• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2015

Kosovë-Opozita: Peticioni, afër 34 mijë nënshkrime në dy ditë

September 20, 2015 by dgreca

-Mustafa: Çështje tjetër është se a është dashur të ndodhë Asociacioni apo jo/

-Ymeri: Qytetarët, më se të vetëdijshëm dhe të informuar/

PRISHTINË, 20 Shtator 2015/ Në Kosovë, peticioni i organizuar nga opozita, i nisur me firmat e liderëve të LVV-së, AAK-së e Nisma-s, po vazhdon të nënshkruhet sot në ditën e tretë.

“Gjatë dy ditëve të kaluara numri i nënshkrimeve ka arritur në afër 34 mijë”, bëhet e ditur nga subjekti më i madh opozitar kosovar, Lëvizja Vetëvendosje, sipas  së cilës, “qindra aktivistë anekënd Kosovës janë mobilizuar për të mbledhur nënshkrimet e qytetarëve”.

Peticioni kërkon që “qeveria e Republikës së Kosovës të tërheqë menjëherë nënshkrimin nga katër marrëveshjet me Serbinë  të datës 25 gusht 2015 si dhe nga marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi”.

Për një nga katër marrëveshjet Prishtinë-Beograd, të arritura në Bruksel, në raundin e 28-të të dialogut në nivel të lartë kryeministror, opozita kosovare shprehet me fjalën serbe “Zajednica” që në shqip do thotë “Bashkësi” dhe nënkupton Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Opozita këtë javë  ka bërë edhe një deklaratë të përbashkët kundër “bosnjëzimit të Kosovës” me marrëveshjet që ndajnë në vija etnike,  të enjten edhe ka protestuar në Kuvend dhe ka bllokuar e ndërprerë seancën e parë të sesionit vjeshtor, ndërsa  ka zhvilluar edhe “aksione simbolike” e paralajmëruar edhe protesta të tjera.

Deklarata ka paralajmëruar edhe se, “opozita e bashkuar është jashtëzakonisht e interesuar t’i filloj bisedimet me akterë të tjerë të shoqërisë ku si qëllim do të kishte krijimin e frontit të përbashkët politik”.

 MUSTAFA: ASOCIACIONI NUK DO NDODHTE  SIKUR TË MOS MBETEJ  I NDARË VERIU

Asociacioni nuk do të ndodhte sikur të arrinim t’i integrojmë me kohë serbët e Kosovës dhe sikur të mos mbetej e ndarë pjesa veriore e vendit, nën ndikimin e plotë të Serbisë, shprehet sot kryeministri kosovar, Isa Mustafa, duke shtuar se tani kjo është zgjidhja që përkrahet nga miqtë tanë.

Kryeministri i Kosovës, Mustafa ka shkruar sot në ‘Facebook’:

“Sigurisht se ka shumë nga qytetarët, të cilët po nënshkruhen në peticionin e opozitës, e të cilët nuk e kanë lexuar “Marrëveshjen e Parë të Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve”, të dt. 19.04.2013, “Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë Ndërkombëtare që Rregullon Normalizimin e Marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe të Planit të Zbatimit për këtë Marrëveshje”, nr. 04/L-199 të dt. 27 qershor 2013, por as dokumentin: “Asociacioni/Bashkësia i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë-Parimet e Përgjithshme / Elementet kryesore”, nënshkruar më 25 gusht 2015 në Bruksel.

Qytetarët duhet të informohen çfarë përmbajnë këto dokumente, kush i votoi ato në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe kush nuk mori pjesë fare në votim, ndërkaq ishte prezent.

Unë i ftoj mediat që të publikojnë këto dokumente, në mënyrë që ato të jenë të njohura për qytetarët. Sepse është ironike, që ata që e votuan Ligjin për Ratifikimin e marrëveshjes, të kundërshtojnë marrëveshjet dhe të bashkë-organizojnë peticion e të kërkojnë nënshkrime nga qytetarët që të mos zbatohet Ligji.

Çështje tjetër është se a është dashur të ndodhë Asociacioni apo jo. Ai nuk do të ndodhte sikur të arrinim ti integrojmë me kohë serbet e Kosovës dhe sikur, me fajin tonë, por edhe të disave nga bashkësia ndërkombëtare të mos mbetet e ndarë pjesa veriore e vendit, nën ndikimin e plotë të Serbisë. Tani, kjo është zgjidhja që përkrahet nga miqtë tanë, të cilët na ndihmuan ta çlirojmë vendin, ta shpallim pavarësinë dhe ta ndërtojmë shtetin e pavarur”, perfundon kryeministri i Kosovës, Mustafa.

YMERI: MARRËVESHJET ME SERBINË JANË TË DËMSHME PËR KOSOVËN, KËTË PO E PRANOJNË TË GJITHË

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje,  Visar Ymeri, është shprehur se “marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel janë të dëmshme”, se “këtë po e pranojnë të gjithë”, edhe kryeministri i Kosovës, që i ka nënshkruar.

Lideri i subjektit më të madh politik opozitar kosovar, Ymeri, në ‘Facebook’ sot ka shkruar: “Marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel janë të dëmshme. Këtë po e pranojnë të gjithë. Paradoksalisht edhe Isa Mustafa, i cili me sjelljet e tij karshi këtyre marrëveshjeve qartazi po e dëshmon se e kupton fare mirë dëmin që ia ka sjellë vendit me këto marrëveshje. Përndryshe ç‘kuptim kanë këto bartje fajësie herë te spektri politik votues i marrëveshjes më 2013, herë te qytetarët që ai po i quan të padijshëm, e herë te bashkësia ndërkombëtare që e ka mundësuar okupimin e veriut nga Serbia. Po të kishin qenë të mira as Isa e as Hashimi me asnjë kusht nuk do të kishin lejuar që meritat për këto të ‘mira’ të shpërndahen gjithandej. Do të bënin çmos që t’i uzurponin ato siç e kanë zaptuar shtetin.

E kur një njeri me postin e kryeministrit nën vete, me vetëdije të plotë e dëmton vendin, atëherë kjo i bie që ose do të heq dorë nga posti, ose do ta drejtojë institucionin drejt heqjes dorë nga shteti. Isa po e bën të dytën. Gjithnjë me vetëdije.

Qytetarët nënshkrues të peticionit janë më se të vetëdijshëm dhe të informuar për rrugën që po ia jep Republikës dialogu në Bruksel, i materializuar në mënrrëveshje, dhe Isa Mustafa. Dhe nuk po e pranojnë këtë. Edhe këta me vetëdije të plotë po i vihen në mbrojtje Republikës, tash kur qartazi krerët institucionalë që e kanë këtë detyrë dhe obligim, janë vënë tërësisht në funksion të mbrojtjes së ‘Zajednicës’ së Serbisë në Kosovë.

Një proces i rrënimit dhe falimentimit të Republikës – pra publikes, kolektives, asaj që e kemi të përbashkët – nuk mund të jetë edhe demokratik. Ai kërkon domosdoshmërisht përjashtimin e qytetarëve. Ashtu siç po bën Isa, fillimisht duke i quajtur të padijshëm, të painformuar, thjeshtë injorantë, për t’i shpallur kështu të padenjë për të pasur zë në politik, deri në përjashtim të plotë nga vendimmarrja. Historia ka parë tepër shumë raste të tilla. Dhe secili prej tyre kanë përfunduar njëlloj – ‘kokëpalarët’ kanë fituar”, përfundon lideri i LVV-së, Ymeri./b.j/

Filed Under: Rajon Tagged With: 34 mije nenshkrues, Behlul Jashari, Peticioni ne Kosove

100 FJALË TË ARTA NGA FAIK KONICA PËR SHQIPËRINË DHE SHQIPTARËT

September 20, 2015 by dgreca

Fletore koniciane nr. 9/

Mblodhi e gatiti për botim Fotaq Andrea/

  1. E ashpër, e vrazhdë, si populli i fuqishëm që e flet, por edhe plot shije e hijeshi, si frutat dhe lulet e malit ku flitet, gjuha shqipe – ndonëse e varfëruar nga një palëvrim shumë herë shekullor – është e aftë të shprehë, me një ndjenjë të mrekullueshme, nuancat, konceptimet më të holla e të mprehta të mendimit njerëzor. (Albania 1, 1897).
  1. Shqiptarët duan para së gjithash dritën e mendjes dhe diellin. (Albania 8, 1897).
  2. Vetëm shqiptarët e kanë ndjenjën e së bukurës aq të fuqishme sa e paguajnë me jetën e tyre kënaqësinë për të qenë vetë rrufeja mes atyre furtunave njerëzore të luftës. (Albania 3, 1897).
  1. Rilindja e gjuhës sonë është rilindje e jetës sonë kombëtare. (Albania 8, 1897).
  1. Gjuha shqipe është sa muskuloze aq edhe të brishtë. (Albania 12, 1898).
  1. Shumë duhet të punojmë ne shqiptarët, sot dhe për së shpejti; po më parë nga të gjitha, të shëndoshim dashurinë dhe vëllazërinë në mes tonë. (Albania 2, 1897).  
  1. Përmirësimi ekonomik është nevoja më e shpejtë dhe më e ngutshme për vendin tonë. Është pra një detyrë urgjente që interesat ekonomike të Shqipërisë t’i paraprijnë çdo vlerësimi të karakterit politik. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).
  1. Ndjenja kombëtare ka rrënjë të forta në zemrat shqiptare; dhe ndonëse më ndonjë rast, moskokëçarja dhe moskuptimi i shqiptarëve gati na shkurajojnë dhe shkurajojnë gjithë miqtë e tyre të vërtetë, duhet pranuar se ndjenja kombëtare atyre nuk u mungon, por u mungon ajo vetëdije e qëruar, aq e domosdoshme për përparimin. (Albania B, nr 2, 14,  15-30 qershor 1898).
  1. Ata që do donin t’i ngopnin shqiptarët me retorikë, në vend të urojnë zhvillimin intelektual të tyre, japin provën më të qartë të armiqësisë së tyre ndaj shqiptarëve. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).
  1. Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).
  1. Shqiptarët honxhobonxho janë të tmerrshëm për mizori e kapadaillëk. (Albania10, 28 shkurt 1898).
  1. Shqiptari duket si i bërë për të qenë lodër e një mashtrimi të përjetshëm; një fatalitet i dhimbshëm rri pezull mbi këtë popull të mjerë. (Albania 15-30 janar 1899 C).
  1. Përgjegjësia jonë ndaj vendit është e pamohueshme: do vuajmë me vuajtjet e Shqipërisë, do gëzojmë me gëzimet e saj. (Albania 15-30 janar 1899 C).
  1. Zgjidhja ideale do të ishte për shqiptarët të zhduknin njëherë e mirë ndikimet orientale, duke shkëputur çdo lidhje, fetare, morale apo letrare, qoftë me bizantinët, qoftë me turqit. Mirëpo, gjë e bukur të ndodhte kjo në çast. Zgjidhja do ishte e realizueshme po qe se stërgjyshërit tanë do ta kishin përgatitur me kohë për ne; atëherë neve do të na duhet ta përgatisim këtë zgjidhje për nipat tanë të ardhshëm. (Albania 2, 1907).
  2. Duke u ngritur përmbi egoizmat e pafuqishëm dhe mëritë e pafrytshme vetjake, le të ulim kokat e të punojmë për formimin e një Shqipërie ku poshtërsia keqbërëse e armiqve tanë trashëgimtarë t’i lërë vendin drejtësisë dhe ndershmërisë së mëkëmbur të stërgjyshërve tanë. Boll duke krasitur degë kuturu, dhe me një vendosmëri të ftohtë por të pamëshirshme, le të japim goditjen përfundimtare në rrënjët e së keqes.  (Albania 12, 1909).
  1. Sa e sa marrëzi, sa e sa poshtërsi e krime janë bërë në emër të së gjorës Shqipëri! (Albania 4, 1907).
  1. Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar. (Albania 4, 1907).
  1. Një e thënë latine e Kohës së Mesme, e ndryshuar pak: Homo homini lupus – Njeriu për njeriun është ujk. Femina feminae lupior – Gruaja për gruan është më ujke. Albanus Albano lupissimus – Shqiptari për shqiptarin është fare ujk [ujk e shkuar ujkut]. (Albania, qershor 1902, nr.5).
  1. Letërsia jonë popullore është ruajtur dhe përcjellë vetëm nga gratë e fëmijët  dhe nuk mund të mos merrte veçse formën naive të gjuhës së tyre. (Albania 1, 1905).
  1. Të mbetur pa unitet fetar, e vetmja lidhje që ka mbajtur shqiptarët të bashkuar ka qenë gjuha. (Albania 4, 1906).
  1. Turqit turq mbeten; të rinj a të vjetër, ata janë, siç thotë shprehja latine popullore eiusdem farinœ [të të njëjtit brum]. Në tërë perandoritë që kanë ekzistuar a ekzistojnë, janë gjendur në kombin sundues mendje bujare për të marrë në mbrojtje kombet e nënshtruara. Po a mund të përmendet që prej katër shekujsh qoftë edhe një fjalë e vetme e një turku të vetëm në favor të Shqipërisë? Kjo fjalë vërtet do të meritonte në këtë rast të shkruhej e gdhendur mbi një pllakë bronzi dhe të varej në muret e klubeve tona popullore si një relikte kurioziteti. Turqit na mohojnë edhe ato cilësi që vëzhguesit e huaj i pranojnë njëzëri… Turqit na mundën, por pa arritur të na mposhtin, edhe pasi na imponuan Muhametin e tyre. (Albania 121 , nr 12, 1909).
  1. Shqiptarët janë populli më mosbesues në botë. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).
  1. Asgjë nuk i ftoh më shumë shqiptarët se t’u thuash që kanë të bëjnë me një copë injoranti që i drejton. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).
  1. Populli shqiptar është mjaft i mprehtë në të kuptuar. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).
  2. 25 Grekët e shpërdorojnë si shumë heshtjen përçmuese të shqiptarëve që nuk i hanë dokrrat e tyre bajate e boshe. (artikulli “Mbi Shqipërinë”, Libre Parole).
  1. Njeriu është më i lig se egërsirat, po kur vështronj shqiptarët e Stambollit, më vjen të thom që është më i lig se gjarpri dhe miu. (Letër N. Nacos, 20 mars 1896).
  1. Palla ime është penda; atë pallë të dobët kam, me atë përpiqem t’i shërbej atdheut. Fiunt scriptores nascuntur heroes [shkrimtarët bëhen, heronjtë lindin]. Ti që leve trim, bëje fora një herë jataganin për nder të Shqipërisë (F. Konica, Vepra 1, f. 155).
  1. Shqiptari e ka zakon që kundërshton para se të marrë vesh. (Vepra 1, f. 187).
  1. Kush nuk kupton përparimin, e merr kufirin e mendjes së tij për kufirin e botës. (Vepra 1, f.198).
  1. Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen. (Vepra 1, f. 271).
  1. Trimëria e shqiptarit nuk është e artë, është e teneqejtë… sado e madhe në vetvete, është e vogël në shkaqet që e ndezin. Për një kec të grabitur, për një fjalë të shtrembër, dhe shumë herë pa e ditur as vetë përse, shqiptarët marrin armët, hidhen, vriten. Por, ata njerëz që vriten për interes e për përralla [dokrra], ftohen dhe frikësohen në u dashtë trimëri për ndonjë mendim të bukur, për ndonjë dobi të vërtetë e të përgjithshme… Nuk kanë frikë nga plumbi, po dridhen nga Valiu! trimëria e vërtetë është ajo që vihet në shërbim të së Drejtës dhe Atdheut, në shërbim të dobisë së përgjithshme. Të tjerat punë janë punë egërsie e kafshërie, jo trimërie. (Vepra 1, f. 271-272).
  1. Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë. (Vepra 2, 34).

33.Shkodra është pothuaj vendi më interesant i Shqipërisë së sotme, argjendarët dhe punëtorët e tjerë të saj janë të famshëm në gjithë Europën e Jugës dhe të Lindjes… Shqiptarët janë të njohur për individualitet dhe në kostumin e tyre kombëtar ka varietete dhe ngjyra. Pothuaj çdo krahinë ka kostumet e saj të veçanta. (Shqipëria, 1930).

  1. Ta dini se ne në sy të Evropës së qytetëruar, jemi të prapambetur, dhe asgjë më shumë; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq. Hiqni dorë ju them, se u bëmë palaçot e dheut. Heshtni, shtrohuni, bashkohuni. Udha që shpie në nder, në liri e në shpëtim, nuk është e shtruar me lule, po me ferra; kush arrin në kulm, arrin i grisur, i djersitur, i përgjakur; dhe kur arrin në kulm, bie i vdekur nga të lodhurit, por me vetëdijen që i hapi një udhë të re popullit. (Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 213).  
  1. Bëhuni burra! Rrëmbeni kazmat! Puna është më e lartë se trimëria, kazma më fisnike se palla. E mbi të gjitha heshtni! Jo fjalë, por kazmën. Jo mbledhje, por kazmën. Jo misione, por kazmën! Dhe parmendën, dhe draprin, dhe shoshën, dhe furrën. Mjaft lëvdime. E kam zemrën aq të mbushur me lot sa s’qaj dot. (F. Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 214).  
  1. Gratë e Tiranës janë shakaxhesha të mëdha. (F. Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 317).   
  1. Ka shqiptarë që sillen si këndesa të vërtetë e zemërohen posa zë të këndojë kokorikooo ndonjë tjetër si ata. Mjerisht në Shqipëri ka pak pula. Shqiptarët me mendje të nderuar s’duan e as kanë dashur njeri që del e thërret: “Unë jam!” Historia e Shqipërisë s’është përveçse vërtetimi i kësaj që themi. (F. Konica, Vepra, 3, f. 63).  
  1. Është një vend në faqe të dheut ku katilin e kanë për njeri të nderuar; hapen që t’i bëjnë udhë kur kalon; e fshehin nga i vetë-thëni gjyq, në iu tektë së vetë-thënës polici të bëjë sikur e kërkon; edhe në daltë ndonjë i çmendur për të marrë anën e kanunit [ligjit], e shajnë edhe e fëlliqin me një zell të çuditshëm. Dhe prandaj ai vend ka fituar një famë shumë të shëmtuar në botë… Për cilin vend po flas, do ta kuptoni menjëherë kur t’ju them që nuk ndodhet në mes të Afrikës, po në Europë. (Vepra 3, f. 169).
  1. Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerë. Shqiptarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në histori të Evropës. Nga më të voglat trazira gjer në luftërat më të gjakta, shqiptari ka hequr hark, vërvitur kordhë a zbrazur pushkë. A ka gjë më të turpshme, më të ulët se historia e këtij kombi që, për pak të qelbur ergjent [të holla], shet mish njeriu në çdo luftë, edhe kujt s’i erdhi dëshirim nga aq qindra vjet që e shkelin dhe e kurvërojnë të huajt, s’i erdhi dëshirim të japë dy pika gjak për lirinë e vetvetes? Të donin shqiptarët lirinë e Shqipërisë lehtazi e bëjnë; por rrinë të patundur dhe kështu dëftojnë që s’e duan Shqipërinë, dëftojnë që janë armiqtë e saj. (Albania 1, vëllim A, 1897).
  1. Dua të marr shpatën e t’u çajë kokën gomarëve, edhe në vend të trurit të kllasë këtë: ç’është liria?… Më mirë të shesë pleh njeriu, se të shkruaj për shqiptarët… ç’është liria: Liria është të mundet njeriu: 1. të besojë ç’i do zemra; 2. të thotë ç’i do zemra; 3. të shkruaj ç’i do zemra; 4. të bëjë ç’i do zemra, veç jo ato që janë kundër lirisë së tjetrit njeri. Por shqiptarët, më të shumtë janë shpirtrobër… sundon në shpirtrat e tyre feja… Vëllezër shqiptarë: Mjaft rrojti e mjera Shqipëri jetën e Kurmit. Duhet edhe ajo të nisë tani të rrojë jetën e mendjes. Jeta e mendjes është të hapim tërë zemrat tona, të flasim vëllazërisht njëri kundër fjalës së tjetrit, të kuvendojmë si njerëz të qytetëruar, që mblidhen e luftojnë me fjalë [shoqërisht] për idetë e tyre… kështu do njihemi më mirë, s’do kemi mendime të fshehura, dhe do të KUPTOJMË që të tërë jemi të lidhur me dy lidhje të arta: dëshirimi i së Vërtetës dhe dëshirimi i Shqipërisë. (Albania 2, 25 prill 1897).
  1. Ç’ka të bëjë myslimanëria apo krishterëria me shqiptarësinë? Myslimani të jetë mysliman, i krishteri i krishterë; po Shqipëria është e ne të gjithëve dhe e të gjithëve është detyra të mendohemi e të bëjmë  si është më mirë për të. (Albania 2, 25 prill 1897).
  1. Shqiptarët nuk ndahen në të krishterë e në muhamedanë, po ndahen në dy anë: ana e kombëtarëve, në të cilën ka shqiptarë nga të gjitha besimet, dhe ana e zuzarëve. (Vepra 3, f. 75).
  1. Duhet të mësohen shqiptarët të mos shohin prapa atdhetarit fenë e njeriut. (Vepra 3, f. 127).
  1. Ne duam të bëjmë një komb shqiptar, dhe për këtë punë kemi nevojë për bashkim të të gjitha pakicave të Shqipërisë me shumicën shqiptare. As që mund, një shqiptar që duket sot për sot i kulluar, të lëvdohet se 1000 a 2000 vjet më parë, fëmijëria e tij ish shqiptare. Ndofta po, ndofta jo. S’mund të hipim gjer te Adami a gjer te protistet e profesorit Haeckel. Si ka mijëra e mijëra shqiptarë të sllavizuar, ashtu ka pasur prej racash të tjera të tretur në racën shqipe. (Vepra 3, f. 136).
  1. Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë mend dhe ndërtohen. Ne shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mirë këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot. (Vepra 3, f. 15).
  1. Shqiptarët e mjerë presin që Evropa të vijë sot a nesër t’i shpëtojë. Është nevojë të themi, të bërtasim të vërtetën: Evropa shqiptarët i ka për të egër e për të humbur… Le të themi pra të vërtetën, gjithnjë të vërtetën,… të përpiqemi t’i fryjmë popullit tonë pak jetë e pak guxim. (Vepra 3, f. 81).
  1. Të mos humbasim kohë të kërkojmë bashkim me anën e atyre që përpiqen të mbushin taskën, që tallen me mjerësinë e popullit shqiptar dhe që kanë vetëm një vesë: fitimin, dhe një dashuri: argjendin [paranë]. Me këta, jo vetëm bashkimi nuk bëhet, por është edhe i rrezikshëm. … Këta duhet t’i godasim pa pushim e pa mëshirë. Një miqësi me të poshtrit, nuk duam. (Vepra 3, 83).
  1. Ne jemi një komb i ftohtë, ku secilido mendon për veten e tij… Ata shqiptarë për të cilët bota thonë se janë “të egër”, shqiptarët e maleve e të pyjeve, ata s’janë të ftohtë, por përkundrazi, janë shqiptarë të mirë e do të ishin atdhetarë sikur të kish njerëz t’u jepnin të kuptonin [t’i ndërgjegjësonin]. (Vepra 3, f. 100).
  1. Dëshiri i nxehtë i grave është një sëmundje fort e rrallë në Shqipëri: e kanë vënë re të gjithë se kombi shqiptar mund të quhet i ftohtë në këtë punë. (Vepra 3, f. 143).
  1. Frika, kur është e madhe, në vend që ta mposhtë njeriun, ia forcon, ia galvanizon nervat dhe frikaçi sillet (jashtërisht) posi trim i vërtetë…. Edhe trimëria, s’është trimëri e vërtetë pa frikë: se trimi pa frikë, s’bën ndonjë punë të rëndë, të çuditshme, me vlerë a me meritim… Le t’u japim bashkatdhetarëve tanë të kuptojnë shumësinë e formave të trimërisë. Trimëria me pallë, trimëria e luftëtarit nuk është e vetmja trimëri… Është trim çdo njeri që ka zemrën të sillet sipas mendimeve të tija, të bashkojë punët me fjalët… Një formë trimërie që e kemi përditë në sy është trimëria e grave. Numri i nënave trimëresha është i habitshëm – dhe ndofta pak vende mund të lëvdohen të kenë nga ajo farë trimërie aq sa ka Shqipëria. (Vepra 3, 149-151).
  2. 51-Populli është i duruar, po gjer në një pikë: e kur kupton dhe e zë zenga, tërbimi i tij bën çudira të shëmtuara. (Vepra 3, f. 181).
  1. Oborrësia e gegëve është për të vënë re: në ç’vend tjetër të botës mund të gjeni barbarë të rritur në kasolle me bukë e djathë, larg çdo qytetarie, po me një hije princash në mes të rreckave dhe të varfërisë pa emër që i ka mbuluar!… Kush mban mend plakun Dedë Gjon Lulin, mund të dëshmojë se ky ish, në varfëri e barbari të tij, një gentleman i përsosur. (Vepra 3, f. 212-213).
  1. Çakajtë e përgjakur e të urët, që kafshohen dhe ulërijnë për një kockë në Tiranë…, në pastë Shqipëria para, ata ua gjejnë lehtë vendin: dy njerëz të paguar ndezin një zjarr gjëkundi, – dhe përpara sergjerdetë me harxhet! … O-derra buçe, atdheu është në rrezik! (Vepra, 3, f. 181).
  1. T’i japim botës një provë urtësie, të bëjmë një çap të ri të madh në udhë të qeverimit të shtruar. (Vepra 3, f. 227).
  1. Një lëvizje popullore dihet ku dhe kur nis, po s’dihet ku dhe kur do të mbarojë. Në të gjitha këto, mbetet një shpresë dhe një ngushëllim: shpresa që populli, po nguli këmbë, më në fund do t’i fitojë të gjitha; ngushëllimi që kriminelët e guvernës sodomiste, shpejt a vonë (besoj më tepër shpejt se sa vonë), do të marrin shpërblimin që meritojnë. (Vepra 3, f. 239-240).
  1. Të vetëqeverisurit nga pleqtë e fshatit është karakteristika, shenja më e shquar e jetës sociale të kombit shqiptar. (Vepra 3, f. 243).
  1. Ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara e shpëtoi Shqipërinë; shpëtuam nga tragjedia e copëtimit: dhe deklarata e haptë e Presidentit Wilson më 1920, që Shqipëria kish të drejtë të jetë indipendente dhe e lirë, i shtrëngoi Fuqitë e Mëdha të binden që t’i japin edhe një herë fund çështjes shqiptare. (Vepra 3, f. 260).
  1. Në Shqipëri leu një zanat i çuditshëm, më i poshtër se ai i hyzmeqarëve të pendës: zanati i larove të pendës… Shumë njerëzve u ka rënë erë kërmë; dhe nga çdo çip e prej çdo ngjyre, rendin shpirt-skllevër që kanë uri dhe etje për poshtërsi, lënë zanatin e tyre dhe, duke u bashkuar me larot e pendës, bëhen laro të pendës edhe vetë. Në mes të këtyre të rekrutuarve të papritur, ndodhen edhe ca të vetë-thënë “juristë”. (Vepra 3, f. 269).
  1. Një popull që s’duron padrejtësi, që s’u jep besim sharlatanëve, që ngul këmbë për pastërti në hesapet [financat] dhe për prova zotësie në zyrtarët, ai popull qeveriset mirë, qoftë me mbret në krye, qoftë me president. (Vepra 3, f. 290).
  1. Skllavëria, si çdo pësim tjetër, pasi rëndon ca kohë në kurriz, bëhet më në fund një zakon i pëlqyer, dhe ata që e mbajnë mbi zverk, e durojnë me gëzim. … Ata jo vetëm s’marrin vesh ç’do me thënë liri, po ndjejnë njëfarë urrejtje për mbrojtësit e lirisë dhe ushqejnë respektin më të thellë për tiranët ekspertë të shkopit e të zinxhirit. (Vepra 3, f. 293).
  1. Shtetet, sikurse njerëzit, lindin, rriten dhe vdesin, – dhe ca vdesin që në foshnjëri, nga sëmundjet ose nga aksidentet… Në qoftë se Shqipëria  – fjalë fatale – vdes, ahere mundet, pa shpifje, të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj: U ngjall nga idealistët, u ruajt nga rastet, u vra nga politikanët… Politikanët kanë zënë t’i vënë kazmën Shqipërisë. (Vepra 3, f. 333).
  1. Që shqiptarët, në çdo hap të jetës politike dhe sociale, tërhiqen nga hollësirat dhe kurrë nga mendime thelbësore, që shqiptarët kujtojnë se çdo ndryshim është përparim – ja dy fakte që duhet t’i kenë vënë re gjithë vëzhgonjësit e zhvillimeve. (Vepra 3, f. 335).
  1. Kanunet [ligjet] e bëra me qëllimin që t’u lehtësohet faji njerëzve pak a shumë të fuqishëm dhe që shumica e barrës të rëndojë mbi kurriz të njerëzve të popullit, lënë ngaherë deriçka shpëtimi për ngrehësit e pusive. (Vepra 3, f. 342).
  1. Sa kohë të mbetet e pandryshuar mendësia e errët se vrasja është një mjet i ndershëm, Shqipëria do mbetet një njësi afrikane në mes të Evropës. (Vepra 3, f. 345).
  1. Për një vend si Shqipëria, rrethuar nga armiq, një luftë civile e zgjatur mund të jetë shumë e rrezikshme. (Vepra 3, f. 347).
  1. Zjarri në vatër është aq i shenjtë, sa një nga betimet më të zakonshme ndër shqiptarët është: për këtë zjarr. (F. Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 391).
  1. Shqiptari ka në shpirt të tij një frymë arti të vërtetë. Kjo frymë shfaqet në ngjyrat që ky popull ka zgjedhur për të veshurit e tij dhe për të zbukuruar shtëpitë ku rron. Këto ngjyra janë e zeza dhe e bardha. Oscar Wilde gjykon se bashkimi i ngjyrës së bardhë me të zezën është një shenjë shijeje fisnike. (Vepra 2, f. 68).
  1. Kombi [iliro-shqiptar] i Diokletianit, i filozofit Julian, i Justinianit, është një komb i cili kishte një qytetari të tij kur stërgjyshërit e frëngjve dhe të anglezëve visheshin me lëkura bualli dhe rronin të futur në shpellat. (Vepra 2, f. 70).
  1. Levantinët janë një sëmundje, një koqe me qelb, që ka dalë në cipën e Shqipërisë. Mund të thuhet pa frikë gabimi se ideali që ata përpiqen të arrijnë është ideali i berberëve të Stambollit. (Vepra 2, f. 71).
  1. Shqiptarët kanë një problem për të zgjidhur: të këqyrur nga të huajt si një popull i rëndë, i ashpër, por fisnik, për të cilin një anglez ka thënë se është një popull plot “tragic dignity”, shqiptarët sot janë bërë qeshja e botës:. Pyetja është: Kush e ka fajin që zbritëm nga tragjedia në operetë? Pas mendjes sime, fajin më të madh e kanë levantinët. (Vepra 2, f 78).
  1. Ç’ka Italia që vlen të merret? Makaronat dhe kamorren, hiçgjë tjetër. Për makaronat, s’kemi nevojë, se kemi patatet tona; kamorren e kemi marrë dhe, shyqyr perëndisë, e kemi përmirësuar dhe rregulluar me një sistem më të mbaruar se italianët vetë. (Vepra 2, f. 111).
  1. Një tipar padyshim fatkeq i shqiptarëve dhe tipar mjaft i dukshëm është mungesa e plotë e idealizmit. Në një vend ku njerëzit vdesin aq kollaj për hiçgjë, nuk është dëgjuar që të vdesë dikush për një ideal ose çështje. Do të kërkonte shumë kohë të shpjegohej përse Shqipëria nuk e ka fituar lirinë më herët. Akte të trimërisë e të devotshmërisë, që kanë shkaktuar vdekjen e mijëra njerëzve, mund ta bënin të dukej i rremë pretendimi im për mungesën e idealizmit. Por besnikëria e verbër ndaj traditave të ngulitura dhe kanuni qibar për nderin janë pothuaj akte mekanike, që nuk nënkuptojnë se dikush e rrezikon jetën për një ideal të zgjedhur lirisht. (Vepra 2, 237).
  1. Shqiptarët janë tolerantë për besimet e tjera dhe ndoshta, ky është i vetmi vend në Evropë ku nuk ka pasur luftëra fetare. (Vepra 2, f. 241).
  1. Shqiptari është tepër i pavarur dhe tepër individualist, nuk i nënshtrohet ndikimit të kujtdo qoftë në kundërshtim me vullnetin e vet. (Vepra 2, f. 279).
  1. Kemi këtu një fytyrë fare të jashtëzakonshme: Ahmed beu më duket i shënuar nga Fati që të lozë rolin më të madh në histori të Shqipërisë. Ai djalë i ri, në mes të zjarrit e të luftës, e të tradhtive, e të rreziqeve pa numër, arrin në pak vjet e sipër ta bashkojë Shqipërinë, ta vërë nën fuqinë rregullonjëse të Kanunit, të shtrëngojë tërë armët e të zërë parmendën, dhe sot i ri, rri në Fronin e Skënderbeut. (Vepra 2, f 40).
  1. E përbuz mbretin Zog për këto arsye: asnjëherë nuk e kam dëgjuar të thotë një të vërtetë. Kurrë nuk e ka mbajtur fjalën e besës. Nuk ka asnjë ndjenjë përgjegjësie. Është i pandershëm, i pashpirt, egoist, i pangopur. Ai i urren të gjithë ata që kanë diçka, qoftë kulturë, prejardhje, pasuri, çfarëdo aftësie në ndonjë fushë, ose qoftë edhe patriotizëm të pagdhendur, por të ndershëm. Ai i injoron gjërat themelore dhe u jep një rëndësi groteske çikërrimave. Shqipëria kurdoherë ka qenë njohur si komb me njëfarë dinjiteti tragjik; ai e ka ulur Shqipërinë në nivelin e një farse muzikore të pavlerë”. (Vepra 2, f 325).
  1. Ahmed Zogolli, malok analfabet, pa ndonjë frymë idealizme, kish zgjedhur për pasqyrë dhe shembull të tij Esad Pashën, të cilin e imitonte jo vetëm në intrigat e jashtme e të brendshme, por gjer në mënyrën e ecjes dhe të foljes. E imitonte veçan në punën e ryshfeteve. Dhe siç Esadi, në një kohë, merrte nga Italia, nga Serbia dhe nga Greqia, – ashtu dhe Ahmed Zogolli u përpoq të marrë nga tri ato mbretëri përnjëherësh. (Vepra 3, f. 312).
  1. Kur nis njeriu një punë, duhet të dijë se do t’u prishë interesin disave dhe prej këtyre nuk mund të presë përveç të shara e të shpifura… Letrat pa nënshkrim [anonime] e kanë vendin e tyre në hale, fjalët dhe të shpifurat shkojnë e harrohen – po puna mbetet. Jemi lindur në një dhé dhe të shtypur prej tiranisë; liridashuria, njësia e interesave të shkuara, njësia e interesave të sotme dhe njësia më e madhe e interesave të nesërme na thërret të bashkohemi e të punojmë. Do të gjejmë kundërshtime; po kundërshtimet i lodhin të dobëtit e i forcojnë burrat. Të jemi pra burra, dhe përpara! (Vepra 4, f. 115-116).
  1. Vendi më i ëmbël e më i pëlqyer i një shtëpie duhet të jetë vatra, se rreth e rrotull kësaj mblidhen vëllazëria që të rrinë e të kuvendojnë. Po ngandonjëherë, kur mbahet ligsht e nuk pastrohet me kujdes, vatra, në vend që t’i afrojë, i largon njerëzit e shtëpisë, se bie erë të qelbur. (Vepra 4, f. 227).

  80.Këtu-këtje, në Shqipëri mund të jenë bërë gabime kundër bukurisë [natyrore] – po nga ana tjetër, sa gjë e pëlqyer të shohë njeriu një popull që zgjohet dhe i vihet punës. Shumë të huaj shkruajnë marrëzira për Shqipërinë, se nuk e kanë njohur vendin më parë dhe ashtu, s’kanë ku të mbështeten për të matur pikën e arritur në të sotmen. (F. Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 229).

81.Sa mirë i vjen njeriut kur, pas shumë vjet largimi, shkel përsëri baltën e mëmëdheut të tij; kur hyn në shtëpi a në kasolle, i duket sikur edhe gurët e mureve i thonë “mirëserdhe”! (Vepra 1, f. 93).

  1. Qytetaria është zbukurimi i mendjes dhe e flakta dëshirë për lirinë. Le të ecim me çap titani drejt bukurisë së mendimit. (Vepra 1, f. 94).
  1. Liria është të jetë njeriu zot i  vetvetes, pa ndonjë urdhërues mbi kokë. (Vepra 1, f. 95).
  1. Ah, malli i Shqipërisë, malli i atdheut të dashur, i shenjtë mall dhe dashuri e shenjtë, kush është ai shqiptar që s’e ka pasur në dhe të huaj! Duhet të jesh jashtë Shqipërisë, e të jesh larg, për të kuptuar se ç’forcë e ç’bukuri të ëmbël ka për veshët kjo fjalë: Shqipëri! (Vepra 1, f. 103).
  1. Flamuri përmbledh kujtimet e shkuar të një kombi në një gjuhë të pashkruar, që mund ta kuptojë syri dhe zemra e çdo njeriu me ndjenja. ((Vepra 1, f. 105).
  1. Djem të Shqipërisë, shpresa e atdheut, ju që nuk e kini gjakun të ftohur nga pësimet, as trutë të thara nga interesi, ju duhet ta doni flamurin e racës suaj, ta doni me thellësi e me zjarr. U lajthitën ata që thanë se të rinjtë duhet  të mësojnë nga pleqtë. Jo. Historia na thotë që pleqtë kanë kurdoherë për të mësuar nga të rinjtë. Djelmuri shqiptare, mësoi Kombit shqiptar fenë e Flamurit. (Vepra 1, f. 107).
  1. E njihni të gjithë atë që “ka parë botë, që është i qytetëruar”… i lag përditë me vaj leshrat, vishet me “të ngushta”, mban një stap të lehtë në dorë e shikon sipër-poshtë gjithë botën… Po ku ka lindur, në pyeç, ky njeri aq i hollë e aq i çuditshëm?… Mos kërko aq larg… Ka parë ditën në Dardhë, në Mollë, a në Breg të Pulës. Është rritur mes bajgave të gomarit a të kakërdhisë së deles. (Vepra 1, f. 144).
  1. Kam shkuar jetën duke luftuar kundër asaj dinakërie të poshtër që quhet sharlatani, dhe për të rrëfyer të vërtetën, më ndizet gjaku kur shoh ca morra të ngordhur që, për ta mbajtur veten e tyre si të qytetëruar e të hollë, tallen me rrobat kombëtare të Shqipërisë. Dua të kem disa nga ata ngordhanikë e t’i shpie në Skotland të shohin zotërinjtë e mëdhenj si vishen, në dasma e në mbledhje, me petka kombëtare të tyre që u shëmbëllejnë shumë petkave tona. (Vepra 1, f. 149).  
  1. Në Shqipëri, ashtu si gjithkund në botë, ka një prirje të pandalshme drejt uniformitetit. (Vepra 1, f. 270).
  1. Shqiptari, sado përtimtar që është, i vihet shpejt punës posa sheh që puna s’i ka për të vajtur kot. Ndofta keni dëgjuar se Kanali i Korinthit në Greqi, i cili bashkoi dy dete, u rrëmih më shumë prej punëtorësh shqiptarë. Punonin, ata djelmt’ e shëndoshë të Shqipërisë, punonin…. Një komb përtimtar nga rrënja është një komb i ngordhur. (Albania 14, 15-30 qershor 1898).
  1. Kur më pëlqen e kur më çpëlqen një vepër, nuk ka pse të kërcej a të shfryj: duhet të shfaqë përsetë e pëlqimit a të çpëlqimit tim, në qoftë se dua të përpiqem të shokësoj këndonjësit në një ndjenjë me mua. Ashtu kritika bëhet edhe ajo vetë një vepër letrare. (Vepra 1, f. 244).
  1. Mbani pra ndër mend se, për mua, atdhesia dhe letërsia janë dy gjëra. Një shkronjës mund të ketë edhe atdhesi edhe talent [letrar], a mund të mos ketë as këtë, as atë, a mund të ketë njërën, pa tjetrën. Nuk duhet pritur prej meje – ngaqë një vetë qenka atdhetar i mirë – që unë të kasnecojë se ipso facto, ai paska edhe vlerë mendore a pendë të bukur. Qëndrimi im përpara Naim bej Frashërit nuk u kuptua për këtë arsye.
  1. Shqiptarët flasin një gjuhë të vjetër që ka lidhje të largëta me latinishten, greqishten, teutonishten, sanskritishten dhe të tjera. Shkurt, është një nga gjuhët që quhet indo-gjermane. (Vepra 1, f. 262).
  1. Të përpiqesh të ndryshosh gjuhën e një populli do të thotë të ndryshosh karakterin dhe të prishësh personalitetin e tij. Dialekti toskë, i gjallë, i shkathtë, i leht dhe me një evolucion të vazhdueshëm pasqyron mirë karakterin e toskës që shquhet nga një vrazhdësi e përmbajtur, nga një ndjenjë humori, nga aftësia, nga intriga dhe nga paqëndrueshmëria.  Përkundrazi, dialekti gegë, masiv, i pandryshueshëm, pa shprehje me kuptime të dyfishta përfaqëson më së miri karakterin gegë, që është serioz, i sinqertë, shpesh herë i pa të keq dhe mbi të gjitha, armik i të rejave… Dialekti gegë përmban qindra shprehje që toskët i kanë humbur e që janë xhevahire të vërteta, sepse i kemi trashëguar nga paraardhësit tanë të lashtë. (Vepra 1, f. 194-195).
  1. Pavarësisht nga luftërat, shkeljet dhe turbullimet e paprera në tërë kohën e shkuar, populli shqiptar, me forcën e vullnetit dhe fuqinë e tij të kundërshtimit, ka qenë i zoti të mbajë gjallë, jo vetëm gjuhën e tij të njohur nga filologjistët si më e vjetra në Europën Juglindore, po edhe ca nga traditat e tij të moçme. (Vepra 1, f. 273).
  1. Një zjarr i bukur zien në zemër të djalërisë dhe, plot me dëshirë, trimoshët e dheut tonë po përpiqen për zbukurimin e shqipes. (Vepra 1, f. 224).
  1. Të tëra vendet e dheut kanë një gjuhë letrarishte, domethënë të qëruar dhe të zbukuruar, që me atë shkruhen librat, letrat, punërat… Vetëm shqiptarët s’kanë një gjuhë të tillë; dhe andaj vjen që kemi mbetur të ndarë njëri nga tjetri, andaj kanë rrjedhur aq të këqija për ne të mjerët. Është nevojë dhe shtrëngim [detyrim] të hedhim themelin e një gjuhe letrarishte. (Albania 1, 1897).  
  1. Javën e shkuar pashë një ëndërr që s’harrohet. M’u shfaq një grua e hollë, e gjatë, plot me hije fisnikërie, ndonëse e veshur me rrecka. Unë, pa vënë re varfërinë e veshjes së saj, dhe duke marrë me mend sa e bukur do të dukej sikur të ishte e veshur me mëndafshe, u ngrita me respekt dhe iu fala. – “Zonjë, i thashë, cila jeni Fisnikëria Juaj dhe pse dukeni kaq e mallëngjyer dhe e ngrysur?” – “Unë – tha – jam  gjuha shqipe, dhe më sheh kështu të hidhëruar nga mundimet që heq dhe nga rreziqet që më rrethojnë”. – “Zonjë, mos rrini më e ngrysur: sa të jemi ne të gjallë, dhe sa të jenë të gjallë të tjerë si ne… dëshirojmë, Nëno, të të shohim të buzëqeshur”. (Maj 1925, Vepra 3, f. 373-374).
  1. Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën të mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë; falna durimin të thellojmë një punë me parë se të shkruajmë përmbi të: frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që jo vetëm të flasim me paanësi, por edhe të sillemi si të paanshëm; shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthimet e shtypit. Ashtu qoftë! (Vepra 3, f. 421-422).
  2. Kur shkruani një gjë, këndojeni dhe ndreqeni shumë herë, që të bjerë [tingëllojë] në vesh çdo tog germash si një copë muzikë. (Tani, natën e mirë, se m’u qepnë sytë). (Vepra 1, f. 226).

Filed Under: ESSE, Vatra Tagged With: 100 fjale te arta, Faik Konica, Fotaq Andrea

DANNY DEDVUKAJ NDERROI JETE, TE DIELEN SHERBIMET FUNERALE

September 19, 2015 by dgreca

Zvezdan (Danny) Dedvukaj, i biri i Fran Markut Dedvukaj i lindur 15 Gusht 1966, pas nje smundje te pasheruashme vdiq me 16 Shtator 2015. Trupi i tij do te pushoje ne Farenga Brothers Funeral Home te dielen me 20 Shtator prej ores 2 pm e deri ne ora 9 pm.
Te Hanen ne ora 11 am do te bartet te Kisha  “Zoja e Shkodres” dhe pas meshes do te percillet per ne vorrezat e “Gate of Heaven Cemetery” ne  Valhalla.
Zvezdani paste drite, Krishti e paste ne Parriz e familjes Zoti i dhashte force.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Danny Dedvukaj, nderroi jete

Dënimi me vdekje jepet edhe nga gjykata edhe nga shteti

September 19, 2015 by dgreca

Nga Saimir LOLJA/

Shteti dhe regjimi politik janë dy gjëra të ndryshme, dy gjysma që përbëjnë një vend me një emër të caktuar, dy gjysma që plotësojnë njëra tjetrën dhe që i kanë të ndara veprimet. Regjimi politik në një vend mund të jetë parlamentar, presidencial, mbretëri, popull-mbret (“republikë”), “demokraci”, “diktaturë”, fetar ose jo fetar, etj. Regjimi politik përfaqson “sovranin” i cili ripohon duke i ligjëruar detyrat natyrale të një shteti dhe më pas nuk i ndërhyn shtetit (qeverisë) në zbatimin e tyre; dhe anasjelltas, shteti nuk ndërhyn në formën apo punën e regjimit politik. Kushtetuta është dokumenti themeltar i “një ndërtese të ngritur mbi një tokë”, ku në themel është shteti dhe në çati është regjimi politik.

            Regjimi politik është dhunues (“diktaturë”) kur me autoritetin e tij dhe nëpërmjet shtetit kur kërkon bindje absolute ndaj regjimit politik të vendit, kur nuk lejon lëvizjen e lirë të qytetarëve përtej kufinjve të shtetit, kur nuk pranon [dhe dënon] lirinë e fjalës së lirë, kur nuk lejon të ndiqen rrugët e shpirtërimit drejt zotit, si dhe kur një rrugë të besuar drejt zotit e kthen në mjet sundimi dhe kufizimi absolut duke përjashtuar çdo mendim tjetër. Rregjimi politik është i hapur dhe jo dhunues kur pranon lirinë e shprehjes së mendimit të lirë, lirinë për të zgjedhur shpirtërisht rrugën e lumturimit drejt zotit, si dhe lirinë e lëvizjes se njerëzve.

            Detyrat natyrale të një shteti janë sigurimi i shtetit, i jetës, i dokumentacionit, i pasurisë, i pronës, i pasurive natyrore, i prodhimeve dhe ndërtimeve, i grupeve shoqërore, i individit dhe edukimit të tij, i marrëdhënieve midis qytetarëve, i lëvizjes, i ndarjes së punës dhe i trashëgimisë kombtare. Së bashku këto formojnë një platformë e pa diskutueshme shtetërore e cila qëndron mbi çdo interes, dëshirë, emocion, pëlqyeshmëri, ndjenjë apo kuptim vetjak të kujtdoqoftë. Forma dhe përfaqësuesit e regjimit politik shkojnë dhe vijne kurse shteti nuk ndryshon. Nga ana e tij, institucioni i qeverisë nuk mund të shplajë nga duart përgjegjësitë e mësipërme duke i ngatërruar ato me fjalë të tilla si gjykatat, drejtësia, “demokracia”, të cilat i përkasin regjimit politik. Sepse liria e besimit dhe e fjalës së lirë as nuk është e barabartë dhe as nuk nënkupton liri veprimi për kriminelët, terroristët, spiunët, sabotatorët dhe grabitësit. 

            Qeveria është organi më i lartë i shtetit kurse gjykatat dhe prokuroria janë organe të regjimit politik, p.sh. të Kuvendit dhe Presidentit. Në kohë paqeje dhe lufte, për arësye shtetërore, për raste të parashikuara saktë dhe vulosur ligjërisht, shteti mund të zbatojë dënimin me vdekje ose jo pavarësisht nëse atë e japin ose jo gjykatat qytetare dhe ushtarake të regjimit përkatës politik. Kur krahasohen se ç’bëhet në dy vende, kuptim ka kur krahasohet shtet me shtet ose regjim politik me regjim politik, polici me polici, gjykatë me gjykatë; dhe është e pakuptimtë të krahasohet policia ose qeveria ose shteti me formën regjimin politik në atë vend. Nuk ka lidhje “përparimi demokratik” (Përkthimi në Shqip?) me mosruajtjen e shtetit dhe mosdhënien e dënimeve për kriminelët, terroristët, spiunët. Nuk ka patur ndonjëherë ndokund e as nuk do të ketë, as edhe në të folur, “polici demokratike” apo “ushtri demokratike”. 

            Në disa shtete të ShBA, Bashkimit Europian, Kanadasë, etj. nuk është e nevojshme për gjykatën të ketë të drejtën ligjore të dhënies së dënimit me vdekje. Sepse në këto vende e ka të drejtën për të vrarë drejtpërsëdrejti në rrugë edhe polici i shtetit, mjafton që një përson të paraqitet kërcënueshëm me armë ose thikë dhe nuk i bindet urdhërit të policit. Në rastet e kriminelëve dhe terroristëve të përndjekur të cilët nuk dorëzohen dhe vazhdojnë të keqen e tyre, shteti dërgon skuadrat e asgjesimit të cilat kryejnë detyrën e gardhimit të rrezikshmërisë së pakontrollueshme dhe asnjanësimit të saj. Për shkak të ngarkesës së madhe që kanë policët e shtetit në rrugët e SHBA, Kanada, etj. dhe lirive për të marrë vendime të shpejta sa herë që përballohen me një situatë kërcënuese dhe jo bindëse, ndodhin edhe raste kur policët shkelin kufinjtë e lejuar apo kushtet e hyrjes në veprim. Për shëmbull: vrasja e një të riu me thikë në një tramvaj të Torontos në Kanada më 27 Shkurt 2013, vrasja e nje personi me duart lart nga policia në Teksas të ShBA më 1 Shtator 2015, etj. Në raste të tilla, gjykata mbledh hetimet dhe merr vendim mbi veprimet e policëve.

            Policia “demokratike” amerikane ka vrarë drejtpërsëdrejti në rrugë mbi 680 persona vetëm në tetë muajt e parë të vitit 2015. Për të mënjanuar sa më shumë keqpërdorimet e detyrës nga ana e policëve në SHBA dhe Kanada , atje ka filluar programi i vendosjes mbi trupin e policëve të aparateve që regjistrojnë pamjen dhe zërat. Si do që të vërvitet çeshtja, një pyetje mbetet: A mund të mbahen në këmbë vende të mëdha dhe me popullata të ndryshme, si për shembull SHBA dhe Rusia, pa një polici shteti dhe gjykata të forta? Të dy këta vende “demokratike” kanë 1% të popullsisë në burg.

            Kodin Penal e zbatojnë gjykatat. Në Kodin Penal që hyri në fuqi në vitin 1952 dënimi me vdekje përkufizohen në 31 Nene të tij ku peshë të madhe kishin ato që quheshin si krime kundër shtetit [politik]. Kodi Penal i vitit 1977 pati 33 Nene që përmbanin dënimin me vdekje ku rëndoheshin më shumë dënimet për arësye politike dhe ideologjike (mendim ndryshe); për shembull, pati njërëz që u dënuan me vdekje pse shkrojtën vjersha. Në anën tjetër, ashpërsia e dënimeve kundër vrasësve, së pari të atyre të gjakmarrjes, ndikoi pozitivisht sepse nga 17% që ato zinin në vitet 1945-1950, 13.5% në vitet 1951-1955, në vitet 1965-1989 nuk pati më krime të atilla.  

            Kodi Penal i vitit 1988 i tkurri në 22 Nenet që përmbanin dënimin me vdekje. Pas vitit 1991, ndërsa krimet politike dhe ideologjike u shfuqizuan me ligj, krimet kundra shtetit dhe njerëzve morën të përpjetën. Megjithatë, regjimi i ri politik vazhdoi tkurrjen e dënimeve me vdekje dhënë nga gjykatat dhe me ligjin Nr. 7769 më 16 Nëndor 1993 Kodi Penal ngeli me 16 Nene të tilla. Deri në Qershor 1995, shpërndarja sipas viteve të dënimeve me vdekje dhënë nga gjykatat dhe të kryera ishte: 5 (1990), 6 (1991), 14 (1992), 7 (1993), 6 (1994), 1 (1995). 
            Kodi Penal i Qershorit 1995 mbeti me 13 Nene që përkufizonin dënimin me vdekje dhënë nga gjykatat në kohë paqeje. Po në Qershor 1995, Shqipëria u pranua anëtare e Këshillit të Europës së Bashkuar. Pasi nënshkroi Protokollin Nr. 6 me të dhe e pranoi ligjërisht (“ratifikoi”) në Kuvend, dhe në pajtim me Nenet 116 e 122 të Kushtetutës së Shqipërisë, regjimit politik të Bashkimit Europian iu njoh sovranitet i sipërm [me autoritet korrigjues] mbi atë të Republikës së Shqipërisë në rastet e marrëveshjeve politikë midis tyre. Një kusht për anëtarësim në Këshillin e Europës së Bashkuar ishte pranimi edhe i Marrëveshjes Europiane për të Drejtat e Njeriut e cila nuk lejonte të jepej dënim me vdekje nga gjykatat edhe i këshillës ngrirëse për të pezulluar për tre vjet zbatimin e dënimeve me vdekje të dhëna nag gjykatat. Prandaj, ndonëse gjykatat dhanë dënime të merituara me vdekje për 17 persona në vitet 1996-1995, ato nuk u zbatuan për shkak të atij kushti ngrirës që pat rënë nga Këshilli i Europës.

            Dhe më 10 Dhjetor 1999, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë shfuqizoi si të papajtueshëm me Marrëveshjen Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe me Kushtetutën e Shqipërisë të drejtën e dhënies së dënimit me vdekje në kohë paqeje vetëm (vetëm!) nga gjykatat qytetare dhe ushtarake, por jo nga shteti. Me atë rast, u çligjëruan Nenet 29/1, 31, 73, 74, 75, 77, 78, 79, 109, 141, 208, 209, 219, 221, 230 dhe 334 të Kodit Penal Qytetar dhe Nenet 59/2 dhe 77 të Kodit Penal Ushtarak. Në rast lufte Kodi Penal ushtarak përmbante edhe gjashtë raste të tjera për të cilat gjykakat ushtarake jepnin dënimin me vdekje, veçse ato Kuvendi i shfuqizoi me ligin Nr. 9722 më 30 Prill 2007. (Eh sa mirë, nuk ka patur, nuk ka, nuk do të ketë armiq, kriminelë, terroristë, spiunë, dezertorë, tradhëtarë, grabitës!).

            Njëkohësisht në atë vendim, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e mirënjihte Nenin 2.2 të Marrëveshjes Europiane për të Drejtat e Njeriut e cila sqaronte se shteti e jep dënimin me vdekje kur një gjë e tillë është absolutisht e domosdoshme, kur shkaktohet për shkak të përdorimit të forcës, kur nevojitet vetmbrojtje ndaj dhunës së paligjshme, kur kryhet një arrestim i ligjshëm ose pengohet arratisja, kur shtypet një kryengritje e paligjshme. Dhe në përputhje me Nenin 17.1 dhe 21 të Kushtetutës së Shqipërisë domethënë se për arësye shtetërore, për arësye të sigurisë së përbashkët të popullatës, për arësye të mbrojtjes së të drejtave të të tjerëve, për arësye të sigurisë së tërësisë territoriale dhe qenies politike si shtet i pavarur, policia, ushtria dhe shërbimet e fshehta në varësi të qeverisë [edhe prokuroria dhe gjykatat, kur lejohet] e kanë lirinë me zbatuar dënimin me vdekje në rastet absolutisht të domosdoshme. 

            Konditat dhe rradhitja e veprimeve për të kryer një vrasje të lejuar nga një polic ose skuadër policie dhe për të marrë një vendim më vdekje nga një gjykatë sqarohen me imtësi dhe ligjërohen në Kuvend që më parë. Sepse, saç është i domosdoshëm sigurimi i shtetit po aq është i domosdoshëm edhe mbarëvajtja e sigurimit të shtetit. Siç nuk mund të lihet policia e shtetit të livadhisë pa kontroll, po ashtu nuk mund të lihet të livadhisë pa kontroll edhe gjykata. Një gjykatës i ndotur (i “korruptuar”) është drejtpërsëdrejti edhe bashkëpunëtor me kriminelët, terroristët dhe shkelësit e ligjeve edhe nxitës i kriminalitetit. A nuk janë të tillë tre gjykatësit në Shkodër që liruan një vrasës i cili më pas kreu vrasjen e dy turistëve çekë në Qershor 2015?

            Shfuqëzimi më 10 Dhjetor 1999 prej Gjykatës Kushtetuese vetëm të dënimeve me vdekje dhënë nga gjykatat qytetare dhe ushtarake në kohë paqeje shkaktoi krisje në vendosjen e sigurisë së përbashkët dhe nxiti kriminalitetin e veçuar dhe atë të organizuar. Policia e shtetit dhe qëllimi i shërbimit të saj nuk ka pse të nëpërkëmben nga një vendim politik i detyruar i atillë i pranuar prej regjimit politik; themelet janë themele, çatia është çati. 

Neni 21 i Kushtetutës së Shqipërisë është vetëm një fjali: “Jeta e personit mbrohet me ligj”. Kjo fjali domethënë mbrojtje të jetës ndaj shkakut dhe veprimit të qëllimshëm që e cënon jetën. Në rastet e vdekjeve për shkak të gjëmave natyrore, veprimeve të paqëllimshme dhe vetvrasjeve, edhe Neni 21 urdhëron që të kryhen të gjitha përpjekjet për të parandaluar vdekjet ose për të shpëtuar jetën pas ngjarjeve. Në rastin kur si shkak është veprimi i qëllimshëm i një krimineli ose terroristi, në qoftë se Neni 21 nuk do urdhëronte asgjësimin e atij shkaku, atëhere ky përdorim ligjor i Nenit 21 mohon vetë Nenin 21. A mund ta mbrojë jetën Neni 21 duke mbrojtur shkakun që e kërcënon jetën, duke mos e asnjanësuar përfundimisht me dënim me vdekje kriminelin apo terroristin të cilët me qëllim mbesin gjithmonë kërcënues dhe sulmues kundrejt jetës? 

Dënimi me vdekje i kriminelëve dhe terroristëve është sa i domosdoshëm aq dhe ligjërisht i detyrueshëm të kryhet me të paktën një nga dy mënyrat: nga shteti dhe nga gjykata. A është i vështirë dallimi i tyre? Ç’humbje ka shoqëria nga vrasja dhe dënimi me vdekje i një krimineli apo terroristi? Kaq pa vlerë është jeta e një polici, ushtaraku, qytetari të thjeshtë që të helmohet apo vritet nga kriminelët dhe terroristët? A ishte normale që në Qershor 2015 policia e shtetit të shkonte në fshatin Lazarat të Gjinokastrës më pushkë druri dhe kriminelët të vritnin dhe plagosnin policë, kurse ato vetë të mos pësonin gjë?

            Mafia ose [e thënë butë] krimi i organizuar është trekëndëshi politikë-biznez-krim. A egziston ky trekëndësh në Shqipëri? A ka mafie në Shqipëri? A nuk e dëshiron vetëm mafia lirimin e kriminelëve dhe heqjen e dënimit me vdekje ngase vetëm ajo përfiton? A bëhet mbulesë krimi i veçuar për krimin e organizuar? Sepse me kërcënimin e kriminelëve, veçanërisht kur ato lirohen dhe nuk dënohen, mafia sundon popullin. Mafia ka nevojë për skllevër dhe xhungël ku sundohet duke përdorur kërcënimin nga egërsirat. Mafia bie shpejt pre e spiunazheve të vendeve armike apo rrjeteve terroriste botërore dhe e keqja e saj shumëfishohet. Mafia nuk ka për qëllim mirëqenien e përbashkët të popullatës, edukimin dhe përparimin e kombit. Mafia është errësia, egërsia, dhuna, prapambetja kurse qytetaria është drita, butësia, mirësjellja, përparimi. Në një vend të përparuar, shteti dhe regjimi politik janë mekanizmat që mirëmbajnë rregullin, organizimin dhe mbrojtjen e popullatës. Qytetaria ka nevojë për qytetarë të lirë që respektojnë njëri-tjetrin, vendin dhe meritën e njëri-tjetrit, mendimin e lirë dhe punojnë për të mirën e përbashkët. 

            Një shtet dhe regjim politik rrumpallë shërohet me një shtet të fortë dhe regjim politik me bosht kombtar dhe qytetarie për të mirën e përbashkët. Një shtet i i mirëorganizuar domethënë se çdo njeri ka vendin e vet të merituar me punë dhe çdo vend ka një njeri. Një shtet i mirëorganizuar domethënë se qytetarët, shteti dhe regjimi politik ndihmojnë për sigurinë, dokumentimin, mirëqenien, punën, prodhimin, edukimin, përparimin dhe mbrojtjen e përbashkët. 

            Nga një tokë nën kujdes do lindin lule dhe prodhime të mbara. Një tokë e lënë djerr do mbushet me ferra, do bëhet ferr, ku dallohen vetëm egërsirat dhe ulërimat e tyre. Një periudhë rrumpallë ka një anë të mirë se u krijon kushte edhe njerëzve edhe egërsirave të shprehin sinqeritetin e tyre. Një vend rrumpallë ka një çorganizim të organizuar mirë nga njërëz të këqinj, të papërshtatshëm, me qëllime të mbrapshta dhe ka nevojë për rregullim, vendosje të njerëzve dhe gjërave në vendin e duhur. Ay rregullim lind si nevojë për të qenë në harmoni me natyrën, për të krasitur të keqen, për të rivendosur baraspeshën e lirive, për t’u shkëputur nga parregullsia, nga egërsia, nga errësira, nga kaosi. Ordo ab Chao.

Filed Under: Analiza Tagged With: denimi me vdekje, edhe nga shteti, jepet edhe nga gjykata

“Zoja e Shkodrës” – Fillon proçesi për shpëtimin dhe konservimin e ikonës

September 19, 2015 by dgreca

Piktura e Zojës së Shkodrës, ose siç njihet edhe ndryshe me emrin tjetër “Zoja e Këshillit të Mirë”, vepra në telajo e shekullit XIX, pasi i shpëtoi masakrës së kulteve dhe mbijetoi në muzeun ateist të Shkodrës deri në vitin 1990, sot ruhet në Famullinë e Shën Shtjefnit nën kujdesin e Dom Artur Jaku.Ministria e Kulturës Mirela Kumbaro pasi e ka vizituar gjatë këtyre ditëve nga afër këtë thesar të trashëgimisë, dhe pasi ka konstatuar dhe dëmtitet e saj, ka njoftuar se do ti nënshtrohet procesit të restaurimit.

‪‎Edlira Çaushi dhe skuadra e Institutit të Monumenteve të Kulturës kanë filluan punën për të shpëtuar dhe konservuar ikonën.Zoja e Shkodrës, është një ikonë e Shën Marisë me Jezusin fëmijë. Kjo ikonë gjendej në kishën kushtuar Sh. Marisë në Shkodër.ZOJA E SHKODRES

Sipas dëshmive të ndryshme të asaj kohe, thuhet se ikona braktisi kishën rrëzë kalasë së Rozafës me 25 prill 1467, pak para pushtimit të qytetit nga turqit, që kërcënonin ç’shenjtërimin e kishës, dhe mori rrugën fluturimthi duke kaluar detin drejt Italisë, e mbajtur nga dy engjëj.

Në Itali, ikona e Zojës së Shkodrës u vendos në kishën e Gjenacanos, një kishë ndërtuar që në shekullin e dhjetë.

Këshilli i katërt i peshkopëve shqiptarë, i mbajtur në vitin 1895, e shpalli Zojën e Shkodrës “Pajtore të Shqipërisë”. Shkodranët e shprehin në këngë mjerimin që pushtoi qytetin pas shtegtimit të Figurës së Zojës dhe pushtimit osman.(Kortezi:ATSH)

Filed Under: Kulture Tagged With: ikona, konservimi, Zoja e Shkodres

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • …
  • 91
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT