• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2015

Jeta e Nënë Terezës dëshmoi Mëshirën e Zotit

September 6, 2015 by dgreca

“Mëshira e Zoti dëshmohet përmes veprave tona, siç ka dëshmuar jeta e së Lumes Nënë Terezë, të cilën e kujtuam dje në përvjetorin e vdekjes”. Kështu tha Papa Françesku sot gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot në mesditë, në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, duke kujtuar dramën e refugjatëve e të emigrantëve dhe drejtuar thirrjen për solidaritet njerëzor, sipas shembullit të jetës dhe veprës të së lumes shqiptare Gonxhe Bojaxhiu.
“T’u japim emigrantëve një shpresë konkrete”. Ja  pse atëherë “para tragjedisë së dhjetëra mijëra refugjatëve që janë në ikje nga vdekja për shkak të luftës e të urisë  dhe janë në udhëtim drejt një shprese për jetën, Ungjilli na thërret e na kërkon t’u jemi ‘afër’ më të vegjëlve e të braktisurve. T’u japim atyre një shpresë konkrete. Mos t’u themi vetëm ‘guxim, durim!’, lypen vepra autentike të solidaritetit. Shpresa është luftarake, ecën me qëndresën e atij që shkon drejt një caku të sigurt”.
“Edhe dy famullitë kishtare të Vatikanit do t’i pranojnë këtyre ditëve dy familje të refugjatëve”. Kështu bëri të ditur Papa Françesku, në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.
Ati i Shenjtë Bergoglio i bëri thirrje “çdo famullie kishtare, çdo komuniteti rregulltarë, çdo manastiri, çdo shenjtëroreje të Evropës, duke u nisur nga dioqeza ime e Romës” të strehojnë e presin një familje” refugjatësh.

Filed Under: Komente Tagged With: meshira e Zotit, Mother Teresa, Nene Tereza, Papa

Të rinjtë e AAK, protestë për demarkacionin dhe asociacionin

September 6, 2015 by dgreca

PRISHTINË, 6 Shtator 2015/ Të rinjtë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës vazhdojnë protestën për demarkacionin dhe asociacionin.Aleanca e të Rinjve të Kosovës (ARK), sot ka zhvilluar një protestë simbolike para ndërtesës së Qeverisë dhe Presidencës për të shprehur mospajtimin e tyre me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe Asociacionin e Komunave Serbe.Në shenje pakënaqësie ata kanë vendosur një hartë të Republikës së Kosovës, ku treguan vijën kufitare me Malin e Zi dhe theksuan se propozimi i komisionit qeveritar për Demarkacionin është në dëm të Kosovës.
Diellza Hoti kryetare e të rinjëve tha se si parti politike nuk janë kundër Demarkacionit si proces, por janë kundër mënyrës së padrejtë se si po bëhet ky proces duke humbur rreth 10 mijë hektarë tokë.

Ata vazhduan aktivitetin duke shpërndarë fletushka edhe kundër asociacionit të komunave serbe, me parullat ”Republikë unike – jo ndarje etnike”, ”Një shtet – një buxhet”, ”Një shtet një kryeqytet”.

Të rinjtë e AAK-së theksuan se protestat nuk do të ndalen deri sa institucionet e vendit ti marrin parasysh kërkesat e tyre./b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: proteste, Te rinjet e AAK

Shënohet Dita e Dëshmorëve të Pazarit të Ri!

September 6, 2015 by dgreca

As këtë 4 shtator sanxhaklinjët nuk i harruan paraardhësit e tyre, viktimat e pafajshme të ekzekutuar nga  komunistët serbë në Haxhet të Pazarit të Ri. Pas lutjes të së premtes ( namazit të Xhumasë) të tubuarit nga qendra e qytetit marshuan drejt Haxhetit, vendit të krimit të disa mijëra sanxhaklinjëve./

Nga Ismet Azizi/

Dita e Marshimit në Haxhet është përcaktuar para pesë viteve. Popullata e Sanxhakut, nën udhëheqjen e prijësve fetar, më 4 shtator të viti 2010, u përplas me forcat speciale policore serbe me qëllim të mbrojtjes së pasurisë së vakëfit nga grabitja. Ata kanë mbrojtur edhe hapësirën ku të parët e tyre janë ekzekutuar dhe varrosur në një varr masiv.

Të premten pasardhësve e të vrarëve dhe disa qindra besimtarëve, iu prinë përfaqësuesit e Meshihatit të kryesuar nga kryetari myftiu Mavlud Dudiq dhe Myftiu e Sanxhakut Muamer ef. Zukorliç. Edhe pse nuk dihet saktësisht numri i shqiptarëve të ekzekutuar, besohet se shumica ishin shqiptarë. Për fat të keq, as kësaj radhe nuk u përmenden viktimat nga radhët e shqiptarëve të cilët në krye me Aqif Blyten dhe Ahmet Dacën, ishin në shënjestër të  komunistëve serbë.

Pas depërtimit të forcave partizane-jugosllave në këto treva, prijësi kryesor i kësaj treve, Aqif Blyta, me prejardhje nga Gjakova, iu dorëzua organeve të pushtetit partizan në Gjakovë, të cilët pastaj e dërguan në Pazarin e Ri dhe pas torturave mizore, bashkë me bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë, Ahmet Dacën, u ekzekutuan në Haxhet, në lagjen e sotme të Pazarit të Ri, më 21 janar 1945 nga OZN-a jugosllave.

Pjesëmarrësve në këtë manifestim iu drejtua Myftiu i Sanxhkut, Muamer Efendia Zukorliq. Ai u thënë të  pranishmëve se: “përfaqësuesit e një shteti 70 vjet më parë kanë vrarë njerëz të pafajshëm për shkak se ata i përkasin një kombi tjetër dhe për shkak që politikisht dhe ideologjikisht nuk ishin të përshtatshëm për regjimin e atëhershëm. Përfaqësuesit e këtij shteti në mënyrë të qartë duhet të distancohen nga ky krim.”

Mandej Myftiu Zukorliq shtoi: “Së pari, patjetër duhet hapur arkivat për të bërë të mundshëm shfrytëzimin e dokumenteve. Derisa kjo mos të ndodhë, do të jetë një mesazh i keq i cilës do qoftë qeverie dhe regjimi. “

Myftiu rikujtoi kremtimin e përvjetorit të parë e kur autoritetet u përleshën me popullin, duke shtuar: “Duam të besojmë se do të vijë një kohë e tillë kur qeveria dhe populli do të jenë në të njëjtën anë, në radhë (saf) të njëjtë për lutje dhe nën të njëjtin bajrak. Kjo do të ndodhë kur në të gjitha nivelet e qeverisjes të përfshihen përfaqësuesit të cilët nuk janë në kundërshtim me popullin, të cilët respektojnë atë që respekton populli.”

Nga ky vend i shenjtë Zukorliq ua bëri me dije autoriteteve shtetërore se boshnjakët janë të gatshëm për dialog.” Pranojmë thirrjen për dialog. Duam dialog me përfaqësuesit e shtetit dhe popullin, një dialog në të cilën ne nuk do të mohojmë vlerat  e njëri-tjetrit.  Marrëveshja ka sukses vetëm kur udhëhiqet në mes të palëve të cilat respektojnë parimet e njëri tjetrit. Ne duam marrëveshje të vërtetë dhe jo të rremë. Njëra nga ato marrëveshje është që viktimat të fitojnë statusin që iu takon. “

Menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe hyrjes së partizanëve në qytete të Sanxhakut qeveria komuniste  mori vendimin që me procedurë të shpejtë të ndëshkojë të gjithë ata të cilët sipas vlerësimit të tyre nuk ishin në  linjë të regjimit. Në shënjestër të sunduesit të sapoardhur u gjetën pothuajse e gjithë elita e asaj kohe, e cila nuk ishte anëtarë të lëvizjes serbo komuniste-partizane.

Bombardimet e alenacës veri-atlatike në Pazar të Ri, pas bombave të hedhura në Haxhet krijuan kratere të cilat u përdoren si varre masive për të gjithë sanxhaklinjët e ekzekutuar. Deri më sot, asnjë nga këto varreza nuk janë evidentuar-shënuar. Por aktivitetet që po ndërmerr Bashkësia Islame dhe Këshilli Kombëtar Boshnjak për të sqaruar ngjarjet që lidhen me krimin kundër popullsisë japin shpresë se një gjë e tillë do të ndodhë.

Mbledhja e provave të shkruara dhe dëshmitë e regjistruara të bashkëkohësve dhe të pasardhësve të viktimave, do të mundësojë të shënohet vendi i krimit.

Ekzekutimet e shqiptarëve dhe boshnjakëve  në Haxhet janë kryer në shumicën e rasteve me procedurë të shpejtë, pa asnjë procedurë gjyqësore, pa të dhëna dhe dokumentacion të shkruar. Njerëzit janë marrë gjatë natës me forcë nga shtëpitë e tyre dhe janë dërguar në vendin e përmendur për ti ekzekutuar. Në atë kohë filloi grabitje e pronës së njerëzve më të pasur. Anëtarët e OZNA kanë përcjellë njerëzit me autoritet dhe kanë regjistruar të gjithë ata që me ta kanë pasur ndonjë lloj kontakti. Menjëherë pas kësaj, kanë filluar arrestime masive. Të arrestuar janë marrë në burg, i cili ndodhej pranë ndërtesës së gjykatës së atëhershme. Dëshmitarët thonë se torturat ishin aq mizore, sa që banorët e lagjes janë detyruar të largohen në pjesë të tjera të qytetit, sepse nuk mund të përballoheshin britmat e atyre që ishin prapa mureve të burgut .

Njerëzit u ekzekutuan kryesisht gjatë natës, një përjashtim i rrallë ishte kryetari i komunës dhe prijësi politik e ushtarak, Aqif Efendi Blyta, të cilin më 21 janar të vitit 1945, së bashku me bashkëpunëtorin e tij Ahmet Daca, u ekzekutua në mes të ditës. Ekzekutimi është bërë publikisht në mënyrë që të shërbejnë si një paralajmërim për ata që e kishin përkrahur dhe adhuruar.

Pas ngjarjeve në Haxhet filloi një valë e emigrimit në Turqi, si dhe më vonë një valë edhe më masive emigrimit, do të përsëritet në kohën e Aleksandër Rankoviqit.

Husein Zatriqi nga Pazari i Ri për ngjarjet e kësaj kohe thotë:”Atëherë kryetar i gjykatës ishte njëfarë Xhorxhe Peruniqiqi, i cili e ka dërmuar popullin. Në Haxhet përveç  Aqif Efendiut, më kujtohet se është ekzekutuar  Ahmet agë  Daca, Qamil Karishiku, Ibrahim-lbro Rasovci, i biri i Salih-beg Rasovcit, Abit Grboviqi – Sheqerxhia, Azem Balina, Mehmed Qilerxhiqi, Hasib Nikshiqi, Iso Hrvaqa, Amir Brunqi, Osman Zvizdiqi nga Senica dhe shumë të tjerë. Ata ishin tmerrësisht shumë, nuk po më  kujtohen të gjithë ata të pafat të cilët kanë humbur jetën edhe pse ishin në rrugë të perëndisë. ”

Dëshminë autentike për ekzekutimin e Aqif Blytës dhe Ahamet Dacës, dy prijësve më eminent të Sanxhakut, e ka lënë plaku Jusuf  Poplata, nga Pazari i cili jeton në Stamboll.“Më kujtohet si sot“, e fillon tregimin  shtatëdhjetëvjeçari Jusuf  Poplata, “në çarshi jehoi lajmi se të nesërmen në Haxhet do të pushkatohen Aqif Efendia dhe Ahnet Daca. Unë në atë kohë si 15 vjeçar, isha në policinë partizane. Nga kureshtja u nisa të dal në Haxhet me shokun tim Medë Rozhajën. Të reshurat e borës kishin arritur trashësinë deri në gjunjë. Populli ishte tubuar në livadhet e Haxhetit të cilat ndodheshin në anën e djathtë të spitalit të sotëm. Dikur aty ka qene një teren futbolli. Në livadhe përveç masës së popullit kanë qenë edhe rreth 300 ushtarë. Ata kanë qenë të rreshtuar përballë neve. Të gjithë me shikim ishim të kthyer kah burgu i qytetit nga i cili pritnim të dilnin Aqif Efendia dhe Ahmet Daca. Nuk kaloi shumë kohë dhe dolën të lidhur këmbë e duar. Ushtarët i sollën deri te shtyllat telefonike dhe i lidhën për t me zinxhir me duar mbrapa. U dha komanda që të bëhet pushkatimi. Dhjetë ushtarë dolën para tyre. Oficeri partizan dha komandën që të pushkatohen. U dëgjuan refalet dhe që të dy lëshuan kokat poshtë. Doktori Benqan, një slloven i cili punonte në Pazarin e Ri, ishte i caktuar të konstatoj vdekjen e tyre. Ua vuri dorën në qafë për të vërtetuar pulsin  dhe ua bëri me dije se Amet Daca ende ishte gjallë, sepse ende i rrihte pulsi i zemrës. Një partizan i “vogël”, i cili ende nuk i kishte as 14 vjet, iu ofrua, nga kraharori nxori pushkën automatike gjermane  dhe e qëlloi Ahmet Dacën në kokë. Nga koka gjaku shpërtheu në të gjitha anët. Pastaj nga këmbët ua hoqën këpucët (opingat), çorapet e leshit, orët nga dora dhe kaputat. Neve na u është urdhëruar që të shpërndahemi dhe se çka ka ndodhë me trupat e tyre askush nuk din”.  

Kështu dhe në mënyra të ndryshme pleqtë e moshuar i kujtojnë momentet e së kaluarës  dhe me respekt njeriun më të çmuar të kësaj treve, por edhe gjeneratat e reja me krenari përkujtojnë Aqif Blytën.

Për krimet që janë kryer nga  partizanët pas vitit 1945, kur lufta kishte përfunduar në Sanxhak, shkroi Husnija. H. Çengiç në “Muslimanski Glas” të 05 korrik 1991:

“Kur çetnikët përfunduan masakrimet,ndaj popullsisë së Sanxhakut i filluan partizanët. Ata, për dallim nga çetnikët vranë vetëm të rriturit,intelektualët, parinë e qytetit, ata të cilët nuk u pajtua me ideologjinë komuniste. Ata i vranë me një procedurë të thjeshtë. I nxirrnin nga shtëpitë, i arrestonin me shpejtësi, i merrnin në pyetje, “i gjykonin”, i dënuan  dhe i ekzekutuan… Ky gjenocid komunist është dukshëm më i vogël, por për nga cilësia shumë më i vështirë . Pra në Haxhet  në Novi Pazar janë vrarë një numër i madh të dëshmorëve, njerëz të pafajshëm të cilët paguan çmimin për shkak se kanë luftuan kundër çetnikëve … Çetnikët i  kapnin, i sillnin nga  pylli, i merrnin në pyetje, iu kërcënoheshin që të mos   kthehen në radhët e çetnikëve. Atyre iu  falën të gjitha  mëkatet, sepse qysh në nëntor 1944  çetnikët u amnistuan por jo edhe të tjerët  … ”

Popullit të Sanxhakut iu deshën 50 vjet kohë për të mbledhur forcë për rehabilitimin e Aqif Blytës, i cili është një nga figurat më të ndritura të Sanxhakut dhe më gjerë. Populli i Sanxhakut këtë e bëri nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në Këshillin Kombëtar Mysliman të Sanxhakut (sot Këshilli Kombëtar Boshnjak ) më 11 maj 1991. Megjithatë, intelektualët e Sanxhakut ende janë në pamundësi të ballafaqohen me bërthamën e kësaj çështjeje, me për përpunimin në aspektin shkencor të rolit dhe rëndësisë së milicisë myslimane në Luftën e Dytë Botërore, prijës i së cilës ishte Aqif Blyta.

Me disa përjashtime siç janë Mustafa Memiq, Safet Banxhoviq dhe historiani Esad Rahiq, mandej edhe Instituti për hulumtimin e gjenocidit të komunizmit në Sanxhak, po japin kontribut të çmuar, por ende nuk është ndriçuar e vërteta historike e kësaj treve. Trevë, e cila deri atëherë ka qenë e populluar me shumicë shqiptare, për të cilën sot rrallë kush flet. Esad Rahiq me të drejtë shtron pyetjen: A janë “kuislingët” lokal si Aqif  Blyta, Ahmet Daca, Bilall ( 1909) dhe Dervish Dreshaj (1907) nga fshati Gllogovik, Peshter, me të vërtetë tradhtarë, apo anasjelltas, të cilët ishin njerëz shumë të guximshëm që shpëtuan qytetin tonë nga gjenocidi i plotë? Këtë dhe shumë çështje dhe dilema të tjera mund të zgjidhen vetëm me një studim të plotë, konciz dhe me kritere të vërteta të bazuara në të vërtetat historike.

Të shpresojmë se në të ardhmen, në shënimin e kësaj date shumë të rëndësishme për të kaluarën historike, të marrin pjesë, nëse jo nga strukturat qeveritare të Shqipërisë dhe Kosovës,  të paktën përfaqësuesit e OJQ “Kosova për Sanxhakun”, pasardhësit, gjegjësisht, familjarët e këtyre viktimave.

Filed Under: Histori Tagged With: dita e dëshmorëve, Shënohet 4 shtatori, të Pazarit të Ri!

Kosovë- Himni i Nënës Terezë nga Inva Mula përmbyllë festën

September 6, 2015 by dgreca

-Kuvendi i Kosovës do ta shpallë 5 Shtatorin e Nënës Terezë ditë të humanizmit dhe bamirësisë/Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 6 Shtator 2015/ Festa e Nënë Terezës në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, është përmbyllur mbrëmë me koncert në Katedralen me emrin e shenjtëreshës shqiptare, ku në mesditë u zhvillua mesha solemne. Himni i Nënës Terezë performuar nga solistja e njohur shqiptare me famë botërore, Inva Mula, përmbylli festimet.

Në Koncertin e  Himnit të Nënë Terezës me vepra muzikore të kompozitorëve të njohur shqiptarë dhe botërorë dhe recitime të aktorëve të shquar ishin edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, zëvendëskryeministri i Republikës së Maqedonisë Musa Xhaferi, veprimtari dhe simboli i rezistencës kosovare Adem Demaçi, deputetë dhe shumë personalitete tjera të jetës politike, kulturore e fetare.

 Fillimisht, të pranishmit i përshëndeti Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ndërsa kryetari i Kuvendit, Veseli, në një fjalë rasti vlerësoi kontributin dhe shërbimin që Nënë Tereza i bëri atdheut, nëpërmjet misionit të saj fisnik të bamirësisë e të përkujdesjes njerëzore, duke u bërë kështu vlerë krenarie për shqiptarët në të gjitha anët e globit.  
Kreu i Kuvendit kosovar tha se tre vite më parë, kur OKB-ja vendosi që duhej të kishte një datë dhe një emër që do të simbolizonte përkushtimin global për bamirësi dhe humanizëm, askush nuk kishte dilema se cila do të ishte kjo datë dhe se cili do të ishte ky emër.
“E lindur dhe e rritur në një kohë të trazuar, vasha e ndrojtur e bojaxhinjve të Prizrenit, në një ditë gushti të vitit 1928, shumë afër nga këtu, në Letnicën e Vitisë, mori vendimin jetësor për t’u nisur në rrugën e madhe të bamirësisë dhe humanizmit…Shpirtin e kësaj toke e mori me vete, për ta kthyer në një lëvizje botërore të bamirësisë, solidaritetit, paqes dhe dashurisë njerëzore”, tha kryetari Veseli, duke theksuar se Nënë Tereza, me veprën e saj jetësore i tregoi gjithë botës se vinte nga një popull i vogël, por me zemër të madhe, duke i bërë kështu një dhuratë të çmuar atdheut të saj.
“Sonte jemi mbledhur këtu në këtë tempull të respektuar të zotit, që së bashku të dëgjojmë tingujt e himnit të saj. Nga këtu, nga toka e saj, nga Prishtina, këta tinguj do të dëgjohen në të gjithë botën, për të dhënë përsëri mesazhin për të cilin veproi gjithë jetën e saj, bija jonë e madhe, Nënë Tereza. Mesazhin e paqes që triumfon mbi urrejtjen dhe shkatërrimin, mesazhin e solidaritetit që triumfon mbi indiferencën dhe mospërfilljen, mesazhin e dashurisë njerëzore që triumfon mbi dhunën, mesazhin se jeta jonë merr kuptim vetëm duke punuar me besimin se gjithmonë është e mundur një botë më e mirë, më e drejtë dhe më paqësore. Urime e gëzuar të gjithë Himni i të Shenjtës Nënë Tereza”, u shpreh Veseli.
Kryeparlamentari kosovar tha se Kuvendi i Kosovës e konsideron Nënën Terezë të shenjtë, sepse ajo e tillë ka qenë gjatë gjithë jetës së saj. Ai shprehu besimin se Kuvendi shumë shpejt do ta shpallë 5 Shtatorin e Nënës Terezë ditë të humanizmit dhe bamirësisë.
Në  Katedrale, në meshën e Festës të së Lumes Nënë Tereza, Imzot Dodë Gjergji, Ipeshëv i Kosovës, gjatë predikimit/homelisë  u shpreh se, “gjithë jeta e saj ka qenë një Himn dashurie për Zotin dhe një  altar sakrifice për vëllain e motrën njeri”. 
“Ja se çfarë bëri Zoti për ne: Gjithë dashurinë që njerëzit tanë e kanë mohuar në histori, Zoti e ka vu në zemrën e Gonxhes. Dhe kjo dashuri e derdhur në një zemër bujare, të një vajze Shqiptare, e ka mahnitë gjithë njerëzimin. Fryti i kësaj dashurie ka shëruar plagë, të trupit e të shpirtit, të shumë njerëzve mbi tokë. Kësaj bije të popullit tonë, kësaj Nëne të njerëzimit dhe këtij engjëlli të qiellit, ne i kemi ngritë këtë Katedrale”, theksoi Ipeshkëvi i Kosovës, Imzot Gjergji.
Në Katedralen Nëna Terezë në Prishtinë, gjatë manifestimit treditësh Ditët e Nënës Tereze këtë vit  është hapur ekspozita e fotografive dëshmi kohe gjatë çerek shekulli – 25 vjetëve të Shoqatës Humanitare Bëmirëse të Kosovës Nëna Terezë, e cila u themelua edhe si pjesë e rezistencës përballë pushtimit e dhunës dhe e lëvizjes gjithëpopullore për liri e pavarësi.
Katedralja Nëna Terezë, si në meshë ashtu edhe në koncert, ishte e mbushur përplot qytetarë të komuniteteve e besimeve të ndryshme, si dhe pjesëtarë të misioneve diplomatike, pranisë ndërkombëtare në Kosovë.
 Në qytetin jugor kosovar të Kaçanikut është mbajtur pardje Manifestimi Nënë Tereza – Simbol i Dashurisë dhe Bamirësisë, ku morën pjesë krerë të Kishës Katolike të Kosovës, të Bashkësisë Islame të Kosovës, përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale, të ftuar të tjerë dhe qytetarë të shumtë.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Behlul Jashari, festa, Himni i Nenes Tereze, Inva Mula

Sant Egidio per Harmonine Fetare ne Tirane

September 6, 2015 by dgreca

4 mijë klerikë sot në Tiranë – Toleranca fetare dhe dialogu, kryefjalë e takimit të 28-të Ndërkombëtar për Paqen/

Në një kohë kur shumë vende të botës janë përfshirë nga luftra, janë goditur nga terrorizmi dhe po vuajnë plagën e emigracionit, përfaqësuesit e komuniteteve fetare në Shqipëri kanë përcjellë mesazhe paqeje. “Në Shqipëri është e mundur të jetohet në vëllazëri. Harmonia ndërfetare në Shqipëri është fakt historik”, thanë përfqësues të besimeve të ndryshme.
Në prag të nisjes së eventit për paqen në botë, përfaqësuesit e komunititet të Sant Egidios kanë prezantuar programin 3-ditor dhe kanë theksuar rëndësinë e dialogut për paqen, i cili është më i vështirë, por edhe e vetmja rrugë për njerëzimin. Alberto Quatrucci, Sekretar i Përgjithshëm i Komunitetit të Sant Egidios, u shpreh: “Nuk mund të mos kujtojmë emigracionin e viteve ’90 në Shqipëri. Ta shikoje me pozitivitet atëherë, ishte të dilje kundër rrymës, por ai emigracion ka sjellë zhvillim në Itali dhe Shqipëri. Tani po përballemi me një formë tjetër emigracioni në Europë dhe ky takim në Shqipëri do të tregojë angazhimin e komuniteteve fetare për t’iu përgjigjur sfidës së emigracionit, që mund të jetë edhe një sfidë zhvillimi”.Ndërkohë, ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, deklaroi: “Nëpërmjet dialogut, ne mund të harrojmë konfliktet. Rajoni i Ballkanit, edhe falë kontributit të madh të politikës shqiptare është sot një ambient më i paqtë dhe që mendon më tepër për zhvillimin sesa për luftën”. Pasditen e së dielës, 6 shtator, nisin aktivitetet për Lutjen e Paqes, të cilat do të zgjasin deri të martën pasdite, kur do të inaugurohet edhe Parku i Paqes, vend ku do të mbillet në mënyrë simbolike pemë ulliri.

4 mijë klerikë sot në Tiranë – Toleranca fetare dhe dialogu, kryefjalë e takimit të 28-të Ndërkombëtar për Paqen/

Për tri ditë rresht, Tirana do kthehet në kryeqytetin e gjithë botës besimtare, si vendi i paqes dhe harmonisë fetare. Paqja, toleranca fetare dhe dialogu do të jenë kryefjala e takimit të 28-të Ndërkombëtar për Paqen, që nis sot pasdite në Tiranë dhe do të vijojë edhe në datat 7 dhe 8 shtator, në përkujtim të 20-vjetorit të përfundimit të luftës së fundit në Ballkan.Ky event i rëndësishëm organizohet nga Komuniteti Sant’Egidio, në bashkëpunim me Konferencën Ipeshkvnore të Shqipërisë, Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe qeverinë shqiptare.Një ditë para takimit të 28-të Ndërkombëtar për Paqen,  Ministri i Mirëqenies Sociale Blendi Klosi është shprehur se organizimi po shkon drejt përfundimit. Gjatë inspektimit të përgatitjeve i shoqëruar dhe nga përfaqësuesi i komunitetit Sant’Egidio, Klosi tha se ky do të jetë një takim historik për Shqipërinë.“Jemi në momentet e fundit të përgatitjes, nesër në orën 5 kemi ceremoninë inagurative të eventit. Është një ceremoni për të cilën kemi emocione dhe streset e fundit pasi janë shumë të ftuar. Shumë prej tyre personalitete VIP të cilët do të kërkojnë vëmendjen e nevojshme”,  u shpreh Klosi.

Ministri i Mirëqenies Social u kërkoi qytetarëve ta mirëkuptojnë për trafikun që do krijohet në Tiranë, sidomos ditën e martë ku do të zhvillohet marshimi i paqes, pranë Piramidës.

“Ajo që ne i kërkojmë qytetarëve shqiptarë është që të shprehin konsensin e tyre dhe mirëkuptimin për problemet e trafikut ditën e nesërme mbasdite në zonën ku do të zhvillohet aktiviteti por ditën e martë që do të jetë një ditë më e madhe publike ku qytetarë nga e gjithë shqipëria do vijnë të marin pjesë në marshimin e paqes. Është një marshim shumë interesant i cili do të zhvillohet në sheshet kryesorë të qytetit Tiranës dhe do të jenë përfaqësues nga kleri lartë nga e gjithë bota”,  tha ministri.

Në aktivitetin “Lutja e Paqes 2015” janë ftuar të marrin pjesë rreth 4000 persona, mes të cilëve krerë të besimeve fetare botërore (katolikë, ortodoksë, protestantë, myslimanë, hebrenj, zoroastrianë, sikh, budistë dhe shintistë), nga Italia, Gjermania, Franca, Belgjika, Iraku, Izraeli, India, Rusia, Indonezia, Qipro, Japonia, Kina, Australia, e shumë vende të tjera nga Europa, Afrika, Azia e Amerika Latine.

Po ashtu janë ftuar të marrin pjesë edhe personalitete të shquara të politikës, personalitete të larta të të gjitha besimeve fetare, historian, filozofë, ekspertë të zhvillimeve ndërkombëtare, përfaqësues të botës akademike, gazetarë, teologë, shkrimtarë të njohur.

Në Lutjen për Paqe 2015 janë të ftuar rreth 400 personalitete politike dhe jo vetëm, mes tyre: zv.presidenti i Parlamentit Europian, ministri i Jashtëm italian, ministri italian i Drejtësisë, Sekretari i Përgjithshëm “Besime për Paqen” Japoni, Zv.ministri i Bashkëpunimit dhe Zhvillimit nga Gjermania, ministri i Punëve të Jashtme nga Salvadori, ish-president i Komisionit Europian, Romano Prodi, etj.

Ceremonia e Inaugurimit do të mbahet në Pallatin e Kongreseve, pas së cilës ndjek dita e dytë me panele të ndryshme rreth zhvillimeve ndërkombëtare.

Përmes dialogut dhe promovimit të paqes i kundërvihemi dhunës me propozime konkrete dhe të realizueshme, tematika e të cilave do të diskutohet në panelet e organizuara me rastin e këtij eventi. Propozimet konkrete do të jenë për t’u thënë “Ndal!” konflikteve në botë.

Propozimet konkrete do të vijnë nga vendet në konflikt si Siria, Iraku, Nigeria, Mindnao (Filipinet) dhe Libia. Aktivitete me të rinjtë do të pasurojnë këtë event me tematikë “Nuk ka të ardhme pa Paqe!”. Dita e tretë do të shpallë Apelin për Paqen në të gjithë botën, ku secili nga pjesëmarrësit është i ftuar ta nënshkruajë. Mbjellja e pemës së parë të Paqes nga të gjithë krerët e besimeve fetare do të mbyllë eventin.

Filed Under: Kronike Tagged With: Harmonia Fetare, San Egidio, Tirane

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 77
  • 78
  • 79
  • 80
  • 81
  • …
  • 91
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT