Federata Panshqiptare e Amerikes”VATRA” fton Komunitetin shqiptar ne Nju Jork dhe rrethina qe te marre pjese ne veprimtarine perkujtimore qe do te organizohet te Shtunen me 5 Shtator 2015 ne oren 11.00 para dite deri ne 2 pas dite në Royal Regency Hotel (165 Tuckahoe Rd, Yonkers, NY 10710)/
Njoftojmë komunitetin se të shtunën që vjen, me 5 shtator 2015, do të bahet një ceremoni përkujtimore për Akademik Mark Krasniqin, i cili vdiq ditën e premte me 28 gusht dhe u varros të dielën me datën 30 gusht në Prishtinë.
Përkujtimi do të bahet në Royal Regency Hotel (165 Tuckahoe Rd, Yonkers, NY 10710), prej orës 11:00 para dreke deri ne orën 2:00 mbas dreke.
Disa bashkatdhetarë nga New York-u me rrethe kanë shkue për varrim dhe kanë sjellë përsonalisht mesazhe ngushëllimi dhe kurora me lule.
Për shumë të tjerë që e kanë njohë Profesorin nga afër ose e kanë admirue nga larg për veprat e tij por nuk kanë mujtë me udhtue në Prishtinë, do të kenë rastin për me shprehë vëlerësimet dhe kujtimet e tyne në këtë përkujtim që organizohet pikërisht për të tregue respektin e këti komuniteti për Akademik Mark Krasniqin dhe mirënjohjen për kontributin që Ai i ka dhanë kulturës shqiptare dhe luftës për liri e pavarësi të Kosovës.
Në një rast të përshtatshëm ma vonë, do të organizohet një akademi përkujtimore, ku do të ligjërojnë studiues të kualifikuem dhe njohës të jëtës dhe të veprave të këtij përsonaliteti kombëtar të shumanshëm. – See more at: https://gazetadielli.com/vatra-do-te-nderoje-akademik-mark-krasniqi-me-nje-veprimtari-perkujtimore-ne-nju-jork-2/#sthash.Xs3OGcvl.dpuf
Archives for September 2015
Kosovë-Policia feston 16 vjetorin, institucion i besimit të madh
-Në 6 shtator të vitit të lirisë 1999 është hapur Shkolla e policisë dhe ka filluar trajnimi për pjesëtarë të Policisë së Kosovës/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 4 Shtator 2015/ “Policia e Kosovës, vazhdon padyshim, të jetë një ndër institucionet me besimin më të madh të qytetarëve në vendin tonë”, tha sot kryeministri kosovar, Isa Mustafa.
Ai mori pjesë në ceremoninë solemne të festimit të 16 vjetorit të Ditës së Policisë së Republikës së Kosovës, ku vlerësoi lartë profesionalizmin dhe sukseset e arritura.
Kreu i qeverisë së Kosovës tha se, “roli i Policisë, sikurse edhe i organeve tjera të sigurisë dhe të drejtësisë, jo vetëm tek ne por edhe në aspekte globale po sfidohet me probleme të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit”.
“Tani ne po përfundojmë Strategjinë për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që Shpie në Terrorizëm, dhe kjo strategji kërkon një sinergji të të gjitha subjekteve shtetërore dhe sociale të vendit tonë. Kemi synim të bëhemi pjesë e aleancës globale për siguri dhe stabilitet, prandaj presim edhe përkrahjen në anëtarësim tonë në Interpol dhe Europol”, u shpreh Mustafa.
Duke theksuar se Policia e Kosovës është bërë faktor i rëndësishëm i besimit në funksionimin e shtetit të Kosovës, kryeministri Mustafa ka siguruar se qeveria do të ofrojë të gjithë përkrahjen e nevojshme për zhvillimin dhe avancimin e mëtutjeshëm të Policisë kosovare.
Në 6 shtator të vitit të lirisë 1999, Misioni i OSBE-së në Kosovë, në pajtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, ka hapur Shkollën e policisë dhe ka filluar trajnimin për pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Brezi i parë i kandidatëve kishte 176 pjesëtarë, të cilët me sukses përfunduan trajnimin dhe pastaj filluan ushtrimin e veprimtarisë policore në tërë territorin e Kosovës, një shërbim i ri i krijuar në bazat e një policie demokratike dhe profesionale, i hapur dhe i barabartë për të gjithë të interesuarit që dëshrirojnë të bëhen pjesëtarë. Trajnimi në Shkollën e Policisë së Kosovës vlerësohet me standarde të larta.
“Malbardha”, i Marin Memës, kandidat për çmimin “Jacques Chirac”
Reportazhi për fshatin Malbardhë, i ciklit “Shqipëria Tjetër” të gazetarit Marin Mema në Top Channel, është një ndër 5 kandidatët për të fituar çmimin ndërkombëtar të Fondacionit “Jacques Chirac” në Francë. Ai është kualifikuar për në fazën finale, mes mbi 100 kandidaturave nga e gjithë bota. Për këtë çmim nominohen personalitete nga të gjitha vendet, por është hera e parë që nominohet një komunitet i tërë, si ai i fshatit Malbardhë. Një vit më parë, gazetari Marin Mema solli realitetin e fshatit Malbardhë, një komuniteti me mbi 95 për qind myslimanë, i cili në bashkëpunim me pakicën dhe kishën katolike ka kontribuuar në mënyra të ndryshme, sipas mundësive, për ringritjen e kishës së vjetër të fshatit. Një rast ky, tregues i tolerancës dhe bashkëjetesës, që bëri xhiron e mediave botërore. Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Besnik Mustafaj, dhe një ndër intelektualët më në zë në vend, është një ndër 12 anëtarët e Komitetit të këtij çmimi, i përbërë nga personalitete botërore të fushave të ndryshme, rrëfen rrugëtimin e këtij reportazhi. “U prit jashtëzakonisht mirë. Në 5 apo 6 raunde, nga mbi 100 kandidatura që ishin në fillim, në dhjetor të vitit të kaluar kur edhe filloi shqyrtimi i tyre, tashmë ka mbërritur në 5 kandidaturat më solide. Gjë që është një vlerësim shumë i madh, qoftë për shembullin që kanë dhënë banorët myslimanë të Malbardhës, ashtu edhe për punën që ka bërë gazetari për publikimin e këtij eventi”, tha Besnik Mustafaj. Për të kuptuar rëndësinë e këtij çmimi, thekson zoti Mustafaj, mjafton të shikosh fituesit e viteve të mëparshme. “Për ta shpjeguar pak më mirë, përpara 3-4 vitesh fitues i këtij çmimi ka qenë drejtuesi i San’t Edigios, që ka një aktivitet tani në Vatikan, para 2-3 vitesh fituese ka qenë pakistanezja Malala Yousafzai, e cila mori vitin e kaluar edhe Çmimin Nobel për Paqe. Gjithashtu është edhe një çmim i shpërblyer shumë mirë, plot 100 mijë euro për fituesin, çmim që jepet në Paris në nëntor të këtij viti”, tha më tej Mustafaj. Sipas zotit Mustafaj, kjo kandidaturë ka thyer tabutë e mëparshme. “Ishte hera e parë që merrej shumë seriozisht një kandidaturë jo vetëm nga Ballkani, por edhe nga gjithë Europa, përveç europianëve që kanë punuar në Afrikë apo në Lindjen e Mesme. Flasim gjithnjë për europianë brenda kufijve të Europës”, theksoi Mustafaj.
PADIA E RRALLE: TE AKUZUAR 8 KRYEMINISTRAT QE KANE QEVERISE SHQIPERINE
*Një padi e rrallë, qytetari nga Durrësi padit 8 kryeministrat e vendit/
*Ai akuzon ish-kryeministrat Sali Berisha, Fatos Nano, Aleksandër Meksi, Bashkim Fino, Pandeli Majko, Ilir Meta, Ylli Bufi dhe kryeministrin aktual Edi Rama si përgjegjës për çfarë ka ndodhur në vendin tonë këto 25 vite/
Një padi e rrallë është depozituar në dyert e gjykatës nga një qytetar i Durrësit.
Për të gjitha ato çfarë ka kaluar Shqipëria pas vitit 1990, qytetari durrsak Nikoll Prenga bën përgjegjës kryeministrat e deritanishëm dhe ka vendosur t’i hedhë ata në gjyq. Një vit më parë, ai ka depozituar në Prokurorinë e Durrësit një padi ndaj ish-kryeministrave të 25 viteve të fundit, përfshirë edhe kryeministrin aktual, Edi Rama. Prenga akuzon ish-kryeministrat Sali Berisha, Fatos Nano, Aleksandër Meksi, Bashkim Fino, Pandeli Majko, Ilir Meta, Ylli Bufi dhe kryeministrin aktual Edi Rama si përgjegjës për çfarë ka ndodhur në vendin tonë këto 25 vite. Fillimisht, padia e tij nuk është marrë parasysh nga prokuroria e Durrësit, me argumentin se nuk ka asnjë provë thelbësore për të nisur procedimin penal. Por Gjykata e Apelit në Durrës e ka dërguar kallëzimin në Gjykatën e Lartë. Kjo e fundit ia ka kaluar padinë për hetim Prokurorisë së Përgjithshme.
Kosovë: Nënë Tereza – simbol i dashurisë dhe bamirësisë
-Në Kaçanik u mbajt sot manifestim në nderim të figurës së humanistes Nënë Tereza/
-Festa e Nënë Terezës nesër në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 4 Shtator 2015/ Në qytetin e Kaçanikut është mbajtur sot manifestim në nderim të figurës së humanistes Nënë Tereza, ku morën pjesë krerë të Kishës Katolike të Kosovës, të Bashkësisë Islame të Kosovës, përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale, të ftuar të tjerë dhe qytetarë të shumtë.
Manifestimi me temën “Nënë Tereza – simbol i dashurisë dhe bamirësisë” u mbajt nën kujdesin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli. Ai çmoi lart figurën e Nënës Tereze, duke e cilësuar atë flamurtare të madhe të humanizmit dhe solidaritetit njerëzor dhe simbol universal të bamirësisë.
“U zgjodh Kaçaniku për të nderuar këtë figurë të madhe të kombit tonë dhe të njerëzimit, sepse Nënë Tereza, ajo vasha e dikurshme e ndrojtur, Gonxhe Bojaxhiu, ishte bijë e këtyre trevave, Kaçanikut, Shkupit, Prizrenit, bijë e traditave të fuqishme të tolerancës fetare dhe solidaritetit, që janë të rrënjosura në kulturën dhe shpirtin tonë”, u shpreh Veseli.
Ai vijoi se, Nënë Tereza ishte bijë e këtij populli, që shpirtin solidar të tij e shndërroi në një lëvizje botërore të humanizmit dhe bamirësisë.
“Nënë Tereza ishte një luftëtare e madhe e shpresës njerëzore. Kjo bijë e kombit, gjithë jetën luftoi kundër barbarive që krijoi shekulli XX, duke mbajtur kështu gjallë idealin e një bote më të mirë, më solidare dhe më të drejtë”, tha Veseli.
Nënë Tereza, shtoi kreu i Kuvendit kosovar, në shekullin e urrejtjeve ideologjike e fetare zbuloi dimensionin humanist të religjionit dhe idenë e madhe se dashuria për zotin ka kuptim vetëm duke qenë dashuri për njerëzit.
“18 vite pas vdekjes së bijës sonë të madhe, bota vazhdon të përballet ende me probleme dhe kriza të mëdha. Urrejtja, e ndërtuar mbi abuzimin e ideve politike dhe fetare, është duke bërë kërdinë në shumë pjesë të botës, duke shkatërruar jetën e milionave njerëzve dhe duke i zhytur në mjerim social miliona të tjerë. Në këtë situatë, mesazhi jetësor i Nënë Terezës, bëhet më aktual se kurrë. Bëhet i domosdoshëm. Dhe ky mesazh është se religjioni duhet të ketë vetëm një aleat- humanizmin”, tha kryetari Veseli.
Duke nderuar sot Nënë Terezen, shtoi kryetari i Kuvendit, ne frymëzohemi me idealin e saj të bamirësisë. “Sot, kur rrugët e Ballkanit janë të mbushura me refugjatë të ikur nga terrori i luftës në Siri, këtë frymëzim duhet kthyer në vepra konkrete, duke ndihmuar që dhimbjet e këtyre refugjatëve të pakësohen”, tha kryeparlamentari Veseli.
Ai vijoi se, askush më mirë se sa ne nuk e kupton dhimbjen e braktisjes së atdheut për shkak të terrorit. “Askush më mirë se sa ne nuk e ndjen trishtimin në fytyrat e fëmijëve të ikur nga lufta. Prandaj është moment që me aq sa kemi mundësi, të bëhemi pjesë e solidaritetit me njerëzit e vuajtur. Kështu e vazhdojmë misionin e bijës sonë të madhe, Nënës Terezë. Kështu, e nderojmë më së miri vetë atë”, theksoi kryetari i Kuvendit kosovar, Veseli.
Festa e Nënë Terezës mbahet nesër në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë.
Programi:
Ora 11:00 mesha solemne në Katedralen “Nënë Tereza” të cilës do t’i prijë Imzot Dodë Gjergji – Ipeshkëv i Kosovës.
Ora 20:30, Koncerti i Himnit të Nënë Terezës, në Katedralen “Nënë Tereza” Prishtinë.
- « Previous Page
- 1
- …
- 81
- 82
- 83
- 84
- 85
- …
- 91
- Next Page »