kulturocidit e gjenocidit antishqiptar.
Gazeta e përditëshme Bujku doli deri në prag të vitit 1999, derisa u dëbua me dhunë nga Pallati i Rilindjes nga administrata dhe forcat okupatore serbe.
Por, përsëri, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të gazetës Rilindja nuk u ndalën, në muajt e parë të vitit 1999, në kushtet e luftës, rikthyen dhe nxorën gazetën e përditshme Rilindja në Prishtinë, duke punar nëpër shtëpitë e tyre, dhe në këto rrethana përkundër rreziqeve të mëdha gazeta doli nga 22 shkurti derisa gazetarët dhe punonësit e saj u dëbuan bashkë me popullin edhe nga shtëpitë e tyre dhe nga Kosova. Kryeredaktor i gazetës Rilindja që dilte në Prishtinë në kohë lufte në Kosovë ishte Binak Kelmendi, e para tij kryeredaktorë të gazetës Bujku, pas të parit – autorit të këtij shkrimi, ishin edhe Xhemajl Rexhepi, Ruzhdi Demiri, Hydajet Hyseni e Avni Spahiu.
Ekipi Rilindjes, ku ishim bashkë me korrespondentin në Maqedoni Bedri Sadiku, hyri në Kosovë me tanket e para të NATO-s në 12 qershorin historik 1999, dhe të nesërmen u shpërnda në Prishtinë dhe në zona të tjera, ku po ndodhte liria, gazeta numër special e botuar në Shkup, të cilën e solli prej atje korrespondenti i Zërit të Amerikës, Isak Ramadani.
Në faqen e parë, ku shkruhej se “Dje në orën 5.17 Trupat e NATO-s hynë në Kosovë” editoriali i Blerim Rekës kishte titullin “Normandizimi i Kosovës dhe kapitullimi serb”.
Në Kosovën e lirë, gazeta Rilindja u rikthye në Prishtinë dhe vazhdoi të dalë përditë, kryeredaktor fillimisht ishte Berat Luzha, pastaj Ramush Tahiri dhe në kohën e dëbimit dhe deri në numrin e fundit autori i këtij shkrimi.
Gazeta Rilindja nuk u ndal,vazhduam të punojmë e ta nxjerrim edhe kur administratori i UNMIK për të na bërë presion të largohemi na e ndali ujin në Pallat disa muaj, dhe na jepte afate ultimative për vetëlargim, që nuk i pranuam. Edhe në ato kushte, gazeta Rilindja doli përditë deri më 21 shkurt 2002, kur na ndalën edhe rrymën elektrike dhe pastaj i mbyllën me grila hekuri të gjitha hyrjet në Pallatin e Rilindjes.

Gazetën Rilindja e dëbuan e mbyllën kundërligjshëm e padrejtësisht pak ditë pasi festoi 57-vjetorin, ditën e saj – 12 shkurtin.

Në numrin festiv të Rilindjes në faqen e parë “‘Sundimi i Ligjit’ apo ‘Sundimi i Bandave’? Kosova Duhet të Vendosë”, ishte titulli i shkrimit ekskluziv nga Ambasadori Xhon Menzis, Shef i Misionit, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë.

“Sot shënohet 57-vjetori i gazetës ditore ‘Rilindja’, gazetës më të vjetër në gjuhën shqipe në Kosovë”, niste ambasadori amerikan shkrimin-editorialin, ku mes tjerash theksonte edhe se, “si shef i misionit të Zyrës së SHBA-ve në Prishtinë, unë e di mirë rolin që e ka ‘Rilindja’ në shoqërinë demokratike që është duke u krijuar në Kosovë”.
Edhe pas dëbimit, përsëri Rilindja nuk u ndal, si në kohën e luftës vazhduam të punojmë nëpër shtëpia e të nxjerrim numra të jashtëzakonshëm dhe protestues të gazetës tradicionale të Kosovës, jo të përditshëm-të kohëpaskohshëm.
Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave të jashtëzakonshëm të kohëpaskohshëm më 30 dhjetor 2008, me numrin festiv të Vitit të Ri 2009, me paralajmërimin në ballinë: DUKE BESUAR NË SUNDIMIN E LIGJIT NË SHTETIN E KOSOVËS PRESIM QË NGA NUMRI I ARDHSHËM RILINDJA TË DALË PËRDITË, krahas titullit: Ministri Bajrami: Qeveria do të përkujdeset për Pallatin dhe për punëtorët e Rilindjes, e gatshme ta ndihmojë daljen e gazetës.
Ky paralajmërim ishte si rezultat i këtij premtimi. Me rastin e rifillimit të punëve për rinovimin e Pallatit të Rilindjes, më 7 nëntor 2008, ministri i atëhershëm i Administratёs Publike, Arsim Bajrami edhe në konferencën e shtypit me atë rast theksonte premtimin për zgjidhjen e ligjshme që do bëhet edhe për Rilindjen.
“Pallatin e Rilindjes përkohësisht e merr Qeveria nën pëkujdesje, ne do të kemi përkujdesje edhe ndaj punëtorëve të Rilindjes. Punëtorët e Rilindjes i kemi pasë pjesë të procesit…” , thoshte ministri Bajrami.

Por, mbetёn pa u realizuar premtimet…

Punimet për rinovimin e Pallatit të Rilindjes rifilluan pasi ai ishte lënë si gërmadhë nga e ashtuquajtura “zhveshje e brendshme”, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës të datës 15 shkurt 2005 për ndërprerjen e punimeve që po zhvilloheshin – anulimin e kontratës për renovim “për shkak të paqartësive juridike në lidhje me pronësinë dhe menaxhimin e objektit”. Kjo pasoi insistimet e vazhdueshme të Rilindjes dhe të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (tash Agjenci Kosovare e Privatizimit) për pronësinë, si dhe përgjigjen në letrën zyrtare të Rilindjes me shkresë poashtu zyrtare përkrahëse të kreut të UNMIK-ut, kryeadministratorit Harri Holkeri, më 3 nëntor 2003. Holker në letër na shkruante edhe se, “UNMIK-u do të bëjë gjithë çka është e mundur për të gjetur lokale alternative në mënyrë që kompania juaj të rifillojë punën në sektorin medial”, duke na mbështetur edhe në të drejtën e pronësisë, të shkelur nga kryeadministratori para tij, Hans Haeekerup, në kohën e të cilit u dëbuam nga Pallati.
Përkrahje të plotë për të drejtën patëm më pastaj edhe nga kryeadministratori, Soren Jessen Petersen, i cili na u përgjigj me letrën zyrtare të datës 17 gusht 2004, të nënshkruar nga zëvendësi i tij, Francesko Bastagli.
Meqë edhe pas rinovimit të Pallatit nuk u përmbushën premtimet dhe nuk u bë zgjidhja e duhur e ligjshme për ndërmarrjen tonë, iu drejtuam me shkresën zyrtare “Lutje-kërkesë që t’i jepet fund shkeljes së të drejtës dhe ligjit në rastin e Ndërmarrjes Shoqërore Gazetare Rilindja”, ministrit të Drejtësisë, atëherë edhe zv/kryeministër, Hajredin Kuçi, i cili në përgjigjen poashtu me shkresë zyrtare tё datёs 2 maj 2012, shprehte sigurime institucionale në emër të Qeverisë dhe personale “pёr zgjidhje tё drejtё dhe ligjore tё problemit tё objektit dhe tё punёtorёve tё Rilindjes”.
Në mbrojtje të të drejtave të gazetës Rilindja dhe punëtorëve të saj janë bërë tre padi në gjykatë, dhe kërkesë e vazhdueshme është 20 përqindëshi që u takon me ligj punëtorëve të ndërmarrjeve shoqërore nga vlera e pronave që kanë, kompensimi për dëbimin kolektiv nga puna, e gjithnjë nën një: Privatizimi i gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja.
Në arsyetimin e kërkesës për privatizimin e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit, në 12 shkurt 2014, mes tjerash është theksuar:
Emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse 70 viteve, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati, dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.
Për privatizimin e gazetës tradicionale të Kosovës është edhe shembulli i gazetave në rajon dhe në botë, që kishin statusin si të Rilindjes, e që janë privatizuar dhe kanë vazhduar të dalin, madje pa asnjë ndërprerje dhe në objektet ku kanë qenë.
Por, në rrethanat tona kur Pallatin Rilindja e ka marrë Qeveria dhe duhet ta kompensojë, ne privatizimin e gazetës nuk e lidhim me objektin. Kush e blenë gazetën – të drejtën për të qenë trashëgimitar i ligjshëm i emrit dhe traditës së Rilindjes, siguron vetë lokalet e punës. Fundja, gazeta Rilindja në historinë e vet ka kaluar nëpër disa objekte, fillimisht në Prizren në objektin që tash është i mbrojtur si trashëgimi e i shënuar si vendi ku nisi të dalë kjo gazetë, e pastaj në Prishtinë, ku parase të kalojë në Pallatin Rilindja ishte në objektin ku sot është Gjykata Themelore e Agjencia e Statistikave, të cilin në vitin 1976 e kemi dhënë për investim në Pallatin Rilindja, madje kemi dhënë edhe nga një pjesë të rrogave të punëtorëve mëse 15 vite me radhë po për këtë investim – për të shlyer kreditë që ka marrë ndërmarrja Rilindja për ndërtim të Pallatit të saj.
Rilindja është gazeta më e madhe, me tirazhin më të madh, në gjithë historinë e shtypit në Kosovë, po edhe të shtypit shqiptar dhe më gjerë në rajon.
Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja është një pasuri kombëtare, është një traditë aq sa ka gazeta e njohur franceze Le Monde e Parisit, e që krahasohet edhe me traditat e gazetave të tjera të shteteve euroatlantike, të demokracive më të përparuara në botë.
Çdo vend normal në botë e ka gazetën e vet të traditës, dhe duhet ta ketë edhe Kosova.
Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti.
E veçanta e Rilindjes në tregun e gazetave-mediave të pavarura e të lira do të jetë edhe tradita shumë e gjatë e saj, rruga historike e saj, e pakrahasueshme me gazetat tjera, pra është gazeta tradicioanale e Kosovës, çka është vendimtare për imazhin e saj e suksesin e sigurt të saj, duke pasur edhe profesionalizmin e shkallës më të lartë, që e ka poashtu traditë.
Për të investuar, për ta blerë, për ta vazhduar daljen e gazetës së përditshme tradicionale e historike të Kosovës Rilindja ka shumë të interesuar.
Interesimi i punëtorëve të Rilindjes, përpos për të konukurruar për ta blerë vetë – privatizuar gazetën e tyre, është edhe që të marrin 20 përqindëshin nga prona shumë e çmuar – firma-emri dhe tradita e Rilindjes, që e kanë ngritur edhe me shumë sakrifica.
Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, e cila ka filluar të dalë në Prizren më 12 shkurt 1945 në frymën e Konferencës së Bujanit e me anagzhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, ka ruajtur emrin dhe traditën edhe në kohët më të vështira, dhe gjithmonë ka gjetur të ardhmen dhe ridaljen edhe kur e kanë mbyllur.
Dhe, shumë presim dhe besojmë: Do rikthehet përsëri Rilindja e popullit të Kosovës, e traditës dhe e të ardhmës…
* (Autori, kryeredaktor i parë-themelues i gazetës së përditshme Bujku dhe kryeradaktor i gazetës Rilindja në kohën e dëbimit nga Pallati i Shtypit dhe deri në numrin e fundit)

Filed Under: Histori Tagged With: 25 vjet, Behlul Jashari, Gazeta historike e Kosoves, Rilindja

Bregdeti i Himarës, fluks në rritje i turistëve të huaj

August 8, 2015 by dgreca

Nga Harilla Koçi/.- Andrei Pjestçinski, është një 27 vjeçar nga Polonia, me profesion arkeolog. Së bashku me një grup shokësh, bashkëkombas, të pasionuar pas motorrave, kanë ardhur në bregdetin e Himarës për të kaluar disa ditë nga qëndrimi i tyre në Shqipëri. Ata i përkasin asaj kategorie turistësh, të cilëve u pëlqen t’i kalojnë pushimet në një lëvizje të vazhdueshme, duke zgjedhur për këtë, vende të veçanta dhe të këndshme.
Andrei thotë se, udhëtimi i tyre do të vazhdojë më pas drejt Malit të Zi dhe në vende të tjera si, Kroacia, Sllovenia, Sllovakia, Austria. Është një intensitet lëvizjeje, që kushtëzohet nga pasioni i tyre për motoçikletat.
HimareNë Shqipëri kanë parë vende mjaft të bukura, por në mënyrë të veçantë, bregdeti i Himarës u ka pëlqyer mjaft. “Është një zonë e veçantë, e virgjër dhe mjaft interesante”, thotë Andrei. Ai veçon plazhet e këndshme, apo resortet e komplekset turistike moderne të cilat mund t’i tërheqin mjaft turistët nga të gjitha vendet. Për Andrein, bregdeti jugor i Shqipërisë është një peizazh befasues, ku mund të kalohet mirë. Madje, në këtë drejtim i riu polak të cilit i pëlqen të eksplorojë vende ku mund të gjejë gjurmë të dukshme të të kaluarës, e vlerëson maksimalisht këtë pjesë të bregdetit të Himarës (Porto Palermon), ku ngrihet kalaja e Ali Pashës, një kishë e vogël, e vjetër, disa dhjetra metra më tej, si dhe objekte të tjera me mjaft interes. Prandaj dhe me grupin e shokëve kanë zgjedhur që të bëjnë një ditë plazh. Kanë “parkuar” motoçikletat diku në breg dhe po shijojnë ujin e kristaltë dhe bregdetin shkëmbor të Porto Palermos.
Kalaja e Himarës 3Në fakt, Andrei Pjestçinski dhe grupi i motoçiklistëve polakë përfaqësojnë atë tendencë mjaft të spikatur dhe pozitive, që po konsolidohet, veçanërisht në vitet e fundit në bregdetin e Himarës, ashtu si edhe në pjesë të tjera të bregdetit shqiptar ku, numri i turistëve të huaj ka ardhur në një rritje befasuese. Gjatë muajve të verës, në këtë pjesë të bregdetit të Shqipërisë pushojnë turistë nga mjaft vende të Evropës, por edhe më gjerë. Anglezë, italianë, zviceranë, francezë, suedezë, malazezë, gjermanë, grekë, maqedonas, këtu i ndesh shpesh. Struktura turistike e këtij bregdeti vlerësohet prej tyre e kënaqshme dhe në standarde të pranueshme.
Punonjës në kështjellën e Ali Pashës, në Porto Palermo, thonë se, gjatë këtij viti numri i turistëve të huaj, vizitorë në kështjellë, ka qenë shumë i madh. “Është një shtim që duket”, thonë ata. Në plazhet e vogla, por mjaft tërheqëse të Porto Palermos, gjen çdo ditë qindra pushues nga rrethe e vende të ndryshme. Klearko, një banor i zonës, thotë se bregdeti i Himarës ka patur gjatë këtij viti një rritje të madhe të pushuesve dhe veçanërisht të turistëve të huaj. “Nga të gjitha vende e Evropës shikon këtu, çdo ditë. Ja, ti i pe vetë polakët. Por, si ata janë të shumtë francezët, zviceranët, anglezët, gjermanët. Ka shumë nga ata që vijnë këtu me rulota dhe i parkojnë, ja, atje, në atë shesh. Por, ka edhe nga ata të rinj të huaj, që kanë ngritur kampingje për të kaluar disa ditë pranë detit”, thotë 58 vjecari.
Keshtjella e Porto Palermos, Himare, Vlore (3)Foto HNë fakt, “boom”-i turistik, është i dukshëm dhe konstatohet fare lehtë në bregdetin e Himarës. Jo vetëm nga frekuentimi maksimal i plazheve të bukura përgjatë tij, por edhe nga tregues të tjerë, sikundër është fluksi i lartë i lëvizjes së automjeteve në rrugën e bregdetit. Përgjatë saj, ndesh autovetura me targa të të gjitha rretheve të vendit dhe të të shumë vendeve të tjera.
Plazhet e vogla dhe shkëmbore të Porto Palermos, plazhet e virgjëra të Llagamit, të Livadhit, të Gjipesë, ato të Potamit, të vetë qytetit etj, kanë qenë një zbulim i vërtetë, për ata që kanë ardhur këtu për herë të parë, ndërkohë që të tjerë që pushojnë këtu prej vitesh, kanë vendosur t’i qëndrojnë besnikë përzgjedhjes. /a.ke/

Filed Under: Reportazh Tagged With: Bregdeti i himares, turistet

Maqedoni: Arrestohen 9 persona gjatë aksionit anti-terrorist

August 8, 2015 by dgreca

Nga Isuf Kadriu/
Nëntë persona janë arrestuar kurse ndaj 27 të tjerëve janë ngritur kallxime penale nën dyshimin për pjesëmarrje në aktivitete ushtarake jashtë vendit, ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë pas mbylljes së aksionit anti-terrorist që kishte nisur në orët e para të mëngjesit të ditës së enjte.
Aksioni është realizuar në Kumanovë, Shkup, Gostivar dhe Strugë me ç’rast janë bastisur disa objekte fetare për të cilat besohet se nuk janë nën kontrollin e Bashkësisë Islame të Maqedonisë.
“Ministria e Punëve të Brendshme herët në mëngjes ka filluar me realizimin e fazës finale të operacionit „Qelia“. Gjatë aksionit 9 persona janë arrestuar kurse 27 të tjerë për momentin janë të pakapshëm dhe sipas të dhënave tona operative rreth 20 prej tyre ndodhen në vatrat e lutës, kryesisht në Siri”.
“Gjatë aksionit policor janë konfiskuar 38 kompjuterë, 18 laptopë, 18 tabletë, 119 telefona celularë dhe shumë pajisje tjera teknike që do të shërbejnë si prova materiale“, ka deklaruar Ministri i Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov duke shtuar se hetimet kundër këtij grupi kishin nisur që nga shtatori i vitit të kaluar pas informacioneve mbi veprimtarinë e jashtëligjshme të tyre brenda dhe jashtë territorit të Maqedonisë.
“Në bazë të dëshmive të siguruara, pranë Prokurorisë Publike për ndjekjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar janë ngritur kallzime penale kundër 35 personave nga Shkupi, Tetova, Gostivari, Kumanova dhe Struga, të moshës nga 19 deri 45 vjeç”.
“Ata akuzohen për pjesëmarrje në ushtritë e huaja, formacionet paraushtarake dhe policore. Ministria e Punëve të Brendshme në koordinim me Prokurorinë Publike do të vazhdojë edhe në të ardhmen me aktivitete të ngjashme për zbulimin dhe kapjen edhe të personave të tjerë me qëllim zbardhjen e plotë të rastit“, ka deklaruar ministri Çavkov duke konfirmuar edhe informacionin mbi arrestimin e Rexhep Memishit, imamit të një xhamie të Shkupit, e cila është jashtë kontrollit të Bashkësisë Islame të Maqedonisë.
Kreu i MPB-së tha se personi në fjalë dyshohet të jetë një nga ideologët kryesor të rekrutimit të personave nga Maqedonia për në luftërat në Siri dhe Irak.
Ministri Çavkov për herë të parë ka publikuar edhe shifra mbi shtetasit e vrarë dhe ata që marrin pjesë në luftimet atje.
“Sipas informacioneve tona 16 persona kanë humbur jetën në vatrat e luftës në Siri dhe Irak, kurse numri i atyre që marrin pjesë apo që kanë marrë pjesë, sillet në rreth 130 persona“, u shpreh Çavkov.
Të arrestuarit gjatë ditës janë dërguar në Gjykatën Penale të Shkupit. Sipas Kodit Penal të Maqedonisë pjesëmarrja e shtetasve në operacione ushtarake jashtë vendit, dënohet me burg prej më së paku 5 vjet. Dënime me burg parashihen edhe për ata që nxisin apo rekrutojnë persona të tjerë për pjesëmarrje në aktivitete luftarake jashtë vendit.

Filed Under: Kronike Tagged With: arrestohen 9 persona, Isuf Kadriu, maqedoni

Premtimet e harruara të kryeministrit Mustafa

August 8, 2015 by dgreca

Nga Nadie Ahmeti/
Gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit të kaluar, të gjitha partitë politike kishin premtuar se me marrjen e pushtetit do të krijojnë qindra-mijëra vende të reja të punës.
Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tashmë kryeministër i Kosovës Isa Mustafa, pati premtuar se do të hap 120 mijë vende të reja të punës, pjesën më të madhe në bujqësi dhe veprimtari prodhuese.
Por, të enjten, tetë muaj pas zgjedhjeve, në një konferencë për media kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ka thënë se askush nuk duhet të shpresojë që për gjashtë muaj apo një vit mund të hapen 100 mijë vende pune.
Ai megjithatë, ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke bërë përpjekje të vazhdueshme që të krijojë kushte të favorshme për sektorin privat, i cili mundëson edhe krijimin e vendeve të reja të punës.
“Zhvillimi ekonomik është një proces dhe nuk është akt që ndodh dhe përfundon. Asnjë qeveri nuk mundet, që si të merr mandatin, të thotë se i themelova 1000 firma private dhe i punësova 100 mijë veta”.
“Por, qeveria ka për detyrë që të krijojë kushte të krijojë rrethana në mënyrë që bizneset të zhvillohen, të investojnë bizneset e brendshme dhe të jashtme. Ky proces do të zhvillohet”, ka thënë kryeministri Mustafa
Deklarata e fundit e kryeministrit Isa Mustafa, për pamundësi të krijimit të vendeve të premtuara të punës, gjatë kësaj periudhe, është shumë më e sinqertë se ajo e dhënë gjatë fushatës zgjedhore, vlerësojnë ekspertë për çështje ekonomike.
Ibrahim Rexhepi, drejtor i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale “STRAS”, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, e konsideron të papranueshëm faktin se si qeveria nuk ka ndonjë vizion të konkretizuar për mundësinë e krijimit të vendeve të reja të punës.
“Fushata më tepër kalon në premtime të mëdha dhe me një qasje jo serioze, joqeveritare ndaj premtimeve, meqë janë programet parazgjedhore me anë të së cilave fitohet vota”.
“Por, ajo se nuk mund të parashihet apo nuk mund të thuhet se sa qytetarë do të punësohen, më tepër më lënë përshtypjen e mungesës se një vizioni apo mundësisë se krijimit të vendeve të punës. Prandaj deklarata e tillë, mendoj se është e papranueshme, pasi qeveria duhet të konkretizojë se çfarë do të bëjë për këtë mandat”, ka thënë Rexhepi
Rexhepi, thotë se është obligim i qeverisë që të forcojë sektorin privat, në mënyrë që të rritet numri i të punësuarve, rrjedhimisht përmirësimi i mirëqenies se qytetarëve.
“Qeveria e ka për detyrë, e ka obligim të bëjë diçka, përndryshe është e pakuptueshme dhe si e tillë nuk i duhet askujt. Qeveria duhet të punojë për mirëqenien e qytetarëve, që të arrihet kjo mirëqenie duhet të interesohet për ambientin mbi të cilin duhet të ndërtohet zhvillimi ekonomik”.
“Do të thotë, forcimi i sektorit privat dhe funksionimi i shtetit, respektimi i ligjit, krijimi i sigurisë madje qoftë edhe sigurisë fizike për investitorë dhe qytetarë. E mos të flasim për sigurinë e kapitalit apo edhe për respektimin e kontratave“, thekson Rexhepi.
Ndryshe, sipas shifrave zyrtare shkalla e papunësisë është mbi 35 për qind, për derisa sipas përfaqësuesve të sindikatave të punëtorëve dhe organizatave joqeveritare shkalla e papunësisë në nivel vendi arrin në rreth 60 për qind.

Filed Under: Analiza Tagged With: kryeministri Isa Mustafa, Premtimet e harruara

Jeb Bush: Jam krenar për vëllain tim

August 8, 2015 by dgreca

Debati i parë i kandidatëve republikanë për zgjedhjet presidenciale/
Dhjetë kandidatët e parë republikanë për president filluan zyrtarisht sezonin e fushatës për zgjedhjet e vitit 2016, me debatin e tyre të parë të zhvilluar në Klivlend të Ohajos. Megjithë publicitetin e madh që ju bë paraprakisht, në shumë mënyra, debati u zhvillua sipas parashikimeve.
Miliarderi Donald Trump la të kuptohet se ai nuk ka për t’u tërhequr së shpejti nga gara dhe se do t’i përgjigjet me ëndje sulmeve ndaj tij.
Por Trump mund të ketë shkaktuar dyshime mes republikanëve lidhur me angazhimin e tij ndaj partisë. Ai ishte kandidati i vetëm i debatit i cili refuzoi të angazhohet se do ta mbështeste të emëruarin e partisë republikane për kandidat presidencial dhe nuk përjashtoi as mundësinë se do të mund të kandidonte si i pavarur.
“Unë nuk kam për të bërë tani ndonjë premtim”, – tha Trump, kur ai u pyet me ngulm nga njëri prej moderatorëve të debatit. Kjo solli një përgjigje të ashpër nga senatori i Kentakit Rand Paul. “Ai po i bën bisht pyetjes, sepse është mësuar t’i blejë politikanët”. Por në fakt Paul ishte një nga të paktit debatues që e vazhdoi ofensivën ndaj Trumpit në debatin dy orësh.
Me qëndrim kurajoz, Trump po ashtu nuk pranoi të kërkojë falje kur moderatorja Megyn Kelly e televizionit Fox News e pyeti lidhur me komentet fryese që ai i ka bërë në të kaluarën ndaj grave, duke përdorur epitete si “derr i shëndoshë”, “qen” dhe që “i përkasin llumit”.
“Problemi i madh që ka ky vend është çështja e të qenit korrekt politikisht,” tha Trump. “Të them të drejtën unë nuk kam kohë për të qenë plotësisht korrekt politikisht. Dhe që të jem i ndershëm me ju, edhe ky vend nuk ka kohë për një gjë të tillë,”- tha ai.
Por disa nga analistët e pyetur pas debatit patën reagime negative ndaj tonit të Donald Trumpit dhe ndaj asaj që ata e shohin si mungesë qartësie për disa çështje.

Imigracioni i paligjshëm, një pikë e nxehtë e debatit

Donald Trump i doli në mbrojtje komenteve të tij kundërthënëse lidhur me imigrantët e paligjshëm nga Meksika, disa prej të cilëve ai i cilësoi “kriminelë”. Trump tha: “Po të mos isha unë, ju nuk do të flisnin për imigracionin e paligjshëm.” Ai po ashtu vuri në dukje se ish guvernatori i Floridës Jeb Bush e kishte kundërshtuar tonin e tij kur foli për imigracionin.
Zoti Bush tha gjatë debatit se gjuha e Donald Trumpit ishte përçarëse dhe i qëndroi pikëpamjes së tij se imigrantët që përpiqen të vijnë në SHBA, e bëjnë këtë “nga dashuria”, duke patur si synim një jetë më të mirë për familjet e tyre.
Senatorët Marco Rubio i Floridës dhe Ted Cruz i Texas-it po ashtu theksuan nevojën për një kontroll më të mirë të kufijve, duke folur për çështjetn e imigracionit.

Çështje të politikës së jashtme

Disa nga debatuesit kritikuan me forcë administratën e presidentit Obama lidhur me marrëveshjen bërthamore me Iranin dhe përpjekjet e tij për t’iu kundërvënë Shtetit Islamik.
Zoti Cruz tha se SHBA nuk do të ishin dot fitimtare pa patur një president të vendosur në luftën kundër terroristëve, siç u shpreh ai, “një president, i cili duhet të shqiptojë fjalët terroristët islamikë radikalë “.
Guvernatori i Uiskonsinit Scott Walker, tha se ai do ta anulonte marrëveshjen me Iranin që ditën e tij të parë si president.
Ish-guvernatori i Arkansasit Mike Huckabee tha se qëndrimi i Presidentit Obama ndaj marrëveshjes ishte jo i bindshëm, siç u shpreh ai, “nga një anë thotë se ka besim, nga ana tjetër e përgojon”.
Një ditë para debatit, zoti Obama e mbrojti me forcë marrëveshjen në një fjalim që mbajti në Uashington.
Në njërin prej shkëmbimeve më zjarta të mbrëmjes, Rand Paul dhe guvernatori i Nju Xhërsit Chris Christie replikuan me njeri tjetrin lidhur me gjetjen e një balance të drejtë mes mbrojtjes së vendit nga një sulm terrorist me mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.
“Unë dua që të grumbullohen më shumë të dhëna për terrosistët dhe më pak për amerikanët e zakonshëm,” tha zoti Paul, që është një kritik i zëshëm i grumbullimit të tabulateve telefonike nga NSA, Agjencia Kombëtare e Sigurisë.
Guvernatori Christie, ju kundërpërgjigj, duke e cilësuar përgjigjen e zotit Paul qesharake.
“E di senator, se kur je në nënkomisionin e Senatit, ndoshta mund të thuash gjëra të kësaj natyre, por kur je përgjegjës për mbrojtjen e jetës së poupullit amerikan, atëhere duhet të sigurohesh që të përdorësh një sistem që të funksionojë. ” tha zoti Christie.
Shkëmbimi mes dy debatuesve ishte reflektim i një hendeku të gjerë që ekziston mes republikanëve, që mbështesin politika më agresive për sigurinë kombëtare dhe atyre që kanë një qëndrim më liberal.

Bush: Jam krenar për vëllain tim

Ish-guvernatori i Floridës Jeb Bush, i cili shihet gjerësisht si një favorit i Partisë Republikane, pranoi se ai duhet të tregohet i aftë të bëjë dallimin mes vetes, të vëllait, ish presidentit George W. Bush dhe babait të tij, ish-Presidentit George H.W. Bush.
“Mua do të më duhet ta fitoj vetë emërimin e parties”, – pranoi Jeb Bush. “Ndoshta për mua standartet janë më të larta se për kandidatët e tjerë. S’ka problem. Unë i kam provat, me punën time si guvernator i Floridës. Jam krenar për babain dhe për vëllanë tim.”
Duke theksuar një ndryshim në politika me vëllanë e tij, Jeb Bush pranoi se pushtimi i Irakut në vitin 2003 “ishte një veprim i gabuar”, duke fajësuar më pas Presidentin Barack Obama për fuqizimin, për pasojë, të Shtetit Islamik, apo ISIS-it.
“Barack Obama u bë president dhe ai e braktisi Irakun, tha Jeb Bush. “Pas largimit të trupave amerikane, nga boshllëku i krijuar, lindi ISIS dhe nga ky boshllëk atje ekziston sot një kalifat me përmsat e shtetit të Indianës.”
Një gjë është e qartë: marrëveshja me Iranin dhe lufta kundër Shtetit Islamik do të mbeten çështjet kryesore në fushatën presidenciale të vitit 2016.

Prova e parë e madhe

Debati i Klivelendit ishte prova e parë për kandidatët republikanë. Por do të ketë të paktën edhe 8 debate të tjera dhe votuesit do të kenë kohë të mjaftueshme për t’u njohur me kandidatët.
“Moment interesant ka për të qenë kur kandidatët të mendojnë në mënyrë të pavarur, sepse tani pak a shumë ata janë duke folur në përgjithësi për çështje për të cilat janë përgatitur më parë”, tha analisti republikan Scot Faulkner.
Guvernatori i Ohajos John Kasich dhe kirurgu në pension Ben Carson po ashtu morën pjesë në debat, por ata mbetën nën hije për shkak të komenteve të Donald Trumpit. Miliarderi Trump ka shkaktuar zemërim dhe pasiguri mes republikanëve konservatorë, por intonacioni i tij e ka çuar të paktën tani për tani në krye të garës.
Shumë analistë besojnë se votuesit republikanë do të fokusohen tek një grup i vogël kandidatësh për të cilët ata besojnë se kanë shanse të fitojnë Shtëpinë e Bardhë vitin e ardhshëm.
“Sigurisht, që mes republikanëve ekziston shumë prirja për ndryshim”, thotë Karlyn Bowman, që ndjek anketimet në Insitutin American Enterprise. “Votuesit republikanë duan një president republikan. Ata kanë kohë që nuk kanë një president të tyrin, prandaj kanë për të qenë shumë kompetitivë dhe agresivë.”

Pjesa tjetër e kandidatëve

Para debatit kryesor, shtatë kandidatëtë të tjerë republikanë, të cilët nuk mundën të hyjnë në dhjetëshen e parë, zhvilluan debat më parë, po në Klivlend. Nuk pati ndonjë koment të spikatur, por disa prej debatuesve kritikuan ashpër udhëheqjen e Presidentit Obama dhe kandidaten kryesore të demokratëve, Hillary Clinton.
Senatori i Karolinës së Jugut Lindsey Graham tha se zonja Clinton përfaqëson “një presidencë të tretë të dështuar”. Ish drejtoresha ekzekutive e kompanisë Hewlett-Packard, Carly Fiorina, po ashtu kritikoi zonjën Clinton për gënjeshtra lidhur me sulmin terrorist në ambasadën amerikane në Bengazi. Zonja Fiorina, ish guverantori i Teksasit Rick Perry dhe guvernatori i Louizianës Bobby Jindal bënë komente të fuqishme në debatin e parë.
Në këtë debat, po ashtu morën pjesë ish guvernatri i Virxhinias Jim Gilmore, ish guvernatori i Nju Jorkut George Pataki dhe ish senatori i Pensilvanisë Rick Santorum.
Zyrtarët e Partisë Demokrate ndërkohë kanë njoftuar datat për debtatet e tyre. Janë në plan të zhvillohen 6 debate, i pari më 13 tetor, në Nevada.(VOA)

Filed Under: Politike Tagged With: Jeb Bush, Kandidatet republikane, nisin debatet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 65
  • 66
  • 67
  • 68
  • 69
  • …
  • 89
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT