• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2015

POETI LIRIK ME KOSTUM KOMBËTAR

September 18, 2015 by dgreca

nga MSC. Albert HABAZAJ/

…Qesh prej zorit, qan prej gazit./

“Qerratai” Pelivan Bajrami – e cilësonte Plaku i Bardhë i Letrave Shqipe, qysh më 23 Tetor 1995 Pelon, poetin tonë të dashur, sot emigrant në Amerikë. Kanë kaluar 20 vjet nga botimi i librit “Populli dhe politika”, që bëri shumë bujë për kohën dhe fitoi një popullaritet të paimagjinuar. Interesante është se edhe sot ky libër është si një kod shpirtëror e moral në vargje ndër shqiptarë. Edhe pse nuk ka ndonjë ndikim të shfaqshëm nga Kanuni i Lekë Dukagjinit, as nga Kanuni i Skënderbeut, as nga Kanuni i Labërisë dhe as nga ligje apo përmbledhje ligjesh e normash të pashkruara, të trashëguara në mënyrë gojore, që pasqyrojnë gjendjen ekonomike – shoqërore të periudhave të kaluara, që në kohën e vet mbronin interesat e klasave e të shtresave të caktuara shoqërore, si tërësi e normave të së drejtës zakonore, ky libër i veçantë i krijuar nga Pelivan Bajrami ka mushtin, ka lëngun e pastër, ka dhe frymëmarrjen e kësaj kushtetute të pashkruar shqiptare në rrjedhat e kohës; trajtuar artistikisht me magjinë labe të vargut, që Pelua e qëndis si ai! Do të rikujtoj ç’kam botuar në një gazetë shqiptare, kur doli në qarkullim libri – testament etnoartistik i autorit Pelivan Bajrami: “Pasi ke lexuar një libër të bukur, që të ka lënë mbresa të forta e do të shprehësh qoftë dhe një fjalë pozitive, thua me vete: “Po s’i nuk zgjati dhe pak! Unë e lexova me një frymë”. Ndërsa me mua kjo ndjesi mori trajta tërësisht të brendshme. Kur lexova dhe këndova të 142 faqet e librit “Populli dhe politika” të këngëtarit lab, rapsodit të mençur e trim, Pelivan Bajramit, s’më kujtohet, mora frymë apo jo. Po e përsëris. Unë kur i lexova poezitë e Pelivanit, sinqerisht po ju them, s’më kujtohet, mora frymë apo jo. Unë qesha me gjithë shpirt, dhe më vanë lotë me tërë mend. Dhe rashë në mendime. Dhe kërcita dhëmbët. Dhe nxorra një tingull si nënqeshje nga honi i kraharorit. Dhe shtërngova grushtin nga inati për gjithë këto halle të pasosura për shqiptarët dhe shqiptarinë. Për pisllëkun e kohës. “Qesh prej zorit, qaj prej gazit”, klithte dikur Noli i paarritshëm. “Na mban gjallë vetëm humori”, bën sarkazëm rapsodi ynë sot. Mirë e ka, i uruari. Para s’ka. Punë s’ka. Kapital s’ka. Derrat fryhen. Shyqyr që ka humorin e begatë e të bollshëm dhe na e fal atë me fisnikëri që ta ndjejmë sa më pak dhimbjen e tranzicionit që na ka vajtur në palcë… Rrofsh, or mik se na lehtësove! “Qerrataj – thotë Dritëroi i madh në parathënien e tij, duke i uruar një udhëtim të mbarë librit, – më bëri të qesh aq shumë sa fshiva sytë me mëngë”. Kjo është e vërtetë. Kështu më ndodhi dhe mua dhe shokëve të mi në Vlorë, me të cilët kemi diskutuar shumë. Me siguri kështu u ka ndodhur dhe ju, o miq që e keni lexuar dhe që do të keni mirësinë ta lexoni. Libra ka plot. I ruan populli nën gjuhë, se e di i urti, ndodh si me librin e poetit të talentuar Arben Duka…E, njerëzimi nderon Xhordano Brunot. Urren katilët vandalë…Libri poetik “Populli dhe politika” ka 59 vjersha në tre kapituj. Kreu i parë – humor të kohës; i dyti – skica poetike, portrete e syfete; i treti me kënëgë lirike, humoristike dhe fabula në vargje. Vëllimi dallohet për problematikën e drejtpërdrejtë të aktualitetit, pasqyrimin e jetës së sotme në rrokopujë, në proces e sipër. Guximi qytetar i autorit vlen të çmohet dhe do të vazhdojë të çmohet.

Pena e Pelivanit nuk ka miq. S’mban hatëre. S’të fal ajo. Gabove, ta qëndis vargun. Je në rregull, t’i stolis vlerat. Ama, shkave – t’u qep e s’ndahesh mirë me të…S’pyet a je i majtë, a je i djathtë; je me këtë, a je me atë. Pelivan Bajrami mik ka vetëm të mirën, të vërtetën, të bukurën, të dobishmen, idealen, shqiptarizmën, kombin e shqiponjave. Vetëm atyre u falet Poeti i së Vërtetës në Sy. Libri i ri që kemi në dorë është fryt i lirisë krijuese të autorit, i akumulimit artistik e kurajos civile. Para së gjithash, është një shërbim me vlera ndaj demokracisë së pastër shqiptare, kur autori dëgjoi thirrjen imperative të kombit dhe apelin e ndërgjegjes qytetare. Mesazhi që na transmenton në librin e tij P. Bajrami është i qartë: “Diktatura e përçan popullin, neodiktatura e shpërbën”. Protesta kundër përçarjes krijon bashkimin kombëtar dhe vetëm prej këtij bashkimi lind e rritet demokracia e vërtetë qytetare” [Botuar në gazetën “Kombi”, viti VI i bot., Nr. 28 (403), E martë, 25 Qeshor 1996, f. 1, 6]. Ky libër është botuar në Tiranë, në shtëpinë botuese “Faik Konica”, pranverë 1996. Redaktor ka shkrimtarin Gjikë Kurtiqi, që është një nga fabulistët shqiptarë më të spikatur. Skicën e portretit të autorit për kapakun pas librit e ka bërë Piktori i Popullit Skënder Kamberi. Një udhëtim të mbarë të librit ia bën Dritëroi me parathënien e tij dy faqshe. Nuk do t’ i bëj analizë letrare  librit, edhe pse kam besim, dëshirë e mundësi ta realizoj meritueshëm për ngjyrat dhe tingullin e fjalës, që na fal me bujari autori, për guximin qytetar që na brumos në qenie e në ndërgjegje ndër të parët, në mos i pari autor që mprehu penën krijuese me kurajo kundër të keqes e veseve, kundër hipokrizisë e ligësisë lilipute, që po zvarritet e zvarritet neveritshëm të na grisë buzëqeshjen, të na shqyejë degët e pemës shqiptare me rrënjë të thella, me trung të fortë, me degë të shëndetshme e me gjethe të gjelbra… Dëshiroj t’i përçoj lexuesit disa mesazhe. Çdo krijim ka krijuesin e tij. Edhe këto krijime që lexojmë tek libri “Populli dhe politika” kanë autorin e tyre, poetin e njohur Pelivan Bajrami. Në vargjet e tij ka Vlorë, ka Labëri, ka Elbasan, ka Lushnjë, ka Dibër, ka Has, ka Skrapar, ka Tiranë, ka Janinë, ka Tuz, ka Preshevë, ka Prishtinë, ka Ulqin, ka Korçë, ka Artë e ka Nartë, ka Përmet e ka Skrapar, ka Krujë e ka Shkodër, ka Kolonjë e Tepelenë, ka Gjirokastër e Kelmend, ka Librazhd e ka Dukagjin, ka Sazan e ka Himarë. Një lexues, që nuk ia njeh jetëshkrimin këtij autori, mund ta mendojë nga çdonjëra krahinë a qytet që citova dhe nuk gabon, sepse Pelivan Bajrami si krijues është nga të gjitha trevat shqiptare. I do të gjitha foletë e shqipes si vendlindjen, si pjesë e së tërës. Ai është një shqiptar i mirë. I qytetëruar. I kulturuar. Një shqiptar integrues, përbashkues ndaj kulturave të vendeve të tjera të rajonit, të Europës a të botës, jo përveçues. Me origjinë të hershme Pelivani është nga Tërbaçi i Vlorës, nga fisi i nderuar i Bajrame, mëhalla Bita. Drashovica është vendlindja e tij. Por jo më pak rreh zemra e krijimit të tij për hapësira shqiptare me rol në historinë kombëtare, si Vlora, Kosova, Çamëria, që i do sa vendlindjen, e s’i këmben t’i falin botën. Jo më pak se për njerëzit e tij të dashur, se për gjakun e tij fisnik rreh zemra krijuese e të veçantit Pelivan Bajrami për persona realë, që me bëmat e tyre u shndërruan në personazhe kombëtare, në legjenda nderimi për brezat si Ismail Qemali i Pavarësisë, akademiku Rexhep Qosja, Halil Gashi i këngës epike, Mehmet Pashë Dërralla nga Tetova, ministri i Luftës në Qeverinë e Plakut të Urtë të Flamurit, arbëreshi i ditur dhe idealist Antonio Belushi, Mic Sokoli i legjendës historike, gurrat e Labërisë Mato Hasani, Selim Hasani e Xhebro Gjika, poeti polifon i Himarës e Labërisë me përmasa kombëtare Lefter Çipa, etj. E veçanta e krijimit Pelivanian është se këto vargje ai i ka skalitur aq bukur e harmonishëm sikur të jetë nga ai vend për të cilin shkruan, sikur t’i ketë të afërt personat e njohur historikë e kulturorë për të cilët shkruan  e sikur t’i ketë të gjithë të tijtë, të gjakut, të zemrës, të shpirtit. Njehësohet artistikisht me ta. Po citoj vetëm poezinë për Plakun e Vlorës, që në fakt është një sentencë letrare – historike: “Kush është Smail Qemali?!/ Gur i rëndë i këtij vatani,/ Gur që s’shkulet nga tabani./ Gur me brumë stërrali,/ Gur mermer nga më i bardhi”. Kaq.  Pesë vargje është poezia. Lakonike. S’do koment. Flet vetë dhe jep mesazhe. Poezia e tij për Çamërinë : “-Ti më flet me gjuh’ të zëmrës/ Çamëri, o nëna ime:/ Moj e bukur drit’ e hënës,/ kur do hysh në shtëpinë time?/ Moj e mira, pse je fyer/ dhe mbi troje sytë të mbenë?/ O zogu me krah të thyer/ kush të ka prishur folenë?!…/ – Folenë e ngrita mbi shkëmb./ Mërgova si dallëndyshe,/ dhe e verbër, e mbaj mend/ gurin tim, sinor të gjyshve. Pa më vranë e më përzunë,/ këmba – këmbës muhaxhirë,/ Foli Evropës, moj Nënë/ ç’ka që rri e bën sehir/!…” është thurur jo me penë, por me frymë Atdheu. Është e situr në dritë hëne, me hojet e mjaltit të krijimit artistik dhe të dashurisë kombëtare. Kjo këngë ëshëtë ndjenjë, mendim, dhimbje, krenari dhe mesazhet e saj janë detyrë pastërtisht e lartë gjaku. Është një këngë që ndihet, por më e mira do të arrihej po ta shijosh me karakterin e saj sinkretik. Është bërë edhe këngë labe dhe këndohet në disa variante labërisht. Është bërë edhe këngë popullore e stilizuar dhe këndohet nga këngëtarët e trëndelintë të Shqipërisë. Ai ka shkruar tekste kënge për grupin lab të Drashovicës; ka krijuar dhe ka drejtuar grupin polifonik të Treblovës, ku spikati sidomos dhe u vlerësua me këngët humoristike, si “Plaku im, marshalla!” etj. Si tërbaçiot me rrënjë, Pelivan Bajrami ka kontribute të dukshme me grupin polifonik të Tërbaçit, pas dragoit të këngës labe, Kujtim Mici. Siç shprehet dhe vetë, kurrsesi s’e harroi vendin e babës dhe të nënës, shkonte shpesh atje, sa qe në Shqipëri. Tani është larg. Matanë Adriatikut e Mesdheut. Në Amerikë, matanë Atlantikut. Por, është shumë afër me ne. Me poezitë e tij, me këngët e tij. Me humorin e tij. Me shpirtin e tij human. Me dashurinë e tij universale. Dashamirësit herë e krahasojnë Pelon (sipas një imazhi të tij hedhur në facebook, nga Amerika, pasi përballoi fatmirësisht një shqetësim shëndetësor) here me Gëzim Krujën, herë me Roland Trebickën e paharruar (Jovan Bregun e papërsëritshëm), jo thjeshtë si antropologji fizike. Unë i shkruaj vëllazërisht, duke e përshëndetur me dritën e ngrohtë të diellit nga buzëdeti vlonjat: Sot i madhi Pelo më ngjan: Filozof si Sami Frashëri, Poet si Naim Frashëri, Atdhetar si Abdyl Frashëri. Nesër brezat e Shqiptarisë do të thonë për më të mirët që do t’u bëhen: Filozof, Poet dhe Atdhetar si Pelivan Barjamaj. (Ka hiperbolë? Ka. Por ka mirësi, dashuri, ka inkurajim  shëndetësor, ka pastërti fisnike, se Pelos s’i rritet mendja. Ai u jep mend të tjerëve dhe e di mirë ku e ka vendin e tij). I mjaltëti Vjerështor! I ditur, i qeshur e i bukur në fizik, si në shpirt. Do ta gjejmë nëpër faqet e vëllimit me poezi “Populli dhe politika” imazhin e këngës epike dhe elegjiake, si pakkush, apo si askush, sepse autori realizon, siç e shpreha pak më parë, edhe karakterin sinkretik folkorit. Poezia e tij popullore është sipër, në majë të Malit të Folkorit Shqiptar, sepse vargjet e tij mbajnë erë dafine shpatullave të Labërisë e të Shqipërisë sonë. Në kohët e reja (pas viteve ’90 – të të shek.XX) Pelivani u muar me shpirt me grupin e madh të Tërabçit. Ja ç’kujton ai: “Ishim duke u përgatitur për festival, në Gjirokastër dhe Syrjati mori këngën time: “Kur më merr malli për nënën,/ dal e çmallem me Hënën…”. Këngën me grupin e drejtova unë. Mbas nja dy ditësh, unë shkova në Tërbaç, për një darkë te xha Rizai. [I paharruari Riza Barjami, bartës i dokeve, zakoneve dhe traditave dhe të kulturës jomateriale të trevës, shën. im- AH]. Aty u këndua (se shtëpi kënge ish’ e burra kënge e zotër kënge kish’) dhe kënga e famshme e Sinan Mullahut, krijuar e kënduar që më 1945 – ën, para një gjysmë shekulli e më shumë, 65 vjet më parë: “O shokë, do zëmë një këngë, /Do ma mbani a ta lëmë!/ Medet ne për mëndjen tënë,/ Mbetëm shamata e grënjë./ Nga e gjithë puna që bëjmë,/ Një metër vend do zëmë/ Dhe ajo gur e shkëmbënjë,/ O baltë e kuqe këlkënjë!…”. (bëhet fjalë për Festivalin Folkorik Kombëtar të Gjirokastrës, 2000 – shën. im: AH). Mua më pëlqeu aq shumë, sa e hoqa këngën time dhe vura këtë, këngën në fjalë. Syrjati [Syrja Hodo, marrësi këngës polifonike labe të Tërbaçit – shën. im: AH] hezitoi pak, nga që e pat’ mësuar këngën time dhe kënga vente mirë dhe kohë s’ kishim shumë. Vetëm dy ditë dhe do niseshim… Gjithësesi unë këmbëngula dhe vumë këngën e S. Mullahit. Syrjati më kërkoi të shtoja një refren dhe unë në çast e bëra: “Këngët – o, dertet – o, / këng’ e derte pa mbarim!… Kënga doli bukur, në taban e shtruar, e mbushur vënçe dhe në Gjirokastër u prit shumë mirë”. Gjithashtu, në vitet 2000, Pelivan Bajrami ngriti një grup simpatik, që u bë shpejt i mirënjohur me këngëtarë të rinj, grup polifonik lab, të cilit i dha emrin simbolik “Djemtë e Lumit të Vlorës”. Ky grup përbëhej nga Valter Shabani nga Velça (marrës dhe hedhës), Pelivan Bajrami, marrës, krijues i teksteve dhe drejtues i grupit, Gëzim Vera, kthyes, Neki Skëndaj dhe Albert Habazaj, mbushës  (iso), të katër nga Tërbaçi. Duke kujtuar lexuesit që e kanë lexuar këtë libër, më bën përshtypje aktualiteti që kanë vjershat e librit “Populli dhe politika”. Ato janë krijime lirike që mund t’i ndajmë në tre nëngrupime: I) vjersha letraro – sociale – politike ; II) vjersha lirike, humoristike dhe elegjiake dhe, III) fabulat, që kërkojnë një trajtim më vete. Poemthi i tij për shqiponjën tonë të fut në mendime, është shumë interesant, kërkon debat jo vetëm letrar e kulturor, ndoshta dhe në nivel shkencor. Është vlerë që poezitë e P. Bajramit, edhe pse shumica e tyre duket si vjershërime të ditës, të problematikave përditësore, kanë jetë. Ato, edhe sot e kësaj dite kanë vlera sikur janë bërë para tre orësh (kanë kaluar 20 vjet, pak, pak e bën një çerek shekulli nga botimi i tyre). Parsqyrojnë me vargje realitetin, kanë mesazhe estetike, morale dhe edukative. Kanë nivel të pëlqyeshëm artistik, në stilin popullor, mbështetur në frazeologjinë e vendit dhe në fjalët e urta poullore. Nga përvoja krijuese që ka fituar në vite, autori spontanisht ka krijuar vetë shumë fjalë të urta në vargje, që natyrisht, i rezistojnë bukur kohës. Po citoj dialogun në vargje të autorit nga vjersha e parë e librit, që ka titull atë që ka edhe vetë vëllimi: “POPULLI: – Pa dëgjomë moj politikë,/ nga më bredh e s’të zë dot,/ të gjet’ më keq se rruspitë/ hu më hu nëpër Evropë…! POLITIKA: – Mos m’u zemëro, o popull,/ jemi si mishi me thua,/ botës un’po i vi rrotull/ për të qarë hallet e tua. POPULLI: – O me mua, o me botën,/ të njoh mirë që kur ke lerë,/ Më lëpihesh sa për votën,/ katër vjet s’të shoh në derë! POLITIKA: – Jam pranë teje, nat’ e ditë,/ Se mos bota të ngre leqe,/ të betohem: “Për partitë!”/ ma theve zemrën si qelqe…!/ POPULLI: – Ç’m’u qepe, a ‘ mira sporë,/ më je bërë si burri i hallës,/ do të shqyej vetë me dorë,/ Hëngërsha kockat e babës! POLITIKA: – Ç’të thotë goja, o im zot,/ (të ushqej me bisht të lugës),/ s’të ndahem për jet’ e mot,/ se të kam kaun e bukës!…”. Nga larg, nëpërmjet këtij shkrimi nderues, në faqet e gazetës sonë “DIELLI” dëshiroj t’i them poetit të talenuar popullor Pelivan Bajrami: “I dashur vëlla Pelo! Ti je një Tërbaçiot i madh në kohët e reja, krijues i teksteve lirike me trëndelinë, edhe i këngëve epiko – lirike me dafinë mbi ballë të tekstit pelivanian. Elegjitë e tua janë drithëruese; edhe gurin bëjnë t’i shkasin lotë faqeve. Ti je një këngëtar me zë mjalti. Tekstet e tua me nivel të lartë artistik dhe meloditë e tua të ëmbla, natyrale e me zë koke qarkullojnë trevave të Labërisë nëpër grupe e nëpër festa, e, ne që e dimë se në ç’ burim janë mbushur, krenohemi, kënaqemi dhe çmallemi me Krijuesin e tyre, Artistin e Madh Human Pelivan Bajrami. Në rrafshin artistik e kulturor, sa shumë të shkojnë për shtat vargjet kushtuar Kapedan Gjolekës: “U trete, Gjolek’, u trete,/ po sos u trete për vete,/ po për gjithë vilajete…”.  O Pelo, më mirë se ç’ta ka gdhendur profilin Plaku i Bardhë e Letrarve, Dritëroi i Madhërishëm, unë s’e bëj dot. Dashuri, vlerësim dhe nderim shpirtëror – po. Derëbardhi, Pelo, na shëron me vargjet e dufit që nxjerr nga shpirti, se na pikëlloi hidhërimi i gjakut nga këta pizevengë, që lanë nam si në shtatë puset, thotë një fjalë e vjetër, këtej  nga anët tona. I kujtojmë shpesh vargjet e tua si bulëzime noliane: “Eh, moj nëna jonë bujare,/ qysh ia del moj e uruar?!/ një dorë miell s’ke në magje,/ prap’ të mbeti sofra shtuar!”. O Pelo! Më ka marrë malli të botosh një libër tjetër, se ti je gurrë e kthjellët krijimi. Më ka marrë malli, që një kënge, nga ato liriket e çastit, t’ja marrësh ti, ashtu, qetë, shtruar, ulët, ëmbël, në taban e unë t’ja kthej e të na shërohet xhani. Ah, more Pelo VËLLAI! Si është kjo botë! Ti je i rrallë! Më ka marrë malli vëllazëror dhe malli artistik për ty. Sa kujtime të bukura e të sinqerta kemi. Na shëron vargu yt e kënga jote, o këngëtar i lirë! O poeti lirik me kostum kombëtar!

Filed Under: ESSE Tagged With: albert abazi, ME KOSTUM KOMBËTAR, Pelivan Bajrami, POETI LIRIK

Historia jonë-EDHE ATDHETARË, EDHE TRADHETARË ?!…./

September 18, 2015 by dgreca

Nga Duro Mustafai/

E kam kujtuar shpesh atë ngjarjen e veçantë që përjetova në qytetin e Shkodrës, afro 4O vjet më parë. Ishte një ngjarje befasuese e, pse të mos e them, edhe e çuditshme për kohën. Se, kur ua përmëndja shokëve, duke kërkuar mendimin në se mund të shkruhej në gazetë për të, merrja  një përgjigje kundërthënëse me “Po”, dhe “Jo’ !. Por, “Jo”-ja, ishte si një murë i lartë që s’mund ta kapërxeje.Dhe kam pritur..Me sa duket, edhe për gazetarin vepron instikti i pritshmërisë që shprehet me fjalën e popullit se: “çdo gjë ka kohën e vet”..Prandaj, ngjarja, aq interesante ( e vitit 1972),do të rrinte e fshehur brënda meje për vite të tëra..Por, edhe kjo e ka kufirin e vet, se, sic ka kohë për të heshtur, ka edhe kohë për të folur.Edhe ata  “të fjeturit, në një gjumë të rëndë, zgjohen”, kur dikush u vërshëllen”…Ishte një miku im nga Vlora, ai që do më kujtonte fjalët e një filozofi të famshëm, që kur dikush e pyeti : “Pse shkuan”, u përgjigjë  shkurt : “Ajo që kam në shpirt e zëmër kërkon të shpërthejë për të dal në dritë, pikërisht për këtë shkruaj”. Kështu ndodhi edhe me mua…..,.

“MILIC I FASHISTËVE”,  DËSHMOR I  PARTIZANEVE …

Në një ditë nëntori do të gjëndesha me shërbim  në Shkodër, në qytetin e kulturës dhe të njerzëve me humor, siç thoshim shpesh për atë qytetin e madh verior të vëndit. Por, ata që vinin nga Tirana, nuk mund të mos ftoheshin nga mikpritsit gazmor, edhe  në lokalin me emrin e veçantë „Arra e Madhe“.Ishte koha kur kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit, qe Pjetër Kostën,dhe,  shoqëruar edhe nga  disa shokë të tij, do të uleshim atë ditë edhe ne, nën hijen e “Arrës së Madhe”  për të pirë kafen e mëngjezit. Nuk di por Shkodra më tërhiqte shumë për atmosferën e qetë e gazmore, por  ndoshta edhe, për ato barcoletat e shumta që qarkullonin, disa prej tyre edhe me “specin djegës” brënda,  sa  s’guxoje dot t’ua çoje Tiranës, pa druajtjen e të menduarit mirë. Por Pjetër Kostën, aq të njohur për humorin e tij të këndshëm e barcoletat e mënçura, atij mëngjezi, do ta niste bisedën për çeshtje serioze . që kishin të bënin me mbarvajtjen e punëve, që nuk po ecnin siç duhej. Kur, befas njëri prej bashkëbiseduesve, do ti hapte bisedës një kapitull të ri. Pa pritur, ai do hidhte vështrimin tek unë duke më pyetur :

– Ti je vlonjak ? , Apo jo ?!.. – Po, i thash dhe prita të dëgjoja, se ku do të dilte me pyetjen e tij befasuese…

_-Ju duhet te keni kaluar  tek ajo rruga pranë burgut të vjetër ? Pa tjetër që këni kaluar..Ja, asaj rruge do ti vihet emri i një vlonjaku. Eshtë marrë vendim, or mik, që asaj rruge ti vihet emri i nje milici..Kështu, shoku Pjetër?  Ndërsa Pjetri, që deri atëhere dëgjonte i heshtur, pohoi duke tundur kokën..

– Emrin e  milicit fashist ?  Shfaqa haptas habinë time..

– Po ti, mos u çudit, bre burrë, ndërhyri një tjetër bashkëbisedues. Mos u çudit, se milic fashist, ai ka ken në veshje, se me zemër, ka ken atdhetar e trim. Tashmë biseda ish gjallëruar se nisën të flisnin të gjithë..Dhe unë do të harroja pse kisha ardhur në Shkodër.Në vend të mblidhja materialë për punën e shkodranëve, në një  prag feste të nëntorit, befas më kishë lindur një temë e re, disi e çuditshme….Milici fashist nga Vlora, në shërbim të partizanëve ?.. Dhe ishte ai njëri prej atyre atdhetarëve të fshehtë, që  kujtohej e nderohej si dëshmor  duke  vendosur edhe  emrin e tij në një  nga rrugët e qytetit..Pastaj, i pushtuar nga kurreshtja, do të pyesja e do të mësoja për atë që kish ndodhur…

Duhet të ketë qënë një natë shkurti e vitit 1943, kur milici, që shërbente si roje në burgun e Shkodrës, kish çarmatosur disa nga rojet e tjerë, e kish hapur një nga dyertë e burgut. Një pjesë e të burgosurven politikë muarrën arratinë, ndërmjet tyre edhe disa anëtarë të Qarkorit të Partisë së Shkodrës.Po pati edhe njerëz të thjeshtë, burgosur në demostrata antifashiste, ose duke shpërndarë komunikata me thirrjet : “Të gjithë në luftë kundër fashizmit!”-“Poshtë pushtuesit dhe tradhëtarët” Me ta ish bashkuar e larguar edhe milici vlonjat. Ngjarja bëri bujë të madhe, si në Shkodër edhe në Tiranë, duke ngjallur nervozizëm e panik te autoritetet fashiste, që nisën kërkimet, për të gjetur edhe “njeriun e besuar të tyre”, por që nuk kish qënë i tyre, se besën më parë, ua kishte dhënë “të tjerëve”.,atyre që luftonin fashistët edhe në në male, edhe në qytete…..

– Milici quhej Rruhi Musta, për të cilin thuhej se “e njeh tanë Shkodra”…Po çuditrisht, veprën e tij, në ato vitet e para të çlirimit,pak e njihnte vëndlindja e tij,Vlora..

Kisha dëgjuar për familjen Musta, që jetonte në lagjen Topana, dija që ishte familje dëshmori, se Fiqirete Musta,njërat nga vajzat e kësaj shtëpie kish qën partizane, ish vrarë nga fashiste e qe shpallur dëshmore, po nuk e dija që pikërisht ai  milici “fashistë” i Shkodrës të ishte edhe ai, djali asaj shtëpie atdhetarësh. Këtë do ta mësoja më  vonë, me shumë hollësi për jetën e tij, që përputheshin me ato që kisha dëgjuar në Shkodër. Ruhi Musta, që nga ajo nata e fundit si roje burgu, e kish ndalur vrapin në mal, te partizanët. Natyrisht lidhjet e tij me ilegalët kishin qënë të hershme. Dhe vëndi i tij tashmë mes tyre ishte. Mbesa e tij, Xhevahire Musta, e më pas edhe një njeri i afërtë i familjes, shkrimtari, piktori e përkëthyesi vlonjat, Luan Toto, do më tregonin, se pas hapjes së burgut, Rruhiut ju ngarkua detyra ti bënte atentat një kuestorit fashist italian..Por ndodhi që të zbulohej në një nga rrugicat e Shkodrës. E arestuan dhe e burgosën.Pas kapitullimit të Italisë fashiste, pushtuesit gjermanë i internuan të burgosurit politik të Shkodrës në Kampin e përqëndrimit të Prishtinës.  Në kampin prej afo 9OO të burgosurish, 2OO prej tyre ishin nga Shkodra. Këtu, në fillim të vitit 1944, nazistët gjermanë  do të ekzekutonin Rruhinë, sëbashku  me shumë se 1OO shqiptarë të tjerë. Por Shkodra nuk e harroi veprën e milicit vlonjat. Ajo  do ta  quante  atë ,  dëshmor të Atdheut dhe në shënjë nderimi e mirënjohje, kish projektuar që ajo rruga që çonte në burgun e vjetër të merrte emrin e tij..Per këtë do të dëgjoja edhe unë atë ditë, kur bisedonim te „Arra e Madhe“.. Kjo ishte historia e „milicit fashist“, vlonjatit Rruhi Musta, për të cilën më folën  në të njëjtën mënyrë e me të njëjtat fakte, si në Shkodër, ashtu edhe nga  familjarët  e të afërmit e tij në Vlorë. Por, një nderim i tillë, për një njeri të veshur me uniformën e fashistit, ishte e veçantë dhe ndoshta e pa pranushme për regjimin  e asaj kohe.Megjithatë, Shkodra, e njohur për frymën tolerante e liberale, i kish kapërxyer kornizat e ngurta të  pa drejta. Shkodra  liridashëse dinte të çmonte atdhetarët dhe gjakun e derdhur për lirinë e vëndit, pavarsisht nga veshja që mbante  atdhetari.

…Dhe duhet thënë se gjatë  luftës antifashiste, pati edhe zhandarë e milicë të tjerë , ndonëse të paktë në numër që u bënë luftëtarë të lirisë kundër pushtuesve fashistë. Por ndodhte  e kundërta, që shumë milicë e xhandarë fashistë për të mos rënë në sy të njësiteve guerile, nga frika nuk e përdornin veshjen e tyre fashiste, ndërsa  u sherbenin fashistëve, siç pati edhe bashkëpunëtorë të fashistëve, spiunë e tradhëtarël që u sherbyen pushtuesve edhe si pjesëmarës në administratën fashiste e qeveritë pushtuese italiane e gjermane, ndonse përdornin  veshje të zakonshme civile.Ata, në fakt, kishin veshur kostumin e tradhëtisë e shpirtin ua kishin shitur pushtuesve,Prandaj urreheshin nga populli…. Kjo do të mjaftonte për të dëshmuar  tradhëtinë e tyre,si bashkëpunëtorë të fashistëve,  gjë që nuk diktohej e pasqyrohej  vetëm nga veshja.  Ja pse  më kanë mbetur në mëndje fjalët e atij shkodranit të mënçëm, që, duke i vënë kapakun bisedës sonë, do të thoshte se, „Veshja nuk e tregon shpirtin e mëndjen e njeriut..Janë veprimet ato që tregojnë cili je dhe kujt i shërben“.. “Milici”.vlonjat, Rruhi Musta i kish shërbyer luftës kundër zaptuesit fashistë , kish derdhur edhe gjakun në këtë luftë, prandaj edhe vendi i tij, edhe emri i tij, ishte atje, midis atdhetarëve. Prandaj edhe atdhetarë të tillë, në çdo kohë meritojnë të vlerësohen e  nderohen…..

Filed Under: Histori Tagged With: Duro Mustafaj, edhe deshmor, edhe milic

Presidenti Nishani dekoron ushtarakun Ibrahim Basha,pas rënies në krye të detyrës

September 18, 2015 by dgreca

Nderohet pas vdekjes oficeri i RENEA-s, i cili u vra gjatë aksionit në Lazarat në qershor të këtij viti. Ibrahim Basha u nderua nga presidenti Nishani me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” me motivacionin: “Për merita dhe shërbime të veçanta në luftë me grupe të strukturuar kriminale për garantimin e rendit dhe sigurisë publike; për trimëri dhe kontribut të spikatur në operacionet luftarake në Afganistan dhe Irak, në mbrojtje të paqes dhe lirisë, në luftë kundër terrorizmit ndërkombëtar”.

“Jeta e tij ishte e shkurtër, por ishte e jetuar me shumë intensitet, ishte e mbushur me ngjarje shpeshherë me rrezik real të jetës për të, por besoj se kishte një kryetemë, atë të luftës pa ndalim ndaj të keqes, qoftë ky një rrezik real terrorist në Irak dhe Afganistan apo dhe kunder krimit të organizuar dhe elementëve keqbërës këtu në Shqipëri”, vuri në dukje Presidenti Nishani. Ushtaraku Basha u ekzekutua nga një grup të rinjsh, të cilët i zunë pritë furgonit të policisë në brendësi të Lazaratit. Autorët janë arrestuar. Ata dëshmuan se e bënë këtë për hakmarrje ndaj aksionit të një viti më parë  nga Forcat Renea e policia shqiptare kundër drogës. {Sh.K}

Filed Under: Kronike Tagged With: në krye të detyrës, pas rënies, Presidenti Nishani dekoron, ushtarakun Ibrahim Basha

Kriza e “refugjatëve” do të ndryshojë Evropën

September 18, 2015 by dgreca

Nga Aurel Dasareti, USA/*

OKB: “Migracioni është një nga problemet më të mëdha të botës dhe çon në tensione etnike dhe fetare.”/

Ndoshta Bashkimit Evropian nuk i konvenon humbja e ISIS në Siri, sepse atëherë do të detyrohet të sigurojë mbrojtje dhe japi azil kriminelëve të ISIS që do iknin për në Evropë nga mbizotërimi i atyre 7000-8000 fiseve tjera ndërluftuese arabe që me shekuj do ta sakatojnë njëri-tjetrin.

***Ushtria shqiptare duhet të jetë e gatshme për të mbrojtur me nder dhe vendosmëri kufijtë e Atdheut tonë të përbashkët për shkak të situatave të trazuara nga “refugjatët” të cilët sa më shumë që burrat e vdekur të BE-së i ftojnë dhe tolerojnë aq më tepër probleme shkaktojnë.

Këta “refugjatë” që janë duke pushtuar Evropën nuk janë të gjithë nga Siria. Vijnë nga 25 shtete të ndryshme afrikane/aziatike ku nuk ka aspak luftë, dhe ku kryet dhe një jetesë solide e kanë të sigurt. 75% prej tyre janë burra të moshës 20-40 vjeçare.

Shqiptarë! Vendojeni Kombin atje ku e ka vendin, para fesë, dhe mos identifikoni fenë e juaj me fiset arabike sepse do ta hani me krip speci. Zgjohuni, përforconi dhe avanconi ndjenjat Kombëtare ndërkaq zbehni ato fetare – e keni  tepruar shumë. Përndryshe, harrojeni edhe ju idenë e “Shtetit Komb”. Kriza e “refugjatëve” do ta tjetërsoj dhe shndërroj Evropën në një shoqëri kozmopolite të emigracionit. Në të ardhmen, imazhi ynë mendor i Evropës do të jetë nga Shtetet Anëtare të një unioni politik mbi-kombëtar.

***

PS: Me lutjen dhe dëshirën e një kolegut tim egjiptian, shtetas në Angli, do të citojë disa rreshta nga BBC të cilat ai i ka caktuar dhe unë shkurtimisht, nga anglishtja i kam përkthyer për ju:  

http://www.bbc.com/news/world-europe-11139345

E martë 31. gusht 2010

Lideri libian Muamar Gadafi beson se imigracioni i paligjshëm në Evropë është një problem serioz. Ai është i gatshëm për të ndihmuar në përpjekjet për të ndaluar emigracionin në qoftë se BE-ja do të kontribuojë të paktën me 5 miliardë euro në vit për të shmangur një “Evropë të zezë”.

Nëse ky emigracion shumë i rrezikshëm nuk do të ndalohet, Evropa mund të bëhet një Afrikë e re, paralajmëron ai.

–  Ndoshta nesër Evropa nuk do të jetë më evropiane, dhe ndoshta madje e zezë, sepse ka miliona afrikanë që duan për të hyrë, tha udhëheqësi libian, kur ai të hënën vizitoi kryeqytetin e Italisë, Romën.

– Ne nuk e dimë se si evropianët e bardhë dhe të krishterë do të reagojnë për këtë fluks të afrikanëve të uritur dhe injorantë. Ne nuk e dimë nëse Evropa do të mbetet kontinent i një lloji të avancuar dhe bashkuar, apo ajo do të shkatërrohet siç ndodhi me invadimet barbare,  – tha ai.

***

Fluksi masiv i “refugjatëve” të rremë do ta ndryshojë peizazhin politik të BE-së dhe Evropës në përgjithësi. Kriza është aq e rëndë se ajo mund të shkaktojë shpërbërjen e sajë dhe për t’u dhënë forcë partive euro-skeptike. Ne gjithashtu shohim se tashmë kemi një debat krejt të re për “refugjatët”. Tani gjithnjë e më shumë flitet se kinse Evropa ka nevojë për emigrantët. Ideja e kufijve të hapur dhe emigracioni masiv i pakontrolluar joligjor duhet të jetë për të thyer shtetin kombëtar dhe identitetin tonë si një komb dhe kulturë.

***

Gjermania nëpërmes procesi të ashtuquajturës “integrimit evropian” me dekada të tëra ka ndihmuar për të minuar sovranitetin e shteteve kombëtare evropiane.

Sovraniteti i Shteteve Nacionale në kohët e fundit është tërësisht në përbuzje dhe poshtërim. Sepse është një tipar i rëndësishëm i sovranitetit të kombit që thotë se ata mund të mbrojnë kufijtë e tyre kundër inkursioneve nga shtete ose persona të tjerë të cilët ilegalisht kalojnë kufirin. Rrugaçë afrikan/aziatik që aspak nuk i plotësojnë kushtet të quhen refugjatë hyjnë me dhunë në shtetet evropiane (sidomos Hungari). Stil i papranueshëm jetese e këtyre rrugaçëve shihet qartazi; çdo pëllëmbë toke evropiane në të cilën kanë qëndruar një kohë mbetet e mbushur me plehra prej më të pistave, të prodhuara nga vetë ata para se me vazhduar rrugën për në “tokën e premtuar” nga Merkel.

Nga “dashuria” personale e Merkel-it për “refugjatët” e rremë, ajo i detyron shtetet tjera të BE-së të veprojnë sipas urdhrave të saj, duke e reduktuar në një shaka sovranitetin e tyre. Ashtu që, më së fundi kjo zonjë tërthorazi ka thyer të drejtën ndërkombëtare, e cila thekson se shtetet duhet të respektojnë sovranitetin e shteteve të tjera. Ajo kështu ka krijuar anarki të pastër.

***

I lexoj diskutimet e qytetarëve të rëndomtë të BE-së. Shumica e tyre reagon ashpër kundër situatës. Kur qeveritë evropiane e tradhtojnë popullin e tyre dhe i japin prioritet popullsisë së vendit të huaj joevropian, është kjo një tradhti që krijon dëshpërimin, ekstremizmin, urrejtjen, kundërveprimin. Agjenda e neo-komunistëve evropian për të thyer, shpërbërë shtetet kombëtare dhe shkatërrimin e bazës ekonomike dhe kulturore evropiane ritet me shpejtësi. Mos të habitemi shumë nëse vjen kundërveprimi. Ajo përfundon në luftërat civile, grusht shteti dhe shpërbërjen e BE-së.

***

Shtetet e Gjirit nuk marrin asnjë refugjatë, asnjë emigrantë! Asnjë! Arabia Saudite që posedon një territor shumë të madh dhe ka pasuri astronomike nuk strehon asnjë refugjat përkundër faktit se pothuajse ekskluzivisht janë arabët e tyre mysliman që ikin në Evropë. Kampet më moderne për tre milionë njerëz janë bosh (përdoren vetëm 4-5 ditë në vjet nga haxhilerët) në vendin që nuk i strehon as përkohësisht nevojtarët e gjakut, gjuhës, fesë dhe kulturës së vetë. Çudi!? Ne nuk dëgjojmë për asnjë presion të BE-së mbi këtë vend të “bekuar” nga Perëndia.   

Si përgjigjet Arabia Saudite për kaosin që ata vetë e kanë krijuar? Hap kufijtë? A strehojnë refugjatë? Jo, ata marrin 0. Zero. Asnjë.Megjithatë, Arabia Saudite është e gatshme për të financuar xhamia në Evropë, dhe nuk flasim për imtësia. Regjimi terrorist në Riad dëshiron të ndërtojë 200 xhami vetëm për ”refugjatët” sirian në Gjermani.

Kjo nuk është vetëm paturpësi, ne po flasim për një abuzim, ndëshkim, sulm krejt të ri.

Ne e dimë se çfarë lloj i xhamive financohet nga Arabia Saudite. Ajo është, me pak fjalë, lloji më i keq.

*ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

Filed Under: Analiza Tagged With: Aurel Dasareti, do të ndryshojë, Evropën, Kriza e “refugjatëve”

Ambasadorja Çitaku i dorëzoi Letrat Kredenciale Presidentit Obama

September 18, 2015 by dgreca

-Kosova dhe ShBA-të ndajnë një partneritet të fuqishëm dhe të qëndrueshëm/

Nga Behlul Jashari/ Prishtinë/

Uashington D.C./Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, te Enjten, me 17 Shtator, 2015, i dorëzoi Letrat Kredenciale Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, duke u akredituar si Ambasadore e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Republikës së Kosovës në ShBA.Me këtë rast, Ambasadorja Çitaku në emër të Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga i përcolli urimet më të sinqerta për Presidentin Obama dhe popullin amerikan dhe njëkohësisht shprehi përkushtimin dhe vendosmërinë e Institucioneve të Republikës së Kosovës për thellimin dhe avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve dy-palëshe në mes dy vendeve dhe dy popujve.

Ceremonia zyrtare e dorëzimit të Letrave Kredenciale u zhvillua në Shtëpinë e Bardhë, thekson njoftimi dërguar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës.

Më poshtë e mund të gjeni përmbajtjen e letrës që Presidenti Obama, i dorëzoi Ambasadores me rastin e pranimit të Letrave Kredenciale:

 “E nderuara Ambasadore,

Është kënaqësi e veçantë që të pranoj Letrat e Juaja kredenciale, përmes të cilave Ju bëheni Ambasadore e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Republikës së Kosovës.

Po ashtu Ju njoftoj se kam pranuar letrën e tërheqjes për pararendësin Tuaj Ambasadorin, Akan Ismaili, i cili ka bërë punë të jashtëzakonshme në përfaqësimin e Kosovës në ShBA. Ju shpreh mirëseardhje të ngrohtë dhe pres me padurim, që të punoj bashkë me Ju në thellimin e marrëdhënieve tashmë të afërta në mes dy vendeve tona. Kosova dhe ShBA-të ndajnë një partneritet të fuqishëm dhe të qëndrueshëm. Ne jemi të lumtur që kemi qenë ndër të parët që kemi njohur Kosovën, si shtet të pavarur dhe sovran, në vitin 2008 dhe mbesim të përkushtuar që të punojmë përkrah jush, përderisa ju vazhdoni të punoni në fuqizimin e institucioneve demokratike dhe multi-etnike.

Vendi Juaj ka demonstruar shpejtë se është anëtarë i besueshëm i bashkësisë ndërkombëtare dhe vend i përkushtuar në thellimin e stabilitetit rajonal dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare.

Kosova ka ndërmarrë disa vendime të vështira dhe sfiduese këtë verë. Këto vendime kanë avancuar perspektivën euro-atlantike të Kosovës. Ne përgëzojmë Qeverinë e Kosovës dhe Parlamentin për miratimin e amendamenteve Kushtetuese dhe legjislacionit për themelimin e Gjykatës së Speciale, e cila do t’i adresojë krimet e pretenduara, pas konfliktit në Kosovë në vitin 1999. Ky veprim, ka qenë vendimtar në afirmimin e Kosovës, si shtet i përcaktuar për rend, ligj dhe pajtim. Lidershipi Juaj, po ashtu ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve me fqinjin Tuaj Serbinë.

Këto marrëveshje do të fuqizojnë shtetin Tuaj dhe do të çimentojnë paqen dhe stabilitetin në rajon. Nënshkrimi i Marrëveshjes historike për demarkacionin e kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi me 26 Gusht, demonstroi edhe më tutje përcaktimin e Kosovës për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe vendosshmërinë Tuaj, që çështjet rajonale të adresohen në frymën e dialogut dhe bashkëpunimit.

Përcaktimi i Kosovës që sfidat e lartpërmendura t’i adresojë në mënyrë të përgjegjshme dhe konstruktive ka vënë Kosovën në një rrugë solide drejt rritjes së stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit në një Evropë të plotë, të lirë dhe në paqe.

Ka shumë punë në rrugën drejt fuqizimit të demokracisë dhe ekonomisë dhe drejt integrimit në Institucionet rajonale dhe ndërkombëtare. ShBA-të do të vazhdojnë t’ju mbështesin në këto sfida dhe në sfida tjera.

Zonja Ambasadore,

Pres me padurim që të punojë bashkë me Ju në avancimin e axhendës tonë të përbashkët dhe në thellimin dhe fuqizimin e miqësisë në mes dy popujve tanë. Është kënaqësi t’ju mirëpres në Uashington”.

Filed Under: Rajon Tagged With: Ambasadorja Çitaku, Behlul Jashari, i dorëzoi Letrat Kredenciale, Presidentit Obama

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • …
  • 91
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT